• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Edhe Kosova në stërvitje ushtarake Amerikane, NATO-s…

May 4, 2021 by dgreca

-Kosova, pjesëmarrëse në mesin e 27 Shteteve në ushtrimin ushtarak “Defender Europe 21”. Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës radhiten përkrah ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s nën udhëheqjen e partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova do të jetë gjithashtu në mesin e 16 vendeve pritëse…/ 

PRISHTINË, 4 Maj 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kosova për herë të parë do të jetë pjesëmarrëse në stërvitjen ushtarake më te madhe në rajon “Defender-Europe 21”. 

“DEFENDER-Europe 21” është stërvitje vjetore e përmasave të mëdha ushtarake amerikane në Evropë dhe Afrikë, i përbashkët, shumëkombësh, i dizajnuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ndërmjet ushtrisë amerikane, NATO-s dhe partnerëve tjerë. 

Me këtë rast, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) radhiten përkrah ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s nën udhëheqjen e partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Kosova do të jetë gjithashtu në mesin e 16 vendeve pritëse, me ç‘rast trupat e ushtrive të shteteve anëtare të NATOS do të zbarkojnë në Kosovë; në mesin e tyre ushtarakë të ushtrisë Amerikane, pjesëtar të forcave nga Komanda Evropiane e SHBA si dhe Komanda Supreme Operacionale e NATO-s. 

Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse Ushtrimi Fushor do të realizohet në Zonën e Trajnimit në “Baba i Bokës” në komunën e Gjakovës. 

Validimin e kapaciteteve të këmbësorisë do t’a bëjë ekipi vlerësues i KDS në bashkëpunim me ekipin ushtarak amerikan të Brigadës të Ndihmës së Forcave të Sigurisë (Security Force Assistance Brigade- SFAB).   

Pjesa kryesore e ushtrimit do të realizohet nga data 17 deri 29 maj 2021. 

Për detajet e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë ngjarje, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj së bashku me Komandantin e FSK-së Gjenerallejtënant  Rrahman Rama do të mbajë konferencë për media, me datë 6 Maj, 2021, duke filluar nga ora 14:30. 

Konferenca për media me tematikë Ushtrimi ushtarak “DEFENDER – Europe 21”  dhe Kosova do të mbahet në Ministrinë e Mbrojtjes, thekson ftesa e dërguar sot. 

Filed Under: Politike

PAS ZGJEDHJEVE “DEMOKRATIKE” NË SHQIPËRI

May 3, 2021 by dgreca

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ *

-KM i Dardanisë (Kosovës) votoi në Shqipëri dhe u “bë kiameti”

         Nuk na habit reagimi i shovenistit Vuçiq dhe ish-ambasadorit amerikan pro-serb Grenell, sa ai i parlamentares së nderuar Evropjane Znj. Viola Von Cramon dhe disa politikanëve dhe analistëve shqiptarë.

         Vuçiq është urrejtës dhe armik i përbetuar i kombit shqiptar dhe nuk ka punë tjetër. 

          Grenell e ka ende vështirë ta kuptojë dështimin e tij në rrënimin e demokracisë dhe shtetit të Dardanisë. Komenti im për te në twitter me njoftim të Sekretarit të shtetit Blinken, Këshilltarit për Siguri Nacionale Sullivan dhe Shtëpisë së Bardhë ishte: “KM i Republikës së Kosovës Z. Albin Kurti, e ushtroi të drejtën e vet për të votuar si shtetas. Kjo quhet demokraci. Askush nuk ka të drejtë të vërë motivet e tij në dyshim. Ato nuk janë kundër askujt. Një ish-diplomat Amerikan, duhet të shmangë përhapjen e propagandës pro-serbe dhe pro-ruse”.

        Znj. Viola, gjithmonë e drejt dhe parimore, e huqi kësaj radhe. U shpreh se nuk e kuptonte votimin e Albinit në Shqipëri duke e krahasuar me përzierjen serbe në Dardani. Komenti im për te, poashtu në Twitter, ishte: “Është fare e lehtë. Unë nuk jam Kryeministër si Albini, por ndihem i rëndësishëm. Votoj në Amerikë dhe Kosovë, kisha votuar edhe në Shqipëri. Si është e mundur të krahasohet e drejta demokratike për të votuar me përpjekjet sistematike të Vuçiqit dhe Serbisë shoveniste për ta shkatërruar një shtet tjetër”?!!

         Reagimet negative të disa politikanëve dhe analistëve shqiptar e kalojnë kufirin e absurditetit. Të detyrojnë me zor për të mos i konsideruar fare. Shihet se nuk kanë mësuar asgjë nga zgjedhjet Dardane të 14 Shkurtit. Populli i dënoi. Nuk e kanë të qartë se për ta mundur Vjosen dhe Albinin duhen të bëhen më të aftë dhe më të mirë se ata, ti kritikojnë me fakte të argumentuara, jo me pallavra.  Shtrohet pyetja, deri kur ata do të vazhdojnë me nënshtrim ndaj opinioneve të huaja, sidomos të armiqëve të popullit shqiptar?!

  FANTAZIA E KIMETES PËR “URREJTJE” NDAJ EDI RAMËS

         Shkrimet e Znj. Kimete Berisha, janë interesante dhe të jashtëzakonshme, nganjëherë të çuditshme dhe kontradiktore. 

        Befasojnë dy shkrimet e fundit lidhur me Edi Ramën, larg realitetit. Një huqje e madhe, shkrirje e talentit palidhje. Mospërmendja e emrit të tij nuk është urrejtje. Ka mundësi, nuk ekziston respekt. Pyetja është a e meriton ai respektin pas “mikpritjes” që tregoi për Presidenten Osmani gjatë vizitës në Shqipëri. 

         Nuk është fer dhe as e vërtetë të thuhet se Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti e kanë “zgjedhur vdekjen” për shqiptarët e Dardanisë për inati të Edi Ramës dhe se Presidentja “nuk merret me të gjallët”, pra na qenka “e ahiretit”. Përkujtimet, vizitat përmendoreve të heronjve dhe ekspozimi i masakrave serbe, është detyrë humane, njerëzore, kombëtare  dhe shtetërore e Presidentes dhe Kryeministrit. Krimet serbe nuk bën dhe nuk mund të harrohen kurrrë. Vetëm me paraqitjen e tyre të përherëshme ulet në bisht Serbia shoveniste. Këtë e filloi në mënyrë të suksesshme diplomatike në OKB, Ministrja e Jashtme Znj. Donika Gërvalla-Shwarz.

        Vjosa as Albini nuk kanë pse t’i marrin lakmi Edit për asgjë. Hiq fare. 

Veprat  dhe rezultatet e tij për dy mandate janë dështuese dhe dëshpruese. Largim nga Evropa dhe afrim kah Serbia, Rusia, Kina dhe Turqia. Vaksinat ruso-kineze nuk paraqesin sukses, nuk janë Pfizer. Mund t’i siguronte çdokush, veç të jetë i gatshëm të përulet te armiqt e kombit shqiptar. Natyrisht, për interesa zgjedhore. 

         Na thotë Kimetja se “askush nuk di të tregojë se çfarë vepre të keqe ka bërë Edi Rama”!! Edhe zogjët e malit e kanë pa “duke vrapuar” bashkë me Thaçin pas Vuçiqit.

Hartat  përpara, thikat në dorë, të gatshëm me ja pre edhe do tokë Dardane, si ”hise vëllazërore”. Se, pak ka grabitë shteti kriminal serb nga shqiptarët! Ka mundësi që gjatë kësaj kohe ajo ishte në gjumë të thellë dhe të gjatë.

         Në shkrimin e saj në Bota Sot, të datës 21 Dhjetor 2019 drejtuar Edi Ramës me titull “Vuçiqi t’shtiftë n’dhe”, ndër tjera ajo thotë: “ Vuçiqi që e ka mohuar masakrën e Reçakut, i ka mohuar fëmijët e vrarë shqiptarë; ka shkel në gjak deri në gju; nuk ka kërku falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, sepse ka marrë pjesë edhe vetë në ato krime, e mohon lirinë dhe ekzistencën tonë, por ama ndjen dhimbje për Edi Ramën…Raport pervers i këtyre të dyve…Gjithë kjo afërsi mes jush po na bën me vjell…Kishe shumë po duheni”. Shtrohet pyetja, cila është Znj. Kimete Berisha?!

Shkrimi është aktual edhe sot. Meriton të lexohet prapë.  

Qasja: http://37.59.72.86/opinione/1205290/vuciqi-tshtifte-ndhe/

         Një gjë duhet pranuar Edi Ramës, është  ekspert për manipulime. Të vjedh para syve dhe ti nuk e sheh deri sa të bëhet vonë. Po duket se i ka “vjedh” edhe kulet e ndonjë vajzeje tradicionale shqiptare. I vesh, edhe pse aspak nuk i kanë hije. M’i ka qitë qejfi do pizhama me shara, të cilat i hoqa nga garderoba. Dhe, Kimetja prapë e lavdëron atë sikur të ishte kandidat për Playboy, jo për lider të një shteti. 

         Populli i Shqipërisë  “e votoi” dhe ia paftë hajrin. Noshta ndryshon. I desh kulet dhe veshë tesha kat, me kravatë, sahat e qystek.  Dhe nuk “vjedh më”, deri në mandatin tjetër. Ndoshta e harron arrogancën dhe sjelljet e pahijshme për një Kryeminister. Ndoshta e harron edhe Minishengenin, copëtimin e tokave shqiptare, si dhe përqafimet me Vuçiqin dhe Thaçin, “pas kaplimit nga paniku i dashurisë”. Dhe bëhet i mirë, si në fantazinë e zhvilluar të znj. Kimete Berisha.

         Kimetja prapë befason për së miri. Në shkrimin e saj të fundit për viziten madhështore të Kryeministrit Kurti në Bruksel thotë: “Hera e parë që një Kryeminister i Kosovës i tregon Brukselit si është puna dhe ku po i dhemb Kosovës!… Këtë fjalim po e pres që nga pas lufta”! E shpërndava edhe në Facebook. 

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçka, PAS ZGJEDHJEVE, shqiperi

VATRA URON BESIMTARËT ORTHODOKSË: PËR SHUMËVJET PASHKËT!

May 1, 2021 by dgreca

Të dashur bashkëkombas Orthodoksë;/

Vatranët bashkohen shpirtrisht sot me Ju në përjetimin e festimit të Pashkëve!Më lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, të gjitha degëve dhe strukturave të saj; në emër të familjes sime dhe në emrin tim personal, t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar dhe Për shumë vjet Pashkët. Pashkët, ngjallja e Krishtit, festa më e madhe në besimin e Krishterë, na kujton dhe një herë që jeta e mund gjithmonë vdekjen, e mira fiton ndaj të keqes, drita e mposht errësirën dhe e vërteta triumfon përherë ndaj gënjeshtrës. Simbolika e fuqishme që përcjell kjo festë le të përcjellë për të gjithë ne më shumë optimizëm, shpresë, prosperitet, paqe dhe dashuri për çdo shqiptar anëkënd botës. Uroj lumturi për ju dhe paçi bekimin e të madhit Zot në çdo ditë të jetës suaj. Kjo festë e madhe, qoftë për secilin prej nesh një moment reflektimi, pastrimi e kthese në rrugën e drejtë të arsyes, besimit e shpresës për ditë më të bukura e më të lumtura në jetën tonë. Sot më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar dhe të punojmë fort për një të ardhme më të ndritur për familjet tona dhe atdheun tonë.

Le të bashkohemi shpirtërisht si Komb në këtë ditë të Paqtë!

 Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

New York, 1 Maj 2021

 

 


Të dashur bashkëkombas Orthodoksë;

 

Vatranët bashkohen shpirtrisht me Ju përjetimin e festimit
të Pashkëve!

Më lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të
Amerikës VATRA, të gjitha degëve dhe strukturave të saj; në emër të familjes
sime dhe në emrin tim personal, t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar dhe Për shumë vjet
Pashkët. Pashkët, ngjallja e Krishtit, festa më e madhe në besimin e Krishterë,
na kujton dhe një herë që jeta e mund gjithmonë vdekjen, e mira fiton ndaj të
keqes, drita e mposht errësirën dhe e vërteta triumfon përherë ndaj
gënjeshtrës. Simbolika e fuqishme që përcjell kjo festë le të përcjellë për të
gjithë ne më shumë optimizëm, shpresë, prosperitet, paqe dhe dashuri për çdo
shqiptar anëkënd botës. Uroj lumturi për ju dhe paçi bekimin e të madhit Zot në
çdo ditë të jetës suaj. Kjo festë e madhe, qoftë për secilin prej nesh një
moment reflektimi, pastrimi e kthese në rrugën e drejtë të arsyes, besimit e
shpresës për ditë më të bukura e më të lumtura në jetën tonë. Sot më shumë se
kurrë duhet të jemi të bashkuar dhe të punojmë fort për një të ardhme më të
ndritur për familjet tona dhe atdheun tonë.

Le të bashkohemi shpirtërisht si Komb në këtë ditë të
Paqtë!

 Zoti ju bekoftë të
gjithëve.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

New York, 1 Maj 2021

 

Filed Under: Politike Tagged With: Elmi Berisha, pashket Orthodokse, urime

ISHËT E PD QË E DUAN PARTINË SI PROFITERË & KLIENTË

April 30, 2021 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Fill pas rezultatit paraprak nga zgjedhjet e 25 prillit 2021, kur janë të gjitha indiciet se Edi Rama i ka shpërdorur të gjitha pushtetet plus rrugët e pista për përvetësuar mandatin e tretë duke asgjësuar votën e lirë,ka nisur një fushatë e egër kundër Lulzim Bashës nga ishët e PD-së.

Ishëve nuk u bëhet vonë as për demokracinë, as për Shqipërinë, as për lirinë, por thjesht llogarisin vetëm xhepin e tyre –

Prandaj humbi PD në zgjedhjet e 2013 –

Disa ditë më parë u nda nga kjo jetë Hasan Halili, ish ministër i BUjqësisë i qeverisë Meksi. I madh e i vogël, socialistë e demokratë, të të gjitha ngjyrave shprehën ngushëllimet dhe simpatinë ndaj tij.

E pra ky duhet të jetë modeli i zyrtarit të lartë publik, që ta respektojnë të gjithë, pavarësisht ngjyrave të partisë që përfaqëson, demokracia garë e më të mirëve – jo pushtim i të gjitha pushteteve nga  më i keqi –

Po cilët jnanë ISHËT ?

ISHËT si profil janë përgjithësisht anonimë, profiterë që anojnë nga klientët – në sinonimi. Ish deputetë, ish ministra, ish presidenti, ish-zyrtarët e lartë, deri tek ish sekretaret, që e shohin politikën si lluks, qejf, por kurrë si sakrificë, si shërbim – alla JFK.

Kjo lloj specie gjithmonë është futur në lista pa garë, përfshi edhe vetë Lulzim Basha, por Lulzim Basha ndryshe nga kopeja në fjalë, ka qenë krahu i djathtë i Berishës pikërisht në ato çka i rreshtohen liderit historik të PD si pasuri e patundëshme suksesesh –plus në këtë fushatë zgjedhore Lulzim Basha tregoi një profil serioz dhe ngjalli besim tek elektorati.

Përçudnimi i votës të lirë  si krim elektoral nuk e bën humbës Lulzim Bashën – por tregon se rrezik kombëtar është Edi Rama.

Në vend që të vihet me shpatulla pas murit përgjegjësi i katrahurës – ISHËT orkestrohen dhe i kthehen Bashës.

Dramaturgu i shquar Tom Stoppard, i nderuar me çmim Oskar për skenarin e Shakespeare in Love, por i njohur veçanërisht si mbrojtës i të drejtave të njeriut, (në fund të viteve ’70 si anëtar i Amnesty International, shkon në BRSS dhe takohet me Vladimir Bukovsky-in, që asaj kohe ishte i burgosur nga regjimi sovjetik dhe po ashtu udhëton edhe në Pragë për t’u takuar me Vaclav Havelin) thotë se “Demokracia nuk është procesi i votimit, por procesi i numërimit”,

Ndërsa ISHËVE u ka ardhur ora të hakmerren, për përjashtimin nga lista që u ka bërë Lulzim Basha – e shfaqen nëpër mediat e kapura të Edi Ramës  “si kavie” për t’i sanksionuar “fitoren” udhëheqësit të regjimit hibrid që e ka groposur votën e lirë me Ballat, Gjiknurët dhe me ndihmën e nëntokës.

Edi Rama është përgjegjës për shkatërrimin e sistemi zgjedhor – sepse zhvalorizoi votën e Sovranit me të gjitha mënyrat antiligjore – plus 83 mijë vota baraz gati me 9 deputetë kanë dalë të pavlefshme.

Edi Rama është përgjegjës i shkatërrimi i procesit zgjedhor që i nxori jashtë loje të gjitha exit poll-et, përfshi edhe të mikut të tij të ngushtë Baton Haxhiut.

Disa nga ISHËT e panë si përfunduan në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ne e pamë rezultatin e Jozefinës, Astrit Patozit, Rudina Hajdarit – po të krijonte parti Bujar Nishani do ta pësonte edhe më keq! E pra, këta janë ISHËT! Që si thotë populli, duhet ta fusin bishtin në shalë, e jo të dalin nëpër ekranët e njollosur të sulltanit Edi Rama, ku çdo natë përmes dizinformimit dhe demagogjisë i bëhet popullit presion psikologjik, por populli tani ka krijuar imunitet, sepse i njeh shumë mirë, me rrënjë e degë.

Andaj sa herë që dalin, duke përrallisur idotësi dhe pallavra – populli ose i lag ekranet e TV me pështyma, ose i vjen që t’i thyejë, ndërsa ISHËT në këtë kontekst  janë vetëm karta të djegura, vendosin vetë të jenë të tillë, dikur profiterë me dashjen e tyre për të vjelë privilegje nga pozicionet e larta zyrtare sot profiterë pa dashjen e tyre për të vjelë neverinë nga opinioni publik!

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, ISHËT, krim elektoral, rrezik kombëtar, Tom Stoppard, Vaclav Havel, Vladimir Bukowsky

HAMIT LUMI, MENAXHERI I DIELLIT

April 29, 2021 by dgreca

HAMIT LUMI, MENAXHERI I DIELLIT, ZYRTAR DHE KRITIK I VATRËS, PËRKRAHËS I KONICËS DHE I ZOGUT, POR JO I NOLIT…/

Me rastin e 92 vjetorit të vdekjes- Prill 1929-2021/

NGA DALIP GRECA- Dielli ne print –Prill 2021/

        Gjatë një interviste për gazetën Dielli të gushtit 2013, e pata pyetur intelektualen me banim në Toronto,ish kryetare e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze në Toronto Aida Lumi Bejte: Çfarë e lidh Aidën me Vatrën?
Përgjigja e Aidës: Më lidh emri i tim ati, Hamit Lumi. Gyshi im i mënçur, ndjesë pastë, Kadri Lumi, në kujtim dhe në nder të xhaxhait të tij, patriotit Hamit (Çela) Lumi, ia vuri këtë emër babait tim.Hamit (Çela) Lumi,(i vjetri), u lind në Vermik të Vlorës në vitin 1869, dhe më pas u diplomua në Janinë, pasi u kap dhe u burgos nga perandoria Osmane për shkak se jepte mësim shqip në fshatra të Vlorës, në qytet, madje dhe në burg (me abetaret që ia sillte miku i tij Hasan Prishtina), më 1911 u largua për në Boston…

    Që nga ajo kohë që intervistova Aidën kam shfletuar e gjurmuar për të sjellë Hamit Lumin e plotë, jo të njëanshëm, siç kanë bërë disa autorë, që nga dashuria për figurën e tij atdhetare, kanë anashkaluar faktet historike dhe dokumentet e kohës. Kanë shkruar se ishte idhtar i Nolit e kundërshtar i Zogut, ndërkohë që e vërteta ishte ndryshe. Hamit Lumi vdiq si kundërshtar i Nolit, mik i Konicës dhe idhtar i Kristo Dakos, përkrahës i Zogut. Natyrisht këto qëndrime nuk ia ulin vlerat atdhetare dhe intelektuale. Ai ishte si “Lumi” i Vlorës, i rrëmbyer-por i drejtë, karakter labi, i papërkulur, u guximshëm, burrëror, replikues i ashpër, Kombin e vet e deshi me shpirt, luftoi për cështjen kombëtare derisa mbylli sytë.

                                   ***

            Me 6 Prill 2019 me rastin e festimeve të 110 vjetorit të gazetës Dielli, Hamit Lumi, për kontributet e tij, u nderua pas vdekjes si vatran e menaxher i gazetës Dielli.U lind në Vermik të Vlorës në vitin 1869, dhe kishte studiuar në Janinë. Studiuesi Seri Tusha ka shkruar në gazetën Telegrafi 16 nëntor 2018 se shumë djem vërmikas kishin mësuar të shkruanin dhe të lexonin gjuhën shqipe nga abetaret që kishin ardhur në Vërmik nga Hamit Çela,“Lumi”.Aktiviteti i tij kombtar ra në sy të autoriteteve turke, të çilët e arrestuan dhe e burgosën, akuza kërkoi 101 vite burg, gjykata e dënoi me 20 vite. Gjyqin ia bëri gjykatorja e Beratit. U lirua kur erdhën në fuqi xhon turqit.Kishte lidhje të forta me personalitetet e Rilindjes Kombëtare në Bukuresht e Misir.

        Le të ndjekim gjurmët e jetës së tij: Emri i publicistit Hamit Lumi nuk është i panjohur për lexuesit, veçanërisht për ata vlonjat. Vlora e ka emrin e tij në muzeun e historisë, si luftëtar i lirisë, sjellës i abetareve nga jashtë, mësues në shkollat e fshatrave të Vlorës, Skraparit dhe Beratit. Një rruge në Vlorë i është venë emri i tij, po ashtu edhe shkolla e fshatit të lindjes në Vermik të Vlorës mbanë emrin e Hamit Lumit.Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të botuar më 1985, gjendet emri i tij. Ai është formatuar si një atdhetar, publicist i periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Në publicistikë, përveç emrit ka përdorur edhe pseudonimet”Lumi”, “Vlora”, “Cingla” “Labi”, “Lopata”etj.

Ishte pjesë e Klubit ”Labëria” më 1908, ndërkohë që i përndjekur nga xhon turqit për aktivitetin patriotik, kalon Atlantikun, dhe vendoset në Boston në SHBA. Fillimisht e gjejmë në radhët e shoqatës Besa-Besë më 1911. Me krijimin e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” u bë pjesë aktive e saj. 

          Në Kuvendin e vitit 1913, që filloi me 4 korrik dhe përfundoi me 6 Korrik, Hamit Lumi u zgjodh Menaxher i gazetës”Dielli”, ndërkohë që Kryetar i Vatrës dhe Editor i Diellit ishte zgjedhur Kristo Dako. Ndër të zgjedhurit e atij Kuvendi ishin edhe: Loni Kristo-Sekretar i Vatrës; Kontrollorë :Nikoll Dishnica, Thanas Idrizi, Xhafer Ymer Pojani dhe Mihal Kreshpani. Kur Kristo Dako u largua nga drejtimi i Vatrës dhe e la përkohësisht Amerikën, Hamit Lumi dha dorëheqjen, por në Vatër vazhdoi të ishte aktiv, ndërkohë që emri i tij nuk mungonte në faqet e Diellit. Bashkëpunimin me Diellin nisin që në tetor 1912, ku ai shkruan për mbrojtjen e tokave shqiptare në jug dhe veri të vendit:”…ato janë toka shqiptare dhe në emër të Zotit urojmë që përsëshpejti në to të ngrihet flamuri i Shqipërisë.”

 Në Diellin e 18 Korrikut 1913, botohet shkrimi i Hamit Lumit ”Qytetërimi i Shekullit Njëzet”, ku ai mban qëndrim kritik ndaj Europës së “qytetëruar” e cila ka harruar shërbimet e shqiptarëve ndaj qytetërimit Europian.Lumi shkruan: “Në shek e 14-të, një komb barbar(ai turk) i hyri me shpatë Ballkanit dhe rrezikoi Evropën…”Lumi evokon trimëritë e arbërorëve me heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që për 25 vjet mbrojtën jo vetëm Arbërinë por dhe tërë Evropën. Hamit Lumi zemrohet me Evropën “e qytetëruar” që ua harroi shqiptarëve këtë shërbim të çmuar dhe si vlerësim, e coptoi Arbërinë.”Sikur të kish qielli shtyllë do ta gremisnim mbi Evropën e “qytetëruar”, e cila ka veshur petkat e qytetërimit, por zemrën e ka prej ujku”-akuzon Lumi dhe vijon: Me shkeullin e XX qytetërimi evropian grabiti gjithë kombet e vegjël, derdhi dhe po derdh gjak të pafajshëm…Kritikat e tij janë të drejtëpërdrejta. Ndërsa në Diellin e 23 Korrikut 1914, Lumi boton shkrimin” Fuqitë e Mëdha nuk e ndihmojnë Shqipërinë”. Ai kritikon fuqitë e mëdha që nuk e mbrojën Shqipërinë;përkundrazi mbjellin përçarje mes shqiptarëve dhe nuk e ndihmojnë kombin e vjetër nga pushtuesit fqinj,;-janë të gatshëm për ta copëzuar.Madje dhe ushtritë ndërkombtare që ishin në Shkodër, në vend që të mbrojnë shqiptarët, mbrojnë të huajt dhe sajojnë kurthe e intriga kundër shqiptarëve, denoncon ai.

 Përvecse në Dielli, Lumi shkruan edhe në gazeta të tjera të kohës. 

Gazeta “Liri e Shqipërisë” në numrin e saj me 17 qershor 1913, botonte”Letër Nga Bostoni” të nënshkruar prej Hamit Lumit, ku ai kërkonte me forcë:”Të shpëtojmë vëllezërit tanë kosovarë nga thonjtë e serbëve”, duke denoncuar shovinizmin serb.

ZYRTAR I VATRËS

Në Kuvendin e vitit 1916, që u mbajt nga 2 -4 Korrik, Hamit Lumi është sërish delegat.Ai u zgjodh ndër zyrtarët e rinj të Vatrës. Kuvendi votoi Komisionin e ri që do të drejtonte Vatrën për vitet 1916-1917. Zyrtar për atë vit u zgjodhën: Kryetar-Kol Tromara, arkëtar-Koli Pançe, sekretar-Loni Kristo. Komisioni përbëhej nga: Kristo Dako, At Fan. S. Noli, Hamit Lumi dhe Sadik Lekdushi. Redaktor i Diellit, Bahri Omari, zëvendës/ redaktor Andon Frashëri, menaxher i Diellit- Muke Permeti.Por ai Komision drejtues nuk e pati jetën e gjatë. Një tjetër kuvend e pasoi, por grindjet mbetën në Vatër.Komisioni u zëvendsua.

Gjatë viteve 1916-17, Vatra bëri punë të mëdha për Kombin, por edhe pati grindje të thella, që i kushtuan humbje energjie e luftë me vetëveten. 

PRISHJA ME VATRËN PËR SHKAK TË ISMAIL QEMALIT 

Në 3 qershor 1917 nisi fushata jetike e Vatrës për ruajtjen e pavarsisv së humbur të Shqipërisë me moton: “Për Shpëtimin e Shqipërisë” nën refrenin e poezisë së Nolit”Mbahu Nëno/ Mos Ki frikë/Se ke djemtë në Amerikë…”Por 3 muaj më pas, kur fushata ishte në kulm,Vatra u godit rëndë nga përçarja;fushata nuk u ndërpre. Me 27 gusht 1917 lindi “Partia Politike”, e cila emëroi Ismail Qemalin delegate të saj zyrtar për në Evropë,ndërkohë që Vatra kishte emëruar që më 1916 Mehmet Konicën. Hamit Lumi, si shumë nga lebërit, ishte për Ismail Qemalin, ndërsa Vatra së bashku me disa prej miqëve të Shqipërisë, veçanërisht ata të Londrës(përfshi edhe Edith Durham) mendonin se Ismail Qemali ishte figurë e konsumuar.Fillimisht me Partinë Politike ishte vetëm grupi i Worcester-it, por duke luajtur me figurën e Atit të Pavarësisë, ajo i mori Vatrës shumë anëtarë, vecanërisht lebër- vlonjatë, tepelenas dhe çamër.Hamit Lumi së bashku me Sadik Lekdushin, të dy ish zyrtarë të Vatrës si dhe me Kristo Dakon, përbënin zemra e Partisë, pavarësisht se kryetare ish e zonja e Dakos, Sevasti Qirazi. Partia Politike botoi të përjavshmen“Albania” nën drejtimin e Dhimtër Balës, që kritikonte ashpër Vatrën,Fan S. Noli, Kryetarin Kolë Tromara, Mehmet Konicën-si delegat i Vatrës në Londër, Diellin dhe editorin e saj Bahri Omari, por edhe ky i fundit, kusurin nuk u linte kundërshtarëve, përfshi dhe Ismal Qemalin. Ndër të parat pena kritike që u shfaqën në faqet e Albania-s ishte ajo Hamit Lumit. Në fakt ky i kishte nisë sulmet më herët,që më 1916 në gazetën ”Mbrojtja Shqiptare”, që dilte në St. Louis, kur me 2 Nëntor 1916, nën pseudonimin “Cingla”, boton shkrimin”Ngjarjet në Konferencën e Nolit në Boston” me nëntitull: Episodi me Hamit Lumin me 29 tetor- Aty përshkruhet konflikti mes Nolit dhe Lumit, që degjeneroi në dhunë…Kryetari i degës së Vatrës, ku Noli kishte shkuar për të mbajtë një ligjëratë, nuk e la Lumin t’i bënte pyetje Nolit; përkundrazi e nxori forcërisht nga mbledhja.Lumi mbrohet dhe denoncon përmes shkrimit të tij tek”Mbrojtja Shqiptare”. Është po kjo gazetë që boton në numrin e 4 nëntorit 1916, artikullin e Hamit Lumit ”Shqiptarizma s’është monopol”, ku ai qesëndis Tromarën, Nolin dhe Vatrën për të ashtuquajturin kongres që do të bënin shqiptarët e West-it, gjoja për të prishur Vatrën. Artikulli përfundon me vargjet:

Lere Egoizmën

Lere Madhështinë,

Merr shqiptarizmën

Në do Shqipërinë….

        Janë të shumtë artikujt që botohen në Albania me emrin e tij. Në numrin e 17 tetorit 1918 Lumi replikon me Diellin dhe Vatrën:” Më thoni se jam fanatik, pastaj më thoni se jam pijanik, po a është e mundur që njeriu të jetë dhe fanatik dhe pijanik?”…

          Hamit Lumi bashkëpunon ngushtësisht me Kristo Dakon dhe Sadik Lekdushin, së bashku mbrojnë lëvizjen e tyre të shkëputjes nga Vatra dhe krijimin e Partisë Politike për qëllime patriotike. Me 9 Dhjetor 1916 ata kishin paralajmëruar tek “Mbrojtja Kombëtare”: ”Do të kritikohemi,ndoshta edhe me fjalë më të poshtra, e më të ashpra nga ato që janë përdorur gjer më sot kundër nesh, por ne nuk do t’i vemë re. Ne do të kërkojmë të drejtën dhe nderin e Vatrës, duke qenë të bindur se në fund e drejta do të triumfojë.”

         Në gazetën”Albania” të 14 marsit 1918 Lumi replikonte me kryetarin e Vatrës, Tromarën, që e kishte kundërshtuar kandidaturën e Ismail Qemalit në një gazetë amerikane:”Nuk do të jeshim pikëlluar kaq, sikur , sido që bëjmë mes nesh, prapë për Shqipërinë punojmë.Por kur i nxjerrim të palarat në botë të huaj, ahere është një gabim dashja a padashje.”

           Hamit Lumi iu përgjigjet kundërshtarëve edhe në gazetën “Koha” të Mihal Gramenos, që ishte kundërshtare e Diellit. Në numrin e 6 qershorit 1918 të saj, ai shkruan:” Me ato fjali e fraza që më godet mua, godit e zë në gojë edhe Gramenon, edhe Adamsin edhe Çekrezin…”

Lumi në shkrimet e tij nuk kursen askënd, madje akuzon edhe për prekje të arkës së Vatrës, kritikon me emra konkretë.

Në numrin e 29 shtatorit 1918 tek Albania ai shkruan:” Kurse K.Isaku(jo nipi i Abrahamit), një spiun e gënjeshtar, siç e ka quajtur dhe vetë Dielli, duke qenë shok i ngushtë i grindavecëve, si e pa se nuk ka vend në Partinë Politike, pas nevojës për spiun,u bashkua me shoqërinë apo klikën e Rasputinit, ku ka nevojë të madhe për spiunë…ndjesë pastë dhe xhaxha Kosta nga rrethi i kombëtarëve…”

           Lumi nuk pajtohet me veset e bashkatdhetarëve, prandaj e ngjyen penen në helmin e satirës :”Del një Toçi në Romë, që mesa duket për pasuri shet shtëpi e Shqipëri…Ç’na thotë Toçka me shokë në Romë?-Po s’qesh unë i parë/të vijë Italia,/Doemos kam qar/në ardhtë dhe Greqia….” (Albania 28 nëntor 1918)…

Duket se Hamit Lumi e ka shqetësuar krahun tjetër, prandaj Dielli, replikon me të në numrin e 117-të, ku boton shkrimin me titull ”Përgjigje e nevojshmë”…

      Lumi kundërpërgjigjet duke mos kursyer as kryetarin e Vatrës, në numrin e Albania të 14 marsit 1918.Me 19 Maj 1918 ai shkruan në Albania” Kam për detyrë tu bëj thirrje gjithë bashkëfetarëve të mi, të mos e lënë shoqërinë(Vatrën) të bjerë viktimë, të shkatërrohet, si foshnja mes hidhërimit. Do të jetë turp e mëkat për ne.”

       Gjurmët e tij në Partinë Politike gjenden në kuvendin e 1 janarit 1920, ku ai është në qendër të kuvendit.

Por më pas duket se Partia politike po kalonte çaste të vështira. Këtë sinjal e jep gazeta Dielli në numrin e 29 prillit 1920, ku përmendet thirrja e Hamit Lumit për ndihma financiare. Në një shkrim të botuar me 18 gusht 1920 Hamit Lumi përkrah qeverinë e Sulejman Delvinës. Ai shkruan ”Rroftë  Qeveria e Sotme Kombëtare, dhe poshtë ata të cilët mendojnë që Shqipëria të jetë nën mandate të huaj.”

Hamit Lumi kishte vendosë lidhje edhe me gazetën”E Vërteta” me të cilën jo vetëm bashkëpunonte, por edhe e shpërndante ndër miqtë e tij në SHBA. Për këtë shkruan gazeta “E vërteta” në numrin e saj të 3 Shtatorit 1920. Gazeta e falenderonte në numrin pasardhës” I faleminderit bashkëluftëtarit dhe të shtrenjtit atdhetar Hamit Lumi.”…

RIKTHIMI NË VATËR, RISHFAQJA NË FAQET E DIELLIT

Partia Pollitike e zbehu veprimtarinë e saj pas Konferencës së Paqes. Për pak kohë Hamit Lumi ra në qetësi i mënjanuar, por Faik Konica e riaktivizoi në Vatër, veçanërish në gazetën Dielli. Duket se Lumi luftën e kishte me Nolin. Në Diellin e 25 Marsit 1925 lexojmë një artikull të Lumit kundër koncensioneve të shoqërive vajgurore “Anglo-Persiane” dhe “Standard Oil Company”….që iu dhanë ndërkombëtarëve me koncesion “Si nga pikpamja politike dhe ekonomike, koncensioni është një humbje për Shqipërinë”-shkruante Lumi. Në një protestë që bënë shqipatrët e Amerikës me 12 prill 1925 kundër koncensioneve, spikati edhe qëndrimi i Hamit Lumit. Kur Faik Konica, Ministër i Zogut në Washington, nisi betejën për mbrojtjen e qeverisë së Zogut, nga sulmet e opozitës të udhëhequr nga Noli i mërguar dhe përkrahësve të tij në Amerikë, Lumi ishte qartazi në anën e Konicës.

       LOT TË THATA E FJALË TË SHKURTRA

Hamit Lumi e kishte të idhët penën. Shumë shkrime që mbajnë firmën e tij dallohen për stilin polemik, alla Konicë, sarkastik. Ai ishte përherë në anën e Faik Konicës, përballë Nolit, në vitet e mbrapshta, kur miqtë ishin kthyer në armiq, sulmonin njeri-tjetrin pa pushim duke i mbajtur armët përherë të mbushura.Po sjellim si model artikullin”Doktorët tanë të vërtetën thonë, apo gënjejnë”?-ku kritikohen ashpër dy personalitet të njohur të kohës, miqtë e Nolit, Dr. Mihal Turtulli dhe Dr. Omer Nishani. Citoj:” Herë pas here kemi kënduar artikuj të doktorëve tanë-artikuj po artikuj të zjarrtë, ku dalin mbrojtës të popullit shqiptar se u shtyp nga tirania, u rop dhe vdiq nga varfëria! Dr. Turtulli dhe Dr.Nishani thërrasin dhe derdhin lot si breshëri për të shpëtuar atë popull fatzi nga mjerimet, duke thënë se populli nuk kupton i gjori, po ne që e kuptojmë duhet të bëjmë çdo sakrificë dhe ta shpëtojmë!Lumi ironizon: Këto janë deklaratat që bëjnë doktorët tanë që kërkojnë liri dhe barazi për popullin…

  Dhe menjëherë nis gjykimi i artikullshkruesit: Tani, unë nga ana ime, si popull, dhe sipas disa letrave që kemi marrë dhe pas të thënave të njerëzve që vijnë nga Shqipëria, them se lotët që derdhin doktorët janë lot të thata,e fjalë të shkurtra..U themi Turtullve dhe Nishaneve: Ju gënjeni që thoni se bëni çdo sakrificë për neve(popullin)… që edhe pikën e gjakut tuaj e derdhni për ne! Po neve, nga ana jonë, ju themi: Ju faleminderit, por mos u mundoni për atë që nuk e bëni dot… dhe t’na shëroni nga një keqe që ne nuk e kemi.Po të doni dhe të tregoni se bëni therori të vërtetë për popullin si doktorë që jeni, përse nuk vini të përkujdeseni për shëndetin e popullit se u shua nga sëmundjet, na hëngrën ethet, oftika, lengjyeri…Kemi nevojë për doktorë që t’na duan me të vërtetë ashtu si thoni, doktorë që të punojnë vullnetarisht për shëndetin tonë…

Pyetja e Lumit: Derisa doktorët tanë qenkan kaq të pasur sa të luftojnë me të hollat e tyre në vende të huaja, duke lënë të hollat në kombe të huaja, për politikë të gabuar, përse nuk lenë mundimet, të vijnë në vendin e tyre, t’i shërbejnë popullit dhe të hollat t’i shpenzojnë në vendin e tyre?

        Mbyllja: Po nëse doktorët tanë nuk na e bëjnë këtë të mirë-ahere, u lutemi të kenë mirësinë të mos na bëjnë keq!U ngopëm, ua pimë kripën 14 vjet dinakërive të doktorëve, bejlerëve, pashallërve, qirieve dhe arhondeve, myftinjëve dhe dhespotëve. Për hatër të dëshirës së tyre për kolltukë na mbyti zia dhe gjaku midis vëllazërisë, na mundën sëmundjet dhe mjerimi….Vetëm ju jeni të ditur, mor të bekuar? Vetëm juve ju vjen keq për popullin? Po neve(popullit) për veten tonë, fare s’na vjen keq? Doktorë, hiqni dorë nga politika dhe merruni me mjeshtrinë e zanatit tuaj!

Artikulli ka përfund një këshillë: “Në keni kokë të fortë, ahere mos lini shkëmb pa thyer- I bini shkëmbit me kokë!(Citimi u mora nga Dielli 9 nëntor 1926).

PRO APO KUNDËR  ZOGUT?

 Hamit Lumi është përshkruar në të shkuarën si patriot, kundër bejlerëve, anti Zogist, antimperialist, kundër të pasurve në mbrojtje të varfërve,konform shablloneve të kohës. Në fakt nuk qëndron ashtu e vërteta, Hamit Lumi gjatë të gjithë jetës së tij kërkonte mbrojtjen e sovranitetit të Shqipërisë, luftonte për të renë, progresiven, lirine,demokracinë, nuk e besonte të majtën, as Nolin.Mjaftonte shembulli i Rusisë.

Në  artikullin“Kombëtarë apo Rasputinianë”? publikuar në faqet 3 dhe 4 të Diellit të 26 nëntorit 1926, Lumi godet ashpër Nolin dhe mbron Zogun.Kritikën ia adreson drejtuesit të gazetës shqiptare në Konstancë:”Në lëveren e Konstancës lexuam disa sharje kundër guvernës shqiptare. Xoxeja, e quan tradhëtor të madh Ahmet Zogun dhe të tjerët tradhëtorë të vegjël, dhe kërkon një guvernë kombëtare. Domethënë, pas kuptimit të Xoxes, i gjithë populli shqiptar me gjithë guvernën e tyre janë tradhëtorë,- vetëm 45 veta(ekipi qeverisës i Nolit,që  dë shtuan (Qershor-Dhjetor 1924), qenkan patriotë!Në anën tjetër shikojmë se më të madhin e patriotëve, Xoxe quan Nolin. Domethënë po qe Noli në krye të guvernës, aherë quhet guvernë Kombëtare… Në çast, shkruan Lumi- më erdhi në ment Rasputini i Rusisë. Të gjithë qorrat (nga ment, jo nga sytë) bashkë edhe me vetë Carin, e kishin hedhë shpresën e shpëtimit të popullit rus tek Rasputini, aq sa shumë deklaronin se ky ishte Krishti vetë, që pritej të vinte.Çdo të ligë që bënte ‘i dërguari” Rasputin, s’kish guxim njeri të thosh të vërtetën kundër të mallkuarit. Një herë guxoi i vëllai i Carit t’i thosh një fjalë të vërtetë për shenjtin shejtan, po aq zemërim mori, sa që atë natë Cari e dërgoi të vëllain syrgjin në Kaukaz…Mirëpo nuk shkoi shumë kohë që t’i dilnin gënjeshtrat në shesh dhe mori pagën që meritonte… ka dhe tani njerëz që shprehen se do të vijë prapë Rasputini që të shpëtojë Rusinë nga tirania që e ka zenë , se ai ishte i vetmi shpëtimtar.

Pas këtij parashtrimi, Lumi shkruan: Kështu na gjeti dhe ne me Xoxen e me disa të errët…I vetmi shpëtimtar është Noli…Ay e prish botën, ay e ndreq për një minut…Domethënë kur vrejtet Noli, vrejtet dhe natyra, kur qeshet Noli, qeshet dhe natyra.Në pak fjalë Noli ka kyçet e botës në dorë. Prandaj për hatër të fanatikëve le të thërrasim:Osana, Osana!Në anën tjetër ne u themi se e kemi njohur shejtin(shejtan) Rasputin me kohë dhe nuk kuptuam qëllimin e tij….

    Duket se Hamit Lumi ka marrë për mision nga Konica që të mbrojë qeverinë shqiptare nga sulmet e kundërshtarëve. Në intervistën e publikuar në Dielli me 23 nëntor 1926, tregon haptazi se sa idhtar i Ahmet Zogut ishte. Intervista e tij e titulluar”Gëzim për shqiptarët, Dhe ngushëllim për ”idealistët”, haptazi mbron qeverisjen e Zogut dhe fshikullohen ”idealistët” e Nolit. Pyetjet dhe përgjigjet synojnë të tregojnë se nën drejtimin e Zogut është arritur qetësia, rendi dhe rregulli. Personazhi i intervistuar nga Hamit Lumi është një shqiptar i vjetër nga Vertopi i Beratit.Stefan Qirici kishte lënë Bostonin për 6-7 vjet dhe ishte kthyer në Vertop. Në vjeshtën e 1926-tës ishte kthyer sërish në Boston. Hamit Lumi kishte njohje të vjetra me të dhe shkoi ta takonte dhe të bisedonte për punët dhe gjendjen në Shqipëri. Një rrugë e dy punë: çmallej, por dhe siguronte një intervistë për Diellin.Intervista nis me pyetjen e Hamit Lumit:- Zot, si është në Shqipëri gjendja, ka qetësi?

Përgjigjet Qirici:-Qetësi shumë e madhe sa nuk besoj se e kanë dhe shtetet europiane më të qytetëruara.

Pyet Lumi:-Njerëzia, a shkojnë me armë në pazar si në kohët e para”?

Përgjigjet Qirici:- Jo nuk të shikon syri dyfek dhe kobure, jo vetëm në pazar, po as në vendet më të shkreta të Shqipërisë. ..dua t’ju them se ka liri të plotë, por nuk të le njeri të prishësh lirinë e tjetrit. Sot tirani e madhe është për ata që dilnin qafave dhe grykave t’u marrin pasurinë të pambrojturve.

Pyet Lumi: Po populli, a është i mërzitur kundër këtij regjimi dhe a ka përshpërimë për kryengritje?

Përgjigja e Qiricit:Popullit as i shkon fare në mendje për përshpërimë kundër regjimit; po si mendoni ju-ai i shkretë popull do të dëshironte të linte punën e tij, të linte arën pa punuar, bagëtinë pa bari, dyqnin të kyçur, derës t’i verë ferrën, dhe të vejë të ngarkohet me hekura dhe të vritet vëlla me vëlla dhe përse? Për atë që ay e ka!Jo, ua thashë edhe më parë, popullit i erdhi nga perëndia të gëzojë lirinë dhe qetësinë, dhe ay popull që e kish për lëvdatë lirinë, nuk kishte arsye të ngrihej kundër regjimit.

Më pas vjen një pyetje e gjatë e Lumit që po e përmbledhim:Dmth zoti Stefan, populli e ka lirinë e plotë, tirania qenka për ata që dashkan të rrojnë në kurris të tjetrit,apo jo?

Përgjigjet Stefan Qirici:Ujqërit që duan mjegull janë në tirani të madhe se nuk ka më mjegull për ta…

Këtu mbaron intervista dhe vjen konkuzioni i Lumit:Të vetquajturit idealistë trumbetojnë se populli vuan në tirani.Nuk dimë nga i marrin këto lajme. Nqs nuk i fabrikojnë vetë, për t’u rjepur kurrizin ca të padjallëzuarëve… Idealistëve do t’u themi qofshin të ngushëlluar për kryengritjen që prisnin….nuk ka kryengritje!

A DI PERENDIA SHQIP?

Hamit Lumi duket se është në taborrin e Faik Konicës për pastërtinë e gjuhës shqipe. Ai godet ashpër ata që përdorin pa vend fjalët e huaja në vend të fjalëve shqipe duke u justifikuar se gjoja shqipja është e varfër dhe nuk i ka të gjitha fjalët në fjalorin e saj.Mjafton t’i hedhim një sy vëzhgimit të tij ”I gjori shqiptar dhe libërbërsit”, ku Lumi akuzon shpërdoruesit e gjuhës shqipe. Citoj nga shkrimi” I gjori shqipo hoqi të zitë e ullirit nga disa njerës të ditur(?) të cilët i hoqën nga një shpatë të shëndoshë duke ja prerë kryet me gjithë shpatulla. Po tani i heqin shpatë edhe gjuhës shqipe. Secili merr penën të shkruaj libra ose gazeta në gjuhën shqipe, po meqenëse nuk e dinë gjuhën mirë, se ca as janë lindur e as janë rritur në Shqipëri.-dhe disa as që kanë çarë kryet të merren me gjuhën, dhe për këtë kanë të drejtë-por nuk kanë të drejtë t’i presin kokën shqipes, duke thënë se nuk ka fjalë shqipe për këtë e për atë, dhe përdorin ca fjalë që as vetë nuk i kuptojnë se ç’thonë. …Këtë herë, do të shënojmë vetëm një frazë të gazetarit me famë(shih ironinë), Xoxes:”Do ta zmadhojmë gazetën tonë”. Lumi pyet: Çfarë shqipeje për së prapthi do të thotë ky i bekuar? Nuk i vjen mirë ta thotë do ta madhojmë(ta bëjmë të madhe)-si thotë gjuha shqipe, por do ta zmadhojmë…Kape shkrimtar, politikan me famë(?!) të paça uratën, kape, se më dolle ndë anë!…

            Hamit Lumi ishte i rreptë në kritikat e tij për mospërkthimin e librave fetarë në gjuhën shqipe. Si mysliman i devotshëm ai kritikon drejtuesit e komunitetit musliman që nuk u drejtohen besimtarëve në gjuhën shqipe dhe nuk përkthejnë librat e shenjtë në gjuhën shqipe.Që ta kuptosh fenë, duhet të lexosh, po si të lexosh kur nuk ke libra në gjuhën tënde, shtron pyetjen retorike Lumi. Përse shqiptarët duhet të përjashtohen prej shteteve e kombeve të botës, që i kanë në gjuhët e tyre librat fetarë?

Ai shkruan në artikullin e tij të së premtes të 5 nëntorit 1926 në Dielli me titull”Arapë të zes apo të nxirë me të zi tigani”:- Përse librat duhet të jenë vetëm arabisht? Neve të zestë pa bojë nuk kemi lexuar se s’kemi libra fetarë në gjuhën tonë, veç arabisht. Mirëpo ne arabë s’jemi, kështu që edhe dituri në fe nuk kemi.Dmth kemi fe sa për emër. Pse vallë ky mëkat…Duket sheshit se të diturit tanë janë aq pas nga dituria, sa mendojnë se është mëkat që të përkthehet Kurani në shqip!

Ai arsyeton: Po të jetë se Perëndia ka bërë urdhër që njerëzia t’i lutet vetëm në arabisht, atëherë duhet ta ndreqim neve gabimin, duke u nxirë me të zi tigani duke u bërë arapë (arabë)…Kishim thënë dikur se kur të bëhej Shqipëria më vete, librat do t’i bënim shqip, por Shqipëria ka 14 vjet që është bërë(1912-1926), ne Akoma me këngën e Mukes, arabisht!…

Artikullishkruesi shpërthen:Turp i madh dhe faq’ e zezë nga gjithë bota që myslimanët shqiptarë, prej një Kombi nga më të vjetrit në botë, dhe me një gjuhë nga më të bukurat, ta tregojnë veten sikur vijnë nga shkretëtirat e Arabisë! Është për të ulëritur, që edhe turqit, që kanë qenë mëma e padijes, që i thonë fanatizëm, edhe ata e hodhën poshtë padijen, dhe i vunë mënjëanë ujqërit e tërbuar(softet) të Stambollit dhe ju vunë diturisë hapur që ti japin popullit dritë, ta mbushin me frymën e shenjtë dhe të vëllazërisë dhe të rrojnë si vëllezër me gjithë njerëzinë…Po faltoret, që janë aq të pasura, përse i duan parat, pronat, ullinjtë, arat, çairet, dyqanet, përse nuk i përdorin për të botuar shqip librat e shenjtë?…Mos mendojnë Myrtevelinjtë tanë se Perëndia nuk di shqip?…

VDEKJA, NGUSHËLLIMI I FAIK KONICËS

Hamit Lumi vdiq me 8 Prill 1929 në Long Island Hospital, duke lënë në pikëllim të thellë gruan Maxhi, djemtë Pirro e Skënder, dhe vajzën Afërdita si dhe gjithë miqtë… Faik Konica e vajtoi mikun e tij. Bashkë me ngushëllimet ai i dërgoi së shoqes Maxhi edhe një ndihmë prej 150 dollarësh, që për atë kohë nuk ishte e vogël.

Gazeta Dielli e dha lajmin e vdekjes në numrin e 9 prillit 1929 në faqen 2: “Vdiq në Long Island Hospital të Hënën në mëngjes, 8 prill, i njohuri atdhetar dhe anëtar i Vatrës Hamit Lumi. I ndjeri kishte ca kohë që vuante nga një zemra e dobët, nga e cila nuk e mori dot veten, duke lënë pas të shoqen dhe 3 fëmijët e vegjël. Ministri i Shqipërisë, z. Faik Konica, i dhuroi fëmijëve të tij 150 dollarë nga ana e Mbretit…”

Me 7 Maj 1929 gazeta Dielli boton telegrame ngushëllimi. Njërin e dërgon dega nr.1 e Vatrës të Bostonit,ku ishte anëtar Hamiti, firmosur nga sekretari i degës z. Louis Kosta. Në të shkruhet:”Dega jonë ngushëllon zonjën Lumi për humbjen e shtrenjtë të burrit të saj Hamit Lumi. Zoti t’i japë durim dhe t’i shtjer‘ balsam në zemrën e saj të zhuritur, dhe të ndjerin, Zoti e vendostë në Parajsë!.”

     Dielli boton dhe ngushëllime të individëve dhe shoqatave.

“Vëllezëria Orgocka” ngushëllonte përmes Diellit” Miken tonë, zonjën Maxhi Hamit Lumi, e ngushëllojmë nga zemra për humbjen e bashkëshortit të saj, Hamit.Zoti t’i japë durim dhe t’i shtjerë balsam në zemrën e zhuritur.Të ndjerin, Zoti e vendostë në Parajsë”!-Vëllezëria-Orgocka.

         Zonja e Hamit Lumit, Maxhi, publikoi në Gazetën”Dielli” këtë falenderim:Ju faleminderit të gjithë zonjave dhe zotërinjëve që muarën pjesë në varrimin e burrit tim.Gjithashtu falenderoj edhe zonjat e zotërinjtë që patën nderin dhe më ngushëlluan për vdekjen e burrit tim, si me anë vizitash, ashtu edhe me anë të shtypit.Ua shpërblefsha të gjithëve me gëzime!”

 Zonja Maxhi H. Lumi.

Edhe Labëria e qau, por sipas zakonit të  saj, e qau me këngë Hamit Lumin. Citojmë nga libri i Agim Shehut,”Gjaku i Borës”, botim i vitit 1996:

HAMIT LUMI, GJËMIM DETI

Shqiponja dhe Pëllumbi

Kur leve, të rrinë te djepi.

Hamit Lumi, i bukur shumi,

Lumi me buçimë deti.

Një herë e leu Vermiku

djalin,që la emër prapa.-

Atje ku ka vatrën miku,-

Djep i maleve të larta.

Bir i maleve me famë,

Kurrë s’u ndave nga të tutë.

Me sulltanë e me tiranë

Një jetë të tërë me  luftë .

Balli i feksi si palla’

Zemra për Kombin i shkriu

Tek shkoi, i ndriti fjala,

Kudo syri i shkrepëtiu.

Fshat i bukur, toka nënë,

Labëria-besë burri,

Mallin po ta shtron në këngë,

Dhe ta hap me valë Flamuri….


BURIMET:

  1. Gazeta Dielli 1912-1929
  2. Gazeta “ALBANIA” 1918-1920
  3. Për Mbrojtjen e Shqipërisë – 1916
  4. Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos 1918.
  5. E Vërteta-1913
  6. “Historia e Vatrës” nga Refat Xh. Gurrazezi
  7. “Gjaku i Borës” -Agim Shehu, 1996
  8. Dr. Zeko Braho- Revista “Studime historike”, 1980, 3, f. 190-192.
  9. Prof. Dr. Rami Memushaj “Histori e Kurveleshit” Tiranë, Toena, 2004

10-Gazeta Telegrafi, 16 tetor 2018

Filed Under: Emigracion, Politike Tagged With: dalip greca, menaxheri i Diellit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 280
  • 281
  • 282
  • 283
  • 284
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT