• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRIPTOTHAÇISTAT NË LDK

October 1, 2014 by dgreca

RRETH DEKLARATËS TË FORTË TË ARMEND ZEMAJT DEPUTET I LDK-SË, ME VËLLAIN ZYRTAR TË LARTË NË ADMINISTRATËN THAÇI/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
rmend Zemaj, deputet i LDK-së dhe nipi i Kolonel Tahir Zemajt dje lëshoi një deklaratë shumë të fortë ku midis të tjerave tha se nuk voton as për kryeministër Haradinajn dhe as për kryeministër Hashim Thaçin. Në raport me Haradinajn, deklarata e Zemajt, ishte insinuese. Lidhet me vrasjen e Tahir Zemajt.
Ne e nderojmë veprën dhe kujtimin e Tahir Zemajt. E kemi njohur personalisht, kemi biseduar me të, na vinte në redaksinë e Bota Sot në Zyrih, na përshëndeste për guximin tonë. Se si e shqiptonim të vërtetën. Që kur dora kriminale kreu vrasjet makabre, ne kemi kërkuar zbardhjen e krimit të trefishtë. Por kjo vrasje edhe sot e kësaj dite ka mbetur në terr. Institucionet e Kosovës dalë nga PDK dhe LDK e kanë patur kohën e mjaftueshme të hedhin dritë ndaj të gjitha vrasjeve politike. Po asnjëra palë nuk e ka bërë. Tani pritet një gjykatë speciale të hetojë për këto krime, që do të nisë punën vitin që vjen.
A nuk është e turpshme kjo për pushtatarët e Kosovës? Por më të turpshme dhe më të papranushme janë spekulimet dhe manipulimet me autorësinë e vrasjeve.
Deklarata e deputetit Armend Zemaj, se ai do të votojë kundër Haradinajt, bie ndesh me qëndrimin e partisë, dmth LDK-së, e cila e ka kandiduar Zemajn si deputet. LDK e ka shpallur se e pranon si kryeministër kandidaturën e Ramush Haradinajt. Ky është qëndrim i përbashkët i LAN-it. Edhe i VV.
Ndërkohë deklarata e Armend Zemajt u prit shumë mirë nga kriptothaçistat brenda dhe jashtë LDK-së. Kriptothaçizmi përfaqëson segmentin që mbështet Thaçin. Që prej kohës së Sejdiut. Thaçi i mbështet kriptothaçistat me privilegje dhe ata ia shpërblejnë me mbështetje, por jo nën dritën e diellit, sepse në publik betohen rrejshëm se janë me LDK dhe kundër Thaçit, por si uritha. Në politikën shqiptare klientelizmi dhe nepotizmi janë plagë të sistemit. Kriptothaçizmi është shprehje e klientelizmit.
Disa ditë më parë, LDK-ja doli me deklaratën përgënjeshtruese, ndaj zërave dhe lajmeve se brenda LDK-së ka një „kolonë të pestë“ që të votonte apo kalonte me Hashim Thaçin.
Tani na doli Armend Zemaj.
Ai i kundërvihet hapur qëndrimit politik të LDK-së, ndërkohë që pjesa e deklaratës ku Armend Zemaj thotë se do të votonte edhe kundër Thaçit të paktën bie erë demagogji. Sepse vëllai i Armendit, Astrit Zemaj është Këshilltar dhe Drejtues i Misionit Konsullor i Republikës së Kosovës në Frankfurt am Main në Gjermani.
Çka do të thotë se Astrit Zemaj është nëpunës i lartë publik i administratës të Hashim Thaçit, ndërsa Armend Zemaj, vëllai i tij është deputet i LDK-së.

Që Astrit Zemaj vazhdon punën e diplomatit të Kosovës nën administratën e Hashim Thaçit, kjo do të thotë se ky zyrtar i lartë ka gëzuar besimin e plotë të ish-kryeministrit të Kosovës. Pa asnjë pikë dyshimi.
Në Konfederatën helvetike, Kosova ka ambasadën dhe dy konsullata, por aty nuk punon asnjë diplomat që të jetë simpatizant i LDK-së. Simpatizantët, përkrahësit dhe anëtarësia e LDK-së janë plotësisht të përjashtuar nga protokolli diplomatik i ambasadës dhe konsullatave të Kosovës.
Në këtë kontekst, deklarata e Armend Zemajt nuk ka tingull fair. Nga njëra anë Armend Zemaj del kundër qëndrimit të partisë së tij, LDK-së e cila i ka dhënë besimin dhe e ka kandiduar për deputet të saj dhe nga ana tjetër vëllai i tij, është zyrtar i lartë publik i Hashim Thaçit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, KRIPTOTHAÇISTAT NË LDK

Mos nxitoni,historia nuk guxon të ndërrohet pa marrëveshje mbarëkombëtare!

September 29, 2014 by dgreca

Kombin e mbanë historija e tij, Kombin në mesin e kombeve tjera e lartëson e kaluara e tij,gjurmët e tija ,gërvishtjet e tija . Mos na e prekni Historinë!
“Bota e qytetëruar nuk duhet te lejoj që këta pasardhës të ilirëve të lashtë e të pellazgëve edhe më të lashtë që të zhdukën. Raca e tyre e ka lindur Pirron , Aleksandrin e Madh, Shën jeronimin, Konstantinin e madh, Perandorët romak (12) , Papa Klementin XI, Skënderbeun , Krispin dhe shumë heronjë të tjerë ( Joseph F. Gould, The Independent , 1916) “ .Kështi thirrej kur donin të na coptonin .Këto shkruheshin për ne,këto thirrje të civilizuara e dinin se së shpejti do të ndodhë diçka me popullin tonë të “ humbur”. Ne ishim në tokat tona , por ishim memecë ,të pa zë; ishim të shurdhër ,na e kishin shkyer timpanin e lashtësisë;diçka përgatitej e ne ishim largë vorbullës së gatimit. Të rrallët ishin ata që e dinin këtë ,por edhe nëse e dinin nuk guxonin të flisnin. … Koha ecën dhe historia shkruhej ashtu si që e donin të tjerët.
“Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve, ndërsa ilirët janë pasardhës të pellazgëve… Shqiptarët janë stërnipërit e Pellazgëve”. Johann Georg von Hahn . Mos luani me historinë e juaj kishte me thënë Hahni i madh , sikur t`ishte gjallë . E dini që shumëçka nga historia e lashtë mësuam nga ai?.
“Shqipëria mban një pozicion të tillë strategjik, sa që ajo është e lakmuar nga të gjitha racat fqinje, por asnjë prej tyre nuk do të ishte e gatshme për ta parë atë të zotëruar nga ndonjë rival. Prandaj dhënja e Shqipërisë ndaj çdonjërës racë, ose çdo ndarje e mundshme e saj mes racave të ndryshme, do të shkaktonte një xhelozi të tillë kombëtare e racore ballkanike sa që ndezja e një lufte tjetër në Ballkan – e cila mund të përfshijë përsëri gjithë Evropën – do të ishte e pashmangshme.”
“Po doli në shesh historia e shqiptarëve, Perandorinë Osmane e merr lumi”. Haki Pasha i frigohej së të vërtetës . e ne ndoshta mos po duam ta mëshefim me këtë nxitim.
Po mirë ,po e shofim se ku ishim , e përse na lakmonin. Po tani?Kombin e mbanë historija e tij, Kombin në mesin e kombeve tjera e lartëson e kaluara e tij,gjurmët etija ,gërvishtjet e tija . Mos na e prekni Historinë!
Po doli në shesh historia shqiptare , Serbisë i humbën mashtrimet e saja në botë !
Po doli në shesh historia shqiptare ,Greqia duhet ta fus kokën ndër vegë !
“Dardania është njëra nga krahinat antike të Ballkanit ku popullata autoktone është ruajtur më së miri”. thot Fanulla Papazogllu ,e ne ç`themi ? Po flitet ,po shkruhet po bisedohet ; kur ka tym ,ka edhe zjarr. Jo ,nuk guxon asgjë të preket nga Historija e jonë , nga e kaluara e jonë pa koncenzus gjithëshqipëtar . . E pamë më lartë se kombi ynë e ka historinë e tij ,plot krenari ,gëzim ,rrënqethje dhe vendosje të mirë fillet : Mos më prek!
“Origjina e shqiptarëve ngjitet deri te koha e pellazgëve dhe kanë origjinë parahelene”.Gos Xhen .Edhe një : “Atllantida e cila është zhdukur para 12.000 vjetësh, ishte tokë e Ilirëve (pellazgëve), të cilët shpëtuan nga përmbytja e Atlantidës dhe filluan civilizimet e reja në të gjitha kontinentet, sidomos në Evropë, Afrikë dhe Azi të vogël”! na e thoshte Gjusepe Catapano .Mos e prek historinë sipas kerkesave të huaja. e jona është, ta shkruajmë ashtu si duhet . Bota na e ka lakminë, bota na e ka zilinë.
“Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njejtës racë, të të njejtit gjak.” (Lamartini) E ne do ta marrim nëpër këmb historinë tonë ? Jo! Një jo e madhe !
“Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia. dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e Trojes, të udhehequr nga Akili (në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)”Maurice Druon, anëtar dhe sekretar i Akademisë Frënge, shkrimtar me tre tituj doktorature honoris causa, njër prej tyre në Tiranë. E na a do ta pohojmë këtë ?
“Në Maqedoni, vetëm shqiptarët janë popull autokton” ( Henri Braisford) . E Vërtetë !
“Te drejtat mijëvjeçare të shqiptarëve, etnografike dhe gjeografike, shtrihen prej kohërave të vjetra në Iliri, Maqedoni dhe Thesali”. (Agostino Ribeco). Jo , nuk lëshoj pe; ose të thuhen të gjitha si duhet ose mos të prekim.
“E mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos t’ia mohonte të drejtat e tija.( fjalimi i Gjergj Fishtes , 1919 )
“Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshqet mbi shpinë të rosës”.( Mis Durham) . E ne, çka bëjmë?
“Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndollive dhe te papriturave politike e për nji periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar, – dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë, – kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ngjet sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, është e lartë ( Gjergj Fishta , 1919 )”
Perfundimisht, një përfundim jo fort logjik , në ketë vend të gjithë kemi luajtur pak… asgjë s’na pelqen nga ky vend, ,asnjëherë nuk po e konsiderojmë si shtepinë tonë këte vend,me çka jemi ka ushqehemi që të veprojmë ashtu si nuk e meriton ky vend, ta trajtojmë kështu. Po kaq shumë helm paska patur ky vend? Ku duam të jetojmë? Po femijet tanë si do t`i rrisim?
A kemi mundësi të mirremi vesh ndërveti? Kombin e mbanë historija e saj. Kombin në mesin e kombeve tjera e lartëson e kaluara e saj,gjurmët e saja ,gërvishtjet e saja . Mos na e prekni Historinë!

Shtator 2014 GJakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, Historia Kombetare, jo nxitim

“Dimri i vetmisë së madhe” dhe…Një replikë e detyruar

September 29, 2014 by dgreca

Si ka mundësi që një roman, ku diktatori ngrihet në majat më të larta që mund të arrihen, gati, gati i barazuar me një perëndi, mund të quhet roman i denoncimit të krimeve në diktaturë?/
Opinion nga Reshat Kripa/
Lexova shkrimin me titull: – “Dimri i vetmisë së madhe”, romani i denoncimit të krimeve në diktaturë- të zotit Minella Aleksi, botuar në median elektronike “Fjala e Lirë”. Një gjë e tillë më habiti. Si ka mundësi që një roman, ku diktatori ngrihet në majat më të larta që mund të arrihen, gati, gati i barazuar me një perëndi, mund të quhet roman i denoncimit të krimeve në diktaturë? A i dini ju, mor zotni, krimet e kryera nga regjimi komunist i këtij diktatori? A e dini ju se me urdhër të po këtij përbindshmi janë ekzekutuar mbi 6000 intelektualë dhe figura të tjera të paarritshme të këtij vendi, shumicës prej të cilëve sot nuk u gjendet as varri ku prehen? A e dini se janë përdorur metodat më çnjerëzore të torturës kundër tyre, duke arritur edhe deri tek përdhunimi i familjarëve në sy të tyre, për t’i detyruar të pranojnë atë që i diktonin ata? Ku janë këto në faqet e këtij romani?
Dua t’ju pyes juve, si mund ta quani një vepër disidente, kur vetë autori i saj nuk ka pranuar asnjëherë të quhet disident? Mos vallë për ju ai është një Pasternak apo Solzhenicij shqiptar? Nga e nxorrët këtë përfundim, pasi vetë autori nuk e ka thënë një gjë të tillë. Në rast se do të kishte qenë, atëherë me të vërtetë edhe ai do të kishte fituar çmimin “Nobel” si dy të sipërpërmendurit, si një shkrimtar disident.
Mua më duket se kjo është një përpjekje për të krijuar artificialisht një model të rezistencës intelektuale antikomuniste në Shqipëri.
Autori i veprës, padyshim, është kreu i shkrimtarëve shqiptarë të ditëve tona dhe unë jam i mendimit se ai nuk ka nevojë për lëvdata dhe hymne lavdie. Si gjithë shkrimtarët e tjerë, në diktaturë, ai ishte i detyruar të shkruante ashtu siç e lejonte korniza e të ashtuquajturit “realizëm socialist”, përndryshe nuk mund të gjente mundësi botimi. Atëherë, si ka mundësi që u botua kjo vepër kur, sipas jush paska qenë një roman i denoncimit të krimeve të komunizmit? Mos vallë institucionet që merreshin me verifikimin e veprave të autorëve të ndryshëm që i dërgonin për botim, ishin njerës injorantë dhe të paditur? Jo, mor zotni! Në rast se ata do të konstatonin se një vepër ishte antikomuniste, atëherë autorin e saj, sikurse ka ndodhur edhe në shumë raste të tjera, e priste vetëm një gjë, burgu ose internimi ne një vend të humbur. Në shkrimin tuaj ju shkruani se në roman shtresa e të deklasuarve politikë, është trajtuar artistikisht në mënyrën më realiste. Unë jam nje individ që i përkas kësaj shtrese dhe kam lexuar, pothuajse, të gjitha veprat e këtij autori në të kaluarën dhe mund t’ju them, se kjo shtresë, në shumicën e veprave, është paraqitur në mënyrën më të ulët, si një shtresë e degjeneruar dhe e pamoralshme, si një shtresë që priste çastin për t’u hakmarrur në mënyrën më çnjerëzore. Mund t’ju sjell këtu dy shembuj, atë të shoferit të makinës së mishit që ëndërronte se kur të vinte dita e tij do të vriste e priste të gjithë komunistët dhe atë të Beniaminit që ngulte piketat në kufijtë e pronës së tij për t’i patur si shenjë që kur t’i vinte koha të merrte pronën. Sistemi ndërroi, por a ke dëgjuar ndonjë të përndjekur politikë të jetë hakmarrur në mënyrë makabre kundër hetuesit apo denoncuesit të tij? A ke dëgjuar ndonjë pronar të rrëmbejë pronën e tij pa ia dhënë atë ligji? Kjo është mënyra realiste e pasqyrimit të të përndjekurve politikë në roman?
Në këto çaste më vijnë ndërmend dy vargje të poetit të pavdekshëm, Ali Asllani, nxjerrë nga poezia “Hakërrimi”:
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini, or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras!
Kjo është Shqipëria e sotme, ku pelivanët dalin në krye të mendimit intelektual shqiptar. Ndaj dhe juve, mor zotni, mos t’ju zerë meraku për shkrimtarin e madh, pasi ai e di vetë rrugën nëpër të cilën ka ecur dhe atë nëpër të cilën duhet të eci edhe sot, ndaj nuk ka nevojë për avokatinë tuaj. Në këtë mënyrë ju i bëni më shumë dëm atij dhe krijimtarisë së tij. Ndaj, ju lutem, mos na e paraqisni si roman disident një që nuk është i tillë.

Filed Under: Opinion Tagged With: ...Një replikë e detyruar, "Dimri i vetmisë së madhe” dhee, Ismail Kadare, reshat kripa

Papa Françesku në Shqipëri – porosi dhe trashëgimi për ne

September 28, 2014 by dgreca

Shkruan: Nga Don Lush Gjergji/
Gjithnjë jetoj dhe përjetoj skenat madhore të kësaj vizite baritore Kishës Katolike në popullin shqiptar, Shqipërisë, të gjithë shqiptarëve në Ballkan, në Evropë dhe në botë. Ishte një takim, edhe më tepër përqafim, mes Papës dhe neve, kur hapte dorën për të përshendetur dhe bekuar morinë e popullit nga aereoporti “Nëna Tereze”, nëpër sheshin “Nëna Tereze”, nëpër rrugët e Tiranës. Kudo brohoritje, gëzim, ngazëllim, kënaqësi, shikime në sy ndaj Atit të Shenjtë, pastaj ndaj njëri-tjetrit, si ta pyesnin njëri-tjetrin: a është e vërtetë, e mundshme, reale kjo, apo po ëndërrojmë?
Fatbardhësisht është e vërtetë! Papa Françesku ishte në Tiranë, në Shqipëri, në vizitë baritore mbarë popullit shqiptar. Unë këtë ngjarje e kam cilësuar si “mrekulli” dhe dhuratë të Zotit, të Kishës, të Papës për shumë arsye, ndër të cilat janë ato që vetë Papa Françesku i ka cekur: martirizimin dhe bashkëjetesën ndërfetare.
“E para sepse shqiptarët kanë arritur të krijojnë një shtet të unitetit kombëtar midis tri feve kryesore të shqiptarëve, islamizmit, ortodoksisë dhe katolicizmit, falë një Këshilli Ndërfetar që vepron me shumë ekuilibrim”. Kjo tha Papa është një gjë e mirë dhe shtoi se, “Prania e Papës (në Shqipëri) do të shërbejë për t’i thënë të gjithë popujve të botës se është e mundur të punohet dhe të veprohet së bashku.”
Arsyeja e dytë me rëndësi pse ai po viziton Shqipërinë në shtator, ka të bëjë me historinë e Shqipërisë, e cila sipas tij, ishte unike ndër vendet ish-komuniste, kushtetuta e së cilës ndalonte me ligj fenë dhe se ishte shpallur vend ateist. “Të merrje pjesë në meshë, ishte kundër kushtetutës” së regjimit komunist, u tha Papa gazetarëve të huaj. Sipas Radio Vatikanit, gjatë përgjigjes ndaj pyetjes mbi vizitën e ardhëshme në Tiranë, ai përmendi gjithashtu edhe shkatërrimin e kishave gjatë sundimit komunist dhe si përfundim, ai sot e ndjenë si detyrë që të vizitojë atë vend fisnik”, është cituar të ketë thënë Papa.
Papa Françesku ndër të tjera tha kështu në intervistën lamtumirëse nga Shqipëria: “Shqiptarët nuk janë tolerantë, ata janë vëllezër pa dallime feje. Së bashku kanë përballuar martirizimin, së bashku kanë ndërtuar demokracinë, së bashku jetojnë dhe veprojnë…”.
Cila ishte porosia kryesore e pranisë dhe fjalës së Papës Françeskut në Shqipëri? Çka tha, çka gjeti në Shqipëri, çka na la si porosi dhe trashëgimi? Sigurisht se për një kohë të gjatë mjetet pamoro-dëgjimore, njerëzit, analistet do të mundohen nga këndvështrimet e ndryshme ta ndriçojnë, interpretojnë, shqyrtojnë, trajtojnë këtë vizitë, çastet kulmore, fjalimet, gjestet, mbi të gjitha jehonën dhe domethënien për ne dhe për botën e sotme. Unë do t’i theksoj disa elemente të rëndësishme dhe shumë aktuale.
1.LASHTËSIA E KRISHTËRIMIT NDËR NE
PapaFrançesku ndër të tjera ka çmuar dhe përkujtuar, për ne dhe për botën, një gjë të madhe dhe të rëndësishme, që shpesh harrohet apo anashkalohet, historinë e krishtërimit tonë që nga kohët apostolike, pra, lashtësinë tonë si të krishterë, sepse ishin ndër të parët e këtyre trojeve që e kemi pranuar Krishtin dhe porosinë ungjillore. Ja fjala dhe theksimi i Papës Françeskut në homeli lidhur me lashtësinë e krishtërimit tonë: “Paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj!… Ata që kishin frikë nga e vërteta e nga liria, bënin ç’ish e mundur ta dëbonin Hyjin nga zemra e njeriut e ta përjashtonin Krishtin e Kishën nga historia e vendit tuaj; ndonëse ai që më të hershmit që mori dritën e Ungjillit… Në Leximin e dytë, dëgjuam të përmendet Iliria, në kohën e apostullimit të Palit, përfshirë edhe trojet e Shqipërisë së sotme…”.
Të mërkurën, më 24 shtator 2014, në Audiencën e Përgjithshme në Romë, Papa Françesku përkujtoi dhe komentoi kështu udhëtimin e tij në Shqipëri: “Falënderoj edhe një herë Zotin, sepse, në këtë Udhëtim, më dha mundësinë të takohem me një popull të guximshëm e të fortë, që nuk u përkul para dhimbjes. Vëllezërve e motrave të Shqipërisë u përsëris ftesën për të pasur guximin e së mirës, për të ndërtuar të tashmen e të ardhmen në vendin e tyre e në Evropë”.
2-MARTIRIZIMI SHEKULLOR
Kjo gjë na ka kushtuar shumë gjatë shekujve, nën sundimin e parandorisë romake, gjatë dyndjeve të popujve sllavë, në sundimin pesëshekullor turko-otoman, sidomos nën sundimin e egër komunisto-ateist me martirët e lavdishëm. Papa Françesku ndër të tjera në homelinë e Meshës në Tiranë tha“Duke sjellë përsëri në mendje dhjetëvjeçarët e vuajtjeve mizore e të pesekutimeve të egra kundër katolikëve, ortodokëve, myslimanëve, mund të themi Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre… Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur në këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahët e shqiponjës, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit… Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për të mbëshetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë afër nesh, posaçërisht në çaste të vështira… Kishë, që jeton në këto troje të Shqipërisë, falëinderit për shembulliun e besnikërisë ndaj Ungjillit. Shumë nga bijtë e bijat tuaja vuajtën për Krishtin, edhe deri në flijim e jetës…”.
Përshtypja më e thellë e Papës Françesku ishte mbrëmësorja në katedralen “Shën Pali” në Tiranë, pas dëgjimit të vëmendshëm ta dy dëshmive rrënqethëse të Don Ernest Troshanit dhe motrës Maria Kaleta. Papa qau. Së bashku me të qajtem edhe ne. Ishin lot gëzimi, rrënqerhjeje, tronditjeje, aq sa Papa e la tekstin e përgatitur dhe foli në mënyrë spontane. “Nuk e kam ditur se keni vuajtur kaq shumë… Sot kam prekur me dorë martitrët…Feja e vëretë është burim paqeje e jo dhune! Askush nuk mund ta përdorë emrin e Hyjit për të ushtruar dhunë. Të vrasësh në emër të Hyjit është sakrilegj i madh. Të diskriminosh në emër të Hyjit është çnjerëzore…Vijoni të jeni për vendin tuaj, e jo vetëm, shenjë që tregon se janë të mundura marrëdhëniet e përzemërta të bashkpunimit të frytshëm ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare… Jam befasuar shumë… nuk e dija që populli juaj ka vuajtuir kas shumë…”.
Në Audiencën e Përgjithshme të mërkurën pas vizitës në Shqipëri, Papa Françesku, prapë iu kthye përjetimeve dhe vlerësimeve të këtij takimi, ku ndër të tjera tha kështu: “Prandaj, martirët nuk janë të mundur, por fitimtarë: në dëshminë e tyre heroike shndrit sërish gjithpushteti i Zotit, që gjithnjë e ngushëllon populline vet, duke hapur udhë të reja e horizonte shprese. Këtë mesazh shprese, bazuar në fenë e Krishtit e në kujtimin e së kaluarës, ia besova krejt popullsisë shqiptare, të cilën e pashë entuziaste dhe të gëzuar në vendet e takimeve e në kremtime, ashtu si edhe në rrugët e Tiranës…”.
Papa Françesku duke folur në mënyrë spontane për simbolin tonë kombëtar, Shqiponjën, ndër të tjera përkujtoi dhe tha seajo e ka çerdhen e vet, por fluturon në lartësi, figurë tejet e bukur dhe domethënëse për popullin tonë, dhe di rishtas të kthehet në çerdhen e saj.
“Shqiponja jonë” e Lumja Nëna Tereze, është pa dyshim fryt i martirizimit dhe bashkëjetesës, vëllazërisë gjithshqiptare, që ajo e ka realizuar në mbarë botën me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.
3.POPULL I RI DHE SHPRESËDHËNËS
Jemi populli më i ri në Evropë, me shumë gjallëri dhe vullnet për jetë dhe për punë. Këtë e ka hetuar edhe Papa Françesku, i cili risnisë sonë ia dha një frymëzim për jetë, ardhmëri, duke u ruajtur prej “tundimeve” të sotme, siç janë materializmi, konsumizmi, hedonizmi, relativizmi dhe ateizmi praktik. Ai në mbarim të meshës në Tiranë, ndër të tjera ia la këtë porosi rinisë shqiptare. “Me forcën e Ungjillit e me shembullin e martirëve, të dini t’i thoni “jo” idhujtarisë së parasë; “jo” lirisë së rreme individualiste; “jo” varësive e dhunës; e t’i thoni “po” kulturës së takimit e të solidaritetit; “po” bukurisë së pandashme nga e mira e nga e vërteta; “po” jetës së shkrirë për ideale të mëdha, por besnike edhe në gjërat e vogla. Kështu, do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë e një botë më të mirë…”.
4-VËLLAZËRIA DHE BASHKËJETESA NDËRFETARE SHQIPTARE
Në takimin e Papës Françesku me udhëheqësit e feve tjera ai ndër të tjera tha: “Është e rëndësishme që jeni këtu së bashku: është shenjë e dialogut që jetoni ditë për ditë, duke u përpjekur të lidhni me njëri-tjetrin marrëdhënie bashkëpunimi vëllazëror, për të mirën e mbarë shoqërisë… Nuk mund të dialogohet, nëse nuk nisemi nga identiteti vetjak, nuk shërben. Secili nga ne ka identitetin e vet, është besnik ndaj tij… E kështu, si vëllezër, ecim së bashku. E secili nga ne ia ofron tjetrit dëshminë e identiteti të vet e dialogon me tjetrin, së bashku, pa tradhtuar identitetin e fesë, pa e maskuar, pa hipokrizi… Të dashur miq, ju bëj thirrje të mbani dhe të thelloni traditën e marrëdhënieve të mira ndërmjet bashkësive fetare në Shqipëri dhe të ndjeheni të bashkuar në shërbim ndaj atdheut tuaj të shtrenjtë… Të gjithë bashkë, për të mirën e Atdheut e të njerëzimit! Vijoni të jeni për vendin tuaj, e jo vetëm, shenjë që tregon se janë të mundura marrëdhëniet e përzemërta dhe të bashkpunimit të frytshëm ndër njerëz me përkatësi të ndryshme fetare…”.
Ja përjetimi dhe dëshmia bindëse e Papës Françeskut dhënë të mërkurën pas vizitës së tij në Shqipëri, në Audiencën e Përgjithshme, duke thënë: “Për këtë, në qendër të këtij Udhëtimi, qe një takim ndërfetar, në të cilin pata mundësi të shoh me mkënaqësi të thellë se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve e bashkësive, që u përkasin feve të ndryshme, jo vetëm mund të dëshirohet, por është konkretisht e mundur dhe e zbatueshme në praktikë. Ata e praktikojnë! Është fjala për një dialog të vërtetë e të frytshëm, larg relativizmit, duke pasur parasysh identitetin e secilit. Në fakt, ajo që i bashkon shprehjet e ndryshme të fesë, është udha e jetës, vullneti për t’i bërë mirë të afërmit, pa e mohuar e pa e nënvlerësuar identitetin e secilit…”.
Nëpërmjet Papës Françesku ishim edhe një herë në “skenën botërore” për ta treguar dhe dëshmuar para Papës, para mbarë botës, kush kemi qenë dhe jemi si shqiptarë dhe si fetarë, çka duam, presim dhe kërkojmë prej njëri-tjetrit, prej botës, cili është orjentimi dhe përcaktimi ynë kulturor, shpirtëror dhe shoqëror, për të tashmen dhe për ardhmerinë tonë sa më të mirë.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe trashëgimi, don Lush Gjergji, Papa Françesku në Shqipëri – porosi, për ne

Edhe përfaqësuesit e “ Vendlindja thërret” keqpërdorën mjetet

September 24, 2014 by dgreca

Përse mërgata shqiptare nuk organizon aksione të mëdha humanitare?/
NGA XHAVIT ÇITAKU/
Duke u munduar të gjejë përgjigje në këtë pyetje në mesin e mërgimtarëve tanë, kuptova se shkas kryesor për këtë është keqpërdorimi i Fondit të Trepërqindshit dhe atij “ Vendlindja Thërret”,nga persona përgjegjës të cilët në vend që të gjenden në burg tash sorollaten rrugëve, bizneseve por edhe në institucione shtetërore, duke bërë jetë luksoze me djersën mërgimtare
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Mërgata shqiptare e shpërndarë në shtete e kontinente të ndryshme ishte njëra ndër mbështetësit kryesor i të gjitha proceseve të rëndësishme që u zhvilluan në Kosovën e okupuar nga regjimi fashist serb, por edhe jashtë saj. Aktivitet më të qartë dhe konkret ata treguan sidomos gjatë viteve të nëntëdhjeta atëherë kur populli kishte nevojë më së shumti, atëherë kur situata ekonomike ishte aq e rëndë sa që pa ndihmën e bashkatdhetarëve tanë vështirë se do të mund të përballohej. Nuk kursyen mund e djersë që t’iu dilet në ballë gjithë atyre kërkesave të shumta që vinin nga Kosova. Forma më e përshtatshme, më e dobishme, por edhe më e besueshme që do të prodhonte rezultate e efekte të mira në gjithë hapësirën kosovare ishte mënyra organizative në vijën shtetërore, kërkesë kjo që doli nga shumë aktivistë dhe veprimtarë të devotshëm të çështjes shqiptare. Së këndejmi,, ndonëse ishte duke vepruar qeveria në ekzil doli propozimi që të formohet një fond i cili do të udhëhiqej dhe do të kontrollohej nga ministria përkatëse e kësaj qeverie, përkatësisht nga Ministria për Ekonomi dhe Financa. Pas shumë bisedave dhe kontakteve të organizuara u mor vendim që të formohet Fondi i Trepërqindshit, i cili u përkrah dhe u mbështet nga shumica e mërgimtarëve tanë. Ishte i njohur edhe krijimi i Fondit të Ahenit në Gjermani , por ai më vonë u shkri në këtë formë tjetër më organizative që filloi punën mbarë.

Grumbullimi i mjeteve në Fondin e Trepërqindshit ishte impozant

Para se të formohet ky fond vlen të përkujtohet se në shumë shtete u organizua edhe aksioni i ashtuquajtur i Tridhjetpërqindshit, që ishte trilluar kinse për një luftë eventuale që do të mund të fillonte në Kosovë, nga i cili i grumbulluan miliona marka gjermane. Ndërkaq, në fondin e Trepërqindshit, që u zgjerua në të gjitha mjediset ku kishte komunitet shqiptar vazhdoi derdhja e mjeteve për çdo muaj. Thënë konkretisht, bashkatdhetarët tanë ndaninë nga tre përqind të të ardhurave të realizuara në familje, ndërsa nëse nuk ishin të punësuar nga tre përqind të të ardhurave të ndihmave sociale. Rezultatet e arritura në grumbullimin e mjeteve ishin inkurajuese fal angazhimit të madh të anëtarëve të komisioneve, të cilët këtë punë e bënin vullnetarisht. Vullnetarët e këtij Fondi aq mirë e kryenin punën sa që nuk përtonin që të sakrifikojnë edhe shumëçka vetëm e vetëm që populli në Kosovë të mos ndihet i pasigurt për shkak të mungesës së parave. Ashtu siç ishte paraparë me rregullore, anëtarët e komisioneve bënin grumbullimin e mjeteve në ato mjedise ku punonin e jetonin dhe më pastaj ato i derdhnin në llogarinë e Fondit Qendror të shtetit përkatës dhe i vetmi që ishte i autorizuar për t’i tërhequr ato mjete ishte Kryetari i Komisionit Qendror, i cili ato i dërgonte në xhirollogarinë e qeverisë në ekzil. Për çdo pagesë jepej dëshmia për secilin dhurues të këtyre mjeteve. Vite të tëra këtë obligim atdhetar e kryen mbi 70 për qind e mërgatës shqiptare dhe me të drejt mund të konstatohet se nëse dikush mund të pyet se si duhet atdheu atëherë lë të shijoj kurbetin, i cili hap rrugën e mbarë për të punuar e kontribuar për vendlindjen. Nuk është vetëm pagesa e Trepërqindshit që e karakterizoi zemërgjerësinë e bashkatdhetarëve tanë, por janë edhe shumë e shumë shembuj të tjerë që ata sakrifikuan dhe ndihmuan atdheun. Me një fjalë, ata pos pagesës mujore, organizuan edhe shumë aksione të tjera humanitare ku u grumbulluan shuma milionëshe, pastaj ndihmuan familjet e tyre, të sëmuret, ndërtimin e shkollave, të xhamive dhe shumë e shumë raste të tjera që u kërkuan nga mërgata jonë.

Kontribut i madh edhe në Fondin “ Vendlindja thërret”

Me fillimin e luftës në Kosovë u shtrua domosdoja që çlirimtarët të ndihmohen materialisht në mënyrë që liria e synuar të fitohet më shpejt dhe sa më me pak pasoja. Dhe ishin prapë mërgimtarët ata që iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për të ndihmuar luftën çlirimtare dhe kësisoj pa ngurrim derdhen mjete të mëdha në Fondin “ Vendlindja thërret” që ishte formuar “ enkas” për këtë qëllim nga LPK-ja. Për dallim nga Fondi i Trepërqindshit ku mjetet derdheshin në xhirollogari, në Fondin “ Vendlindja thërret” parat në të shumtën e rasteve iu dorëzoheshin veprimtarëve të autorizuar dhe më pastaj ato i “ dërgonin” në Fondin qendror. Kjo formë e dhënies kesh të parave ishte aplikuar për shkak se qeveritë e shumë shteteve në fillim nuk lejonin që të “ zyrtalizohet” ndihma për UÇK-në nëse kështu shkurt mund të thuhet. Me shuma të mëdha të grumbulluara, ku nuk kursehej edhe paraja e fundit e bashkatdhetarëve tanë, u bë e mundshme që të sigurohen armë aq të nevojshme për UÇK-në. Pavarësisht se kjo temë e shtjelluar në mënyrë bukur shumë të përgjithësuar nuk ka për qëllim që të flitet për luftën e zhvilluar në Kosovë, doemos do përmendur se shumë mërgimtarë tanë pos ndihmës materiale, lanë jetën “ luksoze” në perëndim dhe ia mësynë vendlindjes dhe së bashku me pjesëtarët e UÇK-së luftuan deri në çlirimin e vendit. Shumë prej tyre dhanë edhe jetën në altarin e lirisë e besa shumë të tjerë u plagosën dhe mbetën edhe pa gjymtyrë të trupit.

Mosmarrëveshjet e pakuptimta e të dy fondeve

Pa asnjë hezitim mund të konstatojmë se mërgata shqiptare ishte aq mirë e organizuar, në rend të parë, se në mesin e saj mbretëronte një entuziazëm, vullnet e krenari për të ndihmuar atdheun, për të fituar lirinë, për t’i dhënë mbështetje kombit që ishte në rrezik të zhbëhet. Ishte e çuditshme, e pakuptueshme dhe e pafalshme sjellja e përfaqësuesve të të dy fondeve që ia kishin vënë “ lakun në fyt” mërgatës shqiptare duke e shtrënguar për herë e më shumë që të ndaj mjete për këto fonde që kishin të njëjtin qëllim: çlirimin e vendit. Fatbardhësisht, edhe pse komuniteti shqiptar në diasporë kishte obligim të madh për të mbajtur edhe familjet dhe të afërmit në vendlindje, këto “ lojra” të përfaqësuesve të Fondit të trepërqindshit dhe “ Vendlindja thërret” nuk i zmbrapsen, përkundrazi ata me të njëjtin ritëm kryenin edhe obligimin atdhetar e patriotik. Megjithatë, mërgimtarët ishin të zhgënjyer me dallimet që ekzistonin ndërmjet faktorit ushtarak dhe politik të vendit, ndërsa në anën tjetër ishin po këta mërgimtar që ua kishin bërë të mundshëm të funksionojnë të dyja palët. Dhe ç’është edhe më keq për këtë as që pyeteshin ata që i mbanin gjallë këto dy subjekte.

Qindra miliona marka gjermane u “ avulluan” pa dhënë askush përgjegjësi

Fondi i trepërqindshit kishte funksionuar mbi një dekadë dhe shi për këtë në të u grumbulluan qindra milionë marka gjermane, të cilat u menagjuan kryesisht nga Kryeministri i qeverisë në ekzil Bujar Bukoshi dhe Ministri për Ekonomi dhe Financa Isa Mustafa . U grumbulluan aq shumë para sa që patën “ luksin” këta menagjerë të parasë mërgimtare që të hapin edhe Bankën e emërtuar “ Dardania” në Tiranë, për të cilën as sot e kësaj dite nuk dihet se çka u bë me të, apo më mirë më thënë humbi pa gjurmë si e tërë. Po t’i kthehemi edhe njëherë mjeteve qindra milionëshe të derdhura nga djersa dhe mundi i bashkatdhetarëve tanë, të cilët edhe tash shtrojnë pyetjen se çfarë u bë me ato para që me mund e djersë i kishin fituar duke punuar edhe punë jashtëzakonisht të vështira vetëm e vetëm që të ndihmohet populli në Kosovë dhe lufta çlirimtare. Çuditërisht nga askush ama nga askush nuk ka përgjigje se ku u tretën ato mjete, në xhepin e kujt përfunduan dhe cili ishte ai që fitoi më së shumti në dëm dhe në kurriz të mërgimtarëve tanë. Pas përfundimit të luftës u mbajt edhe mbledhja e parë e Kuvendit të LDK-së ku ishte i pranishëm edhe Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, ku edhe unë mora pjesë nga mediat, dhe ndër të tjera një kuvendar pati pyetur se çfarë u bë dhe çfarë do të bëhet me mjetet e trepërqindshit, pyetje kjo që iu shtrua direkt Bukoshit. Mirëpo, Bujar Bukoshi as që u “ kuq” të kthej përgjigje dhe kështu kjo temë nga atëherë kaloi në margjina të interesimit, sidomos të organeve më të larta partiake të LDK-së, si bartëse e të gjitha aktiviteteve në këtë drejtim por edhe të organeve shtetërore të Republikës së Kosovës. Me një fjalë, këtu ka vend për përgjegjësi jo vetëm morale por shumë më shumë penale, ngaqë ato para do të duhej të derdheshin në arkën e shtetit e jo të përfundojnë në duart e atyre që ishin përgjegjës që me nikoqirllëk t’i përdorin e t’i shpenzojnë. Do të jetë e pafalshme për këto gjenerata mërgimtare që të mos thirret askush në përgjegjësi dhe që aq keq të përbuzet ajo e mirë e tyre që u dha me vite të tëra.

Edhe përfaqësuesit e “ Vendlindja thërret” keqpërdorën mjetet

Edhe pse nuk kishte jetë të gjatë, Fondi “Vendlindja thërret” arriti që të “ vjel” po ashtu miliona marka gjermane, franga zvicerane e dollar amerikan. Ndonëse nuk mund të krahasohet ky fond me atë të trepërqindshit përkah shuma e mjeteve, megjithatë keqpërdorimi i djersës së punëtorëve tanë ishte shumë më i pranishëm, në rend të parë, se në fillim parat dorëzoheshin në duar të katër pesë individëve të Komisionit Qendror të shteteve përkatëse, që nuk “ përtonin” natë e ditë të shkojnë nga një qytet në tjetrin për të marrë parat e grumbulluara nga mërgata shqiptare. Kjo formë e grumbullimit të mjeteve ishte aplikuar për shkak se shtetet perëndimore në fillim nuk e njihnin UÇK-në dhe nuk lejonin që parat të derdhën në bankat e tyre. Se sa marka e deviza tjera kanë derdhur këta aktivistë në Fondin qendror, që thuhej se ishte në Zvicër, kjo lë të mbetët në nderin dhe moralin e tyre. Pa fije dyshimi mund të thuhet e konstatohet se nderi e morali i shumë prej tyre ishte i kufizuar për shkak të lakmisë që kishin. Edhe këtu ka vend për Prokurorin që të hap rrugë të hetimit ndaj të gjithë atyre që tash nga ato mjete janë bërë multimilioner, që kurrë nuk do t’ia shohin hajrin. Këtë e pret tash e 14 vjet më parë mërgata shqiptare. Ndaj edhe njëherë me anë të këtij shkrimi po i drejtohemi organeve të drejtësisë, policisë e të prokurorisë që të aktivizohen dhe të veprojnë konkretisht aq më shumë për t’iu dalë hakesh mërgimtarëve tanë. A ishte përgjegjësi kryesor Xhavit Haliti me të tjerët nuk mund të definojmë konkretisht sepse parat grumbulloheshin në emër të UÇKsë. Por ky emër përflitet si personi që ishte përgjegjës për këtë Fond. Dihen përgjegjësit e të dyja fondeve vetëm duhet guxim dhe ndjekje penale për të gjithë ata që keqpërdorën mjetet aq të mëdha të mërgatës shqiptare duke aplikuar ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe pikë.

Njëherë u mashtruan

Duke u nisur nga këto mashtrime që iu bënë bashkatdhetarëve tanë, është për të ardhur keq se më nuk po organizohen aksione të mëdha e aq të nevojshme humanitare që aktualisht i duhen sidomos familjeve të varfëra që nuk janë të pakta e posaçërisht të atyre që nuk kanë kulm mbi kokë. Kam kontaktuar shumë mërgimtarë në Gjermani, Zvicër e Suedi më të cilët kam biseduar pikërisht për këtë temë të rëndësishme dhe jam munduar që me ta dhe të tjerët të gjejmë një “ zgjidhje” të pranueshme për mënyrën e grumbullimit të mjeteve që do t’iu dedikoheshin familjeve në nevojë. Përkundër gatishmërisë së tyre për të kontribuar materialisht në këtë drejtim ku do të përshiheshin shumica e mërgimtarëve tanë, përgjigja e tyre ishte negative. Ata thanë: Një herë na mashtruan bile shumë keq, kurrë më. Ja, pra se çfarë bënë këta kriminel që i morën ato qindra milionë para në deviza të ndryshme dhe pa fije turpi tash sorollaten rrugëve, bizneseve e brenda institucioneve të vendit, duke shitur mend se sa patriot ishin . Dorën në zemër, humaniteti i bashkatdhetarëve tanë nuk ka pushuar as sot e kësaj dite ngaqë ata individualisht e në grupe po ndihmojnë vazhdimisht qytetarët e vendit tonë, mirëpo organizimi i ndonjë Fondi të madh hëpërhë është i parealizueshëm. Mallkuar qofshin ata lakmitarë e kriminel që tash me djersën e mundin e mërgimtarëve bëjnë jetë luksoze.

Filed Under: Opinion Tagged With: Edhe përfaqësuesit e “ Vendlindja thërret”, keqpërdorën mjetet, Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 712
  • 713
  • 714
  • 715
  • 716
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT