• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARSH I LIRISË

February 16, 2014 by dgreca

P o e m ë nga Rustem GECI/

( E kuqja nuk vjetërohet/
e kuqja nuk harxhohet/
është lëng i përditshëm/
është gjak i përjetshëm! )/

Tek po pija kafenë e mëngjesit /
një zë shumëzohej nga qyteti/
lashë kafenë, dhe dola në rrugë/
në Prishtinë kudo kryengritje/

Ajo këngë e zëshme e Kosovës/
ai zemërim gjigand i studentëve/
bekimin e kishte nga populli/
që të ndjek udhën e histories/

O sa më gëzoi ai himn i rinisë
O sa më gëzoi mua Prishtina
në tëra ato duar të bëra grusht
unë pashë urtësinë e një vullkani

Enkeleda, unë më i vogli poet
një qytetar i thjeshtë dhe pa tituj
i mblodha vet këto pika të gjakut
që ky marsh i lirisë të shkruhet!..

2
————————————
Studentët, loçkat e shpirtit
më të mirët e kombit, më të
dashurit; më të patremburit
më të zgjedhurit, faqekuqët
thyen xhama, pasqyra, orendi
goditën figurën e pushtuesit
për ta nxjerrë në shesh të
vërtetën, dhe atë ferr të bërë
Në kryengritjet 1968 – 2000
mbi rininë trime të Kosovës
u sul e gjithë ushtria e serbit
individ të muzgut, karkalecë
polic me medaljone krimesh
njerëz me urejtje të pëtejme
specialistë të ndëshkimeve
titistë me babë dhe me bir
Udbëistë të çajtoreve, berberë
miq të armiqve të sofistikuar
drejtorë bankash, sindikalistë
gjykatës me pozita në shtet
iu sulën rinisë së Kosovës
moshës sonë më trimërore

3
———————————–

Në ato vite të kryengritjeve
dhe të urtësisë së vullkanit
Një natë në Prishtinë ; në
Tavnik e në Ferizaj; në Pejë
e Prizren ; në Gjilan dhe në
Gjakovë; në Tetovë e Ulqin;
në Prizren e Skënderaj, në
Preshevë e Kumanovë; në
Mitrovicë dhe në Medvegje
edhe ëndërrat kullonin gjak

Prej se njihen të mbjellat
dhe prej se njihen të korrat
Kosova të bukurën e ka
në gjuhë, në armë, në luftë
flisnin gjyshet dhe gjyshërit
Në traktet e viteve 1981
të çdoditshme ishin thirrjet;
vullneti popullit nuk shkilet
vullneti i popullit nuk jepet
vullneti popullit nuk shuhet
as me tanke, e as me burgje

4
————————————-

Në ato vite të pushtimit serb
shqiptarët ishim të kërcënuar
natën, ditën, në rrugë, në punë
sulmoheshin shkollat shqipe
sulmohej mielli dhe buka, uji
dhe pemët, mësuesi dhe libri
emri dhe mbiemri, prejardhja
sulmoheshin veshjet, dasmat
kostumi dhe veturat, punët e
ditës, ndenjat e vona, njerëzit
e zakonshëm, të mbjellat dhe
bujku, të drejtat e festave, dhe
fëmijët tanë arrestoheshin, sa
herë festonin festat e betejave
Në ato vite të pushtimit serb
serbët pakicë na gjenociduan
të përkrahur nga Beogradi
shtienin në çdo gjë shqiptare
vrisnin që të shpërnguleshim
nga tokat tona stërgjyshore
Në ato vite të gjenocidit serb
në sofër të familjes shqiptare
mungonin fëmijët, shija dhe
ngjyra, e një Kosove të lirë!

5
————————————-

Në Kosovën e atyre viteve
Prishtina, kryengritësja jonë
u ngrit lotët t´i kthejë në gurë
në grushte, në armë, në beteja

Zullumi këputet prej s´trashi
shkruan në librin e urtësisë
Prishtina , trimja e Kosovës
pështynë ekranin e televizorit
natën e zezë pis, dhe ngritet
shtypjen me grusht ta mbys!..

Vlimeve e mëdha të Kosovës
militantë të luftës thërrisnin
të bëhemi me më shumë veta
të bëhemi më shumë grushta
që lirinë ta ngrejmë me duar

Preshevë, Shkup dhe Tetovë
të mblidhemi në sheshet tona
që Kosovën ta bëjmë të lirë
të bukur dhe të përbashkuar

6
———————————-

Kosovë, bëje dorën grusht
është çasti i sprovës sonë
mbaje sqimën, mos u tremb
Prishtina sonte s´ ka gjumë
ajo do që të jetë në betejë
kudo që ka një prangë
kudo që shkilet një varg

Unë, më i vogli poet , më i
vockli, një banor i Kosovës
i mblodha këto pika gjaku
ky marsh i lirisë të mos humbet

Kosovë, sonte s´ jam poet
sonte jam i njëjtë s´ i ju
dhe kam aq gjak në trup
të jemi së bashku për liri

Prishtinë,e bukura Kosovës
këngën mos e le të të ikë
mbaje fort, dhe shtrëngoje
është gjakja jote e shpirtit!

7
——————————–

Algjebra, Zjarri, dhe Shkëlqimi
Kosovën e thërrisnin me zë
bjerni daulleve kundër armikut
zgjoni ata që nuk janë zgjuar
trokitni në shtëpi të gjithsecilit
në të gjitha shkollat dhe qytetet
mbushni rrugët me veten tuaj
të dëgjoj toka, ajri, dhe qielli
se këtë jemi! Dhe gjallë jemi!..

Liri, unë e ti jemi Kosovë
liri, unë e ti jemi Shqipëri
liri, unë e ti jemi Iliridë
liri, unë e ti jemi Preshevë
liri, unë e ti jemi Ulqin
liri, unë e ti jemi Çamëri
liri, né jemi më shumë se kaq
liri, të gjithë jemi shqiptarë!..

Prishtina të rënët i këndon
dhe e ruan kujtimin për ta
në himnin kuqezi të këngës
në himnin kuqezi të fitores

8
—————————————–

O i plagosur që qan me shiun

Të gjitha kohërave gjak u dhamë
në beteja të luftës e burg të rëndë
gjak dhamë për tokë e për qiell
gjak dhamë që të rrojmë më mirë

Të gjitha kohërave gjak u dhamë
që atdheut t´i japim veten tonë
që diellit t´i themi mirëmëngjes
që lirisë t´i themi këtu të kem

Të gjitha kohërave gjak u dhamë
në Trojën e parë Trojën e ndanë
në Trojën e dytë Trojën e vranë
në Trojën e tretë turqit na ranë

Të gjitha kohërave gjak u dhamë
të lirë të rrojmë në vendin tonë
gjak dhamë për tokë e për qiell
gjak dhamë që të rrojmë më mirë

Poezi nga libri “Kanuni poetik”

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: P o e m ë nga Rustem GECI/, Rustem Geci

Pas festimit të Shën Vlentinit

February 13, 2014 by dgreca

Nga Pierre-Pandeli Simsia/

Ai hapi derën e apartamentit dhe hyri brenda me ngadalë, ashtu siç hynte çdo ditë. Edhe nëse ndjehej i lodhur kur kthehej në shtëpi, përpara nënës së tij mundohej të shtirej i qeshur dhe i gëzuar. Në dorë mbante një gonxhe trëndafili ngjyrë vishnje.

– Erdhe? – i tha e ëma dhe u çua në këmbë nga ndenjësja ku po rinte ulur. Sytë i shkuan menjëherë tek ajo gonxhe trëndafili. “Është Shën Valentini sot…” – mendoi dhe ndjeu një gëzim në shpirt.
Ai e përqafoi si gjithmonë, e puthi dhe hyri në guzhinë. E ëma i shkoi nga pas. – Ma jep mua – i tha, – ta vendos në një gotë me ujë, ti shko lahu.
Atij nuk i pëlqeu që e ëma të ndjente  gëzimin e asaj luleje dhuratë që ai nuk e dëshironte. Nuk e kishte adhuruar kurrë atë vajzë, shoqen e klasës, madje as shenjën më të vogël të simpatisë së tij ndaj saj nuk kishte treguar. Ishte ndjerë krejt i befasuar, kur ajo me gonxhe trëndafilin në duar ishte drejtuar tek ai duke i uruar festën e Shën Valentinit. Ai me mirësjellje e kishte falenderuar dhe për të mos e fyer e kishte pranuar lulen. Kërkesës së saj për një festim së bashku në mbrëmje, ai e kishte refuzuar.

– Sonte është dita juaj – i tha e ëma, kur po rinin ulur në tryezën e ngrënies. Po të lutem… të jesh i kujdesshëm dhe… mos u vono shumë në mbrëmje.
– Ai duke u përtypur, buzëqeshi dhe lëvizi kokën në shenjë pohuese, si për të aprovuar ato ç’farë tha ajo.
Ndryshe nga vitet e tjera, atë vit, Shën Valentinin kishte menduar ta festonte me një shoqëri të re.
Një shok latino-amerikan i kishte propozuar që atë mbrëmje të shkonin së bashku në klub me një grup vajzash edhe ato latino-amerikane. I kishte pëlqyer propozimi i shokut, aq më tepër që për të ishte hera e parë që do festonte me vajza të huaja…
Mendoi të pushojë në shtrat, derisa të vinte ora e lënies së takimit.

– Mos merr shumë para me vete – i tha e ëma, tek e shihte përpara pasqyrës, ndërsa ai krihte flokët.
– E pooo… një herë në vit është kjo ditë moj mama, pastaj…
– Kujdes edhe me pijen, je edhe në timonin e makinës, mos pi shumë.
Ai nuk foli, nënqeshi duke parë fytyrën e saj në anën tjetër të pasqyrës .
– Më pëlqen shumë kjo era e kolonjës që përdor – i tha ajo, duke ndjerë dënesë për fjalët që tha dhe për të ndëruar bisedën që ajo vetë e nisi.
– Po ti, ku do shkosh për ta festuar? – i tha ai dhe qeshi siç e kishte zakon kur bënte shaka me mamanë.
– Eh! Shën Valentin zeza për mua… unë do ta festoj duke të pritur ty.
– E po mirë atëhere, kalofsh edhe ti gëzuar mama – tha duke qeshur dhe e përqafoi.
Ai doli jashtë, ndërsa e ëma po qendronte te pragu i derës dhe po e shoqëronte me sy nga prapa.
– Dëgjo bir,  mos e mbaj fikur telefonin kur të të marr unë. Më dërgo edhe ti nganjëherë zile.
Ai ndaloi dhe ktheu kokën   – Mos u bëj merak mama – tha dhe e përshëndeti me dorë.
Gruaja mërmëriti disa fjalë, duke e ndjekur me sy nga prapa. “Zoti të ndihmoftë bir”
Shkoi në guzhinë, qendroi përpara gotës me gonxhe trëndafili dhe buzëqeshi. “Të keqen nëna” – tha dhe afroi kokën duke i marrë erë. Iu duk se ndjeu erën e të birit.
Ai ecte rrugës drejt vendit ku ishte makina. “Më mjaftojnë paratë që kam” – mendoi.
Rrugës me makinë iu kujtuan ato, vajzat latino-amerikane që s’i njihte dhe s’i kishte parë kurrë. “Kanë trup të bukur dhe… kulturë seksuale …” mendoi. Ndaloi CD-në me këngët që po dëgjonte dhe vuri një tjetër me muzikë latino-amerikane. “Muzika “Salsa” më pëlqen shumë. Më japin shumë kënaqësi këto trompat dhe kitarat kur i dëgjoj në këngët e tyre” – dhe iu parafytyruan vajzat latino-amerikane në përgjithësi me bluzet e hapura përpara kraharorit, që ua tregonin gjokset ngjyrë gruri… dhe pantallonat xhinse, të ngushta, që u rrinin ngjitur pas trupit…
Diçka mendoi dhe një “aahh” i doli pa e kuptuar as ai vetë.
Tingullin melodik të  ziles së telefonit nuk e dëgjoi nga tingujt e lartë që po dëgjonte  këngët e CD-së.
Shoku që i kishte dërguar zile ishte shqetësuar nga mospërgjigjja e tij. Kishin kaluar pothuajse 15 minuta që i kishte lënë mesazh dhe ai nuk po i përgjigjej. Shoku më tepër do ndiente druajtje nga vajzat nëse për ndonjë arësye ai nuk do vinte.
Pas pak, atij iu kujtua t’i dërgojë një telefonatë shokut. Uli zërin e muzikës që po dëgjonte dhe nxorri telefonin. Atëhere e pa se shoku i tij i kishte dërguar thirrje dhe i kishte lënë mesazh.
Nuk vonoi shumë dhe ata u takuan në vendtakim.
– Ku janë ato, nuk do vijnë sonte? e pyeti shokun sapo zbriti nga makina.
– Do vijnë, por, vajzat… ti e kupton vetë…
Cigarja që e ndezën ishte djegur deri në gjysëm, kur përballë tyre u shfaqën gjashtë vajzat. Të gjashtave fytyrat e tyre ngjyrë gruri u shkëlqenin nga kremrat që kishin venë. Ishin të bukura dhe elegante në trup, vetëm dy nga ato kishin një shëndet më të theksuar që binte në sy.
Ato u afruan buzagaz, u përshëndetën, duke u prezantuar secila emrin e saj.
– Ju latino-amerikanet keni emra të bukur, ashtu siç jeni edhe vetë – tha ai, si për të hyrë i pari në bisedë.
– Edhe emri yt është i bukur – tha njëra nga ato dhe qeshi. E qeshura e saj u pasua edhe nga të tjerat.
– Vetëm emri i tij është i bukur? – pyeti shoku vajzat.
– Ty të njohim ne, por po themi për këtë shokun e ri. Shumë tërheqës qenka. – foli një vajzë tjetër.
– Që të mos vonohemi, – tha ai, – të shkojmë atje për ku jemi nisur. Hajde shpejt, tre vajza të vijnë në makinën time dhe tre të tjerat të shkojnë në makinën e tij.
Vajzat panë njëra tjetrën në sy. Nuk dinin në cilën makinë të shkonin.
– Hajde, – foli përsëri shoku dhe zgjati dorën, duke prekur tre vajzat që kishte më pranë. – Ju të treja hajdeni me mua; kurse ju, shkoni me të.
Në klub ishte vërtet një mbrëmje e këndëshme dha gazmore, siç është vetë dita e Shën Valentinit. Drita e zbehtë që lëshonin flakët e qirinjve mbi tavolina e bënte eksituese ambientin gjithandej. Djem dhe vajza të reja kërcenin dhe këndonin nën ritmet e muzikës frenetike që ndryshonte herëpashere ritmin e saj. Dikush gjatë vallëzimit mbante një shishe birrë në dorë, dikush një gotë me konjak, uiski, pije të ndryshme.
– Të lutem zemra ime, më thuaj çfarë të pëlqen tjetër të pish? – po i thoshte një djalë, që dukej se e kishte zënë pija, shoqes së tij, që rrinte ulur mbi gjunjtë e tij në një tavolinë më tej dhe nxorri paratë nga portofoli. Vajza iu avit më pranë, mbështeti shpinën në gjoksin e tij dhe ngriti kokën. – Dua një puthje të nxehtë tani mjalti im,vetëm puthje dua tani, puuthje – dhe zgjati buzët…
– Ju ç’dëshironi të pini tjetër? – pyeti shoku latino-amerikan vajzat.
– Jo, jo!  Është radha ime për të paguar – tha ai dhe menjëherë nxorri paratë nga portofoli.
Njëra nga ato e pa me bisht të syrit kur ai nxori portofolin dhe u duk sasia e madhe e parave dhe shikimin e hodhi nga shoqja e saj. I bëri një shenjë me kokë që askush nuk e pa. Edhe shoqja iu përgjigj shikimit të saj, të shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë dhe shkelje të syrit të djathtë.
Vajzat donin të pinin përsëri birrë.
Dy nga ato gjashtë vajzat u çuan dhe filluan të spërdridhnin belin dhe vithet në mënyrë të pahijshme sipas ritmit të muzikës që ishte e mprehtë dhe shurdhuese. Më pas i shkuan edhe katër të tjerat që imitonin shoqet e tyre. Njëra nga ato zbërtheu kopsat e këmishës, sa iu dukën mbajtëset e gjoksit ngjyrë qielli, të qarkuara me tyl.
Djemtë po i kundronin ëmbël. Mbi fytyrat e tyre rëshkiste buzëqeshja e lehtë që ia vijosi fytyrën.
– Çohemi të vallëzojmë edhe ne – i tha ai shokut latino-amerikan. U çuan dhe nën tingujt e muzikës kërcenin edhe ata mes atyre njerëzve të shumtë. Atë e çuan këmbët tek vajza që kishte zbërthyer këmishën. Ai i qe avitur fare pranë, ndërsa ajo i hodhi  krahët në qafë. Aroma e fortë e parfumit të saj ia goditi fytyrën. Shihte gjoksin e saj gjysëm të zbuluar që e kishte fare pranë, ndërsa ndjente prekjen e kofshës së tij nga kofsha e saj.
– Rroftë Shën Valentini – tha shoku duke qeshur i cili në atë çast ishte pranë tyre. Nga tingujt e fortë të muzikës nuk u dëgjua ç’tha ai, vetëm u kuptua nga lëvizja e buzëve.

Ajo mbrëmje kaloi këndshëm, ashtu siç kalohet përherë festa e bukur e të dashuruarve.
Kur dolën jashtë për të ikur, kërkesës së djemve për të kaluar disa çaste të këndshme dhe intime në një nga motelet aty pranë, vajzat e refuzuan, duke premtuar se miqësia e tyre do të vazhdojë edhe në ditët që do të vijnë.

E ëma e tij edhe pse kishte kaluar ora 3:15 e mëngjesit, rrinte në dhomë dhe priste të birin të vinte.

– Si do t’i çojmë vajzat tani në shtëpi? – pyeti ai shokun kur dolën jashtë.
– Ashtu siç edhe erdhëm, tre në makinën tënde dhe tre në makinën time.
Vajza që kishte kërcyer me këmishën e zbërthyer e pa ëmbëlsisht atë, si për t’i thënë që dëshironte të ishte në makinën e tij. Edhe ai vetë e donte një dëshirë të tillë, prandaj edhe i buzëqeshi në shenjë aprovimi.
Kur vajzat hipën në makinë, për çudinë e tij, në ndenjësen e parë në krah të tij u ul një vajzë tjetër. Ai nuk i tha gjë asaj edhe pse donte që në atë vend të ishte ajo…, e cila u ul në ndenjësen prapa tij.
– Të dëgjojmë pak muzikë latino-amerikane? – tha ai, – se keni muzikë të bukur ju, ashtu siç jeni edhe vetë – dhe pa marë përgjigje nga ato shtypi butonin. Tingujt e ëmbël të muzikës u përhapën brenda kabinës së  makinës, ndërsa vajzat filluan ta shoqëronin muzikën me përplasjen e pëllëmbëve.
– Vetëm më tregoni rrugën nga duhet të shkojmë – tha, pa e lëvizur kokën dhe shikimin para.
Befas ndjeu një prekje në pjesën e qafës. Gishta të lëmuar po e ledhatonin. Pastaj dëgjoi një frymëmarje përzierë me erë alkooli që i ishte afruar pranë, një puthje të lehtë në qafë dhe më pas fjalët: “Unë kisha shumë dëshirë sonte…” – Ishte vajza me këmishën e zbërthyer e ulur prapa tij ajo që po i fliste dhe që i bënte ato veprime.
Ai nuk foli, vetëm buzëqeshi. Ndjeu përsëri një puthje tjetër në qafë dhe dy duar përpara gjoksit të tij që po lëviznin me ngadalë.  – Paske shumë trup të bukur – dëgjoi përsëri zërin e saj. Vajza tjetër e ulur në krah të tij në ndenjësen përpara, shikonte me bisht të syrit veprimet e shoqes dhe buzëqeshte.
Dy duart e saja po lëviznin në pjesët e trupit të tij: – Sa trup i bukur…!” – dhe e puthi përsëri në qafë. Ai nuk foli, shikonte përpara në timon dhe ndjente kënaqësi nga ai veprim i vajzës.
Pastaj iu duk se ishin katër duar që po ledhatonin trupin e tij. – “Ç’më ndezën…! S’kanë faj, vajza të reja në moshë, i është ndezur gjaku, por tani ndikon edhe pija… Ku ma gjetën dhe mua tani që kam timonin në duar…”
Dy duar të zgjatura nga prapa shpinës iu afruan shumë pranë pjesës së barkut të tij, ndërsa dy duart e tjera, lëviznin lirshëm në pjesë të ndryshme të trupit, të shoqëruara me puthje në qafë dhe në shpinë. Nuk mund t’i ndalonte veprimet e tyre, sepse edhe ai vetë kishte hyrë në të njëjtën botë si ato, në botën e eksitimit. Vetëm kishte një merak, të ishte i vëmendshëm në timon. Rruga ishte e shkretë dhe e qetë. Kulmi arriti, që edhe ai vetë nuk do ta besonte, kur duart e shtrira nga prapa me trupin pak të përthyer pranë tij, filluan e t’i zbërthejnë pantallonat. Vajza e arriti atë që dëshironte dhe bashkë me ato të dyja nga prapa në atë lojë, hyri edhe vajza në krah tij. Tre vajza të shthurura bënin veprime të “çmendura” ndaj një mashkulli që nuk kishte forcë t’i ndalonte, sepse vetë ndjenja e kishte mposhtur forcën dhe logjikën në ato çaste.
Në atë kabinë makine që ecte me shpejtësi mesatare, në orët e para të atij mëngjesi dëgjoje vetëm muzikë, të qeshura,…
Sa shpejt dhe pa u kuptuar mbërritën në vendin ku duhet të zbrisnin vajzat. Dy makinat qendruan njëra pas tjetrës. Vajzat dolën nga makinat, i falenderuan djemtë, u përqafuan, madje edhe i puthën. Ato u larguan me dëshirën edhe në takime të tjera…
Ai donte t’i tregonte shokut të vetë latino-amerikan për atë që i kishte ndodhur,”çmendurinë” e tyre, por tingulli i ziles së  telefonit celular që u dëgjua në atë çast, nuk e la që ai të fillonte bisedën. Kur vuri dorën për të marrë telefonin, ndjeu se i mungonte portofoli i parave që e mbante zakonisht në xhepin e djathtë të pantallonave. I shqetësuar po kërkonte me duar nëpër xhepa; e ndjeu portofolin në xhepin e majtë. Edhe pse pak i dehur, e mbante shumë mirë mend që portofolin e kishte vënë në xhepin e djathtë të pantallonave, ashtu siç e mbante përherë, ndërsa tani, portofoli kishte ndërruar vendin. Kjo e bëri të dyshojë. E nxorri portofolin dhe e hapi. Nuk po u besonte syve kur e pa portofolin bosh në vendin e mbajtëses së parave. Mendja i shkoi menjëherë tek dokumentet e tjera dhe tek kartat e kreditit që mbante në portofol. Ato ishin të paprekura, vetëm paratë mungonin. I shqetësuar vrapoi në drejtim të tyre, duke u thirrur edhe me zë. Shoku i tij i tronditur nga ajo ç’i kishte ndodhur shokut të vetë, filloi edhe ai të vrapojë pas tij. Në vrapim e sipër shokut latino-amerikan diçka iu kujtua; ndaloi dhe nxorri edhe ai portofin nga xhepi ku e mbante. Të njëjtin fat kishte pasur edhe ai si shoku i vetë; edhe atij i mungonin të gjitha paratë e mbetura nga mbrëmja. Vazhdoi të vrapojë përsëri pas shokut. Të tronditur në kulm iu afruan vajzave. Ato si të mos dinin gjë, ndaluan dhe hapën krahët për t’i përqafuar, por u zhgënjyen kur ndeshën me zemërimin dhe sharjet e tyre. Ato me ëmbëlsinë femërore e mohuan çdo gjë. Njëra nga ato pati guzimin që edhe t’i fliste me ton të ashpër, si akuzonjës ndaj atyre vajzave të “pafajshme”. Guximin e saj e morrën pastaj të gjitha ato duke mbrojtur “pafajësinë” e tyre.
Djemtë u dorëzuan, s’kishin ç’të bënin. Nuk e kishin të drejtën t’i preknin me dorë kundër dëshirës së tyre, për një kontroll.
U kthyen të dëshpëruar pa i përshëndetur.

Kur ai hyri në shtëpi në orët e para të mëngjesit e ëma po rinte në dhomën e pritjes. Po shihte  programet televizive. Ajo nuk kishte fjetur gjithë natën, derisa i biri të kthehej në shtëpi.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: pas festimit, Pjer Pandeli Simsia, te Shen Valentinit

PSALM

February 3, 2014 by dgreca

 (Për shëlbimin hyjnor)        

Nga Rexhep Kasumaj/ Berlin/

O Zot’ynë që je në qiell, na mëshiro e ruaj nga,

Tirania (e çdolloji)

Padrejtësia

Milicia e

Neo-shkinia dhe,

Njësoj, nga,

Mjerimi (shpirtthyes a jetëmarrës)

Mbidurimi (poshtërues)

Verbimi e

Dorëzimi,

Mandej nga,

Kuvendarët (në rehatinë e tyre sfiduese)

Pajtimtarët

Serbofalësit a

Ultraklanësit (e të gjithë ngjyrave)

Papagallësit e

Sojdalësit dhe,

Gjithnjë nga,

Paqësoristë e

Belicistë dhe,

Prore me shpresë nga,

Çlirimtarë a

Shpëtimtarë

Komandarë e,

Gjeneralë (pa beteja)

Rrogëtarë

Vizionarë e të

Marrë dhe,

Pastaj nga,

Veteranët (e robnisë)

Rishtarët, sikundër nga,

Martirët (e motit të ri, me emblemën vezulluese të korrupsionit)

Tinzarët

Ziliqarët dhe,

Sa druajmë shumë, shumë nga,

Udbistë (të sinqertë), a hiç më pak nga,

Sigurimsa (parashtetërorë)

Kombëtaristë

Jugosllavistë (në pritje) e,

Sllobodanistë (t’fshehtë e të hapur n’për shkolla nate)

Protoenveristë

Majtistë e

Djathtistë (të posavluar të kapitalit egërshan),

Por dhe nga,

Mondialistë (shfytyrak)

Konservativistë

Idealistë (të molisur)

Moralizantë e,

Arrivistë (të molepsur)

Na mbro o Zot nga,

Mburracakët (e mejhaneve)

Tredhakët e

Hiperprodhuesit apo

Hiçbërësit

Kumtarët e

Thashethemtarët dhe

Veçanërisht nga,

Përbetues apo

Denoncues (të rremë)

Kolaboratorë

Hetues (vullnetarë)

Qefinpunues e nga,

Fatpajtues (bestytnorë) porse,

Njëkohësisht nga,

Servilosës a

Flirtuesë (vangoshë)

Sherbëtorë e

Mallkuesë (të vjetër)

Pseudovajtuesë

Gazmorë (cinikë) dhe,

Si të rënda supesh, na ruaj nga,

Hordhia

Zogoria

Lukunia e,

Bashkë me to, nga

Naciokratët (e shtirosur)

Vulgokratët,

Mullokratët e

Mafiokratët dhe,

Në fqinjërim të tyre, nga

Demon-kracia

Gëzofndërresa (sipas motesh)

Vetëshëmtimi e,

Harbimi (kopeist)

Mërgimi dhe,

Përherë nga,

Kuazi-europianët

Diplomatët (e dëgjueshëm nga kooperativa fisnore politike)

Filoaziatët e

Megalomanjakët (e shtuar),

Sikurse dhe nga rrëzoma e,

Papunësisë (së pafaj)

Apatisë

Varfërisë (kronike) e,

Rrjedhimisht nga,

Pritmëria (kotnare)

Mërzia

Bezdia e

Blasfemia dhe,

Gjithësesi na ruaj nga,

Ajatollahët (mbikëqyrës)

Tempullarët e

Idhujtarët, po,

Dhimbsurisht nga,

Predikuesit (e mefistos)

Neostambollitët

Konvertitët dhe,

Padyshim, nga syri i keq i,

Fanatistëve

Vehabistëve (të disiplinuar) e,

Jezuitistëve dhe,

Pse jo, nga

Lideristët (e shumëzuar)

Tenderistët

Opinionistët apo nga,

Solidaristët (fjalamanë)

Fetishistët

Idolatristët dhe

Nihilistët (e mërzitshëm)

E poashtu, nga

Rektorë (të partishëm)

Profesorë (tek ndihin politikën për të ndrydhur kulturën e revoltës),

Studentë (oborrtarë)

Doktorë (etikëprishur)

Mentorë e,

Ndrymë me ta dhe nga

Injoranca apo

Dijeblerja (industriale)

Polpotizmi e,

Plagiatizmi (i konsoliduar)

Miopizmi dhe,

Na çliro, o Madhni, nga,

Mesianizmi

Snobizmi (kolektiv) e,

Nepotizmi dhe,

Njëherësh nga,

Xyfëria (gati identitare)

Shpifëria

Qenëria e,

Skuthëria dhe,

Pokështu na parzmo atërisht nga,

Kanunëria,

Gjakësia (vëllashojtëse) e,

Ngujimsia dhe,

Aq dashunisht, nga

Mujshia (brutale)

Paligjësia e

Përunjësia

Por edhe nga,

Spiritualiteti (që s’qaset dot njëherë)

Gjenialiteti (i afishuar vetë kudo në shtylla udhësh, mure e porta) e,

Mediokriteti (lumturak)

Arroganca apo

E parasë xanxa

Ruana, ruana fort nga,

Provincializmat a,

Krahinarizmat

Purizmat (e kulluar)

Egoizmat e

Kosmopolitizmat (e falsuar)

Sigurisht dhe nga,

Radikalët (pa krahë)

Vandalët

Imoralët a

Çakallët (e ndërkryer)

Na dil krah dhe përballë,

Skribomanëve

Piromanëve apo dhe,

Kleptomanëve (serikë)

Kurvomanëve

Manenutave (të braktisura) e,

Skutave

Kërkojmë përulshëm mbrojtje nga,

Ankestarët a

Suflertarët

Pendestarët (e vonë)

Hënëmarrokët e

Atllarët (e paçertifikuar të Kombit)

Prijatarët dhe,

Natyrisht, nga,

Laraskat a

Korbat

Fakirët (hatërmbetur)

Sorrëshkinat e,

Sokëllimat

Të ligj e të shumtë janë dhe,

Vetëurrejtësit

Smirëzinjtë e

Qejfprishësit (zelltarë)

Kodoshët (neveritës)

Përnxirësit apo

Laryshirësit

Na ruaj nga ata, sikur poaq nga,

Iskariotët (kujdestarë)

Poliglotët

Konkubinët, e nga

Gjahtarët (e zejes a karrierës)

Lepurushët

Strucët e

Llaskucët

Mirëpo dhe nga,

Titajt (e vranshëm)

Titujt (e huazuar e t’stërgjatë në kierarkisë lodhëse)

Suporet e

Llogoret (e lavdisë)

E gjithmonë nga,

Ngutësit

Tutësit

Kukuvajësit e,

Sidomos nga,

Sheshet (vocërrane, sa vocërrane për bustet e shumtë!)

Përleshjet e

Përqeshjet dhe,

Prapë nga,

Gënjeshtarët (mashtrues)

Lajkatarët e

Vrastarët dhe,

Mos na lër kurrë nën krusmën e,

Sodomistëve

Vetëshkërdhyesëve a

Edipistëve dhe,

Tevona na ruaj se plasëm nga,

Retorët (bajatë)

Dredhorët e

Pështymorët, dhe

Nga terri i,

Ksenofilëve (të sprovuar)

Kriptopedofilëve

Kopilëve dhe,

Gjithaq i,

Përdhosjes

Pështirosjes a

Munxosjes

Dhe, sërish, nga,

Deliri (i përsosmërisë)

Luciditeti (kaq i rrallë)

Misionarizmi e

Heroizmi (pagan) dhe

Përgjërohemi për rojë nga,

Fatthënësit (ndikimorë)

Kundërthënësit

Keqthënësit

Mosthënësit (e përjetshëm)

Nder – humbësit dhe,

Nder – shkelësit!..

 

Të gjithë, apo pothuajse çdo popull, racë fe e gjuhë, vuajnë vrajë të tilla apo të ngjashme: cene, vese e ligësi, por, ndryshe nga ata, për shqiptarët, me sa duket, krijuesi s’ kishte kursyer dorën. Ndaj i lutemi Hyut të na mbrojë, jo nga prania (“Njeriu është krijuar i dobët”) e pashmangshme, por nga tepria e tyre.

Amin!

R. Kasumaj

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Psalm, Rexhep Kasumaj

SI MUND T’I THEM:”SA E LUMTUR JAM”?!

January 27, 2014 by dgreca

   “Si mund t’i them: “Sa e lumtur jam”, kësaj bote?!/

Kur qiejt, dhimbjen e grumbulluar, ia përplasin furishëm kësaj Toke?!”/

   KUR POEZIA I KALON KUFIJTË E IBRAVE/

Mendime rreth poezisë së Lumturi Ymeri/

Shkruan: DRITA LUSHI/

Lexoj një, dy, tre poezi në një rrjet social,e më mbeten në atë pjesë të memorjes ku shijohet e bukura. Prandaj, kërkoj e kërkoj më shumë, derisa marr në dorë tre librat e Lumturi Ymerit, vargu i së cilës si një magjistar, të bën të ndalesh…Atëherë mbaj sytë, vëmendjen, përqëndrohem  në libra, e mandej duke shijuar dhe ndjerë poezinë e saj, kuptoj që ato(librat), s’mbajnë dot atë peshë që përçon poezia e saj tek lexuesi.Edhe në autorë me emër, ka periudha, që poezitë përsërisin njëra –tjetrën, madje ndihet një lloj monotonie, zbehtësie, përgjumje, uniformiteti e lexuesi duket sikur lexon të njëjtën poezi në njëzet të tilla(!).Ky “fenomen”,nuk ndodh tek Lumturia.

Të larmishme dhe të veçanta, poezitë e saj, aty ku duket se ngjasojnë, aty ndërrojnë stil, duke na sjellë një gjetje-veshje të re që na befason.

 “Sonte qenkam e burgosura

Mes verës e vjeshtës

Hënës dhe ëndjes

Frymës dhe brymës

Luleve e lutjeve

Mekjeve e stepjeve”

-Shkruan ajo ,duke përshkruar një “gjendje” përmes krahasimeve , simboleve, e përjetimeve, mes  konkretes dhe abstraktes duke na dhënë një përshkallëzim poetik dhe emocional të veçantë.

Në fund të fundit, emrat janë thjesht një veshje e sipërfaqshme, që na bëjnë të kthejmë kokën, kur dikush na kërkon apo thërret. Është e qartë që poezia nuk fle brenda emrave; Poezia fle dhe zgjohet brenda shpirtit sa herë që zemra dhe dejet marrin hove ndjesish nga realiteti, ku gjithpërfshirja e emocioneve negative dhe pozitive shpërthejnë në mrekulli fjalësh e poezish sa të vjen të mos dalësh më prej tyre. Ekzaktësisht këto,ndiej kur lexoj poezitë e Lumturi Ymeri(Bersava).

“Ta rrokullis këtë gur prej zemre…

Pa le të më bjerë…këmbëve! “

-Shprehet poetja, duke na përçuar një peshë emocionale t  fortë, brenda këtij dyvargëshi.

Poezitë e saj janë të lira,e fjalët gjejnë njëra tjetrën pa vështirësi, me një  natyrshmëri lakmuese, e një forcë shprehëse dhe bindëse, të pëlqyeshme nga një spektër i gjerë lexuesish.

Gjithmonë kam qene e bindur, që përpara se të jesh poet, duhet  të jesh njeri. Nëse nuk je njeri, s’mund  ti futesh dot jetës ndër deje, s’mund ti lëvrish në gjak’.

E po s’bëre këto, as ajo s’të fal dot ndjesi të forta, sy përtej sysh, vështrime përtej vështrimesh, zemër përtej zemrës, duar përtej duarve, jetë përtej jetës, që të mund te formëzosh stalagmite vargjesh, e të mrekullosh  njerëz.

Lumturia  ia ka arritur kesaj “magjie”,duke qenë të gjitha në një,dhe një në të gjitha.

Ajo ështe grua, shoqe, e dashur, mike, e keto i shpalos bindshëm si poete, duke u ndjerë brenda tyre.

Duke lexuar poezitë e Lumturisë dy cilësitë që mëvijnë shpesh në mendje dhe përsëris në(n)zë janë :“Fuqishëm dhe bukur”

Ajo prek çdo skutë të mendjeve njerëzore, të vetëdijes e nënvetëdijes sonë e rizgjon mjaft ndjesi, malli, dashurore, atdhetare, amësie e familjare.

Ndjenjat e saj janë ashtu si të çdo gruaje dhe bije, por vetem një poete, mund ti këndojë ndjenjës atërore keshtu:

 “Ç’është kjo mungesë

Ojna-tisur në mall?

Mes yjesh mbetesh

At-je…ku tretesh?

ATI IM”

Ajo shquhet jo vetëm për gjetjet metaforike, por mbi të gjitha për ndërlidhjen e tyre çka është “sekreti”- le të them i poezive të saj.

Shpesh poezitë e saj duken si lojëza- fjalësh duke ndërtuar një stil të bukur femëror në vargje.

Ne “Shpirt alien”ajo shkruan :

I (pa)dukshëm, i (pa)njohur
i(pa)kapshëm, i mistershëm
i llahtarshëm, i (pa)vdekshëm.

Duke përdorur ndërtimin e vargjeve në mënyre  leximi të dyfishtë, në një lojë gërme-fjalë-mendim, ajo e çon fantazinë pikërisht, brenda mendimeve e dyzimeve tona njerëzore, në pikëpytje, që secili mund ti japë përgjigjen sipas dëshirës.

Ajo vërtet shquhet për gjetje të befasishme, por ato janë aq të natyrshme sa të duket vërtetë  se e sheh poeten që :“ndal diellin në ikje”

“zbrazen ditët nga barku i dritës,

ngrij në pritje,

të ndal diellin në ikje”

Kur lexon poezitë e Lumturisë, i ndien aq të vërteta, sa të duket se i ke ditur gjithë jetën, vetëm se s’ke mundur ti shkruash. Ndihesh aq brenda tyre, sa pohon me buzëqeshje ose rilexim …

 “Malli s’ka

As duar, as thonj

E prapë se prapë!

E gërryen shpirtin

Të gjejë një vend,

E prapë se nxë…!”

Ajo e krahason lotin me planetin më të vjetër në galaktikë, duke përshkallëzuar e kaluar përtej poezisë, si vijon:

 “Loti ishte pa qenë ne,

Planeti më i vjetër në galaktikë

Ku lindën e qanë perënditë

Zotët e mitët e shkatërruan

Kur tradhtuan e flijuan perënditë

Sot jemi ne,

Në këtë Tokë

Zotër e robër”

Ajo të drithëron me ndjenjat amësore, të vëna në puthje, mundime, gëzime dhe lot, kur kujton vitet e birit të saj qysh në lindje.Kush më mirë se një nënë-poete do shkruante për ndjenjën dhe marrëdhënien më të adhurueshme në botë mama-fëmijë?

“U rrite jeta ime,

Majë gishtash

Vij të të puth në ballë,

Ti zbret lotëve të mij

Si njëzetre vite më parë…”

Poezitë e saj i shpëtojnë skemës moralizuese , të cilat s’kanë asnjë lidhje me artin e mirëfilltë,por ajo di të bëjë që përmes artit, natyrshëm të na përcjellë mësime.

Poezitë e saj janë gjetje interesante, në larmi tematike dhe formëzohen në fytyra të reja vargjesh, sa herë që ajo vendos ti hedhë ato mbi letër.

Zhytem nën Lega
eci me Jardë
ndizem në Omega
ngrij nën Gradë

 

Më lini pak në
Qetësi,
tani që jam
….NJERI….

Ajo i thotë kështu miqësisë:

“Ëngjëll, e di, s’je,

sigurisht, dhe un’ jo!
Por më ndje!
Kur shpirtin vë
pasqyrë përpara teje,
edhe ti shihe aty
vetveten. . . . . “

Ajo duket se ecën në nje tra ekulibri me fjalën, por çuditërisht ecën pa dridhje, por me akrobatësira mahnitëse, me lëkundje të hijshme që veç të ndjellin të lexosh më tej.

Të mahnit mënyra e ndërtimit të një poezie, ku ajo shpalos ndjenjën e saj për fëmijët, si ndjenja më kuptimore dhe  ekzisteciale në botë.

Tru-

trup-
trung
jam tani!

Terr-
tmerr-
ferr
ishte dje!
TRE
Akuj-
avuj-
uj’
qesh përherë!

Shpreh-
shpresë
shpend
do jem nesër!

Ditë-
dritë
ndrit-
tek fëmijtë
E mi,
të mitë,
të mirtë!

Tre,
trembem-
tretem
për ta”

Fjalë të ngjashme me plus ose minus gërmash i “ngjit” sup më sup poetikisht, duke na dhënë një radhë rritëse ndjesish, si njerëzore por mbi  të gjitha një shije poetike dhe muzikore fantastike siç ndodh(jo vetem) në  poezinë e mësipërme.

Poezia për Lumturinë është:”Vlim i shpirtit, kondensim në muret e mendjes”

E si e tillë, avujt aromatikë të petale-zuara në poezi ngjyra-jete-njerëzish do vazhdojnë parreshtur të vijnë drejt nesh të kondesuara në memorje!

Ajo guxon në poezinë e saj; nuk rri besnike e një forme, e një skeme, e një fjale apo e një teme;

 “Nën dritën e abazhurit sonte

cepin e jorganit tërhiqe

hidhe tej

mbulomë me frymën tënde!”– shkruan ajo në poezinë “I(magji)natë përvëluese..”duke guxuar të flasë hapur poetikisht atë ç’ka të tjerët e mendojnë heshtur;Ajo vazhdon më tej:

 “Grise dhe copën e tyltë

që mbulon atë hark epshndjellës

të nënbarkut

që mbaron në

trekëndëshin e zjarrit…”

Një pikë e fortë e Lumturisë është,se ajo shkruan mjaft hapur, duke i vënë çdo ndjenje, ndjesie, emocioni, gjendjeje,e  dukurie  emrin e vet.Kjo e ndihmon shumë të na shpalosë e të ndiejmë deri në ind, ç’ka ajo shpreh dhe ndjen duke u bërë dhe ne lexuesit, pjesë e ndjesive të poetes.Kur arrihet kjo, poeti ka fituar betejën themelore të artit të fjalës së shkruar.

Përgjithësisht  poetet s’mbahen mend për numrin e librave, që kanë lënë;as për titujt, kopertinat apo numërin e faqeve libërorë;

Ata  kujtohen e njihen pikërisht për poezitë që kanë mbetur në memorje e kujtesë.

Unë kam  bindjen se Lumturia është njëra nga to.Poezitë e saj kanë kaluar kufijtë e librave, dhe kanë hyrë në portat e kujtesës së lexuesve. Përpos të gjithave, mua më mjafton të them se ajo ështe një krater i hapur, llava e të clit ështe në rrjedhjë  të vazhdueshme dhe do të vazhdojë të na befasojë me ngjyrësimin e saj poetik.

Dergoi per Diellin: @ Drita LUSHI

 Janar 2014

   Shqipëri

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Drita Lushi, rreth poezise, se Lumturi Ymeri

NE SOFREN POETIKE TE “DIELLIT” PERPARIM HYSI

January 27, 2014 by dgreca

Vdiq Mbreti i klarinetës/

    ( elegji)

 Nga Përparim   Hysi

Vdiq Mbreti i klarinetës

Vallë, do rrijë mbi fron  një tjetër?

Jam ballë së vërtetës

Nuk shkruaj kot, se jam i vjetër.

Kur i binte klarinetës

Zogjtë këngën e pushonin
Ëmbëlsinë e mjaltit të bletës

Ndaj rrinin e dëgjonin.

Klarinetës kur i binte

Njerëzit mbesnin me gojëhaptë
Se në shpirt njerëzve u shpinte
Veç gëzim, hare dhe  mjaltë.

Ku nuk shkeli këmba e tij

Klarineta përmbi buzë
Eh, ç’muzikë! se ç’melodi!
Ndizej shpirti zjarr e shpuzë.

Po kur mirrte një kaba

A gjëkund një valle dyshe

Të shpinte në tjetër dynja
Se më kot “Mbret” më ishte!

Dhe ky”Mbret” me shpirt të dlirë
Që kënaqi aq dëgjues
Rroj fisnik e vdiq i tillë
Një Përmet për të dëshmues.

Ishte Mbret në klarinetë
Dhe me shpirt ishte Zotëri
Ai do të rrojë për jetë
Se nuk vdes, Laver Bari!

 Tiranë, 27 janar  2014

 2- Kasollja

Ndodh  që një kasolle  me kashtë
Të bëhet e shtrenjtë e të jepë ngrohtësi
Se kjo kasolle na mbrojti nga një shtrëngatë
Kur na zuri, befas, në rrugë që të dy.

Vrapuam të dy të zënë për dore
Kasollja? Më e shtrenjtë se një shtëpi
E mbaj mënd: pallat më qe, moj kasolle!

Po të të harroja as që do isha njeri.

E hodhëm lumin dhe nuk e shajmë kalin
Sa herë që shkoj rrugës, sytë hedh atje
Oh, s’e harroj çastin! Ndaj shpreh mallin
Për atë kasolle që në rrezik, na u bë strehë.

 3- Kronikë e zezë

Po kur do zhdukesh, moj kronikë e zezë?
E zezë si vdekja! Ma shpall, ma shpif.
Kur një kronikë të tillë do ta futim në varrezë
Do ngopemi me gaz, me  jetë, me dritë.

4-  Tek mendoj…

Tek mendoj të vrarët e pas nëntëdhjetë e  shtatës

NJë hije e zezë: e gjitha më pushton.
U “mboll” hasmëria si pema e mandatës
Që kokrra vdekjeprurëse,pa pra, lëshon.

As ka krahasim me të rënët në luftë
( Plaga e të rënëve tërë jetës më dhëmb)
Por kjo gjakmarrje si çiban a lungë
Është si një plagë që rrjedh sa më çmënd.

Të vritesh me tjetrin për hiç mos gjë
(Mjerisht, kjo ndodh veç në Shqipëri!)
Si mos  alarmohesh? Dhimbja hiç s’më lë
Por ç’ më duhesh fare, o moj qeveri?…

 5- Ngyra e kuqe

I kuq është gjaku- gjenerator i jetës
I kuq faji që skuq faqen time
I kuq flamuri ku bëj besa-besën
Në se dikush prek tokën time. *

I kuq dhe trëndafili i dashurisë

E kuqe lulkuqa që mbin në ara
Por si ajo e kuqja përballë fajësisë
Nuk ka. Atë vë përpara.

 6-Letër juristëve

Ju që hartoni kodin penal
Ju lutem mos e bëni elastik
Se,pastaj, gjykatësit bëjnë rrumpall

E “tërheqin” a e “mbledhin” si të jetë llastik.

Bëjeni ligjin si diçka të ngurtë

Ku keqbërësit veç t’i bien murit me kokë

Nuk duhet që  ata t’i “rrahim” me pambuk
Se ndodh që për  5- lekë, të çojnë në tjetrën botë.

Sidomos i ngurtë të jetë ligji që mbron jetën

( Mos lini vënd për pandehma a rrethanë lehtësuese?!)
Kur një të pafajshmi shkon dhe i  merr jetën,

Në burg për tërë jetën( pa  të drejtë rekurse)

Se vetëm kështu nuk do ketë vrasje,

Se vetëm kështu në rrugë s’do ketë maska
Do mendohet mirë qoft dhe për gjakmarrje

Se do mbesë për tërë jetën në pranga.

Kush merr një jetë, nuk ka pse bën apel

Pa u mëdyshur, tërë jetës në qeli

Ata që vetmbrohen ( me tjetër “defter”)
Se ndodh që për krimet,vihet barazi

Juristë! Ju lutem!

    Florida, janar- shkurt  2003

 

7-Më rreh zëmra

Si një mëkat i fshehtë që më mundon

Më rreh zëmra dhe e ka një shkak:

Ndodh kështu kur dashuron

Po është pak çudi,se tani jam plak.

8- Lëmshi i flokëve

Nën lëmshin e zi të flokëve të  tu
Seç feks një qafë e hollë dhe e gjatë
Një kokë prej Diane që kini ju
Të them  të drejtën:  më le gojëhaptë.

Vështrimin sensual që të bën për vete
Buza që qeshë që vetëm të ndjellë
Unë zë e “dridhem” si të kem ethe
Po le të dridhem sa të shkoj në esfel.

 9- Ç’qe ky verbim?

Ç’qe ky verbim i beftë

Që ma dha syri i kaltër

Mos zbrite vallë nga retë

Që mbeta i shushatur?!

Se goditja qe si vetëtimë

Sa gati mua më qorroi
Jam tani si në vidhimë:

– Syri  i kaltër më verboi.

9-  Sytë e tu

Sytë e tu si dy thëngjinj ndezur nën hi

Flasin për një bukuri,tash, si të perënduar

Po unë që dikur vdisja për ata sy,

Kam po atë dobësi si moteshkuar.

10-Dikush që më tha:- Jo!

A e di se, kur më  the:-Jo!

M’u duk sikur më godite me shpatë
Nuk di në besoni  a jo ?

Ajo ditë e tëra m’u kthye  natë.

11- Atë atmosferë të bukur femërore

Atë atmosferë të bukur femërore

Pa të cilën, gati, unë nuk rroj dot
Ma hoqi mua kurbeti, prore;

Kurkund më s’e gjej dot.

Dhe jam tani si një murg i ngratë

Mbyllur diku në një manastir

Kam katandisur tamam si një sakat

Kurbet! Je i pështirë…

12- Janë ca gjëra mjaft intime

Janë ca gjëra mjaft intime
Që më vijnë dhe më ngasin

Dhe më futin në mendime
Për një kohë që t’hu ma qasin.

Për një kohë që t’hu  ma qasin
Pse më bëhet si  tani?
Dhe ma shtojnë mua marazin
Tash që jam dhe pleqëri.

13- Kur të zhvesh me sy

Kur të zhvesh me sy

Dhe hedh vështrimin nga këmbët tek koka

E humb pusullën: nuk ka se si?

Se ti je më e mira që ka bota.

Florida, 2003

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: cikel poetik, Ne sofren poetike et Diellit, perparim Hysi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 104
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • …
  • 134
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT