• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Peticioni për Rrugën e Arbërit-FIRMOSE EDHE TI!

April 1, 2013 by dgreca

Firmosin mbi 1000 qytetarë/

Peticioni do qëndrojë i hapur në faqen Change.org deri në zgjidhjen përfundimtare të ndërtimit të Rrugës së Arbërit. Firmos dhe shpërndaje te miqtë në rrjetet sociale. Së bashku do ta afrojmë ditën e përurimit të rrugës me standarde bashkëkohoreQë prej 18 marsit 2013, me nismën e profesorit të Universitetit të Birmingamit, dibranit Gëzim Alpion, në faqen e internetit “Change.org” është i hapur për të firmosur nga qytetarët një peticion, i cili do t’i dorëzohet qeverisë që do dalë pas zjedhjeve të 23 qershorit, për ndërtimin dhe përfundimin sa më shpejt të Rrugës së Arbërit, me cilësi dhe më standarde europiane.

Rruga e Arbërit është një projekt  që po bëhen dy dekada që po përmendet çdo ditë, por është zvarritur pambarim.

Peticioni tashmë është nënshkruar mbi 1000 vetë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga një numër i madh vendesh ku është shtrirë diaspora shqiptare.

Peticioni është nënshkruar edhe nga numër akdemikësh të huaj me reputacion ndërkombëtar dhe qytetarë të thjeshtë dashamirës të kombit shqiptar.

Ky nuk është peticion politik dhe nuk do të përdoret nga asnjë forcë politike në Shqipëri për qëllime fushate. Peticioni përfaqëson zërin e dibranëve të thjeshtë, të cilët do t’i kërkojnë qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet e qershorit përfundimin sa më shpejt dhe me standarde të Rrugës së Arbërit.

Dibra është një nga krahinat më të pazhvilluara në Shqipëri.

Rruga e Arbërit do të lidhë Dibrën me rajonet e tjera të vendit duke i dhënë një shtytje shumë të nevojshme ekonomisë lokale.

Rruga do përmirësoj ndjeshëm infrastrukturën midis Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe për pasojë do të jetë një korridor shumë i rëndësishëm komunikimi për një numër shtetesh në këtë pjesë të Ballkanit.

Ishte shumë vështirë të firmosnin njëqind të parët, u bë më e lehte të firmosnin pesëqind dhe po shumë e lehte të firmosnin njëmijë! Tani, të gjithë së bashku do ta kemi më të lehtë t’i shtojmë firmëtarët, sepse nuk bëhet fjalë për çështje personale, por për një çështje që na përket të gjithëve! Jo vetëm për të sotmen, por edhe për të shkuarën me ëndërra dhe për të ardhmen me shpresë.

Të gjithe ata që nuk e kanë shënuar emrin e tyre, mund ta bëjnë tani! Asnjëherë nuk është vonë. Sa më shumë që të bëhemi, aq më shumë do dëgjohet zëri yt.

Bujar Karoshi

Gazeta ‘Rruga e Arbërit’

www.rrugaearberit.com

Ndiq hapat e mëposhtëme për të firmosur saktë:

1 – Kliko në faqen e web si më poshtë:

http://www.change.org/en-GB/petitions/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit?utm_campaign=petition_created&utm_medium=email&utm_source=guides

2- Lart, djathtas shfaqen kuadratet bosh.

Shkruaj Emrin, Mbiemrin, Adresën e emailit dhe Qyetitn tuaj. Pastaj klikon “Sign”.

Pas kësaj, ju do të merrni një mesazh falënderimi dhe konfirmimi që emri juaj u rregjistrua.

Për hollësi mund të vizitoni faqen e gazetës në Web: <www.rrugaearberit.com>

ose  në Facebook<facebook.com/gezim.alpion> ose<facebook.com/rruga.arberit>

Filed Under: Opinion Tagged With: Peticioni, Rruga e Arberit

Kripë në plagë

April 1, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/
Nga lufta e fundit në Kosovë, Mitrovica e pësoi më së shumti. Ajo mbeti e ndarë në dysh me urën mbi Ibër si simbol që dallimin gjeografik e bën politik. Por, jo vetëm kaq. Mitrovica është qyteti i cili e pësoi më së shumti edhe pas luftës. Dëbimi masiv i shqiptarëve ndodhi plot tetë muaj pas përfundimit të luftës, duke i shndërruar kështu shqiptarët e veriut në pakicë. Ashtu qysh shqiptarët u bënë dhunshëm pakicë, njësoj serbët u bënë përmes dhunës shumicë. Pastrimi etnik i shqiptarëve u shoqërua me sjelljen e serbëve në atë pjesë, si nga viset e tjera të Kosovës po ashtu edhe nga Serbia. Akti i shpërnguljes së përnjëhershme dhe të zhurmshme të shqiptarëve u zëvendësua me procesin e gjatë dhe të heshtur të pastrimit të tyre etnik. Zëvendësimi i popullsisë ishte përgjithësisht brutal. Blihej shtëpia e shqiptarit e cila më pas rrënohej për t’u ndërtuar aty një ndërtesë shumëkatëshe që mbushet me popullsi serbe. Kësisoj, mbarimi i luftës në Kosovë ishte i kufizuar në territor: veriu i Kosovës mbeti në një gjendje lufte pa luftime. Qeveritë e pasluftës shpallën moratorium atje duke e konsideruar nën zë që gjendja e tillë është çmimi i fitores, thua se Kosova nuk kishte paguar mjaft kosto nga një shekull okupim. Kishte edhe të atillë që për të arsyetuar rehatinë e tyre të pasluftës në pushtet e interpretonin në mënyrë konspirative lumin Ibër si kufi ndërmjet ShBA-ve dhe Rusisë.
Ndarja politike në Mitrovicë u përcoll me vdekje klinike në ekonomi. Mitrovica është qyteti më i varfër dhe me papunësinë më të lartë në Kosovë, i vetmi qytet të cilit i është zvogëluar popullsia krahasuar me tri dekada më parë. Gjigandi ekonomik ‘Trepça’ nga një shans për të ardhmen e Kosovës u shndërrua në gërmadhë të ndryshkur që tash duan ta likuidojnë për t’i paguar borxhlinjtë nga koha e Serbisë së Milosheviqit. Eksploatimi kolonial i dikurshëm nga Serbia që sublimohej me parullën e mirënjohur ‘Trepça punon, Beogradi ndërton!’ u zëvendësua me eksploatimin jo më pak kolonial të xeheve të papërpunuara nga ‘Trepça’ e pasluftës. ‘Trepça’ sot trajtohet si një lopë që mjelet pa i dhënë ushqim. Qyteti kryesor industrial i Kosovës është bërë vend i mjerimit social. Sikur të mos mjaftonte kjo, në Mitrovicë lulëzojnë kontrabanda dhe ShIK-u. Qyteti i Mitrovicës është i ndarë për qytetarët dhe shtetin e Kosovës por jo edhe për krimin e organizuar në të dy anët e Ibrit që bashkëpunon lëmueshëm. Në anën tjetër, nuk ka vend tjetër në Kosovë si Mitrovica ku qytetarët përshpërisin duke qenë të vrojtuar pothuajse në secilin lokal nga agjentët e ShIK-ut. Pretendimet se ShIK-u është shuar në qershor të vitit 2008 thua se tregojnë saktësisht të kundërtën: pikërisht viti 2008 shënon ngritjen më të madhe të ShIK-ut. Pasi që e sollën PDK-në në pushtet, agjentët e ShIK-ut u instaluan nëpër pushtetin e institucioneve qendrore e lokale, nëpër ndërmarrjet publike dhe agjencitë shtetërore.
Në muajt e fundit, dialogu politik ndërmjet Thaçit e Daçiqit bëhej për aq shumë çështje të brendshme të Kosovës mirëpo s’ka dyshim që Mitrovica ishte çështja thelbësore. Komunës veriore të Mitrovicës sipas Ahtisaarit po ia shtojnë edhe asociacionin e komunave me shumicë serbe edhe fondin zhvillimor për veriun. Ai asociacion a bashkësi komunash paraqet mënyrën qysh komunat si Graçanica e Parteshi do t’i bashkohen veriut të Kosovës, ndërkaq fondi zhvillimor për veriun është mënyra se si veriu veçohet e ndahet fuqishëm nga jugu. Mitrovica e përgjysmuar politikisht dhe e dërrmuar ekonomikisht kishte nevojë për drejtësi e barazi, për bashkim e zhvillim si askush tjetër. Mirëpo, pikërisht Mitrovica po e paguan çmimin më të lartë të dialogut që ka të bëjë më së shumti me të. Mitrovica është plagë e hapur e Kosovës së cilës dialogu Thaçi-Daçiq po i hedh kripë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, kripe en plage, Mitrovica

KIM MEHMETI NUK RREZIKON HARMONINË NDËRFETARE

April 1, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Për të mos i gënjyer lexuesit e mi të nderuar, që në fillim më duhet të them se ky shkrim a vështrim i “radhës” është (ri) përsëritje e një të tilli që është botuar shumë kohë më parë në gazetën KOHA. Për hir të kodit gazetaresk, ca paragrafë do t’i vë në parantezë.

Me datë 23 mars 2013, në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës, nën përkujdesjen e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e Lëvizjes VETVENDOSJE, z. Glauk Konjufca, u bë promovimi i librit të Kim Mehmetit “SHKUPI” (i konceptuar si një ese historike). Në e tij të rastit, Kim Mehmeti, pos të tjerash tha: “Absolutisht, matematikisht mund të dëshmohet se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë (lexo me logjikë dhe mes rreshtash) NË DISA VISE SHQIPTARE”! (autori i librit në asnjë moment nuk anashkaloi rolin dhe kontributin e kishës katolike dhe asaj ortodokse sa i përket ekzistencës së kombit…, ai në asnjë vend të librit të tij, nuk e përdhosi kontributin e rilindësve shqiptarë me përkatësi katolike a ortodokse e tjerë). Në vazhdim të këtij paragrafi unë do të mëtoj që të mos marr tarafe, gjegjësisht të mos bëj “avokatinë” të Kimit e as të ipeshkvit të ipeshkvisë së Kosovës, respektivisht të dioqezës Prizren-Shkup, të nderuarit Don Shan Zefit, i cili me a pa të drejtë iu kundërpërgjigj qëndrimit të Kimit, duke thënë se: “Shqiptarinë nuk e ka shpëtuar islamizmi, por është kisha katolike ajo që ka mbajtur gjallë fijet e shqiptarisë…, gjegjësisht  kisha katolike ka qenë roje e kombit shqiptar e assesi Perandoria Osmane dhe islamizmi i shqiptarëve…, së fundi kontributi i kësaj kishe është i pamohueshëm” (kjo assesi nuk mund të kontestohet qoftë edhe nga fundamentalistët myslimanë). Nëse Kim Mehmeti në librin e tij hetoi fenomenin historik dhe jo thashetheme, atëherë pse ipeshkvi i nderuar Shan Zefi nuk mëtoi ta ushqente fare pak idenë e Kimit, pse gjithë ky luks i tij mostolerance…, pse gjithë kjo “zaptisje” e fjalës së lirë dhe të drejtë…, pse nuk parashtroi kërkesën ndaj ndërtimit të një ideje të përbashkët…, pse gjithë ky mendim i tij i “gabuar”, i shpejtuar dhe i pambështetur në prova historike…, pse librit të Kimit duhet t’ia ngjisim “bishtin e dhelprës…, aq më tepër kur ke parasysh se në përmbajtjen e tij nuk kishte ndonjë gjymtim të theksuar”…, pse këtë libër duhet ta lexojmë mbrapsht dhe me emocione, në instancë të fundit, nuk mund të thuash se ky vështrim i Kimit ishte i ngulitur nga një njohje jo e plotë e kësaj problematike goxha e ndjeshme për rrethanat tona shoqërore.

Paragrafin e dytë të këtij vështrimi a opinioni gazetaresk po i fillojmë duke iu referuar disa opinioneve të kolumnistëve shqiptarë që mëtojnë të (mos) i shtrembërojnë faktet sa i përket tolerancës dhe harmonisë ndërfetare te shqiptarët. Këtë po e bëj që te lexuesit të mos krijoj përshtypjen se edhe unë si artikullshkrues kinse mbështes qëndrimet e tyre. Unë sot e gjithë ditën e Perëndisë nuk dua të besoj se Kim Mehmeti me librin e tij “Shkupi” si dhe ipeshkvi i nderuar Shan Zefi, me reagimin e tij, do të kishin mëtuar të rrezikonin harmoninë dhe tolerancën ndërfetare te shqiptarët. Nuk më jepet të besoj se gjithfarë (“hiper”) analistë a kolumnistë oportunistë nga të gjitha trevat shqiptare që hiqen si ateistë, të tjerët si katolikë, ortodoksë, myslimanë do ta kishin rrënuar kalanë e tolerancës dhe të harmonisë ndërfetare te shqiptarët…, nuk më jepet të besoj se të krishterët do të kundërshtojnë shqiptarët myslimanë pse ata me devotshmëri e praktikojnë islamin tradicional, nuk dua ta marr për të vërtetë se të krishterët do t’i kishin identifikuar myslimanët shqiptarë me gjithfarë rrymash obskurantiste dhe herë-herë do shkonin në skajshmëri duke i krahasuar edhe me fundamentalistë myslimanë!??… dhe, në instancë të fundit, duke dyshuar në kombësinë e tyre, do t’i barazojnë me arabët ose turqit… e të tjerë!? Nuk dua të besoj se kryefjala e qëndrimeve të myslimanëve dhe të krishterëve është urrejtja e tërbuar primitive dhe provinciale. Nuk dua të besoj në ekzistencën e tipave djallëzorë të ashtuquajtur kolumnistë që hiqen për myslimanë radikalë, jotolerantë, të cilët në vijimësi mëtojnë që shqiptarët me përkatësi fetare katolike a edhe ortodokse t’i konceptojnë si “kaurë”, si jobesimtarë e të tjera etiketime të rreme e të paqena, nuk dua të besoj në të qenët “analistë” mëhallësh, qofshin ata të jenë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e gjetiu që vazhdojnë ta ushqejnë ndasinë fetare te shqiptarët. Në këto “fërkime fesh” a ndasi shqiptarësh, kurrën e kurrës nuk do të jenë protagonistë.

Nëse shqiptarët do të karakterizohen me fenomenin e një kombi që ka tri fe dhe nëse ata shekuj me radhë ndërtuan atë kështjellën e harmonisë ndërfetare (që kombet e tjera nuk e kanë), atëherë nuk duhet lejuar gjithsecilit shqiptar që hiqet për mysliman, katolik a ortodoks të devijojë nga kjo rrugë e ky koncept, nuk duhet lejuar që fenë së cilës i takon ta bëjë më ekskluzive, më përparimtare dhe më tolerante në krahasim me fetë e tjera. Thjeshtë, nga hapësirat e kësaj harmonie nuk mund të përjashtohet asnjë fe. Përkundrazi, nga kjo hapësirë duhet përjashtuar çdo majorizim a edhe ekskluzivitet i cilësdo qoftë fe, dhe për këtë e arsye e të tjera nuk duhet lejuar askujt që një fe ta proklamojë paqësore, parësore e tjetrën fe dytësore. Së fundi, secili që do të mëtojë të bëjë një gjë të tillë, është njësoj sikur ka prekur në themelet e kombit dhe ata që i prekin ato themele, kanë hyrë në radhët e tradhtarëve të kombit!

Sot qarqe të caktuara në Ballkan dhe përtej tij përpiqen që shqiptarët evropianë t’i “paraqesin a t’i konceptojnë si fundamentalistë që shikimin e kanë të drejtuar nga Lindja”!? Qëllimi i tyre përqendrohet në zbehjen e imazhit të shqiptarëve me përkatësi myslimane dhe njëkohësisht në trasimin e rrugës drejt fillimit të një konflikti fetar…, po shqiptarët shekuj më parë u konvertuan në fenë myslimane, ata asnjëherë nuk e ndërruan identitetin kombëtar. Edhe përkundër përpjekjeve të grekëve e serbëve (dhe të tjerëve si ata) për ta zbehur këtë harmoni dhe tolerancë ndërfetare të shqiptarëve, ata mbetën tok. Shqiptarët myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe bektashinjtë gjatë gjithë zhvillimit të tyre ideologjik, kulturor dhe shpirtëror ishin bashkë në çdo kryengritje e luftë. Shqiptarët ishin një në punimet e Lidhjes së Parë dhe të Dytë të Prizrenit…, ata udhëtuan bashkë në qytetin e Kongresit të Alfabetit për të hartuar tërësinë e shkronjave të gjuhës shqipe.., ata ishin tok edhe në kohën e vuajtjeve të diktaturës së Enverit diku në Burrel, Spaç…, ata ishin tok edhe në vaktin e diktaturës së kralit, Rankoviqit dhe Titos, diku në “Petrova Rupa” të Goli Otokut, diku në Tivar e gjetiu…, ata ishin bashkë në luftën e Kosovës…, ata ishin tok edhe në rrebeshin e zhvendosjeve biblike të inicuara nga Millosheviçi…, ata u mblodhën tok në kufirin shqiptaro-maqedonas, atje në Bllacën famëkeqe për të qenë dëshmitarë të ndodhive ku nënat e reja kosovare do të lindnin fëmijët myslimanë a katolikë…, ata ishin tok edhe atëherë kur i bënin ballë mallit për liri të Kosovës! Ata edhe sot e kësaj dite janë bashkë falë tolerancës dhe harmonisë së bashkëjetesës së tyre fetare.

E gjithë kjo tolerancë dhe harmoni e lakmueshme sot, nuk është “…. as mit, as shprehje e zbehtë proverbiale e as shprehje frazeologjike e as idil”, po as e vërtetë e vockël historike, përkundrazi “… kjo harmoni fetare është pjellë e një historie dramatike e shqiptarëve”, siç do të thoshte Ismail Kadareja. Po, tekefundit, le të jetë një realitet yni, le ta konceptojmë si një testament politik të trashëgimisë sonë kombëtare. Sot me gjithë faktin se kohë pas kohe hetohen kundërshtime në relacionin laik-besimtar, mysliman-katolik, nuk besoj se do ta parafrazojnë atë shprehjen proverbiale “Për inat të vjehrrës, do fle me mullixhiun dhe delenxhiun”!?? Për historinë e tolerancës dhe të harmonisë fetare ndërshqiptare lakohen me qindra shembuj: dhe një i tillë ka të bëjë me ndërtimin e kishave katolike e ortodokse dhe kur ato rrënoheshin, krerët a autoritetet myslimane dilnin në mbrojtje të tyre…, apo ai shembulli dashamirës dhe fisnikërues i “atij prifti katolik të cilit i qe dashur të këndojë syret e Kuranit për të nderuar një mysliman të vdekur pasi hoxha dhe xhamia ishin shumë larg nga vendndodhja e kësaj vakie”. (Genc Myftiu) A mos vallë këta shembuj flasin pak për këtë “histori dramatike të shqiptarëve”. Nuk besoj që Kimi në librin e tij të kishte mbjellë farën e përçarjes mes shqiptarëve.

P.Sh.

Poeti dhe kritiku nga Kosova, Sabri Hamiti, poezinë e tij “DIMËR I EGËR” e përfundon me vargun: “Përsëritja përsëritet përsëri”. Kjo mua më dha të “drejtën” ta përsëris (pjesërisht) këtë shkrim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, harmonine fertare, Kim Mehmeti, nuk rrezikon

Nevoja për Klubin e Njerëzve të Drejtë

April 1, 2013 by dgreca

Arjan Th. Kallço/

Kush nuk e kujton kampin e tmerrshëm të Aushvicit që gjatë luftës bëri kërdinë me qëniet njerëzore? Një tragjedi e radhës e mendjeve djallëzore që njeriun e shihnin të ndarë në raca, klasa, kategori apo më keq akoma në skllevër dhe padronë. Thjesht Çnjerëzore! Mendoni për një çast sikur në memorien kolektive të gjitha tragjeditë të harroheshin dhe në vend të kujtesës që të tilla të mos përsëriten, të vendosim diku ndonjë monument me shkrimin: Kujtesa duhet të shndërrohet në indiferencë. Në fakt një e tillë është vendosur diku në stacionin hekurudhor të Milanos, në një nga binarët nga ku niseshin trenat për në kampin shfarosës. Tek ne u bë një tentativë ditët e fundit me një memorial që do të na lërë shijen e hidhur për një kohë të gjatë, sesi pazgjuarsia vazhdon të jetë pardone në jetën e shoqërive të evoluara, sepse vetë njeriu ka evoluar. Do të ishte më mirë që më parë një memorial të vendosej për të kujtuar të gjithë martirët e shukujve të kaluar, më pas për ata të monarkisë zogiste e vetëm pastaj të mendohej për vitet e diktaturës. Një kronologji e tillë besoj se do ta respektonte i gjithë populli, por siç është bërë e modës vitet e fundit, këmbët ngrihen dhe i bien kokës, apo meritat errësohen tërësisht nga pameritat dhe nga sulmet e paskrupullta ndaj gjithçkaje që njerëzit kanë ndërtuar e krijuar. Meritizmi si filozofia më e drejtë e vlerësimit, ia ka lënë vendin nxitimit që edhe ata që nuk meritojnë asgjë, sepse nuk kanë kontribute të kthyeshme apo të matshme në shoqëri, po nguten t’i sajojnë apo t’i blejnë në mënyrë të pandershme.

Përpjekjet për të imponuar vullnete të mbrapshta e dominuan dhe po e dpminojnë skenën botërore dhe shqiptare në një luftë të pamoralshme parimesh. A mund të jemi kaq indiferentë ndaj një historie që fundi bëhet kreu? A mund të bëhen të drejtë ata që ndjekin këto parime? Indiferenca duhet të zaptojë të drejtët apo anasjelltas, të drejtët duhet ta thyejnë atë?

Sot më shumë se kurrë po flitet për racizëm dhe sipas shumë analistëve të gjitha llojet e tij po e sëmurin dhe helmojnë Europën. Racizmi ekziston, sepse ekziston edhe ajo që e mban gjallë atë, indiferenca, interesi personal që shfaqet rëndom tek egoizmi dhe mbyllja në kutinë magjike të paprekshmërisë individuale. Një rast që duhet përmendur flet për një Nobelist hungarez për Paqen i cili i refuzoi me vetëdije të gjitha medaljet që vendi i vet i kishte dhënë në vite. Pse e bëri një akt të paprecedentë ai? – këtë duhet ta shohim nga shumë këndvështrime dhe thellësi mendimi. Në disa vende europiane si Gjermania, Franca, Italia dhe vendet nordike mungesa e tolerancës po fiton terren, kriza ekonomike është faktori i parë, janë politikanët të parët që kapen pas instikteve më të ulta dhe që e trashin zërin në mediat. Një situatë e tillë, kur shkaktarët shndërrohen në viktima, kërkon ndërgjegjësimin, rritjen e vigjilencës, organizmin, mosheshtjen me qëllim që situata të tilla të pakëndshme të mos bëhen fenomene të përsëritshme sa herë që bota bie në prehrin e krizave. Ndoshta gabuan ata filozofë që ngjarjet e shoqërisë i barazuan me ato natyrore, pasi u dhanë dorë interpretime të dëmshme për vetë shoqërinë. Një fenomen natyror mund të ndodhë spontan, por një ngjarje shoqërore e ka gjithmonë një shkak. Prandaj bota ka nevojë që në momente padrejtësish planetare të dëgjojë fjalën dhe mendjen e të drejtëve. Ka edhe një datë të vendosur nga Parlamenti europian që është 6 marsi dhe shumëkush mund të shprehet për një lloj virtyti që duhet ta karakterizojë politikën e çdo vendi. Guximi për ta kryer këtë akt edhe në të shkuarën nuk ka munguar, qofshin burra apo gra, pasi armiqësia lind sa hap e mbyll sytë, ndërsa paqja kërkon kohë, mund dhe sakrifica që mesa duket në qorrsokakun e historisë botërore, askush nuk ka mundur të depërtojë dot dhe që t’i zbulojë shkaqet e vërteta. Indiferenca më e rrezikshme është ta bësh veshin shurdh ndaj të drejtëve, ndaj atyre që i paralajmërojnë tallazet që po fryjnë mbi botën. Kur flasim për armiqësitë duhet të kemi parasysh të gjithë harkun gjithëpërfshirës të tyre, nga ato më banalet e deri tek ato më seriozet, që nëpërkëmbin kombe dhe popuj, duke u mohuar të drejtat e tyre dhe si pasojë e dritëshkurtësisë se mendjeve katile, e paguajnë shumë shtrenjtë mendjelehtësinë e injorancës. Po t’i referohemi pak historisë së luftës së dytë në shekullin e kaluar, ka plot raste kur duke qënë brenda doktrinave dominuese të kohës, shumë njerëz e gjetën forcën që të kryenin akte të drejta humane, si një konsull fashist që në vitin 1943 në Selanik shpëtoi shumë jetë njerëzish, italianë dhe grekë. Ndoshta për ne shqiptarët është një emër i panjohur, por për dy popujt e përmendur thotë dhe thotë shumë: Guelfo Zamboni. Në klubin e të drejtëve hyn edhe një femër në Teheran, Neda, që u përpoq për të drejtat e veta dhe të grave, apo shkrimtari libanez Kasir që kërkoi më shumë se kurrë pavarësinë e vendit nga Siria dhe që e pagoi me jetën e vet. Ka shumë të Drejtë kjo botë, por në vend që të përkrahen dhe të stimulohen, përndiqen dhe pësojnë një fund tragjik nga diktaturat dhe regjimet. Po ju kujtoj edhe historinë e Gjon Plait të dytë, pikërisht në këtë ditë Pashke, i cili rrezikonte shumë në Poloninë e tij të dashur, por disa njerëz me mend në Vatikan, pavarësisht vullneteve të politikës, një mendje të ndritur si ai e preferuan papë dhe jo në gojën e ujkut. Ky është njeriu për të cilin kemi më shumë nevojë – ishte unison i kardinalëve edhe i atyre më skeptikë që shihin tëk Vojtila një njeri të ditur, me kurajë, por pak të njohur në arenën botërore. Dhe mendoj se nuk gabuan në këtë zgjedhje, pasi misionari e përmbushi me devotshmëri detyrën, shpesh duke i vënë në siklet të fuqishmit e botës. Të Drejtë ka dhe duhet të ketë çdo komb që të mos verbohen nga arsyeja çnjerëzore e interesave të një grupi që është gati të shkatërrojë gjithçka që nuk përputhet dhe që shkon ndesh me ta. U duhet dhënë vetëm mundësia dhe përkrahja e duhur. Por faktet tregojnë se asnjë i Drejtë nuk është respektuar ndonjëherë, edhe pse më vonë është pranuar logjika e tij. Një qëndrim i tillë sigurisht është një revolucion dhe sipas mendimit të ish udhëheqësit kinez, Maos, ai nuk ngjason me një darkë mondane. Sa të prirur janë politikanët që të sakrifikojnë interesat e tyre dhe postet për një interes më të madh? Këtu kërkohet një analizë e thellë filozofike, shoqërore dhe pragmatiste. Të gjitha analizat do të shkonin dëm, siç kanë shkuar deri tani edhe tek ne, nëse secili interesaxhi nuk përballet me koshiencën e vet dhe të karrikes. Rusi Vasil Grosman dhe shumë mendje të fuqishme të botës janë dëshmimtarët e pavdekshëm të përpjekjeve njerëzore për një botë të drejtë, por kur në krye të jenë të Drejtët. Kur vetë rusi e kuptoi se zëri i tij do të mbytej apo do të ishte një pikë në oqeanin e armiqësive dhe ligësive me ironi theksoi : Nuk ka kuptim sot e mira! Në vend që të krijojmë parti dhe shoqata fantazma, apo traktate që kërkojnë një faturë të majme, është më mirë që të krijojmë, forcojmë dhe përkrahim Klubin e të drejtëve dhe njerëzve që duhet të jenë anëtarë të saj. Bota do të jetë më e mirë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjan Kallco, klubi, njerezit e drejte

RËNDËSIA E FAKTORIT POPULL

March 31, 2013 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/

Në momente të caktuara dhe kyçe të historisë sonë, faktori popull ka luajtur një rol të madh dhe tepër të rëndësishëm. Duke kujtuar periudhën e pushtimit otoman, qenë kryengritjet dhe revoltat e herë pas herëshme popullore të krahinave të ndryshme, të cilat mbajtën gjallë shpirtin dhe shpresën se një ditë do fitonim lirinë dhe në se kjo më 1912 u arrit, qenë sakrificat e patriotëve, por gjithashtu dhe të faktorit popull, i cili bëri të mundur realizimin e atij qëllimi. Ishte faktori popull gjithashtu, që u bëri ballë tendencava shoviniste të disa shteteve fqinjë, të cilët si gjatë Luftës Ballkanike, ashtu dhe më vonë, kanë patur ndaj nesh gjithmonë qëllime grabitqare dhe këto e shumë të tjera të nxjerrin në konkluzion, se kur populli organizohet dhe drejtohet për mirë, bën mrekullira, por kur bije në duar të këqija dhe manipulohet, ai kthehet pastaj në një turrmë të pa kontrolluar që bije trazira dhe sjell në pushtet individë, shoqëri apo sisteme të pa dëshërueshme.

Komunizmi përshëmbull lindi dhe u përhap fillimisht në Rusi, tentoi të depertonte edhe në perëndim, por nuk gjeti terren dhe u dëbua; Hyri e diktuar me forcë nga ushtria e kuqe në shtetet e lindjes, ndërsa në Shqipëri, për çudi, ajo u prit me dëshirë dhe krah hapur. Pse ndodhi kjo, sepse ata që e kuptuan se ç’ishte ajo doktrinë, qenë shumë të pakët në krahasim me shtresën e pa emancipuar fshatare, e cila bënte në atë kohë përqindjen më të madhe të popullsisë dhe e gënjyer nga premtimet e tyre, ajo u bë dhe faktor për fitoren e saj. Revolucionet në përgjithësi kanë për qëllim marrjen e pushtetit me dhunë, por në se në mjaft vënde perëndimore, ky fenomen gjithmonë ka dështuar, e kundërta ka ndodhur në Rusi , në Kinë, në Kubë dhe në disa vënde të Afrikës apo Amerikës Latine, të cilëve kjo ideollogji u ka ardhur për shtat dhe e kanë përqafuar. Edhe Enveri pikërisht “Kllasën” përdori për të marë pushtetin dhe po atë ai ndërseu gjithashtu për të azgjësuar intelektualët dhe kundërshtarët e tij politikë, prishi dhe shkatërroi vlerat e historisë, kulturën, institucionet fetare dhe nga që “e donte dhe e kishte për zëmër aq shumë”, po nga ‘Kllasa”, ai mblodhi gjithë teneqexhijtë, furrxhijtë, shoferat, karrocierët, mjelëset e lopëve dhe i bëri pushtetarë.

Pra, në se në një kohë më të herëshmë, me veprimet dhe pjekurinë e tij, populli ynë ka lënë emër të mirë dhe ka bërë histori, qysh kur u përfshi nga ideollogjia komuniste, e cila, siç thamë, prioritet i dha vetëm injorancës, ai pësoi transformim dhe çdo dukuri intelektuale,  jo vetëm që nuk i lihej hapësirë, por përkundrazi zbehej, për të mos thënë më saktë që edhe kërcënohej dhe shkaku që treguesit edhe mbas dy dekada të shëmbjes së tij,  nuk janë edhe aq pozitivë, tregon se dëmi dhe shpërbërja e vlerave të kësaj popullsie që doli nga ai regjim, qe tepër i madh.

Megjithatë, nuk mund të themi se populli sot është po ai i viteve nëntëdhjetë, i cili tregoi kurajo dhe trimëri të përmbysë komunizmin, por nuk kishte eksperiencën e duhur të ndërtonte demokracinë dhe fakti që mjaft nga ata me prejardhje, por edhe me mentalitet komunist, u lanë në aktivitet edhe në procesin e ri, tregon se me dashje apo pa dashje ai bëri gabime, të cilat na kanë kushtuar dhe vazhdojnë akoma të na kushtojnë. Por, nëqoftëse për atë periudhë, nuk mund të fajësohet, sot, kur kanë kaluar njëzet e ca vjet, ai duhet të jetë një faktor kryesor dhe mban përgjigjësi për çdo tregues që shkon apo nuk shkon mirë dhe këtë ai e korigjon me votën që ka në dorë, të cilën jo vetëm duhet ta vlerësojë, por edhe ta hedhë atje ku duhet.Vëndet që sot ne i shohim me demokraci të stabilizuara, për të ardhur deri këtu, u ka dashur mjaft mund e djersë, prandaj të heqim dorë sa më parë nga interesat vetjake dhe të shohim të mirën e kombit.

“Duhet ndërruar sistemi”, dëgjojmë që përsërisin disa, por në realitet, mendoj, se duhen ndërruar njerëzit, sepse janë pikërisht këta që krijojnë turrbullira dhe pengojnë zhvillimin apo integrimin e vëndit.

Shtresa e persekutuar, e cila është prezantuesja e vërtetë e të djathtës, nuk e ka atë gjallërinë dhe aktivitetin e viteve të para dhe arësyeja qëndron, sepse u mungon uniteti. Protestën e bërë nga ata katër fatzinj vitin e kaluar, dy nga të cilët përfunduan edhe në vdekje, prej tyre u quajt e paarësyeshme dhe i braktisën, po ndonjë “më të arësyeshme”, për të kërkuar ato të drejta që u takojnë dhe u është mohuar, nuk po i shohim. Intelektualët, gjithashtu, tek të cilët populli ka patur dhe ka gjithmonë shpresa, s’i kanë ato vlera, të cilat kemi kohë që s’i shohim dhe çmallemi vetëm duke i gjetur në ndonjë libër historie, i cili flet për periudhat që thamë pak më lart.

Me anëtarsimin në “Nato”, nga ndonjë trazirë e llojit të 97tës apo 21 Janarit, meqënëse rebelizmin e kemi në gjak, s’mendohet që të përsëriten, kështu që  t’ia lemë ato veprime ordinere të kaluarës dhe të tregohemi këtej e tutje më europianë.

Shpresojmë, pra që zgjedhjet e ardhëshme të zhvillohen paqësore, sepse kështu do justifikohemi jo vetëm me të huajt, por dhe me vetë -veten.

Filed Under: Opinion Tagged With: e faktorit, Hasan Kostreci, popull, rendesia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 814
  • 815
  • 816
  • 817
  • 818
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT