• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PA BASHKIM RRETH SKENDËRBEUT NUK KA GJALLËRIM TË KOMBIT SHQIPTAR

April 30, 2018 by dgreca

1 Skenderbeu

Në Kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skendërbe/

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Ky vit është shpallur viti i Gjergj Kastriotit — Skendërbe për të shënuar 550-vjetorin e vdekjes Heroit Kombëtar të Shqiptarëve.  Në fillim të këtij viti kam botuar një shkrim për të sjellur në kujtesë se si diaspora shqiptare kishte shënuar — 50-vjetë më parë jashtë Atdheut — 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, një përvjetor ky i cili në vitin 1968 pat mbledhur në Romë dhe në Vatikan, shqiptarë pa dallim feje e krahine. Nga mbarë diaspora shqiptare e atëhershme, u bashkuan në frymën më kastriotiane për të kujtuar Heroin tonë, Kryetrimin e Kombit dhe të veprimtarisë së tij epike –Gjergj Kastriotin-Skenderbe.

Me atë rast, në Romë kishin shkuar edhe një grup i madh, përfaqësuesish të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Federata Pan-shqiptare Vatra, të udhëhequr nga Peter Chicos dhe Anthony Athanas.  Ishin këto takime 3-4 ditëshe në Romë dhe në Vatikan, ku mërgimtarët e ri shqiptarë të arratisur nga murtaja e komunizmit e shekullit 20, u bashkuan me arbëreshët e Italisë të cilët ishin detyruar gjithashtu të largoheshin nga trojet e tyre prej otomanëve, pesë shekuj më parë.  U bashkuan të gjithë në Romë dhe në Vatikan për një takim vëllazërimi, rreth Heroit Kombëtar, pa dallim feje e krahine — ashtu si ishte dikur dhe si duhet të jetë edhe sot — të bashkuar – pikërisht ashtu siç i do shqiptarët Gjergj Kastrioti – Skenderbe.

Në vitin 1968 edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qenë organizuar ceremoni me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve në shenjë respekti për Gjergj Kastriotin – Skenderbe, por edhe në shenjë bashkimi midis shqiptarëve.  Një ndër këto përkujtime ishte organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork, “Zoja e Këshillit të Mirë” që në atë kohë drejtohej nga i Përndershmi Monsinjor Zef Oroshi.  Revista e asaj kishe, “Jeta Katolike Shqiptare” e Vitit III, Nr. 4 (12) Tetor-Dhetor -1968) e cila vazhdon të botohet edhe sot pas më shumë se 50-vjetësh, ka shënuar hollësi mbi ceremonitë me atë rast si dhe fjalimin kryesor të Monsinjor Zef Oroshit në 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skenderbe, fjalim i cili, për nga mesazhet që mbartë, është aktual edhe sot 50-vjetë më vonë — mesazhe për bashkimin e shqiptarëve – si trashëgimia kryesore e Heroit Kombëtar, lënë pasardhësve të tij.  Monsinjor Oroshi ka mbajtur fjalimin kushtuar Gjergj Kastritotit në meshën perkujtimore të 500-vjetorit të vdekjes së Skendërbut, fjalim i cili ishte botuar gjithashtu në revistën “Jeta Katolike Shqiptare”.Duke iu drejtuar popullit, pjesëmarrësve dhe përfaqsuesve të Komitetit Shqipëria e Lirë dhe udhëheqësve të tjerë politikë të diasporës së asaj kohe që ishin të pranishëm në një shfaqje bashkimi megjithë dallimet e tyre politike, në “Kishën Zoja e Këshillit të Mirë”, Monsinjor Zef Oroshi ka thënë se lufta e Gjergj Kastriotit – Skenderbe, këtij strategu të madh që habiti botën e atëhershme me fitoret e tij kundër fuqisë më të madhe ushtarake të kohës, ka hyrë në analet e historisë botërore, luftëra të cilat janë përshkruar dhe stolisur në mbi 400 vepra historike dhe artistike.  Kleriku i lartë shqiptar ka thënë se në shumë prej këtyre veprave historike, Heroi Kombëtar i Shqiptarëve, me të drejtë është krahasuar me figura ushtarake historike të botës, siç janë Hanibali i Kartagenës, Jul Cezari i Romës dhe Napoleon Bonaparti i Francës, por me një ndryshim të konsiderueshëm, sipas Monsinjor Oroshit.  Gjergj Kastrioti Skenderbeu – luftoi për mbrojtjen dhe bashkimin e Atdheut të vet, ndërsa këta tjerët shkelën dhe pushtuan vende e popuj, shpesh për interesa personale dhe për t’i bërë nam vedit.

Mësimi që na duhet të nxjerrim nga jeta dhe karakteri i tíj i palodhëshëm, ka thënë në fjalimin e tij përkujtimor me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, Monsinjor Oroshi, është merita e aftësisë së Gjergj Kastriotit – Skenderbe për të bashkuar shqiptarët e asaj kohe — përballë sfidave me të cilat përballeshin shqiptarët — megjithë tradhëtitë që luheshin kundër tij, madje edhe nga bashkpuntorët e tij më të ngushtë.

1 Oroshi

Dr. Zef Oroshi

Por megjithë problemet me të cilat përballej Skendërbeu, Monsinjor Zef Oroshi ka theksuar se Prijësi i Kombit Shqiptar, “Dijti me qenë i durueshëm me parí që ia merzitëshin shpiritin tue kërkue të drejta e privilegje të pameritueme.  Skendërbeu e kuptoi se pa nji bashkim nuk kishte shpëtim për Shqipní.  Me virtytet e burrënisë e të fés që shkelqejshin në fytyrën e dênjë, dilte pa pritesë në log të kuvendit, si me parí si me vegjëli, secilit tue i ndigjue hallet, e secilin tue e ndezë n’atdhedashuni, secilit tue i naltue flijimet e trimnínë për Atdhe, gati me u flijue ai vetë i pari.  Në këtë mënyrë ai ia doli me bashkue e shkri në nji parí, vegjëlinë e të gjitha krahinave të Shqipënisë”.

Në vazhdim e sipër, ai është shprehur se, “Madhënia e karakterit dhe e vetmohimit të Gjergj Kastriotit, si prijës ushtarak, si diplomat i përkryer dhe si personalitet që përvetësonte filozofinë themelore të burrit Shqiptàr të Malevet, mbështetun në trimní të papërkulshme, besë të pathyeshme deri në vdekje dhe për fisnikí e zemërgjanësí të pa kufî për popullin që udhëhiqte…Nen binomin fé e Atdhé, Skendërbeu brumosi Popullin Shqiptar që të përballonte ato lufta aq të tmerrëshme e aq të gjata.  Ishte koha e luftave fetare atëherë. Vetë Sulltanët, jo vetem që luftuen per fé, në mos tjetër ashtu e mobilizojshin popullin, por edhe me shpatë e me zjarm imponojshin fénë e tyne”, është shprehur Dr. Zef Oroshi.

Disa kritikëve të sotëm që pretendojnë se gjoja Gjergj Kastrioti-Skenderbeu luftoi për fe dhe jo për Atdhe, Monsinjor Oroshi do u përgjigjej se, “Asgjamangu, Skendërbeu fésë i dha vendin e vet e Atdheut e interesave të tij, vendin e vet.  Nuk ka nji dokument ma të voglin ku Skendërbeu të ketë flijue interesat e Atdheut për interesat e fésë; përkundrazi ai e përdori fénë për t’i shërbye Atdheut, gjithsa mujti. Këtë na e difton fakti, që megjithse Venediku ishte shtet katolik dhe gjymsë aleati e shumë herë edhe aleat i Skendërbeut, kur zaptoi Danjen (Dêjen e sotshme), Skenderbegu i dërmoi venedikasit tue vrà në luftë të vjetit 1448, 2500 burra dhe tue xanë rob 1000 vendedikasë të tjerë, dhe do ta kishte çlirue Shkodrën nga pushtimi venedikas, po t’ishte puna që Turqit, në marrëveshje të mësheftë me Venedikun, mos të kishin fillue sulmin kundra Stefi Gradit në kufij të Shqipnisë e të Maqedonisë, kështu që Skendërbeu nuk mujti me e shfrytëzue fitoren ashtu si dëshronte pse qe kapë në mes dy zjarmeve”, është shprehur Dom Zef Oroshi  në fjalimin  e tij, me rastin e shënimit në Nju Jork të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, në vitin 1968.

Nji mësim tjetër me rëndësi të vlefshme për Shqiptarët edhe sot 550-vjetë pas vdekjes së Heroit Kombëtar, sipas Monsinjor Oroshit, është fakti se Skendërbeu, përballë kërcënimeve, përçarjeve dhe vështirësive të tjera me të cilat përballej toka arbërore në kohën e tij, ai e kishte të plotë dhe të theksuar në mendje dhe në zemër, ‘Idénë e nji Kombi’. Ai menjiherë mbledhë princat në Lezhë për besëlidhje të pergjithtë kundra anmikut të Kombit.”   Monsinjor Oroshi ka theksuar se, “Po ta kishin pasë udhëheqsit Shqiptarë para sysh këtë madhni t’idésë së (një Kombi)     që Skendërbeu zbatoi pesë shekuj mâ parë, ndryshe do t’ishin zhvillue ngjarjet e 1939-tës, ndryshe ato të vjeshtës së 1943 e ndryshe ato të nandorit të 1944, sidomos ngjarjet e vitit 1944 të cilat vetëm i krijoi injoranca mbi komunizmin ndërkombëtar, perçamja e korrupcioni dhe apatia mâ e shëmtueme (në radhët e shqiptarëve).  Mjerisht, të gjithë bartim në kurrizë konsekuencat tash nji të katërt të shekullit. Shumë me vend prandej e thonte Ciceroni, oratori i përmendun i Romës klasike, se historia âsht mësuesja e jetës. Kjo vlen për të gjithë popujt, kjo duhet të vlejë dhe për né Shqiptarët”, ka thënë Dr. Zef Oroshi në vitin 1968.

Në fjalimin e tij, Mons Oroshi, na sjellë nder mend një tjetër konsideratë historike, arsyen se pse shqiptarët brez pas brezi adhurojnë Heroin e tyre Kombëtar të gjitha kohërave, si asnjë tjetër hero të tyre.  “Na mburremi, e ndoshta me vend, që shumë Shqiptarë, qysh nga koha Ilire banë karrjera me famë botënore ndër oborre mbretnore të huaja — sikur afër 20 e sa Perandorë në tronin e Perandorisë Romane, ndër të cilët Diokleciani e Konstantini i Madh, tridhetë e sa Vezira, Ministra të mbrendshëm e të Jashtëm, Pashallarë e Gjenerala të Perandorisë Otomane, për mos të permendë Perandorinë Bizantine para sish, sikur Justiniani.  Por, kurrë njënit prej këytne njerëzëve të mëdhej nuk i rà ndërmend me prishë pozitën që kishte dhe me krijue nji Perandori Ilirjane në kohnat e vjetra, as mâ vonë me krijue nji Shqipnì të lirë e të madhe, tue ia dedikue jetën e tyne krejtë çeshtjes së popullit që i lindi, ashtu sikurse bâni Gjergj Kastrioti-Skendërbeu, deri në çastin kur vdekja e rrëmbeu tragjikisht nga zemra e Popullit të vet”, ka deklaruar Dr. Zef Oroshi.

Monsinjor Dr. Zef Oroshi ka përfunduar fjalimin e tij me rastin e shënimit në Nju Jork të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, në vitin 1968, duke thënë se këthimi i Gjergj Kastriotit-Skenderbe në tokën e Arbërit për ta çliruar nga pushtuesit otoman ishte, “Pa asnji dyshim arsyeja për të cilën Gjergj Kastrioti u bâ simboli i lumnísë dhe i bashkimit të Kombit, pesë shekuj mâ parë. Po ajo arsye âshtë edhe sot që e bân Skendërbeun njeriun universal në historí dhe në të njajtën kohë një fuqí morale qendërore t’ideologjive të përçàme të Kombit Shiptàr, mbrenda e jashtë Shqipnie.  Edhe sot, mbas pesë shekujsh nga vdekja e tí, (Gjergj Kastrioti-Skenderbe) âsht endé simbol i gjallë bashkimi mes nesh, i atíj bashkimi, pa të cilin s’ka gjallënim Kombi Shqiptàr”, është shpehur Monsinjor Dr. Zef Oroshi.

Në këtë vit të shpallur si Viti i Gjergj Kastriotit – Skenderbe – Kombi Shqiptar po përballet përsëri me sulme dhe me lakmitë e vjetra qindra vjeçare ndaj trojeve shqiptare prej armiqëve të tij shekullorë, të cilët — për llogari të interesave të huaja, kryesisht, sllavo-otomane — synojnë çkombatirizimin, me qëllim për të zhveshur brezat e rinjë të shqiptarëve nga identiteti dhe nga çdo veti e traditë kombëtare, nepërmjet shtrembërimeve historike, pohimeve dhe premtimeve fatzeza ekonomike dhe ideologjike të momentit.  Mbetet për tu pa nëse udhëheqsit e sotëm të shqiptarëve janë të aftë të parandalojnë këtë proces shkatërrues dhe të mos u nënshtrohen verbërisht interesave dhe përpjekjeve të tilla çkombëtarizuese nga të huajt, përballë kataklizmave të reja, të cilat siç duket, fatkeqsisht, për shqiptarët nuk po marrin fund kurrë. Problemet e shqiptarëve nuk mund dhe nuk duhet t’i zgjidhin të huajt.  Problemet me të cilat përballej Gjergj Kastrioti – Skenderbe, ai i zgjodhi me bashkim.  Bërja e shtetit sot, nuk kërkon asgjë më pak as më shumë se bashkim rreth “Idesë së një Kombi” dhe interesave të përbashkëta të tij.  550-vjetori i Gjergj Kastriotit- Skenderbe bën thirrje për t’u dhënë fund defekteve historike dhe hovit të influencave për llogari të huajve, me shpresë që më në fund, të fillojë një epokë e re për shqiptarët e lodhur, të ligështuar dhe të dërrmuar shpirtërisht gjatë gjithë historisë. Shpresojmë që jo vetëm në këtë 550-vjetor të vdekjes së Heroit Kombëtar, shqiptarët kudo dhe pa dallim, të jenë të bashkuar  rreth idesë si shtet dhe si Komb, ashtu si dikur me Gjergj Kastriotin-Skendërbeun, pa të cilin, nuk ka bashkim as gjallërim të Kombit Shqiptar — as sot — as në të ardhmen!

Filed Under: Politike Tagged With: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Bashkim Kombetar, Frank shkreli

SHQIPTARËT E AMERIKËS DHURUAN 100 MIJË DOLLARË PËR VETËM 24 ORË

April 30, 2018 by dgreca

NGA NIKO PAPA/

Ndonëse mes shqiptarëve të Amerikës nuk mungojnë grindjet dhe sherret, por kur bëhet fjalë për të ndihmuar shqiptarët në nevojë, Ne, si me magji bashkohemi si një trup i vetëm dhe sëbashku i dalim ballë problemeve dhe fatkeqësive.Me mijëra bashkëatdhetarë i’u bashkangjitën iniciativës personale të Elona Gjekaj për të grumbulluar të ardhura financiare për funeralin e vogëlushit 12 vjeçar Elios Xhemollari, i cili gjeti vdekjen e menjëherëshme pas një aksidenti automobilistik. Djaloshi shqiptar sëbashku me familjen e tij kishin vetëm 5 ditë që kishin ardhur në Amerikë për një jetë të re, gjë që u kthye në një tragjedi për familjen fatkeqe.

Dhimbja e familjes është jashtëzakonisht e madhe , por dhimbjes i’u bashkuan njëzëri shqiptarët e SHBA që të paktën ngushëllojnë me gjestin e tyre human. Një shifër e konsiderueshme të hollash prej afro 100 mijë dollarë u grumbulluan për vetëm 24 orë, shifër kjo që është në rritje dhe që do të shërbejë për të mbuluar totalisht shpenzimet e funeralit të djaloshit shqiptar.
Komuniteti shqiptar në Amerikë tregoi edhe një herë vlerat që ne kemi si komb dhe konfirmoi shprehjen që ne mbartim nga para ardhësit tanë “Në rrezik e në nevojë, njëritjetrin ta ndihmojmë.Nëse doni edhe ju të ndihmoni familjen në fjalë, ju lutemi dhuroni diçka në linkun në vazhdim https://www.gofundme.com/5gi25z4

Me dhmbje shprehim keqardhjen dhe ngushëllimet tona për familjen Xhemollari dhe do i’u qëndrojmë në ndihmë me të gjitha forcat tona ekonomike dhe mediatike.shqiptaret, 100 mije dollare

Për Rinia Shqiptare:Niko Papa…

 

Filed Under: Politike Tagged With: Elios Xhemollari, Niko Papa

SOT- VATRA DO TË PROMOVOJË ME 28 PRILL ROMANIN E DINE DINES ”MBI VARKËN E KARONTIT”

April 23, 2018 by dgreca

  • I PRANISHE EDHE MINISTRI-KESHILLTAR NE AMBASADEN SHQIPTARE NE WASHINGTON, SHKRIMTARI VISAR ZHITI/
  • 1 Libri2-DEBAT MBI KRIMET E DIKTATURES KOMUNISTE NE SHQIPERI, MOSNDESHKIMI I FAJTOREVE SI DHE INFORMIMI I BREZIT TE RI NE SHBA ME KETO KRIME /

Vatra ju fton të Shtunën me 28 Prill 2018, në orën 11.00 am në promovimin e romanit “Mbi Varkën e Karontit” të autorit Dine Dine, ish i burgosur politik i diktaturës komuniste, anëtar i Këshillit të Vatrës që nga viti 1991.

Romani “Mbi Varkën e Karontit” përcjell një kalvar të dhimbshëm vuajtjesh,përmes të cilit, ka kaluar vetë autori. Në këtë roman Dine ka krijuar simbolikën e varkëtarit të famshëm që kalonte shpirtrat e të vdekurve nga njëri breg i lumit në tjetrin.

Këtë roman për vlerat që mbart dhe simbolikën që përcjell Vatra po e përkthen në gjuhën angleze për t’i mundësuar brezit të ri në SHBA njohjen me krimet e  diktaturës komuniste. Përkthimi ka përunduar dhe së shpejti do të botohet.

Ejani të Shtunën në Vatër për t’u bërë pjesë e diskutimit-promovues.

Adresa

VATRA

2437 Southern BLVD

BRONX, NY 10458

Filed Under: Politike Tagged With: “Mbi varkën e Karontit”, Dine Dine, Vatar promovon

Fushata për Fondin e Studentëve të Vatrës, në nderim të Agim Karagjozit, vazhdon

April 19, 2018 by dgreca

– Frank SHKRELI  $220.00, Nënkryetari i Vatrës z. Aggim Rexhaj $300.00, anëtari i Këshillit të Vatrës z. Ahmet Hoti $300.00, anëtari i këshillit të Vatrës Ramiz Mujaj $100., Nazo Veliu $ 100.

1 ok karagjozi agim2.IMGFushata për Fondine  Studentëve të Vatrës, e iniciuar nag Familja Karagjozi, ka vijuar edhe gjatë kësaj jave. Përvec dhuruesëve të mëparshëm kësaj jave kanë arritë në postën e Vatrës ceqet nga këta persona:

1- Nënkryetari i Vatrës z. Agim Rexhaj $300.00

2- Ahmet Hoti, anëtar i këshillit të Vatrës $300.00

3- Ramuz Mujaj, anëtar i Këshillit të Vatrës $100.00

Më parë kishin dhuruar: Zef Përndocaj, $200.00, Dr. Gjon Bucaj $ 200.00; Uka Gjonbalaj $ 100.00, Dalip Greca $100.00.

Shënim: Fushata mbetet e hapur. Kush ka mudnësi të kontribuojë sa të mundet. Kjo fushatë ka për moto nderimin e veprimtarisë 60 vjecare në Vatër ish kryetarit të saj për 2 dekada Ing. Agim Karagjozi dhe ndihmon fondin e studenteve te Vatres.

Cheku i paguhet Vatrës me shënimin:Fondi i Studnetëve/ Agim Karagjozi dhe dergohet ne adresen:

VATRA

2437 SOUTHERN BLVD

BRONX, NY 10458

Filed Under: Politike Tagged With: agim karagjozi, Fondi i studenteve, Fushata

TRAGJEDIA E “MENDJEVE TE MBYLLUNA”

April 18, 2018 by dgreca

1-Repishti-300x212

Shkruan: Sami Repishti , Ph.D.*/

Në kujtimet e tia, historiani i ndjerë Arben Puto, tregon se gjatë demonstratave studenteske të 8 dhetorit 1990, në nji vizitë tek e motra, Nefo Myftiu, bashkëshorte e kriminelit Manush Myftiu, -ish-kryetar i Komisionit për Internimet e familjarëve të personave të arratisun, kryesisht fëmijë, gra e pleq,- ajo e priti me britma histerike:”More Arben, ku të vemi tani? I kemi duart e lyera me gjak!”

Vëllau bani perpjekje me e qetësue, se nuk do të ngjante nji e keqe me ndryshimin e gjendjes. Dhe ashtu doli! Asnji pjesëtar, përsëris asnji, nga anëtarët e familjeve të ish-udhëheqësve komunistë në Shqipëri, nuk u arrestue, burgos, torturue, internue, dënue e natyrisht as pushkatue. As edhe familja e diktatorit E.Hoxha. Shembull qytetnimi të njimendtë, dhe unë, i persekutuemi, jam kryenalt!

Në Shqipëri, ky parim themelor i së drejtës civile,(vetëm “personi” që kryen krimin ashtë përgjegjës për krimin), nuk respektohej. Në vendin tonë, komunistët kishin zgjedhë “të drejtën zakonore” që konsideronte “anmik” të gjithë familjen, dhe fisin e “fajtorit”. Nji tjetër “udhëheqës”, mesjetari Haxhi Lleshi, edhe ai ish-kryetar i Komisionit për internimet, e përcaktonte: “internohen të gjithë ata që kanë ngranë në nji sofër me fajtorin”. Kështu veprohej në Shqipëri në fund të shekullit njizetë. E pabesueshme!

“Shembulli i qytetnimit të njimendtë” jepej mbas nji periudhe 45 vjeçare të diktaturës së proletariatit në vendin tonë: ma shumë se 7.000 shqiptarë, burra e gra, të pushkatuem me gjyq e pa gjyq, dhjetëra mijëra të burgosun e të torturuem, dhe ma shumë se 50.000 të internuem, kryesisht fëmijë, gra e pleq, mjaft prej tyne për nji periudhë 45 vjeçare! Nji bilanc i pabesueshëm për nji vend të vogël si Shqipëria e jonë. Shprehja e frikës së zonjës Nefo vjen nga nji personë që ka qenë plotësisht në dijeni të krimeve të bame në Shqipëri nga rregjimi komunist. Si bashkëshorte e kriminelit, ajo ka pa dhe ndigjue ma shumë se të tjerët. Ajo e dinte se nuk ka pasë lagje qyteti, as fshat të rretheve e malësive tona ku te mos kishte nji ose ma shumë të vramë, arrestuem, torturuem, burgosun, internuem ose te shpronësuem me dhunë, kur “partizanët” zbriten nga mali dhe u vendosën me terror në shtëpitë e “reaksionarëve”. Shprehja e zonjës Nefo ishte shprehja e frikës së përsëritjes së ngjarjeve të viteve 1944 dhe 1945. Për hir të frymës njerëzore që ushqejshin ish të persekutuemët, ajo katarofë nuk u përsërit. Nji fitore e madhe morale për shqiptarët!

Heshtja që i mbuloi këto krime, ka qenë nji fyemje kriminale, vrasje e dytë për viktimët, nji qendrim i pandershëm i “udhëheqësve” të vendit, pabesueshmënisht jo-koshientë të seriozitetit të katastrofës së pësueme, të plagëve të hapuna, të familjeve të sakatueme për jetë…. e për qindëra mijëra jetësh njerëzore të damtueme pa shpresë shërimi. Akoma sot, këto viktima të terrorit të kuq nuk besojnë atë që shohin e ndigjojnë rreth e rrotull tyne. Kur e paprituna kalon kufijtë e arsyes normale, bota hynë në fushën e absurdit, ku gjithçka ashtë e mundun.…edhe heshtja që vret e që mbulon krimin komunist. Ky ashtë absurdi që përballojmë sot në Shqipëri! e gjendjes së sotme në Shqipërinë tonë ai shkruen:

Në edicionin e ditës 11 prill, gazeta Panorama botoi opinionin  e nji mendje të ndritun, atë të Dom Gjergj Metës, i Ipeshkvisë së Mirditës. Tue trajtue “absurditetin”..

”Po! Ai sistem ishte kriminal, anti-shqiptar e anti-njerëzor. Nuk duan të dorëzohen qoftë ata që ishin protagonistë , në administratë apo në propagandë, e qoftë pasardhësit e tyne biologjikë e ideologjikë. Deri tani, një njeri kam hasur që ka qenë i qartë, i vendosur, fisnikërisht njeri me një sens përgjegjsie për t’u admiruar, e ky është Bashkim Shehu”. (Shenim: djali i kryekriminelit Mehmet Shehu-SR). Ai shton:

”Me vetëdije apo pa vetëdije, shohim nji përpjekje për krijimin e një nenstarti të ri, në të cilin idetë komuniste të vlerësohen përsëri e të kenë mundësi të ri-propozohen edhe politikisht”.

Nji gjykim i matun dhe korrekt i këtill më kujtoi esejen e filozofit françez Bernard Henry-Levy:“Të mbetun në kohën e errësinës”. Ai shkruen:

”Unë jam i bindun se me kolapsin e kështjellit komunist pothuej kudo në botë, në disa raste kemi pasë edhe efektin anësor e të papritun me shlye gjurmët e krimeve të tia, bile disa shenja të dukshëm të deshtimit tij, që kanë lejue disa persona me rifillue andrrimet për nji komunizëm të papërlyem, të pakomprometuem nga krimet, dhe të lumtun!”. Në anormalitetin e gjendjes sonë, a ka mundësi të përjetojmë nji paturpësi të këtill?

Fatkeqsisht po! Sidomos me polemikat e këtyne kohëve të fundit. Për shumë shqiptarë që mendojnë dhe për shumë shqiptarë që kanë vuejtë randë nga krimet komuniste kjo ashtë nji tragjedi. Por, njikohësisht, kjo ashtë nji tragjedi sidomos edhe për elementë me përgatitje intelektuale por “mendje-mbyllun” (“close-minded”) që, tue mohue të kaluemen terroriste, “ri-andrrojnë” nji komunizëm të pafaj dhe të lumtun. Dhe ky fenomen ashtë shqetësues, me tone tragjike personale dhe kombëtare që rrjedh nga “pika e dobët” në formimin e andrruesve, shkaktare e tragjedisë së tyne të paevitueshme.

Tragjedia, shprehjet e saja, u çƒaqen që në ditët e para të qytetnimit, Teorikisht, Aristoteli na mëson se ajo provokon terrorin dhe mëshirën. Mëshira lindë nga fatkeqsia e pameritueme e viktimës. Dinjiteti i viktimës rritet nga fisnikëria e kauzës që ai mbron me rrezikun e jetës, qoftë ai  qytetar i thjeshtë, qoftë si masë popullore që ngren kokën.

Fisnikëria e kauzës na shërben si mësim i historisë, si nji shembull moraliteti suprem, si nji shpalosje e psikologjisë sonë që na udhëheq, dhe si fortësi e karakterit me ndjekë pa u lëkund imperativët e kauzës. Nji fisnikëri të këtill e kemi përjetue gjatë ditëve të pushtimit të huej, në vitet e Luftës së Dytë Botënore, në vitet kur rezistenca naltësonte shpirtin tonë të luftës për çlirim, në luftën kundër të huejit dhe kundër shnjerëzimit që kërcënonte personalitetet tona. Kështu u krijue nji përkrahje e plotë e luftës çlirimtare nga zgjedha e të huejit me të gjitha zhvillimet tragjike që ajo luftë solli në vendin tonë, e që na pranuem me mendje të hapun e zemër të përgatitun për flijim.

Kanë qenë ditet e lavdishme që premtuen të nesërmet plotë kangë, “bukë e paqë edhe liri!” e që realiteti komunist i mohoi mbas “çlirimit”, tue i zevendsue me vajin, dnesën e ulurimën e viktimës së pafajshme, dhe urrejtjen e përpunueme me shkencë. Shumë shqiptarë të ndershëm ranë viktimë e kësaj kurthe monstruoze dhe e ndertesës së re që i mbështjelli pa asnji mëshirë!

Tragjedia ashtë edhe ma e randë për ata që janë të arsimuem, për ata që mendojnë si qenie të pavaruna, për ata “që dialogojnë me elementë që tejkalojnë forcat e tyne”. Në luftën e tyne të mbrendshme, ata përfundojnë ose me nënshtrimin tue pranue logjiken që jepet, dhe aksionin që imponohet, për hir të nji jete me konforte, ose në nji konflikt të mbrendshëm me njohë vetëveten, e që përfundon “me nji dashuni për botën, e zbulimin e nji farë harmonie në mes vetes dhe botës për rreth”(Jacques Morel) Ose me nji akt revoltues që i jep aksionit tonin e nevojshëm tragjik që merr përpjekja me u afirmue në momentin me nji akt të veçantë, që shpesh herë ka karakter dëshprimi. Tragjedia e përgjithëshme përvehtësohet nga heroj individ që pranon konfliktin e mbrendshëm, që krijon situatën kur ai ndërgjegjsohet me dhimbje për fatin ose fatalitetin që e pret, e natyrën e saj.  Ashtë fryma e rezistencës kundër së keqes që na imponohet e nuk pranohet. Me marrjen e nji aksioni që e shkatërron, qytetari rezistues kryen aktin ma sublim të jetës: luftën kundër fatit dhe siguron, qoftë edhe për nji minut, lirinë e tij absolute. Qenie e lirë!

Kjo ashtë madhështia e shqiptarëve dhe shqiptareve që ngritën kokën në rezistencën kundër të huejit që i vrau gjatë pushtimit të vendit tonë, dhe ma vonë, e shqiptarëve dhe shqiptareve që ngritën kokën kunder diktaturës së proletariatit që i dërmoi pa mëshirë!

*****

Nji ndryshim i shpejtë nga nji botë e mbyllun në nji shoqëni të hapun nuk mund të kalonte pa rrjedhime negative, njena nga të cilat ashtë fenomeni i “mendjeve të mbylluna” në kallepin ideologjik ku ata u formuen dhe pranuen pa rezistencë. Kjo kategori ashtë, për vetë qendrimin e tyne, i nji natyre ”konservative” pavarësisht se nominalisht ata kanë jetue nen “socializëm” ide teorikisht përparimtare me rezultate shgënjyese. Ky negativitet shihet në qendrimet e tyne në kulturë, art, letërsi e tjera. Ata  frikësohen nga spontaneiteti ose ndryshimi i botës së tyne.

Personat “me mendje të mbylluna” mund të jenë si rezultat i nji sistemi politik të veçantë që i prodhon ata ose përforcon tek ata ideologjinë e vet, siç ashtë rasti i jonë “komunist”. Nga nji herë kjo rrjedh edhe nga nji situatë traumatike në jetë; si rrjedhim, ata izolojnë vehten nga emocionet, afeksionet e  tjera.

Për ma tepër, ata mendojnë ngushtësisht në “kategori” që nuk mund të hapen (e bardhë ose e zezë!) gjatë procesit të mendimit tyne. (P.sh. të gjithë ata që ishin “ballistë” ose ‘”zogistë” dje, ose “komunistë” sot, janë njerëz të këqij”. “Të gjithë ata që nuk binden, duhen ndeshkue” e tjera) Psikologët mendojnë se “mendjet e mbylluna” nuk shërohen lehtë,  sepse ata mendojnë që kanë të drejtë kur çfaqin nji mendim, nji qendrim,  nji ide,  nji përceptim etj.

Por, ata duhet të ekspozohen me ndihmën e personave që kanë qenë viktima të nji rregjimi të veçantë politik; ata duhet të ndigjojnë rregullisht historitë e njerëzve që kanë vuejtë. (Ky sistem quhet “hypothesis of contact” -hipoteza e kontaktit”). Ky ashtë nji sugjerim për shërimin e tyne, tue i ndihmue ata të vijnë në kontakt me realitetin. Megjithate, dyshohet në se ata kanë mundësi të “shërohen plotësisht”.

Pak ditë ma parë, unë tregova në këte fletore dy raste ekstreme torturash shnjerëzore. Qellimi? Me ndihmue “mendjet e mbylluna” të ri-konsiderojnë pozicionin e tyne. Sot do të shtoj dy raste tjera, të njohuna ma shumë:

1)Në muejin tetor 1946, oficerët e Sigurimit Kolonel Vaskë Koleci dhe Majori Zoi Themeli, torturuen avokatin shkodran, të ndjerin Myzafer Pipa, me hekur te skuqun në zjarr të vendosun në shtyllën kurrizore. Zyrtarisht, “ai u vra sepse tentoi arratisjen”. Në vitin 1949, i pyetun nga Gjykatësi, Kolonel Koleci tha se ka marrë udhëzime nga Koçi Xoxe. I pyetun “trockisti” Koçi Xoxe, deklaroi se ka pasë “udhëzime nga Komandanti”…!

2)Mbas  dënimit me vdekje të ish Admiralit Teme Sejko, (1961) u dhanë udhëzime të torturohet përsëri me qellim që të nxirrnin të reja nga ai. Tre oficerë, kryekrimineli Nevzat Haznedari, nji nga torturuesët ma të frikëshëm në Shqipëri, tregon se e morën viktimën (ishin tre shokë), e shpunë në nji shtëpi afër Shijakut, porositën disa shkopij të fortë, dhe e vranë fare. Për të qenë të sigurtë se ka vdekë, shkruente ai në shtypin shqiptar te mbas 1991-it, ‘morëm nji kazëm dhe dërmuem kafkën e tij’.

Përsëri, unë tregoj këto shembuj me ndihmue “mendjet e

mbylluna” me ardhë në kontakt me realitetin.

*****

Në fund të L2B, Gjenerali D. Eisenhower, kryekomandant i forcave aleate në kontinentin europian, detyroi forcat ushtarake amerikane, dhe autoritetet lokale gjermane, si dhe popullsinë e vendit me vizitue kampet e përqendrimit, dhe me deshmue egërsinë e pabesueshme naziste; për ushtarët amerikanë me pa dhe me u njoftue me natyrën e anmikut nazist kundër të cilit ata luftojshin. Efekti ka qenë i fortë dhe i pa harrueshëm.

Përse jo edhe në Shqipëri? Le të zbulohen zonat e shumëta të krimeve komuniste:qendra torture, ekzekutime, varreza, kampe internimi, faltore të shkaterrueme e klerikë të vramë, e pronarë të pafajshëm e të shpronësuem padrejtësisht me dhunë, djegje librash e biblioteka të shkatërrueme…. e  le të deklarohen ata “objekte shenjte” për popullsinë në përgjithësi, veçanërisht për nxanësit e shkollave. Le të bahen objekte pelegrinazhi e reflektimi, e sidomos reflektimi…. për të gjithë! Na do të zbulojshim shembujt ma fisnikë të historisë shqiptare, dhe të karakterit sublim të shqiptarit që guxoi të luftojë deri në sakrificë të huejin pushtues, dhe shqiptarin shtypës të pamëshirëshëm, shembullin ma të ulët e ma të urrejtun të shoqënisë shqiptare….!

Le të organizojmë nji fushatë për mbledhjen, koleksionimin, klasifikimin, dhe ma në fund paraqitjen publike të të gjitha krimeve komuniste, të çdo natyre qofshin ata, si dokumentacion të domosdoshëm me shkrue ndershmënisht historinë e trishtë të 45 vjetëve të terrorit komunist në vendin tonë. E mirë ose jo e mirë, ajo ashtë historia e jonë, dhe duhet ta pranojmë. Ata që paguen me çmimin ma të naltë rezistencën e tyne, e kerkojnë! Dekomunizimin shoqënia shqiptare e kerkon; breznia e re në shkollët tona, e kerkon; dhe tekstet tona presin momentin kur ata të plotësojnë këte mision. Nji veprimtari e këtill ashtë nji imperativ kategorik!

Nji përpjekje e organizueme, nga Qeveria dhe organizatat jo-qeveritare me identifikue vendet, me ndihmue, me këshillue dhe me dhanë burime financiare –shtëpi, punë, pensione etj.- dhe sidomos me krijue mundësitë për arsim- kryesisht arsimin e naltë- për viktimët e familjet e tyne të harrueme, për të gjithë ata që dhanë çdo gja për vendin e popullin e tyne, ashtë nji imperativ kategorik

Kështu, qellimi i arsimit progresiv ka mundësi të ketë suksesin e pritun, vumjen e theksit në nxitjen e kuriozitetit tonë për ngritjen e zemërmirësisë sonë të mbrendshme, dhe përjashtimin e  mbrapshtisë së ideologjive totalitare.

Në “Botën e Lirë”, tregu i ideve ashtë i gjanë, dhe eventualisht zgjidhen ato që janë ma të “mira”, në shërbim të njerëzimit pa dallim, pa përjashtim, nji sistem që na sjellë në mendje “darwinizmin” dhe zgjedhjen e “ma të përshtatëshmes”. Por, në nji treg ideshë të këtilla, eksperienca na mëson se fashizmi, nazismi, komunizmi, militarizmi japonez dhe “-izmat” tjera me karakter totalitar, – siç ishte ‘enverizmi’ në Shqipëri, -forma ma e mbrapshtë e “humanizmit” marksist- nuk kanë vend.

Ka ardhë koha edhe për ne me ba hapin e madh kualifikativ, me u ba “zot të vetëvetes”, me fillue tranzicionin tonë nga faza fëminore dhe logjika e saj, në atë të burrënimit me sensin e plotë të përgjegjsisë personale; me arrijtë fazën e jetës kur kërkohet zotënimi i plotë i pasioneve të errëta, dhe tentimeve satanike, efektet e të cilave shqiptarët i njohin shumë mirë. Ka ardhë koha “me qetësue bishën që kemi përmbrenda”. Le të bajmë përpjekje me rindertue modelin e karakterit të njeriut shqiptar, me nji kulturë që inkurajon identifikimin e “të metave tona”. Kjo ashtë rruga ma e mirë me evitue tragjedi të reja në vendin tonë martir.

Identifikimi i “të metave tona” ashte hapi i parë; hapi i dytë, ashtë identifikimi i “pikave të përbashkëta, dhe bashkëpunimi me të gjithë”.

Kështu mund të arrihet “pjekunia e shoqënisë shqiptare”!

——————————————————————————-

* ish i burgosun politik (1946-56)

Filed Under: Politike Tagged With: mendjet e mbylluna, Sami repishti, tragjedia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 483
  • 484
  • 485
  • 486
  • 487
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT