NGA ILIR LEVONJA/
Zakonisht konferencat për shtyp midis kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës, kanë qenë një retorike boshe me tendenca patriotike. Pala e shqiptarëve të Kosovës vinin gjithmonë me mallin e dheut amë dhe i shikonin shtetarët e tij me një konsideratë po patriotike. Pala e dheut amë me një lloj vetëmbushje sikur kishin arritur gjithçka megjithëse rekordet i kanë totalisht negative. Kësisoj nënshkruanin bosh ca marrëveshje, madje me kabinete qeveritare duke i mëshuar propagandës pa e kuptuar asnjëherë se plaga kombëtare nuk mbushet me llafe, pompozitetin e ngjyrës së kuqe dhe me portrete baballarësh që ua kanë bërë në kokë me kohë. Ndofta ishte i vetmi rast ky i kryeministrit Hoti, i cili foli për herë të parë jashtë kësaj logjike për tri projekte tepër domethënëse. 1) Doganë për shtetin e Kosovës në Durrës, 2) një hidrocentral që të ndihmojë shqiptarët atje me energji elektrike, 3) për një linjë hekurudhore mes Tiranës dhe Prishtinës. Megjithëse është kryeministri i një qeverie më te ulët në përqindje, nga votat e shqiptarëve të Kosovës, për më tepër i vëzhguar nga një hije me bastun etj., më fatlodhuri nga pandemia ai doli nga kjo faqe propagande protokollare që kanë bërë deri më sot shtetarët. Diçka i ndrojtur ai vuri theksin në tri pika të forta që pa asnjë diskutim janë hapat e duhur të unifikimit të shqiptarëve. Ai i përmendi me droje pasi kreu i shtetit amë ishte më shumë i frustuar në një akuzë prokurori a në Gjykatën Speciale karshi Presidentit Hashim Thaçi. Një lloj bjerrje pështymash si me Makronin dhe Francën në kohën kur ajo vuri veton për mos çeljen e negociatave me Shqipërinë. Sado të përpiqet Rama të luaj me ndjenjën kombëtare duke i bërë presion Gjykatës Speciale, ai nuk ka për të fituar asgjë politikisht. Përpos kësaj as shqiptarët tashmë robër të dy shteteve të cilët jo që nuk po unifikohen por as shenjat a piketat nuk kanë vendosur. Dhe kjo jo për faj të tyre, por të lidershipit pjellë e propagandës që veç karrikes së vet nuk ka asnjë hall tjetër. Çirret apo nuk çirret Rama, shkon apo nuk shkon në Prishtinë, Thaçi do paraqitet në Gjykatë. Madje do bënte mirë që të jepte dorëheqjen, siç kanë bërë edhe funksionarë të tjerë të shtetit të Kosovës. Por jemi tek kryeministri në detyrë Hoti, tre projektet e tija që ua kërkon qeverisë së shqiptarëve në dheun amë. A duhet Shqipëria t’i japi një zonë të lirë doganore. Përgjigja është pse nuk ia ka dhënë? A duhet të ndërtohet një hidrocentral për shqipëtarët e Kosovës? Përgjigja është pse nuk është ndërtuar? A duhej sot një tren ekspres bilës të lidhte Tiranën me Prishtinën? Përgjigja është pse nuk është ndërtuar? Dhe ajo që është më naivja, në gjithë këto ditë më shumë janë marrë me nervin karshi institucioneve të Europës se sa me 3 kërkesat e drojtura të Abdullah Hotit. Madje edhe sot e kësaj dite palët janë në një retorike të ashpër se sa në projektet konkrete të Abdullah Hotit. Ai që thotë se edhe fondet i ka dhe se në vjeshtë mund të filloj puna. Por jo, si gjithmonë fiton naltgjatësia me veshjet demode, me llogjet. Imagjinojeni një tren ekspres Tiranë – Prishtinë? Kuptojeni se projektet e Europës për lëvizjen e lirë të shqiptarëve a për çeljen e negociatave, lufta e ashpër karshi tavarishëve stanjacionistë, janë monella fallco. Jeta jonë reale aty fillon tek ato sirena lokomotive, për në Tiranë, për në Prishtinë, Durrës etj. Se vendi nuk unifikohet me fjalë, por me projekte konkretë, me ekonomi dhe lëvizje të lirë brenda për brenda vedit.
5 korrik 2020
SHQIPTARËT NË SLLOVENI DHE BETEJA E SHTETIT SLLOVEN NDAJ COVID-19

Dr.med. Rushit Salihi, specialist pediatër në spitalin “Splosna Bolnisnica Celje” Slloveni, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, betejën që po zhvillon Sllovenia ndaj Covid-19, shqiptarët në Slloveni dhe mbi të gjitha këshilla drastike si të ruhemi prej virusit vdekjeprurës. Me Dr. Rushitin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SLLOVENIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Situata në Slloveni është stabile në betejën ndaj pandemisë globale. Tani jemi në të ashtuquajturën kohë vallëzimi me virusin. Pas normalizimit të gjëndjes epidemiologjike që zgjati gati një muaj, kemi përsëri paraqitje të rasteve të reja që janë të impoirtuara nga vendet e ballkanit ( Bosnje Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Maqedoni e Veriut, shumë pak nga Shqipëria, e Kroacia), të sjella nga punonjës sezonal, apo edhe shtetas të Sllovenisë me origjinë nga këto vende. Me masat dhe hapat që kemi marrë që nga fillimi i pandemisë, e kemi pasur gjëndjen nën kontroll të plotë, e them këtë se me sistemin shëndetësor që kemi në Slloveni, dhe organizimin që kemi ia kemi arritur shumë shpejt ta kemi nën kontroll situatën e krijuar prej Covid-19. Sllovenia është ndër vendet e para në botë me më shumë testime në një milion banorë, dhe vazhdojmë me këtë ritëm testimi në popullatë. Jemi të organizuar në atë mënyrë që të kemi disa pika hyrëse të ashtuquajtura pika Covidiane, përndryshe triazhimi fillon që me telefonatën e parë, vijon në pikat hyrëse, e më pas te pacientët e prekur me virus të cilët dërgohen në spitalet e emërtuar spitalet Covid. I pari spital që u emërtua i tillë ka qenë: Klinika universitare e Infektologjise, e më pas Klinikat dhe spitalet tjera të specializuara… Me këtë organizim kras kursimit në mjete mbrojtëse kemi zvogluar dhe mundësinë e të ashtquajturit ekspozim i gjithë sistemit shëndetësor. Përndryshe futemi ndër shtete që këshillojmë shumë testime në masë krahas masave të rrepta në parandalimin dhe menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia globale.


SHQIPTARËT NË SLLOVENI
Situata e shqiptareve në Slloveni është stabile, por duke parë origjinën, mentalitetin, dhe traditat tona hasen në vështirësi, por mundohen dhe së bashku t’ia dalim me sukses. Pengesë e madhe paraqet mosnjohja e gjuhës, që paraqet pengesë shumë e madhe në komunikim dhe në trajtimet e mëtejshme që kërkohen. Nisur nga situata e krijuar nga komuniteti shqiptar të prekur nuk ka shumë, për viktima nuk kam informacion të saktë. Por nga kontaktet që kemi pasur si komunitet dhe informacionet e brëndshme, lavdi Zotit skemi pasur fatalitete. Përsa i përket vaksinës nuk është aspak ndryshe me vaksinat e tjera që kërkon kohë dhe dhe kosto të madhe deri sa testimet të kalojnë mirë, dhe më pas të marrë dritën jeshille për t’u përdorur në masë si vaksinë e mirë, dhe e sigurtë, nuk duhet harruar vështirësitë që hasin ekspertët sepse kemi të bëjmë me virus të ri që ka shumë mutacione dhe akoma s’dihet aq mirë se si do reagojë e do të zhvillohet në të ardhmen.
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELIT DHE DIASPORËN NË USA

Mesazhi im dhe njëkohësisht i gjithë kolegëve të Federatës së mjekëve shqiptarë në EU dhe në vendet e tjera të botës, me seli në Gjermani është: distancimi social, mbajtja e maskave në vendet e duhura, larja sa më shpesh e duarve, dezinfektimi i duarve, mos grumbullimi në masë, vetëizolimi sipas gjëndje dhe në fund respektimi i masave të vëna nga shteti, e respektim i çdo këshille të dhënë nga mjekët dhe ekspertët sëndetësor. Para ca ditësh patëm një konferencë online për shkak të pamundësisë që të takohemi fizikisht, tematika : Problematika aktuale e pandemisë së COVID-19 të shkaktuar nga SARS CoV 2, në trojet shqiptare, gjendja shumë e rëndë, dhe menyrat se si të përballohet kjo situatë dhe ku shohim kontributin apo ndihmesën tonë në përballimin e pandmeisë globale në vendet ku jetojmë e punojmë por mbi të gjitha në trojat tona të mëmëdheut. Në fund dolëm me deklaratën e përbashkët dhe shumë spote audiovizive për ti dalë në ndihmë popullit shqiptarë në trevat shqipetare, që ua drejtuam mediave audiovizive në trevat tona shqiptare. Tani jemi në hartim e sipr të një shqetesimi kërkese për të marrë masa të duhura për të dalë nga kjo situatë të pavolitshme epidemiologjike që ndodhen shetet tona amë ( Shqipëri, Kosovë, dhe Maqedoni e Veriut, si dhe trevat tjera me popullatë shqiptare), edhe me ndihmën e Bashkimit Evropijan. Si dhe koordinimi dhe bashkëpunimi në të ardhmen i të gjithë mjekëve shqiptar që të kujdesi s amë shumë për qytetarët e vendeve tona në hapsirën shqipfolëse. Këshilla ime thelbësore është: “Mbroj veten që të mbrosh dhe të tjerët”.
KUSH ËSHTË DOKTOR RUSHIT SALIHI
Dr. Rushit Salihi ka lindur në shatin Gjurgjevishtë të Malesisë së Gostivarit, në Maqedoninë e Veriut, të shperngulur në nji fshat fushor afër Tetovës, ku ka kryer shkollen fillore, si nxënësi më i mirë i shkollës. Më me pas vazhdoi dhe me sukses shembullor mbaroi gjimnazin në Tetovë, ku ishte maturant në vitin 1990/91. Me shkatërimin e ish-Jugosllavisë, dhe hapjen e përgjakur të Shqipërisë, u hap mundesia që të vazhdonte sudimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës nga viti 1992/3 deri në vitin akademik 1997/8 ku me sukses u diplomua, dhe mori titullin Doktor i mjekesisë. Tre javë më pas u shpërngul në Slloveni ku dorëzoi kërkesën për nostrifikimin e diplomës, në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Ljubjanës, Nostrifikikin e mbrojti me sukses në dhjetor të vitit 1998. Vijoi më pas me stazhin 6 mujor në Klinikën Universitare të Ljubjanës ( UKC Ljubljan), në fund dha provimin profesional, më tej vazhdoi sekundarijatin në Klinikën Universitare të Sëmundjeve të mushkërive dhe tuberkulozit (UNIVERZITETNA KLINIKA ZA PLJUČNE BOLEZNI IN ALERGIJO GOLNIK). Në viti 2003 fitoi të drejtën e specializimit në fushën e pediatrisë, e në vitin 2008 e mbaroi specializimin, dhe më pas në vitin 2010 mbrojti me sukses provimin ku mori titullin specialist pediatër në mbikëqyrje te Shoqates së Mjekëve në Slloveni ( Zdravniška Zbornica Slovenije), Klinikën e Pediatrisë në UKC të Ljubjanës. Nga viti 2010 ushtron detyrën si specialist pediatër, e tani disa vjet në vazhdim si specialist pediatrije me përvojë ( višji specialist pediater). Në mënyrë konstante subspecializohet në fusha të ndryshme të pediatrisë, dhe për sëmundje të ndryshme. Ka përvoja shumë vjeçare në trajtimin e sëmundjeve kronike tek fëmijët dhe adoleshentët, si dhe në kohën e fundit në fushën e trajtimit familjar të obesitetit tek fëmijët dhe adoleshentët, nën patronatin e Inshtitutit Nacional të Shendetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë e finacuar nga fondet e Bashkimit Europian. Motoja e tij për të gjithë qytetarët e prekur në këtë kohë pandemie globale është: “Mos rreziko, rri në shtëpi”.
KESHTU NDODHI

Shkruan: SIMON MIRAKAJ/
Kishim filluar te merrnim pak fryme lirie per shkak te ngjarjeve qe po trondisnin sistemin diktatorial komunist. Megjithse komunizmi po mbytej ne pusin qe kishte hapur vete, ne ishim shume te kujdeseshem ne levizjet tona..
Denimin ne na e jepnin nje here ne pese vjet.Ne muajin Qershor e pikerisht ne dt.26-6-1989.Ne na komunikojne peseshen e dhjete. Nuk u merzitem shume, ishim ne korent te ngjarjeve nepermjet lajmeve qe degjonim tek Rai.
Ne dt.4-07-1989 sapo isha kthyer nga puna degjoj nje ze qe therret : O Sokol, i them vllait se mu degjua se dikush po te therret pa mbaruar mire , kur hapet dera e kasolles qe kishim ndertuar vete dhe hyn Vangjeli pergjegjesi qe na bente apelin, ishte djal i mire, nuk na besdiste. Kur e pame u shqetesuam, ai e vuri re shqetesimin tone e menjehere tha; Kam ardhe te ju them nje lajm te mire, ti Sokol e ti Simon jeni liruar, ,kunata Vali me mbesat e nipi mbushen syte me lot. Sokoli e pyeti: po te tjeret te gjithe jane liruar ?
-Do mblidhemi te caku ku bejme apelin se ka ardhe nje oficer madhor nga M.Brendeshme do te ju komunikoje ai, ju beni sikur nuk dini gje. Ashtu vepruam u bashkuam e na futen ne zyren e keshillit.Mbas pese minutash vijne drejtuesit e sektorit dhe oficeri madhor, me syzet e errta qe nuk i hoqi,emeri i ti mbeti anonim .Ai nxjerr nje leter nga xhepi lexon: Duke pare sjelljen e mire tuaj, u vendos qe te ju hiqet masa e internimit ,nga ky moment ju jeni te lire por do tju jap nje keshille, mos u merrni me politike Ai po priste qe ne ta falenderonim per kete “miresi”por ne as nuk e perfillem fare,ai kur e pa qendrimin tone na tha tani mund te ikni.U larguam pa e pershendet .U mblodhen te gjithe duke festuar neper shtepite tona.Pa liruar kishte mbete vetem Xhevat Tarusha i ndjeri, ai u lirua mbas tre muaj. Sot eshte 31 vjetori .4 Korriku 1989 mbas 44 vjet fituam lirine e levizjes.
Rreziqet Para Nesh

Nga Martin VULAJ/
Një shtrëngatë e tmerrshme politike po i kanoset Kosovës. Ky është rreziku më i madh që nga periudha kur forcat serbe shkatërronin shtëpitë e djegura, dhunonin femrat dhe vrisnin femijë si cuba të pamëshirë të dalë nga mesjeta ndërsa vagonat e zinj të deportimit u shfaqen në trupin e Evropës 50 vite pasi që ishte betuar KURRE ME! Aso kohe kërcënimi ishte fizik dhe, në dukje më i rrezikshëm se ky i sotmi. Sot përballemi me rreziqe politike, të natyrës ekzistenciale, që janë po aq të rrezikshme e të dëmshme sa kanosjet e luftës spë vitit 1999. Në vijim analizojmë shkurtë aspektet kryesore të shtrëngatës politke me të cilën përballet Kosova sot.
1. Irritimi i Shteteve të Bashkuara
Anulimi i takimit negociator të datës 27 qershor për shkak të shpalljes së aktakuzave të Prokurorit Special, që është pranuar si veprim që synonte të ndikonte tek dialogu, dhe prandaj mund të karakterizohet një akt politik, e ka cuar procesin në reanimacion. Shtëpia e Bardhë, e irrituar tashmë, i ka dhënë Ambasadorit Grenell edhe një shans për t’i vendosur bisedimet në binarë, të cilët çojnë drejt njohjes bilaterale, i japin Kosovës anëtarësi në NATO, OKB dhe integrim rajonal europian.
Sulmet e parreshtura ndaj procesit negociator e Shtëpise së Bardhë, si dhe portretizimi keqdashës i Ambasadorit Grenell nga disa grupe tashmë kishin lënë pasoja, mirëpo anulimi i takimeve përbën kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të pakuëptueshëm ndaj tërë procesit. Për të qenë të qartë, mungesa e transparencës së negociatave kishte krijuar kushte për hamendje tek disa për mundësinë e nëpërkëmbjes së interesave të Kosovës. Në anën tjetër, kjo bëri që disa të përdornin një mungesë të tillë transparence për të arritur ambicjet e tyre politike. Rezultati është ky, nëse Kosova nuk vepron shpejt dhe prerazi, ka gjasa që Shtetet e Bashkuara të mos jenë të pranishme në negociata dhe bisedimet të bien në duart jokompetente të europianëve. Vorbulla e zgjedhjeve që po afrojnë në Amerikë do të bëhet gjithnjë më e furishme. Rritja e saj do të dëmtojë rastin e krijuar për ndërmjetësim amerikan duke zvogëluar hapësirën si për manovrime ashtu edhe për zhagitje.
2. Gjyqi i shqiptarëve
Aktakuzat e paverifikuara ndaj Presidentit Thaci, z. Veseli dhe nëntë personave të tjerë, si edhe dy dokumente të tjera me aktakuza që priten të paraqiten pas të parës, përbëjnë një manovrim tejet tinzar dhe kërcënues. Sado të flitet për “përgjegjësi individuale” dhe se ky “nuk është gjyq ndaj UCK-së”, për opinionin publik, këto aktakuza janë ngritur kundër Ushtrisë, kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve në përgjithësi. Ky fakt nuk mund te mohohet. Pavarësisht shfajësimit të Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, ngritja e padive mund të sjellë më shumë dënime të paraqitura nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për krime lufte kundër Kosovës sesa ndaj Serbisë, e cila dihet se ishte shkaktare e gjenocidit!
Me vendosjen e UCK-se në bankën e të akuzuarit, armiqtë e Kosovës dhe shqiptarëve mund të arrijnë të kenë sukses në orvatjet e tyre 20 vjecare për të relativizuar krimet e kryera nga Serbia përfshirë fushatën e spastrimit etnik dhe aktet gjenocidale. Me fjalë të tjera, mund të vendoset një ekuivalencë e krimit. Sipas tyre, numrat “jane vecse statistika”, nese do parafrazoja thënien famëkeqe të Stalinit. Kjo do t’i dhuronte velin e hollë të justifikimit moral dhe një rast të shumëpritur një Europe albanofobike për të gjetur rrugëdalje për vete dhe për nyjën kosovare.
3. Terreni i palakmueshem i Evropës
Pesë kombe në Evropë nuk e njohin Kosovën. Shumë shtete të tjera e kanë njohur por nuk kanë marrëdhënie miqësore. Ka një numër të vendeve që janë afruar dhe kanë dhënë perkrahje. Dhe në secilin prej këtyre shteteve ka si simpatizantë edhe kundershtarë të Kosovës. Megjithatë, konfiguracioni strukturor i BE-së dhe procesi i koklavitur i vendimmarrjes aty e ka bërë Europën impotente kur vjen fjala për veprime më vendimtare domethënëse për Kosovën. Ndërkaq, Srebrenica mbetet sot e përgjithmonë momumenti i turpit dhe pazotësisë evropiane.
Parapëlqimi historik për Serbinë nga disa vende anetare të BE-së dhe procesi i I ngatërruar dhe joefikas i vendim-marrjes e kanë bërë të pamundur ecjen përpara të Bashkimit Evropian në cështjen e Kosovës. Të gjithë e dimë se pas tetë viteve të humbura nga BE-ja, ishin Shtetet e Bashkuara që bënë të mundur shpalljen e pavarësisë për Kosovën. Kështu ndodhi me tranformimin e ushtrisë së Kosovës dhe kështu po ndodh me dialogun. Dhjetë vjet tentativa nxorrën vetëm një pako me marreveshje të dobëta, që në pjesën më të madhe as nuk jane vënë në zbatim. Edhe një herë, BE-ja është e detyruar t’ia lëshojë frerët Shteteve të Bashkuara. Pikërisht procesi i vendim marrjes së BE-së e ka penguar zbatimin e marrëveshjeve për liberalizimin e vizave për Kosovën, edhe pasi që ishin plotësuar të gjitha kushtet. Pra, mungon vullneti politik por edhe zotësia për ta zgjidhur dilemën Kosovë-Serbi pa rolin e fortë drejtues nga Shtetet e Bashkuara.
4. Stuhia politike
Rrethanat e parashtuara më lart mund të krijojnë një dukuri të rrallë metereologjike si paralajmërim për një stuhi të paparë politike e cila do të rezultojë me një Serbi të cilës i hapen dyert të shëtisë në Evropë ndërsa Kosova zhytet më thellë në geton e tashme politike.
Në rast se Shtetet e Bashkuara largohen nga procesi negociator/bisedimet, Europa me tendencën favorizuese ndaj Serbisë, duke ndrydhur duart me dyshime dhe pasivitet, mund ta përdorë procesin gjyqësor të UCK-së si arsyetim moral për një barazim midis dy palëve dhe krijon një rast për Serbinë t’ia heqi prangat Kosovës që të eci drejt Evropës.
Problemi i vizave mund të mos jetë madhor por shërben si barometër i qëndrimit europian ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në vecanti. Albanofobia, sic paralajmëroi Dr. Berisha thuajse njëzet vjet përpara, është e pranishme dhe, mungesa e SHBA-ve dhe ekzistimi i gjyqeve ndaj UCK-së vetëm se do ta ushqejnë më shumë një disponim të tillë ndaj shqiptarëve.
5. Biseda me Ambasadorin Grenell
Në bisedën tonë me Ambasadorin Grenell një ditë para telefonatës me anëtarë të komunitetit, si edhe gjatë atij takimi, ai e bëri të qartë se ndarja nuk ishte diskutuar, parashtuar ose prezantuar dhe se nuk kishte presion për një marrëveshje të shpejtuar. Ai shprehu irritimin e tij lidhur me procesin dhe mundësinë që administrata të ndihet e pakënaqur dhe e lodhur dhe, rrjedhimisht, të vendosë se palët nuk janë të gatshme për marrëveshje dhe kështu të tërhiqen nga gjithë procesi. Zgjedhjet jane shumë afër dhe mundësia e Ambasadorit për t’u riemëruar ose ngarkuar me përgjegjësi të tjera është krejt e mundshme. Mund të them pa hezitim se e ndjeva irritimin e Ambasadorit dhe se paralajmërimi është shumë real.
6. Ecja përpara
Pika më kritike për arritjen e synimeve të Kosovës për shtetësi dhe pranim në NATO, OKB dhe eventualisht BE është angazhimi i plotë i Shteteve të Bashkuara. Për këtë, cëshja më parësore është krijimi i konsensusit të klasës politike lidhur me gatishmërinë dhe domosdoshmërisë për hyrje në dialog – dhe këto duhet të shprehen qartë për Uashingtonin. Kjo duhet bërë tani. Nuk ka me prit!
7. Ekipi Negociator
Qeveria aktuale është e brishtë për t’u ballafaquar me sfidat e reja me të cilat përballet sot e në të ardhmen e afërt. Prandaj konsensusi politik është i domosdoshëm, por zgjerimi i qeverisë dhe riformini i një qeverie të re domethënë përsëritjen e procesit të cilin sapo e kemi kaluar. Kosova nuk e ka këtë luks kohor, mirëpo ekziston një mënyrë tjetër për të arritur konsensusin dhe stabilitetin e nevojshëm politik. Formimi i një Ekip Uniteti për Negociatat. Ekipi do përfshinte të gjitha partitë e mëdha të parlamentit kosovar, vecanërisht dy partitë opozitare të cilat duhet të kenë kompetenca të plota vendimmarrjeje në ekip. Ky hap sjell transparencë për procesin dhe votëbesimin e popullit, ulë tensionet dhe kthen fokusin aty ku duhet. Përbërja dhe rolet brenda ekipit duhet të negociohen me mirëbesim dhe pa lënë asnjë dyshim për natyrën dhe përmbajtjen e procesit. Në përfundim të procesit duhen mbajtur zgjedhjet dhe ndërtimin e një parlamenti të ri që pasqyron elektoratin e vendit dhe vullnetin e popullit.
Në këtë mënyrë populli do të jetë i sigurtë se marrëveshja e arritur midis Kosovës dhe Serbisë ishte më e mira e mundshme. Pika më kryesore e procesit është thyerja e prangave që kanë frenuar Kosovën të arrijë majat e mundësive të veta, të hedhë hapa përpara dhe më në fund të gëzojë mirëqenie. Kjo do të thotë që Kosova të njihet si vend anëtar me të drejta të plota në NATO dhe OKB dhe me shtegun e hapur për inkuadrim në BE si edhe në tregtinë rajonale dhe ndërkombetare.
Në 1999 shteti i Kosovës u lind me gjak. Në 2008 ajo u bë e lirë të vepronte dhe të vendoste për jetën e vet. Në 2020, pas shumë gabimeve por edhe përparimeve, Kosova ndeshet me realitetin në të cilin shihet se cdo vendim ka pasojat e veta. Vendimet e tashme do jehojnë për breza me radhë. Ka ardhur koha për t’u bërë bashkë dhe për të ecur përpara ose të paguajmë cmimin më të lartë të mundshëm si alternativë e vetme e mbetur nëse dështojmë.
Krahasimi i të dhënave: SH.B.A. krahas 6 vendeve të Evropës Perëndimore

Shkruan: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik **/
Siç e dimë, shpërthimi i koronavirusit në Evropën ndodhi herët në Mars të këtij viti. Rreth dy javë më vonë, pandemia u ndez dhe në Shtetet e Bashkuara (Sh.B.A fillimisht në shtetet verilindore të Sh.B.A-ve (New York, New Jersey, Connecticut dhe Massachusetts). Në kulmin e infeksioneve, në Europë, Itali, Spanjë dhe shtete të tjetër, vdisnin më shumë se 3000 njerëz, çdo ditë – një numër thelbësisht më i lartë sesa në Sh.B.A., në kulmin e tij. Gjatë dy muajve të fundit, megjithatë, shumica e Evropës ka arritur të kontrollojë virusin.
Në Sh.B.A., numri i rasteve të reja u ngjit në mbi 30,000 në ditë, javën e fundit, pasi kishte rënë në nivelin e 20,000, në ditë, për disa javë me radhë. Rastet e reja në Sh.B.A. janë rreth 10 herë më të larta se rastet e reja në ditë, në Bashkimin Evropian. Numri në rritje i rasteve në Sh.B.A. pjesërisht pasqyron përhapjen e shpejtë të Covid-19, pasiqe në disa shtete dhe territore përhapja ka filluar më vonë. Për më tepër, rritja e numrit të rasteve mund të jetë pjesërisht për shkak të rritjes së testeve laboratorike. Rishikimi i të dhënave dhe tendencave, pavarësisht rritjes së numrave në Sh.B.A., tregon një lajm inkurajues. Tabela më poshtë krahason Sh.B.A-në me një rajon 6-vendesh, të Evropës Perëndimore (6- EP) me një madhësi gati identike të popullsisë.
| Shteti/Rajoni | Numri i Popullsisë | Numri i Testimëve | Numri i të infektuarëve me Covid-19 | Numri i Vdekjëve | Vdekjet/ 1 Mil. njerëz |
| *Belgika | 11.5 Mil | 1.6 Mil | 61,000 | 10,000 | 851 |
| *Franca | 65 Mil | 1.3 Mil | 163,000 | 30,000 | 443 |
| *Gjermania | 83 Mil | 5 Mil | 200,000 | 10,000 | 107 |
| *Italia | 60 Mil | 5.6 Mil | 240,000 | 35,000 | 573 |
| *Spanja | 46 Mil | 5.1 Mil | 250,000 | 28,000 | 606 |
| *Mbretëria e Bashkuar | 67 Mil | 8.7 Mil | 310,000 | 43,000 | 650 |
| *6 Shtetet e Europës Perendimore | 332 Mil | 27 Mil | 1.2 Mil | 156,000 | 538 |
| USA | 333 Mil | 31 Mil | 2.5 Mil | 128,000 | 379 |
| Shteti/Rajoni | Shkalla e Vdekshmerisë (CFR) | Përqindja populatës së testuar | Përqindja e të vdekurve në populatën | Përqindja e Vdekjeve / 1 Mil. njerëz | |
| *6 Shtetet e Europës Perendimore | 13% | 8% | 0.047% | 0.058 | |
| ShBA | 5% | 9.3% | 0.038% | 0.038 |
Çfarë na tregon tabela: Numrat në tabelë krahasojnë Sh.B.A-në, me 333 milion banorët e vet, me vendet e 6-EP (Gjermani, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Spanja dhe Belgjika), me 332 milion banorët e tyre. Ndërsa numri i të infektuerëve me Covid-19 në Sh.B.A. është dyfishi i numrit të rasteve në 6-WE, ndryshimi i parë është se Sh.B.A-ja ka testuar afërsisht 31 milion, krahasuar me 27 milion njerëz në 6-EP. Të dhënat në Sh.B.A. gjithashtu tregojnë se vdekjet nuk po rriten së bashku me numrin e të infektuerëve, bile, në fakt ato po vazhdojnë të bien, deri në një mesatare prej rreth 600 vdekjeve në ditë, krahasuar me një kulm të më shumë se 2,000 vdekjeve në dit,ë në mes të prillit. Dallimi më i ashpër është në “shkallën e vdekshmërisë” (CFR) që tregon numrin e vdekjeve për numrin e përgjithshëm të popullsive të infektuara. Në Sh.B.A., CFR është afërsisht 5%, ndërsa ë 6-EP është më shumë se dyfish, me rreth 13%. Për më tepër, përqindja e vdekjeve për popullatë totale dhe për 1 milion njerëz, është më e mirë në Sh.B.A., krahasuar me 6-EP (0.038 dhe 0.378 në Sh.B.A, krahasuar me 0.047 dhe 0.057 në 6-EP).
Rënia e vdekjeve mund të na tregojë dy gjëra: së pari një reflektim i përmirësimeve të konsiderueshme në kujdesin shëndetësor, dhe së dyti, raste më të diagnostikuara po ndodhin tek njerëzit me simptoma më të buta dhe sëmundje më të lehta. Pacientët e moshës më të re dhe më të shëndetshëm kanë CFR shumë më të ulët, kështu që duket se të moshuarit ose individët me sëmundje paraprake po mbrohen më mirë.
Si përfundim, këta numra tregojnë se derisa kalojmë nëpër fazat e ndryshme të hapjes së shoqërive tona, duhet të jemi vigjilentë dhe të fuqishëm në komunikimin në të gjithë vendin, dhe veçanërisht aty ku ne po shohim ngritje në numër, se virusi është akoma kërcënim shumë i rresikshëm. Inkurajimi i njerëzve që të vazhdojnë të mbajnë mbulesa apo maska për fytyrën, të qëndrojnë në një distancë kur është e mundur, të shmangin nga tubimet e mëdha dhe të pambrojtura, të vazhdojnë me higjienën dhe të larit duarve. Këto janë gjëra të provuara që ne i dimë që mund të na mbrojnë dhe kështu të mbajmë numrin e infeksioneve nën kontroll.
** Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA
Referenca për të dhënat dhe numrat:
1-https://www.statista.com/statistics/1028731/covid19-tests-select-countries-worldwide/
- « Previous Page
- 1
- …
- 352
- 353
- 354
- 355
- 356
- …
- 672
- Next Page »