• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POROSIA E FUNDIT E SENATORIT ROBERT DOLE: KOMPROMISI SI PARIM POLITIK

December 12, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceIsh-Senatori republikan, Hero i Luftës së Dytë Botërore, ish-Kongresist, ish-Senator, ish-Kryetar i Partisë Republikane, ish-kandidat për president i kësaj partie dhe ish-udhëheqës i Senatit Amerikan – por mbi të gjitha, njëri prej miqëve më të mëdhej i shqiptarëve në Amerikë, ish-Senatori Bob Dole ndërroi jetë javën që kaloi në moshën 98-vjeçare. Frank Shkreli: Pushofsh në paqe Bob Dole, miku ynë i shtrenjtë përjetësisht në kujtesën tonë! | Gazeta Telegraf.  Ai njihej për dekada si kampion i vërtetë i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut për popujt e shtypur, përfshir shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, por jo vetëm.  I ndjeri Senator Robert (Bob) Dole njihej, përveç tjerash, edhe si një politikan praktikues dhe promovues i artit të kompromisit parimor në diskursin politik, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Në artikullin e fundit botuar në gazetën, USA Today, i cilësuar tani si “mesazhi i fundit publik” para se të ndërronte jetë me 5 Dhjetor, 2021, ish-Senatori Dole thekson rëndësinë e atij që ai e ka quajtur si “kompromis parimor”, Sen. Bob Dole’s final column: ‘Too many of us have sacrificed too much’ (outline.com), në diskursin politik në Washington, por edhe më gjërë.

Në diskursin politik, këtu në Shtetet e Bashkuara, kompromisi politik është praktikuar dhe respektuar si parim, duke filluar nga baballarët e këtij kombi që në fillim të themelimit të Amerikës — që nga Xhejms Madisoni e deri tek Presidenti Ronald Reagan.  Gjatë periudhave të ndryshme të historisë amerikane, mund të gjënden shumë raste, kur në politikë është përdorur parimi i kompromisit për të arritur fitore ndërtuese me rëndësi historike dhe jo si një shenjë dobësie ose dorëzimi para një kundërshtari politik.  Por, me largimin nga skena politike, të personaliteteve të njohura të politikës amerikane, si senatorët Robert Dole dhe Xhon Mëkejn, kompromisi parimor në politikë, përdoret pak ose aspak, midis dy partive kryesore në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, madje përdoret shumë pak edhe brenda partive, sikur “ka dalur mode”. I vetdijshëm për këtë realitet politik këtu në Amerikë dhe në botë,  para se të kalonte në atë jetë, Senatori Dole la pas, porosinë e fundit për politikën amerikane në  një artikull të botuar në gazetën kombëtare USA Today duke bërë thirrje që të mos hiqet dorë nga kompromisi parimor në debatet politike, sidomos në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

“Bashkpunimi është sot më i nevojshëm se kurrë në Washington”, ka shkruar Dole, disa ditë para se të ndërronte jetë. “Gjatë viteve që kam shërbyer në Kongresin amerikan në Washington, republikanët dhe demokratët ishin kundërshtarë politikë, por ishin gjithashtu edhe miq e kolegë, me njëri tjetrin.  Mësova heret” — në karrierën time politike, vazhdon Senatori i ndjerë — “se ishte pothuaj e pamundur të arrije gjë ose të realizoja ndonjë fitore politike, nëse nuk bëja kompromis – jo kompromis me parimet e mia, por ishte e nevojshme të bëja kompromis me gatishmërinë time, për të parë anën tjetër të argumentit, argumentit të kundërshtarit. Ata që sugjerojnë se kompromisi është një shënjë dobësie, keqkuptojnë krejtësisht forcën themelore të demokracisë tonë”, ka shkruar Senatori Robert Dole në artikullin e fundit, botuar në gazetën USA Today, pak ditë para se të ndërronte jetë, javën që kaloi.

“Të mbështesim meritat dhe vlerat e demokracisë amerikane, duke provuar se nuk është e nevojshme që të jemi dakort për çdo gjë, për të arritur marrëveshje për disa gjëra”, ka porositur Dole, duke shtuar se, “Historia jonë është plot me debate politike dhe përçarje të thella, por, kolektivisht, ne ndajmë objektivin e përbashkët, për një Amerikë më të mirë” për të gjithë dhe pa dallim, ka nënvijuar ai në kryeartikullin e fundit të jetës së tij. “Ne nuk duhet të lejojmë që ndryshimet politike të pengojnë realizimin dhe sigurimin e të mirës së përbashkët” si objektiv arritjeje, ka theksuar Robert Dole në artikullin për gazëtën USA Today, sikur t’a dinte se ishte amaneti i fundit lënë bashkombasëve të tij.

                    See the source imageDy burra të mëdhej të Amerikës — nga dy parti me parime dhe politika të ndryshme – me kompromis midis tyre dhe me të tjerët — siguruan mbështetjen e Washingtonit zyrtar dhe të aleatëve përendimdorë, që tragjedia e Bosnjës të mos përsëritej në Kosovë, duke autorizuar më në fund bombardimin e Serbisë nga NATO, (1999) për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga forcat policoro-ushtarake terrroriste serbe.(Foto- Presidential debate, 1966)

Sot, më shumë se kurrë më parë, jo vetëm Amerika por e mbarë bota e sidomos, shqiptarët, kanë nevojë për burra, por edhe për gra, si Bob Dole — burra të njohur për nder, heroizëm dhe karakter, por edhe të gatëshëm për kompromis në politikë, si një parim i rëndësishëm politik.   Presidenti Joe Biden, i cili ka shërbyer në Senat me Senatorin Dole për 25 vjetë, e cilësoi ish-Senatorin Diole, një patriot të madh, si “në fushtë të betejës ashtu dhe në sallën e Kongresit amerikan.  Bob Dole, tha Presidenti Biden, jetoi tërë jetën e tij, bazuar në një kod nderi. Senatori Dole, shtoi ai, ishte “burrë i fjalës, i cili donte atdheun e tij e të cilit i shërbeu me përkushtim të plotë, terë jetën e tij.”  Z. Biden e cilësoi Senatorin Dole, si një “gjigant të historisë tonë”.

Gjatë gjithë jetës së tij, Senatori Bob Dole ndërtonte ura komunikimi e kompromisi në politikë dhe për të mirën e Amerikës, të cilën e donte aq shumë dhe për të cilën sakrifikoi edhe më shumë, ndërkohë që si individ dhe si politikan shembte muret që ndanin dhe përçanin politikanët amerikanë nga njëri tjetri.  Për Senatorin Ribert Dole, fjala kompromis nuk ishte një fjalë e ndyrë në diskursin politik amerikan, por është diçka që përveç gatishmërisë për të bërë kompromis nevojit edhe cilësitë e Senatorit Dole, si: sinqeriteti, besueshmëria nderi, burrëria dhe karakteri.  Por, që kompromisi të përfundojë në marrëveshje ose sukses, duhet që interlokutorët kundërshtarë, të kenë cilësitë dhe vlerat që posedonte i ndjeri Robert Dole – cilësi dhe vlera që, fatkeqsisht, vështirë të gjënden më, kudo qoftë. Prandaj, bota është në gjëndjen që është sot. 

Falënderojmë të Madhin Zot për nderin dhe privilegjin që në jetën tonë kemi njohur miq të shqiptarëve, burra të fjalës të këtij vendi të madh e të bekuar – Amerikës tonë të dashur. Shqiptarët do të thonin burra të besës, të nderit e burrërisë, por edhe trima e guximtar si Senatori Bob Dole, që na ka dhënë mundësinë, privilegjin dhe nderin ta njihnim. Uroj që mikut tonë të dashur e të nderuar, mos t’i ketë shkuar mundi bosh për të shpëtuar shqiptarët në ditët më të vështira të tyre! Si përfundim i punës dhe kontributit të Senatorit Dole dhe rolit të  politikanëve të tjerë të dalluar amerikanë në mbrojtjen e shqiptarëve nga të huajt, pyetja më e rëndësishme sot është se kush do i shpëtojë shqiptarët nga vet-vetja. Pushofsh në paqën e merituar miku i ynë Bob Dole, promovues i frymës së parimit të artit të kompromisit në politikë, si një mjet për arritje të mëdha. Përgjithmonë në kujtesën tonë!  

Frank Shkreli      

A picture containing person, group, people, standing

Description automatically generated

Sipas patriotit dhe aktivistit të dalluar të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti, shqiptaro-amerikani, Z. Jim Xhema (i pari majtas), Senatori Dole kundërshtonte fuqimisht ndarjen e Kosovës  LETTER OF APPRECIATION FOR SENATOR BOB DOLE – Dielli | The Sun (gazetadielli.com), duke ndryshuar kufijt dhe duke çkëmbyer territore me Serbinë.

                                 A person in a suit smiling

Description automatically generated with medium confidence                                Presidenti demokrat, Joe Biden e cilësoi Senatorin republikan Bob Dole, një “gjigant të historisë tonë”

A group of people in uniform

Description automatically generated with low confidence

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Z. Joe Biden me bashkshorten Jill Biden para arkivolit të ish-Udhëheqsit të shumicës republikane në Senatin Amerikan, ish-Senatorit të shtetit Kansas dhe mikut të madh të shqiptarëve, Robert DOLE –

PAS ÇIFTIT PRESIDENCIAL BIDEN, DALLOHET AKTIVISTI I ÇËSHTJES SHQIPTARE NË AMERIKË PREJ DEKADASH — SIDOMOS TË ÇESHTJES SË KOSOVËS — SHQIPTARO-AMERIKANI I MADH, (KRENAR TA QUAJ MIK E DASHAMIR), Z. JIM XHEMA, MIKU I NGUSHT I SENATORIT ROBERT DOLE DHE I FAMILJES SË TIJ –PËRFAQSUES I DENJË I KOMUNITETIT SHQITARO-AMERIKAN PËR T’I DHENË LAMTUMIRËN E FUNDIT SENATORIT DOLE, NË EMËR TË GJITHË SHQIPTARËVE KUDO QË JANË

See the source image

Foto pas debatit me rastin e zgjedhjeve për president të Shteteve të Bashkuara midis kandidatit të Partisë Republikane, Z. Robert Dole dhe kandidatit të Partisë Demokrate, Z. Bill Clinton, 1966 – garë që e fitoi Bill Clinton.  Megjithë ndryshimet e tyre parimore politike mbi shumë çeshtje, ata mbetën miqë të përjetëshëm — një miqësi kjo — midis dy personaliteteve të mëdha të politikës amerikane të shekullit të kaluar – nga e cila përfitojë shumë, jo vetëm politika amerikane, por edhe fati i shqiptarëve mori një drejtim tjetër historik, duke ndryshuar, për më mirë, epokën e shqiptarëve! Kosova, shtet i lirë dhe i pavrur, si përfundim i gatishmërisë së dy politikanëve amerikanë, me pikëpamje të forta dhe shpesh të kundërta, për të bërë kompromis mbi çështje me rëndësi të paqës dhe sigurisë në botë! 

See the source image
See the source image

Ish-Presidenti republikan, Z. Ronald Reagan me ish-Kryetarin e Dhomës së Përfaqsuesve, demokratin Z. Tip O’Neill – praktikuesë të artit të kompromisit në politikën amerikane për të mirën e përbashkët të atdheut – siç duket në një moment marrëveshje kompromisi midis tyre.  Ish-Presidenti Ronald Reagan dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit, Z. Tip O’Neill – dy amerikano-irlandezë, njëri siç cilësohej si, “ekstremist i djathtë” dhe tjetri “ekstremist i majtë”, sidomos sa u përkiste çeshtjeve të brendshme të Amerikës, njihen si dy politikanë amerikanë – që bënin kompromis për të arritur ndonjë sukses për vendin.  Megjithë pikëpamjet e tyre politike, shpesh krejtësisht të kundërta me njëri tjetrin, ata njiheshin si, “miqë pas orës 6 në mbrëmje”, kur takoheshin për ndonjë gotë “scotch”.

Frank Shkreli

Filed Under: Politike

Djerrina morale dhe djerrina e autoritetit

December 11, 2021 by s p

Agim Baçi

“Një shoqëri postmoderne e njeh veten nëpërmjet imazhit që vjen nga syri i kamerës”, shprehet një nga njohësit dhe shpjeguesit më të rëndësishëm të filozofisë së komunikimit të sotëm, francezi Zhan Baudrillard. Ai parashikon një botë që do të vijë gjithnjë e më shumë të mbushet me imitime, ku njeriu shpesh rrezikon të jetë veçse pasqyrim i aktrimit të tij dhe ku idetë nuk do kenë dot vendin e tyre në përditshmërinë tonë. Kjo situatë i kthen shumicën e qytetarëve jo në individë që mendojnë vetë, por në enë që kërkojnë të mbushen, të riformatohen. Këtë situatë e ka përdorur më mirë se kushdo politika, e cila i trajton shumicën e qytetarëve si soditës të zellshëm të imazhit që ajo prodhon në median tradicionale dhe në rrjetet sociale.Përballë një situate të tillë nuk mund të flasim lehtë as për të drejtën e as për një perspektivë morale. Madje, profesori i Sociologjisë në Universitetin Ilinois, SHBA, Norman K. Denzin, thotë se “shoqëritë sot rrezikohen nga një pornografi e së dukshmes dhe një përjetim i fuqishëm i formuar nga ankthi, tjetërsimi dhe pakënaqësia”. Sipas tij, shkëputja nga provincat apo vendlindja e shumë njerëzve për t’iu drejtuar metropoleve ka koston e imitimit dhe kësaj pornografie të së dukshmes, një “pornografi” që ka lulëzuar sidomos në fundin e shekullit të kaluar dhe në dy dekadat e këtij shekulli. A nuk janë shumica e familjeve në dilemë të madhe sot se ku mbaron ajo që duhet t’i ndalojmë dhe ajo që duhet t’u lejojmë fëmijëve, duke parë se sa presion ushtron mbi ta kjo pornografi e së dukshmes? A nuk janë në dilemë sot dhjetëra e dhjetëra prindër për mënyrën sesi duhet t’u flasin fëmijëve për të vërtetën, për të drejtën, për të moralshmen dhe të ndaluarën?Kjo shoqëri që i është nënshtruar fuqisë së imazhit, rrezikon që më së pari të nëpërkëmbë ata që nuk arrijnë të kuptojnë problemet serioze, me të cilat ndeshen në përditshmëri. Mjaft prej atyre që janë nën efektet e imazhit që vjen nga syri i kamerës shfaqen të paaftë për të kuptuar nëse janë përgjegjës përpara së vërtetës apo duhet të jenë të tillë përpara pushtetit.Por, kush mund ta ndalojë këtë fuqi të imazhit, që, në vend të informimit, ka qëllim nënshtrimin, manipulimin? A janë intelektualët ata që duhet të na drejtojnë, apo nevojitet një gërshetim mes tyre dhe elitës fetare, që zgjimit të ideve të mos u mungojë e moralshmja, e drejta, e vërteta?Fatkeqësisht, elitat, prej shumë kohësh, janë në atë djerrinë morale, që filozofi dhe kritiku francez, Zhylien Benda, e cilësoi njëqind vite më parë si “Tradhtia e intelektualëve”. Ai parashikoi se e keqja e shoqërive do të kulmonte me shkatërrimin moral të atyre që paguhen për të edukuar breza. Dhe sot, në vend të debatimit për nevojat morale e kulturore të shoqërisë, debatohet për treg, për blerje dhe shitje, duke kaluar në plan të parë argëtimin. Kjo “tradhti intelektuale” ka sjellë më pas edhe djerrinën e madhe të autoritetit të tyre. Shoqëria shqiptare të paktën ka kohë që nuk i referohet ndonjë kënaqësie të debatit intelektual e as nuk i drejtohet më atyre për zgjidhje. Aq më pak duket e i merr në konsideratë politika, pasi autoriteti i tyre për të përballur jetën me dinjitet ka rënë, duke i dhënë fuqinë botës së spektaklit.Në këtë betejë kanë kaluar në thuajse në mosqënie edhe autoritetet fetare, të cilët nuk gjejnë hapësirën e duhur për t’u përballur publikisht me shqetësimet e sotme të shoqërisë. Ata kanë mbetur peng i së shkuarës së fitoreve historike dhe thirrjet e tyre janë si në fundin e një shpelle, ku i dëgjohet jehona, por jo fuqia e vërtetë e asaj që dëshirojnë të thonë. Madje, me përfaqësuesit e institucioneve të së shenjtës është krijuar një situatë cinike, pasi janë kthyer në koncepte muzeale të shoqërisë, pasi në mënyrë krejt të hapur kthehen në panair vizitorësh vetëm në raste festash, ndërkohë që në përditshmërinë tonë zëri i tyre është i papërfillshëm.Pra, në këtë kryqëzim, ku as elitat intelektuale e as ato fetare nuk mundet dot të frenojnë këtë dëshirë për argëtim – që nuk është veçse një dëshirë për t’iu larguar realitetit dhe vetes- manipulimi i mendjes do bëhet një art gjithnjë e më i lehtë nga ata që duan të dominojnë jetët tona. Kjo, edhe për faktin se mosdëgjimi i zërit të tyre i ka zhdukur kufijtë mes së mirës e së keqes dhe mes së vërtetës dhe gënjeshtrës. Një zhdukje e tillë kufiri na sjell në skenë atë njeri të parashikuar nga shkrimtari i madh Dostojevski, “njeriun që nuk do të ketë turp nga asgjë”. Dhe njeriu që nuk ka turp nga asgjë, është njeriu që me shumë kënaqësi i ikën së vërtetës për të jetuar në argëtim, në harresë. Për një njeri të tillë, debati moral nuk ekziston dhe pyetjet që kanë dominuar që në fillesat e saj botën, si “Përse ia vlen të rrojmë?”, “Përse të vdesim?”, “Çfarë është e shenjtë?”, “Çfarë është e drejtë?”, rrezikojnë të përfundojnë në një muze të së shkuarës.Për të shpëtuar nga kjo djerrinë, është e rëndësishme të gjejmë shtegun e pyetjeve morale. Kjo nuk do të thotë të shmangim komunikimin, por në syrin e kamerës të mos lejojmë të fitojë imitimi, por të bëjmë çdo përpjekje që të triumfojë bindja se njeriu është i lirë. Të paktën, elitat fetare kanë detyrë që të gjejnë çdo hapësirë për t’i kujtuar njeriut se nga çdo krijesë tjetër e dallon liria për të vendosur, liria për të gjykuar. Dhe këto elita duhet t’u drejtohen sidomos atyre që paguhen për të edukuar brezat.

Filed Under: Politike

ERDHI DHE SHKOI Z. ESCOBAR – PO TASH?

December 10, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceJa shkoi në Tiranë, shikoi, u përshëndet me disa dhe u këthye. Fjala është për Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar. Nuk besoj se me vizitën e tij në Tiranë fitoi gjë, për t’iu referuar asaj thënjes së famshme të Jul Çezarit, “Veni, vidi, vinçi”, megjithëse Z. Escobar nuk kishte ardhur për të fituar gjë fare, pasi ishte një vizitë krejt e zakonshme, pjesë e një vizite rutinë në rajon. E tillë ishte para njoftuar edhe nga ambasada amerikane në Tiranë.

Por, siç e ka zakon media shqiptare, prisnin se diplomati i lartë amerikan do vinte në Tiranë mbi një kal të bardhë dhe do zgjidhte të gjitha problemet e politikës shqiptare—madje prania e tij do të zgjidhte edhe problemet brenda Partisë Demokratike, se zyrtari i lartë do të sillte informacion aq të dëmshëm kundër Sali Berishës sa që do ta asgjësoj atë para Kuvendit të planifikuar të demokratëve me 11 dhjetor. 

Por po të dëgjoje disa media të oborrit, para vizitës së zyrtarit amerikan në Tiranë, ai po vinte në Shqipëri me një shkop të madh për tu renë disa kokave dhe po të ishte nevoja marinsat amerikanë janë gati jashtë Tiranës, të gatëshëm të kontrollonin rrugët e Tiranës, për t’i ndalur hovin Sali Berishës, si rrejdhim i mbështetjes për ‘të, në “foltoret” e kohëve të fundit. Asgjë nuk ndodhi, veçse u harxhuan kot aq shumë orë debatesh boshe, sa që analistët do të kishin bërë më mirë t’i kalonin ato orë me fëmijtë dhe me familjet e tyre.

Nëqoftse shikojmë për fitues dhe humbës të kësaj vizite, krejtësisht të zakontë, media shqiptare, ose më mirë të them një pjesë e madhe e medias shqiptare, ishte humbëse, sepse parashikuan se me ardhjen e Z. Escobar në Tiranë do bëhej nami, “heads will roll”, sipas asaj frazës anglisht. Unë nuk prisja namin nga kjo vizitë, prisja vetëm që për të pasur një pasqyrë më të qartë se ç’po ndodhë në Shqipëri në këtë kohë krize politike, me një shkrim modest, i kisha bërë thirrje zyrtarit të lartë amerikan, që gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, përveç ambasadës dhe karakterave të zakonshëm të politikës shqiptare, të takohej edhe me grupe të tjera, të përjashtuara nga proceset politike të këtyre 30-viteve, ashtuqë të ketë një ide se çfarë mendon pjesa tjetër e shqiptarëve që nuk i pyet askush, për asgjë. 

Fatkeqësisht, duket se ai nuk u takua me askënd tjetër, përveç zyrtarëve të ambasadës, të qeverisë Rama dhe të përfaqsuesve të Partisë Demokratike që kontrollohet nga Lulzim Basha. Grupet jo-qeveritare janë humbës nga kjo vizitë, pasi Z. Escobar nuk u takua me ndonjë prej tyre, por edhe unë jam humbës që bëra thirrje për një takim të tillë që nuk ndodhi, për asgjë tjetër, veçse nga përvoja ime kam parë se zyrtarët amerikanë kanë nevojë të dëgjojnë edhe zëra të tjerë të shoqërisë shqiptare — dhe jo vetëm të marrin informacionin nga qarqet zyrtare të qeverisë shqiptare, qoftë edhe opozitës, si dhe nga ambasada.  Megjithse një vend i vogël, shoqëria shqiptare është mjaft e ndërlikuar dhe nevojitë njohje më të mirë nga të huajt, duke pasur edhe historinë jo të largët të Shqipërisë, si pikë referimi. 

Por uroj që Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar, të largohet sadopak fitues nga vizita e tij e shkurtër në Tiranë, me një shije sadopak të vogël, për faktin se sa e çuditshme, për të mos thënë e çmendur, është politika shqiptare. Dhe i vetdijshëm se kur në kazanin e asaj politike futen edhe gishtërinjë të huaj – ajo politikë humb fare busullën e normalitetit dhe atëherë as dreqi nuk e ve në terezi, madje as edhe një zyrtar i një vendi mik si, Z. Escobar. Por uroj që Z. Escobar të këtë porositur ambasadën tonë në Tiranë se klasa politike shqiptare pas 30-vjet “post-komunizëm”, ka nevojë që vetë t’i zgjidh problemet e saja të vet-krijuara, pasi Shqipëria është e tyre dhe e popullit shqiptar, që kjo klasë politike përfaqëson. Dhe se është në dorë të shqiptarëve të vendosin vet se kush do jenë udhçheqsit e tyre, tani dhe në të ardhmen.

Atëherë, pasi vizita e Z. Escobar në Tiranë, erdhi e shkoi — çfarë do ndodhë në skenën politike shqiptare të shumë pritur, për dy tre javët e ardhëshme. Unë besoj se sa i përket Amerikës, asgjë dramatike nuk do të ketë në skenën e politikës shqiptare, lajm i keq ky ndoshta për disa që presin ndërhyrjen amerikane për t’i rregulluar “punët e Shqipërisë” — duke pasur parsysh shpalljen “non grata” të Dr Sali Berishës nga ana e Shteteve të Bashkuara.  Fatkeqësi që ka ardhur deri në këtë pikë, por siç duket dy kuvendet e planifikuar të Partisë Demokratike do të mbahen. Do të zgjidhen zyrtarë të ri, Partia Demokratike do mbijetojë, Shtetet e Bashkuara, siç deklaroi edhe Z. Escobar në Tiranë, do bashkpunojnë me Partinë Demokratike, spas interpretimit tim, kushdo që ta drejtojë atë. Nuk besoj se në këtë mes, Washingtoni nuk do të ndërhyjë, se pse nuk ka të drejtë dhe as nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të një partie të një vendi anëtar të NATO-s.  A u kujtohet debati para 8 vitesh mbi çeshtjen e armëve kimike. Të gjithë thonin në atë kohë se Amerika ose NATO do ia impononte Shqipërisë që t’i pranonte armët kimike nga Siria.  Frank SHKRELI/ Amerika nuk do t’i imponojë Shqipërisë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë | Gazeta Telegraf

As kësaj radhe, Amerika nuk do të imponojë një zgjidhje për demokratët shqiptarë. Ata duhet t’i zgjidhin vet mosmarrveshjet midis tyre. As Partia Demokratike, as Shqipëria nuk janë vasale të Shteteve të Bashkuara as të ndonjë vendi tjetër. Historikisht, kjo nuk është në natyrën e politikëbërjes së Shteteve të Bashkuara karshi vendeve mike dhe aleate, megjithëse nga ndonjëherë, në rastin e Shqipërisë, mund të duket e tillë sepse vet politika shqiptare kërkon dhe lejon ndërhyrje të tilla të ngutshme dhe të pa menduara mire nga ndonjë individ ose ent zyrtar. Por, normalisht, nuk ndodh ashtu. Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur, vazhdimisht, një politikë pragmatike ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri, me ndonjë përjashtim të vogël, ndoshta. Ashtu do të ndodh edhe tani. 

Besoj se fjala pragmatizëm, është edhe mesazhi që doli nga vizita e djeshme në Tiranë e Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar.

Frank Shkreli 

Filed Under: Politike

LIDERSHIPI ETIK

December 9, 2021 by s p

IRIS HALILI

“Mendo, thuaj dhe vepro njëlloj” – Gandi

Studiuesit kanë arritur në përfundimin se pjesa më e madhe e njerëzve besojnë se janë më etikë se mesatarja e atyre që i rrethojnë (Trevino et al., 2000). Në fakt, realiteti tregon se shumë herë e rëndësishme nuk është vetëm çfarë në mendojmë për veten por edhe çfarë vlerësimi kanë të tjerët për ne. Liderët nuk bëjnë përjashtim nga ky gjykim. Është një fakt I pakontestueshëm që etika e një lideri e merr vlerësimin vetëm nga opinioni i ndjekësve. Lideri më shumë se kushdo prodhon atë që ai vetë përfaqëson në sytë e ndjekësve. Ky raport sjell atë që quhet reputacion. Lideri udhëheq përmes reputacionit të tij. Reputacioni i lartë te një lider nuk është gjë tjetër vetëm se një fjalë ndryshe për të përshkruar liderin me etikë të lartë. Një lider etik do prodhojë një organizatë, shoqëri apo ndjekës po të tillë. “Etika është vetë shpirti i lidershipit”, thotë Joanne Ciulla në librin e saj me të njëjtin titull (1998). Kjo shprehje është bërë tashmë klasike në studimet mbi lidershipin. Po ku dhe si shfaqet etika në lidership? Cili lider meriton të quhet me etikë të lartë e cili jo? Cila është pika vendimtare që e ndan liderin etik nga ai që nuk është i tillë? Ka shumë faktorë dhe cilësi që përcaktojnë fatin e një lideri, por vetëm njëri jep veton finale dhe ky është vendimi apo vendimet e ndërmarra. Proverbi popullor, “Veprat flasin më fort se fjalët” mbetet aktual edhe kur flasim për lidershipin. – “Lidershipi është veprim”. Kjo do të thotë se ndjekësit harrojnë shpejt atë çka tha lideri, por ata nuk harrojnë kurrë atë që bëri lideri. Përkufizimi kyç që emërton liderin nga jo lideri është – “Që të jesh lider, duhet të kesh ndjekës. Lider pa ndjekës nuk ka dhe nuk mund të ketë”. Shumë figura që mund të mos duam t’i numërojmë si liderë, kanë qenë të tillë, pasi ata kanë pasur mijëra ndjekës që i kanë frymëzuar dhe drejtuar. Por nëse je lider etik apo jo, për këtë vlerësimin e japin të tjerë faktorë. Për t’u bërë më konkretë, le të krahasojmë Gandin me Hitlerin. Ata të dy arritën të frymëzojnë mijëra ndjekës. Por ndërsa Gandi arriti të marrë vendime etike që rezultuan progresiste, Hitleri bëri krejt të kundërtën. Pra për të dy liderët notën finale nuk e dha forca e frymëzimit te ndjekësit por e dhanë veprimet e tyre etike. Por ç’do të thotë të veprosh në mënyrë etike? Mes shumë e shumë përcaktimeve rreth kësaj dileme shprehja e Gandit mbetet më universalja. Sipas tij “Tëjesh i arrirë në aspektin etik, do të thotë të mendosh, të flasësh dhe të veprosh njëlloj”. Kjo frazë në detaje përmbledh të gjithë sintezën e qenies me etikë të lartë. Pikë së pari, ky përcaktim rrëfen se individi që mendon dhe flet njëlloj është i kthjellët, i pastër dhe i sinqertë me veten. Çdo ndershmëri fillon së pari nga vetja. Çdo etikë gjithashtu. Vetëm një njeri që është i sinqertë meveten, mund të jetë me të tjerët e mund ta kërkojë këtë te të tjerët. Ndërkohë të veprosh realisht atë çka ke menduar dhe thënë do të thotë të kesh një integritet dhe moral të lartë personal si dhe kjo padyshim rrëfen për një karakter të forte e guxim human tepër të arrirë. Kontradikta më e madhe ku kalojnë shumë njerëz është pasja apo jo e forcës humane brenda vetes për të thënë hapur mendimet apo edhe për të hedhur hapin e madh, për të kthyer në akt atë çka ata mendojnë. Në fakt një lider etik, sikundër një individ etik, duhet medoemos t’i kalojë të tri fazat: duhet të jetë e sinqertë dhe besnike; të flasë për ato në të cilat beson dhe të punojë për t’i realizuar ato që thotë. Sikur vetëm njëra prej tyre të ketë çarje, etika humbet e përdhoset. Kjo vijë e pandërprerë dhe në unison e asaj që mendon, thua dhe vepron njëlloj është në fakt shkalla më lartë e etikës. Pas kësaj analize arrijmë në përfundimin se mund të konsiderohet me etikë të lartë ai lider që nuk tradhton asnjërën prej këtyre tri hapave gandeske, që do t’i quanim ndryshe trekëndëshi gandesk i virtytit etik. Tradhtia qofte edhe e njërës pikë prish balancën në trekëndësh dhe e deformon të tërën. Sinqeriteti i liderit dhe etika e tij fillon në fakt temendimi si i tillë. Dhe mendimi nuk është as më shumë dhe as më pak vetëm se shfaqja e moralit personal të liderit. Mendimet e mira vijnë vetëm nga një karakter i mirë, ndërkohë që thënia hapur e mendimeve është serish rezultat i një karakteri të fortë, që shfaq kurajë morale. Kjo e bën liderin transparent dhe të besueshëm në sytë e ndjekësve. Kuptohet se jo çdo vendim i moralshëm për një grup social është i tillë për një grup tjetër, apo një vendim i drejte në një kohë mund të mos mbetet I tillë në një kohe tjetër apo nga një kulturë në një tjetër. Megjithatë, historia ka rrëfyer se vendimet etike i kanë rezistuar të gjitha kohëve. Vendimi etik mund të jetë guximtar për momentin, por me siguri ai është hapi I madh i një epoke të re që do të sjellë progres. Martin Luter King është një shembull klasik për këtë. Natyrshëm tani lind pyetja se ç’e shtyn një lider të marrë vendime etike? Vendimi etik është vendimi i ndershëm; është ai që rrëfen transparence dhe vërtetësi. Ndershmëria si virtyt është pjese e moralit dhe karakterit të individit. Aristoteli theksonte: “Ne jemi ajo që në përsërisim se bëri çdo ditë”. Kjo do të thotë se nëse në e kthejmë në zakon ndershmërinë ajo do na kthehet në karakter e ky i fundit na drejton në çdo hap. Nuk është rastësi që të gjithë studimet e lidershipit na çojnë në konkluzionin që lider i shkëlqyer është ai që ka karakter të shkëlqyer, pasi lideri me karakter të shkëlqyer do të marre vendime etike dhe këto vendime janë të vetmet që i çojnë ndjekësit në progres. Pennino në vitin 2002 kreu një studim për marrë-dhënien midis vendimmarrjes dhe moralit të liderit. Deri në atë kohe shkollat e lidershipit nuk kishin një rezultat për këtë marrëdhënie. Ai arriti të studiojë vendimmarrjet e 270 drejtuesve në disa kompani amerikane dhe doli në konkluzionin se sa më etik të jetë lideri aq më vendime të drejta dhe afatgjata është në gjendje të marre ai. Ndërkohë shumë studiues janë nxitur të mësojnë nëse faktorë të tjerë të jashtëm kanë efekt në vendimet etike apo jo të liderit. Në studimet e tyre ata kanë shtruar hipoteza të tilla për shembull, si dhe sa, apo në ç’mënyrë ndikon stresi në vendim, apo sa ndikojnë interesat personalë të liderit në vendimet që merr; apo si ndikojnë situatat jo të qarta me të cilat ai mund të përballet. Ndonëse këta faktorë janë parë si ndikues, rezultatet e studimeve kanë rrëfyer se efektet e tyre në vendimmarrje kanë qenë gjithmonë anësore. Në fund, notën finale e ka dhënë morali i liderit dhe karakteri i tij. Pra shtysa e vetme që e shtyn një lider të marrë vendime etike është as më shumë dhe as më pak, por morali dhe karakteri i tij i lartë. Ndaj për ta mbyllur mund të themi se nëse etika është shpirti i lidershipit, morali dhe karakteri i liderit, janë shpirti i etikës.

Filed Under: Politike

Asociacioni ka lind ne Bruksel, por mund te sfidohet vetem ne Washington

December 8, 2021 by s p

Shkruan: Faton Bislimi/

Pranëvera e vitit që po vije do të jetë më e ngrohtë se secila verë që kemi përjetuar deri më tani. Jo në kuptimin meteorologjik, por në atë politik. Kosova do të gjendet edhe njëherë para vendimeve të mëdha. Çdo ditë e humbur sot, e rritë koston që do na duhet eventualisht ta paguajmë nesër.

Çdo huqje diplomatike sot (e të tillat janë të panumërta në MPJ) është kosto nesër. Angazhimi totalisht ad hoc e kryesisht edhe i munguar krejtësisht në avansimin e përkrahjes për Kosovën në qendrat e vendimmarrjes politike botërore, e vecanërisht në Capitol Hill, është shenjë alaramente për dëshmtim nesër, ngase “dështimi për t’u përgatitur, është përgatitje për dështim!”

Nuk mjaftojnë vizitat jashtë vendit sa për photo-op e pa asnjë rezultat konkret. Nuk është zgjidhje assesi ‘kontraktimi i firmave lobuese në Washington, DC’ siç po përgatitet të bëjë MPJ e jonë ngase siç kemi parë në të kaluarën, janë shpenzuar me miliona euro për “lobim” e janë arritë zero, ama bash zero, rezultate për vendin.

Edhe nëse duam, e kemi të pamundur që me ‘pagesa për lobim’ të arrijmë të fitojmë betejën diplomatike aty ku ka nevojë më së shumti. Nëse MPJ mendon se në ditët apo javët në vijim nënshkruan kontratë lobimi me një ose dy firma në SHBA (të dyja që i njohim thellësisht), le ta dijë se nuk do të arrijë as rezultatin më të vogël. Kosova në përgjithësi e MPJ në veçanti e kanë kaqikun e vogël financiar për të fituar betejën diplomatike me para për firma lobiste që sot punojnë për neve, realisht për paret tona, e neser edhe për ato të tejtërkujt. Fundja, dollari amerikan nuk njehë kombësi e as shtet.

MPJ e ka për obligim kryesor, bashkë me krejt qeverinë, që fokusin ta kenë tek ripërtrirja e përkrahjes së parezervë amerikane për Kosovën. Nëse krejt klasa jonë politike – pozitë e opozitë – janë të bindura se nuk do të lejohet krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me të drejta ekzekutive, atëherë ekziston veç një mënyrë se si mund ta shpëtojmë Kosovën nga kjo kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, kryesisht BE-së: ne duhet që dje, sepse edhe sot veç jemi vonë, të ishim duke punuar intensivisht me miqët tanë të vërtetë në Capitol Hill në Kongresin e SHBA-ve për t’i bindur ata se ky Asociacion e dëmton Kosovën dhe një Kosovë e dëmtuar, e lëndon interesin gjeo-strategjik amerikan në Ballkan e më gjerë.

Ne ende i kemi njerzit që na ndihmojnë në këtë kauzë, ashtu siç na kanë ndihmuar të çlirohemi e të pavarësohemi. Dhe, për këtë, flasin kajrtë faktet historike. Mjafton të bëni një kërkim në Google apo në YouTube për Joe DioGuardin dhe Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe e shihni me sytë tuaj. Që nga viti 1985 e këndej, lidhja jonë me Amerikën zyrtare dhe përkrahje e Washingtonit për kauzën tone kombëtare bëhet përmes DioGuardit dhe shumë e shumë figurave tjera kyçe të politikbërjes amerikane me të cilat na ka lidhë fillimisht pikërisht DioGuardi.

Edhe DioGuardi edhe Liga mbesin edhe sot e kësaj ditë gardianë të vërtetë të lidhjeve tona unike me Amerikën. Sepse, ata këto lidhje i ndërtuan me punë të sinqertë, me fakte historike, me argumente kritike, me perkrahje te mergates sone ne Amerike, dhe me bazë në interesin gjeo-strategjik amerikan, në përputhje të së cilit është edhe vet kauza jonë kombëtare.

Kosova sot ndihmohet duke ruajtur këto miqësi të krijuara tash e mbi tri dekada e jo duke hargjuar kot paranë publike me firma lobiste pa asnjë rezultat konkret. MPJ këtë duhet ta ketë mëse të kjartë.  Një miqësi e ndërtuar për dekada, as nuk blihet as nuk shitet. Edhepse po humbim miq të mëdhenjë si McCain e pardje edhe Dole psh, lidhjet me njerzit e tyre nuk kanë vdekë. Përkundrazi, respekti i tyre tek kolegë tjerë është enorm i madh dhe aset veç i atyre që punuan me këta burrështetas për vite të tëra, siç janë Joe e Shirley DioGuardi dhe Liga!

Nuk ka shembull më të mirë se sa deklarata e Kryetarit të Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-ve, z. Bob Menendez, i cili në takim me Ligën shprehet kategorikisht kundër Asociacionit me të drejta ekzekutive. Kjo është beteja që duhet fituar me secilin lider tjetër kyç të Kongresit të SHBA-ve. Dhe, pos Ligës e DioGuardit bashke me znj. Cloyes, nuk ka kush që mundet me pas më shumë sukses në këtë drejtim.

MPJ mund të bëjë çfarëdo kontrate lobiste për të ndrequr imazhin e vet pak ndoshta, por assesi për t’i ndihmuar Kosovës realisht. Jemi në kohën kur edhe minutat e humbur do t’i kushtojnë gjeneratave të ardhëshme. Jemi në kohën e veprimit konkret, të përbashkët, për interesin kombëtar të shtetit tone, jo për rregullimin kozmetik diplomatik.

Kushdo që mendon se “kompromiset e dhimbëshme” që janë përmendur nga amerikanët janë hajgare, është vet veçse një hajgaregji në politikë. Nëse duam t’i sfidojmë suksesshëm këto “kompromise,” rrugën e dijmë (e kemi parë tash e mbi tri dekada), veç a e kemi vullnetin! E përveç vullnetit, na duhet edhe dija, përvoja, njohja e kuluareve të Capitol Hill-it. Përndryshe, kur të jemi para aktit të kryer me marrëveshjen finale mbi tavolinë, ikja nga përgjegjësia do të jetë e pamnudur.

Dr. Faton Bislimi është Anëtar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe ish-Deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 258
  • 259
  • 260
  • 261
  • 262
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT