• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Maqedoni- Partitë shqiptare zyrtarizojnë koalicionet

October 19, 2017 by dgreca

1 Zgjedhjet

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë bërë publike sot detajet e marrëveshjes për të mbështetur kandidatët e njëra-tjetrës në raundin e dytë zgjedhor më 29 tetor, kur dhe do të bëhet e ditur se kush do të drejtojë komuna me shumicë shqiptare, siç janë dy komunat e Shkupit, Saraji dhe Çairi dhe komunat e tjera si Tetova, Gostivari, Dibra, Struga, Likova e të tjera.Shefat e shtabeve zgjedhore nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa thanë se koalicioni ka për qëllim që të fuqizojë votën e shqiptarëve, duke qenë se shqiptarët janë ata që do të përcaktojnë se kush do të drejtojë komunat.“Për pesëmbëdhjetë vite me radhë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka pushtet absolut, qoftë në nivelin qendror apo atë lokal, në të gjitha komunat me shumicë shqiptare përpos asaj në Strugë, dhe konsideroj se përgjegjësia kryesore për këtë keqmenaxhim, për këtë stagnim zhvillimor i takon BDI-së dhe s`ka sesi ne mos jemi opozitë e këtij keqmenaxhimi të pushtetit nga BDI”, ka thënë Elmi Aziri, shef i shtabit zgjedhor të Aleancës për Shqiptarët.

Përderisa Afrim Gashi nga Lëvizja Besa ka thënë se zgjedhjet e së dielës më 29 tetor do të paraqesin një test për një koalicion me Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa edhe në zgjedhjet ardhshme parlamentare.

“Shpresoj që kjo frymë që tash po ndërtohet të jetë frytdhënëse dhe në të ardhmen të jetë një koalicion për të ardhmen. Është një test për ne dhe shpresoj që edhe në të ardhmen të sjellë ndryshime”, ka thënë Gashi.

Në bazë të rezultati zgjedhor në raundin e parë zgjedhor, Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili në ishte në koalicion me Lidhjen Social Demokrate prin në shumicën e komunave me shumicë shqiptare, megjithëse nëse mblidhen votat që ka fituar Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizjen Besa, bashkërisht këto dy parti dalin para BDI-së .

Bashkimi Demokratik për Integrim, parti e cila në balotazh do të përballet me Lëvizjen Besa në 7 komuna dhe me Aleancën për Shqiptarët në 5 komuna tjera, pas publikimit të këtij koalicioni, kanë theksuar se ata do të vazhdojnë koalicionin e tyre me socialdemokratët e kryeministrit Zoran Zaev.

Arbër Ademi, shef i shtabit zgjedhor të BDI-së, për Radion Evropa e Lirë thotë se kandidatët e partisë në shumicën e komunave që janë në balotazh kanë dalë të parët, duke shprehur bindjen se qytetarët këtë vullnet do ta shprehin edhe në raundin e dytë zgjedhor.“Me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë kemi një marrëveshje paraprake për mbështetje reciproke që para raundit të parë dhe besojmë se ajo marrëveshje do të reflektojë edhe në raundin e dytë sepse besojmë se ajo marrëveshje është në të mirë dhe interes të qytetarëve”.“Ne thellësisht besojmë se qytetarët do të dinë të vlerësojnë programin me të cilin garon çdo kandidatë në komuna të caktuara, si kredibilitetin profesional dhe atë personal të kandidatëve tanë”, nënvizon Arbër Ademi.Në raundin e parë të zgjedhjeve vendore, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar në dy komuna, atë të Kërçovës në të cilën mori mbështethe dhe nga partitë e tjera shqiptare, për të mos e rrezikuar drejtimin e komunës nga shqiptarët, ndërkohë që ka fituar dhe komunën e Plasnicës.

Filed Under: Politike Tagged With: Maqedoni- Partitë shqiptare, zyrtarizojnë koalicionet

A DO TE JETE TAHIRI “PESHKU I MADH” NE RRJETEN E RILINDJES?

October 18, 2017 by dgreca

1 Tahiri SaimirSaimir Tahiri ka belbëzuar të Martën në konferencën e shtypit kur është ndjerë i braktisur nga të gjithë, e mbi të gjitha nga njeriu që e solli në politikë në vjeshtën e 12 vjetëve më parë, kryeministri Edi Rama.I është marrë goja teksa po kundërshtonte akuzat ndaj tij dhe sulmet tashmë frenetike nga të gjithë të mëdhenjtë e opozitës, që duket se kanë siguruar një “peshk të madh” për ta goditur e për ta përdorur politikisht.Po në fakt çdo të ndodhë me Saimir Tahirin politikisht, pas atij gjesti gati apokaliptik nga Prokurori i Përgjithshëm që refuzoi ta takojë, duke ndjellë kështu lajme të kobshme për ish-ministrin më jetëgjatë të rendit publik në Shqipëri?

Një fletë-arresti në fakt ndodhet në zyrën e Adriatik Llallës që prej një viti, jo për çështjen “Habilaj” por për të ashtuquajturën aferë të përgjimeve, ku Ilir Meta akuzoi Saimir Tahirin se po e përgjonte dhe se për këtë arsye i kërkonte Ramës çdo të martë shkarkimin e tij.Por edhe pse Saimir Tahiri sot nuk ka asnjë pushtet politik, një eskalim i situatës, pra një arrestim i tij do të kishte reperkursione destabilizuese në politikë.Pasi siç e tha edhe në deklaratën për shtyp, ai dinte shumë gjëra për persona që “i kam pasur përballë” dhe mund të hapë dosjet.

Edhe pse deputeti aktualisht me Kushtetutë nuk ka imunitet, një arrestim i tij merret vetëm me vendim parlamenti dhe në bazë të një procedurë të posaçme parlamentare, dhe e cila padyshim që do të ishte një kosto shumë e madhe për Edi Ramën.Ndërsa një hetim nga Prokuroria do ishte normal; një nisje e hetimit që edhe pse në dukje e disfavorizon Tahirin, realisht i jep atij një armë të madhe që mund t’ishfrytëzojë mirë nëpërmjet dosjeve që ka tërhequr nga Ministria e Brendshme.

Por, gjithsesi ish-ministri i Brendshëm është treguar të paktën naiv politikisht dhe si i tillë ka të gjitha gjasat për të shkatërruar përfundimisht karrierën e tij politike.

Në një intervistë në Top Story më shumë se një vit më parë, ai deklaroi se Habilajt nuk janë tregtarë droge dhe shpalli se nëse vërtetohet se ata janë kriminelë ai do të kërkonte ndjesë publike për shitjen e makinës.

Sot erdhi dita dhe Tahiri bëri një ndjesë publikë që ngjau me një vetëvrasje politike.

Nëse ai do të mbajë qëndrimin e sotëm, gjysëm sentimental dhe gjysëm parimor, padyshim që ish-ministri nuk ka gjë në vijë për arsye se batareja artilerike e opozitës mund ta fundosë plotësisht.

Por nëse Saimir Tahiri do të nisë të flasë atë që di, pra të tregojë gjithçka mbi përpalsjet që ka pasur, historinë e vërtetë të drogës dhe rritjes së trafikut, atëherë ka shumë gjasa që jo vetëm të shpëtojë fytyrën por edhe të ngjallet politikisht duke marrë revansh.

Tahiri, megjithëse i ngjante Qemal Stafës dhe drejtoi një fondacion me emrin e ish-kreut të Rinisë Komuniste, nuk hyri në PS si një protagonist që vinte nga aksioni.

Ai hyri nga dritarja që e futi Edi Rama, kur u bë kryetar i PS-së në vitin 2005. Dhe të parin politikan që pasardhësi i gjatë i shtatshkurtit Nano solli brenda në kryesi, ishte Saimir Tahiri, të cilin e emëroi zëdhënës të PS-së.

Nuk zgjati shumë dhe në zgjedhjet e 2009-s e kandidoi në qarkun e Tiranës, përkatësisht në kombinat, duke e emëruar dhe kryetar i PS-së së kryeqytetit.

Pikërisht në vitin 2009 nisi dhe karriera politike aktive e Saimir Tahirit, i cili në konferencat e shtypit dilte me shkumsa dhe dërrasë të zezë si në shkollë.

Një karrierë politike deklamative aq sa  akuzoi në parlament të birin dhe vajzën e kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha.

Dhe ky i fundit e arrestoi të atin e Tahirit për kontrabandë ilaçesh, kur ai ishte një farmacist normal si shumë e shumë farmacistë. Dukej hapur që ishte një sulm politik.

Por pasi PS erdhi në pushtet, Edi Rama i dha dikasterin më të vështirë në vend, pataten më të nxehtë, Ministrinë e Brendshme.

Ishte një detyrë që pati dy fytyra: lavdinë e Lazaratit e më pas kanabisin në pjesën tjetër të vendit; por edhe intriga pallati, përgjime, shërbime sekrete e mbi të gjitha një luftë të tmerrshme me Ilir Metën.

Saimir Tahiri u mor personalisht me policët, operacionet e gjithçka, duke marrë mbi supe edhe të mirat por edhe problemet e policisë që nuk i pranoi kurrë.

Në një farë mënyrë pranoi edhe dështimin por edhe lavdinë mbi vete.

Madje edhe drejtorët e Policisë nëpër qarqe që nuk i ndryshoi kurrë, i kishte si grup miqsh, si bord CEO-sh, me të cilët drekoi edhe kur Edi Rama i kërkoi largimin, duke publikuar edhe foton me ta.

Kreu i LSI-së e ka dashur të larguar Tahirin dhe e realizoi vetëm në fund, pasi Rama e ruajti si gur këmbimi kur Meta i kërkoi kokën e tij.

E përdori si fil, që u sakrifikua kur Edi Rama ishte i rrethuar nga të gjithë.

Dhe Tahiri synoi ta përdorë këtë kartë pas zgjedhjeve, kur ndaheshin postet. Rama e mbajti me shpresë se do t’i japë ndonjë dikaster, ndoshta drejtësinë, bujqësinë apo edhe zv.kryeministër.

Por ndryshe nga ç’i premtoi e la thatë, vetëm një deputet, madje edhe pa drejtuar ndonjë komision parlamentar.

Tani, siç e tha dhe vetë, është në një moment mjaft të vështirë, si politikan po e po, e padyshim si njeri. Si prindër i një fëmijë që është, ai e pati të pranishëm të birin disa herë në deklaratë, duke iu referuar në apologjinë e tij pikës më të ndjeshme: fëmijës.(tesheshi)

Filed Under: Politike Tagged With: ne rrjeten e Rilindjes, Peshku i made, Saimir Tahiri

Serbia pengon integrimin e serbëve në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës

October 17, 2017 by dgreca

-Gjyqtarët dhe prokurorët serbë nuk shkuan sot në Presidencën e Kosovës për të dhënë betimin/

1 Mitrovica_veriore_Kosovë-Presidenca: Pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes, prandaj ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre/

PRISHTINË, 17 Tetor 2017-Gazeta DIELLI/ Serbia pengon integrimin e komunitetetit joshumicë  – serbëve kosovarë në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Gjyqtarët dhe prokurorët serbë nuk shkuan sot në Presidencën e Kosovës për të dhënë betimin.Presidenca e Kosovës sapo dërgoi këtë Deklaratë për media:Sot, më 17 tetor 2017, Zyra e Presidentit ishte e gatshme të presë ardhjen dyzet e dy (42) gjyqtarëve dhe katërmbëdhjetë (14) prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës, të cilët, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi,  do të duhej t’i bashkohen sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial të Republikës së Kosovës.

Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur  një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Akti i sotëm i betimit kishte këtë qëllim, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015.Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim. Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi. Njëkohësisht, veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë sot për dekretim tek Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi.Pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes, prandaj ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre. Republika e Kosovës ka përmbushur obligimet e saj në çdo aspekt, përfundon deklarata. /b.j/

SHTYPI I KOSOVES: Dekretimi i gjyqtarëve serbë me “betim neutral”

Presidenti Hashim Thaçi ka ftuar të martën në kabinetin e tij gjyqtarët serbë për ta bërë betimin si gjyqtarë të Gjykatës Themelore për rajonin e Mitrovicës.Sot është edhe afati i fundit kur Gjykata dhe Prokuroria Themelore duhet ta nisin punën, sipas marrëveshjes së dakorduar në Bruksel. Por institucionet e përfshira në këtë proces zyrtarisht nuk kanë dhënë informacione nëse puna e gjyqësorit do të bëhet sipas afatit të dakorduar, shkruan sot gazeta Koha Ditore në Prishtinë.

Në Këshillin Prokurorial të Kosovës i kanë thënë gazetës një ditë më parë se janë në pritje të sinjalit për të filluar punën. Burime të gazetës kanë thënë se Presidenca nuk e ka bërë publike ditën e dekretimit për shkak të frikës së mund të dështojë betimi i gjyqtarëve serbë.Sipas raportimeve të mediave në Mitrovicën e veriut, gjykatësit serbë do ta bëjnë “betimin neutral”, ku nuk do të ketë tekst të njëjtë me betimin që e bëjnë gjykatësit shqiptarë të Kosovës. Siç shkruan “Kossev”, në asnjë marrëveshje nuk do të vendoset stema e Kosovës dhe emërtimi Republikë.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, në sistemin gjyqësor, Serbia pengon integrimin e serbëve

100-VJETORI I VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT DO TË PËRKUJTOHET NË WAHINGTON

October 16, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Nëntori 2017 shënon 100-vjetorin e Revolucionit Bolshevik.  Historia tregon se një natë tëftohtë në Petrograd, 100-vjetë më parë, një grup i vogël Rojesh të Kuqe morën nën kontroll Pallatin Dimëror dhe instaluan qeverinë e parë komuniste në botë.   Revolucioni Bolshevik shënoi fillimin e një shekulli, gjatë të cilit mbështetësit e ideologjisë komuniste bënë disa prej krimeve më të tmershme që ka njohur historia e njerëzimit.Me rastin e këtij përvjetori, Fondacioni Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington, me 7-9 të muajit që vjen, organizon në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, ceremoni përkujtimore dhe konferenca akademike, ku do të marrin pjesë anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe një numër ekspertësh dhe historianësh të dalluar të kësaj fushe, të ardhur nga Evropa dhe nga Amerika.

1 Gjoni Viktim komuniz

Ne Foto:Dega e Vatres ne Washington, pjesmarrse e rregullt ne veprimtarite per krimet e komunizmit prane monumentit perkates ne Washington./

Në njoftimin për zhvillimin e punimeve, në shënim të 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, Fondacioni në fjalë shprehet se me këtë rast, “Do të mblidhemi për të nderuar kujtimin e më shumë se 100-milionë viktimave të komunizmit, njëkohësisht, edhe për të festuar lirinë atje ku ka triumfuar tanimë, por edhe për të vazhduar përpjekjet tona, për një botë të lirë nga komunizmi.”

Sipas programit të njoftuar, përkujtimi i viktimave të komunizmit me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik në Rusi, dita e parë e punimeve me 7 nëntor, do të fillojë me një konferencë për shtypin dhe me shfaqjen e filmit, “Gratë e Gulagut”, një film dokumentar ku pasqyrohen tregimet personale tragjike të 6-grave që kanë vuajtur si të burgosura politike në gulagun Stalinist sovjetik.Njoftohet se me 8 Nëntor, në njërën prej sallave të ligjvënsëve amerikanë të Bibliotekës së Kongresit, do të mbahen me këtë rast, ligjërata nga anëtarë të Kongresit, ndërsa panelistë të njohur në fushën e historisë së komunizmit, do të diskutojnë dhe do të shqyrtojnë lidhjet midis ideologjisë marksiste dhe praktikave politike, ekonomike, kulturore dhe të politikës së jashtme, të përdorura nga regjimi i ish-Bashkimit Sovjetik.   Në mënyrë më specifike, thekson programi, ekspertët do të diskutojnë se si idetë e Karl Marksit — në të vërtetë — u pasqyruan në përdorimin e praktikave revolucionare, në themelimin e regjimit komunist Bolshevik dhe të Bashkimit Sovjetik, si entitet politik e shtetëror.   Temat për diskutim, nga një listë e gjatë e disa prej ekspertëve më të njohur të kësaj fushe në Amerikë dhe në Evropë, sipas njoftimit të Fondacionit Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, do të përfshijnë edhe luftën totalitare që sovjetikët kanë përdorur gjatë sundimit të tyre, kundër institucioneve vullnetare që përbënin shoqërinë civile, por do të preken edhe subjekte si imperializmi sovjetik, Kombet e Robëruara nga komunizmi dhe Lufta e Ftoftë, ndër të tjera.

The Victims of Communism Memorial Foundation

Dita e dytë e kujtimit të viktimave të komunizmit në Washington, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, do të përfshijë gjithnjë komente nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara si dhe diskutime nga ekspertë të ndryshëm dhe të njohur botërisht për ekspertizën e tyre historike të komunizmit gjatë shekullit të kaluar.   Ndër subjektet që pritet të diskutohen – sipas programit të njoftuar deri më tani – janë edhe lidhjet midis të Vërtetës, Kujtimit dhe Drejtësisë, me qëllim llogaridhënjen dhe përgjegjësinë për krimet e bëra, por edhe për të pranuar dhe për t’u përballur me të kaluarën e krimeve të regjimeve komuniste.   Përveç kësaj, një vend të posaçëm në diskutimet e ditës së fundit të përkujtimit të viktimave të komunizmit, do të zenë aktivitetet subversive sovjetike jashtë ish-Bashkimit Sovjetik, përmasat e krimeve të komunizmit mbrenda vendit, si dhe pengesat me të cilat përballen sot historianët në përpjekjet e tyre për të shkruar një histori të vertëtë të krimeve të regjimeve komuniste.   Specifikisht, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik dhe të viktimave të komunizmit, ekspertët e ftuar dhe ligjvensit amerikanë do të theksojnë sidomos edhe rëndësinë e kujtimit, të pajtimit dhe të drejtësisë për viktimat e komunizmit, por edhe rrezikun që paraqesin përpjekjet e tanishme për të treguar, ndryshe nga e vërteta, historinë e periudhës komuniste dhe nëse është e mundur të tejkalohet trashëgimia sovjeto-komuniste dhe nëse, si përfundim, populli rus më në fund, mund të jetojë në liri të vërtetë.

Fondacioni për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, që po organizon ceremonitë në nëntor, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, ka ftuar gjithashtu që në këtë përkujtim të marrin pjesë edhe përfaqsues të shumë nga vendet ish-komuniste, ose ish-Kombet e Robëruara, siç njiheshin me fjalorin e Luftës së Ftohtë.   Njoftohet se nga Shqipëria është ftuar në Washington të marrë pjesë në këtë përkujtim të viktimave të komunizmit edhe Z. Simon Mirakaj — ish i përndjekur politik, familja e të cilit për dekada ka vuajtur internimet e tmershme të regjimit të Enver Hoxhës dhe aktualisht anëtar i Autoritetit për Informim i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit nga 30 Nëntori 1944 deri në 2 korrik të vitit 1991, në Shqipëri.   Në një intervistë ditët e fundit me gazetën Telegraf në Tiranë, Z. Mirakaj, në kapacitetin e tij si anëtar i këtij Autoriteti për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, u shpreh se, “Diktatura komuniste duhet të shihet si një e keqe e përbashkët nga i gjithë spektri politik” shqiptar, duke shtuar se, “Ballafaqimi me të kaluarën komuniste dhe dënimi i saj është një domosdoshmëri për të pasur një të ardhme të sigurt drejtë Evropës së bashkuar.   Çdo nismë për të ndaluar simbolet e komunizmit, mendoj se i shërben të ardhmes, i shërben demokracisë”, përfundoi Z. Mirakaj.

Besoj se gjatë vizitës së tij në kryeqytetin amerikan për të marrë pjesë në ceremonitë që do të shënojnë 100-vjetorin e Revolucionit Bolshevik, Z. Mirakaj do të gjejë mbështetje të fortë në Washington për qëndrimin e tij se edhe Shqipëria, pas 27 vjetë post-komunizëm, duhet që, më në fund, të përballet seriozisht me të kaluarën e saj komuniste – në këtë 100-vjetor të Revolucionit Bolshevik – duke iu bashkuar pjesës tjetër ish-komuniste të Evropës, për të kujtuar viktimat e shumta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, me qëllim dhe shpresë që e kaluara të mos përsëritet më dhe që të ketë gjithashtu një distancim serioz dhe zyrtar nga trashëgimia e atij regjimi, trashëgimi që fatkeqsisht edhe sot pas më shumë se një çerek shekulli, vihet re kudo në jetën politike dhe shoqërore shqiptare –shpeshëherë me aprovimin zyrtar ose dukuria publike e kësaj trashëgimije trajtohet në heshtje nga ana e e autoriteteve.   Tirana zyrtare e ka për detyrë që, të pakën aq sa Washingtoni, që nuk ka vuajtur kurrë nga komunizmi, të tregojë më në fund gatishmërinë dhe seriozitetin e saj që duhet t’i kushtojë rëndësisë së kujtimit të krimeve të komunizmit, të pajtimit kombëtar dhe të drejtësisë për viktimat e e atij regjimi — të gjallë e të vdekur në Shqipëri — ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore, e të cilat sot janë anëtare të plota të organizmave euro-atlantike.   Ky duhet të jetë një obligim solemn dhe angazhim serioz dhe i pa hile i autoriteteve qeveritare dhe shtetërore të Shqipërisë, nëqoftse vendi dëshiron të shkojë përpara.

 https://centennial.victimsofcommunism.org/index/schedule

Filed Under: Politike Tagged With: 100 vjetori, Frank shkreli, i viktimave, të komunizmit, Washington

A PO DUKET NË HORIZONT NJË 1997-të E RE?

October 15, 2017 by dgreca

Asllani 21

NGA ASLLAN BUSHATI/Shqiptarët , pas Luftes Dyte Botërore, kanë bërë shumë “marrëzira” ( në se mund ta përdorim këtë term në kontekstin jo fyes për popullin),  disa prej të cilave  kanë qenë edhe kolektive por  shumica nga udhëheqësit  politik. Edhe kur kanë qenë kolektive janë ideuar e mbështetur po nga politikanët. Shkarazi po përmend  disa prej tyre : Nxjerrja  në një  gjyq falls  dhe pushkatimi  i gjithë  deputetëve opozitar në 1945 . Mashtrimi me bombën në Ambasadën Sovjetike dhe pushkatimi  në Tiranë i 22 intelektualëve  atdhetarë pa asnjë arsye. Vënia nën shenjestën e nëndetses  së Bazës se Vlorës me ekuipazh sovjetiko-shqiptar për tre ditë (16, 17, dhe18  dhjetor 1959) e një destrojeri amerikan  në Mesdhe ,me të cilin udhetonte për në Lion-Francë, Presidenti Amerikan Ajzenhauer dhe si pasojë kundërpërgjigjeja amerikane duke vënë nën shenjestrën bërthamore për më shumë se tridhjet vjet  bazat  ushtarako-ajrore të Rinasit e Kucovës, bazën ushtarako-detare të Vlorës dhe  qytetin e Gjirokastrës. Dalldija kolektive e 1967-tës për prishjen e  shkatërrimin e gjithë institucioneve të fesë duke u bërë i vetmi” vend ateist në botë”. Ideja e cmendur ” tu qepemi  kodrave e maleve dhe ti bëjmë pjellore si dhe fushat” duke shkatërruar tërësisht bimësinë,pemët,pyjet, faunën e florën,e  duke bërë erozion shkatërrues të të gjithë vendit  me duart tona . “Ndërtimi me sukses i socializmit duke u mbështetur vetëm në forcat tona”, duke e këthyer vendin në një depo të madhe hekurishtesh me të ashtuquajturat uzina e fabrika moderne. Bunkerizimi i gjithë vendit për tu “ballafaquar e fituar në luftë me gjithë botën”. Marrëzia  kolektive  e 1997-tës me futjen e parave në piramida  e cila coi në  humbjen e  tyre , humbjen e  jetës së mijera shtetasve dhe për inatë të tyre , shkatërrimin e  plotë të  shtetit. Vrasja e besimit se ky vend  nuk mund të bëhet  normal si të tjerët , dhe eksodi i të paktën i një të tretës së numurit të përgjithëshëm të popullatës. Nuk na mjaftuan të gjitha këto, por na “duheshim” edhe dy marrëzi të tjera  dhuratë nga Edi Rama si: kanabizimi i gjithë vendit,dhe së fundi  kriminalizimi i tejskajshëm i pushtetit .

Ka edhe  shumë  të tjera ,por edhe kaq  na mjaftojnë për të dalë në konkluzionin  se për   gati shtatëdhjetë vite këto janë shumë të tepërta për një popull të vogël si i yni, dhe se këto  për të mos thënë i kanë kthyer mbrapsh rrjedhat e përparimit të  vendit , më së pakti mund të themi i kanë  ngadalësuar  ndjeshëm  ato në krahasim me popujt e tjerë në rajon e më gjërë. Në këto kushte pyetja më e thjeshtë  nga cdo shtetas shqiptarë do të ishte  se :  pse kanë ndodhur e  ndodhin këto  gjëra  ne?  Mendoj  se edhe përgjigjja më e thjeshtë  do të ishte se: mbi të gjitha  është  keq qeverisja e këtij vendi.

Edi Rama, nuk realizoi asnjë nga premtimet madhore të mandatit të parë dhe më e keqja , në vend të realizimeve, solli  kanabizimin dhe kriminalizimin e gjithë vendit. Disa nxitojnë ta  mburrin se ai bëri reforma dhe po e bën Shqipërinë shtet. Në gjykimin tim kjo nuk qëndron.  Së pari Shtetin Shqiptar e krijoi Ismail Qemali dhe  e formësoi me të gjithë elementët e shtetit modern perendimor Ahmet Zogu. Së dyti,  lidhur me reformat e Edi Ramës, unë mendoj se ata janë gjysmake e përgjithësisht të dështuara dhe se vetë Edi Rama jo vetëm nuk është reformator, por është një shoumenë, batutaxhi,  hokatar dhe një mashtrues perfekt.

Le të ndalemi pak tek kanabizimi. Disa mendojnë se ai solli punësim të përkohshëm të një sasie njerëzish dhe se fitimet janë brenda vendit e  duke u shëndruar në një pasuri kombëtare. Në këndshikimin tim kjo nuk qëndron për shumë arsye, por nga më kryesorët janë: dëmtimi i imazhit të vendit në sytë e ndërkombëtarëve dhe frenimi i biznesit ndërkombëtar për investim afatgjatë në Shqipëri. Për rrjedhojë kjo frenoi mbi të gjitha, hapjen e vendeve të reja të punës kaq të domosdoshme për brezin e ri, por zvogloi ndieshëm prodhimin e brendëshëm buqësor. Kanabizimi   duke qenë fenomen masiv, tashmë është kthyer në një bankë informale të parave të pista që kërkojnë të blejnë pasuri të patundëshme deri forcërisht duke dëmtuar kështu pronarët e biznesin e vogël dhe duke tjerërsuar forcërisht elementët themelor të bazës ekonomike të vendit.Shkurt me parat e kanabisit, mafia po krijon pasuri konkuruese të pa ligjëshme dhe krejt të pa ndershme.

Tjetër  aspekt është se parat e drogës deformuan  vullnetin , votën e lirë edhe  rezultatin  përfundimtar të  zgjedhjeve të qershorit 2017-të. Edi Rama i bleu ato duke bashkëpunuar  hapur me kriminelët e drogës dhe për pasojë  me rreth njëzet përqind të votave të shqiptarëve udhëheq i vetëm gjithë vendin pa e ditur se ku do të shkojë ,se për këtë mandate të dytë  ai  nuk ka bërë asnjë premtim electoral. Ai i fitoi zgjedhjet jo për zotësi e punë të madhe në realizimin e premtimeve elektorale, por për një ligj elektoral  skandal, për një lëvizje të gabuar politike të LSI-së e cila nuk ju bashkangjit opozitës, dhe për një mbështetje të pa drejtë dhe të pandershme që atij i dhanë ndërkombëtarët.

Humbëse e vetme e gjedhjeve me më shumë se dyqind mijë vota, doli  PD-ja dhe shumë i baltosur e i plagosur Lulzim Basha. Në gjykimin tim,  kjo ndodhi  jo për faj dhe paaftësi të Zotit Basha, por të rrethanave, sepse megjithë përpjekjet e tij për rishikimin e ligjit zgjedhor për gati një vit e gjysëm ajo ju bë e pamundur në një kohë që edhe  ndërkombëtarët ja kishin premtuar një gjë të tillë. Basha me synim zgjedhjet e lira e të nderëshmë u fut në cadër para Kryeministrisë dhe nuk do të futej  edhe në zgjedhje pa u krijuar kushtet për to. Por ndërkombëtarët OSBE, Odihri, BE e SHBA i dhanë gjithë përkrahjen e duhur Edi Ramës ( duke mbyllur sytë përpara mosrealizimeve dhe  paudhësive që kishte bërë ) dhe duke u bërë bashkautorë në shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri.  Ata duke mos dashur të ballafaqohen me të vërtetën zgjedhore dhe të drejtën ,  zgjodhën rrugën e deklarimit se zgjedhjet  ishin të mira për Shqipërinë . Por  jam i bindur se po të kishte ndodhur  kjo situatë në një vend tjetër  demokratik me siguri (nuk do të quheshin të  mira për rrethanat), por  do të quheshin  skandal zgjedhor .

Përfaqsuesi i Departamentit të Shtetit Amerikan Yee, e detyroi Zotin Basha të mos shtonte ne dokumentin e  rekomanduar  të ndërkombëtarëve, qoftë edhe një presje të vetme, por vetëm të thoshte “PO”. Pra ndërkombëtarët nuk u shqetësuan  sa duhet për ardhjen e të inkriminuarve në Parlament e në strukturat drejtuese të shtetit dhe kanabizimin e vendit para zgjedhjeve, për të cilat opozita dhe Basha ishin shumë të motivuar e të vendosur për të luftuar kundër tyre. Pyetja shtrohet : atëherë po pse tani  kur zgjedhjet kanë mbaruar dhe  i ka fituar padrejtesisht Rama ,ngrihen e thonë se në Shqipëri ka katër grupe kriminale , njëzet familje etj.  Ku ishin këto  ndërkombërar  para zgjedhjeve kur opozita dhe Zoti  Basha  thërrisnin me të madhe nuk shkohet në zgjedhje me Edi Ramën dhe kriminelët e armatosur?  Pse ata  i imponuan Bashës dhe opozitës një zgjidhje  turpruese me disa ministra teknik, figurant e pafuqi vepruese për rregullimin dhe zgjidhjen e problemit të  zgjedhjeve? Pse  i  mëshojnë  sot specifikisht temës së kriminalitetit , kur ai ishte një fenomen veprues edhe para zgjedhjeve? A mendojnë ata se me këtë veprim  dalin paqshëm dhe të larë  nga ndotja zgjedhore që krijuan? Jo , mendimi im është se ata nuk janë të pastërt dhe të larë me zgjedhjet  e qershorit 2017 në Shqipëri, por janë të  baltosur dhe me përgjegjesi. Ata jo vetëm nuk kanë qenë një arbitër i paanshëm zgjedhor por shumë të anëshëm e pro qeveritar. Më e pakta gjë që mund të thuhet është se kjo është e pandershme.

Tani Edi Rama erdhi në pushtet i vetëm  e me fuqinë e  parave dhe të armëve të bandave. Ata nuk i duhen më, por ai është i pa fuqishëm ti largojë, se i kërkojnë pjesën që kanë investuar . Në këtë raport interesash, bandat kanë filluar të sulmojnë fillimisht njera-tjetrën në Elbasan, Vlorë, Durrës, Shkodër, Lushnje etj, por njëherazi po i tregojnë dhëmbët edhe Edi Ramës duke i  bërë karshillëk në pushtetin vendor të cilin ka rrezik ta nëpërkëmbin shpejt aty ku nuk e kanë nën kontroll akoma. Pas pushtetit vendor bandat do të përplasen me segmentet e shëndosha  të policisë, shërbimit informative, prokurorisë, opozitës dhe segmenteve qeveritare që nuk i përkrahin. Kam të dhëna nga shokë, miq e dashamirë se në Shkodër, Lezhë, Lac, Fush-Krujë, Vorë, Tiranë, Shijak, Durrës, Elbasan, Lushnje, Vlorë etj shumë pronar dyqanesh, trojesh e banesash  e biznesesh të vogla ,po largohen nga pronat e tyre nga presioni i bandave. Në shumicën e rasteve ata ju ofrojnë një ofertë poshtruese dhe më pas në se nuk ja arrijnë qëllimit,  u drejtojnë grykat e armëve dhe tritolin.Por ky nuk është fundi se pas tyre  presioni do të drejtohet tek bankat dhe organet e drejtësisë. Kur e kudo që  bandat do të hasin në pengesa  ata më së pari e pastrojnë vendin me armë. Kjo është 1997-ta  e re që po gatuhet në vorbullën e ideve e të praktikave të  Edi Ramës.

Në gjykimin tim, Edi Rama është i falimentuar në cdo kuptim, se  ai nuk ka para e  nuk ka mundesi ta thërras investitorin e huaj se është i pa besueshëm për te. Pra nuk mund të hap vende të reja  pune, nuk mund të bëjë investime publike  në infrastrukturë, arsim e shëndetësi etj. Edhe ne se bën përpjekje për ngritjen e rrogave e të pensioneve, ose do të shtojë borxhet (të cilat aktualisht  jane shume të larta), ose do të rrisë inflacionin që është po ashtu shkatërruese për ekonomine e Shqipërisë . Pra ky njeri i falimentuar  nuk i duhet askujt tjetër përvec bandave që vetë i krijoi. Atëherë pse duhet të mbahet në pushtet?  Shqiptarët nuk kanë nevojë për një shoumenë, hokatar e batutaxhi, qe kudo qe shkon ben teater , nje njeri  pa ide e platforma për të ardhmen e vendit. Ai nuk eshte reformator por thjeshte genjeshtar e nje mashtrues i kamufluar, te cilit s’mund ti besosh per asgje jo me te ardhmen e vendit .

Në këtë situatë është e nevojshme që  opozita jo vetëm të bllokojë foltoren e Parlamentit, por ta rrethojë   Parlamentin  , Kryministrinë, ministristë, sheshet e  kryqëzimet me  njerëz paqësor,e  jo të dhunshëm, për ta larguar nga pushtetit një orë e më parë Edi Ramën . Largimi i tij do të krijojë mundësinë dhe hapsirën e nevojshme për të luftuar dhe zhbërë strukturat organizative, parat, pasuritë , asetet dhe cdo gjë të mafias dhe të bandave kriminale të cilat janë një rrezik serioz për të ardhmen e Shqipërisë. Që 1997-ta të mos përsëritet më, këtij njeriu të papergjegjshem  i  duhet thënë NDAL.

Filed Under: Politike Tagged With: A PO DUKET NË HORIZONT, asllan Bushati, NJË 1997-të E RE?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 513
  • 514
  • 515
  • 516
  • 517
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë
  • HYSEN S. DIZDARI, VLERA E NJË HULUMTUESI SERIOZ NË PULLAT SHQIPTARE
  • Njё Dritёro amerikan, Robert Frost (1874 – 1963)
  • 18 mars 2026, 78 vite nga lindja e poetit martir Vilson Blloshmi!
  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT