• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pjella e keqe : GoldAG

February 27, 2014 by dgreca

Shkruan: Fahri Xharra, Gjakovë/

“Druaj, vëlla, se sërish do të na bjerë mbi kokë fatkeqësia e kufirit të ndarjes së dy botërave… O zot, mos lejo që në kohë të sprovave të mëdha dhe të jashtëzakonshme ta humb durimin dhe guximin ,e mbi të gjitha mos lejo ta humb drejtpeshimin…” – i thoshte vetes At Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) i Gjakovës, ne shënimet e tij. “… por kjo ishte koha e murtajës  që “kastile  ishte sjellur nga dora e njeriut në këto anë”.Po edhe unë po kam dro se me të vërtetë jemi edhe sot në kohën e sprovave të mëdha ;po  me problemet që posaçërisht për ne po na i sjellin .Nuk është murtaja si sëmundje që valavitet në kohë të caktuar dhe në vend të caktuar sipas “strategut”; por janë sëmundje antikomb që pa dashtas nga ne po futen në mesin tonë.

«Atdhetaria është të pohosh historinë e kombit tënd me të gjitha majat dhe dështimet e tij, ta përqafosh kulturën, gjuhën, këngët, të duash rajonet dhe natyrën e vendit, të respektosh njerëzit sipas të arriturave të tyre (Angela Merkel , (Die Welt, 9.11.2004) dhe përveç kësaj të bësh gjithçka edhe për të tjerët në shoqëri me qëllim që Kosova e Shqipëria në sytë e botës të dalin si model i suksesshëm .” Kush po na e humbë këtë porosi ?

Të gjitha shënimet e shërbimeve të ndryshme të inteligjencës, të cilat kanë studjuar rritjen e lëvizjes vehabiste në Bosnje janë në një emërues të përbashkët: ndikimin e shërbimit të fshehtë serb në këtë proçes. Por, në Kosovë, rritja e lëvizjes vahabiste dhe ka një zanafillë që në ditët e para të pas luftës, përmes rekrutimeve të mëhershme. Shërbimi i fshehtë serb në Kosovë, përmes disa nga liderët e njohur, si Zdravko Tolimir, Dragan Stojmenoviç, Simon Tomanov, që ishte njëkohsisht edhe zevendësi i shefit të KOS-it, shërbimit të fshehtë ushtarak, Aleksandër Vasiljeviç, ndërtuan në Kosovë një rrjet bashkëpunëtorësh në mjedisin islam, shqiptar ose jo shqiptar, të cilët, të lidhur edhe me strukturat ushtarake të kohës, u bënë më pas edhe pjesë të politikës në Kosovë. Por edhe vendi ku, një pjesë e politikës së Kosovës, gjeti strehën e saj. ((Ramiz Lladeovci Një projekt serb për goditjen e tolerancës ndërfetare në Shqipëri e Kosovë?)

Në shtypin e Kosovës citohen  politikanët e ditës, deputetët e parlamentit të Kosovës si njerëzit e mediave pamore dhe të shkruara që janë të lidhur me këto qarqe të shërbimit të fshehtë serb në Kosovë;ata janë bartës i protestave, i vendosjes së shamisë, përçmimit të besimeve të tjera fetare dhe intolerancës. .Ata na dhunojnë

Gold Ag . Kush është kjo pjellë e infektuar ? Kush na e solli në mesin tonë ?

Është pjellë e teorive agresive të hapura që i janë bërë viteve të fundit identitetit shqiptar.Është pjellë e keqe e disa akademikëve tanë , e institucioneve universitare e politikës dhe e mediave tona. . Është pjellë e konspiracionit anti shqiptar e posaçërish atij antiKosovë , i atyre që ju kerkojne shqiptareve me ngulm te heqin dorë nga identiteti kombëtar, në kembim te një identiteti tjetër, te copëtuar e gjysmak.(N.U)

Ta dijmë mirë që Gold Ag është pjellë e ” ……Kurse ditën që ushtritë serbe do ta sulmonin Kosovën,(1913) Gjenerali famëkeq Jankoviq do të drejtonte një proklamatë shqiptarëve me titullin simbolik “T’on fiseve n’ Shqipni – or vllazni”, në të cilët thuhej se “Vijmë në emër të Allahut që t’i jepet fund zullumit të turkut që për 500 vjet bashkërisht ka rëndu dy popujt… për ta çliruar vendin tonë të përbashkët dhe se shqiptarët do të munden me e rujtë fenë dhe zakonet si i kanë pasun…”

Gold Ag është pjellë e :” “Deri në shekullin e 18, osmanët ishin fuqia me e përparuar, më humane dhe më demokratike e kohës… ishin osmanët që e bënë Shqipërinë të ishte një ndër vendet më të përparuara të Europës, ku kulmin e zhvillimit e ka pasur Kosova, të cilën mjerisht e shkatërruan luftërat e Austrisë, Serbisë dhe forcave shqiptare katolike të udhëhequra nga P.Bogdani kundër Perandorisë Osmane”.

Gold Ag është pjellë e:” që kërkojnë ndërtimin e shtetit fundamentalist islamik, siç qe shteti i talebanëve në Afganistan, ku femrat janë të mbuluara me ferexhe dhe ku burrat rrinë me mjekra dhe fustane, ku xhamia është vetë shteti dhe ku Ligji Kuranik, Sheriati është Kushtetutë, Kod Penal dhe Kod Civil dhe baza e krejt legjislacionit në përgjithësi.”

“Po doli në shesh historia e shqiptarëve, Perandorinë Osmane e mer lumi”thoshte  Hakkı Paşa, (Ambasador Otoman në Itali(1862–1918))  . E do të delë , deshtën apo s ´deshën hakipashat e sotëm të të gjitha anëvë dhe shërbëtorëve të tyre në tokat tona.!

P.S. ”Deputeti Amir Ahmeti, dikur deputet i Partisë së Drejtësisë, tash i pavarur, i ka daalë në mbrojtje rap-këngëtarit Gold AG.Ai madje, ftesën e Policisë për ta intervistuar nën dyshimin për nxitje të urrjetjës, e quan “gjueti shtrigash”.

“Antiteistet, islamofobet dhe shteti ateist ne aksion “ne gjuajtjen e shtrigave”, (ftesa e policise per Gold AG), turp!”, shkruan Ahmeti në facebook.(gazetaexpress27 Shkurt 2014 11:20)  .Kurse i gjithëdijshmi Mustafa Nano në gazeten Dita na shkruan se: ”Fajtorë për radikalizimin fetar të shoqërisë sonë nuk janë … serbët” Mirë e ke Z. Mustafa , fajtorë janë shërbëtorët e tyre.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, GoldAG, Pjella e keqe

A është gabim të duash vendin dhe kombin tënd?!

February 26, 2014 by dgreca

Opinion nga Aurel Dasareti, USA/

 Ekspert i shkencave psikologjike-ushtarake)/ dasaretiaurel@yahooo.com.au/

Ata që duan të heqin dorë nga liritë thelbësore për të blerë një siguri të vogël të përkohshme nuk e meritojnë as lirinë dhe as sigurinë.

Të dy kemi qenë pjesëmarrjes aktiv të betejave të tmerrshme (vitet 1994-1995), por në formacione luftarake kundërshtare. Jemi takuar një herë gjatë një armëpushimit  të përkohshëm(1995). Çuditej pse kam ardhur prej përtej oqeaneve deri aty ku nuk hanë pula gur, edhe atë për të luftuar për të huajt. I tregova se ushtrohem për betejat që do të zhvillohen më vonë në Kosovë…Para disa vitesh u takuam sërish në një kryeqytet evropian. Më sugjeroi të mos kontribuoj për çështjen shqiptare pasi unë as që jetoj në Evropë. I thash: “Ti shumë mirë e din se unë nuk kam më frikë prej asgjëje e askujt. Kur njeriu me mijëra herë ka qenë  aq afër vdekjes, frika zhduket. Dhe, mos e provo edhe njëherë të provokosh shqiptarët ta duan ose të mos e duan kombin dhe vendin e vet, përndryshe, nëse diçka ndodh me ty, unë do të buzëqeshi gjithë rrugës për në funeral.”

A është gabim të duash vendin dhe kombin tënd? A është më e drejtë të jesh neutral ose të urren vendin tënd? Çfarë do të zgjidhje dhe cilat janë mendimet tuaja për këtë?

Ky është një problem i madh social vetëm në Shqipëri dhe gjithë botën shqiptare, se nuk ka mjaft njerëz që e duan  vendin e tyre, as njerëzit e tyre.

Kur do të përpiqemi ne për të ndaluar shkatërrimin e vazhdueshëm të vendit tonë? Pasi të braktisim vendin, asimilohemi dhe tjetërsohemi tërësisht?! Le të shpresojmë se turpi dhe tradhtia jonë ndaj Vendit dhe Kombit përfundon një herë dhe përgjithmonë .

Unë mendoj se ne në përgjithësi jemi shumë krenarë dhe patriotikë kur vjen puna për të qenë shqiptarë. Nuk vërehet se shqiptarët mendojnë dy herë para se të dalin rrugëve dhe të valëvitin flamurin – por, at të Greqisë, Arabisë, Serbisë, Turqisë e jo aq shumë të vetin.

Në bazë të shkrimit tim, duket sikur ajo është një e dhënë, e natyrshme, që të gjithë ne duhet të jemi shumë krenar që jemi shqiptarë.

Kjo është çështje personale nëse dikush është krenar për vlerat që kemi. Dhe cilat vlera dhe sjellje ua tregojmë pjesës tjetër të botës.

Personalisht, ka gjëra që më bëjnë krenar si dhe gjëra të tjera që më bëjnë të turpërohem pse jam shqiptar. Por kjo vetëm do të thotë se ne duhet të mësojmë për të dalluar impulset e mira nga të këqijat.

Identiteti kolektiv të cilit të gjithë ne i takojmë, është diçka tjetër se identiteti personal. Ti sipas qejfit mund të ndryshosh kuptimin dhe mendimet tuaja, por unë nuk pajtohem që shteti në mënyrë aktive ndryshon mendimet e veta sipas qejfit të të huajve dashakeqës, këndvështrimeve të veta ideologjike. Këto njohje i kam përvetësuar nga hulumtimet e mia shumëvjeçare…

Shkenca është kurora e lavdisë së mendjes, por ajo mbështetet në parimin e gabueshmërisë. Kjo sepse sikur teoritë shkencore do të mishëronin të vërtetën absolute, përfundimtare, atëherë ato teori nuk do të kishte nevojë t`i verifikojmë praktikisht ndërkaq përparimi  shkencor do të ndalej në vend. Shkenca ka një kriter të besueshëm në dispozicion – faktet. Ekonomia, artet, filozofia, politika nuk disponon me një proces kritik të verifikimit të këtij niveli. Po të shohim faktet, vërejmë se shoqëritë e hapura (demokratike) zakonisht janë të lidhura me begatinë dhe përparimin. Megjithatë, shoqëria e hapur vuan nga një e metë fatale.

Njerëzit që jetojnë në shoqëri të hapura nuk e pranojnë konceptin e saj si një ideal për të cilin domosdoshmërish ia vlen të luftosh. Parashtrohet pyetja pse ndodhë kështu. Shoqëria e hapur u ofron liri për të zgjedhur. Nëse kjo liri mohohet, duhet të luftosh për të; por nëse e ke, atëherë nuk mjafton – sërish duhet zgjedhur. Vende të ndryshme kanë parti të ndryshme demokratike programet e të cilave dallojnë prandaj demokratët gjithmonë luftojnë mes veti, kurse idhtarët e shoqërisë së mbyllur (moniste) mbeten të disiplinuar dhe bashkuar. Sa kohë që shoqëria e hapur pranohet si vlerë e përbashkët, demokratët mund të luftojnë mes veti dhe prapë t`u bëjnë ballë armiqve të shoqërisë së hapët. Problemi është se shoqëria e hapur është armiku më i keq i vetvetes, sepse shoqëria e hapur nuk pranohet si vlerë e përbashkët.

Tragjikomedia e shoqërisë “demokratike” të shqiptarëve qëndron në faktin se politikanët shqipfolës as që e kuptojnë se ç`është e as që u konvenon demokracia. Derisa partitë demokratike të vendeve Perëndimore luftojnë njëra tjetrën (me fakte) por edhe e përmbajnë njëra-tjetrën kur nuk ka çështje për të kritikuar, duke luftuar kështu s`bashku për atdheun e tyre të përbashkët – “demokratët” tonë luftojnë për pushtet e jo për shtet. Dhe, që të arrijnë te ose ta mbajnë pushtetin janë në gjendje me e shkatërruar gjithë shtetin.

Sa më shumë individë të jenë të aftë të vërejnë me sy kritik dhe qetësi skenën dramatike shqiptare, aq më i vogël do të jetë rreziku i çmendurive të mëdha kolektive, dhe në radhë të parë, i luftës vëllavrasëse. Kur forcat e përçarjes dhe të urrejtjes kërcënojnë të fundosin krejt sistemin shoqëror, atëherë sahanlëpirësit, të korruptuarit, mafiozët dhe tradhtarët bëhen tepër të rrezikshëm – janë ata që digjen nga dëshira për t`i shërbyer armikut të jashtëm si agjentët e saj të ikjes së rinisë në perëndim,  shtypjes, shfrytëzimit, diskriminimit, mashtrimit, manipulimit, persekutimeve politike, terrorizimit, mjerimit të popullsisë.

Për të ndryshuar diçka me të vërtetë domosdoshmërish të përballemi me të se çfarë ishte me të vërtetë ajo.

Shqiptari është i paparashikueshëm, i befasishëm, i papritur. Vetëdija kombëtare e tyre nuk është e ngritur në nivel të duhur si te fqinjët dhe pjesës tjetër të popujve evropianë. Si rrjedhojë, nuk kemi prirje shtet-formuese.

Mesazhi kryesor shqiptarëve është për të goditur korrupsionin publik, gjithashtu në aparatin qeveritar.

Kur popullata nuk dëshiron më të qeveriset në të njëjtën mënyrë si më parë dhe ato që menaxhojnë nuk mund të kontrollojnë situatën si më parë, atëherë ndodh një situatë revolucionare.

Sot arsyeja politike nuk është më pronë e pushtetit politik. Në mënyrë që katastrofat të parandalohen, duhet të shpërthejë një valë inteligjence dhe intuite nga qarqet jozyrtare. Zgjidhja për shoqërinë tonë do të ishte në qoftë se ne bëhemi më të zgjuar, më të mençur në dallimin në mes të neutrales, interesave të përbashkëta publike, aparatit shtetëror dhe të shprehjes së lirë të individit.

Ka privilegje të veçanta dhe diskriminime në institucionet e përbashkëta publike, që ne jemi të detyruar për të hequr, jo mendimet.

Ndërkaq, feja do të bëhet më pak stimul për betejën dhe luftën mbi definicionin e së drejtës – në qoftë se ne vendosim se ajo që është e përbashkët, shtetërore, publike, të mos i përkas një besimi të caktuar, praktikisht të respektojmë qëndrimet e programeve politike të Rilindësve për ndarjen e Kishës nga shteti dhe të shkollës nga feja.Në debatet tona duhet të përpiqemi për të bërë dallime mes shoqërisë dhe shtetit, midis një jete aktive, një jete të lirë fetare (rrugëve, shesheve, kishave/xhamive) – dhe institucioneve të përbashkëta publike.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: a eshte gabim, Aurel Dasareti, Kombin, te duash

Trajtimi i hapësirave publike në Kosovë

February 26, 2014 by dgreca

Shkruan:arch. Ylber Vokshi Ylli/ Prishtinë/  

 Hapësirat publike urbane dhe rurale janë hapësira të qyteteve dhe fshatrave tona, janë të ndërlidhura me hapësirat fizike dhe  jetën e përditshme. Ato janë të shumë qëllimshme,hapësira të arritshme të cilat janë të dallueshme, këto hapësira kontribuojnë në formulimin tonë të identitetit urban rural. Ato janë hapësirat e përvojës së përditshme të jetuarit, ku njerëzit punojnë, udhëtojnë, pushojnë, dhe ndërveprojnë, si për shembull, rrugët e këmbësoreve dhe biciklistëve, sheshet e vendbanimeve, parqet, bibliotekat, aeroportet etj. Në princip uzurpimet e hapësirave publike urbane dhe rurale janë në kundërshtim me normat dhe standardet Hapësinore dhe Urbanistike ndërkombëtare.

Në procesin e rindërtimit në Kosovë pos shkatërrimeve të mëdha gjatë luftës së vitit 1999,ka pasur shumë anomali teknike dhe urbanistike,të cilat disi janë toleruar për një kohë të shkurtër në emër të një qëllimi madhor. Po si janë trajtuar hapësirat publike këto pesëmbëdhjetë vite ?Një fenomen,i cili për momentin nuk është aktual në Kosovë,është dehumanizimi i hapësirave publike,dhe tendencat e shoqërive të zhvilluara për të kthye ato ne relacione normale. Kemi studime të shumta që po trajtojnë anën humane,urbanistike,arkitektonike,sociale,psikologjike,filozofike,për me e avancuar ketë problematikë. Kemi raste të shumta ku janë krijuar vendtubime të jashtme (kafe-bare) edhe në hapësirat ekzistuese të gjelbëruara (parqe),natyrisht me shërbime të domosdoshme përcjellëse për këto raste.

Ndoshta pa vetëdije,duke i kopjuar modelet perëndimore në qytetet tona e posaçërisht në Prishtinë po vërehen tendenca që hapësirat publike të rregulluara si janë terrasat e lokaleve hoteliere të “shkrihen” në një me lëvizjet e caktuara për këmbësor,që në aspektin e humanizimit të hapësirave publike është pozitive dhe duhet përkrahur si “trend” i ri.

Aspekti tjetër është edhe ofrimi i shërbimeve të ndryshme në këto hapësira,assesi nuk duhet larguar këto shërbime të cilat i bëjnë ma atraktive dhe ma humane këto hapësira. Me zgjidhje urbanistike profesionale duhet caktuar numrin,vendet,llojet e tyre kurse me konkurse lokale duhej të zgjedhën format adekuate arkitektonike (dizajni urban) për vendbanimet e ndryshme në Kosovë,kjo është praktikë normale në tërë botën e civilizuar.

Rast për tu përshëndetur është rruga këmbësore “Nëna Tereza” në Prishtinë,Çarshia e Madhe e Gjakovës,ku është arritur në mënyrën ma të mirë të bëhet sinkronizimi i funksioneve hoteliere,zejtare dhe të lëvizjes së këmbësorëve në një pjesë të saj pa komunikacion,që duhet vlerësuar. Raste të ngjashme kemi edhe në disa qytete në Shqipëri,rruga e këmbësorëve në Shkodër,“pedenalja”në qendër të qytetit të vjetër funksionon me vite,ku kjo dukuri e humanizimit të hapësirës publike është normale,dhe është treguar e suksesshme.

Ishim dëshmitarë të veprimit të përgjegjësve komunal në Prishtinë,me largimin herë pas hershme e shitësve ambulant nga bulevardi qendror i kryeqytetit,kjo u tregua e pa suksesshme. Duhet pranuar realitetin e ri ,duhet respektuar ata shitës që me ofrimin e shërbimeve të tyre vetëm begatojnë hapësirën publike aty. Nga aspekti urban duhet lejuar funksionimin e tyre me disa kushte paraprake dhe reale si është dizajni arkitektonik dhe urban i celulave-pulteve shitëse,caktimi i saktë i lokacioneve në përputhje me kërkesat dhe kriteret urbane për të mos penguar lëvizjen e banorëve, caktimi i llojeve të shërbimeve që do të dalin nga një studim apo projekt detal urban. Kjo metodë e punës preferohet edhe për vendbanimet e tjera në Kosovë.

Si duket edhe vendimmarrësit në kryeqytet për ketë kohë sado të shkurtë që janë në pushtet,kanë filluar të binden se në trajtimin e hapësirave publike duhet ndryshuar diçka pozitivisht. Nuk duhet pasur mendësi të para pesëdhjetë viteve,këto hapësira duhet trajtuar ndryshe me kërkesat e gjeneratave të reja të shekullit XXI. Dukurit “shqetësuese” për banorët që jetojnë në ato hapësira janë  çështje teknike që kanë zgjidhje,përderisa menaxhohen si duhet nga Komuna.

Ideja për mbylljen e rrugëve për qasjen e automjeteve jo rezidente në qendrën e vjetër të qytetit do të duhej përkrahur,si është rasti me rrugën “Rexhep Luci” e cila me kthyerjen e sajë në rrugë këmbësore (pedonale),vetëm kishte mundësuar kthimin e qetësisë që banorët e asaj rruge po e kërkojnë që shumë vite. Me një studim profesional urbanistik dhe intervenime të vogla urbane,do të mundësohej qasja në parkingje dhe garazhet ekzistuese të vetë banorëve rezident në ketë zonë. Furnizimi me orar të caktuar i lokaleve,e çka është ma e rëndësishme kontroll rigoroz dhe permanent i funksionimit të atyre lokaleve hoteliere si pika potenciale të zhurmës,duhej të ishin qenësore për Komunën.

Në ketë mënyrën do të zhdukej komunikacioni në ketë rrugë “qorre” si shkaktari ma i madh i zhurmës dhe ndotjes së mjedisit dhe “konflikteve” të përditshme në ketë rrugë,për fat të mirë pa pasoja fatale. Do të fitohej një funksion i ri urban me ndërlidhje me pjesën lindore të qytetit me rrugën këmbësore “Nëna Tereza”,kështu do të ishte mirë të mendohet edhe për rrugët tjera që gravitojnë qendrën e qytetit.

E dimë,jemi të vetëdijshëm se trajtimit të këtyre hapësirave aspak nuk iu është përkushtuar ndonjë vëmendje e duhur,ashtu si e kërkojnë kërkesat e kohës dhe të gjeneratave të reja. Pushtetarët ma shumë kanë qenë të angazhuar se si me i keqpërdor këto hapësira se sa me i humanizuar ato dhe me i bërë sa ma të afërta banorëve. Ka pasur disa tentime sporadike individuale por ato janë të pa mjaftueshme. Nuk jemi ne ata të gjykojmë fajtorët e të kaluarës,koha do të tregon atë.

Ka mundësi të shumta që me pak mjete materiale,me intervenime të vogla urbane,me angazhimin e të gjithë atyre që e kanë detyrë dhe përgjegjës,jeta urbane në kryeqytet dhe në vendbanimet tjera në Kosovë të begatohet të  fitoi kualitete të reja ,të avancuara drejt një jete normale të banorëve të saj.

Prishtinë,Me 26.02.2014                                                                 

arch. Ylber Vokshi Ylli,  arkitekt i pavarur ylberv@yahoo.com

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, ne Kosove, Trajtimi i hapsirave publike

Përvjetori i një masakre të pashembullt

February 26, 2014 by dgreca

Nga Reshat   Kripa/

Duke parë filmin në këtë përvjetor të masakrës së pashembullt që regjimi komunist ushtroi mbi inteligjencën shqiptare, me rastin e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike, para syve më del ai vit i tmerrshëm, kur në Vlorën time do të vinin të sjella forcërisht, pesë familje të këtyre martirëve që kosa komuniste u preu fillin e jetës. Ato ishin  pesë gra fisnike që sillnin pas vetes një tufë fëmijë. Kujtoj Marie Temalin, Sevdie Shehun, Liri Herrin, Azbie Kodrën dhe Shuke Jegenin. Kujtoj ato njëmbëdhjetë vajza dhe katër djem që me nurin dhe sjelljen e tyre i dhanë dritë Vlorës, ku më e madhja nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, më i vogli Luli kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, ndërsa Hyseni ishte ende në barkun e s’ëmës. Kujtoj Idën, Gretën, Lilin dhe Zanën e Temalajve, Xhonin dhe Hysenin e Shehajve, Brunildën dhe Xhenerin e Herrajve, Teftën, Vjoletën, Rexhepin dhe Lulin e Kodrave, Jetën, Medihanë dhe Adhurimin e Jegenëve. Në të njejtën kohë kujtoj edhe shtatëmbëdhjetë familjet e tjera që u degdisën në vendet më te humbura të atdheut tonë. Kujtoj këto dhe para syve më dalin njëzetedy martirët e kësaj masakre të paramenduar që filloi më 19 shkurt dhe brenda një jave, deri më 26 shkurt, gjithçka ishte kryer, duke filluar nga arrestimet masive dhe deri në ekzekutimin makabër. Një veprim i theksuar servilizmi të paparë i një kllouni politik ndaj “mikut më të madh të popullit shqiptar, Bashkimit Sovjetik”, i njëjtë me atë të shprehur disa vite më parë kur braktiste Kosovën martire në favor të  “vëllezërve jugosllavë” të cilëve u shërbente si shërbëtori besnik i padronit.

Në  rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Nevoja për Ndëshkimin Ndërkombëtar të Krimeve të Regjimeve Totalitare Komuniste” thuhet: “Asamblea  beson  që  viktimat  e  atyre  krimeve  që  u realizuan nga regjimet komuniste totalitare e që janë akoma gjallë, apo familjet e tyre, meritojnë simpati, mirëkuptim dhe mirënjohje për vuajtjet e pësuara”

Ndërsa. zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës deklaroi: Nuk   ka   asnjë   vend   ku   komunizmi të  ketë  ardhur  në  pushtet  dhe  të  ketë  qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Janë pikërisht këta lakej të komunizmit që sot kanë ngritur zërat e tyre të ngjirur duke i bërë jehonë kryediktatorit të zi dhe epokës së tij si dhe duke hedhur baltë mbi martirët e vërtetë të këtij kombi, midis të cilëve edhe këta martirë, duke i etiketuar kolaboracionistë të fashizmit e të tjera epitete.

Në vitin 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë të dënonte krimet e Komunizmit’ Gjithashtu, më 14 dhjetor 2010 gjashtë ministra të jashtëm, ata  të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. i drejtuan Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding një letër që përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë të jashtëm, zotit Ilir Meta, por ajo mungoi. Përse? Deri në vitet 80-të në shkollat gjermane nuk studiohej as Hitleri dhe as nazizmi. Një gjë e tillë bëhej me qëllim që populli gjerman ta harronte atë periudhë të errët të historisë së tij. Lidhur me këtë  në një intervistë që zoti Gabriel Partosh i ka dhënë,  kohë  më  parë, televizionit  “Top Channel”,  deklaroi:

Në  Gjermani  dhe  në  Francë   dënohen   po  deklaruan  se  nuk  është  zhvilluar holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Po tek ne çfarë po ndodh? Ka kohë që flitet për një rishikim të historisë së Shqipërisë, por deri tani asgjë konkrete nuk është bërë. Nëpër shkollat nxënësit tanë vazhdojnë të helmohen me propagandën neokomuniste. Në Varrezat e dëshmorëve vazhdon të mbizotërojë ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët u flijuan për atë yll dhe jo për atdheun. Mua më duket sikur gjembat e atij ylli ende vazhdojnë të ngulen në eshtrat e martirëve tanë që prehen në ato varreza. Deri kur do të vazhdohet në këtë mënyrë?

Me vendim të qeverisë amerikane, në Washington është ngritur madhështor monumenti në kujtim të viktimave të komunizmit. E pra Amerika nuk e provoi diktaturën komuniste. Megjithatë monumentin e ngriti, pasi e konsideronte si një obligim të saj. Po te ne kur do të ngrihet ky monument, aq më tepër kur ekziston edhe një Vendim i Këshillit të Ministrave për të? Ne mendojmë se ai duhet të ngrihet pikërisht në vendin ku dikur qëndronte monumenti i diktatorit. Një kërkesë e tillë bëhet edhe më e theksuar këto ditë, kur kremtuam përvjetorin e rrëzimit të  atij  monumenti.  Ky  do  të  ishte hapi i parë në luftën për çrrënjosjen e ideologjisë komuniste.

Në këto çaste ia vlen të citoj fjalët e thëna nga zonja Saks (Estoni) në debatin e zhvilluar në parlamentin e Këshillit të Europës, me rastin e miratimit të rezolutës së përmendur më sipër:

  Historia kërkon që të gjejë të vërtetën dhe pse disa e kanë të vështirë ta pranojnë atë për arsye të implikimit të tyre personal. Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste.

 Një deklaratë dinjitoze e një intelektualeje dinjitoze.

          Për sa më sipër, unë mendoj se megjithëse kanë kaluar mbi njëzetetre vjet nga ndryshimi i sistemit politik, në vendin tonë vazhdon të mbizotërojë mentaliteti komunist në gjykimin e ngjarjeve historike dhe realitetin e sotshëm. Sot, në vendin tonë, kemi një armatë të madhe të rinjsh, të shkolluar në universitetet më në zë të botës perëndimore, me tituj dhe urdhëra të çmuar. Përse nuk thirren ata dhe të vendosen në vendet kyçe të institucioneve të pavarura dhe administratës shtetërore, por vazhdojnë të qëndrojnë ende figura të përlyera nga sistemi komunist?

Vajza e një mikut tim, emirante në Greqi, përfundoi shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera. Shtatë universitete amerikane u vune në garë se kush do ta merrte. Sot ajo vazhdon studimet atje. Po Shqipëria deri kur do të lejojë t’i rrjedh truri i saj? Kur do të kujtohet për bijtë e vetë që ndodhen në botë?

Kjo pyetje kërkon përgjigje.

*   Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

Filed Under: Opinion Tagged With: i nje masakre, pervjetori, reshat kripa

KRITERI I STANDARDIT TONE GJUHESOR

February 26, 2014 by dgreca

Tani, standardit tonë gjuhësor, që u gatua në këtë mënyrë, i ka mbetur vetëm kriteri i dytë, i përbashkët për çdo gjuhë të njësuar, në të gjitha anët e globit: Zëvendësimi në gjuhën standarde, të fjalëve të huaja të zëvendësueshme./

Nga KOSTAQ XOXE/

Detyrimisht ky shkrim duhet të nisë me një autokritikë. Ky term nuk është shpikur nga E. Hoxha se ai, edhe në standardin gjuhësor, ka rrëshqitur në varganin e njërës nga tradhtitë më të rënda kundërkombëtare,  në bashkëpunimin e tij me mareshalin Tito, në dëm të Kosovës. Kështu, për shkak të shpërdorimit të pakufishëm të fjalës “autokritikë”, kjo fjalë shpesh është zëvendësuar me latinishten ‘mea culpa’, si kundërveprim ndaj vetë fjalës, sikur të ishte shpikje e E.H.-s! Ky zvetënim enverist i ndërhyrjes së diktatorit në standardin gjuhësor, i shtrëngoi shkencëtarët albanologë kosovarë të viheshin përpara një alternative tronditëse: Shqipja e njësuar mbi Kombin, apo e anasjellta? E.H-ja ishte i bindur se gjuhëtarët e Kosovës do të ngulmonin ashpërsisht në bindjet e tyre për vlerësimin e Komisisë Letrare. Ky institucion, me ndihmesën e personaliteteve të shquara të të gjitha trevave, u shqyrtua në shkallën më të lartë me drejtshkrimin e miratuar në Prishtinë, në vitin 1964. Një analizë tejet të thellë e shkencore u ka bërë përplasjeve për mendimin e përbashkët në dobi të standardizimit, gjuhëtari i vlerave madhore në këtë subjekt, Mehmet Elezi. Në veprën e tij “Gjuha shqipe në bunker?”, ai ka dhënë një ndihmesë të rrallë, duke ravijëzuar teorinë e ligjësimit të të dy standardeve. Ai shqyrton në mënyrë analitike mendimin shkencor të gjuhëtarëve të Kosovës, që u gjendën përpara mundimit për kapërcimin e pengesave në kufijtë e një heroizmi intelektual i cili, deri më sot,  nuk është vënë në dukje në përmasat e njëmendta” (Bunkerizimi… f. 80). Në këtë vepër flitet “për trysnitë e pushtetit serb ndaj gjuhëtarëve kosovarë si edhe për gjuhën shqipe që nuk vlerësohej sadopak në Tiranë” (Po aty). Në faqen 81, shpërfillja ndaj albanologëve kosovarë shtjellohet më gjerësisht: “Një qëndrim i tillë i Tiranës zyrtare në fushën e gjuhës, përcillte një kumt ndjellakeq. Ky qëndrim u thoshte shqiptarëve të Kosovës: – ‘Bëni ç’të doni, ju keni udhën tuaj, ne s’duam të dimë si do të veproni ju për gjuhën”. Dhe organeve kompetente të Beogradit: ‘Kosova është çështje e brendshme juaja, merruni vetë me të.’ (…) Kosova vlerësohej gjithmonë si ‘çështje e brendshme e Jugosllavisë’(81). Por kjo çështje u bë problematike  edhe nga personalitete te huaja: Akademikut britanik N. Malkolm, i kishte bërë përshtypje ndarja e shqiptarëve në dy kombe nga pikëpamja gjuhësore. Malkolmi e ndiqte udhëheqjen komuniste të Tiranës që në vitet e Luftës, kur e quante PKSH-në  “më shumë se një seksion vendor të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë: – “PKSH-ja ishte pak a shumë një parti kukull e Titos. Për E. Hoxhën kishte rëndësi vetëm pushteti i tij”. Duke u sjellë, sipas fjalëve mujshare të disa rreshtave më sipër, “bëni si të doni…” etj. Enveri ishte i bindur se albanologët e përtej kufirit verior, do të ndiqnin udhën e tyre për standardizimin gjuhësor. Një shërbim nga më të patenzonët që mund t’i bëhej armiqve shekullorë të kombit tonë: Një komb me dy gjuhë të ndryshme! Por kosovarët, të gjendur ndërmjet kudhrës dhe çekanit, bënë një akt heroik, siç thotë M. Elezi: Flijuan gjuhën, për Kombin! Një komb, një gjuhë! Nuk mund t’u ofrohej serbëve një kënaqësi neveritëse: Albanologët kosovarë atdhetarë, njëzëri kumtuan se ishin dakord (më dhimbje heroike, natyrisht), me gjuhën e njësuar, e caktuar tërësisht në mënyrë arbitrare. Nuk u morën parasysh mendimet e akademikut R. Ismajlit, as shprehja e akademikut Ali Gjadrit, që kishte pas thënë, në konsultën gjuhësore të Prishtinës (1968), pa praninë e politikanëve: ‘Njw komb, një gjuhë’. Kësaj ane, fjalët e Çabejit, të Rizës, të Xhuvanit, të Cipos, e të të tjerëve si ata, nuk ishin marrë parasysh nga Kostallarët e Shuteriqët. Selman Riza u katandis si ciceron në Berat dhe, së fundi, duhej të merrte leje për të konsultuar libra të profesionit të tij në gjuhët e huaja! E tani kemi këtë gjuhë të miratuar edhe nga kosovarët, për hir të shmangies së  standardit të Shqipërisë së tradhtuar, “një komb, dy gjuhë të ndryshme!”. Gjë që nxjerr në pah më së miri fizionominë politike të E. Hoxhës, në vasalitetin e tij për interesa vetjake, me shokun Tito, të cilit arriti t’i ofronte edhe skeptrin e të parit të vendit tonë, duke pranuar vendin e dytë, pas tij, për të arritur, – më tej, – të behej i plotfuqishëm! (A mund t’i ngrihet sërish shtatorja një njeriu të tillë, pas përmbysjes që i bëri uragani popullor, në shkurtin e 1991-shit?)
***
Tani, standardit tonë gjuhësor, që u gatua në këtë mënyrë, i ka mbetur vetëm kriteri i dytë, i përbashkët për çdo gjuhë të njësuar, në të gjitha anët e globit: Zëvendësimi në gjuhën standarde, të fjalëve të huaja të zëvendësueshme. Për hir të së vërtetës,  duhet të shënojmë, edhe në këtë rast, vlerat e jashtëzakonshme të gjuhëtarit tonë të përkushtuar, tek i cili nuk gjen në përdorim, – në veprat e tij letrare në poezi, në veprat me tregime, në romane, në publicistikë dhe në sprova, – fjalë të huaja të zëvendësueshme. Kuptohet se e kemi fjalën për M. Elezin, autorin e një fjalori të vëllimshëm, me fjalë të burimit shqip. Janë më shumë se 50.000 fjalë në këtë fjalor të madh, me tregues të qëmtimeve nga leksikografë të shquar dhe nga krahina që i kanë ruajtur fjalët shqipe, me referencat përkatëse. I kërkoj të falur këtij korifeu të gjuhës së pastër kombëtare për fjalën- bombë ‘tromokraci’. Natyrisht që është me origjinë të greqishtes së lashtë, që rrallë gjendet në fjalorë. Është një shndërrim i fjalës fillestare ‘tormokraci’ që ka kuptimin e sundimit përmes një gjendjeje ankthi, pasigurie, frike dhe paniku që shkakton kjo gjendje. Pikërisht ky ankth ishte krijuar tek gjuhëtarët tanë më me prestigj, në kohën kur duhet t’i thoshin derrit dajë. Ndaj një pjese të tyre u morën masa tepër të rënda.
Historia përsëritet; por përfundimisht triumfon e vërteta. E njëjta gjendje po kërkohet të mbretërojë në vendin tonë, kur një njeri – i dehur në narcisizmin e vet, – e ndjen veten ne kulmin e lavdisë, kur i duket vetja si në majë të Olimpit, me sekretet vetjake në çështje nga më të rëndësishmet, të cilat kanë krijuar një kundërveprim të gjithanshëm, kur njerëzit mbushën rrugët në protestë, në rastin kur askush nuk dinte se ç’gjellë kishte gatuar E. Rama, për zbërthimin e armëve kimike të Asadit në vendin tonë. Demonstrata u bë e rrezikshme, se askush nuk dinte të përligjte shefin e fshehtësive, se ky na e paska zët të konsultohet me kolegët e vet, në parlament e në qeveri. Pastaj nuk mbetej vetëm se fjalët e pabesueshme për të zbukuruar të shëmtuarën. Së dyti, demonstrata e 20 shkurtit ishte e papritur për suksesin e saj të plotë në pjesëmarrje, pavarësisht nga masat për ta bllokuar këtë manifestim paqësor me prurjet nga Korça nga Kavaja, nga Shkodra dhe nga vende të tjera vetëm me vetura vetjake. U mposht frika. Dhe, së treti, po i tremben së premtes, kur 20.000 taksistë u dashkan të udhëtojnë një rrugë plot e tjetra bosh, që shoferët e furgonëve të falimentojnë dhe papunësia të shtohet. Dhe të 300.000 vendet e punës, të premtuara  po qartësohen përherë e më tepër, se ata që na ngopën me erë trëndafili do të katandisen si spitalet pa pare dhe si ilaçet xhaba!
Ja pse përdorëm një fjalë të huaj, të rëndë, madje, që përfaqëson më së miri, gjendjet e pasigurisë që krijoi ky shtet i mashtrimit. Besueshmëria po afron kufij të frikshëm, për gllabëruesit e votave në mënyrat që po bëhen muhabeti i ditës… Po shkojnë në gjurmët e Enverit!(Marrë nga Gazeta 55. Titulli i rdeaksisë)

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjuha standarde, Kostaq xoxa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 767
  • 768
  • 769
  • 770
  • 771
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT