• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA NDERON NËNË TEREZEN

December 19, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Më 1985 Nënë Tereza ishte ftuar të fliste para Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara me rastin e 40-vjetorit të themelimit të kësaj organizate botërore.  Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara në atë kohë Perez de Cuellar, e paraqiti murgeshën shqiptare Nënë Terezën me këto fjalë:  ”Këtu është një sallë fjalësh.  Disa ditë më parë në këtë tribunë  folën burrat më të fuqishëm të botës.  Mirëpo, tani kemi privilegjin të kemi mes nesh gruan më të fuqishme në botë.  Nuk besoj se është e nevojshme  tua paraqesë atë.   Ajo nuk ka nevojë për fjalë.  Por Ajo ka nevojë për veprat  tona.  Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjë unë është ta nderoj atë dhe tu them se ajo është më e madhe se unë, ajo është më e madhe se të gjithë ne së bashku.  Ajo është  Kombet e Bashkuara.  Ajo është paqëja në botë.”

Sipas gj asës, duke përfillur fjalët e ish-Sekretarit të Përgjithëshëm Cuellar, se Nënë Tereza kishte nevojë për veprat dhe jo fjalët e OKB-së, të hënën pasdite më 17 Dhjetor, Asambleja e Kombeve të Bashkuara shpalli 5 shtatorin, dita kur ka ndërruar jetë e lumnuara Nënë Tereza, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë.   Shqipëria, nepërmjet ambasadorit të saj Z. Ferit Hoxha ishte një nga vendet kryesore sponsorizuese të kësaj rezolute dhe Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara luajti një rol kyç në miratimin me konsensus të saj.  ”Nëpërmjet një lobimi të fuqishëm, rezoluta arriti të marrë bashkë-sponsorizimin e më se 20 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara”,  thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Republikës së Shqipërisë në lidhje me vendimin e organizatës botërore.

Në fjalën e tij me këtë rast, Ambasadori i Përheshëm i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha, pasi falenderoi Hungarinë për për punën që bëri gjatë konsultimeve për miratimin e kësaj rezolute, ndërkohë që theksoi rolin që luan dhe duhet të luaj Bamirësia në çdo shoqëri dhe në botë në përgjithësi, me krenari foli edhe për Nënë Terezën si simbolin e Bamirësisë në botë duke thënë:

”Duke zgjedhur datën 5 shtator, dita kur bota humbi Nënë Terezën, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë,  Asambleja e Përgjithëshme me këtë vendim ndihmon që ta bejë këtë ditë më domethënse për njerëzit anë e mbanë botës dhe në të njëjtën kohë i shërben më mirë objektivit të rëndësishëm për të njohur  më mire dhe për të mbështetur veprat e Bamirësisë anë e mbanë botës…..Shqiptarët do të jenë përherë krenarë me Nënë Terezen, për veprën dhe trashëgiminë e saj, gjë që ne e konsiderojmë si dhuratën më të mirë që mund t’i kemi dhënë njerëzimit.”

Ambasadori shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha u tha delegatëve se ”Ne do të kujtojmë gjithmonë njërën prej thënjeve të saj, pasi këjo deklaratë nënvijon esencën ose thelbin e veprës së Nënë Terezës: ”Me gjak jam Shqiptare. Me shtetësi jam Indiane.  Me besim jam murgeshë katolike.  Si e tillë, i përkas të gjithë botës”.

Është ekzaktërisht këjo thirrje e Nënë Terezës, përfundoi ambasadori shqiptar pranë OKB-së, që do të festohet çdo vit me 5 shtator për të kujtuar rolin e pazëvendsueshëm të Bamirësisë në çdo shoqëri dhe në çdo vend të botës, ashtuqë të njihet edhe puna dhe kontributet, në këtë fushë, të të gjithë personave të ndryshëm dhe nga rajone të ndryshme anë e mbanë botës.

Ministria e Punëve të Jashtëme e Shqipërisë, nepërmjet një deklarate për mediat e ka përshëndetur këtë vendim, me të cilin, sipas saj, ”vendet anëtare të OKB-së, duke njohur e vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të akteve të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore, i bëjnë një homazh të merituar aktivitetit e trashëgimisë së Nënë Terezës, e njohur ndërkombëtarisht dhe e vlerësuar botërisht për përkushtimin dhe punën e saj gjatë gjithë jetës në ndihmë të të sëmurëve, të varfërve e njerëzve në nevojë”, përfundon deklarata e Ministrisë Shqiptare të Punëve të Jashtëme.

Nuk ka emër më të madh as më të mirë se Nënë Tereza,   siç tha edhe ambasadori shqiptar pranë OKB-së, Z.  Ferit Hoxha – rreth të cilit të  mobilizohen burimet botërore njerëzore dhe materiale, përfshirë edhe ato të OKB-së në përkrahje të rolit që luan Bamirësia, pasi sipas rezolutës, varfëria vazhdon të ekzistojë në të gjitha vendet e botës, pa marrë parasyshë situatat ekonomike, shoqërore dhe kulturore.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Fran Shkreli, Nene Tereza, OKB

RINDERTIMI I NJE MASAKRE

December 18, 2012 by dgreca

Nga Celo Hoxha*/

 Në gjysmën e parët të viteve ‘40 thuajse çdo qytet shqiptar kishte aeroportin e tij. Përveç 10 bashkive kryesore, avionët uleshin dhe në qytete të vogla si Kruja dhe Shijaku. Linjat e fluturimit, disa herë në javë, funksionin me shumë qytete të huaja, më tepër me ato italiane.Ndoshta më të rëndësishme ishin fluturimet brenda Shqipërisë. Dy herë në javë ishte fluturimi për pasagjerë, vajtje-ardhje, Tiranë-Shkodër, po ashtu kishte fluturime Tiranë -Shkodër-Kukës, Tiranë-Korçë-Gjirokastër, Tiranë-Vlorë-Gjirokastër, Tiranë-Devoll ose linja e drejtpërdrejtë me tre herë në javë Tiranë-Peshkopi. Komunistët, sa erdhën në pushtet, i prishën këto aeroporte, dhe tokën e tyre e përdorën për mbjelljen e mistrit, thekrës, etj.

Ato pak hektarë tokë nuk e zgjidhën kurrë problemin e ushqimit. Në 1946 Shqipëria shkoi, për shkak të politikave antiekonomike të qeverisë komuniste, në krizën e urisë. Prishja e aeroporteve tregon vetëm një gjë: kahun e trajektores dhe pjerrësinë e tatëpjetës së procesit që historianët e kanë quajtur, padrejtësisht, për shumë kohë: procesi i rindërtimit të Shqipërisë.

Legjenda u thur rreth një institucioni fiktiv të quajtur Ministria e Rindërtimit, e cila ekzistoi vetëm nja 3-4 muajt e fundit të luftës. Në 13 janar 1945 ky institucion u suprimua me të drejtë, sepse Shqipëria kishte hyrë në rrugën e shkatërrimit ekonomik të saj. Sigurisht, demagogjia e rindërtimit nuk u shua.

Rindërtimi i urave, për shembull, u bë nga firmat italiane që vepronin në Shqipëri. Ura e Sukthit e ndërtua nga firma “Simoncini”. Firmat “Marinucci”, “Ferrobeton” dhe “Simoncini” ndërtuan Urën e Rrogozhinës. Ura e Matit u ndërtua nga sipërmarrja “Tudini & Talenti”. Firma “SIQELP” rindërtoi urat e Veriut. Një firmë tjetër ndërtoi rrugën Vlorë-Himarë. Firmat italiane rindërtuan zona të ndryshme të Tiranës dhe u morën me rregullimin e porteve të Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Firma “Tamburlini & Monai” rregulloi Urën e Pankovës. Në fund iu konfiskua pasuria këtyre firmave dhe të tjerave. Filozofia ekonomike e regjimit komunist ishte therja e pulës që bënte vezët.

Që në muajin parë në pushtet, komunistët grabitën (ata përdorën fjalën rekuizim) gjithçka: drithëra, ushqime, ilaçe, lëndë ndërtimi, vajra lubrifikante, makina. Veprimtaria e komunistëve ishte identike me veprimtari banditësh, nga ata që kemi parë në filma me temë kërkimin e arit.

Të nisur nga një informacion se gjermanët kishin thyer në tregun shqiptar gjatë luftës rreth 600-700 mijë franga ari, qeveria komuniste nuk la gur pa lëvizur për të zbuluar ku kishte shkuar kjo masë ari.

Ata e kërkuan floririn dhe nëntokë. Për shembull, unazën e floririt të Iljaz Vrionit e nxorën nga varri i tij dhe për të ka dokument sekuestrimi. Iljaz Vrioni, firmëtar i pavarësisë, kishte vdekur në 1932.

Tatimi i jashtëzakonshëm ishte një ligj kriminal. Ai i bëri shoqërisë shqiptare atë që nuk ia kishte bërë asnjë pushtues. Firma e Aristidh Lekës nga Durrësi, e krijuar që në 1845, u kishte mbijetuar për një shekull shumë pushtimeve të huaja. Komunistët e asgjësuan me një të rënë të lapsit. Ata i vunë një tatim që firmës iu desh ta shlyente duke sakrifikuar gjithë trashëgiminë e saj shekullore. Në fund, pasi e rropën, e fshinë fare nga faqja e dheut.

Ata që nuk ishin në gjendje të paguanin tatimin e jashtëzakonshëm mbaheshin në burg deri sa të “bëheshin” në gjendje ta paguanin. Kush i ka lexuar kujtimet e Thanas Floqit, nuk i ka të panjohura histori të tilla. Në 1914 i ka përdorur Haxhi Qamili. Kjo lloj mënyre e marrjes së tatimit quhet pengmarrje.

Për tatimin e jashtëzakonshëm merrej çdo gjë që ishte në pronësi të fatkeqëve, me përjashtim të veshjeve, krevatit të fjetjes, dhe ushqimit të familjarëve për një muaj.

Çfarë bëhej me mallin e sekuestruar? Ja një shembull: 1500 radio që iu grabitën firmës Prenushi iu falën seksionit të propagandës të ushtrisë që i sekuestronte.

Po me vlerat financiare që grumbulloheshin çfarë bëhej? Paguhej ushtria, policia dhe administrata që kujdesej për mbledhjen e tatimit të jashtëzakonshëm, për burgosjen e tregtarëve ose ekzekutimin e tyre.

Libri “Konfiskimi i pronës dhe grabitja e arit”, i botuar nga ISKK, është një koleksion i imët i masakrës ndaj pronës, kapitalit dhe punës së ndershme të qytetarit shqiptar. Libri është përqendruar më shumë në evidentimin e fakteve, duke i lejuar më pak hapësirë analizave, me qëllim që dhe më skeptikët të vënë në punë mendjen e tyre, pa u ndikuar shumë nga qëndrimi i autorit.

Në tekstet e historisë ende nuk artikulohet veprimtaria e komunizmit si një veprimtari banditësh. Aty flitet për rindërtim, krijim të kooperativave, zgjerim të sektorit shtetëror. E vërteta vazhdon të fshihet pas termave të sajuar nga propaganda e diktaturës, makineria e të cilës është çmontuar, të paktën zyrtarisht, që prej 20 vjetësh.

Unë kam besim se një ditë gjërat të thirren me emrin e tyre, por nëse kjo nuk ndodh shpejt, shoqëria shqiptare thjesht humbet kohë, ndërkohë që i ka shpërdoruar 70 vjetë për t’u përballur me të vërtetën.

*Përshtatje nga referati i mbajtur në konferencën “Rishikimi i të shkuarës komuniste, si domosdoshmëri për të ardhmen e vendit”, organizuar nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe fondacioni “Konrad Adenauer”, 17 dhjetor 2012.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Celo Hoxha, i nje masakre, rindertimi

AK I KERKON PRESIDENTIT HEQJEN E URDHERIT “SKENDERBEU” JANULLATOSIT

December 18, 2012 by dgreca

100 Vjetori i Pavarësisë shënoi pa asnjë mëdyshje një nga ditët më të bekuara në historinë e popullit shqiptarë. I madh e i vogël në Shqipëri, në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë si dhe shqiptarët e diasporës tonë kudo në botë, kremtuan të gëzuar e të mallëngjyer përvjetorin e lavdishëm të pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë 100 vjetor, do të ishte shumë e udhës të ishin dekoruar figura të shquara patriotike të cilat dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, duke ndalur përkohësisht vlerësimet e njerëzve nga fusha të tjera si ato të shkencës, sportit, artit e kulturës. Konstatojmë me keqardhje se janë mënjanuar dhe sigurisht harruar jo pa qëllim, klerikë të lartë të besimit ortodoks, veprimtarë të palodhur të Kishës Autoqefale Shqiptare.

U harruan ata që u përleshën me hierarkët më të lartë të Kishës greke, vetëm për të mbajtur të gjallë e të pavarur Kishën Autoqefale Shqiptare. Askush nuk u kujtua nga administrata e lartë, nga institucionet e kulturës në Shqipëri, aq më pak nga Kisha aktuale pseudo-autoqefale të nderojë ata që themeluan Kishën Ortodokse Shqiptare.

Nuk u kujtua njeri në këtë 100 vjetor për Fan Nolin, Visarion Xhuvanin, Papakristo Negovanin, Kristofor Kisin e sa, e sa të tjerë që ishin jo vetëm klerikë të shquar të besimit ortodoks në Shqipëri, por patriotë e luftëtarë të çështjes kombëtare shqiptare.

Duke parë e krahasuar se çfarë kanë bërë drejtuesit aktuale të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë e sidomos këto vitet e fundit, na vijnë nder mend ngjarjet e turpshme të ndodhura në Këlcyrë, Bularat, Himarë, Boboshticë, Kosinë e të tjerë. Në të gjitha këto ngjarje për fat të keq, ka qenë e dukshme edhe dora e drejtuesve grekë të Kishës aktuale Autoqefale të Shqipërisë. Me politikën që kanë ndjekur liderët e saj, lehtësisht bie në sy, mbështetja që ato i kanë dhënë politikës së shtetit grek si dhe pretendimeve të tij territoriale ndaj Shqipërisë.

Natyrisht, rolin kryesor në këtë aktivitet antishqiptar e ka luajtur Anastas Janullatosi, lideri uzurpator i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Për dy dekada me radhë, ai punoi për interesat e Greqisë, duke vazhduar me besnikëri rrugën e Kozma Etolianit, i cili më shumë se 100 vjet më parë i kushtoi jetën e vet helenizimit të Epirit, hapjes së shkollave dhe kishave greke në territore të mbushura historikisht me shqiptarë.

Si për ironi të fatit ardhja e këtij njeriu në krye të Kishës sonë u bë në kundërshtim të hapur me interesat e Shqipërisë e të besimtarëve ortodokse shqiptare. U veprua haptas në kundërshtim me statuset e hartuara në Kongresin e Beratit të vitit 1922 si dhe në Kongresin e Korçës të vitit 1929. Si për çudi u harrua vendimi i Patriarkanës së Stambollit i marrë në vitin 1936, ku shprehimisht thuhet se “Çdo komb ka të drejtë të ketë kishën e tij të pavarur dhe Kryepeshkopin e racës së vet”.

Të gjitha këto na çojnë në konkluzionin se ka ardhur koha t’i themi besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë brenda dhe jashtë territorit ku jetojnë të zgjedhin në krye të Kishës sonë ortodokse, një prift shqiptar, një patriot që ta dojë me shpirt popullin dhe vendin e vet.

Ka ardhur koha që t’i themi Anastas Janullatosit “largohu nga Shqipëria me paqe”. Mbylli vitet e fundit të jetës tënde sa më larg këtij vendi e këtij populli, i cili për hatër të së vërtetës duhet thënë që të ka parë qysh ditën e parë që erdhe në Shqipëri si një çiban të rrezikshëm, i cili në emër të fesë e të ortodoksisë shqiptare punoi për interesat e shtetit e të Kishës greke.

Të bindur se aktiviteti i Janullatosit nuk i ka shërbyer interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve kërkojmë nga ju, i nderuari President i Republikës, z.Bujar Nishani, t’i hiqet atij dekorata “Urdhri i lartë Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, që i është dhënë tre vite më parë.

Për këto arsye iu adresojmë zyrtarisht kërkesën për dekorimin e tre themeluesve të kishës autoqefale shqiptare Fan Noli, Visarion Xhuvanin, Papakristo Negovanin, Kristofor Kisin dhe njëkohësisht kërkojmë heqjen e “Urdhrit të lartë Gjergj Kastriot Skënderbeu” për kryepeshkopin Anastas Janullatos për shkak të veprimtarive të tij antikushtetuese në një shtet laik si Shqipëria ku feja është e ndarë nga shteti”

Aleanca Kuq e Zi shpreh besimin se në funksionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ju do të ushtroni kompetencën në mbështetje dhe zbatim të Kushtetutës për të ruajtur vlerat dhe parimet laike të shtetit juridik në Shqipëri.(Kjo eshte letra qe AK I dergoi presidentit Nishani)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ak, hiq urdherin, Janullayosit, presidentit, Skenderbeu

SHOW ME PUÇ DHE PUÇISTAT TEK DARKA E GABUAR

December 17, 2012 by dgreca

ABCNEWS, BERISHA , FRANGAJ, TOPALLI, ZOGAJ ETJ/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Disa ditë më parë pamë se si kryeministri i Shqipërisë në mbledhjen e grupit parlamentar të PD dhe përpara kamerave foli, duke huazuar titullin e një libri të Kadaresë, për një «Darkë të gabuar» të ca ish-bashkëpunëtorëve të tij që deshën t’i bënin puç, por që sipas Berishës u kishte dalë huq. „Puçi antiBerishë“ u kthye në lajmin kryesor për gazetat e Tiranës, paçka se javën që shkoi lajmet kryesore ishin dy, i pari ai që vinte nga Transparency International ku Shqipëria zinte vëndin e parë si vendi më i korruptuar i Ballkanit dhe lajmi i dytë, nga BE, i cili ia refuzonte për të tretën herë klasës politike statusin e kandidatit. Në raste të tilla, duhet të kishim një lumë dorëheqjesh, por në Shqipërinë politike nuk qëndron më i miri, por anasjelltas, më i korruptuari, dosjexhiu, spiuni, maskarai, sharllatani, mediokri, ky prototip është modeli i politikanit që ka prodhuar tranzicioni shqiptar, ai bën karierë, ai bëhet deputet, ministër, botues, opinionist e më the të thashë.

E lamë tek puçi antiberishë, i cili u zbardh disi të shtunën në mesnatë tek emisioni i Arian Çanit ‚Zonë e lirë‘, ku Çani kishte ftuar personazhët kryesorë të darkës së gabuar, që paskëshin qenë Aleksandër Frangaj, Blendi Fevziu, pjesëmarrës tek ditëlindja e Preç Zogajt, i cili ka 22 vjet që kacavirret sa majtas-djathtas, herë deputet i PD-së, herë i PS apo satelitëve të tyre, herë ministër i qeverisë të Stabilitetit, herë ministër i qeverisë së dalë nga revolucioni gjakatar i 1997, pastaj prapë deputet i Berishës, e tani zëdhënës i koalicionit të Ed Ramës. Përveç këtyre Çani kishte ftuar edhe Andi Bushatin, Andi Bejten, Armand Shullakun e ndonjë tjetër, që s’po ia përmend emrin. 

Disa kohë më parë deputetja e PD-së Mesila Doda, njëra prej ish-studenteve dhjetoriste do ta denonconte Preç Zogajn në një emision të Blendi Fevziut si një ish-Sigurims i vjetër. Por Preç Zogaj reziston. Nuk dihet po ashtu se cili ka qenë shkaku i largimit nga ABCNEWS e gazetarit të shkëqyer, anchorman-it Enkel Demi, ikja e të cilit, po ashtu, i ka larguar teleshikuesit e ABCNEWS nga orët e mëngjesit. Por duket se askush nuk pyet për shikueshmëri.

Ftesa që Çani i bënte zotit të shtëpisë, dmth Frangajt, binte erë servilizëm. Qëllimi i kësaj ftese ishte që Çani t’i bënte pyetjen Frangajt se a mos, për shkak të asaj darke të gabuar, e kishte ndryshuar vijën politike dhe nga mbështetës i Berishës, ishte kthyer në përkrahës të Ed Ramës! Troç, Frangaj duhej ta kishte urdhëruar Çanin, që ta ftonte dhe ta pyeste për sa më sipër. Se mos ABCNEWS dhe KLAN kishin ndryshuar krahun, nga djathtas majtas? 

Në fakt, shenjat se diçka kishte ngjarë ishin dhënë një natë më parë, kur, gjatë orëve të Sonila Meços, u dha dy herë kronika ku duelonte në Parlamentin e Shqipërisë Jozefina Topalli me Ditmir Bushatin, ku Bushati i kujtonte kryetares së parlamentit të dhëndrin dhe të vëllain që i ka nëpër ambasadat shqiptare në botë, si pasojë e postit që ajo mban. Ishte diçka e paparë. Që kjo të ndodhte tek ABCNEWS. Zakonisht ABCNEWS arrin deri aty sa redakton sipas qejfit edhe deklaratat e zyrtarëve më të lartë Perëndimorë dhe i transformon ato në favor të Berishës, edhe kur ka kritika të drejtpërdrejta. 

Tek ABCNEWS janë tema tabu kritikat ndaj shefit të qeverisë dhe enturazhit të tij të ngushtë, përfshi Jozefina Topallin. Në dimrin që shkoi kisha botuar një shkrim hulumtues për Ministrinë e Jashtme dhe midis të tjerave përmendja dhëndrin e kryetares së Parlamentit të Shqipërisë. ABCNEWS në orët e mëngjesit tek lexonte titujt e gazetave, kur i erdhi radha gazetës Shqip, ku ishte botuar shkrimi, shkoi deri aty sa e censuroi leximin e titullit. 

Tani, merreni me mend si ka arritur puna kur dy ditë më parë, Sonila e lajmëronte dhe rilajmëronte shfaqjen dhe rishfaqjen e kronikës në të cilën Ditmir Bushati e akuzonte Jozefina Topallin për nepotizëm! Kronika që dha Top Channel ishte sintetizuar, ndërsa tek ABCNEWS ishte dhënë gjiçka me hollësi, gjerë e gjatë. Pra diçka kishte ndodhur. Dukej qartë se Frangaj i tregonte Berishës fuqinë e tij si shtëpi mediatike.

Sepse që Zogaj, Frangaj, e Mustafaj me kompani hanë dreka e darka bashkë kjo nuk përbën lajm. Që në njërën nga këto darka ishte edhe Ed Rama as kjo nuk përbën lajm, sepse, si e shkruante Mustafa Nano, ata gjithnjë bashkë kishin qenë. Kur Zogaj është mik i Ramës dhe Zogaj po ashtu është mik i Frangajt, atëherë me rregullin e treshit del që Rama të jetë edhe mik i Frangajt. Sepse Frangaj nuk e ka mik Berishën, sepse po ta kishte mik, atëherë do të dilte që edhe Rama të jetë mik i Berishës! Kjo sikur nuk shkon. Po ku i dihet asaj pune. Në lidhje me miqësitë, Frangaj bëri ca komente tek Çani, për të treguar tolerancën e shpirtit të tij demokrat. Po për llogari të shpirtit të tij demokrat, Frangaj i tha Andi Bushatit se „Andi qenkesh i të majtës ekstreme“.(!!!)Dhe prapë Frangaj prej demokracisë të shpirtit e pranonte! Andi Bushati është i majtë, por natyrisht që nuk i takon të majtës ekstreme.

Sa për ftesën e Çanit, që Frangaj e Fevziu të komentonin komentet e Berishës për darkën e gabuar, kjo të kujtonte një darkë tjetër të gabuar, kur Ilir Meta dhe Ed Rama kishin ngrënë ngjala në vilën e të parit tek Gjiri i Lalzit. Pas asaj darke tête-à-tête, të Metës me Ramën, Fevziu e thirri menjëherë liderin e opozitës tek Opinion dhe pastaj ia shfaqi të gjitha insertet televizive ku Meta i adresonte sulme pas sulmesh kryetarit të PS-së, në kohën kur ky ishte bërë aleat me Dritan Priftin dhe atë botë qarkullonin videot, ku Prifti e akuzonte Metën për korrupsion aktiv. Ftesën Fevziu ia bënte Ramës, por qëllimi i tij ishte për t’i dhënë Metës të kuptonte se, nëse lëvizte bishtin dhe ndryshonte koalicionin, ABCNEWS dhe TVKLAN nuk do të merreshin me gjë tjetër veç do të shfaqnin e rishfaqnin kronikat ku Meta e Rama shaheshin e mallkoheshin. Vërtetë do të jetë diçka shumë spektakolare, sikur TVtë e Shqipërisë t‘i venë në përdorim arkivat, që opinioni publik t’i ketë parasysh se si „armiqtë për vdekje“, ata që e akuzojnë njëri-tjetrin me nëntëdhjetë e nëntat, bëhen miq e vëllamë, kur vjen puna për interesa pushteti.

Pra „ftesa“ tek Zona e Lirë, të cilën Çani ua bënte Frangajt dhe disa prej atyre që kishin marrë pjesë tek „Darka e Gabuar“ në mesnatën kur ndërrohej e premtja me të shtunën, kur pjesa më e madhe e shqiptarëve flinin, por Berisha jo (se dihet që ai vuan nga pagjumësia dhe fle vetëm tre-katër orë në natë), kishte si qëllim që t’i dërgonte një mesazh të drejtpërdrejtë shefit të ekzekutivit, i cili tashmë është futur në fushatën e 23 qershorit. Sipas këtij mesazhi, nëse Berisha, do të bëjë ndonjë devijim apo tundje bishti, ABCNEWS dhe TVKLAN do të kalojnë në krahun tjetër dhe pastaj Berisha do të mbetet me gisht në gojë! Por e meriton të mbetet ashtu, sepse, nëse dikush është përgjegjës për klientelizmin dhe gazetarëve dhe mediave të Tiranës, ky person është pikërisht vetë ai. Dhe nuk kaloi pak dhe Çani lajmëroi se Berisha i kishte dërguar një sms, përmbajtja e të cilit s’ka rëndësi fare. Rëndësi ka që Berisha e kishte marrë mesazhin.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, show me puciste

PERSE U CAKTUA LUSHNJA PER KONGRESIN HISTORIK KOMBETAR?

December 16, 2012 by dgreca

E para ishte në qendër të Shqipërisë. Pra, faktori gjeografik. Në një letër që “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më 7 janar 1920 i drejton komitetit thuhet se: “paria e Lushnjes tregoi në krahasim me vendet e tjera një kurajë civile më të madhe e prandaj duhet me i çue asaj një letër përgëzimi e mirënjohje”./

 SHKROI: Izet SHEHU*/

Në tryezën ngjyrë dhelpre të Konferencës së Parisit më 1919, po luhej një nga tragjeditë më absurde mbi shpinën e kombit tonë, nga më të vjetrit, më krenarët dhe nga më bujarët në Gadishullin e Ballkanit. Fuqitë e Mëdha u treguan kasapë të pamëshirë më kufijtë e Shqipërisë në vitin 1913. Qeveria e Turhan Pashë Përmetit u tregua e qulltë për të mbrojtur çështjen kombëtare. Në këto rrethana, Shqipëria kërcënohej nga dhëmbët prej ujku të fqinjëve shovenë. Këtë detyrë jashtëzakonisht të vështirë dhe kyçe e mori Komisioni Organizator i Mbledhjes Kombëtare, që përbëhej nga patriotë të kulluar me emër, si: Eshref Frashëri, Shef Ibrahim Karbunara, Ferid Bej Vokopola e Nebi Sefa. Më 1 janar 1920 komisioni i drejtoi vendit thirrje për një mbledhje kombëtare. Pse u caktua pikërisht Lushnja për këtë eveniment historik mjaft të rëndësishëm?

E para ishte në qendër të Shqipërisë. Pra, faktori gjeografik. Në një letër që “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më 7 janar 1920 i drejton komitetit thuhet se: “paria e Lushnjes tregoi në krahasim me vendet e tjera një kurajë civile më të madhe e prandaj duhet me i çue asaj një letër përgëzimi e mirënjohje”.

Pra, thamë, pozicioni kyç. Arsyeja e dytë: në këtë qytet kishte atdhetarë të vendosur.

Së treti: populli i kësaj treve ishte aktiv në Rilindjen Kombëtare. Në fillimet e shek. XIX Abaz Bej Lushnja drejtoi “Besëlidhjen e Beratit”, apo pjesëmarrja aktive e banorëve të kësaj treve etnikisht e pastër shqiptare në aktin historik të ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912 me përfaqësuesit e saj: Nebi Sefa, Ferid Vokopola etj. Së katërti: Lushnja është zonë tranzitore, ku përzihen gegë e toskë.

Duke pasur këto përparësi, patriotët lushnjarë u lidhën me personalitete kombëtare nga më të spikaturit e kohës.

Dua të theksoj në këtë trajtesë se, në dhjetor të vitit 1919 në Teqenë me emër të Ibrahim Sheh Karbunarës, u bënë disa takime pune për organizimin e këtij Kuvendi Kombëtar, ku ishte i pranishëm dhe konsulli anglez M. Iden, i cili përkrahu pa rezerve këtë ide kombëtare. Komitetin Organizator e kryesoi Sheh Karbunara. Rol në këtë komsion luajti Eshref Frashëri, i cili në këtë kohë punonte në Lushnje. Duke qenë anëtar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ai bashkëpunonte me atdhetarë me emër, si: Hoxha Kadria e Sali Nivica. Pra, siç e thashë që në fillim, kjo veprimtari me përmasa kombëtare synonte mbrojtjen e viseve shqiptare nga shovenë grekë e serbo-kroato-slloven.

Meqë s’kishte ndërtesë shtetërore të përshtatshme, Komisioni caktoi shtëpinë e Fugëve, sepse plotësonte kushtet.

Në çastet kur jam duke hedhur në letër këtë trajtesë, kam ndër duar një dokument autentik arkivor për këtë Kongres, nga më themelorët e historisë sonë.

Dihet se 1913 na sakatoi pa mëshirë, na cungoi, na preu gjymtyrët. Edhe sot jetojmë të shpërndarë në pesë shtete. Jemi unikal për këtë fatkeqësi në mbarë planetin.

Ia bëmë vetes apo ramë në grackën e atyre që as na kanë dashur, as na duan dhe as kanë për të na dashur kurrë. Se ne i kemi tashmë të qartë miqtë dhe armiqtë tanë tradicional. Delfinët dhe peshkaqenët. I kemi të qartë. Po, atëherë, përse luajmë rolin e të paditurit?

Përse? Përse në muzetë historike ende vegjetojnë mediokër e të molepsur? Të parët që duhen ballafaquar me dosjet e diktaturës duhet të jenë ata!

Po u citoj disa rreshta nga procesverbali arkivor i ditës së parë të Kongresit të Lushnjes:

Çelja e I-rë e Mbledhjes Kombëtare

21/01/1920

Sot, ditë e Mërkurë 21/01/1920 ora 10 p.Dreke, tue qenë dita e caktueme për çeljen e Mbledhjes Kombëtare, me gjithë vonesën e letërthirrjeve nuk kanë arritur shumica e Delegatvet, delegatët e arrijtun u mblodhën më Sallën e Mbledhjes në shtëpi të Z. Kaso Fugës, e, pasi u bë një lutje prej të përndershmit Sheh Ibrahim Karbunarës, Zotnië Ferid Bej Vokopola, në emën të Komisjonit të Lushnjës, mbajti një ligjëratë për mirëseardhjen e Delegatvet. Shkëlqesia e Tij Z. Aqif Pasha Elbasani, ju përgjigj kësaj ligjerate me fjalë patriotike të flakta. Mbas kësajë ceremonie, komisjoni i përmendun u hoq e mbledhja filloj nga punët.

Përkohësisht u emnue si sekretar i Kuvendit Z. Ferid Vokopola. Për të këqyrun letërpërfaqësimet e Delegatve u zgjodh një komision i posaçëm prej (5) pesë vetash:

Irfan Bej Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kotta, Fasli Frashëri dhe Adem Peqini. Mbas kësaj zgjedhje u vendos që mbledhja t’i pushojë punët për derisa të mbrrijë shumica e Delegatvet”.

Morën pjesë në këtë Kongres gjithsej 37 delegatë. Delegatët e Shkodrës dhe të Lezhës s’mundën të mirrnin pjesë. Senatorët e këtyre Prefekturave u la të zgjidhen nga vetë Prefektura.

Mbas këtij vendimi Z. Xhaferr Ypi, delegati i Durrësit propozon “që me qenë se Lushnja mori iniciativën për këtë Kongres t’i jepet për nderim e drejta me u përfaqësue veçanërisht në Senat.

Delegati i Lushnjës i përndershmi Sheh Ibrahim Karbunara, tue iu falë Mbledhjes së Kombit, thotë se Lushnja nuk e bani për shëpagim, por e quajti për detyrë. Atëherë Z. Eshref Frashëri, delegat i Korçës, propozon t’i shkruhet popullit të Lushnjës një letër falnderimi prej anës së Mbledhjes Kombtare që t’i mbetet kujtim n’arkiv të katundaris së Lushnjës.

Delegate i Mallakastrës, Z. Bektash Cakrani, propozon në kabinetin qeveritar zotrinjtë: Sulejman Delvina, Iliaz Virjoni, Amet Zagolli, Sotir Peci, Ndoc Çoba, Mehmet Konica. Z. Iliaz Virjoni për shkaqe të veçanta nuk pranoi: u propozua Z. Hoxha Kadria, i cili u pranua.

Votimi u bë çeltazi (fjalë e përdorur në arkiv). U bë betimi i delegatëve dhe i Këshillit të Naltë.

U zgjodh kabineti:

Kryeministër Z. Sulejman Bej Delvina

Zëvendës Z. Eshref Bej Frashëri

Ministër i P. Mbrendshme Z. Ahmet Bej Zagolli

Ministër i P. të Jashtme Z. Mehmet Bej Konica

Ministër i Arsimit Z. Sotir Peci

Ministër i Drejtësisë Z. Hoxha Kadria

Zëvendës Z. Hysen Bej Virjoni

Ministër Finance Z. Ndoc Çoba

Zëvendës Z. Idhomen Kosturi

Kongresi u hap më 21/1/1920 dhe mbaroi punimet më 31/1/1920.

Duke paraqitur në këtë trajtesë disa çaste të marra nga burimi arkivor autentik, dua të hedh dritë mbi ca të vërteta. Për falsifikatorë e retushues të këtij Kongresi dhe protagonistëve të tij të shquar do të merrem në një shkrim tjetër. Koha është si deti. Herët a vonë gjërat i nxjerr në breg. Herët a vonë.

  • Izet Shehu, ish deputet i PD ne parlamentin Shqiptar, poet, shkrimtar,analist, nderroi jete ne nentor 2012.

Filed Under: Opinion Tagged With: Izet Shehu, per Kongresin Kombetar, perse, u caktua Lushnja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 849
  • 850
  • 851
  • 852
  • 853
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT