• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Futbolli kidnapohet nga Politika Antishqiptare dhe anti-NATO e Serbisë

October 15, 2014 by dgreca

Gazeta Serbe shkruan se flamuri u nis nga kisha e Shen Gavril Arhanjelit në rrugën Humska…
Nga SKENDER MURTEZANI/ NEW YORK/
E dimë cdo na thotë Serbia, Shqipëria provokoj Shqipëria ësht fajtore,.. tipike për një shtet politika e së cilës për njëqind vite akoma punon me formulë…një qind rrena bëjnë një të vërtetë.
Si ti besohet edhe sot me cirkuzin tragjik në stadiumin Partizanit në Beograd që kulmojë me djegjen e flamurit të NATO-s dhe “djegies” së rastit të afrimit të dy fqinjve shekullor. Sipas trendit, sjelljes dhe kulturës së politikës ekstreme të Serbisë, me të gjitha symptomat u bë nga forcat ultranacionaliste Serbe. Nga vetë gazeta “Politika” vërehet se kjo që i ndodhi fotbollit ndërkombëtar kishte prapavijë politike. Do ta lexojmë këtë moment historik të futbollit ndërkombëtar më qartë me ardhjen e Putinit në Beograd dhe me shkuarjen e kryeminstrit Rama.
Kjo është krejt e qëllimshme: Së pari të aktualizohet teoria pan/Sllave se Shqipëria e “Madhe” është rrezik për destabilizim e rajonit Kjo krijon “presion” politik të brendshëm Serbia ti largohet kursit perëndimor që të mbetet atje ku e ka zemrën tek krijusi i saj Rusia, dhe e dyta që të forcojë lëvizjen kundër pranimit të shtetësisë së Kosovës.
Gazeta Serbe shkruan se flamuri u nis nga kisha e Shen Gavril Arhanjelit në rrugën Humska, dhe u teledirigjua nga vllau I kryeministrit Olsi Rama. Kjo s’ështe e cuditshmë për politikën “një qind rrena prodhojnë një të vërtetë”. Për fat të keq kjo nuk i ndihmon marrdhënieve të fqinjësisë së të dy kombeve. Shkon në dëm të Serbisë në Rehabilitimin e saj pas krimeve të kryera në Ballkan, po edhe Rusisë në rehabilitimi post Komunist për damin dhe dhimbjen që ua ka shkaktuar popujve të vegjël.

Filed Under: Opinion Tagged With: futbolli, kidnapohet, Politika, Skender Murtezani

Simbolika e Beogradit

October 15, 2014 by dgreca

Dr Gëzim Alpion/Universiteti i Birminghamit, Angli/
Çfarë ndodhi në mbrëmjen e 14 tetorit në Beograd i kalon përmasat e një skandali për sportin në përgjithësi dhe Evropën në veçani. Në kontinentin tonë që mburret, deri diku me të drejtë, se për më shumë se dy mijëvjeçarë po i jep tonin civilizimit bashkëkohor, falë një numri të konsiderueshëm trushpërlarësh, Serbia vazhdon të këmbëngul në çmedurinë e saj për të mos hequr dorë nga e kaluara kriminale.
Nuk duhet të fusim në një kallëp të gjithë qyetarët serb, por ka diçka seriozisht të kalbur në një shtet militarist si Serbia që nuk është në gjendje të kontrolloj Kalibanët e nacionalizmit vetshkatërrues serb edhe në një ndeshje futbolli.
Për ne shqiptarët, korrektësia profesionale dhe vendosmëria e futbollistëve tanë për të mbrojtur, qoftë edhe më rrezik jete, simbolin kombëtar, megjithëse të rrethuar nga nje turmë që më shumë dukej sikur ishin kriminalë të porsa liruar nga burgu sesa sportdashës, dëshmoi edhe një herë se patriotizmi ynë është gjallë dhe i shëndetshëm.
Një gjë nuk e kuptoj. Si ka mundësi që ne shqiptarët që u bashkuam si rrallë ndonjëherë me 14 tetor, kemi lejuar kërmat e politikës shqiptare të bëjnë pazarllëqe me trojet tona si dje edhe në kohën tonë? Si ka mundësi që ne që skuqëm dje Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin me flamurin kombëtar, nuk e kemi bërë një gjë të tillë në Tiranë ku për nje çerek shekulli tolerojmë një Kuvend gjysmak ku strehohen shpesh kriminelë dhe rrugeçër, në Prishtinë ku edhe 4 muaj pas zgjedhjeve akoma nuk ka një qeveria të re, dhe në Shkup ku edhe mumjet e
Egjiptit duken më të gjalla se deputetët shqiptar.
Djemte e kombëtares dëshmuan edhe një herë se shqiptarët e mirë dhe të ndershëm mbeten gjithmonë patriotë por shkëndija e patriotizmit dhe iniciativa për të vepruar në interest të kombit mbahet gjallë kryesisht në Diasporë.
Kryeministri Edi Rama duhet të protestoj pa vonesë pranë qeverisë së Serbisë për katrahurën
e Beogradit. Në fakt ai duhej të kishte protestuar që kur u njoftua se asnjë përkrahës i kombëtares tonë nuk do të lejohej të ndiqte ndeshjen në stadium. Politika e shtetit nuk bëhet me deklarate boshe në Facebook dhe Twitter, siç është bërë traditë tashmë në Shqipëri.
Po qe se Serbia nuk kërkon falje zyrtarisht për skandalin në tadiumin ‘Partizani’ dhe Rama përsëri ngul këmbë të vizitoj Serbinë, siç është planifikuar, ndoshta është mirë që ai të qëndroj në Beograd. Kur gjenden me shpinë nga muri, udhëheqësit tanë, që shquhen për arrogancë dhe doze të holluar patriotizimi, behën të mençur si me magji.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Alpion, Simbolika e Beogradit

Minicopteri me flamurin shqiptar në Beograd, qartësisht vepër e shërbimit të fshehtë serb

October 15, 2014 by dgreca

Nga Kastriot MYFTARAJ/
Nuk ka qenë dorë shqiptare ajo që dërgoi flamurin shqiptar nga ajri në stadiumin “Partizani” të Beogradit me një minicopter (helicopter të vogël) gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Kjo është absolutisht e qartë. Zbritja nga ajri me një minicopter e një baneri me hartën e Shqipërisë etnike, të stiluar me flamurin shqiptar, në stadiumin e Beogradit ishte një inskenim i shërbimeve të fshehta serbe, me qëllim për të fajësuar shqiptarët për shkallëzimin e tensionimit të ndeshjes. Duke konsideruar shkallën e pranisë policore në stadium dhe përreth tij, si dhe vëzhgimin e madh me videokamera në një zonë të gjerë përreth stadiumit, është absolutisht e pamundur që, jo më një shqiptar nga Shqipëria, Kosova, apo Lugina e Preshevës, por qoftë edhe një shqiptar me banim në Beograd, të ketë mundur ta bëjë një gjë të tillë në Beograd. Në çdo rast, nëse këtë gjë do ta kishte bërë një shqiptar, ai do të ishte zbuluar dhe arrestuar tashmë nga Policia Serbe.
Madje Policia Serbe, e cila zotëron edhe mjete speciale për kontrollin e hapësirës ajrore përreth stadiumit në raste të tilla, do ta kishte interceptuar me siguri minicopterin që para se të arrinte mbi stadium, kuptohet nëse këtë nuk do ta kishte bërë një operator i shërbimeve të fshehta serbe. Nuk përjashtohet mundësia që Serbia të arrestojë një shqiptar me banim në Beograd dhe ta paraqesë atë si njeriun përgjegjës për dërgimin e flamurit shqiptar në fushë me minicopter. Por kjo nuk do të jetë veçse një “gjethe fiku” që nuk mund të fshehë të vërtetën lakuriqe. Se edhe nëse minicopteri do të arrinte të ngrihej nga një pikë diku jashtë stadiumit, ai nuk mund të endej në qiell pa u interceptuar nga njësitë e specializuara policore që para se të arrinte në stadium.
Tani duket qartë se Serbia, dhe këtu e kam fjalën për shtetin serb, duke qenë se nuk mund ta pranonte në asnjë mënyrë që jo më ta humbte këtë ndeshje, por të mos e fitonte atë, ka pasur më tepër se një skenar për ndeshjen me Shqipërinë. Një ishte fitorja në një stadium pa tifozë shqiptarë. Skenari tjetër ishte që në rast se do të shihej se ishte e pamundur të fitohej ndeshja, të sabotohej ajo me një incident nacionalist për të cilin do të bëheshin fajtorë shqiptarët. Vetë mënyra sesi lojtarët serbë vepruan me flamurin shqiptar të zbritur në fushë ishte një provokim ndaj lojtarëve shqiptarë në fushë. U duk qartë se kishte një bashkëpunim të përkryer mes tifozëve të dhunshëm serbë, lojtarëve dhe policëve. Derisa lojtarët serbë u sollën me përçmim me flamurin shqiptar që zbriti në fushë me minicopter, policët serbë qëndruan pasivë dhe i lejuan tifozët e dhunshëm serbë të hynë në fushë dhe të rrahin lojtarët shqiptarë. Kur detyra e policëve serbë ishte që të mbronin lojtarët shqiptarë nga tifozët që kishin hyrë në fushë, dhe për të bërë këtë detyrë nuk kishte pse të prisnin lejën e arbitrit. Kur serbët e panë se loja po zhvillohej në atë mënyrë që jo vetëm kishte gjasë që të mos e fitonin por madje edhe mund ta humbnin, ata aktivizuan Planin B. Dhe ndodhi ajo që pamë të gjithë.
Shërbimi i fshehtë serb e dinte se do të kishte idiotë shqiptarë të cilët nuk e kuptonin trick-un me minicopterin, dhe do ta merrnin përsipër autorësinë e tij. Por kjo nuk e ndryshon të vërtetën e asaj që ka ndodhur.
Për shkak të zbritjes në fushë të flamurit shqiptar me minicopter, UEFA ka shumë gjasa që të vendosë përsëritjen e ndeshjes në një fushë asnjëanëse, duke i quajtur të dy palët si bashkëfajtore për shkallëzimin e tensionimit në ndeshje. Prandaj në këto momente është e nevojshme që të ketë një reagim të shpejtë zyrtar, nga Qeveria e Shqipërisë, me të cilin ngjarja të përcaktohet si një provokim i inskenuar nga serbët, të cilin më e pakta autoritetet serbe e kanë toleruar nëse nuk janë drejtpërdrejt përgjegjës. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Federata Shqiptare e Futbollit në adresë të UEFA. Kjo histori nuk mund të mbyllet me shpjegimin e rëndomtë tashmë, se janë disa grupe ekstremiste serbe përgjegjëse për akte të tilla dhune. Ajo çka ndodhi në Beograd është një akt lufte dhe meriton që të ketë si përgjigje një notë zyrtare proteste që edhe si adresim të jetë drejtpërdrejt nga ana e Qeverisë së Shqipërisë ndaj Qeverisë së Serbisë, jo thjesht të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.
Kjo që ndodhi në Beograd është një gjë shumë e rëndë dhe nëse Edi Rama pas kësaj vendos të shkojë në Beograd, ky do të ishte një veprim prej Esat Toptani, me ç’ rast Rama meriton fatin e Esatit dhe këtë herë të jetë i sigurt se do ta gjejë nëse guxon të shkojë në Beograd.

Filed Under: Opinion Tagged With: e sherbimit, Flamuri shqiptar, Kastriot Myftaraj, ne Beograd, te fshehte serb, veper

DAÇIÇ JEP DORËHEQJEN

October 15, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ Daçiç jep dorëheqjen sepse ti po e le Serbinë të mbetet peng i së shkuarës.
Ti je përgjegjës që nuk krijove kushte që ndeshja e futbollit midis shqiptarëve dhe serbëve të luhej normalisht e të lejonte mbushjen e stadiumit gjysëm për gjysëm me tifozë shqiptarë e serbë si për të treguar se ishte tejkaluar një barrierë e historisë, për të hapur një kapitull të ri në të mirën e përbashkët, sepse jemi dy vende fqinj.
Ti ke qenë kryeministër dhe ministër i Brendshëm i Serbisë e tash je ministër i Jashtëm dhe deklarata jote ishte skandaloze, sepse i fajësoje shqiptarët se sollën vetëm një flamur përballë atyre mijra e mijra flamujve të Serbisë që valviteshin aty.
Ti duhet të japësh dorëheqjen sepse vazhdon t’i shohësh shqiptarët si qytetarë të dorës së fundit, çka shkaktoi konfliktin e fundit në ish-Jugosllavi, duke u ndaluar, siç bëre më 14 tetor 2014, një nga gjërat më normale dhe të bukura të botës, të vinë e të shohin një ndeshje futbolli.
Ti duhet të japësh dorëheqjen sepse ti i prite futbollistët e Shqipërisë sikur midis dy vendeve të ishte gjendje lufte.
Ti nuk lejove që ndeshja në Beograd të ishte një takim sportiv midis dy shteteve, ku tifozët gëzohen apo trishtohen për humbjen apo fitoren e vendit të tyre, ashtu si ndodh kudo në çdo shtet të Europës.
Ti lejove që stadiumi të përfshihej nga histeria ku bëheshin thirrje për vrasjen e shqiptarëve, duke krijuar një klimë të tmerrshme psikologjike për lojtarët shqiptarë, të cilët detyroheshin të luanin në kushte terrorri psikologjik.
Ti lejove që në stadium të merrnin pjesë elementë të dënuar nga drejtësia si shkaktarë të dhunës në ndeshjen midis Italisë dhe Serbisë në stadiumin Marassi.
Ti ke qenë kryetari i delegacionit të Serbisë me kryeministrin e Kosovës dhe ke zhvilluar për vite të tëra bisedime për dialog midis dy popujve dhe ja rezultati që ke arritur, të na risjellësh në stadiumet e Serbisë dhe Europës Ivanin e Tmerrshëm.
Ty të ka ngelur ora e historisë në shekullin e përgjakshëm që lamë pas, por harron se gjeneratat e reja nuk janë as pjesmarrëse dhe as fajtorë të saj tragjedie që ndodhi në Ballkan dhe duan ta jetojnë jetën normalisht, duke lëvizur të lirë në çdo qytet të Ballkanit dhe të Europës.
Ti vendose Perden e Hekurt në kohën e integrimeve, kur Serbia pretendon të jetë anëtare e BE-së.
Ti deklaron në mënyrë skandaloze se nuk është Serbia përgjegjëse për atë që ngjau në Beograd, ku ju ishit i gjithë shteti, ndërsa shqiptarë ishin vetëm skuadra e lojtarëve dhe delegacioni shoqërues.
Ti justifikove arrestimin e vëllait të kryeministrit të Shqipërisë me akuza fallco, duke shkaktuar një incident diplomatik, sepse një aparat fotografik t’u duk si një telekomandë e avionit të vogël që solli në stadium të vetmin flamur midis mijra e mijrave flamujve të Serbisë.
Ti akuzove kryeministrin e Shqipërisë, duke shkaktuar prapë incident diplomatik, se në rrjetet sociale përshëndeti futbollistët shqiptarë dhe dënoi atë turp që ngjau në stadiumin tuaj, në vend që t’i kërkoje ndjesë për atë skandal që e la gjithë botën e qytetëruar pa frymë. Pse, sipas teje, çfarë të bënte!
Ti duhet të japësh dorëheqjen dhe qeveria e Serbisë t‘iu kërkojë ndjesë shqiptarëve për atë që ngjau më 14 tetor, duke e konsideruar si një ëndërr e keqe të një kapitulli që duhet të ishte i mbyllur në fund të shekullit që lamë pas.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, jep doreheqjen

MË MIRË NJË “ARMIK DIKTATOR”, APO NJË MIK ANARKIST?!

October 14, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/Tetove/
Sa herë që ne bëjmë përpjekje të shkruajmë diç për miqtë tanë dhe për gazetën, aq herë vihemi në “siklet”, sidomos kur duhet të “kërkojmë” një kryefjalë që do t’i shkonte me “tamam” a do t’i përshtatej opinionit a vështrimit të radhës. Edhe kësaj radhe “ramë në grackë të asaj dilemës së gomarit të Buridanit!?”. Për këtë shkrim kemi dy tituj, i pari: “Më mirë një armik diktator, sesa një mik anarkist!” dhe titulli i dytë: ”Një fjalim a retorikë e retarduar dhe letargjike!”. U pajtuam dhe u përcaktuam për të parën, për faktin se ky i fundit, ndoshta, shkrimin na e nxjerr shkarravinë.
Dikur moti rilindësit shqiptarë mendjendritur kishin parapëlqyer që të ndërtojnë institucionin e dorëheqjes politike. Këtë e kishin bërë në emër të moralit kolektiv, në emër të emancipimit dhe humanizimit të fjalës së lirë a asaj ndryshe. Një ndër të parët që e respektoi këtë institucion ishte Mit’hat bej Frashri. Ata që e njohin mirë të shkuarën e tij thonë se e kishte braktisur postin e ministrit, duke e zëvendësuar me profesionin e mësuesit parauniversitar. Gjithë këtë e kishte bërë pasi që kishte hetuar anarkinë në qeveri. Asnjëherë nuk u pendua sa u përket bëmave të tij, mbase për këtë ishte i ndërgjegjshëm. Që ne të mos i lakojmë a interpretojmë gabimisht dy nocionet sociologjike në vijim (sepse, tekefundit, nuk është puna jonë), do t’i referohemi fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, ku pos të tjerash thuhet: DIKTATURË f. 1. Pushtet i dhunshëm e i pakufizuar shtetëror, që shpreh e mbron interesat e klasës sunduese dhe që ushtrohet me dhunë nga një njeri ose nga një grup njerëzish; pushteti i diktatorit. Diktaturë ushtarake (politike, fashiste, monarkiste). Diktaturë absolute. Diktaturë e egër. Diktatura e skllavopronarëve (e feudalëve, e borgjezisë). Kishte vendosur diktaturë në shtëpi (në zyrë, në ndërmarrje), e tjerë.
Këtij nocioni të interpretuar do t’ia bashkëngjisim në vijim një “mesele”: Mbaj mend një detaj nga një “bisedë informative” të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, me një inspektor të UDB-së, i cili ishte i ngarkuar zyrtarisht të inspektojë veprimtarinë armiqësore timen, të shokëve dhe të profesorëve të mi. Ai na mori në pyetje rreth trazirave a demonstratave të vitit 1968. Ne, me atë ndërgjegjen tonë adoleshente (hiq mënjanë mësimdhënësit tanë të mirë dhe të nderuar) dhe të trazuar e “paragjykuam së prapthi”. Në fillim e konceptuam si një njeri të mençur, të moralshëm dhe “demokrat”. Pas shumë vitesh mësuam të vërtetën; ai paraprakisht kishte kryer detyrën e gardianit të një burgu famëkeq. Që atëherë thoshin se e kishin avancuar për faktin se “fyelli i kishte ngecur në një vrimë…, ishte emërmadh e kryefikët”. Ai, me sjelljet dhe veprimet e tij, lëre që diktonte vullnetin dhe qasjen prej diktatori, por edhe nuk përfillte përgjigjet tona. Ndonëse ishte një diktator i kulluar, çuditërisht nuk reflektonte anarkinë.
Christiane Hoffman, opinioniste e njohur gjermane, në një vështrim të saj për diktaturën thotë: “Kur rrëzohen despotët duket sikur ka një arsye për t’u gëzuar. Por ajo që pason diktaturën (hiq mënjanë demokracinë, nënvizim yni) shpesh është më e keqe”. Rrjedhimisht, sipas “mendimit tonë”…, ajo që pason diktaturën duhet të jetë demokracia dhe jo diçka tjetër!??…, por sipas saj, “… nëse njerëzit do të ishin përpara zgjedhjes mes një diktature funksionale dhe një kaosi të shtetit të dështuar, diktatura do të ishte e keqja më e vogël”. Historia e zhvillimit shoqëror thotë se jo gjithherë despotët dhe diktatura zëvendësohet me demokracinë dhe demokratët (shembujt e tillë vijnë nga Siria, Iraku, Libia e shtete të tjera, të cilat këmbë e krye nëpërkëmbën e përjashtuan ligjet). Kësaj ndryshe i thonë anarki funksionale, qoftë ajo të hetohet në familje, në mëhallë, në institucionin e caktuar a edhe në kuadër të një partie politike. Në vijën e korrektesës, po i referohemi fjalorit të shqipes standarde edhe për nocionin e anarkisë.
ANARKI f. 1. Gjendje që krijohet në shoqëri, kur mungon pushteti shtetëror i organizuar dhe kur nuk veprojnë ligjet e rregullat e detyrueshme për anëtarët e shoqërisë; mohim i shtetit dhe i çfarëdo pushteti politik të organizuar. Anarkia feudale. Mbretëron anarkia. 2. Çrregullim që krijohet nga mungesa e drejtimit, e organizimit dhe e planifikimit; çrregullim i madh…, në një fushë. Anarkia në prodhim. Bie në anarki. Sjell (mbjell) anarki.
Një pështjellim i tillë u hetua në Partinë Demokratike që në momentin kur ajo i humbi zgjedhjet e fundit parlamentare. Këtë pështjellim më së miri e diktuan ata që dikur lindjen e kësaj partie e konceptuan si “shpëtim dhe shpresë të kombit”. Kjo anarki funksionale nuk ishte kurrgjë tjetër pos një pjellë e abuzimit të tejzgjatur të posteve nga ana e ca funksionarëve të lartë partiakë, ca prej të cilëve shkuan aq larg, saqë disa struktura të partisë politike i shndërruar në stane për të grumbulluar a sistemuar “barinj” që nuk dallojnë djathin nga gjiza, leshin nga lëkura, pelën prej kalit, dashin prej deles, delen prej qengjit, shqerrën prej kecit, kecin prej maçokut, pronarin a qehajain prej rrogëtarit…, disa nuk dalluan kryesinë e partisë prej kryeparit, kuvendin prej degës dhe nëndegës së partisë, nuk dalluan dhe nuk vlerësuan votën e sovranit, premtimin prej gënjeshtrës e të tjera. Ca prej tyre edhe e nëpërkëmbën moralin e dorëheqjes politike, jo pse nuk e bënin punën e tyre ashtu siç duhej, por pse padrejtësisht kishin zënë vendet e njerëzve të cilët dinë ta bëjnë punën ashtu si duhet.
E gjithë kjo katrahurë, lesheli apo anarki u duk a u reflektua në kuvendin e fundit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në veçanti në atë fjalimin e Lulzim Bashës. Se ishte një fjalim në veten e parë, të dytën a të tretën, se ishte një fjalim i dalëboje, letargjik, patetik dhe dëshpërues, se ishte një fjalim nostalgjik, se ishte një kopje e keqe dhe e zbehtë e asaj retorikës së doktorit, se ishte një përpjekje a alternativë e radhës për të dalë nga humnera ku kohë më parë ishte zhytur fund e majë…, se (nuk) ishte as peshk e as mish, se ishte një fjalim dënese për pushtetin e humbur, se ishte një fjalim ndjesie dhe i nxituar i dalë nga një mendje e shkapërderdhur gjithandej…, asnjeri nuk e kuptoi, por ama se ishte një retorikë që përloti “bashkëpunëtorët dhe bashkëmendimtarët” e tij, gjithsesi se ishte “me tapi!?”. Njerëzit e urtë dikur thoshin: Të gabosh pa qëllim është njerëzore, të kërkosh të falur në emrin tënd personal, është më shumë se humane, por ama të gabosh me qëllim dhe të kërkosh ndjesë në emër të të tjerëve ose edhe këtë hiç fare të mos e bësh, o është marrëzi, o është tallje me njerëzit që të shkojnë pas. E kjo e thënë ma kujton vaktin e njëmendjesisë apo diktaturën e proletariatit si dhe njerëzit të cilët vetvetes po edhe të tjerëve pranë tyre u jepnin a u ngjitnin tituj jomeritorë a të përdalë. Ditë më parë doli një kërkimfalje nga goja e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Lulzim Basha, që m’u duk njësoj si një thes mielli bosh, që sa herë që ta shkundësh, aq herë prej saj dalin krunde. Fjalimi a retorika e tij ishte njësoj si ai mentaliteti komunist i së shkuarës, një vështrim sa qesharak, po aq edhe tragjik, sa i vonuar po aq edhe… Fjalimi i Lulzim Bashës përloti edhe Majlinda Bregun, do lot që nuk dihej se kujt i dedikoheshin…, partisë, Sali Berishës, kohëve të shkuara, pushtetit absolut apo posteve të humbura. Nganjëherë këto përlotje (të paragjykuara) ta rikujtojnë ditën kur u varros Enver Hoxha. Neve na mbetet të parashtrojmë pyetjen: në atë ndjesë sa kishte me të vërtetë moral (nëse vërtet ishte ndjesë politike).
Një njeri që donte t’i ndihmojë mikut, i pat sugjeruar me fjalët – pse nuk shkon te psikiatri të kurohesh, kurse ai ia paska kthyer – nuk kam nevojë se kam zonjën në shtëpi!? Ndërkaq një proverb popullor thotë shkoqur: “Kur nuk më tirret ago baba, nuk më tirret!”. Ose ajo tjetra me kopenë e dhenve të uritura që – kur nuk duan të kullotin – kërkojnë dajakun e çobanit dhe atë thikën e kasapit!?

Filed Under: Opinion Tagged With: APO NJË MIK ANARKIST?!, Fadil Lushi, MË MIRË NJË “ARMIK DIKTATOR”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 709
  • 710
  • 711
  • 712
  • 713
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT