• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA DHE SERBIA RIFILLOJNË DIALOGUN NË BRUKSEL

July 12, 2020 by dgreca

SPECIALE E GAZETES”DIELLI”: KOSOVA DHE SERBIA RIFILLOJNË DIALOGUN NË BRUKSEL/

-Dialogu rifilloi sot, në 12 korrik, përmes një videokonference dhe të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian/

Beograd, 12. jula 2020. – Predsednik Republike Srbije Aleksandar Vucic ucestvuje na video-konferenciji Dijalog Beograda i Pristine pod pokroviteljstvom Evropske unije, kojom predsedava visoki predstavnik Evropske unije za spoljne poslove i bezbednosnu politiku Zozep Borel. FOTO TANJUG/ INSTAGRAM “BUDUCNOSTSRBIJEAV”/ an, fotografija niske rezolucije

-Takimi i fundit-i kaluar Prishtinë-Beograd në Bruksel, është zhvilluar në 8 nëntor  2018/

-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel/

-Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 12 Korrik 2020/ Kosova dhe Serbia rifillojnë dialogun në Bruksel, sot përmes njëvideokonference dhe të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimit virtual sotka bërë të ditur se palët janë pajtuar edhe për axhendën e takimit të radhës të enjten e javës së ardhëshme në Bruksel.

 “Ne sapo përfunduam takimin virtual mes presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Hoti. Kam kënaqësinë të them se pas Samitit të Parisit dhe takimit të sotëm dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është kthyer në binarë pas 20 muajsh”, ka thënë Lajçak.

Ai ka shtuar se, “si rezultat i takimi të sotëm jemi pajtuar për elementet kryesore të procesit”.

“Jemi pajtuar poashtu për axhendën e takimit të radhës i cili do të zhvillohet në Bruksel të enjten që vjen me pjesëmarrjen personale. Dua të falënderoj të dyja palët për angazhimin e tyre konstruktiv sot”, ka thënë Lajçak, citon Koha në raportimin e korrespondentit në Bruksel.

Korrespondenti i Gazetës DIELLI në Kosovë në vazhdimësi ka raportuar për procesin e dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, nga raundi në raund, që nga fillimi:

Takimi i fundit-i kaluar Prishtinë-Beograd në Bruksel, është zhvilluar në 8 nëntor  2018, i cili, siç u deklarua atëherë  ishte i treti presidencial i fazës finale në dialogun Kosovë- Serbi, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian – Shefja e  Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

I pari takim presidencial Thaçi-Vuçiç në Bruksel i fazës finale të dialogut  është mbajtur në 24 qershor, ndërsa i dyti në 18 korrik 2018. I treti takim ishte paralajmëruar për të premtën e 7 shtatorit 2018, por  sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, presidenti i Serbisë, Vuçiç nuk ka pranuar të takojë presidentin e Kosovës, Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini  ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vijuar dialogun.

Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur në 17 shkurt 2008.

Takimi i 8 nëntorit  2018 ishte i teti  i presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.  Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i 8 nëntorit  2018 ishte i gjashti, pas të pestit në 18 korrik e të katërtit në 24 qershor, të tretë të fazës finale, të vitit 2018.

Ndërsa takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

 Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Para më shumë se shtatë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. 

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011, poashtu në Bruksel.

DATAT E TË GJITHA TAKIMEVE TË NIVELIT TË LARTË KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL:

30 RAUNDET KRYEMINISTRORE

Thaçi-Daçiç:

Viti 2012:

Raundi 1 – në 19 tetor
Raundi 2 – në 7 nëntor
Raundi 3 – në 4 dhjetor

Viti 2013:

Raundi 4 – në 17 janar
Raundi 5 – në 19-20 shkurt
Raundi 6 – në 4 mars
Raundi 7 – në 20 mars
Raundi 8 – në 2 prill
Raundi 9 – në 17 prill
Raundi 10 – në 19 prill
Raundi 11 – në 21 maj
Raundi 12 – në 20-21 qershor
Raundi 13 – në 8 korrik
Raundi 14 – në 24 korrik
Raundi 15 – në 27 gusht
Raundi 16 – në 8 shtator
Raundi 17 – në 7 tetor
Raundi 18 – në 6 nëntor
Raundi 19 – në 5 dhjetor

Raundi 20 – në 13 dhjetor

Viti 2014:

Raundi 21 – në 27 janar
Raundi 22 – në 12 shkurt
Raundi 23 – në 31 mars

Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – në 9-10 shkurt

Raundi 25 – në 21 prill

Raundi 26 – në 23 qershor

Raundi 27 – në 29 qershor

Raundi 28 –  në 25 gusht

Raundi 29 – në 13 tetor

Viti 2016:

Raundi 30 – në 27 janar

TAKIMET E PRESIDENTËVE

Viti 2017:

Thaçi – Nikoliç -2 takime

-1 shkurt

-24 janar

Thaçi – Vuçiç

-3 korrik

-31 gusht

Viti 2018:

-23 mars

-24 qershor

-18 korrik 

-7 shtator  (vetëm takime të ndara me Mogherinin)

-8 nëntor 

Viti 2020:

Hoti -Vuçiç

12 korrik (takim virtual)

16 korrik (pritet takimi në Bruksel)

KOSOVA, NË DIALOG PËR NNJOHJE NGA SERBIA – TRE PARIME E PESË OBJEKTIVA

Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë.

Këto theksoshen në fjalimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti të mbajtur në10 korrik 2020 në konferencën virtuale të Samitit të Parisit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në10 korrik nga ora 10:30, të organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 korrik takoi edhe presidentin e Serbisë Vuçiç.

 Ishte paralajmëruar që të dielën në 12 korrik në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në rifillimin e dialogut midis dy vendeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, ky takim është shtyrë për të enjten javës së  ardhshme – 16 korrik, ndërsa sot takimi ishte virtual.

“Për ne njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë, normalisht edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve që duhet të jetë derivat i njohjes reciproke”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hoti në një konferencë shtypi këtë javë në Prishtinë.

PRESIDENTI THAÇI TË HËNËN DO TË UDHËTOJË PËR NË HAGË I FTUAR NGA SPECIALJA PËR INTERVISTIM

 Në 8 korrik 2020 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se të hënën e 13 Korrikut 2020 do të udhëtojë për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Duke njoftuar këtë Presidenti Thaçi shkruante:

“Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,

Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.

Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.

Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!

Zoti e bekoftë Kosovën!”.

Presidenti Thaçi ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca  kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në mbrëmjen e 29 Qershorit 2020 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar mundësinë e dorëheqjes derisa nga Zyra e tij mbajti një fjalim – adresim për qytetarë, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar njoftimin se u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës  një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku  përfshihen edhe presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së,  Kadri Veseli.

 “Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, deklaroi mes tjerash Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Filed Under: Politike Tagged With: dialogu ne Bruksel, Hoti, Kosove-Serbi, Lajcek

Auron Tare: Provat për Martin Camajn si agjent i UDB-së, do i marr kur të hapen dosjet e Beogradit-Pjesa 2

July 10, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë/

Një ditë më parë kisha bërë një shkrim modest, si një reagim personal ndaj akuzave në të ashtuquajturin “studim”,  “Dritëhije në histori”, me autor Auron Tare dhe botuar në portalin “Peisazhe të Fjalës”, pronë e një grupi nga New Yorku.  Në atë shkrim dje, unë thashë se nuk kishte asgjë të re sa u përket akuzave të autorit, ku i paraqet Ernest Koliqin dhe Martin Camajn si poliagjentë dhe koloaboracionistë me perëndimorët dhe jo vetëm, për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.  Në reagimin tim dje, nënvizova se megjithëse materiali na u paraqit si i “rrallë” dhe “origjinal” nga botuesi, nuk kishte asgjë të re në dokumentacionin e Tares, pasi këto informacione diheshin dhe nuk janë mohuar kurrë nga asnjëri prej këtyre burrave të Kombit. Po çfarë hulumtimi dhe çfarë provash të “rralla” dhe “origjinale”, na sillte në atë shkrim Tare? Mbrëmë në një intervistë në programin televiziv, “Provokacija” të Mustafa Nano-s, Auron Tarja e pranoi vetë se, në të vërtetë, ai nuk ka dokumente definitive që provojnë se Martin Camaj ishte agjent i UDB-s, por ai arrin në një përfundim të tillë, bazuar në hamendje dhe në mençurinë e tij për këto gjëra.  “Ti nuk ke ndonjë dokument  të qartë ku thuhet se Martin Camaj ishte agjent i UDB-së…”, e pyet Nano.  Tare: “Po, kur të hapet ajo e Beogradit, patjetër… do e kemi”. Në të vërtetë, edhe vetë  intervista në programin “Provokacija” m’u duk sikur ishte skenuar më parë, me qëllim që të hidhej më shumë baltë edhe në ekranet e televizionit shqiptar ndaj këtyre dy shkrimtarëve të dalluar të Kombit, Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.  Tare ç’prej fillimit e rrëmbeu programin dhe “kidnapoi” pyetjet dhe përgjigjet, për të bindur shikuesin, se ai kishte të drejtë për ato që pretendon.  Ata që mund ta kenë parë intervistën duhet të kenë venë re se Tare bënte vetë pyetjet dhe përgjigjej, pastaj pyeste Nanon dhe përgjigjen e jepte vetë Tare.  Por më të bukurat ishin ndërhyrjet e Tares çdo 2-3 minuta me Nano-n, “Jemi dakort?”, duke  u siguruar për miratimin e Mustafa Nanos për ato që thoshte.  Tare as nuk e lejonte Nanon të bënte ndonjë pyetje të arsyeshme, megjithëse Nano u përpoq disa herë që të balanconte pak intervistën  ndaj deklaratave  absurde, por Tare nuk i jepte atij rast, as mundësi të fliste.  Një propagandë  aq e fëlliqët, sa edhe neveritëse, e padenjë për një program të tillë dhe për shikuesit shqiptarë. Është e qartë se me këto pretendime, Auron Tare, ka dalë nga shinat e ushtrimit të fjalës së lirë dhe është futur në fushën e shpifjeve të pakontrolluara  dhe të përhapjes së urrejtjeve midis shqiptarëve, sikur nuk kemi pasur mjaft urrejtje e shpifje  midis nesh për 50-vjet komunizëm  dhe  30-vjet të ashtuquajtur  post-komunizëm, megjithëse kjo intervistë si dhe shkrimi, nuk kanë të sharë po ta krahasosh me periudhën e Enver Hoxhës.  Shpresoj që pasardhësit e familjeve Koliqi dhe Camaj të jenë në dijeni të këtyre shpifjeve dhe denigrimeve që u bëhen të dashurve të tyre të vdekur dhe të marrin masat e nevojshme, duke i treguar Tares dhe portalit  “Peisazhet e Fjalës”, derën e gjykatës. Diçka nuk është në rregull me botën shqiptare sot.  Kohë më parë ishte rasti i dyshimeve për identitetin e familjes së  Gjergj Kastriotit Skënderbeut,  pastaj pikëpyetjet mbi identitetin  e Nënë Terezës, tani shpifjet dhe denigrimi i shkrimtarëve të mëdhej Ernest Koliqi dhe Martin Camaj.  Pas tyre kush e ka radhën?  Fishta?  Konica?  Klerikë të dalluar katolikë, si individë dhe si grup?  A mund të më thotë dikush se pse po ndodhin këto raste dhe kush mund të fshihet pas tyre?  Pse u turren njerëzve më të dalluar të këtij Kombi, me shpifje e mundohen për t’i paraqesin  në dritën më të keqe që është e mundur?  Cila dorë e huaj  ka gisht këtu dhe pse tani në këtë kohë?  Në interes të kujt është që të përhapen shpifje dhe urrejtje midis shqiptarëve dhe pse vetë shqiptarët bëjnë punën e të huajve në këtë mes?  Nuk është e rastit që sot konfliktet politike midis shqiptarëve anë e mbanë trojeve, janë në kulmin e së keqes. Quo Vadis Albania? Pse nuk del dikush t’i thotë mjaft kësaj situate? Ku është qeveria dhe organet shtetërore, ku është Akademia e Shkencave, ku është Ministria e Kulturës, ku janë të mençurit e Kombit? Ku janë shkrimtarët e dalluar dhe historianët e vërtetë të Kombit? Mos vallë ka mbetur historia e Kombit shqiptar  të shkruhet dhe të interpretohet nga aparatçikët dhe nostalgjikët e një sistemi të kaluar, shpifës dhe urrejtës, madje edhe 30-vjet pas shembjes së komunizmit.  Nuk del njeri që të shtrijë dorën e pajtimit, mirëkuptimit e vëllazërimit midis shqiptarëve?  Kush i mbron interesat dhe identitetin kombëtar, por edhe njerëzit e dalluar që gjithë jetën e tyre ia kushtuan, pikërisht, ruajtjes së identitetit, kulturës dhe traditave shqiptare. Ndryshe nga akuzat shpifëse të Auron Tares me shokë ndaj Koliqit dhe Camajt, Kombi shqiptar sot, më shumë se kurrë, ka nevojë për shembullin që kanë dhënë shqiptarë si Maritin Camaj një njeri i letrave, i cili, në veprat e tij “Lëshon nji kushtrim jo luftarak, por paqësuer, plot shpirtbardhsi dhe flakë dashunije vëllaznore”. Martin Camaj i bën thirrje sot Auron Tares, (i cili në të vërtetë nuk e meriton gjithë këtë vëmendje, por pasi ka dalë në ballë të shpifjeve dhe urrejtjeve edhe kundër vetë poetit e meritot këtë vëmendje negative), që “të dalë nga palci i urrejtjes” dhe të mos përhapë shqipfje dhe urrejte midis shqiptarëve:

“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!

Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë

Si bima prej fare në pranverë”.

Është kjo një thirrje që del nga zemra dhe nga shpirti paqësor dhe jo hakmarrës i poetit dhe shkrimtarit Martin Camaj, që duhej të rezononte midis shqiptarëve edhe sot, sidomos në këtë periudhë konfliktesh dhe mosmarrëveshjesh politike, personale dhe partiake, që vazhdojnë të përçajnë dhe të ndajnë shoqërinë shqiptare dhe shqiptarët, në përgjithësi, për të cilën Camaj nuk do të ishte aspak i kënaqur.Është një thirrje kjo, e një shkrimtari e poeti shqiptar, i cili ndonëse, siç dihet, regjimi komunist ia  “kishte mbyllur portën” – ashtu siç shprehet Ismail Kadare për ‘të – Camaj prapë se prapë nuk mbante inat e hidhërim, por bënte thirrje për afrim midis shqiptarëve, madje edhe gjatë një periudhe  urrejtjeje dhe shpifjesh si ajo e komunizmit, kur në Shqipëri, vetëm të përmendje emrin e Martin Camajt ose të shkrimtarëve të tjerë si ai në mërgim, të priste qelia e burgut ose dënime të tjera të rënda. Megjithëkëtë trajtim të keq, ka shkruar Ismail Kadare, Camaj, “Nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi, të shkruante kundër si-vëllezërve të tij në Shqipëri. Ishte e vërtetë, se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë (Martin Camajn) t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë.  Përkundrazi, është shprehur Kadare, Martin Camaj, “Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme”, -ka thënë Ismail Kadare, në vlerësimin e tij për Camajn. “Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha”, -ka shkruar Kadare. Nafakzezët e realizmit socialist dhe nostalgjikët e komunizmit  të Enver Hoxhës, që shpifen sot ndaj Koliqit dhe Camajt, do të bënin mirë që të merrnin shembull nga “Shkrimtari i Lartësive”, siç e ka cilësuar Camajn, Ismail Kadareja, një person,  “që i ka strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi që iu siguronte pavarësinë.  Ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”, -ka thënë Kadare. Katrahura, të cilës i referohet Kadareja, po e ndjekë të shkretin Camaj edhe në atë jetë.Fatkeqësisht, “katrahura shqiptare” , siç pohon edhe  “studimi” i Auron Tares –megjithëse Tare nuk është i vetëm në këtë fushatë aktuale — është ndoshta më e theksuar sot se kurdoherë tjetër ç’prej komunizmit.  Sot më shumë se kurrë, në këtë rrëmujë në të cilën ndodhet sot bota shqiptare, thirrja e këtij poeti për “Afrim të Shqiptarëve”, është tepër aktuale dhe ndoshta më e nevojshme se kurrë më parë, pasi – siç ka shkruar edhe miku i tij Ernest Koliqi—kjo thirrje e Camajt del me të vërtetë nga zemra e një, “Pjestari të një djelmënije të vrugosun në shpirt nga nji stuhi ngjarjesh tepër shqetësuese, të nji djelmënije që u randue me vuajtje të pameritueshme ç’se filloi me marrë mend”,dhe si i tillë, “Njohu mërgimin, fushat e përqendrimit, punën e përdhunëshme…”, e tjera.Me gjithë këto përvoja të këqija personale, Martin Camaj nuk shprehu kurrë urrejtje ndaj shqiptarëve, përfshirë regjimin komunist dhe as ndaj atyre të cilët i kishin mohuar të drejtën të jetonte dhe të punonte në Atdheun e tij të lindjes, për të cilin jetoi dhe punoi gjithë jetën në mërgim, gjithmonë i shtyrë nga dashuria dhe besnikëria ndaj vendit të origjinës të parëve të tij. Megjithë vuajtjet e tija dhe të familjes së tij nga komunizmi, Martin Camaj, prapë se prapë nuk ruante urrejtje as inat ndaj atij sistemi dhe as ndaj njerëzve që e mbështetën atë regjim, për pothuaj gjysmë shekulli. Me shembjen e komunizmit në Shqipëri, ai kishte filluar komunikimin me vendlindjen e tij, përfshirë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Intelektualëve të pavarur shqiptarë , ku edhe u anëtarësua në radhët e kësaj organizate që u krijua në vitin 1991.  Duke komentuar pranimin e tij në atë organizatë, ai është shprehur se vlerësimi që i bëri atij Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë me atë rast, “na afron”.Në një letër dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve të Pavarur Shqiptarë në vitin 1992, Camaj u ishte drejtuar atyre dhe “mbarë popullit shqiptar” vetëm disa ditë para se të ndërronte jetë, me fjalët, “Të dashunve miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”, -ka shënuar Ardian Klosi në një shkrim për të, duke cituar letrën e Martin Camajt, dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve e Intelektualëve të pavarur të Shqipërisë, në vitin 1992. Në këtë frymë vëllazërimi e afrimi me njëri tjetrin, nëpërmjet veprave të tija, Martin Camaj u bën thirrje shqiptarëve, por edhe ty Auron Tare me shokët  tu,  për afrim, për pajtim e bashkim midis nesh, pa marrë parasysh dallimet politike ose origjina nga vijmë, nga malet e nga fushat.  “Thirrja e Martin Camajt, “Afrohuni Shqiptarë”, sipas Koliqit, rrjedh nga “Fisnikërija e lashtë e malësorve, kalorësija e natyrshme që u pajisë atyre shpirtin, pikon papritmas edhe në vepër të këtij pinjolli të tyne, e i cili e di mirë harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la malet tona.”  Si pinjoll i atyre maleve, ka shkruar Koliqi, Martin Camaj e kishte gjithmonë, “Parasyshë mospërfilljen e pavarëshme që shumica e qytetarëve ka dëftue për këta fatosa të lindun, e të cilët si kala e gjallë mbrojtën Kombin nga sulmet e sllavëve”.  Ne malësorët, kudo që jemi, të gjallë e të vdekur, fatkeqsisht, e kemi ndjerë me shekuj harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la Malësinë tonë dhe banorët e  saj, por ama, mbi të gjitha, si individë ose si grup, të pësojmë sot në Shqipërinë e vetquajtur demokratike,  shpifje dhe urrejtje nga bashkvëllëzërit tanë, të një gjuhe e të një gjaku, kjo është pafalshme dhe anti-kombëtare. Megjithëkëtë, si një bashkkombas me origjinë nga ato male të Shqipërisë nga e ka origjinën edhe Martin Camaj, bashkohem me të në fisnikërinë e lashtë të malësorëve, duke bërë thrirje, para se të jetë tepër vonë: “AVITU NJERI! AFROHUNI SHQIPTARË”! Ka ardhur koha të dilni nga palci i urrejtjes!”

Filed Under: Politike Tagged With: Auron Tare, Camaj & Koliqi, Frank shkreli, UDB

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi në kohë të pandemisë dhe politikës kleronacionaliste

July 9, 2020 by dgreca

Qytetarët e Malit të Zi, do të votojnë në zgjedhjet parlamentare me 30 gusht, në një kohë të krizës së dyfishtë si asnjëherë deri më tash,e para  nga pandemija e corona virusit dhe e dyta nga agresiviteti i KOS-it përmes politikës kleronacionaliste, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me veprimtari politike më aktive se partitë opozitare serbe, që paraqet rast të panjohur deri më tash  në skenën politike në Mal të Zi, me pasoja në raportët shoqërore  në këtë mjedis multinacioanal e multikulturor, përmes retorikës dhe ikonografisë serbomadhe si para tri dekadave duke krijuar një atmosferë të tensionuar shoqërore. 

Shkruan: Nail  Draga

Ndonëse afati përfundimtar për mbajtjën e zgjedhjeve është data 18 tetor, në sajë të situates epidimiologjike, është vendosur që të mbahën më herët, pikërisht me datën 30 gusht të këtij viti.  Madje në këtë date do të mbahën votimet e rregullta edhe në disa komuna(Budva, Kotorri, Andrijevica, Gucia).

Në lidhje me këtë çështje bëhët me dije se  gjatë muajit korrik pritet sinjali i gjelbërt nga Komisioni i Venecias për ligjin zgjedhor të cilin deputetet e kanë  vendosur në procedure parlamentare.Një pritje e tillë duket se do të jetë formale, sepse për ligjin zgjedhor shumica parlamenmtare në Kuvendin e Malit të Zi, e ka ezauruar këtë çështje në fund të muajit dhjetor, pa praninë e opozitës.

Pa ndryshime në Ligjin zgjedhor

Është çështje tjetër se a do të marrë pjesë opozita në parlament dhe të votojë për ndryshimin e këtij ligji, sepse duhet 2/3 e votave të deputetëve. Si duket një çështje e tillë është e diskutueshme, sepse para vitit të ri kur është diskutuar për ndryshimet e këtij ligji opozita e ka bojkotuar, andaj do të ishte mrekulli që ata kësaj here të marrin pjesë dhe ta përkrahin një ligj të tillë. Këtij konstatimi i shkon edhe gjendja aktuale politike, me rastin e rrotacionit të pushtetit lokal në Budva, si dhe shetitjet e pjesëtarëve të qytetarëve  ortodoksnë mbeshtetje të KOS-it kundër ligjit të bashkësive fetare.

Andaj, janë të gjitha gjasat që në zgjedhje të shkohet me ligjin e vjetër zgjedhor, që nuk është në favor të demokracisë parlamentare në Mal të Zi, sepse shumë çështje kanë mbetur identike si më parë  pa marrë parasysh kërkesat reale dhe të arsyeshme të opozitës, sidomos kur kemi të bëjmë me listat e hapura, regjistrin zgjedhor dhe çështje të tjera të kësaj procedure.

Dilemat parazgjedhore

Në lidhje me pjesëmarrjen e subjektëve politike në zgjedhjet parlamentare  deri më tash nuk ka të dhëna zyrtare, por  në ditët në vijim nuk do të mugojnë lëvizjet në këtë drejtim.Deri më tash opinion është imformuar së Socialdemokratët e Malit të Zi(SD) do të dalin të vetëm në zgjedhje. Ndërsa partia më e madhe në Mal të Zi, DPS, siç duket do të dale e vetme në zgjedhje. Duhet cekur me këtë rast se nga viti 2012 DPS, nuk ka dalë në zgjedhje në koalicion,  edhe pse  në  sajë të vlerlsimit të situates, mund të ndryshojnë qendrim.

Deri më tash nga Partia Boshnjake  më parë janë deklaruar se do të dalin  vetem  në zgjedhje, nga del se në sajë të pjesëmarrjës në pushtetin qendror, kanë përfituar pozita duke punësuar kuadrat e tyre, andaj vlerësojnë se janë komod në këtë aspekt, sepse  puna e tyre pritet të vlerësohet e mbeshtetet nga elektorati i tyre votues, duke qenë  përfaqësuesi autentik i vetëm në mbrojtje të identitetit të popullit  boshnjak në Mal të Zi .

Opozita në disa kolona

Ndërsa në lidhje me pjesëmarrjën e opozitës në zgjedhje parlamentare  nuk ekziston një qendrim unik, sepse ajo është heterogjene dhe me koncepte të ndryshme programore e ideologjike.Ndonëse me herët ka pasur zëra se ka  mundësi që opozita të bojkotoj zgjedhjet parlamentare, por, duke njohur situatën e përgjithsme në skenën opozitare në Mal të Zi, gjasat për bojkot janë minimale, sepse kemi të bëjmë me opozitë heterogjene dhe animozitete brenda tyre.

Për momentin duket se opozita do të paraqitet në disa kolona, ku dominon opozita serbe e cila prezantohet përmes Fontit Demokratik(DF), ku mund ti bashkangjitën edhe subjekte të tilla me të vogla të cilat ekzistojnë në skenën politike në Mal të Zi.

Në rend të dytë janë Demokratët e Malit të Zi(DCG), të cilët  në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, ishin befasia e zgjedhjeve, por në sajë të qendrimit të tyre parimor, refuzuan të marrin pjesë në parlamentin e Malit të Zi.. Ndërsa se si do të jetë qendrimi I tyre, për pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare  si subject I vetëm apo në koalicion do të dihet në ditët në vijim. Situata aktuale nuk është në favor të tyre, sepse elektorati I tyre votues, është në vakum sepse bojkotimi I parlamentit dhe rrethanat aktuale politike nuk janë në favor të këtij subjekti politik, ku rrotacioni në pushtetin lokal në Budva, e tensionoj  situatën në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Dhe së fundi kemi të bëjmë me dy subjekte tjera opozitare Partia Social Demokrate(PSD) dhe URA, të cila janë promalazeze, por kritike ndaj pushtetit aktual i cili  ka marrë permasat e autoritarizmit, duke qenë I dëmshëm për qytetarët  dhe parimeve  demokratike. Në sajë të informative që janë publikuar PSD do të dale e vetme në zgjedhje. Do të jetë një sfidë e tyre, sepse pas ndarjës së brendshme të këtij subjekti politik në SD,  është një veprim I guximshëm i tyre për të arritur cenzusin e nevojshmëm për të pasur statusin e parties parlamentare.

Në pozitë jo të volitshme  gjindet URA e cila si duket do të mbesë e vetme, sepse nuk ka ndonjë subjekt tjetër që mund të jetë me program analog, sepse kemi të bëjmë me elektorat me numër të kufizuar, andaj  në sajë të  situates aktuale do ta kenë të vështirë me kaluar cenzusin për  të qenë  pjesë në parlamentin shtetëror.  Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me zgjedhje në një situate të tensionuar, si ekonomike dhe politike, opozita do të jetë në pozitë të vështirë sepse pushteti ka përvojë dhe mekanizëm pëpr të përfituar elektoratin votues, që është dëshmuar edhe në zgjedhjet e kaluara.

KOS-i në mes  teologjisë dhe politikës

Zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen me 30 gusht, janë të 11-tat nga miratimi i pluralizmit dhe të 5-tat nga pavarësia e vitit 2006, do të mbahën në një situatë konfuze shoqërore, nga  dy aspekte; e para, shëndetësore nga përmasat e koronavirusit dhe e dyta politike, në sajë të veprimit publik të KOS-it. Nëse epidemia e koronavirusit ka përmasa globale,  veprimi kishtar ortodoks serb,  ka karakter ekskluziv politik, që është kundër pushtetit aktual në Mal të Zi. Madje në këtë aspekt Mali i Zi është rast i veçantë në Europën Juglindore, sepse këtu KOS-i vepron në dimensionin politik, si të ishte pjesë e skenës politike, si  në asnjë vend tjetër në regjion, duke harruar misionin e tyre teologjik.

Andaj, duke marrë parasysh veprimin e saj që më tepër është politik se sa teologjik, do të ishte e udhës të regjistrohej si parti politike dhe të marrë pjesë në zgjedhje. Një veprim i tillë nuk ka dilemë se do të sfidonte opozitën aktuale serbe, e cila deri më tash vazhdimisht ka dështuar në zgjedhje. Ndërsa në këtë aspekt nuk përjashtohet mundësia  që KOS-i të  mbeshtesë ndonjë grupim qytetar, që do të ishte risi në skenën politike në Mal të Zi.  

Shqiptarët  në dy lista zgjedhore(!?)

Ndonëse më herët kishte paralajmërime se shqiptarët do të përpiqen kësaj here të jenë në një listë zgjedhore, të premtën më 3 koorik 2020, një dilemë e tillë u eliminua, sepse mediat informuan së është formua lista zgjedhore e përbashkët në mes Partisë Demokratike dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve. Ky koalicion paraqet bashkimin e tyre në koalicion parazgjedhor, pas ndarjës në vitin 2011. Bëhët me dije se iu ofrojnë mundësi të gjithë subjektëve të interesuara  që ti bashkangjitën këtij koalicioni.

Pas publikimit të kësaj liste zgjedhore duhet të presim formimin e listës së dytë zgjedhore, ku duhet të bëjnë pjesë Forumi Shqiptar, Forca dhe ndonjë subjekt tjetër. Në këtë aspekt janë duke u zhvilluar biseda, dhe për marrëveshjen parazgjedhore  duhet pritur edhe disa ditë. Nëse çdo gjë do të shkojë sipas situates aktuale,shqiptarët do të kenë dy lista zgjedhore, por nuk përjashtohet të kemi edhe ndonjë listë të tretë, sepse nga përvoja e zgjedhjeve të mëhershme, duhet të jemi të rezervuar dhe të presim deri në ditën e fundit, kur bëhët dorëzimi I tyre në KQZ, me datën 4 gusht.

Mungoj dëshira për listë të përbashkët

Ndonëse unifikimi i votes në një listë zgjedhore garanton sukses ku rast tipik kemi  bashkimin e  subjekteve politike në Malësi, kur u bashkuan me rastin e votimit për komunën e Tuzit(mars 2019), ishte mesazh i qartë për subjektët politike shqiptare në skenën politike në Mal të Zi.

Por, siç duket në rend të parë ishin ambiciet lideriste dhe interesat personale, andaj u vepru me nxitim për të formu një listë zgjedhore e cila do të pasojë nga e dyta. Me një veprim të tillë shqiptarët humbën mundësinë praktike që sipas ligjit zgjedhor  të sigurojnë tre mandate të deputetëve, me kusht që të jenë të bashkuar në një list zgjedhore.

Zgjidhet përfaqësuesi autentik I shqiptarëve

Andaj me formimin e  dy apo me shumë listave zgjedhore, mundësitë janë të pakta, madje ka gjasa të fitohet një mandat deputeti. Rasti i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, kur në zgjedhje u paraqiten tri lista të shqiptarëve, u fitu vetëm një deputet, duhet të jetë mesazh për të gjithë përfaqësuesit e subjektëve politike të shqiptarëve në këtë mjedis.Sepse kemi të bëjmë me  zgjedhjen e përfaqësuesit autentik të shqiptarëve në Mal të Zi, e drejtë e cila iu është rezervuar vetëm subjektëve politike të shqiptarëve, e jo  atyre të ashtuquajtura si qytetare.

(Korrik  2020)

Filed Under: Politike Tagged With: Nail Draga, Pandemi

FLETËRRUFEJA KUNDËR ERNEST KOLIQIT DHE MARTIN CAMAJT

July 8, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Miqtë e mij mos u shqetësoni shumë me shkrimin e ditëve të fundit të Auron Tares për Ernest Koliqin dhe Martin Camajn. Pikëspari, aty nuk ka asgjë të re që nuk e kemi ditur më parë mbi veprimtarinë e këtyre dy shkrimtarëve të njohur shqiptarë në mërgim por edhe të tjerëve më pak të rëndësishëm, të akuzuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës si tradhtarë dhe kolaboracionistë — gjatë Luftës së dytë Botërore dhe menjëherë pas Luftës II si dhe gjatë luftës së ftoftë 1945-90. As rruga drejtë zyrave ku Tare thotë se i ka “zbuluar” dokumentet, nuk është aq e pa njohur për të tjerë individë të interesuar për atë periudhë, ashtu siç nuk janë të panjohur edhe dokumentet nga të cilat ai pretendon se ka nxjerrë informacionin. Gjithashtu, në këtë shkrim nuk ka asgjë të re mbi veprimtarinë e tyre në periudhën për të cilën bëhet fjalë e që vet Koliqi dhe Camaj nuk e kanë bërë të njohur kur ata ishin gjallë — të dhëna këto disa prej të cilave janë edhe pjesë e biografisë së tyre.

Unë kam qenë me fat se kam njohur dhe jam takuar dhe biseduar me Ernest Koliqin disa herë gjatë qëndrimit tim si refugjat politik në Romë në vitet 1969-1970 dhe me Martin Camajn kam qenë në komunikim. Asnjëri as tjetri, kurrë nuk kanë mohuar asgjë nga veprimtaria e tyre publike ose zyrtare, përfshirë bashkpunimin me agjencitë perçendimore për të rrëxuar regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Kështuqë, shkrimi “Dritëhije në histori” megjithë pretendimet e autorit Tare dhe të botuesit, “studimi” në fjalë, nuk është as i rrallë as origjinal. Janë shkruar libra dhe artikuj sa të duash në lidhje me këto ngjarje dhe me atë periudhë si dhe mbi rolin e diasporës shqiptare, në përgjithësi, në përpjekjet e saj për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ata që nuk kanë hequr gjë nga ai regjim –siç mund të jetë Auron Tare dhe ndonjë tjetër përkrahës i ideve të tija — mendojeni veten duke jetuar në Itali, në Evropë ose në Amerikë në periudhën për të cilën bëhet fjalë, duke ditur se si pasojë e arratisjes tënde për të shpëtuar jetën nga vdekja e sigurt në dorë të regjimi komunist, Enver Hoxha kishte burgosur, dënuar madje edhe me vdekje ose dërguar në kampe përqendrimi të afëtmit tuaj, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim. Nuk do punonit ju me perendimorët për të rrëxuar atë regjim, duke i ditur krimet e tija kundër popullit të vet dhe familjeve tuaja – për të bashkpunuar,pikërisht, me këta perëndimorë të cilët sot i konsiderojmë si aleatët më të ngushtë të Kombit shqiptar?

Këto punë duhen shikuar pak edhe në kontekstin historik të kohës. E vërteta është se ajo ishte një periudhë e luftës së ftohtë kur agjencitë perëndimore ishin të angazhuara, jo vetëm me diasporën shqiptare por me të gjitha diasporat, sidomos në Shtetet e Bashkuara, nga vendet komuniste lindore, në përpjekje për të rrëzuar regjimet komuniste në Evropën Lindore, të instaluara dhe të kontrolluara nga komunizmi ndërkombëtar. Duke lexuar shkrimin në fjalë, m’u kujtuan programet e Radio Tiranës, në atë kohë, kur fliste për “tradhëtinë” dhe për “kolaboracionizmin” e tradhëtarëve të kombit: Koliqit, Fishtës, klerit katolik e shumë intelektualëve të tjerë shqiptarë të larguar nga Atdheu, për të cilët Auron Tare “zbulon” të “fshehtat” në shkrimin e tij të ditëve të fundit. Ky artikull i gjatë – i cili pasi është prej disa faqesh, nuk mund të konsiderohet ndoshta si fletërrufe tradicionale e kohës së komunizmit – por për nga mesazhi definitisht është si dikur, në frymën e “një goditje të shfaqjeve të huaja”, kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt – por, fatkeqësisht, ndodhë jo në kulmin e luftës së ftohtë, por në kohën e sotëme nën rrethana krejt ndryshe nga koha e komunizmit – në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, e kësaj organizate “imperialiste” ushtarake e botës perëndimore që strehoi kundërshtarët e komunizmit, si Koliqat edhe Camajt e botës shqiptare, për t’i shpëtuar nga komunizmi, ndërkohë që pretendohet se Shqipëria është një demokraci me synime për antarësim në Bashkimin Evropian. Intelektualët shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, si Aron Tare me shokë, ose janë të konfuzuar moralisht dhe intelektualisht, ose janë të djallëzuar në pikëpamjet e tyre.

Botimi i shkrimeve të tilla – siç duket në vijim –pasi botuesi premton pjesën e dytë së shpejti, duket gati si një masë deshpëruese për të justifikuar të kaluarën enveriste dhe krimet e saja duke krahasuar xhelatin me viktimën, regjimin enverist vrarës e kriminal, me kundërshtarët politikë të atij regjimi që bredhnin rrugëve të botës, pa shpresë dhe pa përspektivë. Më thoni zotërinjë të ndershëm, nëqoftse ju ka mbetur sadopak ndershmëri intelektuale, kush kishte të drejtë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar: Enver Hoxha me regjimin dhe mbështetësit e tij apo intelektualët me prirje dhe edukatë perëndimore, siç ishin kundërshtarët e atij regjimi, Profesorët Ernest Koliqi dhe Marin Camaj?

Mua nuk më shqetëson aspak “studimi” i Auron Tares, sepse ky shkrim fletërrufe nuk mund të dëmtojë hiç asnjërin prej këtyre personaliteteve të letrave shqipe. Po të mund të bëhej një gjë e tillë do e kishte bërë Enver Hoxha për 50-vjet, por as ai nuk ia doli dhe nuk do ia dalin as Auron Tare me shokë. Veprat e Koliqit, Camajt e Fishtës janë të përjetëshme, madje sa më shumë baltë të mundoheni të hidhni kundër tyre aq më e fortë bëhet mbështetja për ta dhe për veprat e tyre.

Por gjëja që duhet të shqetësojë çdo shqiptarë anë e mbanë trojeve tona dhe në diasporë është ajo që vihet re si një përpjekje e hapur aktuale në Shqipëri — madje edhe në qarqet intelektuale, akademike dhe mediatike për të krahasuar xhelatin me viktimën – me qëllim për të justifikuar krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj kundërshtarëve të tij, me pretendimin se të gjithë kundërshtarët e atij regjimi ishin tradhëtarë, siç ishin anti-komunistët Koliqi e Camaj – kolaboracionistë me pushtuesit dhe si të tillë meritojnë që të fshihen nga historia dhe të denigrohen, ose të pakën kontributi i tyre të minimizohet.
Ernest Koliqin, ashtu siç e njoha megjithse për një kohë të shkurtër, nuk do të shqtesëohej për hiç për shkrimin e Tares. Përkundrazi do kënaqej prej gazit duke qeshur me zë, i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashkatdhetarët e vet. Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit me 3 dhjetor, 1960, për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, I shpreh këto ndjenja:“Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes, ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.
Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, 60-vjetë më parë, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan, jo vetëm në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare pas Luftës II Botërore — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. Në bashkpunim me aleatët më të mirë të Kombit shqiptar, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëllimi i Koliqit dhe Camajt ishte, “me hy në valle me popuj të tjerë jo si evropianë të mbrapambetur e të denjë për muze, por si nji Komb që ndien thellësisht nevojën e naltësimit moral e shoqnuer dhe që ka në mendje e në zemër të vet mundësitë me u ngjitë në shkallë e me u vu në radhë qytetënore baras me shokë”, pa kërkuar asgjë për veten. Ndryshe nga auron taret e botës shqiptare, ky është Ernest Koliqi që dua të kujtoj unë sot dhe gjithmonë, por edhe Martin Camajn, bashkpuntorin e tij të ngusht në zhvillimin shpirtëror të popullit shqiptar, gjatë atyre ditëve dhe viteve të gjata në mergim.

Filed Under: Politike Tagged With: Fleterrufeja, Frank shkreli, Koliqi &Camaj

Grenell: Kosova e Serbia e meritojnë vëmendjen e BE-së

July 8, 2020 by dgreca

Nga Valona Tela*/

Valona TELA/

I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, shprehu mbështetjen e plotë për udhëheqjen e liderëve evropianë në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Jemi të lumtur që evropianët do të mblidhen në një takim më 10 korrik për diskutime të mëtejshme me Kosovën dhe Serbinë. Ne ofrojmë mbështetjen tonë totale dhe jemi mirënjohës për udhëheqjen e tyre”, shkroi Grenell në Twitter.

Më 10 korrik, përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë do të takohen virtualisht në një samit të organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Shpresojmë se çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave do të përfundojë në këtë takim. Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë për të vënë theksin mbi normalizimin ekonomik midis palëve, sepse besojmë se ai është hapi i parë thelbësor në këtë mosmarrëveshje të gjatë politike”, tha Grenell.

Në një seri postimesh në Twitter, ai shfaqi shpresën se evropianët do ta bëjnë prioritet të lartë zbatimin e marrëveshjeve për transport ajror, hekurudhor dhe rrugor midis Kosovës dhe Serbisë. Delegacionet nga Kosova dhe Serbia, këto marrëveshje apo letra të qëllimit i kanë nënshkruar në fillim të këtij viti në Gjermani, me ndërmjetësimin e Grenellit.

“Ne shpresojmë se këto marrëveshje janë thelbësore për krijimin e vendeve të punës dhe shpresë për të rinjtë. Ne asnjëherë nuk kemi besuar në një zgjidhje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë, në një vit zgjedhor. Dhe, kurrë nuk kemi menduar se përqendrimi ynë i vetëm në normalizimin ekonomik do të ishte një zgjidhje e shpejtë”, tha Grenell. Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen në nëntor të këtij viti.

Grenell po ashtu tha se çështjet e vështira dhe afatgjate politike “do të jenë më të lehta për t’u përballur, pasi të kenë përparuar së pari çështjet ekonomike”.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të provojë ide të reja dhe kreative, nëse duam të përparojmë ndonjëherë. Dhe, populli i Kosovës dhe Serbisë e meritojnë vëmendjen e plotë dhe të vazhdueshme të Evropës”, tha Grenell. Atëbotë, dialogu është ndërprerë për shkak të një takse që u ka vënë Kosova prodhimeve të Serbisë. Autoritetet në Kosovë tani i kanë hequr barrierat tregtare me shtetin serb.

Më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nikoqir i këtij takimi do të jetë shefi për politikë të jashtme i Bashkimit Evrpian, Josep Borrell.

Takimi do të jetë i pari midis Kosovës dhe Serbisë në kuadër të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, qysh në fund të vitit 2018. Një takim midis Kosovës dhe Serbisë, i planifikuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, nuk është mbajtur, pasi pak ditë para tij Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Pas paraqitjes së aktakuzës, Thaçi ka anuluar pjesëmarrjen në takimin në Shtëpinë e Bardhë, e pas tij edhe Hoti.

Grenell, i cili ka qenë organizator i atij takimi, ka paralajmëruar më herët se do të riorganizojë një tjetër së shpejti.* Kortezi:Radio Evropa e Lire

Filed Under: Politike Tagged With: Grenell, Kosova & Serbia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 350
  • 351
  • 352
  • 353
  • 354
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT