• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, Fillim i së nesërmes së Kosovës shtet

July 1, 2023 by s p

-Në ditën e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990 gazeta tradicionale Rilindja doli me mbështetje të fuqishme, edhe me komentin “Reprizë nuk do të këtë” pasuar me redaksionalin “Fillim i së nesërmes”. Autor i të dy shkrimeve isha unë atëherë redaktori i Rilindjes – tash korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI/

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i LDK paralajmëronte dhe përshëndeste Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 1 Korrik 2023/ Kosova para 33 viteve shpallte pavarësinë.

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës…” Kështu fillonte Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, e cila shpallte pavarësinë e Kosovës, që atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

“Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë”, theksonte në fund në pikën e pestë Deklarata Kushtetuese.

“Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në Marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.

“Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u realizuar e plotë në 17 Shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli. Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 33 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arrestoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre…

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, kujton:

“Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.

Në koment mes tjerash shkruaja:

“Kurdo që të mbahet kjo mbledhje, një gjë është e sigurt: Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit. Asnjë shtyerje nuk mund të ndalë realizimin e këtyre kërkesave e këtij vullneti gjithpopullor, të shprehur me urti e vendosmëri, në qetësi paqësore e në frymim të thellë demokratik në çdo mjedis në Kosovë.

Kjo është garanci se reprizim të skenarit të vjetmë të dramës tragjike e të humbjes së autonomisë në Kosovë nuk do të ketë as sot, as nesër, as kurrë më. Populli dhe përfaqësuesit e tij legjitimë – delegatët janë të vendosur që vetëm me urti e demokraci të realizojnë të drejtat dhe interest e veta jetike të patjetërsueshme.”

Komenti u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Në gazetën historike Rilindja raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite kërkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Repoublikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tashmë 24 vjet nga Qershori 1999, Kosovës shtet 15 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990 kujtojnë e vlerësojnë mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, me të cilën në duar u panë edhe në seancën ku e votuan e nënshkruan Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës, si dhe Radio Televizioni i Prishtinës.

“Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit tjetër që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës e 2 Korrikut 1990 edhe këtë 33-vjetor e pret në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku para katër vitesh e dërgova me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:

“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990. Prishtinë, 30 Maj 2019 Behlul Jashari”.

Dërgimin e shumëmirëpritur të origjinalit të Deklaratës Kushtetuese në Pallatin e dokumenteve historike e kisha paralajmëruar në takime e komunikime me atëherë Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe Drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha, si dhe me Kryeinspektoren Dijana Dushullovci Haziri, e cila e mori në dorëzim.

Ku ta dërgoja ekzemplarin e Deklaratës Kushtetuese që ishte në duart e delegatit Maharrem Shabani që e lexoi në Kuvendin e Kosovës në 2 Korrik 1990 kemi biseduar me të dhe me udhëheqësin e Kuvendit në atë kohë, Ilaz Ramajlin…

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal, për herë të parë është ekspozuar në një ekspozitë të Arkivit Shtetëror të Kosovës në 2 Korrik 2019. Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur e 2 Korrikut të vitit 1990, e cila më është dhënë në Kuvendin historik, ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, fotografinë e së cilës për botim për herë të parë e kam dërguar në Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si korrespondent nga Kosova që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në rrethana të rënda okupimi, në të cilat President i parë i Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

DR. IBRAHIM RUGOVA PARALAJMËRONTE DHE PËRSHËNDESTE DEKLARATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS TË 2 KORRIKUT 1990

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në një intervistë të botuar në 15 Prill 1990 në revistën “Fjala” në Prishtinë, duke komentuar debatet që zhvillohen në atë kohë thotë: “Ne si LDK pak më vonë do të dalim me një deklaratë kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për Kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur Kushtetuese apo të Pavarësisë, siç do të quhet më vonë, të 2 Korrikut 1990, të Kuvendit të Kosovës.

Pak më vonë Presidenti historik Rugova do të deklarojë se, “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” (“Hrvatski rubikon”, Qershor, Zagreb-Kroaci).

Në 2 Korrik 1990 në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese. Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tashmë tubonte rreth 700 mijë anëtarë, përshëndet dhe mbështet i pari këtë Deklaratë, duke e quajtur një dokument historik dhe Deklaratë për Pavarësinë.

ARKIV – 2 KORRIK 2018: RAMAJLI E HARADINAJ PËRGJIGJEN NË PYETJET E KORRESPONDENTIT TË GAZETËS DIELLI

Në 2 Korrik 2018 Kryetari i Kuvendit të Kosovës në kohën e viteve të 90-ta të zhvillimeve historike, Ilaz Ramajli, dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit, në konferencën për shtyp u janë përgjigjur pyetjeve të korrespondenit në Kosovë të Gazetës DIELLI.

PYETJA: Po prezantohem pak më ndryshe se tjera herë, si gazetari që kam qenë bashkë me delegatët në atë kohë para Kuvendit.

Prandaj, një pyetje kam për zotin Ramajli: Nuk ishte vetëm 2 Korriku, ishte edhe Kushtetuta e Kaçanikut e 7 Shtatorit po në 1990, pastaj Referendumi ku thuaja qind për qind e atyre që morën pjesë në votim votuan për Shtet Sovran e të Pavarur të Kosovës në atë kohë. Si i vlerësoni nga kjo distancë 28 vitesh ato tre ngjarje të mëdha historike?

Ndërsa për Kryeministrin e kam pyetjen: Cili është statusi i delegatëve të 2 Korrikut e 7 Shtatorit 1990 sot në shtetin e Kosovës?

PËRGJIGJIET:

Kryeministri Haradinaj: Faleminderit. Së pari Kryetari Ramajli.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës në vitin 1990, Ilaz Ramajli: Behluli ëahtë gjithmonë i interesuar për 2 Korrikun e 7 Shtatorin, duke pasur parasysh që ka marrë pjesë në Mbledhjen e 2 Korrikut dhe është gazetari që e ka ruajtur tekstin origjinal të Deklaratës Kushtetuese.

Dhe, t’iu them, këto tre akte, sot ashtu i përmendëm, përbëjnë bazën kushtetuese-juridike të rregullimit të shtetit të ri – Republikës së Kosovës.

Unë po shfrytëzoj rastin të përmendi që kemi mund t’i kryejme këto tre akte duke iu falënderuar një uniteti apsolut të faktorëve shqiptarë në Kosovë,

të cilët pa asnjë hezitim dhe pa asnjë ekuivok e kanë përkrah punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe me përkrahjen unanime të popullit ne i kemi kryer krejt këto punë.

Unë këte e potencova për shkak se besoj që Kosova në këtë kohë është në një situatë shumë delikate, siç na njoftoi Kryeministri janë në përgatitje edhe zhvillimi i diskutimitmeve për përmbylljen e raporteve, kontratës përfundimtare me Serbinë dhe disa çështje tjera.

Unë besoj duke u mbështetë në përvojën e viteve 90-ta edhe sot është i nevojshëm një unifikim apsolut i faktorit politik në Kosovë, edhe faktorit të institucioneve, ta quaj ashtu, për ta arritë qëllimin përfundimtar.

Kryeministri Ramush Haradinaj: Faleminderit Kryetar.

Sa i përket Statusit ka një iniciativë ligjore, ajo ndodhet tani në Parlament, është në fazën e një propozimi, pra koncept-dokumenti.

Mund të ndodhë që do të procedohet më tutje në seancë plenare si Ligj për statusin e delegatëve-deputetëve të vitit 1990.

Nëse kalon nga Parlamenti ne do ta përkrahim si Qeveri, ka një kosto që është modeste, kosto modeste vjetore.

Nëse jo, atëherë mund ta hartojmë ne një ligj, koncept-dokument për Statusin e delegatëve të atëhershëm edhe t’ia kalojmë Parlamentit.

Por, mendoj që është me rëndësi që kjo të ndodhë.

Qeveria e Kosovës, në këtë rast Qeveria që udhëheqi, në vitin që shkoi ka ndërmarrë një veprim të njëherëshëm, po ato nuk janë zgjidhje – këto të njëhershmet, ka qenë një urgjencë ashtu që me e mbulu, ta quajë ashtu, një vakuum të madh kohor pa përkujdesje.

Po shpresoj që do të kalojmë në ligj dhe nuk është ndonjë ngarkesë, po e përsëris është një ngakesë krejt modeste financiare për Kosovën, është më shumë një nderë që ju bëhet kësaj kategorie, që është shumë me rëndësi nderimi i atyre që në momentet kyçe kanë kryer detyrat e tyre në shërbim të vendit. Ju faleminderit!

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari

BOTOHET NË RUMANI “ANTOLOGJIA E POEZISË SHQIPE NGA ZANAFILLA E DERI MË SOT” ME AUTORË LUAN TOPÇIU DHE RENATA TOPÇIU-MELONASHI

June 30, 2023 by s p

Këto ditë doli nga shtypi Antologjia e poezisë shqipe nga zanafilla e deri më sot i autorëve Luan Topçiu dhe Renata Topçiu-Melonashi. Botimi u realizua nga Shtëpisë Botuese A, me financim të Qeverisë Rumune përmes Shoqatës ALAR. Kjo antologji përmban rreth 700 faqe.

Botimi i antologjisë së poezisë shqipe është një ngjarje kulturore për komunitetin shqiptar të Rumanisë, por edhe për letërsinë e kulturën shqiptare në përgjithësi, sepse është antologjia më gjithëpërfshirëse e botuar ndonjëherë në një gjuhë të huaj. “Antologjia e poezisë shqipe” bën pjesë në serinë e veprave të bibliotekës albanologjike në Rumani të ngritur nga ALAR-i. Në të përfshihen 85 autorë, duke filluar me autorë të letërsisë së vjetër shqipe e deri tek poetët më të rinj të ditëve tona dhe mbulon gjithë arealin shqipfolës: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Itali e Jugut dhe diaspora shqiptare kudo që ndodhet. Për çdo autor jepen të dhëna biografike dhe nënvizohet vendi i secilit në poezinë shqipe. Jepen të dhëna për drejtimin letrar të autorit të antologuar si dhe mendime për risitë e sjella në letrat shqipe. Vepra shoqërohet nga një studim hyrës i studiuesit dhe kritikut rumun, Marius Chelaru, kryeredaktori i revistës “Poezia” dhe zv/kryeredaktor i revistës prestigjioze “Convorbiri literare”, të dyja organe të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë.

Antologjia e poezisë shqipe paraprihet nga një tabelë përmbledhëse e ngjarjeve historike dhe letrare më të rëndësishme të Shqipërisë dhe hapet me baladën Kostandini dhe Doruntina, duke u pasuar nga autorët e letërsisë së vjetër shqipe: Pjetër Budi, Pjetër Bogdani. Përzgjedhja e poetëve të antologjisë respekton etapat historike dhe letrare të poezisë shqipe dhe janë përzgjedhur zërat më përfaqësuese të kësaj poezie: Hasan Zyko Kaberi, Nikollë Keta, Lekë Matrënga, Julio Variboba, Jeronim De Rada, Naim Frashëri, Gavril Dara i Ri, Zef Serembe, Andon Zako Çajupi, Gjergj Fishta, Fan Noli, Asdreni, Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Migjeni, Mitrush Kuteli, Esad Mekuli, Petro Marko, Martin Camaj, Bilal Xhaferri, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Fatos Arapi, Dritero Agolli, Kasëm Trebeshina, Ismail Kadare, Trifon Xhagjika, Zef Zorba, Azem Shkreli, Murat Isaku, Luan Starova, Agim Vinca, Vorea Ujko, Xhuzepe Skiro Di Maxhio, Vehbi Skënderi, Arshi Pipa, Ali Podrimja, Robert Shvarc, Xhevahir Spahiu, Niko Kacalidha, Besnik Mustafaj, Ndoc Gjetja, Visar Zhiti, Ndoc Paplekaj, Ilirian Zhupa, Skënder Sherifi, Basri Çapriqi, Xhevdet Bajraj, Kujtim Shalaj, Agim Isaku, Rudolf Marku, Petrit Ruka, Balil Gjini, Preç Zogaj, Skënder Rusi, Skënder Buçpapaj, Resul Shabani, Sabri Hamiti, Frederik Rreshpja, Bardhyl Londo, Natasha Lako, Eqrem Basha, Sali Bashota, Dhimitër Pojanaku, Luljeta Lleshanaku, Shaip Emërllahu, Jamarber Marko, Rita Petro, Arian Leka, Agron Tufa, Mimoza Ahmeti, Ervin Hatibi, Aristotel Spiro, Riza Braholli-Mborja, Ndue Ukaj, Entela Tabaku Sorman, Nurie Emërllahu, Manjola Nasi, Arti Lushi.

“Antologjia e poezisë shqipe nga zanafilla e deri më sot” nuk është vetëm një numër poezish, por një panoramë e gjerë e poezisë shqipe. Përpos anës estetike, ajo e pasuron lëçitësin rumun të poezisë me informacion për poezinë shqiptare, të shkruar, afërsisht, në pesë shekuj në një hartë gjeografike shumë të gjerë dhe shumë më interesante sesa ajo e shkruar në kufijtë e shtetit shqiptar.

Vepra është një përzgjedhje poezish, të cilat, sipas autorëve, konsiderohen përfaqësuese në peizazhin e letërsisë shqipe si dhe për profilin artistik të poetëve të zgjedhur. Si çdo lloj përpjekjeje e tillë në botë, edhe Antologjia e poezisë shqipe nga zanafilla e deri më sot ka njëfarë koeficienti “subjektiviteti”, parapëlqimesh për një autor apo tjetrin, për një aspekt të caktuar të poezisë së antologjizuar. Çdo antologji letrare, nga natyra e saj, duhet të jetë projektive përmes përmbajtjes, por edhe përmes sugjerimeve estetike të propozuara.

Antologjia e poezisë shqipe është një vazhdim i natyrshëm i vëllimit Historia e Letërsisë Shqipe nga zanafilla e deri më sot dhe u drejtohen lexuesve që duan të dinë më shumë për këtë letërsi dhe për jetën shpirtërore të popullit shqiptar. Vetëm së bashku, këto dy libra japin një pamje më të plotë dhe më komplekse të letërsisë shqipe.

Zyra e shtypit ALAR

Bukuresht 29 qershor 2023

Filed Under: Politike

FAMILJA BALAJ FESTOI SHËN PJETRIN E SHËN PALIN

June 29, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 28 Qershor 2023 – Familja patriotike Balaj, mbarë farefisi, kumbarët, miqtë e afërt dhe dashamirësit e familjes festuan festën e dy shenjtorëve më të rëndësishëm të Kishës Katolike, Shën Pjetrin e Shën Palin. Në një ceremoni festive familjare dhe fetare, darka fisnike e familjes Balaj u kthye në një homazh nderimi, lutje, përkujtimi e vlerësimi për familjarët në amshim: Gjon Marku, Zojë Kolja, Gjon Gjeloshi, Lushe Gjonja, Gjelosh Gjoni, Pashke Gjonja, Drande Gjonja, Zojë Dedja, Gjergj Pjetra, Pjeter Gjoni dhe Zef Gjoni. Të larguar, por përjetë në kujtimet e familjes. Nën bekimin e Dom Nikolin Pergjinit, lutja dhe uratët vazhduan për shpirtrat në parajsë të familjarëve Balaj që mungonin fizikisht por jo shpirtërisht në tryzën bujare të familjes patriotike Balaj. David Balaj, Valentin Balaj dhe Ndue Gjeloshi uruan mirëseardhjen dhe falenderuan në emër të familjes Balaj. Në mjediset familjare të “Zuppa Restaurant” tri gjenerata të familjes Balaj festuan deri në mbrëmje vonë një festë fetare e familjare e kthyer në një traditë të veçantë si shenjë bashkimi të familjes e falenderimi ndaj Zotit për të mirat, sukseset dhe bekimet mbi familjen Balaj që i ka dhënë aq shumë komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Familja Balaj ka kontribuar shumë për çështjen kombëtare duke qenë model në komunitet dhe mërgatën e Amerikës.

Vëllezërit Balaj në rrëfimet e tyre kanë treguar se 70 vite më parë në 28-29 Qershorin e largët të vitit 1951, familja pasi ka kremtuar Shenjtët në vendlindje, në Mëzi të Pukës,edhe pse e rrethuar, ka arritur që ta çajë atë dhe ka marrë rrugën e vështirë të arratisjes. Familja e madhe BALAJ, kurrë nuk ka heqë dorë nga festimi i festës së Dy Shenjtëve, edhe në vendlindje, edhe në Kosovë kur u arratisën për t’i shpëtuar përndjekjes komuniste, edhe në Itali ku qëndruan pak kohë, ndërsa në Amerikë festimi ka qenë përherë masiv, me shumë pjesëmarrës. Kisha Katolike e kremton festën e shën Pjetrit e Palit Apostujt çdo vit me 28-29 qershor. Dy Shenjtorët-Apostuj janë Pajtorë të qytetit të Romës. Darka e familjes Balaj ishte një festë e vërtetë fetare e familjare ç’ka tregon rujtjen e traditave shqiptare e fetare në Amerikë por edhe dëshmi e vazhdimësisë fisnike të falenderimit ndaj Zotit e njëri-tjetrin për jetën që jetojnë e çastet që ndajmë çdo ditë me njëri-tjetrin. Familja Balaj si kontributore e vazhdueshme në komunitet, e kudondodhur për të dhuruar e mbështetur patriotët shqiptarë e nismat kombëtare, sidomos Federatën Vatra e Gazetën Dielli, përbën një krenari shqiptare në mërgatën e Amerikës.

Filed Under: Politike

VATRA URON BESIMTARËT MUSLIMANË: GËZUAR KURBAN BAJRAMIN

June 28, 2023 by s p

Të dashur bashkombas të besimit Islam

Më lejoni që në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të familjes sime dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar Kurban Bajramin.

Kjo festë hyjnore qoftë për të gjithë ju e familjet tuaja moment bashkimi, gëzimi, harmonie, lumturie, paqe e dashurie me bekimin e Zotit të gjithëmëshirshëm.

Kjo festë e madhërishme le të na afrojë sa më shumë me Zotin fuqiplotë, me njëri-tjetrin dhe interesin e kombit tonë.

Me fat Kurban Bajrami e me zemër të gëzuar ngahera për çdo familje shqiptare.

Sakrificat në emër të Zotit, familjes e kombit qofshin përherë të bekuara.

Urimet më të përzemërta vëllezër e motra.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Politike Tagged With: Elmi Berisha

#SiSot, më 27 qershor 1944, nisi akti i fundit i tragjedisë së shqiptarëve të Çamërisë

June 27, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Forcat greke garantuan se në rast të dorëzimit të armëve asgjë e keqe nuk do t’u ndodhte shqiptarëve të Çamërisë, gjatë takimit që patën me myftiun, kryetarin e këshillit të bashkisë dhe drejtorin e arsimit të Paramithisë. Me arritjen e këtij pakti verbal, premtimi jo vetëm që nuk u mbajt nga forcat zerviste, por menjëherë pas mbërritjes në qytet, ata masakruan mbi 200 shqiptarë të Çamërisë. Kështu, masakra mbi popullsinë e pambrojtur vazhdoi për ditë me radhë. Gjatë sulmit mbi popullsinë civile, u dëbuan mbi 30 mijë shqiptarë myslimanë dhe u vranë mbi 3 mijë të tjerë. Ndërkaq, poullsia shqiptare ortodokse e Çamërisë u vendos nën terror për të mohuar identitetin duke vrarë parinë e saj e duke i lënë të varur në mes të qytetit për më shumë se tre ditë. Prej vitit 1994, shteti shqiptar e njeh këtë datë si “dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga forcat shoviniste greke”.

Më poshtë, një imazh nga eksodi i popullsisë çame pas vitit 1944, si edhe dokumenti i memorandumit të Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamë drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 25 shtator 1946.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#Çamëria

#AQSH

#FototekaAQSH

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 136
  • 137
  • 138
  • 139
  • 140
  • …
  • 653
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT