• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MOTRES ÇAME-Neki Lulaj NE SOFREN E DIELLIT

July 24, 2014 by dgreca

Motrës sime çame/
Neki LULAJ?
Larg, o larg, të kam o motër
Të prek zgjuar e në gjumë
Preka shtigje mbarë botës
Por si ti nuk gjeta kurrë.
Muza kurrë s’më le të qetë
Kur e shoh se si po vuan
Larg prej trojesh larg-o mbete
Larg prej vatrës së bekuar
Si ta prek malin dhe zjarri
Që më bëhet pus pa ujë
Fyti thahet si gur zalli
Përt ty motër, zemërprush
Ti më je zemër plagosur
Palcë guri e patharë
Mbi një shekull e brengosur
Për ty qielli derdhi lotët varg.
Do të puth në buzë e faqe
Të prek duart shqiptarisht
Do të mbjell ca manushaqe
Përmbi shpirtin tënd fisnik
E do mbyll dyert lakmie
në folenë që të ngre hasmi
nga një shkëmb me fluturime
Vjen për ty kjo fjalë stërralli
Do të lidhim besë të fortë
Fjalë pas fjale si vullkan
Çamërisë atje në Jon
Do t’i ndezim prapë zjarr.
Nëpër trojet me gërmadha
Në themele kaq të fortë
Shpresa jonë do marrë flatra
E flamuri do valojë.

Masakra e Paramithisë
Në Kllogjer ndjej sërish zgjim kllapie
Era kreh flokët e dëshmorëve të Paramithisë
Pipa të rinj po nxjerrin burrat nga lisat
Drejtë Çamërisë rrugëtojnë burrat me plis

Atë mot përkundeshin mes fletëve degët e ullinjve
E shpirtërat përpëliteshin me dhimbje pas hijeve
thërrisnin për ndihmë për bukë, për ujin në kroje
Europa lavire flinte në gjumin e pajtimeve mortore.

Zbraznin breshër plumbash mes gjokseve foshnjore
Vritnin ëndrrat e thurura në gjergjef nusërie
Me mokër shpirtërash dënesnin kodra, male, hone
Një lot hëne binte mbi troje Çamërie

Valë e lot shkërmoq plisin dhe shkëmbin e rreptë
Gjaku rrëshqet si trimat mbi tokën e tharë
As toka as gjaku, eshtrat tona nuk do i tresë
Nga dhimbja kodet ulin qerpikët se s’ka dëshmitarë.

Në udhë shkronjash ecin krushqit e kombit mes dallgëve
Nisen nga trevat shqiptare drejt Jonit shtegtojnë
Ecin në gjurmë të stuhive tragjike çame
Në agim në fshatin Kllogjer do të ndalojnë

Atje do takojnë 2700 rreze pavdekësie
Që do të shuajnë etjen dhe urinë që kanë përsëri
Atje do të shfletojnë palë të dhimbshme historie.
Te Rrasa e Kujtimt do të rizgjojnë tragjedi.

Malli

Kalinjtë me farë misri varen në hambarë\
Trastat e tagjisë varen në gozhdën e vjetër
Koshat e mbushur flasin për vjeshtë të mbarë.
Grazhdi me rrjetë merimange është mbledhur.

Kjo heshtje e harlisur prek botën e zjarrtë
Në ahur të kuajve kam mall dhe për një bajgë
Kam mall për një fletore të mbetur në sirtar
kam mall për plisin që mbillet në maj.

Mes zgalave të murit rri trasta e grisur
Ngarkuar me ëndrrat që sillen vërdallë
Dua të lëpij plagën e të puth tokën e zhuritur.
Të shpejtoj ikjen me kthim në tokën e etur për zjarr.

Ky lëmsh jete i mbushur si thes me përjetime.
Të fshehura në kurmet e zemrës mbyllur me kapak.
Shpendmira këndon në çardak këngën për kthime.
Blatojnë lulet e manit nga gëzimi në shpat.

Mbi pllakën e kujtimit xixëllojnë shekujt e pavdekësisë.
Shkëlqejnë rriska drite që qetësinë gllabërojnë.
Me mall dashurie thërret mërgimtarët në kthim në agime.
Me gardhin mistik të jetës memorien thurojnë.

Kush bën mur

Shoh zemrën e urës të tokës binjake të palcosur
Kolliten shekujt e sëmurë në ikjen pa kthim
Struken nën ombrellën e trupit të njollosur
Mbuluar nga blozë e zezë e padrejtësisë.

Ibri përplaset mistershëm e me valët pëshpërit
E hapen portat e kohës si bedena me zë briri
Më dalin përpara si pleq që koha kurrë nuk i thinj
Si dy mokra gruri me blojë të mbarë mulliri.

Stinica gjarpëron si gjaku në damarë
Një çarçaf mjegulle që nga Bajgorja po vjen
Shtrihen krahët e freskisë në fushë dhe në mal .
Për të huajt “mollë të ndalueme’ lakmie e kthen.

Plisat e bardhë varen në Ibër e në Trepçë
E ndalen mbi gjamat e kullave të Boletinit në prag.
As myshku, as eshka mbi parmak nuk lënë shenjë.
Gurët e mullirit në oborrin e lesës bënin konak.

Ata ishin e janë kulla bacaloke qëndrese
Zgjojnë burrat që nga Dukagjnin e deri në Prekaz.
Te Urat e Ndasisë digjen mbeturinat me urrejtje
Me Ilirisë Çamëri, Preshevë e deri në Tivar.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Motres Came, ne sofren e Diellit, neki Lulaj

Sofra e Diellit- Tri poezi nga Agim Xh. Dëshnica

July 6, 2014 by dgreca

FORT PO SHNDRIT E PAK PO XE’!/
Vërviten dallgët një mbi një,/
në ag, kur befas drita shkrep./
Herë hiqen mbrapsht në largësi,/
herë shtyhen hovshëm për në breg./

Këtu të qeta, më tej me bujë,/
atje më sipër ngadhnjimtare,/
pa vezullojnë, ndërrojnë ngjyrë/
me valëzime ledhatare./

Si marrin frymë në thellësi
i derdhen tokës përmbi shkëmb,
buçimë e tyre këngë e moçme
këtu si gaz, atje si brengë.

Ah! sikur të isha ajër-ajër
mbi male tej dallgësh, nën re,
te lugjet e lahutave, ku
“fort po shndritë njaj diell e pak xe’!
borë e madhe që ka ra
p’e merr frima rrapin e Jutbinës
rrandojnë ahet për me u thye” 1)
prej rrungajash e suferinës..,

1-Vargjet në thojza janë të përshtatur
nga rapsoditë
e veriut.

SHKEMBI DHE LUMI

Turbull, turbull lumi, rrjedh në çaste zgjimi
përplaset brigjeve në vrull vërshimi.

Turbull lumi, ndesh, uturin nën urë,
zhyten, brofin e shtyhen, drurë e gurë.

Gjeratoret shtillen e kridhen nën shkëmb,
ujrat mal ngrihen e bien me gjëmë.

E sipër valësh vjen me vërshëllim,
thëllimi i stoçenit nëpër mjegullim,
drejt shkëmbit dëshmitar
në shekuj, dramash,
të vërtetash tragjike e bëmash.
ku ujrat, kohrat e fati i mbrapsht,
gdhëndin legjendat e misterit të lashtë,
për qytetin e bardhë e të përgjakur,
që jeton mbi lumë i ri e i plakur.

ÇEKBEN, ÇEK BEN!*

Çekben! Çek beni!
Shi, rrufe, erë, furi,
sulen, çajnë përmes resë
rrahin shkëmbin e pabesë.
Çekben, Çekben!

Ç’ësht’ një hije, shket në lumë,
kur gjithçka hesht në gjumë?
Kthehet lajmësi si nata,
purpurantët flenë mbi shpata.

Një litar i zi si gjarpër,
natën zbret nga shkëmbi ashpër.
Çek beni!-dëgjohet zëri,
kapet, ngjitet lart asqeri.
Çek beni! Çek beni!

Shkëmb i zymtë i prapësisë,
Çekben i pabesisë,
nga rrufetë ditën nxin,
nga thëllimi natën ngrin.
Çekben! Çekben!

Ndihen zëra nëpër terr:
Skënderbe! Skënderbe!
Vjen pashai, vret ushtria!
Prapa shpine pret tradhtia!

Ah! Çekben Çekben i nëmur!
Mure e Kulla të përnëmur!
Purpurantët e përgjakur
tok me djemtë e përflakur
mbetën n’atë tragjedi,
mes zjarreve për liri
në kujtime mot e jetë,
afër lumit, që nuk hesht,
dhimbje e mallkim
nëpër valë e uturimë.

2014
———————-
*Çekben-(Më terhiqni!- turq.) një shkëmb në Kalanë Beratit, nga zbriti me litar ushtari osman, gjatë marrëveshjes së armëpushimit dhe njoftoi Portën e Lartë për rrethimin e kalasë nga ushtria e Skënderbeut. Ushtari u kthye dhe u ngjit me litar me thirrjen ”Çek beni!“ (më tërhiqni!) Pas tij, një ushtri e shumtë në numur nën komandën e Isa bej Evrenozit mbërriti pa pritur dhe masakroi ushtarët shqiptarë të shpërndarë e të shkujdesur në pritje për rifillimin e luftimeve, ndërsa Skenderbeu ndodhej për vizitë në një këshjellë diku pranë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: - Tri poezi nga, Agim Xh Deshnica, Sofra e Diellit

MË THËRRET GJAKU

July 5, 2014 by dgreca

Vullnet Mato/

MË THËRRET GJAKU/
Më thërrasin disa rreke të kuqe gjaku,/
që kullojnë mbi kokat njoma të shqiptarëve,/
nga kamxhiku që na godet djemtë te pragu,/
ku kërkohet drejtësi në atdheun e të parëve…/

Më thërrasin disa rrëke të hidhura lotësh,/
që kullojnë nga sytë e nënave shkupjane,/
të pikëlluara në dhimbjen e madhe të kohës/
për bijtë e përgjakur në trojet e lashta iliriane…/

Më thërresin gjaku dhe lotët e atdhetarëve
të shkoj për ndihmë, vëllezërve shekullor të mi,
me vërshimin e njohur të shpatave skënderbejane,
të vëmë në vend një herë i mirë të vjetrën drejtësi…

Atëherë koka ime e pabindur te miqësia e rreme,
do i bëjë pluhur shkopinjtë e egër të kaukazianëve,
do thyej njëqind copash pasqyrat e paqes ekstreme,
që të qajnë me lot gjaku edhe nënat e tyre sllave…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: MË THËRRET GJAKU, Vullnet Mato

SOFRA E DIELLIT: POEZI NGA DISIDENCA E HESHTUN SHKODRANE

June 30, 2014 by dgreca

Ernest Perdoda/*
SUBKONSH/
Ëndrrat më rrokullisin/
Ndër këmbë të Trogloditit/
Që m’kqyr e më përqesh;/
Atje ku nisëm shtegun/
E nëpër shekuj rryeshëm/
Shtrijmë krah’t për t’rrokur yjet…/
E diellin që më zgjon,/
Por gazi i njeriut t’shpellës/
Ende m’ushton ndër veshë/
E më trondit!/

PRELUD/
Ketë natë,/
(ndërsa përreth
gjithçka përngjan
me flokun tand që lmoj)
yjet e qiellit tim
unë pa u kujtue zbuloj
kur ti çel e mbyll sytë.

TË DIGJEN LIBRAT !

Ngado që shkoj, më ndjek me hije të saj
Kjo Kullë e gurtë që m’josh e më largon!

N’rrënojat e kujtesës
Ende luhatën flakët
(që deshe më tepër se mue)
nuk m’bien ndër mend tashma.

Me hijet e asaj nate, një tjetër Omar Khattab*
Rendi mbas ditëve tona
Të zymta,
Të ftohta
Si gurët e kësaj Kulle,
Ku nga frëngjitë
Ajo pak dritë që hyn
Veç larva mendimi sajon!

Ndoshta këtë mbramje prilli
Krrokatja e korbit mbi Kullë
T’kujton dhe ty
Çka humbëm përgjithmonë!

• Në vitin 640, Omar I (Abu Hafsa Ibn Al Khattab) dogj bibliotekën e Aleksandrisë ( një nga më të mëdhatë e asaj kohe). Trembëdhjetë shekuj ma vonë me urdhen të diktatorit E. H. u grumbulluen tek Kulla e Inglizit fondet e të gjitha bibliotekave të qytetit të Shkodrës dhe pësuen të njajtin fat.

Primo Shllaku

MESHË MORTORE PËR VARGJET E MIA

Jetuet midis dy zjarmesh.
I pari, i lindjes./ Mitra ju ftoh.
I dyti i djegies.
Kujtesa ime/ s’ju pranon.
Pa za,/ paloseni.
Flaka ju lëpin. Pa vorr, pa gur,
Nën nji muranë hini / jeni shtri.
Edhe këtë kangë / jua këndova.
Edhe këtë gjamë / jua bana,
O të lindunit e mi të vdekun,
O bij të harresës ma të nxehtë,
Nata ju thërret si hyj
Dita ju vret si hyj.

HYMNI I JETËS

Kam nji zemër
Që rreh dëshira të forta
Te dyert e fytit.
Shtrihem mandej
Që të rrjedhë nëpër mue
Ma i pasionuemi lum,
Ma i pastri, sepse ma i ftohti lum,
Ma i lumi lum.
Mbi buzën time veç
Etja asht prap e verdhë…

DASHUNIA PËR TY

Me të dashtë ty
Domethanë me pasë një plagë gojëhapun në gjoks,
Një plagë që duhet rritë, që s’duhet ta shëroj,
Një plagë që më duhet ta mbaj të thartë e të dhimbshme
Për t’i pjellorue kështu / gjithë fluturimet
Gjithë vullnetin / që kam nevojë
Sa herë që më duhet të vorros
Të kaluemen tande
Që merr fund / me ardhjen time.

KRIM i PËRSOSUN
Një diktatori

E mbolli arën e buzëqeshjes me misër të verdhë gjeorgjian
Nxori jashtë ligji pastën e brushën e dhambëve.

Anton Çefa

TRAKLLIM NË REZE DYERSH

Hana / sonte po erret si qyqe vetëm.

Me rreze t’ zverdhame / e të trembuna
Trakllon në reze dyersh të mbylluna
Dhe lmon tinzisht
Shpinën e butë të borës
E të zogut të natës
Qi kukzatë mbi çati.

Reze dyersh e shpirtnash
Mos u hapni n’kukzatje rrezesh të rreme
E korbash !

HESHTJA KA TINGULL GURI

Me buzë të gurta
Heshtja na i puthi orët
E ditët / e netët.

Nji jetë qi po ndigjoj
Meloditë e heshtjes
Në gojët memece të gurit.

Heshtja ka tingull guri
Kur fjala bahet gur
E koha gur.

DIMEN

Dheun e mbulon
Bardhësia e mendimeve të borës.

E flokët e saj
Mbi shpirtin e qelqtë të dimnit
Me mija forma
Lulet i çelin të ngrita.

Andrra të dridhshme, të ftohta
Puçrrizën mbi gishtat e degëve
Që presin pranverën.
*Dielli Arkiv

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: -Poezi nga disidenca, e heshtun, shkodrane, SOFRA E DIELLI

POETI

June 29, 2014 by dgreca

Tregim nga Roland Gjoza/ New York/
Ai ishte nje djalosh i hajthem, qe priti me teper se gjysme ore dhe iku. Ernesti nuk priste me, sepse nuk kishte kohe te merrej me lunatiket e parnasit, ca fantazma qe ishin shtuar shume kohet e fundit. Te Kafja e Madhe shkoi me pajton. E pa serish perskithtasi ate djaloshin e hajthem, qe s’kishte asgje te vecante, pervec syve qe i digjeshin si ne ethe. Kishte nje vuajtje te thelle ne ata sy. Sikur i luteshin; A mund te vij? Ku? Kam nje sekret per ju. C’sekret? Jo prej andej, pra prej parnasit, po prej ketej, nga rruga.
Piu puron e zakonshme, surbi kafene e trashe te ziere ne prush te ri mbi banak, te pergatitur prej vete usta Rrokut qe s’ia hiqte syte, kthehu dy tri hurba vere kallmeti, nga ajo qe pinte at Fishta dhe mbylli syte. Ja, pra, asgje e re. As ne rrethet intelektuale, as ne plumbnajen e kohes qe po i vriste mushkerite e muzave, as ne bordelet e vogla ku gjallonin po ato trupa tashme te zdraluna prej perseritjeve te po atij pasioni vulgar. Cingijet qe vinin prej azise ishin me te molisuna prej epshit, me te nxehta ne shtrat. Ajo e mbremshmja qe ai e lakmoi prej tundjes se epshte te kurmit, vecan te vitheve mershore, vijes perpara qe gati zbulohej me nje rreqethje lektisese e me nje dhimbje te embel, i kishte lene nje mbrese te paharrueshme. Jo, sonte s’do te shkonte me te, ishte e rrezikshme, s’donte te vuante sepse ai binte shpejt ne dashuri dhe bente marrina.
Djaloshi s’po ia ndante syte. C’hiqte me keta rioshe te dalldisur pas bordelos se fjaleve, a kishte rene ky djalosh me ndonje nga ato ezmerkat qe kundermonin prej ererave trullosese, s’kish dyshim qe jo, prej lekures se zbehte dhe atij trishtimi si per here te pare. Trishtim poeti. Po ishte merzitur me keta poetet e rinj qe donin te dilnin nga labirinti i tyre si minotauri dhe mund te benin gjemen; mund ta hanin ate vete. Kishte tre numra rresht qe botonte nje Bodler te ri, qe s’i shqitej nga gjaku, aq shume e kishte turbulluar me vrullin e tij djaloshar pa nje cen. E kishte perpire qe ne leximin e pare dhe si me nje leter kopjativ, ai ia kishte perthithur me gjithsej shijen. E kishte lene pa mend dhe s’po gjente menyren se si ta sikteriste, prandaj e botoi tre here radhazi qe t’i merzitej, po sa here e conte mendjen tek ai ndjente nje tronditje gati si nje fatkeqesi. Vijne papritur si hordhite barbare dhe te rroposin per nje cast, mirefilli ndjen se te ka kaluar koha. O zot, ose duhet te vuajme prej vrasjeve te talenteve, ose duhet te poshterohemi me nje buzeqeshje triumfi per ta e t’u japim doren.
Djaloshi ishte fare afer dhe ai kthehu kryet plotesisht nga ai. I tha me sy; C’kerkoni, djalosh?
Zotni Koliqi, nisem per Puke e kushedi kur vij..ju lashe mbi tavoline nje poezi..i vetmi ngushellim per atje eshte nje gisht leter..
U kthye dhe iku si i ndjekur pa thene asgje tjeter. Mungoi ajo tirada kinse e dale prej zemre e mbushur me urime e pershendetje zemre. Ky djalosh kishte vetbesim gjer ne cinteresim per veten. Ishte i llojit sakrifikues. E shpetoi prej nje ftese kortezie; Doni dicka me pi, djalosh? Pra, ai i kishte hedhur dorashken. U terbua, i erdhi ta ndiqte dhe t’i terhiqte veshin per kryelartesine qe kishte treguar, por e permbajti veten, madje qeshi me kete parodi qe e shpiku prej vetevetes nga frika, vetem nga frika. Vec kur te degjonte edhe ne zerin burreror dhe lajkatues te Rrokut, britmen e majekrahut; erdhen barbaret! Se keshtu vijne keta te rinjte e zbehte, qe te sillen rrotull ngaqe ta kane nevojen e, kur i permbushin qellimet, bajne mahi per ty neper kafene e klube.
Mori serish pajtonin dhe shkoi te Shiltet e Stambollit, te hante pacen e Koles dhe te shikonte e te ndezullohej prej harese, sic bente cdo mengjes, keto kohet e fundit, cingijen me syte si bajame, Xhilanen xhind me krela gjer te thembra e kembes, me mishin pothuajse cullak, te zeshket e me vija te rrumbullta epshi qe te zinin frymen. Me te s’kish rene ende ne shtrat, se i druhej renies ne dashuri, e kishte kete dobesi, binte ne dashuri dhe bente marrina; pinte, i linte punet, edhe ato krejt te domosdoshmet, e ia mbathte ne arrati, pa lene kurrfare njoftimi. Fishta e perkrahte, madje i thoshte me buzagazin e tij shkelqyes; ia shkule puplat prej trupit si gjeli i zi i Llesh Kabetes? Me nje fjale, a e shkaterrove, a e hoqe merakun?
Ne redaksi shkoi ne mesdite, pasi i kishte bere te gjitha ritualet, u ul ne kolltukun rrotullues prej lekure te kuqe te erret dhe, kur pa nje poezi perpara, gjysme te hapur, iu kujtua djaloshi i zbehte. Pati nje grime frike, nje si medyshje e pakenaqesi, nuk i donte me befasite, tani qe pothuajse qe i ngopur me gjerat, po pikerisht ato fjalet e tij aq mekanike, kinse pa peshe e qe fshihnin nje te keqe, se do te nisej per Puke, e bene qe te zgjaste duart e te hapte fletet.
David, thirri, hiqe profesorin e latinishtes prej faqes letrare, fut ket poezi..
Ne mbremje nuk luajti brixh. Po pikerisht ate mbremje, kur fare s’i shkonte neper mend, Xhilana i premtoi se do t’i shkonte ne dhome, ne mesnate. Ai djalosh i kishte sjelle fat. Po i ecte. Kur perfytyroi kurmin e saj aq hamgjites, i lakmuar prej te gjitheve, edhe prej atyre qe iu dhimbseshin fort paret, erdhi menjehere ne qejf. I brodhi te gjitha vrimat e qytetit, takoi plot te njohur e miq, po ishte si ne ethe dhe aspak i qarte, sic i ndodhte pothuajse gjithmone.
Prej kah i vinte? Poezia. Ai djalosh e kishte tronditur, por krejt ndryshe, jo me cmire te fshehte, por me keqardhje. Ishte nje nevoje e brendshme per ta marre ne mbrojtje. Ishte njekohesisht nje kapitullim i pranuar me gaz, nje mundje pa u ndeshur, sepse s’kishte rivalitet. Zakonisht kur na mundin pa lene asnje grime dyshimi, eshte nje ndjenje nenshtrimi qe na kthen ne sherbyes te zellshem. Edhe pse jemi poshteruar boterisht brenda vetes, pa e shpallur, duke e ndrydhur e trysur thelle, sepse vetem keshtu mund te ruajme qetesine e jashtme.
Nuk i ngjante askujt ai djalosh, as Bodlerit, as Rembose, as Karducit, as Leopardit, po as shpures se tij, po ta merrte vesh Fishta, ne qofte se do ta lexonte, nuk do te tregohej entuziast, se tek ai djalosh kishte shume sarkazem e ironi per idhujtarin. Ai djalosh kishte dhuntine e nje moderniteti qe s’vjen prej ndikimeve po eshte thjesht prodhim i pavetedijshem i fares se vet. Ai pothuajse vinte nga rruga, prej pamjeve te vrazhdta te saj, prej vulgaritetit te bujshem, por qe kishte tharmin e vet impresionues. Mundohej ta hiqte nga trute dhe piu pa mase sepse te tjere po vinin. Ata ishin te porta. Sot, neser, ai do te hynte.
Kur piu goten e trete te veres, nxorri nje pusulle dhe shkroi; Ju lutem me e pase kujdes Migjenin, se asht nji talent i respektueshem.. Ia nisi menjehere nenprefektit te Pukes. Ishin gjeste qe ai i bente jo rralle. Por me fort kur ndjehej i nenshtruar, por kurre kete dobesi s’ia pohoi vetes.
Pas nje muaj po ai djalosh e kerkonte me sy te Kafja e Madhe, tashme i harruar plotesisht. Kush eshte ky?
Nuk po me njifni zotni Koliqi? Erdha t’ju falenderoj per fjalet e mira. Me emeruan drejtor.
Kaq?
Marr ma teper, qeshi djaloshi. Por nuk i tha kurrgje per poezite dhe skicat qe gazeta po ia botonte rregullisht.
Do t’uleni?
Jo, ju faleminderit..tash nisem per Greqi..arsyena shendetesore.. dhe i zgjajti doren.
Atehere pac shendet, i tha Koliqi dhe i shterngoi doren, por..sa u be gati ta pyeste per doren qe iu duk shume e nxehte, nderroi mendje, sepse nuk mund te poshterohej serish prej ketij djaloshi kaq delikat.
Dhe perseri e harroi. Vec njehere iu kujtua pas nje darke me miq, kur mbeti vetem dhe ishte ne forme per te shkruar. Po sapo hodhi vargun e pare e kapi veten krejt bosh dhe kjo ndodhi krejt papritmas, frymezimi qe i kish ardhur si shkulm iu be fir ne cast. Perse ndodhi? Ende kishte neper kujtese nje proze te migjenit per nje malesor me breke legjendare qe pershkon malet me nje thes me miser mbi shpine.. breke legjendare.. misri.. nje rreqethje, nje oh prej tmerrit dhe pena i ngeci dhe nuk shkoi me tej. Nje kokerr miser i kerciti dhe atij ne leter.. nje kokerr miser i verdhe qe leshoi nje vezullim te holle prej floriri.. dhe ishin ato dite kur malesore te veriut, prej ujes, hanin qershi, se qerdhite ishin ba me bollek ate vit..se s’kishte miser.. s’kishte buke me hanger..dhe ajo malesorja me barkun te goja qe prej ujes se perbindeshme i lutet plakes t’i kepus qershi.. e ai kishte pare dhe s’e njihte mjerimin. Po edhe poeti nji aristokrat ishte.. dukej prej bojes dhe kostumeve qe vishte.. po sa tronditese! Po aspak e bukur. Po cfare te ishte? Dhe i shkrepi qe ta merrte nje nate te cingijet, te ajo Xhilana me cica te medha e me thithka si gonxhe stambolli, ta shifte tu u zhigate ne epshe dalldisese, se ia ndjente mishi qe ai djale i hajthem s’kishte provue gja.
E pa dhe nja dy here te tjera, i buzeqeshi lehte, po nuk qendroi t’i jepte doren. E zinte nje ngutje dhe nje deshire per t’iu larguar.
Nje dite pyeti Davidin, redaktorin dhe faqosesin, nje inventar levizes i te gjitha imtesive qe lidheshin me te gerbulurit e parnasit.
S’na ka sjelle me ai djaloshi, David..ai.. Migjeni..
Ashte ne Itali, vuen prej tuberkulozit, zotni..
Ashtu? Sa keq.. Dhe une s’e kam patur mendjen me e pyet..Shkruaji nje leter si redaksi dhe kerkoji ndonje shkrim..
Ju ban pershtypje ai, zotni Koliqi?
Po, me ban pershtypje.. po ju?
Bah, vargje te lira, jo s’e s’kane mendim, po mezi kaperdihen..
Ti di shijet, David, po poezia e mire ashte e mire, me varg te lire a me varg klasik te rregullt, me rime e me.. shkruaji ate letren..
Siurdhenon, zotni Koliqi..tash menjehere..
Mos harro te permendesh dhe emrin tim..
Natyrisht, zoti Koliqi..
Kaluan muaj dhe serish Koliqi u kujtua per Migjenin. E pyeti Davidin per te;
Nuk ka sjelle ndonje shkrim Migjeni.. kemi nevoje per ndonje shkrim prej tij..
Nuk e moret vesh, zoteri Koliqi.. ai vdiq!
Jo, s’di asgje!
Paska vdeke ne vere.. Tash dy muej perpara.. I gjori, fare i ri..
Ne s’e dhame vdekjen e tij?
Jo.
Po pse?
Lajmi erdhi me vonese. Ndonje njoftim aty ketu..
Jepe lajmin.. te zgjeruem..
Ka dy muaj, zoteri.. dy muaj.. Epo i ri ishte..di dhe dicka tjeter..
Kishte nje liber ne shtyp, po ia censuroi mbreti..atje ka mbet, te Gutenbergu..
Ja, mbaroi dhe kjo marredhenie, me nje harrese. Dhe ai djalosh s’do t’i dilte me perpara me ato sy qe i digjeshin prej etheve, me ato duar te nxehta, me ate zbehtesi dhe asaj ndjenje te cuditshme per afrim, por qe ai s’e kishte afruar kurre. Dhe e shikonte krejt cullak para Xhihanes, asaj xhideje orienti, ashtu te dobet, me brinje qe i duken duke marre fryme me veshtiresi prej epshit. Ja, qe s’ia dha kete kenaqesi. Po pse, pse? Krejt pavetedije ndodhin shume fenomene te komplikuara brenda misterit te njeriut, por ajo qe te cudit se tepermi eshte gjendja e gabuar qe te kaplon ne rrethana te rendesishme, nje ironi e skajshme ne nje cast sublim, nje tallje ne nje cast sinqeriteti, nje lehtesim per nje vdekje. Ja, kjo e fundit i kishte ndodhur atij duke e tronditur se tepermi. Dhe ishte perforcuar kur Davidi i pat thene se libri i Migjenit ishte censuruar.
Dhe pastaj kishte bere ate gafen, qe ne mes te miqve te perkore, aq klasikegjante, aq te ditur per te mbushur mendjen se poezia e madhe ishte bere, dhe per kete s’kishte kurrfare dyshimi, duke u mjaftuar per shembull vetem me Danten, ai kishte thene ne nje cast pushimi, ne mes te nje qetesie meshe, se poezia e vertete eshte ne shpirterat, qe edhe vete shpirterat s’e dine. Ajo qe vjen, eshte ndryshimi. Ajo qe vjen. Ndoshta dhe ka ardhur po ne bejme sikur s’e veme re se duam te ruajme statukuone. Dhe kishte permendur, per te keqen e tij, Migjenin. Askush s’kishte folur. Pasi e tha kete, Koliqi u ndje serish i lehetesuar. Dhe prandaj e beri qe te hiqte pershtypjen e lehtesismit te meparshem. Dhe ishte cuar dhe, pa thene asnje fjale, kishte ikur.
Pastaj, pas disa vjetesh, kur ndodhej ne Itali, kishte kundershtuar qe eshtrat e Migjent te ktheheshin ne atdhe. Jo tani, jo tani, zoterinj, se do ta quajne komunist..do ta bejne sherbestar..dhe ndersa do te bejne plojen, gjaksine, si kengetar te plojes do te therrasin Migjenin.. Mos, zoterinj..
E kishin pare te varri i tij ne Torre Pelice disa here, krejt vetem, duke vendosur nje tufe lule, ne kembe, me fytyre poshte duke u lutur, me fytyre lart duke u lutur dhe pastaj kishte ikur me te shpejte. E kishin pare edhe kur eshtrat ishin marre dhe ishin derguar ne atdhe, me nje tufe lule qe i linte ne po ate vend dhe lutej pa fjale.

Nju Jork 2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: poeti, roland Gjoza, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • …
  • 134
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DASHURIA NDAJ ATDHEUT – THEMEL I NDËRTIMIT DHE ZHVILLIMIT TË SHTETIT
  • THE SPHERE (1929) / HISTORIANI GJERMAN, FRANZ BABINGER : “VIZITA IME TEK DERVISHËT E KRUJËS, NJË KOMUNITET I JASHTËZAKONSHËM…”
  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”
  • KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS
  • “SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ
  • KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”
  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT