• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MË 4 SHKURT 2023 DO THEMELOHET DEGA E VATRËS NË CHICAGO

January 18, 2023 by s p

Më 4 Shkurt 2023 do të themelohet dega më e re e Vatrës në Chicago. Patriotë, veprimtarë, shkrimtarë, aktivistë, biznesmenë, profesionistë të ndryshëm e studentë do të bashkohen për ti dhënë një frymë edhe më të fuqishme përpjekjes shqiptare në mërgatën e Amerikës. Takimi i themelimit do të zhvillohet në datën 4 Shkurt 2023, ora 4 PM- 6 PM, Adresa: La Mirage Restaurant, 9845 Lawrence Ave Shiller Park Illinois. Çdo patriot shqiptar që ka dëshirë të kontribuojë për komunitetin dhe çështjen kombëtare është i mirëpritur në këtë bashkësi vlerash dhe energjish pozitive për të mirën e komunitetit dhe kombit shqiptar. Për çdo informacion dhe kontakt për t’u bashkuar me Vatrën e Chicagos jeni të lutur të kontaktoni me kryetaren e grupit të punës për themelimin e degës, shkrimtaren Mirela Kanini cel: 847 834 1749.

Filed Under: Politike

NGA TURPI QAVA, ARBËRI!

January 18, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

15 Janari (1999) shënon një ngjarje, ndër më tragjiket në historinë e Kombit shqiptar.  24-vjetë më parë, me 15 Janar të vitit 1999, në fshatin Reçak, komuna e Shtimes, jo më larg se 30 kilometra në jug të Prishtinës, forcat serbe të diktatorit terrorist të Serbisë, Millosheviçit, vranë 45 persona civil shqiptarë të pafajshëm dhe të pa armatosur. Frank Shkreli – E vërteta e Reçakut: Barbarizëm serb dhe krim kundër njerëzimit | Gazeta Telegraf — Të dielën (15 Janar, 2023) në atë fshat u mblodhën një numër i madh qytetarësh, në një tubim përkujtimor në nderim të viktimave, udhëheqësit më të lartë të Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, si dhe Ambasadori William Walker, i cili 24 vjetë më parë i kumtoi botës lajmin e zi të masakrës në Reçak të 45 shqiptarëve. Unë nuk e di se cili do të ishte sot realiteti politik i Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi, nëse atë ditë fatzezë të 15 Janarit, 1999, Ambasadori William Walker nuk do të kishte marrë guximin dhe të shkonte në Reçak për të parë për veten e tij, masakrën që forcat terroriste serbe kishin kryer në atë fshat, një krim i vërtetë kundër njerëzimit. Kosova shënoi të djelën, 24-vjetorin e këtij krimi barbar, përvjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila konsiderohet si pikëkthesa kryesore e ngjarjeve të mëvonshme në Kosovë, si sulmet ushtarake të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe industriale serbe, përfshirë kryeqytetin e Sebisë, Beogradin. Ajo ishte një ndërhyrje që më në fund, detyroi largimin e forcave terroriste ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, duke i dhënë, kështu, fund luftës në Kosovë dhe duke çuar, më në fund, në pavarësinë që Kosova gëzon sot. Republika e Kosovës – ashtu siç e ka zakon, nderoi dhe vlerësoi Ambasadorin amerikan William Walker për rolin e tij.

Ndërkaq, njoftohet se në Tiranë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekoroi të henën me një nga medaljet më të larta të Republikës së Shqipërisë — atë të “Kalorësit të Urdhrit të Flamurit” — Ambasadorin William G. Walker për kontributin e jashtëzakonshëm për paqën, demokracinë dhe lirinë e popullit të Kosovës si dhe për denoncimin e genocidit serb në Reçak.”

Bravo, Presidentit Begaj për dekorimin e Ambasadorit William Walker duke e vlerësuar atë me fjalët më të përshtatëshme dhe më të merituara për rolin e diplomatit amerikan, 24 vjet më parë në Kosovë.  Me të drejtë, Z. Begaj, e cilësoi Amb. Walker si, “një mik i shqiptarëve dhe si “njeriu që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, rajonit tonë dhe të vetë NATO-s”. Por edhe si një person i cili “krijoi një lidhje të pazgjidhshme me kombin shqiptar”, por edhe dhe si “një personalitet ndërkombëtar, diplomat dhe humanist.”

Shumë bukur deri këtu.  Por, mjerisht, diçka mungonte, tmersisht, në këtë ceremoni. Nuk dua të paragjykoj se ku mund të jetë faji dhe kush mund të jetë përgjegjës për këtë mangësi të pafalshme diplomatike, njerëzore dhe shqiptare në ceremoninë e dekorimit të Amb. William Walker në Presidencë. Shqiptari i trajton shumë më mirë se kështu, miqtë e Kombit.  Mungesa e përfaqsuevse të popullit shqiptar në atë ceremoni ishte tepër evidente, ndoshta e qëllimshme – si rrejdhim, mu duk një atmosferë e turpshme, që nuk u ka hije shqiotarëve. Ku ishte Kryeministri dhe përfasuesit e qeverisë që nuk morën pjesë?!. A mos vallë, me mos marrjen pjesë në një ceremoni të tillë në Presidencë, donin të dërgonin ndonjë mesazh, ndokujt më larg dhe përse?!

Po, ku ishte opozita dhe përfaqsuesit e saj – sado të ndarë e të përçarë që janë — për faqe të zezë të tyren?! 

Po pse nuk ishte aty përfaqsuesi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe përfaqsues të tjerë diplomatikë perëndimorë në Tiranë dhe pse nuk morën pjesë?!

Ku ishin përfaqsuesit e komuniteteve fetare – që normalisht tregohen si përfaqsuesit më të përbashkuar të popullit shqiptar në raste të tilla?!

Për më tepër, kush janë këta përfaqsues politikë e të tjerë të Kombit shqiptar, që në kapacitetin e tyre zyrtar, pretendojnë të jenë përfaqsues të Kombit, po që nuk marrin pjesë në nderimin nga Presidenti i Republikës të një miku të madh të shqiptarëve – siç është, Amb. William Walker?! Çka po ndodhë në kryeqytetin e shqiptarëve?!

E pashë ceremoninë në Presidencë dhe më erdhi të qajë, jo nga gëzimi, që do duhej të ishte një rast i tillë, i gëzuar, falënderues e mirënjohës për një personalitet të madh, mik i shqiptarëve – por mu mbushën sytë me lotë nga dëshpërimi dhe hidhërimi ndaj një shfaqjeje të tillë mosrespektimi ndaj këtij miku të madh të Kombit, i cili, sipas Presidentit Bajram Begaj, “me punën dhe kontributin e tij krijoi një lidhje të pazgjidhshme me Kombin shqiptar”, për të gjithë shqiptarët, pra, pa dallim.

Dëshprimi dhe hidhërimi im personal — thjesht si shqiptaro-amerikan — u këthyen në një ndjenjë imponuese turpi. Dhe në mungesë të mundësisë për të bërë ndonjë gjë për ta ndryshuar atë dukuri, m’u kujtua poezia e Azem Shkrelit: Sonte!


Qava sonte për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Më vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava (Azem Shkreli)

Dhe thashë me veten, miqtë e Kombit shqiptar, siç është Ambasadori William Walker, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje, meritojnë të trajtohen dhe të nderohen më mirë dhe më shumë se kështu! Por hajde, kujt t’i thuash.  Frank Shkreli/ Thirrja e Ambasadorit William Walker: Punoni për kauzën që bashkon të gjithë shqiptarët | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli 

                  Foto nga ceremonia e dekorimit të Amb.William Walker

Frank Shkreli/ Thirrja e Ambasadorit William Walker: Punoni për kauzën që bashkon të gjithë shqiptarët | Gazeta Telegraf

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU, ISHTE I LARTË 1.98m

January 17, 2023 by s p

Nga një dokument Venedikas, nga viti 1457, mësojmë se Skenderbu ishte i lartë: 1.98m.-Petkat e luksit dhuratë e zakonshme për princërit dhe fisnikët shqiptarë.- Luigi Machiaveli, në mënyrë të prerë, në Codexin Latin: Urb. Lat. 512, pohon se Gjergj Kastrioti – Skenderbeu ishte i lartë: 1.98m.-Machiaveli, na njofton për një pikturë që kishte bërë ai vetë dhe, për një stemë origjinale nga viti 1467, faksimilin e të cilës po e botojmë. -Nga medalioni i Zagrebit, për herë të parë, në mënyrë autentike, mund të vështrojmë tiparet fizike të fytyrës së Skenderbeut.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest/

Në historiografinë shqiptare, por edhe atë botërore, ka mbetur e pazgjidhur lartësia e trupit dhe dukja fizike e Gjergj Kastriotit Skenderbeut. Duke shikuar punime të ndryshme pikture, skulpture, gravura dhe gdhendje të shumta, të autorëve të njohur, por edhe atyre anonim, krijohet një ide, jo shumë e qartë, për zhvillimin fizik të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Edhepse, shumica e biografëve dhe autorëve që janë marrë me Skenderbeun, bëjnë përshkrime të hollësishme, asnjëri nga ata, llogarisim këtu edhe Barletin dhe Dh. Frangun, nuk na kanë lënë të dhëna të sakta, për gjatësinë dhe dukjen fizike të Skenderbeut. Ky problem, do të mund të zgjidhej lehtë, sikur të ishte ruajtur varri i Skenderbeut në katedralen e Shën Kollit në Lezhë; duke bërë vëzhgimin e skeletit ose duke aplikuar metodën e DNK-së. Për fat të keq, një gjë e tillë është e pamundur, ngase turqit, pas pushtimit të Krujës, hapën varrin e heroti tonë kombëtar dhe, morën të gjitha gjërat që ishin aty, natyrisht edhe pjesët e skeletit, të cilat i mbanin si nuska të shenjëta.

E vetmja shpresë, mbetej që një ditë, të zbulohej ndonjë dokument apo përshkrim i ndonjë bashkëkohaniku, për të përcaktuar lartësinë dhe dukjen e saktë fizike të Gj. K. Skenderbeut. Gjatë hulumtimeve tona shkencore, për fat të mirë, ndodhën që të dyja!

Në arkvin e Venedikut, fondi: Senatus de Maritimis provinciis et negotiis Deliberationes [Sen. Mar.] Registro VI, C., f. 26V-27V, shfrytëzuam një dokument që mban datën: 8 korrik 1457, në të cilin, bëhet fjalë për lartësinë e Skenderbeut. Dokumenti është i shkruar në gjuhën italiane dhe pjesërisht në atë latine dhe përbëhet prej 3 faqesh tekst. Është i dërguar nga kancelaria e Skenderbeut, përmes kancelarit [noterit] dhe njëherësh përfaqësuesit të tij diplomatik në Venedik, priftit, Gjergj Pelini, abat në abacinë e Shën Mërisë së Ratacit, në afërsi të Tivarit.

Dokumenti në fjalë, përbëhet nga 9 kapituj të ndryshëm, që secili në vete përbën, një tërsi të veçantë. Në kapitullin e dytë, është ky tekst: “Ad Secundum. Guarda per J panni Jquali me hano promesso de dar do veste alano, che me diano le Veste lequal son per mi, chomo hano dado ali altri signori, perche dixeno che me po esser de braza 16 de veste, deche signori guarde quanti brazi da panno me pono esser do veste, tanto me dadi, Mo signori, quello che piaxe ala vostra Signoria quelo farete de quello panno che bexognera per mi”. [Përkthimi i lirë në gjuhën shqipe do të ishte: “E dyta. Shikoni, në lidhje me cohën që më kanë premtuar, për dy petka në vit, që të më japin petka të përshtatshme për mua, si ju kanë dhënë zotërinjëve të tjerë; pasiqë, sipas pohimit të tyre, nuk më mjaftojnë 16 kutë, për dy pal petka; por, zotërinj, shikoni se sa kutë më nevojiten, për dy palë petka, dhe aq më dërgoni; sidoqoftë, zotërinj, ajo që ju pëlqen, Zotërisë Suaj, atë gjë, do të bëni në lidhje me cohën, që është e nevojshme për mua”.]

Ishte praktikë e kohës, që Senati Venedikas, qytetarëve të tij të nderit, ju dhuronte, veshje dhe cohë luksi, për petka solemne; ndër të tjerë edhe princave shqiptarë, ku bënte pjesë edhe Skenderbeu.

Senati Venedikas përgjigjej në këtë mënyrë: “Responsio. Et si capitulum sit clarum, et aperte loquatur, Jnclinati tamen ad ea que sibi grati sint, ordinabimus quod sibi dentur brachia 18 scarlatini secundum consuetudinem pro duabus vestibus pro Magnificentia sua prout in capitulo continetur”. [Përkthimi i lirë në gjuhën shqipe do të ishte: “Vendim. Që kapitulli të jetë i qartë, e të flasim hapur, me gjithë këtë, të nisur në atë rrugë, që të jetë e pranuar për Të, do të urdhërojmë që t’i jipen: 18 kutë skarlatini, simbas zakonit, për dy palë petka, për Shkëlqesinë [Madhërinië, m.a.] e Tij, për sa vendoset në kapitull”.

Duke analizuar me vëmendje dokumentin, nxierrim përfundim se: princërve dhe bujarëve të tjerë shqiptarë, Snati Venedikas, ju dhuronte nga 16 kutë cohë, për dy palë petka luksi, ndërsa Skenderbeut, i dhuron 18 kutë, po për dy palë petka, ngase 8 kutë cohë, nuk i mjaftoin për një palë petka, pra i duheshin 9 kutë cohë.

Pas një llogaritje të thjeshtë, nxierrim përfundim se Skenderbeu ishte më i lartë se pricërit dhe fisnikët tjerë shqiptarë. Duke pasur parasysh, se 8 kutë cohë, jipeshin për një fisnik, lartësia e të cilit, ishte deri në 1.75m, atëher, 9 kutë cohë, për Gjregj Kastriotin Skenderbeun, na japin lartësinë prej 1.98m.

Është e njohur se 1 kut cohe venedikase, kishte gjatësinë prej 0.793m. Pra, derisa për një pric shqiptar duheshin mesatarisht: 6.344m, cohë luksi, për Skenderbeun duheshin: 7.137m cohë luksi për një palë petka. Petkat të cilat ju dhuroheshin princëreve dhe fisnikëve, ishin të gjëra dhe të gjata dei në fund të këmbëve, shkak ky, që pricërit dhe fisnikët të dukeshin sa më hijerëndë.

Nuk na është e njohur që të jetë ruajtur ndonjë petkë origjinale e kohës. Ky është mëkat i vërtet, ngase nga rreth 30 palë petka, luksi që Skenderbeu kishte marrë dhuratë nga Venediku, do të ishin një raritet i mrekullueshëm. Disa elemente nga këto petka luksi na janë ruajtur, në piktura dhe medalione të Skenerbeut, të cilat mjaftojnë, për të bërë një rikostruim komplet të një apo disa petkave luksi venedikase të cilat mbante Skenderbeu në raste soleme. Këtu nuk janë llogaritur petkat tjera, si dhuratë të marra nga: Napoli, Lisabona, Barcelona, Malta, Milano, Dubrovniku… etj.

Pos dokumetit të cekur më lartë, në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, ruhet një kodeks Latin; URB. LAT. 512, ku autori: Luigi Machiaveli, ka punuar një pikturë dhe një stemë origjinale të Skenderbeut dhe ka lënë disa shënime për lartësinë e Skenderbeut dhe dukjen e tij fizke.

Në kodeks, është shënuar viti i saktë i punimit të stemës dhe të një pikture, për të cilën ne nuk kemi njohuri se ekziston. Viti është 1467, pra vizita e fundit e Skenderbeut që i ka bërë Vatikanit.

Machiaveli kur përshkruan Skenderbeun, pohon: “Është një burrë i shtyrë në moshë, me tipare shumë fisike. Ka një mjekërr të zbardhur, po të rregulluar me gusto. Sytë i shkëlqejnë shumë dhe ka një hundë shqiponjë. Flokët e thinjura i ka të prera shkurtë. Është veshur me petkë napolitan, mëndasfshi. Latësia e tij është 1.98m”. Ky shënim në mëyrë të prerë, për herë të parë, na jep lartësinë e saktë të Skenderbeut.

Machiaveli pastaj ka punuar stemën të cilën po e botojmë në vazhdim. Poshtë stemës janë 4 rreshta tekst, të cilët lexohen: “Castrioti questj vene de Albania erano valentj homenj et f. il bon portamento de fece Schanderbecho in Albania el fo fare del Consegio del 1467, et delj suj ne sono al presente”.

Pos këtyre të dhënave, për lartësinë dhe dukjen fizike të Gjergj Kastritotit – Skenderbeut, nga “Medalioni i Zagrebit” i viti 1449, mund të vërejm për herë të parë, dukjen fizike autentike dhe besnike të heroit tonë kombëtar, kur ai nuk kishte më shumë se 50 vjet.

Filed Under: Politike Tagged With: Musa Ahmeti

Kryeministri Kurti bëri homazhe në Reçak

January 16, 2023 by s p

Reçak, 15 janar 2023/

Në 24- vjetorin e Masakrës së Reçakut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani- Sadriu, Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, bën homazhe dhe vendosën kurora me lule në kompleksin memorial, në Reçak, në nderim të viktimave civile të masakruara nga forcat serbe, më 15 janar 1999.

Pas homazheve, në shoqëri edhe të ambasadorit William Walker, përfaqësuesve diplomatikë të akredituar në Kosovë dhe në prani të shumë qytetarëve, kryeministri Kurti ka vazhduar me nderime te varrezat e të vrarëve nga forcat serbe, si dhe ka vizituar shtatoren e ambasadorit Walker.

Duke nderuar viktimat e masakrës së Reçakut, kryeministri Kurti tha se çdo fillim vit në mes të janarit dhe sa herë që vijmë për vizitë dhe homazhe në Reçak, përballë faqes së murit të memorialit që mbanë 45 portretet e viktimave civile të vrarë në fshat të Shtimes, pashmangshëm na rikthehen në kujtesë pamjet e trupave të tyre, të masakruar më 15 janar 1999 nga policia e Serbisë.

Pas homazheve, kryeministri Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimore, në 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, aktivitete këto që u organizuan nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, e ku nga një fjalë rasti mbajtën presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu dhe ambasadori William Walker.

Filed Under: Politike

DOKUMENTET E ARKIVIT APOSTOLIK TË VATIKANIT PËRMES GJUHËS SË PËRDORUR NË BULAT PAPNORE MESJETARE NË SHEKUJT XIV – XV-të

January 14, 2023 by s p

Në këtë fond gjenden shumë bula origjinale të papëve të ndryshëm drejtuar finsikëve shqiptarë p.sh. Muzakajve (Reg. Vat. 109, f. 140, ep. 571), Matarangëve dhe Blenishtëve, të cilët papa Gjoni XXII i quan “baronë” (Reg. Vat. 109, f. 140, ep. 572), por edhe dhe klerit më të lartë që vepronte në Shqipërisi , si psh. Marinit, kryeipeshkvit të Tivarit (Reg. Vat. 52), Sumës ipeshkvit të Drishtit (Reg. Vat. 76, f. 6), Pjetrit ipeshkvit të Shkodrës  (Reg. Vat. 92, f. 62), Andreas ipeshkvit të Durrësit (Reg. Vat. 89, f. 118), Zaharisë, ipeshkvit të Shasit (Reg. Vat. 68), Bartholemeut, ipeshkvit të Kunavisë (Reg. Vat. 70), etj., pastaj janë edhe sisa bula të tjera të cialt ju adresohen kryeipeshkëve të vendeve fqinjë për të ndihmuar Andrean, ipeshkvin e Krujës që është dëbuar nga mbreti serb Urosh (Reg. Vat. 67, f. 26), etj.

Prof. dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Stuidues

Budapest

Arkivi Sekret i Vatikanit është një thesar për historinë e popullit tonë, histori të cilën deri tani e njohim vetëm në mënyrë të cunguar dhe më shumë të interpretuar nga të tjerët se sa nga vetë ne.

Dokumentet që flasin për historinë e Shqipërisë dhe që ruhen në Arkivin Sekret të Vatikanit janë të shumta, jo aq për shkak të fqinjësisë së Shqipërisë me Italinë, gjë që ka bërë që kontaktet midis dy vendeve të jenë mjaft të shpeshta dhe gjurmëlënëse, por më tepër për shkak të politikës universale të kishës katolike për të prezantuar besimin katolik në të gjithë botën. Në këto plane trojet shqiptare zinin vend të rëndësishëm në mozaikun e interesave të Kurisë së Selisë së Shenjtë, ndaj Ballkanit. 

Është e vërtetë që papati parapëlqente të lidhej diplomatikisht dhe politikisht me mbretëri të konsoliduara apo që jepnin shpresa për konsolidim, dhe me kryeipeshkvi, ipeshkvi, e dioqeza të mëdha dhe frytdhënëse, duke qenë në një pozitë stragjike trojet shqiptare ishin nën vëmendjene përhershme të Selisë Shenjtë. Kontaktet e para të Selisë së Shenjtë me kryeipeshkvitë, ipeshkëvitë dhe dioqezat e shumta shqiptare si dhe fisnikët e familjet e njohura shqiptare të kohës i gjejmë që në shekullin e nëntë (IX) përkatësisht që në dokumentet apo dorëshkrimet e para që ruhen në Archivio Segreto Vaticano. Këto konta ishin relativisht të forta dhe pos sferës fetare ato mund ti ndeshim edhe në fusha të tjera, ngjajshëm me ato të vendeve fqinje apo përgjithësisht perëndimore. 

Përveç kësaj trojet shqiptare ishin në udhëkalime të rëndësishme gjeografike për në thellësi të Ballkanit dhe për në Konstantinopojë, si dhe në kufirin midis kishës katolike dhe orthodokse, gjë që u jepte atyre pushtet, i cili po të mos vihej në duart e papatit do të vihej në duart e armiqve të tij. Kështu Selia e Shenjtë, jo vetëm që nuk i kishte lënë jashtë vëmendjes së saj shqiptarët dhe trojet e tyre, por përkundrazi i ka përkrahur dhe shpesh nxitur e përdorur, për të organizuar kryqëzata apo fushata katoliçizimi kundër “skizmatikëve” të lindjes. 

Arkivi i Vatikanit shquhet kryesisht për pasurinë e tij të dokumenteve origjinale nga fusha të ndryshme. Më mirë të regjistruara janë bulat papnore, të cilat dallojnë nga dokumentet e tjera papnore jo vetëm për nga solemniteti i stilit të të shkruarit, por edhe se në origjinal mbajnë një vulë të plumbtë, nga e cila kanë marrë edhe emrin bula.

Serinë më të famshme dhe më të vjetër të këtyre dokumenteve e përbëjnë Registri Vaticani. Registri Vaticani është formuar nga regjistrimi i të gjitha letrave papnore, regjistrim ky që bëhej në Kancelarinë Apostolike, në Dhomën Apostolike dhe në Sekretarinë Papnore.

Kancelaria është dikasteri i parë që shquhet për antikitetin dhe për kuantitetin e bulave papnore. Kjo seri përbëhet nga vëllime që numërohen nga 1 deri tek 2020 të cilët u dëmtuan mjaft rëndë, kur arkivi u transportua nga Vatikani në Paris (1810), me urdhër të Napoleon Bonapartit. Megjithatë meqë disa vëllime përsëriten numrat shkojnë deri tek 2042. Vëllimet 29B, 110A, dhe 110B nuk janë vëllime me dokumente të mirëfillta pasi këto vëllime përmbajnë riprodhime fotografike. 

Regjistrimi sistematik i dokumenteve papnore në Registri Vaticani fillon me papën Inocent III (1198-1216), megjithëse ekziston edhe një vëllim me letra të papës Gjoni VIII nga vitet 872-882 ku më së një herë ndeshim vëmendjen e papës për ipeshkvitë shqiptare, si dhe një regjistër i Gregorit VII me kopje të letrave të Gregorit VII nga viti 1073-1085. 

Seria, në formën që ekziston sot, arrin të përmbledhë dokumente deri në periudhën e papa Piu-t V (1566-1572), ku janë shtuar spontanisht edhe disa dokumente të Klementit VIII për vitet 1592-1605. 

Ky fond pra mbulon mirë një periudhë prej disa shekujsh, dhe është konsideruar si burimi më i mirë për historinë e Evropës në përgjithësi. Mund të themi pa frikë që është gjithashtu edhe burimi më i mirë për historinë e Shqipërisë dhe popullit shqiptari, sidomos për shek. IX deri XV, dhe jo vetëm për historinë religjioze, por edhe për atë sociale, politike, ekonomike, kulturore. 

Gjatë mesjetës, përkatësisht shek. XIV-XV, Selia Papnore e përhapte ideologjinë e saj nga qendra në periferi kryesisht nëpërmjet kancelarisë shumë aktive papnore dhe konkretisht nëpërmjet bulave dhe dokumenteve të tjera që lëshonte kjo kancelari. Bulat, si letra zyrtare të vulosura nga autoriteti më i lartë i Selisë Papnore, Papa, u drejtoheshin si pushteteve shpirtërore (klerikëve) ashtu edhe atyre shekullare (mbretërve, princërve, fisnikëve etj.).

Në këtë fond gjenden shumë bula origjinale të papëve të ndryshëm drejtuar finsikëve shqiptarë p.sh. Muzakajve (Reg. Vat. 109, f. 140, ep. 571), Matarangëve dhe Blenishtëve, të cilët papa Gjoni XXII i quan “baronë” (Reg. Vat. 109, f. 140, ep. 572), por edhe dhe klerit më të lartë që vepronte në Shqipërisi , si psh. Marinit, kryeipeshkvit të Tivarit (Reg. Vat. 52), Sumës ipeshkvit të Drishtit (Reg. Vat. 76, f. 6), Pjetrit ipeshkvit të Shkodrës  (Reg. Vat. 92, f. 62), Andreas ipeshkvit të Durrësit (Reg. Vat. 89, f. 118), Zaharisë, ipeshkvit të Shasit (Reg. Vat. 68), Bartholemeut, ipeshkvit të Kunavisë (Reg. Vat. 70), etj., pastaj janë edhe sisa bula të tjera të cialt ju adresohen kryeipeshkëve të vendeve fqinjë për të ndihmuar Andrean, ipeshkvin e Krujës që është dëbuar nga mbreti serb Urosh (Reg. Vat. 67, f. 26), etj.

Kujdes i veçantë në shkrimin e bulave i kushtohej mënyrës së adresimit dhe përpilimit të mesazhit. Çdo gjë ishte e mirëplanifikuar dhe e kodifikuar. Asgjë në bulë nuk është e rastësishme: as letra, as formati, as ngjyra e përdorur për shkrimin, as lloji i shkrimit, as fjalët e zgjedhura për të adresuarin, as mënyra e dhënies së mesazhit. 

Për një kohë të gjatë, bulat janë konsideruar si shumë formulaike dhe të thata, por studimet e fundit të këtyre formulave kanë treguar që çdo detaj ishte simbolikisht i rëndësishëm për marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me marrësin e mesazhit.

Sigurisht që forma bazë në të cilën shfaqet më dukshëm ideologjia është në fjalën e shkruar, pra në dokumentet zyrtarë të lëshuara nga pushteti në fjalë. Gjatë mesjetës, Selia papnore ishte ajo që prodhonte dhe lëshonte më shumë dokumenta se çdo autoret tjetër i asaj kohe, kështu që është e logjikshme se përse kancelaria papnore ishte një ndër zyrat më të rëndësishme në Selinë e Shenjtë. Mënyra e organizimit të punës në këtë zyrë, reflektohet qartazi jo vetëm në llojet e ndryshme të dokumenteve që prodhoheshin, por edhe në formën sesi shkruheshin ato. Këtu kemi parasysh jo vetëm solemnitetin apo thjeshtësinë e paraqitjes së tyre, por edhe formulat e përdorura brenda tekstit.

Ne gjatë punës sonë hulumtuese kërkimore –shkencore në ASV kemi konsiliduar një numër të madh të bulava panore. Stduimi i tyre, përgaditja dhe botimi i tyre është një sfidë për ne. Ne kemi përzgjedhur vetëm tre bula, përkatëisht tre kategori të bulave panore për këtë kumtesë.

  1. Bula e parë është nga shek. ajo e papës Urban V drejtuar fisnikëve të Shqipërsisë Veriore, Balshajve, shek., XIV, përkatësisht viti 1369. Kjo bulë sot ruher në fondin: Instrumenta Miscellanea, nr. 2526, n. ASV. Papa, sipas gjuhës zyrtare të kohës, e quan veten “ipeshkv, shërbëtor të shërbëtorëve të Zotit,” dhe u drejtohet atyre, Balshajve, që nuk i quan akoma katolikë me “burra fisnikë” ndryshe nga ata që janë katolikë dhe që u drejtohet me “bij të dashur”, apo ipeshkvit që i drejtohet “vëlla i nderuar, bir i dashur”. 
  2. Një bulë tjetër është  XV, (prilli i vitti 1451) e cila ju drejtohet fisnikëve shqiptarë Muzakajve, Matarangëve e Blenishtëve. Kjo bulë është solemne, e shkruar në pergamen. Papa i fton ata që të vazhdojnë me pëkushtim të ndjekin rrugën e Zotit, përkatësisht të luftojnë skizmatikët dhe të mbështesin klerikët (iepeshkvët dhe klerin tjetër) që veprojnë në territoret – principatat – tyre. Këtu më së miri vërhet dogma ideologjike e shprehur të qartë dhe të saktë për këta fisnikë.
  3. Ndërssa bula e tretë është shumë vecantë, e lëshuar nga papa PALI për Engjëllorët e Drishtit. Në këtë bulë papa konfirmon privilegjët që gëzon kjo familje gjatë shekujve si familje e shquar finsike, bujare dhe shumë e devotshme në besim në Zotin. Pasi papa shpreh konsideratat për pinjollët e kësaj familje, shënon se ata me pëkushtim të veçantë kanë ndihmuar në ruajtjen dhe përhapjen e fesë së shenjtë, duke sakrifikuar çdo gjë për besim në Zotin.

Bulat që u drejtohen klerikëve dhe princërve shqiptarë në mesjetë, janë dëshmi e një ideologjie shumë përmbajtësore, që përveçse ishte e ngjashme me të gjitha bulat e lëshuara për të gjitha pjesët e tjera të Evropës së krishterë, kishin edhe specifikat e tyre të veçanta që tregojnë një tjetër vëmendje të papatit ndaj territoreve shqiptare. Parashtrimi i këtyre elementeve në historiografinë shqipe bëhet për herë të parë dhe identifikimi i tyre në bulat latine do të shërbejë si çelës për zbërthimin e kodeve gjuhësore të përdorura ndër autorët e hershëm shqiptarë që kryesisht kanë shkruar tekste kishtare.

Filed Under: Politike Tagged With: Musa Ahmeti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 184
  • 185
  • 186
  • 187
  • 188
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT