• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJOHJA NDËRKOMBËTARE E SHQIPËRISË DHE LINDJA E ÇËSHTJES SË KOSOVËS

July 30, 2024 by s p

Jusuf Buxhovi/

111 vjetori i Konferencës së Londrës.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, u hap më 17 dhjetor të vitit 1912, pak ditë pasi që në Vlorë të jetë shpallur pavarësia e Shqipërisë. Aty duhej të vendosej për fatin e saj, pa marrë parasysh se vendi qe pushtuar nga të gjitha anët: në Veri nga ushtritë malaziase, në Verilindje nga ato serbe dhe në Jug nga Grekët. Përjashtim këtu bënin dy qytete shqiptare: Shkodra në Veri dhe Janina në Jug ku forcat osmane dhe ato shqiptare të rrethuara bënin rezistencë.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ndonëse pa ndonjë përgatitje paraprake e natyrshme në raste të tilla, filloi me dy qëndrime të ndërtuara që më parë, të imponuara nga diplomacia austro-hungareze dhe politika e saj, të cilat po ashtu ishin në përputhje me interesat e Lidhjes Trepalëshe. Dhe ato ishin:

a) njohja e ekzistencës së Shqipërisë, pa marrë parasysh statusi që duhej t’i caktohej, dhe

b) vendet ballkanike fituese të luftës me Perandorinë Osmane, duhej të shpërbleheshin me territore, por jo në përmasa me kërkesat e tyre të plota, meqë kjo ngatërronte dhe madje rrënonte interesat e fuqive të mëdha europiane, ato të Lidhjes Trepalëshe, sidomos të Vjenës dhe Romës, të cilat nuk ishin të interesuara që ngopja e shteteve sllave të Ballkanit të shkonte në dëm të interesave të tyre, meqë ashtu forcohej edhe ndikimi rus në këtë pjesë të rëndësishme. Po ashtu, bërjen e Shqipërisë shtet e shihnin në (mos) përmbushjen e apetiteve të ndërsjella për shtrirje sa më të thellë në Ballkan, të cilat Shqipëria i pengonte.

Kundër forcimit të ndikimit rus në Ballkan ishte edhe Britania e Madhe po edhe Franca, që ndonëse luftonin çfarëdo përfitimi të Austro-Hungarisë në këto zhvillime, nuk mund të lejonin që ajo të përfitonte nga gjendja e re. Nga ky pozicionim, Britania e Madhe, e cila mori përsipër rolin e “shpëtimtarit të paqes” që duhej të arrihej nëpërmes balancimit të interesave të Fuqive të Mëdha, u vu në mbrojtje të një Shqipërie, e cila ishte e vetmja në gjendje që t’i ndihmonte këtij qëllimi, që për politikën e Londrës kishte rëndësi të madhe. Këtu në të vërtetë ndodheshin edhe gjasat e mbijetesës së saj.

Për Shqipërinë, megjithatë, kishte rëndësi njohja e ekzistencës së saj qysh në fillim, pa marrë parasysh si do të bëhej kjo, meqë aty ndodhej edhe çelësi i zgjidhjeve të shumë çështjeve të tjera, që lidheshin drejtpërdrejt me fillimet e normalitetit, i cili nuk mund të rikthehej pa largimin e ushtrive të vendeve pushtuese, të cilat mbanin peng pjesën më të madhe të vendit nën rrethanat e gjendjes ushtarake. E rëndësishme, po ashtu ishte, që të shkëputeshin që të gjitha lidhjet me Perandorinë Osmane, në mënyrë që hipoteka e saj të mos e ngarkonte të gjente vendin midis shteteve europiane. Si u pa në fillim, kjo jo vetëm që nuk ndodhi, po nisi edhe t’ia rëndojë kapërcimin nga Lindja në Perëndim. Rusia, madje, kishte deklaruar se “ishte edhe në interes të vendeve europiane e edhe të vetë Shqiptarëve që të ruanin lidhjet me Perandorinë Osmane nga shkaku i pranimit të tyre në masë të islamit, i cili kishte ndikuar dhe ndryshuar edhe mentalitetin e tyre si popull”!

Edhe Franca, nuk ishte gjithaq larg këtij mendimi, sado që arsyetimet e saj nuk ishin të natyrës “së civilizimeve”, por thjeshtë praktike, meqë sipas disa vlerësimeve që kishte nga diplomatët e saj në Stamboll “organizimi shtetëror i Shqipërisë dhe administrata e saj gjithsesi duhej ruajtur diçka të traditës së gjatë shtetërore osmane, meqë ata në të kishin luajtur një rol të rëndësishëm”.

Në seancën e parë, Konferenca e Ambasadorëve, më 17 dhjetor 1912, nën kryesinë e Sër Eduard Grej (Edward Grey), vendosi që Shqipëria të ishte autonome nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit dhe nën garancinë e kontrollin ekskluziv të gjashtë fuqive të mëdha. Konferenca ngarkoi Austro-Hungarinë dhe Italinë të studionin dhe t’u propozonin fuqive të mëdha projektin mbi organizimin e shtetit autonom shqiptar.

Në lidhje me kufijtë Konferenca vendosi në parim që Shqipëria autonome të kufizohej në Veri me Malin e Zi e në Jug me Greqinë. Me këtë vendim, duke caktuar si fqinj të veriut Malin e Zi, Fuqitë e Mëdha ia mbyllnin rrugën Serbisë për të dalë në Adriatik me anën e aneksimit të territoreve në Veri të Shqipërisë. Roli i Austro-Hungarisë këtu do të jetë vendimtar, meqë kështu përjashtohej mundësia që Serbia të dilte në det, dhe kjo mund të bëhej me anën e aneksimit të pjesës veriore, siç kishte ndodhur në të vërtetë, kur ushtritë e saj kishin depërtuar nga Shëngjini e deri në Durrës që ushtarakisht të paraprinin këtë pretendim. Nga ana tjetër, Serbisë iu njoh e drejta të kishte një dalje tregtare në det nëpër një skele shqiptare të lirë dhe asnjanëse. Ajo do të përdorej me anën e një hekurudhe ndërkombëtare, nën kontrollin europian dhe nën mbikëqyrjen e një force të posaçme ndërkombëtare, me liri transiti për gjithë mallrat, duke përfshirë këtu edhe municionet e luftës. Të nesërmen, më 18 dhjetor, këtij vendimi iu nënshtrua edhe qeveria serbe.

Kur jemi te formulimi nismëtar i Konferencës së Ambasadorëve në Londër i 18 dhjetorit 1912, pra kur Shqipëria do të shpallej autonomi nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit, me interes për atë fazë për Shqipërinë ishte theksimi i garancive dhe i kontrollit ekskluziv të gjashtë Fuqive të Mëdha ndaj saj, gjë që kishte rëndësi dhe Qeverisë së Vlorës do t’i shkojë përshtati. Sepse, Fuqitë e Mëdha i ngarkonte me përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të mbikëqyrjes së gjendjes në gjithë vendin, të cilën qeveria e Vlorës nuk mund ta bënte edhe po t’i jepej mandati i qeverisjes, siç do t’i ngarkojë edhe me përgjegjësinë e largimit të ushtrive pushtuese jashtë vijave që Konferenca do t’i caktojë si kufi të Shqipërisë pa marrë parasysh sa dhe si ata ishin të natyrshëm.

Me këtë, do të fillojë koha e mbajtjes së Shqipërisë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, me disa faza, e cila vendin nuk do ta nxjerrë nga terapia e krizës në të cilën do të gjendet, por njëherësh do t’ia heqë rrezikun e zhbërjes si shtet, siç dëshironin dhe vepronin fqinjët e saj.

Edhe duke u anashkaluar çështja e sovranitetit ose suzerenitetit të Sulltanit, përderisa do të hiqet fare me vendimin e 29 korrikut 1913 kur Konferenca e Londrës, më në fund, do të pranojë projektin për organizimin e shtetit shqiptar, sipas të cilit Shqipëria shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgimore, me ç’rast i hiqej çdo lidhje suzereniteti me Perandorinë Osmane, megjithatë ky vendim la jashtë shtetit shqiptar dy qendra të rëndësishme të saj: Kosovën dhe pjesët e Maqedonisë nën Serbi dhe Janinën me rrethinë nën Greqi. Humbja e këtyre pjesëve, nga diplomacia evropiane, veçmas ajo austro-hungareze që mbronte interesat shqiptare, u pa e zhdëmtuar nga mbrojtja e Shkodrës, pasi që ajo të jetë pushtuar nga Mali i Zi, të cilën ia dorëzoi Esad Pashë Toptani, në kohën kur Konferenca e Londrës ndodhej në një fazë delikate të caktimit të kufijve të shtetit të ri shqiptar.

Vendimet e Konferencës së Londrës legjitimuan ndërkombëtarisht shtetin shqiptar, ndonëse të përgjysmuar, por njëherësh promovuan edhe “Çështjen e Kosovës”, që si e tillë do të mbetet problem i hapur ndërkombëtar për afër një shekulli.

(Shkëputur nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, Prishtinë, 2021)

Filed Under: Opinion

Bujar Alimani, regjisori i ndërgjegjes kombëtare

July 29, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Me regjisorin dhe skenaristin e mirënjohur, Bujar Alimani, i cili solli një shije të patjetërsueshme në artin e kinemasë, u takova para një jave në Bronx, New York. Po më priste në një kafe me pronar shqiptar, duke dëgjuar këngën legjendare që shoqëron vallen e “Osman Takës”. U prezantua thjesht: Jam nga Mazreku i Çamerisë, fshat i lashtë që kish 600 shtëpi. Rrallë kam njohur njeri kaq modest, empatik dhe human. Besoj të gjithë e mbani mend se në janar të vitit 2020 filmi shqiptar “Delegacioni”, (realizim i vitit 2018) me regji të Bujar Alimanit, ishte përzgjedhur për çmimin “Oscar”. Deri atëhere filmi shqiptar nuk kish njohur ndonjëherë kaq shumë sukses në skenat ndërkombëtare. M’u duk e pabesueshme në atë kohë. Ishte një ngjarje e madhe për artin dhe kinematografinë shqiptare. Përzgjedhja në kompeticione ndërkombëtare të filmit siç dihet është e vështirë, pasi nuk konkuron dot me vepra të mbushura me klishe, por me vepra që mbartin background të thellë social e human. Çmimet që mori filmi “Delegacioni”, si “Çmimi i Madh” në edicionin e 34 të festivalit ndërkombëtar të filmit të kategorisë A në Varshavë, vërtetojnë vlerën e lartë artistike të tij. “Delegacioni”, i konsideruar si një ndër projektet filmike më prekëse në historinë kinematografike shqiptare, u shfaq edhe në shumicën e festivaleve ndërkombëatare. Madje u shpërblye edhe me çmimin “Ecumenical”, një çmim për marrëdhëniet njerëzore dhe humanizmin, që e jep në thelb Federata Katolike e Varshavës, e suportuar nga Vatikani.

Pas suksesit të filmit “Delegacioni”, në vitin 2021 regjisori Bujar Alimani u rikthye sërish në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në edicionin e tij të 37-të, me filmin “Virgjëresha shqiptare”, një produksion shqiptaro-gjerman, me një kohëzgjatje prej 120 minutash, ku bashkoheshin kanuni, komunizmi dhe femra shqiptare, përmes historisë tragjike të një “burrneshe”. Filmi na përball me figurën e femrës shqiptare në kohërat e vështira të jetës zakonore në vendin tonë. Një histori mjaft tronditëse, ku protagonistja braktis dashurinë e saj, për hir të Kanunit dhe ligjeve tradicionale që qeverisin shoqërinë shqiptare. Ky film, i financuar edhe nga Eurimage, ka fituar disa çmime ndërkombëtare, mes të cilëve në Festivalin e Filmit në Varshavë të Polonisë, ku u zhvillua një premierë Botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, dhe në Ostende në Film Festival, në Belgjikë.

Filmat “Virgjëresha”, “Fluturat”, “Amnistia”, “Vëthi i munguar”, etj. mund t’i konsiderojmë kryevepra të llojit të vet. Opusi kinematografik i Alimanit, me një mori veprash, ngërthen në vetëvete një mozaik vlerash humane, me skena fantastike dramash rrënqethëse, me një dinamikë portretesh autentikë, personazhe në zhvillim progresiv, që nuk janë gjë tjetër veçse lodra në duart e rrethanave. Filmat janë brujtur me një simbolikë të rrallë, imazhe turbulluese dhe sfida të madha konvencionale. Alimani na paraqet personazhe të tëhuajtur brenda shoqërisë, viktima të saj, fati i të cilëve vendoset nga rastësitë.(Kujtojmë filmat “Busulla”, “Zois”, “Brava”, “Krom” etj). Kryvlera që bartin veprat e tij është humanizmi, përqendrimi tek njerëzit e thjeshtë. Një virtyt i tillë kërkon shpirt human, një zemër të madhe, dashuri për njeriun, pa dallim. Filmat e tij na ofrojnë një pamje humane, edhe në rrethanat më tragjike, duke nxitur një provokim të thellë shoqëror e politik, duke i yshtur shqiptarët të shohin realisht historinë e tyre, pa doreza. Të pastrojnë memorien, llogarinë me të shkuarën.

Arti filmik i regjisorit Alimani mishëron ëndrrën e shumë njerëzve të realitetit shqiptar, duke krijuar aureolën e gjithë kompleksitetit human në një projeksion ku janë shpresat e dëshirat, komplekset nga të cilat kërkohet çlirimi, kënaqja e shpirtit, lundrimi në ditë e kaluara, nostalgjia…dhe absurdi padyshim. E theksojmë se gjithë krijimtaria e tij është në shërbim të humanizimit të shpirtit njerëzor dhe lartësimit të idealeve humaniste të paqes e vlerave të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Vokacioni kombëtar i regjisorit Alimani spikati edhe gjatë eventit “Noli Film Festival”, që u zhvillua nga data 31 maj deri në 2 qershor 2024 në katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit dhe është festivali i parë i filmit shqiptar në Boston, SHBA. Në rolin e drejtorit artistik Alimani, së bashku me stafin e festivalit, bënë të gjitha përpjekjet që ky kompeticion dinjitoz të eksportonte te shoqëria amerikane vlerat tona kombëtare, duke zgjedhur 27 filma me autorë nga Shqipëria, Kosova e dhe Maqedonia e Veriut. Në festival u paraqiten filma artistikë, dokumentarë, filma të shkurtër si dhe të animuar.

Kjo ishte një festë artistike e filmit shqiptar, që u mbështet edhe nga “Vatra”. “Qëllimi ishte që t’i sjellim emigrantëve shqiptarë të Bostonit e më gjerë, krijime të artistëve tanë, të takojmë njëri-tjetrin, të shmallemi, të bisedojmë e të mendojmë edhe për festivale të tjerë në Boston, tha regjisori Alimani. Të merresh me ndërgjegjen kombëtare në radhë të parë tënden dhe më pas të bashkëatdhetarëve të tu, është një gjë jashtëzakonisht e madhe. Ne i jemi borxhli ndërgjegjes kombëtare në përgjithësi dhe, nëse do të flisja edhe si artist me origjinë çame, pjesë e diasporës shqiptare në Amerikë, padyshim që i detyrohemi deri sa të kemi frymë Çamërisë sonë të shenjtë”, u shpreh gjatë bisedës regjisori Alimani.

Në filmat e tij regjisori Alimani e ka shumë të fortë edhe elementin historik: jo si rrëfim kohor, por si një dëshmi e zhvillimeve social-politike të kohës, qoftë asaj të shkuar, ashtu edhe asaj të tashme. Në filmat si “Delegacioni”, “Virgjëresha shqiptare”, “Fluturat”, etj, vetëm një fill i hollë e ndan aspektin kohor me aktualitetin.

Një pjesë e mirë e filmave të Alimanit janë një aktakuzë për komunizmin dhe postkomunizmin, për vizionin kontrovers të tyre në shkatërrimin e moralit humanist kombëtar. Në filmin e tij “Fluturat”, që shënjon një arritje kulmore në fondin e filmit dokumentar, realizuar me historitë tronditëse të 21 grave që kanë lindur e janë rritur në kampet e internimit në Gradishtë të Lushjes, regjisori Alimani ndihmon në sensibilizimin e ndërgjegjes kombëtare mbi regjimin komunist, ndërkohë që produksioni shërben edhe për të huajt, për t’u njohur me këtë pjesë të hidhur të atij realiteti. 21 femrat e internuara te “Fluturat”, edhe kur gjenden në llumin e errësirën më të madhe, kokëfortësisht nuk i humbin shpresat, por vazhdojnë të ëndërrojnë për një dritë, një diell që do t’ua ngrohë ditët. Vepra të tilla autori kumton mesazhet më universale, duke u futur në margjinat e shoqërisë, m’u aty ku vlon e ngjizet humanizmi i vërtetë, njerëzillëku e thjeshtësia.

Kompozimet të tilla, pa poza aktrimi, janë fine e të madhërishme. Regjisori Bujar Alimani krijon filma kompleks e universalë, shpesh herë pa ndihmën e dialogut, kryesisht përmes gjesteve dhe lëvizjes. Kështu i ikën me mjeshtëri klishesë. Sot kemi nevojë për artistë dhe krijues të tillë, me një këndvështrimi të ri realist, përballë dilemave morale të shoqërisë dhe ndërgjegjes së bjerrur kombëtare.

Filed Under: Opinion

MBËSHTETJA PËR FEDERATËN VATRA E GAZETËN DIELLI SI AMANET I PËRJETSHËM PATRIOTIK

July 26, 2024 by s p

Sokol Paja/

Federata Vatra e gazeta Dielli janë pasuria më e çmuar atdhetare, shpirtërore, patriotike e kulturore e shqiptarëve të Amerikës. Këto dy institucione të shenjta kombëtare përgjatë historisë i kanë dhënë shtetit, kombit dhe individëve krenari, identitet, dinjitet, nder dhe privilegj. Përgjatë një shekulli e një dekade, askush si Federata Vatra nuk e ka ndërkombëtarizuar çështjen kombëtare në diplomacinë e perëndimore e institucionet e shtetit amerikan. Askush si Dielli nuk zhvilloi, promovoi, debatoi, kultivoi dhe luftoi për çështjen kombëtare, historinë, gjuhën, kulturën, trashëgiminë e identitetin kombëtar. Çdo shqiptar patriot i ka borxh të përjetshëm Vatrës e Diellit, sidomos mërgimtarët e Amerikës. Këto dy institucione të vyera kombëtare, dy superfuqi patriotike përgjatë historisë së mundimshme të shtetit e kombit tonë, kanë pasur rol deçiziv duke shkruar e promovuar historinë e lavdishme të shqiptarëve të Amerikës e jo vetëm. Vatrës e Diellit të gjithë i kemi borxh, dhe mbështetja është detyrë, detyrim e amanet i përjetshëm ndër brezat pasardhës. Të gjithë shqiptarët duhet të sakrifikojnë pak për ti shërbyer, mbështetur, promovuar aktivitetet e Federatës Vatra, pasi janë shpirti i komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës. Kontributi fenomenal dhe veprimtaria gjeniale në shërbim të Atdheut e Vatrës dhe Diellit kanë lartësuar kombin e flamurin tonë.

Kombëtarisht Vatra luftoi për të drejtat e shqiptarëve në trojet etnike, për pavarësinë e Shqipërisë, për konsolidimin e zhvillimin e shtetit shqiptar, luftën kundër komunizmit, ardhjen e demokracisë, lidhjen e fortë me Amerikën, luftën e UÇK, pavarësinë e Kosovës, proceset euroatlantike e forcimin e marrëdhënieve të kombit tonë me aleatin e përjetshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithçka do harrohej nëse çdo sukses historik dhe arritje kombëtare nuk do të promovohej e shënohej në Diellin e shqiptarëve të Amerikës, Diellin e kombit, Diellin e shenjtë të Vatrës. Federata Vatra e gazeta Dielli u “shkrinë” për komb, atdhe e komunitet.

Sukseset historike të Federatës Vatra si: përpjekjet e fuqishme për pavarësinë e Shqipërisë, mbledhja e fondeve nga diaspora e Amerikës për shpëtimin e Shqipërisë (fushata: Mbahu nëno mos ki frikë se je djemtë në Amerikë), pjesëmarrja për mbrojtjen e kufijve jugor të Shqipërisë, vendosja e një përfaqësuesi nga shqiptarët e Amerikës në Washington para se të vendoseshin zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Amerikë, lobimi për Shqipërinë në Konferencën e Paqes, dërgimi i deputetit shqiptar nga Amerika në Parlamentin e Shqipërisë, oponenca ndaj regjimit komunist nëpërmjet veprimtarisë së fuqishme publicistike në gazetën Dielli, mbledhja e fondeve me fushata të herëpashershme për komb e komunitet si dhe organizimi i diasporës shqiptare në USA për çlirimin e Kosovës, protestat për çështjen kombëtare në Uashington, New York, Boston etj, pritje-përcjelljet e delegacioneve kombëtare politike, diplomatike e kulturore prej shteteve amë, promovimet e librave të krijuesve, artistëve e shkencëtarëve shqiptarë, botimi i Abetareve për zhvillimin e gjuhës shqipe në Amerikë, bashkimi i komunitetit shqiptar në Amerikë në darkën e flamurit kombëtar, reagimet e fuqishme e deklaratat publike ndaj padrejtësive të shqiptarëve në trojet etnike etj tregojnë për një veprimtari të jashtëzakonshme të Federatës Vatra në shërbim të kombit e komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës e jo vetëm. Vatra është lideri i padiskutueshëm patriotik i Shqiptarëve të Amerikës.

Federata Vatra mbetet organizata më e vjetër e diasporës shqiptare jashtë kufijve politik të Shqipërisë e gazeta Dielli media më e fuqishme në diasporat shqiptare nëpër botë ku nëpërmjet zërit dhe fuqisë intelektuale atdhetare, Vatra e Dielli me angazhim, përkushtim dhe devotshmëri e ndershmëri patriotike ngritën gjithmonë lart vlerat kombëtare shqiptare. Ndaj, për këto arsye e shumë e shumë te tjera, kërkojmë mbështetjen e fuqishme e kontributin e shqiptarëve në Amerikë e jo vetëm për të lartësuar dhe çuar përpara këto institucione të vlerave dhe kontributeve më të larta kombëtare shqiptare.

Sot Vatra dhe Dielli rrezatojnë patriotizëm, atdhedashuri, e krenari kombëtare me vazhdimësinë e palëkundur në shekullin e dytë. Federata Vatra e gazeta Dielli i kanë promovuar, nderuar e dekoruar shqiptarët e Amerikës, si asnjë institucion tjetër. Sot është koha për mirënjohje të paktën. Forcimi i Vatrës e Diellit, do të thotë të forcosh komunitetin dhe kombin shqiptar. Askush si Federata Vatra e gazeta Dielli nuk e ka luajtur rolin e ambasadorit e promotorit të shqiptarizmës. Punët e mëdha kombëtare të Vatrës e Diellit janë dëshmi e aspiratave për liri, demokraci, përparim e qytetnim të shqiptarëve. Vatra e Dielli kanë pasqyruar e rrezatuar vlerat më të larta kombëtare, vyrtytet më të çmuara e aspiratat më të veçanta shoqërore, patriotike e atdhetare. Gazeta Dielli e Federata Vatra u dhanë gjithçka ndër vite të dimrit e beharit e sot shqiptarët nuk duhet të kursehen për të mbajtur të fortë institucionet e shenjta të kombit tonë, Vatrën e Diellin, identitet, vlerë, dinjitet, frymëzim e krenari e çdo shqiptari në Amerikë e trojet etnike. Mbështetja është detyrë, përkrahja amanet i përjetshëm. Rroftë Vatra, rroftë Dielli.

Filed Under: Opinion

Klasiku, moderni dhe disidenti i harruar Kasёm Trebeshina

July 25, 2024 by s p

Dr. Iris Halili/

Në 30 vjetorin e botimit të Mekami-it!

Dy janё kategoritë e lexuesve shqiptarё të shkrimtarit disident Kasem Trebeshina. Grupi i parë është ai që s’e ka lexuar asnjёherё autorin “e çuditshёm” dhe grupi i dytë, fatkeqësisht më i vogёl, është ai që e njeh dhe adhuron Solženicyn-in shqiptar. Krahasimi i Trebeshinës me shkrimtarin rus të shekullit të 20-të bëhet pasi Trebeshina nё vitin 1953 i dërgon letër të hapur diktatorit komunist Hoxha, sikundёr Solženicyn-i më 1967 (5 qershor), boton në “New York Times” një letër të hapur shtetit komunist të Bashkimit Sovjetik.

Kalvari që i ndoqi tё dy është i njohur dhe ai ishte pagimi i kurajos së shkrimtarit rebel dhe disident i cili shumë shpejt kuptoj se kauza e tij kishte rënë ne duar të gabura ndaj dhe ju kundërvu sistemit me fjalë dhe vepra.

Nёse do të përmendim sadopak, në këtë punim, çaste nga jeta e autorit, kjo gjë do të kishte pezmatuar të parin vetë Trebeshinёn. Ai gjithmonё ka kёmbёngulur e ka thёnё: “Jeta ime s’ka të bëjë me krijmtarinë time. Unё nuk jam disident se bëra burg, por se në veprën time iu kundërvura atij sistemi, që ishte ndërtuar në mënyrën më të komunistshme”. Dhe e vërteta është që korpusi i veprës së tij është e gjitha disidente jo vetëm nga mesazhet që mbart , por edhe nga struktura moderne dhe avantgardë që autori sjell dhe që ishte jo vetëm shumë e avancuar për vendin dhe kohën e tij por që është e tillë edhe për letërsinë bashkëkohore të asaj kohe dhe kësaj kohe dhe që mbi të gjitha nuk kishte asnjë lidhje me metodën e realizmit socialist.

Pavarёsisht se Trebeshina nuk donte ta lidhte krijimtarinë me jetën e tij, përvoja e kritikës botërore na tregon se shpesh jeta e artistëve përcakton, nё mos tё tёrёn, njё pjesё tё mirё tё veprës së tyre.Dhe padyshim shumë tipare tё veçanta të artit të Trebeshinёs,apo edhe vetë fati i krijimtarisë së tij janë rrjedhojë e drejtëpërdrejtë e jetës sё kaluar në kalvarin e tmerrshëm të diktaturёs Hoxha në Shqipëri.

Sivjet u bënë 30 vite nga botimi për herë të parë i librit fiction Mekami, botim i Shtëpisë Botuese Buzuku (Prishtinë Kosovë, 1994). Kjo vepër, përbën një rast jo të zakontë në pafundësinë e rasteve që veprat letrare krijojnё. Shkruhet më 1978-ën dhe fillon marrëdhënien me receptuesin, domethёnё, botohet për herë të parë në vitin 1994, 30 vjet më vonë. Pra, mund tё themi se kjo vepёr ka disa “mosha” natyrore dhe jo natyrore:

1. Mosha e marrëdhënies autor-vepër.

2. Mosha e marrëdhënies vepër-receptues.

Tё dyja këto mosha janë të natyrshme në botën që krijon letërsia.

Po zakonisht shfaqen dhe “mosha” të tjera, që luajnë me një forcë të madhe dhe që po kaq shpesh ia ngrenë, apo ia ulin përfundimisht vlerat veprës letrare.

Në fakt, këto mosha nuk përbëjnё njё proces tё zakonshёm e normal nё letёrsi dhe pikërisht këtu qëndron pesha që ato mbartin.

Duke iu referuar Mekamit, shohim se mosha e tretë që ne mund t’i përcaktojmë, është ajo kohë kur kish përfunduar mosha e parë autor-vepër dhe priste të fillonte mosha e dytë, vepër-receptues.

Pikërisht midis këtyre dy momenteve, vepra mbetet pa marrëdhënien me autorin dhe pa atë me receptuesin, duke jetuar për afro shtatёmbёdhjetё vjet një kohë brenda një moshe që ishte e saja, por që normalisht s’duhet të ishte. Është mëse e kuptueshme që “mëma” e kësaj moshe të tretë, qё ёshtё artificiale për biologjinë e njё vepre letrare, e ka burimin pikërisht tek situata jetësore e Trebeshinёs mes burgosjeve dhe persekutimeve. Është kjo rrjedhё jete që shoqëron pothuaj gjithë krijmtarinë e autorit, duke dëshmuar qartazi se mosha e tretë bëhet një fenomen i njohur i kësaj krijimtarie.

Po të ktheheshim sërish tek Mekami, do të kuptonim se gjurmët e kësaj moshe, krijesë e mirëfilltё e biografisë së autorit, janë thuajse parësore në gjithë interpretimin që mund t’i bëhet veprës.

Dhe për këtë mjafton të përmendim disa fakte:

Nёse Mekami nuk do të humbiste shtatёmbёdhjetё vjet në një pakohësi, atëherё ai do të vlerësohej aktualisht nga receptuesit, si një autor gati “i çmendur” për kohën kur krijoi dhe pa asnjë mëdyshje do tё quhej disident pasi si çdo shkrimtar disident ai e tha të vërtetën në kohën e duhur dhe vendin e duhur.Por fatkeqësisht Trebeshinës jo vetëm që nuk ja botuan veprat por e rrasën në burgjet e zymta të komunizmit ku lapsi dhe letra ishte vetëm mëndja dhe kujtesa. Fatkeqësisht për këtë receptuesi i vitit ‘78 nuk arriti ta ketë në dorë Mekamin në kohën kur kjo vepër u shkrua. Sikur Mekami të kishte patur fatin të botohej, shqiptarët e atëhershëm ndoshta do të kuptonin më shpejt të vërtetën e realitetit të gёnjeshtёrt që jetonin dhe njëherazi do të kuptonin se Trebeshina nuk shkruante një letërsi tё realizmit socialist, por ishte një avangardё e letërsisё shqipe, qё mund tё krahasohej me atë të botërore. Kështu, për shembull, po të lexosh fragmentin e mëposhtëm shkëputur nga Mekami, kupton se autori është vënë në rolin guximtar dhe profetizues:

“Për shekuj me radhë gjithë historia juaj ka qenë një rrokopujë. Gjithnjë jeni qeverisur për faqe të zezё, ose nuk keni pasur asnjë lloj dëshire për t’u qeverisur…Të jesh mëse i sigurt se ky popull e ka një mallkim dhe do të arrijë të jetojë një kohë të zezë nën thundrën e atij lloj sundimtari! … Perëndi e plotfuqishme! Kush do të ketë fatin e tmerrshëm që të jetojë i shtypur nga njeriu më i poshtër dhe më i pabesë që do të nxjerrë ky vend? Ata që do tё arrijnë atë ditë do të mallkojnë fatin që kanë lindur shqiptarë..!

Une mendoj që edhe receptuesi i sotëm sikur edhe ai i kohëve që do të vijnë do të mund të gjej në veprën trebeshiniane historinë e dhimshme të shqiptarve në diktaturën komuniste dhe fatin e tyre të egër përgjatë atyre viteve. Ndërkohë kritikët do të vazhdojnë të analizojnë formën trebeshiniane të të shkruarit që jo vetëm për atë kohë , por edhe sot mbetet shumë e avancuar dhe orrigjinale.

Mekami vepër klasike apo moderne ?

.

“Por tashti unë nuk kam rrugë tjetër dhe do t’jua tregoj historinë nga fìllimi në fund. . Se urat janë djegur pas meje. Ne po jetojmë në kohë shumë të vështira, në kohë kur njeriu ha njeriun!.. Ashtu siç u tregova…Pikërisht atë ditë, në agim të parë, ata erdhën dhe më thirrën. Pastaj ne të gjithё u mblodhёm tek shkolla e fshatit. Mbledhja që bëmë atje qe e shkurtër, urdhrat ishin shumë të qartё dhe të prerë: partia . . Nuk ua them cila parti, por ju e kuptoni vetë cila!. . Ajo parti na urdhëronte që ta rrëzonim Mekamin e Shenjtë se feja ishte opium për popullin.Kasem Trebeshina-Mekami

Autori na flet për një realitet të regjimit Hoxha ku histeritë dhe narcisizmat kolektive i kishin zhdukur turmave arsyen. E gjithë historia e rrëfyer ka lidhje me prishjen e tyrbeve, kishave dhe xhamive në kohën e komunizmit kur Shqipëria u shpall i vetmi vend ateist në botë.

Mekamin e Shenjtë, autori e vesh sa me tragjizëm, aq edhe me grotesk. E shfaq sa hyjnor aq edhe tokësor, sa madhështor dhe të besueshëm. Kjo i shërben karakterit që quhet Turku, të shpërthejë si më poshtë:

“Ju e prishët Mekamin e Shenjtë, se ju nuk keni forcën e domosdoshme për të jetuar jetën tuaj, atë jetë që ju ka dhënë i madhi Zot. Tashti ti nuk ke as durimin e domosdoshëm për të jetuar historinë tënde, historinë e fisit tënd …”.

Trebeshina luan me kohën dhe hapësirën, duke e degdisur pёrfytyrimin tonë në një botë që është sa e jona aq dhe e paraardhësve tanë. Kjo formë estetike e rrit se tepërmi imagjinatёn e lexuesit duke krijuar vegime si tek Komedia Hyjnore e Dantes. Dhe ashtu si dhe tek Dantja, vegimi shërben për të na shpënë tek mё e vërteta nëpërmjet shkallës më të lartë të përfytyrimit.

Në një intervistë dhënë nё shtypin shqiptar, Kasëm Trebeshina shprehet: “Unë jam me Sofokliun”, pasi ai e konsideron veprën e tij si klasike. Në të vërtetë, shpesh, mendimet e shkrimtarёve për veprën e tyre janë në kundërshtim me atë të kritikës për të. Në rastin e Trebeshinës vihet re një ndarje si e prerë midis mendimit të kritikës dhe atij të shkrimtarit. Kështu, nëse mendimin e autorit për veprën e tij e njohim më shumë si klasike, gjykimi i kritikës është se kemi të bëjmë me një krijmtari moderne, bile e kanë e quajtur edhe absurde. Nuk është rasti të ndalemi gjerësisht në këto dallime, por është rasti t’i bëjmë pyetjen vetes: “A është Mekami, edhe një vepër moderne apo klasike?

Sikur në përgjithësi krijmtaria e Trebeshinës edhe vepra Mekami ka përqasje sa klasike aq edhe moderne. Klasikja në këtë vepër është njëherësh pjesë e estetikës dhe etikës, duke e bërë edhe më komplekse tezën që thamë.

E gjithë vepra është ndërtuar nga dialogё që të kujtojnë tragjikёt e vjetёr. Duke qenë një shkrimtar që aplikon edhe gjininë dramatike, Trebeshina·e njeh shumë mirë forcën e dialogut, që, i lidhur me monologun e shkurtër, krijon një linjë të vetme, aq sa receptuesi e ka të vështirë të dallojë ku fillon njëri dhe ku mbaron tjetri. Kjo shfaqje është e vështirë të konceptohet si klasike, pasi duke filluar me tragjikёt e vjetër dhe duke shkuar tek ndër më të mëdhenjtë autorë klasikë si Shakespeare, e kemi gati të pamundur të dallojmë qoftë edhe një rast të vetëm ku dialogёt dhe monologёt ndërthuren natyrshëm për t’u bërë “një”.

“Nuk jam në gjendje të them se kush fìlloi i pari të gërmonte në atë varr të rrethuar me tyrbe. Gjithashtu, nuk di sa shumë zgjati ai gërmim, sepse e kisha humbur fare kuptimin e kohës dhe hapësirës dhe tё gjitha gjërat kishin marrë formën e një varri që nuk merrej vesh pse duhej të prishej, që nuk dihej për çfarë po e akuzonin të vdekurin që ishte zhdukur aty brenda në dhe!

Kështu arrestohen dhe njerёzit e gjallë dhe asnjëri nuk di se çfarё ka bërë! Të tjerëve u hapen varret nga dy dhe tri herë..”. Shohim gjithashtu këtu si Trebeshina është shprehur edhe më sinqerisht se vetë thellёsia e ndërgjegjes njerzore tё asaj kohe, pasi edhe ajo ndikohej drejpërsëdrejti nga censura, autocensura dhe terrori.

Hyrja e Mekamit të kujton një realitet aktual për kohën kur u shkrua vepra dhe në të njëjtën kohë të parapërgatit për një të ardhme artistike. Me këtë duhet të kuptojmë se vërtet ajo që do të vijë është një e ardhme artistike, por mbështetur në historinё e Shqipërisë, pjesë nga e cila autori ka marrë përsipёr të tregojë, ajo kohë për të cilën do të flasë Trebeshina më vonë, është tashmё e shkuar. Në fakt kjo disonancë mes kohëve, në letërsi është shumë e lashtë. Funksioni dhe efekti që ajo mban është se receptuesin gjithmonë e tërheq një tekst që zgjedh të shtjellohet nё një realitet tё njohur, tё pёrjetuar, ekzistues. Kjo shërben edhe si një parapërgatitje për historinë që do të pasojë, që është sa reale e imagjinueshme apo joreale/e paimagjinueshme, për të plotësuar kështu egon artistike të receptuesit: të besohet si e vërtetë. Është ky moment që na bën të theksojmë edhe një herë se sa moderne shfaqet proza e Trebeshinёs, që çuditërisht e gjejmё kaq pranё e kaq tё ngjashme me atё tё Franz Kafka-ёs.

Nga ana tjetër e gjithё struktura e kësaj vepre është e ndërtuar në mënyrë të tillë, që të kujton korin e tragjedive antike dhe skenat që vinin menjëherë pas tij dhe kjo e bën veprën të duket klasike. Tek Mekami rolin e korit e luajnë ato fragmente që autori i ka quajtur “kapituj”, ndërsa rolin e ngjarjes që paralajmëron kori në tragjedinë antike e titullon “prokapitull”. Janë pikërisht kapitujt ata që paralajmërojnë në mënyrë filozofike ç’do të tregojë prokapitulli. Në të gjitha rastet kapitulli shpreh në mënyre lakonike ngjarjen që do të tregojë prokapitulli, duke na përgatitur emocionalisht për të shkuar tek ajo. Ka dhe raste kur fundin e ngjarjes prokapitulli nuk e jep, pasi atë e ka thënë qartë ose në mënyrё filozofike kapitulli, (që herë pas here më ngjan me prologun e tragjedive antike). Struktura ku ngrihet si kapitulli dhe prokapitulli, është dialogu. Aq harmoni ka midis dialogёve në kapituj dhe prokapituj, sa e ke gati të vështirë t’i veçosh ata në dy linja. Megjithatë, nёse tek kapitujt personazhet janë të paidentifikuar, tek prokapitujt identifikohen disi. Dhe kur themi disi, kuptojmë që receptuesi e ka sërish të vështirë të përcaktojë kush po flet. “Ashtu·ndodhi në një moment tek hapej varri …Ndërsa të gjithë po gërmonin si të tërbuar për të hyrë sa më thellë në një varr të kohës së shkuar, ne pamё të thyhen kockat e dy skeleteve prej njeriu dhe, për habinë e të gjithë atyre që ishin aty, pranë dy skeleteve prej njeriu ishte skeleti i një kali!”.

Tek Mekami qartazi vihen re dy shtjellime, që na fusin në botë sa të ndryshme aq edhe të njëjta të një situate, që nga reale bëhet joreale, per t’u bërë sërish reale.

Duket se Trebeshinës i pëlqen kjo fshehtёsi.

Kapitulli i shtatë

– Dashuria është një pemë e madhe që rritet në qiell, por mbështjellë në Tokën tonë merr formën e një shpendre.

– E donin ata të dy njëri-tjetrin?

-Nga ta di unë? Ata u takuan në qiell dhe u nisën Kashtës së Kumtrit për në Kopshtet e Paradizit!

Prokapitulli i shtatë

” … Ka kalur një kohë shumё e gjatë ..Vite dhe shekuj kanë rënë në humnerën e kohëve dhe unë gjer më sot e kësaj dite nuk arrij të kuptoj dashurinë, atë dashurinë e tyre. Ata nuk kishin folur kurrë një fjalë mes tyre, por e donin njëri-tjetrin me një dashuri që nuk ishte e kësaj toke dhe kalimi i kohës e tregoi se ajo ishte tërësisht e vërtetë”.

Është për t’u theksuar se Trebeshinës i pëlqen të sjellë në veprën e tij edhe imazhet e subjekteve klasike. Kështu, dashuria midis vëllait të Turkut dhe vajzёs së Spiro Gozos, të kujton pasazhet romantike tek Eposi i Kreshnikëve, apo platonizmin tek Romeo dhe Zhuljeta.

Ndërkohë, filozofime të tilla: “… Shumë keq! … …. Shumë keq! …. Nuk është e njerëzishme t’u prishësh gjumin dhe paqen e përjetshme të vdekurve. Gjithë popujt e qytetёruar nuk guxojnё të ndërmarrin një veprim të tillë të urryer…”, të kujtojnë klithmat e Antigonës në tragjedinë e Sofokliut. Megjithëse Trebeshinën nga Sofokliu e ndajnë mijёra vjet, tek të dy gjejmë të njëjtin problem: atë të së drejtës hyjnore të të vdekurve për t’u prehur në paqe si dhe pamoralin e diktaturave që shkelin edhe mbi ligjet supreme dhe të pashkruara njerёzore.

Dihet se kori në teatrin e lashtësisë hyri si një element skenik, pasi në amfiteatret e antikitetit, mbushur me mijёra spektatorё, nuk mund të dëgjohej zëri i vetëm i një aktori. Në atë kohë autorёt tragjikё i njohën korit elemente të tjera estetike dhe etike, midis tё cilave ishte roli prezantues i tij. Duke marrё nga kori antik këtë element prezantues, shohim se kapitujt tek Mekami, shfaqen si pёrsiatje filozofike e që të gjithё së bashku do të përbënin një mendim të vetëm filozofik. Këtu Trebeshina do të ishte sërish pranë modernëve të shekullit të 20-të, që nuk i shqetësojnë problemet e moralit, por ato metafizike.

T’i pranosh kësaj vepre këto shtjellime, do të thotë të pranosh një strukturё të re për Mekamin, ku s’do të mund të flitnim më për dy realitete, por për njëmbëdhjetë të tilla, të gjitha me njëmbëdhjetë shtjellime (që janë kapitujt) dhe njëmbëdhjetë zhvillime filozofike dhe pika kulminante që i gjejmë tek prokapitujt. Edhe tek pjesa e fundit, “Antihistoria” na ngjason me epilogun e veprave të antikitetit. Ndërkohë do të kishim përsëri letërsi të tipit fiction,tipike për prozën moderne dhe post -moderne, por që këtë herë është shumë afër edhe për nga struktura me aktet në tragjeditë antike.

Si përfundim, mund të thonim se të pranosh qё Kasëm Trebeshina është shkrimtar modern nuk do të thotë se përjashton faktin se ai shfaqet edhe si klasik, sidomos po të kihet parasysh se modernët e kanë prezantuar veten gjithmonë nёpёrmjet eksperimentimeve të formave dhe subjekteve klasike. Këtë bën në fakt Kasem Trebeshina në gjithë krijmtarinё e tij, duke qënë kështu klasik dhe modern njëherёsh. Avantgardë dhe disident deri në frymë të fundit!

Filed Under: Opinion

SHUHET QËNDRESTARI I REVOLTËS ANTIKOMUNISTE TË SPAÇIT GËZIM ÇELA

July 24, 2024 by s p

Besim Ndregjoni/

U shua dje Gëzim Çela i burgosuri politikë, piktori, që tregoi me panel se si të Burgosurit politikë ndërtonin Aeroportin e Rinasit, Ai që kaloi kalvarin e vuajtjeve dhe traumave në moshën 22 vjeçare. Çfar krimi kishte bërë Gëzimi që deshti muzikën? Që deshti pikturën, thjesht se kishte pasur babin prefekt të shtetit shqiptar. Akuza e pabazuar në ligjin e kohës “Tradhëti ndaj atdheut” dhe vazhdoi dënimin në burgjet e diktaturës deri kur ai bëri 27 vite. Jeta e tije në burgje dhe kampe përqendrimi e shoqëroi dhe një kitar që ja kishte dhuruar në moshën e rinisë Artistja e madhe Vaçe Zela, ajo kitarë do të behej shoqëruese e tije në Spaç në revoltën antikomuniste të Spaçit. Çfaj kishte bërë Gëzimi që në moshën 15 vjeçare i hiqej e drejta e studimit.. Arratisja ishte shpresa e tije e vetme për të fituar lirinë. Nga 196 të dënuarit e ridenuar me 4 të pushkatuar të revoltës antikomuniste kishin ngelur gjallë vetëm 7 ish pjesmarrs të asaj revolte. Sot me 23 korrik 2024 ngelën 6, iku dhe Gëzimi që emrin e kishte të gëzonte të gëzim, por ai nuk u gëzua kurrë!

Sot pritsha që për këtë ikonë qëndrestare të shkruanin ata që e gëzojnë demokracinë falë qëndresës dhe sakrificave të Gëzimit. Sot pritsha që të reflektonte shteti i ashtuquajtur “demokratik”dhe udhëheqsit e tyre, ti kërkonin falje Gëzimit që i dhanë një pension qesharak për qëndresën ndaj diktaturës, 100 ero në muaj, dhe shpërblyen xhelatët që torturuan dhe dënuan jetën e Gëzimit dhe ky shtet u jep 10 fishin me 1000 ero. Xhelatët. Sot pritsha që deputete e djathtë që kan marre nga 34 vite votën e Gëzimit të ngushëllonin bashkëshorten e Gëzimit, por jo ata kan hallin si të imitojnë pushtetin si të sigurojnë mandatin e deputetit.

Kjo është politika shqiptare nderon xhelatët përçmon qëndrestarët.

Gëzim i dashur ti sëbashku me 6 kolegët e tu i dhurove Papa Franceskut hartën e kampeve dhe burgjeve me 25 tetor 2023, i dhurove pikturat që kishe bërë me panelin tënd kampet ku ti vuajte burgun, dhe mu drejtove Faliminderit Besim që na bërë prezencë vuatjet tona tek Papa Francesku.

Shqipërisë sot ju shua një qytetar, një piktor, por mbi të gjitha një ish i burgosur politik 27 vjeçar, sot shoqëria shqiptare ngeli e trishtua se iku në botën e amshuar Gëzim Çela. Ikja jote Gëzim i dashur trishtoi bashkëvuajtsit tuaj, trishtoi familjen tënde që nuk arrite të kishe fëmijë, trishtoi Lushnjen që të lindi dhe Durrsin që ti i shërbeve mbas burgut. Dheu qoftë i lehtë mbi trupin tënd të sakatuar nga barbaret komunistë. Qëndresa sakrifica e juaj për liri do të qëndroi në zemrat e mendjet e shqiptarve të mirë, ata që të harruan , ata nuk do të kenë emër i dashur Gëzim.

Pusho i qetë miku im i idealeve të lirisë!

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT