• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS NË TRI KOHË

December 27, 2022 by s p

Mr. sc. Bedri ZYBERAJ
Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës
drejtor ekzekutiv

Hyrje

Sot pothuajse për secilin që ka një rezon minimal të analizës dhe gjykimit racional për proceset historike të zhvillimit të Kosovës, dëshmitarë të së cilës kohës jemi pothuaj çdonjëri prej nesh këtu, është bërë krejtësisht e qartë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte një realitet i domosdoshëm ushtarak dhe politik e cila tanimë është deponuar si e tillë në thesarin e historisë sonë më të re.
Kjo ushtri është themeluar në një kohë mjaft të vështirë dhe, për disa vjet rresht, derisa nuk filloi lufta e hapur, ka qenë e detyruar që të veprojë në rrethana jashtëzakonisht të vështira dhe të mundimshme.
Në rrethana, po ashtu të vështira dhe të mundimshme, ka qenë e detyruar ta zhvillojë edhe luftën, pas përfundimit të së cilës, për shkak të trysnisë politike, brenda një kohe shumë të shkurtër, saktësisht më 19 shtator të vitit 1999, detyrohet të transformohet në një strukturë të re, që e dimë se është quajtur Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK) e që dhe kjo, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, do të shuhet. Vini re! Do të shuhet.
Do të shuhet e jo do të transformohet nga TMK në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) që, kundruar nga këndvështrimi politik, nuk është e njëjta gjë, me atë procesin e mëparshëm të transformimit të UÇK-së në TMK.
Por a përmbyllet i gjithë kapitulli i historisë së kësaj ushtrie pas transformimit të saj në TMK dhe shuarjes së TMK-së më vonë?
Jo.
Para se të shpalos disa çaste të fazave nëpër të cilat ka kaluar historia e krijimit, e zhvillimit dhe e shuarjes së kësaj ushtrie (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), më duhet ta vë në pah se ajo (UÇK-ja), si e tillë, me luftën që ka bërë, paraqet kurorëzimin e përpjekjeve të shqiptarëve për çlirim nga ish-Jugosllavia e të gjitha formave të rregullimit të saj (monarkiste, republikane, moniste, pluraliste etj.).
Për mendimin tim, e gjithë historia e zhvillimit dhe e luftës që ka bërë kjo ushtri ka kaluar nëpër tri faza, që e kanë karakterizuar me vështirësi të shumta dhe dinamikë, po ashtu të shumtë, në përmbajtje dhe heroizëm e diplomaci në veprim, për një periudhë mjaft të shkurtër (rreth pesë vjet) të ekzistencës së vet.
Me këtë rast nuk duhet harruar as parahistorinë e saj por që, duke pasur parasysh natyrën e këtij tubimi shkencor, nuk mendoj se është e nevojshme të lëshohem në një analizë të hollësishme të asaj periudhe, për arsyen e thjeshtë, se UÇK-ja, mendoj unë, është e rëndësishme jo për atë që i ka paraprirë formimit të saj, por më shumë, jetësisht më shumë, për atë që ka qenë gjatë ekzistencës së vet dhe për efektet që ka prodhuar në saje të asaj ekzistence.
Megjithatë, fare shkurt do të mund të thuhen në këtë rast disa fjalë edhe për këtë periudhë.
Nëse për demonstratat e vitit 1981 mund të thuhet se nxorën në skenë çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, UÇK-ja me luftën e saj imponoi domosdonë e zgjidhjes së një pjese të kësaj çështjeje, atë të Kosovës.
Po cilat ishin fazat nëpër të cilat ka kaluar historia e kësaj ushtrie?

Faza I

UÇK-ja është themeluar më 17 nëntor 1994.
Ky ishte një akt, ndërsa themelimi dhe organizimi i kësaj ushtrie ishte një proces që ka parahistorinë dhe historinë e vet.
Mund të thuhet kështu, sepse akti i themelimit të UÇK-së nuk mund të trajtohet si një moment i izoluar nga koha pararendëse dhe paskoha që i vjen kësaj date.
Akti i themelimit të UÇK-së është rezultat i një historie më të gjatë dhe ka një sfond politik dhe kombëtar të krijimit të vet.
Po cili ishte ky sfond politik në të cilën u krijua kjo ushtri?
Shtrirja e këtij sfondi në thellësi kohore tangon dhe mesjetën, por atë vetëm përmes ideve të Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve. Por, formësimin e saj embrionale duhet kërkuar te kjo Rilindje e këtej, e sidomos pas vitit 1913, kur kishte përmbyllur punimet Konferenca e Ambasadorëve në Londër dhe pjesën më të madhe të trojeve shqiptare, përfshi dhe Kosovën, e kishte shkëputur nga trungu amë.
Por, le të kthehemi tek e djeshmja e afërt.
Rreth një dekadë pas demonstratave të vitit 1981 filloi të ndihet më e afërt fryma e një ndryshimi, jo vetëm në ish-Jugosllavi, por gjithandej Evropës Lindore.
Pikërisht në prag të jetësimit këtij ndryshimi, hegjemonizmi serb ia del t’i imponojë ndryshimet kushtetuese të cilat, shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti, ua rënduan më shumë jetën politike dhe shoqërore. Pas aprovimit të këtyre ndryshimeve dhe në saje të tyre jeta institucionale u paralizua pothuajse plotësisht.
Ndryshimet kushtetuese të cilat, pavarësisht prej vullnetit të popullsisë që të mos lejoheshin (por jo dhe të politikës dhe një pjese të inteligjencës sonë të asaj kohe), u formalizuan në mbledhjen e Kuvendit të KSA të Kosovës më 23 mars 1989 e pas një jave, më 28 mars 1989, në Kuvendin e RS të Serbisë, në Beograd. Për shqiptarët e Kosovës këto ndryshime shënuan regresin më të madh që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Me anë të tyre KSAK-së iu mor edhe ajo shtetësi e paktë që e kishte deri në këtë kohë.
Okupimi klasik i cili pasoi këto zhvillime politike rezultoi me përjashtimin e shqiptarëve pothuaj nga të gjitha sferat e jetës politike dhe institucionale. Ata, që të mos i nënshtroheshin këtij okupimi, filluan të bëjnë një lloj organizimi paralel të jetës politike (organizimi në parti dhe shoqata të ndryshme) dhe, pse jo, edhe institucionale (këtu duhet pasur parasysh sidomos shkollimin e të gjitha niveleve dhe shëndetësinë), por që koha me rrjedhën e vet po e dëshmonte se nuk ishte e mjaftueshme për të ardhur deri te çlirimi, përkatësisht deri te liria e plotë e tyre, të cilën e kishin aspiruar me dekada, prej kohës së ndarjes nga trungu amë, më 1913 e këtej.
Përveç organizimeve politike legale, të cilat monitoroheshin pothuaj plotësisht nga shteti i Jugosllavisë së asaj kohe e sidomos nga Republika e Serbisë që në këtë kohë e kishte instaluar kontrollin mbi çdo pore të jetës së shqiptarëve, për fat të mirë, kishte edhe organizata të fshehta antipushtuese që kishin një përvojë më të gjatë veprimi në këtë mënyrë. Të tilla ishin sidomos LPK dhe LKÇK.
Pikërisht në një sfond të këtillë politik, kombëtar dhe shoqëror, lindi UÇK-ja, në saje të një vendimi të LPK-së të datës 17 nëntor 1994, në mbledhjen e Kryesisë së saj, në Arau të Zvicrës.
Kjo datë paraqet pikënisjen e fazës së parë të kësaj ushtrie.
Sprova kryesore që do ta përshkojë këtë fazë mund të përmblidhet me dy fjalë: A do të mund të bëhej ushtria?
Për t’u realizuar bërja e kësaj ushtrie duhej të kalonte shumë sprova të tjera, herë të njëkohshme, herë të njëpasnjëshme, derisa nuk legalizohet më 28 nëntor 1997. Këto sprova ishin të kushtëzuara nga ndërthurja e faktorëve të shumtë, duke filluar prej atyre historikë e deri te faktorët politikë.
Ishte e detyruar të formësohej, zhvillohej dhe të zgjerohej në fshehtësi të thellë, me numër të kufizuar pjesëtarësh, me vështirësi të furnizimit me armatim dhe, sidomos, me një injorim politik nga organizimet politike në Kosovë (në disa raste dhe me akuza të rënda në adresë të saj) që po ushtronte veprimtari “legale” në bazë të legjislacionit të ish-Jugosllavisë së mbetur (Serbi – Mali i Zi).
Edhe në raport me shtetin amë – Shqipërinë – kishin ndryshuar rrethanat politike. Forcat e reja që kishin ardhur në pushtet, LPK-në dhe krijesën e saj, UÇK-në, nuk i shikonin me sy të mirë për shkak të, gjoja, orientimit të tyre majtist dhe traditës së lidhjeve të kësaj organizate me ish-partinë shtet të kohës së monizmit. Në fakt, e vërteta në lidhje me këtë pretendim nuk mund të shpjegohet në këtë mënyrë, sepse këto organizata të fshehta nuk i kishin të konsoliduara lidhjet për arsye ideologjike, por për arsye praktike dhe ishin lidhje dhe raporte me shtetin shqiptar.
Kështu, nëse mund të thuhet se lëvizjet e pjesëtarëve të UÇK-së në ish-Jugosllavinë e mbetur ishin të vështira, në shtetin shqiptar tani u bënë më të kufizuara. Megjithatë, UÇK-ja, siç dihet tanimë pothuajse nga të gjithë, pavarësisht prej këtyre pengesave dhe vështirësive, ia kishte dalë të mbijetonte dhe, gradualisht, të konsolidohej për t’i dhënë vulën e vet një kohe të mëvonshme që paraqet fazën e dytë dhe më kulmore të veprimtarisë së saj.
Ajo është periudha e viteve 1997-1999.

Faza II

Më 28 nëntor 1997, tre ushtarë të UÇK-së (Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj), në Llaushë të Skenderajt do të paraqiten në varrimin e mësuesit Halit Geci, i vrarë nga forcat serbe një ditë më parë, dhe do ta dëshmonin publikisht ekzistencën e UÇK-së, për të cilën deri në këtë kohë flitej me dyshim.
Ky çast ishte pritur me entuziazëm nga qytetarët.
Akti i flijimit të familjes Jashari në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998, përkundër asaj që kishte synuar e planifikuar shteti i Serbisë, i dha luftës një impuls të ri, por edhe për UÇK-në ishte një sprovë e re, sepse tani i duhej ta përballonte edhe presionin publik të popullsisë e cila manifestonte një entuziazëm dhe gatishmëri të paparë që të rreshtohej e t’i kapte armët e kësaj ushtrie.
UÇK-ja nuk e kishte atë mundësi që t’i përgjigjej pozitivisht kësaj kërkese. Derisa veshmbathja dhe ushqimi nuk ishin problem, armatimi, që në këtë kohë duhej më shumë se buka, ishte elementi më i vështirë për t’u siguruar.
Sprova e fazës së parë, se a do të mund të bëhej ushtria, në fazën e dytë kishte ndryshuar. Prapë si mundësi, por me një qëllim tjetër. A do të mund të bëhej lufta?
Qëndresa heroike dhe flijimi i familjes Jashari nuk pati ndikim vetëm te faktori i brendshëm, por sidomos tek ai i jashtëm. Këtë na e dëshmon ish-sekretarja shtetërore e ShBA-së, znj. Medlin Ollbrajti (Madeleine Albright), në librin e saj autobiografik “Zonja sekretare” ku, duke iu referuar luftës së familjes Jashari, shkruan: “Po të kish qenë një incident i veçuar, do të kishte qenë një tragjedi pa ndonjë ndikim në shkallë botërore, por vrasjet (në familjen Jashari – B. Z.) duheshin parë në kontekstin e tyre historik”.
Ky kontekst historik, të cilin e thekson znj. Ollbrajt, zë fill që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913, atëherë kur, siç thotë prof. dr. Arben Puto, “në kundërshtim me parimin e kombësisë dhe pa marrë parasysh fare shprehjen e vullnetit të popullsisë vendëse, Shqipërisë iu shkëputën krahina të tëra si Kosova, Rrafshi i Dukagjinit dhe tokat shqiptare të pjesës perëndimore të Maqedonisë” dhe i ishin dhënë Serbisë e Malit të Zi.
Pra, qasja e aktorëve me ndikim në faktorin ndërkombëtar, ShBA-së në këtë rast përmes sekretares shtetërore ndaj këtij akti, shënon një kërcim cilësor, sepse luftën e familjes Jashari nuk e konsideroi si një “incident” të izoluar por, duke e vënë në kontekstin historik të zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë, mundësoi krijimin e një parakushti të favorshëm për ndërgjegjësimin e mëvonshëm të tij, angazhim i cili, siç do të shihet më vonë, do të përfaqësohet dhe mbrohet nga ShBA-ja në rend të parë, pastaj nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe vende të tjera të botës perëndimore.
Por le të kthehemi në zhvillimet e ngjarjeve të vitit 1998-1999, në Kosovë dhe rreth saj që, sido që ta marrësh, nuk mund t’i shkëpusësh nga vendimet e asaj Konference, sepse janë pasojë e tyre.
Luftërat janë fenomene komplekse dhe komponentë e rëndësishme, për të mos thënë vendimtare, është gjetja e aleatëve dhe përfitimi i përkrahjes së tyre si dhe bashkëpunimi me ata që mbështesin kauzën e për të cilën fillohet lufta. Nga kjo e vërtetë s’ka se si të bënte përjashtim dhe lufta e UÇK-së. Prandaj, drejtuesit e saj do të nisin të bëjnë kontakte me faktorët me ndikim dhe vendimmarrës në politikën ndërkombëtare. Këto kontakte, në krye të herës do të bëhen, larg syrit të opinionit publik që më i rëndësishmi ishte takimi i parë i z. Hollbruk me përfaqësuesit e UÇK-së në Zvicër. Pas rreth një muaj po ky ambasador do ta bëjë takimin e dytë, në Junik, më 24 qershor 1998 që, sipas Bedri Islamit, nuk ishte asgjë tjetër, përpos njohje “faktike e saj (UÇK-së – B. Z.) si forcë politike e jo vetëm ushtarake”.
Në fakt, ky ishte “qëndrimi i ri amerikan ndaj UÇK-së”, siç konstaton me të drejtë Paskal Milo, ministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë në atë kohë, qëndrim që s’do mend se i dha një shtysë të fortë promovimit të UÇK-së si forcë politiko-ushtarake në arenën ndërkombëtare.
Depërtimi në arenën ndërkombëtare dhe vënia e relacioneve të nevojshme me faktorët e duhur ndërkombëtarë ishte një domosdoshmëri tjetër për UÇK-në, në këtë kohë dhe, edhe këtë domosdoshmëri UÇK-ja po e përmbushte me sukses.
Bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar, që ishte një front më vete, UÇK-ja i kushtoi vëmendjen e duhur dhe arriti t’i japë zgjidhjen e duhur. Në saje të tejkalimit me sukses të kësaj sfide, pak më pak se një vit pas fillimit të luftës në përmasa më të gjera, bota demokratike do ta pranojë arsyeshmërinë e kësaj lufte dhe do të angazhohet për t’i gjetur një zgjidhje të lakmueshme. Prandaj, për këtë arsye dhe u thirr dhe u mbajt ajo që tani njihet si Konferenca e Rambujesë (6 – 23 shkurt) dhe 14-19 mars 1999), nga e cila rezultoi ndërhyrja ushtarake e NATO-s me sulme ajrore kundër infrastrukturës dhe segmenteve të sigurisë të shtetit të ish-Jugosllavisë, respektivisht kundër Serbisë, pasi që kjo e fundit diktonte krejtësisht politikën e asaj federate jugosllave që kishte mbetur pas shkëputjes së Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Në një takim të kryesisë së delegacionit që e përfaqësonte Kosovën në këtë Konferencë (Hashim Thaçi – kryetar, ndërsa Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qosja – anëtarë) me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, z. Lamberto Dini që, në emër të Grupit të Kontaktit, kishte shkuar në Rambuje, përkundër faktit që ai dhe vendi i tij kishin një lloj rezerve dhe hezitonin për përkrahjen e luftës së UÇK-së. Ai, ndër të tjera, deklaron: “Suksesi (e ka fjalën për suksesin e Konferencës që duhet të jetë marrëveshja – B. Z.) duhet të arrihet sepse ju keni luftuar për të. Po të mos kishit luftuar, autoritetet e Beogradit nuk do të vinin këtu”.
Me Marrëveshjen që nënshkroi delegacioni i Kosovës, në krye të të cilit ishte drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, z. Hashim Thaçi, UÇK-ja e plotësoi veten dhe me një tjetër lloj arme – ajrore, e cila ishte në pronësi të strukturës më të fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit – NATO dhe udhëhiqej e përdorej prej saj kundër Serbisë gjakatare.
Luftimet që po zhvilloheshin në terren nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të plotësoheshin me sulmet e NATO-së që filluan më 24 mars 1999 dhe që i dhanë vulën përfundimtare çlirimit të Kosovës.
Pas 78 ditë sulmesh, më në fund Serbia pranon të dorëzohet, por vetëm para faktorit ndërkombëtar. Ky akt formalizohet me Marrëveshjen e Kumanovës.
Edhe kjo fazë që, kuptohet, ishte ndër më të vështirat, sepse politika jo që nuk i jepte mbështetje UÇK-së dhe luftës së saj por, për më tepër, vazhdonte ta kundërshtonte atë si “të paduhur”, “të panevojshme”, “të nxituar”, “aventuriere”, për të mos thënë edhe “të gabuar”, u përmbyll me sukses.

Faza III

Pas Marrëveshjes së Kumanovës dhe miratimit të Rezolutës së KS të OKB-së me nr. 1244, në qershor të vitit 1999, brenda pak ditësh, në Kosovë u dislokuan administrata e UNMIK-ut dhe forcat e KFOR-it.
Ky veprim do të pasohet me bisedimet për t’i gjetur një zgjidhje problemit të UÇK-së dhe pak më pak se tre muaj pas përfundimit të luftës, saktësisht më 19 shtator 1999, në praninë edhe të komandantit të NATO-s, Vesli Klarkut, përkundër dëshirës së drejtuesve dhe pjesëtarëve të UÇK-së, do të bëhet transformimi i saj në TMK, që ishte një lloj vazhdimësie e të parës, pavarësisht se kishte emër të ri. Transformimi i UÇK-së në TMK mund të pranohet si i arsyeshëm, sepse tani në Kosovë ishte dislokuar NATO përmes strukturës së saj KFOR, dhe misioni i asaj që e trashëgoi TMK-ja ishte i ri, ngaqë kishin pushuar rrethanat e luftës.
TMK-ja do të funksionojë si e tillë deri më 21 janar të vitit 2009, kur do të bëhet shuarja e saj dhe do të formohet FSK-ja.
Për mua këtu përmbyllet historia e ekzistimit të UÇK-së.
Përmbyllet kapitulli i të bëmave të saj si strukturë politiko-ushtarake por, si për ironi, kjo gjë nuk do të ndodhë dhe për themeluesit, drejtuesit dhe pjesëtarët e saj.
Administrata e UNMIK-ut, pas saj edhe e EULEX-t, paralelisht me hetimet për krime të luftës të palës serbe, do t’i fillojnë dhe do t’i bëjnë edhe ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.
Një gjë e tillë kishte ardhur si rrjedhojë e një fakti të cilin vite më parë e kishte pikasur Arbën Xhaferi dhe e kishte vlerësuar si lëshim të faktorit ndërkombëtar që, edhe pas katër luftërave që ishin bërë në ish-Jugosllavi (Slloveni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë) nuk e kishte definuar fajtorin, paçka se Serbia kishte qenë shkaktarja e secilës prej këtyre katër luftërave.
Kjo qasje, në rastin e Kosovës dhe me UÇK-në, mëtonte (dhe jo pa sukses ia doli) që t’i barazonte palët duke i konsideruar të dyja fajtore. Në saje të kësaj filloi një gjueti e ethshme kundrejt pjesëtarëve të UÇK-së, dhe grupe të shumta të tyre të zonave të ndryshme të UÇK-së u arrestuan dhe u gjykuan e dënuan me vite të tëra burgim.
Megjithatë, si duket kishte të atillë që nuk u kënaqën me atë që u bë kundër pjesëtarëve të UÇK-së nga gjykatat ndërkombëtare (UNMIK dhe EULEX) në Kosovë dhe në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, ku u gjykuan dhe dy nga figurat e rëndësishme të luftës sonë, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj.
Të tillët vazhduan të bironin e zhbironin mundësi që të gjenin ndonjë formë apo ndonjë arsye për ta vazhduar përpjekjen me të vetmin qëllim që ta komprometonin luftën e UÇK-së dhe, rrjedhimisht, edhe NATO-n që gjatë kohës së luftës i kishte dhënë mbështetje luftës së kësaj ushtrie. Këto përpjekje u shtuan sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Dhe u gjetën argatët e errësirës, sepse të tillët nuk kishin munguar as gjatë kohës së luftës. Le ta kujtojmë në këtë rast qëndrimin e Rusisë, i cili shpaloset në një shkrim të gazetës ruse Izvestia më 22 korrik 1998. Kjo gazetë në këtë artikull i referohet luftës së Rahavecit të datës 17 deri më 21 korrik të vitit 1998, me ç’rast, përveç që shpalos qëndrimin solidarizues të Moskës zyrtare me Beogradin, shprehet edhe kundrejt luftës së UÇK-së, duke ua hedh shqiptarëve “gjithë fajin për acarimin e situatës”.
Pa u plotësuar as një dekadë nga koha e përfundimit të luftës së Kosovës, fillimisht ish-prokurorja e Tribunalit të Hagës për krimet e luftërave në Jugosllavi, në librin e saj të titulluar “Gjuetia – unë dhe kriminelët e luftës” e kishte bërë publik idenë se, gjoja, pjesëtarët e UÇK-së kanë bërë krime monstruoze. Them idenë, por jo dhe faktet, sepse po të ishte e vërtetë ajo që thuhet në këtë libër nga autorja, ish-kryeprokurorja nuk do të kishte kursyer asgjë për ta ndriçuar të vërtetën sa ka qenë kryeprokurore e Tribunalit të Hagës, sepse e ka pasur dhe detyrim ligjor e jo tani ta bënte këtë përmes propagandës. Megjithatë, kjo ide që ishte lansuar nga ky libër në formë tullumbaceje, ishte brumi fillestar që më 2008 që do të merret nga deputeti rus Konstantin Kosaçev, për t’ia dorëzuar pastaj stafetën kryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme në Këshillin e Shteteve të Konfederatës Helvetike, Dik Martit. Ky i fundit, i yshtur mbase dhe nga antiamerikanizmi i tij i theksuar, duke iu kundërvënë politikës zyrtare të Zvicrës, e cila ishte ndër të parat shtete që e njohu Pavarësinë e Kosovës, në dhjetor të vitit 2010 doli me një Raport që e dërgoi për shqyrtim dhe miratim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe kjo Asamble e miratoi atë Raport që, siç do ta dëshmojnë hetimet e mëvonshme, do të rezultojë të jetë i trilluar ngaqë asgjë nga pretendimi se ka pasur trafikim organesh nuk do të vërtetohet jo nga gjykata, por as edhe nga hetuesia dhe prokuroria që do të bëjnë punën paraprake. Me këtë rast, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e, mbase, vetë Dik Marti, do të futen në lajthitje nga Konstatn Kosaçevi prej Rusisë.
Miratimi i këtij Raporti prodhoi jo vetëm efekt juridik por, pse jo, dhe moral e politik.
Për pasojë, pas miratimit të këtij Raporti, qasja e mëparshme e botës demokratike ndaj shqiptarëve dhe sidomos ndaj UÇK-së do të përmbyset pothuaj tërësisht.
Formalizimi i Raportit krijoi një parakusht të pashmangshëm në bazë të të cilit do të fillojë të trajtohet ky pretendim dhe, për pasojë, do të vihen në lëvizje politikanë, shtete e mekanizma ndërkombëtarë, përkrahës të luftës së djeshme të UÇK-së, dhe do të kërkojnë nga udhëheqja e Kosovës që të formojnë një tip gjykate që, unë nuk di të ketë ekzistuar më parë në ndonjë vend tjetër të botës dhe për ndonjë luftë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 3 gusht të vitit 2015, kuptohet nën presionin e kësaj trysnie të madhe politike dhe diplomatike, miraton Ligjin nr. 05/L -053 për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.
Këto dhoma u imponuan nga vendimi i sipërpërmendur, bazuar mbi një akuzë krejtësisht politike e të pavërtetë, e ideuar e hartuar më parë nga një politikan, sipas të cilit, “struktura të UÇK-së kanë kryer trafik të organeve të qenieve njerëzore me robërit e luftës”, por që nuk u vërtetuan (nuk u vërtetuan se nuk ka pasur) nga hetimet paraprake të Klint Williamsonit (Klint Viliamson), që rezultuan si rrjedhojë e aprovimit të Raportit. Megjithatë, pavarësisht se këto pretendime nuk u vërtetuan, Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar ngelën.
Ky pretendim ishte një akuzë e re e monstruoze, që legjitimoi politikisht shkeljen e parimit të mosgjykimit të gjësë së gjykuar, madje nga një gjykatë në hierarki më të ulët se gjykata a mëparshme që ishte Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, një rast ky i paprecedent në të drejtën ndërkombëtare e në praktikën e çdo shteti demokratik.
Mbi bazën e këtij ligji, tani, pothuaj të gjithë drejtuesit kryesorë të UÇK-së gjenden në paraburgim dhe presin gjykimin.
Dhomat e Specializuara janë një precedent historik; ato janë imponuar me vendim politik të Këshillit të Evropës, bazuar mbi një aktakuzë publike, gjithashtu politike. Po të kishte diçka faktike, do të ishte e pamundur që të mos i binte në gjurmë prokuroria e Tribunalit të Hagës për luftërat në ish-Jugosllavi, Tribunal i cili ka bërë hetime dhe ka zhvilluar gjykime, siç e thash më lart, edhe për UÇK-në.
Nisur nga ky fakt, tani natyrshëm na imponohet pyetja se: si është e mundur që të gjitha krimet e luftërave që pasuan shkatërrimin e RSFJ-së, përfshirë dhe ato të shkaktarit kryesor të këtyre luftërave – shtetit të Serbisë, të trajtohen vetëm nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë dhe nga gjykatat vendëse, ndërsa për pjesëtarët e UÇK-së, përveç këtij Tribunali dhe gjykatave të UNMIK-ut dhe EULEX-it (gjykata që më së paku mund të quhen vendore), të ngrihet edhe një mekanizëm i veçantë, i paparë në historinë moderne, të emërtuara Dhoma të Specializuara që ndjekin krimet mbi bazën e kriterit etnik, më saktë vetëm “të përkatësisë” së UÇK-së?!
Për më tepër, është i papaarsyeshëm zgjerimi i fushëveprimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara përkitazi me lëndën arkivore të punës së këtyre dhomave dhe instancave të tjera, nën parimin “lex specialis”.
Këtu do të ndalesha te dy paragrafët e Nenit 62 të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ç’emërtim interesant!?
“Dhomat e specializuara”, që nënkupton gjykatat dhe “Prokuroi i specializuar”!
Emërtimet e këtilla na thonë se këta (gjykatësit dhe prokurorët e mandatuar me këtë ligj) janë të specializuar. Kjo gjë i bën ata të ndryshëm nga gjykatësit e prokurorët e tjerë (të Tribunalit të Hagës, përfshirë dhe ata të UNMIK-ut, EULEX-it, por dhe vendorë), sepse janë “të specializuar”. Po gjykatësit dhe prokurorët e Tribunalit të Hagës për Jugosllavinë, të UNMIK-ut dhe EULEX-it që, po ashtu, me mandat ligjor kanë pasur obligim dhe i kanë hetuar krimet e luftërave në ish-Jugosllavi, përfshirë dhe Kosovën, deri në miratimin e Rezolutës së Dik Martit nga Këshilli i Evropës), nuk kanë qenë të specializuar?!
Praktika na tregon se mund të ketë gjykatës e prokurorë të mirë, më të mirë dhe shumë më të mirë, të zotë ose shumë më të zotë, por të ketë dhe gjykatës e “prokuror të specializuar”, që nënkupton dhe të kundërtën, të paspecializuar, këtë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë.
Por le të kthehemi te përmbajtja e dy dispozitave të nenit 62 të ligjit që e theksova më lart.
Në to thuhet:
1. Duke i pasur parasysh rrethanat e sigurisë dhe privatësisë, dokumentet, letrat, të dhënat dhe arkivat e Dhomave të Specializuara, Zyrës së Regjistrimit dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk konsiderohen dokumente publike të Kosovës. E drejta e përgjithshme për të pasur qasje në të dhënat apo arkivat e Dhomave të Specializuara, përfshirë të Zyrës së regjistrimit dhe të Zyrës së Prokurorit të specializuar, nuk ekziston (nëviz. imi – B.Z.)
Ky mohim i të drejtës, për të pasur qasje në dokumentacionin që prodhojnë këto dhoma të cilat janë institucione të Republikës së Kosovës, nuk nënkupton vetëm mohimin e të drejtës për të pasur qasje personat fizikë që mund të jenë studiues dhe hulumtues të ndryshëm në të ardhmen por, për më tepër, duke saktësuar se dokumentet që prodhojnë këto dhoma që thonë se janë institucione të Kosovës nuk konsiderohen dokumente publike të Kosovës, e privon shtetin e Kosovës dhe sidomos Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës nga e drejta e pasjes në administrim të një sasie të konsiderueshme të materialit arkivor të cilin institucioni ynë – Arkivi i Kosovës – është përgjegjës për ta mbledhur, ruajtur dhe dhënë për shfrytëzim sipas legjislacionit që është në fuqi.
Me këtë ligj, dorëzimi i dokumentacionit që do të prodhojnë këto dhoma dhe kjo Prokurori, rrjedhimisht dhe pranimi nga ana e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, nuk do të bëhet asnjëherë. Dokumentacioni që do të prodhojnë këto institucione nuk do të kthehen në Kosovë dhe, rrjedhimisht, nuk do të dorëzohen në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës siç rregullohet kjo çështje me Ligjin për Arkivat nr. 08/L-111, konkretisht me paragrafët 2 dhe 3 të Nenit 13 të këtij ligji. Mospërfillja e këtyre dy dispozitave do të rezultojë me një të vërtetë të hidhur. I gjithë fondi i dokumentacionit që do të prodhojnë këto dhoma deri në momentin e shuarjes së tyre nuk do të dorëzohet në Agjenci si institucioni i vetëm përgjegjës për ruajtjen dhe për administrimin e dhënien për shfrytëzim të materialit arkivor të Kosovës, jo vetëm pas shuarjes së tyre siç rregullohet kjo çështje me paragrafin 3 të këtij neni, por duke mos i konsideruar dokumente publike të Kosovës, ato nuk do të dorëzohen në AShAK edhe pasi ta përmbushin afatin prej 30 vjetësh siç thuhet në paragrafin 2 të të njëjtit nen dhe ligj.
Kësisoj, Arkivi Qendror, që është një prej arkivave që me ligj definohet se është institucion shtetëror ose joshtetëror i specializuara që mbledh, përpunon, administron, ruan dhe e ofron për shërbim pasurinë arkivore e cila mbrohet dhe sigurohet nga shteti, privohet nga e drejta e pranimit dhe e posedimit të atij numri të dokumentacionit që do të prodhohet nga këto dhoma.
Kjo për Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në kuadër të së cilës është edhe Arkivi Qendror, paraqet jo vetëm një mosbesim në këtë institucion për përmbushjen e detyrave të përcaktuara me mandat ligjor por, për më tepër, edhe një privim të tij nga e drejta e posedimit të një pjese të thesarit arkivor me vlera të veçanta për historinë e re të Kosovës si vend dhe sidomos si shtet i cili ka rezultuar si produkt i natyrshëm i një lufte titanike me të cilën, tani, 20 vjet pas përfundimit të saj dhe 12 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka filluar një odisejadë e re e marrjes me atë luftë.
Ky paragjykim për AShAK-në si institucion përgjegjës për ruajtjen e pasurisë arkivore të Kosovës, i normëzuar tani me ligj, ishte arsyeja e dytë, pas asaj të parës që ishte Raporti i Dik Martit, të cilat drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, z. Ardit Bido dhe mua, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në krye të herës, na e ngacmoi idenë për të dalë me një reagim të përbashkët të dy institucionet tona. Kjo gradualisht u formësua dhe si reagim kundrejt një padrejtësie që po i bëhej luftës së shqiptarëve për çlirim, për barazi dhe të drejta të plota siç i gëzojnë të gjithë qytetarët e kontinentit të Evropës.
Kësaj nisme menjëherë iu bashkua edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, respektivisht drejtori i këtij Instituti, prof. dr. Hysen Matoshi, për t’u zgjeruar më tej dhe me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë dhe institucionet e tjera me të cilat kemi hartuar dhe një deklaratë kundër kësaj padrejtësie që po i bëhet luftës së UÇK-së dhe gjithë Kosovës e të cilën e kanë nënshkruar drejtuesit e institucioneve pjesëmarrëse në këtë sesion shkencor.
Deklaratën e kemi publikuar më 25 nëntor 2020, datë në të cilën kishim planifikuar ta mbanim këtë sesion shkencor, por që qemë të detyruar ta shtyjmë për shkak të masave kufizuese kundrejt pandemisë Covid-19.

Përfundim

Nga sa u vu në pah më lart, mund të përfundoj se qasja e drejtësisë, duke manifestuar paragjykim të nënkuptuar ndaj një etnie, si në këtë rast kundër UÇK-së që, siç thashë në fillim, është produkt i një përpjekjeje të gjatë të shqiptarëve për çlirim dhe liri njerëzore, nuk është rruga e duhur për të shkuar drejt një kuadri të vlerave e synimeve shoqërore e kolektive të përbashkëta, sipas shembujve të shteteve më të përparuara për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, demokracisë liberale dhe të shtetit të së drejtës.
Sipas gjykimit tim, dhe mendoj se kam të drejtë në këtë që e them, kjo lëndon rëndë parimet themelore të drejtësisë, më saktë është në kundërshtim me parimin e barazisë së palëve para ligjit që drejtësia e çdo vendi dhe e çdo institucioni përgjegjës për ndarjen e saj duhet ta ketë alfën e saj.
Duke i sendërtuar këto dhoma me një ligj të tillë, kuptohet për shkak të një trysnie ndërkombëtare, kemi krijuar kushtet për një ndërmarrje juridike në emër, të gjoja, drejtësisë por që, në fakt, nuk është asgjë tjetër përpos mundësi ligjore për realizimin e përpjekjeve të qarqeve e individëve të caktuar për të përbaltur e deformuar të vërtetën historike.
UÇK-ja në krye të herës ka qenë fryt i një reagimi të shqiptarëve kundër robërisë dhe shtypjes së gjatë të shtetit të Serbisë, ndërsa lufta e saj ishte përpjekje për mbrojtje të ligjshme të shqiptarëve nga dhuna, dëbimet, shpërnguljet dhe vrasjet masive të shtetit të Serbisë, me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës. Pra, lufta e saj, që nënkupton dhe luftën e shqiptarëve të Kosovës, ishte luftë çlirimtare.
Lufta çlirimtare, e udhëhequr nga UÇK-ja, në thelbin e saj programor, kishte shpëtimin e qenies etnike shqiptare nga shfarosja, mbrojtjen e ndaljen e krimeve ndaj shqiptarëve dhe jo ushtrimin e tyre ndaj të tjerëve.
Çdo deformim i rolit të UÇK-së, i misionit dhe qëllimit themelor të saj; çdo njollosje e kategorizim i UÇK-së si një ndërmarrje kriminale e jo si një ushtri popullore, vullnetare, çlirimtare e vetëmbrojtëse, përbën në vetvete një përpjekje për të njollosur jo individë të caktuar, por vetë vlerat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, si një popull liridashës e paqësor, si një popull viktimë e spastrimeve etnike e jo nxitës e promotor i politikave gjenocidiale. Për më tepër, kjo është një përpjekje për t’i minuar themelet e shtetit të Kosovës, ngrehina e të cilit, pa luftën e UÇK-së, as që mund të paramendohet.
Nga sa u tha më lart, rrjedh se UÇK-ja me luftën e saj tani më është pjesë e historisë së kombit tonë dhe, edhe pse pati një histori të shkurtër, ajo i ka dhënë vulën e vet historisë më të re të Kosovës dhe jo vetëm asaj. Por në të njëjtën kohë, edhe pse në luftën e saj (UÇK-së) u mishërua rezistenca kundër shtypjes dhe robërisë njëshekullore dhe morën vlerë sakrificat e brezave të tërë për liri kombëtare, barazi e drejtësi sociale për shqiptarët e Kosovës, si asnjë rast tjetër, “drejtësia” rend pas saj si një hienë e pangopur.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke qenë organikisht e lidhur me historinë e kombit shqiptar, si asnjë strukturë tjetër, ndanë fatin me këtë histori, të vërtetën e së cilës, Xhevahir Spahiu, në poezinë “Historia jonë”, e ka skalitur me vargjet: ehut të shpatës kemi ecur rrufe / Pastaj shpata ka ecur mbi ne.

Marrë nga libri: “UÇK – vlerë kombëtare”, botim i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Filed Under: Politike

Një ushtarak i lartë shqiptar që të mëson si të mbrohemi nga armët vdekjeprurëse bërthamore

December 26, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Pa praninë e tyre në planet do të kishim më shumë shkolla, më shumë dituri, më shumë mjekë, spitale etj… Gjeneral Asllan Bushati.

Nuk është se kam shumë dëshirë për të lexuar libra të karakterit ushtarak dhe sidomos të diktatit të armëve bërthamore në krahasim me ato të letërsise botërore apo shqiptare, ku dhe jam e specialitetit të kësaj fushe, por pasi e lexova librin: “Diktati i Armëve të Dëmtimit në masë “ADM”-ve në Luften e ftohtë e pas saj” me autor ushtarakun e lartë të karrierës në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, ia vlejti.
Ndonëse me një drithërimë në shpirt dhe frikë që e përjetova në të gjitha faqet e librit gjithsej 88, pohoj se mësova shumë gjëra. Metaforikisht më dukej sikur kishja një bombë në dorë, tmerruese, por autori me diturinë e saktë dhe të një mjeshtri të mbrojtjes nga armët bërthamore të shkarkon nga kjo ndjenjë kapluese. Është e vërtetë se njerëzimi po e përjeton këtë gjëmë, pasi siç pohon autori Bushati këtë gjëmë e kanë bërë dhe gatuar vetë njerezit kundër njerëzimit. Në këtë libër studimor me penë të hollë nga autori Bushati mësojmë siç thotë ai se njohja me këto fakte të luftës bërthamore do të na njihte të mendonim si njerëz të qytetëruar për një të ardhme më të mirë. Ai të kujton shkrimtarin e famshëm botëror Viktor Hygo i cili ka thënë: “Paqja është virtyti i qytetërimit. Lufta është krimi i saj.”
Po si e spjegon mjeshtri dhe ushtaraku i lartë që është specializuar në këtë fushë se ç’janë armët bëthamore? Ai shpjegon se armët bërthamore teknikisht janë shpërthimi që realizohet nga reaksioni bërthamor i ndarjes së atomeve të elementeve radioactive ose një kombinim i ndarjes dhe i bashkimit së grimcave bërthamore. Pra një bombë peshon më pak se njëmijë kilogram dhe mund të shkaktojë një shperthim të krahasueshëm me shpërthimin e më shumë se një miliard kilogram të materialit shpërthyes, cilësor konvencional.
Shumë njerëz janë dëshmitarë dhe sot, kur nisi lufta, më 6 dhe 9 gusht 1945 mbi Hiroshimën dhe Nagasakin e Japonisë që sollën 106 mijë të vdekur dhe 98 mijë të plagosur plus dhe pasojat ogurzeza tek të mbijetuarit. Në këtë libër është shpjeguar koncentrati i luftërave, garat bërthamore midis Perëndimit dhe Lindjes.
Duke qenë gati 26 vjet këtu në New York dhe jemi bërë pjesë dhe dëshmitarë të shumë ngjarjeve, këtu kujtohet në çdo 6 gusht sulmi i parë me bombë bërthamore Natyrshëm zhvillohet një debat i ashpër në medie, dhe mbrojtësit më të zjarrtë të Trumanit janë veteranët e Luftës së Dytë Botërore.
Ne kuptojmë dhe ndjejmë se Armët bërthamore janë ende këtu – dhe ato janë akoma një rrezik ekzistencial. Nëntë vende posedojnë armë bërthamore: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Franca, Kina, Mbretëria e Bashkuar, Pakistani, India, Izraeli dhe Koreja e Veriut. Në total, rezervat bërthamore globale janë afër 13,000 armë. Tmerr, frikë, agression, ego të shfrenuara dhe kanosje për botën e paarmatosur, por po aq dhe për botën e armatosur. Autori na mëson se si të mbrohemi dhe si të kemi disa njohuri rreth armëve vdekjeprurëse. Ky libër të sjellë ndërmend dhe fjalimin shumë të njohur të Luftës së Ftohtë që u mbajt nga Presidenti Amerikan Dwight D. Eisenhower para Kombeve të Bashkuara më 8 dhjetor 1953. Eisenhower ishte në ankth të zvogëlonte kërcënimin nga arsenalet në rritje të armëve bërthamore dhe në vend të kësaj të zhvillonte aplikime paqësore të energjisë atomike që të gjithë kombet të gëzojnë, ose “Atomet për Paqe”.
Pra Atomet të jenë për Paqe në vend të luftës, vdekje. Libri është i ndarë në disa kapituj dhe secili kapitull ka rëndësinë e veçantë studimore. Kështu në kapitullin: “Arma e Kimisë” ku autori shkrin talentin e tij dhe na mëson se pas Luftës së Dytë Botërore, e në momentet kur sapo Lufta e Ftohtë kishte filluar, u zbulua se ish Gjermania Naziste kishte qenë e përgatitur me kohë për përdorimin e armës së kimisë (AK). Rrethanat e krijuara në Luftë ku posedues të AK-së ishin vendet pjesëmarrëse e ndaluan Hitlerin të përdorte këtë armë. Autori Bushati sjellë me fakte dhe argumente shkencore depërtimin dhe përhapjen e tyre në viruse, bakterie, kërpudhash, rikocitesh, të cilat ishin në gjendje lloje të ndryshme epidemish si ethesh, murtaje, plasje etj…
Doktrina e re amerikane vazhdon autori thotë për armën biologjike të mos e përdorin kurrë në luftë edhe nëse kundështari do të përdorë kundër tyre.
Gjuha vete ku dhëmb dhëmbi thotë populli, natyrshëm e lexova me shumë kërshëri dhe vemendje reagimin e një ushtaraku të lartë në detyrë rreth popullit dhe vendbanimeve të Republikës së Kosovës të cilat kanë qenë për Serbët poligoni i parë real për përdorimin e AK-së.
Autori na kthen kujtesën në retrospektivë e konkretisht në demonstratat e vitit 1981dhe ato të shkurtit të viteve 1990. Shqiptarët demonstrues u bënë viktima të terrorit serb.
Disa mbroheshin me shaminë e xhepit, disa kishin të vjella. Prof. Zekeria Cana ndër të tjera në intervistë tha: Nga ajri i Kosovës ndihet vetëm erë gazrash që kanë një dozë të madhe helmi. Shumë prej granatave nuk lëshonin tym, por kishin një lloj helmi dhe mjaft shkatërrues.
Helmet ishin hedhur në spitale, shkolla, shtëpia e kudo. Autori jo vetëm që i sjellë me argumente shkencore rrezikun e madh dhe dëmin global që sjellin, por dhe artistikisht të tërheq me mënyrën e të shkruarit duke përdorur herë pas here metaforat dhe enumeracionin e fakteve. Në Kosovën tonë martire vërtetë u krye një genocid i pashembullt nga ajri toka dhe në kontaktet njerëz me ushtarë nazisë që përdhunonin, vrisnin, torturonin, rrëmbenin njerëz të pafajshëm.
Janë shumë ushtarakë përfshirë dhe gjeneralë me pesë yje që kritikojnë armët kimike dhe përdorimin e bombës atomike.
Autori Bushati na kujton se SHBA-ja përfshiu në një listë 17 vende që kanë programe për armët biologjike. Autori me penën e një mjeshtri ushtarak pas një analize të thukët arrin deri tek Coronavirusi (Covid 19). Me hulumtime shkencore pohon se laboratory Uhan në Kinë është i vetmi Institut i Virologjise me viruse vdekjeprurëse. Politika e lartë amerikane nga Shtëpia e Bardhë ka kritikuar ashpër fshehjen e fakteve dhe fillimet e epidemisë vdekjeprurëse.
Ky libër është ndërtuar me një gjuhë të kthjellët dhe bëhet shumë tërheqës jo vetëm për sjelljen e fakteve me vërtetësi, por dhe i ndërtuar në skema artistike dhe me një gjuhë të zhdërvjellët që personalisht më duket i denjë për të qenë në hierarkinë e shekncës ushtarake të historisë shqiptare.
Natyrshëm këo qëndrime paqësore i mbajnë njerëzit me botë, njerëzit që e duan jetën, por ato bëhen më të besueshme kur autorët e librave janë specialist të fushave dhe e kanë parë vetë terrenin ku kanë marrë pjesë. Autori Bushati të mëson të bësh kujdes rreth kërcënimit në rritje të epidemive virale duke të sjellë një nga citimet më të famshme të mjekësisë moderne. “Në vitin 1967, William H. Stewart, Kirurgu i Përgjithshëm, i cili udhëtoi në Shtëpinë e Bardhë për të dhënë një nga mesazhet më inkurajuese të folur ndonjëherë nga një zyrtar amerikan i shëndetit publik, me citimin: “Është koha për të mbyllur librat mbi sëmundjet infektive, për të shpallur luftën kundër murtajës të fituar dhe për të zhvendosur burimet kombëtare shendetesore në zgjidhje të problemeve të tilla kronike si kanceri dhe sëmundjet e zemrës,” tha Stewart.
Ndërmjet shumë autorë librash, shkencëtarë, pacifistë kemi dhe presidentë që kanë kundërshtuar përdorimin e bombës atomike. Njeri prej tyre është Presidenti Amerikan, Dwight Eisenhower, komandanti i aleatëve në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti e kishte kundërshtuar përdorimin e bombës atomike në Japoni gjatë një takimi të korrikut 1945 me Sekretarin e Luftës Henry Stimson: “Unë I thashë se isha kundër bombës atomike për dy arsye: Së pari, Japonezët ishin gati të dorëzoheshin dhe nuk ishte e nevojshme t’i godisnin me atë gjë të tmerrshme. Së dyti, e urreja të shihja vendin tonë të ishte i pari që përdorte një armë të tillë.”
Libri në disa kapituj me përngjan me vepren “Arti i luftës i Suncit”, e cila është vepra më e madhe mbi teorinë ushtarake, e lënë nga Kina e lashtë,
Aty shtjellohet një sistem i strategjisë dhe taktikës ushtarake dhe i mendimeve filozofike. Ky libër është përkthyer dhe është botuar në 29 gjuhë të botës, dhe është përdorur gjatë luftës së Gjirit në vitin 1991.
Libri i ADM-ve përmbyllet duke shpjeguar se çfarë është terrorizmi, lufta kibernetike e cila që nga njeriu i thjeshtë dhe deri tek shteti jane të prekshëm në ballafaqim me këtë ciklon dhe sunam të kohës… Kjo luftë moderne do të jetë gjatë vazhdon autori dhe me shpenzime marramendëse.
Krimi kibernetik është një dukuri komplekse dhe shumë kërcënues.
Duke përfunduar leximin me shumë kujdes dhe një përqëndrim të posaçëm, pasi siç e thashë qysh në fragmentin e parë nuk janë të natyrës sime profesionale këto lloj librash, por kuptova se libri me artin e tij të rrëfimit më kishte tërhequr shumë, sepse mbi të gjitha mësova dhe si t’i vë në përdorim këto njohuri tejet jetësore.
Libri na mëson se është e rëndesishme të konceptojmë nje arkitekturë globale të sigurisë së informacionit që të marrë në konsideratë brenda saj dimensionin teknik dhe operacional, dimensionin juridik dhe rregullator, dimensionin organizativ dhe ekonomik duke mos harruar dimensionin human.
Dhe këto më lart mësohen vetëm nga specialistë të fushës, nga pacifistë, nga ushtarakë të lartë shqiptar si Gjeneral Asllan Bushati që të mëson si të mbrohemi nga armët vdekjeprurëse bërthamore.

26 dhjetor, 2022
Staten Island, New York

Filed Under: Politike Tagged With: asllan Bushati

VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN DHE VITIN E RI 2023

December 24, 2022 by s p

Të nderuar bashkombas,

Të dashur vëllezër e motra vatranë,

Më lejoni që në emrin tim personal, të familjes sime dhe të Federatës Pan –Shqiptare të Amerikës VATRA, t’ju uroj: Gëzuar e Përshumëvjet Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2023. Përzëmërsisht uroj për ju e familjet tuaja çdo bekim, sukses, paqe dhe mirësi. Lindja e Krishtit është një festë e madhe e cila na kujton të jemi më solidarë, më të bashkuar dhe më të dashur me njëri-tjetrin. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për Zotin, shpresën që nuk zhgënjen dhe nuk braktis kurrë. SibVatranë dhe shqiptaro-amerikanë në vitin e ri që po vjen, lutemi dhe do të punojmë për mirëqënien e çdo shqiptari kudo ku vepron, jeton e punon; Shqipëri, Kosovë, Trojet Etnike e kudo flitet, gëzohet dhe festohet shqip. Në këtë Vit të Ri uroj të kemi më shumë gëzim për të gëzuar dhe harruar çdo te keqe e sa më shumë shpresë për mirëqënie e zhvillim. Uroj të kemi më shumë shpresë për ditë më të lumtura, më të bëkuara e më të begata për shqiptarët në çdo cep të globit. Uroj me shpirt që të kemi marrëdhënie më të shëndosha, për solidaritet, për dashuri të pakushtëzuar, për paqe, për besim dhe lumturi në familjen e çdo shqiptari. Begatia, gëzimi, lumturia, dashuria dhe bekimi i madhit Zot mbretëroftë në çdo vatër të familjeve shqiptare.

GËZUAR

Zoti i bekoftë shqiptarët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqtë dhe aleatët e kombit tonë.

Më gëzim dhe lumturi për ju

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

New York, 24 Dhjetor 2022

Filed Under: Politike

VATRA PROMOVOI LIBRIN “DHEAS TË FJALËS” TË PUBLICISTIT ALEKSANDËR ÇIPA

December 23, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 22 Dhjetor 2022 – Në Selinë Qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra u promovua libri i gazetarit, analistit, poetit e publicistit Aleksandër Çipa. Me pjesëmarrjen ekskluzive të të gjithë drejtuesve të Vatrës e të shumë vatranëve, veprimtarëve të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetarëve e anëtarëve të shoqatave kryesore në New York e më gjërë, libri “Dheas të fjalës” e ktheu promovimin në një festë të vërtetë letrare duke lënë mbresa të veçanta tek të gjithë pjesëmarrësit. Në fjalën hapëse të promovimit Editori i Diellit theksoi se ky libër është një ekskursion kulturologjik dhe historik në botën e medias, të letrave shqipe dhe mendimit filozofik, poetik dhe mediatik shqiptar.

Studiuesi Savdai Kastrati në fjalën e tij vuri theksin te veçoritë e publicistikës, kritikës dhe eseistikës në punimin më të ri të Aleksandër Çipës. Autori i librit Aleksandër Çipa në fjalën e tij shprehu falenderim dhe mirënjohje për Vatrën e Vatranët për pritjen e ngrohtë dhe bujare. Para të pranishmëve, rreth librit z.Çipa u shpreh: “Dheas të fjalës” është një libër me materie kulturologjike i ndarë në cikle të ndryshme shkrimesh. Në një ndër ciklet kryesore të tij ka qasje kulturologjike krahasimtare mes dy prej periodikëve më të famshëm sikundër ishin revista ” Shejzat” e Ernest Koliqit dhe ” Përpjekja” e Branko Merxhanit. Pjesë e këtij cikli janë edhe shkrimi i qasjes krahasimtare mes dy poetëve të pakrahasueshëm Frederik Reshpja dhe Fatos Arapi. Ndërsa cikli i shkrimeve in memoriam për shkrimtarë dhe personalitete të mendimtarisë shqiptare si dhe një grup esesh grishin lexues dhe studiues të filologjisë. Po aq pretenduese janë për mua edhe recencat për librat e Dritero Agollit, Petrit Rukës, Arben Dukës apo antologjinë e poezisë greke të sjellë në shqip nga Arqile Garo” tha ndër të tjera z.Çipa. Realiteti politik, publicistik, shoqëror e mediatik vijnë të shpalosura më së miri në publicistikën e Aleksandër Çipës i cili në këtë libër nderon figura të shquara të medias shqiptare, poezisë, kritikës letrare e mbi të gjitha i kushton rëndësi ikonës së shtypit të shkruar shqiptar “Përpjekja Shqiptare” e Branko Merxhanit dhe “Shejzat” e Ernest Koliqit. Shkrime publicistike dhe eseistike kushtuar Frederik Rreshpes, Fatos Arapit, Arbën Xhaferrit, Petrit Rukës, Arben Dukës, Moikom Zeqos e shumë figurave të shquara të letersisë e prozës e poezisë shqipe moderne e shëndërrojnë librin “Dheas të fjalës” në një monument nderimi dhe respekti për figurat tona të shquara të letërsisë, artit e mendimit të thellë politik e kombëtar shqiptar.

Ky libër është një tekst i shkëlqyr edhe për studentët shqiptarë në Universitetet Amerikane. Z.Cipa në përfundim të promovimit i dorëzoi kryetarit të Vatrës si dhuratë për Vatrën e vatranët dy albume me këngë dhe recitime: “Këngët e atdheut tim” dhe “Recitime nga krijimtaria e Lefter Çipës” përgatitur nga “Nderi i Kombit” Bujar Asqeriu. Festa e librit në Vatër zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes mes autografëve të autorit, bisedave vëllazërore e një koktejli të dhuruar nga patrioti bujar Toni Musaj.

Foto: Dritan Haxhia.

Filed Under: Politike Tagged With: aleksander Cipa, Sokol Paja

Para 33 viteve u themelua Lidhja Demoratike e Kosovës – lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci

December 23, 2022 by s p

-Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova – themeluesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës/

-Nga arkivi-6 Gusht 2016: Me Vatranët e SHBA aty ku u themelua LDK…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 23 Dhjetor 2022/ Shënon 33 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës (LDK), e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.

Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë.

Pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme dhe objektivi kryesor. Kështu deklaronte para 17 vitesh Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të Lidhjes Demoratike të Kosovës,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi. Tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

“Unë e vlerësoj si vit të suksesshëm për qeverinë dhe institucionet tona për punën që është bërë, ndërsa në një moment me rëndësi është edhe hapja e bisedimeve për të ardhmen për pavarësinë e Kosovës që është rezultat i punës që e ka bërë qeveria, institucionet dhe populli i Kosovës”, tha Presidenti Rugova, ndërsa përsëriti insistimin e tij për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, e cila theksoi se do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Sa i përket çështjes së decentralizimit, të shtruar nga gazetarët, Presidenti Rugova tha se procesi i bisedimeve ka filluar tash, ndërsa ka pika të ndryshme.


“Decentralizimi siç e kemi thënë është çështje e Kosovës, pra mund t’i dëgjojmë edhe palët tjera. Mund të bisedohet si pako shtesë e pavarësisë, unë kështu e quaj, se pavarësia është e padiskutueshme, prandaj ne siç e dini kemi filluar një fazë të privatizimit me pilot projektet që ka qenë hap mjaft i guximshëm dhe më vonë do të shikojmë një reformë të përgjithshme të pushtetit lokal që më lehtë do ta bënim me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Presidenti Rugova.


Presidenti historik i Kosovës shtoi se gjithmonë mbesin punët që nuk mund të kryhen. “Ne i përmendëm vetëm ato punë që i kemi kryer dhe që janë mjaft të rëndësishme, ndërsa objektivat dhe programin për vitin e ardhshëm e paraqet qeveria dhe institucionet e Kosovës. Punë që ka mbetura e madhe pa u kryer është çështja e njohjes së pavarësisë”, tha ai.


Ndërsa, sa i përket formimit të ministrive të reja, Presidenti Rugova tha se së shpejti do të vendoset për këtë.

Ndërkohë, në 25 dhjetor 2005, me një shkresë dërguar shefit të UNMIK-ut e autoriteteve më të larta të Kosovës katërmbëdhjetë përfaqësues të jetës publike të Mitrovicës, përmes nënshkrimeve të tyre, kërkonin që, me qëllim të inkurajimit të integrimit të qytetit të Mitrovicës dhe të injektimit për zhvillim ekonomik, dy ministritë e Kosovës në formim – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të vendosen në qytetin e Mitrovicës, më të madhin verior të Kosovës…

Kur u themelua Lidhja Demoratike e Kosovës ishte koha kur po para 33 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat  gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.

Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me pjesëmarrje 87,01% e votim pro 99,87%, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, në të cilat Rugova u zgjodh President i parë i Republikës së shpallur, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Si rezultat i lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dhe i bisedimeve për statusin, Kosova pavarësinë e njohur ndërkombëtarisht deri tani nga 117 shtete të botës e ka shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990.

 “Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në Dhjetor 2002.

Shtëpia ku u themelua LDK – Muzeu tani ka emrin “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

AXHENDA – 33 VJETORI I THEMELIMIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

Me rastin e 33 vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë i kanë bërë homazhe Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.

Kryetari Abdixhiku ka nderuar figurën e Presidentit Rugova, si prijësin e shqiptarëve në periudhën më të vështirë të popullit tonë, njëkohësisht themeluesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në vitin 1989, burrat e gratë më të mirë të vendit, në kohën më të vështirë u rreshtuan krah Rugovës dhe ndërtuan programin më të madh politik shqiptar të fundshekullit XX; lëvizjen për liri, pavarësi e demokraci. Rruga e Presidentit Rugova dhe LDK-së vazhdon të mbetet e njëjtë dhe ky projekt i nisur 33 vite më parë ende nuk është i përfunduar. Kosova duhet të bëhet shtet anëtar në NATO e BE dhe kështu të plotësohet një endërr e nisur 33 vite më parë.

Sipas axhendës së dërguar nga LDK, sot në mbrëmje zhvillohet ngjarja kryesore për 33 vjetorin e themelimit , ndërsa gjatë ditës mbahen Tryeza e diskutimit “Roli i Gruas në LDK ndër vite” dhe Ekspozita “33 vite LDK”.

NGA ARKIVI-6 Gusht 2016: VATRANËT E SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA – ATY KU U THEMELUA LDK…

Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…

Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova….  Këte e shumë momente tjera e zhvillime historike për shqiptarët e Kosovën, në këtë verë 2016, i përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 ishte vendosur mibishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova…

Edhe të gjitha këto i biseduam e kujtuam me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 184
  • 185
  • 186
  • 187
  • 188
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT