• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

OBAMA FITUES: BASHKEPUNIM I NGUSHTE ME REPUBLIKANET

November 7, 2012 by dgreca

 

 

Presidenti Obama, fituesi i zgjedhjeve të 6 nëntorit / Presidenti u shpreh me ton të vendosur për të bashkëpunuar me republikanët gjatë katër viteve të ardhshme/

Presidenti Barack Obama doli fitimtar nga zgjedhjet e djeshme presidenciale përkundrejt rivalit të tij republikan Mitt Romney, duke i dhënë fund kështu një fushate të gjatë dhe negative. Presidenti Obama shënoi fitoren në shtetet e pavendosura dhe pas numërimit të 84 përqind të votave ai kryeson me më pak se 1 përqind 49.6 ndaj 48. 9 të kandidatit republikan Mitt Romney. Por votat elektorale, nga ana tjetër i dhanpë atij një fitore të thellë, ai siguroi 303, nga 270 të nevojshme. Duke folur mbrëmë, para përkrahësve të tij në Çikago, Presidenti përshëndeti zotin Romney dhe duke shprehur optimizëm për 4 vjetët e ardhshëm:

“Unë besoj se ne mund të mbajmë gjallë premtimin e themeluesve të vendit tonë, ideja se me punë, pa patur rëndësi se kush je dhe nga vjen, se si dukesh, ose se me kë je në dashuri, nuk ka rëndësi nëse je zezak apo i bardhë, hispanik, aziatik apo indiano-amerikan, i ri apo i moshuar, i aftë apo i paaftë, homoseksual apo jo, ju mund të keni sukses në Amerikë, nëse jeni të gatshëm të përpiqeni.

Presidenti u shpreh me një ton të vendosur për të bashkëpunuar gjatë katër vjetëve të ardhshme:

“Unë besoj se ne mund të punojmë për të ardhmen së bashku sepse ne nuk jemi aq të ndarë siç sugjerojnë politikat tona. Ne vazhdojmë të jemi më shumë se sa një grumbull shtetesh blu dhe të kuqe. Ne jemi dhe do të mbetemi për gjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së bashku me ndihmën tuaj dhe me mirësinë e Zotit ne do të vazhdojmë udhëtimin tonë dhe do t’i kujtojmë botës arsyet që ne jetojmë në vendin më të madh të botës”.

Presidenti Obama arriti rizgjedhjen ndaj ish guvernatorit Mitt Romney megjithë ekonominë e dobët amerikane, papunësinë e lartë, borxhin masiv të qeverisë federale dhe bllokimin politik të Washingtonit. Ekonomia ishte çështja më shqetësuese për votuesit, që u pyetën ndërsa dilnin nga qendrat e votimit dhe megjithë gjendjen e vështirë ekonomike, zoti Obama humbi vetëm dy shtete, që fitoi në vitin 2008, Indianën dhe Karolinën e Veriut. Ndërsa rezultati i zgjedhjeve të djeshme nuk solli asnjë ndryshim për sa i përket balancës së pushtetit në Washington, presidenti Obama u zotua të punojë me udhëheqësit e të dyja partive për të ndihmuar vendin të rimëkëmbet plotësisht nga recesioni më i rëndë që prej depresionit të Madh. Në Florida, një shtet që zoti Obama e fitoi para 4 vjetësh, nuk është shpallur ende fituesi.

Zoti Obama e mbajti fjalimin e fitores rreth 2 orë pasi u shpall fitues dhe më pak se një orë pasi zoti Romney ofroi humbjen me anë të një fjalimi plot kortezi.(Kortezi VOA)

Filed Under: Politike Tagged With: bashkepunim me republikanet, Obama

MARK GJONAJ, SHQIPTARI QË DITI TË LUFTONTE PËR FITOREN

November 7, 2012 by dgreca

GJONAJ  FITON BINDSHËM ME 79 % TE VOTAVE/

NGA DALIP GRECA/

19866 vota, plot 79 për qind  të numrit të përgjithshëm të votave ka fituar kandidati shqiptar për në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, shqiptar i lindur në Amerikë. Mbrëmë,  Gjonaj e ka festuar me miqtë e tij në mjediset e restorantit Italian Maestro’s, aq i njohur për veprimtaritë e shqiptarëve. Mes miqëve të tij, natyrisht që kishte shumë shqiptarë, edhe pse nuk mungonin as miqtë e tij të shumtë amerikanë, mbështetës që në castet e parapërgatitjes për shfaqjen e kandidaturës, në garën brenda Partisë Demokratike e deri në finalen e 6 nëntorit, kur ai triumfoi.

Duke qenë e para fitore për shqiptarët e Nju Jorkut, ia vlen të ndalemi në disa nga faktorët që e cuan tek fitorja, të parin kandidat shqiptar për në Asamblenë e Shtetit të Nju jorkut. Ajo c’ka bie në sy tek Mark Gjonaj është mënyra se si e kërkoi fitoren. Nuk ishte vetëm këmbëngulja(Fillimisht ai hyri në garë pa e pasur mbështetjen e Partisë Demokratike, për të cilën kandidoi), por strategjia se si e kërkoi fitoren. Krijimi i grupeve elektorale vullnetare, ku mbizotëronin shqiptarët, takimi dorë më dorë me zgjedhësit, pjesmarrja në cdo veprimtari që organizoheshin në Distriktin 80, ku ai do të votohej, ngritja fuqishëm e zërit për problemet që shqetësonin distriktin, lufta kundër kriminalitetit, përpjekja për të ngritur shqetësime të qytetarëve dhe për të marrë inisiativa, ishin pjesë e suksesit të tij.Ai u bë personazh jo vetëm i medias shqipatre, jo vetëm i medias  lokale në Bronx, por edhe i gazetave qendrore të shtetit të Nju jorkut, si e tabloidit konservative NeëYork Post.

Kishte një shqetësim për Markun, shqetësim që lidhej me komunitetin shqiptar. Është fakt i njohur se Shqiptarët më përpara dilnin pak në votime dhe shumë prej tyre nuk regjistroheshin për të votuar. Marku nuk rreshti së foluri dhe së dërguari formularë të regjistrimit në adresat e shtëpive të shqiptarëve apo duke i shpërndarë ato në veprimtaritë e shqiptarëve.  Ai e shfrytëzoi me efektivitet median e komunitetit shqiptar duke dërguar mesazhe për t’u regjistruar si votues dhe për të shfrytëzuar peshën e votës për të pasur  më shumë të drejta. Dhe në zgjedhjet brenda Partisë votuesit shqiptarë i dhanë Markut mundësinë e fitores.

Një nga arsyet e tjera e fitores të Mark Gjonajt ishte dhe popullarizimi i figurës së tij në komunitetin shqiptar. Nuk pat ngjarje, aktivitet, gëzim, apo fatkeqësi të shqiptarëve, ku nuk shfaqej Mark Gjonaj me buzëqeshjen e tij që dhurontre mirësi. Atë e shihnim në Kishë, në veprimtari artistike, ngjarje politike, u anëtrësua në Federatën VATRA (dy vitete e fundit), ishte pjesë e APN,  rininë shqiptare nëpërmjet  “Rrënjët Shqiptare” etj.

Ajo cfarë i dha më shumë popullaritet në komunitetin shqiptar  fituesit shqiptar ishte inisiativa e tij me rastin e Festës Kombëtare të Pavarësisë , DITËS SË FLAMURIT KOMBËTAR, ku luftoi fort për identitetin shqiptar përmes Flamurit Kuq e Zi. Prej tre vitesh me inisiativën e Mark Gjonajt dhe me shpenzimet e tij në rrugë, sheshet, avenjutë, institucionet e Bronxit, në prag të festës flladiteshin flamujtë shqiptarë.

Renditëm kështu disa nga faktorët që e cuan mark Gjonaj drejt fitores. Urime Mark!

Në zgjedhjet e 6 nëntorit fitoi bindshëm edhe miku i shqiptarëve,kongresisti  Eliot Engel i cili mori më shumë se 77 për qind të votave.

 

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, fitues, Mark Gjonaj, per Asamblene e NY

PROFILET E DY KANDIDATEVE PER PRESIDENT TE SHBA

November 4, 2012 by dgreca

Profil i kandidatit demokrat, Barack Obama/

Me afrimin e zgjedhjeve të 6 nëntorit, Presidenti Barak Obama duket se i ka forcuar pozitat, pas prezantimit të dobët në debatin e parë presidencial kundër rivalit republikan Mitt Romney. Në ditët e fundit të fushatës, Presidenti po përpiqet ta prezantojë veten si udhëheqës me potencë. Në vazhdim, një portret i politikanit që shënoi një moment historik në vitin 2008 dhe shpreson që ta përsërisë atë fitore të martën:Para 4 vjetësh, Barack Obama u zgjodh presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara.
Partia Demokrate e emëroi atë në një kuvend që u përqëndrua në pakënaqësinë e publikut me problemet ekonomike të vendit. Zoti Obama përfitoi nga kjo gjendje me moton e tij, “Ndryshime tek të cilat kemi besim”.
Gjatë administratës katër vjeçare të Presidentit Obama, ekonomia është përmirësuar, por jo aq sa ç’kishin shpresuar shumë njerëz. Disa ekspertë politikë thonë se zoti Obama ka mësuar ndryshimin e madh që ekziston mes fushatës dhe qeverisjes.
Jennifer Lawless drejton Institutin e Grave dhe të Politikave në Universitetin Amerikan.
“Shumë prej premtimeve të tij vareshin nga ideja se në Uashington do të bëheshin përpjekje ndërpartiake. Dhe menjëherë pasi John Boehner u zgjodh Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve u pa qartë se objektivi numër një i republikanëve ishte që përpjekje të tilla të mos bëheshin”.
Një shembull i tillë ishte projektligji për imigrantët në bazë të të cilit do t’u jepej shtetësia imigrantëve që kishin ardhur ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në moshën e fëmijërisë. Ky akt u mbështet nga presidenti, por nuk u miratua kurrë nga Kongresi. Në qershor, Presidenti Obama njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndalnin përkohësisht dëbimin e imigrantëve që mbroheshin nga deportimi në bazë të projekt-ligjit të imigracionit. Ndërkohë, administrata e tij ka deportuar më shumë imigrantë të paligjshëm se çdo president tjetër amerikan.
Presidenti Obama mbajti premtimin e fushatës për të reformuar kujdesin shëndetësor të vendit. Ndërsa ky ligj ngjalli shumë debate, Gjykata e Lartë, e cila diskutoi kushtetueshmërinë e tij, i mbështeti dispozitat kryesore të ligjit.
Presidenti kërkoi dhe Kongresi miratoi një paketë prej 787 miliardë dollarësh për stimulimin e ekonomisë dhe më pas zbatoi një program shpëtimi për kompanitë e automobilëve General Motors dhe Chrysler.
Në maj të vitit 2011, forcat speciale zbuluan vendndodhjen dhe me një operacion ushtarak vranë në Pakistan Osama bin Ladenin, organizatorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Presidenti tërhoqi forcat amerikane nga Iraku, shtoi numrin e trupave në Afganistan dhe nënshkroi një traktat të ri për kontrollin e armëve me Rusinë.
Barack Obama është presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Ai është gjithashtu presidenti i parë në detyrë që mbështet ligjërimin e martesës mes homoseksualëve.
Kur zoti Obama u përball me rivalin e tij republikan Mitt Romney në debatin e parë presidencial, Presidenti kishte një avantazh të vogël por të qëndrueshëm në anketat e opinionit në shkallë kombëtare, por ai nuk doli mirë në debat dhe zoti Romney avancoi.
Zoti Obama e ka përqëndruar mesazhin e fushatës kryesisht tek të rinjtë, gratë, pakicat dhe klasa e mesme. Gjatë javëve të fundit, ekonomia është përmirësuar pak gjë që mund ta ndihmojë Presidentin Obama.
Në javët e fundit të fushatës, zoti Obama anuloi fushatën për t’u përqendruar tek përgjigja e qeverisë kundër uraganit Sandy. Guvernatori republikan i Nju Xhërsit, i cili më parë ka qenë kritik i ashpër i presidentit, lavdëroi zotin Obama për rolin e tij në përpjekjet pas uraganit.
Barak Obama lindi në Havai në 1961. Ai dhe bashkëshortja e tij Michelle kanë dy vajza, Malia dhe Sasha.
Nënpresidenti Xho Bajden është edhe këtë radhë kandidati demokrat për nënpresident. Zoti Bajden ka shërbyer për gjashtë mandate si senator dhe konsiderohet si ekspert në politikën e jashtme.( Carolyn Presutti VOA)

 

Profil i kandidatit Mit Romney

Ish-guvernatori i Masaçusetsit dhe kandidati republikan për president Mitt Romney është në një garë të ngushtë me Presidentin Obama pak ditë para zgjedhjeve presidenciale të së martës. Në vazhdim, ju sjellim një profil të kandidatit republikan, i cili mund të bëhet presidenti i 45 amerikan nëse fiton ndaj Presidentit Barak Obama. Partia Republikane përfaqësohet në zgjedhjet e nëntorit me kandidatët Mitt Romney dhe Paul Ryan. Në fushatën për t’u bërë Presidenti i 45 amerikan, zoti Romney përpiqet të vërë në pah aftësitë e tij për të rimëkëmbur ekonominë amerikane. “Unë i kuptoj këto gjëra, dhe dua që ta shfrytëzoj këtë përvojë për të krijuar punë të mira për të gjithë amerikanët që duan punë”. Nëse zgjidhet, zoti Romney thotë se do të ulë taksat, do të shkurtojë shpenzimet qeveritare dhe deficitin buxhetor si dhe do të anulojë ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor. Ai thotë se do të krijojë 12 milionë vende pune gjatë mandatit të tij të parë katër vjeçar.
Zoti Romney bëri fitime prej miliona dollarësh, kur ishte një ndër drejtuesit e kompanisë Bain Capital, një ndër firmat më të mëdha të investimeve në botë. Ai ndihmoi për të shpëtuar nga problemet financiare Lojërat Olimpike Dimërore 2002 në Salt Lake City dhe ishte guvernator i shtetit Masaçusets për një mandat. Zoti Romney nuk pati sukses katër vjet më parë, kur u përpoq të merrte emërimin e Partisë Republikane, si kandidat për zgjedhje. Por këtë radhë, ai i rezistoi konkurrencës nga rivalët më konservatorë Rick Santorum dhe Neët Gingrich dhe kapërceu dyshimet për fenë e tij mormone. Zoti Romney tani kryeson përpjekjet e partisë së tij për të mundur Presidentin Obama të martën, thotë analisti John Fortier: “Mitt Romney mund të mos jetë kandidati më entuziast, por dëshira për të mundur Presidentin Obama është një faktor i fortë motivues për republikanët”.
Në frontin e politikës së jashtme, zoti Romney thotë se, Presidenti Obama ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatin e Amerikës, Izraelin dhe nuk është treguar i ashpër sa duhet ndaj Iranit, Kinës dhe Rusisë. Ai ka kritikuar Presidentin për reagimin ndaj sulmit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë. Katër amerikanë humbën jetën në këtë sulm. “Në marrëdhëniet me vende të tjera, Presidenti ka treguar besim tek njerëz që nuk e kishin fituar këtë besim, ka ofenduar njerëz që nuk e meritonin dhe ka kërkuar ndjesë atje ku nuk duhej”. Zoti Romney është përqendruar tek problemet e ekonomisë. Në debatin e parë presidencial me Presidentin Obama, zoti Romney gjithashtu premtoi se, nëse zgjidhet president ai do të bashkëpunojë me të dyja partitë në qeverisjen e vendit. “Republikanët dhe demokratët e duan Amerikën, por ne kemi nevojë për një udhëheqje të fortë në Uashington që do të bashkonte njerëzit dhe do të bënte punën. Për mua nuk ka rëndësi bindja partiake.

Filed Under: Politike Tagged With: kandidati Romnny, President Obama

ISH PRESIDENTI TOPI PREZANTOI DEPARTAMENTET E PARTISE

November 2, 2012 by dgreca

1. Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë do të drejtohet nga znj. Alketa ÇOÇKA MATI

Znj. ÇOÇKA MATI është diplomuar në Universitetin e Ilinoisit në SHBA në Drejtësi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Pas disa vitesh aktivitet profesional, humanitar dhe politik në SHBA është rikthyer në Shqipëri me angazhime në fushën akademike.

2. Departamenti i Integrimit Evropian do të drejtohet nga Prof. Asoc. Dr. Mirela BOGDANI

Zonja Bogdani është një emër i njohur në jetën publike dhe botën akademike. Ajo ka kryer studimet master në Universitetin e Oksfordit për “Politika Evropiane”, si dhe në Universitetin e Kardifit, njëkohësisht edhe në Shkollën e Studimeve Evropiane, për “Politika Publike Evropiane”. Është doktoreshë në shkencat mjekësorë. Zonja Bogdani është lektore në disa universitete evropiane dhe shqiptare, autore e disa botimeve shkencore dhe eksperte nga më të njohurat në fushën e studimeve evropiane.

3. Departamenti i Arsimit dhe Shkencës do të drejtohet nga Prof. Dr. Edmond DRAGOTI

Profesor Dragoti është një personalitet në jetën publike, psikolog dhe pedagog, autor i shumë teksteve universitare dhe studimeve shkencore. Z. Dragoti ka përvojë të gjatë akademike, por edhe politike dhe është një nga ekspertët më të njohur në trajtimin e çështjeve të arsimit dhe shkencës.

4. Departamenti i Shëndetësisë do të drejtohet nga z. Aleksandër SALLABANDA

Zoti Sallabanda është një personalitet i njohur publik, me një CV të pasur profesionale dhe politike. Ai është mjek, ekspert i shëndetit publik, Doktor i shkencave mjekësore. Në karrierën politike janë të njohura angazhimet e tij si Zv/ministër i Shëndetësisë dhe Ambasador i Shqipërisë në SHBA.

5. Departamenti i Marrëdhënieve Publike dhe Medias do të drejtohet nga znj. Edlira Gjoni

Zonja Gjoni është një analiste e njohur politike dhe pedagoge në universitet. Ka kryer studimet master dhe është doktorante në fushën e komunikimit në Suedi. Zonja Gjoni sjell një eksperiencë dhe përqasje të re në fushën e marrëdhënieve me publikun, ku pjesën qendrore, e zë pikërisht ndërtimi dhe përcjellja e mesazhit politik ne interes te publikut.

6. Departamenti i Politikave të Administratës Publike, të Decentralizimit dhe Pushtetit Vendor do të drejtohet nga z. Andi SEFERI

Zoti Seferi është jurist dhe ekonomist, ka kryer studimet master në qeverisje në Universitetin e Palermos, dhe Universitetin Katolik në Perugjia, Itali. Ka një përvojë të gjatë angazhimi në disa organizata ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri e Kosovë dhe në programe trajnuese si ekspert i metodave bashkëkohore dhe kooperimit ndërkombëtar.

7. Departamenti i Çështjeve Kushtetuese, Ligjore dhe i Politikave të Institucioneve të Pavarura do të drejtohet nga zonja Edlira Abazi

Zonja Abazi është juriste, specialiste e Shkencave Politike, Master “Për të Drejtën Kushtetuese dhe Administrative” dhe për “Marrëdhënie ndërkombëtare”. Ajo ka përvojë të gjatë pune në Gjykatën Kushtetuese dhe në institucione akademike e universitare, ku është lektore.

8. Departamenti i ish të Përndjekurve Politikë do të drejtohet nga z. Bedri BLLOSHMI një nga emrat simbol të disidencës antikomuniste në Shqipëri

Zoti Blloshmi është një emër shumë i dashur në publik. Ai në mbrojtje të ideve demokratike kaloi shumë vite burgim politik në regjimin komunist dhe sot në demokraci është një shkrimtar e autor me disa botime me vlerë historike. Zoti Blloshmi është diplomuar në shkencat juridike. Vëllai i Bedriut, poeti Vilson Blloshmi u pushkatua bashkë me poetin Genci Leka nga regjimi komunist. Familja Blloshmi numëron 12 të pushkatuar nga regjimi komunist.

9. Departamenti i Çështjeve të Pronësisë do drejtohet nga zonja Arjola TOLA (TABAKU)

Zonja Tola është juriste dhe inxhiniere, me studime master në administrim publik dhe me përvojë të gjatë profesionale në çështjet e pasurisë dhe pronësisë në Shqipëri. Aktualisht është eksperte teknike dhe konsulente ligjore në çështjet e pronësisë së paluajtshme.

10. Departamenti i Politikave Ekonomike, Burimeve Natyrore dhe Pasurive Kombëtare do të drejtohet nga z. Alfred CAKO

Zoti Cako është gjithashtu një figurë e njohur publike, ish deputet në parlament gjatë viteve 2001-2005. Z. Cako ka kryer masterin në administrim biznes në programin e Universitetit të Nebraskës. Ka përvojë të gjatë politike dhe profesionale, është botues i suksesshëm dhe analist politik në media.

11. Departamenti i Politikave Financiare dhe Rregullimit të Tregjeve do të drejtohet nga znj. Gerta GUMENI

Zonja Gumeni është gjithashtu një emër i njohur i fushës financiare, eksperte ekonomie, diplomuar në Menaxhim Biznes në Universitetin e Torontos, Kanada. Zonja Gumeni ka përvojë të gjatë administrimi dhe drejtimi, duke qënë drejtuese kryesore për disa vite në INSAT, në Drejtorinë e Tatimeve dhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Aktualisht ajo drejton “Qendrën e Zhvillimeve Post Tranzicion”.

12. Departamenti i Marrëdhënieve me Biznesin do të drejtohet nga znj. Mimoza PREKU, specialiste e njohur e biznesit dhe Dhomave të Tregtisë.

Zonja Preku ka kryer studimet master në shkencat administrative dhe ka përvojë të gjatë pune në Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë. Gjatë aktivitetit të saj ka koordinuar projekte të ndryshme në fushën e biznesit, dhe aktualisht është Drejtore e Departamentit të Misioneve të Biznesit dhe Panaireve në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

13. Departamenti i Infrastrukturës, Rregullimit të Territorit dhe Transporteve do të drejtohet nga Stavri RISTANI.

Inxhinier Ristani ka një përvojë të gjatë akademike dhe profesionale, është Doktor i Shkencave në inxhinierinë e strukturave (Itali), dhe prej 30 vjetësh është lektor në Universitetin e Tiranës. Ka gjithashtu përvojë politike në angazhimet politike si Zv/ministër apo edhe si ekspert direkt i fushës, duke qenë një nga autorët e reformës në sektorin e furnizimit me ujë dhe të shërbimit të kanalizimeve që po implementohet në Shqipëri.

14. Departamenti i Bujqësisë dhe Ushqimit do të drejtohet nga Prof. Dr. Aleksander Flloko

Zoti Flloko është biolog i njohur, pedagog prej 30 vitesh në Universitetin Bujqësor të Tiranës, me përvojë të gjatë profesionale, politike dhe administrative. Zoti Flloko ka qenë përfaqësuesi i Shqipërisë në bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në çështje të veçanta të bujqësisë dhe ushqimit, si dhe për pesë vjet ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në Presidencë. Ai është autor dhe bashkëautor në disa botime, përfshirë studime shkencore brenda e jashtë vendit në fushën e bujqësisë.

15. Departamenti i Politikave të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të drejtohet nga z.Agron XOXA

Zoti Xoxa është një nga ekspertët më me përvojë në fushën e kulturës, pianist dhe publicist i njohur, me studime pasuniveristare në Gjermani dhe Belgjikë, si dhe me eksperiencë administrative e drejtuese në disa institucione kulturore. Ai ka qenë drejtor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, si dhe këshilltar pranë PNUD dhe në Ministrisë së Kulturës. Zoti Xoxa është prej vitesh pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura.

16. Departamenti i Çështjeve Sociale dhe Shoqërisë Civile do të bashkë-drejtohet nga z.Kliton ZGURI dhe znj. Edlira SEFERI SHETA

Zoti Zguri është psikolog, ka kryer studimet master për Qeverisje dhe Politika të Zhvillimit të Territorit. Ai ka një eksperiencë të gjatë në radhët e shoqërisë civile, ku në fokus të këtij aktiviteti kanë qenë gjithmonë çështje me interes dhe ndjeshmëri të lartë për publikun.

Zonja Seferi SHETA ka kryer studimet pasuniversitare në Itali për sipërmarrje, marketing dhe menaxhim në sektorin social – shëndetësor. Ajo është menaxhere në sektorin privat, eksperte në fushën e sipërmarrjes dhe sektorit social, me përvojë të gjatë në OJF humanitare ne Shqipëri dhe Itali.

17. Departamenti i Diasporës dhe Emigracionit do të drejtohet nga z. Lisandër SARAÇI

Zoti Saraci është matematicien dhe ekspert në financë, me master në Universitetin e Parisit dhe Institutin e Shkencave Financiare dhe Aktuaristike, Francë. Ka një përvojë të gjatë në rrjetin e organizatave shqiptare të emigracionit, në promovimin dhe organizimin e komuniteteve tona në diasporë, si dhe në angazhimin e tij si këshilltar i Presidentit për cështjet e sigurisë kombëtare.

18. Departamenti i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare do të drejtohet nga z. Klajdi Mati

Zoti Mati është ekspert i njohur me përvojë të gjatë profesionale në Shqipëri dhe në SHBA në fushën e sigurisë dhe rendit publik. Është diplomuar për Drejtësinë Kriminale, dhe ka kualifikime të ndryshme në SHBA. Ai ka gjithashtu përvojë në çështjet e sigurisë edhe në Shqipëri, me angazhimet e tij si drejtues pranë zyrës së delegacioneve të huaja, Këshilltar i Ministrit të Drejtësisë apo Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në këtë ministri.

19. Departamenti i Turizmit do të drejtohet nga z. Fisnik Brovina

Zoti Brovina ka kryer studime në shkencat ekonomike dhe ka eksperiencë në mësimdhënie në universitetet shqiptare. Zoti Brovina ka qenë një nga drejtuesit në institucionet përgjegjësisë për politikat e turizmit në Shqipëri.

Filed Under: Politike Tagged With: bamir topi, departamentet e FRPD

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 660
  • 661
  • 662

Artikujt e fundit

  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë
  • Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër
  • Vatra Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” ju ftojnë në festën e Pavarësisë së Kosovës më 15 shkurt 2026
  • Azem Shkreli, më i zëshmi zë i këndimit të kushtrimshëm të fjalës së shpirtshme
  • LIN DELIJA, ART, BESIM DHE IDENTITET NË MËRGIM
  • LIRIA KISHTE EMËR? PO HAGA E DREJTËSISË PSE S’ËSHTË ME DREJTËSINË?
  • Udhëtimi i një gabimi: Një rrëfim ndryshe
  • VATRA KËRKON DREJTËSI NË HAGË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT