• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MALI I ZI: ASNJËRI KANDIDAT, NUK MERITON VOTËN E SHQIPTARËVE

April 2, 2013 by dgreca

Vështrim lidhur me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi /

Nga Xheladin Zeneli/

Të Dielën e ardhshme, me 7 Prill 2013 do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. Dy kandidatët kryesorë në këtë garë janë, kandidati i partisë në pushtet (PDS),Filip Vujanoviq i cili konsiderohet  dora e djathtë e kryeministrit të Malit të Zi,Millo Gjukanoviq dhe kandidati i dytë është  Miodrag Lekiq i cili në  zgjedhjet e kaluara ishte kandidat i Frontit Demokratik dhe që kësaj rradhe do të paraqitet si kandidat i pavarur,por që njëkohësisht ka përkrahjen e partisë më të madhe opozitare, të Partisë Popullore Socialiste  (SNP).
Derisa në njërën anë z. Lekiq shihet si kandidat me orientime  pro serbe dhe si i tillë vështirë se do të mbledh votat e shqiptarëve,në anën tjetër  z. Vujanoviq (me ndihmën e partisë  në pushtet) shpenzoi shuma të mëdha financiare në fushatën parazgjedhore ,duke përfshirë fushatën edhe në  trevat shqiptare.Gjatë kësaj fushate ai u mundua që të portretizojë  vetëvehten si “pro europian” , apo si “mbrojtës” i të drejtave të popujve pakicë dhe sa i përket kësaj,z.Vujanoviq ka arritur të  bind një  pjesë të elektoratit shqiptar,falë ndihmës dhe përkrahjes që  i kanë dhënë,edhe disa subjekte politike shqiptare,qofshin ata pjesë e koalicionit qeveritar apo të opozitës. Kjo u vërejt haptas  posaçërisht gjatë tubimeve promovuese që u mbajtën muajin e kaluar në Ulqin, Katërkollë(Anë të Malit) dhe Ostros ( Krajë).
Por,cili është angazhimi i z.Vujanoviq  për të drejtat e shqiptarëve ,nëse mund të flitet për angazhim?Filip Vujanoviq,i cili tashmë një kohë të gjatë gjindet në skenën politike malazeze,herë si kryetar dhe herë si kryeministër i Malit të Zi,ka pasur mundësi dhe kapacitet që në cilësin e pozitave të tija të larta , të bëj më shumë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve,por përkundrazi,gjatë gjithë kësaj kohe ka  demonstruar mosgatishmëri dhe vullnet jo të mirë për zgjidhjen e çështjeve kontestuese të  shqiptarëve në republikë.Z.Vujanoviq, gjatë fushatave të ndryshme zgjedhore,veçanërisht kur viziton trevat shqiptare ,trumbeton me një retorikë të ngjajshme  për realizimin dhe arritjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve.Por,veprimet dhe sjelljet e tia, flasin të kundërtën.
Gjatë mandatit të tij presidencial u aprovuan disa ligje tepër diskriminuese ndaj shqipatrëve, u shëmb ekonomia e vendbanimeve shqiptare e cila si pasojë e kësaj, erdhi deri te   papunësia e lartë dhe paperspektiva e banorëve të këtyre vendbanimeve. Gjithashtu, gjatë gjithë mandatit të tij presidencial, vazhdoi dhe gjitnjë deri më sot vazhdon të zvarritet realizimi i komunës me të drejta të plota të Tuzit.Kurse,në raport me Kosovën, Vujanoviq vazhdimisht ka  kushtëzuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, me zgjidhjen e statusit kushtetues të pakicës malazeze në këtë shtet. A do të  ishte e drejtë dhe e logjikshme,që përpara  se të kërkohet zgjidhja e statusit të pakicës malazeze në Kosovë, më parë të zgjidhet statusi i shqiptarëve në Mal të zi,megjithëse krahasimi i dy entiteteve është i pavend.
Poashtu, gjatë kohës së tij si president,në Mal të Zi vazhdoi të lulëzoi korrupcioni politik dhe ai ekonomik, dhe sot Mal i ZI njihet si ndër shtetet më të korruptuara të Europës.
Shqiptarët në këto zgjedhje nuk  kanë opcione të arsyeshme apo ndonjë opcion që do të favorizonte çështjen e tyre,kështu që nga ky vështrim, ata mund ushtrojnë  të drejtën e tyre qytetare të apstenimit apo mosvotimit për asnjërin kandidat.Nëse ,votuesit shqiptar zgjedhin që të mosvotojnë  në zgjedhjet presidenciale të 7 Prillit,atëherë kjo do të ishte  një mesazh i fuqishëm ndaj politikës qendrore në Mal të Zi në aspektin e shprehjes së pakënaqësisë së tyre lidhur me trajtimin inferior nga ana pushtetit malazez karshi kërkesave të tyre të vazhdueshme  për përmirësimin e statusit të tyre politik dhe shoqëror.
Ndërsa, ata që kanë vendosur që të  votojnë në këto zgjedhje presidenciale,pa marrë parasysh se për të cilin kandidat do të votojnë, një  gjë është më së e qartë,se vota e tyre do të jetë votë për status quo-n  e shqiptarëve në Mal të Zi, do të jetë votë ndaj mandatit të vazhdimësisë së kurrupcionit politik shtetëror dhe si e tillë do të jetë votë kundër dinjitetit të tyre qytetar dhe kombëtar.

New York, 2 Prill  2013

Filed Under: Opinion Tagged With: ne Mal te zi, per zgjedhjet, presidenciale, shqiptaret, veshtrim, xheladin Zeneli

NJË GUR DREJTË ZBARDHJES SË MASAKRËS SË TIVARIT

April 2, 2013 by dgreca

Foto: Disa nga pjesëmarrësit para ndërtesës “Monopoli i Duhanit”, ku u ekzekutuan djemte e pafajshem te Kosoves/

Nga Frank Shkreli/

Fundin e javës që kaloi, me iniciativë të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi u organizua në Ulqin, Konferenca Shkencore, “Masakra e Tivarit, 1945”.  Në këtë konferencë prej dy ditësh, sipas njoftimeve të këtij Këshilli, morën pjesë studies të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.  (Lista e pjesëmarrësve i bashkangjitet shkrimit, si informacion i temave të trajtuara nga ekspërtët për këtë tragjedi kombëtare).  Pas përfundimit të konferencës së parë mbi këtë tragjedi kombëtare, organizatorët dhe ligjëruesit nga të gjitha trevat shqiptare u nisën drejtë Tivarit, për të bërë homazhe dhe për të vendosur kurora lulesh në vendin ku strukturat ushtarake dhe komuniste të ish-Jugosllavisë në bashkpunim të plotë me udhëheqsit e Partisë Komuniste Shqiptare të Tiranës, të cilët në vend që të kundërshtonin masakrimin e mijëra bashkombasve të tyre, fatkeqsisht lehtësuan dhe ndihmuan në realizimin e këtij krimi kundër njerëzimit.

Sipas të ndjerit Prof. Dr. Zekeria Canës dhe historianëve të tjerë, numëri i shqiptarëve të ekzektutuar  në Tivar dhe gjatë rrugës nepër veriun e Shqipërisë, është vetëm një pjesë e numrit më të madh të shqiptarëve që janë vrarë  duke kaluar nga Tivari e përgjatë bregdetit të Kroacisë deri  në Trogir.  Masakra e shqiptarëve në Tivar, ishte pjesë e një e një terrori të organizuar mirë dhe të një likuidimi në masë të shqiptarëve, përfshirë  edhe gra e fëmij, përpiluar  me kujdes nga autoritetet komuniste jugosllave, të cilat, ndër të tjera, donin që me çdo kusht të mos lejonin zbatimin e vendimeve të mbledhjes së Bujanit për vetqeverisjen dhe bashkimin e Kosovës me Shqipëri.  Në këtë përpjekje, sipas shumë të dhënave zyrtare dhe të dëshmitarëve, autoritetet komuniste jugosllave kishin përkrahjen e plotë të Partisë Komuniste Shqiptare, në krye me Enver Hoxhën.  Me pretendimin se mijëra rekrutë të rinjë shqiptarë nga Kosova do të dërgoheshin për të luftuar  — të çarmatosur — në frontin e luftës në Trieste, i detyrojnë ata të largohen nga Prizreni e nepërmjet terreitorit të Shqipërisë së Veriut për në Tivar, ku sipas historianëve gjetën vdekjen duke u masakruar rreth katër mija të rinjë shqiptarë, megjithëse ka mundësi që numëri i vërtetë i të vrarërve të mos dihet kurrë.  Por, ajo që dihet tani dhe që po del në dritë dal nga dalë nga studime të ndryshme, përfshirë edhe konferencën e Ulqinit, është se mijëra të rinjë shqiptarë të pafajshem u tradhëtuan, u vranë e u masakruan nga kriminelë të policisë dhe ushtrisë jugosllave, nën urdhërat dhe mbikqyrjen e partisë komuniste serbo-malezeze, por fatkeqsisht, edhe me dijeninë dhe bashkpunimin e plotë të shokëve të tyre në udhëheqjen e partisë komuniste shqiptare.
Para nja tre vjetëve, pata shkruar një artikull për Masakrën e Tivarit, ku në atë kohë shpreha shpresën për zhvillimin e një debati që do të çonte në, “hulumtime shkencore nga historianë të të gjitha trevave shqiptare për të hedhur poshtë pretendimet e historiografisë komuniste për këtë dhe tragjedi të tjera të kombit tonë, të kryera dhe të fshehura nga regjimi komunist shqiptar dhe bashkpuntorët e tyre serbo-malalzez.”

Konferenca e Ulqinit mbi Masakrën e Tivarit është  fillimi, është konferenca e parë e këtij lloji për këtë krim lufte që mund të radhitet me krimet më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, por për shqiptarët është një ndër pikat më të zeza të historisë kombëtare, për nga numëri i të masakruarve shqiptarë me një rast dhe në një vend, por edhe për nga tradhëtia e udhëheqësve komunistë shqiptarë, të cilët miratuan dhe bashkpunuan në ekzekutimin e kësaj vepre makabër dhe pastaj heshtën duke mohuar se madje kishte ndodhur një gjë e tillë.  Këjo konferencë – që pritet të botojë të gjitha referatet në një botim të vetëm — duhet të shërbejë gjithashtu si një formë presioni e opinionit publik dhe në këtë rast, edhe nga studiuesit dhe ekspertët, ndaj autoriteteve shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë që  krime dhe masakra si këjo, kudo në trojet shqiptare, të mos trajtohen më si tabu dhe që njëherazi ata të mos kenë frikë nga e vërteta për zbardhjen e këtyre krimeve.

Para më shumë se dy vitesh, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi, “Ngritjen e Komisionit Hetimor për Hetimin e Fakteve, Rrethanave dhe Përgjëgjësive të Masakrës së Tivarit, 1945”.   Nuk jam në dijeni nëse ky komision ka bërë ndonjë përparim ose nëse anëtarët e tij kanë patur ndonjë takim në lidhje me përgjëgjësitë që i ka caktuar Kuvendi shqiptar, në lidhje me këtë çështje.   Shekulli i kaluar do të mbetet si një prej shekujve më tragjik për njerëzimin, kur të merret parasyshë numëri i njërzëve të pafajshëm që janë vrarë, në emër të  idelogjisë komuniste.  Konferenca e Ulqinit për Masakrën e Tivarit, në një mënyrë — po të konsiderohet heshtja zyrtare mbi këtë dhe krime të tjera të komunizmit – na sjell në mend se fatkeqsisht lufta e ftohët, të pakën në trojet shqiptare ende nuk ka marrë fund.  Por na kujton gjithashtu se si komb i lirë tani, shqiptarët e kanë për detyrë të kujtojnë,  jo vetëm ata të cilët 68-vjetë më parë kanë humbur jetën në Masakrën e Tivarit, por edhe viktimat e tjera të pafajshme të komunizmit, anë e mbanë trojeve shqiptare.

Mijëra të rinjët shqiptarë nga Kosova që u mobilizuan për të “luftuar” në frontin e luftës në veri të ish-Jugosllavisë,  u masakruan në Tivar—për të mos u këthyer kurrë më pranë familjeve të tyre në Kosovë.  Këta ndoshta ishin të parët ndër shqiptarët që përjetuan natyrën e vërtetë ç’njerëzore të komunizmit.   Komunizmi ka vdekur, por trashëgimia e këtij sistemi dhe përjetësimi i gënjeshtrave të atij sistemi vazhdon, me pasoja të rënda për shoqërinë dhe kombin shqiptar, por edhe për vendet e tjera të Europës që kanë përjetuar të njëjtin fat.

Çka është kombi pa kujtesë?  Ata të cilët e harrojnë të kaluarën, ka thënë fillozofi Xhorxh Santajana, janë të dënuar t’a përsërisin.  Organizuesit dhe pjesëmarrësit, studjues dhe historianë nga të gjitha trojet shqiptare në Konferencën e Ulqinit mbi Masakrën e Tivarit, meritojnë falënderimet dhe mirënjohjen mbarëkombëtare për nismën dhe kontributin e tyre të çmuar për të kujtuar, duke hedhur sado pak dritë mbi atë krim,  duke na kujtuar  rishtas atë periudhë të errët të historisë shqiptare. Por njëkohsisht Konferenca mbi Masakrën e Tivarit,  nënvijoi edhe rëndësinë e përgjegjësisë morale dhe profesionale që intelektualët  dhe akademikët shqiptarë kanë në zhvillimin e debatit të lirë, në një shoqëri të lirë – duke na kujtuar ato që janë harruar, qëllimisht.

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: drejt zbardhjes, Frank shkreli, Nje gur, se masakres se Tivarit

Nesër do të jetë shumë vonë

April 2, 2013 by dgreca

Nga Reshat   Kripa/

Një sentencë mjaft e pranishme në ditët qe po jetojmë. Nje sentencë që duhet të jetë në vëmendjen e të gjitha forcave politike që e quajnë veten të djathtë. Kjo për arsyen e ndryshimeve të pozicionimit të një prej partive të koalicionit qeverisës, Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këto ditë lexojmë dhe dëgjojmë për një aleancë parazgjedhore PS-LSI, e shoqëruar me disa kushte, si dalja nga qeveria e ministrave të LSI-së në këmbim të votimit të tre ligjeve të kërkuara nga Bashkimi Europian nga ana e PS-së. Se si do të rrjedhin ngjarjet do ta tregojnë ditët e ardhshme, por unë në këtë shkrim do të përqëndrohem në disa çështje, të cilat mendoj se i takojnë së djathtës për t’i trajtuar.

Një nga këto çështje është hedhja poshtë nga ana e së djathtës e iluzionit të suksesit të qeverisjes në bazë të bashkëpunimit me cilëndo forcë të majtë dhe zgjatjes së bashkëpunimit me të. Praktika qeverisëse ka treguar se nuk mund të ketë sukses dhe jetë të gjatë një bashkëpunim i forcave me kahe të kundërta politike, aq më tepër këtu te ne, kur ato vazhdimisht e kanë konsideruar njera-tjetrën  si armike dhe jo si opozitare.. Këtë e ka treguar eksperienca botërore por edhe jona e këtyre viteve pas përmbysjes së sistemit totalitar. E kanë vërtetuar Qeveria Teknike e viteve 1991-1992 dhe ajo e Stabilitetit Kombëtar e vitit 1997, që nuk ishin gjë tjetër veçse flluska sapuni në jetën politike të vendit në ato periudha. Një gjë të tillë tregoi edhe bashkëpunimi aktual midis Qeverisë Berisha me LSI-në e cila, me vetëm katër deputetë arriti të përfitonte mbi 20% të pushtetit në Shqipëri, për të mos thënë se, praktikisht, kjo përqindje është shumë më e lartë se ajo që është shpallur zyrtarisht. Mendoj se e djathta do të kishte fituar më shumë në rast se, në pamundësi të formimit të qeverisë në vitin 2009, të kishte pranuar zhvillimin e zgjedhjeve të reja në vend të bashkëpunimit me LSI-në. Pasojat e këtij bashkëpunimi ajo po i vuan sot.

Çështje tjetër, që për nga rëndësia e saj duhet renditur e para, është shkëputja një herë e përgjithmonë nga e kaluara komuniste gjë që, për fat të keq, nuk ka mundur të realizohet. Një shembull tipik, në këtë drejtim, është miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimet në Gjykatën e Lart dhe atë Kushtetuese. Kundër këtyre dekreteve u shprehën vetëm dy zëra, ai i zotit Artur Roshi, në emët të Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat dhe ai i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokrat të Shqipërisë nëpërmjet Deklaratës për shtyp të shpërndarë prej tyre. Miratimi i këtyre dekreteve tregoi se pushteti politik vazhdon të mbështetet ende në individë me prejardhje prej organeve më errëta të sistemit të përmbysur. Më lejoni të bëj një krahasim. Si u veprua në Gjermaninë e pasluftës? A pati ndonjë funksionar nazist, aq më tepër ndonjë që kishte kryer krime, të zinte vend në krye të administratës qëndrore. Asnjë. Për më tepër ata ndiqeshin për t’u nxjerrë para bankës së të akuzuarve, madje njëri prej tyre, të cilit nuk ia mbaj mend emrin, vetëm pak vite më parë, megjithse ishte në moshë mbi 90 vjeçare, u nxorr para gjyqit. Në Gjermani, edhe mbi 30 vjet nga mbarimi i luftës, nëpër shkolla nuk mësohej historia e nazizmit dhe Hitleri, në mënyrë që populli ta harronte atë faqe të errët të historisë së tij. Në këto çatse më kujtohet intervista që zoti Gabriel Partosh i ka dhënë  kohë  më  parë televizionit “Top Channel”. Midis të tjerave ai tha:

– Në  Gjermani  dhe  në  Francë   dënohen   po  deklaruan  se  nuk  është  zhvilluar holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vini veshin! Ndësa në ato vende dënohe vetëm se shfaq një mendim të tillë, te ne ata janë të barabartë, për të mos thënë më lart, se të tjerët. Pra janë në krye të pushtetit.

Tani le të hedhim një vështrim në gjithë periudhën pas fitores së të djathtës në vitin 2005. Nuk do të flas për ato dy vitet e fundit të ish-Presidentit Mojsiu, pasi ai me dekorimin e një individi si Fehmi Avdiu, e tregoi se kujt krahu i përkiste, megjithse e kishte fituar atë post me propozimin dhe votat e së djathtës. Do të përqëndrohem me ardhjen në postin e Presidentit të Republikës të zotit Topi. Menduam se çdo gjë do të shkonte në rrjedhën e duhur, por nuk ndodhi kështu. Dekorimet prej tij të individëve të prokurorit famëzi të komunizmit Skënder Breca dhe propozimet për në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese të tipave të Vangjel Kostës, që mbante në ndërgjegjen e tij dënimin për motive politike të disa të rinjve shqiptarë, na e prishën këtë iluzion. Atëherë ne u ngritëm dhe deklaruam qëndrimin tonë ndaj këtyre vendimeve absurde. Ne  përshëndetëm,  gjithashtu,  edhe  qëndrimin  e  Kuvendit  të  Shqipërisë  dhe  në mënyrë të veçantë të Kryetares së tij , zonjës Jozefina Topalli, për hedhjen poshtë të këtyre propozimeve.

Me ardhjen në postin e Presidentit të Republikës të zotit Nishani dhe, sidomos, pas takimit me të, të një delegacioni të shoqatës, ku ai shprehu hapur se dekreti i parë i tij do të ishte heqja e të gjithë titujve dhe medaljeve diktatorit Enver Hoxha dhe mos dekretimi për në organet e ndryshme që vareshin prej tij, të të gjithë atyre që ishin përlyer me regjimin komunist, na u krijua bindja se, më në fund, guri do të shkonte në vendin e vetë. Por, fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu. Diktatorit ende nuk i janë hequr titujt dhe dekoratat dhe në Gjykatën Kushtetuese, me propozimin e tij, janë miratuar dy figura nga më të errëtat e regjimit komunist, ndoshta edhe më të errëta nga ato që kishte propozuar zoti Topi.

Më erdhi shumë keq që në këtë valle u futën edhe ata deputetë që rrjedhin nga shtresa e të përndjekurve politik. Do të kisha dashur ta dëgjoja zërin e tyre ashtu si atëherë kur hodhën poshtë propozimin për Vangjel Kostën, por kësaj rradhe ata nuk guxuan, apo ndoshta nuk mund të guxonin. Përse? Mos vallë për postin e deputetit? Në vlerësimin e figurave nuk mund të ketë dy standarte. E pra ata vepruan me dy të tilla.  Turpi apo nderi bie mbi ta. Përshendes deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Mark Marku për qëndrimin e tyre krejtësisht realist.

Do të kisha dashur të dëgjoja edhe zërin kundra të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, por ajo zgjodhi zërin e heshtjes, as po dhe as jo, a thua ishte memece, njëlloj si në rastin e votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, ku kandidat ishte një person i ardhur nga shtresa e të përndjekurve politikë dhe ku ajo përsëri heshti. Si ta konsiderojmë këtë? Kush më shumë se ajo mund të shprehte mendimin e saj për një çështje të tillë? Le ta gjykojë ndërgjegja e saj.

Dua të pyes Presidentin e Republikes dhe ata që votuan pro dekreteve:

– Mos vallë u shua Shqipëria për intelektualë të rinj, të papërlyer me të kaluarën, që kanë mbaruar studimet dhe marrë tituj të ndryshëm nëpër vendet më të zhvilluara perëndimore dhe ju u detyruat të na servirni këta lakej të komunizmit, për të cilët zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, deklaronte:

– Unë nuk kam frikë nga komunizmi, por nga lakejtë e tij që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Shqipëria ka plot kuadro të afta për të drejtuar kombin. Zgjidhni ndërmjet tyre ata që nuk kanë qenë të përlyer me komunizmin. Le të jenë demokrat, socialist, republikan, social-demokrat, ballist, legalist dhe çfardo tjetër, vetëm jo veglat e bindura të komunizmit. Hapni dosjet e diktaturës. Pastroni administratën shtetërore nga këto mbeturina. Mbylluani dyert atyre që nuk pranojnë të hedhin poshtë të keqen, siç shkruante Shekspiri i pavdekshëm:

– Hidhni poshtë gjysmën e keqe të zemrës dhe rroni me gjysmën tjeter më të mirë!

Dhe kjo në rast se u ka mbetur një gjysmë zemre e mirë.

Ky është qëllimi i shkrimit tim. Nuk e di se sa do të realizohen këto. Por dua t’ju them se për të ardhmen e atdheut kjo duhet bërë sot pasi nesër do të jetë shumë vonë. Unë e kam zgjedhur rrugën time. Ajo është po ajo që kam patur në rininë time:

– Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: neser do te jete vone, reshat kripa

Serbia, Kosovo Resume Normalization Talks

April 2, 2013 by dgreca

By RFE/RL/

The Serbian and Kosovar prime ministers, Ivica Dacic and Hashim Thaci, are holding another round of EU-brokered talks in Brussels aimed at normalizing relations between Belgrade and Pristina.
The meeting is the eighth round of talks between Belgrade and Pristina since October.
Thaci, heading into the talks, underlined the importance of the meeting.
“Today is a historic day. It is a decisive moment for Kosovo and for the region,” he said. “I am a leader [who makes] decisions and today I am here to [make] a decision for my country and the future of my country and the EU perspective of the region. ”
In a sign the two sides may be nearing an agreement, Serbia’s powerful Deputy Prime Minister Aleksandar Vucic has joined the talks.
Vucic leads the Serbian Progressive Party (SNS), which is the largest in parliament.
Speaking at a press conference in Belgrade on April 1, Serbian President Tomislav Nikolic cautioned that a final agreement might not be reached.
“Intractable statements from Pristina put us before a fait accompli and are not encouraging,” he said. “We are not sending a delegation [to Brussels] to request, by ultimatum, the fulfilment of the Serbian Constitution and laws, but neither are we sending a delegation to agree on nothing [for Kosovar Serbs].”
Serbia refuses to recognize the independence declared in 2008 by Kosovo, which has an ethnic Albanian majority.
The key issue in the talks is the future of ethnic Serbs who are in the majority in northern Kosovo.
Belgrade wants a high level of self-rule for Kosovo’s Serbs, including their own police and judicial authorities.
Pristina has rejected this as a de facto partition of Kosovo.
On April 1, Vucic suggested the “frozen conflict” could not be allowed to drag on indefinitely.
“The agreement must be reached,” he said. “Serbia cannot wait another year or five years over this frozen conflict. Who will wait? People don’t have any patience left. A little hope was shown to them, a small light at the end of the tunnel, and now to tell them that we are going to continue with this frozen conflict, or no we don’t want to go toward the [European] world or tell them that we don’t want anything, we don’t need anybody, we can be on our own. We can’t, we can’t. Yes, we have to protect our national interests, but we must also know the limits.”
Thaci on April 1 urged Serbia to accept a deal that would give Serbs in Kosovo’s north more rights but which falls short of giving them autonomy.
The EU’s foreign affairs chief, Catherine Ashton, who is mediating the talks, said in a statement on April 1 that she believed an agreement was within reach, “even if it won’t be easy.”
Nikolic warned that failure to reach a deal would mean “economic hardship” for Serbia and delay the start of accession talks with the European Union.
The European Commission is to deliver a report in two weeks on progress made by Belgrade and Pristina on normalizing relations.

Filed Under: Opinion, Politike Tagged With: kosova, Normalization Talks, resume, Serbia

6 ARSYE PERSE PAKOJA E AHTISARIT ISHTE E PAFAVORSHME

April 2, 2013 by dgreca

PERSE PAKOJA E AHTISARIT ISHTE E PAFAVORSHME?

NGA ALBIN KURTI*

Të nderuara familje Balaj e Xheladini,/

I nderuari Zenel Zeneli dhe Hysni Hyseni,/

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,/

Në të gjitha vitet e pasluftës thoshin ‘pavarësia në fund të vitit’ dhe për çdo fundvit thoshin ‘pavarësia në vitin e ardhshëm’. Nëntë vjet rresht ishte kështu. Me këtë mënyrë u krijua një fiksim me pavarësinë si fjalë për shtetin, pa e konsideruar përmbajtjen e saj. Pra, së pari pavarësia që kërkohej përjetohej formalisht, duke e ndarë formën nga përmbajtja. Dhe, së dyti, besohej që forma e përcakton përmbajtjen, duke e harruar të kundërtën, që edhe përmbajtja e përcakton formën. Dihet që përmbajtja e pavarësisë është sovraniteti. Kjo është arsyeja pse në demonstratën e 28 Nëntorit të vitit 2006, patëm thënë që pavarësia e plotë dhe e vërtetë, ajo me sovranitet, nënkupton katër gjëra me të cilat matet vetë pavarësia: integriteti territorial, ushtria, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ulësja në OKB. Atëbotë, përveçse u nda forma nga përmbajtja dhe u etablua dominimi i së parës, pra i formës, pasoi degradimi i tretë. Forma u degradua në emrin, në emërtimin për shtetin. Vetëm le të quhemi të pavarur, thuhej atëherë, kjo është e rëndësishme.

Pakoja e Ahtisaarit, siç e mbajmë në mend, nuk erdhi as në fund të vitit 2006 dhe u shty asokohe për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Me 2 shkurt të vitit 2007 ateron Paketa e Ahtisaarit në Prishtinë, me 6 padrejtësitë themelore, si 6 faqet e kubit të paketës. Por, para se ta shpjegoj se cilat ishin këto 6 padrejtësi, duhet theksuar se me 2 shkurt 2007 në Paketën e Ahtisaarit askund nuk figuronte fjala pavarësi. Rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur, Ahtisaari ia dërgon veçmas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së disa javë më vonë, pra edhe pas demonstratës së 10 Shkurtit. Po ashtu, duhet theksuar që në krejt Pakon e Ahtisaarit, një herë përmendet shqipja, te gjuha shqipe, askund fjala ‘shqiptar’, përveç te shprehja komunitetet joshqiptare, dhe 37 herë fjala ‘serbe’.

Atëherë, cilat ishin ato 6 padrejtësitë themelore të Pakos së Ahtisaarit.

1. Pakoja e Ahtisaarit flet kryesisht për të drejtat dhe privilegjet e pakicave dhe atë sidomos të pakicës serbe. Kuvendi i Kosovës me këtë Pako, kurthohet nga formula e shumicës së dyfishtë. Kuvendi për çështjet e ligjet jetike ka nevojë për shumicën e përgjithshme dhe shumicën e pakicës, gjë që praktikisht i jep të drejtë vetoje pakicës. Kjo do të mund të ishte ndoshta e arsyeshme sikur Kosova ta kishte okupuar Serbinë dhe të kishte bërë agresion mbi Serbinë, e jo si te ne ku siç e dimë kemi situatën e kundërt – Serbia ka bërë agresion dhe e ka okupuar Kosovën. Dhe, sërish, ndoshta kjo do të kishte kuptim sikur Kosova t’i kishte 60% shqiptarë e 40% serbë, e jo si në realitetin tonë ku shqiptarë janë mbi 90%.

2. Trashëgimi kulturore konsiderohej vetëm ajo fetare ortodokse, e cila është definuar si serbe. Pakoja e parashihte themelimin e 45 zonave të veçanta qindrahektarëshe eksterritoriale, që uzurpojnë pronë, kulturë dhe histori.

3. Paketa e Ahtisaarit përqendrohet më së shumti te decentralizimi. Komunat e reja me shumicë serbe fitonin kompetenca shumë më të mëdha se ato me shumicë shqiptare dhe plotësisht të pazakonshme për komunat, psh. në arsimin e lartë, shëndetësinë dytësore, etj. Lidhjet horizontale të tyre hedhnin farën e një entiteti autonom serb. Lidhjet vertikale me Beogradin dhe financimi, i cili do të ishte i liruar nga taksat në Kosovë, i hapnin rrugë kontrollit të Serbisë në çerekun e territorit të Kosovës.

4. Instalohej Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, i cili njëkohësisht do të ishte Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian me fjalën përfundimtare për gjithçka çdo herë. Ky monark i ri do ta kishte fuqinë korrektuese, pra ndryshimin e ligjeve, dhe zëvendësuese, përjashtim të ministrave e zyrtarëve të tjerë me emërim të dikujt tjetër në ato poste. Kësisoj po betonohej protektorati sundues ndërkombëtar mbi Kosovën.

5. Në vend që të flitej për dëmet e luftës që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës, Pakoja e Ahtisaarit merret me borxhet e Kosovës. Kosova ishte përjashtuar nga sukcesioni i ish Jugosllavisë, nuk ishte zhdëmtuar për plaçkitjet dhe shkatërrimet, dhe tash duhej të merrte pjesë në borxhin e jashtëm të Serbisë.

6. Dikur, në vend se të çarmatosej ushtria kriminale serbo-jugosllave, u çarmatos UÇK-ja. Tash, në vend se të shpërbëheshin strukturat policore dhe paramilitare të Serbisë në Kosovë, Pakoja e Ahtisaarit parashihte shpërbërjen e TMK-së.

U bë kompromisi i dhimbshëm, Serbia fitoi shumë, por mbeti e pakënaqur. Pavarësia nuk na kaloi në Këshill të Sigurimit të OKB-së, Serbia nuk na e njohu pavarësinë dhe, përkundër të gjitha këtyre, Pakoja e Ahtisaarit u zbatua njëanshëm në Kosovë. Sot, Serbia është edhe më tej e pakënaqur dhe në Bruksel po zhvillohen negociata të reja. Serbia e pakënaqur është një Serbi hegjemoniste dhe shoviniste. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është normalizim i marrëdhënieve me hegjemonët dhe shovinistët e papenduar për krimet nga e kaluara. Sikurse dje komunat me shumicë serbe, po ashtu edhe sot bashkësia apo asociacioni i këtyre komunave, nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës, por e qeverisë së Serbisë. Interesat e Serbisë po kamuflohen me nevojën për integrimin e serbëve. Ne gjithsesi jemi për integrimin e serbëve, madje jo vetëm në institucione por edhe në shoqëri. Mirëpo, integrimi i serbëve në Kosovë nuk mund të kalojë nëpër Beograd. As në veri, e as në jug, as dje, e as sot.

Ju falemnderit!(* Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës, mbajtur më 1 mars 2013, për demonstratën e 10 Shkurtit 2007 )

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, gjashte arsye, ishte e pafavorshme, perse pakoja Ahtisari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 812
  • 813
  • 814
  • 815
  • 816
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT