• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR PRIZRENIN, RAMËN, THAÇIN, PAKICAT NË KOSOVË E SERBI DHE INTEGRIMET SHQIPTARE NË BE

January 14, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Qeveria Rama i dha shumë rëndësi takimit të Prizrenit, i cili u bë gjatë fundjavës, pra jo gjatë ditëve të punës, më tepër si një takim informal – larg ngjyrimit zyrtar. Megjithatë përshkohej nga rregulli dhe disiplina shtetërore, orari i nisjes, përfshirja. Autobuzi jo me ngjyrë të purpurt, por në okrën e preferuar të Van Gogh-ut, priste përpara dyerve të kryeministrisë, ku i fundit hypi Endri Fuga, i cili në distance ngjante me një Harry Potter. Televizionet treguan live kur autobusi u nis e pastaj u ndal në semafor. Ndofta aty Rama është krenuar përpara vartësve se si qeveria e tij i respekton rregullat e qarkullimit rrugor. Nuk dihet nëse gjatë udhëtimit për në Prizren e ka marrë në gojë për të mirë pararendësin e tij, por kjo pak rëndësi ka.
Edi Rama është në fillim të mandatit të tij,ende i krekosur prej premtimeve – Hashim Thaçi në fund të dy mandateve të tij i konsumuar prej mosmbajtjes së premtimeve dhe sidomos i gërryer si udhëheqës i palës shqiptare në bashkëbisedimet Kosovë-Serbi, sepse ndërsa Kosova plotëson kushtet ndaj pakicës serbe, pakica shqiptare në Serbi nuk gëzon as të drejtat elementare të njeriut. Thaçi po ashtu është i gërryer edhe nga brenda partisë, pas largimit të Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit. Papunësia në Kosovë kalon 60% dhe Kosova është i vetmi vend në Ballkan që diskriminohet dhe ka mbetur i papërfshirë në liberalizimin e vizave, ndërsa pakicat që jetojnë këtu përfitojnë nga marrëveshja Shengen, sepse gëzojnë dyshtetësinë. Pra Hashim Thaçi e ka të pamundur të fitojë një mandat të tretë.
Sa për Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin këtu gjendja e shqiptarëve është e dëshpëruar. Ka dy vjet që premtohet se do të ndërtojnë një maternitet pasi grave shqiptare u duhet të udhëtojnë 200 kilometra rrugë për të lindur dhe premtimet kanë mbetur në hava.
Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të funksionojë në bazë të reciprocitetit bilateral, ashtu si funksionojnë të tilla marrëveshje në të gjithë Europën dhe rajonin. Kosova plotëson kushtet ndaj pakicës serbe, dhe Serbia duhet të plotësojë kushtet ndaj pakicës shqiptare. Por ndërsa Kosova dhe Serbia kujdesen për pakicën serbe në Kosovë, për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk kujdeset as Serbia, as Kosova, as Shqipëria dhe askush.
Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kërkojnë punësim, shkolla, maternitet, zhvillim si dhe përfshirje në politikë, në mënyrë të tillë që zëri i tyre të dëgjohet përmes përfaqësimit në Beograd. Ashtu si dëgjohet edhe zëri i pakicës serbe në Parlamentin e Kosovës.
Por politika shqiptare këndej dhe andej kufirit ka synime të tjera. Megjithëse Rama në fjalimin e tij në Prizren përsëriti disa here si gjetje filozofike fjalën “përbashkim”, duke evokuar hymnin e flamurit, kjo gjë duket pa sens, sepse shqiptarët rezultojnë të jenë më të varfërit e rajonit, më të paintegruarit e rajonit dhe më të mbeturit në mëshirë të fatit e rajonit.
Edhe 100 mijë Eurot që Rama dhe Thaçi i dhuruan Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishin një fyerje. Berisha kur ishte kryeministër i dhuroi 400 mirë Euro pakicës serbe në Graçanicë! Prandaj ishte i drejtë reagimi i shoqatës Medvegja në Zvicër, e cila ka vendosur pas kësaj që t’iu dhurojë 200 mijë Euro qeverive përkatëse të Tiranës e Prishtinës, shtetarët e të cilës bëjnë jetë komode dhe me prosperitet, ndërsa qytetarët jetojnë në varfëri e mjerim.
Të të ketë lindur Zoti nën qiellin e Europës dhe të mbetesh i ekskomunikuar prej Europës si po ndodh me shqiptarët, këtu qendron drama. Nëse sot Shqipëria do të ishte e integruar në BE ajo do të kishte një zë tjetër, nëse nuk është e integruar në BE, ky hendikep i adresohet klasës politike, sepse nuk ka plotësuar as detyrimin minimalist ndaj popullit.
Takimi i Prizrenit s’ka asgjë të keqe, mirë që e bënë, por në fund të fundit shqiptarët e bëjnë për çdo ditë rrugën Kosovë-Shqipëri e anasjelltas, vinë e shkojnë,shkojnë e vinë e takohen midis tyre. Atë që duhet të bëjë Rama dhe Thaçi e të gjithë liderët shqiptarë, është të përmbushin detyrimin që kanë ndaj qytetarëve të tyre, të krijojnë kushte zhvillimi, të fuqizojnë shtetin e së drejtës dhe tregun e lirë për një jetese normale, duke i integruar në BE.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, pakicat, Prizreni, Rama, Thaci

10 Keshilla nga “Sovrani”!

January 14, 2014 by dgreca

Nevrus P. Nazarko/

Fraza e mesiperme nuk eshte iluzion optik, e kam shkruar i vetedijshem per efektin paksa “euforik” qe krijon perdorimi i fjales sovran. Deshira per t’u shprehur si i tille teksa perpiqem te formuloj disa keshilla per qeverine e re me erdhi nga tre burime:

Se pari, gjate gjithe fushates elektorale te gjitha partite konkurrente i drejtoheshin popullit si “sovran” dhe rendom degjoje shprehje te tilla si: “e di sovrani”, “vendos sovrani” “i bindemi sovranit” dhe une si pjese e atij grupimi statistikor-gjeografik po marr kurajon ta quaj veten te tille anipse nje pjese e tij.

Se dyti, pas zgjedhjeve, kryeministri i ri ka deklaruar me se njehere se: “Pushteti eshte i popullit (nenkupto sovranin) ne kemi detyrat..” pra perseri sovrani e prej ketej detyrat.

Se treti, dhe me kryesorja, ne fjalor dy nga sinonimet e shumta te fjales sovran jane “indipendent” dhe “autonom” dhe une pasi kam 23 vjet qe jetoj larg Shqiperise e ndjej veten mjaft te pavarur dhe pa perfituar ndonje gje nga atje, po te mos llogaris 2 shishe me raki rrushi qe marr gjate pelegrinazhit tim vjetor ne Shqiperi me nje kosto prej rreth 2500 dollaresh secila..

Atehere, pa u zgjatur me tej, ja disa keshilla e kerkesa per qeveritaret e rinj si me poshte:

1-Filloni qeverisni

Tani qe periudha e “mjaltit” dhe e nervozizmit qe natyrshem shoqeron ardhjen ne pushtet, a mund te filloni te qeverisni? Dhe me kete nenkuptohet te filloni te zbatoni dalengadale programin e partise suaj te prezantuar para zgjedhjeve. Mundesisht mos e perdorni me ate legjenden e 1 milion shuplakave, pasi as vete nuk e besoni. Ato “1 milion” shuplaka po t’ju heqesh LSI-ne dhe ca pazare te tjera, si dhe mosmbajtjen e premtimeve per punesim te rreth 300,000 votuesve socialiste do te katandiset kokoshi ne thele. Une si sovran (apo perfaqesues i tij) e kuptoj se do t’ju duhet pak pune ne kete drejtim per dy arsye: a- Duhet te bashkerendoni me LSI-ne dhe kjo nuk eshte aq e lehte, dhe b-Duhet te gjeni programin me 1000 e ca faqe qe trumbetuat gjate fushates (po pra ate dosjen e Shkelqim Canit ne kongresin elektoral te PS-se) gje qe me sjell natyrshem ne keshillen e dyte:

2-Mos Kopjoni “Temë-n”

Ne se vëren me kujdes ngjarjet dhe aksionet e qeverise tuaj keto 4 muaj, veren nje ngjashmeri te frikshme me linjen editoriale te gazetes ‘Tema”. Kjo linje ka disa vite qe predikon se cfare do te ndodhe me persona dhe objekte te qeverisjes se Sali Berishes: Shembuj ka plot, qe nga  prishja e pallatit te “vjehhrit te Bashes”, tek baltosja dhe predikimi i arrestimit te kryetarit te bashkise Kamez, z. Mziu, paditja e ish-ministrit Imami, arrestimet e femijeve te Berishes lojerat e fatit etj. Te gjitha keto jane ezauruar per 4 vitet e fundit nga gazeta ne fjale, gje e cila te ben te dyshosh se kush kopjoi cilin, ishte PS qe kushtezonte editorialistet e Temes apo kjo e fundit qe ju eshte imponuar qeveritarreve te rinj? Ne se keni objeksione se programi i juaj nuk eshte ai i “Temes”, ju lutem publikojeni ne faqen zyrtare te PS-se t’i jepni fund hamendesimeve.

3-Tregoni Borxhin Real ndaj Biznesit

Tani qe u qetesuat pak dhe e shikoni se si funksionon shteti, sidomos pas mbledhjes me homologet tuaj ne Prizren dhe pas udhetimit me autobus ne rrugen e Kombit, eshte vendi te qartesoni publikun se cili eshte borxhi i vertete i biznesit. Ne fillim shifrat luhateshin nga 400-700 milione dollare dhe pas auditimit te “Deloitte” kjo shume zbriti ne 240 milione dollare. Njoftimi i fundit i ministrise se transportit (nepermjet ministrit Haxhinasto)me te drejte kerkon verifikimin e punimeve te kryera nga bizneset para se te filloje pagimi i borxhit!? Kjo nga njera ane eshte per t’u pershendetur pasi nenkupton nje proces serioz dhe normal dhe se dyti do te coje ne limite me te uleta kete borxh fantazme qe menyra se si u paraqit na la te kuptonim se ishte Armagedoni qe do te fundoste vendin. Mos harroni se kater vjet ikin shpejt dhe pasardhesit tuaj qe sipas gjasave do te vijne ne pushtet me ca “shpullare” (ate qe gjuajne me shpulle) te tjere do bejne krahasime ndaj mpreheni lapsin…Ne nje ekonomi me buxhet rreth 5 miliarde dollare, te kesh pagesa te palikuiduara per pune te pambaruara ne fund te vitit rreth 200 milione nuk eshte ndonje blasfemi, sidoqofte….

4- Boll me Histori me Police dhe Lojera Fati

Tani qe fiaskoja me shterrethime te lojrave te fatit dhe me 6000 police te angazhuar ne kete raprezalje eshte ne pasqyren e prapme eshte ne nderin tuaj te pastroni shpirtin dhe te pranoni qe u nxituat. Themi i nxituat pasi fakti eshte qe pothuaj te gjitha keto biznese jane rikthyer ne normalitet me te vetmin ndryshim se ndoshta ndryshuan “xhepat” ku derdhej fitimi. Ne qeverisjen tjeter, nje kurs normal per te pastruar kete gangrene do te ishte nxjerrja e kuadrit lifjor qe i paraprinte veprimit administrativ. Nje tjeter rruge e arsyeshme do te ishte nje njoftim publik i ministrive respektive (financave, ekonomise etj) ku u lihej nje afat kohor prej nje muaji ketyre bizneseve te rakordonim me ligjin. Kjo do te sillte efekte me pozitive se mesymja e bluve dhe rripat e verdhe. Per ta mbyllur, meqe jemi per transparence, sa kushtoi ai aksioni tre ditor i bluve? Jo per gje, por pas 4 vjetesh mund te kemi padi per shkelje te ligjit dhe abuzime me parate e taksapaguesve per kete aksion.

5-Më Shtruar me Tatimet dhe Doganat

Shume eshte folur dhe shkruar per keto institucione, per te qene realiste, qysh ne gjenezen e tyre keto kane pasur probleme dhe jane objekt anekdotash, sidoqofte ne keto muaj kemi amplifikim te ketij fenomeni. Me sakte, kur te qeverisni vertet dhe te rregulloni ca anomalira, mos keshillloni drejtuesit e ketyre insitucioneve te bejne sherr publik me vartesit a ish-vartesit ne faqe gazetash. Mos i lejoni keta drejtues te institucioneve te rendesishme te publikojne ne Facebook-e personale shifra zyrtare dhe evente te institucioneve qe ato drejtojne. Shteti eshte shtet si ne kohen e FB apo ne kohen e papiruseve, pak me shume respekt per informacionin zyrtar.

6- Denoncime dhe Arrestime

Kam ca lajme te mira ne kete nen-teme po mos i permendni me ze te larte. Do jeni ne pushtet per 4 vjet, pra mos u shqetesoni akoma. Megjithese menyra se si po qeversini keto 4 muaj i ka bere edhe me te zjarrtet e “1 milion shuplakave” pak skeptike mbi aftesine tuaj shtetberese, po ju them nje sekret. Opozita e sotme nuk i ka kellqet t’a mbaje pushtetin po e late ju. Them po e leshuat pasi ata nuk jane ne gjendje as ta marrin tani per tani, pa le ta mbajne. Kane njerez te lodhur akoma mes vedi dhe ne instanca me te uleta kane shume paaftesi. Keto s’ua them t’ju rritet mendja, pasi emerimet qe keni bere deri tani me disa perjashtime te vogla duket sikur kane doren e atyre qe sapo iken. Kur te vendosni qe te qeverrisni vertet do te ishte e udhes te zbatonit ligjin si ne rrastin e bashkiakut te Vlores. Pra nje i zgjedhur legjitim i cili nuk perben rrezik arratisjeje mund ta leni procesin te rrjedhe normal neper aortat e sistemit. Le qe ju me kapjen spektakolare te burgosurve te Drenoves treguat se eshte kot te mendoje ndonje kriminel te arratiset, le me nje kryetar bashkie…Ose kur denonconi ndonje ish minister, beheni konferencen e shtypit nga prokuroria se tingellon me korrekte, them tingellon pasi ashiqare duket se nuk eshte aspak e tille. Meqe keni dhe ekonomiste te mire ne stafet tuaja, i koston me shume shtetit nje i arrestuar kot se sa nje i dyshuar ne gjykim te lire. Kjo llogari ne se ju dhembin parate e marra borxh…

7-“Quo Vadis” me Emerimet ne Qeverisje?

Ne kete pike shumekush mendonte se do te ishte e veshtire te konkurronit me pushtetin e Berishes. Shembuj te ministrave pa kualifikimin perkates dhe administratoreve te pa-arsimuar kishte me bollek ne ate administrate. Por edhe ju nuk mbeteni mbrapa ne kete fushe. Eshte i admirueshem entuziazmi dhe opozitarizmi i Erion Braces, por kur ai drejton komisionin e ekonomise ne organin me te larte legjislativ, kjo ve ne pikepyetje disa gjera. Si ka mundesi qe nje gazetar te “vere ne zap” disa ish ministra dhe autoritete ne kete fushe? Apo eshte thjesht per snobizem, per t’ju treguar deputeteve se nuk ka rendesi se cfare miratojne, e rendesishme eshte si dhe kush i zbaton? Shembuj te tille ka pafund ne emerimet e 4 muajve te fundit, si psh ministrja e Mbrojtjes, minstri i Mjedisit, i Shendetesise etj., per te mos permendur drejtoret e institucioneve te rendesishme si doganat dhe tatimet. Ka egzistuar nje thenie ne diktature pak a shume “T’i gjejme punes njeriun dhe jo njeriun punes”, kjo eshte dhe kerkesa ime ne kete pike.

8- Mbajini per Vete Kartolinat e Urimit

Ne vitet e para sapo dolem nga diktatura, si provinciale te pangrëne dhe te panxënë, na falej qe te dokumentonim dhe propogandonim cdo buzeqeshje te te huajve, cdo telegram ngushellimi a urimi, por pas 23 vjeteve, kreyeministri i nje vendi te publikoje gjthe madheshti nje kartoline te zakonshme urimi nga nje president i nje shteti tjeter, kartoline e cila u shkon nja 2-3 milione kontribuesve te tij ne fushaten elektorale, kjo vertet eshte injorance per te mos thene me teper. Shembuj te ketij lloji veshtire se gjen ne boten ku po perpiqemi te integrohemi. Shpresoj qe komisioni i antaresimit ne BE te mos e shohe kete detaj se do na duhen edhe nja 6 vjet te nisim procedurat. P.S. Mbajini kartolinat ne studion tuaj te punes ne se doni, mos na fyeni intelektin me te tilla veprime, ose qe te marr borxh nje kuote nga Erjon Velia: “Mjaft”.

9-Prishni Ndertimet “Pa Leje”

Ky koncepti i ndertimeve pa leje eshte pak i veshtire per t’u pertypur. Si mundet qe nje sipermarres te investoje miliona dollare pa marre parasysh ligjin dhe pa lejet perkatese? Me tej, cili eshte perkufizimi i qarte i nje ndertimi pa leje? A quhet pa leje nje ndertim qe ka te gjitha dokumentat e duhura po eshte zgjeruar 2 pellembe me tej ne sinorin e tjetrit? Apo nje ndertim qe ka marre lejen dhe te gjitha letrat pasi ka paguar 20 perqindeshin ne sekseret bashkiake. A mos duhen te prishen te dy rastet? Mjafton nje ulje me avion ne aerportin Nene Tereza dhe e kupton se gjithe ato ndertime nga Lezha ne Tirane e me tej vetem me leje s’mund te jene. Me cfare lejesh jane gjithe ato ndertime ne Tirane, Durres, Vlore e gjetke kur eshte i pamundur kalimi i ambulaces apo zjarrfikeses. Ne se ato quhen me leje se zyrtare te korruptuar kane mbyllur nje sy dhe vesh kur i kane firmosur, atehere kemi te bejme jo vetem me nje problem perkufizimi dhe teknikaliteti. Te gjitha keto ndertime duhen prishur ne emer te shpetimit te jeteve te njerezve qe do vdesin pa pasur mundesi te marrin ndihmen e nevojshme. Ne se pallatin e Vlores e prishet per arsye estetike, 30 kateshin mbrapa Sky Tower duhet ta prishni per arsye sigurie dhe estetike bashke. Dhe nje pyetje per komisionin e ekonomise, Bracen dhe Canin: Ku i gjetet 5 milione dollare per shpronesimin e pallatit te “vjehrrit te Bashes” dhe ndonja 500 mije per ta prishur kur nuk kishit pare per pensionet dhe rrogat? Kur do fillojne te prishen ca ndertime pa leje qe kane per pronare njerez te lidhur me pushtetin e sotem? Pergjigjen e presim ne qeverisjen e re…

10-Permiresoni Kuadrin Zgjedhor

Me ne fund, edhe pse 3 vjet e ca larg eshte koha te flasim per zgjedhjet e tjera. Tani qe dime si te bejme dhe te blejme zgjedhje demokratikisht, ka ardhur koha per nja dy ndryshime te vogla ne ligjin e zgjedhjeve. Listat e mbyllura dhe te diktuara nga kryetaret e partive duhet te jene nje ngjarje e se kaluares. Fakti qe parlamenti i sotem eshte ne kuotat me te uleta te 100 viteve te fundit e diskretiton kete model qe kemi, pavaresisht nga emri qe ka, si “modeli spanjoll” etj. Po ashtu, duhet nje model qe le jashte ne shumicen e tyre te pashkolluarit, te inkriminuarit dhe te pasuruarit ne menyre te paligjshme.  E veshtire te arrihet kjo, por juve prandaj ju ka veshur populli me Versace dhe ora nga 50 mije dollare (edhe pse keni qene gjysme rrogetarre dhe gjysme opozitare ne keto 20 vjet) qe ta vrisni mendjen.

Po ashtu, do te ishte shume qetesues fakti qe nderrimi aktual i pushtetit pas zgjedhjeve te mos priste 3-4 muaj por te ndodhte ne dy tre jave. Vende shume me te medha se Shqiperia dhe me me shume peshe i bejne kete pa shume mundim. Boll me periudha te zgjatura dhe te kontestuara tranzicioni pushtetesh. Jane shume te kostueshme dhe do t’ju ndihmojne ne veprime me racionale pasi nuk do keni kohe te mendoheni per hakmarrje aq gjate.

Kjo liste modeste, nuk merr parasysh te ezauroje te gjitha deshirat e “sovranit” megjithate eshte nje liste me deshira te sinqerta te cilat do ndihmonin sadopak ne mbarevajtjen e puneve te premtuara dhe nje hap ne kahun e duhur pas kaq viteve tranzicion dhe lufte klasash,… me falni, partish.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 10 keshilla nga sovrani, Nevrus Nazarko

KARTOLINA E OBAMËS ME TEKST TË CUNGUAR

January 13, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Në profilin zyrtar të KM Shqipërisë dje në Facebook ishte vendosur kartolina që Edi Rama kishte marrë nga Presidenti i SHBA Barack Obama. Kartolina e Presidentit Amerikan shoqërohej me diçiturën që presupozohej të shprehte me të drejtë kënaqësinë e Edi Ramës “Kartolina më e bukur e këtij janari erdhi e fundit”.
Meqë lidhej me urimin e Vitit të Ri, dhe meqë Edi Rama i jep shumë rëndësi imazhit, mund të ishte shkruar “Kartolina më e bukur e Vitit të Ri erdhi e fundit”. Por një gjë do të duhej ta bënte me patjetër Edi Rama. Sipas kurtuazisë së komunikimit të zyrtarit më të lartë të shtetit, që lidhet edhe me pretendimet për transparencë, kartolina do të duhej të ishte fotografuar e plotë, jo gjysmake si është fotografuar, sidomos teksti i kartolinës i shkruar me dorë nga Presidenti Amerikan, ku lexohet vetëm rreshti i fundit i saj dhe shihet firma e Presidentit Obama. Aq më tepër kur dihet se Edi Rama mban të paktën një fotografe profesioniste. Sepse në etikën dhe etiketën e kultures të të sjellurit, të kodit dhe normave konvencionale që duhet të përcjellë burri i shtetit nuk lejohen lapsuse të tilla,që kartolina të botohet me tekst gjysma-gjysma. Nuk e di Edi Rama këtë?!
Përpara disa kohësh në faqen e tij në Facebook ai shfaqej i fotografuar duke patur në sfond figurën e diktatorit Hoxha. Dhe, kur gazetarët e pyetën, e kaloi me romuze dhe mërmëritje. Pastaj, në fund, doli me pretendimin se nuk ishte ai që e vendosi foton e diktatorit në faqen e tij zyrtare të Facebook-ut!
Facebook është një mjet i komunikimit masiv, ku përmes tij kryeministri jep mesazhe dhe kuron imazhin. Dhe është e papranushme të thotë se nuk e ka ai nën kontroll faqen zyrtare të KM. Aq më tepër, kur në këto 100 ditë ne kemi parë vetëm veprime që lidhen me kurimin e imazhit të institucionit.
Ka ardhur momentumi që Kryeministri i Shqipërisë të përballet me realitetin, ashtu siç është ai. Ai mund të kurojë muret, të heqë e të vendosë foto, të bëjë melanzhe ngjyrash, të bojatisë fasadat, por realitetin nuk e ndryshon dot me fjalë. Prandaj Edi Rama duhet të përballet me realitetin.
Natyrisht duhet të kurojë edhe me imazhin e tij. Dhe meqë thotë se është mjeshtër i asaj pune, e kam dëgjuar se kështu i ka thënë Blendi Fevziut tek Opinion, se është një PR i shkëlqyer, dhe mund të jetë, sepse gjatë kohës kur ishte zyrtar i lartë në qeverisjet pararendëse të PS, ai ishte autor i fjalimeve të kryeministrave.
Nëse është ashtu si thotë e përse e lë jashtë kontrollit kurimin e imazhit të tij. Si lejon të fotografohet duke patur në sfondin hije fotografinë e diktatorit, si lejon që këto foto të vendosen në faqen e tij zyrtare në Facebook dhe si i lejon vetes të mos e ketë nën kontroll faqen e tij të Facebook-ut.
Nuk e di Edi Rama se ta botësh kartolinën e presidentit Obama të fotografuar në mënyrë të tillë, ku teksti është i përgjysmuar, do të thotë që të shkelësh etiketën e zyrtarit më të lartë të shtetit? Nuk i lejohet më Edi Ramës të thotë se „nuk e di“, e „nuk e vendosa unë në Facebook“ e më the të thashë. Edi Rama ka qenë PR i mirë për të tjerët. Por tani ai është KM. Dhe nuk mund të jetë edhe KM edhe PR. Prandaj pyes a ka PR Edi Rama?
Edi Ramës nuk i lejohet as ta shtrëmbërojë realitetin e të thotë se BE nuk na pranoi në dhjetor për shkak të esktremizmit të një segmenti të Hollandës, kur dihet shumë mirë se Hollanda tha tekstualisht në televizionet e Shqipërisë se nuk do të vendosë veton kundër Shqipërisë.
Mos do të thotë Edi Rama se edhe Gjermania, Franca dhe Anglia që sipas Samuel P. Huntingtonit përbëjnë « the core of Western democracy » – thelbin e demokracisë Perëndimore – simboli i të cilit është shteti i së drejtës – janë shprehje e segmentit ekstremist?! Natyrisht që Edi Rama nuk e pranon këtë. Atëherë le të thotë të vërtetën dhe e vërteta lidhet me realitetin që ekziston në Shqipëri, ku korrupsioni dhe sistemi i korruptuar i drejtësisë po i marrin frymën dhe shpirtin vendit. E deri më tani asnjëra palë e politikës në Shqipëri, as ajo që udhëhoqi për 8 vjet dhe as kjo që sapo mbushi 100 ditë nuk po tregojnë përgjegjshmërinë e duhur për të shpëtuar vendin nga katastrofa morale dhe sociale.
Edi Rama e di mirë se ata 1 milionë votues nuk votuan pro tij, por kundër korrupsionit, degradimit të shtetit të së drejtës, votuan kundër varfërisë dhe pasigurisë sociale të qeverisjes të pararendësit. Edi Rama nuk mund t’i bëjë replay qeverisjes të Sali Berishës, sepse këto 1 milion vota i kthehen automatikisht kundër tij pastaj. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, kartolina Rama, me tekst te cunguar

TYM MEDIATIK…

January 11, 2014 by dgreca

Opinion nga ZYBA HYSEN HYSA/

Takohen dy qeveri shqiptare në Prizren, në Tempullin e Patriotizmit Shqiptar, në atë tempull që u firmos lufta dhe përpjekja e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, më 10 qershor 1878, pra plot 135 vjet më parë me qëllim formimin e një shteti autonom shqiptar dhe menjëherë më vjen në mend 10 qershori i vitit të kaluar (2013), ku e ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, pata fatin të marr pjesë në ceremoninë përkujtimore të këtij përvjetori…

Emocionet janë të ligjshme, se të jesh shqiptar dhe të prekësh atë vend të shenjtë, nuk ka se si të mos pësosh tronditje të thellë shpirtërore e për një çast qëndron për të kulluar ndjesitë që vorbullojnë në hapësirën e shpirtit pa gjetur prehje, saqë nuk arrin të kuptosh, se çfarë ndjen saktësisht e kjo është tronditëse vëllezër e motra, se kur lexon dhe shikon fotot e disa prej anëtarëve të Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të drejtave të Kombësisë Shqiptare dhe pjesëmarrës të Kuvendit të Madh si: Pashko Vasa, Jani Vreto, Mehmet pashë Dërralla, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Ali bej Gucia, Iliaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni, Avdulla pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu, Abdul Frashëri, Mustafa Nuri Vlora… që edhe nga fotoja duken sikur gjallojnë e gëlojnë trishtim, një trishtim që të bën të rrish “gatitu” para tyre e të ndjehesh fort krenar e në të njëjtën kohë fajtorë… e të duket vetja sikur je dhe s’je, se ndjen një peshë mbi peshë, kur mendon këta burra e plot burra e gra shqiptare që kanë bërë heroizma për këto troje kaq shumë, deri në flijim të jetës së tyre, saqë po ta shtrydhësh çdo plis të kësaj toke, kullon gjak.

Kështu u ndjeva atë ditë qershori, kur u shkëputa nga turma dhe u drejtova nga hyrja e shtëpisë – muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku priteshin të vinin personalitete kosovare, por një polic më ndalon duke më urdhëruar të kthehem pas, se do vinin politikanët. Bëra sikur u ktheva dhe në një moment, kur polici doli, unë u futa brenda fill e vetme. Më besoni dhe më besoni, mezi i ngjita shkallët nga emocionet. Kalova para çdo fotoje, si të kisha pranë rreshtuar varret e familjes Jashari që më 17 shkurt 2008 bëra homazhe tek varret e tyre duke puthur dheun që ishte akoma i njomë dhe e njoma më shumë me lot.

Sa vitet shkojnë, ne u hapim varret, sa vitet shkojnë, ne kemi shtuar varre, sa vite shkojnë, kemi humbur nga një copë vatan… Nuk do ta harroj atë ditë… e vetme mes të vdekurve, që kanë luftuar për të mbetur gjallë si komb dhe nuk do ta harroj kurrë atë ceremoni me skenar, ku politikanët erdhën, ashtu siç vemi në një varrim tek një i panjohur, për kortezi, dhe ikën pa marrë me vete asgjë nga amaneti i të rënëve.

Kështu kaloi ajo ceremoni, ku nga Shqipëria nuk foli asnjë e pse unë i thashë drejtuesit për të përshëndetur se vij nga Vlora, por skenari nuk u prek. U trishtova, por s’e dhashë veten, por trishtimin tim e shëruan fjalët e mbesës së Mehmet pashë Dërrallës, zonjës Valdet Dërralla, e cila foli me mallin e gjyshit, Mehmet Dërrallës, me krenarinë e kujtimit të veprës së tij dhe bashkëkohësve, që 135 vjet më parë u mblodhën jo vetëm shqiptarët e trojeve etnike, por edhe nga shtete tjera që ishin me origjinë shqiptare. Ajo fliste, unë gëzoja dhe gëzimin e përcillnin lotët që u mblodhën që kur hyra në atë tempull krenarie dhe kur dëgjova këtë grua – burrë shpërthyen nga lumturia, se mendova që historia jonë është gjallë dhe historinë tonë, nuk mund ta fshije njeri, se ajo është shkruar me gjakun e bijve tanë në themelet e këtij kombi. Asnjë skenar politik, apo turbofolk politik, nuk mund ta errësojë këtë dritë që shekujt sa më shumë shkojnë, aq më shumë e lartësojmë.

E, të dashur lexues, këto kujtime kam dashur t’i hedh shumë kohë më parë, bile , kur përqafova atë zonjë të madhe, i mora dhe një cidi, ku flitej për Mehmet pashë Dërrallën, por nuk u krijua mundësia për ta takuar, ndaj lajmi i takimit të dy qeverive tona në Prizren dhe spektakli i tyre tek ky tempull krenarie, më nxiti të shkruaj, të derdh kujtime dhe mendime e nuk di se pse, por edhe sot shoh skenar politik që veshin qeveritë tona për të mbuluar mjerimin e thellë të popullit tonë, mjerim migjenian të shekullit XXI për shqiptarët, në një kohë që bota moderne ka arritur majat e zhvillimit…

Duke qenë prezent në një ceremoni politike në Qershor, as që mendoj ndonjë të mirë për këtë takim, se të bashkëpunosh për të mirën e kombit sot  brenda sekondës lidhen shqiptarët nga të gjitha kontinentet përmes internetit dhe jo nga Kryeministria Shqiptare, në Kryeministrinë Kosovare, por këto lloj shfaqjesh të parapërgatitura me pikësynime të hidhura, kërkojnë të lëshojnë tym mediatik, që të mos dallohet rrjedha e ujit që shkon në bacën e Serbisë…

Të dashur lexues,

Kurrë në shkrimet e mia nuk zbraz “helm” politik, se unë nuk kam  teste partie as në xhep e deri më sot, as dhe në ndonjë cep zemre, se asnjë parti, asnjë qeveri nuk është shëruar nga tërbimi komunist dhe bashkëpunimi me shtetet antishqiptare.

Unë kam qenë në Preshevë në maj 2011 dhe do ta ruaj si ditën më të shenjtë dhe e quaj fat që pata mundësi të takoj njerëz të mrekullueshëm, të marr pjesë në mbledhje me mësuesit e gjimnazit “Skënderbeu”, të dëgjoj një takim poetik në pallatin e Kulturës që nisi me poezinë e Ali Asllanit dhe vetja m’u duk se isha në Vlorë, se isha në Tiranë, se sha në Shkup, se isha në Librazhd… shkurt, isha në Shqipëri! Por kurrë nuk do e harroj udhëtimin për në Preshevë, që nga dogana e deri atje, miqtë që na pritën, rrugës thoshin: “Ky fshat është populluar me serbë… ky tjetri, me shqiptarë… ai atje, me serbë,… ky këtu, me shqiptarë….”, ndërsa në Preshevë, vetëm 3 – 7 %, në mos gabofsha ishin serbë.  E them këtë që shqetësimi i qeverive shqiptare nuk është materniteti i Preshevës, se nënat shqiptare kanë traditë për të lindur edhe në shtëpi, ato kërkojnë jo vend për të lindur fëmijët, por liri për bijtë e tyre, kërkojnë bashkim me Shqipërinë dhe zhvillim të gjithë shqiptarëve, se kështu do vazhdojmë të lindim fëmijë për t’i bërë shërbëtorë të botës.

Me këtë vendim të qeverive i thënçin shqiptare, duke “ndihmuar” Preshevën dhe serbët e Kosovës, largojnë nga Kosova dhe Shqipëria lekët e taksapaguesve dhe taksat e Preshevarëve ua dhurojnë serbëve, kështu me lëmoshën që japin u mbyllin gojën që serbët të kollofitin rehat fitimet nga Lugina e Preshevës. Me këtë arsyetim, sigurisht me dritën time të mendjes, çdo gjë është bërë e po bëhet për të kënaqur Serbinë, por ajo kur kënaqet, fryhet si bollë dhe të thith si lepur. Bukur! Qeveria e vjetër ndërtoi rrugën e “Kombit”, por për fat të keq aty kalojnë mallrat e serbit e në mend më vijnë fjalët e Ilir Ikonomit në librin “Pavarësia – Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit”, në faqen 120 thuhet: “Ishte mëngjesi i datës 9 nëntor 1912, kur në Prizrenin me borë një kolonel serb, i quajtur Dimitre Bulic, iu drejtua me këto fjalë ushtarëve të rinj: ‘Djema! Divizioni ynë i Shumadijes duhet të kryejë edhe një detyrë tjetër të vështirë, por të rëndësishme… Kemi pushtuar mjaft lugina pjellore dhe qytete të bukura, por tani na ka mbetur të dalim në Adriatikun serb për t’i hapur atdheut tonë rrugë të lirë drejt botës…’ Ushtarët iu përgjigjen me thirrje dhe pllaja ushtoi. Batalionet e Shumadijes e nisën marshimin nga Prizreni, kaluan nëpër krahinën e Lumës, pak a shumë në ato vise, që sot përshkohen nga Rruga e Kombit dhe ku udhëtarët modernë kanë një rast të mirë për të reflektuar mbi historinë…” Pra në këtë rrugë të projektuar që para Shpalljes së Pavarësisë nga Dimitre Bulic u sigurua dalja e Serbisë atje ku ka dashur pa cak, pa bam, vetëm me kalem, që ashklat e mprehjes së këtij kalemi i morën firmëtarët tanë, ata morën rrugën. E do ishte gjysma e së keqes të kalonin ata këtej e ne andej, por jo, vetëm ata këtej mallrat shqiptare dhe Kosovare jooooo, në asnjë mënyrë në Serbi. Dhe në mendje më vjen Isuf Luzaj, kur për 53 ditë i shkel me këmbë gjithë fshatrat e malësisë, Dibër, Gjakovë e deri në Prishtinë në vitin 1943 dhe disa nga personalitetet e Ballit Kombëtar vetëm për pak orë arritën me makina në Prishtinë dhe shkruan në “Ditarin e Përpjekjes”, ndër të tjera i zhgënjyer: “Ah, mendje… o mendje!” dhe unë me dhembje them: Ah, fat, o fat i zi për shqiptarët! Zoti e bëftë mirë këtë punë! AMIN!

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Tym Mediatik, Zyba Hysa

Mesazh për bashkimin e Shqiptarëve të Amerikës

January 11, 2014 by dgreca

OPINION NGA ARTUR VREKAJ/

Mbledhja e dy qeverive Shqiptare më 11 Janar 2014 duhet parë si një mesazh i fortë kombëtar sot për sot për bashkimin ekonomik dhe kulturor të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe kujdesin për Shqiptarët e Malit të Zi, Preshevës dhe Maqedonisë.

Zërave se dy qeveritë Shqiptare u këputën në mes me 100 mijë Euro për maternitetin e Preshevës unë u përgjigjem se nuk duhet parë nga sasia e lekëve apo nga fotografia e bukur, por nga mesazhi i bashkimit për paqe e harmoni  në rajon që i dërgon Shqipëria dhe Kosova  në Bruksel dhe Uashington si dhe në qeveritë fqinje, në territorin e të cilave kanë trojet dhe banojnë Shqiptarët.

U lodhëm duke parë çfarë bën faktori ndërkombëtar me ne, me politikën Shqiptare të ditës, që ka edhe gabime, sepse ne Shqiptarët e Ballkanit jemi shoqëri në zhvillim e përbashkim. Nuk bëhemi kollaj bashkë. Tani sikur mori udhë. Kështu qoftë!

100 vjet më parë faktori ndërkombëtar na ndau në copa-copa. 100 vjet më parë, Greku i Parë na masakroi në Çamëri dhe në Shqipërinë e Jugut  me tmerre çnjerëzore që vetëm Shqiptarët e Kosovës mund ti kenë ende të freskëta nga ç’bëri dhe Serbia në fund shekullin që shkoi aq sa edhe Jezus Krishti nuk i ka kaluar këto tortura nën kryq e me kryq.

Po çfarë po ndodh me Ramën dhe Thaçin?

Nuk kanë rrugë tjetër. Ose të plaken si kombëtarë, ose të plaken si poltikanë të dështuar të rradhës.

Ata nuk besoj se do derdhin miliona dollarë në Amerikë për agjensitë lobiste private për të rregulluar biografitë e tyre në vijim. Ata kanë një fat të madh se Amerika na do si popull dhe si komb dhe nuk kanë shumë nevojë të harxhohen me kohë e para në Uashington.

Po faktori ndërkombëtar çfarë kërkon nga Shqiptarët e Ballkanit? Paqe, harmoni ndër vete në radhë të parë, ndër Shqiptarët! Boll u faktorizuam poltikisht, aq sa kemi dhe parti politike në Amerikë.

Boll e kemi Diasporën të ndarë nga bindjet dhe nga shoqatllëku duke krijuar secili një bajrak më vete.

Po përse jemi faktorizuar politikisht deh atdhetarisht ne Shqiptarët në Ballkan dhe Diasporë? Sepse kemi patur qeveri makute që kanë patur në praktikë qeverisje vetëm korrupsionin! Por edhe kanë bërë pazare në dëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk do fakte kjo gjë.

Vetëm Nano bëri burg për shpërdorim detyre. Po të tjerëve nuk u është futur gjëmbi në këmbë edhe pse i kemi parë të tundin flamurin e duarve të pastra si kryeministra , ministra apo kryetarë vendorë.

Boll është luftuar edhe Diaspora nga Shqipëria për 50 vjet rresht!

Por, sikur po kthjellet edhe mendësia në Diasporë, sepse nisma e bashkimit të Shqiptarëve më 1912-ën u bë realitet dhe parapriu Shpalljen e Pavarësisë së Amerikës. Dhe boll po mburremi me këtë pa bërë ndonjë projekt përbashkimi në Amerikë.

Nuk qe vetëm VATRA, por edhe Kristo Dako dhe Kostë Çekrezi me Shqipërinë e lirë që kundërshtuan copëtimin e Shqipërisë deri në vitin 1942 kur me të vërtetë ishte akoma në axhendën Greke sa u ligjërua edhe me ligj lufte. Dhe ka patur një rivalitet të fortë përgjatë zhvillimeve të luftës së Dytë Botërore këtu në Worcester,Massachusetts kur vepronte si dega e Vatrës dhe shoqata Shqipëria e Lirë në luftë frontale me shoqatën e Vorio-Epiriotëve Grekë që donin të mbanin gjallë fantazmën e Vorio-Epirit.

Dhe pastaj vjen radha e DioGuardit që më shumë e mbështeti biznesi i Shqiptarëve të Kosovës në Amerikë për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Po sot? Në Amerikë flenë gjumë. Një pjesë e madhe sidomos në New York apo Michigan akoma i bien daulles se në Shqipëri kanë fituar ish-komunistët. E paraprinë me një thirrje të VATRA para 23 Qershorit se duheshin votuar forcat demokratike?! Por ne në Amerikë nuk duhet kurrsesi të bëhemi viktimë e politikës së ditës. Jo! Feja jonë është Shqiptaria.

Dhe nuk mund të fshihemi më pas emrit të Nolit dhe Konicës.

Ka ndryshuar rrjedha e nismës përbashkuese pas 102 vjetësh shtet në Shqipëri.Pra, në fakt nismën e bashkimit kombëtar sot e ka në dorë Tirana si shteti amë jo se në pushtet është Rama. Këtë bindje kam patur edhe më parë kur i drejtohesha Zotit Alfred Moisiu apo zotit Rama të kemi një ministri Diaspore në Tiranë. Po kujt ti thuash tjetër?

Po Shqiptarët e Amerikës? Heshtin kur bie fjala për një Kuvend të Shqiptarëve të Amerikës. Sepse u duket sikur do humbasin pronat në shoqata. Ja këta jemi. Të dobët për tu bashkuar. Të na rrojnë fotot që bëjnë xhiron e botës se dalim bukur edhe me gotë në dorë.

Lëre pastaj kur dalim me kongresmanin Engel që propozon për Nobelin e Paqes edhe kur Serbia nuk e njeh genocidin në Kosovë!

Tani do presim orën kur qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës të na thonë mbledhja tjetër do jetë me Shqiptarët e Amerikës. Po mbledhje me strategji kombëtare ama, jo darkë lobiste me klientelë.

Sepse ne në Amerikë nuk jemi të zotë ta bëjmë. E kemi provuar më 2006-ën dhe nuk u bë, e kemi në program me disa veprimtarë në vijimësi, por në New York heshtin. Edhe pse ka disa reagime atje në New York po të duan bëjnë çudira po nuk kanë vizion për ti bashkuar Shqiptarët e Amerikës!Por sot për sot as që nuk duan!

Ndaj Bashkimi i Shqiptarëve të Amerikës pritet nga Tirana dhe Prishtina!Deri sa ta kuptojmë se mesazhi i mbledhjes së Prizrenit si të vërtetë! Sepse ka vënd edhe për Diasporën në Prizren!

Filed Under: Opinion Tagged With: artur vrekaj, e shqiptareve te Amerikes, mesazh per bashkimin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 774
  • 775
  • 776
  • 777
  • 778
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT