• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A kanë arsye të (mos)votojnë shqiptarët

October 12, 2013 by dgreca

Nga Gani QARRI/

E pabesueshme, por e vërtetë, ata të cilët për vite u mbajnë “ders” bashkëkombësve se janë çlirues dhe heronj,sot bëjnë fushatë të përbashkët zgjedhore me ish zaptuesin e vendit, duke kthyer edhe një herë, erën e rëndë të pushtimit serb në këto troje, i cili për mëse 100 vjet ua pati zënë frymën shqiptarëve, që kërkonin liri nga ky shtet okupues.

Politikanët e aktual, pozitë dhe opozitë, duhet të japin përgjegjësi edhe për nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme,ndarjen e vendit dhe krijimin e entiteve të paqena autonome, deri më tani ,për të cilat negociohet pandërprerë, që nga viti 2011 e këtej me Serbinë, në dëm të Kosovës.

Përmbytja e vendit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar,jo vetëm se ka tkurrur tej mase perspektivën e shqiptarëve edhe gati 6 vjet pas pavarësisë,si populli më i varfër në rajon,por ato edhe janë bërë profesionet më të lezetshme me të cilat autorët e tyre të devotshëm, krenohen dhe krijojnë pasuri e pushtet,pa u brengosur se qojnë shtetin e ri të Kosovës në Dështim.

Ndaj,shqiptarët kanë shumë arsye që të bojkotojnë zgjedhjet e 3 nëntorit dhe të mos votojnë për këtë kastë politikanësh,të cilët për vite me radhë, janë bërë shkaktarët kryesor të të gjitha të këqijave që përjeton Kosova dhe populli i saj.

Prijësit e këtij vendi,kush më pak e kush më tepër,jo vetëm se varfëruan skajshmërishtë popullin e tyre ,ngritën korrupsionin në kult jetese dhe vranë pa asnjë mëshirë perspektivën evropiane të shqiptarëve,por të gjithë bashkë edhe pranuan që më 19 Prill të këtij viti,në bisedimet e “suksesshme” ndërmjet Thaçit e Daçiqit,qysh atëherë të krijohej e ashtuquajtura “bashkësi etnike serbe”të cilën shumica e deputetëve në pushtet dhe opozitë, e miratuan  në Kuvend, ani-pse Serbia në këtë mënyrë,siguroi statusin autonom për Veriun dhe “Bashkësinë e Komunave Serbe, në Kosovë”

Kështu,ish shtetit okupues, duke parë dorëlirësin e pafund të prijësve aktual të vendit,si të asnjë shteti tjetër përreth nesh,lëshimet e bëra,megjithëse ishin shumë, nuk i mjaftuan,ndaj shfrytëzoi rastin të siguroj hise edhe në zgjedhjet e Kosovës,për çka me ftesën e baroneshës Eshton, siç jemi mësuar tanimë,me mënyrën tradicionale të organizimit, u mbajtën edhe bisedimet e 7 tetorit të këtij viti sipas diktatit serb,ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit në Bruksel,të cilat nuk ishin asgjë tjetër përveçse dështimi i radhës,i qeverisë,opozitës dhe shtetit në përgjithësi,për të përfunduar edhe me një fiasko tjetër për vendin dhe goditje të rëndë për të ardhmen e shqiptarëve në këto troje.

Përveç hises që Serbia fitoi për bashkëmbajtjen e zgjedhjeve të Kosovës, ajo sipas marrëveshjes së fundit,(qoftë e fundit)do ta udhëheqë edhe fushatën zgjedhore të ish listës së përbashkët “Serbija” tani,të modifikuar si “Lista serbe” të cilën me pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë në fshatra dhe qytete anë e mbanë vendit,nga Leposaviqi deri në Shtërpcë e Prizren,do ta mbështesin dhe përkrahin përfaqësuesit më të lartë shtetëror të Serbisë.

Gjithashtu,komplet qeveria serbe, duke filluar nga kryeministri Daçiq, zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ministri i ashtuquajtur “për Kosovën” Aleksandër Vulin,ministra dhe zëvendministra të të gjitha dikastereve e deri te kryetari i Serbisë Tomisllav Nikoliq, ditët e ardhshme, do të vërshojnë vendin tonë në të gjitha anët, shëtitën lirshëm kudo dhe bëjnë fushatë të papenguar gjithandej,njëjtë si në Serbi, edhe në Kosovë.

Madje,të gjithë serbët të cilët e quajnë veten të “Kosovës” ani pse ata mund të jenë lindur e rritur në Serbi,dhe përpara mund të kenë qenë vetëm polic apo edhe ushtarak serb të ardhur nga Serbia për luftimin e “irredentistëve”në Kosovë, më 3 nëntor të këtij viti mund të votojnë me dokumente të Serbisë në zgjedhjet lokale të vendit tonë,por jo edhe mërgimtarët shqiptar.

Shifra e votuesve serb në Serbi, është fryrë deri në rreth dyzetmijë vetë, një pjesë e aplikacioneve false të të cilëve,në mungesë të dokumenteve valide, me të drejtë janë refuzuar nga KQZ,por që pas takimit të fundit në Bruksel ndërmjet Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, të gjithë atyre pa përjashtim, u është bërë e mundur, të shtrojnë ankesa kundër vendimeve të KQZ-s.

Në anën tjetër nga rreth gjysmë milioni votues-shtetas të Republikës së Kosovës me të drejtë vote,sa ka në diasporë, KQZ, ka regjistruar vetëm 1800 sish, duke u mohuar pa asnjë sqarim pothuajse të gjithë mërgimtarëve shqiptar të drejtën e votimit, pa asnjë mundësi ankese për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti.

Sidoqoftë, pa harruar qëndrimet e papërgjegjësi të politikanëve aktual, athua si i`a kanë qitur terezinë shqiptarët të cilët jetojnë në Kosovë, ta pranojnë dhe lejojnë ndërhyrjen e një vendi tjetër në zgjedhjet e tyre,sidomos të një shteti të pa rehatshëm fqinj si Serbia,që jo vetëm se refuzon ta pranojë pavarësinë, por ajo ka edhe pretendime territoriale ndaj vendit tonë e cila edhe me kushtetutë,ende e konsideron Kosovën si pjesë të saj?!…

Mjerisht, shqiptarët,e udhëhequr nga politikan të tillë, nuk kanë çka të zgjedhin as çfarë të lënë,ngase mu këta prijës janë vet problemi i këtij vendi. Ndaj,si shumicë ,shqiptarët duhet ta pyesin veten se a është e udhës,që ata të marrin pjesë në këto zgjedhje, vetëm sa për ta legjitimuar ngrehinën autonome serbe në Kosovë?!…

A duhet të dalin fare në zgjedhje,kur ata në të  vërtetë nuk kanë as për kënd të votojnë?.. cilët janë ata emra që edhe pas gjithë këtyre të këqijave të grumbulluara, ende meritojnë votën e tyre,kur për fatin e keq të shqiptarëve, cilado parti apo kandidat që mund të vijë në pushtet nga politikanët aktual,për ta është mëse e sigurt se nuk do bëhet asgjë më mirë.

Ndaj edhe po nuk votuan fare, për shqiptarët më zi- më nuk ka se ku të shkojë, përveç se mund të shpëtojnë nga një kurth dhe tradhti e madhe kombëtare, si aprovimi me votën e tyre, i një ngrehine autonome serbe në Kosovë, e cila pas këtyre zgjedhjeve edhe do të legalizohet ndërkombëtarisht dhe nuk mund të zhbëhet më kurrë.

Kështu,duke parë rreziqet që qojnë edhe në ndarjen e sigurt të vendit me këto votime, pa asnjë dobi për shumicën,dhe shumë të dhimbshme për dhjetëra mijë-të dëbuarit shqiptar me dhunë nga pjesa veriore, të cilët nuk do të guxojnë më asnjëherë të kthehen në ato anë, me të drejtë lind pyetja-përse duhet dalë patjetër në zgjedhje,apo vetëm për realizimin e planeve të Serbisë në Kosovë.

Por edhe përkundër të gjithave,nëse ju megjithatë vërtetë vendosni të dilni në zgjedhje,ju lutem mendoni vetëm pak,para se të votoni,se a janë këta njerëzit e duhur që mund të ndryshojnë diçka për të mirën tuaj,dhe para së gjithash, a keni kujt t`ia epni votën, kënd dhe çka të zgjidhni or shqiptar të dashur,ngase të pakt duhet të jenë ata udhëheqës dhe shtete në botë, nëse edhe mund të ketë të tillë, të cilët çliruan vendin me ndihmën ndërkombëtare,por pas pak vitesh u penduan dhe rikthyen pushtuesin në atdheun e tyre, me vullnetin e vet, siç ndodhë tani me mbretërit kosovar.

Gani Qarri, Cyrih, Tetor 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arsye, Gani Qarri, shqiptaret, votim

“NËSE NUK DO T’I SHMANGESH KËNETËS, DO TA KESH FATIN E KALLAMIT”

October 12, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Të nderuar miq të mi pa tarafe! Nëse këtë vështrim të radhës do ta thur me “llafe të mira”, nuk do të thotë se do të reflektoj gjë. Nuk do të thotë se gjykimet e mia detyrimisht duhet të marrin udhën e së vërtetës, argumentit a ndonjë prove tjetër. Ndaj, që të mos keqkuptohem, do të përpiqem që këtij shkrimi të mos ia fus ashtu, kot fare. Që në fillim po i vë në parantezë dy thënie të mençura popullore: “Nga avllia duket shtëpia, nga e ëma njihet e bija”, (e para), dhe e dyta – “Nëse nuk do t’i shmangesh kënetës, do ta kesh fatin e kallamit!”

Ka shumë kohë që në hapësirat tona intelektuale, politike, kulturore, fetare po edhe diplomatike, dëgjohen ca ulërima të mëdha, të forta, herë pas here të mbytura, të stërzgjatura, të pakontrolluara dhe mbase edhe të “paartikuluara”! Të gjitha këto ulërima janë pjellë e njerëzve që kur nuk i kanë informacionet a provat e sakta, mëtojnë të paragjykojnë çdo gjë, madje çdo të thënë që nuk u shkon për “hesap”. Njerëzit e tillë në vend që të ushtrojnë me ndërgjegje profesionet e tyre dhe në vend që “plehrat t’i hedhin mbi plehra”, ato i sistemojnë aty ku nuk e kanë vendin.

Nëse do të na lejohet, paragrafin e parë të këtij vështrimi, do t’ia dedikojmë fjalorit a të folmes së disa njerëzve që “merren me politikë apo (në variantin metaforik) që politika merret me ta”, si dhe personave përgjegjës që e kanë për detyrë ta vlerësojnë atë të folme (nëse ka diç për të vlerësuar). Ekspertët e gjuhës së sotme shqipe me plot gojën do të thonë se e folura e disa politikanëve (hiq mënjanë politikanët e shtetit amë) nuk është e standardizuar dhe, kur nuk është e tillë, atëherë mbetet që të jetë një komunikim krahinor a një shqiptim dialektor i papërdorshëm, fare pak i kapshëm dhe gjithsesi i pakuptueshëm për opinionin më të gjerë publik. Thjesht, ky “komunikim  politik” i tyre ushqehet me atë gjuhën e “përbaltur”, të përçudnuar, të denigruar (sa për të mos thënë edhe të shkultivuar) dhe, sa herë që e dëgjon aq herë, zorrët të vijnë në fyt… Madje, shpesh “detyrohesh” të mbyllësh veshët dhe sytë! I gjithë ky shtrembërim i gjuhës, kështu siç hetohet, të krijon përshtypjen sikur tmerrësisht dhe pamëshirshëm ka pllakosur të gjitha institucionet që duhet të jenë shembull i përdorimit të drejtë dhe normativ të shqipes standarde!

Prandaj, gjithsecili gjuhëtar i ndërgjegjshëm me të drejtë do të gjurmojë a do kërkojë shkaqet e këtij komunikimi të zbehtë dhe të pavarur të disa politikanëve sidomos atyre që i takojnë gjeneratës më të re. Ndoshta do t’i referohen sintaksës së gjuhës sllave (që ne më të moshuarit, dikur detyroheshim, ashtu pavullnetshëm, ta shkruanim dhe ta flisnim), mandej me të drejtë do t’i referohen edhe “hartës” së përgatitjes së “mangët” profesionale a arsimimit të tyre paraprak fillor, të mesëm dhe akademik. Tekefundit, as “sintaksa sllave, as harta e (mos)përgatitjes profesionale, as shqiptimi dialektor” nuk e justifikojnë këtë katrahurë të foluri të denigruar, po qoftë ai të jetë edhe politik. Duke pasur parasysh se retorika është dhunti, duke e pasur parasysh se ajo nuk mund të ndërtohet brenda një periudhe të caktuar, atëherë së paku duhet të ushtrohet… Sepse  kështu si prodhohet kjo e folur nuk e nderon, nuk e kondicionon, nuk e humanizon dhe as që e fisnikëron postin e politikanit!

Paragrafin e dytë të këtij vështrimi a opinioni gazetaresk po e fillojmë duke iu referuar disa mendimeve të shprehura të “kolumnistëve” shqiptarë, sa i përket politikëbërjes së lidershipëve nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë, pa dallim se i takojnë përkatësisë fetare ortodokse, katolike a myslimane.., pavarësisht se kanë postin e presidentit të shtetit, kryeministrit, a ministrit të punëve botore. Të gjithë këta “me demek kolumnistë”, në mungesë të njohjes së kësaj problematike, mëtojnë që këmbë e krye t’i paragjykojnë, aq sa të futen padrejtësisht edhe në oborrin e privatësisë së tyre.

Nëse sot e gjithë ditën, shqiptarët karakterizohen me fenomenin e një kombi që ka tri fe (që kombet e tjera nuk e kanë) dhe nëse ata shekuj me radhë ndërtuan atë kështjellën e harmonisë ndërfetare dhe nëse kryefjala e diplomacisë së tyre është relativisht e re, assesi nuk do të thotë se gjendet në fund të pusit të diplomacisë evropiane. Thjesht, nuk duhet lejuar gjithsecilit politikan, që hiqet për mysliman, katolik ose ortodoks të devijojë nga ky koncept, nuk duhet lejuar politikanit, që partisë së cilës i takon ta bëjë më ekskluzive, më përparimtare dhe më tolerante në krahasim me partitë tjera përkundrazi, nga kjo hapësirë duhet përjashtuar çdo majorizim a edhe ekskluzivitet i cilësdo qoftë parti dhe, për këtë e arsye të tjera, nuk duhet lejuar askujt që njërën ta proklamojë parësore e tjetrën dytësore. Së fundi, secili që do të mëtojë të bëjë një gjë të tillë, është njësoj sikur ka prekur në themelet e kombit dhe ata që i prekin ato themele, do të futen në radhët e tradhtarëve të popullit!

Parashtrohet pyetja se kush synon sot ta rrënojë kalanë e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare te shqiptarët? Padyshim se këtu do të kenë hise gjithfarë (“hiper”) analistë a kolumnistë oportunistë nga të gjitha trevat shqiptare. Disa të tillë “kolumnistë fluturakë dhe iluzionistë” nga Tirana dhe Prishtina (pa dallim feje) dhe përtej tyre, përpiqen që politikanët shqiptarë (myslimanë) t’i “… paraqesin a t’i konceptojnë si fundamentalistë”!? Këta “me demek kolumnistë” do të parashtrojnë pyetjen idioteske se pse ish- kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, dikur i “vardisej” diplomacisë turke si dhe kryeministrit Tayip Recep Erdoğan…, pse sot kryeministri i Republikës të Kosovës, z. Hashim Thaçi e përsërit atë rrugë… Disa “kolumnistë” shqiptarë myslimanë do ta përsëritin pyetjen idioteske: pse kryeministri z. Edi Rama “merr anën e jomyslimanëve”…, pse ish- presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Aleksandar Mojsiu, takonte diplomatë evropianë me përkatësi fetare katolike…, apo pse ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, takohej me diplomatë ortodoksë grekë e tjerë. Këtyre kolumnistëve u mbetet vetëm një gjë, nuk duhet majorizuar dhe as minimizuar përkatësinë fetare të lidershipëve shqiptarë, edhe përkundër përpjekjeve të grekëve e serbëve (dhe të tjerëve si ata) që në vijimësi mëtojnë ta zbehin këtë.

Andaj të gjithë analistët politikë, po edhe “kollumnistët” shqiptarë pa dallim feje duhet ta dinë se kjo tolerancë dhe harmoni e lakmueshme sot nuk është “… as mit, as shprehje e zbehtë proverbiale e as shprehje frazeologjike e as idil, as e vërtetë e vockël historike. Përkundrazi, kjo harmoni politike dhe fetare është pjellë e një historie dramatike të shqiptarëve”, siç do të thoshte Ismail Kadareja.

Ata që kanë teserën, po edhe që janë kompetentë për t’u dalë në ballë këtyre abuzimeve që i bëhen të folmes politike të shqiptarit, ata që e heshtin mungesën e tolerancës dhe harmonisë  ndërpartiake e ndërfetare te shqiptarë, nuk kanë të drejtë të heshtin, nuk kanë të drejtë të thonë se kjo nuk na “intereson”, nuk kanë të drejtë që këtë  katrahurë ta ndjekin nga larg, thjeshtë, nuk kanë të drejtë të qëndrojnë mënjanë. Sot, gjithsecili shqiptar që do ta përbaltë, do ta përçudnojë e (të mos themi edhe) që do e shkultivojë harmoninë dhe tolerancën politike te shqiptarët, duhet ta dijë se ashtu pa hiri shkel mbi themelet e kauzës së kombit. Në instancë të fundit nuk kanë të drejtë ta parafrazojnë atë shprehjen proverbiale: “Për inat të vjehrrës, do të fle me mullixhinë!”

Të paragjykosh do të thotë t’ia vësh flakën së vërtetës… dhe, nëse nuk do t’i shmangesh kënetës, atëherë do ta kesh fatin e kallamit! Prej kallamit nuk del gjë!

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, kallami, keneta

Për Një Të Djathtë Të Vërtetë

October 9, 2013 by dgreca

NGA NIKO KIRKA/

          Nga vitet tetëdhjet të shekullit të kaluar gara e armatimeve midis dy blloqeve ushtarakë-politikë kundërshtarë, NATO, kryesuar nga USA dhe “Perandoria e së keqes”, kryesuar nga URSS, po merrte përmasa të jashtëzakonshme.Barra e shpenzimeve ushtarake po e rëndonte çdo ditë e mëshumë ekonominë e vëndeve pjesmarëse në atë garë. Edhe për ekonominë shumë të shëndoshë amerikane, ajo po bëhej e papërballuëshme, kështu që Presidenti Eisenhauer iu drejtua edhe shteteve të tjerë për të marë pjesë në programin e “Luftës së Yjeve”.Ndërsa për Bashkimin Sovjetik situata ishte tepër e vështirë. Në pamundësi që të gjente burime veç atyre që dispononte vetë dhe duke kufizuar jashtëmase shpenzimet civile për nevojat jetike të popullsisë, udhëheqja sovjetike filloi të shihte se i ishte futur një rruge pa krye.Por këto mëdyshje nuk dilnin në shesh.Në dukje çdo gjë ishte solide, zhvillimi e përparimi vazhdonin në bllokun sovjetik, jeta ishte e lumtur, bash ashtu si dinte ta zbukuronte mjeshtërisht propaganda komuniste.

Megjithatë diçka filloi të ndjehej. Në fund të 1984-ës një delegacion i parlamentit sovjetik bëri një vizitë në Britani. Kryetari i delegacionit, Gorbaçovi, dukej se mbante tjetër qëndrim, sillej ndryshe, fliste ndryshe. Nuk ishte qëndrimi i ngurtë, i ashpër dhe gjuha e vrazhdë, e drunjtë që shfaqnin zakonisht gjerarkët komunistë. Filluan të përdoren fjalë të reja si “gllasnost” e “perestrojka”. Deklarata e Thatcherit se ai po mundohej ta bënte të funksiononte më mirë sistemin e tyre nuk vonoi. Vetë udhëheqja sovjetike pat lënë të kuptohej se regjimi komunist nuk po ecte, pra kish dështuar!

Të gjithë jemi dëshmitarë se si rodhën me shpejtësi ngjarjet deri sa arritëm që edhe në Shqipërinë tonë të mbyllur, Ramiz Alia të bënte ndryshimet e duhura, ndonëse me një vit vonesë që iu desh për të bërë pregatitjet e duhura. Në euforinë e përgjithëshme populli i ngazëllyer që po merrte frymë lirisht, ne të dënuarit e të mallkuarit e regjimit që po dilnim nga zgafellat ku na patën futur, si të vdekur të ringjallur, harruam diçka që ishte fatale dhe është edhe sot për vëndin tone: mashtrimin e tyre të pasosur. Kështu që për të ruajtur sundimin e tyre ishte shumë e lehtë për ta, pa ndonjë brerje ndërgjegjeje, pa asnjë sforcim, brënda natës, ndryshimi nga komunistë në antikomunistë, nga mallkues të sistemit kapitalist në hymnizues të tij, nga përçmues të demokracisë borgjeze në lavdërime të pluralizmit politik, nga mallkues të imperializmit amerikan në b-lëpirës të tij, e kështu me radhë. Dhe për t’i bërë sa më të besueshëm këta antikomunistë të thekur , caktuan një pjesë të tyre, gjoja si nostalgjikë të ideologjisë së tyre, që do të ishin si kundërshtarë politikë të të parëve dhe do të plotësonin kështu skenën politike të demokracisë shqiptare. Kështu do të vazhdonte jeta në vëndin tonë, të sunduar po nga ajo kastë kriminelësh, grabitqarësh dhe hajdutësh, por në kushte të reja.

 Por për të qënë më të sigurt për sundimin e tyre në të ardhmen, u përgatitën shumë djallëzisht se si do të vepronin në atë që do të quhej krahu i djathtë i politikës.Duke qënë se pasardhësit e klasës që para 1944-ës drejtonte jetën politike, ekonomike e shoqërore në Shqipëri, ishin thellësisht të atij krahu, sigurisht nuk mund të pranonin bashkëpunimin me ish komunistët të kthyer në antikomunistë. Atëhere u paraqit teza djallëzoree “së keqes më të vogël” dhe u zbatua mashtrimi i madh historic: lëvizja studentore dhe Partia Demokratike që do të përfaqësonin krahun e djathtë politik në vëndin tonë. Në këtë grackë ranë në fillim disa ish të burgosur politikë, mjaft të arsimuar që nuk vinin nga ish kasta e komunizmit shqiptar dhe shumë të tjerë që sinqerisht besuan te parullat antikomuniste që po shpaloste “e djathta” parti demokratike! Megjithse të gjithë jemi dëshmitarë se si u zhvillua jeta politike dhe si rodhën ngjarjet në këta njëzet e ca vjet, mendoj se është e domosdoshme të rikujtojmë dhe të shqyrtojmë më me kujdes disa qëndrime dhe disa akte që detyrimisht të detyrojnë të shtrosh pyetjen: a ka qenë ndonjëherë antikomuniste dhe e djathtë kjo Partia Demokratike?

Qëndrimi që ka mbajtur PD-ja ndaj krimeve të regjimit komunist dhe kriminelëve të atij regjimi është guri i provës. Në vizitën e parë që bëri në Strasburg komunisti-antikomunist  Sali Berisha deklaroi se nuk do të bëheshin gjyqe politikë dhe nuk do të krijoheshin gjykata special. Kështu që jo vetëm nuk u dënua asnjë kriminel i atij regjimi me gjithë barbaritë që patën bërë, por nuk iu bë as në tërësi gjyqi politik atij regjimi. Përkundrazi sot ke shumë nga ata në pozita ekonomike e politike që në atë dimrin e 90-91-së as nuk do të guxonin t’i shihnin në ëndër! Pra antikomunizmi i PD-së ishte mashtrim!

Si parti e djathtë ose e qendrës së djathtë, duhet të dilte në mbrojtje të interesave kombëtare sidomos kundër  gjallërimit agresiv të shovinizmit grek. Por u bë krejt e kundërta.U pranua gjoja si parti shqiptare partia greke PDNJ që u shpërnda në gjithë Shqipërinë. U lejua çelja e shkollave greke, gjoja për nevojat e minoritetit grek edhe në Korçë, kur dihet historikisht që në prefekturën e Korçës që nga Mesi Urave, në Leskovik dhe deri në Qafën e Thanës nuk ka pasur kurrë asnjë minoritar vëndas. U lejua ngritja e varrezave për ushtarët grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke 1940-41, që bëri të mundur të vijnë çdo vit emisarët e shovinizmit grek për të kremtuar festat e tyre! A ka fyerje më të madhe që mund t’i bëhet  ndjenjës kombëtare të shqiptarëve?! A mund t’i bënte këto një parti e pozicionuar djathtas, që duhet të ketë në programin e qëllimin e saj mbrojtjen e zhvillimin e vlerave kombëtare?

Me një mëndjelehtësi skandaloze, që pa hezitim mund ta quash tradhëti kombëtare, u negociua dhe u nënshkrua marëveshja për kufirin detar me Greqinë. Aq e pabesueshme ishte pranimi i kërkesave greke, sa ministrja greke Bakojanis e cilësoi këtë akt “një fitore strategjike”! A mund  ta bënte këtë një parti e djathtë që një ndër synimet kryesore ka mbrojtjen e interesave kombëtare?! Të mos flasim pastaj për lëshimet e fshehta dhe të hapura bërë sërbëve të Milloshevicit, ku furnizimi me naftë në shkelje të embargos ishte më skandalozi e pastaj favorizimi i bizneseve të tyre në dëm të Kosovës. Kombëtarizëm I thonë këtij?!

Duke marë parasysh përbërjen e popullit shqiptar me besime të ndryshme fetare, rilindasit tanë nxitën e filluan të rrënjosin ndjenjën e tolerancës dhe mirëkuptimit midis komuniteteve të ndryshme fetare. Dhe një faktor shumë i rëndësishëm në këtë drejtim ka qënë Kisha Ortodokse Autoqefale. Autoqefalia ka qenë gur themeli për pavarësinë e Shqipërisë! Dhe këtë thesar të çmuar që na lanë rilindasit, Sali Berisha, në postin e presidentit të vëndit, me një injorancë të pabesueshme të zhvillimeve historike të vëndit të vet, e nëpërkëmbi dhe e dëmtoi rëndë duke ia dorëzuar një të huaji dhe ca më shumë, një emisari të shovinizmit grek që aq shumë e pat luftuar Kishën tonë, duke ia përgjakur rrugën e saj me shumë klerikë martirë. Dhe meqënëse Saliu është njëjsuar me PD-në, lind pyetja e përsëritur: a ka qënë kjo biçim parti e djathtë, mbrojtës e interesave kombëtare?!

Në euforinë e përgjithshme të dimrit 90-91 më të shpresë lindurit ishin ata që mishëronin pjesën më energjike, më të shkathët dhe më të dobishme për vëndin, pra shtresa e të shpronësuar nga regjimi i parazitëve enveristë. Pronarët prisnin që të vihej drejtësia në vënd nga PD-ja si parti e djathtë. Por zhgënjimi erdhi menjëherë. Në vënd që ta abrogonin me të ardhur në pushtet, ata filluan zbatimin e ligjit ramizist mbi tokën të ngritur mbi parimin leninist “toka i takon atij që e punon” dhe ndahet sipas frymëve! Dhe djallëzisht filluan mashtrimin se abrogimi i atij ligji, do ta shtynte fshatarësinë të mos votonte për ta. Dhe këtë e thonin kur kishin fituar tashmë zgjedhjet, në mënyrë plebishitare, bile! Dhe si çekiç, godet pyetja: një parti e djathtë pse synon të fitojë zgjedhjet, të vijë në pushtet dhe të mos zbatojë një program të djathtë?! Përse e kërkon atëhere pushtetin?! Po zhgënjimi do të vazhdonte edhe më tej: nga fundi i prillit 1993 më në fund doli ligji për kthimin e kompensimin e pronave, një ligj keqtrajtues që në titull me cilësimin “ish-pronarët”! I ndërtuar në mënyrë tepër djallëzore synonte ta ndërlikonte për ta bërë të pazgjidhshëm çështjen e pronës. I ndarë nëdy momente “njohja” dhe “kthimi”, mashtronte e tallej me pronarin, sepse ia njihte pronën, por me pretekste të ndryshme nuk ia kthente! Duke shpërndarë disa thërrime aty-këtu, filluan me lloj-lloj truke ligjore duke përvetësuar pronën e pronarëve të ligjshëm me dy synime: të mos lejonin fuqizimin ekonomik e rrjedhimisht politik të asaj shtrese për vokacion e tradicionalisht të djathtë dhe nga ana tjetër të fuqizoheshin vetë ekonomikisht për të mbajtur pushtetin politik. Nuk u ngopën me aq kurrsesi! Mbas 90-ës nxitën një zhvendosje masive të popullatës drejt zonave fushore që grabiti tokat e bashkatdhetarëve të tyre e krijoi qëndra banimi që janë shndruar në zona krimesh e konfliktesh. Dhe kryetari Sali Berisha deklaronte se “jemi krenarë që ata nuk ndërtojnë bidonvila me kartonë e dërrasa, po ndërtime me blloqe betoni”! Mburej ky komunist fanatik me ata banditë që me kosore në dorë erdhën e zaptuan gjënë e tjetrit! Nuk mendojnë se kanë krijuar një armiqësi midis shqiptarësh që do të vazhdojë shumë gjatë, sepse çdokush do tua lërë amanet me shkrim pasardhësve të tij, se sa dhe kush ua ka zaptuar mallin e gjënë. Edhe sot mbas 23 vjetësh ka shumë e shumë pronarë që nuk kanë përfituar asnjë qindarkë nga pasuria stërgjyshore! Pra, duke zbatuar një politikë të tillë, a mund të quhet parti e krahut të djathtë PD-ja?!

Në 90-tën shtresa shoqërore që, në mënyrë natyrale, me të drejtën morale, njerëzore e hyjnore, u ndje e lumturuar, ishte shtresa e ish të burgosurve e të përndjekurve politikë. Të vrarë, të cfilitur, të nëpërkëmbur, të dënuar të jetonin në mjerim, ata po dilnin nga zgafellat, ku i patën futur dhe po e ndjenin se po ringjalleshin. Të bindur se me qëndresën e tyre, duke mos u thyer nga dhuna, pra edhe me kundërshtimin pasiv ndaj diktaturës, ata kishin mbajtur të ndezur atë flakëzë shumë të vogël nga e cila shpërtheu ai flakadan i madh i shpresa të mëdha.  Ata besuan sinqerisht dhe mbështetën plotësisht liderat që ua vunë përpara për të udhëhequr rrëzimin e komunizmit dhe vendosjen e regjimit të bazuar mbi lirinë dhe drejtësinë. Po mashtrimi mizor që iu bë atyre, tradhëtia e ndyrë ndaj besimit që ata patën, është një nga qëndrimet më të errëta, më të pabesa, më të neveritshme që kanë ndodhur ndonjëherë në këtë mëmëdhenë tonë. Me ndonjë lëmoshë në dy-tre vitet e para, “komunistët-antikomunistë” i nxorën kthetrat dhe i hodhën tutje ata që vinin nga kjo shtresë. Në vënd të një ndihme morale e politike për t’iu afruar kushteve të barazisë në garën e lirë të ekonomisë së tregut, ata u mënjanuan e u keqtrajtuan dhe për më tepër u përtallën. Po, po! Ndërsa nga partia e vazhdimësisë bolshevike ndjenim të vinte vala e urrejtjes, nga partia e komunistëve demokratë ndjemë hidhësinë e talljes! Kurse kulmin e sjelljes përçmuese ndaj nesh e përjetuam me dëmshpërblimin që i jepet një ish të burgosuri për kohën që ka kaluar nëpër qelira, edhepse ka qënë i pafajshëm. Megjithëse i parashikuar në Kodin Penal, përgatitja e këtij ligji që djallëzisht iu ngarkua ta pregatitnin pinjollë të ish gjerarkëve komunistë, jo vetëm që parashikonte një kalvar të gjatë për gjetjen e dokumentave, por u zgjat shumë në kohë duke synuar ta shfrytëzonin për qëllime propagandistikë për përfitime elektoralë. Pabesisht u suallën pastaj duke ndryshuar fshehurazi ligjin! Në fillim parashikohej ndarja në tetë këste, nga një për vit, kurse më vonë u tha që do të shlyhej në fund të 2017-ës, ndërsa për tetë vjet në pushtet dhanë vetëm dy këste për rreth pesëmijë dosje nga përmbi 22 mijë! Dhe vetvetiu bëhet e lodhshme pyetja: a ka qënë ndonjëherë e djathtë kjo parti që mban një qëndrim të tillë armiqësor ndaj shtresës më të vendosur e më besnike ndaj një programi politiko-shoqëror vërtet të djathtë?

Përfundimisht, PD-ja nuk ka qenë kurrë as antikomuniste dhe as e djathë! PD-ja ka qenë e mbetet një gënjeshtër, ka qenë e mbetet një mashtrim historik! Sot, mbas më shumë se dy dekadash, kemi parë lojën e ndyrë gjoja midis dy blloqesh me filozofi të ndryshme politike, kurse në të vërtetë ka qenë vetëm një tufë banditësh e ndarë në dy tarafe që kanë luftuar egërsisht kundra njëri-tjetrit se kush do të zhvaste copën më të madhe nga kjo Shqipëria jonë e pocaqisur. Kjo katrahurë nuk mund të vazhdojë më dhe nuk duhet të vazhdojë.

Si pasardhës i një familjeje me veprimtari të theksuar nacionaliste, si një ish i burgosur politik që nga viti i largët 1946, me të drejtën e  moshës së avancuar, e ndjej si shtysë të brendëshme, si detyrim të ndërgjegjes sime, këtë parashtrim publik të bindjeve e të këndvështrimit tim se si mund të ecet në gjëndjen e krijuar. Si një i djathtë, i bindur që filozofia politike e së djathës në zbatimin e saj, është në interes të vendit, do të flas vetëm për të. Për sa i përket krahut tjetër, kur ata të zhvishen nga trashëgimia duke dënuar të kaluarën kriminale, do t’i konsideroja si kundërshtarë politikë. Duke vënë këto piketa, le të vazhdojmë.Me gjëndjen e krijuar mbas zgjedhjeve të 23 qershorit, me daljen hapur të kundërshtive brënda kryesisë së PD-së, ka ardhur koha që të djathtët e vërtetë që kanë ngelur në PD të shkunden, të mbajnë qëndrimin e duhur e të formojnë grupin e tyre parlamentar. Këtë mund ta bëjnë dhe duhet ta bëjnë ata që nuk e kanë prejardhjen familjare nga kasta komuniste, pra nuk kanë mëndësinë e botëkuptimin e banditit grabitqar. Po e konkretizoj mendimin: Deputetët e Durrësit, Gent Strazimiri e Igëll Cara, ata të Tiranës Dashamir Shehi, Halim Kosova e Florian Mima, deputeti i Shkodrës Nard Noka mund të gjejnë edhe një tjetër që plotëson kushtet e le të formojnë grupin. Ky grup parlamentar do të gjejë mbështetjë e bashkëpunim me Mark Markun, Visar Zhitin, Gilman Bakallin, Shefqet Deliallisin, Genc Jukën e të tjerë që nuk më kujtohen tani. Nuk njoh asnjërin personalisht, por mendoj që këta e kanë brumin dhe hirin për të bërë këtë veprim. Edhe le të marin kontakt me figurat dinjitoze të FRD-së që me qëndrimin që mbajtën me zgjedhjet e 23 qershorit treguan vizion të qartë politik, vendosmëri, integritet, forcë karakteri dhe sëbashku le të krijojnë të djathtën e vërtetë, atë që në formën e saj të mirëfilltë s’ka egzistuar asnjëherë tek ne por për të cilën atdheu ynë ka aq shumë nevojë. E di që do të ngrihen zëra të shumtë që nuk do të lenë gjë pa thënë për personat e lartpërmëndur e për FRD-në. E di, gjithashtu, që të gjithë ata që kanë kaluar nëpër baltovinën politike të PD-së të mos kenë ca stërkala balte mbi kurriz. Por jam i bindur gjithashtu që zhytja me zemër të hapur në ujrat shkumbëzuese të dlirta të Shqiptarizmës, pastron çdo stërkalë që mund të kesh pasur mbi shpinë. Jam i ndërgjegjshëm që ka vështirësi, që ka inate, hatërmbetje, keqkuptime të shkaktuara nga thashethemet të zakonshme për ne, por kemi një gjë të madhe që nuk duhet ta harrojmë, kemi shëmbullin e shkëlqyer të të parëvë tanë, kemi amanetin e madh të tyre dhe duhet të tregojmë që mëndësia 70 vjeçaree banditizmit komunist na ka dëmtuar shumë po nuk ka mundur të na e ndryshojë ADN-në stërgjyshore.

Një parti e tillë e djathtë, pa asnjë lidhje me të infiltruar nga kasta komuniste, me një grup parlamentar në Kuvënd, do të ketë një peshë të mirë në skenën politike të vendit. Baza shoqërore e saj do të jenë shtresa e pronarëve të shpronësuar dhe ish të burgosurit e të përndjekurit politikë. Po sa janë këta? Në gjoja-garën për kryetar të PD-së Basha i quajti ata “palca e partisë”, kurse Olldashi i saktësoi si 11.8 % të elektoratit. Sipas shifrave të deklaruara të Agjensisë së Kthimit të Pronave, janë dorëzuar 80 mijë kërkesa për kthim prone. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, janë mbi 22 mijë kërkesa për dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Për të rrumbullakosur shifrën po i bëjmë tok 100 mijë. Pa llogarira të zellshme bëhen rreth 300 mijë votues që mund të dërgojnë në Kuvend 30 deputetë!

Realizimi I kësaj çështjeje do te ketë shumë vështirësi dhe do të kërkoje kohe. Po kryesisht kërkon durim, vendosmëri, bindje të thella, forcë karakteri. Mbi të gjitha kërkon përkushtim dhe ata që do të luftojnë për ta sendërtuar ta konsiderojnë vehten jo politikanë të zakonshëm, por luftëtarë misionarë. Misioni i tyre ka në thelb një kumt amanet që vjen nga thellësia e kohës: Shqipëria do të bëhet, kur të bëhen shqiptarët dhe shqiptarët do të bëhen kur ata të formojnë e të zhvillojnë ndërgjegjen kombëtare! Gjithmonë kam besuar në këtë kauzë e vazhdoj të besoj. Shpresoj ta shoh të fillojë të ecë përpara para se unë të kapërcej pragun që e shoh se po i afrohem. Besoj dhe lutem: Zoti na bekoftë!

Nju Jork  7  Tetor 2013

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Niko Kirka, per nje te Djathte, te vertete

POLITIKA SHQIPTARE NË HIGH HEELS PËRPARA TRAGJEDISË LIVE TË SOFIE QENDROS

October 8, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Këto ditë na panë sytë një tragjedi e cila nuk u luajt në një skenë teatri apo amfiteatri. Nuk ishte një tragjedi greke as e mesjetës. Nuk ishte e shkruar as nga Eskili, as nga Shakespeare. Por për nga përmasat i tejkalonte edhe tragjeditë e antikitetit grek e romak edhe tragjeditë shekspiriane. E kalonte tragjedinë e Persëve, Prometeut të lidhur. E sfidonte Othellon, Hamletin apo Romeo e Zhulietën. Tekstin e saj nuk e kishte shkruar asnjë dramaturg shqiptar. Dramaturgët shqiptarë shkruajnë skeçe e vazhdojnë të kenë në kokat e tyre skemat e dramave të realizmit socialist. Kjo tragjedi nuk u luajt nga aktorët e teatrove shqiptare, të cilët sot ndihen si lypsarë dhe të mjerë.
Kjo tragjedi mirëfilli shqiptare u interpretua „live“. Nga një zonjë e moshuar 87 vjeçare mbetur në mes të katër rrugëve, e cila  vdiq „live“ përpara syve tanë. Sepse e lamë ne që të vdesë. Vdekja e kësaj gruaje të moshuar është produkt i asaj që ka prodhuar politika shqiptare këto 23 vjet. Tragjedia e kësaj nëne dhe gjysheje është pasojë e indiferencës së shoqërisë në degradim.
Zonja Sofie Qendro shërbeu si subjekt i gazetave dhe televizioneve. Mjerimi i saj u fotografua, xhirua dhe shërbeu si mall për botën multimediale shqiptare, e cila konkuron për nga teknika me vendet më të pasura të botës. Sofie Qendro u la të vdesë pak e nga pak, ne të gjithë e lamë atë të vdiste. Ne të gjithë e vramë pak e nga pak. E para ishte politika, e dyta ishte shoqëria civile, i treti pushteti i katërt, pastaj vinim të gjithë ne, shoqëria shqiptare.
Ajo grua vdiq dhe askush nuk çau krye për këtë vdekje tragjike të imponuar nga një shtet që ka dalë nga funksioni dhe për një shoqëri e cila ka hequr dorë nga vlerat që e kanë bërë t’iu mbijetojë të gjitha tallazeve. Asaj gruaje i vunë vizën që në gjallje. Cinizmi i ne të gjithëve ishte kanibalesk. Sepse vetëm kanibalët ushqehen me mish njeriu, me mishin e më të dobtëve, pjesës më vulnerabël të shoqërisë.
Në Shqipëri janë mijëra banesa bosh – ndërtuar nga biznesi i ndërtimeve. Në Shqipëri s’ka fabrika, si tha Peter Lucas. S’ka fabrika por ka kazino. S’ka bukë, por ka biskota! Në Shqipëri s’ka fabrika por banesa bosh ka me mijëra, ku mund të strehohej shumë mirë zonja Sofie Qendro, nëse do të shqetësohej dikush, por në asnjë nivel nuk u mor askush me dramën që po luhej para syve tanë, e cila nga çasti në çast pritej të shndërrohej në tragjedi. Klasa jonë politike ka disa shtëpi, në qytet e det. Vilat e tyre ishin bosh dhe asnjëri prej tyre nuk u tregua i mëshirshëm, human, solidar sa për të gjetur një zgjidhje të përkohëshme deri tek zgjidhja definitive. Që ajo zonjë të mos vdiste, këtu para syve tanë, nën dritën e projektorëve, blitzave dhe kamerave të televizioneve.
Disa ditë më parë, shtypi i Tiranës ishte fokusuar tek luksi i veshjeve të klasës politike, si një narracion pa asnjë pikë kritike. Për të treguar shijet e VIP-ave shqiptarë që këtë luks dhe prosperitet e kanë prej taksave të shqiptarëve, dmth, prej taksave tona!

Para disa ditësh në një intervistë Adelina Mamaqi një shkrimtare për fëmijë tregonte se pensioni i saj është 130 mijë lekë të vjetra dmth 90 Euro, ashtu si gjysmë milioni pensionistë, nënat dhe baballarët tanë! Po këpucët e grave të politikës sa kushtojnë? Disa fish më tepër se pensioni i Adelina Mamaqit!

Ku jemi duke shkuar kështu ?

E çfarë qeraje për banesë mund të paguajë një e moshuar si zonja Sofie Qendro me 100 Euro pension? Në çdo shoqëri normale, në çdo vend normal është shteti që jep përkrahje sociale, është shoqëria civile që tërheq vemendjen, janë mediat që ngrejnë në këmbë opinionin publik që të mos lejohet kurrë „live“ ekzekutimi i një gruaje të moshuar, prej inkuizicionit të indiferencës sonë! E lamë ne të vdesë prej mungesës së mëshirës dhe ndjenjave njerëzore.
Nuk ka asnjë lloj justifikimi për tragjedinë „live“. Kjo tragjedi e ekzekutuar përpara nesh, tregon se ndërgjegjia jonë është blozë. Sofie Qendro na akuzon ne! Sofie Qendro është e pafajshme. Ne jemi fajtorë të vdekjes së saj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, politika shqiptare, Sofie Qendro

Përrallat e gjyshes!

October 4, 2013 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/

Fushata nisi. Partitë e mëdha, sigurisht, me xhepin më të fortë e kanë nisur fushatën me bujë të madhe. Me koncerte, me reklama, me bilborde, me vetura të mbuluara me flamujt apo me kamionçina ftojnë votuesit për të votuar ndonjërin nga kandidatët. Gjatë këtyre 30 ditëve të fushatës parazgjedhore në Kosovë, në të gjitha mediat elektronike dhe ato të shkruara, do të kemi mundësi të shohim partitë politike dhe kandidatët e tyre, duke dhënë premtime të pafundme në mënyrë që t’i bindin votuesit që të dalin në zgjedhje dhe t’i votojnë ata. Do të dëgjojmë akuza të lloj-llojshme që do të bëjnë partitë dhe kandidatët kundër njëri-tjetrit. Qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi kandidatët e tyre t’i shohin edhe për së afërmi, pasi ata do të shkojnë në çdo cep të Kosovës, lokal për lokal, madje edhe nëpër kafeneja dhe çajtore për të kërkuar votën e tyre, duke ju dhënë premtime të mëdha që natyrisht ato kurrë nuk i realizojnë. Motoja e çdo kandidati padyshim që do të jetë; voto për mua, sepse unë do ta realizojë këtë që kryetari i mëhershëm e ka premtuar por nuk e ka realizuar. Ata me çdo kusht do të mundohen t’i bindin votuesit që të votojnë për ata. Zhgënjimi i qytetarëve të Kosovës me partitë politike është shumë i madh, dhe në çdo zgjedhje nacionale ose lokale që janë mbajtur në Kosovë është vërejtur në masë të madhe ky zhgënjim, derisa në zgjedhjet lokale të vitit 2000 pjesëmarrja e votuesve ka qenë 82 për qind në vitin 2010 pjesëmarrja ka qenë 42 për qind, dhe sipas shumë OJQ-ve në këto zgjedhje pjesëmarrja e votuesve do të jetë akoma më e ulët. Shifrat flasin vetë dhe zhgënjimi i qytetarëve të Kosovës për të mos dalur në zgjedhje është mëse e arsyeshme, pasi deri më tash premtimet e partive politike që e kanë shijuar pushtetin nuk i kanë realizuar ato për t’ju rregulluar sadopak jetën atyre. Janë shumë arsye pse qytetari i Kosovës  që të mos dalë të votojë në këto zgjedhje.

-Republika e Kosovës edhe 14 vite pas luftës, po përballet me mungesë të energjisë elektrike dhe kjo po ndikon drejtpërdrejt që investitorët e huaj të mos investojnë në Kosovë.

-Papunësia mbetet në shifra alarmante. Kemi një ekonomi të brishtë, fabrikat u shitën për një shumë qesharake dhe shumica prej tyre nuk janë funksionale, ato me ndihmën e qeveritarëve ranë në duart e matrapazëve, ku padyshim hise në këto fabrika kanë edhe një pjesë e politikanëve tanë, ndërsa varfëria po shtohet dita-ditës. Mbi 400 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në varfëri të skajshme/ekstreme, dhe mijëra familje të djegura nga lufta ende s’kanë kulm mbi kokë.

-Familjet e dëshmorëve, martirëve dhe invalidëve të luftës kanë mbetur pa përkujdesje institucionale, në mëshirën e Zotit, dhe vetëm gjatë fushatave elektorale të partive politike kujtohet kjo kategori dhe kryesisht përdoret për të fituar në kurriz të tyre sa më shumë vota.

-Shëndetësia është në gjendje të mjerueshme, dhe pacientët që vizitohen çdo ditë nëpër spitalet e Prishtinës e gjetiu, më së miri e ndiejnë këtë gjendje katastrofale në të cilën ndodhet shëndetësia në Kosovë.

-Cilësia në arsim ka rënë dukshëm, ku po dominojnë Universitetet private që pas luftës u bien si këpurdhat, dhe dita-ditës këto të vetëquajtura ”Universitete” po prodhojnë analfabetë me diploma,  që padyshim këto gjëra do t’i kushtojnë më vonë Kosovës shumë shtrenjtë.

-Korrupsioni është shpërndarë si kancer në të gjithë Kosovën, ku marrim gjithmonë kritika nga organizata të ndryshme financiare dhe nga BE-ja, për nivelin e lartë të korrupsionit.

-Krimi i organizuar, trafikimi i qenieve njerëzore, prostitucioni, Kosovën po e përcjellë edhe tash 14 vite pas përfundimit të luftës. Organet policore si dhe sistemi i korruptuar gjyqësor nuk po ia arrijnë t’i luftojnë këto dukuri negative, që janë shumë të dëmshme sidomos në këtë fazë të shtetbërjes që po kalojmë, ku e gjithë bota kanë vëmendjen tek ne se si po e menaxhojmë këtë pavarësi gjysmake(të çaluar).-Veriu i Mitrovicës po vazhdon akoma të mbetet jashtë juridiksionit kushtetues të Republikës së Kosovës, dhe si në çdo fushatë parazgjedhore partitë politike do ta përdorin pikën më të nxehtë Veriun e Mitrovicës, kinse ata do ta ri-bashkojnë qytetin e ndarë të Mitrovicës që nga paslufta, në mënyrë që të fitojnë sa më shumë vota.

Premtimet e partive politike në Kosovë që i kanë bërë në të kaluarën në çdo fushatë parazgjedhore por që do t’i bëjnë edhe tash, janë të besueshme që do t’i realizojnë, aq sa përrallat e gjyshes sime që mi tregonte kur kam qenë i vogël në mënyrë që të më qetësonte dhe të flija gjumë dhe kur u rrita e kuptova që ato përralla kishin qenë të gjitha gënjeshtra.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, opinion, perrallat e gjyshes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 788
  • 789
  • 790
  • 791
  • 792
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT