• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA THIRRJE PARLAMENTIT TË KOSOVËS: VOTONI VJOSA OSMANIN SI VULLNET TË QYTETARËVE

April 4, 2021 by dgreca

Deklaratë VATRA THIRRJE PARLAMENTIT TË KOSOVËS: VOTONI VJOSA OSMANIN SI VULLNET TË QYTETARËVE!

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA i bën thirrje deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës që të votojnë, menjëherë dhe pa hezitim kandidaten për Presidente Dr.Vjosa Osmani. Votë kundër Vjosa Osmanit është votë kundër miqve ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës të cilët kërkojnë të plotësohet kuorumi dhe të realizohet votimi. Politikanët e tjerë janë provuar, verdikti i qytetarëve të Kosovës u shpreh qartë për ndryshim. Mos e pengoni ndryshimin, lejojeni votimin. Zonja Osmani është zonja më legjitime dhe më e votuar në Kosovën e pasluftës. Sot më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe institucional. VATRA i bën thirrje të gjithë politikanëve në Kosovë që të dalin mbi interesa meskine personale dhe të tregojnë maturi, pjekuri dhe të mos tradhëtojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Lojërat politike janë të papranueshme dhe nuk i shërbejnë interesit shtetëror të Kosovës. Kosova në gjithçka dhe mbi gjithçka. Me nderime Kryetari i VATRËS Elmi Berisha

Filed Under: Politike Tagged With: Parlamenti i kosoves, Vatra-deklarate, Vjosa Osmanin, Votoni

Pashkët, fillimi i një jete të re!

April 3, 2021 by dgreca

Vazhdoni lutjen tuaj për mua dhe për të gjithë të sëmurët-Imzot Massafra uron nga spitali-/

Imzot Angelo Massafra nga rehabilitimi në spitalin “Miulli” ku gjendet tashmë pёr t’u shëruar nga Covid-19, i bashkohet festës sё Pashkëve me një mesazh.

Imzot Massafra shprehet në mesazhin e tij se tingulli i natës së këmbanave të të gjitha Kishave i bën me dije botës që diçka e re ka ndodhur dhe diçka e re po bëhet gati të fillojë. 

Ai thotë se Pashkët, në fakt, nuk janë përfundimi i Kreshmëve, por fillimi i një jete të re. Imzot Masafra bekon besimtarët dhe iu kërkon që të vazhdojnë lutjen tuaj për të dhe për të gjithë të sëmurët. 

MESAZHI I PLOTË
Të dashur vëllezër dhe motra, duke qenë e pamundur të jem i pranishëm personalisht në mesin tuaj për shkak të sëmundjes që po më detyron të qëndroj në Spital, gjë që po zgjat tashmë më shumë se një muaj, dëshiroj të jem i pranishëm me këtë mesazh për të reflektuar së bashku mbi dhuratën pashkore të Krishtit të Ringjallur, shpresa jonë e vetme.

Tingulli i natës së këmbanave të të gjitha Kishave i bën me dije botës që diçka e re ka ndodhur dhe diçka e re po bëhet gati të fillojë. Janë Pashkët e ringjalljes, aty ku Krishti i ringjallur nga të vdekurit përfaqëson risinë për të gjithë ata që aspirojnë jetën e re.

Pashkët, në fakt, nuk janë përfundimi i Kreshmëve, por fillimi i një jete të re, pasi që i kemi rënë mohit të keqes dhe mëkatit të futur në natyrën tonë; mohimi i së cilës Kreshmët kanë qenë një simbol, por edhe një rrugë konkrete. Por cili nga ne mund të thotë më të vërtetë se është i aftë për të bërë, në mënyrë të përsosur, zgjedhje për një ndërrim rrënjësorë? Gjithmonë ndihemi nevojtarë për të filluar nga e para, për të përshkuar shtigje mohimi, shkretëtireje, për të arritur oaze freskuese të cilat japin shpresë për të vazhduar ecjen.

Është gjithmonë dora e Zotit që na shtyn për të ecur, për të braktisur siguritë tona që t’i hapemi së resë. Njeriu, në fakt, nuk shëlbohet vetëm: sikur të varej nga ne, do t’u kënaqnim në zakonet tona, në “kështu është bërë gjithmonë”, dhe do të qëndronim në një gjendje vdekjeje të parakohshme, pa shpresë, pa aspirata, por vetëm me ato gjëra që ndodhin përpara syve tanë për të kënaqur nevojat e menjëhershme të mbijetesës. Por gjithashtu edhe këtë vit dora provanore e Zotit i shtyu besimtarët e tij për të përshkuar shkretëtirën kreshmore “për të arritur të përtërirë në festën e pashkëve” (lutja e të enjtes së javës së IV të Kreshmëve);

– Na ka bërë imitues të atit tonë Abrahamit i cili braktisë gjithçka për ecjen që do ta çojë në takim me Hyjin i cili premton risinë e jetës;
– Imitues të etërve tanë në ikje nga Egjipti me shpresë që të arrijnë tokën e premtuar;

– Imitues të Zotit tonë Jezu Krisht, solidar me ne në shkretëtirën e zhveshjes, ku njerëzimi ynë vihet përballë tundimit që të dalim fitimtarë, të forcuar me Fjalën e Zotit, shpëtimin e vetëm kundër së keqes. Dhe ja tani Pashkët, oazë freskie që shuan etjen tonë në këtë fazë të jetës; të gatshëm për të filluar rrugëtimin, pas zhytjes freskuese në ujërat e Pagëzimit, nga i cili jemi rilindur në jetë të re: “Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re” (Rom 6, 4). Ecja që na vihet përpara, pra, ka shijen e jetës së re; dhe ky është urimi im i Pashkëve të Shenjta për këtë vit, 2021.

– Një jetë të lirë nga mëkati sepse është e palëkundshme në dashurinë e “Atij që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit” (2 Kor 5, 21);

– Një jetë në përputhje me vullnesën e Hyjit dhe në shenjtëri, në shembullin e Krishtit, i cili duke ardhur në botë thotë: “Ja, unë po vij për të bërë vullnetin tënd. (…) Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë e përgjithmonë”. (Heb 10, 9- 10 );

– Një jetë të shënuar nga bamirësia, në shembullin e Atij që “e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte me të”. (Vap 10, 38b);

– Një jetë nën veprimin e Shpirtit të mëshirës të dhënë nga Ai që, i Ringjallur, hukati mbi dishepujt natën e Pashkëve dhe tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen”. (Gjn 20, 22b-23); Dhe me Shën Palin unë ju bëj thirrje: “Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit”. (Kol 3, 1).

Dhe në fund, dëshiroj të falënderoj të gjithë, pa dallim: ju më keni mbështetur në këto Kreshme të veçanta për mua. Krishti i Ringjallur ju bekoftë, gjithashtu edhe unë ju bekoj dhe ju kërkoj që të vazhdoni lutjen tuaj për mua dhe për të gjithë të sëmurët. Pashkë të Shenjta!

*** 

Besimtarët katolikë festojnë Pashkët, Imzot George Frendo mesazh: Mos lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë. Ai që vendos të qëndrojë në Shqipëri është hero…

“Mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë. Jeta jonë nuk është nën drejtimin e virusit, por nën drejtimin e Krishtit”.

Me këtë mesazh për forcë dhe shpresë në këto kohëra të vështira që po jetojmë, Imzot George Frendo përcjell urimin e tij për të gjithë besimtarët katolikë të cilët kremtojnë Pashkët këtë të diel.

Teksa iu bën thirrje të rinjve të mos largohen nga Shqipëria Imzot George Frendo i fton ata të sillen si heronj duke qëndruar dhe ëndërruar për një Shqipëri më të mirë.

“T’ia dëshmojmë të rinjve që kultivojnë një ëndërr, që një ditë të largohen nga Shqipëria drejt një vendi më të pasur. Kush kultivon këtë ëndërr mendon se është guximtar. Por ai që vendos të qëndrojë në Shqipëri duke ëndërruar një Shqipëri më të mirë është hero. Ndoshta shumë të rinj kënaqen të jenë guximtarë. Por le të kërkojnë më shumë të jenë heronj. Shqipëria ka nevojë për ju, të dashur të rinj: Jeni e ardhmja e Shqipërisë. Ngjallja e Krishtit shpall fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, fitoren e shpresës mbi dëshpërimin. Ngjallja e Krishtit le t’ju dhurojë vendosmëri që Shqipëria jonë, vend i stolisur me shumë bukuri, të bëhet, përmes jush, një vend edhe më i bukur”, ishte disa nga fjalët e Imzot George Frendo.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Masafra, Pashket

NË KUJTIM TË 4 DËSHMORËVE TË LIRISË TË 2 PRILLIT, 1991 NË SHKODËR

April 2, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ishte 2 Prilli i vitit 1991.  Dy ditë më parë me 31 mars, ishin mbajtur zgjedhjet e para “pluraliste”, pas shembjes së Murit të Berlinit dhe fillimit të “ndryshimit” të sistemit komunist pothuaj gjysëm shekullor në Shqipëri.  Megjithëse vet ato zgjedhje u mbajtën në një atmosferë pak a shumë të qetë — siç shkruante në atë kohë edhe gazeta   Nju Jork Tajms, Shqipëria — “ky vend i pa fat i Ballkanit”, dhe “vendi më i varfër i Evropës”, edhe pas këtyre zgjedhjeve, “mbetet i ndarë dhe i përçarë”. Gazeta e njohur amerikane shkruante në atë kohë se në muajt fundit rreth 80-mijë të rinjë e të reja ishin larguar nga Shqipëria dhe se “fitorja e komunistëve” në ato zgjedhje, “do të bënte që edhe më shumë të rinjë të largoheshin nga vendi”, ndërsa citonte një nga studentët e Universitetit të Tiranës, i cili nuk dëshironte të identifikohej, se “nuk ka asnjë arsye që të qendrojë më këtu”. 

Sidomos ata shqiptarë, veçanërisht rinia, që prisnin që zgjedhjet e para post-komuniste në Shqipëri të 31 marsit, 1991 do të sillnin “ndryshimin e madh”, “lirinë e demokracinë” dhe “Shqipërinë si e gjithë Evropa”, u zhgënjyen për së tepërmi. Përveç mos kënaqësisë me manipulimet e atyre zgjedhjeve që çuan në fitoren e Partisë së Punës, përfundimi i atyre zgjedhjeve shkaktoi edhe shpërthimin e revoltave në disa qytete. Reagimet më revoltuese ndaj fitores së partisë (komuniste) të Punës erdhën nga Shkodra ku për fat të keq të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, pas zgjedhjeve “pluraliste”, në qytetin verior, me 2 Prill u vranë katër dëshmorë të lirisë e demokracisë: Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.  Kjo tragjedi e 30-viteve më parë ka lenë plagë të rënda në familjet e këtyre deshmorëve, për Shkodrën dhe Shqipërinë pasi 30-vjet më vonë mbetet gjithnjë një prej ngjarjeve më makabër të historisë moderne shqiptare, e cila pret gjithnjë zbardhje dhe drejtësi, përfshir identifikimin e individëve përgjegjës për këtë krim, në radhët e enteve të drejtësisë, të policisë dhe Sigurimit të Shtetit të asaj kohe. 

Fatkeqësisht, edhe sot në 30-vjetorin e vrasjeve të këtyre deshmorëve të lirisë, ashtu siç ka ndodhur me shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë komuniste të vendit, nuk janë identifikuar përgjegjësit as nuk është vendosur drejtësia për këto krime shtetërore.  Nuk është zhvilluar asnjë proces i mirëfilltë drejtësie për ata që ishin, drejt për drejt, përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të shtënë me armë zjarri kundër njerëzve të pafajshëm dhe të pa armatosur, pjesëmarrës në një protestë paqësore.  Ato të shtëna kundër protestuesve paqësorë — sipas dëshmitarve vendas — kishin ardhur nga ndërtesa e ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër, ndërsa jehona e këtij krimi shtetëror kumbon edhe sot dhe thërret për drejtësi, përgjegjësi dhe ndëshkim – kumbon nepër koridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore të Shqipërisë, 30-vjet vjetë pas zgjedhjeve të para “pluraliste”.

Fatkeqësisht, shënjat nuk janë shpresëdhënse për hetime rreth këtij krimi, as sot në këtë 30-vjetor të vrasjes makabre të këtyre 4 heronjve.  Sepse sipas raportit të posa botuar të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut për vitin 2020, në Shqipëri, “Mosndëshkimi mbetet një problem serioz”, thuhet në atë raport: “Ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi, i zyrtarëve që kryen abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme.  Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje t’i shmangeshin ndjekjes penale.”  

Problemi është se kemi të bëjmë me krime shtetërore dhe jo thjeshtë me “abuzime” nga zyrtarë të lartë të asaj kohe, urdhër-dhënës për ekzekutimin e katër deshmorëve të demokracisë në Shkodër, disa prej të cilëve ende gëzojnë poste të larta në institucionet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar, “post-komunist”.

Megjithë problemet me zgjedhjet e para “pluraliste” të 31 marsit, 1991– më kujtohen shpresat e mëdha që kolegët e mi dhe unë kishim ato ditë në Tiranë — për një fillim të ri historik, për “ndryshimin e madh”, për varrosjen e diktaturës,  për një shoqëri më të drejtë, më të lirë e demokratike dhe më tolerante në Shqipërinë post-komuniste. 

Por, vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, nga ne dhe nga delegacionet e tjera ndërkombëtare të pranishme në Tiranë, si një shënjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare.  Në këtë 30-vjetor, mos zbardhja dhe mos ndëshkimi i këtyre vrasjeve deri më sot, justifikon dyshimet tona sot e asaj dite – dhe në prak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, se ky krim shtetëror si due krime të tjera të komunizmit, nuk do të zbardhen, as personat përgjegjës nuk do të ndiqen ligjërisht dhe as nuk do të ndëshkohen, ashtu siç ka ndodhur me të gjitha krimet e komunizmit në Shqipëri.

Por ajo që mund të bëjmë ne njerëzit e thjeshtë kudo është që të kujtojmë, të kujtojmë që të mos harrojmë dhe të kujtojmë viktimat e pafajshme duke hedhur poshtë gënjeshtrat dhe duke mbrojtur të vërtetën. Kam zgjedhur që në këtë 30-vjetor të kujtoj katër heronjtë e lirisë e të demokracisë – këto 4 yje të lirisë,

lule të demokracisë — që u vranë gjatë protestave anti-komuniste në Shkodër me 2 prill, 199, me fjalët e këngëtarit të njohur shqiptar, të ndjerit Sali Mani:   

Kengë kushtuar 4 Dëshmorëve të 2 prillit, 1991 në Shkodër

Sali Mani – Katër dëshmorët – YouTube

Kur zbardhë drita ditë për ditë

Dalim heret me vaditë

ma të bukurat lule në botë

pak me ujë e pak me lotë.

Katër yje të lirisë,

Lulet e demokracisë.

Kush i vrau dora iu thaftë

Kush i preku zemra iu çaftë.

A e dini kush i vrau, 

Dje i vrau e sot i qau.

Dritë as diell me sy mos paftë, 

Diktaturë zemra t’u çaftë.

Ndalo ti o dorë mizore

Dorë e zezë konservatore

Pesë dekada na ke vra

S’i le nanat as me kja.

Arben Broci djal ku je?

Shkodër locën gjallë e ke.

Diktaturat po varrosen,

Diktatorët po groposen.

Po qet shkumbë burokracia

Se u shpalos demokracia

Kush dha urdhër në atë shtërngatë

Me vra  njerëzit duar thatë.

Ju thaftë goja kush e dha,
fjalën vrisni kush e tha?

Ti o vrasës urdhërdhanës

Helm tu bafshin gjijtë e nanës!

Nepër popull plumba ranë,

Katër yje në gjak u lanë.

Fshehu dorën tirania,

derdhi lotë demokracia.

Po renkojnë malet me gropa,

Korbat sillen rreth e rrotull,

Në katër rrugë ka mbetë ai popull.

Diktatura na varfënoi,

E si komb na përçudnoi,

Na dhanë rrugat nepër botë.

Diktatori vrau e preu

Plot me plagë u mbush Atdheu

Ju tha zemra kësaj Shqipni,

Për liri, demokraci.

Kur zbardhë drita ditë për ditë

Dalim heret me vaditë

Ma të bukurat lule në botë

Pak me ujë e pak me lotë.


Arben Doci ku të ra gjaku

M’u  te dora e Bujar Bishanakut

Te Besniku te Nazmia,

Gjaku i juaj Demokracia.

Hej, Arben Broci djal ku je,

Shkodër locën gjallë e ke.

Diktaturat po varrosen,

Diktatorët po groposen.

                                    

Filed Under: Politike Tagged With: Deshmoret e 2 Prillit, Frank shkreli

QEVERISJE DIKTATORJALE ME “KESHILLA MJEKËSORE”

April 1, 2021 by dgreca

MESAZHI: “Njerëzit po vdesin më së shumti nga një mjekim i gabuar, dhe jo në kohë, se sa nga COVID-19”….Prandaj:/

– inkurajoj të gjithë lexuesit e këtij shkrimi që  ta kërkojnë vetë mjekim( i keni brenda shkrimit) në farmacitë e tyre, e t’i mbajnë në GADISHMËRI për t’i përdorur menjëherë, sapo t’u shfaqen shenjat e para(i gjeni të detajuara përgjatë artikullit)…

– Le të lutemi që në një ditë shumë të afërt,aktorët e kësaj skene dramatike botrore, të vet-diskretitohen,- me shpresë se s’do të jetë tepër vonë, -kur… 

Shkruan: DR. ZEKRI PALUSHI(MD)*

Manipulimi i mendjes njerëzore është një proces i mirë-studjuar, dhe i përdorur prej shekujsh. Ndër protagonistët më të njohur në këtë fushë, ngelet Goebbels, (ministër i Hitlerit për Propagandën),-që mbahet mend për proklamacionet e tij famë-keqe si:-Nqs e arrini të bindni popullin se po i kërcnon  një “Rrezik ”, atëherë ato do të bajnë cfarë të doni ju. (“if you make people believe in the threat of an enemy, they’ll do your bidding”). -Apo, “Nqs një gënjeshtër përsëritet mjaft shpesh, kjo bahet e vërtetë”. (“if you repeat a lie often enough it becomes the truth”).

Për ne, njerëzit që kemi jetue në Shqipëri,-gjatë pushtimit komunist, -proklamacionet e Goebbles-it, tingllojnë shumë familjare. Luta kundër armiqve imagjinar ka vazhduar për gjatë 50 vjetëve.

Siç po shihet, -që nga dita e parë e shpalljes së kësaj pandemie, shumë nga politikanët e ditëve të sotme,-zellshëm po praktikojnë disa nga këto proklamacione, -sigurish “në emër të mbrojtjes së popullit nga COVID-i”.

Ndonse politikanët e sodit janë ma t’sofistikuar, –frika prapseprap ngelet arma më e përzgjedhur e tyre. Me një armik të pa-dukshëm, -(si COVID-i ynë), -po tmerrohet gjithë njerëzimi.

Siç dimë, që kur rasti i parë, i diagnostikuar me COVID-19, jashtë Kinës, -bota fatkeqësisht,është qeverisur nga “Kshilla (anti) Mjekësore”.

Cdo aspekt, gjithmonë në ndryshim, -I kësaj  pandemie,ashtë kontrollue me shumë kujdes, nga Organizata Botrore e Shëndetësisë (OBSH), në bashkepunim me agjensitë e mëdha Shtetrore Mjeksore, dhe Media.

Çuditërisht, -këto “Këshilla Mjekësore”, -të dhëna për të njëjtën pandemi, dhe t’njëtin virus, -kanë qenë të ndryshme, në shtete të ndryshme, -në mbështetje të rrethanave politike, dhe oreksit të politikanve!

Këto ndryshime, dhe masa drastike, të pa logjikshme e t’pa-justifikueshme nga shkencat mjekësore, janë kundërshtuar me forcë nga personalitete të mirëfillta të Shkencës Mjekësore Botrore.

Gjatë gjithë vitit që shkoj, ne kemi parë me dhjetra-e-mijra doktorë, ekspertë mjekesorë dhe punonjës/kërkues të ndryshëm shkencorë që kanë kritiku me forcë, e kundërshtu publikisht keq-drejtimin dhe keq-trajtimin e ksaj pandemie, -duke sjellë në pah, edhe shumë kontradita, e konflikte interesash të ktyre agjensive me Industrinë Farmaceutike.

Mbi 52.000 profesional mjekësore, që përfaqësojnë disa nga shkollat ma t’mira mjekësore, dhe institute studimesh shkencore, -tashma në shenjë proteste kundra strategjive dhe veprimeve të tjera zyrtare, me efekte të pa-dëshirueshme në shëndetin fizik dhe mental të fëmijve, dhe qytetarve, -me 4 Tetor 2020, në Great Barrington të Massachusetts, të Amerikës, kanë firmosur një deklaratë, të quajtur‘the Great Barrington Declaration’ [https://tinyrl.com/y5fwzlqj].

Të tjerë disidentë mjekësor,- janë duke na paralajmëruar se:

-Numrimi zyrtar i vdekjeve, vecanërisht në Amerikë dhe Angli, janë masivisht të ekzagjeruara. Psh, ne USA, ne vitin 2018, gjatë 365 ditëve kanë vdekur 2.839.205 njerëz (pra rreth mbi 7.778 vdekje në ditë); ndërsa në vitin 2020, gjatë 317 ditëve, kanë vdekur 2.465.323 njerëz, (rreth 7.777 vdekje në ditë).

Në Angli vdesin cdo ditë, rreth 1.700 njerëz. Vetëm nga gripi vdesin cdo vit mesatarisht 17.000 Anglez.

Në Australi, -vjet nga Marsi në Korrik, -pra gjatë 155 ditëve, kanë vdekur prej shkaqeve të ndryshme, 68.000 njerëz–(pra 440 vdekje në ditë),-ndërsa gjatë 450 ditëve të pandemisë, kanë vdekur nga COVID-19, -vetëm 909 njerëz.

-Në Shqipëri vdesin cdo vit, nga sëmundje të ndryshme, mesatarisht 20-21.000 njerëz. Ndërsa numri i vdekjeve nga COVID-19, -të regjistruara në  Worldometr, janë 2.235.

Të mos harrojmë se cdo vit vdesin në botë nga sëmundje të ndryshme, 56-60 milion njerëz, -ndërsa nga COVID-19, deri më sot, 1 Prill 2021, janë raportuar 2.81milion raste vdekjesh.

Shumë është folur edhe për keq-kalkulime të vdekjeve,të lidhura direkt me COVID-19, -ndër to po përmendi atë të Universitetit Mjekësore ‘Johns Hopkins’ -në Baltimore, që ka analizu statistikat e vdekjeve, në vitet e mëparshme, duke i krahasuar ato, me vdekjet e rregjistruara, me shkakëtar COVID-19.-Ata vunë re se numri I vdekjeve nga shkaqe të ndryshme, gjatë kësaj pandemie, ishte shumë herë ma i ulët se sa numri I vdekjeve nga COVID-19,-duke ardhë në një konkluzion tepër llogjik se, te pothujse të gjitha vdekjet ishin regjistruar si vdekje covid-jane.

Kjo mospërputhje e pa-llogjikëshme e shkaktarve të vdekjeve, nuk është vetëm një fenomen Amerikan, – kjo ka ndodhur, në të gjith botën.

E pa logjikshme është edhe rënia e numrit të diagnostikuarve me gripin sezonal, -që n’krahasim me 2019, ka ra 98%!

Kjo discordancë e pa-llogjikshme mund të“justifikohet”vetëm me mbështetjen e diagnozave, me një test të pa-përshtatshëm, sic është rasti i testeve PCR.(Polymerase Chain Reaction), – që njihen si ‘Tampone Naso-faringeale’

Të ndalemi pak në këtë test.

Shpiksi i këtij testi, Dr. Kary Mullis, që vdiq pa-pritmas, në Gusht të vitit që shkoj, ka thanë se “ky test nuk ishte ba për diagnostikimin e asnjë prej sëmundjeve infective,…”

Edhe specialistë të tjerë të kësaj fushe thonë se, mbështetja e diagnostikimit të COVID-19, në testin PCR, është një korrupsion i përdorur si një instrument dënimi dhe vuajtjesh.

Ka edhe shumë shpjegime teknike, të mëtejshme,në lidhje me ciklet e amplifikimit të ktij testi, që unë s’poi diskutoj, -por ju baj thirrje, dhe i inkurajoj, të gjitha laboratorët që përdorin testimet me PCR, – ti shpjegojnë kto teste, -e të jenë transparent, në lidhje me aftësitë diagnostikuese të tij.

Megjithatë, bazuar në këto teste,-siç shihet të pa-përshtatshme, – deri me datën 29 mars 2021, janë diagnostikuar në të gjithë botën 127.762.560 raste me COVID-19, dhe prej tyre kanë vdekur 2.795.870. Ndërsa,- cdo vit në botë vdesin 56-60 milion njerëz.

 Fatmirësisht, shumë shtete të botës, po arrijnë të kuptojnë fallcitetin e këtij testi, -psh., një gjykatë apeli në Portugali, ka arritur në konkluzionin se testi PCR, nuk asht i besueshëm për të diagnoztikuar një infeksion covid-jan, -dhe në bazë të këtij vendimi, cdo lloj karantine me forcë, e bazuar në pozitivitetin e këtij testi, mud të jetë ilegal.

Ndërkohë, e shoh tepër të rëndësishme që të përcjelli tek kolegët e mij, -vecanërisht doktorët Shqiptarë, një mesazh shumë të rëndësishëm, që është: “Njerëzit po vdesin më së shumti nga një mjekim i gabuar, dhe jo në kohë, -se sa nga COVID-19”.

Prandaj  të përqëndrohemi në PROFILAKSINË dhe MJEKIMIN e kësaj viroze,-por me ilacet që na ofrojë personalitete të mirëfillta mjekësore,- të cilët unë i kam studjuar me shumë kujdes, dhe jam në kontakt të vazhdueshëm, të zhvillimeve  e reja, t’ksaj fushe.

Në të njëjtën kohë, – inkurajoj të gjith lexuesit e këtij shkrimi që  ta kërkojnë vetë këtë mjekim, në farmacitë e tyre, e ti mbajnë në GADISHMËRI, për ti përdorur menjëherë, sapo t’ju shfaqen shenjat e para, -që ma kryesoret janë: temperaturë, kollë të thatë, dhe lodhje,- apo shenja ma pak të rralla, siç janë: -djegie gryke, dhimbje trupore, diare, conjuktivit, dhimbje koke, humbje të shijes apo të nuhatjes, -ndërsa shenja shumë serioze janë: -vështirësi në frymëmarrje, apo frymëmarrje të shkurta, dhimbj apo presion në gjoks, humbje të të folurit, apo të lëvizjeve.

Këto shenja, zakonisht shfaqen 5-6 dite, pas kontaktit me nje te infektuar.

Nuk po zgjatem me studimet e shumta mjekesore, ne favor te rezultateve të larta të përdorimit të këtij mjekimi që konsiston në përdorimin e Protokollit të HYDROXYCHLOROQUIN-ës, dhe Protokollit të IVERMECTIN-ës.

Ia vlen që para se ti përmbledh këto protokolle, t’ju tregoj se, Amerika që nuk e rekomandon këtë mjekim, -zen vendin e 11 në botë për numrin e vdekjeve, ndërsa India dhe Bangladeshi që e kanë përdorur qysh herët, këtë mjekim, -përkatësisht zenë vendet e 103, dhe 128, të vdekjeve në botë.

Pra, le ti përmbledhim këto protokolle:

Protokolli i HYDROXYCHLOROQUINES,-që vazhdohet për 5-10 ditë:

1-Hydoxychloroquine (plaquenil) 200 mg- 1 tablet, çdo 12 orë.

2-Doxycycline, 100mg- 1 tablet, çdo 12 orë.

 3-Zinc, – 1 tablet, çdo ditë.

 4-Vit D3, -1 capsule, çdo ditë.

 5-Vitamin C,- 2 tableta, 3 herë në ditë.

*PËR QËLLIME PROFILAKTIKE,-sidomos të Personelit Mjekësore, -jepen njëherësh, 2 tableta, (400mg), çdo javë.

Protocolli i IVERMECTIN-ës është:

-Ivermectin, (stromectol) 3mg, -merren 4 tableta, (12mg),njëherësh, esull në mëngjez, -çdo ditë, për 5 ditë rrjesht.

1-Zithromax 500 mg, -çdo ditë, për 5 ditë, ose

2-Doxycycline 100 mg, -fillohet me marrjen e menjëherëshme të 2 tabletave, -pastaj vazhdohet me 1 tablet, çdo 12 orë, -për 10 ditë.

3-Zinc, 1 tablet çdo ditë, për 10 ditë.

4-Vitaminë C 250mg, -2 tableta, 3 herë në ditë, për 10 ditë.

5-Vitamine D3, – 1 capsulë, çdo ditë, për 10 ditë.

*Për qëllime profilaktike, -sidomos në personelin mjekësor jepen:

-IVERMECTIN 12mg (një dozë),-çdo 14 ditë

-DOXYCYCLINE-100mg, një herë në ditë për 4 ditë,-çdo 14 ditë.

-ZINC 50mg, një herë në ditë për 4 ditë, -për 14 ditë

-Vitamin D3, një në javë.

Nuk po flas për mekanizmin e veprimit, dhe veprimin sinergjik të këtyre ilaçeve, -por THEKSOJ se sejcili prej këtyre mjekimeve,-si me Hydroxychloroquine, apo Ivermectine, janë MJAFT të SIGURTA, dhe EFEKTIVE,-nëse përdoren në kohë,-me shfaqjen e shenjave të para të një infeksioni viral (shenja gripale), -po kështu, -siq thamë, janë shumë efektive për ti përdorur edhe si profilaksi.

Me të gjitha studimet shkencore, dhe faktet mbështetës, për përdorimin e ktyre protokolleve, që shpëtojnë jetë njerëzish, -si qeveria Amerikane, -ashtu dhe shumë qeveri të tjera, -jo vetëm që s’i rekomandojnë, -por i censurojnë dhe përgënjeshtrojnë ato.

Por tashmë dihet se, pa asnjë mjekim, -në pritje të vaksinimeve, COVID-19,ka kohë të mjaftueshme, për të hyrë në qelizat tona trupore, ku edhe shumëzohet me shpejtësi,-pra qëllimi i këtij mjekimi, sipas protocolleve të përmendura, është që të STOPOJË sa më herët këtë shumëzim, e si rrjedhojë, të SHPËTOJ JETË NJERËZISH.

Shumë gjëra, në lidhje me COVID-19, janë të pa-kuptushme, dhe enigmatike, – si, përdorimi i një testi të pa-përshtatshëm për diagnostikimin e tij, manipulimi I numrit të vdekjeve, masat drastike të jashtzakonisht, të tipit diktatorjal,….., dhe mbi të gjitha CENSURIZIMI I SHKENCËTARVE dhe MJEKIMIT !!!!

Tash, politikanët janë duke folur shumë, rreth mutacioneve të këtij virusi, -gjë që është e vërtetë, -por kjo s’është një fenomen i ri, -të gjith viruset pasojnë mutacione/ndryshime t’vazhdueshme, -këtë e dinë edhe politikanët, -megjithatë ato po e çfrytëzojnë këtë fenomen natyral, -jo për të edukuar popullin, por për të intensifikuar frikën, -e për më tepër, -duke i paraqitur kto mutacione si “ma t’rrezikshme”, -ato shpresojnë se njerëzit do të harrojnë COVID-in  Kinez, -një emër që shqetëson dhe ofendon tej-mase,  Partinë Komuniste të Kinës.

Ne kurrë s’duhet të harrojmë se në 100 vjetorine saj, (1917-2017),- Murtaja Komuniste, ka festuar vrasjet ma ç’njerëzore, të mbi 100 milion viktimave të pa-fajshme,-ndërto edhe Shqipëtar, -megjithatë, ato prap-se-prap janë gjallë, dhe në përpjekje t’vazhdueshme për të marrë botën.

Përfundoj duke ju kujtuar se gjatë kësaj pandemie, -asnjë nga politikanët, apo qeveritarët, s’ka humbur një cent nga rrogat e tyre, -ndërsa, njerëzit po humbin gjithçka, përfshirë edhe Lirinë e Demokracinë.

Le të lutemi që në një ditë shumë të afërt, -aktorët e kësaj skene dramatike botrore, të vet-diskretitohen,- me shpresë se s’do të jetë tepër vonë, -kur  , EKONOMIA, Të ARDHURAT e njerëzve, LIRIA, DEMOKRACIA, dhe SOVRANITETI, nuk do të jenë ma.

Dr. Zekri Palushi (MD)

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Zekri Palushi MD, Keshilla mjeksore, Qeverisje diktatoriale

NGJALLJA E JEZU KRISHTIT: PËRKRYERJA E DASHURISË

March 31, 2021 by dgreca

Shkruan:DON ROBERT KOLA/

“Nën(ë) dhén u-fshehe,/

si një Diell tani,/

dhe i vdekur perëndove/

në varr të zi,/

po u-ngrer i buzëqeshur Shpëtimtar.”/

Ndër të gjitha qeniet që hasim në jetë, vetëm njeriu e ka aftësinë dhe prirjen të besoj në ngjallje. Çka e shtyn atë (njeriun) të besojë në jetë edhe në jetën përtej vdekjes, apo thënë me saktë në ngjallje! S’do mend se përmallimi i njeriut për pavdekësi është një etje e pashuar që përshkon dhe e cilëson shpirtin dhe gjakimin e tij. Pra, dashuria shfaq gjakimin më të thellë të njeriut për amshimin. Çfarë kuptimi do të kishte sikur të përmbushej vetëm gjakimi i shpirtit e jo edhe i mishit dhe trupit të njeriut për amshimin? Sa thellë e hetoi këtë gjakim të njeriut një mendimtar i kohës sonë, kur thotë: “Shpirti im me gjakimet e tij, ashtu si mishi dhe gjaku duhet të shëlbohet […] Ndoshta mund të themi: vetëm dashuria mund të besojë në Ringjalljen. Ose: është dashuria e cila beson në Ringjalljen.” 

Kjo pritje e gjakimit të shpirtit, mishit dhe trupit u përmbush vetëm përmes Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Pikërisht ngjallja e Jezu Krishtit është përkryerja e dashurisë. Ajo e shuguron natyrën njerëzore përmes zjarrit dhe dritës së Lavdisë së Hyjit. Shkëlqimi i dritës së Ngjalljes përshkon natyrën e njeriut dhe mbarë rendi i krijimit ripërtërihet. Së këndejmi, Ngjallja, si tallaz i valës së re, e kredh krijesën në thellësi të pambaruara të lavdisë.

Kjo njëmendësi shprehet veçmas përmes liturgjisë së Kishës. Duke e kundruar misterin e kryqëzimit dhe kraharorin e shporuar të Krishtit, ajo heton larjen – pastrimin e ri që e përfshin tërë kozmosin, sikur një pagëzim i ri.

Në ritet e së Premtes së shenjtë, duke kundruar misterin e Kryqit, ndër të tjera, këndohet në Kishë:

“Posi dallga gufon gjaku,

toka, deti,  yjet e bota

ja po lahen në atë lumë.”

Dhe në vargjet e tjera vazhdohet:

“N’ heshtë kraharorin ja shporuan,

prej kah ujë e gjak si gurra

ra mbi tokë me tallaz t‘vetin

pastroi qiellin e pastroi detin.”

Në himnin e Kishës: “Exultet”, në Vigjiljen e Ngjalljes, Liturgjia ngrihet (shpërthen) në harenë e kremtimit, bashkohet me zërin e koreve engjëllore të përmbushura (edhe ato) me frymën e ngjalljes, dhe kumbon buria e shëlbimit, qoftë në qiell, qoftë në tokë:

“Le të shpërthejnë tani në hare 

çetat engjëllorë të qiellëve

le të galdojnë mbarështuesit e Hyjit;

dhe për fitoren e mbretit kaq të madhërishëm,

le të kumbojë me gëzim buria e shëlbimit.”

Ngjalla është kënga e re përmes së cilës ndodh eksodi i krijesës në Lavdinë e Hyjit. Liturgjia e apokalipsës shquan gjithë doksologjinë e saj rreth “Qengjit të flijuar. ”Ai (qengji) “është simboli i mbretërisë, simboli i shekullit të ri, i mbretërisë përfundimtare, të amshuar dhe të pashkatërrueshme […] Lavdeve të engjëjve rreth fronit dhe të udhëheqësve i bashkëngjitet dhe ai (lavdi) i mbarë gjithësisë. Gjithësia e dukshme bashkohet në lavdërim me gjithësinë e çetave engjëllore, duke brohoritur së bashku:

‘Atij që rri në fron dhe Qengjit:

Bekim, nder e pushtet

në shekuj të shekujve!’(Zb 5, 13).

Edhe gjithësia e dukshme thur lavde në trajtën e brohoritjes, duke u bashkuar me engjëj të panumërt; lëvdon ‘atë që rri në fron’ dhe ‘Qengjin’. Lavdet e filluara nga engjëjt rreth fronit përfundojnë në krijesën e dukshme dhe lavdi i saj përforcohet nga Amen-i i engjëjve.”

Ngjallja e Jezu Krishtit është edhe buzëqeshje e ëmbël e Lavdisë së Hyjit, e cila çel mu në zemrën e krijesës: “Bukuria e krijesës është buzëqeshja e butësisë që Krishti na drejton përmes materies.”

Pra, Ngjallja është lartësimi dhe përkryeja e pambaruar e dashurisë për arsye se “Dashuria qëndron vetëm aty ku ajo ripërtërihet në mënyrë absolute.“ S’ka ripërtëritje të dashurisë pa shenjtëri. Ripërtërija e dashurisë rimëkëmbët vetëm përmes shenjtërisë. Në Prefacionin e Ngjalljes, Kisha këndon:

“Me fitoren mbi mëkatin,

rimëkëmbet mbarë rruzullimi

e në Krishtin na ripërtërihet jeta.”

Vepra e ngjalljes është, po ashtu, edhe më e përsosur së vepra e krijimit. Në Vigjiljen e Ngjalljes, që është nëna e të gjitha vigjiljeve, gjatë lutjeve të shërbesës së Fjalës, Kisha, thotë edhe këtë lutje:

“O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, 

Ti je i mrekullueshëm në të gjitha veprat e tua:

bëj që bijtë e tu që i ke shëlbuar të kuptojnë

se krijimi i botës në fillim ishte vepër e shkëlqyer, 

por më i shkëlqyer ishte, në plotësinë e kohës,

shëlbimi i tyre me flijimin e Krishtit, Pashkëve tonë.”

Në Vigjiljen e Ngjalljes, përmes një predikimi të lashtë që vjen nga tradita e saj, Kisha e shpalos misterin tronditës që ajo e kremton. Me ngjyrime dramatike, Kisha paraqet ngjarjen dhe veprën e shëlbimit, si një breviar që përmbledh gjithë misterin: “Krishti duke marrë për dore Adamin e vdekur, i drejtohet atij: Zgjohu, ti që po fle, ngjallu prej të vdekurish, e Krishti do të shndrisë. Unë jam Hyji i yt, që për ty jam bërë biri yt; që për ty e për këta, të cilët prej teje e patën prejardhjen, tani po flas, e në pushtetin tim po u urdhëroj atyre që ishin në burg: Dilni! Dhe atyre që ishin në errësirë: Ndriçohuni! Dhe atyre që ishin të vdekur: Ngjalluni! Ty po të urdhëroj: Zgjohu ti që po fle! Vërtet, nuk të krijova që të mbetesh i burgosur në Nëntokë. Ngjallu nga të vdekurit. Unë jam jeta e të vdekurve. Ngjallu, vepër e duarve të mia! Ngjallu shëmbëllesa ime, e bërë në përngjasimin tim! Ngjallu, të dalim prej këndej! Ti në mua e unë në ty jemi të një natyre të vetme e të pandashme. Për ty unë, Hyji yt, jam bërë biri yt. Për ty unë Zoti e kam veshur natyrën tënde prej shërbëtori. Për ty unë, që rri përtej lartësive qiellore, kam ardhur në tokë dhe në Nëntokë. Për ty, njeri, kam marrë pjesë në dobësinë njerëzore […] Vështroji, në fytyrën time, pështymat që unë pranova për hatrin tënd, që të të kthej në atë frymë të parë jetëdhënëse. Shiko në faqet e mia shuplakat që durova për ta kthyer përsëri në përngjasimin tim bukurinë tënde të humbur […] Çohu, të largohemi prej këtej. Armiku të dëboi nga toka e parajsës, ndërsa unë nuk të kthej më në  atë kopsht, por të vendos mbi fronin qiellor. Të qe ndaluar të prekësh pemën simbolike të jetës, por unë që jam jeta, të jap vetveten.”

Gjaku i derdhur i Jezu Krishti në Kryq, shfaq planin e shpëtimit të Atit, i cili u pranua nga Ati, jo pse “Hyji e kërkonte, apo pse kishte nevojë, por për shkak të ekonomisë së shpëtimit, nga çasti që njeriu duhej të shenjtërohej përmes njerëzisë së Hyjit (αγιασθηναι το ανθρωπινω τού Θευ τον ανθρωπον).”

Ngjalla e Krishtit është shenjtërorja dhe burimi i shenjtërisë së njeriut. Rruga e shenjtërimit të njeriut është mishi i tij, të cilin ai e mori përmes Mishërimit. Shën Augustini e hetoi këtë të vërtetë në mënyrë të thellë: “Do ta shohim faqe-faqas. […] E Gjoni apostull në letrën e vet shton: Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet ai, do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është (1 Gjn 3, 2). Ky është premtim i madh. Në qoftë se e do, ndiqe. Ti thua e dua, por nëpër cilën udhë duhet ta ndjek? […] Po e kërkon udhën? Dëgjoje Zotin që thotë më se pari: Unë jam udha. […] Udha për të shkuar ku? Tek e vërteta dhe jeta. Më se pari të tregon udhën që duhet të marrësh, e pastaj qëllimin që do ta arrish. ‘Unë jam udha, unë jam e vërteta, unë jam jeta’. Duke qëndruar tek Ati, ishte e vërteta dhe jeta; duke u shfaqur në mishin tonë, u bë udha.”

Më pak fjalë, Ngjallja është sythi që bulëzon dashurinë e Hyjit në mishin tonë. Në kremtimin e Vigjiljes së ngjalljes, besimtarët ushqehen me misteret e ngjalljes që dikojnë në ta Shpirtin e dashurisë dhe i bën të përkojnë e të njësohen në dashurinë e të Ngjallurit.

“Na ndiko, o Zot, Shpirtin e dashurisë sate,

dhe bën që, ata që i ushqeve me misteret e Pashkëve 

të jetojnë në përkim me dashurinë tënde.

Nëpër Krishtin Zotin tonë.”

Në kremtimin e liturgjisë, pra, asambleja është vendi: “ubi floret Spiritus” (Traditio apostolicae, nr. 35). Sythi i dashurisë i të Ngjallurit përmes epiklezës së Shpirtit të Shenjtë në liturgjinë e Kishës, tejfiguron dashurinë në shujtën e Mbretërisë qiellore. Eukaristia është përflakje e dashurisë në dritën dhe zjarrin e të Ngjallurit.

Filed Under: Politike Tagged With: Don Robert Kola, Ngjallja e Jezu Krishtit, Perkryrja e Dashurise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 286
  • 287
  • 288
  • 289
  • 290
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT