• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRONARI I “MEJHANES” DHE QENGJAT E KUQ TË BEUT

April 6, 2013 by dgreca

NGA Fadil LUSHI/

Të nderuar lexues, me këtë parashtrim gazete që do ta shkarravis në vijim, ndoshta nuk do ngre diç të veçantë në kandar. Këtë do t’ia dedikoj mbamendjes sime të trazuar dhe të rebeluar. Higjienën e mendjes a edhe dilemën time morale karshi një vakie që kishte ndodhur shumë kohë më parë, do të bëj përpjekje ta vë në “peshojë të tyxharit”. Por para se ta jetësoj këtë tregim, më duhet t’i referohem një shprehje proverbiale, ku pos të tjerash thuhet: “Rruhu nga miku budalla se ta vret mizën në ballë”!?

Unë jam paksa skeptik sa i përket vërtetësisë së këtij proverbi. Një i tillë “budalla” para pesë dekadash rronte në mëhallën tonë. Përndryshe ishte pronar i një “mejhaneje” e cila frekuentohej nga “bohemët” e atëhershëm tetovarë. Kjo “mejhane” pas kushedi sa motesh ra në falimentim. Bashkëmoshatarët e mi, sot e kësaj dite janë “nostalgjikë për atë mejhane dhe për ato kohëra të llumta”. Nuk mund të thuash se ky “pronar filokomunist e filodallaverexhi”, vërtet ishte i marrë a i rrjedhur nga mendja, përkundrazi ishte një njeri që shquhej për zotësi në fushën e zanatit të tij…, ishte një dhelparak i llojit të vet. Dhe ky që ne e konsideronim injorant, lëkurën a mbështjellësin e trupit e kishte të regjur a të trashë. Nën atë lëkurë “mbante” sekretet dhe misteret e tij për të cilat kurrën e kurrës nuk u hetua as një e vetme provë. Ai nuk dilte dot aq kollaj nga ajo lëkurë. Sa herë që ia donte qejfi, “ngarkonte një maunë” me njerëz të lajthitur, të mençur, intelektualë, të ndershëm, të persekutuar, shehërlinj, katundarë, fisnikë e të tjerë. Ky asnjëherë nuk preokupohej dhe nuk dalldisej me hallet e “myshterinjve të tij”…, nuk i hynte në punë e vërteta se pse ata, nuk i kishin punët në terezi a pse atyre u mungonte mirëqenia materiale dhe rehatia familjare. Thjesht, sillte vërdallë një shehër a kasaba dhe për këtë nuk kishte bir nëne që do të guxonte të hapte gojë e t’i thoshte: “…, o ti mejhanexhi, mbylle këtë ahur pasi që në të ndërtohet kështjella e thashethemeve të kapixhikëve…, sepse aty spiunohen atdhetarët, aty zaptohet prona e fukarenjve, aty falsifikohet trashëgimia e dishepujve të vatanit, aty përflitet morali i familjeve me taban kombëtar, aty keqpërdoren  ndihmat humanitare dedikuar jetimëve të popullit, aty sajohen vlera, aty ushqehet e frymon luksi i heshtjes dhe indiferencës së bohemëve karshi pisllëqeve që hetohen në mejhanen tënde…, aty ku bashkëqytetarët e mi futen ashtu vullnetshëm dhe përtej dëshirës së tyre nuk dalin dot “kollaj” prej aty…!

Një ditë një mik i tij i kishte parashtruar pyetjen se pse nuk “e ndryshon biznesin”!? Ky “budalla” ia kishte kthyer atë “hazërxhevap”: Po ç’më duhet tjetër “biznes” kur kam një maunë me “qengja të kuq” të cilët për të zënë rend që të futen në “mejhanen” time,  paraprakisht duhet të thyejnë kokën e njëri-tjetrit që pastaj paratë e “ekonomisë familjare” t’i bëjnë “rrush e kumbulla”? Kjo vaki i ngjan asaj pyetjes të fshatarëve të cilët kur e kishin pyetur “dashin” se pse na dukesh kaq i shqetësuar e i inatosur…, ai u kishe dhënë përgjigjen: “nuk mërzitem e nuk më vjen zor se pse punoj natë e ditë, por më vjen inat pse qengji dhe qengjat e kuq të qehajait të beut hanë hazër”!?

Lexuesit e mi të ndershëm dhe pa tarafe, me të drejtë do të parashtrojnë pyetjen se kujt i hyn në punë ky parashtrim gazete që (ri) përsëritet edhe pas një gjysmë shekulli, kujt i duhet që ta lexojë këtë tregim a “thashetheme” që ka dalë nga hapësirat e mëhallës së fukarenjve…, një tregim që nuk lexohet as ndër dhëmbë e as ndër buzë…, dikush tjetër do thotë se e gjithë kjo nuk konvergjon me realitetin që jeton gjithsecili…, në instancë të fundit askush nuk e ka hallin e etikës së këtij parashtrimi si dhe porositë që i përcjell ai.

Një “mejhane politike” sot funksionon në kryeqendrën politike të Shqipërisë londineze, e cila frekuentohet nga politikanë opozitarë si dhe nga ca opinionbërës “tebdil” (njerëz që fshehin veprimet e qëllimet e tyre djallëzore) që mbajnë anën e pushtetarëve aktualë. Kur jemi te “dashi”, mua do më duhet t’i referohem historisë së batutave për këtë kafshë shtëpiake. Nëse na lejohet, po e fillojmë me “qengjin” e një qehaje të beut. Thonë se “qengji” që kishte braktisur kopenë, aq shumë kishte pasur uri, saqë “kishte ngordhur” midis dy togjeve të barabarta me sanë, sepse nuk kishte mundur të vendoste cilën të fillonte ta hante. Ky “qengj” në psikologji merret si shembull i konfliktit të dyfishtë emocional gjegjësisht të një ambivalence (ndasie) që shprehet tej mase te njerëzit me karakter tragjik. Për hir të një respekti ndaj personaliteteve që mund të hetohen në vijim të këtij shkrimi, do të bëj përpjekje maksimale që t’i shmangem paralelizmit, madje edhe në qoftë ai paralelizëm i figurshëm, respektivisht shmangies së identifikimit të emrave të tyre me “qengjin” në fjalë.

Ka shumë kohë që opozita në krye me Edvin Kristaq Ramën, si dhe pozita që udhëhiqet nga kryeministri Sali Berisha (këtu nuk do përfshihet kryetari i LSI, z. Ilir Meta, i cili duke u shtyrë nga interesat personale dhe duke u zaptuar nga “emocione dyfish të kundërta”, fillimisht do të rebelohet dhe mandej do të respektojë institucionin e “braktisjes së bashkëqeverisjes”…, një politikan që konceptohet a krahasohet me atë “fenomenin” për pavendosmërinë e të qenit i mëvetësishëm, një figurë që konceptua nga kundërshtarët e tij, si vegël a patericë e “regjimit absolut” të doktorit, një “politikan nomad”, i cili për hir të karrierës, “hëngri zahirenë e qeverisë”), do vazhdojnë të ballafaqohen me shumë dilema, me shumë paradokse si dhe me inatet e tyre ndërpartiake. Asnjëra palë nuk është e gatshme që të marrë përsipër (pa) përgjegjësinë morale, shtetërore dhe politike sa i përket katrahurës ekonomike e sociale që sundon Shqipërinë…, opozita nuk merr në konsideratë e përsipër çështjen e (mos) votimit të stërgjatë dhe të bezdisshëm të tre ligjeve në kuvend, sidomos tani në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare.

Disa njohës të shkëlqyeshëm të rrethanave politike në Shqipëri, këto rebelime a “transfere” do t’i konceptojnë si politike, korruptive dhe joshëse, ca të tjerë do t’i konsiderojnë normale, disa të tjerë këto shkëputje politike, në instancë të fundit, i trajtojnë si joserioze dhe të dështuara. Të gjitha këto shkëputje politike, partitë do t’i bëjnë atëherë kur do të hetojnë se “anija e qeverisë” do të rrezikojë të fundoset nga furtuna e krizës politike. Kjo është si ajo “vakia” e “qengjit të kuq” të qehajait të beut, i cili ngordhi nga uria. Po qengji është qengj, por ama ç’ishte dhe ç’është ky rebelim politik!? A mos vallë ky rebelim bëhet për mirëqenien e popullit.., apo për interesa të ngushta personale a edhe partiake. Çobanët thonë se e ha ujku qengjin që braktis kopenë! Mjekët që merren me kurimin e hemorroideve thonë se njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje, nuk mund të qëndrojnë gjatë në një karrige. Të gjithë këta politikanë përbëjnë tipin e atyre që pa e kafshuar buzën e poshtme, i ngrenë vetes monumente transferesh prej qerpiçi, dhe në fund mbeten si mbreti lakuriq, që të qeshin fëmijët me të në sheshin publik. Nëse para një gjysmë shekulli, “mejhania e budallait” ra në falimentim, sot nuk ka njeri që do të mund ta paralajmërojë a ta parashikojë shembjen e “mejhanes politike” të kryeqendrës së shqiptarëve!? Mbase nuk duhet harruar ajo shprehja proverbiale: bariu i bie fyellit, atje ku ka dele për të qethur, kurse qelepirxhiu bredh me lugën në brez atje ku ka për të ngrënë! At Gjergj Fishta, përveç të tjerash e tha edhe këtë: “Populli i fal ata që e mundojnë, por nuk ka për t’i falur ata që e rrejnë”, ata që ia rrjepin lëkurën…

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe qengjat, e kuq te beut, Fadil Lushi, Pronari i mejhanes

KUSTURICA VETËM SA PO PROVON QE TA PERSERISE VETEVETEN

April 5, 2013 by dgreca

Skitë e Kusturicës, krimi, mashtrimi dhe zhgënjimi/

Nga Adriatik Kelmendi/

KUSTURICA VETËM SA po provon që ta përsërisë vetveten. Është një Deja Vu e papranueshme për një artist, pasi që arti – siç dihet – mbi të gjitha synon origjinalitetin, por është shumë OK për një politikan sharlatan. E, pra, Kusturica e ka konfirmuar shumë herë deri më tash, pavarësisht numrit të madh të shpërblimeve filmike, se ai në fakt është një politikan që shtiret si një artist.

Me filmin që thotë se është duke e xhiruar lidhur me, siç pohon, “tregtinë me organe… (si) rasti më brutal i këtij shekulli”, Kusturica është duke bërë edhe atë që ka provuar ta bënte për luftën e Bosnjës me filmin e financuar nga RTS-ja në kohën e Milosheviqit “Underground”. Pra, ta keqpërdorë famën e tij për të kthyer në sytë e botës viktimat në dhunues, dhe dhunuesit në viktima.

Çka mund të sillet në një mendje të çoroditur si ajo e Kusturicës, më duket se më së miri e ka kapur kolegu im nga Mali i Zi, Andrej Nikolaidis.

“Duke e ditur se ai e ka shpallur serb babanë e tij të vdekur (Muratin, vër. A.K.), bashkë me veten e tij si i krishterë ortodoks, ai me lehtësi ka zgjedhur anën e tij në luftën e Bosnjës. Ai e ka zgjedhur atë nëpërmjet Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mladiqit. Ai nuk ka qenë me ta për të bombarduar, por kurdo që e ka parë shansin, me qasjen e tij në arenën artistike dhe mediale u ka gjetur atyre alibi për vrasjen e secilit mysliman, i cili nuk kishte dashur ta pranonte se ai ka origjinë ‘ortodokse’”, ka shkruar Nikolaidis.

KUSTURICA, VËRTET, në qoftë se do të ishte artist, do të duhej ta kishte lirinë që të bënte filma për gjithçka dhe për çdokënd. Dhe këta filma natyrisht se do të ishin pjesë e fantazisë së një artisti e si të tillë, fiksion pra, mbase edhe do të pranoheshin nga audienca, varësisht prej shijes.

Problemi është se këtu kemi të bëjmë jo me Kusturicën artist, por me Kusturicën politikan, i cili pretendon se filmi i tij “Underground” dhe ky i riu për Kosovën janë të bazuar mbi fakte reale.

Sakaq, përveç pandehjeve që ka sjellë në librin e saj ish-kryeprokurorja e Hagës, Carla del Ponte, por të cilat nuk kishte pasur mundësi asnjëherë t’i argumentonte mjaftueshëm sa për të ngritur një aktakuzë, si dhe raportit të Dick Martyt, që ende nuk është materializuar në brumë për gjyq, nuk ka ende asnjë provë gjyqësore që të provojë se diçka e këtillë ka ndodhur. E derisa të mos vërtetohet, një gjë e tillë mund të quhet vetëm hamendësim dhe jo fakt.

Në anën tjetër, janë shifrat konkrete që flasin për krime tashmë të provuara me emra të përveçëm të luftërave në ish-Jugosllavi.

P.sh. koalicioni i organizatave joqeveritare i mbledhur rreth idesë së KOMRA-s, nën udhëheqjen e një humanisteje serbe, Natasha Kandiq, ka konkretizuar saktë atë me të cilën pajtohen edhe “Amnesty International”, ”Human Rights Watch” e UNHCR – ja në luftërat e ish-Jugosllavisë se janë vrarë 130 mijë persona, prej të cilëve pakica janë serbë dhe shumica viktima të makinerive vrastare të udhëhequra nga serbët.

Në Bosnjë-Hercegovinë janë vrarë rreth 97 mijë njerëz, prej të cilëve 66 për qind boshnjakë, 25 për qind serbë, 8 për qind kroatë, kurse të tjerët janë kryesisht shqiptarë dhe pjesëtarë të pakicave. Por, prej boshnjakëve plot 83 për qind ishin civilë, prej të cilëve 30 për qind gra e fëmijë, krahasuar me vetëm 10 për qind serbë.

Në Kroaci janë vrarë rreth 11 mijë kroatë dhe afro 7 mijë serbë.

Në Kosovë jepet shifra prej rreth 13 mijë të vrarësh, gjatë luftës dhe menjëherë pas saj. Prej tyre rreth 10.500 shqiptarë, 2 mijë serbë dhe mbi 500 joshqiptarë e joserbë dhe të papërcaktuar.

Të mos harrojmë se të gjithë këta janë vrarë jashtë territorit të Serbisë dhe në shtete që sot janë të pavarura.

A t’i shikojmë shpejt edhe disa fakte të tjera?

Tribunali i Hagës ka ngritur plot 161 aktakuza. Prej tyre 94 janë kundër serbëve, 29 kundër kroatëve, nga 9 janë për boshnjakët e shqiptarët, dhe nga 2 për maqedonasit dhe malazeztë.

Për ka e ka fjalën atëherë Kusturica? Apo, duke qenë kineast, sheh teori botërore të komplotit kundër serbëve, pavarësisht se shifrat e dhëna më lart e ka fare lehtë t’i vërtetojë edhe vetë!

TMERRI KA TË BËJË me mungesën e etikës. Kusturica dhe shumë të tjerë e dinë se cilat janë faktet dhe cilat janë trillimet e luftës. Mirëpo, kë po dëshiron ai dhe të tjerët si ai ta mashtrojnë? Ndoshta Kusturica me një film mund të lërë përshtypje te disa individë nëpër botë, të cilët as s’e kanë idenë e se ka qenë dhe ku është ndodhur Jugosllavia, por a mund t’i mashtrojë banorët e ish-Jugosllavisë? Jo!

E keqja është se ai po e vazhdon rrugën e nisur nga idhulli i tij, Slobodan Milosheviq, i cili në mendjen e vet kishte ngritur popullin serb në një popull hyjnor dhe të viktimizuar. Kjo ide edhe shkaktoi luftërat, vdekjet e shkatërrimet në këto shtete.

Po ashtu, ai mund të mashtrojë fëmijët, si qeniet më të pafajshme, ata fëmijë që kanë lindur në mijëvjeçarin e ri. Ai po përpiqet t’ua tregojë atyre vetëm një pjesë të rrëfimit – siç u tha – të pakonfirmuar, në mënyrë që ata fëmijë ta ndiejnë veten si viktima të luftërave.

E nëse dikush do të rritet me idenë se ka qenë e vetmja viktimë e padrejtësive dhe e luftërave që kanë ndodhur para se të lindnin, natyrshëm se do të mbruhet me idenë e hakmarrjes. E në këtë mënyrë nuk do të mund të arrihet asnjëherë as drejtësi, as prehje, as pajtim ndërmjet popujve që luftuan.

Më tepër, me këtë logjikë të viktimizimit, vetëm sa do të trasohet rruga për krijimin e skuadroneve të reja vrastare për luftëra të reja në Ballkan.

Sidoqoftë, ndoshta edhe ka një kuptim furia nacionaliste vrastare e Kusturicës. Më në fund, duke e përzier artin e politikën, duket se ka gjetur pozitën e përshtatshme. Është bërë kryetar i Shoqatës së Skitarëve të Serbisë.

Kjo gjithsesi se e vërteton përse ky njeri ka kohë që u ka hipur skive.

P.S. 1: Nikolaidis, i paditur nga Kusturica, pas një procesi të gjatë gjyqësor ishte gjobitur me 12 mijë euro, për shkak të fyerjeve ndaj tij.

P.S. 2: Gazetari kritik ndër më të njohurit në Ballkan, Petar Llukoviq, është paditur disa herë nga Kusturica. Disa herë Llukoviq është detyruar të paguajë dëmshpërblim, kurse aktualisht kërcënohet edhe me burgim.

P.S. 3: Në këtë kolumne qëllimisht kam shmangur përmendjen e emrit të personazhit në fjalë. Deri në vitin 2005 është quajtur me emrin mysliman, Emir, dhe pastaj e ka ndërruar me atë serb, Nemanja. Nga frika se derisa e kam shkruar shkrimin ai do të ketë pasur mundësi ta ndryshojë sërish identitetin, i jam referuar vetëm me mbiemër.

P.S. 4: Fat imi që jetoj në shtetin të cilin Kusturica nuk e njeh e rrjedhimisht edhe nuk do të mund të ngre padi kundër meje, siç ka bërë me kolegët e tjerë gazetarë. Phëëëë!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Adriatik Kelmendi, Kusturica, po provon te perserise, veteveten

Bektash Cakrani :Motoja E Jetës Time Ka Qenë Mbi Pasurinë E Familjen ,Atdheu

April 5, 2013 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/

 Ka një gen në ADN e fisit Cakrani . Patriotizmi. I pandalshëm dhe i pashueshëm. Mund të zbehet por nuk njohu shuarje kurrë. Dielli i jetës në ardhje ,e solli në Cakran. Kërthiza ju pre me urimin ardhsh për mëmëdheun i mbarë .Viti ishte sosur 1871. Ndërkaq dritëza e Përndritjes kombëtare kishte filluar rrezatimin. Në vitet 1900-1908 Bektash Cakrani ,shkruan studiuesi Asqeri Llanaj ,sëbashku me atdhetarët e tjerë në Fier, Berat, Tepelenë, Vlorë, Mallakastër ndiqte me vëmendje gazetat që botonin kolonit shqiptare në Bukuresht, Kajro,Sofje dhe Manastir ku pasqyroheshin ngjarjet si dhe tablo nga jeta e shqiptarëve në Kosovë. Camëri,Maqedoni e krahina të vendit. Atij I vinin gazetat nga Berati dhe Vlora si “Shqipëria”,Drita,”Albania,Kombi,Shqyja e Shqypënisë”, ku shkruanin Shahin Kolonja, Grmeno, Asdreni, Mosi, Bagëri. Në tetor të vitit 1908 me këshillën e I.Qemalit u themelua klubi atdhetar ‘Labëria” ku pjesëmarrës është si dhe Hajredin Cakrani. Me iniciativën e vëllezërve Cakrani krijohet në Cakran një degë e klubit Labëria . e cila vihet në dukje nga letërkëmbimet e Ibrahim Abdulait, Hamza Isait. Kristo Karbunarës. Nga viti 1909 kemi një lëvizje të patriotëve shqiptarë Bektashi udhëton drejt Stambollit ku takohet me XH.Ypin dhe djalin e I.Beut. Në letrën, që I.Qemali u dërgon anëtarëve të klubit “Labëria’, u bënë të qartë se pushteti i Abdyl Hamitit u ka sjellë mjaftë të këqija popujve të robëruar”.Gjeografia e lëvizjeve  të patriotëve shënon koordinatat të reja sepse arrestimet,burgosjet, reprezaljet janë pjesë e një strategjia perandorake otomane ku sipas konsullit austro-hungarez Kraus në relacionin dërguar Vjenës më 4 qershor 1909 u arrestuan 13 vjet I.Abdullai, E. Xhaferi, D. Shaska, A. Beqir, M. Shara. Kristo Karbunara sjell të dhëna ku flitet se  atdhetarët vlonjate e mallakastriot mërguan në Korfuz,Itali dhe ndër vise të tjera,ku odiseja e udhëtimit të tyre përshkruhet me varkë nëpër Jon përmes  dallgëve. Ftesa e Dervish Himës  për klubin Labëria në mars të vitit 1910 për të dërguar në Manastrit 3 përfaqësonjës për kongresin e dytë rezultojnë delegatë Bektash Cakrani,Ibrahim Abdullai, Jani Minga, Abaz Mezini. Hapja e shkollës  shqipe të Cakranit ruan vulën e bejlerëve të Cakranit .Kjo mund të shënohet një gur  qoshje në vendin e shqipeve.  Kristo Karbunara në kujtimet e tij dhe në dëshmitë  e Gaqo Floqit, Viskë Baba Tasit dëshmohet se Bejlerët e Cakranit  kishin paguar mësonjësit shëtitës jo0 vetëm për katundin e tyre por edhe për katunde të tjerë si Gorishovë, Buzmadh, Klosë. Në fjalën e Hajredin Cakranit në ditë çeljen e shkollës shqipe tha se në  Cakran familja Cakrani janë lexuar në alfabetin shqip librat botuar në Bukuresht e Stamboll, si Abetarja e Veqilharxhit, e Sami Frashërit,”Bagëti e Bujqësi,”Qerbelaja”,”Lulet e verës” dhe vjershërimi të tjera të shkruara nga Naim beut . Për shkollën shqipe të Cakranit flet Thanas Floqi,kur ishte ende mësues në këtë shkollë  lajmërohet prej ti të ndodhej në Vlorë në nëntor 1912 në ditët në prag të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Ndër dokumente të shumta .Citojmë Gazeta ’Liri e Shqipërisë” Sofie,Nr 19 dt 09/09/1911 shkruan se të bijtë e Kahreman be Cakranit në Mallakastër pa marrë parasysh prishjen pasurisë së tyre ,që arrin në tre mijë lira turke  të ardhura në vit,nxorën  maleve një çetë për të luftuar kundra turkut,çeta kryesoj prej Bektash Cakranit. Ka dokumente të shumta dhe gazeta shqip që shkruajnë për patriotët shqiptarë citohet Bektashi dhe të tjerë  në prag të shpalljes së pavarësisë .Gazeta Dielli e Bostonit, në 21 në vjeshtë të parë vihet në dukje se krahas Bektash Cakranit në beteja kundër turqve në Pazar të Cakranit .me trimëri luftuan kryetarët dhe luftëtarë të çetave shqiptare. Duke renditur të gjitha lëvizjet patriotike të periudhës së viteve 12 pikëzohet një aktivitetet i shkëlqyer patriotik si rrallë kush. Prill- maj 1912 gjatë fushatës elektorale  Bektashi përkrah kandidaturën e Ismail Qemalit. Prill 1912 vjen Ismail Beu që Vlorë. Takim me krerë midis të cilëve gjendet edhe Bektash Cakrani. Bektashi merr përsipër organizmin kryengritjes anti-turke së bashku me 360 shpirt. Emri i Bektashit regjistrohet në kronika gazetash shqiptare që përhapen në disa shtete të botës. Gusht 1912 thirret në Fier një kuvend është prezent Ismail Beu dhe Luigj Gurakuqi,ka folur aty edhe Bektash Cakrani. Në takimin e Cakranit ku gjendeshin Ismail Beu dhe Gurakuqi, Bektash Cakrani tha :”Neve na u desh bashkë me atdhetarët beratas e vlonjatet,një punë madhe që ju të ishit përfaqësuesi ynë sepse lakejt xhonturq doni shërbëtorin e tyre …Ka të dhëna të mbledhura nga studiues dhe të sintetizuara në një libër nga Asqeri Llanaj për figurën e Bektash Cakranit se   deri në vitin 12 Bektashi dhe i vëllai i tij Hajredini mobilizuan mjaftë vullnetarë në zonën e Mallakastrës .Ky autor citon faktin se në 9 nëntor 1912 atdhetarët në Vlorë,berat,Mallakastër e kudo kanë marrë ndërkaq njoftimin  se :krerët shqiptarë do të mblidheshin shpejt për fatin e vatanit të tyre..Ismail Beru do të dërgonte telegramin :”Mbledhja e përfaqësuesve në Durrës dhe Vlorë është shumë  e nevojshme. I thërrisni të gjithë deri sa të arrij unë.Mbani qetësin dhe ruani bashkimin. çështja jonë  politike u sigurua..Në Vlorë ngrihet kom,misioni përgatitor i Kuvendit Kombëtar ku ishin Xhemil bej Vlora,Qazim Kokoshi,Hasan Sharra, Ibrahim Abdullai, Abaz Mezni, Alem Mehmeti, Thanas Floqi, Jani Minga, Leonidha Bezhani, Qamil Risilia, Bektash Cakrani etj. Në telegramin që Bektashi i dërgon Haziz Pashë Vrionit, thuhet :’Shkëlqesisë së tij Azis Vrioni dhe shokëve të ndershëm të Beratit. E ardhmja e Shqipërisë u sigurua. Shkëlqesia e tij Ismail Qemal Beu me shokët e e tij të ndershëm janë nisur prej Budapestit drejt për këtu që të gjenden në që të gjenden në mbledhjen e përgjithshme kombëtare e cila do të bëhet në Vlorë dhe kanë lajmëruar telegrafisht se nesër mërijnë në Durrës .Në telegramin që erdhi porosit që të dërgohen atje karroca ose kuaj për të hipur prej Beratit….Në 21 nëntor 1912 nga Durrësi L. Gurakuqi dërgonte këtë telegram në Vlorë me këtë përmbajtje:’Ethem Beut e Bektash Cakranit,ose Qazim Kokoshit në Vlorë:’ Me urdhër të Ismail Qemal Beuit, ju bëhet me dije se pas dy orësh duhet të ndodheni në zyrën telegrafike .Luigj Gurakuqi. Qëmtojmë nj dokumentacion të pasur për këtë figurë historike .Kështu përmendet se në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe ngritje të flamurit kombëtar vëllai i tij Hajredini ishte delegatë dhe anëtar i Pleqësisë .Bektashi u emërua nga Qeveria e Vlorës në Drejtorin e Thesarit. Ka një ndihmesë në ngritjen e administratës së kësaj qeverie. E veçantë është se shtypi i kohës e përmend Bektash Cakrani në kronikat e tij. Reporterët  e këtyre shkrimeve janë atdhetarë të njohur si Thanas Floqi.Ibrahim Shyti, Leonidha Naci ,Dom Mark Vasa, Sali Nivica,Muco Qulli,Josif Bageri. Kordinatat që  tregojnë lëvizjet e këtij atdhetari janë mbështetja e Princ Vidit. Në Kongresin e Lushnjës  delegati i Mallakastrës Bektash Cakrani, përshëndeti të gjithë delegatët që morrin pjesë në këtë  me vlera jetike për kombin shqiptar. Falënderoi organizatorët lushnjarë për mikpritjen dhe kujdesin e treguar në mbrojtjen e kongresit.E panjohur deri më sot është vizita e kryeministrit Sulejman Delvinës në Cakran..Epopeja  e Luftës s ë Vlorës është një gjurmë e thellë  e patriotizmit shqip[tar që la Bektash Cakrani si anëtar i shtabit drejtues. Në vitin 1921 midis emrave të shquar të parlamentit është Bektash Cakrani.Lufta e Dytë Botërore nga kujtimet e Avdul Agalliut thuhet se  në fillim të prillit  1939,Bektash beu i Cakranit erdhi dhe bisedoi në Fier e Vlorë  me miqtë e tij Beqir Velo, Aristidh Ruci,Toli Arapi,Beqri Sulo,Ibrahim Abduallai,dotor Simonidhin e Dervish Hekalin për situatën krijuar dhe robërimin e ri të atdheut duke pritur atë me zemëratë. Pas revoltave në Vlorë,Fier,Berat, ai shkruan një letër Musa Jukës  ku i kërkonte sqarime mbi të zezën që po i binte në kokë vatanit nga Italia. Në vitin 1942 zgjidhet Kryetar i Këshillit Nacional-çlirimtar të krahinës së Mallakastrës .Më 7 prill 43  largohet  nga Kryetar  i Nacl. Në fund të prillit 19432 thirret në Tiranë nga Bahri Omari,Skënder Muco.Nuredin Vlora  Bej, Ali Klisyra për tu përfshirë në organizatën Balli Kombëtar.Njihet dhe ky dokument që zbulon se Bektashi është arrestuar në vitin 1940 dhe ishte internuar në Porto Romano. Fitoren e Frontit ai priti në banesën e tij duke  pritur ngjarjet e kohës . Në vitet 45-46 filluan gjyqet popullit .Burgoset në Vlorë ndërsa gjyqi i Ballshit e pushkaton. Bektash Cakrani ka deklaruar në gjyq :’Pas Këshillit Nacional-çlirimtar në krahinën e Mallakastrës u bashkova me organizatën e BK, e cila sipas dekalogut kishte një program të mirë për interesat e popullit dhe atdheut. Por ky program mbeti në letër në kushtet që rrodhi lufta,ai nuk u zbatua. U përpoqa më mish e me shpirt për atdheun dhe kurrë nuk kam bashkëpunuar me pushtuesit nazist për të cilët kisha mendimin se do të pësonin një fund tragjik me luftën e  tyre të padrejtë….Kurdoherë kam punuar për atdheun,sepse motoja e jetës time ka qenë mbi pasurinë e familjen ,Atdheu.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Atdheu, familja, Gezim Llojdia, moto e jetes, Nektash Cakrani, pasuria

DISA TË DHËNA PËR THEMELUESIT E AGIMIT TË ARTË

April 4, 2013 by dgreca

(Një organizatë që u themelua nga arvanitasit dhe më 1997 u anëtarësuan 4 emigrantë shqiptar)/

Kush është autori i shkrimit“Grekët dhe Shqiptarët, një popull, një atdhe”, botuar në revistë e Agimit të Artë më 1986/

 Nga Arben LLALLA/

Agimi i Artë si organizatë u themelua në vitin 1985, ndërsa që në vitin 1980, botonte revistën e saj me të njëjtin emër. Revista botohet jo rregullisht dhe në përgjithësi kishte përmbajtje të ideologjisë naziste. Por kush janë themeluesit e kësaj organizate që sot çirret për një luftë me Shqipërinë dhe kanë tërhequr vëmendjen e shtypit dhe institucioneve shqiptare? Kjo lëvizje në fillim u bë streha e të rinjve që simpatizonin diktatorin ushtarak Gjeorgjio Papadhopulos i cili edhe ky si shumë drejtues të shtetit grek ishte arvanitas. Bërthama e ngushtë e Agimit të Artë nga viti 1985 e deri nga mesi i viteve 1990 përbëhej nga tre arvanitas, numri një ishte Nikolaos Mihalolakos i lindur më 1957, një ushtarak në rezervë, numri dy ishte arvanitasi tjetër nga Morea, Andoni Andruçopulos i lindur më 1966, në Karakas të Venezuelës i njohur me emrin PERIANDROS, numri tre ishte shqiptari nga çamëria Kristo Papa, nga fshati Lypa e Sulit të Janinës. Të tre këta drejtues të Agimit të Artë i lidhnin shumë gjëra me njeri tjetrit.

Kryetari i organizatës Mihalolakos nuk kishte një emër të dytë, ndërsa Andruçopulos thirrej në opinion me emrin Periandros, ndërsa midis vëllezërve arvanitas të Agimit të Artë quhej Peri Druca dhe në revistën e organizatës shkruante shpeshherë me pseudonimin Faethon. Andoni Andruçopulos është autori i shkrimin: “Grekët dhe Shqiptarët, një popull, një atdhe”, botuar në Tetor të vitit 1986. Periandro Andruçopulos është poet dhe shkrimtar. Ai është krenar për origjinën e tij shqiptar. Gjyshi, gjyshja, babai dhe ai vetë flasin shumë mirë gjuhën shqipe. Gjyshi i tij quhej Niko, studiuesi grek me origjinë shqiptare nga Çamëria Titos Johalas e ka përfshirë në librin e tij me titull: Arbëria në More, viti 1986, ku Niko Andruçopulos ka kënduar një këngë në gjuhën shqipe, vargje të kësaj kënge Periandros i ka botuar në shkrimin e tij më Tetor 1986 në revistën Agimi i Artë. Familja Andruçopulos është nga Fisi Ndredhes të Mores dhe kanë qenë bashkëluftëtar të ngushtë të Kolokotronit.

Më 1998 u lëshua një urdhër arresti për rreth 10 persona anëtarë të organizatës të cilët akuzoheshin për tentativë vrasje, midis tyre u akuzua edhe Andoni Andruçopulos i cili deri në vitin 2005 jetoj ilegalisht në arrati. Andruçopulos u dënuar me 12 vite burg, por pasi kreu 2/3 e dënimit u lirua me kusht për qëndrim të mirë gjatë viteve të burgimit të tij.

Sipas burime pranë Agimit të Artë njeriu që e spiunojë Andruçopulon në polici është sot deputet i kësaj organizate. Andoni Andruçopulos është krenar për origjinën e tij shqiptare.

 

A ka vizituar Papa dhe Periandros Shqipërinë më 1987-88?

 

Sipas disa burime në qarqet e intelektualëve arvanitas në Athinë të cilët kanë shprehur keqardhje për deklaratat antishqiptare dhe luftënxitësi të deputetit të Agimit të Artë Kristo Papa alias Kiço Lapi ose Kiço Prifti thonë se diku në vitet 1987-88 Kristo Papa dhe Antoni Andruçopulos alias Peridrucas ose Periandos udhëtuan me vizë turistike në Shqipëri në një autobus me grupin e grekëve të cilët në vitet e luftës qytetare 1946-1949 ishin strehuar në vendin tonë dhe më tej ishin larguar për në vendet e tjera të bllokut komunistë. (për këtë duhet pyetur ish-sekretari i përgjithshëm i ambasadës shqiptare në Athinë I.K, që sot merret me studimet historike). Udhëtimi i dy drejtuesve të lartë të Agimit të Artë nuk kishte të bënte fare me ideologjinë majtiste, por për të gjetur rrënjët e tyre stërgjyshore. Pas udhëtimit në tokën arbërore Kristo dhe Periandros folën në përgjithësi për udhëtimin turistik me anëtarët e Agimit të Artë në zyrat e organizatës, ndërsa me miqtë e ngushtë që i lidhin gjuha dhe gjaku arbër biseduan në shtëpinë e një arvanitasi ku ju dhurua edhe një qeleshe tradicionale të krahinës së Labërisë. Në bisedë i pranishëm ka qenë edhe Ilia Papa, udhëheqësi në hije i Agimit të Artë.

Intelektualët arvanitas në Athinë të cilët promovojnë kulturën shqiptare dhe punojnë për miqësinë midis popullit grek dhe shqiptar kanë shprehur habinë se si është e mundur që Kristo Papa pasi u zgjodh deputet i Agimit të Artë të japi deklarata ofenduese dhe luftënxitëse ndaj shqiptarëve.

Mediat greke shkruajnë se më 1997 në organizatën e Agimit të Artë u anëtarësuan katër shtetas të Shqipërisë, deri tani flitet vetëm për emrin e Robert Haidi i cili luan rolin e bodiguardit të deputetit Kostandinos Barbarusis. Robert Haidi edhe pse është pronar juridik i “Hotel Palace Lukova” dhe më i pasur se deputetët e Agimit të Artë, atij i pëlqen më shumë të jetë roje personale i ndonjë udhëheqësi të tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, autori i shkrimit, disa te dhena, Greket dhe shqiptaret, kush eshte, nje atdhe, nje popull, per themeluesit e Agimi te arte

There is no going back to the past

April 4, 2013 by dgreca

By Viktor Daragjati/

The leader of the Socialist Party for Integration (LSI), Ilir Meta has accepted the invitation of the Socialist Party (PS) leader Edi Rama to form a joint coalition in the upcoming June 23 national elections. After a four year alliance with the Democratic Party (PD), Ilir Meta decided that it was time to create a new “political equilibrium”. His statement at a party leadership meeting did not criticize the last four years of participation in Berisha’s government nor did he change his position on the necessity to approve the three laws required by the European Union as a precondition for Albania to be favorably considered as a Member Candidate by the EU. However the words of Rama in announcing the new coalition “there is no going back to the past, we must look up to the future” do not resonate transparently with the events at hand.

Albania’s unfortunate past indeed was characterized by a harsh socialist dictatorship in which the state took full control of the economy only to generate resources barely adequate to prevent starvation, in favor of militarizing the country. The communist security apparatus was the largest and most unproductive employer competing only with the number of people imprisoned or constrained into hard labor camps.  The politically persecuted people were forced to produce enough to comfortably sustain the repressive government while living on meager rations.  Ironically, the future the Socialists offer Albania looks more similar the past we decay albeit in redecorated form. Rama and Meta offer a government that that would scare foreign investors scares Albanian emigrants from continuing to invest in the construction sector, the only significant industry in Albania and promises the manipulation of the fledgling free market system with demagogic government interference.  It is unlikely that regional tourism, which increasingly includes Albanian destinations, would prosper under a socialist government.

In announcing the new coalition Edi Rama said that there is no place in Albania for left wing and right wing politics.  There is place, he added, only for change. Political pluralism is not what Edi Rama seems to aim at. The son of a communist judge, infamous for summarily sentencing to prison and hard labor camps hundreds of innocent victims, wants to return Albania to a monoparty past. The wounds of communism are yet to be healed and Albanians should not believe in the repackaged promises of a resurrected past. Those who do not learn from history will see their future replaced by their past, a past that in Albania’s case threatens the most unpredictable political and economic scenarios.

Other concerns includes Albania’s relationship with NATO, the West in general, the status of Kosova, the status of the former victims of communism, the relationship with socialist Greece which has never refrained from territorial and maritime claims at the expense of Albania’s sovereignty.

Several questions remain open. The leader of the parliamentary group of LSI, Lefter Koka said his party” “more similar the past we decay” should will continue to respect (alliance) agreements with the PD at the local level in order not to affect local governments. How is it possible for LSI to oppose the Democratic Party in the national elections while maintaining alliances with it at a local administrative level? Can Ilir Meta ride two horses at the same time? Clearly this must be a temporary solution designed to minimize opposition at the local level and to gain time until the association with PS is completed at local levels.

The LSI defections from top governmental posts were quickly replaced with newly nominated political leaders and also with personalities who have excelled in other areas.  The Minister of Education Myqerem Tafaj of the PD will also cover the post of vice prime minister.  Florion Mima is replacing Edmond Haxhinasto as the Minister of the Economy. The Minister of Culture Aldo Bumci is now the Minister of Foreign Affairs.  Visar Zhiti, a well-known writer and intellectual who was condemned to thirteen years of prison by the communist regime for political dissent, is now the Minister of Education. The well-known doctor Halim Kosova is the Minister of Health, replacing Vangjel Tavo.   Bardh Spahia is the Vice minister of Health. The majority was able to master 72 votes against the 59 votes of the opposition to confirm the newly appointed officials.

The exit from government participation of LSI and its emerging coalition with the obstructionist opposition that has damaged the interests of Albania at home and abroad has created opportunities for the PD to align itself with pro-democracy and pro EU integration forces.  The appointment of Visar Zhiti in particular, as Minister of Culture, promises a more open approach on the part of the government toward the full disclosure of the communist crimes of the past. Visar Zhiti’ literary work depicting  in touching poetical terms and images the plight and the suffering experienced by thousand in the communist repressive system was recently highlighted at a conference in New York (see the latest publication of Dielli).Visar Zhiti is now the Minister of Culture.

It is up to those who value freedom and democracy to unite their forces and in support for pluralism, rejecting yet another attempt by the socialist to camouflage themselves as agents of progressive change. The hunger strikes and the violent riots sponsored by Edi Rama in recent months belie  the unwillingness on the part of the socialists to work in a democratically constitutional frame work.

While Edi Rama continues to be a great threat to democracy, the opportunity available to the Albanian people to reject once and for all the communist legacy has never been greater.

Photo: The swearing ceremony  presided by President Nishani – Tirana April 4, 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: back to the past, no going, There is, Viktor Daragjati

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 810
  • 811
  • 812
  • 813
  • 814
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT