• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani bisedoi me presidentin e Izraelit Isaac Herzog

July 29, 2021 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me presidentin e Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog. Ajo e ka uruar presidentin Herzog për pranimin e detyrës dhe shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për ta thelluar bashkëpunimin me Izraelin në fushën e politikës, tregtisë, arsimit, energjetikës dhe mbrojtjes.

Nga ana tjetër, presidenti Herzog shprehu falënderimin për krijimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve dhe ofroi mbështetjen e tij për thellimin e raporteve bilaterale.

Më tej, në këtë bisedë telefonike, Presidentja Osmani potencoi se raporti i Kosovës me Izraelin është i hershëm dhe daton nga periudha e Luftës së Dytë Botërore kur shqiptarët në Kosovë mbrojtën hebrenjtë, ndërsa presidenti Herzog nënvizoi mbështetjen e shtetit të Izraelit për refugjatët shqiptarë nga lufta në Kosovë.

Presidentja Osmani dhe presidenti Herzog u pajtuan për komunikim të mëtejmë dhe në realizimin e vizitave përkatëse në Kosovë dhe Izrael.

Filed Under: Politike Tagged With: Isaac Herzog, Vjosa Osmani

Kosova lidere në rajon për shpërblimin e medalistëve

July 29, 2021 by dgreca

Nga Bekim Bislimi*

Të gjithë sportistët e Kosovës, të cilët kanë arritur rezultate kulmore në disiplinat sportive, qoftë në kampionate evropiane, botërore apo lojëra olimpike, do ta kenë përkujdesjen e shtetit, konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Xhudistet e Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, në Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat po mbahen sivjet me vonesë për shkak të pandemisë së koronavirusit, janë fituese të medaljeve të arta olimpike.

Bazuar në Ligjin për sportin, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, të dyja këto sportiste, por edhe trajnerin e tyre Driton Kuka, ka detyrim t’i shpërblejë në bazë të rregullores për shpërblimet shtetërore.

Shpërblime financiare dhe mbështetje pas moshës 45-vjeçare

Ibër Alaj, udhëheqës i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, sqaron se cilat do të jenë shumat monetare të shpërblimeve, por edhe përfitimet tjera që kanë sportistët që kanë fituar medalje olimpike.

Sipas tij, medalistja e artë merr vlerën prej 100 mijë euro, ndërsa trajneri merr vlerën prej 50 mijë euro. Po të njëjtit – ata që arrijnë normë në kampionate evropiane, botërore dhe lojëra olimpike – marrin mbështetje të përhershme financiare pas moshës 45-vjeçare.

“Mendoj dhe konsideroj që në këto pika, Republika e Kosovës edhe me buxhetin e varfër të saj, ka siguruar që sportistët, të cilët arrijnë rezultate të tilla, të mbështeten në mënyrë financiare dhe të kenë një status të veçantë në shoqërinë e Kosovës”, tha Alaj.

Bazuar në rregulloren për shpërblime shtetërore, përveç medaljes së artë në kampionate evropiane, botërore dhe lojëra olimpike, e cila shpërblehet me 100 mijë euro, medalja e argjendit shpërblehet me 60 mijë euro, ndërkaq ajo e bronzit, shpërblehet me 40 mijë euro.

Gjithashtu edhe sportistët e moshave të reja, të cilët garojnë në lojërat e të rinjve, siç janë edhe Lojërat evropiane të të rinjve, marrin shpërblimin financiar prej rreth 25 për qind, në krahasim me sportistët seniorë, varësisht nga medalja që kanë fituar dhe kategoria ku kanë garuar.

Krasniqi: Mbështetje e përjetshme financiare për medalistët

Ismet Krasniqi, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili aktualisht po qëndron në Tokio për të ndjekur pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në olimpiadën e sivjetme, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se organizata që ai drejton fillimisht ua siguron kampet stërvitore të gjithë garuesve potencialë për lojëra olimpike, si dhe i mbështet ata përmes bursave prej 200 deri në 1.000 euro, varësisht nga kategorizimet.

Për më shumë, sipas tij, shpërblimet dhe përfitimet tjera, të cilat marrin sportistët që kanë siguruar medaljet olimpike, por edhe në kampionatet evropiane apo botërore, janë stimulim i mirë për të rinjtë që t’i qasen disiplinave sportive me shumë seriozitet.

“Padyshim që është stimulim shumë i mirë dhe kjo duhet të bëhet më shumë publike, sepse mbase disa të rinj nuk e dinë këtë stimulim që e ofron shteti i Kosovës. Pas 45 vjetëve, kur sportisti e arrin atë moshë, e kanë një të ardhur (financiare) nga shteti, të përjetshme. Por, e kanë ata që arrijnë deri te rezultati. Pa konkurrencë nuk ka as rezultate të mira. Konkurrenca i shtyn të kenë rezultate të mira të gjithë sportistët”, tha Krasniqi.

Çka pas tërheqjes?

Por, bazuar në Ligjin për sportin dhe rregulloren për shpërblimet shtetërore, përveç mbështetjes financiare pas moshës 45-vjeçare për sportistët që kanë fituar medalje në disiplinat sportive përkatëse, qoftë në kampionate ballkanike, mesdhetare, të Evropës apo botërore, e që aktualisht është 800 euro, të gjithë ata marrin një shpërblim tjetër në formë të pagës edhe për katër vjetët vijuese, pas marrjes së medaljeve. Shuma e kësaj mbështetjeje financiare shkon deri në mbi 1.000 euro, varësisht nga kategorizimi i sportistëve.

Sipas Ibër Alajt, dhënia e kësaj mbështetjeje financiare ndërpritet në momentin që sportistë të caktuar tërhiqen nga aktiviteti sportiv garues ose pensionohen. Kjo vlen edhe për fituesen e medaljes së parë të artë për Kosovën, në Lojërat Olimpike të vitit 2016 në Rio de Xhaneiro, xhudisten Majlinda Kelmendi. Ajo gjithashtu ishte edhe kampione botërore e xhudos në vitin 2013, si dhe kampione evropiane e xhudos, në vitin 2015.

Kelmendi, pas përfundimit të pasuksesshëm të garës në Olimpiadën Tokio 2020, ka deklaruar se do të tërhiqet nga pjesëmarrja aktive në gara dhe se synon të jetë një trajnere e ardhshme e xhudos.

“Në momentin që deklarohet se nuk merret aktivisht me xhudo, atëherë asaj i pushojnë të ardhurat nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Por, në moshën 45- vjeçare, asaj i aktivizohet shpërblimi i përhershëm, sipas meritave paraprake që ka pasur”, theksoi Alaj.

Por, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Krasniqi thotë që Majlinda Kelmendi pas tërheqjes nga garat, mund të jetë një trajnere mjaft e suksesshme, ndërkaq që institucionet kompetente sportive nuk do ta lënë anash.

“Tash, Kosova duhet ta shfrytëzojë eksperiencën e saj, të cilën e ka gjatë gjithë kësaj kohe sa ka marrë pjesë në shumë gara të ndryshme evropiane, botërore, olimpiada dhe të tjera”, theksoi Krasniqi.

Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë theksuar se Kosova është një ndër 13 shteteve që më së miri mbështesin në mënyrë financiare sportistët fitues të shpërblimeve në gara sportive.

Shpërblimet në vendet e rajonit

Shpërblimet që japin shtete e rajonit për sportistët e tyre që marrin medalje olimpike, përgjithësisht janë më të vogla se ato të Kosovës.

Shqipëria shpërblen për medalje të artë olimpike, me 82 mijë euro, të argjendit me 57 mijë euro, ndërkaq, të bronzit me 41 mijë euro.

Serbia shpërblen për medalje të artë olimpike me 70 mijë euro, të argjendit me 60 mijë euro dhe të bronzit me 50 mijë euro.

Mali i Zi shpërblen për medaljen e artë me 35 mijë euro, të argjendit me 30 mijë euro dhe të bronzit me 25 mijë euro.

Kroacia shpërblen për medaljen e artë me 27.600 euro, të argjendit 17.300 euro dhe të bronzit 12.200 euro.

Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina nuk e kanë të rregulluar çështjen e shpërblimit të sportistëve që fitojnë medalje, por një vendim i tillë merret në mënyrë ad-hoc.

Shembull, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të mërkurën ka vendosur që ta shpërblejë sportistin Dejan Georgievsi me 30.000 euro, pasi ai në Tokio fitoi medaljen e argjend në sportin e tekvondosë.

*Kortezi-Evropa e Lire

Filed Under: Politike Tagged With: Bekim Bislimi, Medalistet e Kosoves

ECJA DREJT SË DJATHTËS –DËSHMI MORALE DHE MENÇURIE

July 22, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

 Libri më i fundit i autorit të njohur me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Thanas L. Gjika, titullohet, “Ecja Drejtë së Djathtës – Dëshmi Morale dhe Mençurie” Botimet Jozef 2021, 372 f. Në këtë libër, autori përmbledh shkrime shkencore dhe publicistikë të viteve të fundit, që synojnë përballimin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj komuniste, pothuaj gjysëm shekullore të vendit, si dhe dënimin e krimeve të njërit prej regjimeve më të egra të diktaturës komuniste të shekullit të kaluar, ndërsa nenvijon edhe nevojën e ecjes drejt së djathtës së shëndoshë politike në Shqipëri.

Në këtë libër, lexuesi gjen dhe vlerësime autorësh e veprash, portrete, kujtime dhe shkëmbime letrash të autorit me disa personalitete të diasporës shqiptare – kolegë e miq të tij — si Profesor Sami Repishti, Visar Zhiti, Jozef Radi, Lekë Përvizi, Luan Rama e disa të tjerë. Njohja e tij me Lasgush Poradecin e kujtime të tjera interesante nga mosha e tij shkollore.

Edhe ky libër, në vazhdën e punimeve të vyera të mëparshme të Thanas Gjikës, përfshirë studimet historike mbi fillimet e Krishtërimit në trojet ilire, analizat politike dhe shoqërore si dhe publistikën e tij të pasur, ndihmon lexuesin e sotëm në trojet shqiptare dhe në diasporë që të kuptojë më mirë shtrembërimet e të vërtetave historike gjatë periudhës fatzezë të komunizmit. Këto shtrembërime, fatkeqsisht, mbrohen edhe sot nga një mori pseudohistorianësh dhe nostalgjikësh enveristë në nivelet më të larta shtetërore dhe akademike të Shqipërisë socialiste. 

Në këtë libër, ashtu si në krijimtarinë e mëparshme të Thanas Gjikës vihet re dëshira e tij për të venë në dukje vlerat artistike dhe ideore të disa shkrimtarëve dhe publicistëve që jetojnë në atdhe dhe në diasporën shqiptare, të cilët fatkeqësisht, njihen pak ose aspak nga lexuesit shqiptarë dhe aq më pak promovohen nga institucionet zyrtare në trojet shqiptare. Mund të jetë që shumica e këtyre shkrimtarëve dhe publicistëve të diasporës – konsiderohen si disi “ndryshe”, “të prekur” dhe “të përndjekur”, nga ish-regjimi komunist, por edhe sepse shumë prej tyre kanë jetuar dhe vepruar jashtë Atdheut për një kohë të gjatë dhe të cilët shpesh trajtohen si të huaj në vendin e vet. Por siç ve në dukje studjuesi Gjika në librin e botuar kohët e fundit, edhe këta kontribues, qofshin shqiptaro-amerikanë, shqiptaro-francezë, shqiptaro-belgë, shqiptaro-italianë, shqiptaro-kanadezë, etj janë dhe duhej të ishin pjesë e historisë, e shoqërisë dhe kulturës shqiptare, pa nënvlerësime, paragjykime, akuza e shpifje, pasi për derisa kanë shkruar e vazhdojnë të shkruajnë shqip, janë pjesë dhe kontribues të kësaj kulture. Por, deri tani, sipas Thanas Gjikës këta krijues e studjues shqiptarë të diasporës, kryesisht vazhdojnë të jenë të refuzuar dhe të nënvlerësuar prej kulturës dhe historisë kombëtare, pjesë e të cilës këta shqiptarë me dy kombësi e ndjejnë veten se janë – pjesë e pandarë e trupit kombëtar, të kulturës, gjuhës dhe historisë së shqiptarëve – e kësaj kulture mijëra vjeçare. 

Siç ka shkruar Ernest Koliqi, “Kultura asht shpirti i kombësisë. Kush nuk njeh historinë e vendit të vet, nuk njeh vetveten. Kush nuk ka dijeni për fytyrat e jetës shqiptare që shfaqen në vjersha, në tregime, në përshkrime e përshtypje, në syzime e studime të shkrimtarëve shqiptarë, nuk di me u dhanë zhvillim shkaseve që ndien në gjak të vet. Kush nuk etshohet nga nevoja të dijë çka bluajnë mendjet ma të ndritura të bashkgjakasve të vet, (edhe të atyre jashtë atdheut-F.Sh) si e shohin dhe si e paraqesin në pëlhurnat e tyre botën piktorët tonë, me çfarë tingujsh tregojnë valavitjet shpirtënore të veta muzikantët shqiptarë, d.m.th., ai që kurrë s’kapë në dorë nji libër shqip nuk soditë me andje nji piksim dalë nga nji dorë shqiptare, as nuk shuan mallet e veta në melodi ku shfrejnë mullajt e zemrës së madhe të Kombit…”(Ernest Koliqi, revista “Shejzat”). 

Në të parin çerek të shekullit XXI, Shqipëria, Kosova dhe autoritetet përkatëse në këta dy shtete shqiptare duhet të promovojnë dhe të konsolidojnë një shoqëri gjithëpërfshirse, pa dallime politike, ideologjike, krahinore e të tjera, duke përfshir edhe forcimin tepër të nevojshëm të lidhjeve me diasporën e vjetër dhe të re shqiptare. 

Fatkeqësisht, këto lidhje sot nuk ekzistojnë me shtetin amë, ashtu siç duhej të ekzistonin. Ky është, në përgjithsi, edhe një prej mesazheve kryesore i librit më të ri të autorit Thanas Gjika, titulluar: “Ecja Drejt së Djathtës – Dëshmi Morale dhe Mençurie” — një përmbledhje artikujsh studimorë dhe publistikë të autorit dhe të disa kontribuesve të tjerë nga diaspora shqiptare, sidomos diaspora shqiptaro-amerikane. Me pikësynimin për dënimin, më në fund, të krimeve të komunizmit në Shqipëri, për përballimin me të kaluarën komuniste dhe për nevojën e ecjes drejt së djathtës së shëndoshë. 

Mjaft më me ndarje e përçarje, në baza ideologjike, midis shqiptarëve, brenda dhe jashtë atdheut! Shqiptarët, një grusht njerëz, brenda dhe jasht trojeve shqiptare, kanë nevojë për unitet — për një strategji mbarëkombëtare – duke përfshirë edhe ata që megjithse larg vendlindjes, përpiqen të japin kontributin e tyre ndaj historisë dhe kulturës së përbashkët mbarëkombëtare, pa marrë parsysh se ku jetojnë aktualisht, por të cilët, me gjithë zemër e shpirt, punojnë dhe shkruajnë për një letërsi të përbashkët kombëtare dhe veprojnë për një atdhe të vetëm!

May be an image of 1 person

                                           Autori Thanas Gjika

                                        Ballina e librit më të ri të autorit Thanas L. Gjika

Filed Under: Politike Tagged With: Ecja Djathtas, Frank shkreli, Thanas Gjika

Marko Kepi deklaratë për mediat: Lobi grek frikë nga Çamëria

July 18, 2021 by s p

Marko Kepi, kandidati republikan për Këshillin e Bashkisë Nju Jork, në një deklaratë për mediat ka sqaruar opinionin publik rreth përplasjes në Komisionin e Numërimit të votave, padinë për racizëm dhe manipulim rezultatesh si pasojë e mos numërimit të votave shqiptare. Marko Kepi akuzon Georgia  Kontzamanis, me pozicion Drejtoreshë e KQZ-së në Nju Jork e cila sipas Kepit ka provuar çdo mundësi brenda dhe jashtë ligjit që shqiptarëve në Staten Island Nju Jork mos t’u numërohen votat. Një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Kepit së bashku me politikanë të tjerë grekë- amerikan kanë bërë të mundur mohimin e numërimit të votave të 370 shqiptarëve, e ndërsa politikanë shqiptarë në Nju Jork po heshtin. Georgia, sipas Marko Kepit është një aktiviste e Komunitetit Grek në Nju Jork dhe një nga Drejtueset e Parades Greke në Manhattan ku çdo vit marshojnë me parulla “Vorio Epiri” dhe propoganda të ndryshme. Një rast që vlen për t’u përmendur është kur Marko Kepi organizoi Paraden për Çamërinë në zemër të Nju-Jorkut, Georgia përdori pushtetin e saj brenda partisë së vetë asaj Republikane që Senatori Golden, t’a pushonte Kepin nga puna, nga zyra dhe ambientet e tij, ku Kepi për një kohë të gjatë ka qenë pjesë e stafit të Senator Marty Golden, por ky i fundit ka refuzuar në mënyrë kategorike të bëjë një veprim që i kërkohej patjetër për heqjen nga puna të Kepit. Në fushatën për Asamble që Kepi garoi kundër Michael Tannousis, ajo drejtoi fushatën e grekut kundra Kepit dhe bëri gjithçka që shqiptarët e sapo regjistruar për të votuar mos të kishin të drejtë vote në “primary” gjë që i kushtoi Kepit rreth 800 vota. Ndërsa këtë vit që matematikisht Kepi ka fituar, Georgia Kontzamanis ka ndaluar numërimin e 370 votave të shqiptarëve dhe KQZ i dha Kepit vetëm 7 ditë që ti kontaktojë 370 shqiptarë që të firmosnin formularin ku ato vërtetonin se kanë votuar dhe vota e tyre t’u numërohet. Për shkak të afatit të shkurtër kohor dhe shumë shqiptarë u gjenden në pushime, ekipi i Kepit siguroi 330 firma nga 370 që përsëri i siguronin Kepit fitoren me 130 vota plus. KQZ e Shtetit te Nju Jorkut dha urdhërin që çdo votë të numërohet me 15 Korrik. Kur filloi numërimi nga 156 zarfa që u hapen 155 vota ishin të Kepit. Në atë moment KQZ lokale Staten Island ndaloi numërimin e 175 votave që kishin mbetur dhe i quajti “të pa vlefshme”.  Sot kundërshtari i Kepit është vetëm 41 vota përpara që e çon këtë garë sipas ligjit në gjygj dhe në rinumerim të çdo vote nga fillimi i procesit. E gjitha kjo lojë po bëhet që të përfitojë  kundërshtari demokrat që Kepi të ketë sa më pak kohë të bëjë fushatë në garën gjenerale që cakton fituesin e Këshillit Bashkiak Qarku 50. Rinumërimi i votave fillon më 27 Korrik 2021 dhe seanca gjygjësore fillon më 9 Gusht 2021. Dita e votimeve gjenerale është më 2 Nëntor 2021- thuhet në deklaratën publike të kandidatit republikan Marko Kepi.

Filed Under: Politike Tagged With: Bashkia New York, Marko Kepi, zgjedhjet

ZBULIMI I VARRIT MASIV NË PËRMET…

July 17, 2021 by s p

ZBULIMI I VARRIT MASIV NË PËRMET – PËRGJEGJËSIA E INSTITUCIONEVE SHTETËRORE DHE NDËRKOMBËTARE/

NGA FRANK SHKRELI/

Mediat shqiptare njoftuan pardje, zbulimin e një varri masiv të viktimave të komunizmit në Përmet. Zbulimi u bë aksidentalisht nga një firmë ndërtimi. Për një shumicë të mediave shqiptare, zbulimi i këtij varri masiv, u trajtua si diçka e re, si një “lajm”, sikur nuk e dinin deri tani se anë e mbanë Shqipërisë, ka varre masive të tilla nga periudha e komunizmit, të zbuluara dhe të pazbuluara. Varre të tilla masive viktimash të pafajshme të komunizmit ka gjithandej, të nderuar:  Buzë Dajtit, nën pallatet e larta në Tiranë dhe në qytete të tjera. Në brigjet e liqenjve due të lumenjve. Shkoni kërkoni brigjeve të Lumit Buna dhe Drinit në Veri të vendit, si dhe përgjatë kufirit, mund të shkelni mbi to kudo. Do “zbuloni” mjaft eshtra, megjithëse eshtrat e shumë viktimave të komunizmit, lumi Buna dhe Drini i kanë përcjellë në Adriatik due nuk gjënden më, përfshirë edhe eshtrat e At Gjergj Fishtës dhe të shumë anëtarëve të elitës antikomuniste, jo vetëm në Veri, por anembanë Shqipërisë.

Heshtja e medias, heshtja dhe mosveprimi i organeve qeveritare dhe shtetërore shqiptare, heshtja e përfaqësive diplomatike Perëndimore në Tiranë — në lidhje me varrezat masive të komunizmit në Shqipëri është e turpshme, moralisht dhe ligjërisht e pamundur për t’u mbrojtur, as në nivel kombëtar, as ndërkombëtar. Fatkeqësisht, duket sikur ekziston një marrëveshje e shëmtuar, e heshtur midis të gjitha këtyre palëve, për të mos i trazuar ujërat për krimet e komunizmit dhe për të mos u përballur seriozisht me të kaluarën komuniste në Shqipëri. E kam thënë shpeshherë, kjo heshtje është e turpshme due e pa moralshme, sidomos, për Perëndimorët në Tiranë, të cilët, ndryshe nga kjo klasë politike shqiptare e tre dekadave të kaluara, për çështje të tilla, diplomatët perëndimorë duhej të udhëhiqeshin nga vlera të tjera morale dhe drejtësie për çeshtje të tilla siç janë krimet e komunizmit në atë vend. 

Nuk mund të vendoset një drejtësi e re në Shqipëri pa u marrë me krimet e vjetra të komunizmit në Shqipëri dhe nuk mund të heshtë drejtësia e re,përfshirë SPAK-un ndaj përgjegjësisë dhe pandëshkueshmërisë për ato krime nga organet e sotme të drejtësisë shqiptare. Të gjithë Perëndimorët deklarohen shpesh se mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Vërtetë!? Si mund të konsiderohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE kur, si asnjë vend tjetër në Evropë, Shqipëria ka refuzuar për tre dekada tani për t’u përballur, seriozisht, me krimet e komunizmit? Flitet për vlera të përbashkëta me perëndimin, apo jo. Për të cilat vlera?

“Fatkeqësisht, duket sikur ekziston një marrëveshje e shëmtuar midis të gjitha këtyre palëve, për të heshtur për krimet e komunizmit dhe për të mos u përballur seriozisht me të kaluarën komuniste në Shqipëri”

“Heshtja e medias, heshtja dhe mosveprimi i organeve qeveritare dhe shtetërore shqiptare, heshtja e përfaqësive diplomatike Perëndimore në Tiranë, është e turpshme, moralisht dhe ligjërisht e pamundur për t’u mbrojtur”.

Thua nuk e di Ministria e Brendshme se ku gjenden varreza të tilla masive anembanë Shqipërisë? Prokuroria vendase duke marrë parasysh deklaratën e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë ku njoftoi, dy javë pasi ishin zbuluar varrezat, se ato mund të ishin të kohës së mesjetës.  A nuk mund të bashkrendojnë informacionin për këto varreza, Ministria e Mbrendshme, Ministria e Kulturës dhe Prokuroria për periudhën që i përkasin këto varreza. Duket se institucionet vendit kanë diçka për fshehur.  Pyetja që çdo shqiptar/e duhej të bëjë, pse nuk bëhet më shumë për të identifikuar varreza të tilla masive dhe për t’i mbrojtur si vende të shenjta, jo vetëm në Përmet por anë e mbanë Shqipërisë, me qëllim, mbi të gjitha, për të lehtësuar dhimbjet e familjeve të atyre viktimave të pafajshme të komunizmit, por edhe epër hir të së vërtetës historike? Unë e kam ndjekur deri diku veprimtarinë në Shqipëri të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Pse nuk pyet media se pse nuk zbatohet një marrëveshje për gjetjen e personave të zhdukur në komunizëm, midis këtij enti ndërkombëtar dhe qeverisë, shqiptare? 

Ja rekomandimet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur:

ICMP [ALBANIAN LANGUAGE] Raporti i ri i ICMP paraqet rekomandime për të përmirësuar përpjekjet e Shqipërisë për të dhënë llogari për personat e zhdukur nga periudha komuniste

Autori i shkrimit, Frank Shkreli ka botuar në gazetën “Telegraf” më, 2 qershor 2021, edhe shkrimin me titull “Të zhdukurit e periudhës komuniste në Shqipëri kërkojnë drejtësi!”, ku lexuesit tanë mund ta gjejnë në këtë

link  https://telegraf.al/politike/frank-shkreli-te-zhdukurit-e-periudhes-komuniste-ne-shqiperi-kerkojne-drejtesi/

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, I VARRIT MASIV, NË PËRMET, ZBULIMI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 286
  • 287
  • 288
  • 289
  • 290
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT