• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”

May 4, 2025 by s p

Instituti Albanologjik i Prishtinës/

Më 30 prill 2025, në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, u zhvillua një tjetër takim pune i rëndësishëm i grupit hartues të projektit “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë: akademik Valter Memishaj (sekretar shkencor i Fjalorit dhe hartues), prof. asoc. dr. Anila Kananaj (hartuese dhe koordinatore), msc. Eglantina Shtylla dhe msc. Engjëllushe Karaj (hartuese).

Instituti Albanologjik i Prishtinës u përfaqësua nga: prof. dr. Shefkije Islamaj (hartuese dhe anëtare e redaksisë së Fjalorit), prof. asoc. dr. Naim Berisha (hartues dhe ushtrues i detyrës së drejtorit të Institutit), prof. asoc. dr. Abdurrahim Maxhuni (hartues dhe shef i Degës së Gjuhësisë në IAP), si dhe prof. ass. dr. Sejdi M. Gashi (hartues).

“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” është projekt madhor dhe gjithëpërfshirës, që po realizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nëpërmjet Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës, si dhe me disa institucione tjera akademike në hapësirat mbarëkombëtare.

Aktualisht, puna për përmbylljen sa më shpejt të Fjalorit ka arritur në një fazë të rëndësishme për nga volumi dhe cilësia e përmbajtjes. Deri tani janë përpunuar rreth 103.000 fjalë, mbi 12.500 njësi frazeologjike, 1.400 shprehje të paasimiluara, 1.200 akronime, rreth 4.000 emërtime të pathjeshta dhe afro 3.000 – 4.000 fjalë të përfshira brenda lemave të tjera. U konstatua me kënaqësi se procesi hartues dhe redaktues në nivelin e parë është përmbyllur.

Megjithatë, puna vazhdon në redaktimin shkencor, në njësimin e elementeve gramatikore dhe të formulave të shpjegimit të kuptimeve, si dhe në shtimin e fjalëve e kuptimeve të reja të nxitura nga analiza e korpusit apo nga vjeljet në proces. U diskutuan dhe u zgjidhën çështje të rëndësishme të harmonizimit dhe të unifikimit teknik e përmbajtësor. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e zgjerimit dhe përpunimit të mëtejshëm të korpusit leksikografik, duke ruajtur frymën e mirë të bashkëpunimit mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Në kuadër të kësaj vizite pune në Prishtinë, grupi i hartuesve të Fjalorit u prit gjithashtu në një takim të veçantë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, prof. asoc. dr. Naim Berisha. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për projekte të reja me karakter kombëtar në fushën e albanologjisë, të cilat parashikohet të nisin në një të ardhme të afërt. Këto projekte do të mbështeten mbi bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të studimeve albanologjike në hapësirën mbarëkombëtare.

Në përmbyllje, akademik Valter Memishaj falënderoi të gjithë hartuesit për angazhimin, mirëkuptimin dhe arritjen e objektivave të planifikuara, duke vënë theksin te rëndësia që ky projekt ka për pasurimin dhe njësimin e gjuhës shqipe në nivel mbarëkombëtar.

Filed Under: Sofra Poetike

Për Behar Gjokën dhe vepren e tij “Petro Marko-shkrimtar i lirisë”

May 2, 2025 by s p

Aleksandër Çipa/

Studiuesi dhe kritiku Behar Gjoka përfaqëson në kritikën shqiptare një ndër zërat më dinamikë të shprehjes dhe shqyrtimeve letrare. Studimi monografik “Petro Marko-shkrimtar i lirisë” pasuron kolanën vetiake të kritikut, por në tërësinë e studimeve tona shton një botim me peshë të pazakontë shqyrtimi dhe analize letrare, sikundër mund të thuhet se vendos një “gur” të duhur referencial për thellësinë shqyrtuese. Mbërritja tek ky libër studimor paraprihet nga një punë prej demiurgu dhe përvojë e thellë shqyrtuese për shkrimtarinë e shkrimtarëve të rendit të lart,ë të letërsisë shqipe si Kadare, Trebeshina, Kuteli, Pashku etj.,etj.

Libri për Petro Markon sjell një tekst studimor dhe analize kulturore, ku jo vetëm skanohen përimtësisht tekstet dhe raportet e jetës autoriale me ndikimet sociokulturore në momentet kur u shkruan, por depërtohet në proceset e ndërlidhjeve estetike, qofshin ato edhe indirekte. Studiuesi Gjoka për këtë monografi, ia ka dalë të ketë maksimalisht në funksion laboratorin e vet shqyrtues për një shkrimtar që mbeti Odise nëpër odisetë e jetës së vet. Si askush prej studiuesve të këtij shkrimtari dhe shumë të tjerëve të shumëlexuar dhe të shumëdiskutuar, filologu Gjoka ka hulumtuar në tekst dhe ka përqasur prej jetës së autorit shumëcka ndikuese dhe të ndikueshme. Ka tejlënë simpatinë dhe ka ofruar një lëndë studimore të cilësisë së pakkrahasueshme me pararendës studiues të këtij shkrimtari, duke na shtuar në bibliotekë një artefakt libror që mbart brendinë empatike. Kjo monografi për “shkrimtarin e lirisë” është mishërim i një kalimi filigramik nëpër tërë thellinat kuptimore dhe tekstore të shkrimtarit, i cili e pati gjithë udhëtimin e jetës të ashpër, por të pandarë nga procesi shkrimor për të.

Behar Gjoka sjell një studim në gjuhë të lartë duke mbetur në mjeshtërinë e raporteve dhe pozicionit që sugjeron T.S.Eliot për kritikën se nëse “tejkalon njërën anë, kritika letrare pushon së qeni letrare dhe nëse e tejkaloni nga një anë tjetër, pushon së qeni kritikë’. Në këtë monografi për personalitetin letrar të Markos, lexuesi fiton njohjen për personalitetin letrar dhe filologjik të vetë autorit Gjoka.

Filed Under: Sofra Poetike

UDHËHEQËSIT MË TË LARTË FETARË E SHTETËRORË SHQIPTARË MORËN PJESË NË HOMAZHET NË NDERIM TË PAPA FRANÇESKUT

April 25, 2025 by s p

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj, Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani, kardinali Ernest Simoni, Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale, Fortlumturia e Tij, Joan Pelushi, Kreu i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, Kreu i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Gent Kruja zhvilluan homazhe në nderim të Papa Françeskut në Vatikan.

Filed Under: Sofra Poetike

90 VJET NGA SHUARJA E ALEKSANDER MOISIUT, GJENIU I SHEKULLIT

March 26, 2025 by s p

Hazir Mehmeti

Vjenë/

“Aleksandër Moisiu i nevojitet rinisë, ngase rinia është ajo që e ka përkrahur Moisiun në atë kohë, rinia avangarde dhe intelektualët”. ( Isak Guta)

ALEKSANDËR MOISIU (1879-1935)

Artist i Popullit

U lind në Trieste. Rridhte nga familja shqiptare e Moisive me origjinë nga Kavaja. Është aktor i njohur botëror me prejardhje shqiptare. Shkollën e mesme e kreu në Grac të Austrisë më 1898. Pas vdekjes së të atit familja u vendos në Vjenë. Për një kohë të shkurtër Aleksandri ndoqi Konservatorin e Vjenës, por për arsye ekonomike u detyrua të punojë si duartrokitës në Opera dhe si figurant në Burgteatër.

Nga Enciklopedia: Alexander Moissi (italienisch Alessandro Moisi, albanisch Aleksandër Moisiu; ( 1879 in Triest; † 23. März 1935 in Wien) war ein österreichischer Schauspieler albanisch-italienischer Herkunft, der zwischen 1910 und 1930 der berühmteste Schauspieler im deutschsprachigen Raum und aufgrund seiner vielen Tourneen auch ein Weltstar war.Moissi war der Protagonist des modernen, zerrissenen, morbiden Menschen zu Beginn des 20. Jahrhunderts.

Veprimtarinë si aktor e nisi në 1899 në skenën e Burgteatrit. Më 1903 debutoi me sukses në Teatrin Gjerman të Pragës, më 1904 në Berlin në teatrin “Volksbühne” (“Skena Popullore”). Regjisori Max Reinhardt i dha rol te Osvaldit “Fantazma” nga Henrik Johan Ibsen. Ai luajti me sukses rolin e Hamletit tek drama e Shekspirit, pastaj tek “Kufoma e gjallë” të Tolstoit dhe shumë role tjera. Vdiq në kulmin e krijimtarisë së tij skenike, në Vjenë. U varros në Lugano të Zvicrës. Me art realist të nivelit të lartë mishëroi role kryesore në kryeveprat e teatrit klasik dhe të kohëve të reja. Në historinë e artit skenik botëror, Aleksnder Moisiu la gjurmë me artin e tij. Ai kishte herë pas herë kontakte me studentë shqiptarë në Austri dhe ishte admirues i progresit kombëtar. Ja një foto me studentë shqiptarë në Vjenë.

Ai la gjurmë në teatrot europiane.

Interpretimi i tij origjinal i bashkuar me temperamentin e fuqishëm, thellimin filozofik, lirizmin dhe bukurinë poetike të personazheve spikati fuqishëm. Tingëllima dhe ngjyra e zërit të tij ishin të veçantë. Ai interpretoi shumë role në filma artistik pa zë dhe folës. Moisiu shkroi dramën “Der Gefangene” (Robi) e cila i kushtohet Napoleon Banapartës dhe Revolucionit Francez e cila u shfaq në Gjermani, por me ardhjen e nazistëve në pushtet u ndërpre.

Në Austri Aleksandër Moisiu dhe Karl Gega me rrënjë shqiptare vlerësohen si ura lidhëse mes dy kombeve dhe kulturave. Sot shumë institucione, shoqata, shkolla mbajnë me krenari emrin e Aleksandër Mosisiut në Shqipëri Kosovë dhe diasporën shqiptare. Universiteti i Durrësit etj. Është themeluar edhe Çmimi “Aleksandër Moisiu”. Në shenjë nderimi shumë rrugë dhe sheshe mbajnë emrin e tij.

Aleksandër Moisiu është figurë e nderuar e kombit shqiptar. Emri i tij sot kujtohet si emër i shumë institucioneve të kulturës, shkolla, shoqata, rrugë në gjithë trevat shqiptare dhe në botë.

Mbi jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut janë shkruar dhjetëra vepra në disa gjuhë duke përfshirë këtu edhe ato në gjuhën shqipe. Njëri nga studiuesit e pasionuar i cili ka shkruar shtatë vepra dhe ka përgatitur filma dokumentar kushtuar Moisiut, ekspozita fotografish në disa shtete është Isak Guta. Hamburg me 8 nëntor 2003.“Me Moisiun, kombi shqiptar i dha botës misionarin më të lartë të artit skenik botëror. Ai arriti këtë me fuqinë e botës shqiptare dhe më fuqishëm se kudo tjetër duhet të prijë e të veprojë brenda qenies kombëtare. Përmes ekspozitës në prag të 125 vjetorit të linjës së Moisiut, pas aktualizimit të kësaj figurë, kryesisht synohet për të hyrë në zemrat e shkollarëve , nxënësve dhe studentëve shqiptarë, që tu shërbejë si fanar shtigjeve të reja në krijimtari…Me hyrjen e Moisiut në zemër të rinisë ata veprojnë së bashku dhe mund ti japin artit shqiptar hove të ndritshme deri në lëvizje kulturore”.

Nga rrethanat katastrofike në Shqipërinë komuniste dhe post komuniste, te Kosovës së robëruar dhe dërmuar, pak u mësua për veprat e këtij studiuesi të cilat i botoj pa kurrfarë ndihme.

Filed Under: Sofra Poetike

MË FAL … MAMI!

March 6, 2025 by s p

HASAN GREMI

Tregim/

Java e parë e pranverës në atë vit erdhi herë m shira të beftë, herë me kthjellime, po kjo nuk i pengonte nxënësit të bënin fizkulturën e mëngjesit dhe të shprehnin njëzëri gatishmërinë ndaj Atdhet “Gjithmonë gati!” para se të fillonin mësimin. (Besoj se gjeneratave u kujtohet). Bledi, një nxënës i klasës së shtatë, që shquhej për futboll, po u shmangej fizkulturës së mëngjesi, se nuk çohej shpejt dhe më shpesh u shmangej detyrave të shtëpisë që jepnin mësueset e lëndëve. Disa herë e ëma ishte ndjerë keq në mbledhjet e prindërve, kur mësuesja kujdestare i bënte të ditur neglizhimet e tij… Atë pasdite koha ishte treguar bujare me diell pranvere dhe Bledi kishte luajtur futboll deri vonë me shokët e pallatit në një nga sheshet e lulishtes në krahë të ekspozitës “Shqipëria Sot”, ( e kujtojmë me nostalgji hijeshinë e pishave, të luleve dhe të shesheve plot bar ku kënaqeshin fëmijët duke lujtur, sot asnjë gjurmë e saj) u kthye në shtëpi i lodhur. Sa hëngri diçka, e mundi gjumi. Detyrat e gjuhës dhe të matematikës nuk i bëri dot. Në mëngjes prindërit ikën në punë. Mendoi si ta justifikonte te mësueset këtë rast të përsëritur, po shpejt i erdhi një mendim që iu duk i besueshem. Gjeti në sirtarin e komosë një top të vogël fashoje dhe shpejt preu një pjesë të mjaftueshme. I ra ndërmend që komshiu përballë kishte lyer shtëpinë një ditë më parë dhe kishte lënë kovat bosh para derës kovat bosh që t’i flakte. I mblodhi mbeturinat e bojës rozë në kovën bosh, leu një pjesë të fashos që fashoi pëllëmbën e dorës së djathtë dhe u nis për në shkollë. Në thellësi të fashos boja rozë ngjante si gjak i mpiksur. Sa hyri në oborr të shkollës , shokët e klasës e rrethuan dhe e pyetën të shqetësuar: – Uaaa, Bledi, çfarë të ka ndoshur? Me zë të ulët u përgjigj: – Na erdhën drutë dje dhe ndihmova babin t’i prisnim bashkë me sopatë. – (Ngrohja dhe gatimi atëherë bëhej në sobë me dru). – Pa dashje preva dorën. Një “Uaaa”, u dëgjua nga shokët. Ndërsa Kela, komandatja e klasës, i tha me keqardhje: – Ulu në stol, mos u rreshto për fizkulturën e mëngjesit! Bledi eci kokëulur drejt stolit, u ul dhe, sa mbaroi fizkultura, u fut në rresht me shokët dhe ecën drejt klasës. U ul në bankën e vet dhe vuri sipër saj dorën e fashuar. (Në atë kohë nuk kishte tavolina nëpër shkolla). Të gjithë po vinin sipër bankave fletoret e detyrave të gjuhës. Zysh Shpresa, që ishte edhe mësuese kujdestare u fut në klasë bashkë me mjeken e shkollës e cila bënte shpesh kntroll mjekësor rutinë të shpejtë për gjendjen shëndetësore të nxënësve. Mësuesja që i donte aq shumë fëmijët, sa pa dorën e fashuar të Bledit , u afrua, e ledhatoi mbi kokë dhe e pyeti: – Bledi, çfarë ke nga dora xhan i zyshës? Bledi iu përgjigj me sytë ulur: – Na erdhën drutë dje, ndihmova babuin t’i prisnim me sopatë dhe …, – zëri i dridhej. Mësuesja u shqetësua nga ngjyra rozë që dukej në thellësi të fashos. Ndërsa Kela i tha mjekes: – Teta, të lutem , shikoja pak dorën Bledit? – Patjetër,- ia ktheu mjekja dhe iu afrua bankës së Bledit duke i thënë: – Ta shikojë teta pak? Bledi e shtërngojë fort pas gjoksit duke u thënë: – Jo, e mjekova mbrëmë në poliklinikë të lagjes. – Ta mban zysha me kujdes Bledi. Duhet ta shohë mjekja se merr ndonjë infeksion, dhe i kapi dorën e fashuar bashkë me mjeken, po ai e shtërngoi pas gjoksit . Mjekja ia tërhoqi dhe mësuesja ia mbante që ta ndihmonte mjeken ta çmbështillte fashon. Sytë kurreshtarë të fëmijëve ishin përqendruar te plaga, po një “uuuu” e nxënësve sikur tundi muret kur panë dorën pa asgjë. Mjekja flaku fashon para klasës dhe tha e nevrikosur “turp, turp” dhe doli me nxitim. Fashua qëndronte para klasës. Cilin akuzonte? Bledit iu duk sikur i ra tavani mbi kokë dhe po i merrte frymën. Lotët rridhnin në faqet e skuqura. A do t’ia lanin dot ndërgjegjen atij? Edhe halat e pishës afër dritares pikonin nga një shi i lehtë si lotët e Bledit… Heshtjen e thellë e theu Kela që iu drejtua mësueses: – Zysh, mendoj të marrim edhe Bledin në grupin artistic që po përgatisim për festat e 7–8 Marsit. Të recotojë një vjershë për nënën! Zysha mori fryë thellë. E mirëpriti mendimin e saj dhe kërkoi mendimin e Bledit i cili pohoi vetëm me kokë. I u duk sikur u lehtësua pak nga faji. Filloi ta mësonte përmendesh vjershën që i caktoi konferencierja. Dhe shpesh e recitonte me zë të ulët përpara pasqyrës. I dukej se nëpër vargjet i shfaqej e ëma e mërzitur nga bëmat e tij dhe nga ngushtësia ekonomike, dridhej dhe fillonte prapë recitimin nga e para. Në prova recitimi i tij u pëlqye… Dita e 8 Marsit erdhi dhe nxënësit do të jepnin programin përpara nënave të tyre që ishin ftuar. Bledi i dha ftesën nënës së vet. Mësuesja i porositi që të përgatisnin ndonjë dhuratë simbolike që t’ ua dhuronin dhe t’i uronin pas mbarimit të programit. Edhe nëna e Bledit ia plotësoi kërkesën të birit duke i dhënë pak të holla, me të cilat përgatiti një dhuratë simbolike dhe një buqetë me zambakë që i këputi në lulishte me leje të lulishtarit. Erdhi dita e festës dhe nënat kishin zënë vend nëpër bankat e klasës. Mësuesja pasi i falënderoi dhe u uroi festën të ftuarave, ia dha fjalën konferencieres së programit e cila edhe ajo i uroi në emër të nxënësve dhe hapi programin… Kur erdhi radha recitimit të Bledit, ai nuk ia ndau sytë nënës së vet që lotonte nga gëzimi. Të gjitha nënat e duartrokitën recitimin. Në fund kori këndoi një këngë kushtuar nënave, ato u çuan në këmbë, kënduan bashkë me korin dhe e shoqëronin me ritmin e duartrokitjeve. Pastaj ssecili mori dhuratën e buqetën edhe përqafonte nënat e vet duke i uruar festën. Edhe Bledi përqafonte nënën e tij dhe mes lotësh i thoshte: “Më fal mami, më fal! Nuk do të shqetësojë më! Do të bëhem si shokët!“ Që atë ditë edhe Bledi ndihej i barabartë mes shokëve dhe vlerësonte dashurinë e tyre që e bënë të ecte me hapin e tyre në plotësimin e detyrave të shkollës.

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 133
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT