• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Detyrat e shtëpisë: a është pedagogjikisht e drejtë të mos jepen?

January 20, 2014 by dgreca

 (Ftesë Ministrisë së Arsimit për diskutim të gjerë)/

Nga Arjan Th. Kallço*/

Bota sot po përjeton vërtet një hop cilësor përsa i përket shkollës dhe arsimit në përgjithësi, sidomos me arritjet e padiskutuara të risive teknologjike.  Në artikujt e shumtë për arsimin, uroj që dikush në Ministri të vazhdojë  t’i lexojë, jam munduar që të sjell risitë më të fundit, të vendeve përreth nesh, kur këto risi vërtet ia vlejnë. Por risitë për shkollat nuk marrin fund këtu, njëlloj si shprehja : do të rrojmë e do të shohim se çfarë do të shpikë mendja njerëzore për shkollën. Artikulli im këtë radhë ka një “risi” në një aspekt tjetër që lidhet me një moment tjetër të rëndësishëm të mësimit dhe që janë detyrat e shtëpisë. Besoj se shumë kolegë të mi dhe pedagogjistë jemi në të njëjtin mendim se aspekti i detyrave të shtëpisë është tepër delikat për asimilimin e njohurive të reja që marrin nxënësit çdo ditë në shkollë. Pra e shpjeguar më qartë nxënësi duhet të ushtrohet t’i asimilojë ato me ushtrimet në detyrat e shtëpisë. Natyrisht dallimet kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë gjithmonë midis nxënësve në shkolla, pasi në to kemi të pasqyruar qartë, por drejt nuk do të thosha në mënyrë absolute, aftësitë e secilit prej tyre për të mësuar. Barazitizmi në arsim ishte gabimi fatal i reformave të mëparshme, sepse asnjëherë prirjet nuk janë të njëjta. Detyrat e dhëna si në klasë dhe në shtëpi, kur këto bëhen vetë nga nxënësit, janë tregues i aftësive të tyre për të vazhduar apo jo studimet në universitete. Por jemi edhe të ndërgjegjshëm që realiteti shqiptar flet edhe për nivelet parauniversitare të shkollave me mangësi të mëdha përsa i përket respektit për institucionin e dijeve. Është folur e shkruar aq shumë, saqë do të jenë bërë të mërzitëshme fjalët e tepërta që lidhen me ecurinë e shkollës dhe për sëmundjet që ato po vuajnë sot. Mungesa e theksuar e seriozitetit në lidhje me hallkat e shkollës po na e degradon gjithnjë e më shumë faktorin ardhmëri për to. Ashtu si edhe në universitete po prodhohen nga fabrika pa rendiment deftesa të cilat për një pjesë të konsiderueshme nuk vlejnë. Edhe vetë nxënësit, sigurisht jo të gjithë, “ ia kanë kallur flakën” shkollës, sepse tash jeta e tyre nuk vërtitet reth saj, si dikur, por rreth teknologjisë më të fundit të cilën e kanë ndër duar dhe e shpërdorojnë kot kohën që u duhet për tjetër punë. Nuk është çudi që të gjithë rregullat e shkollës që duhet ta bëjnë nxënës të apasionuar pas mësimit, të zëvendësohen me disa rregulla që vetë ata po i servirin dhe me shpejtësi drite po i bëjnë pronë të tyre. Nëse shoqëria nuk nxjerr rregullat e saj edhe për shkollën, pra e lë në amulli, atëherë rregullat do të lindin nga vetë të interesuarit, pra nxënësit. Kur shohin se shoqëria shqiptare është rrumpallë e vërtetë, atëherë në këtë kaos ata përpiqen të vendosin rregullat e tyre, edhe pse ne nuk na pëlqejnë. Është ligj i natyrës dhe i shopqërisë që ku mungojnë rregullat, ato kompesohen me të tjera, qoftë edhe këto të nxjerra apo sajuara nga njerëzit. Askush nuk e thotë dot nëse do të jenë ligj për të gjithë apo do të jenë të përkohëshme. Uroj që mendjet e ditura të vendit ta fshijnë fjalën përgjithmonë dhe t’i japin fund përkohësisë së këtyre rregullave barbare.

Sot duke lundruar në FB, kjo fjalë më duket mëse e drejtë sesa e huaja navigoj, më bëri përshtypje një status, që mesa duket, është realiteti i arsimit shqiptar ku nxënësit e mbledhur në grupe shoqërish kanë hedhur në rrjetin e FB një listë të statusit të ri në shkolla, me qëllim miratimin e tyre nga vetë ata, meqë shoqëria nuk është në gjendje të vendosë rregull, ku thuhet shprehimisht se cilat janë “Kodet e Shkollës” të cilat për arsye studimi po i lë të shkruara siç janë origjinal në rrjet:

1-Klasa Eshte Bere Si Sall Interneti , Te Gjithe Me Celular Neper Duar

2-Detyrat E Shtepise Bohen Te Gjitha Ne 5 Minutsh

3-Nje Fletoret Perdoret Per Detyrat E Gjuhes ,Anglishtes Biologjise etj

4-Nxenesit Bojn Lufte Se Kush Do Shkoje Te Marre Shkumsa I Pari

5-Lutje Me Gjithe Zemer Kur Zysha Bohet Gati Te Pysi

6-Librat Merren Tek Klasat Qe Kemi Afer Dhe Gjithmone Me Te Drejte Kthimi

7-Roja Ka Me Shume Pordh Se Drejtori.

8-Nese Ke 1 Ore Pushim Duhet Te Bosh 1 Loje PES Ose FIFA

9-Korridori Ju Duket Gocave Si Pasarele Mode.

10-Banga E Fundit Si Krevat Dormeo

11-Farat I Gjen Kudo 10 Pako Per Bange

12-Lufte Kush Do Ulet Me Nxenesin E Mire Ne Provim

13-Pytja E Perhershme ” Edhe Sa Minuta Bie Zilja ?

A do të ishim dakord të gjithë me këtë status, apo rregulla, të brezit të ri? Sapo t’i lexoni do ta kuptoni se këto nuk janë rregulla të cilat ata do t’i miratojnë në miniparlamentet e tyre, por është thirrja që i bëjnë shqoërisë shqiptare për ta mbledhur kallaballëkun dhe t’i hedhë shpejt sytë nga shkolla dhe nga vetë nxënësit. Nuk ka nevojë për fjalë të shumta komentimesh, pasi më qartë se kështu edhe vetë politika shiptare nuk i harton dhe nuk i miraton dot në unison, sepse inatet dhe zemërimet e tyre ua kalojnë edhe vetë fëmijëve. Pra me të drejtë thuhet se shkolla e ka humbur funksionin e saj, se serioziteti ka humbur krejtësisht, dhe në vend të mësimit duket se shkolla është bërë një vend ku mund të bëhehn të gjitha qefet, kuptohet ato që nuk paraqesin ndonjë paudhësi më të madhe, sepse ndoshta rruhet ende një farë “kujdesi” që disa gjëra nuk bëhen hapur fare në sytë e të gjithëve. Alarmi ka rënë dhe shoqëria shqiptare duhet t’i japë një përgjigje të fuqishme banalitetit dhe kotësisë së jetës pakuptim rreth tryezave për kafe, gjithë kohën në internet apo edhe “kënaqësi të tjera” të cilat duhen bërë, sepse kjo po shkon në modë.  

 

*Autori eshte pedagog ne Universitetin “Fan S Noli” ne Korce, bashkepunetor i Gazetes Dielli prej 4 vitesh.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjan Kallco, detyrat e shtepise

POPULLI DHE TURMA

January 19, 2014 by dgreca

 NGA HASAN KOSTRECI/

Kur Napoleon Bonoparti me një grup besnikësh u largua nga ishulli i Elba , ku qe i interrnuar dhe po rikthehej përsëri në Paris, enthuziazmi i popullit që kishte dalë ta priste, qe tepër i madh dhe gjenerali që e shoqëronte. i habitur prej indiferentizmit të tij, e pyeti; Madhëri, këta janë duke brohoritur për juve, prandaj kthejuani, ju lutem, përshëndetjen.“Edhe po të më shpinin në gijotinë për të më prerë kokën, kjo turrmë, kështu do bënte”, iu përgjigj perandori.E thashë këtë episod për të treguar se turma dhe populli, megjithëse janë prej një përbërje, kanë dallim dhe sa i urtë dhe i mënçur është si popull, aq ekstremist dhe i marrë bëhet, kur transformohet në turmë dhe shëmbulla të këtij fenomeni kemi mjaft dhe mjafton të përmëndim ngjarjet e viteve shtatëmbëdhjetë të shekullit të kaluar, kur  populli Rus, nga gjiri i të cilit kishin dalë aq njerëz të mëdhej si Tolstoi, Pushkini, Çajkovski e të tjerë, i transformuar nga Ideollogjia Marksiste-Leniniste në turmë, mori përpara dhe azgjësoi miliona njerëz të pafajshëm; Ishte idollogjia e “Revolucionit Kulturol”në Kinën e Maos gjithashtu, ku mijra të rinj dhe të reja, iu vërsulën profesorave dhe pedagogëve të universiteteve dhe i tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e Pekinit, por lajthitje të këtij lloji në periudha të ndryshme ka patur edhe tek ne. E tillë përshëmbull ka qëne lëvizja e Haxhi Qamilit më 1914, kur fill mbas shpalljes së pavarësisë, fshatarë nga Shqipëria e mesme u ngritën më këmbë dhe kërkonin të sillnin përsëri “Babën”dhe qeveria komuniste e asaj kohe, për turpin e vet, e quajti atë lëvizje, si demokratike dhe udhëheqësin e saj, luftëtar të lirisë  dhe e shpalli hero; Revolucioni Fanolist i njëzet e katrës, gjithashtu, nuk mund që të quhet i pjekur, sepse u orvat të na binte bolshevizmin qysh në atë kohë dhe atë fatkeqësi që e pësuam në dyzet e katrën, do e kishim ndjerë edhe më herët, por që të dyja këto dhe të tjera, dështuan, sepse u ndeshën nga një grup patriotësh që e donin Shqipërinë, por dhe nga një popull i formuar ndryshe nga turma që krijoi diktatura dhe që në përmasa të konsiderueshme, për fat të keq, e kemi edhe sot.

Nëqoftëse një tornedo e fuqishme, rrëzon në fillim shtëpiat e ndërtuara me dërrasa, pastaj ato me tulla dhe po vazhdoi gjatë, rrezikon të shëmbë edhe ato të ndërtuara me gurë, i njëjti fenomen pothuajse ndodhi edhe me kombin tonë gjatë trysnisë komuniste dhe ishte fshatarësia fillimisht, e cila qe e para që u gënjye dhe e përkrahu atë regjim, por duke përbërë në atë kohë gati tetëdhjet përqind të popullsisë, u bë një turmë e fuqishme dhe e papërmbajtëshme që arriti të eklipsojë çdo zë apo sinjal që paralajmëronte rrezikun e asaj që po ndodhte, pikërisht të intelektualëve, patriotëtëve dhe elementit më të mirë, që faktikisht në mentalitetin tonë ne asnjëherë s’i kemi dëgjuar dhe vazhdojmë të mos i dëgjojmë.. “Kuadrat’ e parë, nëqoftëse na kujtohet, me origjinë fshati ishin dhe e quanin për mburrje kur kapnin, vrisnin apo dënonin ndonjë diversant që sakrifikonte veten për të përmbysur atë regjim, apo ndonjë fakir, që mundohej të arratisej nga ai ferr që po e pllakoste vëndin.

Shtresa tjetër që bashkëpunoi përsëri qysh në fillim me ta, s’ka dyshim, ishin hajdutët, vrasësit dhe pjesa më ordinere e shoqërisë, të cilët ai regjim sa erdhi në pushtet, i grumbulloi dhe nga që s’kishin nevojë as për instruktazh, i emëroi nëpër detyra edhe më të rëndësishme, si në ministri të brendëshme, kryetarë degash nëpër rrethe, prokurora, gjyqtarë, drejtora burgjesh, hetuesa e deri kaptera pa asnjë klasë shkollë, mjafton që të zbatonin “detyrën”e xhelatit,

E çfarë ndodhi; Vetëm për gjatë asaj periudhe, u vranë, u pushkatuan, u burgosën dhe u interrnuan dhjetëra mijë njerëz të pafajshëm, të gjithë këta elita e kombit dhe populli i mbetur në këtë mënyrë pa kokë, u transformua në një turmë të bindur, ku dominonte padija, injoranca dhe që aprovonte e ngrinte dorën për çdo krim apo marrëzi që diktatori bënte. Lufta ndaj “Armikut të Klasës” u bë motoja e kohës, që herë pas here merrte edhe koka njerzish. Përçarje që u shkaktua, s’kishte ndodhur as në pushtimin pesqind vjeçar Otoman dhe ndërsa familjet e të persekutuarve u izoluan, u lanë pa shkollë dhe tërë kohën të diskriminuara, pjesa tjetër që permëndëm, vetëm brohoriste për “fitorjet” e arritura. U brohorit kur u lanë vëllezërit tonë kosovarë në duart e Titos dhe u masakruan; U brohorit sa herë që lidhej apo prishej ndonjë miqësi; U brohorit për formimin e kooperativave, që e lanë fshatarin pa as dhe një pulë, apo kur shëmbëm kishat, xhamijat dhe tempujt fetarë; U brohorit kur u ndërtua metarulgjia “Çlirimi i dytë i Shqipërisë”, që helmoi pothuajse gjysmën e vëndit, ashtu edhe kur u ngritën ato treqind e ca mijë bunkerë që e bënë Shqipërinë, sipas tyre, “Shkëmb Graniti” U brohorit për dekada me radhë, bile edhe atëhere kur nisëm që të ushqeheshim vetëm me lakra.

Po atëhere a ishte turmë ajo, që u ngrit në nëntëdhjetën dhe rrëzoi komunizmin? Jo, studentët fillimisht, por edhe e gjithë Shqipëria dhe ishte hera e parë që mbas dyzet e pesë vjetësh, ne u bëmë edhe njëherë popull, por kjo nuk shkoi gjatë, sepse gjithçka menjëherë u manipulua dhe demokracia e aq shumë pritur, s’u realizua tamam, për të mos thënë që dështoi dhe kjo, sepse atë proces nuk e drejtoi opozita e vërtetë, që ishin të persekutuarit, të cilët o qenë akoma nëpër burgje, o të interrnuar, ose dhe jashtë, por tepër të lodhur dhe vrarë moralisht.

Pra, studentët, siç thamë, i nisën fillimisht ato revolta dhe për këtë ata kanë meritën e tyre, por për prejardhjen nga vinin (sepse të rinj nga të persekutuarit nëpër universitete nuk kishte) nuk mund që ta vazhdonin edhe më tutje dhe si rjedhim, liderit e parë që u  çfaqën në skenë, qenë po nga ata, do me thënë brezi i dytë apo i tretë i atyre që i përcaktuam në fillim dhe siç del, kemi një trashëgimi pushtetesh nga e njëjta shtresë shoqërore, ose si ç’thotë zakonisht populli, nga i njëjti klan, që e ka marë në dorë në dyzet e katrën, shtatëdhjet vjet më parë dhe vazhdon akoma ta mbajë edhe sot, por ky kontigjent, duke patur të trashëguar nga të parët, midis mjaft “veseve” edhe urrejtjen ndaj ish shtresës së tregëtarve, ish të burgosurve politikë dhe në përgjithësi ndaj ish shtresës së persekutuar,“Lufta e  klasës”,edhe pse në heshtje, përsëri vazhdon dhe nuk është e  rastit që familje me mbiemra të njohur si Toptani, Biçaku, Frashëri, Këlcyra, Vrioni, Libohova e të tjerë, të njohur nga historia si potogonistë të mjaft ngjarjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me egzistencën e kombit tonë si “Kongresi i Manastirit”, “Lidhja e Prizrenit” e deri tek “Shpallja e Pavarësisë”, nuk i sheh të emëruar në asnjë institucion shtetëror apo qeveritar dhe kjo tregon se mentaliteti komunist ende nuk është zhdukur dhe demokracia që ne presim, është akoma larg.

Mos marrja e statusit, për të tretën apo të katërtën herë, është gjithashtu një minus i. madh dhe tregon se edhe mbas njëzet e tre vjetësh, ne  nuk mundemi dot që të krijojmë shtet e të bëhemi eurpianë dhe sa më shumë që me dashje apo pa dashje vonohet ky proces, pasojat mbi popullin, do bëhen gjithmonë e më të rënda.

Filed Under: Opinion Tagged With: Hasan Kostreci, Populli dhe turma

Ç’KUPTIM KISHIN ZGJEDHJET VENDORE NË KOSOVË!

January 17, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe jepet ky shpjegim për votën:1. E drejta e secilit për të shfaqur mendimin në kohën e zgjedhjeve ose kur vendoset një çështje bashkërisht në një organizatë politike, shtetërore a shoqërore; shprehja e mendimit a e vullnetit nga secili për të zgjedhur dikë në një organ etj. ose për të vendosur për një çështje; mendimi që shpreh dikush në raste të tilla dhe fleta a diçka tjetër që përdoret për këtë qëllim. Votë vendimore (deliberative). Votë këshillimore (konsultative). E drejta e votës. Me shumicë votash. Jap votën për dikë a për diçka e pranoj a e përkrah, e miratoj. Numëruan votat. 2. Votim. Votë e lirë (e fshehtë, e përgjithshme). Mekanizmi i votës. Vë (hedh) në votë; e tjerë.

Ky nocion që shpjegon filozofinë e votës zakonisht gjen shprehje në shoqëritë me demokraci të zhvilluar, ku secili qytetar me drejtë vote  gjithmonë sundon vullnetin e tij ekskluzive sa i përket votës, pavarësisht se cilit individ a partie politike ia dedikon atë. Ajo votë gjithmonë mbetet ose konceptohet si deliberative, e pavarur, humane, emancipuese, autonome dhe, në instancë të fundit, edhe e paprekshme. Ajo në vete përfshin edhe filozofinë e mesazhit që përcjell, ajo ka për detyrë të “shpërblejë dhe të nderojë”, por në raste të veçanta, madje-madje ashtu papritur, “di dhe të të ndëshkojë pamëshirshëm edhe  të të turpërojë dhe të të dëshpërojë keqas”. Shprehja e mendimit të lirë gjegjësisht e votës nuk duron arrogancë, nuk pëlqen makiavelizëm, qoftë të jetë individual a kolektiv, ajo nuk lejon që të jetë pjesë a “hisedare” e keqqeverisjes vendore a qendrore, ajo nuk lejon që të jetë pjesë e korrupsionit, premtimeve fëmijërore dhe të zbrazëta të politikanëve me moral të dyfishtë…, ajo në asnjë mënyrë nuk lejon a nuk dëshiron të skandalizohet, të kontrabandohet e të keqpërdoret. Ajo nuk lejon çfarëdo qoftë ndërhyrje të brendshme a të jashtme, ajo nuk lejon që pranë saj të ketë çfarëdo sekserësh, sejmenësh a edhe “tyxharë dhe kumarxhinj politikë provincialë, të veshur me kostum të zi dhe çorape të bardha”!?

Në kuadër të zgjedhjeve të paradokohshme vendore që u organizuan në Kosovë (që nga “mëvetësimi” i asaj vote), padyshim se u karakterizuan me një psikologji dhe filozofi të  re dhe gjithsesi më të avancuar të votës deliberative, u ndërtua a edhe u hetua  një mentalitet krejt tjetërfare në kontekst të humanizimit dhe emancipimit të saj, dhe njëkohësisht u ndërtuan fillet e para të rrënimit të asaj “kështjellës” së votës së vjedhur…, të blerë, të kontrabanduar duke i thënë njëherë e përgjithmonë stop nepotizmit dhe shpërdorimit të standardeve dhe kritereve të saj. Dhe kur u përjashtuan të gjitha këto abuzime, atëherë këto zgjedhje vendore fituan të drejtën që të karakterizohen si zgjedhje sa demokratike (të lira, të drejtpërdrejta dhe të fshehta) e “rebeluese”, po aq edhe ndëshkuese. Në historikun e zgjedhjeve vendore, po edhe parlamentare, të Kosovës, për herë të parë vota deliberative e qytetarit kosovar kishte guximin politik që ta ndëshkojë keq e më keq qeverisjen dhe keqmenaxhimin e institucioneve nga ana e teknokratëve, burokratëve dhe të atyre që mendojnë se institucionet politike na qenkan pronë e gjyshërve të tyre me opinga!? Pos gjithë kësaj që u tha më lart, nuk e ka vështirë sot gjithsecili të parashtrojë pyetjen, ç’imazh dhe ç’kuptim kishin zgjedhjet në fjalë, ç’porosi ata përcollën dhe kujt ia dedikuan? Tekefundit, nuk është me rëndësi se kush fitoi dhe si fitoi, kush ishte humbës dhe pse humbi, me rëndësi është fryma e re kundrejt një politikëbërjeje të moderuar, të hapur, të çiltër, parimore, të urtë, largpamëse, të drejtë, paqësore dhe të pavarur, përkundër asaj fryme politike grabitqare, politikës së grushtit të hekurt, politikës së kulaçit e kërbaçit prej lëkure…, politikës që mbijeton “herë me të mirë e me premtime të bukura, herë me kërcënime, me shtrëngim e me dhunë”… dhe herë më herë me kallashë të “ndryshkur”, të blerë dikur moti me lekët e popullit!?

Nëse vota e çdo qytetari në Kosovë dikur “frenohej” të reflektonte mungesën e ndryshimit të filozofisë së mbrapshtë, ajo këtë mot në ikje e sipër u detyrua të rebelohet për të ndëshkuar politikanët e fjetur! Kjo votë (vendore) e qytetarit kosovar, padyshim se është produkt i një mendësie të re evropiane, një votë që ka takatin të vlerësojë, po njëkohësisht edhe di të ndëshkojë “teknokracinë, burokracinë politike, agallëkun, recidivistët e rrezikshëm si dhe njerëzit që kanë rënë në rehati”! Këto zgjedhje vendore që u organizuan në Kosovë, u karakterizuan edhe me ca emra me tipare dhe veçori dalluese që kryekëput dallohen nga disa politikanë aktualë, në veçanti ata që i takojnë krahut të luftës. Ky ndëshkim më së miri u vërejt në kryeqendrën e Kosovës respektivisht në lëkurën e Isa Mustafës, i cili u mposht nga ana e Shpend Ahmetit, kandidatit që paraprakisht kishte përfunduar studimet master për politikë publike në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse pastaj gjatë viteve 2002-2004 të specializonte në fushë të zhvillimit politik dhe ekonomik. S’duhet harruar se po i njëjti i ka kryer studimet universitare në Fakultetin e Ekonomisë dhe Administrim-Biznesit në Universitetin Amerikan në Bullgari gjatë viteve 1996-2000. (Së fundi, mund të thuash se Shpend Ahmeti nuk “është produkt autokton” i VETËVENDOSJE-s, ai vjen nga partia e dikurshme politike “FRYMA e RE” dhe, rrjedhimisht, e folmja e tij politike, kryekëput dallon nga ajo e Albin Kurtit,  sidomos në aspekt të “nacionalizmit dhe filozofisë së tij izolacioniste”! (Mero Baze).

Fitorja e Shpend Ahmetit nuk ishte vetëm një ngadhënjim, ajo ishte edhe një goditje e fortë për keqqeverisjen së Isa Mustafës, si dhe një leksion për stafin e tij se si duhet bërë “detyrat (politike) shtëpiake në Prishtinë dhe gjetiu në hapësirat e vetadministrimit vendor, politik, ekonomik, social, kulturor e tjerë”!?  Fitorja e LDK-së në nivel shtetëror u zbeh me humbjen e Prishtinës, një humbje që mbase kërkon a i duhet një shpjegim, po edhe një analizë më e detajuar politike. Një të tillë shpjegim kërkon edhe disfata e thellë e AAK-së, në veçanti e lidershipit të saj, Ramush Haradinajt, mungesa (e gjatë) e të cilit në skenën politike gjithsesi u vërejt “ashiqare”! Se kush duhet të largohet nga kjo parti, është një pyetje hipotetike. Një gjë është e vërtetë, në kryeminderin e kësaj partie politike nuk ka vend për dy taborë, o do shkojë Ramushi, o do ikë stafi i tij i përgjumur. Sipas logjikës formale, udhë tjetër s’ka.

Edhe ish-kryebashkiaku i Mitrovicës u mposht nga Agim Bahtiri, përndryshe biznesmen kërpudhash. Fitorja e tij është pjellë e një filozofie evropiane, po edhe e retorikës së tij…, ajo fitore ishte edhe një “sikterisje” a një shpullë imazhit të sajuar, krekosjes dhe arrogancës së padurueshme të komandantëve të dalë nga lufta.

Mimoza Kusari-Lila (e magjistruar për administrim biznesi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që gjatë asaj kohe vijoi studimet në Institutin Ekonomik në Universitetin e Kolorados dhe në Universitetin e Duquesne në Pittsburg, ku përfundoi magjistraturën në e-biznes) kishte diç më tepër, respektivisht kjo fitore e saj tronditi themelet e kalasë së shovinizmit mashkullor në Kosovë dhe gjetiu. Për listën Srpska-Daçiq nuk do llafos gjë, sepse prej dhjetë komunave, i fitoi bindshëm nëntë.

Koalicionet mes partive politike nuk mund të thuash se ishin kryekëput parimore, ato ishin pjellë e një makiavelizmi të moderuar ballkanik dhe, t’i shtosh diç më tepër këtij fenomeni, kjo do të thotë ta “prishësh këtë muhabet paszgjedhor”. Pavarësisht nga “rezultatet” e dala të (pa)pritshme nga këto gara, mbetet të themi se këto zgjedhje vendore duhet të jenë përfundimisht një test për ato parlamentare, pa marrë parasysh se do jenë ndëshkuese ose ndryshuese…, edhe pse këto dy nocione janë me kuptime diametralisht të kundërta.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ckuptim, Fadil Lushi, kishin, zgjedhjet e Kosoves

MOS HESHT!

January 17, 2014 by dgreca

Faik KRASNIQI/Prishtine/

Kisha shumë gjëra për të thënë, por në këtë moment është heshtja që mbizotëron, heshtje e çuditshme, një heshtje që bërtet me gjithë shpirt.

Shpesh herë kam heshtur, ndoshta për mos të lënduar, ndoshta për mos t’u grindur, ndoshta s’e kam thënë me veten nuk ja vlen. Por, duke ruajtur heshtjen me ambientin jashtë vetes, hapa luftën brenda vetes. Mijëra zëra mendimesh rebeloheshin dhe bërtisnin. “Ti duhej të flisje të na lije deshifrimin, në komunikim, sepse në trurin tënd ne lindëm, tani zgjidh dhe merr, sepse ne nuk do të heshtim deri sa ti të reagosh dhe të na lirosh nga heshtja jote”. Kështu, nga ajo mori, zhurmë që nuk heshtë në trurin tim, mësova të mos heshtë…

Heshtja vetëm heshtë, tjetri nuk mund të kuptojë heshtjen tënde, formën dhe mesazhin e saj. Ndaj heshtja heshtë, nuk flet, dhe si rrjedhojë nuk mund të thuash që heshtja ka kuptim. Për mua nuk ka…

Heshtja mbi të gjitha është një ndrydhje e shpirtit brenda një trupi të ligështuar. Në disa raste shfrytëzim i një lirie mendimi të brendshëm në masa të kufizuara.

Dëshira për t’i mbijetuar ndërgjegjes së thellë në saje së cilës vetëm shpirti mund t’i përshkojë hallet, problemet e një monotonie të vazhdueshme, si rrjedhim i këshillojnë vetëdijes të qëndrojë brenda këtij kufiri të limituar. Një favor relativ që i bëjmë koshiencës sonë duke mos pasur guxim të përballemi me gjendjen e jashtme reale (pra heshtja), duhet pasur kujdes sepse në epërsi e sipër ai zhvillohet dhe kthehet në një makth – një makth i cili e çon njeriun në ndrydhje të plotë ku çdo gjë që i rrethon e bën atë skllavin e errësirës së thellë!

Nga brendia më pëshpëriti diç, heshtja nuk është zgjidhje, vetëm tejkalim i problemeve pa zgjidhje!

Të heshtur do të jemi vetëm atëherë kur të vdesim. Sa të jesh njeri i gjallë, në lëvizje, në kontakt me shoqëri e gjithçka tjetër që na rrethon, nuk kemi pse heshtim! Ne duhet të flasim në kohën e duhur dhe të mbrojmë interesat tona nëpër mes fjalës. Nuk jam dhe shumë dakord me thënien ‘’heshtja është flori’’, sepse në këto kohë që po jetojmë duhet të jesh shumë dinamik e më potencial. Aty ku është e drejta të flasësh nuk ke pse hesht jo.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, Mos hesht, Prishtime

HIPOKRIZIA ULËRITËSE SERBE

January 14, 2014 by dgreca

Reference: Dy vaki dhe nje barcolete…/

Nga Fadil LUSHI/

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për nocionin Hipokrizi e jep këtë shpjegim: Ves i njeriut të keq që hiqet sikur është i mirë, i virtytshëm e i dashur me qëllim që të gënjejë të tjerët; qëndrim me dy faqe, sjellja e njeriut që nuk është i çiltër me të tjerët, që nuk zbulon fytyrën e vërtetë dhe që shtiret, të qenët hipokrit; fjalë, sjellje a diçka tjetër e rreme, që nuk i përgjigjet së vërtetës dhe që synon të mashtrojë të tjerët. Sillej me hipokrizi etj.

Para se ta vazhdoj këtë shkrim, do t’u referohem dy “vakive” si dhe një barsolete. Miqtë e mi me plotë gojë dhe me të drejtë do parashtrojnë pyetjen se ç’lidhje kanë këto “vaki dhe kjo barsoletë” me titullin e këtij shkrimi në veçanti me fjalën hipokrizi! Unë besoj se përgjigjja do të shfaqet më poshtë.

VAKIA 1

Mbaj mend kur dikur shkonim, unë dhe miqtë mi,  në Selanik për të bërë pazare me tregtarët grekë. Meqenëse nuk e njihnim atë gjuhën e tyre, ne ia krisnim e flisnim maqedonisht duke menduar kinse kjo gjuhë (maqedonishtja) ishte më e avancuar se ajo jona, gjegjësisht gjuha standarde shqipe.

VAKIA 2

Disa ditë më parë ca senatorë amerikanë hodhën idenë për të nominuar me Çmimin Nobel për Paqe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi,  dhe atë të Serbisë, Ivica Daçiç, si dhe baroneshën Ketrin Eshton (përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian që po ndërmjetëson bisedimet në nivel të kryeministrave të lartpërmendur). Pasi ky lajm mori “havanë”, në Kosovë dhe Serbi shkaktoi a ngjalli reagime nga më të ndryshmet…, disa e përshëndetën këtë, ca e “miratuan pjesërisht”, ca të tjerë që merren me analiza politike e kundërshtuan duke e konceptuar si një “shaka të trashë, pa kripë, shaka me zarar dhe së fundi si një shaka me thepa”!? Kundërshtarët politikë të kryeministrit të Kosovës me plotë gojën thanë se “ky çmim për paqe” Hashim Thaçit ndoshta do t’ia vazhdonte qeverisjen edhe për katër vjet, ose tërësisht do ta shpëtonte këtë qeveri nga korrupsioni dhe krimi i organizuar? Ca të tjerë thanë se Thaçi nuk e meriton këtë çmim nga fakti se gjatë bisedimeve të deritanishme (falë qëndrimit të butë të baroneshës Eshton) i kishte bërë lëshime të mëdha palës serbe (Si duket, serbët më pak humbën në luftë dhe më shumë fituan në paqe). Këto bisedime joparimore në vazhdimësi “shkelnin mbi rregullat a protokollin, duke e detyruar z. Thaçi të heqë dorë nga qëndrimi i tij parimor dhe i prerë… rreth organizimit territorial të Republikës së Kosovës së pasluftës”!?

Se a ka a s’ka hipokrizi në këto dy “vaki”, për ne ka pak rëndësi. Me rëndësi është pyetja se pse shqiptarët gjithandej ndihen inferior në raport me popujt e tjerë, pse shqiptarët duhet të karakterizohen me kompleksin e inferioritetit kolektiv (sidomos ata që jetojnë jashtë kufijve administrativë të shtetit amë), për ne me rëndësi është fakti se në ç’rrethana u ndërtua ky inferioritet yni, a mos vallë u krijua në rrethana tashmë të njohura, në rrethana të pabarazisë ekonomike, asaj sociale, kulturore, politike, arsimore e tjerë, rrethana rënduese (për ne) historikisht të njohura, pothuaj edhe të panjohura…, a mos vallë shqiptarët edhe më tej duhet të ndihen të nënvlerësuar, a mos vallë duhet ta vlerësojmë dikë a diçka më shumë sesa është në të vërtetë, a mos vallë edhe në të ardhmen kur “do të shkojmë në Selanik do të detyrohemi ta flasim gjuhën e shtetit biblik”, apo do të veprojmë ndryshe. Unë nuk e kam ndërmend që ta pllakos punën e deritanishme të Hashim Thaçit, po as ta kontestoj personalitetin e kryeministrit…, përkundrazi do të parashtroj pyetjen se pse atij nuk duhet t’i jepet Çmimi Nobel. Nëse këtë do ta kundërshtojmë, atëherë vetvetiu do ta vërtetojmë po edhe do ta ushqejmë atë teorinë që shkencërisht e shpjegon nocionin e kompleksit të inferioritetit a vartësisë te shqiptarët.

BARSOLETA

“Dikur moti, e kishin pyetur një fshatar serb nga Shumadija se çka dëshiron më së shumti në jetë, kurse ai kishte thënë – t’i ngordhë lopa fqinjit- komshiut! Po ti çka fiton me këtë, e kishin pyetur fshatarin? Ndërkaq ai ishte përgjigjur se asgjë nuk fiton vetë, por ama, fqinji humb!”

Para ca javësh, në prag të festës së Krishtlindjeve ortodokse, ministri serb, Aleksandar Vulin, kishte parapëlqyer ta vizitojë Gjakovën (me leje të zyrtarit të Zyrës Evropiane në Prishtinë, sllovenit Samuel Zhbogar. Mirëpo kjo vizitë “qe anuluar” me një vendim të nënshkruar nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, z. Bajram Rexhepi, si dhe me kujtesën dhe fjalët të vëna në rabush nga ana nënave gjakovare). Që kur “u fut” në territorin e Kosovës u vu re se në krahët e tij kishte dy strajca. Njëra ishte e mbushur me hipokrizi ulëritëse, me histori të ngatërruar, me ndjenjën e superioritetit-epërsisë intelektuale, ndërkaq e dyta ishte e mbushur me kompleksin e inferioritetit kulturor, me racizmin, me urrejtjen, me shovinizëm, megalomani, me atë kompleksin tejet të zhvilluar e të qenit katundar.., me filozofinë politike arkaike, krahinore dhe shoviniste…, me “ato  sikletet dhe bezditë” e tij ndaj të vërtetës se Kosovën njëherë e përgjithmonë e ka të humbur. Ky farë politikani kishte menduar se do të shkojë në Gjakovë të hajë përshesh me kalamajtë…, por ja që nuk i dolën hesapet.

Kjo barsoletë ma rikujton atë përshkrimin që jepet për Ali Pashë Tepelenën – “koka në Stamboll, trupi në Janinë”. Ky përcaktim kushedi sa herë është lakuar, interpretuar, analizuar e shpjeguar nga ana gjuhëtarëve, sociologëve, psikologëve dhe mbase edhe nga politikanët dhe kundërshtarët e pashait famëmadh. Ndoshta këtij shkrimi në veçanti Vulinit, i shkon thënia “trupi në Serbi, bishti në Moskë e mendja në Kosovë”!? Ata që e njohin teorinë e psikanalizës së Zigmund Frojdit mund të thonë se kompleksi i inferioritetit dhe ai i superioritetit nuk kanë ilaç.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, Hipokrizia uleritese, Serbe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 773
  • 774
  • 775
  • 776
  • 777
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT