• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rreziqet Para Nesh

July 2, 2020 by dgreca

Nga Martin VULAJ/

Një shtrëngatë e tmerrshme politike po i kanoset Kosovës. Ky është rreziku më i madh që nga periudha kur forcat serbe shkatërronin shtëpitë e djegura, dhunonin femrat dhe vrisnin femijë si cuba të pamëshirë të dalë nga mesjeta ndërsa vagonat e zinj të deportimit u shfaqen në trupin e Evropës 50 vite pasi që ishte betuar  KURRE ME! Aso kohe kërcënimi ishte fizik dhe, në dukje më i rrezikshëm se ky i sotmi. Sot përballemi me rreziqe politike, të natyrës ekzistenciale, që janë po aq të rrezikshme e të dëmshme sa kanosjet e luftës spë vitit 1999. Në vijim analizojmë shkurtë aspektet kryesore të shtrëngatës politke me të cilën përballet Kosova sot.

1.     Irritimi i Shteteve të Bashkuara

Anulimi i takimit negociator të datës 27 qershor për shkak të shpalljes së aktakuzave të Prokurorit Special, që është pranuar si veprim që synonte të ndikonte tek dialogu, dhe prandaj mund të karakterizohet një akt politik, e ka cuar procesin në reanimacion. Shtëpia e Bardhë, e irrituar tashmë, i ka dhënë Ambasadorit Grenell edhe një shans për t’i vendosur bisedimet në binarë, të cilët çojnë drejt njohjes bilaterale, i japin Kosovës anëtarësi në NATO, OKB dhe integrim rajonal europian.

Sulmet e parreshtura ndaj procesit negociator e Shtëpise së Bardhë, si dhe portretizimi keqdashës i Ambasadorit Grenell nga disa grupe tashmë kishin lënë pasoja, mirëpo anulimi i takimeve përbën kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të pakuëptueshëm ndaj tërë procesit. Për të qenë të qartë, mungesa e transparencës së negociatave kishte krijuar kushte për hamendje tek disa për mundësinë e nëpërkëmbjes së interesave të Kosovës. Në anën tjetër, kjo bëri që disa të përdornin një mungesë të tillë transparence për të arritur ambicjet e tyre politike. Rezultati është ky, nëse Kosova nuk vepron shpejt dhe prerazi, ka gjasa që Shtetet e Bashkuara të mos jenë të pranishme në negociata dhe bisedimet të bien në duart jokompetente të europianëve. Vorbulla e zgjedhjeve që po afrojnë në Amerikë do të bëhet gjithnjë më e furishme. Rritja e saj do të dëmtojë rastin e krijuar për ndërmjetësim amerikan duke zvogëluar hapësirën si për manovrime ashtu edhe për zhagitje.

2.     Gjyqi i shqiptarëve

Aktakuzat e paverifikuara ndaj Presidentit Thaci, z. Veseli dhe nëntë personave të tjerë, si edhe dy dokumente të tjera me aktakuza që priten të paraqiten pas të parës, përbëjnë një manovrim tejet tinzar dhe kërcënues. Sado të flitet për “përgjegjësi individuale” dhe se ky “nuk është gjyq ndaj UCK-së”, për opinionin publik, këto aktakuza janë ngritur kundër Ushtrisë, kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve në përgjithësi. Ky fakt nuk mund te mohohet. Pavarësisht shfajësimit të Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, ngritja e padive mund të sjellë më shumë dënime të paraqitura nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për krime lufte kundër Kosovës sesa ndaj Serbisë, e cila dihet se ishte shkaktare e gjenocidit!

Me vendosjen e UCK-se në bankën e të akuzuarit, armiqtë e Kosovës dhe shqiptarëve mund të arrijnë të kenë sukses në orvatjet e tyre 20 vjecare për të relativizuar krimet e kryera nga Serbia përfshirë fushatën e spastrimit etnik dhe aktet gjenocidale. Me fjalë të tjera, mund të vendoset një ekuivalencë e krimit. Sipas tyre, numrat “jane vecse statistika”, nese do parafrazoja thënien famëkeqe të Stalinit. Kjo do t’i dhuronte velin e hollë të justifikimit moral dhe një rast të shumëpritur një Europe albanofobike për të gjetur rrugëdalje për vete dhe për nyjën kosovare.

3.     Terreni i palakmueshem i Evropës

Pesë kombe në Evropë nuk e njohin Kosovën. Shumë shtete të tjera e kanë njohur por nuk kanë marrëdhënie miqësore. Ka një numër të vendeve që janë afruar dhe kanë dhënë perkrahje. Dhe në secilin prej këtyre shteteve ka si simpatizantë edhe kundershtarë të Kosovës. Megjithatë, konfiguracioni strukturor i BE-së dhe procesi i koklavitur i vendimmarrjes aty e ka bërë Europën impotente kur vjen fjala për veprime më vendimtare domethënëse për Kosovën. Ndërkaq, Srebrenica mbetet sot e përgjithmonë momumenti i turpit dhe pazotësisë evropiane.  

Parapëlqimi historik për Serbinë nga disa vende anetare të BE-së dhe procesi i I ngatërruar dhe joefikas i vendim-marrjes e kanë bërë të pamundur ecjen përpara të Bashkimit Evropian në cështjen e Kosovës. Të gjithë e dimë se pas tetë viteve të humbura nga BE-ja, ishin Shtetet e Bashkuara që bënë të mundur shpalljen e pavarësisë për Kosovën. Kështu ndodhi me tranformimin e ushtrisë së Kosovës dhe kështu po ndodh me dialogun. Dhjetë vjet tentativa nxorrën vetëm një pako me marreveshje të dobëta, që në pjesën më të madhe as nuk jane vënë në zbatim. Edhe një herë, BE-ja është e detyruar t’ia lëshojë frerët Shteteve të Bashkuara. Pikërisht procesi i vendim marrjes së BE-së e ka penguar zbatimin e marrëveshjeve për liberalizimin e vizave për Kosovën, edhe pasi që ishin plotësuar të gjitha kushtet. Pra, mungon vullneti politik por edhe zotësia për ta zgjidhur dilemën Kosovë-Serbi pa rolin e fortë drejtues nga Shtetet e Bashkuara.

4.     Stuhia politike

Rrethanat e parashtuara më lart mund të krijojnë një dukuri të rrallë metereologjike si paralajmërim për një stuhi të paparë politike e cila do të rezultojë me një Serbi të cilës i hapen dyert të shëtisë në Evropë ndërsa Kosova zhytet më thellë në geton e tashme politike.

Në rast se Shtetet e Bashkuara largohen nga procesi negociator/bisedimet, Europa me tendencën favorizuese ndaj Serbisë, duke ndrydhur duart me dyshime dhe pasivitet, mund ta përdorë procesin gjyqësor të UCK-së si arsyetim moral për një barazim midis dy palëve dhe krijon një rast për Serbinë t’ia heqi prangat Kosovës që të eci drejt Evropës.  

Problemi i vizave mund të mos jetë madhor por shërben si barometër i qëndrimit europian ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në vecanti. Albanofobia, sic paralajmëroi Dr. Berisha thuajse njëzet vjet përpara, është e pranishme dhe, mungesa e SHBA-ve dhe ekzistimi i gjyqeve ndaj UCK-së vetëm se do ta ushqejnë më shumë një disponim të tillë ndaj shqiptarëve.

5.     Biseda me Ambasadorin Grenell

Në bisedën tonë me Ambasadorin Grenell një ditë para telefonatës me anëtarë të komunitetit, si edhe gjatë atij takimi, ai e bëri të qartë se ndarja nuk ishte diskutuar, parashtuar ose prezantuar dhe se nuk kishte presion për një marrëveshje të shpejtuar. Ai shprehu irritimin e tij lidhur me procesin dhe mundësinë që administrata të ndihet e pakënaqur dhe e lodhur dhe, rrjedhimisht, të vendosë se palët nuk janë të gatshme për marrëveshje dhe kështu të tërhiqen nga gjithë procesi. Zgjedhjet jane shumë afër dhe mundësia e Ambasadorit për t’u riemëruar ose ngarkuar me përgjegjësi të tjera është krejt e mundshme. Mund të them pa hezitim se e ndjeva irritimin e Ambasadorit dhe se paralajmërimi është shumë real.

6.     Ecja përpara

Pika më kritike për arritjen e synimeve të Kosovës për shtetësi dhe pranim në NATO, OKB dhe eventualisht BE është angazhimi i plotë i Shteteve të Bashkuara. Për këtë, cëshja më parësore është krijimi i konsensusit të klasës politike lidhur me gatishmërinë dhe domosdoshmërisë për hyrje në dialog – dhe këto duhet të shprehen qartë për Uashingtonin. Kjo duhet bërë tani. Nuk ka me prit!

7.     Ekipi Negociator

Qeveria aktuale është e brishtë për t’u ballafaquar me sfidat e reja me të cilat përballet sot e në të ardhmen e afërt. Prandaj konsensusi politik është i domosdoshëm, por zgjerimi i qeverisë dhe riformini i një qeverie të re domethënë përsëritjen e procesit të cilin sapo e kemi kaluar. Kosova nuk e ka këtë luks kohor, mirëpo ekziston një mënyrë tjetër për të arritur konsensusin dhe stabilitetin e nevojshëm politik. Formimi i një Ekip Uniteti për Negociatat. Ekipi do përfshinte të gjitha partitë e mëdha të parlamentit kosovar, vecanërisht dy partitë opozitare të cilat duhet të kenë kompetenca të plota vendimmarrjeje në ekip. Ky hap sjell transparencë për procesin dhe votëbesimin e popullit, ulë tensionet dhe kthen fokusin aty ku duhet. Përbërja dhe rolet brenda ekipit duhet të negociohen me mirëbesim dhe pa lënë asnjë dyshim për natyrën dhe përmbajtjen e procesit. Në përfundim të procesit duhen mbajtur zgjedhjet dhe ndërtimin e një parlamenti të ri që pasqyron elektoratin e vendit dhe vullnetin e popullit.

Në këtë mënyrë populli do të jetë i sigurtë se marrëveshja e arritur midis Kosovës dhe Serbisë ishte më e mira e mundshme. Pika më kryesore e procesit është thyerja e prangave që kanë frenuar Kosovën të arrijë majat e mundësive të veta, të hedhë hapa përpara dhe më në fund të gëzojë mirëqenie.  Kjo do të thotë që Kosova të njihet si vend anëtar me të drejta të plota në NATO dhe OKB dhe me shtegun e hapur për inkuadrim në BE si edhe në tregtinë rajonale dhe ndërkombetare.

Në 1999 shteti i Kosovës u lind me gjak. Në 2008 ajo u bë e lirë të vepronte dhe të vendoste për jetën e vet. Në 2020, pas shumë gabimeve por edhe përparimeve, Kosova ndeshet me realitetin në të cilin shihet se cdo vendim ka pasojat e veta. Vendimet e tashme do jehojnë për breza me radhë. Ka ardhur koha për t’u bërë bashkë dhe për të ecur përpara ose të paguajmë cmimin më të lartë të mundshëm si alternativë e vetme e mbetur nëse dështojmë. 

Filed Under: Politike Tagged With: Martin Vulaj, Rreziqet Para Nesh

Krahasimi i të dhënave: SH.B.A. krahas 6 vendeve të Evropës Perëndimore

June 30, 2020 by dgreca

Shkruan: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik **/

Siç e dimë, shpërthimi i koronavirusit në Evropën ndodhi herët në Mars të këtij viti. Rreth dy javë më vonë, pandemia u ndez dhe në Shtetet e Bashkuara (Sh.B.A fillimisht në shtetet verilindore të Sh.B.A-ve (New York, New Jersey, Connecticut dhe Massachusetts). Në kulmin e infeksioneve, në Europë, Itali, Spanjë dhe shtete të tjetër, vdisnin më shumë se 3000 njerëz, çdo ditë – një numër thelbësisht më i lartë sesa në Sh.B.A., në kulmin e tij. Gjatë dy muajve të fundit, megjithatë, shumica e Evropës ka arritur të kontrollojë virusin.

Në Sh.B.A., numri i rasteve të reja u ngjit në mbi 30,000 në ditë, javën e fundit, pasi kishte rënë në nivelin e 20,000, në ditë, për disa javë me radhë. Rastet e reja në Sh.B.A. janë rreth 10 herë më të larta se rastet e reja në ditë, në Bashkimin Evropian. Numri në rritje i rasteve në Sh.B.A. pjesërisht pasqyron përhapjen e shpejtë të Covid-19, pasiqe në disa shtete dhe territore përhapja ka filluar më vonë. Për më tepër, rritja e numrit të rasteve mund të jetë pjesërisht për shkak të rritjes së testeve laboratorike. Rishikimi i të dhënave dhe tendencave, pavarësisht rritjes së numrave në Sh.B.A., tregon një lajm inkurajues. Tabela më poshtë krahason Sh.B.A-në me një rajon 6-vendesh, të Evropës Perëndimore (6- EP) me një madhësi gati identike të popullsisë.

Shteti/RajoniNumri i PopullsisëNumri i TestimëveNumri i të infektuarëve me Covid-19     Numri i     VdekjëveVdekjet/ 1 Mil. njerëz
*Belgika11.5 Mil1.6 Mil61,00010,000851
*Franca65 Mil1.3 Mil163,00030,000443
*Gjermania83 Mil5 Mil200,00010,000107
*Italia60 Mil5.6 Mil240,00035,000573
*Spanja46 Mil5.1 Mil250,00028,000606
*Mbretëria e Bashkuar67 Mil8.7 Mil310,00043,000650
*6 Shtetet e Europës Perendimore332 Mil27 Mil1.2 Mil156,000538
USA333 Mil31 Mil2.5 Mil128,000379
Shteti/RajoniShkalla e Vdekshmerisë (CFR)Përqindja populatës së testuarPërqindja e të vdekurve në populatënPërqindja e Vdekjeve / 1 Mil. njerëz
*6 Shtetet e Europës Perendimore13%8%0.047%0.058
ShBA5%9.3%0.038%0.038

Çfarë na tregon tabela: Numrat në tabelë krahasojnë Sh.B.A-në, me 333 milion banorët e vet, me vendet e 6-EP (Gjermani, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Spanja dhe Belgjika), me 332 milion banorët e tyre. Ndërsa numri i të infektuerëve me Covid-19 në Sh.B.A. është dyfishi i numrit të rasteve në 6-WE, ndryshimi i parë është se Sh.B.A-ja ka testuar afërsisht 31 milion, krahasuar me 27 milion njerëz në 6-EP. Të dhënat në Sh.B.A. gjithashtu tregojnë se vdekjet nuk po rriten së bashku me numrin e të infektuerëve, bile, në fakt ato po vazhdojnë të bien, deri në një mesatare prej rreth 600 vdekjeve në ditë, krahasuar me një kulm të më shumë se 2,000 vdekjeve në dit,ë në mes të prillit. Dallimi më i ashpër është në “shkallën e vdekshmërisë” (CFR) që tregon numrin e vdekjeve për numrin e përgjithshëm të popullsive të infektuara. Në Sh.B.A., CFR është afërsisht 5%, ndërsa ë 6-EP është më shumë se dyfish, me rreth 13%. Për më tepër, përqindja e vdekjeve për popullatë totale dhe për 1 milion njerëz, është më e mirë në Sh.B.A., krahasuar me 6-EP (0.038 dhe 0.378 në Sh.B.A, krahasuar me 0.047 dhe 0.057 në 6-EP).

Rënia e vdekjeve mund të na tregojë dy gjëra: së pari një reflektim i përmirësimeve të konsiderueshme në kujdesin shëndetësor, dhe së dyti, raste më të diagnostikuara po ndodhin tek njerëzit me simptoma më të buta dhe sëmundje më të lehta. Pacientët e moshës më të re dhe më të shëndetshëm kanë CFR shumë më të ulët, kështu që duket se të moshuarit ose individët me sëmundje paraprake po mbrohen më mirë.

Si përfundim, këta numra tregojnë se derisa kalojmë nëpër fazat e ndryshme të hapjes së shoqërive tona, duhet të jemi vigjilentë dhe të fuqishëm në komunikimin në të gjithë vendin, dhe veçanërisht aty ku ne po shohim ngritje në numër, se virusi është akoma kërcënim shumë i rresikshëm. Inkurajimi i njerëzve që të vazhdojnë të mbajnë mbulesa apo maska për fytyrën, të qëndrojnë në një distancë kur është e mundur, të shmangin nga tubimet e mëdha dhe të pambrojtura, të vazhdojnë me higjienën dhe të larit duarve. Këto janë gjëra të provuara që ne i dimë që mund të na mbrojnë dhe kështu të mbajmë numrin e infeksioneve nën kontroll.

** Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

Referenca për të dhënat dhe numrat:

1-https://www.statista.com/statistics/1028731/covid19-tests-select-countries-worldwide/

2-https://coronavirus.jhu.edu/data#charts

3-https://coronavirus.jhu.edu/data/mortality

Filed Under: Politike Tagged With: dr. Pashko Camaj, Europa Perendimore, SHBA

EKREM BARDHA I SHKRUAN PRESIDENTIT HASHIM THACI

June 29, 2020 by dgreca

– Kam qenë gjithnjë i bindur dhe vazhdoj të jem se ajo ishte një luftë sa e domosdoshme, aq edhe e drejtë; mbarëpopullore dhe kombëtare, për aspirata të mëdha dhe rrugë drejt bashkimit të kombit; kam qenë dhe vazhdoj të jem i bindur se UÇK-ja, në qëllimet e saj, luftimet, përcaktimet kombëtare, aksionet dhe në të gjithë veprimtarinë e saj nuk ka bërë shkelje të ligjeve ndërkombëtare…

…Ndryshe nga ushtria serbe, policia dhe shërbimi sekret serb, të cilët masakruan rreth 15 mijë shqiptarë të Kosovës, fëmijë, gra, burra, pleq, dëbuan rreth 1 milion shqiptarë nga trojet e tyre etnike, vranë, grabitën, dogjën, dhunuan, krejt ndryshe veproi UÇK-ja, ku ju ishit drejtori politik i saj, të cilët, edhe pas kaq viteve hulumtime, sajesa e mashtrime, shteti serb nuk arriti të mbledhë të dhëna as për 100 vetë, dhe jam i bindur, prova të sajuara dhe të fabrikuara.

I nderuari zoti President Thaçi…

E di dhe jam i bindur se momenti i tanishëm në jetën Tuaj politike dhe qytetare mund të jetë i vështirë, po aq sa jam i bindur se ai nuk do të ndryshojë disa të vërteta historike, të cilat, pavarësisht nga dëshirat jashtë Kosovës, janë përcaktuar qartë dhe kanë zënë vend në memorien e kombit.

Duke qenë njëri ndër përkrahësit më të vendosur të Pavarësisë së Kosovës, që në krye të herës, kur pak vetë guxonin ta ëndërronin këtë, kam mbështetur fuqimisht, pa asnjë ekuivok, deri në instancat më të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në takime të veçanta me presidentë dhe ish presidentë, senatorë dhe kongresmenë, Luftën e drejtë , liridashëse dhe sakrifikuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte dalëzotëse e popullit.

Kam qenë gjithnjë i bindur dhe vazhdoj të jem se ajo ishte një luftë sa e domosdoshme, aq edhe e drejtë; mbarëpopullore dhe kombëtare, për aspirata të mëdha dhe rrugë drejt bashkimit të kombit; kam qenë dhe vazhdoj të jem i bindur se UÇK-ja, në qëllimet e saj, luftimet, përcaktimet kombëtare, aksionet dhe në të gjithë veprimtarinë e saj nuk ka bërë shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Ndryshe nga ushtria serbe, policia dhe shërbimi sekret serb, të cilët masakruan rreth 15 mijë shqiptarë të Kosovës, fëmijë, gra, burra, pleq, dëbuan rreth 1 milion shqiptarë nga trojet e tyre etnike, vranë, grabitën, dogjën, dhunuan, krejt ndryshe veproi UÇK-ja, ku ju ishit drejtori politik i saj, të cilët, edhe pas kaq viteve hulumtime, sajesa e mashtrime, shteti serb nuk arriti të mbledhë të dhëna as për 100 vetë, dhe jam i bindur, prova të sajuara dhe të fabrikuara.

Unë, si qytetar amerikano- shqiptar, që kam pasur nderin të ju takoj, të bisedoj me ju, të ndjek politikën tuaj në dobi të kombit, të dekorohem nga Ju për aktivitetin tim, qëndroj pranë figurës suaj, jo vetëm si mbështetje, por edhe si dëshmi e qëndrimit të lartë politik, diplomatik dhe ushtarak që solli politika e lartë e Shteteve të Bashkuara.

Që pas mbarimit të luftës në Kosovë, ku , për herë të parë, një strukturë e armatosur luftarake shqiptare, si ishte UÇK-ja, u bë pjesë e koalicionit të madh ndërkombëtar kundër fashizmit serbomadh dhe politikës gjenocidiale të Millosheviqit, shumë akuza janë bërë mbi figura të larta të drejtimit të UK-së, por gjithëherë është dëshmuar pafajsia e komandantëve të luftës dhe lufta e drejtë e UÇK-së.

Tani, i nderuar zoti President , po luhet një akt tjetër i akuzimit të luftës çlirimtare, por do të jetë edhe një provë e re e drejtësisë së luftës, e qëndrimit tuaj parimor, si drejtues lufte dhe burrë shteti.

Më lejoni Zoti President të ju afroj gjithë mbështetjen time, si qytetar dhe njeri i angazhuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke besuar në luftën e drejtë, të pastër e burrërore të UPK-së, ku ju ishit drejtues i saj!

Me respekt

Ekrem Bardha

Tiranë

27 Qershor 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Ekrem bardha, Hashim Thaci, Presidentit Thaci

Martin Vulaj: Nëse Europa merr drejtimin e dialogut, çështja e Kosovës do të zvarritet gjatë

June 28, 2020 by dgreca

Komuniteti amerikano-shqiptar i druhet shumë rimarrjes së drejtimit të dialogut Kosovë-Serbi nga Bashkimi Europian pas dështimit të Shtëpisë së Bardhë për të realizuar takimin e 27 qershorit, nga i cili kishte aq shumë pritshmëri.

Ish-drejtuesi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në SHBA, Martin Vulaj, në një intervistë për Ora News shpreson shumë që ky skenar të pamundësohet pasi nëse ndodh çështja e Kosovës do të zvarritet për një kohë të gjatë.

Ai sjell shembullin e Turqisë, e cila për vite me radhë vijon negociatat për anëtarësimin.

Vulaj: Uroj që jo. Brukseli, Europa në përgjithësi e ka pasur në dorë çështjen e Kosovës për një kohë shumë të gjatë. Dështimi i saj e ka detyruar Amerikën që në mënyrë të njëanshme në bashkëpunim me partnerët e saj të insistojë për pavarësinë e Kosovës. Edhe në fazën e  dytë prej 2011 dhe deri tani nuk ka pasur asnjë progres të prekshëm. Amerika është e vetmja shpresë për ti dhënë fund këtij kapitulli, me mbaru shtetësinë e Kosovës dhe për ta anëtarësuar në NATO dhe OKB. Nëse na ik ky shans dhe kthehet çështja te Europa do të zgjasë për një periudhë të gjatë. Berisha ka pasur një shprehje Albanofobia, edhe unë besoj se kjo ekziston në Europë. E kemi parë çfarë ka bërë me Turqinë që e ka zvarritur për një kohë të gjatë. Edhe në fund me këtë veprim të fundit ligjor kam frikë se do të bëget një barazpeshim mes fajtorëve dhe viktimave, me i dhënë shkas Serbisë me ec përara dhe me e lënë Kosovën pas. Nëse lihet në dorë të europianëve kjo do të ndodhë. Progres në atë vend ka pasur vetëm kur Amerika ka marrë rolin e udhëheqësit.

Për të shmangur çdo të papritur, Vulaj thotë se Kosova duhet të organizohet menjëherë për të kapur këtë shans të fundit.

Nisur edhe nga takimi online me Grenell, Vulaj parashikon njoftimin e një datë të re takimi javën e ardhshme, i cili do të mund të realizohet jo më larg se 6 javë.

Vulaj: Hoti ishte në pozitë shumë të vështirë, ishte një goditje dramatike.Baza e saj është ligjore por qartësisht është një veprim politik dhe një goditje që shkon shumë përtej Thaçit, një goditje që ju drejtua dhe Amerikës dhe pasojat e saj po i vuan Kosova fatkeqësisht. Me Hotin nuk kam folur por e ka ndjerë nevojën me u kthy në vend. Ishte një pasiguri që po e përjetojmë ende, deri diku mirëkuptohet. Por është shumë e rëndësishme tani që pala kosovare të konsolidohet dhe të reagojë shumë shpejt që të shpëtojë këtë proces.Grenell shpreson që javën e ardhshme të arrihet kjo, të ricaktohet takimi i anuluar për 1 muaj, 6 javë më së largu.

Duke zbuluar detaje nga takimi me Grenell, ai tha se Ambasadori kishte pritur deri në fund që pala kosovare do të shkonte në Shtëpinë e Bardhë pavarësisht aktakuzave nga Haga.

Vulaj: Grenell ishte i zhgënjyer me anulimin e takimit, priti që ndoshta pala kosovare mund të vinte pavarësisht asaj që ndodhi. E ka kuptuar që ishte një goditje dramatike për vendin, e ka parë jo rastësi që ka ndodhur tre ditë para takimit që ishte thirrur. Kishte edhe një frikë që Amerika mund të tërheqë vëmendjen nga Kosova, pasi është një përpjekje për të zgjidhur situatën mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shprehte drojën se Presidenti mund të frustrohet dhe mund ti japë detyra diku tjetër. Pasi folëm dje ai kishte takuar Trump dhe ai ja kishte dhënë dritën jeshile që të provojë dhe njëherë që të kthejë bisedat në binarët e duhur. Por i ka thënë që nëse palët nuk janë gati për të ecur përpara drejt një zgjidhje me përfundim njohjen reciproke atëherë ndoshta do ti japë detyra të tjera në administratë.

Dua të thekson se ka pasur shumë spekulime rreth planeve të ndryshme  politike. Më ka pohuar më shumë se njëherë se kurrë nuk ka ekzistuar asnjë plan për një zgjidhje të shpejtë, kurrë nuk është konsideruar ndarja e Kosovës. Ka thënë që plani i tyre është një plan me dy faza. Faza e parë është përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Kanë firmosur marrëveshjen për hekurudhën dhe linjën ajrore, tani do të firmoset një marrëveshje për autostradën që lidh Kosovën me Europën përmes Serbisë, me kriju një klimë të përmirësimit ekonomik dhe punësim. Krijohet një klimë ku mund të bëhet një marrëveshje politike me ndihmën e Europës dhe me një injeksion financiar.

Vulaj tha ndër të tjera se do të dëshironte shumë të shihte një tryezë mbarëkombëtare për sfidat e shqiptarëve në rajon.

Vulaj: Do të doja një tryezë mbarëkombëtare nën patronazhin e Shqipërisë, kreu i shtetit shqiptar të ftojë të ftojë gjithë elementin shqiptar në rajon, me kriju një strategji mbarëshqiptare për rrugëdaljen jo vetëm të kësaj situate por të ballafaqohet me sfidat që kanë shqiptarët në rajon drejt një të ardhme ku mund të bëjnë progres dhe të integrohemi në Europë si europianë që jemi.

Intervista në studion e TV Ora News  me gazetarin Sebastian Zonja, përgatiti për online Besjana Kuçana

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Martin Vulaj

NË KOSOVË PARA 31 VITEVE, DAULLE LUFTE TË SERBISË

June 28, 2020 by dgreca

Gazimestani – Kosovë (foto nga media serbe)…

-Manifestime serbe në ditën e Vidovdanit – në 631 vjetorin e Betejës së Kosovës, që ka ndodhur në vitin  1389, e cila ishte humbur/

-Para 31 viteve, pikërisht në 28 qershor 1989 në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës – Gazimestan kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, u binte daulleve të luftës…/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

Gazetari Behlul Jashari në kohë lufte në Kosovë i ndaluar nga forcat serbe  në Prishtinë – kontrollohet (pamje nga një xhirim televiziv i asaj kohe.

PRISHTINË, 28 Qershor 2020/ Serbë kosovarë dhe të ardhur edhe nga Serbia festojnë Vidovdanin,  të mbledhur sot në Gazimestan, në një fushë rreth pesë kilometra në veri të Prishtinës, duke shënuar kështu 631 vjetorin e Betejës së Kosovës.

Edhe me manifestime tjera, në çdo 28 qershor serbët festojnë Vidovdanin apo Betejën e Kosovës, që ka ndodhur në vitin  1389, e cila ishte humbur.

Para 31 viteve, në 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, pikërisht në 28 qershor 1989 në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës – Gazimestan, u binte daulleve të luftës, e cila pastaj u ndez e përfshiu hapësirat e ish-Jugosllavisë, edhe Kosovën, luftës për Serbinë e madhe, nga më të përgjakshmet në gjithë historinë e Ballkanit, dhe që në fund e humbi e pastaj vet përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

 “Ne ishim të guximshëm e dinjitozë. Tani, gjashtë shekuj më vonë, ne sërish jemi në betejë. Nuk janë këto beteja të armatosura, por ato nuk mund të përjashtohen”, thoshte Milosheviç në fushën e Kosovës në Gazimestan.

E “betejat” e Milosheviçit kundër Kosovës – shqiptarëve ishin të nisura. Po para 31 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat  gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Edhe gjatë viteve të tjera, në ditën e Vidovdanit në Kosovë grupe ekstremiste të serbëve kanë manifestuar edhe provokacione, në forma të ndryshme. Është parë edhe se numri i pjesëmarrëve në manifestime të tilla me provokime është më i paktë nga viti në vit…

Media lokale serbe njofton se këtë vit shkaku i pandemisë numri i të ardhurve në manifestimet e Vidovdanit është më i vogël dhe me masa mbrojtëse….

Filed Under: Politike Tagged With: 31 vite, Behlul Jashari, Daulle Lufte, Sebet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 351
  • 352
  • 353
  • 354
  • 355
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT