• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letër: Për njeriun që na mbajti gjallë me zërin e tij të shpresës, lirisë e demokracisë

January 10, 2013 by dgreca

Zëri i tij :”Ju flet Zëri i Amerikës nga Uashingtoni! në programin e mbrëmjes i cili i binte në orën 6 të darkës me orën e Shqipërisë dhe në orën 21 sipas orës në Shqipëri, ishte ai zë që vinte nga larg ashtu si lind një mëngjes i bukur, i një dite të bukur.

Nuk mund ta numërojë sesa herë e dëgjoja zërin e tij “unë Shaqir Salihu dhe kolegu im ……” teksa na përcillnin emisionin e radhës që transmetonte në Radioprogramin e Zërit të Amerikës seksioni i gjuhës shqip, në barangat e errta mes skamjes dhe frikës se po na dëgjonin dhe muret, teksa isha i “mbuluar me jorgan ose ndonjë batanie të vjetër. Dy emisonet e Zërit të Amerikës, për atë kohë ishin e vetmja shpresë dhe nga i mbanim syt unë dhe ata mijëra bashkëvuajtësit e mi në kampet e interrnimit.

Në mëngjes kur bëhesh apeli (leximi i emrave të të interrnuarve), nuk kishte ditë që të mos përhapej “vesh më veshë” lajmi se regjimi i Enver Hoxhës së bashku me regjimet e tjera komuniste po binin, era e lirisë po fryente në Kosovë qysh me demostratat e 1981. Nuk kishte ditë që të interrnuarit të mos merrnin ndonjë lajmë, që u hapte zemrat e lirisë , sepse Zëri i Amerikës për shtresën tonë, ishte e vetmija liri dhe ëndërr që kishim ne ndërkohë që lajmet e saj ishin oksigjeni dhe ushqimi i përditëshëm jo vetëm i imi por dhe i atyre mijërave bashkëvuajtësve të mi – fatkeq.

Kur flasim për Zërin e Amerikës ku Shaqir Salihu ka shërbyer me profesionalizëm, vullnet dhe ndershmëri do të kujtojë se isha vetëm 6 vjeç kur nga Zëri i Amerikës , xhaxhai i ndjer mori lajmin se të premten më 22 nëntor 1963 u vra Presidenti i SHBA John Kennedy dhe ai erdhi e na tha se “koministët” Rusë e vranë Presidentin e Amerikës. Dhe isha vetëm 15 vjeç kur plasi skandali i “Watergate” dhe Presidenti Richard Nixon dha dorëheqjen dhe ne të presekutuarve sikur na “vdiqen” shpresat mbas asaj vizite historike të të parit Sekretar Shteti në Kinën komuniste të Henry Kissinger.

Këtij shqiptari që na mbajti gjallë me zërin e tij të shpresës, lirisë e demokracisë për aq vite sa ai shërbeu “Shtëpisë së Lirisë dhe Demokracisë” nga Uashingtoni zotit Shaqir Salihu( ose Shaqes i i thërrisin shpesh herë kolegët e ti) i urojë nga zemra të ketë vite më bukura, më të lumtura dhe më të begatë, me gjithë familje, ndërkohë që trashgëmtarit të tij, dhe kolegëve të tij në Zërin e Amerikës, u urojë që ta ngrenë më lartë Zërin e këtij programi dhe emrin e kësaj “shtëpie” informacionesh të besueshme dhe që është bërë e vetmja shpresë e lirisë dhe demokracisë në botë, për popujt anembanë botës dhe që janë ende në thundrat e regjimeve komuniste.

Me shumë respekt Beqir Sina

New York – USA

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Sina, Shaqir Salihu, zeri i amerikes

Nipat e Isa Boletinit nuk janë hakmarrës

January 8, 2013 by dgreca

Shkrim me rastin e lindjes së Heroit tonë kombëtar Isa Boletini 16 Janar 1864/

Nga Mimoza Dajçi*/

Pas afro dy vitesh në hetuesi, në burgun e ftohtë e të errët 313 në Tiranë, i shtruar disa herë në spitalin psikiatrik, tim atë nuk e lejuan as të komunikonte, e as të na shkruante edhe ndonjë letër. Ashtu si mijra e mijra ish të dënuar politikë të Shqipërisë gjatë periudhës së rregjimit komunist, kaloi dimrat e ftohtë nën një izolim të plotë, pa shtresë e mbulesë. Nën tortura e sipër humbi edhe një sy. Im atë ishte intelektual i formuar, por si për qindra akademistë të dënuar të asaj kohe, ky term nuk përbënte asnjë sukses për kohën e atij regjimi të egër.

E dënuan nën nenin agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, si armik i popullit. Një periudhë të këtij dënimi e kreu në “kampin e punës” Ballsh. Aty ku po ndërtohej rafinieria e naftës, frytet e së cilës akoma edhe sot ish të burgosurit politikë të asaj periudhe nuk po i prekin e as po i shikojnë me sy. Tjetër kush i ka privatizuar ato vuajtje e mundime, vdekje e tortura që u ngrit ajo industri nafte në Shqipëri. Nejse, nuk dua të ndalem sot në këtë pikë, pasi privatizimet më mirë se unë i dinë ata  që meren me ato punë, por diku tjetër e kisha llafin.

Kur tim atë sapo e dërgojnë me kamionin e burgut, lidhur me hekura e të shoqëruar me katër policë në burgun e Ballshit, si njeri i rrezikshëm, kosovar i pathyeshëm, e që ishte  për Shqipërinë etnike, e përplasin në dyshemenë e këtij burgu afër ish të dënuarve të tjerë. Dikush nga të burgosurit e njeh tim atë, e i tregon në mes të tjerëve edhe nipit të gjeneralit malazez Veshoviq, se në këtë burg kishin sjellë për dënim edhe nipin e Isa Boletinit.

Gjenerali malazez – Veshoviq, kishte pas qenë gjenerali që dha urdhër të pushkatohej Isa Boletini me luftëtarët e tij, në janar të vitit 1916  në Podgoricë. Svetko, quhej nipi i gjeneral Veshkoviqit, që edhe ky po vuante dënimin në burgun e Ballshit. Dikur e kishim patur edhe komshi, afër pallatit ku jetonim në Tiranë. Atje jetonte me gjithë të shoqen greke Kristinën e vajzën Svetllana, nja dy blloqe larg  nesh. Kristina ishte rrobaqepëse shumë e zonja, arnonte rrobat e lagjes, e i bënte njëlloj si të reja. Njihej nga të gjithë  për duart e saj të arta, por sigurisht këtë profesion e ushtronte fshehurazi e në njerëz të besuar. Por nuk e lanë me kaq, sigurimi i shtetit, i a gjeti anën duke arrestuar të shoqin Svetkon, të cilin edhe atë rregjimi i asaj kohe e dënoi për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

Kur Svetko mëson nga ish i burgosuri tjetër që, në burgun e Ballshit sjellin për të vuajtur dënimin edhe nipin e Isa Boletinit – Enver Dajçin bën protestë. Menjëherë shkon në drejtorinë e burgut e kërkon mbështetje ligjore, duke thënë se këtu nuk e kam jetën të sigurt, pasi këtu është sjellë për të vuajtur dënimin edhe nipi i Isa Boletinit, Enver Dajçi, të cilin xhaxhai im e vrau në vitin 1916 në Podgoricë.

Im atë kur u njoh me këtë situatë me gjakftohtësinë më të madhe shprehet: “Unë nuk jam hakmarrës. Por do të vijë ajo ditë kur Shqipëria do të jetë e bashkuar me trojet e saj, e ato krime do ti dënojë historia, e jo unë”. E më pas shtoi: “Svetkon nuk e pyeti xhaxhai i tij gjeneral Veshoviqi, a ta vras apo mos ta vras Isa Boletinin me trimat e tij, sepse ai ishte akoma fëmijë. Ky nuk ka faj, e unë nuk jam gjykatës ta dënoj për atë krim. Për mua Svetko të rrojë edhe njëqind vite të tjera, e mos të ketë aspak frikë nga unë”. Pas këtyre fjalëve në komandën e  “kampit” Ballsh tim atë e ridënojnë.

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ndërsa Svetko pasi kryen dënimin e del nga burgu, vdes pas disa vitesh në shtëpinë e tij pranë gruas Kristinë e vajzës Svetllana në Tiranë.

Ky është vërtetë një episod i vogël midis tim eti e një malazezi me duar të lidhura, por që tregon qartë se kosovarët, nuk ishin e nuk e janë hakmarrës, por njerëz që mbrojnë jetën, e kërkojnë drejtësi e paqe.

Isa Boletini lindi më 16 janar të vitit 1864, e po në atë muaj të lindjes së tij u vra pabesisht nga shovinistët malazezë më 23 janar të vitit 1916 në Podgoricë së bashku me të dy djemtë, nipat e tre bashkëluftëtarë që nuk i u ndanë për asnjë çast deri në momentin e fundit të jetës së tij. Por ai la pas nipër e mbesa plot. Luftëtarë të lirisë. Djem e vajza të reja pjesë e Ushtrisë Çlirimtare – UÇK të Kosovës, të cilët morën armët e luftuan për liri e pavarësi. Edhe sot ata nuk janë hakmarrës për krimet mostruoze serbe në Kosovë, por kërkojnë drejtësi e vetëm drejtësi. Janë pasardhësit e Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit e heronjve të tjerë shqiptarë, bijtë e bijat e tij më të mirë të këtij vendi që sakrifikuan jetën për liri e bashkim kombëtar, e jo për shtypje e vrasje, por për paqe e drejtësi.

New York, Janar 2012

*(Një nga pasardhëset e familjes së Boletinëve)

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Isa Boletini, me rastin e pervjetorit, Mimoza Dajci, te lindjes

NË SHQIPËRI, EKONOMIA SHQETËSIMI KRYESOR

January 8, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Sipas një njoftimi për media të botuar dhe shpërndarë me 27 Dhjetor, Instituti Demokratik  Kombëtar i Amerikës botoi një raport mbi një studim të ri që vlerëson gjëndjen politike  në Shqipëri, të ndërmarrë nga këjo organizatë tetorin që kaloi, bazuar në mendimet e pjesëmarrësve të dhjetë grupeve në katër qytete: në Tiranë, Shkodër, Fier dhe Korçë.

Siç dihet, Instituti Demokratik Kombëtar Amerikan është një organizatë  jo-qeveritare që ç’prej themelimit të tij më 1983 përkrahë institucionet si edhe zbatimin e praktikave dhe zhvillimin e proceseve demokratike anë e mbanë botës, duke krijuar dhe  duke mbështetur organizatat e shoqërisë civile.  Instituti Demokratik  Kombëtar Amerikan vepron në një numër vendesh anë e mbanë botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Sipas Institutit amerikan, qëllimi i këtij raporti mbi Shqipërinë, siç ndodhë edhe në vende të tjera, është për të identifikuar dhe për të komunikuar shqetësimet e qytetarëve, udhëheqësve politikë, para zgjedhjeve të përgjithëshme që do të mbahen më 23 Qershor të këtij viti.

Në njoftimin për media, Instituti Demokratik Amerikan thotë se pjesmarrësit shqiptarë në studimin e bërë nga ky institut, kryesisht mendojnë se vendi i tyre është në rrugë të gabuar.  Në mbështetje të këtij pretendimi ata përmendin papunësinë, rritjen e çmimeve, pagat e ulëta dhe korrupsionin, si faktorët kryesorë që kanë një ndikim të konsiderueshëm në cilësinë dhe standardin e jetës së tyre.  Por, nga ana tjetër, në njoftimin për media, Instituti Amerikan thotë se rekomandimi me kusht i Komisionit Evropian për t’i ofruar Shqipërisë statusin e kandidatit për antarësim në Bashkimin Evropian, shikohet nga disa prej pjesëmarrësve si një shënjë optimizmi dhe përmirësimi dhe si një tregues, për disa prej tyre, se vendi është në rrugë të mbarë.

Vihet në dukje se pjesmarrësit në këtë studim, nga katër qytete të Shqipërisë, e kanë të qartë se çfarë dëshirojnë për veten dhe për shoqërinë shqiptare.  Ata duan një të ardhme për vendin e tyre ku ligjet respektohen, ku rregullat zbatohen dhe ku sundimi i ligjit të funksionojë për të gjithë, pa dallim.  Ata u shprehën se dëshirojnë një shoqëri ku standardi i jetesës të jetë më i lartë dhe preferojnë një sistem në të cilin vlerat, megjithëse nuk thuhet se cilat vlera — merret me mend se e kanë fjalën për vlerat kombëtare dhe shpirtërore — të nderohen dhe të kultivohen.   Në lidhje me shërbimet që presin nga sistemi politik, pjesëmarrësit shprehen të zhgënjyer me politikën, duke thënë se sistemi politik nuk është i interesuar dhe nuk merret me nevojat e tyre bazë.

Pjesëmarrësit e grupeve të këtij raporti janë kritik sidomos ndaj asaj që ata thonë se është distanca që ekziston midis tyre si qytetarë dhe politikanëve të vendit dhe shprehen se do të dëshironin që politikanët të tregojnë një mirëkuptim më të madh ndaj problemeve me të cilat përballen qytetarët.  Pjesëmarrësit në këtë studim shprehen se politikanët shqiptarë nuk kanë treguar asnjë interesim për problemet e përditëshme të qytetarëve.  Ata u bëjnë thirrje politikanëve që të tregohen më mirënjohës ndaj shqetësimeve të tyre dhe kërkojnë prej tyre më shumë llogari për premtimet e dhëna dhe për vendimet e marra.

Në raport ngrihet gjithashtu çështja e korrupsionit, që sipas pjesëmarrësve të grupeve, është pjesë përbërëse e jetës së përditshme të qytetarëve.   Sipas Institutit Demokratik Amerikan, pothuaj çdo anëtar i katër grupeve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë,  kishte një përvojë personale me korrupsionin, pasi ata deklaruan se për të kryer një punë, ose për të siguruar një shërbim,  ishin detyruar t’i jepnin ryshfet policit, infermjeres, mësuesit ose nëpunësve të tjerë të administratës publike.  Disa prej pjesëmarrësve thanë gjithashtu për raportin e Institutit Amerikan se edhe sjelljet e tyre — duke pranuar se kanë dhënë ryshfet për shërbimet që kishin nevojë — kanë kontribuar në përjetësimin e korrupsionit në vend.

Ndër përfundimet e tjera të raportit, thuhet se megjithse pjesëmarrësit e konsiderojnë gjëndjen ekonomike si të vështirë, shumë prej tyre, përfshirë edhe ata që ishin shprehur se vendi është duke shkuar në drejtim të gabuar, pranuan se gjatë disa viteve të fundit ka patur zhvillime pozitive në vend, duke përmendur përmirësimet në infrastrukturën rrugore, në shkolla dhe në furnizimin e rrymës elektrike.  Shumë prej pjesëmarrësve në këtë studim, thuhet në raport, fajësojnë ”ata në fuqi” për gjëndjen e keqe ekonomike, një çështje këjo që sipas tyre, ”është shqetësimi më i madh në jetën e tyre të përditshme”.

Muajin që kaloi, Drejtori i Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan për Evropën Jug-lindore, Robert Benjamin vizitoi Shqipërinë, ku ndër të tjerë, u takua edhe me Presidentin Nishani, me ç’rast i përcolli udhëheqsit shqiptar përshëndetjet nga Kryetarja e bordit të Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan dhe ish-Sekretarja e Shtetit  Amerikan, Madlajnë Ollbrajt.   Përveç zonjës Ollbrajt, ndër drejtuesit e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan dallohen shumë ish-zyrtarë të lartë të administratave demokrate të SHBA-së, të cilët kanë gjithnjë lidhje dhe influencë në administratën e tanishme demokrate të Presidentit Obama.

 

Ne Fotografi:Robert Benjamin i Institutit Demokratik Amerikan në takim me Presidentin Nishani në Presidencë

Filed Under: Opinion Tagged With: Amerikan, Ekonomia, Frank shkreli, Insitituti Demokrat, ne Shqiperi, shqetesimi

AGIMI I “ARTE” GREK KA KRYEPESHKOP JANULLATOSIN

January 7, 2013 by dgreca

NGA AT NIKOLLA MARKU/

Deklaratat e mirfillta politike te agimi te zi neonazist grek kunder kombit shqiptar, si dhe mbeshtetja per Janullatosin, ishin tregues i qarte se misioni Janullatos eshte pushtimi fetar i ortodoksise dhe imponimi politik per Vorio epirin me fantazmat neonaziste. Mbeshtetja qe i japin ketij prifti, pa diskutim qe eshte ne kundershtim me misionin e tije fetar. Ndodh rastesisht apo ka nje strategji?. Kjo force politike, fatkeqsisht dhe parlamentare ne Greqi, na ben te mendojme thelle dhe te bejme kujdes me kete provokim te hapur nazisto-Janullatos.

Janullatos nuk kercenohet nga askush ne Shqiperi, por veprimtaria e tije shovinisto-naziste greke, ne dem te kombit shqiptar po e rrezikon vete ate. Shpesh here, punet qe ben njeriu i sjellin atij humbjen dhe rrezikun, te cilin ai e ndjen per shkak te koshiences qe ka personalisht vete. Kjo po ndodh dhe me Janullatosin.

Te merresh me ceremoni perkujtimore te ushtrise greke pushtuese ne Shqiperi dhe me mbeshtetje politike te nje partije me pikpamje raciste dhe sidomos anti izraelite si ajo e agimit te zi grek, patjeter qe ndjehesh i kercenuar nga veprimi anti shqiptar.

Te besh nje fushate te hapur per deklarimin greke dhe te atyre qe sjane te tille , patjeter qe ndjehesh i kercenuar nga veprimi anti shqiptar.

Te zhvarrosesh varret shqiptare dhe ti quash grek, patjeter qe ndjehesh i kercenuar nga veprimi anti shqiptar.

Te perdoresh shtetin grek si presion kunder emigranteve shqiptare, patjeter qe ndjehesh i kercenuar nga veprimi anti shqiptar.

Te tjetersosh kishen ortodokse te Shqiperise ne favor te helenizmit, patjeter qe ndjehesh i kercenuar nga veprimi anti shqiptar.

Te bashkpunosh me organizata antishqiptare dhe qeveri fantazem te Vorio-epirit, patjeter qe ndjehesh i kercenuar nga veprimi anti shqiptar.

Te kordinosh me kishes Serbe per veprime terroriste, ne dem te shqiptareve ne Mitrovice, , patjeter qe ndjehesh i kercenuar nga veprimi anti shqiptar.

Qe te mbetesh ne historine e kombit shqiptar, si rilindesi i besimit ortodoks shqiptar, duhet ta meritosh me veprime te drejtperdrejta ne dobi jo vetem te besimtareve, por dhe te kombit ne teresi, ju Janullatos e dini mire qe nuk e meritoni. Ju meritoni dekorate ne vendin tend, si oficer i helenizmit te paqene ne Shqiperi. Eshte bere nje gabim i tmerrshem me dekoraten qe te ka dhene presidenti Topi si dhe kreu i PS Edi Rama me titullin qytetar nderi i bashkise Tiranes. Ne shpresojme te kalbet sa me shpejte ne duart tuaja dhe te ndryshket dekorata ne gjoksin tend.

Ju Janullatos jeni nje prift i thjeshte per ate pakice greke ne Shqiperi, pakice qe ben mire te distancohet nga ju. Janullatos ti meriton vetem nje dekorate, ate te armikut tradicional te shqiptareve.

Perse nuk distancohet Janullatos nga deklarimet e agimit te zi, deklarime fyese dhe percmuese per shqiptaret ne teresi. Ketu ndryshojme ne si komb, sepse ne kurre nuk do te perdorim fjalore te tille per kombe te tjere dhe as per kend ne bote, kjo eshte kutura jone fetare dhe shoqerore.

Te trajtojme pak censusin e organizuar ne Shqiperi per personat rezident. Te gjithe e dime qe besimtaret ortodokse ne Shqiperi nuk jane as 6 as shtate e as tete perqind, besimtaret i kalojne 20 perqind por pjesa me e madhe jane ne emigracion. Propoganda e Janullatosit, Dules etj, per te shtuar numrin e grekeve ne Shqiperi, beri efekt te kundert ne deklarimet e shtetasve. Ortodokset shqiptare e kane te qarte strategjine e Janullatosit per greqizim dhe coptim te ri te Shqiperise me Vorio-epirin, prandaj ju shmangen deklarimit fetar. Ky veprim ishte nje shuplake per veprimtarine e Janullatosit. Tani ky prift po ben census besimtaresh vete! Ky veprim eshte akuze e drejtperdrejte ndaj shtetit, i cili organizoi kete census me insistim te greqise dhe shovinisteve. Shteti duhet ti ktheje pergjigje Janullatosit, si per censusin ashtu dhe agimit te zi per deget qe kerkon te hape ne jug te Shqiperise. Shqiperia e ka me kushtetute te cilen po e citoj; neni 9 “Partite politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e te cilave mbeshtetet ne metoda totalitariste, qe nxitin e perkrahin urrejtjen rracore, fetare, krahinore ose etnike, qe perdorin dhunen per marrjen e pushtetit ose per te ndikuar ne politiken shteterore, si edhe ato me karakter te fshehte jane te ndaluara me ligj. Eshte e qarte. Agimi i zi nuk duhet te shkele ne Shqiperi sepse e ndalon ligji. Kush i fton dhe lejon te futen ne territorin shqiptar, kryen veper penale ndaj kushtetutes dhe sovranitetit territorial te atdheut.

Ne nje interviste ne tv grek me siglen net, Janullatos spjegon qarte se si ka ardhur ne Shqiperi, me nje telefonate te cudicme nga nje person enigem dhe me urgjence, se nuk priste puna! Cfar kishte qe nuk priste puna me aq urgjence, sa udhetoi menjehere per Evrope?. Eshte e kuptueshme, kishte ardhur dita per te futur agjentin shovinist ne jug te Shqiperise.

Janullatos genjen kur thote se, ne shkollat shqiptare mesohet urrejtja ndaj popullit grek. Kjo deklarate eshte nxitje e rrezikshme per popullin grek kunder kombit shqiptar.

Janullatos genjen kur thote se, ne Shqiperi u behet qefi per krizen greke. Seshte e vertete, nuk ka ne Shqiperi njerez qe u behet qefi per krizen greke, perkundrazi ne urojme qe ajo te kaloje sa me shpejte. Janullatos spekullon kur thote se, shqiptaret u priten krahe hapur ne Greqi. Jo, shqiptaret po ndertojne Greqine me djersen e ballit dhe paguhen te diskriminuar krahasuar me emigrantet e kombeve te tjera.

Nuk i lejohet nje kleriku te ofendoje njerez me epitete si; idiote, injorante,fanatike, dallkauke etj. Ben mire qe flet sepse tregon se kush je ne te vertet, epitetet qe perdor, jane shume afer me programin raciste te partise agimi i zi.

Dua ti kujtoj Janullatosit qe te mos behet bimbash i Gjirokastres apo i Tiranes Durrsit dhe gjith Shqiperise sepse, vetiu do te linde nje Cerciz Topulli. Teshtimat e Greqise urojme te mos jene nga gripi i derrit apo pulave.

Filed Under: Opinion Tagged With: Agimi i arte. grek, AT Nikolla Marku, Janullatos

DIASPORA SHQIPTARE SI PJESË E VENDIMMARRJES NË SHQIPËRI DHE KOSOVË

January 6, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ – WORCESTER, MA, SHBA . Po sikur Diaspora shqiptare të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të Qershorit 2013? Sikur kjo të ndodhë, Lutemi në Zot, do të kemi një panoramë tjetër  në Tiranë dhe demokracia shqiptare do të funksionojë e do të besohet më shumë. Do të kemi më shumë duar të pastra, më shumë zëra të vërtetë, me shumë vizion real dhe do të jemi më afër shqiptarëve që kanë halle të jashtëzakonshme!Shqipëria ka tetë dekada që është ngopur me parrulla të lloj-lloj ngjyre regjimi e partie!

Ne themi se një e treta e Shqipërisë është në emigracion dhe Diaspora është Thesar Intelektual! Po si ka mundësi që dy të tretat e shqiptarëve mbahen peng nga një grusht politikanësh dhe një e treta e emigruar mbahet e përjashtuar nga proceset demokratike në Shqipëri?

Kush e pengon kthimin me dinjitet të shqiptarëve të mërguar apo edhe pjesëmarrjen në vendimmarrje vec klasës politike të Tiranës së korruptuar?

Tiranës s’kujtohet kërrkush: as akademikë, as idealistë, as publicistë, as opinionistë ! Media fle me qëllim. Po këta të gjithë janë të blerë dhe e kycin gojën sepse ju prishet rehati po të thërrasin në skenën e vendimmarrjes Diasporën shqiptare! Ku është patriotizmi i tyre dhe fisnikëria e tyre për ta ndihmuar Shqipërinë në këto caste të vështira të dalë nga ngërci 22 vjecar? Ci duan gradat e Profesor Doktor, Doktor, Master etj; për ti varur në mur të shtëpisë? Megjithëse, grada shkencore kanë edhe plepistët në Tiranë.

Kush më mirë se një deputet nga Diaspora do të dëgjohet me vëmendje për c’ka mund të ofroje, për mënyrën demokratike të komunikuarit qytetar-deputet, të bërjes së punëve me themel për cdo komunitet në fshat e qytet dhe jo vetëm në bastionet e partive në pushtet? Se do të jetë i besueshëm se të superlakuarit e sotëm!

Sepse nëse zgjedhim një deputet që ka jetuar e punuar në Europë, Greqi, Itali, Amerikë, a kudo në Perëndim, ai do të sjellë një Erë të Re që i mungon Tiranës zyrtare në cdo institucion që është totalisht i varur nga partia në pushtet a segmente të politikës.

Në Tiranë, Diaspora shqiptare përkufizohet me kujtesën për të në ngjarje historike që përkujtohen në përvjetorë shekullorë. Prishtina është më ndryshe, edhe ka një afëri me Diasporën. Edhe flitet hapur në media që nga Diaspora shqiptare (sidomos e Zvicrës) duhet të kandidojnë për në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës.

Në Tiranë është e kundërta! Diaspora u duhet vetëm si pjesë e historisë për Liri, Pavarësi, Flamur e Alfabet . Dhe për të ardhura financiare që vijnë në Shqipëri.

Përse nuk pëlqehet që Diaspora të kandidojë me njerëzit e saj sipas krahinave (zonave përfaqësuese)? Përse Tirana zyrtare nuk e promovon Diasporën të përfshihet në vendimmarrje si subjekt më vete? Mos vallë përfshirja e Diasporës në vendimmarrje do të prishë balancën dydekadshe të politikës klanore  PakBlu, Rozë dhe RozëKuqe? Apo s’është edhe e nevojshme, sepse në Tiranë janë të zotë vetë liderë-baballarët që i caktojnë vetë kandidatët për deputetë dem baba dem që prej 1924!

Po Diaspora e sotme shqiptare sidomos e shqiptarëve të Greqisë është më e lidhur me Shqipërinë  dhe me ardhmërinë e saj. Edhe fluksi vajtje-ardhje i emigrantëve është më i gjallë apo se edhe te ardhurat më të mëdha drejt Shqipërisë në këta 20 vjet demokraci në Tranzicion  kanë ardhur vetëm nga shqiptarët e Greqisë!

Nëse sot Shqipëria me ato halle që ka edhe nëse ka ndryshuar,  a nuk është meritë edhe e investimit të shqiptarëve të Greqisë, në vecanti, sepse edhe statusi i tyre i diskriminuar nuk i ka lejuar ta gëzojnë jetën e tyre në fqinjin tonë europian?

Pas 1992 rendëen me o burra, deputetë e liderët baballarë  të partive për qoka Amerikës e Europës atje ku ka shqiptarë e më së shumti në Greqi me synim për të hapur degë partish e për ti dhënë frymë bashkëpunimit  politik kombëtar Shqipëri (me parti, parti vegjetative, klane, institucione të varura ditën dhe natën, deputetë të korruptuar (jo të gjithë) dhe Diasporë ( njerëz me Vizion, me shkollë perëndimore, me lekë me gjak, me duar me kallo).

Sot më shumë halle ekonomike, shoqërore, statusore kanë shqiptarët e Greqisë. Ka luajtur me këta shqiptarë (mbi 600 mijë) Tirana zyrtare në kohë fushatash, ka luajtur dhe Athina për ta rritur minoritetin grek artificialisht në Jug të Shqipërisë, ka luajtur edhe PASOK-u në Greqi  për të luajtur kartën e kujdesit ndaj tyre para Europës!

Shqiptarët e Greqisë  janë në një udhëkryq që një  Zot e di! Ata janë ende pa status, të panatyralizuar si nënshtetas. U bënë 20 vjet dhe në Greqi s’po gjejnë rehat. Flas për shumicën dërrmuese. Marëdhëniet e fqinjësisë greko-shqiptare janë të tipit “ngri-shkri” dhe ndikojnë jo pak në sjelljen e shtetit grek apo segmenteve të politikës greke ndaj tyre.

Në heshtje, në Greqi për këto dy dekada Kisha Greke po bën punën e vet për ti qetësuar duke i kumbarizuar me emra të tjerë joshqiptarë  në mos të greqizuar apo dhe duke ua mbajtur larg prejardhjen dhe kombësine me moton kush jeton në Greqi është grek edhe pse maratona njëzet vjecare e nënshtetësisë për shqiptarët është shprehje e pastër e diskriminimit europian dhe jo vetëm grek! Sepse Europa ka mekanizma demokratike që janë të squllur kur bie fjala për të drejtat e njeriut që jeton brenda familjes europiane!Pra, Europa nuk është 100% e lirë!

Shteti shqiptar i Shqipërisë ka bërë fare pak për shqiptarët e Greqisë në vecanti. Partitë e Tiranës në pushtet vetëm se kanë kërkuar që nëse emigrantët e Greqisë nuk vijnë dot në Shqipëri për të votuar se kushton, të paktën tu kujtojnë  të afërmve të tyre në Shqipëri të votojnë  për partinë  e zemrës së tyre që të kenë një favor të futen në punë, apo të mos humbasin punën në shtet edhe pse ca prej tyre në administrata lokale ka muaj po ka raste që kanë edhe vite që s’janë paguar!

Por ka një shteg për të zbutur klimën e rëndë të prishjes së interesave të brendshme të dy palëve: pozitë me paterica dhe opozitë  josolide:

THIRRJEN NË SKENË TË KANDIDATËVE PËR DEPUTETË NGA DIASPORA SHQIPTARE!

Të jemi të sinqertë! Nëse me të vërtetë Diaspora do të konkurojëe individualisht  e pavarur, si subjekt më vete në të gjitha zonat elektorale ose edhe në emër të partive politike që do të regjistrohen për zgjedhjet e përgjithshme të 2013-ës atëherë do të kemi një risi për Shqipërinë, një shpresë më shumë për demokracinë.Edhe Europa do ta besojë me shumë Tiranën zyrtare! Edhe Amerika!

Shqipëria vecse duhet ta rregullojë me ligj pjesëmarrjen dhe angazhimin e Diasporës në vendimmarrje. Dhe nuk është vonë. Jemi ende në Janar të 2013! Në Greqi shqiptarët po organizohen sipas partive po pse jo të mos konkurojnë  për deputetë edhe si individë  të pavarur pa u diktuar nga partitë që  ata kanë dëshirë të përkrahin?

Sepse historikisht Diaspora e Shqiptarëve të Greqisë është përdorur për qëllime elektorale nga Tirana zyrtare, sikurse edhe nga Athina zyrtare. Pra, jo të ligjërojmë 100% këtë klasë  politike zullumqare  duke e duartrokitur atë, por të sjellim në drejtim njerëz të motivuar të Diasporës, me duar vërtet të pastra; të sjellim një Erë të Re që ta shkundë mirë pisllëkun e  korrupsionit të kesaj klase politike që po mban peng edhe brezat e rinj!

Në u pikon zemra për Shqipërinë Ju politikanë  të sotëm të Tiranës  jepini Diasporës dhe vetes Suaj një shans – Konkurimin e Diasporës në vendimmarrje! Kjo është thirrje nëse ju Reflektoni për c’ka keni gabuar duke rickliuar veten Tuaj si vektor klanesh! Ndryshe, do mbeteni pjesë e pengmbajtjes së atdheut edhe të përjashtimit të Diasporës nga procesi i demokratizimit  të jetës politike dhe vendimmarrjes në Shqipëri në emër te Integrimit Legjende Europian!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Aetur Vrekaj, diaspora shqiptare, zgjedhjet ne Shqiperi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 844
  • 845
  • 846
  • 847
  • 848
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dy Shqipëri…
  • Short Form Order of Hon. Andrew J. Cohen, J.S.C., Supreme Court of the State of New York, County of Bronx
  • Dita e krenarisë, e unitetit dhe e ndërgjegjes kombëtare shqiptare
  • PLANI “PATKOI” – VAZHDIMËSI E DOKTRINËS SERBE PËR SPASTRIMIN ETNIK TË KOSOVËS
  • Një reflektim mbi pushtetin, shtetin dhe përgjegjësinë morale të lidershipit në kohë krizash politike
  • TOKA E SHQIPËRISË – E ARDHMJA E KOMBIT
  • ABRAHAM LINKOLNI: NJERIU QË SHPËTOI NJË KOMB DHE NDRYSHOI HISTORINË
  • Njohja Ndërkombëtare e Kosovës dhe Konsolidimi i Sovranitetit të Jashtëm në Mekanizmat Ndërkombëtarë
  • RINIA SHQIPTARE DHE FRYMA E LIRISË AMERIKANE NË JUBILEUN E 250-VJETORIT TË SHBA-së
  • Kriza e vlerave në shoqërinë moderne
  • Zgjimi qytetar i Shqipërisë: Një vit pas fitores dërrmuese të Ramës, thyhet iluzioni i pathyeshmërisë
  • Vetëm Gjon Mili…
  • NËN FLAMURIN KUQEZI – DIASPORA SHQIPTARE SI SHTYLLË E IDENTITETIT KOMBËTAR DHE KUJTESËS HISTORIKE
  • John Hobhouse, 1809: Takim me Ali Pashë Tepelenën
  • Grupi i Valleve “Fluturimi i Shqipes” në “Festë n’Shesh” në Toronto

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT