• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HARADINAJ:Kosova, marrëdhënie strategjike me Vatikanin

May 22, 2018 by dgreca

DSC_4496

-Kryeministri Ramush Haradinaj: Kosova e interesuar për marrëdhënie strategjike me Vatikanin/

DSC_4599

-Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, e inkurajoi popullin e Kosovës për paqe, pajtim dhe prosperitet me vendet fqinje dhe në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike/

DSC_4444 VATIKAN, 22 Maj 2018-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Vatikan, ku sot është pritur në takim nga Kardinali Pietro Parolin, Sekretar shteti i Vatikanit.

Të arriturat e vendit në aspektin politik dhe demokratik, pozicioni i Kosovës karshi vendeve të rajonit dhe bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik me këto vende, ishin disa nga temat e diskutimit në këtë takim.

“Kosova është e përkushtuar që të vazhdoj avancimin e raporteve me Vatikanin dhe se njohja e shtetësisë së Kosovës nga Vatikani, është hap i nevojshëm”, tha Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj përmendi edhe faktin se liria fetare dhe orientimi euro-atlantik i Kosovës janë vlera të pacenueshme, vlera këto që duhet të promovohen edhe në raportet mes dyja vendeve.“Shteti i Kosovës është faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit si dhe promovuese e fqinjësisë së mirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës dhe Qeverisë për përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë dhënë Kosovës.

 “Kosova është e interesuar që në Ballkan të shtyjë procesin e paqes permanente dhe pajtimit, në të njëjtën frymë, Kosova është e interesuar të ketë marrëdhënie strategjike me Vatikanin”, ishte qëndrimi i Kryeministrit Haradinaj.Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, e inkurajoi popullin e Kosovës për paqe, pajtim dhe prosperitet me vendet fqinje dhe në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.Qëndrimi i Kryeministrit Haradinaj në Selinë e Shenjtë po bëhet në kuadër të vizitës zyrtare në këtë vend, në të cilën do të zhvillohen një ser takimesh me nivele të larta dhe me interes për vendin.Pas pritjes nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, Kryeministri Haradinaj i bëri vizitë edhe Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, qendra e Selisë së Shenjtë./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Behlul Jashari-Dielli, Haradinaj, Vatikan

PRESIDENTI META NE BERAT…JO PER POLITIKE

May 20, 2018 by dgreca

  • Presidenti Ilir Meta, axhendë të ngjeshur aktivitetesh në Berat:Jemi ne Berat Jo per Politike…/
  • 17Presidenti Meta – Dekoron me çmime 4 figura beratase në fushën e sportit: Volejbollistja Ollga Gjoku, trajnerja e ekipit të Tomorrit, Pingpongisti Ilir Shabanaj, peshëngritësi Vasil Hoç, rekordmen absolut, dhe Përparim Kovaçi, futbollisti i Tomorrit /

6-3

NGA BERATI PER DIELLIN:SULO GOZHINA/5

BERAT, 20 Maj 2018 – Presidenti i vendit Ilir Meta ka qënë sot në Berat,në një axhendë të ngjeshur aktivitetesh kulturore. Fillimisht ai ka marrë pjesë në çeljen e Edicionit të 6-ë të Maratonës së Beratit ku edhe ka uruar të gjithë pjesëmarrësit që do garonin në të dhe ka shprehur dëshirën për të qënë pjesë e kësaj maratone vrapimi vitin e ardhshëm. “Vitin tjetër pjesëmarës dhe konkurent”. (qesh) 001Meta në takimin me nxënësit e dalluar

Pas startimit të Maratonës, Meta ka vijuar takimet me nxënësit e dalluar, fitues të olimpiadave të matematikës në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”,ku për nder të tij ishte organizuar edhe një koncert i shkurtër artistik nga nxënësit e qytetit. Gjatë këtij aktiviteti, presidentit Meta ju dhuruan 2 çmime nderi, një medalie nga kryebashkiakja e Tetovës dhe çmimi “Miku i fëmijëve” nga Qëndra Kulturore e fëmijëve të qytetit të Durrësit, ndërkohë që më pas ai ndau edhe çmimet e para të 3 fituesve të olimpiadës së matematikës mes trevave shqiptare për klasat e shtata, të teta dhe të nënta, ku njërin nga çmimet e para, atë për klasat e nënta e kishte marrë 15-vjeçarja nga Berati, Joana Bendaj me 99 pikë. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Meta shprehu kënaqësinë që mori pjesë në këtë finale të olimpiadës lëvizëse mbarëkombëtare të matematikës ku u gëzua pa masë që njara prej fitueseve ishte nga Berati dhe u shpreh se, kush i shmanget matematikës kërkon një jetë të lehtë pasi matematika është baza e të gjitha disiplinave për të fituar sfidat e jet

Presidenti Meta dekoron 4 figurat e shquara të sportit berates ndër vite

Presidenti Meta vijoi më pas takimet e tij në bashkinë e Beratit, ku dekoroi 4 figura të shquara të sportit beratas ndër vite. Nga bashkia e Beratit, Meta është shprehur se, Beratit nuk i kanë munguar asnjëherë talentet në fushën e sportit, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në fushat respektive edhe në arenën kombëtare e ndërkombëtrae. Meta tha se, Tomorri, siç është një mal i pakrahasueshëm duhet të jetë edhe një skuadër e sukseshme në vend dhe jashtë tij.
Me tituj nderi dhe dekorata nga Presidenca janë vlerësuar më pas:, Volejbollistja Ollga Gjoku, trajnerja e ekipit të Tomirrit, Pingpongisti Ilir Shabanaj, i njohur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, dhe peshëngritësi Vasil Hoç, rekordmen absolut me një bilanç pozitiv edhe nga garat ndërkobëtare. Si dhe Përparim Kovaçi, futbollisti i Tomorrit dhe një nga golshënuesit më të mirë në vend në këtë moment Presidenti Meta solli dhe një arenë gëzimi për pjesmarësit të cilit në shumicë ishin sportdashësit berates kur citoj: Në rinin time mbaj mend një këngë që e këndonin në kor gjith stadiumi, për  sulmuesin e talentuar të tomorrit, Rim Kovaçin – Jani Kaçci, Jani Kaci shiko se po vjen Rim Kovaçi, po hyri në zonën e rreptsisë, të mori gjysmën e revanisë, (qëshin e duartrokasin gjithë të pranishmit në sallë), vërtet atmosfer festive sot në Berat.
Në përfundim të aktiviteteve. presidenti Meta foli për rëndësinë e tyre vlerat që ka ky qytet në fusha të ndyshme dhe ju shmang pyetjes së gazetarëve në lidhje me situatën politke në vend.

Filed Under: Politike Tagged With: ne berat, Presidenti Ilir Meta, Sulo Gozhina

Granoff: Njerëzit po “votojnë me këmbë”…

May 20, 2018 by dgreca

Granoff: Njerëzit po “votojnë me këmbë” dhe po ikin nga vendi, ndaj duhet bashkëpunim/

! Granof

Zëri i Amerikës: Zoti Granoff! Cilat janë projektet dhe angazhimet tuaja dhe të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit në Shqipëri?

Michael Granoff: Si fillim ju falenderoj për ardhjen dhe është një kënaqësi e veçantë për mua të flas me ju për “Zërin e Amerikës” sepse zëri juaj shkon si në Shqipëri ashtu dhe në Amerikë dhe unë mendoj se kjo është e rëndësishme në fakt si për njerëzit në Amerikë ashtu dhe për njerëzit në Shqipëri, për të kuptuar më mirë se çfarë Fondi and Fondacioni ynë kanë bërë dhe jam i lumtur për mundësinë për të folur për të.

Fondacioni ynë së fundmi ka disa projekte të rëndësishme, për të cilat ne kemi punuar gjatë qëndrimit tim këtu. Njëri nga projektet ka të bëjë me piramidën në mes të Tiranës që siçdihet, është monument i një diktatori të tmerrshëm, dhe ka një historik të keq. Ne do ta përdorim për të siguruar edukim teknologjik pas-shkollor për fëmijët. Ky është kombinim i projekteve të një programi të krijuar në Armeni nga një arkitekt i famshëm dhe programit tonë, bashkisë së Tiranës dhe qeverisë. Ato bashkohen për ta kthyer piramidën nga monument i një kohe të vështirë në një monument të asajçfarë Shqipëria mund të bëhet, duke ecur përpara. Ky është vetëm një nga shembujt e projekteve të rëndësishme që ne do të bëjmë në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Ju keni një përvojë më shumë se 20 vjetësh në Shqipëri. A keni ndonjë koment për klimën e biznesit aktualisht; besoj se keni marrë lajme nga kolegët lidhur me polemikat për taksa dhe tarifa të reja?

Michael Granoff: Në përgjithësi, unë mendoj se mjedisi i biznesit në Shqipëri, ashtu si mjedisi i biznesit në çdo shtet, është një përzierje e gjërave pozitive me ato negative, dhe një përzierje e sfidave dhe mundësive. Dhe unë mendoj se e njëjta gjë qëndron edhe në Shqipëri. Nëse sheh mundësitë, Shqipëria ka një popullsi të shkolluar shumë mirë, të cilët janë ambiciozë, të talentuar, përshtaten dhe duan të punojnë, dhe mendoj se mund të shihet që ka shumë mundësi për zgjerim të bizneseve. Nëse diskutimet e hyrjes në BE kanë sukses, atëherë do të hapen linja dhe kanale komunikimi me Europën në përgjithësi dhe do të sigurohen më shumë mundësi për biznes. Sfidat në disa mënyra nuk janë të reja: korrupsioni, zbatimi i ligjit, transparenca në bërjen e biznesit, mungesa e kapitalit dhe mungesa e më shumë investimeve të huaja në Shqipëri, pra nuk ka shumë kapital për ta mbështetur. Ne duhet të punojmë më mirë me shkollimin e fëmijëve shqiptarë, që ata të jenë sa më të përgatitur për të punuar në të ardhmen, e kjo është një sfidë për çdo shtet. Prandaj nuk mendoj se klima është veçanërisht e keqe në një lloj mënyre, por në fakt mendoj se është në rregull, sepse Mendoj se kjo është çfarë njerëzit e biznesit gjithmonë duhet të bëjnë: të shohin mjedisin dhe vendet ku ata mund të sjellin diçka të re në treg dhe të kenë sukses. Unë nuk mendoj se është e thjeshtë të fillosh një biznes, dhe kjo s’është e thjeshtë në asnjë vend. Por a është e mundur? Patjetër që po, është e mundur. A mund të krijosh diçka të rëndësishme këtu? Patjetër që mundesh. Këto janë sfidat, me të cilat njerëzit e biznesit duhet të përballen.

Zëri i Amerikës: Pse Fondacioni punon shpesh në fusha të ashtuquajtura jofitimprurëse, çfarë ju shtyn në këtë drejtim?

Michael Granoff: Kjo përputhet me qëllimet e programit. Qeveria amerikane krijoi një fond ndërmarrjesh për të nxitur zhvillimin e sektorit privat, në fillimet e viteve 90, dhe madje përpara se komunizmi mbaroi në Europë. Kur fondet mbaruan, marrëveshja me qeverinë amerikane ishte që të merrej përfitimi dhe të krijoheshin fondacione jofitimprurëse, që do të punonin në këto shtete në një bazë të përhershme, duke mbajtur të njëjtat qëllime për zhvillimin e sektorit privat në mënyrë jofitimprurëse. Pra fondacioni po investonte drejtpërdrejt nëpër kompanitë, duke u munduar të zhvillojë sektorin privat. Fondacioni në njëlloj mënyre është një investim në njerëz. Pra, po shohim çdo mundësi që kemi në mënyrë jofitimprurëse, të aftësojmë njerëzit që të ndërtojnë një ekonomi më të mirë në sektorin privat. Kjo ishte arkitektura që u krijua dhe fondacioni ynë ishte aq i suksesshëm, sepse ne krijuam një kapital dhe potencial të madh për të bërë shumë gjëra në anën jofitimprurëse. Dhe ne sapo kemi filluar. Ne jemi aktivë vetëm për 7 – 8 vjet duke investuar pa fitim dhe mendoj se ne kemi angazhuar më shumë para se gjithë përmasa e fondacionit. Fondacioni në fillim ishte 30 milionë dollarë dhe ne kemi mbledhur më shumë se 40 milionë dollarë në mënyrë jofitimprurëse. Dhe këto 40 milionë dollarë kanë tërhequr 80 milionë dollarë të njerëzve të tjerë për të investuar. Pra ne kemi krijuar më shumë se 120 milionë dollarë investim në njerëz në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Një nga këto projekte tuaja është rritja e lidershipit në shkolla. A mund të na tregoni më shumë detaje?

Michael Granoff: Unë mendoj se të gjithë e dinë që nëse duam të përmirësojmë edukimin e fëmijëve duhet të përmirësohet mënyra se si shkolla funksionon, të fuqizosh dhe trajnosh mësuesit, duhet të sigurohesh që drejtorët janë më të mirëtrajnuar. Duhen bërë gjithë këto nëse duhet të përmirësojmë sistemin shkollor. Dhe këto nuk janë gjëra të thjeshta për t’u bërë. Një nga gjërat që mendoj se fondacioni ka arritur të bëjë është që jo patjetër të rikrijohen metoda apo te krijohen modele që s’kanë ekzistuar asnjëherë, por të zgjedhë më të mirat e botës dhe të përpiqet t’i sjellë ato këtu. Dhe rezulton që ishte një program i krijuar në Izrael që ishte mundësuar nga fondacioni Rotchild, me të cilët ne kemi marrëdhënie, te cilët janë të fokusuar në trajnimin e mësuesve dhe drejtuesve dhe të përmirësojë cilësitë e tyre. Dhe ka provuar që është një program shumë i suksesshëm në Izrael dhe ne i kemi lidhur te dy me njëri tjetrin. Njerëzit tanë kanë qenë në Izrael për të punuar me njerëzit e programit atje. Ato kanë shprehur shumë interes për të ndihmuar çfarë ne bëjmë dhe ne kemi krijuar një strukturë për të krijuar një qendër për të promovuar trajnimet për mësuesit dhe drejtuesit në Shqipëri. Dhe unë shpresoj që gjatë muajve të ardhshëm do të aprovohet nga parlamenti dhe të ketë një ndërtesë ku mund të zhvillohet. Dhe kur shikon se çfarë e bën edukimin më të mirë në gjithë botën, faktori numër një është përmirësimi i cilësive të mësuesve. Siçne e dijmë nga rinia jonë, asgjë tjetër nuk e bën diferencën më mirë se të pasurit e një mësuesi të mirë. Asgjë tjetër nuk e bën diferencën më mirë se të pasurit shkolla me drejtorë të mirë. Dhe nëse ne mund të përmirësojmë cilësitë e mësimdhënies dhe administrimit të shkollës ne do të shkojmë drejt rrugës së përmirësimit të cilësisë së edukimit këtu.

Zëri i Amerikës: Ju keni në duar edhe një tjetër projekt mbi trashëgiminë kulturore. Përse është fjala më konkretisht?

Michael Granoff: Ne jemi takuar në një ditë shumë interesante. Parlamenti votoi të enjten për të aprovuar një ligj të ri për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri për të cilën ne kemi punuar me kryeministrin dhe ministrin e kulturës për shumë vite. Ky ligj do të ndryshojë mënyrën se si ana e trashëgimisë kulturore do të mbrohet, financohet dhe zhvillohet në Shqipëri në një mënyrë që mendoj se është shumë e veçantë edhe mes shumë shteteve të tjera. Ato do të mbështeten, menaxhohen nga një bord lokal dhe paratë që do të vijnë te ato do të qëndrojne për ta promovuar atë dhe kjo ishte dicka që ju desh vite për tu zhvilluar, jo aq e thjeshtë për t’u aprovuar nga qeveria, pra të lejojë që paratë të përdoren vetëm për ktë anë kulturore dhe unë në fakt isha në parlament për të parë votimin. Ne fakt një votë historike për ta aprovuar këtë. Gjithashtu tregoi për faktin se çfarë duhet të bëjë këtu fondacioni që të jetë i suksesshëm. Kur ne filluam projektet unë nuk mendova se ne duhet të përfshiheshim në shkrimin e legjislacionit. Por ne e bëmë në mënyrë qe të krijonim infrastrukturën dhe arkitekturën e duhur për këto gjëra dhe ishte një sfidë e vërtetë të shkruaje ligjin. Ky ligj ka 175 pjesë në vete dhe është ndoshta një nga ligjet me të mëdha të aprovuara në këtë shtet në një kohë të gjatë, por ishte gjithashtu një mundësi për të ndërtuar fondacionin për të ardhmen. Demokracia nuk është të mbahen zgjedhjet, por është të ndërtosh institucionet, të cilat do të zgjasin në atë politikë, që janë ndërtuar. Duke krijuar ligje si ligji i trashëgimisë, po krijohet fondacioni për të mbrojtur dhe zhvilluar trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, që është aq e rëndësisshme në karakterin e vet jo vetëm për sot. Duke e parë për 10, 20, 30, 50 vite më vonë, unë mendoj se arsyeja që trashëgimia kulturore e Shqipërisë do të jetë mbrojtur dhe krijuar për shkak të ligjit që u miratua sot.

Zëri i Amerikës: Si mendoni ju cfarë duhet të bëjë Shqipëria, sidomos në këtë periudhë jo të lehtë për Ballkanin dhe Europën për të tërhequr investime të huaja?

Michael Granoff: Gjëja e parë që mendoj se njerëzit këtu në Shqipëri duhet të kuptojnë është që Shqipëria në përpjekjet që (duke menduar) të tërheqë investorët e huaj, duhet të mendojë si një kompani. Nëse mendon si një kompani, gjëra e parë që të shkon në mendje është kush janë konkurrentët e mi. Vërtet çdo shtet në këtë rajon dhe në botë po konkurron për investime të huaja. Ato po krijojnë programe, struktura për të konkurruar për kapitalin. Kapitali nuk vjen thjesht sepse njerëzve iu pëlqen ideja; duhet të konkurosh për të si çdo kompani, që duhet të konkurojë për të. Nëse Shqipëria është serioze në përpjekjen për të tërhequr investimet e huaja në një mënyrë domethënëse, duhet të konkurojë kundër fqinjëve të saj apo njerëzve larg saj dhe duhet të dalë me një strukturë, që i tërheq njerëzit që të vijnë; një plan biznesi dhe detyrash, që tregon se çfarë do të bëjmë për tokën, taksat, njerëzit, kapitalin dhe për gjithë gjërat që Shqipëria mund të sjellë dhe që të tjerët s’munden. Në biznes gjëja më e rëndësisshme është diferencimi. Pse je ti më i mirë se tjetri. Shqipëria duhet të mendojë për investimet e huaja në këtë mënyrë. Duhet të bëjë një studim se çfarë po bëjnë gjithë shtetet e tjera në rajon dhe të gjejë një mënyrë si të bëjë më shumë nga ato çfarë po bëjnë të tjerët. Nëse mendon në këtë mënyrë, si një projekt biznesi në shkollë, atëherë mendoj se Shqipëria do të jetë më e suksesshme në tërheqjen e investimeve të huaja.

Zëri i Amerikës: Një tjetër temë janë debatet për punësimin dhe papunësinë. Njerëzit janë pa punë në masë të konsiderueshme, por qeveria thotë se “punë ka, por nuk ka profesionistë”. Ju si mendoni se duhet ta përballojë Shqipëria këtë vështirësi të re?

Michael Granoff: Ky është një problem domethënës. Një nga gjërat që ne mësojmë në jetë është që nëse ti nuk përballesh me problemin tënd, nuk mund ta zgjidhësh atë. E dyta është që shumica e njerëzve mendojnë se problemet e tyre janë të veçanta, p.sh. në Shqipëri. Por ky është një problem me të cilin po përballen shumë vende madje dhe shumë vende në zhvillim, ku qëndron, siçnjerëzit e quajnë, një mungesë të aftësive. Kjo ndodh dhe në Amerikë, atje ka shumë të papunë dhe gjithashtu vende pune të lira, sepse është mungesa e aftësive. Pra ka njerëz që po kërkojnë punë, por nuk kanë aftësitë për t’u përballur me punët e së ardhmes apo të së sotmes. Pra sfida e sektorit privat dhe qeverisë është se si ta ndërtojnë atë urë, si mund t’i trajnojnë njerëzit që t’i fitojnë ato aftësi, të bëjnë punët e së ardhmes dhe të sotmes, sepse ato nuk janë punët e së shkuarës. Kjo është një pyetje e vështirë për Shqipërinë por dhe kudo. Mund ta shohësh në shtypin e Amerikës, që është e njëjta pyetje që njerëzit janë duke u ndeshur gjatë gjithë kohës. Ka diçka që mund të bëhet menjëherë që është si mund t’i marrësh njerëzit, t’i trajnosh apo të sjellësh bizneset në vende ku mund t’i punësojnë ato dhe duhet ta mendosh këtë problem në të ardhmen. Pra çfarë aftësish duhet t’u mësoj fëmijëve sot që ato të jenë të përgatitur për punët në të ardhmen. Një nga arsyet që unë mendoj se projekti që ne do të zhvillojmë te piramida është kaq interesant është sepse në një lloj mënyre ti mund të gjykosh suksesin e Shqipërisë në të ardhmen duke parë fëmijët e saj sot. Nëse mundemi t’u japim fëmijëve këto aftësi, Shqipëria do të ketë një të ardhme shumë të mirë. Dhe nëse jo, atëherë Shqipëria do të vuajë e do të luftojë derisa ta arrijë. Kjo është e vërtetë këtu, dhe ne shumë vende te tjera, përfshirë Amerikën.

Zëri i Amerikës: Ndërkohë njerëzit kanë nevoja për punë dhe pagesa të ngutshme. A janë pagesat më të larta një rrugë për të ndryshuar gjendjen?

Michael Granoff: Në përgjithësi, ne duhet të mendojmë për zgjidhje afatgjata të problemeve. Një shprehje e vjetër thotë që nëse ti i jep nje burri një peshk ai e ha për një ditë, por nëse i mëson të peshkojë, ai mund të sigurojë ushqim për gjithë jetën. Zgjidhjet afatshkrurta si për shembull “qeveria të paguajë njerëzit”, bëjnë që asaj do t’i mbarojnë paratë shumë shpejt. Ka përgjegjësi nga sektori privat, sepse ka nevojë për njerëz të kualifikuar dhe duhet të bashkëpunojë me qeverinë në partnershipet publike private për të krijuar mundësi punësimi për njerëzit. Kjo është një përgjigje afaktshkurtër, sepse biznesi ka interes, ka nevojë për njerëz të kualifikuar dhe qeveria mund të gjejë punë. Këto gjëra kanë potencial të mirë për të kontribuar pozitivisht, jo për të zgjidhur problemin, sepse këto probleme janë të vështira për t’u zgjidhur. Suksesi afatgjatë vjen ndryshe nga fakti se sa të vendosësh që të bësh pagesa. Për të qenë të qartë, ajo është ndryshe nga çfarë ne quajmë në aglisht “the social safety net”. Ne krijojmë një rrjet të sigurtë social, si shoqëri bëjmë të mundur që njerëzit të mos vuajnë nga uria apo që njerëzit të kenë një lloj niveli të kujdes shëndetësor. Kur vjen puna tek mirëqenia, a ka qeveria një obligim për të siguruar që qytetarët e tjerë mos të vuajnë në këtë mënyrë? Po. Por mirëqenia nuk është një zgjidhje e problemit ekonomik. Është vetëm një mbrojtje humane e shoqërisë. Ne të gjithë duhet të sigurojmë një rrjet të sigurisë, si në Amerikë dhe në Shqipëri. Por a është kjo një arsye për të krijuar mundësi ekonomike për të ecur përpara? Jo unë mendoj se ne duhet të bëjmë më shumë se aq në këndvështrimafatgjatë.

Zëri i Amerikës: Zoti Granof, në fund të bisedës, cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë, si mund të marrin pjesë më shumë në ekonominë dhe demokracinë e vendit dhe të mos largohen

Michael Granoff: Pyetja juaj është një pyetje shumë e rëndësishme për Shqipërinë, Amerikën dhe në përgjithësi ne kemi dëshmuar që Mungesa e besimit tek institucionet, shkollat, tek qeveria, biznesi, tek sistemi i drejtësisë është një problem serioz, me të cilin ne përballemi si në Shqipëri edhe në Amerikë. Në disa mënyra mund të thuhet se situata në Shqipëri është e rëndë për shkak të emigracionit. Pra janë shumë shqiptarë të zgjuar dhe të aftë, të cilët kanë humbur shpresën tek mundësitë e këtushme dhe ata po “votojnë me këmbë”. Ata po votojnë për ta lënë vendin. Kjo nuk është një rrugë e qëndrueshme për Shqipërinë për t’u zhvilluar në të ardhmen. Shqipëria duhet t’i përgjigjet këtij problemi me vizion dhe mundësi për njerëzit, që të rinjtë dhe të aftët të mos vendosin të lënë vendin, por edhe ata që e kanë lënë vendin të vendosin për t’u kthyer sërish. Ndoshta nuk ka ndonjë sfidë më të madhe për Shqipërinë se sa kjo për ta përballuar, nëse mund ta bëjë këtë. Mendoj se përgjegjësia për ta bërë këtë qëndron te çdokush. Edhe fondacioni ynë ka një përgjegjësi dhe ne mendojmë për këtë gjatë përgatitjes së programeve. Universitetet kanë një përgjegjësi për t’u përballur me këtë, qeveria dhe biznesi gjithashtu. Ky është një problem shumë i rëndësishëm dhe çështja është se si të sigurojmë mundësi dhe shpresë për njerëzit që ndryshimi mund të vijë, që gjërat mund të lëvizin në një drejtim pozitiv dhe që ata duhet të qëndrojne dhe të ndërtojnë jetën dhe karrierën e tyre këtu, në një mënyrë pozitive për ta dhe fëmijët e tyre. Në një farë mënyre ajo do të jetë në fund të fundit një test për të gjithë ne; është një sfidë e rëndësishme; mendoj se është një lente që të gjithë ne duhet të shohim përtej saj se çfarë po bëjmë, kur mendojmë se çfarë fondacioni mund të bëjë, qeveria duhet të shikojë përmes kësaj lente. E kam biseduar këtë me drejtues biznesesh këtu me kryeministrin dhe me ministritë, me të cilat ne kemi të bëjmë, me opozitën. dhe mendoj se Për të patur nëse do të ketë një ndryshim, njerëzit duhet të bashkohen në një vizion dhe të rinjtë ta shohin atë si mundësi për ndryshim dhe bazuar tek kjo, të marrin vendimet e jetës.

Filed Under: Politike Tagged With: duhet bashkepunim, Michael Granoff, njerzit po ikin

Dava’ jevgjiti”…

May 19, 2018 by dgreca

Dava’ jevgjiti”…../

*…Po ta donte Evropen vendi im do ta kishte zbythur menjëherë ministrin e brendshëm, jo për implikimin e vëllait në aferat dhe trafikun e drogës, por thjesht për këtë ngjarjen e Korçës, ku humbi jetën në qelitë e para burgimit një i ri njëzetëeshtatëvjeçar./

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/

1) Nëse vendi im do kishte ndjeshmërinë e duhur, për të qënë pjesë e Europës… do ta kishte zbythur menjëherë ministrin e brendshëm, jo për implikimin e vëllait në aferat dhe trafikun e drogës, por thjesht për këtë ngjarjen e Korçës, ku humbi jetën në qelitë e para burgimit një i ri njëzetëeshtatëvjeçar. Po vendi im, vendi ynë, ne…, nuk e duam Europën. Nuk duam as veten. Nuk dimë se çfarë duam. Ndaj statistikat kanë të drejtë të parashikojnë se në dhjetëvjeçarët e ardhshëm do të jemi më pak se një milion banorë. Ku sigurisht më të suksesshimit, me pjellorët etj, do jenë baronët e studiove televizive, me kulturën dhe fjalorin e tyre të çmuar të gjirizeve të derrave etj.

2) Duhet të ketë qënë pranvera e vitit 2014 kur një i ri shqiptar humb jetën në një nga burgjet e Greqisë. Për shkak të torturave nga gardianët. E më pas ndodhi dhe skandali që trupi i tij, i njohur me emrin Ilia Kareli erdhi në Shqipëri, por i mungonte zemra. Ne u indinjuam të gjithë. Pati një reagim total aq sa me të vërtetë zelli i shqiptarit kish një nerv europiani të kulluar. Pati një reagim të fortë edhe nga shoqëria civile greke, shtypi etj. Aq sa ngjarja e shëmtuar solli edhe një varg shkarkimesh nga administrata deri në ndjekje penale. Pra, në Greqi vepruan ose lëvizën vendit vet grekërit për shqiptarët. Kurse në Shqipëri, nuk ndodh asgjë, asgjë…, pasi studiot, përgjegjësia civile, dikasteret, qeveriu të tërë, notojnë në vulgaritetin e tyre, një paradigmë sociale, e lagu apo nuk e lagu. Në fund të fundit, një jevgjit vdiq. Na shkon për sojin racist që kemi. Dhe kaq. Shëndeti i Edi Ramës.

3) Shoqëria jonë në kohën e diktaturës ishte tmerrësisht e ndjeshme. Të çonte e të internonte me çfarë kishe e ku i kishe. Mjaft që çuni i xhajës të kish shprehur simpati ta zëmë për Italinë. Mjaft që kushëriri i katërmbëdhjetë të kish tentuar të kalonte kufirin. Se ne ta lëronim nënën me prag shtëpie. Pastaj të sillnim llanxhat tek porta dhe të degdisnim në Gjazë dhe Bedat pa pyetur shumë e pa verifikuar asgjë. Sikur gjithë jetën tënde të kishe qënë i zemëruar me çunin e xhajës, faji ishte pse e kishe gjak dhe pikë. Sot km i vendit i thotë një gazetareje që pyet pronarin për vëllain e tij. I thotë shoqërisë, që, nuk japim më ushqim për ujqit e çakenjtë. Pagova diku dhe më thanë që është manipulim. Nuk e di se si mund të presësh reforma nga nje shtetar, i cili bën drejtësi me porosi dhe është vet ai i pari, që vret me duart e tia institucionet, ato të cilat kanë humbur përfundimisht besimin shqiptarët. Po kjo është Shqipëria jonë, vendi i paradoksit dhe memories që ndizet e fiket me një gotë uji.

4) Qershori është muaji ku shqiptarët presin lajmin e madh, hapjen e negociatave. Të jeni të bindur katëricëpirisht, se po u dha kjo mundësi, nuk është arritje qeveritare. Por ajo që bota po plotëson vendimemarrjen e saj në lidhje me Shqipërinë dhe rajonin. Po të ishin reformat, vetingu, etj. Shumë shpejt Shqipëria do rezultojë, a rezultonte, një vend jo vetëm pa drejtësi, siç është rasti me gjykatën kushtetuese që nuk ka tagrin e vendimmarrjes, për mungesë numrash, nga vetingu, por edhe pa qeveri, pa opozitë, pa elementin e studiove. Dhe ky do të ishte një nga pastrimet më të mëdha, pasi shumë syresh janë një kontigjen i tërë i informalitetit, megjithatë kanë vila, makina të shtrenjta, që sigurisht paga dhe honorarët e studiove nuk do u dilnin as për një apartament një dhomë e guzhinë. Dhe ajo më regresivja, të drejtën morale për të kanalizuar gjithçka vitale në jetën e një shoqërie. Të lumtur që darkë më darkë po shkatërrojnë me qejf e me dëshirë.

5) Me kushtet që ndodhet vendi…, opozita sot ka arritur në një përfundim. Daljen në rrugë për largimin nga detyra të ministrit të brendshëm. Në fakt duhej të ndodhte nga përgjegjësia civile e individit, siç ndodh rëndom në një vend perëndimor. Nuk ndodh asesi në Shqipërinë tonë. Në këto vite opozitarizmi janë një sërë emrash dhe aktivitetesh të paligjshme…, që për shkak të denoncimit opozitar rezultuan të vërteta. Si rasti i ish ministrit Beqja, deputetit Kokëdhima, bashkiakut të Kavajës, deputetit të Lezhës dhe Pukës. Ndaj është e pa pranueshme për opozitën. Apo për një opozitë të vërtetë, vetëm kjo kërkesë. Sidomos pas humbjes së jetës në qelitë e para burgimit të një të riu, baba i tre fëmijëve. Një opozitë e vërtetë, nuk mjaftohet me kaq, por me rrëzimin e qeverisë. Kjo mund të ndodhi…, mjafton që ato mandate të zhubravitura e të përfoluara aq e aq shumë, t’i vërvisni masivisht dhe kaq. Dhe duhet ta bëni një orë e më parë nëse vërtetë e doni vendin tuaj. Kush opozitar mban akoma mandatin, nuk është i tillë, por pjesë e lojës së qeverisë.

6) M’u dhimbs e gjitha, theqafja jonë, suksesi drejt rrënimit…, pamja e atij funerali protestë nga Korça. Krejt i braktisur, aq më tepër kur studiot në masivitet i japin një vëmendje të tepruar partnerëve të luftës për pushtet. Por është pikërisht ky, treguesi i theqafjes së shoqërisë sime. Nga ana tjetër një rracizëm që akoma nuk është terur ndër ne. Dhe që e luftojmë me tërbim tek të tjerët. Kurrsesi tek vetja. Një funeral që kalonte syve të kafeneve, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Në fakt ai që përcillej ishte njeriu, me të gjitha gjëmat e tia. Kurse sehirxhinjtë, jevgjitët e vertetë të shoqërisë. Ose ata vet që e përdorin këtë poronom për të shtrydhur deri epshin e fundit. Regresi jonë.

Filed Under: Politike Tagged With: Dava' jevgjiti"..., Ilir Levonja

Kulla, Vdekja e Enver Hoxhës dhe Realitet butaforik i shoqërisë shqiptare

May 18, 2018 by dgreca

*Romani i Kullës “Vdekja e Enver Hoxhës”, -një shëmbull i bukur se si historia bëhet drith, për mokrat e krijimtarisë letrare/

*Vdekja e diktatorit i ka shërbyer Kullës si një prozhektor i fuqishëm për të ndricuar tërë shtresat e shoqërisë shqiptare të fundshekullit që kaloi: veteranë të devotshëm dhe anëtarë të Byrosë Politike, artistë, poetë, ushtarakë…/1 vdekja e Enver HoxhesNga Dalip Greca/*

Një dhuratë të hidhët i ka rezervuar shkrimtari Pëllumb Kulla diktatorit Enver Hoxha, në përvjetorin e 100 të lindjes, tetor 2008. Ndërkohë që e veja e Hoxhës rreket që të arrijë qëllimin e një rehabilitimi vlerësues historik, sic e proklamoi në intervistën e shumëpërfolur me Rudina Xhungën, Kulla sjell një realitet butaforik, ku parakalon shoqëria shqiptare, e shformuar, militante, e shtirur, dyfytyrëshe, që duket e shushatur nga vdekja e diktatorit dhe ku secili vrapon që të përlotet e të duket i pikëlluar. Kulla nën titullin “Vdekja e Enver Hoxhës – shumë romane në një”, na çon 23 vite të shkuara, kur diktatori sapo ka vdekur, por Shqipëria nuk është gati që ta gëlltisë lajmmortin dhe partia ende nuk e ka përgatitur opinion që ta përcjell me ligjërime vaji, ku tekstet i përgatit ajo vetë me militantët. Kulla nuk shan në roman, nuk mallkon, nuk përqesh, por ka arritur, që edhe pa këto, t’na japë një shoqëri kufomë, ku frika e mban në këmbë ngrehinën që ka ngritur partia-shtet dhe i pari i saj, që vajtohet. Pasi e lexon romanin krijon përshtypjen se shkrimtari Kulla nuk merret me karikaturizimin as të diktatorit as të ngrehinës së frikshme që ngriti ai brenda telave me gjemba të 28 mijë kilometrave katrore, ku e ndërtoi Mbretërinë e tij gjysëm shekullore. Natyrisht Kulla nuk zë në gojë as mbret as mbretëri, as diktaturë as diktator. Nuk është e nevojshme: diktatura jo vetëm nënkuptohet, por ajo është e pranishme kudo. Autori nuk shpenzon asnjë fjalë për analizën e mbretërimit enverist. Rrëfimi i tij nis në kufirin historik, kur mbreti sapo ka mbyllur sytë. Natyrshëm derdhet në roman imponimi i një pikëllimi të përgjithshëm, gati ushtarak në qendër dhe në provincë. Ashtu sic ndodhte me cdo direktivë të Partisë, ku nga qendra-kryeqyteti, vraponin kasnecët në provincë, po ashtu zbret dhe direktiva e shfaqjes së pikëllimit për udhëheqësin. Në roman tekstet e vajtimit dhe të dhimbjes zbresin nga Tirana nëpër rrethe ose e kundërta nga rrethet në qendër, ku bashkë me ata që do të vajtojnë kanë ardhë edhe ata që thurin vargjet e vajit. Për këtë qëllim mobilizohen poetët e Realizmit Socialist, të cilët prodhojnë vargje, fraza të ngarkuar me dhimbje, që ua vënë në gojë të përzgjedhurve, që natyrisht janë edhe ata me biografi të skanuar mirë e mirë. Për të shmangur keqkuptimet, autori na ndihmon me nje shënim të shkurtër, që në hyrje të librit: “Ky libër tregon për Shqipërinë, por nuk është histori. Është një sprovë mbi një nga temat e saj qëndrore, morale. Kam përdorur vetëm dy emra të vërtetë: atë të sovranit dhe të gruas së tij. Emrave të sundimtarëve nuk ke se si t’u shmangesh. Është një lloj haraçi që ata u paguajnë krijuesve, kur rrinë aq gjatë në krye të vendit. Për vërtetësinë e ngjarjeve unë ve dorën në zjarr dhe ndryshe nga të tjerët, unë e ve edhe sikur ai të jetë i ndezur! Vetëm titulli i librit mund të shkaktojë diskutime. Sepse ka gjithnjë e më shumë zëra, që thonë se Enver Hoxha nuk ka vdekur ende”. Megjithatë Kulla na e sqaron njëherë e mirë se Enveri vdiq, por udhëheqja e lartë ka vendosur që ta mbajë sekret derisa të rivendosë sigurinë e plotë të vazhdimësisë dhe deri sa Shqipëria të bëhet gati që ta përcjellë atë me madhështi e pikellim. Romani nis me përgatitjet që bëhen në shtëpinë e grimjerit, që pret të shoqen, që të festojnë së bashku me djalin, përvjetorin e martesës. Grimjeri krejt papritur, e le festën në familjen e tij dhe rrëmbehet për një shërbim të pazakontë: zbukurimin për publik të fytyrës së udhëheqësit të vdekur. Mjeshtrin e makiazhit vijnë dhe e marrin njerëz të panjohur, që u heq udhën drejtori i Kinostudios, ku ai punon. Askush nuk di gjë për vdekjen e madhe deri në atë çast. Madje në sheshin e Universitetit vazhdojnë të bëhen prova për koncertin me këngë e valle, ku flitet që do të marrë pjesë edhe vetë …Enver Hoxha! Valltarë e këngëtarë janë në errësirë të plotë për gjëmën. Makina me xhama të zinj që sjell grimierin te shtrati i të vdekurit të madh, kalon mes sheshit, teksa nga jashtë hyn zëri i këngëtares: “Kush më merr mua/Merr yll, jo grua…” Duket se asgjë nuk ka ndodhur, jeta vazhdon, por sapo grimjeri ka hyrë aty ku mbahet kufoma, njeriu të cilit i është besuar sekreti, jep njoftimin e mortit: “Duhet të ta themi dhe ty një lajm të hidhur, që pak e dinë: Enver Hoxha nuk është më! U nda nga ne! Komandanti na la! Mua m’u mor fryma. Sikur m’u shemb tavani përsipër. – Komand… Koman… – përsërisja unë i mekur. – Po, po – tha Teloja. – Gjëmë e madhe u gremis mbi atdhe. U nda nga gjiri ynë. Ja, siç e pe, atje, nën çarçaf! Unë kisha ngrirë i tëri. – Këtë gjë e di vetëm familja. E dinë anëtarët e Byrosë Politike. Dhe ata, jo të gjithë. Vetëm Sekretariati. E kupton? Askush tjetër. – Mjekët! – më shpëtoi mua. – Më të besuarit – plotësoi ai. – Kirurgu që bëri zbrazjen e trupit nuk e di se cili është i vdekuri. Ai nuk e di se kujt ia hoqi të brendshmet. Ne i hapëm dhe i shfaqëm atij vetëm pjesën që i duhej për punë. Ty po ta themi të fshehtën, se na duhesh. Atdheu përgatitet. Lajmi nuk është i lehtë. Armiqtë e brendshëm dhe ata të jashtmit duhet ta marrin këtë lajm atëherë, kur gjithçka të jetë bërë gati, që jeta e vëndit dhe fatet e popullit të mos kenë asnjë rrezik edhe pa shokun Enver. E kupton tani, se çfarë lloj të fshehte të kemi besuar ty?”… Romani rrjedh lirshëm, rrëfimi është i natyrshëm, dramatik, dialogu dinamik dhe ngjarjet rrokullisen marramendshëm. Gjithandej bëhen përgatitje, tamam si në një shfaqje për të cilën punojnë skenaristë, regjisorë. Partia në provincë, ashtu si edhe në qendër, teston se si do ta presin vdekjen e të madhit. Secili nga ata që pyeten e quan provokim testimin dhe betohet se për të Madhin nuk ka vdekje kurrë. Madje të gjithë ata që dalin nga takimi me sekretarin e parë të Partisë shkojnë dhe e denoncojnë atë në Degën e Punëve të Brendshme. Skenat e krijuara janë thurur mjeshtrisht në funksion të idesë të zbërthimit të butaforisë kolektive të udhëhequr nga partia, asaj të paradës së pikëlluar, që i parapriu dhe e shoqëroi vdekjen e liderit komunist. Kulla operon bukur me detajin: Në provat gjenerale për vdekjen e mundshme të udhëheqësit, Komiteti i Partisë ka dërguar në Shtëpinë e Pushimit mjetin që të marrë poetin, që do të krijojë vargjet elegjiake që populli ia thur udhëheqësit të madh. Poeti ndodhet me pushime së bashku me të shoqen. Autori i elegjisë është figurë e realizuar artistikisht.Atë e ndeshim edhe në kapitujt më pas, ku poetët e rretheve janë thirrur që të furnizojnë me fraza pikëllimi e qëndrese bashkëkrahinarët e tyre. Vargjet e gatshme, që thurin muzat e vjershëtorëve, plotësojnë dekorin e vdekjes dhe ushqejnë turmën me pikëllimimin e nevojshem. *** Direktiva për thirrjen e grumbullimin poetëve lokalë ka ardhur nga Komiteti Qendror. Komitetet e Partisë në rrethe shpallin mobilizimin e tyre të përgjithshëm. Grimjeri bëhet dëshmitar i ngjarjeve që zhvillohen lart, tek shtëpia e zotave, nga dalin edhe udhëzimet se sa pikëllim do të shfaqin fytyrat e anëtarërve të Byrosë Politike. Grimjeri do të vizatojë e pikturojë faqet e tyre, aq sa pikëllimi të duket i besueshëm sipas shkallëve dhe posteve që mbajnë. Nga ana tjetër, udhëzimet përmbajnë edhe detaje të tilla, si kush do të qajë i pari, kujt do t’i bjerë të fikët, kush do të qëndrojë më gjatë para arkivolit. Vdekja që përgatitet të shpallet është në dorën e një super-regjisori, që natyrisht, publiku mund ta ndjejë, por nuk do ta shohë. Të tërë ata që e dinë të vërtetën u duhet ta mbajnë sekret. Edhe grimeri nuk duhet t’ia tregojë as të shoqes kur kthehet në shtëpi, por e ka të vështirë ta ruajë të fshehtën. Ndërkohë, në ndihmë të fshehtësisë, televizori përcjell kronikën e po asaj mbrëmje, në të cilën Enver Hoxha sapo ka pritur një delegacion nga Brazili. Edhe vetë grimjeri habitet: ”Nuk po e kuptoja isha në ëndërr tani, apo kisha qenë në ëndërr tërë ato orë që kalova pranë të vdekurit. Enver Hoxha dukej i hequr, fytyra e tij shfaqej mjaft e tretur, megjithëse jo aq sa ishte para një ore, kur unë e prekja me gishta duke bërë plane të merresha me të. Ishte një efekt i çuditshëm, si një shaka e egër. Dukej sikur ai pat pritur sa të zhdukesha unë nga porta e sallës së nëndheshme, pat palosur çarçafin e në majë të gishtave kish nxituar të përgatiste pritjen e brazilianit. Një ndjenjë e çuditshme, kjo. Isha si i çakërdisur nga ajo që po shihja”… Situata të tilla e bëjnë tërheqës romanin. Më pas mësojmë se ata që po organizojnë skenën e madhe të homazheve, shohin në video ceremoninë e varrimit të Josif Stalinit, dhe e marrin andej përvojën për përcjelljen e nxënsit të tij besnik. Skenari tirret me vizitën në ekspozitë, ku i pari i partisë zëvendësohet nga sozia, dublanti, i tij. Sozia do të asistojë dhe në koncertin e të rinjve, ku do të duket pak si i sëmurë. Plani është që të ikë para se të mbarojë shfaqja, dhe të nesërmen të jepet lajmi zyrtar se ndërroi jetë. Grimjeri merret gjatë edhe me fytyrën e atij që po zëvendëson në detyrat e mbrame liderin e vdekur. “Në mes të programit, shoqja Nexhmije e thirri edhe një herë Telon. Këtë radhë dukej se ishte diçka serioze, që nuk kish të bënte … Ajo i shprehu njeriut me mustaqe të hijshme një shqetësim. Ne e pamë se si, ai, i alarmuar, foli me dikë në radio. Disa trupruajtës erdhën me një frymë, e rrethuan udhëheqësin (lexo: dublantin) dhe e morën atë për krahësh, duke i bërë me shënjë veturës kryesore të afrohej deri afër tribunës. Gruaja u ngjit me të shoqin në veturë, ndërsa kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor i u drejtua zyrtarëve të lartë, që qenë ngritur në këmbë të shqetësuar. Ai i bëri ata me dije, se nuk ish gjë për t’u alarmuar dhe i siguroi se shoku Enver do ta merrte veten menjëherë. Ata nuk kishin shkak të krijonin panik të panevojshëm e të turbullonin me rrjedha të pakëndëshme atë koncert të bukur rinor. Bile ata duhet të vazhdonin të vallëzonin tok me artistët. Këtë porosi pat lënë dhe shoku Enver, ndërsa ish duke hipur në veturën e tij….” Në kapitullin e dytë me titull “Vargje për gra që dinë të vajtojnë”, përcillet për lexuesit atmosferën se si u punua në rrethe për të përgatitur masën që të vajtonte udhëheqësin. Përgatitja, që u bën Sekretari i parë i rrethit atyre që do të mbajnë peshën e inskenimit dhe zbatimit të pikëllimit të turmës, ku është thirrur edhe poeti, është nga pjesët më të bukura të librit. Përmes dialogut, ai përcjell thelbin e militantizmit. Kur sekretari pyet se si do të pritej vdekja e udhëheqësit, ata reagojnë: – Vetëm ai nuk vdes! – ia ktheu Namiku me zë shpelle. – Nuk ka vdekje për Enver Hoxhën, shoku Aziz! – kish menduar një përgjigje edhe poeti, Moisi Dhëmblani. – Për ne, po. Për të, jo! Sekretari i Parë pa të dytin. I dyti qeshi dhe ia mori fjalën. – Hë, mo, lerini folklorizmat, tani! – Ligoraqi i ftoi të qetësoheshin. – Le që ju të tërë të zanatit të folklorit jeni. Mirë e ka pyetjen shoku Aziz. Ja, i mbylli sytë! Me folklore do të mburremi?! Të papërgatitur do të na zerë gjëma?! Kurrë mos vdektë, me ju jam dhe unë! Po ja, ta zemë, vdiq?! Poeti, rebelohet, dhe betohet: “E thyej penën dhe nuk shkruaj për vdekjen e Udhëheqësit!” – thotë. Është po ai, që më pas do të krijojë elegjinë: Si t’i ngrë ligjet e tua,/nga t’i nisim ligjërimet?!/ “’të janë hapur kështu duart/sa s’t’i mbajnë më dot gjëmimet/o baba e o biro! Oi, oi! Ai që si unë, merr përsipër të rrëfejë tërë shtjellën e ngjarjeve në libër, do të riskojë të zbulojë të papriturat e shumta që janë përgatitur për lexuesin dhe kurrsesi, nuk do të arrijë, në dy faqe, atë, që një autor i njohur për rrëfimin mjeshtëror, për pikturimin e karaktereve tërheqës dhe për stilin e tij të veçantë ka bërë përgjatë romanit të tij. Vdekjen e Enver Hoxhës ai nuk e ka keqpërdorur dhe nuk ka abuzuar me të, siç mund të mendojë çdokush sapo sheh mbi ballinën e librit emrin e një profesionisti të satirës dhe humorit. Vdekja e diktatorit i ka shërbyer Kullës si një prozhektor i fuqishëm për të ndricuar tërë shtresat e shoqërisë shqiptare të fundshekullit që kaloi: veteranë të devotshëm dhe anëtarë të Byrosë Politike, artistë, poetë, ushtarakë, të deklasuar dhe martirë të ndryrë burgjeve. Kolonat e gjata të vajtonjsve të ndërtuara nga organizatat e masave gjarpërojnë nga viset më të largëta drejt kryeqytetit për t’i lënë lamtumirën udhëheqësit. Përcjellja për varreza është dhënë në libër si një rit religjoz: “Atë ditë në orën njëmbëdhjetë, ranë për pesë minuta në gjunjë dhe në heshtje gjithë shqiptarët, jo vetëm në Tiranë e jo vetëm në sheshin Skëndërbej, por kudo ku i zuri ajo orë: në fabrika, në rrugë, në ara, në klasa shkollash, në vagonët e trenave, në stallat e bagëtive, në radhët ushqimore, në qelitë e burgjeve. Lajmet televizive i treguan gjerësisht këto pamje në orët e mbrëmjes”. Me këtë vepër Pëllumb Kulla shënon një rritje të mëtejshme në krijimtarinë e tij dhe jep një shëmbull të bukur se si historia bëhet drith, për mokrat e krijimtarisë letrare. Libri është realizuar nga Shtëpia Botuese Arbëria. Redaktor është Roland Gjoza ndërsa ballina mban emrin e piktorit të njohur Maks Velo. …
*E risjellim në Dielli online për shkak të aktualitetit, folklorizmit dhe butaforizmit të shoqërisë shqiptare e cila luftën kundër komunizmit, diktatorit e bën me fushata, sa herë i duhet politikës aktuale për të larguar vëmendjen nga  realiteti i sotëm….Marre prej Gazeta 55 Online-11-10-2008 /

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, pellumb Kulla, Vdekja e Enver Hoxhes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 480
  • 481
  • 482
  • 483
  • 484
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT