• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nuk mund të preket dinjiteti i askujt!

January 29, 2013 by dgreca

Ne foto, nga e majta ne te djathte: Ish ambasadori amerikan ne Shqiperi ne vitet e para te demokracise, W. Rajerson, Ekrem Bardha, Kujtim Qafa dhe Gjeto Ivezaj, te cilet ndihmuan ne demokratizimin e Shqiperise ne vitin 1992. Foto e marre nga celebrimi i 100 Vjetorit te Pavaresise ne Ambasaden Shqiptare ne Washington me 11 Dhjetor 2012/

 Shkruar nga: Gjeto Ivezaj/

Po bëhët afro një vit që futen pengesa, kur bëhet fjalë për krijimin e një përfaqësimi dinjitoz të komunitetit shqiptar në Detroit, saqë kohët e fundit Don Fran Kola i afrohet një propozimi dinjitoz, duke “larguar” nga vetja, dmth Kisha, disa përgjegjësi që i ka mbuluar prej vitesh. Në mungesë të organizimit shtetror të emigrantve , gjegjësisht në aktivitetet patriotike dhe kombëtare, pasi punët dhe sherbimet e tjera funksionojne me ligjet e vendit ku jetojme e punojmë.

Eshtë kjo pikërisht fusha ma abuzive ku shqiptaret ne emigrim mundohen me qit në pah ato vlera që deshirojnë t’i kenë, por në fakt nuk i kanë. Pamundësia e të rënit në sy të “përsonalitetit” të tyre, mundohen të ulin dhe të fyejnë dinjitetin dhe mundësinë që kanë pasë e kanë të tjerët, që kanë bërë një emër të mirë, falë punës së tyre të mirë.

Përpiqemi t’i ndjekim dhe suportojmë, me mundësitë tona, mediat që ka komuniteti ynë, në gjuhën tonë. Kjo për shumë arsye, por më së pari për të mbajtë e ruajt gjuhën, traditat dhe vyrtytet me te larta te njohura dhe vlerësuara prej shumë studiuseve të huaj.

E bash pikërisht këtu, drejtuesit e mediave nuk duhet të bienë në cënimin e dinjitetit të askujt, për asnjë lloj interesi, sidomos kur duan të dalin në ballë të kombtarzmit disa përsona që nuk kanë bërë kurrë me shumë se disa darka e dreka falas, edhe pse kanë afro dy dekada në këtë komunitet, duke i pasë mundësitë me u duk, para se të kritikojnë në formën me vulgare punët e të tjerëve. Nuk është as në nderin e tyre, por as të mediave që ua hapin rrugën, duke ulë shumë vlerat profesionale të një bisede, nga e cila duhet mësuar e jo përçarë, siç mundohen të bëjnë në jo pak raste.

Kush më mirë se aktivisti dhe biznesmeni i njohur Ekrem Bardha mundet me ndihmuar, ashtu siç edhe ka ndihmuar, në problemet e komunitetit shqiptar të Detroitit. Prej vitesh e dekadash ai ka pasë dhe ka kontakte me Senatin e Kongresin Amerikan, me shumë përsonalitete të këtij vendi, ku ne ndjehemi me mirë se askund, duke u pritur nga disa Presidentë e duke u ftuar familjarisht në shtëpitë e tyre. Jam i binsdur se ata, të cilët sot flasin dhe mundohen me lobu në shtetin amë me hek Ekremin prej Konsull Nderi, nuk munden me i pasë arritjet e tij të një dite, edhe sikur të shtrojnë një mijë darka falas, edhe sikur t’i marrin edhe njëmijë mirënjohje shoqatash kulturore e të bëjnë darka dekorimesh, siç i kanë bërë deri më sot.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ekrem bardha, Gjeto Ivezaj

KRYEMINISTRI BERISHA:FLAMURI SHQIPTAR, NE BE-DESHIRE E SHQIPTAREVE

January 29, 2013 by dgreca

Kryeministri Sali Berisha vlerëson se referendumi për të kaluar tri ligjet e bllokuara nga e majta, është çelësi i sigurt për marrjen e statusit të vendit kandidat. Këtë argument ai e nxjerr nga mbështetja që i kanë dhënë propozimit të tij për referendum për tri ligjet e integrimit në BE, pasi sipas të dhënave të fcb-së, kërkesa e tij është shikuar nga mbi 150 mijë veta, është mbështetur me komente nga 2200 vetë dhe është kundërshtuar vetëm nga 143 komentues. “Së pari dua t’ju shpreh mirënjohjen me te thelle per mbeshtetjen tuaj te fuqishme, ne rrjetin tone social, te idese se thirrjes se referendumit per miratimin e tre ligjeve qe kerkohen nga BE qe Shqiperia te marre statusin e vendit kandidat per anetare ne BE.
Nga dita e shtune ne dreke gjer sot ne mengjes, statusi per referendumin (sipas insights te tij) u pa nga mbi 154 mije vete, u komentua nga mbi 2200 anetare te rrjetit tone, gjeti mbeshtetjen me masive dhe vetem 143 vete paten reagim negativ ndaj tij. Mbeshtetja juaj e fuqishme buron nga deshira juaj legjitime per te pare flamurin tone kombetar te valevitet sa me shpejt ne seline e BE-se, siç valevitet ne seline e NATO-s ne Bruksel”, shkruan Berisha në fcb.

Filed Under: Opinion Tagged With: Flauri shqiptar, Kryeministri Berisha, ne BE, Referendumi

PD DHE PS NUK JANË DY PARTI POR DY USHTRI – DHE JANË TË FRIKSHME

January 29, 2013 by dgreca

Opinion Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

 Ka nisur fushata, dhe të dyja partitë kryesore, kanë rreshtuar aleancat duke i armatosur me psikologji lufte. Secila palë pretendon se e ka rreshtuar veten tek Aleanca e Madhe, me synim çlirues apo shpëtues nga armiku pushtues. Në Aleancën e Madhe, ju kujtohet, bashkë me SHBA dhe Perëndimin ishte rreshtuar edhe Stalini. Të dyja palët, brenda rreshtimit partiak, palën e tjetër e konsiderojnë armike. Të dyja palët pra pretendojnë se janë edhe çlirimtarë, edhe pushtues dhe armiq për vdekje, assesi rivalë, kundërshtarë, garues, duke nxjerrë në garë idetë, programin për të ardhmen.  Ata kërcasin vetëm dhëmbët, shajnë e poshtrojnë njëri-tjetrin, e akuzojnë njëri tjetrin, dhe kur mbrohen, mbrohen me akuza, me kundërakuza, ku seicila akuzë është më e frikshme se tjetra. Pastaj, vjen një kohë dhe i gëlltisin e i hanë akuzat me të cilat kanë qëlluar njëri-tjetrin, sepse akuzat janë shumë më të rënda se shuplakat. Ky është konteksti zgjedhor, ku gjenden të dyja partitë, ku edhe PD, edhe PS pretendojnë se janë rreshtuar në Aleancën e Madhe, dhe që të dyja njëkohësisht pretendojnë se janë duke luftuar të keqen. Për nga egërsia, ndasitë idelologjike, ku nuk gjejnë asnjë pikë të përbashkët, për nga propaganda, retorika, armiqësitë, me këtë retorikë që ndjellin kundër njëra tjetrës, nuk mund të krahasohen assesi me vendet perëndimore, por vetëm me vende të cilat rezultojnë të jenë me liri të pjesëshme, pra vende jo të lira, ku demokracia të detyron standarde. E frikshme.

Ku jemi? Kur jemi? Jemi në fund janarit dhe po të kemi parasysh këto ritme dhe këto dufe se si gjuajnë me topa urrejtje kundër njëri-tjetrit, kur fushata sa vjen e egërsohet, atëherë kemi të drejtë të pyesim, ku po shkohet me këtë fushatë? Nuk ka konkurencë idesh, nuk ka garë rivalësh, por ka gjueti shtrigash dhe ligj xhungle, ku duket se do të fitojë më i egri, ai që i mbijeton të gjitha sulmeve të çakejve, të krokolidëve, tiranozaurëve. Kur po themi se jemi vend anëtar i NATO-s dhe ashtu del të jemi, përse nuk hymë në fushatë duke respektuar kodin e etikës, kodin e moralit dhe standardin e integritetit të politikanit?!

Sepse një politikan me integritet nuk ia lejon vetes të marrë rolin e dinozaurit Rex, ta copëtojë kundërshtarin, por do të pretendojë të përfaqësohet me personalitetin e tij, me meritat e tij, të cilat vijnë jo si shërbëtor, si shërbyes, si doorman i kryetarit të partisë, por si njeri me dinjitet dhe me vlera, që vjen t’i japë vendit dhe shoqërisë dhe jo t’ia rrjepë lëkurën.

Nuk flitet për vlera në këtë fushatë, për merita, për integritet të pacënuar, për politikanë pa hije në sirtarë, për politikanë pa skeletë në dollapë, por se si të luftohet kundërshtari me të gjitha mënyrat e mundëshme, me të gjitha metodat antiqytetare, si armik i popullit.

Pra fushata po të përkufizohet është luftë klasash dhe luftë klanesh, njëkohësisht, ku kryetari i partisë ka marrë rolin e komandantit të përgjithshëm të Aleancës së tij, dhe kërkon disiplinë absolute, kush lëviz bishtin, ai ia pret, kush guxon të shkëmbejë „like“ në Facebook me armikun imagjinar të partisë e përjashton nga partia, kush guxon të shkëmbejë ndonjë „si je“ „si shkon“ e përjashton nga puna. Këtu nuk flitet për militantizëm, por për ushtarë të bindur. Gatitu! E pra, ky fillim i egër, nuk hyn assesi në logjikën e një fushate të një vendi demokratik dhe komandantët e ushtrive duhet të demilitarizohen, të demilitarizojnë fjalorin, të demilitaritzojnë militantët dhe të vendosin kushtet e të hyjnë në një garë të ndershme. Sepse kjo luftë që ndjellin do të jetë me pasoja për ta.

Filed Under: Opinion Tagged With: dy ushtri, Elida Buçpapaj, opinion nga, PD dhe, PS

Fjalë imzot, vetëm fjalë!

January 29, 2013 by dgreca

Nga Reshat KRIPA/

Kjo shprehje e të madhit Uilliam Shekspir m’u kujtua më 27 janar 2013 në ditën e gjenocidit komunist në Shqipëri. Me vendim të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, qysh në vitin 2004, data 27 janar është caktuar si dita e gjenocidit nazist kundër hebrejve. Lidhur me këtë Parlamenti Shqipërisë hartoi një rezolutë ku solidarizohej me të dhe, njëkohësisht, në një pikë të saj e shpallte edhe si ditën e gjenocidit komunist. Ky ishte një vendim i drejtë i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Para syve m’u shfaq gjenocidi që ka ushtruar regjimi komunist mbi popullsinë civile. Mjafton t’i hedhim një sy librit “Jashtë kontrollit” të personalitetit të njohur amerikan Zbigniev Brzhezhinskij për të kuptuar gjithçka! Në këtë libër jepet një pasqyrë e plotë e këtyre krimeve të kryera gjatë shekullit të njëzet që autori e quan “Shekulli i megavdekjes”. Ai bën, gjithashtu, edhe krahasimin e këtyre shifrave me atë të viktimave të dy luftrave botërore.

Le t’u hedhim një vështrim shifrave të viktimave civile:

Lufta e Parë Botërore                        13 milion

Lufta e Dytë Botërore                          35    „

Gjithsejt dy luftrat botërore                48    „

Ndërsa viktimat e shkaktuara nga sistemi komunist gjatë gjithë periudhës së sundimit të tij janë:

Nga Lenini                                           8  milion

Nga Stalini                                        25     „

Nga Mao Ce Duni                                       29     „

Nga Pol Poti                                        1     „

Nga diktatorët e Europës Lindore       3     „

Gjithsejt                                   66     „

Vini veshin! Sistemi komunist shkaktoi 18 milion viktima më shumë se të dy luftrat botërore së bashku. Por, ndërsa viktimat e luftrave botërore u shkaktuan nga bombardimet e të tjera në kushte lufte, viktimat e komunizmit erdhën si pasojë e gjenocidit të ushtruar drejtpërdrejt mbi popullsinë civile, me cinizëm dhe gjakftohtësi, në kushte paqeje, vetëm e vetëm sepse dikush mendonte ndryshe nga diktatorët që sundonin në këto vende.

Për të parë përmasat e këtij gjenocidi, le t’i referohemi të dhënave të tjera të këtij libri mbi disa prej masakrave më të njohura,  të ushtruar në ish-Bashkimin Sovjetik:

1 milion të ekzekutuar në fund të viteve 20-të

1 milion të ekzekutuar dhe 2 milion të vdekur në kampet e punës së detyruar vetëm gjatë viteve 1937-1938.

7 milion fshatar të vdekur gjatë procesit të kolekivizimit

360.000 robër lufte të vdekur nga konditat e këqija

140.000 ushtarë polakë të ekzekutuar

20.000  oficerë polakë të ekzekutuar afër Minskut, zbuluar në fundin e viteve 80-t

14.736 oficerë polakë të ekzekutuar  më 5 mars 1940, me urdhër të Berias, shefit të KGVD-së dhe të miratuara nga vetë Stalini si  edhe  10.685  të  burgosur  të tjerë politik 15.000 oficerë të tjerë polakë të ekzekutuar në pyllin e Katinit.

Ju lutem, zotërinj, mos thoni se edhe zoti Brzhezhinskij gënjen ose shpif në këtë libër!

Le t’i kthehemi tani të dhënave mbi krimet e komunizmit të kryera në vendin tonë, të nxjerra nga arshiva e Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë:

1.   Të ekzekutuar                               6.023    veta

2.   Të vdekur në burg                               1.065       “

3.   Të burgosur                                 17.300       “

4.   Të sëmurë mendorë                        260       “

5.   Të internuar                               180.000       “

6.   Të vdekur në internim                          9.000       “

Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijve të internuar nën 14 vjeç, që nuk janë përfshirë në këto lista,  atëherë rezulton  se numri i përgjithshëm i  atyre  që  kanë  pësuar  drejtpërdrejt  persekutimin  arrin  250.000 veta. Duke marë parasysh  se gati 70% e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1.000.000 vetë, rezulton se  25% e asaj popullsie është persekutuar. Po t’i shtojmë kësaj edhe të tjerë  që nuk janë regjistruar fare, atëherë përqindja arrin përmasa rëqethëse.

Duke lexuar këto të dhëna mendova:

– Si ka mundësi që këtë ditë, asnjë personalitet shtetëror ose partiak nuk u kujtua ta përmendë? Si ka mundësi që mediat elektronike dhe ato të shkruara dhe, sidomos, TVSH-ja, për të cilën edhe ne të përndjekurit politikë paguajmë taksën, që janë mjaft të ndjeshme ndaj ngjarjeve të tjera, për këtë ditë heshtin? A ka mundësi të harrohen këto? Si mund të mos kujtohen për ditën gjenocidit komunist, kur këtë ditë e ka miratuar Kuvendi i Republikës? Çfarë është, harresë apo mosdashje?

Nuk jam në gjendje t’i jap përgjigje. Sido që të jetë, ajo është një çështje që nuk  nderon asnjë në vendin tonë. Madje do të thoja më tepër partitë politike, sidomos ato të djathta.

– Fjalë imzot, vetëm fjalë! – më pëshpëriti një mik që kisha pranë dhe që m’i kishte kuptuar mendimet e mia. – Politika shqiptare është bazuar vetëm në fjalë. Ajo kërkon të na përdorë si manekinë sa herë i nevojitemi.

Nuk doja t’i besoja fjalët e mikut tim. Por, para syve më dilnin edhe disa raste të tjera të heshtjes karshi ngjarjeve që kanë lidhje me përndjekien politike. Një rezolutë me 17 pika për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri, miratuar qysh në vitin 2006, prej së cilës janë realizuar vetëm dy, ajo e ngritjes së Institutit të Hetimeve të Krimeve të Komunizmit dhe ajo e shpalljes së një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, ditë që, fillimisht u caktua 21 maji, dita e revoltës së Spaçit, ditë që nga ana e autoriteteve nuk u përkujtua asnjëherë dhe që më vonë u zëvendësua me 20 shkurtin, ditën e rënies së monumentit të diktatorit. Më dilte vendimi i Këshillit të Ministrave nr 42, datë 14.01.2009 për projektligjin “Për Simbolet e Përkujtimit të Viktimave të Krimeve të  Komnunizmit në Shqipëri”  miratuar  edhe nga Kuvendi i Republikës së  Shqipërisë,  ku  parashikohej  ngritja  e  “Obeliskut  të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit”, obelisk i cili, megjithëse kanë kaluar katër vjet nga miratimi i tij, ende nuk është ngritur. Më dilte vendimi tjetër i Këshillit të Ministrave që parashikonte zgjatjen e afatit të dorëzimit të dokumentave për dëmshpërblim, heqjen e nenit që parashikonte mospërfitimin e dëmshpërblimit për ata ish të dënuar politikë me nenin e terrorizmit, përdorimin e dokumenteve të Komisionit Tripalësh në përfitimin e këtij dëmshpërblimi, dhënien e dëmshpërblimit njëherësh për të gjithë ata ish të dënuar politikë mbi 85 vjeç, që Komisioni i Ligjeve e ktheu në 75 vjeç dhe që ende, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit, nuk po vihet në rendin e ditës së Kuvendit . Më dilnin të gjitha këto dhe mendoja – Përse të ndodhte kështu, kur të gjithë autoritetet shtetërore flasin për përkrahjen që iu jepet ish të përndjekurve politikë?

Nga këto mendime më zgjoi miku im që përsëriti:

– Fjalë imzot, vetëm fjalë!

Një nismë e madhe e drejtuesit të Partsë Socialiste pushtoi të gjitha faqet e medias shqiptare. Sipas kësaj nisme në kupolën e kësaj partie na qenka formuar edhe një komision ose grup pune, quajeni si të doni, që do u merrka me përgatitjen e një programi për të përndjekurit politikë. Në krye të këtij komisioni qenka caktuar një zonjë ose zonjushe, bija e një ish të dënuari politikë, nga ata që dikur e ngrinin në qiell regjimin komunist për të “mirat” e tij, por që vetë diktatura i hëngri kokën. Me të u bashkua edhe një “kryetar shoqate të përndjekurish” me origjinë “nacionaliste” por që, çuditërisht, diku i kishte mbetur borxh diktaturës dhe disa individë të tjerë nga jashtëqitja e kësaj shtrese. E pra ky grup doli me një platformë për zgjidhjen e problemeve të të përndjekurve politikë.                       Duke menduar këto mua më lind pyetja- Sa shpejt jeni kthyer nga qabeja, ju mor drejtues dhe partia e juaj? A nuk ishte partia e juaj që, pas vitit 1997, na pushoi nga puna dhe hartoi një ligj dëmshpërblimi që na jepte vetëm një kafe në ditë, ligj që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese? Ju mund të thoni se këtë ligj e hartoi paraardhësi juaj dhe ju nuk mbakeni përgjegjësi për sa ka bërë ai. Por le të shohim periudhën kur ju jeni drejtues i saj. Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratohej rezoluta “Për dënimin e Krimeve të Regjimit Komunist në Shqipëri”? Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratoheshin ligjet e dëmshpërblimit dhe amendamentet e ndryshme për to? Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratohej ligji “Për Lustracionin në Republikën e Shqipërisë”? Përse një nga deputetët tuaj më me emër, ish-kryeministri Majko, i quajti “plehra” luftëtarët e batalionit 4000 të NATO-s që ishin vrarë në Shqipëri në përpjekje me forcat e sigurimit për rrëzimin e diktaturës komuniste?

Në këto çaste ndjeva përsëri zërin e mikut tim:

-Fjalë imzot, vetëm fjalë!

Një person me shumë ish-e, një ish-ministër, ish-nënkryetar i një partie të madhe të djathtë, ish-kryetar grupi parlamentar, ish-president që tani mban postin e kryetarit të një partie të re, por veshur me xhaketa të vjetra, ligjëron e ligjëron, duke thënë se u mbështetka te ish të përndjekurit politikë, madje ka mundur të grumbullojë pranë  vetes   edhe  disa  individë  të veçantë, premtoka se dashka t’ua shlyeka dëmshpërblimin këtyre për tre vjet. Unë mendohem dhe pyes përsëri:   – Përse nuk e bëri një gjë të tillë kur ishte në partinë e mëparshme?

Përgjigjen ma jep miku im:  – Fjalë imzot, vetëm fjalë!

A do të bjenë ish të përdjekurit politikë në vorbullën e kësaj loje fjalësh? Unë nuk do ta besoja. Por miku im më tregoi barcaletën e mëposhtme:

– Parandori romak Neroni i vuri zjarrin Romës. Banorët, të revoltuar, u ngritën dhe rrethuan pallatin perandorak. Perandori, i trembur, thirri këshilltarin e tij, të urtin Seneka dhe i kërkoi rrugëzgjidhjen. Seneka i tha:

– Thuaju që zjarrin e vunë të krishterët.

Në atë kohë krishterimi sapo kishte filluar të përhapej në Romë. Neroni e vështroi me vëmendje dhe i tha:

– A do të më besojnë?

Dhe Seneka iu përgjigj:

– Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret!

A është e vërtetë një gjë e tillë? Ndoshta. Megjithatë nuk dua të besoj se ish të përndjekurit politikë do të mund të përdoren si manekinë. Në veshët e mi vazhdojnë të ushtojnë fjalët e mikut tim:Fjalë imzot, vetëm fjale.Deri kur Shqipëria do të vazhdojë me “Fjalë imzot, vetëm fjalë”?

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: krimet e komunizmit, Krimet e Luftes, reshat kripa

FRYMA E DAVOS-it

January 28, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Klaus Schwab, Themeluesi dhe Presidenti i Forumit Ekonomik Boteror/

Takimi më i njohur në botë i udhëheqsve politikë dhe të biznesit — Forumi Ekonomik Botëror 2013 në Davos të Zvicrës — përfundoi punimet të djelën.   Në atë forum morën pjesë javën që kaloi mbi 2500 veta ndër udhëheqsit më të dalluar të botës në fushën politike e qeveritare, biznesit, të shoqërisë civile dhe intelektualë të njohur botëror.   Përfshiheshin gjithashtu edhe aktivistë të lloj lloj kauzash, përfqsues sindikatash, akademikë dhe biznismenë në moshë të re dhe natyrisht një mbledhje e tillë nuk mund të përjashtonte qindra gazetarë nga e gjithë bota.

Forumi ndërkombëtar në Davos mund të jetë i vetmi takim botëror ku nuk negociohen as nuk arrihen marrëveshje të asnjë natyre, as nuk merren vendime për asgjë, por është sipas Profesorit Klaus Schwab — cili themeloi Forumin Davos 43 vjetë më parë — një platformë për të shkëmbimin  e mendimeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve në një atmosferë të izoluar dhe larg nga problemet dhe presionet e jetës së përditshme.

Në një kryeartikull në lidhje me mbledhjen e këtij viti, botuar në gazetën kombëtare amerikane USA Today,  Profesori Schwab, duke folur për mbledhjen e parë të Forumit Davos, tha se, ”objektivi i themelimit të Forumit ishte për të sjellur në Evropën e pas luftës, idetë dhe aftësitë e intelektuale, industriale dhe të inovacionit të Shteteve të Bashkuara, me qëllim për të modernizuar sistemet evropiane shoqërore dhe të biznesit.”   Ai shtoi se ndonëse natyra e këtij forumi vjetor ndërkombëtar ka ndryshuar gjatë 43-viteve të kaluara, Profesori Schwab shkruan se objektivi kryesor i Forumit mbetet i njëjti si atëherë: ”Shkëmbimi i lirë i mendimeve, dialogu, si dhe ideja e lirisë dhe të shprehurit hapur e pa pengesa, cilësi këto për të cilat Amerika është një model për botën”, tha ai në kryertikullin për gazetën amerikane.

Natyrisht se sivjet në mbledhjet e Davos-it u bisedua dhe u shkëmbyen mendime mbi pothuaj të gjitha problemet me të cilat përballet sot bota.   U diskutua  mbi ekonominë botërore dhe mbi papunësinë,  problem këto që u cilësuan si një burim shqetësimi serioz për shumë pjesëmarrës.   U fol edhe mbi të ardhmen e Europës, pasi Kryeministri britanik David Cameron njoftoi mbajtjen e një referendumi mbi të ardhmen e antarësimit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, duke thënë se, ”Evropa ka më shumë nevojë për vullnet politik dhe jo për më shumë institucione politike”.

Folësja kryesore në Forum,  Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, duke folur për gjëndjen ekonomike në eurozonë, paralajmëroi kundër lehtësimit të masave të rrepta ekonomike në Evropë, duke shtuar  se ”Përvoja politike tregon se shpeshëherë  nevojitet bërja e presionit për të siguruar reforma strukturore politike.”   Ajo shtoi se,  ”Nëqoftse Evropa sot është në një gjëndje të vështirë, atëherë ne duhet që sot të ndërmarrim reformat e nevojshme,  ashtuqë të jetojmë më mirë nesër.”

Përveç problemeve ekonomike e financiare të botës, ndër shqetësimet kryesore për të cilat u bisedua sivjet në Davos ishin gjithashtu edhe problemet politike dhe të sigurisë ndërkombëtare, si  për shembëll mundësia që Irani të zhvillojë armë bërthamore dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, si rrjedhim i të ashtuqujturës ”Pranverë Arabe”.

Është e vërtetë se në këtë mbledhje vjetore tradicionalisht marrin pjesë kapitalistë të dalluar nga mbarë bota, përfaqsues dhe drejtues të firmave më të mëdha botërore, njerëz të fuqishëm dhe të njohur të politikës dhe ekonomisë e financave por edhe të  fushave dhe aktiviteteve  të ndryshme të shoqërisë, për të cilët shtrohen darka e dreka dhe kokteje ekskluzive për të ftuarit.

Por pjesmarrësve të rregulltë në Forumin Davos këtë vit iu bashkuan edhe udhëheqës dhe biznesmenë në mosh të re, të ftuar në frymën e shkëmbimit të lirë të mendimeve — për të sfiduar përfaqsuesit e elitës politike, ekonomike dhe financiare të botës, jo vetëm ata nga Perëndimi por edhe nga vendet në zhvillim. Ndër këta përfaqsues të brezit të ri nën moshën 30-vjeçare, pëfshiheshin njëri prej udhëheqësve të protestave studentore në Kili, nipi i Warren Buffet, njeriut të tretë më të pasur në botë dhe vajza e ish-Presidentit Bill Clinton e Hillary Clinton. Të gjithë këta, në një mënyrë ose në një tjetër, janë të aktivizuar në përpjekje për një ”angazhim për të përmirësuar gjëndjen në botë”, e që është edhe motoja zyrtare e Forumit Davos.

 

Ndër subjektet kryesore për diskutim ishte papunësia në radhët e rinisë, sidomos në Evropën jugore por edhe në mbarë botën, si dhe mënyrat për të motivuar rininë për tu angazhuar në zgjidhjen e problemeve, ndërkohë që këjo rini përballet me një papunësi rreth 60-për qind në disa vende.    Organizuesit e Forumit Davos bënë gjithashtu përpjekje që të komunikonin edhe me përfaqsues të protestave kundër Wall Street-it dhe të protestuesve nga Britania e Madhe dhe vendeve të tjera të Evropës.

Themeluesi i Forumi Davos, Profesori Klaus Schwab duke folur për problemet e shumëta me të cilat përballet sot Evropa dhe bota, si dhe për zgjidhjen e problemeve ekonomike botërore, ai e mbylli forumin me fjalët e fushatës së presidentit amerikan Barak Obama, ”Po, ne mund t’ia dalim…. por mendoj se kyçi është bashkpunimi global’’, tha ai para më shumë se 2500 pjesëmarrësve nga e mbarë bota.

Arritjet ose dështimet e këtij Forumi sivjet po debatohen dhe kritikohen nga media, gjë që është e natyrshme për një takim të tillë të nivelit botëror.   Madje edhe Profesori Schwab, që nga natyra është tepër optimist, pranoi se ky ishte forumi më i zymtë që ai ka organizuar ndonjëherë.   Por ai është gjithnjë optimist dhe mbështetës i dialogut për zgjidhjen e problemeve në nivele të ndryshme shqoërore, shtetërore dhe  botërore, duke shkruar në gazetën amerikane USA Today se: ”Dialogu i vërtetë do të thotë bashkveprim dhe komunikim me ata me të cilët nuk je dakort, me fqinjët ose miqët si dhe me ata të cilët e shikojnë botën nga një përsepktivë krejt ndryshe, me njerëz të gjeneratave e kulturave të ndryshme si dhe me ata që mund të kenë misjone tjera në jetë.  Ne të gjithë jemi pjesë e një komuniteti global”.   Ky ishte nje mesazh i rendesishem per te gjithe pjesemarrsit dhe me gjere.

Pa marrë parasyshë analizat dhe komentet mbi përfundimet e Forumit në Davos të Zvicrës, pjesëmarrësit nga më shumë se 100-vende të botës janë larguar së andejmi me mendime dhe ide të ndryshme për problemet e shoqërive të tyre dhe të botës. Por cilat do qofshin vlerësimet e punimeve të Forumit të sivjetshëm në Davos nga analistët dhe pjesëmarrësit, nëqoftse ata marrin me vete këshillat e porositë e themeluesit të Forumit Davos se “të gjithë ne jemi pjesë e një komuniteti global” dhe se me dialog dhe respekt për njëri tjerin — pa marrë parasyshë ndryshimet midis nesh — mund të zgjidhen më lehtë problemet serioze me të cilat përballet sot  shoqeria dhe mbare njerëzimi.  Porosia për dialog dhe mirëkuptim e ”Frymës së Davos-it”  vlen edhe për marrëdhënjet dhe komunkimet në çdo nivel të jetës, në familje, në shoqëri, në politikë — mundësia pra për tu ulur dhe biseduar mbi problemet dhe zgjidhjen e tyre nepërmjet shkëmbimit të lirë dhe të papenguar — pa marrë parayshë ndryshimet në pikpamje — me qëllim që të përallohen sfidat me të cilat mund të ndeshen individët dhe shoqëria në përgjithësi.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Fryma e Davosit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 832
  • 833
  • 834
  • 835
  • 836
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT