• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TERRORIZMI SERB NE VERI TË KOSOVËS

October 9, 2023 by s p

Kolonel Hajro Limaj/

Sulmi terrorist në Banjskë (Serbisht: Napad u Banjskoj) ishte një sulm i armatosur i militantëve serbë kundër njësive speciale të Kosovës që ndodhi në fshatin Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator 2023. Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, të cilit presidentja i dha dekoratën “Hero i Kosovës”, një tjetër u plagos, ndërsa  tre terrprist serbë u vranë nga policia e Kosovës. Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë. Presidenti i Serbisë kishte dijeni për një sulm të paramenduar, duke ndezur tensionet mes dy vendeve ballkanike.

Rebelimi do të shërbente si një pretekst për ushtrinë serbe për të hyrë në Kosovën veriore  për ta justifikuar këtë veprim si mbrojtje të pakicave serbe dhe të trashëgimisë kulturore dhe fetare ortodokse.

Ky ishte një organizim i paramenduar, siç e ka pranuar edhe vetë lideri serb i Kosovës, Radoiçiç. Arsenali masiv i armëve të sekuestruara, mjaftueshëm për të nisur një luftë, vërteton  faktin  dhe vërteton sërish se regjimi i Vuçiçit në Serbi vepron si sponsor shtetëror i terrorizmit dhe punon me pretekste të ngjashme me Putinin për pushtimin e veriut të Kosovës.

Organizator dhe pjesëmarrës i këtij sulmi ishte Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.Për pjesëmarrjen e Radoiçiqit, i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica, ministri brendshëm  ka publikuar edhe një video të incizuar me dron. Më vonë Radoiciq deklaroi se ishte strehuar në Beograd dhe kishte dhënë dorëhejen nga detyra e zvendes kryetarit të partisë.

Fshati i Banjskës që nuk ka më shumë se 50 shtëpi dhe ndoshta nja 200 banorë, të gjithë serbë. 40 mijë serbët e 4 komunave të veriut të Kosovës, për të cilët Serbia kërkon Asosacionin, vazhdojnë të jetojnë në mes të kësaj gryke duke shpresuar se një ditë  do bashkohen me Serbinë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. Si përfundim, sasia e madhe e pajisjeve luftarake të konfiskuara, shumëllojshmëria dhe fuqia e madhe e armëve të zjarrit (ku Policia e Kosovës sekuestroi 24 automjete, 29 granatahedhës, 150 dinamitë shpërthyes, 142 predha mortajash, 75 granata dore, 7 raketahedhës dhe 8 mina antitank) , sniper të kalibrit 12.7 mm, raketat anti-tanke, mitralozët e rëndë 50, mitralozët 40 mm, mjetet e komunikimit, mjetet e vëzhgimit. Në  këtë sulm do të merrnin pjesë rreth 200 ushtarë, si pjesë e fazës së parë dhe  qëndrimi i Vuçiçit e vërtetoi se pas këtyre ngjarjeve fshihet Beogradi. Përmes shpalljes së 27 shtatorit 2023 ditë zie në Serbi për terroristët e vrarë, Vuçiqi deklaroi  se ata morën nderime ngaqë u vranë në detyrë, të cilën ai dhe shteti serb ua ngarkoi. Serbia akomodoi dhe u dha trajtim shëndetësor terroristëve, të cilët morën pjesë në vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe sulmin në veri të Kosovës.

Është fitorja e mirëfilltë e policisë dhe shtetit të Kosovës, në një situatë që askush nuk mund ta parashikonte. Kosova tregoi se është e aftë të mbrojmë shtetin në atë situatë, pas një agresioni të mirëfilltë të shtetit serb. Axhenda ka qenë  politike dhe logjistike. Ajo kërkon realitete të reja politike, të merrnin kontroll mbi territorin. Sulmi i ngjanë aneksimit të Krimesë, i barabartë me ngjarjet e Kroacisë dhe Bosnjes.

Vucicit iu rrit  shumë oreksi sa më shumë që faktorit perëndimor i mbyllen sytë përball akteve të tij kriminale në drejtim të Republikës së Kosovës. Koha na tregoi se heshtja është hapi që i paraprin zhurmës së armëve apo bombave të terroristëve dhe kjo duhet të parandalohet sa më parë duke reaguar dhe vepruar në mënyrë të prerë.

Perëndimi duhet të punojë në forcimin e sovranitetit të Kosovës, të heqë dorë nga ‘marrëzia’ siç është realizimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta detyrojë Serbinë të heqë dorë nga irredentizmi. Çështja nuk është ajo që duket si një kompromis i drejtë në letër, por si do ta përdorë Serbia një entitet të tillë në praktikë. Në praktikë, Serbia mbetet e përkushtuar ndaj politikës nacionaliste të rimarrjes së Kosovës, kështu që çfarëdo autonomie institucionale për serbët në Kosovë do të ndërtohej në atë mënyrë derisa të krijohet brenda shtetit të Kosovës, një shtet irredentist serb, që do të përdorej për ta përmbysur tërë Kosovën ose për ta copëtuar atë.

Filed Under: Politike

At Artur Liolini përcillet me nderim dhe dhimbje nga shqiptarët e Amerikës

October 7, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Përcjellja me nderime e At Artur Liolinit sot nga Kisha Ortodokse Shqiptare e Shën Gjergjit në Boston iu kushtua “shërbestarit të Zotit dhe të komunitetit’ që mbeti i tillë deri në fund të jetës së tij. At Arturi “ e mishëronte fjalën e Perëndisë në jetën e përditshme shërbestare” sic tha Peshkopi Nikodhim në meshën e liturgjisë mbajtur për të.

Figurë e njohur dhe e respektuar e Kishës Ortodokse dhe komunitetit shqiptaro-amerikane, At Artur (Liolin) mbante titullin e Kancelarit të Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë nga viti 1975, vetëm pesë vjet pasi ishte dorëzuar prift. Në 2020 atij ju dha tituli Emeritus nga Kryepeshkopata Shqiptare për nderim të 50 viteve përkushtimi ndaj kishës. Gjatë viteve të shërbimit, At Arturi u kujdes per gjallërimin shpirtëror dhe veprimtaritë e komunitetit shqiptar. I apasionuar pas studimeve teologjike, ai respektohej për erudicionin dhe shpirtin e tij humanist.

Prindërit e tij kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara nga Boboshtica e Korçës dhe familja Liolin jetonte në Nju Jork në fillimet e shekullit 20. I ati ishte mik i afërt me Fan Nolin, krijuesit të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqiperisë, Fan Noli, dhe fëmijët adhurues të tij.

Anëtarëve të familjes Liolin, të bashkëshortes Margarita, vajzave, djalit, vëllait Jimmy, ju shprehën ngushëllime anëtarë të komunitetit, shumë përfaqësues të shoqatave, aktivistë e besimtarë. Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra u vendos një kurorë me lule pranë trupit të At Liolinit në Kishën e Shën Gjergjit me anë të delegacionit të përbërë nga kryetari Elmi Berisha, Kryetari i Nderit Agim Rexhaj, Arkëtari Besim Malota, Shefi i Kabinetit Dr. Pashko Camaj, Editorja e Anglishtes Rafaela Prifti dhe Petrit Alibeaj nga Bostoni. Në fjalën e tij kryetari Elmi Berisha shprehu keqardhjen e vatranëve për ndarjen nga jeta të At Arturit si një “humbje shumë e thellë për të gjithë ne sepse mbi supet e tij ai ka mbajtur një trashëgimi, një kulturë, një ndjenjë shpirtërore dhe njerëzore që është përcjellë nga vetë Fan Noli.”

Pas përfundimit të liturgjisë, procesioni i makinave shkoi për në varrezat Forest Hills. Mbi trupin e tij u thanë lutjet e Peshkopit Nikodhim. Pjesëmarrësit u ftuan ta nderojnë duke e përcjellë me një lule mbi arkivol nën tinguj muzike të përzgjedhura nga vetë At Liolini. Ai pushon pak hapa më tej vendpushimit të fundit të Fan Nolit.

Filed Under: Politike

Protokolli diplomatik i një bandustani

October 7, 2023 by s p

Shaban Murati/

Nëse doni të kuptoni degradimin e dinjitetit shtetëror mjafton të shikoni foton e publikuar nga ATSH për bisedimet e zhvilluara në 6 tetor në kryeministri midis ministrit të jashtëm të Greqisë G.Gerapetritis dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i jashtëm i Shqipërisë. Në tavolinën e bisedimeve janë ulur përballë njeri-tjetrit dy delegacionet e dy qeverive, siç zhvillohen bisedimet e niveleve të njejta në protokollin diplomatik ndërkombëtar.

Cila perëndi greke e Olimpit zbriti në kryeministri, që duhej nderuar përtej prokollit sa të uleshin me përunjësi përballë saj dyshja më e lartë qeveritare e Shqipërisë, kryeministri dhe ministri i jashtëm? Si mundet kryeministri i Shqipërisë të zhvillojë bisedime zyrtare delegacionesh me një rang më të ulët se posti i tij, në një kohë kur sipas protokollit shtetëror dipomatik ai mund ta takonte ministrin e jashtëm grek duke qendruar në dy kolltukë apo karrike të ndara anash njeri tjetrit, por kurrsesi të zhvillonte bisedime zyrtare delegacionesh dypalëshe me të. Nuk po bëjmë pyetjen tjetër se përse kryeministri i Shqipërisë zhvilloi bisedime dhe priti në zyrën e tij vetëm ministrin e jashtëm grek dhe nuk priti as ministren e jashtëme të Gjermanisë dhe asnjë nga 24 ministrat e jashtëm, që ndodheshin në Tiranë në 6 tetor për mbledhjen e ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor në kuadrin e “Procesit të Berlinit” të drejtuar nga Gjermania. Nuk po bëjmë as pyetjen tjetër se çfarë do të bëjë më tepër protokolli i fandaksur kryeministror kur të vijë në Tiranë kryeministri grek.

Ministri i jashtëm i Greqisë ka për homolog ministrin e jashtëm të Shqipërisë dhe me atë ka tagrin që të zhvillojë bisedime dyalëshe. Ndoshta Shqipëria, që ende nuk ka kuptuar se ç’është dinjiteti i shtetit, ndjek manualin diplomatik të bandustanit, kur i pari i fisit ka monopolizuar gjithçka, dhe është bërë si xholi që hyn kudo vend e pa vend. Kryeministri i Shqipërisë e ka bërë praktikë këtë shkelje protokollare diplomatike, sepse një skandal të tillë e ka bërë në 8 janar 2021 kur në mënyrën më antidiplomatike shkon në selinë e ministrisë së jashtëme greke në Athinë dhe zhvillon atje bisedime dypalëshe me ministrin e jashtëm grek Dendias. Në librin tim “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” kam shkruar lidhur më këtë: ”Asimetria e nivelit të bisedimeve tregon se si do t’i nënvleftësojë Greqia çeshtjet e hapura me Shqipërinë”. Në një situatë të tille shtrohet çështja nëse është Shqipëria, që i nështrohet si shtet raja protokollit fyes grek, apo është profanizmi diplomatik i kryeministrit të saj.

Mirë e bënë turpin diplomatik dhe personal, duke zhvilluar bisedime një ministër grek me dyshen qeveritare kryeministër dhe një ministër shqiptar, por si kanë faqe dhe ia bëjnë të njohur publikut këtë dëshmi të re të uljes së dinjitetit të Shqipërisë. Dhe kur sheh se si shtiret bandustani si shtet, kupton pse “bota qesh, dhe bota tallet” me ne.

Filed Under: Politike

Kosova është më e rëndësishme se “vëllazëria” e Ramës me Vuçiçin

October 5, 2023 by s p

Sokol Paja/

Situata e sigurisë kombëtare në Republikën e Kosovës shqetëson në mënyrë të veçantë Kosovën, Shqipërinë, shqiptarët kudo në Ballkan e mbarë rajonin. Serbia me sulmin terrorist të organizuar në Leposaviq tregoi dhe një herë se jo vetëm që nuk do paqe, por kërkon tokë shqiptare e gjak shqiptarësh. Edhe pse kanë kaluar afro dy dekada e gjysmë nga lufta e Kosovës, në Serbi, lidershipi i atjeshëm politik me në krye Presidentin Vuçiç dëshmoi vazhdimin e ideologjisë ekspansioniste, të krimit e terrorit të Millosheviçit kundër shqiptarëve. Koha ka evoluar por në Serbi duket se ka mbetur e njëjta. Të njëjtët njerëz primitiv në pushtet, e njëjta filozofi, e njëjta urrejtje ndëretnike e njëjta frymë e njëjta ideologji. Serbët duan luftë. Kurrë nuk mund të ndërtosh paqe me dikë që kërkon luftë. Bandat kriminale serbe në veri të Kosovës janë asgjë më pak veçse një tejzgjatje e regjimit terrorist të Beogradit.

Në këtë moment delikat kur Europa ia ka kthyer shpinën Kosovës në favor të Serbisë, shteti shqiptar duhet ta tregojë veten në mbështetje të pakursyer për Kosovën. Të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, bota akademike, media e institucionet fetare duket ti dalin në mbrojtje Kosovës. Sot, nesër do të jetë shumë vonë. Si fillim kryeministri Rama duhet të kuptojë që “vëllazëria” me Vuçiç përveç se një thikë pas shpine ndaj Kosovës, është gabimi fatal i Ramës ndaj gjysmës së kombit tonë në Dardani. Vëllezërit e motrat tona në Kosovë vlejnë më shumë se gjithçka e çdo gjë tjetër. Rama duhet të heqë dorë menjëherë nga përkëdhelja e Vuçiç e të ketë primare ndihmën shtetërore për Kosovën.

Deklaratat e Ramës që KFOR të marrë në mbikëqyrje veriun e Kosovës janë cenim sovraniteti pasi Kosova është Republikë me institucione fuqiplota, garante të ligjit e Kushtetutës brenda territorit. Deklaratat e papërgjegjshme të Ramës e kanë dëmtuar edhe më shumë situatën në Kosovë.

Kryeministri Rama duhet të shkëputet një herë e përgjithmonë nga “vëllazëria” me kriminelin Vuçiç dhe në bashkëpunim me lidershipin politik e opozitën e Kosovës të përgatisë një draft të konsultuar me ekspertë ndërkombëtarë dhe të padisin Serbinë në Gjykatën e Hagës për krimet shfarosëse dhe gjenocidin e kryer në Kosovë. Me planin për aneksimin e veriut të Kosovës, Vuçiç tregoi se është vazhdues besnik i Millosheviçit. Nuk do ketë kurrë paqe në Ballkan pa u dënuar Serbia e kriminelët serbë. Dënimi i krimit sjell paqe, siguri e stabilitet në Ballkan e më gjërë. Kosova sot s’ka nevojë për deklaratat prej lideri global të Ramës por për një plan konkret diplomatik të veprimit. Kosova duhet të qëndrojë mbi interesat personale të politikanëve e kalkulimeve elektorale të politikës së ditës. Kosova ka nevojë për miqtë amerikanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë siguria dhe garancia e vetme e kombit shqiptar në Ballkan.

Është e tmerrshme dhe e pafalshme për shtetet tona Kosovë e Shqipëri, qytetarët dhe kombin shqiptar fakti që kriminelët e Serbisë shëtisin të lirë nëpër Europë, ndërsa luftëtarët, çlirimtarët dhe heronjtë e luftës së pavarësisë së Kosovës gjenden pas hekurave në Hagë. Kjo padrejtësi historike dhe maskaradë e shëmtuar duhet të marrë fund. Prijësit e UÇK dhe luftëtarët e Kosovës nuk janë kriminelë, ata janë heronj lirie. Lufta e UÇK është pjesa më e lavdishme e historisë moderne të kombit tonë.

Diplomacia shqiptare duhet të ndryshojë kah, kombi dhe shtetet tona duhet të jenë të bashkuar dhe të unifikuar me një strategji më të fuqishme lobuese ndërshtetërore. Kosova dhe Shqipëria duhet të veprojnë si një e tërë, e përbashkuar dhe e pa ndarë, siç është populli ynë, kombi jonë, historia, dhimbja e vuajtja jonë. Bashkë jemi më të fortë dhe të pa thyeshëm. Armiku dhe rreziku janë pas portës…

Filed Under: Politike

Një libër që hedh dritë mbi rrezikun rus

October 4, 2023 by s p

Image result for Beqir Meta. Size: 170 x 185. Source: www.zeri.info

Akademik Prof.dr. Beqir Meta

Një libër që hedh dritë mbi rrezikun rus

Prof. Eshref Ymeri: Shqiptarët përballë 

politikës rusomadhe

Libri i fundit i Profesorit dhe intelektualit të mirënjohur e të përkushtuar atdhetar Eshref Ymeri, është një dritare e re dijeje për lexuesin shqiptar, madje e një dijeje që inteligjencies dhe kombit tonë i duhet aq sa dhe drita e diellit. 

Profesori i nderuar, në një sërë artikujsh historiko-politologjikë, ka analizuar politikën rusomadhe kundrejt Çështjes dhe Kombit Shqiptar, duke i nisur analizat e tij qysh nga periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe duke i vijuar deri në ditët tona. Në këtë botim shumëdimensional, autori nuk vjen rastësisht, por ai është vijim i një pune të madhe, të zhvilluar prej tij përmes hulumtimeve në literaturën ruse e perëndimore, por jo vetëm, dhe në hulumtimet e dokumenteve historike që vijnë nga arkivat ruse, një pjesë të të cilave ai ka meritën se i ka sjellë në shqip për lexuesin shqiptar, së bashku me Dr. Islam Laukën.Kjo përmbledhje me artikuj, të shkruar në kohë të ndryshme, shquhet për analizën konsistente dhe të qartë të politikës ruse kundrejt shqiptarëve, duke zbuluar me mprehtësi konstanten e saj antishqiptare, qysh nga mesi i shek. XIX deri në ditët tona. 

Prof. Ymeri provon me argumente shkencore se kjo politikë lidhet me ambiciet e pandryshuara ruse për të sunduar kontinentin evropian. Prandaj, një meritë e veçantë e këtij botimi është pikërisht zbulimi se politika antishqiptare e Kremlinit është degëzim i politikës imperialiste ruse kundrejt Evropës. 

Në këtë kontekst, ai na ka sjellë në një trajtë shkencore, por po kaq edhe letrare, thelbin e kësaj politike, të cilën e pagëzon si politika e pabesë e Rusisë kundrejt Evropës. Ai provon përmes postulateve të Carëve rusë, Leninit, Stalinit dhe së fundmi veprimeve të Putinit dhe taborit të tij, se boshti politik dhe gjeopolitik agresiv i Rusisë nuk ka ndryshuar prej disa qindra vjetësh.

Ky është një përfundim që Prof. Ymeri e kishte arritur para luftës kriminale të Putinit kundër Ukrainës, çka i jep vlerë të spikatur mendimit të tij shkencor. Kjo del në pah aq më tepër kur qeveri, burra shteti dhe politologë evropianë perëndimorë, pas viteve 1990, për shumë kohë u gabuan e u mashtruan nga loja, pabesia e dinakëria ruse, duke shpallur përfundimin e Luftës së Ftohtë, pa e kuptuar se ajo vetëm kishte ndryshuar mantelin ideologjik-propagandistik, dhe jo vetëm që nuk kishte përfunduar, por kishte premisat të përshkallëzohej në një luftë të nxehtë, ashtu siç e shohim sot me dhimbje e ankth, kur bombat ruse godasin një popull liridashës, fqinj dhe evropian – ukrainasit heroikë. 

Autori sjell fakte dhe analiza të shumta për qëndrimin e Rusisë kundër të drejtave legjitime shqiptare qysh gjatë Kongresit të Berlinit, Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, Luftës I Botërore, Luftës së Ftohtë dhe veçanërisht për qëndrimin armiqësor ndaj Kosovës, duke u vënë me forcë në mbrojtje të dhunës, shtypjes dhe krimeve të shovinizmit dhe shtetit serb kundër shqiptarëve. Ai nënvizon se “ajo që ka rënë  më shumë në sy në qëndrimin e Kremlinit, është histeria mbarëruse kundër mbarë kombit shqiptar edhe pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Të gjitha mjetet e informimit masiv u vunë tërësisht në shërbim të ndezjes së urrejtjes kundër gjithë shqiptarëve, në mbarë trojet e tyre etnike”. Dhe se traditën shoviniste të shtypit  të kohës së Rusisë cariste në shtrembërimin e së vërtetës për krimet serbo-bullgare, përkatësisht kundër etnisë shqiptare dhe turke në vitet 1912-1913, po e vazhdojnë sot me të njëjtin zell shtypi dhe mjetet e informimit pamor të Rusisë neocariste, e cila, në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, nuk ka lëvizur as edhe një grimë nga piketat e shovinizmit rusomadh.

Eshref Ymeri, duke shfrytëzuar  burime të shumta në gjuhën ruse, me të cilën fatkeqësisht sot punojnë pak dijetarë shqiptarë, sjell edhe një histori reale, interesante, ndonëse të trishtë, të raporteve të shtetit rus me popujt fqinj, të cilat dominohen  nga dhuna ndaj tyre, nga komplotet, frikësimi, lufta përçarëse dhe nënshtrimi. Një vend të posaçëm ai u kushton raporteve ruso-ukrainase, ku evidenton rrënjët e konfliktit prej qindra vitesh më parë, dhe shpjegon se si Rusia e tradhtoi paktin e parë të miqësisë midis dy popujve. Por njëkohësisht ai ka analizuar edhe karakterin liridashës qindravjeçar të popullit ukrainas, si dhe pasojat e rënda që kishte sjellë degradimi i institucioneve demokratike para revolucionit në sheshin Majdan, degradim i nxitur edhe nga Rusia. Ai pohon se “kur  oligarkia ukrainase pasurohej në një mënyrë marramendëse, dikush tjetër do të varfërohej në një mënyrë po kaq marramendëse”. Dhe ata që varfëroheshin ishin njerëzit e thjeshtë. Ky korrupsion, i nxitur nga Kremlini me veglat e tij, ishte parapërgatitje e pushtimit. Gjithashtu, ai jep shembuj të shumtë, si Kaukazi, Çeçenia, Gjeorgjia, vendet Baltike, Polonia, Moldavia, etj., të cilat kanë qenë viktima të shovinizmit rusomadh dhe mbeten ende nën kërcënimin e tij, duke na hapur sytë për trajektoren e pandryshueshme historike qindravjeçare të imperializmit rus dhe të rrezikut që përfaqëson ai për Evropën dhe mbarë paqen botërore. Nga ana tjetër, në këtë botim analizohet dhe argumentohet se luftën kundër popullit paqësor ukrainas, Putini po e përdor edhe si një mjet gjenocidi kundër pakicave kombëtare të shtetit rus. Ai nënvizon se “ajo që ka rënë shumë në sy pas sulmit të 24 shkurtit, janë skenat e mobilizimit të njerëzve nga radhët e pakicave kombëtare, për t’i dërguar në “thertoret” e Ukrainës”.

Duke i bërë një analizë koherente politikës ruse, bazuar në të drejtat dhe interesat legjitime shqiptare, prof. Ymeri, njëkohësisht, ka bërë dhe një analizë koherente, bazuar në parimet, vlerat dhe interesat evropiane dhe perëndimore. Kjo është një vlerë tjetër themelore e botimit, i cili ka theks sa shqiptar, aq edhe properëndimor e demokratik. Prandaj nga ky libër na vijnë mesazhe e mësime të shumëfishta, polivalente, që janë një vlerë e shtuar për letërsinë historiko-politike shqiptare. Ёshtë me shumë vlerë përfundimi i tij se “politika ruse, me një traditë të kahershme pabesie në strukturimin e vet, idenë e përçarjes që kërkon të mbjellë mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka shndërruar në një ide fikse”. Se politika ruse e pabesisë, e programuar dhe e ushqyer disa shekuj nga diktatorët që Rusia ka pasur në krye, e ka bërë punën e vet dhe “me kalimin e kohës, kjo lloj politike vjen e infekton mbarë popullin, duke u shndërruar në pjesë përbërëse të formimit të tij botëkuptimor”.    

Dhe bash në qendër të këtij kërcënimi ogurzi, Prof. Ymeri, provon se është kombi shqiptar, i cili ka qenë vlerësuar, vlerësohet dhe do të vijojë të vlerësohet nga politika cariste e neocariste ruse, si pengesë për shtrirjen e tentakulave dhe dominimit në Mesdhe, mu në zemër të Evropës, si ndërprerje e linjave të kontinuitetit të popujve sllavë dhe ortodoksë, të cilët Kremlini i llogarit ende si ushtarë të aspiratave imperialiste ruse. Ai vërteton se si në të kaluarën, ashtu edhe në ngjarjet e fundit, Rusia përbën një armik të rrezikshëm të kombit shqiptar, të aspiratave të tij legjitime për prosperitet, liri, demokraci, bashkim kombëtar dhe bashkim me familjen evropiane. Kjo analizë dhe faktet që sjell ai në këtë botim të thukët, me frymë sa realiste e objektive, po aq kombëtare dhe evropiane, na bëjnë të mendohemi thellë, për këtë rrezik potent dhe konsistent.

Faktet dhe argumentet që sjell autori, sugjerojnë medoemos rishqyrtimin dhe  analizën kritike të politikës ruse, veçanërisht të ngjyrave mashtruese që ajo ka marrë në periudha të ndryshme, duke ruajtur gjithnjë thelbin e saj antishqiptar dhe antievropian. Profesori ka argumentuar se pikërisht në dy periudha – atë komuniste dhe periudhën e tranzicionit postkomunist, forma mashtruese e kësaj politike gaboi rëndë jo vetëm politikanët xhahilë komunistë shqiptarë, por edhe dijetarë të atëhershëm e të sotëm shqiptarë dhe evropianë, të cilët sot fërkojnë sytë nga tmerret që kanë shkaktuar në Ukrainë bombat ruse, duke ngjallur makthet e luftërave të mëparshme botërore, që shkrumbuan qytetërimin evropian dhe atë botëror.

       Përmes fakteve e analizave, ky libër i bën thirrje ndërgjegjes së çdo shqiptari  të vërtetë: kujdes, vigjilencë, një milion herë vigjilencë, rreziku rus është atje, i egër, gjakatar, mbytës, kriminal, si një qen i gatshëm të na kafshojë! Kush është shqiptar i vërtetë e me ndërgjegje të formuar, e përjeton thellë këtë kushtrim. Kush nuk e ka ende të plotë këtë bindje e ndërgjegje (dhe, fatkeqësisht, ka ende shumë të tillë, për një mijë arsye), lipset ta lexojë me vëmendje, por edhe me zemër këtë libër, që një ditë të mos pendohet për pasojat e miopisë së tij. 

Ky libër na hap sytë se Rusia, për  interesat e saj fashiste e shoviniste, ka shtrirë tentakulat në Ballkan, por edhe në Shqipëri, duke sponsorizuar e nxitur fenomene negative të shoqërisë, faktorë destruktivë e shpërbërës të kombit e të shtetit shqiptar si: korrupsioni, veçanërisht në nivelet e larta shtetërore, korruptimin e qarqeve të caktuara politike, ku ajo ka pasur e do të ketë mundësi, ka nxitur tendencat e rrymat antidemokratike, tendencat antiamerikane e antiperëndimore në Shqipëri, etj. Prej veprimtarisë së saj të hapur dhe të nëndheshme, ose asaj që sot quhet luftë hibride, rrezikohet edhe vetë qenia e shtetit kombëtar shqiptar dhe pavarësia kombëtare, Kosova dhe gjithë  shqiptarët në trojet e tyre etnike.

Nga ana tjetër, në këtë botim analizohet edhe dobësia e këtij shteti agresor dhe autori pohon se “Ukraina e ndihmoi Aleancën e Atlantikut të Veriut të çlirohet një herë e mirë nga iluzioni për “fuqinë e madhe ushtarake” të Rusisë”.

Prof. Ymeri ka analizuar me mprehtësi edhe zhvillimet e brendshme në Rusi, shkallën e zhvillimit të popullit rus, profilin e tij mental, strukturën e tij social-kulturore dhe ndërgjegjen e tij politike në shekuj dhe në ditët tona. Larg çdolloj tendence populiste, propagandistike e ideologjike, ai e pohon troç dhe saktë: ky popull, i indoktrinuar me ndjenjën imperialiste rusomadhe, me shkallën e zhvillimit politiko-shpirtëror e social që ka, është bazament i regjimeve autoritariste e totalitariste dhe njëkohësisht edhe mbështetës i politikanëve dhe politikave imperialiste, agresive, luftërave dhe një rrezik për Evropën, që ajo të përjetojë fatkeqësi të reja. Veçanërisht ai ka nxjerrë në pah, përmes fakteve relevante, orientimin dhe frymën dominuese antiperëndimore (anti SHBA, anti BE dhe anti NATO) të opinionit rus, duke vënë në spikamë rrezikun e madh që i kanoset Evropës nga ky shtet në ditët e sotme, por edhe për shumë kohë në të ardhmen. Ai shkruan me saktësi se “Duke pasur parasysh këndvështrimin mitik të popullit rus ndaj pushtetit, vjen e krijohet një situatë e tillë, në të cilën etatizmi merr sipërinë, domethënë interesat e shtetit janë gjithmonë mbizotëruese në raport me interesat e individit. Por një gjë e tillë është e pamundur të arrihet pa shfaqje të qëndrimeve të egra ndaj individit. Sepse pushteti gjithmonë është autoritar”. 

Ai vë në dukje se ky profil antropologjik, i bashkuar me urrejtjen dhe armiqësinë konstante disashekullore kundër Perëndimit, me ndjenjat pushtuese perandorake ndaj popujve të tjerë, me të cilat është ushqyer ky popull, përbëjnë një bazë solide kryesore për politikën imperialiste agresive ruse, si në të kaluarën, ashtu edhe sot.            

Për shkak të jetës së gjatë nën regjimet autoritariste e totalitariste, për shkak të mbizotërimit të kultit të individit, në shoqërinë ruse është gjallëruar kultura e qëndrimit nihilist ndaj mendimit ndryshe, dhe mendësia perandorake përbën karakterin specifik të raportit të rusëve me bazueshmërinë (themeltësinë) e pushtetit. Gjatë shekujve, rusët janë vetëdijësuar për natyrën parësore të bashkësisë (komunitetit) dhe natyrën dytësore të individit.

Një vlerë të veçantë kanë analizat për natyrën shovene të disa prej shkrimtarëve rusë, duke përfshirë edhe shkrimtarët e mëdhenj, si Pushkini, Dostojevski dhe Sollzhenjicini, madje duke na zbuluar në mënyrë befasuese me argumente se ky i fundit ka mbajtur një qëndrim të spikatur antishqiptar edhe kundër popullit të Kosovës dhe lirisë së tij, por edhe kundër demokracisë, duke përkrahur regjime kriminale, si ai i Pinoçetit në Kili. Me pak fjalë, Profesor Ymeri na zbulon botën e brendshme ruse, me politikanët, shkrimtarët, sociologët, politologët, historianët dhe, në përgjithësi, intelektualët e saj, duke nënvizuar se pjesa më e madhe dhe më me ndikim e tyre, është zhytur në llumin e shovinizmit  rusomadh dhe i shërben atij pa ndërgjegje, pra, është një inteligjencie e vdekur moralisht, mendërisht dhe shpirtërisht. Profesor Ymeri zbulon edhe shkakun e kësaj anomalie me pasoja të rënda politike për Rusinë dhe botën. Duke ju referuar studiuesit të shquar amerikan David Satter, ai nënvizon se “pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, në horizontin e jetës ruse nuk u shfaq ndonjë elitë e re. Shumica dërrmuese e elitës së vjetër, pa pasur pothuajse asnjë pasojë, erdhi e u sistemua në një tjetër rend shoqëror, madje me më shumë privilegje se në periudhën e sistemit komunist sovjetik…. Nga ky këndvështrim, problemi shtrohej jo për faktin nëse Rusinë e priste ose jo degradimi, por për faktin se cilat do të ishin shfaqjet e atij degradimi”.

      Në përfundim dua të theksoj se vlerat dhe mesazhet e këtij botimi janë të shumta. Unë thjesht u përpoqa të veçoj disa prej tyre. Prandaj përgëzoj dhe falënderoj nga zemra Profesor Eshref Ymerin për këtë kontribut me shumë vlerë për lexuesin shqiptar.

——————–0——————–

Filed Under: Politike Tagged With: Akademik Beqir Meta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 135
  • 136
  • 137
  • 138
  • 139
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT