• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

USHTRINË TIME DO TA BËJ

January 3, 2013 by dgreca

Ne fotografi: Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku/
Nga Frank Shkreli/
Ishte një kohë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pothuaj pesë vjetë më pare, që fjala ”ushtri” as të mos përmendej si pjesë e shtetformimit dhe sigurimit të shtetit më të ri në Evropë.   Thuhej se Kosova nuk ka nevojë për ushtri, sepse ishte organizata e Atlantikut Verior (NATO) ajo që do të kishte përgjegjësinë për ruajtjen e paqës dhe të sigurisë në Kosovë.   Por punët po piqen dal ngadalë.   Kosova së shpejti do të festojë 5-vjetorin e pavarësisë së saj.   Në arenën diplomatike është njohur nga pothuaj 100-vende të botës, përfshirë edhe shtetet më të rëndësishme të Përendimit,  anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, megjithëse kundërshtohet pavarësia e saj nga Serbia fqinje dhe miqët e saj shekullorë, Rusia, Greqia, Kina e tjerë.   Kosova si shtet i ri e i pavarur, synon që të bëhet pjesë jo vetëm e Bashkimit Evropian  por edhe anëtare e organizatës ushtarake përendimore, NATO.   Por, për tu bërë anëtare e NATO-s, Kosova ka nevojë për ngritjen e një ushtrie profesionale,  pasi nuk ka ndonjë vend anëtar të NATO-s pa ushtri.

Kohët e fundit po flitet dhe po shkruhet se viti 2013 do të jetë viti i bërjes së një ushtrie profesionale të Kosovës.   Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), Agim Çeku tha të Mërkurën për Zërin e Amerikës se krijimi i ushtrisë së rregullt  të Kosovës, ”është një proces i cili tashmë ka filluar me studimin e kapaciteteve që i duhen Kosovës për tu përballur me kërcënimet dhe rreziqet, duke shtuar se një ndër institucionet që mundëson një jetë normale dhe funksionale të shtetit të Kosovës, është ushtria.

Edhe gazeta e ushtrisë amerikane Stars and Strajps (”Stars and Stripes”, në një artikull nga Prishtina, të botuar javën e fundit të Dhjetorit që kaloi, i bashkohet zërave të këtij debati duke thënë se Kosova synon krijimin e një force ushtarake, si  dhe të bëhet anëtare e NATO-s.   Siç dihet në Kosovë, NATO ka rreth 5600 ushtarë të NATO-s, ndërkohë që nja 800 prej tyre janë amerikanë.   NATO, përveç rolit të saj për ruajtjen e paqës dhe sigurisë në Kosovë, ka ndihmuar gjithashtu në krijimin dhe trajnimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, e cila konsiderohet  si thelbi i një ushtrie të ardhëshme për atë vend.   Gazeta Stars and Strajps thotë se megjithëse ambasada amerikane në Prishtinë nuk komentoi në lidhje me përpjekjet e Kosovës për krijimin e një ushtrie të rregullt, ajo citon shefin e Zyrës së ambasadës amerikane për Bashkpunimin në Fushën e Mbrojtjes, Kolonelin Ray Wojçik të ketë thënë se ”Ne mendojmë se është një rast shumë i mirë për ta, që të shqyrtojnë seriozisht se në ç’drejtim duhet të shkojnë”.

Megjithëse udhëheqsit e Kosovës shpresojnë për antarësimin e tyre në NATO, gazeta e ushtrisë amerikane  thotë se nuk është e qartë se si do të reagonin vendet e ndryshme anëtare të NATOs ndaj ngritjes së ushtrisë së Kosovës, pasi ka kundërshtime madje edhe për statusin që gëzon tani FSK-ja.   Por artikulli citon këshilltarin politiko-ushtarak të ambasdës amerikane Majkël Kreidler se këjo është një situatë  “ku ne përpiqemi të zgjërojmë konsensusin dhe ta çojmë atë në një drejtim pozitiv.’’  Por, shton zyrtari amerikan, “arritja e një konsensusi në Bruksel është shumë e vështirë’’.

Dihet se Amerika mbetet përkrahsja kryesore e Kosovës në shumë fushë, përfshirë edhe trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si edhe forma të tjera ndihmash për nevojat e sajë, sipas ambasadës amerikane në Prishtinë. Gazeta Stars & Strajps citon Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjeneralin Kadri Kastrati, i cili i thotë gazetës së ushtrisë amerikane se ”Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë strategjik dhe i tillë do të mbeten përgjithmonë”.   Ai vazhdoi duke thënë se, ”Çdo gjë që jemi duke bërë, e bëjmë në bashkrendim me atasheun ushtarak amerikan në Prishtinë si dhe me kolegët  tanë që punojnë në Grupin Këshillues të Natos ose në Zyrën e Bashkpunimit në fushën e Mbrojtjes.”   Sipas gazetës amerikane, roli i ushtrisë amerikane do të jetë kyç në fazën e ardhëshme të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës,  pasi parashikohet që në Qershor të këtij viti të ri-shqyrtohet ligji që mbulon veprimtarinë e kësaj force.   Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ish-Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se në këtë proces të ri-shqyrtimit të rolit të FSK-së dhe të ngritjes së ushtrisë së Kosovës, ai është në konsultime dhe beson se do të ketë mbështetjen dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe, duke shtuar për gazetën Stars & Strajps se, ”Unë nuk do të formulojë asnjë rekomandim i cili nuk bashkrendohet dhe që të mos pranohet nga Shtetet e Bashkuara”.

 

Sikurë donte të qetësonte jo vetëm partnerët strategjikë të Kosovës, por edhe rajonin, se ngritja e ushtrisë së Kosovës nuk do të përbëjë asnjë rrezik as kërcënim për asnjë vend të rajonit, Ministri Çeku tha për Zërin e Amerikës të Mërkurën, se ushtria e ardhëshme e Kosovës do të jetë, ”Një forcë për të mirën e vendit, për të mirën e rajonit dhe jo një forcë që dikush duhet ta ketë frikë ose që paraqet kërcënim për dike — por do të jetë një forcë që reflekton siguri për të gjithë.”

Ka ardhur koha që Kosova të ketë ushtrinë e vet.  Ngritja e ushtrisë së Kosovës do të përmirësojë qendrueshmërinë e paqës në vend si edhe në rajon dhe si anëtare, eventualisht  e NATO-s, Kosova dhe ushtria e saj do të kontribojnë jo vetëm për paqën në Evropë, por edhe në botë duke marrë pjesë në misjone paqëruajtëse të NATO-s në zona me konflikte, anë e mbanë botës.

Një këngë e këngëtares së njohur dhe shumë popullore nga Kosova, Adelina Ismaili, e ka titullin ”Ushtrinë time do ta bëjë”, kushtuar luftës në Kosovë dhe ish-Presdentit Ibrahim Rugova.   Le të jetë ky vit, viti kur profecia e titullit të këngës së Adelinës të bëhet realitet, që Kosova t’a bëjë, më në fund, ushtrinë e vet, ashtuqë të bëhet anëtare – aty ku e ka vendin e saj — tek organizmat përëndimore ushtarake dhe ekonomike, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, me të gjitha të drejtat, privilegjet dhe përgjegjësitë si çdo vend tjetër anëtar i këtyre aleancave.

Filed Under: Opinion, Rajon Tagged With: Agim Ceku, Frank shkreli, Ushtria e Kosoves

A E DEGJON SHQIPERIA DHE KOSOVA THIRRJEN E DIASPORES?

January 3, 2013 by dgreca

Kosova dhe Shqipëria kanë një fuqi të madhe të kapitalit njerëzor që jeton jashtë vendit dhe është koha e fundit që të dy qeveritë t’iu qasen me një seriozitet atyre./

Nga DIMAL BASHA/

 Kur ishte koha për “Vendlindja Thërret,” mërgimtarët ju përgjigjen thirrjes. Tash, para se të ndërroni faqen, gjeni pak kohë të lexoni se si t’i përgjigjet qeveria projektit “Diaspora Thërret.”Diaspora shqiptare, që përbën një të tretën (1/3) e popullit tonë vazhdon të jetojë jashtë vendit dhe mbetet e neglizhuar. Problemet e Kosovës janë probleme të shqiptarëve kudo. Kudo që gjenden ata i okupon çështja e politikave dhe gjendjes së vendit të tyre.

A duhet që mërgimtarët të ju kujtojmë bijve e bijave të tyre që ata të mendojnë për Kosovën nëse Kosova nuk mendon për ta? Diaspora e ka dhënë borxhin ndaj vendit të tyre, a duhet që këtë borxh Kosova e Shqipëria të ja kthejnë diasporës?

Sot, arsyet për kujdesin e diasporës kundrejt vendit tyre janë të shumta! E para, numri më i madh i tyre janë gjenerata e parë jashtë vendit dhe kjo bën që të jenë shumë të ndërlidhur me vendin. E dyta, shumica ende kanë të afërmit që jetojnë në Kosovë. E treta, përgjegjësia dhe afërsia e diasporës lidhet direkt me varfërinë e popullit sepse kjo i bën të obliguar të ndihmojnë familjarët që dështohen nga qeveria.

Nuk mendoj se kjo gjendje do të qëndrojë derisa qeveria nuk ndërron kurs. E para, ndërlidhja me vendin nuk do të jetë e njëjtë pasi që numri i madh i tyre janë lindur e rritur jashtë vendit. E dyta, ata/ato nuk do të kenë të afërm që do të shërbente si arsye për vizita. Rrjedhimisht, nëse jam i sinqertë, nuk besoj se djali im do t’i dërgojë fëmijët e tij për pushime në Kosovë. Gjeneratat ndërrojnë shpejt dhe nëse qeveria nuk i qaset seriozisht këtij problemi dhe nuk ndërmerr hapa konkret t’i mbajë afër, ata do mbesin një pasuri e humbur për vendin.

Shifrat tregojnë se Kosova ka pranuar plot katër miliardë euro prej vitit 2004. Me fjalë të tjera, 500 milionë euro në vit. Pyetja që duhet të shtrohet është se sa do të zgjatë ky trend? Pas gjithë kësaj, mund të konkludohet që qeveria prapë vazhdon ta neglizhojë diasporën në mungesë të planeve konkrete. Shumica e strategjive “brain gain” kanë mbetur veç letra në sirtarë, kurse Ministria e Diasporës ka mbet si një institucion që pak njerëz e dinë që ekziston. Thjesht, qeveria e Kosovës, por ajo e Shqipërisë, kanë një fuqi të madhe që nuk po e shfrytëzojnë dhe është koha që të ndryshohet kursi.

Ka disa solucione që janë të realizueshme por kërkojnë një qasje serioze nga qeveria dhe është koha e fundit që të fillohet një pilot-projekt. Projekti “Diaspora Thërret” në vija të trasha ofron një nismë të mbarë që do të përfitonte më së shumti Kosova. Është projekt apolitikë që është një urë më shumë në mes diasporës dhe vendit tonë.

Aplikimi

Në radhë të parë, ky projekt mundëson aktivizohen studentë që jetojnë dhe arsimohen jashtë vendit. Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me ambasadat e tyre dhe Ministrinë e Arsimit duhet të hapin konkurse për të gjithë studentët që dëshirojnë të mbajnë klasa verore një-mujore për nxënësit e klasave të mesme dhe atyre fillore (parauniversitare).

Ky plan kishte me pas përfitime të dyanshme. E para, një numër i konsiderueshëm nxënësve do të përfitonin gjatë një kohe ku shumica e tyre janë me pushime dhe kalojnë kohën pa ndonjë aktivitet. Nxënësit do të përfitonin njohuri të reja nga lami të ndryshme dhe do të ishte një përvojë dhe stimulim për kreativitet.

Në anën tjetër, studentët të arsimuar jashtë vendit do të kishin një arsye më shumë të vizitonin vendin e tyre. Të njëjtën kohë ky program do t’i ofronte ata me njerëzit e tyre duke qenë afër me fëmijët dhe duke kuptuar përafërmi sfidat dhe popullin e tyre që do të shërbente si stimulim për ide të reja dhe interesim më të madh të tyre në të ardhmen.

Duhet të cek se varësisht prej përgatitjeve të aplikuesve, ambasadat duhet të jenë të hapur ndaj çfarëdo kursi. Të lejojnë hapësirë që të ofrohen kurse nga arti, politika, ekonomia, muzika e çkado tjetër. Kjo do të mundësonte që nxënësit të ekspozohen lëmive të ndryshme dhe diçka që ndoshta nuk është e rëndomtë në kurrikulumet në Kosovë.

Kriteret

Qeveria duhet të caktojë kriteret për aplikuesit. Për shembull, të gjithë studentët që kanë të mbaruar fakultetin dhe master kualifikohen për të dhënë një kurs një-mujorë në shkollat fillore edhe ato të mesme.

Gjithashtu duhet të lejohen të aplikojnë edhe artistë apo edhe individë që kanë zeje të ndryshme apo përvojë dhe aftësi të veçanta. Shkurt, aplikimi mbetet i hapur për të gjithë dhe një staf ekspertësh duhet të vendosë se cilat planprograme mund të ndihmojnë më së miri nxënësit tanë.

Për tu kualifikuar, duhet të kërkohet të gjithë aplikuesit të ofrojnë programin mësimorë për një muaj.

Gjithashtu duhet të ceket në aplikim minimumi i përmbushjes së orëve. Për shembull, minimumi mund të përcaktohet të jetë për shembull 5 orë mësimi në ditë.

Numri i aplikimeve duhet të ndahet në kuota të përafërta. Për shembull, nëse Zvicra ka numrin më të madh të diasporës, atëherë edhe numri i ligjëruesve duhet të jetë më i madh nga ai vend. Nëse Zvicra nuk e përmbush numrin, atëherë ai numër mund të zëvendësohet nga aplikimet e vendeve tjera.

Gjithashtu, aplikuesit duhet të cekin vendqëndrimin, apo vendqëndrimet e tyre (komunat) që ata mund të qëndrojnë, për shkak që të ketë mundësi më të lehtë akomodim që lehtëson udhëtimin e tyre brenda Kosovës. Për shembull, një student që jeton në Amerikë dhe ka mundësi qëndrimi në komunën e Pejës e lehtëson përcaktimin e tij apo saj në atë komunë në mënyrë që të lehtësohet udhëtimi.

Aplikimet duhet të dorëzohen në ambasada gjashtë (6) muaj para fillimit të sezonit verorë për të lejuar kohë të mjaftueshme për organizimin e implementimit.

Incentivat

Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit duhet që t’ju ofrojë studentëve që fitojnë të drejtën për të ligjëruar nga një shumë të caktuar të hollash. Kjo duhet të caktohet me shuma të caktuara varësisht se ku gjinden gjeografikisht. Për shembull, studentët nga SHBA duhet të marrin një shumë prej 1,000 Euro derisa ata nga Evropa 700 Euro. Këtu pra përfshihen një shumë bruto që mbulon një pagë minimale të mësuesit dhe një ndihmë-pagesë për udhëtimin. Tjerat shpenzime duhet të mbulohen nga vet studentët. Një shumë e caktuar do të lehtësonte ndërlikimin që krijohet nga një burokraci inefektive.

Ndoshta ka prej atyre që kundërshtojnë që një shumë e tillë do të ishte e tepërt. Unë ju kujtoj se një numër i madh i këtyre studentëve janë të papunë dhe incentiva do të shërbente që ata të mbulojnë vetëm një pjesë të harxhimeve. E dyta, kjo pagesë nuk përmban asnjë agjendë ngase fëmijët e të gjitha shtresave do të përfitojnë nga ky projekt. E treta, ky është një investim afat-gjatë. Nëse Kosova mendon të kthej trurin dhe të stimulojë gjeneratat e ardhshme të investojnë dhe mendojnë për vendin e tyre, ky projekt i ofron ata me realitetin më shumë se kurrë.

Konkludimet

Në përfundimin e kurseve, secili ligjërues duhet të vlerësohet nga nxënësit. Ky vlerësim duhet të përmbajë pyetësorë pa emër dhe mbiemër që secili nxënës ka rastin ta vlerësojë ligjëruesin pa cekur emrin e tij/ saj. Vlerësimet për nxënësit nën moshën 14 vjeçare duhet të plotësohen nga prindërit.

Të gjitha ato vlerësime duhet ti dorëzohen Ministrisë së Arsimit e cila pastaj në bazë të tyre llogarit nëse i njëjti person fiton të drejtën të aplikoj prapë. Të gjitha këto vlerësime për ligjëruesit duhet t’i dorëzohen ambasadave përkatëse që të kenë shënime për referenca.

Më tej, me përfundimin e ligjërimit, secili ligjërues duhet të merr një certifikatë falënderimi nga Ministria e Arsimit në Kosovë që ju shërben atyre si një dokument faktues për rezymenë e tyre dhe njëkohësisht një falënderim nga qeveria e Kosovës.

Përfundimisht, secili ligjërues është i obliguar të shkruaj një përmbledhje personale reflektimi dhe të njëjtë kohë të ofroj vlerësimin për nxënësit dhe çfarëdo rekomandime tjera që mund të përmirësojnë arsimin në vendin tonë.

Ky projekt nuk është perfekt dhe mbetet një ide e kahmotshme e imja, por me siguri se ofron një shteg drejt një nismë të mbarë. Projekti duhet të merret seriozisht dhe realizimi konkret mund të fillojë me një pilot-projekt në njërën nga ambasadat tona. Për mendimin tim, këtu përfitojnë fëmijët në Kosovë dhe njëkohësisht e afron diasporën me vendin. Gjithashtu, nuk përmban asnjë agjendë politike andaj duhet të përkrahet nga të gjitha partitë politike.

Koha është armiku më i madh dhe çfarëdo neglizhimi i mëtejshëm vetëm do ta bëjë këtë më të vështirë që të realizohet. Kosova dhe Shqipëria kanë një fuqi të madhe të kapitalit njerëzor që jeton jashtë vendit dhe është koha e fundit që të dy qeveritë t’iu qasen me një seriozitet atyre. Nëse nuk ndërrohet kursi, edhe Kosova edhe Shqipëria rrezikojnë të humbin margaritarin që e kanë jashtë vendit. Diaspora ju përgjigj thirrjes “Vendlindja Thërret”, është koha që Kosova t’i kthejë borxhin diasporës dhe t’i përgjigjet projektit “Diaspora Thërret.”

Autori është:Student në The New School University – New York. Mund ta ndiqni në Twitter @dimalbasha

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dimal Basha, Shqiperia dhe Kosova, thirrja e Diaspores

Dialogu i kryeministrave “armiq”

January 2, 2013 by dgreca

Dikur armiq e tani në tavolinën e bisedimeve. /

Njëri ish shef i Shtabit të Përgjithshëm të Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e tjetri zëdhënës i Partisë Socialiste të Sllobodan Millosheviqit që po e luftonte me të gjitha mjetet pikërisht këtë formacion ushtarak.
Hashim Thaçi kryeministër i Kosovës, kurse Ivica Daçiq, kryeministër i Serbisë.
Të ndodhur para një trysnie diplomatike ndërkombëtare ata kanë realizuar tashmë tri takime të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.
Për analistët e çështjeve politike këto takime shihen si nisje e një epoke të re në marrëdhëniet ndërmjet dyja vendeve. Por, ata nuk presin që Serbia të ndryshoj pozicionin karshi shtetit të Kosovës.
Drejtori i Institutit KIPRED, Ilir Deda, thotë se takimet Thaçi – Daçiq, deri më tani e kanë përshpejtuar vendimmarrjen në lidhje me zbatimin e rezultateve të dialogut paraprak në nivelin teknik.x

                       

Ilir Deda

“Do të jetë shumë me rëndësi se sa shpejt do të arrijnë t’i përfundojnë temat të cilat BE-ja pret që të përmbyllen gjatë janarit, shkurtit dhe marsit të vitit 2013. Këtu edhe do të testohet kjo aftësi e shpejtë vendimmarrëse e cila duhet të përcillet edhe me një retorikë e cila e ka mesazh më të fortë normalizimin e marrëdhënieve”, theskon Deda.
Bisedimet janë gjithmonë zgjidhje më e mirë sesa konfliktet, thotë në anën tjetër analisti dhe publicisti Halil Matoshi.
Ai pret që të paktën për marrëveshjet e arritura në nivelin teknik, Thaçi e Daçiq të pajtohen që ato të zbatohen muajt në vijim, pasi që Serbia nuk dëshiron ta humb edhe një rast për marrjen e statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq sa i përket Kosovës, Matoshi si dobi nga kato bisedime e sheh shmangien e konfliktit në veri.
“Agjenda integruese e Brukselit jo që e ka ndihmuar shumë Kosovën, mirëpo si do kudo është shmangur besoj, konflikti i hapur për veriun e Kosovës dhe në një mënyrë, de jure, do të thotë në letër, është ruajtur integriteti territorial i Kosovës”, vlerëson Matoshi.
Ndërsa për marrëveshjet e deritashme, Bashkimi Evropian ka toleruar Prishtinën dhe Beogradin që të bëjnë interpretime të dyfishta apo sipas qejfeve të tyre, një perceptim i tillë nuk do të kishte efekt nëse mëtohet të arrihet deri te një normalizim i marrëdhënieve midis dyja vendeve thotë Ilir Deda.
Ai pret që edhe BE-ja të jetë më e qartë në lidhje me temat që po i shtron në tavolinën e bisedimeve.
“Është shumë me rëndësi të shihet se si do të ecet përpara me temat në energjetike, tërheqjen e strukturave paralele të Serbisë nga veriu si dhe financimi i institucioneve tjera paralele serbe në veri dhe në pjesë tjera të Kosovës dhe të njëjtën kohë të shihet se si mund të përshpejtohet zbardhja e fatit të personave të pagjetur. Këto janë ato testet që do të tregojnë se a do të ketë përshpejtim në vendimmarrje dhe sa e shpejtë do të jetë kjo vendimmarrje”, ka thënë Deda.
Marrë parasysh interesin politik që ka sidomos Serbia për procesin integrues evropian, Halil Matoshi pret që ky dialog i nisur në nivelin politik të përmbyllet me një rezultat, qoftë edhe marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, por e cila nuk do të nënkuptonte njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Në anën tjetër Kosova detyrimisht do të ofroj edhe një zgjidhje për veriun e saj e cila do të rregullonte çështjen e vendosjes së institucioneve lokale dhe financimit të komunave veriore, por që nuk do të shkëpuste lidhjet e kësaj pjese me Serbinë, thotë Matoshi.
“Ky postulat rrjedh dhe ka qenë i pranueshëm qysh nga presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova që thoshte në angazhohemi për një shtet të pavarur dhe neutral, të hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë dhe kjo deshtëm apo jo pas gati 15 apo 20 vjetëve po jetësohet thjeshtë në realitet”, thotë Matoshi.
Bisedimet Thaçi – Daçiq, në Prishtinë janë kundërshtuar kryesisht vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Kurse në Beograd, vet kryeministri serb Daçiq kishte qortuar mirëmbajtësit e rrugëse se si ata e kanë të vështirë t’i pastrojnë rrugët, kur ky si kryeministër është i detyruar të takohet, madje edhe me Hashim Thaçin.
Se pozicioni serb karshi Kosovës nuk ka ndryshuar në fund të vitit 2012 u dëshmua edhe me platformën serbe e cila përpiqej që ende Kosovën ta përfshinte si një krahinë serbe me status të pazgjidhur(Zijadin Gashi-Europa e Lire)

Filed Under: Opinion Tagged With: Dacic, Dy kryeministrat armiq, Thaci, Zijadin gashi

Refleksione per te drejtat Shqiptare

December 31, 2012 by dgreca

Analize Psikologjike/

Nga Prof. Dr. Hazbi Shehu/

Për vendlindjen shqiptari derdh gjak.  Gjaku nuk lahet me ujë. Kanë kaluar mijëra vjet dhe shqiptari mbeti shqiptar. Fqinjët grabitqar të ndihmuar nga fuqitë e mëdha i copëtuan trojet Shqiptare, në konferencen e Londrës, por jo zemrat dhe ndërgjegjen e tyre. Drejtuesit, jo njerzorë të kishave Serbe dhe Greke, të verbuar nga etja për grabitjen e trojeve Shqiptare thurrën intriga teologjike kundër shqiptarëve. Ata shrytëzuan dobësitë e drejtuesve të disa feve shqiptare dhe arritën të drejtojnë ideologjinë fetare në Shqipëri. Vendi ynë ka njerëz të zgjuar, me shkollën fetare përkatëse, të ndershëm dhe që e njohin mirë ideologjinë fetare, si rrjedhojë Shqiptarët duhet të drejtojnë ideologjinë fetare dhe fetë në trojet Shqiptare. Drejtuesit ekstremistë Grekë dhe Serbë me në krye ata të kishave i quajnë Shqiptarët nacionalista për të fshehur kthetrat e tyre në shekuj. Na quajnë nacionalista, sepse ne kërkojmë të jetojmë të lirë në trojet tona. Eshtë vërtetuar me fakte, jo vetëm nga historianët shqiptarë, por dhe nga studiuesit e huaj, se trojet tona dhe shqiptarët kanë qenë viktimë e të tjerëve.

Dëshira e përhershme e Shqiptarëve ka qenë dhe mbetet bashkimi i trojeve tona të tyre. Për të kryer këte proçes, duhet gjetur kyçi, për të hapur dhe drejtuar zemrat e Shqiptarëve. Duhet të behemi të ndërgjegjshëm, se ky qëllim madhor arrihet, duke bashkuar lëvizjet e brendshme me faktorin e jashtëm. Për të realizuar këtë dëshirë, duhet të marrim shembull nga atdhetarët dhe patriotët e mëdhenj Shqiptarë si: Skënderbeu dhe Ismail Qemali. Të dy kishin arritur gradat më të larta në Perandorinë Osmane. Gjaku Shqiptar ngrinte kokë herë pas here në damarët e tyre. Ata e kishin në qendër të vëmendjes krijimin e shtetit Shqiptar, por prisnin te piqeshin kushtet. Konkretisht kur u bënë të njohur në Europë dhe në botë, si luftëtar dhe diplomatë të mëdhenj; braktisën postet e larta dhe të mirat personale. Ata i thërriste vëndlindja dhe gjaku shqiptar. Skënderbeu u lidh me fuqitë e mëdha të Europës dhe duke luftuar sulltanin krijoi shtetin e pavarur shqiptar. Të njejtën rrugë ndoqi dhe Ismail Bej Qemali. Ai forcoi lëvizjen e brendshme të atdhetarëve dhe patriotëve shqiptarë dhe krijoi lidhjen me lëvizjen e jashtme. Në sajë të bashkëveprimit të lëvizjeve të brendshme me ato të jashtme ai ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë e trojeve shqiptare.

Ç’do kohë ka kushtet e saj specifike. Sot ne nuk mund të dalim direkt, të kërkojmë ndryshimin e kufijve me forcë. Për të realizuar dëshirat e të gjithë shqiptarëve në trojet e veta, duhen ndjekur rrugë të arsyeshme, llogjike dhe bindëse si për shqiptarët dhe përfaqësuesit e shteteve të Europës:

Lëvizja e brëndshme (që në fakt ka filluar), duhet të behet e ndërgjegjshme dhe bindëse për të gjith shqiptarët në trojet e veta. Shqiptarët kanë mbetur shqiptarë dhe gjaku nuk bëhet ujë.

Rrugë e bukur, tërheqëse, fuqishme dhe më e lehtë për tu realizuar është lidhja ekonomike e shqiptarëve në trojet e tyre. Tregtarët, bizesmenët, etj; të krijojnë marrëdheniet dhe lidhjet për përfitime tyre personale ekonomike, por që njëkohësisht do të jenë dhe në shërbim të Kombit.

Përhapja e studimit të gjuhës Shqipe me të gjitha format e mundshme (abetare, libra, revista, etj), në të gjitha trojet Shqiptare. Shembull i bukur, tërheqës, për dashurinë dhe përhapjen e gjuhës shqipe, janë shqiptarët e Tetovës në Maqedoni.

Të krijohen shkëmbime kulturore të kengëve dhe valleve shqiptare, me anë të krijimit të grupeve fokloristike, me vajtje dhe ardhje në të gjitha trojet shqiptare.

Të forcohet lidhja dhe bashkëpunimi i gazetarëve, shkrimtarëve, shkencëtarëve, etj, në të gjitha trojet tona shqiptare.

Të gjithë drejtuesit e feve shqiptare, në të gjitha trojet shiptare të marrin drejtimin e ideologjisë fetare. Këta drejtues kanë kryer shkollat e feve përkatëse. Ata janë të zgjuar të ndershëm, studjues dhe shumë të aftë për të dhenë dhe drejtuar ideologjinë fetare në trojet tona shqiptare. Të marrin shembull nga feja e bektashinjve që qendrën drejtuese botrore të kësaj feje e ka në Shqipëri

Përse fetarët Grekë dhe Serbë nuk pranojnë të drejtohen nga drejtues fetar të shteteve te tjerë, si p.sh. Shqiptar, etj?! Përse ne shqiptarët duhet të pranojmë që në krye të feve tona të kemi drejtues të huaj?!

Ngritja në një nivel më të lartë të shoqatave për çeshtjet e trojeve tona shqiptare dhe forcimi I lidhjeve të tyre.

Perforcimin e lëvizjeve të brëndshme në trojet shqiptare dhe bashkëveprimin me forcat (lëvizjet) e jashtme një rol të veçantë dhe të rendësishëm kanë e duhet të luajnë deputetët e zgjedhur nga populli dhe qeveritarët që drejtojnë dhe qeverisin. Deri tani roli i tyre në përfaqësimin e Kombit është shumë i dobët. Nëse këta e quajnë veten përfaqësues të vërtetë të popullit, të marrin shembull nga të parët tonë dhe të punojne e të sakrifikojnë, për tu berë të denjë të vazhdimit të rrugës të atdhetarëve dhe patriotëve tone te parë. Kjo do të realizohet ne se ata e quajnë veten atdhetarë dhe patriotë. Pavarësisht nga roli i tyre i rëndësishëm ne takim me përfaqësuesit e Europës, për bashkëveprimin e lëvizjeve të brëndshme me faktorin e jashtëm; asnjëherë nuk duhet harruar forca e fuqishme e popullit, që i zgjodhi ata.

Një impuls për realizimin e faktorëve ose kërkesave të paraqitura më sipër do të ishte bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Ky do të qe një hap i madh dhe i fuqishëm, që do të ndihmonte jo vetëm në zgjidhjen e problemeve politike dhe ekonomike për të dy shtetet tona, por do të krijonte kushte të favorshme në zgjidhjen e drejtë dhe të shpejtë të çeshtjeve shqiptare në trojet etnike, që kanë mbetur pezull në shekuj.

Për realizimin e të drejtave tona shqiptare te mohuara deri tani ne duhet të ndjekim rrugën e arsyeshme, llogjike, bindëse dhe të pranueshme në kushtet e sotme. Të gjitha pikat ose kërkesat e paraqitura më sipër shprehin platformën tonë të punës, për të realizuar qëllimin tonë kryesor, për të fituar liritë e të gjith shqiptarëve ne trojet e tyre. Kjo platformë është në përputhje të plotë me kartën e të drejtave dhe lirive të njeriut të përpiluar dhe aprovuar nga kombet e bashkuara.

Është e drejta e shqiptarëve të Kombit tonë që në të gjitha trojet shqiptare:

Të studjojmë dhe të përhapim gjuhën tonë Shqipe.

Të zhvillojmë marrëdheniet dhe lidhjet ekonomike, tregtare, etj.

Të zhvillojmë marrëdheniet kulturore, fokloristike në trojet shqiptare

Të forcohet dhe të zhvillohet në një nivel më të lartë bashkëveprimi e gazetarëve, shkrimtarëve, shkencëtareve, etj.

Drejtimi i ideologjisë fetare të kryhet dhe zhvillohet nga drejtuesit fetarë shqiptarë.

Të zhvillohet dhe të forcohet bashkëveprimi i të gjitha shoqatave, për te drejtat dhe liritë e shqiptareve në trojet përkatëse.

Të zhvillohen dhe të forcohen lëvizjet e brëndshme ne trojet shqiptare per te drejtat dhe lirite e tyre.

Ti kërkojmë deputetëve të zgjedhur nga populli dhe qeverise te jenë ne krye të bashkëveprimit të lëvizjeve të brendëshme me faktorin e jashtëm.

Kryesore është që të gjithë shqiptarët, në të gjitha trojet tona dhe kudo që jetojnë, të pranojnë platformën, që shpreh rrugën e zgjidhjes së problemeve shqiptare me anë të arsyes, llogjikës dhe bindjes për kohën e sotme.

Kur lëvizjet e brëndshme në të gjitha territoret ose trojet tona shqiptare dhe kudo që jetojnë, shqiptarët të arrijnë sa më parë pjekurinë e kërkuar, atëhere dhe faktori i jashtëm do të bindet dhe do të pranojë kërkesat e drejta shqiptare. Përfaqësuesit e Europës, duke analizuar pëmbajtjen e kësaj platforme, që shpreh pjekuri politike jo vetëm që do të na japin të drejtë dhe do të na përkrahin, por me siguri do të na përgëzojnë për këtë platformë llogjike dhe të drejtë që shpreh aspiratat shekullore të popullit Shqiptar të shumëvuajtur.

New York, Dhjetor, 2012

Filed Under: Opinion Tagged With: Prof. de. Hazbi Shehu

Letër e hapur: Presidentes së Republikes së Kosovës, Atifete Jahjaga

December 31, 2012 by dgreca

Para pak ditesh mësuam për dekorimin që u bëtë disa institucioneve dhe përsonave në diasporën shqiptare të Amerikës.

U indinjuam së tepërmi, kur në asnjë rast nuk përmendej komuniteti katolik, sidomos ai i Detroitit, i cili ka qënë ndër komunitetet më vital në ndihmën për Pavarësisnë e Kosovës dhe ndërtimin e Shqipërisë pasdiktatoriale. Komuniteti katolik i  shqiptarëve të Detroitit ka merituar dhe meriton shumë më shumë se një dekoratë, edhe pse asnjëherë s’i ka kërkuar as s’i kërkon dekoratat, sepse kurrë s’i ka menduar ato.

Ka qënë ky komunitet, dhe në veçanti ai i Shën Palit, prej ku kanë filluar levizjet e para në ndihmë të vëllezërve kosovarë, kur makineria serbe i shtypte dhe i vriste dita ditës, duke u marrë lirinë dhe të drejtën e tyre njerëzore. Pikërisht këtu filluan ndihmat e para për Luftën e shejtë të UCK-së. Pikërisht këtu u diskutuan takimet me përsonalitete të politikës amerikane deri te Presidenti Klinton, për ta vënë në dijeni në lidhje me masakrat e vazhdueshme që bënte Serbia kundër shqiptarëve të Kosovës dhe, pikërisht nga këtu u  nxit Qeveria Amerikane të ndërhynte deri në përzënjen përfundimtare të  bishës serbe nga Kosova. Nuk e kuptojmë  pse “ harrohet” ky komunitet? Kujt ia zënë diellin veprimtaria patriotike e këtij komuniteti, ndër më të fuqishmit në diasporen shqiptare në gjithë botën!

 

Po u dërgojmë shkurtimisht vetëm  një historik të shkurtër të Kishës Katolike të Shen Palit:

Kisha Katolike e Shen Palit  ne Detroit u inagurua me 28 Qershor te vitit 1981.

Ne inaugurimin e saj moren pjese afro 6000 vete ne tri ditet qe vazhdoi festa.

Qe ne hapat e para u be mbeshtetsja kryesore e te drejtave te shqiptareve te Kosoves, duke u vu ne balle te demostratave ne disa  shtete kryesore te Amerikes, sidomos ne Washington dhe ne New York.

Perveçese Kishe, kjo u kthye qe ne fillim ne nje Qender te vertete kombetare, ku linden shume inisiativa per  çlirimin e Shqiperise nga komunizmi dhe  çlirimin e Kosoves nga serbet.

Me ne krye kleriket e kesaj Qendre fetare dhe atdhetare dhe veprimtarine patriotike te shume anetareve te saj, u priten dhe percollen te gjitha personalitetetet me te larta te Kosoves dhe Shqiperise, u drejtuan demostratat dhe protestat e pafundme ne ndihme te studenteve shqiptare te Prishtines, te minatorve te Trepçes, te reprezaljeve serbe kunder popullsise se paarmatosur dhe te pafajshme.

Qe ketu nisen tubimet e para ne mbrojtje te tyre dhe u organizuan te gjitha ndihmat( me shume se nje million dollare) per Ushtrine Çlirimtare te Kosoves, e cila shume shpejt u be faktor nderkombetar per te ardhur te Pavaresia.

Ne kete qender u festua per here te pare, ne menyre te organizuar festa e Pavaresise me 28 Nentor 1984 dhe Kryengritja e Malesise se Madhe ( 6 Prilli 1911 ), duke u perkujtuar vit per vit deri me sot.

Po ne kete qender u prit dhe festua data e Pavaresise se Kosoves me 18 shkurt te vitit 2008 dhe per çdo vit  perkujtohet kjo ngjarje, per te cilen Komuniteti Katolik i Shen Palit ka nje merite te veçante dhe te padiskutueshme.

Ketu nuk u fut asnjehere flamuri komunist me yll dhe, per mosfutjen e tij u be  zhurme e madhe, prej mbeshtetesve te komunizmit shqiptar, qe drejtohej nga ambasada  shqiptare ne  Amerike e para vitit 1990.

Me  fillimin e levizjes demokratike u vu plotesishte ne ndihme te saj dhe te forcave te reja , duke i pritur, percjellur e ndihmuar  kesaj levizje, ( Partine Demokratike dhe drejtuesit e saj).

Ndihmoi Shqiperine ne ndertimin e  institucioneve fetare me shuma te medha,  si dhe Institucionet fetare te Kosoves sa here iu kerkua.

Ne vitin1991 Ekrem Bardha dhe Donika, Kisha Katolike dhe te tjere me dy avione ushtarake me ndihma (rreth 2 milione $$$) keto shkuan ne Shqiperi dhe Kosove…

Ndihmoi vazhdimisht per Pavaresine e Kosoves, me demostrata si dhe me grumbullimin e fondeve te nevojshme per Luften. Priti e percolli te  gjithe udheheqesit e Kosoves, nga Rugova e deri te Thaci.

Kjo qender ka qene dhe eshte nje nga me te rendesishmet ne komunitetin shqiptar, jo vetem ne Michigan, por edhe ne gjithe Ameriken e diasporen.

Ka nje biblioteke qe mba gjalle gjuhen shqipe, kater klasa te gjuhes shqipe dhe nje salle me afro njemije vende per takime te ndryshme.

Ne mjediset e jashtme te saj, mban monumentin e  Gjergj Kastriotit –Skenderbeut dhe ate te Nene Terezes si dhe mjedise sportive.

Ka pritur disa personalitete te politikes  amerikane si kongresmenë  e senatorë, te cilat jane edhe miq te Shqiperise  e shqiptareve, duke i ndihmuar e perkrahur ne  punen e tyre dhe, duke i bindur e nxitur per diskutimin e çeshtjes se shqiptareve ne Kongres dhe Senat. Njohja e hollesishme e tyre me problemet e shqiptareve te Kosoves solli vendimin per nderhyrjen ushtarake te forcave te NATO-s

Kisha Katolike e Shen Palit boton buletinin e saj te perjavshem ne gjuhen shqipe “ Drita”, e cila ndihmon te rinjet te mos harrojne  gjuhen e paradhesve te tyre dhe te mbajne gjalle shqiptarizmin ne diasporë.

 

Adresa e saj e sotme eshte:

Kisha Katolike Shqiptare “ Shen Pali”

525 Auburn Road, Rochester Hills

Michigan, 48306

Tel:  1810-573-8799

 

Ne Librin e Miqeve te Kishes se Shen Palit gjinden keto shenime te personaliteteve qe kane pasë rastin ta vizitojnë;

* “ Komuniteti shqiptar i Detroitit ka ne mesin e tij, personalitete shqiptare qe kane ndikim te posaçem ne Shtepine e Bardhe” .

Dr. Ibrahim Rugova, Ish President i Kosoves

Shkurt 1993

“ Kisha e Shen Palit dhe Dom Anton Kçira rrezatojne drite ne Komunitetin shqiptar te Detroitit ”.

Azem Hajdari, Heroi i Demokracise Shqiptare

Nendor, 1997

* “ Mbeta shume i kenaqur nga shqiptaret e Detroitit”.

Pjeter Arbnori, ish Kryetar i paralamentit Shqiptar

Shkurt 1993

* “ Drita e ketij komuniteti reflektohet ne te gjitha skajet e shqiptarise. Protestat e vazhdueshem per Lirine e Kosoves, jane nje merite e veçante”.

Adem  Demaçi,

Qershor 1992

* “ Shqiptaret neDetroiti dhane nje mbeshtetje te madhe demokratizimit te jetes ne Shqiperi”.

William Rajerson, ish ambassador i SHBA ne Shqiperi,

Qershor 1995

* “ Komuniteti shqiptar i Detroitit, nje komunitet patriotik, per t’u marre shembull ne gjithe diasporen.”

Fatmir Mediu, kryetar i Partise Republikane Shqiptare

Nendor 2000

* “ Ne komunitetin shqiptar te Detroitit perjetova emocione te veçanta, sidomos, ne perkujtimin e Dites se Flamurit.”

Arian Starova, Nen kryetar i Bashkimit Liberal dhe ish Minister i Jashtem i Shqiperise

Nendor 2000

* “ Shpreh nderin dhe respektin me te madh per shqiptaret e Michiganit, per patriotizmin dhe ndjenjat atdhetare qe kane.”

Ridvan Bode, Sekretar i Pergjithshem i PDSH-se,

Nendor 2000

* “ Kam kenaqesi te veçante qe kete pervjetor te pavarsise e festoj ketu ne Detroit, ne vendin ku Azemi e kishte vizituar tri vjet me pare.”

Fatmira Hajdari

Nendor 2000

“Nese doni te karikoni baterite me patriotizem, shkoni ne Kishen e Shen Palit, ne Detroit.”

Prof.Dr. Nusret Pllana

Shtator 2012

* “ Mesa pashe une keto dite, shqiptaret neDetroitkane  nje organizim kompakt dhe intelektual, qe duhet ti vleresoj e te mbeshtetet edhe shteti shqiptar”.

 

Ismail Kadare,

Nendor, 2004

  • Kishen e Shen Palit e kane vizituar edhe presidentet Rexhep Meidani, ne vitin 1999, Alfred Moisiu ne vitin 2003, Bamir Topi ne vitin 2010, te cilet jane shprehur me superlativa per kete komunitet, duke vene ne pah vlerat patriotike, atdhetare dhe bujarine  per te ndihmuar shqiptaret ne te gjitha trojet e tyre.

 

Me respekt:

 

Ekrem Bardha, Konsull Nderi i Shqiperise ne Michigan

Dom Ndue Gjergji, Famullitar i Kishes “ Zoja Pajtore”

Don Fran Kola, Famullitar i Kishes se Shen Palit

Alfons Grishaj, Kryetar i Deges se Vatres

Ndue Ivanaj, kryetar i Lidhje se Intelektualve

Pashko Gjokaj, Kryetar i Shoqates “ Malesia e Madhe”

Mikel Demaj, Kryetar i Shoqates “ Kosova”

Julian Çefa, Kryetar i Shoqates se Ndihmes

Nikolle Vneshta, Kryetar i Shoqates “ Kastrati”

Marash Nucullaj, Liga Shqiptaro-Amerikane

Fran Gjoka, Qendra  Kulturore

 

Filed Under: Opinion Tagged With: leter e hapur, presidentes Jahjaga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 844
  • 845
  • 846
  • 847
  • 848
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Dilema e Ismailit”, një film sfidë e kinematografisë shqiptare
  • Pse prap zgjedhje? Pse kjo tallje?
  • RACIZMI NDAJ SHQIPTARËVE NË IDEOLOGJINË NACIONALISTE SERBE
  • Në përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
  • Vangjush Mio, korçari që qëndisi me dritë poetike, tablotë e shpirtit të peizazhit
  • Lavdi Komandantit të Përgjithshëm, Heroit Kombëtar Adem Jashari !
  • THEMELIMI I KOLEGJIT PAN-SHQIPTAR TË KIRURGËVE
  • PATRIOTI RRUSTEM GECAJ “NDERI I KOMBIT” SHTROI DREKË NDERIMI PËR PROF.DR. RIFAT LATIFIN
  • Zef Serembe, in memoriam…
  • Reading Di Lellio and Kraja’s The Strongest Link with Dr. Nevenka Tromp
  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT