• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË GUR DREJTË ZBARDHJES SË MASAKRËS SË TIVARIT

April 2, 2013 by dgreca

Foto: Disa nga pjesëmarrësit para ndërtesës “Monopoli i Duhanit”, ku u ekzekutuan djemte e pafajshem te Kosoves/

Nga Frank Shkreli/

Fundin e javës që kaloi, me iniciativë të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi u organizua në Ulqin, Konferenca Shkencore, “Masakra e Tivarit, 1945”.  Në këtë konferencë prej dy ditësh, sipas njoftimeve të këtij Këshilli, morën pjesë studies të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.  (Lista e pjesëmarrësve i bashkangjitet shkrimit, si informacion i temave të trajtuara nga ekspërtët për këtë tragjedi kombëtare).  Pas përfundimit të konferencës së parë mbi këtë tragjedi kombëtare, organizatorët dhe ligjëruesit nga të gjitha trevat shqiptare u nisën drejtë Tivarit, për të bërë homazhe dhe për të vendosur kurora lulesh në vendin ku strukturat ushtarake dhe komuniste të ish-Jugosllavisë në bashkpunim të plotë me udhëheqsit e Partisë Komuniste Shqiptare të Tiranës, të cilët në vend që të kundërshtonin masakrimin e mijëra bashkombasve të tyre, fatkeqsisht lehtësuan dhe ndihmuan në realizimin e këtij krimi kundër njerëzimit.

Sipas të ndjerit Prof. Dr. Zekeria Canës dhe historianëve të tjerë, numëri i shqiptarëve të ekzektutuar  në Tivar dhe gjatë rrugës nepër veriun e Shqipërisë, është vetëm një pjesë e numrit më të madh të shqiptarëve që janë vrarë  duke kaluar nga Tivari e përgjatë bregdetit të Kroacisë deri  në Trogir.  Masakra e shqiptarëve në Tivar, ishte pjesë e një e një terrori të organizuar mirë dhe të një likuidimi në masë të shqiptarëve, përfshirë  edhe gra e fëmij, përpiluar  me kujdes nga autoritetet komuniste jugosllave, të cilat, ndër të tjera, donin që me çdo kusht të mos lejonin zbatimin e vendimeve të mbledhjes së Bujanit për vetqeverisjen dhe bashkimin e Kosovës me Shqipëri.  Në këtë përpjekje, sipas shumë të dhënave zyrtare dhe të dëshmitarëve, autoritetet komuniste jugosllave kishin përkrahjen e plotë të Partisë Komuniste Shqiptare, në krye me Enver Hoxhën.  Me pretendimin se mijëra rekrutë të rinjë shqiptarë nga Kosova do të dërgoheshin për të luftuar  — të çarmatosur — në frontin e luftës në Trieste, i detyrojnë ata të largohen nga Prizreni e nepërmjet terreitorit të Shqipërisë së Veriut për në Tivar, ku sipas historianëve gjetën vdekjen duke u masakruar rreth katër mija të rinjë shqiptarë, megjithëse ka mundësi që numëri i vërtetë i të vrarërve të mos dihet kurrë.  Por, ajo që dihet tani dhe që po del në dritë dal nga dalë nga studime të ndryshme, përfshirë edhe konferencën e Ulqinit, është se mijëra të rinjë shqiptarë të pafajshem u tradhëtuan, u vranë e u masakruan nga kriminelë të policisë dhe ushtrisë jugosllave, nën urdhërat dhe mbikqyrjen e partisë komuniste serbo-malezeze, por fatkeqsisht, edhe me dijeninë dhe bashkpunimin e plotë të shokëve të tyre në udhëheqjen e partisë komuniste shqiptare.
Para nja tre vjetëve, pata shkruar një artikull për Masakrën e Tivarit, ku në atë kohë shpreha shpresën për zhvillimin e një debati që do të çonte në, “hulumtime shkencore nga historianë të të gjitha trevave shqiptare për të hedhur poshtë pretendimet e historiografisë komuniste për këtë dhe tragjedi të tjera të kombit tonë, të kryera dhe të fshehura nga regjimi komunist shqiptar dhe bashkpuntorët e tyre serbo-malalzez.”

Konferenca e Ulqinit mbi Masakrën e Tivarit është  fillimi, është konferenca e parë e këtij lloji për këtë krim lufte që mund të radhitet me krimet më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, por për shqiptarët është një ndër pikat më të zeza të historisë kombëtare, për nga numëri i të masakruarve shqiptarë me një rast dhe në një vend, por edhe për nga tradhëtia e udhëheqësve komunistë shqiptarë, të cilët miratuan dhe bashkpunuan në ekzekutimin e kësaj vepre makabër dhe pastaj heshtën duke mohuar se madje kishte ndodhur një gjë e tillë.  Këjo konferencë – që pritet të botojë të gjitha referatet në një botim të vetëm — duhet të shërbejë gjithashtu si një formë presioni e opinionit publik dhe në këtë rast, edhe nga studiuesit dhe ekspertët, ndaj autoriteteve shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë që  krime dhe masakra si këjo, kudo në trojet shqiptare, të mos trajtohen më si tabu dhe që njëherazi ata të mos kenë frikë nga e vërteta për zbardhjen e këtyre krimeve.

Para më shumë se dy vitesh, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi, “Ngritjen e Komisionit Hetimor për Hetimin e Fakteve, Rrethanave dhe Përgjëgjësive të Masakrës së Tivarit, 1945”.   Nuk jam në dijeni nëse ky komision ka bërë ndonjë përparim ose nëse anëtarët e tij kanë patur ndonjë takim në lidhje me përgjëgjësitë që i ka caktuar Kuvendi shqiptar, në lidhje me këtë çështje.   Shekulli i kaluar do të mbetet si një prej shekujve më tragjik për njerëzimin, kur të merret parasyshë numëri i njërzëve të pafajshëm që janë vrarë, në emër të  idelogjisë komuniste.  Konferenca e Ulqinit për Masakrën e Tivarit, në një mënyrë — po të konsiderohet heshtja zyrtare mbi këtë dhe krime të tjera të komunizmit – na sjell në mend se fatkeqsisht lufta e ftohët, të pakën në trojet shqiptare ende nuk ka marrë fund.  Por na kujton gjithashtu se si komb i lirë tani, shqiptarët e kanë për detyrë të kujtojnë,  jo vetëm ata të cilët 68-vjetë më parë kanë humbur jetën në Masakrën e Tivarit, por edhe viktimat e tjera të pafajshme të komunizmit, anë e mbanë trojeve shqiptare.

Mijëra të rinjët shqiptarë nga Kosova që u mobilizuan për të “luftuar” në frontin e luftës në veri të ish-Jugosllavisë,  u masakruan në Tivar—për të mos u këthyer kurrë më pranë familjeve të tyre në Kosovë.  Këta ndoshta ishin të parët ndër shqiptarët që përjetuan natyrën e vërtetë ç’njerëzore të komunizmit.   Komunizmi ka vdekur, por trashëgimia e këtij sistemi dhe përjetësimi i gënjeshtrave të atij sistemi vazhdon, me pasoja të rënda për shoqërinë dhe kombin shqiptar, por edhe për vendet e tjera të Europës që kanë përjetuar të njëjtin fat.

Çka është kombi pa kujtesë?  Ata të cilët e harrojnë të kaluarën, ka thënë fillozofi Xhorxh Santajana, janë të dënuar t’a përsërisin.  Organizuesit dhe pjesëmarrësit, studjues dhe historianë nga të gjitha trojet shqiptare në Konferencën e Ulqinit mbi Masakrën e Tivarit, meritojnë falënderimet dhe mirënjohjen mbarëkombëtare për nismën dhe kontributin e tyre të çmuar për të kujtuar, duke hedhur sado pak dritë mbi atë krim,  duke na kujtuar  rishtas atë periudhë të errët të historisë shqiptare. Por njëkohsisht Konferenca mbi Masakrën e Tivarit,  nënvijoi edhe rëndësinë e përgjegjësisë morale dhe profesionale që intelektualët  dhe akademikët shqiptarë kanë në zhvillimin e debatit të lirë, në një shoqëri të lirë – duke na kujtuar ato që janë harruar, qëllimisht.

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: drejt zbardhjes, Frank shkreli, Nje gur, se masakres se Tivarit

Nesër do të jetë shumë vonë

April 2, 2013 by dgreca

Nga Reshat   Kripa/

Një sentencë mjaft e pranishme në ditët qe po jetojmë. Nje sentencë që duhet të jetë në vëmendjen e të gjitha forcave politike që e quajnë veten të djathtë. Kjo për arsyen e ndryshimeve të pozicionimit të një prej partive të koalicionit qeverisës, Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këto ditë lexojmë dhe dëgjojmë për një aleancë parazgjedhore PS-LSI, e shoqëruar me disa kushte, si dalja nga qeveria e ministrave të LSI-së në këmbim të votimit të tre ligjeve të kërkuara nga Bashkimi Europian nga ana e PS-së. Se si do të rrjedhin ngjarjet do ta tregojnë ditët e ardhshme, por unë në këtë shkrim do të përqëndrohem në disa çështje, të cilat mendoj se i takojnë së djathtës për t’i trajtuar.

Një nga këto çështje është hedhja poshtë nga ana e së djathtës e iluzionit të suksesit të qeverisjes në bazë të bashkëpunimit me cilëndo forcë të majtë dhe zgjatjes së bashkëpunimit me të. Praktika qeverisëse ka treguar se nuk mund të ketë sukses dhe jetë të gjatë një bashkëpunim i forcave me kahe të kundërta politike, aq më tepër këtu te ne, kur ato vazhdimisht e kanë konsideruar njera-tjetrën  si armike dhe jo si opozitare.. Këtë e ka treguar eksperienca botërore por edhe jona e këtyre viteve pas përmbysjes së sistemit totalitar. E kanë vërtetuar Qeveria Teknike e viteve 1991-1992 dhe ajo e Stabilitetit Kombëtar e vitit 1997, që nuk ishin gjë tjetër veçse flluska sapuni në jetën politike të vendit në ato periudha. Një gjë të tillë tregoi edhe bashkëpunimi aktual midis Qeverisë Berisha me LSI-në e cila, me vetëm katër deputetë arriti të përfitonte mbi 20% të pushtetit në Shqipëri, për të mos thënë se, praktikisht, kjo përqindje është shumë më e lartë se ajo që është shpallur zyrtarisht. Mendoj se e djathta do të kishte fituar më shumë në rast se, në pamundësi të formimit të qeverisë në vitin 2009, të kishte pranuar zhvillimin e zgjedhjeve të reja në vend të bashkëpunimit me LSI-në. Pasojat e këtij bashkëpunimi ajo po i vuan sot.

Çështje tjetër, që për nga rëndësia e saj duhet renditur e para, është shkëputja një herë e përgjithmonë nga e kaluara komuniste gjë që, për fat të keq, nuk ka mundur të realizohet. Një shembull tipik, në këtë drejtim, është miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimet në Gjykatën e Lart dhe atë Kushtetuese. Kundër këtyre dekreteve u shprehën vetëm dy zëra, ai i zotit Artur Roshi, në emët të Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat dhe ai i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokrat të Shqipërisë nëpërmjet Deklaratës për shtyp të shpërndarë prej tyre. Miratimi i këtyre dekreteve tregoi se pushteti politik vazhdon të mbështetet ende në individë me prejardhje prej organeve më errëta të sistemit të përmbysur. Më lejoni të bëj një krahasim. Si u veprua në Gjermaninë e pasluftës? A pati ndonjë funksionar nazist, aq më tepër ndonjë që kishte kryer krime, të zinte vend në krye të administratës qëndrore. Asnjë. Për më tepër ata ndiqeshin për t’u nxjerrë para bankës së të akuzuarve, madje njëri prej tyre, të cilit nuk ia mbaj mend emrin, vetëm pak vite më parë, megjithse ishte në moshë mbi 90 vjeçare, u nxorr para gjyqit. Në Gjermani, edhe mbi 30 vjet nga mbarimi i luftës, nëpër shkolla nuk mësohej historia e nazizmit dhe Hitleri, në mënyrë që populli ta harronte atë faqe të errët të historisë së tij. Në këto çatse më kujtohet intervista që zoti Gabriel Partosh i ka dhënë  kohë  më  parë televizionit “Top Channel”. Midis të tjerave ai tha:

– Në  Gjermani  dhe  në  Francë   dënohen   po  deklaruan  se  nuk  është  zhvilluar holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vini veshin! Ndësa në ato vende dënohe vetëm se shfaq një mendim të tillë, te ne ata janë të barabartë, për të mos thënë më lart, se të tjerët. Pra janë në krye të pushtetit.

Tani le të hedhim një vështrim në gjithë periudhën pas fitores së të djathtës në vitin 2005. Nuk do të flas për ato dy vitet e fundit të ish-Presidentit Mojsiu, pasi ai me dekorimin e një individi si Fehmi Avdiu, e tregoi se kujt krahu i përkiste, megjithse e kishte fituar atë post me propozimin dhe votat e së djathtës. Do të përqëndrohem me ardhjen në postin e Presidentit të Republikës të zotit Topi. Menduam se çdo gjë do të shkonte në rrjedhën e duhur, por nuk ndodhi kështu. Dekorimet prej tij të individëve të prokurorit famëzi të komunizmit Skënder Breca dhe propozimet për në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese të tipave të Vangjel Kostës, që mbante në ndërgjegjen e tij dënimin për motive politike të disa të rinjve shqiptarë, na e prishën këtë iluzion. Atëherë ne u ngritëm dhe deklaruam qëndrimin tonë ndaj këtyre vendimeve absurde. Ne  përshëndetëm,  gjithashtu,  edhe  qëndrimin  e  Kuvendit  të  Shqipërisë  dhe  në mënyrë të veçantë të Kryetares së tij , zonjës Jozefina Topalli, për hedhjen poshtë të këtyre propozimeve.

Me ardhjen në postin e Presidentit të Republikës të zotit Nishani dhe, sidomos, pas takimit me të, të një delegacioni të shoqatës, ku ai shprehu hapur se dekreti i parë i tij do të ishte heqja e të gjithë titujve dhe medaljeve diktatorit Enver Hoxha dhe mos dekretimi për në organet e ndryshme që vareshin prej tij, të të gjithë atyre që ishin përlyer me regjimin komunist, na u krijua bindja se, më në fund, guri do të shkonte në vendin e vetë. Por, fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu. Diktatorit ende nuk i janë hequr titujt dhe dekoratat dhe në Gjykatën Kushtetuese, me propozimin e tij, janë miratuar dy figura nga më të errëtat e regjimit komunist, ndoshta edhe më të errëta nga ato që kishte propozuar zoti Topi.

Më erdhi shumë keq që në këtë valle u futën edhe ata deputetë që rrjedhin nga shtresa e të përndjekurve politik. Do të kisha dashur ta dëgjoja zërin e tyre ashtu si atëherë kur hodhën poshtë propozimin për Vangjel Kostën, por kësaj rradhe ata nuk guxuan, apo ndoshta nuk mund të guxonin. Përse? Mos vallë për postin e deputetit? Në vlerësimin e figurave nuk mund të ketë dy standarte. E pra ata vepruan me dy të tilla.  Turpi apo nderi bie mbi ta. Përshendes deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Mark Marku për qëndrimin e tyre krejtësisht realist.

Do të kisha dashur të dëgjoja edhe zërin kundra të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, por ajo zgjodhi zërin e heshtjes, as po dhe as jo, a thua ishte memece, njëlloj si në rastin e votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, ku kandidat ishte një person i ardhur nga shtresa e të përndjekurve politikë dhe ku ajo përsëri heshti. Si ta konsiderojmë këtë? Kush më shumë se ajo mund të shprehte mendimin e saj për një çështje të tillë? Le ta gjykojë ndërgjegja e saj.

Dua të pyes Presidentin e Republikes dhe ata që votuan pro dekreteve:

– Mos vallë u shua Shqipëria për intelektualë të rinj, të papërlyer me të kaluarën, që kanë mbaruar studimet dhe marrë tituj të ndryshëm nëpër vendet më të zhvilluara perëndimore dhe ju u detyruat të na servirni këta lakej të komunizmit, për të cilët zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, deklaronte:

– Unë nuk kam frikë nga komunizmi, por nga lakejtë e tij që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Shqipëria ka plot kuadro të afta për të drejtuar kombin. Zgjidhni ndërmjet tyre ata që nuk kanë qenë të përlyer me komunizmin. Le të jenë demokrat, socialist, republikan, social-demokrat, ballist, legalist dhe çfardo tjetër, vetëm jo veglat e bindura të komunizmit. Hapni dosjet e diktaturës. Pastroni administratën shtetërore nga këto mbeturina. Mbylluani dyert atyre që nuk pranojnë të hedhin poshtë të keqen, siç shkruante Shekspiri i pavdekshëm:

– Hidhni poshtë gjysmën e keqe të zemrës dhe rroni me gjysmën tjeter më të mirë!

Dhe kjo në rast se u ka mbetur një gjysmë zemre e mirë.

Ky është qëllimi i shkrimit tim. Nuk e di se sa do të realizohen këto. Por dua t’ju them se për të ardhmen e atdheut kjo duhet bërë sot pasi nesër do të jetë shumë vonë. Unë e kam zgjedhur rrugën time. Ajo është po ajo që kam patur në rininë time:

– Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: neser do te jete vone, reshat kripa

Serbia, Kosovo Resume Normalization Talks

April 2, 2013 by dgreca

By RFE/RL/

The Serbian and Kosovar prime ministers, Ivica Dacic and Hashim Thaci, are holding another round of EU-brokered talks in Brussels aimed at normalizing relations between Belgrade and Pristina.
The meeting is the eighth round of talks between Belgrade and Pristina since October.
Thaci, heading into the talks, underlined the importance of the meeting.
“Today is a historic day. It is a decisive moment for Kosovo and for the region,” he said. “I am a leader [who makes] decisions and today I am here to [make] a decision for my country and the future of my country and the EU perspective of the region. ”
In a sign the two sides may be nearing an agreement, Serbia’s powerful Deputy Prime Minister Aleksandar Vucic has joined the talks.
Vucic leads the Serbian Progressive Party (SNS), which is the largest in parliament.
Speaking at a press conference in Belgrade on April 1, Serbian President Tomislav Nikolic cautioned that a final agreement might not be reached.
“Intractable statements from Pristina put us before a fait accompli and are not encouraging,” he said. “We are not sending a delegation [to Brussels] to request, by ultimatum, the fulfilment of the Serbian Constitution and laws, but neither are we sending a delegation to agree on nothing [for Kosovar Serbs].”
Serbia refuses to recognize the independence declared in 2008 by Kosovo, which has an ethnic Albanian majority.
The key issue in the talks is the future of ethnic Serbs who are in the majority in northern Kosovo.
Belgrade wants a high level of self-rule for Kosovo’s Serbs, including their own police and judicial authorities.
Pristina has rejected this as a de facto partition of Kosovo.
On April 1, Vucic suggested the “frozen conflict” could not be allowed to drag on indefinitely.
“The agreement must be reached,” he said. “Serbia cannot wait another year or five years over this frozen conflict. Who will wait? People don’t have any patience left. A little hope was shown to them, a small light at the end of the tunnel, and now to tell them that we are going to continue with this frozen conflict, or no we don’t want to go toward the [European] world or tell them that we don’t want anything, we don’t need anybody, we can be on our own. We can’t, we can’t. Yes, we have to protect our national interests, but we must also know the limits.”
Thaci on April 1 urged Serbia to accept a deal that would give Serbs in Kosovo’s north more rights but which falls short of giving them autonomy.
The EU’s foreign affairs chief, Catherine Ashton, who is mediating the talks, said in a statement on April 1 that she believed an agreement was within reach, “even if it won’t be easy.”
Nikolic warned that failure to reach a deal would mean “economic hardship” for Serbia and delay the start of accession talks with the European Union.
The European Commission is to deliver a report in two weeks on progress made by Belgrade and Pristina on normalizing relations.

Filed Under: Opinion, Politike Tagged With: kosova, Normalization Talks, resume, Serbia

6 ARSYE PERSE PAKOJA E AHTISARIT ISHTE E PAFAVORSHME

April 2, 2013 by dgreca

PERSE PAKOJA E AHTISARIT ISHTE E PAFAVORSHME?

NGA ALBIN KURTI*

Të nderuara familje Balaj e Xheladini,/

I nderuari Zenel Zeneli dhe Hysni Hyseni,/

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,/

Në të gjitha vitet e pasluftës thoshin ‘pavarësia në fund të vitit’ dhe për çdo fundvit thoshin ‘pavarësia në vitin e ardhshëm’. Nëntë vjet rresht ishte kështu. Me këtë mënyrë u krijua një fiksim me pavarësinë si fjalë për shtetin, pa e konsideruar përmbajtjen e saj. Pra, së pari pavarësia që kërkohej përjetohej formalisht, duke e ndarë formën nga përmbajtja. Dhe, së dyti, besohej që forma e përcakton përmbajtjen, duke e harruar të kundërtën, që edhe përmbajtja e përcakton formën. Dihet që përmbajtja e pavarësisë është sovraniteti. Kjo është arsyeja pse në demonstratën e 28 Nëntorit të vitit 2006, patëm thënë që pavarësia e plotë dhe e vërtetë, ajo me sovranitet, nënkupton katër gjëra me të cilat matet vetë pavarësia: integriteti territorial, ushtria, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ulësja në OKB. Atëbotë, përveçse u nda forma nga përmbajtja dhe u etablua dominimi i së parës, pra i formës, pasoi degradimi i tretë. Forma u degradua në emrin, në emërtimin për shtetin. Vetëm le të quhemi të pavarur, thuhej atëherë, kjo është e rëndësishme.

Pakoja e Ahtisaarit, siç e mbajmë në mend, nuk erdhi as në fund të vitit 2006 dhe u shty asokohe për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Me 2 shkurt të vitit 2007 ateron Paketa e Ahtisaarit në Prishtinë, me 6 padrejtësitë themelore, si 6 faqet e kubit të paketës. Por, para se ta shpjegoj se cilat ishin këto 6 padrejtësi, duhet theksuar se me 2 shkurt 2007 në Paketën e Ahtisaarit askund nuk figuronte fjala pavarësi. Rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur, Ahtisaari ia dërgon veçmas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së disa javë më vonë, pra edhe pas demonstratës së 10 Shkurtit. Po ashtu, duhet theksuar që në krejt Pakon e Ahtisaarit, një herë përmendet shqipja, te gjuha shqipe, askund fjala ‘shqiptar’, përveç te shprehja komunitetet joshqiptare, dhe 37 herë fjala ‘serbe’.

Atëherë, cilat ishin ato 6 padrejtësitë themelore të Pakos së Ahtisaarit.

1. Pakoja e Ahtisaarit flet kryesisht për të drejtat dhe privilegjet e pakicave dhe atë sidomos të pakicës serbe. Kuvendi i Kosovës me këtë Pako, kurthohet nga formula e shumicës së dyfishtë. Kuvendi për çështjet e ligjet jetike ka nevojë për shumicën e përgjithshme dhe shumicën e pakicës, gjë që praktikisht i jep të drejtë vetoje pakicës. Kjo do të mund të ishte ndoshta e arsyeshme sikur Kosova ta kishte okupuar Serbinë dhe të kishte bërë agresion mbi Serbinë, e jo si te ne ku siç e dimë kemi situatën e kundërt – Serbia ka bërë agresion dhe e ka okupuar Kosovën. Dhe, sërish, ndoshta kjo do të kishte kuptim sikur Kosova t’i kishte 60% shqiptarë e 40% serbë, e jo si në realitetin tonë ku shqiptarë janë mbi 90%.

2. Trashëgimi kulturore konsiderohej vetëm ajo fetare ortodokse, e cila është definuar si serbe. Pakoja e parashihte themelimin e 45 zonave të veçanta qindrahektarëshe eksterritoriale, që uzurpojnë pronë, kulturë dhe histori.

3. Paketa e Ahtisaarit përqendrohet më së shumti te decentralizimi. Komunat e reja me shumicë serbe fitonin kompetenca shumë më të mëdha se ato me shumicë shqiptare dhe plotësisht të pazakonshme për komunat, psh. në arsimin e lartë, shëndetësinë dytësore, etj. Lidhjet horizontale të tyre hedhnin farën e një entiteti autonom serb. Lidhjet vertikale me Beogradin dhe financimi, i cili do të ishte i liruar nga taksat në Kosovë, i hapnin rrugë kontrollit të Serbisë në çerekun e territorit të Kosovës.

4. Instalohej Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, i cili njëkohësisht do të ishte Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian me fjalën përfundimtare për gjithçka çdo herë. Ky monark i ri do ta kishte fuqinë korrektuese, pra ndryshimin e ligjeve, dhe zëvendësuese, përjashtim të ministrave e zyrtarëve të tjerë me emërim të dikujt tjetër në ato poste. Kësisoj po betonohej protektorati sundues ndërkombëtar mbi Kosovën.

5. Në vend që të flitej për dëmet e luftës që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës, Pakoja e Ahtisaarit merret me borxhet e Kosovës. Kosova ishte përjashtuar nga sukcesioni i ish Jugosllavisë, nuk ishte zhdëmtuar për plaçkitjet dhe shkatërrimet, dhe tash duhej të merrte pjesë në borxhin e jashtëm të Serbisë.

6. Dikur, në vend se të çarmatosej ushtria kriminale serbo-jugosllave, u çarmatos UÇK-ja. Tash, në vend se të shpërbëheshin strukturat policore dhe paramilitare të Serbisë në Kosovë, Pakoja e Ahtisaarit parashihte shpërbërjen e TMK-së.

U bë kompromisi i dhimbshëm, Serbia fitoi shumë, por mbeti e pakënaqur. Pavarësia nuk na kaloi në Këshill të Sigurimit të OKB-së, Serbia nuk na e njohu pavarësinë dhe, përkundër të gjitha këtyre, Pakoja e Ahtisaarit u zbatua njëanshëm në Kosovë. Sot, Serbia është edhe më tej e pakënaqur dhe në Bruksel po zhvillohen negociata të reja. Serbia e pakënaqur është një Serbi hegjemoniste dhe shoviniste. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është normalizim i marrëdhënieve me hegjemonët dhe shovinistët e papenduar për krimet nga e kaluara. Sikurse dje komunat me shumicë serbe, po ashtu edhe sot bashkësia apo asociacioni i këtyre komunave, nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës, por e qeverisë së Serbisë. Interesat e Serbisë po kamuflohen me nevojën për integrimin e serbëve. Ne gjithsesi jemi për integrimin e serbëve, madje jo vetëm në institucione por edhe në shoqëri. Mirëpo, integrimi i serbëve në Kosovë nuk mund të kalojë nëpër Beograd. As në veri, e as në jug, as dje, e as sot.

Ju falemnderit!(* Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës, mbajtur më 1 mars 2013, për demonstratën e 10 Shkurtit 2007 )

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, gjashte arsye, ishte e pafavorshme, perse pakoja Ahtisari

MES PATRIOTIZMIT DHE NACIONALIZMIT

April 1, 2013 by dgreca

Shkruan Eugen SHEHU/

Prurjet e kohërave të reja, në rrafsh të zhvillimeve botëkuptimore filozofike, sociale, etike, etj, ndonëse kanë ndikuar në pjekurinë dhe gjykimin e kombeve të ndryshëm, asesi nuk kanë mundur të realizojnë balanca simetrike të ideve me kahjen e lëvizjeve reale. Në mënyrë të veçantë, keqinterpretimi vazhdon të ekzistojë midis asaj që neve e quajmë patriotizëm dhe nacionalizëm, aq shumë të përfolur me këtë mijëvjeçar të ri.
Ndonëse flitet rëndom nëpër mediat e shkruara dhe ato vizive, është vështirë të kuptosh se kur bëhet fjalë për patriotizëm dhe kur për nacionalizëm, një gjë e tillë ndodh edhe në instancat më të larta të politikës. I shtyrë nga kureshtja, personalisht kam studiuar disa programe të partive politike shqiptare (brenda dhe jashtë shtetit amë) me ç’rast kam vërejtur se modelet dhe nocionet e nacionalizmit dhe patriotizmit keqkuptohen dhe serviren jo rrallë në mënyra qesharake dhe butaforeske. Ndërsa në programet e disa partive të majta madje dhe disa demokrate, jo vetëm që termi nacionalizëm nuk përmendet fare, për hir të qëndrimeve servile ndaj faktorëve europianë, por shpesh e anatemojnë atë.

PATRIOTIZMI – ATDHEDASHURIA

Një shpjegim i sipërfaqshëm gjuhësor do të na vinte sidoqoftë në ndihmë tani. Fjala patriotizëm vjen prej latinishtes “pater”, në shqip at’. Një sinonimi llogjike e kësaj fjale të huaj është padyshim fjala “atdhedashuri”, e përdorur nga shqiptarët qysh herët. Sidoqoftë, pa marrë përsipër të futemi në rrafshe linguistike, unë mendoj se gjerësia me të cilën mund të përfytyrohet shprehja e fjalës “atdhedashuri” është e jashtëzakonshme. Në vetë konotacionin shpirtëror të shqiptarëve, me anë të kësaj fjale, nënkuptojmë jo vetëm dashurinë për atdheun, por gjithçka që lidhet me të: trojet, kufijtë, shtëpitë, të afërmit tanë e gjithçka tjetër. Pra, në rastin konkret, atdhedashuria nuk mund të konsiderohet si një nocion statik, përkundrazi është realisht një ndjenjë kaq e madhe dhe e fuqishme saqë mund të përcillet nga gjenerata në gjeneratë, duke u rritur sipas vizionit të ortekut të dëborës që zbret nga mali. A shquhemi ne shqiptarët për këtë ndjenjë? Mendoj se po. Pa dashur të hulumtoj në historinë e lashtë tonë, do të sillja shembullin e shkëlqyer të kryetrimit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Është dokumentuar tanimë historikisht se, falë dhuntive të tij ushtarake, heroi ynë kombëtar mundi të ngjitej në shkallët më të larta të karrierës në Portën e Lartë. Por malli për atdhenë u ngrit mbi hierarkinë ushtarake dhe ai ngarendi drejt viseve arbërore për të shkruar më pas epopenë më të lavdishme të kombit. Pothuaj pesë shekuj më pas, Shqipëria u gjend sërisht në udhëkryq. Fjala ishte për vetë ekzistencën e saj, ngase fqinjët ishin përgatitur ta copëtonin dhe barbarisht ta ndanin pjesë-pjesë. A nuk ishin gati 70 përqind e atyre që shpallën pavarësinë më 28 nëntor 1912, burra që kishin ofiqe të mëdha në perandorinë osmane? Ata braktisën karriera dhe ofiqe, të përvëluar nga dashuria për vatanin, dhe treguan me vepra se çfarë qenë të zotë të bënin. Vepra madhore e vëllezërve Frashëri, ajo e Faik Konicës, Mit’hat Frashërit,Ahmet Zogut, Dhimitër Beratit, Xhafer Devës, Fuat Dibrës, Rexhep Mitrovicës,Mehmet Pashë Dërrallës, Luigj Gurakuqit, Shtjefën Gjeçovit, Patër Fishtës, Isa Boletinit e qindra të tjerëve, mbetën padyshim monumente të përjetshëm të atdhedashurisë. Ende sot, në këtë mijëvjeçar të ri, ka qindra e mijëra shembuj të kësaj ndjenje të fuqishme që na lidh me atdheun, ç’ka më bën të rikujtoj shpesh thënien e mençur të Gëtes se “patriotizmit askurrë nuk i ikën koha”. Luftërat e shkëlqyera të tre UK-ve dhe qindra e qindra patriotëve të ramë në altarin e lirisë nga trojet etnike shqiptare, pa dyshim se janë vlera më e lartë e moralit, kulturës dhe traditës sonë kombëtare. Tjetër është, si temë më vete, se sa dhe si ka dështuar patriotizmi politik shqiptar, nga arsye më të ndryshme e në veçanti nga servilizmi dhe puthadorësia ndaj diplomacisë  perverse ndërkombëtare, e cila vazhdon me avazin e vjetër të përbuzjes së vlerave historike, kulturore e kombëtare të kombeve të tjerë, e në veçanti të kombit shqiptar. Patriotizmi shqiptar mbetet i gjallë dhe rezistues ndaj kësaj dukurie dëmprurëse për kombin dhe atdheun etnik shqiptar.

NACIONALIZMI RACIONAL SHQIPTAR DHE SËMUNDJA SHOVENE SLLAVE

Sa jemi ne shqiptarët nacionalistë? Le të përsijasim shkurtimisht rreth kësaj ideje. Kur thamë më sipër se patriotizmi shfaqet në çdo rast si ndjenjë, atëhere çfarë kohezioni ruan ai me nacionalizmin? Për hir të së vërtetës, vlen të thuhet se edhe termi nacionalizëm nuk vjen nga burimet shqipe. Së pari, ai gjendet  në burimin latin “nation”, e mandej duke evoluar shumë pak, pothuaj në këtë trajtë, takohet edhe në gjuhët romake. Në mënyrë të përgjithshme mund të thuhet se përkundër termit patriotizëm, si ndjenjë nacionalizmi (në shqip kombëtarizmi), është një doktrinë që rreket jo vetëm të shpjegojë këtë ndjenjë por edhe ta sendërtojë atë, duke interpretuar në mënyrë filozofike, sipas rrethanave dhe realiteteve të ndryshme. Nisur nga faktet e shumtë të historisë së popullit tonë, nga burime të etnogjenezës dhe zhvillimet dramatike deri në ditët e sotme, unë besoj se ne shqiptarët përgjithësisht jemi të prirur në kahjen e një nacionalizmi racional. Është tjetër gjë të bësh llogari se çfarë kemi fituar dhe çfarë kemi humbur ne, duke u rrekur t’i përmbahemi këtij lloj nacionalizmi, kësaj shprehjeje më të pastër dhe moderne të tij. Instikti i vetpërmbajtjes ka një bashkekzistencë të justifikuar në zhvillimin e ndjenjës sonë kombëtare, dhe kjo ka patur arsyet e veta. Së pari, vlen të shohim rastin e shthurjes së perandorisë otomane dhe famëkeqin Traktatin e Shën Stefanit. Ngase klasa feudale shqiptare e parapa rrezikun e copëtimit, duke shfrytëzuar ndjenjën foshnjore të kombëtarizimit, u ngrit menjëherë në këmbë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte përgjigja flakë për flakë që ne i jepnim opinionit ndërkombëtar. Ç’ndodhi në të vërtetë? Lidhja u shtyp me zjarr dhe hekur, ndërsa viset shqiptare në Mal të Zi iu bënë dhuratë të tjerëve. Po kështu ndodhi edhe në vitin 1913. Historia ripërsëritej duke gjymtuar dhimbshëm troje të tjera. Shqiptarët e ngritën zërin fort, rrëmbyen armët, derdhën gjakun e tyre  por e mbramja u plotësua vullneti i të tjerëve, i fqinjëve tanë dinakë. Po ashtu, edhe në vitet që rrodhën më pas, shqiptarët të trysnuar nga ideja e pazareve të tjera mbi tokat e mbetura, ndërtuan llogore dhe në dhjetëvjeçarë jetuan brenda tyre, duke bërë kësisoj të mundur kushtëzimin gati biologjik të instiktit vetëmbrojtës. Në lindjen dhe sendërtimin e nacionalizmit racional, tek shqiptarët kanë luajtur rol edhe trillet e fatit historik.. Në këtë mënyrë, që kur Fuqitë e Mëdha të Europës janë ulur për të parën herë në tavolinë e deri më sot, ato e kanë parë Shqipërinë si një mall pa zot, të gatshëm ta copëtojnë për të përmbushur orekset shovene të vasalëve të tyre në Ballkan. Duke na munguar përjetësisht përkrahja, ne jemi përpjekur që kufijtë tanë tokësorë të mos rrudhen më, duke fashitur në shumë raste në subkoshiencën tonë vullnete të shumtë vetëm e vetëm që të mos shuheshim si komb. Është interesante të mendosh se nacionalizmi shqiptar, i ngjizur në rreziqe të mëdha, dhe në momente kyçe të fateve të vendit, nuk ka patur dhe nuk ka ende sot asnjë tipar të përbashkët me nacionalshovinizmin e fqinjëve tanë. I artikuluar më së shumti si një doktrinë social-politike dhe filozofike, nacionalizmi shqiptar ka tentuar realisht ndaj realiteteve që shfaqin vlera, duke shmangur çdo lloj shovinizmi apo racizmi. Njëkohësisht, duke qenë gjithmonë aktiv përballë shovinizmave dhe ekspansionizmit sllav, të cilët kanë përdorur çdo mënyrë e mjet për shkatërrimin dhe përmbysjen e vlerave tona historike e kulturore si dhe pushtimin e hapësirës sonë etnike gjeografike. Por krejt ndryshe është shfaqur nacionalizmi tek fqinjët e shqiptarëve, duke çuar jo rrallë në konflikte të armatosura dhe mëri në dhjetëra dhjetëvjeçarë. Tipari kryesor që i bashkon nacionalizmat e prodhuar në boshtin sllav Moskë,Beograd, dhe Athinë, është pikërisht fakti që ata e nisin historinë e kombeve të tyre jo nga komuniteti primitiv (siç bëjnë edhe popuj të tjerë në Europë dhe në botë), por pikërisht nga koha kur kanë lulëzuar si perandori-Bizantine. Paradoksalisht, jeta e këtyre kombeve fillon në kulmet e lavdive të shkuara, dhe ëndrra e tyre e madhe është të përfundojnë sërisht në ato hapësira të mëdha toke, anipse shtëpitë e tyre mund të ngrihen mbi varret masive të popujve të tjerë. Beogradi sistematikisht e ka fshehur faktin se kur fiset sllave kanë ardhur në Ballkan në shekullin e VII e që njiheshin si barbarë por edhe si bujqë, kanë gjetur banorë me një identitet të përcaktuar jo vetëm kombëtar por edhe social dhe kulturor. Ata gjetën në trevat e Kosovës së sotme dardanët, madje sipas burimeve dokumentare për shumë kohë përdorën në shkëmbime të ndryshme monedhën ilire. Por këto realitete nuk mund të pranohen nga psikika e sëmurë serbe. I.Rackoviç në librin e tij “Vendi i çmendur”, midis të tjerave, shkruan: “Ne serbët jemi pinjollët e Adamit, popullit me fat tragjik dhe hyjnor. Në zanafillën e identitetit tonë etnik ndodhet bashkimi mes qiellit dhe identitetit nacional”. Të njejtën tezë patën propaganduar edhe teoricienët hebrenj në kohëra të shkuara dhe kjo mund të ishte njëra nga shfaqjet e urrejtjes me anë të së cilës, në vitin 1943, Beogradi pushkatoi pa gjyq mijëra të tillë. Gjenerali serb Milan Nediç i shkruante Hitlerit ekzaktësisht: “Serbia është kombi i parë që ka arritur zgjedhjen e duhur. Kemi eleminuar 94 përqind të hebrenjve serbë”. sllavomaqedonasit e sotëm s’janë gjë tjetër, pos një përzierje identitetesh e kulturash  të disa dhjetëramijëra sllavë kolonë. E theksoj fjalën kolonë ngase ata nëpër dhejtëvjeçarë të tërë, kanë dashur t’i largohen identitetit të tyre kombëtar, duke harruar se kanë ardhur në Ballkan në të njejtën kohë me serbët nga shkretëtirat e Azisë për një copë buke. Këta i përcakton saktësisht filozofi P.Mercier, kur thotë se “etnia është një grupim që rrjedh nga një stërgjysh i përbashkët, apo më e përgjithësuar që kanë të njëjtën origjinë, një kulturë homogjene dhe që flasin gjuhë të përbashkët”. Ndërkaq moria e botimeve, gojëdhënave, legjendave apo qëndrimeve kinse akademike të Shkupit, është përpjekur të krijojë ndër mendjet e maqedonasvesllav  idenë e rrejshme se ata janë stërnipërit e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Përçartja psikike e tyre shkon deri aty sa të kenë nostalgji për të gjitha tokat që dikur pati pushtuar Aleksandri i Madh, ç´prej Greqie deri në Egjypt dhe Iran. Të prirur prej delirëve të tillë ata e kanë të vështirë rikthimin në realitetet e këtij mijëvjeçari, ndaj manifestojnë shovinizëm e histeri gjithfarësh kur bëhet fjalë për të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve etnikë, brenda kufijve të tyre politikë, dhe në trojet e veta arbërore. Gjeopolitika e sotme, duke analizuar nacionalizmat ballkanikë, trajton gjerësisht edhe shpirtin integral të ortodoksëve grekë. Militantizmi i këtij religjioni, prej kohësh ka ardhur duke u zhvilluar, aq sa, në kundërshtim me parimet demokratike të proceseve europianizuese, po sundon si një ideologji shtetërore. Panhelenizmi ende sot ruan në kujtesën e vet të sëmurë “Magna-Grecia”, hapësirat kulturore të së cilës shkonin deri në kufijtë e Azisë së Vogël. Madje e armatosur me ortodoksizëm pervers, Athina synon t´i pushtojë këto territore tanimë jo me kulturë, por me forca ushtarake. Nuk dua të ndalem gjatë këtu për çështjen e Vorio Epirit, çështje e cila nuk inkriminon vetëm disa qarqe të caktuara (siç flitet rëndom në Tiranën zyrtare) por krejt shoqërinë dhe shtetin helen. Këtë e ka dëshmuar dhe dëshmon deri në ditët e sotme etnocidi i tyre kundër shqiptarëve.

REFLEKTIMI KLASËS POLITIKE SHQIPTARE

Natyrisht, në kushtet kur nacionalizmi në Europën Juglindore sundohet nga agresiviteti, çdokush do të pyeste: Sa i vlershëm është nacionalizmi racional i shqiptarëve? Pikërisht vlen të përsijasim në mënyra sa më konkrete. Në racionalitetin e vetëdijes sonë kombëtare janë ndërthurur (jo në mënyrë të përkryer sigurisht) elementët e një tradite dhe bashkekzistence shekullore me fqinjët. Ne i kemi pranuar fqinjët sikundër janë, pa u bërë atyre historinë, pa u kujtuar se janë ardhacakë në këtë tokë, siç është fjala për sllavomaqedonasit në Shqipërinë Lindore,ose thënë në Maqedoninë Shqiptare. Po kështu i kemi pranuar dhe ndihmuar helenët në momentet kruciale të historisë së tyre kombëtare. Edhe ndaj pakicave vllehe, greke, bullgare apo maqedonase, ne kemi së paku një shekull që shquhemi për një integrim social të kënaqshëm. Ne s´i kemi parë askurrë këto pakica si prishës të vizionit të komunitetit etnik apo vatra të mundshme tensioni, sikundër paragjykohen shqiptarët etnikë në Beograd, Shkup dhe Athinë. Por nacionalizmi racional asnjëherë nuk duhet njehsuar me antishqiptarizmin. Kur në Maqedoninë shqiptare dhunohet jeta dhe ardhmëria e qindra mijra njerëzve, kur atyre u mohohen të drejtat themelore siç janë puna, shkolla, flamuri, kur falangat kriminale policore dërgohen natën për të vrarë shqiptarë të pafajshëm dhe për të gjitha këto Tiranaapo Prishtina zyrtare bëjnë  ndonjë deklaratë të vakët, atëhere ky është antishqiptarizëm i hapur. Racionalizmi në vetëdijen tonë nuk mund të keqkuptohet kur hapur ai fyen vëllezërit e një etnie, të një gjaku, për më tepër në genocid shekullor siç është ishte rasti i Kosovës.. Të kërkosh me kushte një të drejtë që buron prej së drejtës së madhe, nuk ka asgjë të përbashkët me nacionalizmin racional. Është momenti që klasa politike shqiptare të reflektojë thellë, duke përkrahur pa asnjë paragjykim dhe rezervë idenë e kombit të bashkuar shqiptar në gadishullin e trazuar dhe të mbarsur me rreziqe të shumta.Tek e fundit Shqipëria Etnike,nuk presupozon pushtimin e territoreve të fqinjëve,përkundrazi kthimin e aytre teritorreve që ishin dhe mbeten përjetësisht shqiptare.Kjo pastaj rivrndoste ekuilibrat ballaknike dhe siguronte paqen dhe stabilitetin e përjetshëm në gadishullin Ilirik sotmë Ballaknik.Përderisa nuk rrishikohen vendimet famkeqe të Lo0ndrës së 1913-ës,natyrisht se do të gjallërojnë nacionalshovenizmat sllavo-helen,po ashtu nacionalizmi i ndershëm shqiptar,do të përkushtohet me sublimitetin e saj gjithmonë duke e shëndruar aspiratën në realitet,me të gjitha mjetet demokratike,ku dhe përdorimi i forcës në vetëmrojtje ashtë një mjet legjitim,sipas parimeve të demokracive botërore.

Bern-Zvicër

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugen Shehu, nacionalizmi dhe patriotizmi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 813
  • 814
  • 815
  • 816
  • 817
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT