*ISHTE NË SHERBIM TË KASAPËVE SHOVENISTË SERBË…/
*Lufta Civile në Shqipni gjatë viteve 1943-1944 1941 – 1944 /
Nga Fritz RADOVANI*
Kaq na e kanë prue shpirtin në fyt turqit, sa askush, nuk i zenë me gojë bizantinët.Vetem kur shihej ndonjë fëtyrë e shtrembët dhe e permallueme thohej me përçmim: “Kjo fëtyrë asht si me kenë figure shkjeshë!..” E pra, jo pak vjetë bizantinët kanë kenë pushtues!
Pa u kujtue fare se po bahen 70 vjetë nga ajo ditë e zezë e pushtimit komunist, në vitin 2014, Shqiptarët presin me ra nga qielli “Liria, Paqa, Demokracia…Lufta kundër korrupsionit, e deri tek pajtimi i gjaqëve…”, me një fjalë: “Shteti Ligjor” pritet me ra me borë ose nga përmbytjet e ujnave; më duket, ma shumë nga “përmbytjet”… Plot 70 vjetë që po sundojnë komunistët!
Plot 73 vjetë po bahen që komunistët jugosllavë apo “bolshevikët” e Titos, morën nga Aleatët autorizimin me pasë nën “kujdesin” e tyne, edhe shtetin kukull të anadollakëve shqiptarë (po i themi), per me e shartue me komunizmin stalinist të Titos…dhe me pjellë Republiken Demokratike Shqiptare, (e shtat-ta e pashpallun zyrtarisht e Jugosllavisë Federative).
Edhe pse Lufta e Dytë Botnore korrte jetë njerzish çdo minut, Italia fashiste krijoi tek né një situatë të pakuptueshme per Shqiptarët. Ajo jo vetëm, mbushi magazinat e tregtarëve me mall e qypat me napolona flori, po edhe çliroi Tokat tona të Hotit, Grudës, Kosovës e deri poshtë në Maqedoni Perëndimore, të cilat mbas kapitulimit të saj i mori në kontroll Gjermania. Kjo as që shkruhet as nuk zehet me gojë nga “dr. prof.” tanë, edhe pse asht ngjarje e vitëve 1941 – 1944.
Ishte pra, pikrisht Lufta e Dytë Botnore që hapi një kapitull të ri, aqsa dramatik edhe të turpshëm për të gjithë ata që me të gjitha mjetët e tyne po edhe të tonat, kanë punue për shfarosje të Trojeve Shqiptare dhe shkombtarizimin e pandërpremë të Popullit dhe Shtetit Shqiptar Evropjan. I vetmi shtet që nuk kishte pretendime të zhdukjes sonë nga harta e Evropës, ishte Gjermania, kjoftë, edhe per “interesat” e saj. Edhe kur ajo ishte në falimentim të luftës, autorizon Rregjencën Shqiptare nëpërmjet At Anton Harapit, me u lidhë me Aleatët, për me mujtë me shpëtue nga bolshevizmi stalinist dhe neoshovenizmi ruso – sllav i pashmangshëm që po pushtonte Ballkanin, e që donin të eleminonin nga harta Shqipninë Europjane.
“Një administrim ushtarak në kuptimin e mirëfilltë në Shqipëri, nuk ekzistoi… Politika e Gjermanisë pati si parim prijës rëspektimin e Shqipërisë si Shtet neutral dhe i pavarur.”, thohet në relacionin e Militarbefehlshaber Sudost të Vermahtit Gjerman. Shkrue nga Aurel Plasari.
Populli Shqiptar sigurisht pushtimin fashist nuk e priti mirë e kryesisht, nacionalistët e kanë shfaqë këte gja, për të cilën flet ma kjartë se kushdo Konti Çiano në kujtimet e tija. Ndersa, per qendrimet e Klerikëve të Besimeve të ndryshme, ate do ta paraqes pjesë në vete…
Grupeve komuniste shqiptare të Shkodres dhe Korçës, as që u binte ndër mend se duhej organizue rrezistencë e armatosun kundër Italisë fashiste, sepse, vetë Italia ishte në aleancë me Gjermaninë Nacional – Socialiste të Hitlerit, që ishte në marrveshje të plotë me Rusinë Nacional – Komuniste, pra, me Rusinë Bolshevike – Sovjetike të Stalinit, pikrisht me qendren e internacionales së komunizmit botnor. Si rrjedhim, përderisa, Stalini ishte që nënshkroi Traktatin Molotov – Ribentrop në vitin 1939, me aleatin e Duçes, Hitlerin, që ky Duçe, na kishte pushtue né, komunistët bolshevikë të Shqipnisë i shihnin fashistët italian si aleat dhe miqë të bolshevikëve sovjetikë dhe udhëheqsit të tyne Stalinit të “math”, të cilët, mendonin dhe punonin për krijimin dhe ndarjen e një Evrope të “Re”, me dy gjysma “mike” njena me tjetrën: Nacional – Nazistët dhe Nacional – Bolshevikët. Ky Traktat mes tyne nuk kje formal. Ndonse, pakti prej tyne u mendonte si i “sigurt”, po divergjencat e mëshefta sollën pasojë luftën mes tyne. Kur Hitleri në befasi sulmoi mikun e vet Stalin, komunistët u zgjuen nga gjumi dhe u vune në lëvizje kundër okupatorit, sigurisht, jo për atdheun e tyne, po për “atdheun” me Stalinin në krye… Pikrisht, këtu, qendron ironia e Luftës Nacional- Çlirimtare, se vetë komunizmi dhe idelogjia marksiste predikon se, “proletarët nuk kanë atdhe, derisa thohët se s’kanë as pronë”.
Ishte viti 1941 kur misionarët e Titos në Shqipni (Ali) Dushan Mugosha dhe (Sali) Miladin Popoviç-i u lidhën me një pjesë të komunistëve shqiptar që mund të komunikonin ma mirë se me pjesën tjetër që mund t’iu dilte nga kontrolli, dhe me datën 8 nandor 1941, formojnë “Partinë Komuniste të Shqipërisë” mu në qendren e grupimeve antishqiptare në Tiranë, ku këto rryma politike që në vitin 1913 me tradhëtarin Esad Pashë Toptani, punonin vetëm për kolltuk e me mbushë xhepat e me ikë jashtë… dhe asnjëherë në histori, për unitetin e Shtetit Shqiptar.
Kolltukomania, dhe perfitimi material personal u shfaq randshëm qyshë në vitin 1920, kur Veriu kërkonte me kambëngulje që për interesat kombëtare të të gjithë Trojeve Shqiptare, Kryeqyteti duhet me kenë Shkodra. Lidhjet e mëshefta me Beogradin nuk kishin si të lejonin një gja të tillë. Kryeqyteti i Shqipnisë për interesat shoveniste të fqinjëve mbet Tirana.
Tirana ishte jo vetem dëshirë e Toptanëve dhe trashigimtarëve të tyne po, edhe e një tjeter surrati turpi në historinë tonë, prej të cilit frymzohej Enver Hoxha, per të cilin shkruen: “Fshatarët kryengritës e zgjodhën Haxhi Qamilin komandant të përgjithshëm…njeriun më të besuar, më trimin, më të vëndosurin, më të thjeshtin…”(E.H. Vepra 23, fq 141.) Ishte ky Haxhi Qamil, që me djegëjen e qelës Don Nikoll Kaçorrit dhe bibliotekës së Tij, kishte afirmue vetën si paraardhës i denjë i Enver Hoxhës, me zanë vend në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, në faqe 886, botim i vitit 1985, në Tiranën e “akademikëve haxhiqamilist” të fundit shek. XX.
Pikrisht, Tiranën e zgjodhën miqtë serbë, të derguem nga shovenisti Tito. Aty u formue ajo parti që u përfaqsonte me pjesën Jugore të Shqipnisë, ndonjë nga Shqipnia e mesme dhe nga Shkodra me një përfaqsues të komunistëve ortodoks Vasil Shanto, kur Shkodra, kishte “vetëm 99 vetë” të atij besimi e kurrë 100, siç flitej nga “historia e luftës” e fshatit Vrakë, po kurrë, nga ajo e Shkodres, që erdhi tue u përforcua nga lakmia bolshevike për pushtet absolut me çdo kusht. Lakmia e PKSh kryesisht me jugorët korçarë shkaktoi një perçarje të papame mes tyne. Elementi komunist i grupit Zef Malës u konsiderue i pavlefshëm për lëvizjen nacional çlirimtare, aqsa bashkpunëtorët jo katolikë të grupit të tij verior tue përfshi edhe Vasil Shanton e Qemal Stafen që kishte studjue në gjimnazin e Shkodrës, jo vetem, u tradhëtuen po, dhe u vranë mbrenda dy vjetësh…ndonse, edhe kjo nuk i ka ra në sy ende “studjuesve” tanë të “historisë së partisë komuniste”. Nuk duhet ti “fajsojmë”, mbasi lëvizja Nacional-Çlirimtare kje vetëm Vllavrasje!
Si mund të formohej një parti komuniste pa prani të njenit prej kryetarve ma të vjeter dhe ma të kulturuem të një grupi komunist që ishte që në 1936, në qytetin ma të randsishëm të Shqipnisë Veriore, në Shkoder..? Ja edhe një fakt antishkodranë: Në vitin 1942, në shtëpinë e komunistit Jordan Misja në Shkoder, u zhvillue lufta kundër fashistave. Aty u rrethuen tre komunistë Jordani, Branko Kadija e Perlat Rexhepi. Branko Kadija dhe Perlati u shpallën heronjë, ndëra, Jordani, të cilit iu dogj shtëpia dhe u var në litar, u shpallë dëshmor…
“Historia” e Shqipnisë dhe e luftës partizane, asnjëherë nuk ka shkrue asgja në libra për luftën nacinal – çlirimtare ndër krahinat nga Kosova, Hoti, Gruda, Tivari, Maqedonia, Vorio – Epiri, Çamëria edhe pse brigadat tona partizane kaluen në Veri për çlirimin e tokave tona…dhe, si ndodhi lanja “përjetsisht” nën zgjedhën sllave të Popullit Shqiptar në Kosovë, Hot, Grudë etj. Këto ishin krahina të shituna prej Enver Hoxhës, per hir kolltuku e vllavrasje, i cili, me 1 korrik 1946 u dekorue në Beograd nga vetë “shoku” Tito, “Hero i Popujve të Jugosllavisë”
Në dukjen fallco të Konferencës së Pezës, komunistët iu kushtuen plotësisht çeshtjes së çlirimit nga okupatori në bashkpunim me grupet tjera antifashiste dhe me hipokrizi u bashkuen komunistë e nacionalistë. Atje u gjet Mustafa Gjinishi, Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Myslim Peza, Kristo Thëmelko, Gjin Marku, etj., që përfaqsonin komunistët. Ndërsa, me Ndoc Çoben, morën pjesë delegatët e të tri rrymave: Ballistët, Zogistët dhe Nacionalistët, të përfaqsuem nga Skender Muço, Ramazan Jarani, Halim Begeja, Abaz Kupi, që bashkpunoi me komunistë deri në konferencën e Labinoti (1943), etj. Fëtyra e vërtetë e komunistëve në sherbim të Titos, doli e kjartë mbas Konferencës së Mukjes me 1 Gusht 1943., kohë në të cilën “nacional – çlirimtarët” bolshevikë fillojnë haptas Luftën Civile, kunder Shqiptarëve që luftonin per Lirinë e Atdheut kryesisht, në Jugun e vendit. Këta Shqiptarë asht shumë e vërtetë se e donin Atdheun, po nuk pranonin bashkpunimin me sllavo komunistët e druzhe Titos, prandej, jo vetëm, u vranë dhe u masakruen nga bandat e Enver Hoxhës, Mugoshës dhe Popoviqit, po u shuen me fise, fshatra e vendstrehime ku, Lufta Civile barbare ende nuk asht e shkrueme nga historianët mashtrues.
Mbi parimin bazë u përbetuen për Flamurin: “Pa dallim feje krahine dhe ideje”. Me këte motiv u ba edhe marrëveshja e Mukjes, nga palët pjesmarrëse. Sikur, komunistët shqiptarë të banin përjashtim nga “morali komunist” i njohun per pabesi, vrasje dhe tradhëti mbas shpine, dhe t’u qendronin besnikë parimeve të Pezës dhe të Mukjes, domethanë, sikur të mos e kishin uzurpue udhëheqjen e përbashkët të Frontit Nacional-Çlirimtar Enver Hoxha me Mugoshat e Popoviqët shovenistë sllav të Titos, ku ishin prezent: Balli Kombtar, Legaliteti dhe Nacionalistët, fitorja vertetë do të ishte kombëtare, pluralizmi e demokracia do të ishte vendosë që gjatë Luftës, humbjet në njerëz dhe material do të ishin fare të vogla, dhe mbas çlirimit do të ishte vendosë një demokraci me na e pasë zili edhe fqinjët “dashamirës” si dhe shumë shtete tjera. Po ashtu, dhe progresi i gjithëanshëm i vendit do të kishte avancue në mënyrë të pandalshme. Në ata kushte Enver Hoxha me bolshevikët e vet, nuk do të mundnin të tradhëtonin çeshtjen kombtare tue i shitë Trojet tona, vetëm për me sigurue kolltukët e pushtetit. Ishte shansi i parë në Histori kur fati i Tokave tona Shqiptare do të ishte në dorën e vetë Shqiptarve, mbasi në Trojet Shqiptare kur ishin okupue nga fashistët dhe nazistët filloi administrimi nacional dhe pothuej, në të gjitha fshatrat kryesore u hapën edhe 250 shkollat Shqipe me mësues nga Shqipnia, tue lanë në një anë administratat e tyne në të gjitha zyret shtetnore po me nëpunës Shqiptar. Shqipnia ishte i vetmi vend në Europë që administronte lirisht monedhën e vet kombtare. Rruga e sigurtë e çifutëve per të shpetue jetën nga nazistët ishte Shqipnia dhe Kosova e bashkueme me ne. Rregjenca e Shqipnisë vazhdoi rrugen e shpëtimit të çifutëve, fillue nga Mustafa Kruja e vazhdue nga At A. Harapi, por këte fakt, sot fallsifikatorët e “’fillojnë me kohën e Ahmet Zogut”, kur Hitleri, i kerkoi në vitin 1933, “vendosjen e çifutëve në Shqipni, per mëkamjen e ekonomisë shqiptare me bankat e kapitalet e tyne, përballë varfnisë vendëve fqinjë sllave…”. Fatkeqsisht, u vjen turp me tregue injorancën e Ahmet Zogut, i cili iu përgjegjë kështu: “Shqipnia asht një vend me shumicë të madhe myslimanësh, dhe nuk mund të pranoj çifutët këtu, se kështu, do të humbi sundimin…”
Edhe mosbashkpunimi i çifutëve me komunistët “antinazistë”… e ka domethanjen e vet!..
Gjithshka dhe gjithmonë… në Shqipni lidhej me uzurpuesit e fronit… Po kush ishin tek né uzurpatorët dhe si e fituen marrjen e pushtetit pikrisht antishqiptarët e “betuar”?
Interesat e komunistëve tanë u përputhën me ata të komunistëve jugosllavë, bullgarë e shovenistëve grek, të cilët komandoheshin nga Moska dhe Londra, kështu, ata gjetën strehën e tyne të tradhëtisë tek antishqiptarët bolshevikë komunistë tek né, të cilët, ishin të lidhun me interesat e Aleatëve në Ballkan, prandej dhe katastrofa e jonë kombëtare kjé e paevitueshme…
●Anglezi A.Glen, shkruen: “Ato që i përcaktuan ngjarjet kanë qenë armët, të cilat iu dhanë Enver Hoxhës, e partizanëve… Né bëmë shumë pak me ua shpërblye besnikrinë miqëve tanë (nacionalistëve e Abaz Kupit). Në vend të kësaj, pa qenë nevoja né lejuam që ata të mundëshin dhe disa të tradhëtoheshin.” (“Albania’s National Liberation Struggle” fq. 363)
*N evijim te ciklit: Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
Melbourne, Nandor 2014. Vazhdon Pjesa III…
EVROPA E BASHKUAR DHE SHQIPTARËT
SHPALIME PËR EVROPËN E BASHKUAR DHE SHQIPTARËT, PREJ GJENEZËS E DERI MË SOT/
Shkruan: Brahim (Ibish) AVDYLI/
Po e fillojmë këtë punim me fjalën legjendare të rilindasit tonë të madh, Sami Bej Frashëri, i cili thotë për rolin e madh të pellazëve dhe gjuhën shqipe, se: “…pelasgëtë kanë folur kaqë mijë vjetë më parë këtë gjuhë që flasim ne sot, po thua pa asnjë ndryshim a me aq pak ndryshim, sa të mudte të delte sot një pelasg, do të mundimë të flisnimë me te si flet një gegë me një toskë…”
Gjuha shqipe është folur që prej fillimit, që prej zanafillës së njerëzimit, kur ka filluar njeriu të belbëzojë, atëherë mund të quajmë gjuhë e parë e njerëzimit dhe një gjuhë origjinale, e ruajtur nëpër mijavjeçarë e deri në ditët tona. Kur vendosim me qëllim të studimit ndonjë pjesë të vjetër shkrimi dhe shkencorisht mendojmë, atëherë mund ta barazojmë vetëm me shkrimin e sotëm të gjuhës shqipe dhe nuk kemi si t`i ikim lidhjes së ngushtë të gjuhës shqipe me gjuhën e vjetër pellazge. Gjuha e vjetër pellazge ka ardhur përmes ilirishtes deri në ditët tona dhe është sot e kësaj dite po ajo gjuhë, GJUHA SHQIPE, saqë nuk ka asnjë dallim apo ndonjë ndryshim të vogël, që pak merret vesh, sikur të qe një dallim i vogël i tokërishtes me gegërishten, të folmes së patjetërsuar të të njëjtit komb, me dy fise të mëdha, si SHQIPONJA e jonë, me dy koka.
Shqiptarët janë shqipe si shqiponjat, që fasin gjuhën shqipe prej fillimit, e nuk janë “albanër”, sepse “alban” dhe “albania” apo shkencëtarët “albanologë” e kanë “prejardhjen” prej latinëve, që kishin bërë një qëllim të parë edhe shkrirjen e kombeve të tjera. Madje shkrimin e gjuhës latine, në pjesën dërmuese, e morën nga iliro-pellazgët. Latinët janë krijuar më vonë, në rrjedhat e historisë.
Nën shtytjen e qëllimtë të këtyre dhe të gjithë armiqëve tanë, që na mblidhen përreth, aq të shumtë e të paskrupullt siç janë ata, jo vetëm se “i ndihmuan” kështu të krijoheshin “albanologët” me “shkencat e tyre” plot gënjeshtra, por i gënjejnë shqiptarët me “entogjenezën” e tyre të vonshme. Ne po e marrim sa për fillim një citim të recensionistit të veprës “Etnogjeneza e shqiptarëve”, në të cilën Hysen Uka, duke cituar tërësisht autorin, na thotë se “popullatat që këtu banonin gjatë Neolitit të hershëm dhe të mesëm (7000-4000) quhen popullata paleoballkanike…”. Po e ndërpresim këtu njëherë për të shënuar një fakt tepër të rëndësishëm: atëherë nuk ekzistonte emërtimi “Gadishulli Ballbanik”. Pra, në radhë të parë, emri “Ballkan” i është dhënë këtij Gadishulli pikërisht nga komuniteti ndërkombëtar, nga Kongresi i Berlinit, më 1878, ndërsa në vitin 1909 ai u bë emër legal për tërë Gadishullin, që tashmë quhej “Ballkan”, pra shumë më vonë; dhe e dyta, nuk ka kurrëfarë logjike të thuhet se këto “popullata” kanë qenë “paleoballkanike”, kur Ballkani nuk ka ekzistuar. Në të vërtetë, ky Gadishull quhej Gadishullit Ilirik, nga ilirët që e përbënin ate me shumicë, ndërsa më parë quhej HEMI. Ballkani quhej vargu i maleve me këtë emër dhe nuk kishte arësye të hiqej emri tradicional “Gadishulli Ilirik” dhe zëvendësohej me emrin “Gadishulli Ballkanik”. De fakto, emërtimi i tillë jo vetëm fshihte rolin e madh të ilirëve në këtë anë, por edhe etnogjenezës sonë ia veshë në mënyrë antishkencore tërë një periudhë të shekujve dhe e la të quhej “popullata paleoballkanike”. Kjo është një gënjeshtër pseudoshkencore. Atëherë aty banonin pellazgo-ilirët dhe nuk mund të quhej “popullata paleoballkanike”, sepse ishte tërësisht një popullatë pellazgjike, d.m.th. pellazgo-illire, d.m.th. shqiptarët e hershëm, që nuk e zënë me gojë “shkencëtarët evropianë”, as ata botëror, dhe kështu “grekëve” të mëvoshëm ua japin “të drejtën” që “të thirren” sikur janë prej fillimit “themelues të Evropës”. Të ashtuquajturit “grekë” patën përherë një mundim: të “ndërrojnë” gjuhën e tyre vazhdimisht, që kështu të mos njihej rrënja pellazgo-shqipe e shkrimive antike dhe i Lieareve A e B.
Në vijë të këtyre spekullimeve me çështjen e shqiptarëve, vjen loja e fundit. Aty e ka rendin “diplomacia” konservatore e fuqive të mëdha evropiane, edhe sot mjaft aktuale, e cila e sabotoi tërë historinë tonë kombëtare nga Kongresi i Berlinit, më 1878, me qëllim që të injoroi tërësisht çështjen kombëtare të shqiptarëve. Ky Gadishull u bë “Gadishulli Ballkanik” dhe i tërë rajoni është bërë rajon gjeopolitik dhe kulturor i Evropës juglindore, i cili i diskriminon shqiptarët dhe shkencat e tij. Është e vërtetë se ilirët e përbënin ate. Evropa zyrtare nuk i donte as ata dhe as çështjen e tyre, sepse kështu do të “hakmerrej” në radhë të parë sa i përket “themelimit” të Evropës, por edhe “prejardhjes” së popujve të tyre. Ne na la të “krijojmë” etnogjenezën tonë, sikur jemi “të ardhur” vonë “nëpër histori”, që prej “mesjetës” e këtej, prej “shkrimit të parë të gjuhës shqipe”, në vitin 1462, etj., pa e parë origjinën e vjetër pellazgo-ilire të gjuhës sonë, GJUHËS SHQIPE dhe banorëve më të shumtë të Evropës dhe veçanërisht të Gadishullit Ilirik.
Gjuha shqipe është GJUHA E PARË E SHKRUAR NË BOTË, është GJUHA E FILLIMIT TË BOTËS. Provat e saj shkencore dhe dokumetuese janë të shumta dhe sistematike. Ndër të tjera gjenden në mbi 200`000 pllaka me shkrim kuneiform të kulturës më të lashtë sumere. Pasardhësit akkadianë e babilonas e kanë quajtur “gjuhë sumere”, duke mos ditur se janë të gjuhës shqipe. Për këtë shkak e thonë se janë “Super (Shumer)” apo “Shumë Erë”. Vetë shumerët e quanin KI.E.NGIR, që do të thotë “tokë e ngirë”, e nginjur, e ngopur, e begatë. Provat tjera gjenden në 3-4 miliardë kopje të Biblës, në të gjitha gjuhët e sotme të botës së gjërë. Pra, besohet në të gjitha drejtimet se tregimet biblike, veçanërisht kapitulli i parë, zanafilla/genesis, janë me prejardhje nga shkrimet e pllakave sumere, si “Eposi i krijimit”. Bibla është përkthyer në mbi 2000 gjuhë të ndryshme, por pjesa e parë e 39 librave përbërës të “Dhiatës së Vjetër”, e quajtur “Zanafilla”, paragrafi 6:4, përmban provën SHQIPE, me fjalët “në fillim”. Ajo ka qenë problem i madh për përkthyesit, të cilët përfundimisht e kanë lënë në gjuhën origjinale dhe kështu shprehja “në fillim” është një nga provat më të rëndësishme të prejardhjes së gjuhës shqipe dhe të tregimeve tjera biblike. Një provë tjetër në Bibël, është fjala “mallkim”, e shkruar si “Malakhim”. Kjo është e njëjta me fjalën e sotme të shqipes “mallkim”. Biblën e përdorë tërë bota. Dihet, që udhëtimi i Noas është startuar nga Dodona dhe ka mbërritur në Malin Ararat dhe në Tebë. Dhe, anasjelltas, është ktyer përsëri në Dodonë. Noa është Nuha, është sot ndër shqiptarët Nuhiu. Do me thënë që shqiptarët janë prej origjinës së hershme të njerëzimit dhe gjuha e tyre shqipe është gjuha e parë e njerëzimit. Ajo flitej që kur është ndërtuar kulla e Babelit. Kulla e Babelit që përmendet në Bibël, ishte një kullë në ndërtim për të arritur qiellin dhe vetë Zotin e Madh. Njerëzimi i bashkuar që flitnin të njëjtën gjuhë, nisën të ndërtonin këtë kullë gjigande. Perëndia që po e vëzhgonte kryelartësinë e tyre, vendosi të përshtjellonte gjuhën e njerëzimit, që ata të mos kuptoheshin me njëri-tjetrin, sepse kështu parandaloi Zoti i Madh çdo përpjekje kolosale për të ardhmen e njerëzimit. Njerëzit, te nesërmen nuk u kuptuan më. Kështu lindën gradualisht të gjitha gjuhët e botës.
Por, të vazhdojmë me thënien e më tutjeshme të Hysen Ukës, që nxirret nga konstatimet e Prof. Dr. Kristo Frashërit. Popullatat që jetonin në periudhën e Neolitit të vonë “që nga fillimi i mijëveçarit të katërt deri në mijëvjeçarin e tretë p.e.s. (4000-2500 p.e.s.)” janë “popullata të grupit etnikogjuhësor alarodik ose mesdhetare”. Të gjithë “albanologët” dhe “ilirologët” e bëjnë “gabimin shkencor” dhe nisen nga “albanologjia” e mesjetës dhe ilirologjia, pa e ditur se shkenca nuk prihet nga politika, por ajo është e bazuar në faktet e pakundërshtueshme shkencore; se para tyre ka rrjedhur gjuha pellazgo-shqipe që prej zanafillës së njerëzimit e këndej; se ilirët e kanë folur të njëjtën gjuhë nga pellazgët dhe ia kanë përcjellur shqiptarëve të vonshëm; dhe së fundit, se nuk i kanë përzëne “popujt mesdhetarë”, por, nëse janë “larguar” kësisoji popullatat “mesdhetare”, sepse ato kanë qenë fise pellazge, që nuk janë “kombe” apo siç i quan autori “popullata mesdhetarë”. Hysen Uka thotë se ata “të epokës neolitike (2500-2000 p.e.s.)” janë “popullata protoindoevropiane, ku bëjnë pjesë edhe pellazgët. Për banorët e epokës së bronzit (e cila mbulon mijëvjeçarin e dytë p.e.s.) nënkuptohet se është fjala për popullatat indoevropiane- grekët, trakët, proto-ilirët, dorët, ilirët… Për fillimet e epokës së hekurit (që nga fillimi i mijëvjeçarit I p.e.s.) kemi të bëjmë me popullata ilire”. Pra, shihet se çka i bëjnë të tillët shkencës shqiptare. Së pari, atëherë “grekët” nuk kanë ekzistuar dhe nëse janë përmendur, atëherë kanë qenë një grup i vogël; ndërsa e dyta thotë “popullata indoevropiane”, që janë thjeshtë pellazgët, për të cilët nuk dëshiron të ndëgjojë askush në Evropë e në Botë, dhe aq më pak se janë të sotmit shqiptarë, jo grekë. Ai dhe Kristo Frashëri i ngatërrojnë “grekët” me fiset pellazge, siç janë trakët, protoilirët, dorët, ilirët, etj., dhe bëjnë vetë pseudoshkencë.
Dihet se miti i dytë mbi ilirët thotë tekstualisht këtë çështje se: “Apiani (vitet 95-160 pas Krishtit) pohon në lidhje me zanafillën e tribuve ilire (Luftërat Ilire, libri X, 2) <
Në njëfarë mënyre ai na pohon se keltët, ilirët dhe galët ishin vëllezër, dhe se ata e kanë prejardhjen prej popullatave pellazge, që “dijetarët” e ashtuquajtur “grekë” i kanë konsideruar si “barbarë”, sepse flitshin “gjuhë të pakuptuar” prej të folurës e të shkruarës së tyre me alfabetin “egjiptiano-fenikas”. Ne po e themi të vërtetën, dhe e vërteta na thotë këtë gjë, se Kadmi është i ardhur, por i martuar me Harmoninë, pellazgo-ilire, prej Epirit. Fëmijë të tyre kanë qenë: Feniksi, Ciliksi, Semeleu, Dionisi, Europa, Laios dhe Edipi. .Evropa e ka bërë djalin e parë, që i është dhënë ermri Ilir.
Pra, Evropa, është mbesa e pellazgo-shqiptarëve dhe e bija e Harmonisë prej Epirit, që thirret gabimisht kështu prej latinëve, sepse nuk e kuptonin të folurën e epirotëve, pellazgo-ilirëve, arbërishten, më mirë të themi arbanishten, të arëbërësve apo arbëreshëve, e cila ka qenë tokë e vërtetë shqiptare, të tokës së shqipeve dhe të Dodonës, që e kishin poashtu truallin e tyre amtar, nga fillimi i zivilizimit, në Shqipërinë, në Arbani. Po i marrin në jug të Shqipërisë dy pikat më të njohura, Tomorin dhe Tomarin. Të dy këto qendra të lashta e lidhin tërë tokën që quhej prej latinëve “Epirus”. Shihet nga Ridvan Muslia, se Evropa- bijë e Kadmit dhe Hamonisë, mbesë iliro-pellazgëve, e ka mbajtur në kokë plisin e bardhë, duke qarkulluar mbi një dem.
Se tërë kjo gjë është e mundur vetëm në tokën shqiptare dhe se ajo shtrihet me po të njëjtën largësi gjeografike prej Janinës e në Krujë, na e shpjegon një matje gjeografike e këtij territori, që po e marrin nga Besir Bajrami.
Nga Kulmaku deri në Krujë ka 111 kilometra; nga Kulmaku në Janinë ka poashtu 111 kilometra. Duke u bazuar në shenja edhe gojëdhëna të popullit, të cilat trashëgohen brez pas brezi në këtë trevë të gjërë, matjet në “Google Earth”, japin pikërisht këto të dhëna:
1) Shenjat e “hapit të Zotit” (gjurmës së Zotit) gjenden në fshatin KULMAK, në Tomor;
2) E njëjta gjurmë gjendet në fshatin Salcatik, në Krujë – ku falej edhe vetë Gjergj Kastrioti;
3) Ndërsa gjurma tjetër gjendet në Artë, Janinë, Prevezë.
Të gjitha gjurmët krijojnë të njëjtën largësi të barabartë: ARTE-KULMAK-SALCATIK. Këto gjurmë quhen “GJURME TË ZOTIT”. Mali me vija është gjurma e kalit të Zotit, pra Zeusit. Ai mal me vija, që ndodhet në Tomor i ruan edhe gjurmët e kësaj që quhet simbolikisht “kalit të Zojsit/Zeusit” . Kjo është shenjë treguese që e lidhë Tomorin me shenjat e Zotit. Për këte, pikërisht në Kulmak, ndodhet sot Teqja e Bektashijve.
Gjuha e folur është ndërruar gjatë mileniumeve me shenjat shkruese të alfabetit semito-egjiptian të fenikasit Kadmi, i cili pikturohet nga të thënat popullore shqiptare si “gjarpër”, apo që ngrehet nga qerrja me dy gjarpër, për t`a përcjellë “në botën tjetër”, që është vdekja.
Më shkrimet e para të alfabetit fenikas është ruajtur tekstualisht shprehja e përgjithshme pellazgo-shqipe, duke u shtuar me shtesat e prapashtesat prej gjuhës së ashtuquajtur “greke”. Kësaj gjuhe, thënë më shkurt, siç thotë Mili Butka, në organin e internetit “E vërteta”, iu desht thjesht një shartim, madje një shartim i keq mbi trungun e mëmës së saj- gjuhës shqipe. Gjuha “greke” vazhdimisht ka dalë jashtë shtratit të rrjedhës normale, prandaj asaj iu deshtëm mileniume të jetë “një gjuhë normale” dhe të vrapojë para shqipes dhe shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Këtë nuk do ta kuptojnë drejtë aspak “albanonologët” se kush janë “grekët” dhe cila është “gjuha” e tyre, e as vetë albanologu shqiptar Prof. Dr. Kristo Frashëri (i cili, do të më falë, sepse nuk kam rrugë tjetër pos kësaj), që na i “shtynë” “grekët” përpara nesh dhe përpara shqipes, sikur jemi quajtur prej mesjetës, në trajtën albanë ose arbër. Ai thotë se te bizantinët u quajtëm: ÀλβAVOI, ÀλβAVITAI; te latinët: ALBANENSES, ARBANENSES; te italianët: ALBANESI, ARBANESI; te sllavët (të cilët, në atë kohë kanë ardhur mbi tokat tona si pushtues, të përzier me popullata të tjera, por autori paska të “drejtë” që ata të na i quaj tërësisht si “sllav”, me të “drejtën” që t`i emërrojnë trojet tona autoktone ashtu si duan ata, gjë që na tregon se autori bie pre e veprave të studiura sllavo-ruse): ALBASKI, ARBANASI ose RABASKI; te grekët: ÀλβAVOI, ÀλβAVITAI; te turqit: ARVANIT, ARNAVUT dhe ARNAUT, e të tjerë, të cilët nuk i thekson dhe na i humbë mija vite p.e.s. e tutje, deri në mesjetë.
Në të vërtetë, të huajt vazhdojnë të na quajnë ndonjëherë a r b a n ë, përkundër fjalës së përditshme dhe tendencioze politike të latinëve “alban”, si të vetmit trashëgimtarë të racës së bardhë argase dhe arbane, apo siç njihet racës ariane, si trashëgimtarë të pellazgëve.
Emrat që i përdonin për veten e tyre “grekët” janë: DANAI, AKEI, HELENË. Vetë grekët e quajnë vendin e tyre HELLAS dhe banorin e këtij vendi HELEN. Ndërsa të huajt e quajnë GREQI (Greece, Grece, Grecia, etj.) dhe banorin e këtij vendi “GREK” (grec, grecque, greco, etj.).
Louis Beonlew, në veprën e tij “Greqia përpara Grekëve”, sikur të thoshnim “Hellada përpara Helenëve”, na vjen për bukuri në ndihmë me shpjegimin e emërtimit “grek”. Ai i referohet mitologjisë (mythologjisë) dhe kur i referohet kësaj discipline na sjellë një legjendë. Sipas kësaj legjende Zeusi ose Jupiteri, nga dashuria me vajzën e dytë të Deukalionit, Pandorën, lindi një djalë të quajtur GRAEKO. Por, populli i Dodonës së dytë dhe i rrethinave ku jetonin sellët, quheshin GRAHI, GREHI, GRAHOI. Ky ishte emri me të cilin latinët dhe italianët i kanë emërtuar vazhdimisht helenët.
Mishmashi më i dendur është në faktin se gjuhën shqipe e nënvlerëson pa të drejtë. Ai nuk e njeh si gjuhë të hershme të njerëzimit. Thotë me pa të drejtë se “gjuha shqipe ka huazuar shumë fjalë nga gjuhët latine, sllave, turke, por askush nuk ka guxuar ta quajë gjuhën shqipe se ajo është bijë gjenetike e latinishtes, sllavishtes apo turqishtes” . Harron se shqiptarët “bejnë pjesë në bashkëfisërinë japetike” dhe janë “pasardhës të vërtetë të pellazgëve”, siç na e bënë të njohur me të drejtë Spiro Konda. Pellazgo-ilirët janë hapur kudo. Ata janë në Azinë e Vogël; në Thrakë, në Maqedoni; në Epir; në të gjithë të ashtuquajturën “Greqi”, në ishujt e Detit Mesdhe; në Itali; në Egjypt; në bredetin Lybisë (Afrikës); në Etiopi dhe në Spanjë, të mos e harrojmë pjesën tjetër të Evropës deri në Britani, dhe prej detit Baltik e për në Danub. Këta stërgjyshë të vetëm të shqiptarëve, kanë banuar që në kohërat e vjetra parahistorike, në shumë vende të botës, që njiheshin atëherë, duke zhvilluar një nga qytetërimet më të mëdha të njerëzimit. Nuk mund të quhet gjuha shqipe, e vetmja gjuhë pellazgo-ilire, se është “bijë gjenetike” e latinishtes, sllavishtes apo e turqishtes, sepse, në radhë të parë vetë ato janë krijuar prej gjuhës shqipe; respektivisht, gjuha “turke” është krijuar prej shqiptarëve rilindas dhe nuk ka ekzistuar më parë.
Prof. Dr. Kristo Frashëri nuk ka të drejtë të “filloi” etnogjenezën e kombit tonë me ilirët, sepse nuk janë ilirët fillimi i etnogjenezës sonë, por pellazgët, sado që ai i merr gabimisht pas “grekëve”. Marrë në përgjithësi, mund të themi me plot gojën se etnogjeneza ilire nuk është etnogjeneza e jonë kombëtare, por është vazhdimësia e jonë prej pellazgëve, sepse mjaft fjalë të shqipes së sotme vinë prej pellazgëve, nëpërmes ilirëve, deri më sot, pa mbarseat, shtesat dhe prapashtesat “greke”. Pellazgët janë ai popull i vjetër, që zhvilloi një qytetërim të dënjë e shumë të vyer që nga mijëvjeçari i dhjetë e këtej, jo vetëm ai që e merr Spiro Konda nga mijëvjeqari i pestë para erës së re , djepi i të cilave kanë qenë krahinat e mbiquajtura “greke”, me qendra të rëndësishme: Kretën (pra Mikenën), Qipron, Cikladet, Thesalinë, “Epirin” ose Arbërinë, etj. Mjafton të theksojmë Spiro Kondon, nga e njëjta vepër dhe e njëjta faqe, që e sjellë një thënie të historianit latin Taçit, të theksuar nga Korneli, për ata që e shkruajnë historinë e Kombit Shqiptar, “të mos thotë asgjë të rremë, të mos heshtë për asgjë të vërtetë” , sepse historia e ka këtë ligj. Ata që merren me historinë, dhe historinë shqiptare, duhet të mos gënjejnë, duhet të mos përfshihen nga politika, dhe të mos i lënë mënjanë mijëvjeçarët, sepse koha nuk i falë. Kurrë, nuk i falë!
Për të tjerat, do të shohim, në vazhdim…
Më “hëngrën” a analogjitë *
Takimi Rama-Vuçiç në optikën time/
Nga Përparim Hysi/
Sado që nuk kam prerje për politikë, nuk rri dot pa dhënë vështrimin tim për këtë takim historik.Politika është një “lojë” e vështirë për mizurën time dhe nuk do mend: kam kohë, që kur m’u dha rasti për ta “luajtur” atë, u dorëzova. Kjo ndodhi në vitin 1991 kur kandidova si deputet për PD dhe nuk fitova. U dorëzova jo se nuk fitova, por me aq pak kohë dhe si përfaqësues i PD në pushtetin lokal, e pashë që nuk ia thosha fare. Në një poezi timen për politikanët, kam thënë:- Politikanët e kanë lëkurën të trashë si bualli! Duke thënë kështu: si bualli, nuk jam larg të vërtetës. Koha ka provuar se nuk dëgjojnë as nga thumbat dhe as nga “plumbat”. Unë, siç duket, jam lëkurëbrishtë dhe nuk duroj as thumba dhe ca më shumë: plumba. E kam fjalën për atë artileri të rëndë fjalësh që politikanët tanë i zbrazin pa kursim. Por, megjithatë, larg politikës dhe gjykimeve për të nuk jam. Kur po i cicëroja një politikani të vjetër ca rreshta antipolitikës, ai, si lëkurëshuall që qe, më tha: – Edhe duke recituar për politikën, po bën politikë. Për të bindur lexuesin se nga është e drejta, po e sjell atë 4-vargshin që i kumtova atij:”Politika loz si era/ Mos ma pruftë Zoti tek dera/ Kush loz me politikën/ Brisk e ka dhe fare e fikën/ . Sado që “lëkurëshualli” u mundua të më bindë, po nuk ia arriti dot.
* * *
Pa ndonjë retorikë të lodhshme, në optikën time, Rama tregoi vlera të një pushtetari të qytetëruar e të guximshëm. Tek shihja Vuçicin që kërcente sikur po e hanin pleshtat, pa dashje më shkon mendja tek ajo përralla historike e Andersenti që,sado që “mbreti qe lakuriq” ( i hiqte apo nuk i hiqte kufjet,Vuçiçi), nuk donte që të shihte një të vërtetë që bënte mu. Qe para një fakti të kryer historik. Në i kthehem dhe futem historive me shënjtorë, njëri prej tyre, SHën Thomai thotë: ” Që të të besoj, plagën dua ta zë me dorë”. Dhe Rama ia tregoi këtë “plagë”, tjetër punë që Vuçiçi kish vënë “lente të zeza” mbi sytë dhe veshët i kish zënë me dyllë. Qe në një pozitë aq qesharake që përsëri dua ta vë përbri një shëmbulli analog. E kam përjetuar dhe po e sjell për lexuesit.
* * *
Në vitet kur pushtetit tonë “popullor”, punët po i shkonin aq “mbroth”,sa në dyqane nuk gjeje asnjë ushqim pa”tollonë”, veç tjerash mungonte dhe sapuni. Një sapun Rrogozhine që sikur kishe gjetur një shishe parfumi nga Franca. Kish nxënës e nxënëse me parazitë në kokë. Erdhi urdhër nga lart që nxënësve t’ua qethnim kokat si ushtarëve me urdhër. Kështu dhe bënim. Po kish nxënës që këtë edhe e kundërshtonin. Një i tillë qe dhe Gjoleka, një nxënës imi në klasën e tetë. U desh ndërhyrja ime si mësues kujdestar që Gjoleka ta qethte kokën zero. E qethi nga e keqja dhe aq i pabindur qe, sa, dhe kur kokën e kish zero, thoshte: – Ja, të shihni, do qethem?! Natyrisht, Gjoleka që u qeth “forcërisht”, u bë butaforik. Tek e takoj tani që është bërë dhe gjysh, i bërtas:- Ja, të shohësh, do qethem?!!! Duke sjellë raste analoge, them se lexuesi mund ta dallojë mirë evropianin Edvin Rama dhe provincialin Aleksandër Vuçiç.
Edhe një anologji tjetër. Kisha shkuar me një shok tiranas të shihja një praktikë stërvitore të 17 nëntorit kur ish trajner , i madhi Myslim Alla. Në një nga ato senkuencat që ndiqnim, i thotë një mbrojtësi të tij: – Vrej tuna, çuno, ruhu prej Jarecit se aj dhe,kur nuk asht tuj bo ndonji gjo, ta bon golin e ta merr erzin! Dhe them që “Jareci” e shënoi atë gol fitoreje!
* * *
Por në fund të fundit, Rama vetëm pohoi një fakt historik. Në Vuçiçin e Co…, i zunë djajtë e së keqes, kjo nuk është punë për një botë të qytetëruar dhe evropiane. Të huajtë, historikisht, kanë lozur “arushë” me fatet tona. Pse ka qenë kështu, historikisht, s’kam si mos sjellë në mend një nga profesorët e mi, në ish-Normalen e Elbasanit, të ndjerin e të respektuarin, profesor Enver Palluqi ( mes nesh e quanim Arbreshi se aq bukur e shqipëronte gjithë Letërsinë Arbreshe) , që, tek na fliste për invazionin e huaj në Shqipëri, na thoshte:- Arbreshët kanë një thënie postulatë që ua lënë pasardhësve, brez pas brezi. Kjo thënie është pak proverbiale: ” Rihi birli nga ltini, si driri nga topra”. E merrte me mend që kështu nuk e merrnim vesh dhe shqipëronte:- Ruhuni bij nga të huajtë, siç ruhet druri nga sopata! Më tej, nuk kam se çfarë shtoj. E, sa për ata që e shohin qëndrimin aq evropian e kontemporan të Ramës me lente të zeza, dua që t’u përgjigjem me fjalët e një personazhi tim, që thotë për raste të tilla: ” Ai që nuk të do, edhe, po ta mbash në krah, do kollitet!”
Tiranë, 11 nëntor 2014
PAVARESINE E KOSOVES NUK E SHPALLI KRYEMINISTRI RAMA!
SI E SHIKOJ VIZITËN E KRYEMINISTRIT,EDI RAMA, NË SERBI?
Opinin nga ZYBA HYSEN HYSA/
Ishte historike, por askush nuk e di tani, nëse kjo vizitë fshihet nga politika/
Djallëzore, ashtu siç di të shfrytëzojë Serbia me shqiptarët./
Deklarimi mbi Kosovën, nuk ka pse i jepet aq rëndësi, saqë po duket sikur aty u shpall/
Pavarësia, ajo qe në normalitetin e funksionit që ka një kryeministër shqiptar, ndryshe do të lindte dyshime, për shumë gjëra që në fakt janë dyshime. Do ishte sukses, sikur gjatë bisedimeve kokë më kokë të kishin rënë dakort që Serbia të kishte pranuar Kosovën si shtet i pavarur. Duke përmendur Kosovën, e keqja më e vogël për Serbët, siguruan skllavërinë e Luginës së Preshevës.
Më tremb krahasimi i vizitës së Edi Ramës me atë të Enver Hoxhës, se mendoj që
përligji skllavërinë e Luginës së Prashevës, ashtu si Enver Hoxha skllavërimin e Kosovës, duke e krahasuar, të pakrahasueshmen midis minoriteteve në Shqipëri, apo me serbët e Kosovës, me banorët autoktonë të kësaj krahine shqiptare, e cila shfrytëzohet pa mëshirë nga serbët pa bërë asnjë ivestim në këto treva.
Në gjithë këtë vizitë shikoj që po ngopemi me lugë bosh, se ne përherë
punët qeveritare i quajmë të realizueshme me fjalët e bukura, duke mos shikuar se çfarë u nënshkrua në fakt.
Serbia për çdo ndërmarrje agresive ndaj shqiptarëve, ka një shkak plus për
të “justifikuar” luftën, se po të shikojmë luftën e Kosovës, 1998, duke mos pasur një shkak, krijuan një shkak duke vrarë disa djem serbë duke deklaruar se i kishin vrarë shqiptarë.
Serbia mbetet rreziku me i egër për ne, shqiptarët, sidomos në këto rrethana
kaq të acarua të botës Perëndimore dhe BE me Rusinë, sepse Rusia mund ta përdorë lehtas Serbinë duke i garantuar “mirëqënie” duke i shitur armë e ata duke marrë nga një copë tokë shqiptare. Serbia, nëse nuk kupton këtë lojë të Rusisë, kurrë nuk do të ketë zhvillim në zhvillim, ajo do ketë zhvillim aq sa ka një hajdut që jeton duke vjedhur dhe duke qenë përherë me ethet e presë së tij.
Kjo sjell varfërimin deri në palcë të shqipëtarëve të robëruar, me taksat e tyre
përfitojnë vetëm serbët. Serbia, per fat të keq, edhe Shqiperia, po i përdor taksat e popullit të vet, pa i kthyer për qëllimin e popullit. Marrin dhe nuk i japin, por do vije nje dite që do maarrin, po s’kanë se cfërë të marrin. Po nuk e ushqeve kalin, nuk te mban dot mbi shpinë, se sic thotë Viktor Hygo: “Shteti është një kalorësi që në një dorë mban kuletën në tjetrën kamxhikun…”, por kalit që nuk i hodhe nga pak tagji, nuk të mbanë dot…
Konferenca e shtypit ishte nje spektakël për të “mbushur” mendjen elektoratit
të tyre, ata lozën bukur, saqë na mahnitën edhe ne, edhe serbet, të dy popuj që nuk jemi marrë me ndriçimin e mendes për të kuptuar se çfarë fshihet pës fjalëve të mirërenditura.
Vlorë, 12 nentor 2014
Bashkimi kombëtar e bën rishkrimin e historisë
(Njohja e së kaluarës është shkolla e së ardhmes)/
Shkruan: Prof. dr. Nusret Pllana-Universiteti ‘Hasan Prishtina’-Prishtinë /
Në këtë qytet të lashtë, sa vetë historia dhe jeta e shqiptarëve, para 570 vjetesh, kryetrimi ynë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mblodhi princërit shqiptarë në Kuvendin e madh të Lezhës së asaj kohe, më 2 mars të vitit 1444. Që nga ajo kohë, sa duket, historia është tallur me të gjallët e këtij populli, në të gjitha periudhat kohore pas vdekjes së Skënderbeut. Por një mësim i madh i kësaj historie asnjëherë nuk është harruar, duke ju kujtuar dhe rikujtuar shqiptarëve, se pa ato vendimet themelore që kishte marrë Kuvendi i Lezhës, as nuk mund të mbrohej populli, as nuk mund të bëhej bashkimi kombëtar, as nuk do të mund të krijohet një treg i përbashkët shqiptar.
Prandaj që të rishkruhet historia e shqiptarëve, e popullit shqiptar dhe e kombit shqiptar, si dy përkufizime historikisht të ndara, doemos është e nevojshme të sqarohen të gjitha ecejaket e jetës historike të këtij populli, në mënyrë që të dëshmohet se edhe sot e gjithë ditën ka nevojë për një bashkim, ashtu siç ishte konceptuar në Kuvendin e Lezhës, tashti me përmasën e kombit e jo të Principatave, për një ushtri shqiptare, që ta përballojë dhe ta largojë armikun nga tokat e tij, ende të pushtuara, tashti si gjeografi kombëtare, e jo si gjeografi e Principatave mesjetare, si dhe të sigurojë mjete, pra të ketë një arkë të përbashkët për të përballuar shpenzimet e mëdha të luftës, tashti si një luftë për bashkimin kombëtar, e jo si luftë e Principatave shqiptare, që luftonin kundër Perandorisë Osmane. Pra, përmasa kohore, historisë sonë ia ka imponuar edhe përkufizimet, të cilat deshën apo nuk deshën shqiptarët, një ditë do të realizohen.
Hyrje
Kësisoj, prandaj, ndoshta askujt nga ne të gjallët e sotëm, por as baballarëve tanë, pra shqiptarët kudo që janë, kurrë nuk ka mundur t’u shkojë ndërmend se tri vendimet kryesore të Kuvendit të Lezhës, edhe sot janë aktuale, sepse nuk janë realizuar gjatë historisë.
Në historinë tonë të lashtë, ashtu siç e kanë thënë edhe studiues të huaj edhe studiues shqiptarë, thuajse asnjëherë nuk kanë pushuar luftërat, qofshin nëpër krahina të veçanta shqiptare, qofshin në tërë hapësirën e gjeografisë shqiptare. Mirëpo, asnjëherë nuk është bërë një vështrim kritik, dua të them edhe një lexim kritik i historisë sonë, në mënyrë që të shihen edhe mundësitë, edhe rrethanat kohore, edhe mangësitë, por edhe dështimet tona.
Ndonjëherë, aty–këtu, kur ndonjë i huaj, kryesisht dashakeqës për historinë e popullit tonë, thotë edhe ndonjë të vërtetë për dobësitë tona, na vjen inat, gjë që do të thotë se ende nuk jemi ne gjendje të përballemi me realitetin e fakteve historike. Mirëpo, po ashtu dihet fakti se ndoshta një pjesë e madhe e atyre fakteve ende nuk janë zbuluar dhe ende nuk janë publikuar, në mënyrë që të krijojmë një mendim objektiv për rrjedhën e shekujve të historisë në jetën e popullit shqiptar, por edhe në jetën e formimit të kombit shqiptar.
Historia e luftërave dhe e ekzistencës së popullit shqiptar
Kur Sami Frashëri, bashkë me rilindës të tjerë, po hartonte programin e madh kombëtar, “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, i cili ende, as pas Luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është realizuar plotësisht, kishte parasysh po ato kërkesa themelore që kishte vendosur Kuvendi i Lezhës dhe që i kishte zbatuar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Një nga rilindësit e tjerë, ndër më të veçuarit, ishte edhe ideologu i bashkimit shqiptar, Vaso Pashë Shkodrani, i cili duke njohur mirë gjendjen e shqiptarëve të shekullit nëntëmbëdhjetë, shkruante:
‘Çonju, shqyptar, prej gjumit çonju,
Të gjith si vllazën n’nji besë shtërngonju,
E mos shikjoni kish’ e xhamija,
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!’
Pra, katër shekuj më vonë nga vendime të mëdha të Kuvendit të Lezhës, Rilindja jonë kombëtare po kërkonte realizimin e vendimeve të mëdha të Kuvendit të Lezhës, e që ishte krijimi i bashkimit të popullit në luftë kundër pushtuesit, në mënyrë që të çlirohej hapësira e pushtuar e gjeografisë shqiptare.
Rilindësit tanë, sa thonë shënimet historike, publicistike dhe historiko-letrare, e dinin mirë historinë e popullit të tyre, siç i dinin mirë të gjitha luftërat që ishin zhvilluar kundër të huajve. Mirëpo, po ashtu i dinin mirë edhe përçarjet e të gjithë krerëve të këtyre përpjekjeve, ose i dinin, siç thuhet me gjuhën e gazetave të sotme, edhe skenat edhe prapaskenat e luftërave të tyre. Prandaj, e dinin mirë se po nuk u realizua kërkesa themelore e Kuvendin të Lezhës, nuk do të kishte fitore të përmasës kombëtare, siç nuk kishte pasur gjatë gjithë kësaj periudhe historike.
Pra, çështja kryesore që ishte biseduar në Kuvend, ishte bashkimi i vendit në luftë kundër pushtuesit.
Nga ajo kohë e këndej, nuk e di kur ka ndodhur një bashkim i tillë në tokat e gjeografisë shqiptare, përveç në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Këtë bashkim të popullit nuk arritën ta bëjnë as Pashallëqet e Mëdha të Janinës dhe të Bushatlinjëve të Shkodrës, edhe për faktin se nuk arritën ta bashkojnë popullin në luftë kundër pushtuesit.
Këtë nuk e thotë dhe nuk mund ta thotë as historia jonë. Pastaj, varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve, sidomos në luftërat ballkanike, sidomos në Luftën e Parë Botërore, edhe më tutje, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar jo vetëm u përgjysmua, edhe si komb i organizuar, por ju përgjysmua gjeografia e atdheut të tij.
Nëse Principatat e Mesjetës shqiptare, ato që i kishte bashkuar Kuvendi i Lezhës, i cili ishte mbajtur vetëm disa muaj pas kthimit të Skënderbeut në Krujën e tij, kishin arritur të krijonin bashkimin e popullit, kishin arritur të krijonin një ushtri që i kishte përballuar për 25 vjet sulmet gjenocidiale të Perandorisë më të madhe të kohës, nëse kishte arritur të krijonte një arkë të përbashkët, a mund ta thonë periudhat e mëvonshme historike se nuk kanë pasur ku të mësojnë që të bëhen bashkë dhe të luftojnë për lirinë e vendit.
Prandaj, edhe historia jonë, edhe ne si lexues të saj më shumë merremi duke folur për vuajtjet, humbjet, përgjakjet, copëtimet e gjeografisë kombëtare, pushtimet shekullore, e asimilimet aq tragjike, sa ndonjëherë harrohet se njerëzit e atij vendi që është i pushtuar e kanë obligim jetësor dhe qytetarë që të bëhen bashkë e të luftojnë kundër robërisë.
Historia e shqiptarëve dhe historia e ushtrisë shqiptare
Dikush thotë se Ushtria Shqiptare është krijuar me vendimin e Kuvendit të Vlorës, më 1912, kur është shpallur Pavarësia e Shqipërisë. Kështu thotë edhe historia e Ushtrisë Shqiptare. Historikisht dihet se pavarësia ishte shpallur për tërë gjeografinë kombëtare shqiptare. Por që nga ajo kohë, më shumë se gjysma e tokave shqiptare nuk kanë pasur ushtri të veten.
Kush e pruri datën e themelimit të ushtrisë shqiptare në fillim të shekullit nëntëmbëdhjetë, kur ajo ishte bërë në fillim të shekullit pesëmbëdhjetë.
Ideologu i Programit tonë Kombëtar, që nuk është realizuar ende në jetën historike të shqiptarëve, Sami Frashëri, në veprën e tij madhore, “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet’, jep numra të saktë jo vetëm për formimin, por edhe për mënyrën e organizimit të ushtrisë shqiptare, duke përcaktuar numrin e ushtarëve në varësi me hapësirën e gjeografisë kombëtare.
Çështja tjetër ishte krijimi i një ushtrie shqiptare me të gjitha repartet e saj, ashtu siç ishin të organizuara ushtritë më të përparuara të shekullit nëntëmbëdhjetë. Sa di unë, deri sot askush nuk është marrë me këtë çështje në Programin e Rilindjes sonë Kombëtare, të cilin e kishte hartuar Sami Frashëri dhe, i cili, ende nuk është realizuar në jetën e shqiptarëve.
Historia jonë, nuk e thotë saktë se ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, a ishte ushtri e gjithë popullit, apo kishte vetëm pjesëmarrjen e krahinave në të, diçka e ngjashme me pjesëmarrjen e Principatave shqiptare në kohën e Skënderbeut.
Historia e Kuvendit të Lezhës dhe tregu i përbashkët shqiptar
Në vazhdim do të prekë një çështje, që po bëhet për çdo ditë e më shumë aktuale. Prandaj, dua të ndalem te vendimi i tretë i rëndësishëm i Kuvendit të Lezhës. Kjo çështje e tretë, ishte vendimi për krijimin e një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Dhe kjo luftë, siç e thotë edhe historia jonë, edhe ajo botërore, ka zgjatur 25 vjet.
Këtu nuk dua qëllimisht të merrem me faktin se a ka pasur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një arkë të përbashkët, as me faktin se sa kanë dhënë shqiptarët, kudo që janë, për luftën e tyre çlirimtare. Ndoshta, sepse distanca historike ende është e vogël për madhështinë e këtyre ngjarjeve.
Në historinë e popullit tonë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, filluan ato që quhen përcaktime ideologjike, ato që quhen faktorë ndikues krahinash, ato që quhen mos përzierje në punët e brendshme të vendeve fqinje, edhe pse gjeografia kombëtare ishte e copëtuar, po nga këta fqinjë dhe me vendime të Evropës së kohës, edhe pse gjysma e popullit shqiptar ishte i robëruar, edhe pse ky popull mund të jepte e të merrte me këdo tjetër, edhe me kinezët, por vetëm me pjesën tjetër të popullit shqiptar, që kishte krijuar një shtet të vetin, shtetin që edhe sot historia i thotë Shqipëri londineze, pra me këtë popull të këtij shteti, edhe pse edhe ai ishte shqiptar, nuk mund të jepte dhe të merrte pjesa e mbetur nën okupim e popullit shqiptar, pra nuk u lejohej një treg i përbashkët.
Për çudi të zotit, edhe në fillim të shekullit njëzet e një, po kjo Evropë harton një Rezolutë për Kosovën, ku që në fjalinë e parë i ndalohet të bashkohet me vendet fqinje. Doemos se është e kuptueshme. Bëhet fjalë se Kosova e ka të ndaluar të bashkohet me pjesën tjetër të gjeografisë së saj kombëtare, me Shqipërinë. Për fat të popujve të robëruar, luftërat çlirimtare përherë i kanë nëpërkëmbur dhe i kanë bërë të pavlefshme rezolutat e ndryshme në të gjitha kohërat kur janë hartuar ato.
Përfundim
Shqiptarëve nuk u duhet rishkrimi i historisë, kur dihet se ajo shkruhet në pesë a më shumë pjesë, të pushtuar nga pesë a më shumë popuj të ndryshëm, edhe me miratimin xhentëlmen të Evropës, që sot i plasi zemra të bëhet demokratike dhe e bashkuar.
Po, pra, shqiptarëve aktualisht nuk u duhet rishkrimi i historisë në këto kushte dhe në këto rrethana historike që jemi si popull dhe si komb. Nuk u duhet, sepse nuk besoj se ka diku një komb modern në Evropën e sotme që ende është i ndarë, gjeografia kombëtare e të cilit ende është e copëtuar dhe e pushtuar.
Më tutje, nuk u duhet, sepse edhe ajo puna më e vogël, siç është marrëdhëniet e përbashkëta tregtare, fjala vjen, edhe 15 vjet pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk po realizohet në asnjë mënyrë. Shqiptarët andej e këndej kufirti të Shqipërisë londineze, bëjnë më shumë tregti me armikun e tyre historik, se sa në mes dy vendeve të tyre, fatkeqësisht ende të ndara me kufij politikë.
Shqiptarët, pra, jo vetëm nuk kanë një treg të përbashkët, por e dënojnë njëri-tjetrin me lloj-lloj taksash doganore, në doganat që na i kanë caktuar të huajt, qofshin ata edhe miqtë tanë të përhershëm, apo të përkohshëm.
Prishtinë-Lezhë,
Më 7. 11. 2014
Burimet
1. Kristo Frashëri, Skënderbeu i shpërfytyruar, Tiranë, 2009
2. Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i fundit, Tiranë, 2012
3. Sami Frashlri, Shqipëria çka qenë,ç’është dhe çdo të bëhet, Bukuresht, 1899
4. Vaso Pashë Shkodrani, O moj Shqypni, Prishtinë, 1982
- « Previous Page
- 1
- …
- 702
- 703
- 704
- 705
- 706
- …
- 865
- Next Page »