• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA në krah të liderëve të UÇK-së: procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë dhe i paanshëm

May 13, 2025 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra qëndron në krah të liderëve të UÇK-së dhe shpreh besimin e palëkundur në pastërtinë e luftës çlirimtare dhe kërkon që procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë e i paanshëm. Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha deklaroi pas takimit me deputetin e Parlamentit të Kosovës z. Artan Behrami. “Sot prita në një takim të veçantë z. Artan Behrami, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për procesin që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – burrave të lirisë që udhëhoqën një luftë të drejtë për çlirimin e popullit të Kosovës nga një regjim shtypës dhe kriminal.

Federata VATRA, si zëri historik dhe institucional i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpreh besimin e palëkundur në pastërtinë e luftës çlirimtare dhe kërkon që procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë, i paanshëm dhe të garantojë transparencën që meriton historia jonë kolektive.

VATRA qëndron krah liderëve të UÇK-së që sot padrejtësisht po mbahen larg atdheut, me bindjen se drejtësia do të triumfojë dhe do të vulosë edhe një herë legjitimitetin e luftës sonë për liri” deklaroi kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha.

Filed Under: Rajon

PAQJA E ÇARMATOSUR QË ÇARMATOS…

May 12, 2025 by s p

– Fjalët e para dhe ditët e para të Papës Leoni XIV –

Përgatiti Visar Zhiti

FLETORJA E PAPËS SË RI

Papa i ri, Leo XIV, kur u shfaq në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit për të përshëndetur popullin e mbledhur në sheshin më të bukur të botës katolike, pas shpalljes së tij si Papë, me veshjen tradicionale papale dhe qëndrimi i përulur, çaste solemne dhe historike, – fjalë e parë që tha ishte: paqe. Ajo që duhet botës dhe njerëzimit, çdo qenieje të gjallë.

Vazhdon jehona e fjalës së tij dhe e takimeve të para. Më bëri përshtypje ajo që lexova në gazetën më të madhe italiane, “Corriere della Sera”. Gjëja e parë që godet nuk është fakti, – historikisht i rëndësishëm, – që është i pari papë që zgjidhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. As që zgjodhi një emër të vjetër në dukje, i largët në kohë, në realitet tregues: Luan, emri i papës së parë që pajtoi me Rerurm Novarum krishtërimin me modernitetin. As ngulmimi te fjala “paqe” la pax Christina, e domosdoshme për të ngritur ura, etj, E para gjë që na goditi nga Robeert Francis Prevost ishte fletorja. Kurrë ndonjë papë nuk kishte lexuar ndonjëherë nga lozha një tekst të shkruar në fletë, që i shihte herë pas here. Dhe s’ishte prej vështirësisë së gjuhës, ai flet shkëlqyer jo vetëm italisht e anglisht e spanjisht, latinisht, etj. Fletorja i shërbeu për të qenë saktë…

Unë shtoj se dhe është e shkruar ajo që do të duhet të bëjmë, prandaj dhe mund ta themi, qartë dhe me përgjegjësi.

Gjithçka është e shkruar

CILA PAQE?

Ai lexoi me qetësi e përulësi:

“Le të jemi ndërtues të paqes, duke refuzuar dhunën dhe duke përqafuar përulësinë si rrugën drejt pajtimit. Kërkoj një paqe të çarmatosur, çarmatosëse…”

Janë fjalë që mbajnë peshën e shekujve dhe ëndrrën jo vetëm të krishterimit, por të popujve, të kulturës perëndimore, që drejtësia dhe liritë të mos vijnë më nga shpatat, nga lufta e bombat, por nga paqja dhe puna, krahët e hapur të dashurisë, që besimi të jetë më i fortë se frika.

Paqja “e çarmatosur” është e lirë prej kërcënimeve, të saj dhe kundër saj, është pa helmeta e parzmorë si njeriu i zhveshur. Ndërsa paqja “çarmatosëse” është dhe një thirrje e madhe morale, mund t’u drejtohet kujdo, kombeve dhe pakteve të tyre: hiqni dorë nga armatimet, nga logjika e kërcënimit, nga ekonomia e vdekjes.

Dy fjalë: i çarmatosur dhe çarmatosës. E gjithë strategjia dhe kultura morale që do të duhej…

LUANËT ME KRYQ

Ka çaste në histori kur dhe një njeri i vetëm del përballë shkatërrimit dhe thotë: “Jo.” Dhe këtë “jo” nuk e thotë me armë, as me ushtri, por me fjalë, me besim, me fytyrën e tij të kthyer nga qielli dhe me dorën që mban një kryq të thjeshtë.

Kështu ndodhi në vitin 452, kur Papa Leoni i Madh doli përpara Atilës, “kamxhikut të Zotit”, barbarit që digjte qytet pas qyteti dhe kishte mbërritur në portat e Romës. I papajisur me asnjë lloj mbrojtjeje, Papa mbajti vetëm fuqinë e fjalës dhe autoritetin e një besimi që nuk druhej. Dhe Atila u tërhoq.

“Takimi i Papa Leoni i Madh me Atilën” – Rafael (1513–1514)

Kjo freskë monumentale ndodhet në Stanza di Eliodoro në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Piktori i shquar i Rilindjes, Rafaeli, paraqet momentin kur Papa Leoni, i shoqëruar nga Shën Pjetri dhe Shën Pali që shfaqen në qiell me shpata të tërhequra, përballet me Atilën dhe ushtrinë e tij. Afresku

Kjo ndodhi, në kufijtë e historisë dhe legjendës, nuk është vetëm një faqe e lavdishme e Kishës. Është një metaforë universale për atë që ne, njerëzit, e harrojmë gjithnjë: se forca e brendshme, kur është e mbështetur në drejtësi dhe në dashuri, ka më shumë peshë se çdo shpatë.

Sot, bota është sërish nën kërcënimin e Atilëve modernë. Ata nuk vijnë më me ushtarë e shigjeta e kuaj, por me urrejtje të organizuar, me teknologji që ndan, me ideologji që zhveshin njeriun nga dinjiteti, me heshtje përballë vuajtjes. Dhe sërish, para këtyre hijenave të kohës sonë, del një Papë i ri – Robert Francis Prevost, një burrë i heshtur, një bari i butë që vjen nga zemra e Amerikës dhe rrugët e Perusë, ku ka shërbyer mes të varfërve.

Zgjedhja e tij si Papë në këto kohë të turbullta është një përgjigje e heshtur, por e fuqishme: nuk është shtrëngata ajo që flet, por qetësia. Nuk janë zhurmat ato që drejtojnë botën, paratë, forca, dukja, etj, por mendimi, idealet, fjalët e brendshme shpirt:ere. Dhe Papa Roberti nuk ka nevojë të bërtasë. Që në fjalimin e tij të parë ai s’premtoi revolucione, por prani dhe dëgjim, shërbim dhe mirëkuptim, si të donte të na thoshte se Roma e sotme nuk është një qytet për t’u mbrojtur me mure, por një ndërgjegje për t’u ruajtur me dashuri.

Në botë ka luftë, Rusia me Ukrainën. Në Izrael me palestinëzet, etj, Kërcënime ka, urrejtje ka, armatime gjithnjë e më shumë. Dhe djaj t;e armatosur.

Nëse Papa Leoni ndali Atilën me ndërhyrjen qiellore të Shën Pjetrit dhe Shën Palit, Papa Roberti do të duhet të ndalë Atilat e sotshëm, të dukshëm dhe të padukshëm, me engjëj të tjerë: urtësisë së shenjtë, përulësisë njerezore.

Ai përfaqëson Kishën, që nuk mbron fronin, por plagën. Një udhëheqës që nuk nderohet për atë që zotëron, por për atë që ndan. Një burrë që e ka ndërtuar jetën e tij mbi fjalët e Krishtit: “Mos kini frikë.”.

Selia e Shenjtë me Papa Françeskun, kujtojnë vëshguesit, me SHBA me Trumpin President, por dhe me Biden, – president katolik, nuk kishte mirëkuptimin e duhur, pra marrëdhënie të nderura, një papë amerikan duhet të ndryshojë gjendjen. Presidenti Trump ka acaruar Europën, në Papë në zemër të Europës do të dijë të ndërhyjë. Dhe ai ka përvojën e varfërisë sociale në Peru, të emigracionit në familjen e tij, di Afrikën, Azinë dhe Kinën që gjakon superfuqinë, jo vetëm ekonomike, etj, etj.

Papa Leoni ndaj Atilës kishte në anën e tij mrekullinë. Papa Roberti ka në anën e tij kohën – këtë kohë që ka nevojë për udhëheqje pa detyrime, për shpresë pa iluzione, por me besim. Papa që ndalon me kryq shpatat dhe të keqen…

Dhe sapo ka ardhur një i ri…

DHE PSE PAPA LEONI XIV?

MESAZHE TË TIJ:

E tha vetë:

Mendova të marr emrin e Leone XIV per arsye të ndryshme, por veçanërisht sepe Papa Leone XIII në Enciklikën Rerur Novarum përballoi çështje sociale në kontekstin e revolucionit të parë industrial. Dhe sot kisha u ofron të gjithëve trashëgiminë e saj të doktrines sociale për t’ju përgjigjur një tjetër revolucioni industrial, zhvillimin të Inteligjencës Artificiale, që përfshijnë sfida të reja për mbrojtjen e dinjitetit human, te drejtësisë dhe punës.

Që në ditët e para të pontifikatit të tij, Papa Leone XIV ka dhënë mesazhe të fuqishme që përçojnë shpresë dhe përkushtim, drejtësi sociale, dialog dhe paqe në një botë të trazuar. Tirrjet e tij janë:

1- Për ndërtimin e urave: Në fjalimin e tij të parë publik më 8 maj 2025 theksoi rëndësinë e paqes, unitetit dhe dialogut, duke i bërë thirrje Kishës të jetë më e afërt me të vuajturit dhe të angazhohet në misionin e saj ungjillëzues .

2- Mbrojtja e dinjitetit njerëzor dhe të punës përballë sfidave të revolucionit digjital dhe Inteligjencës Artificiale, etj.

3- Papa Leone XIV ashtu si Papa Françeskut ka theksuar rëndësinë e kujdesit për më të dobëtit dhe promovimin e një dialogu të guximshëm me botën moderne .

4- Papa i ri ka theksuar nevojën për mikpritje ndaj emigrantëve dhe përkujdesje për mjedisin… etj,

TË SHKOSH TE IKONA E SHQIPTARËVE

Papa Leoni XIV në Genazzano, te ikona Zoja e Këshillimt të Mirë, Pajtorja e Shqiptarëve.

Dalja e parë jashtë Romës e Papa Leonit XIV në ditën e dytë si papë ishte në Genazzano në Kishen e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së Shqipërisë.

Është figura e Zojës që iku nga Shkodra në kohët e errta të pushtimit otoman dhe u vendos në afërsi të Romës. Shkodra e Zojës dhe Zoja e Shkodres.

Papa Leone XIV, më parë kardinali amerikan Robert Prevost, është anëtar i Urdhrit të Shën Augustinit.

Sanktuari i Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano është një vend i shenjtë i rëndësishëm për këtë urdhër, pra ishte dhe një kthim në rrënjët e tij shpirtërore. Ikona e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur edhe si Zoja e Shkodrës, ka një rëndësi të veçantë për shqiptarët dhe për besimtarët katolikë në mbarë botën. Sipas traditës, kjo ikonë mbërriti mrekullisht nga Shkodra në Genazzano në vitin 1467, gjatë pushtimit osman. Vizita e Papës në këtë vend të shenjtë është një nderim për këtë trashëgimi të përbashkët shpirtërore.

Papa Leo XIV përshëndeti besimtarët, të gjithë që kishin dalë për ta pritur e parë e takuar, duke shprehur gëzimin që pati duke iu lutur Nënës së Këshillit të Mirë, “një dhuratë kaq e madhe” për popullin e Genazzanos, që sjell edhe një përgjegjësi të madhe: “Ashtu si një nënë nuk i braktis kurrë fëmijët e saj, edhe ju duhet t’i jeni besnikë nënës suaj”.

Papa përshëndeti të rinjtë, dhe ata që janë të rinj në zemër –

Më në fund, përpara se të largohej nga Shenjtërorja, ai bekoi të pranishmit.

Por duke qenë një ikonë shqiptare ajo ku ai u lut, na duket se vetë Shqipëria, ajo e vjetra, e përjetëshmja, pra dhe e ardhmja, e priti atë dhe e uroi. Është dhe kështu…

Filed Under: Rajon

Maqedonia e (Jo e) Veriut dhe gjuha që flet…por nuk dëgjohet”

May 12, 2025 by s p

Reagim nga Rafael Floqi/

Mirë se vini në S’ka Ndal e Paradokseve Ballkanike, ku flasim për gjithçka që s’ka kuptim… por ekziston! Sot – një udhëtim në republikën e çoroditur të Maqedonisë së Veriut, ku gjuha shqipe është zyrtare… vetëm kur nuk duhet të jetë. Nuk dua të tingëlloj si pesimist, disfatist apo – Zot na ruaj! – paranojak. Thjesht po përpiqem të jem realist në një shtet që funksionon mbi parimin e mosfunksionimit. Maqedonia e Veriut, apo më saktë Maqedonia e Paralelizmit Jetësor, është bërë një laborator eksperimental ku jetojnë dy specie të ndryshme njerëzore: shqiptarët që flasin një gjuhë që Kushtetuta e ka dëgjuar por nuk e pranon, dhe maqedonasit që flasin në emër të bashkëjetesës duke mbyllur veshët. Por… Maqedonia e Veriut është bërë një shtet i deformuar.

Jeton në dy dimensione paralele:

Në njërin – shqiptarët. Në tjetrin – maqedonasit.

Në mes – iluzioni i bashkëjetesës që shëtit nga dokumenti në foltore, por që në praktikë… funksionon aq sa funksionon interneti nëpër komuna. Dhe çfarë është “top tema” e ditës? Rritja e rrogave? Shëndetësia? Investimet?

Jo, jo…

Çështja më e nxehtë është: A lejohet shqipja në seanca gjyqësore? Sepse, siç e dimë të gjithë, drejtësia varet nga… alfabeti. Në këtë republikë të çoroditur, gjithçka duket sikur është marrë nga një skenar grotesk teatro-politik. Gjykata Kushtetuese – institucioni që në një vend normal do të garantonte drejtësinë – këtu ka marrë rolin e një redaktori gjuhësor me sindromën e gramatikës së pastër etnike. Në vend se të merret me krizat sociale, politike e ekonomike që po çojnë vendin në një limbo permanente euro-integruese, ajo merret me rishikimin e alfabetit shqip. Si të ishte ndonjë klub provincial letrar që debaton nëse “ë”-ja duhet përdorur në fillim apo fund.

Një e treta e popullsisë flet shqip. Kushtetuta thotë “po”, Gjykata thotë “ndoshta”, politika thotë “le të presim ç’të thotë partia në pushtet”, ndërsa faktori ndërkombëtar thotë “shikoni sa bukur bashkëjetoni… në letra”. Është një bashkëjetesë që e gjen vetëm në PowerPoint-et e ndihmës së huaj dhe në broshurat turistike ku përpiqen të na shesin një shtet multietnik me erë nacionalizmi të ftohtë. Në këtë republikë, për të zgjidhur një problem – duhet të bësh… problem. Pa zhurmë nuk bëhet punë. Heshtja është arma më e fortë e sistemit: e përdor për të mbuluar padrejtësitë, për të fshirë gjurmët dhe për të bërë që shqiptarët të duken si figurantë në serialin “Progresi Evropian”.

Komisioni i Venecias – si zëri i arsyes që bie kot në vesh të shurdhër – thotë: “Përdorimi i shqipes në gjyqe nuk përbën problem. Madje, mund të jepen edhe më shumë të drejta gjuhësore.” Por ja ku vjen pika e ëmbël e hipokrizisë: Ky ligj është dërguar për shqyrtim si… ligj për minoritetet. Po, shqiptarët – një e treta e popullsisë – trajtohen si pakicë. Kështu i emërton Kushtetuta. Kështu e shqyrton Europa.

Dhe pse? Për këtë na flet Zeqirija Ibrahimi: Për shkak të Marrëveshjes së Ohrit – asaj të lavdishmes që na la “gjuha zyrtare” në letra, por “gjuhë e pakicës” në praktikë. Dhe për këtë duhet të falënderojmë BDI-në dhe komandantët e Prizrenit, që e nënshkruan këtë marrëveshje me buzëqeshje për kamerat… dhe heshtje për historinë. Një mik më pat thënë një herë: “Në këtë shtet, pa bërë problem, s’mund të zgjidhësh asnjë problem.” Përkthyer në maqedonishten politike do të thotë: bërtit, protesto, blloko rrugën, thyej ndonjë derë, dhe – voilà! – gjuhës shqipe i shtohet ndonjë tabelë diku në ndonjë ndërtesë komunale ku s’ka punuar njeri që nga viti 2005. E kështu, Maqedonia e Veriut vazhdon të ecë drejt Evropës me një këmbë në vitin 2025 dhe tjetrën në shekullin XIX, duke valëvitur flamurin e integrimit me njërën dorë dhe flamurin e frikës nga gjuha shqipe me tjetrën. O sancta simplicitas! Deri kur do të jetojmë në këtë paradoks, ku Kushtetuta është roman fantastiko-shkencor, ndërsa realiteti – një dramë e pambaruar e përkthyer keq në dy gjuhë që nuk duan të dëgjojnë njëra-tjetrën?

Filed Under: Rajon

Rreziku i standardeve të reja ndërkombëtare për Kosovën dhe çështjen shqiptare në Ballkan

May 5, 2025 by s p

Në një kohë kur zhvillimet gjeostrategjike globale po ndryshojnë me shpejtësi, kur bota po përballet me tronditje të mëdha gjeopolitike dhe përpjekje për rishikim të rendit ndërkombëtar, çështja shqiptare nuk është një kapitull i mbyllur në Ballkan. Në këtë korrelacion, çështja e Kosovës është pjesë e betejës globale për ruajtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Sinjali politik i Moskës

Vizita e fundit e kreut të Kishës Ortodokse Serbe, peshkopit Porfirije, në Moskë dhe takimi i tij me Patriarkun Kirill nuk mund të konsiderohet thjesht si një zhvillim fetar ceremonial.

Takimet e tij me udhëheqjen fetare dhe politike ruse, janë shumë më tepër sesa një akt simbolik fetar! Ato duhet parë si sinjal i qartë i një ofensive të re politike dhe diplomatike që synon të ndikojë direkt në çështjet e pazgjidhura në Ballkan, me fokus të veçantë mbi Kosovën.

Në vlerësimin tim gjeostrategjik dhe politik, është një aleancë fetare me dimensione gjeopolitike. Takimi i Porfirijes me Patriarkun Kirill e shënoi rikonfirmimin e një boshti strategjik të ndërtuar mbi baza fetare, kulturore dhe politike.

Kisha Ortodokse Ruse dhe ajo Serbe janë prej kohësh instrumente të politikës së jashtme të Moskës dhe Beogradit. Përmes bashkëpunimit të ngushtë kishtar, po përforcohet një rrjet ndikimi që synon të konsolidojë narrativën e Serbisë për Kosovën si “djep shpirtëror” të saj, duke kundërshtuar pavarësinë dhe sovranitetin e saj.

Ky pozicion bëhet më favorizues nga marrëveshjet që e kalojnë trashëgiminë ortodokse shqiptare në pronësi të kishës serbe, me theks me Planin Franko-Gjerman – pikën 7 – ku sanksionohet statusi i kishës serbe, dhe me implementimin e një vendimi të kontestuar gjyqësor për bartjen e pronave Manastirit të Deçanit, nga Qeveria e Kosovës në vitin 2024.

Vuçiç në Moskë më 9 Maj

Vizita e planifikuar e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Moskë më 9 Maj, është një dëshmi tjetër se ai dhe udhëheqja serbe synojnë të përfitojnë nga integrimet euro-atlantike dhe Perëndimi, pa e cenuar aleancën strategjike, historike dhe gjenetike me Rusinë. Ky udhëtim, i zgjedhur që të përkojë me festimet ruse të Ditës së Fitores, dëshmon qartë për një ekuilibër të dyfishtë, ku Beogradi luan rolin e “partnerit euro-atlantik” ndërsa ruan besnikërinë ndaj Moskës. Një veprim i tillë tregon se Serbia nuk ka ndërmend të sakrifikojë lidhjet e saj me Federatën Ruse, edhe pse pretendon se do të afrojë vendin me institucionet perëndimore.

Vuçiç dhe anulimi i vizitës në Uashington, sinjale dhe dilema

Vizita e paralajmëruar e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Shtetet e Bashkuara dhe pritja e mundshme nga administrata e Presidentit Trump, ishte interpretuar si pjesë e një strategjie të sofistikuar të Beogradit për të afruar veten me qendrat vendimmarrëse perëndimore, duke ruajtur njëkohësisht aleancën tradicionale me Rusinë. Ai kërkon të shfrytëzojë mbështetjen euro-atlantike për integrime ekonomike e politike, pa cenuar aleancën strategjike dhe lidhjet gjenetike historike me Rusinë. Ky ekuilibër i dyfishtë tregon qartë se Serbia kërkon të qëndrojë “në të dy anët e gardhit”, duke përfituar nga të dy pushtetet e mëdha njëkohësisht.

Por anulimi i takimit me Presidentin Trump, gjatë kësaj vizite në momentin e fundit, me justifikimin zyrtar të “sëmundjes”, ngre pikëpyetje serioze për përmbajtjen dhe dinamikën e raportit aktual Serbi–SHBA, por edhe për qëndrimet e brendshme në vetë administratën amerikane ndaj një protagonizmi të sforcuar të Vuçiqit në arenën ndërkombëtare.

Mesazhi që duhet ta lexojnë Kosova dhe vendet e rajonit është i qartë: ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë strategji të dyfishtë, të forcojmë unitetin tonë diplomatik dhe ekonomik, dhe të mos lejojmë që loja e interesave të mëdha të fragmentojë sovranitetin tonë dhe paqen në rajon.

Në planin më të gjerë, kjo situatë nxjerr në pah vështirësinë e Serbisë për të mbajtur ekuilibrin e dyfishtë mes Perëndimit dhe Lindjes. Beogradi po përpiqet të përfitojë njëkohësisht nga edhe afërsia me Brukselin dhe nga mbështetja strategjike e Moskës, duke u pozicionuar si faktor gjoja neutral, por në realitet është thellësisht i anuar nga aksi ruso-kinez.

Kosova dhe shtetet tjera të rajonit duhet ta lexojnë me vigjilencë këtë strategji të dyfishtë. Nevojitet unitet diplomatik, koordinim rajonal dhe përfshirje më e thellë në partneritetin me SHBA dhe BE, në mënyrë që të ruhet balanca e drejtë ndërkombëtare dhe të mos lejohet që heshtja e përkohshme e diplomacisë të shndërrohet në dëm të statusit të fituar me shumë sakrifica. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe koordinimit strategjik mund të mbrojmë arritjet tona dhe të ruajmë stabilitetin afatgjatë.

Pyetje kyçe për t’u analizuar

Në këto rrethana dilemat që duhen shtruar janë se:

– A është Rusia duke përdorur kishën serbe si mjet për të avancuar interesat e saj në Ballkan?

– A po përgatitet një përballje e madhe politike dhe diplomatike që mund të prekë edhe statusin e Kosovës?

– A është SHBA gati me një plan të ri për Ballkanin, që do të ruajë standardet e vendosura pas Luftës së Ftohtë, apo rrezikohet vendosja e një standardi të ri të padrejtë, që shpërblen agresionin dhe imponimin e realiteteve me forcë?

Kjo vizitë përkoi me pritjet tona, se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po përgatisin një plan të ri për Ballkanin, që synon stabilizimin dhe integrimin e plotë të rajonit në strukturat euro-atlantike.

Precedenti ukrainas dhe kërcënimi për Kosovën

Nëse Rusia arrin të normalizojë me marrëveshje të imponuara pushtimin e territoreve të Ukrainës, kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm edhe për rajonin tonë.

Serbia, e mbështetur nga Rusia, Kina dhe aktorë të tjerë autoritarë, do të pretendoj që me të njëjtën logjikë ta mbaj të hapur dhe të kontestuar statusin e Kosovës, pavarësisht njohjes ndërkombëtare dhe pavarësisë së fituar me mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve të tjera demokratike, si dhe të konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Rreziqet direkte për Kosovën

Ky skenar i bazuar në forcë, agresion dhe gjendjen faktike – si rezultat i tyre, paraqet rrezik të madh për Kosovën, sepse:

– I lehtëson përpjekjet serbe për të rikthyer narrativën e sovranitetit mbi Kosovën. Meqë Marrëveshja e Ohrit e marsit ’23, nga Artikulli 35 – nga tre kushtet për integrim në BE të Serbisë: njohja e pavarësisë së Kosovës; heqja nga Kushtetuta e saj; dhe normalizimi i raporteve me Kosovën – ia heq për 10 vite dy të parat)

– Rrezikon të relativizojë të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje dhe mbrojtje nga gjenocidi, të fituara me luftën e UÇK-së, të garantuara nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 dhe të konfirmuara nga GJND.

• Krijon hapësirë për sulme të reja diplomatike dhe politike ndaj statusit ndërkombëtar të Kosovës.

Çështja shqiptare në Ballkan është ende një plagë e hapur

Çështja shqiptare në Ballkan mbetet ende e hapur. Shqiptarët vazhdojnë të jetojnë të ndarë në pesë shtete, të shpërndarë padrejtësisht nga vendime ndërkombëtare të bazuara mbi forcën dhe gjendjen faktike të krijuar nga pushtimet historike, dhe si rezultat i marrëveshjeve të padrejta ndërkombëtare të Shën Stefanit (1878), Berlinit (1878), Londrës (1913), dhe të pas Luftës së Dytë Botërore.

• Në Jugun e Serbisë (Kosova Lindore, Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Prokuplje, Rashkë e deri në Nish) shqiptarët jetojnë nën diskriminim dhe mohim të të drejtave kombëtare, çka e bën Ballkanin një vullkan eruptiv që nuk mbanë më;

– Në Malin e Zi, territoret shqiptare nga Kotorri, Tivari, Ulqini, Hoti, Gruda, Plava, Gusia, Arzhanica, Berani e deri në Rozhaj janë ndarë dhe po i nënshtrohen një procesi të thellë të dehumanizimit asimilues dhe tehuajësimit.

• Në Maqedoninë e Veriut, e cila e ka më shumë se 50% të territorit historikisht shqiptar, që i është aneksuar Shqitërisë, për të vazhduar më pas me krijimin artificial të “Maqedonisë” nga komunistët rus dhe titist-jugosllavë.

• Në Greqi, shqiptarët e Çamërisë janë dëbuar me dhunë para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Arvanitasit i nënshtrohen një politike të heshtur asimilimi e dehumanizimi, duke mbajtur në fuqi ligjin absurd të luftës me Shqipërinë.

• Në trevat e Sanxhakut dhe Nishit, shqiptarët janë viktimë e spastrimeve etnike dhe margjinalizimit historik. Vazhdon tradita e tejhuajsimit nga identiteti autokton shqiptar në një identitet arbitrar si “mysliman” — që në etimologji gjenetike nuk është identitet kombëtar por fetar. Një strategji e trashëguar nga periudha titizmit, kur u krijua artificialisht identiteti territorial dhe etnik maqedon.

Prandaj, çështja e Kosovës nuk duhet parë thjesht si një rast i izoluar, por si pjesë e një beteje globale për ruajtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të rendit të bazuar në rregulla.

Rikthimi i doktrinës së “sferave të influencës”

Nëse Perëndimi nuk reagon me vendosmëri ndaj këtyre zhvillimeve, ekziston rreziku i rikthimit të doktrinës së vjetër të “sferave të influencës”. Një qasje e tillë do të rriste rrezikun që Kosova dhe viset shqiptare të shihen si pjesë e një zone gri, ku standardet ndërkombëtare nuk zbatohen njësoj si në vendet e tjera. Kjo do të ishte një goditje e rëndë për të drejtën ndërkombëtare dhe për të gjitha përpjekjet që janë bërë për të ndërtuar një rend botëror të bazuar në parimet e së drejtës dhe jo të forcës.

Çështja shqiptare si çështje gjeopolitike dhe drejtësie historike

Çështja shqiptare nuk është vetëm një çështje e të drejtave të njeriut dhe pakicave, por një çështje gjeopolitike që kërkon një qasje të re dhe të guximshme nga faktori shqiptar dhe nga aleatët strategjikë perëndimorë, sidomos SHBA-ja.

Nuk ka stabilitet në Ballkan pa zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare.

Sot, shqiptarët janë faktor stabiliteti, demokracie dhe euroatlantizmi në rajon. Ata janë partnerët më të besueshëm të NATO-s dhe SHBA-së. Por pa përmbushjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në të gjitha trevat e tyre etnike, çdo paqe do të jetë e brishtë dhe çdo bashkëpunim rajonal do të mbetet formal dhe i njëanshëm.

Domosdoshmëria e unitetit politik dhe diplomatik shqiptar

Në këtë kontekst, është thelbësore që Kosova dhe Shqipëria, bashkë me faktorin politik shqiptar në rajon, të forcojnë bashkëpunimin strategjik dhe të artikulojnë me qartësi dhe koherencë interesat e shqiptarëve.

Kjo përfshin:

– Unifikimin e qëndrimeve në politikën e jashtme;

– Thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional;

– Koordinimin në raport me proceset integruese dhe me aleatët ndërkombëtarë;

– Ngritjen e kapaciteteve të diplomacisë kulturore, fetare, historike dhe akademike për të kundërshtuar narrativat e rreme të Serbisë dhe Rusisë;

– Promovimin e një strategjie të re për çështjen shqiptare që e konsideron Kosovën si qëndër graviteti të pavarur dhe Shqipërinë si garant të mbrojtjes së të drejtave shqiptare në rajon, në përputhje me Kushtetutën e saj.

Thirrje për veprim të bashkërenduar

Në këtë situatë të ndërlikuar, është jetike që Kosova dhe kombi shqiptar të ndërmarrin hapa të qarta dhe strategjike.

Ajo çfarë duhet të bëjnë shqiptarët në rrugën përpara përfshonë:

1. Koordinimi me SHBA-në dhe Perëndimin: Të forcojnë aleancat me SHBA-në dhe BE-në, duke thelluar integrimin euro-atlantik dhe duke intensifikuar lobimin diplomatik në të gjitha nivelet.

Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë një bosht të përhershëm strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bashkëpunimi me BE-në është i domosdoshëm, por nuk duhet të lejohet që të minojë aleancën me SHBA-në dhe as të përdoret për të vendosur standarde të dyfishta për shqiptarët. Marrëdhënia me SHBA-në është garancia më e madhe e paqes dhe mbrojtjes së interesit kombëtar shqiptar.

2. Platformë unike për të drejtat kombëtare: Të artikulojnë çështjen shqiptare si një problem ndërkombëtar të pazgjidhur dhe të kërkojnë adresimin e padrejtësive historike që rëndojnë ende mbi shqiptarët në Ballkan.

Një Platformë e tllë duhet të përfshij kërkesat legjitime të shqiptarëve në Kosovën Lindor/Luginën e Preshevës, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Çamëri. Kjo platformë duhet të jetë dokument zyrtar shtetëror i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, dhe të promovohet në çdo forum ndërkombëtar si pjesë e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit në rajon.

4. Denoncimi i standardeve të dyfishta: Të ndjekin me vëmendje çdo proces diplomatik që lidhet me Ukrainën, për të siguruar që zgjidhjet atje të mos krijojnë precedente të dëmshme për Kosovën.

Shqiptarët nuk duhet të heshtin përballë padrejtësive ndërkombëtare. Nuk mund të ketë dy standarde për pavarësinë e Kosovës dhe për integritetin territorial të Ukrainës. Nuk mund të kërkohet kompromis nga viktima, ndërsa agresori shpërblehet me status dhe fuqi. Një qasje e tillë do ta shndërronte të drejtën ndërkombëtare në një vegël të interesave të përkohshme politike dhe do të dëmtonte rëndë besimin në rendin global.

5. Ruajtja e subjektivitetit të Kosovës: Të koordinojnë veprimet mes Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në rajon, duke ndërtuar një platformë të përbashkët strategjike për të mbrojtur interesat kombëtare. Kjo nënkupton bashkim në veprim, në qëndrim dhe në përfaqësim ndërkombëtar. Kosova nuk duhet të lejojë devijime nga rruga e saj shtetërore dhe sovrane. Marrëveshjet ndërkombëtare nuk duhet të pranojnë barazi mes shtetit dhe një entiteti të brendshëm (siç është Asociacioni). Çdo pranim i tillë krijon rrezik për Bosnjëzim të Kosovës dhe për minim të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

Kjo vizitë nuk është një ngjarje e izoluar! Ajo është pjesë e një strategjie të gjerë për të sfiduar status quo-në në Ballkan dhe për të ndikuar në zgjidhjen e konflikteve në favor të forcës dhe jo të së drejtës.

E drejta pa forcë është “gandizëm”, prandaj forca nuk duhet parë si kategori autonome, por në kontekst më të gjerë të sigurisë dhe të aleancave të qëndrueshme ekonomike, politike dhe ushtarake.

Një kohë vendimtare për Kosovën dhe kombin shqiptar

Në përfundim, vizita e peshkopit Porfirije në Moskë, pritja e tij nga Patriarku Kirill dhe vizitat e Vuçiç në Uashington dhe Moskë janë sinjale të qarta se po formësohet një realitet i ri gjeopolitik.

Jemi përballë një momenti kritik në historinë tonë politike dhe kombëtare. Në një kohë kur fuqitë e mëdha po negociojnë territore dhe të drejta mbi bazën e forcës dhe pushtimit, shqiptarët nuk mund të qëndrojnë indiferentë.

Në përgjithësi kombi shqiptar, duhet të jenë të vetëdijshëm për këto zhvillime dhe të veprojnë me mençuri, vendosmëri dhe unitet për të mbrojtur arritjet e deritanishme dhe për të garantuar të ardhmen e tyre në një rend ndërkombëtar të bazuar në parime dhe jo në dhunë.

Kosova nuk është thjesht një çështje territoriale — ajo është një vlerë, një precedent, një betejë midis forcës dhe ligjit, midis dhunës dhe drejtësisë. Ruajtja e shtetësisë dhe pavarësisë së saj nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por mision historik i të gjithë shqiptarëve dhe i miqve tanë ndërkombëtarë që besojnë në liri, drejtësi dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje.

Çështja shqiptare nuk është vetëm një çështje e të drejtave të komuniteteve, por një çështje e drejtësisë historike dhe e sigurisë gjeopolitike në Ballkan. Shqiptarët, si kombi më i madh pa bashkim të plotë kombëtar në Evropë, përbëjnë faktor thelbësor për paqen afatgjate në rajon.

Nëse nuk mbrohen standardet e vendosura pas viteve ‘90 dhe nuk ruhet integriteti i arritur përmes luftës së drejtë të UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, rrezikohet jo vetëm stabiliteti i Kosovës, por edhe rendi ndërkombëtar që refuzon imponimin e realiteteve me forcë.

Prandaj, kërkohet qasje strategjike e përbashkët shqiptare dhe ndërhyrje e fuqishme diplomatike e SHBA-së dhe BE-së për të garantuar se Ballkani nuk do të kthehet në një zonë eksperimentale të standardeve të dyfishta.

Liria e fituar me gjak dhe sakrifica nuk negociohet. Ajo mbrohet. Me vendosmëri, me dijeni dhe me aleanca të forta ndërkombëtare. Është koha të veprojmë me menquri, te koordinuar me aleeatet, jo të presim.

Filed Under: Rajon

Përmbajtja e teksteve shkollore në gjuhën shqipe në Mal të Zi me mangësi të theksuara

April 29, 2025 by s p

Ali Salaj/

Në fazën kur Mali i Zi po i mbyll kapitujt përfundimtarë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, për shqiptarët në Malin e Zi po mbesin të hapura shumë çështje që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e tyre.

Në raport me pakicat, Mali i Zi, deri më tani, nuk u përball me asnjë kusht dhe nuk hasi në probleme të theksuara, përveç kundërshtimit të Kroacisë, e cila ia bllokoj kapitullin për Politikën e Jashtme, Sigurisë dhe Mbrojtjes. Planet e veprimit për Malin e Zi,përkundrazi, ishin shumë të lehta dhe mjaft shpejt të realizueshme.

Kështu, fjala vjen, Kapitulli 26-Arsimi dhe Kultura, pasi që iu bë skriningu apo ekzaminimi, ose siç njihet ndryshe “kontrrolli sistematik”, u hap dhe u mbyll brenda një dite.Ndërkohë, është më se e ditur që arsimi në gjuhën shqipe në Mal të Zi përballet me probleme të shumta.

Edhe me këtë rast përfaqësuesit politikë të shqiptarëve u vonuan dhe gjatë ekzaminimit nuk paraqiten vërejtje dhe nuk lobuan që çështjet e arsimit shqip të rishikohen dhe mundësisht kapitulli në fjalë të mbetet i hapur deri në realizimin e objektivit. Tekstet mësimore të përgatitura nga institucionet arsimore në Malin e Zi kanë mangësi të mëdha dhe nuk përmbajnë as ndonjë përqindje të vogël të lëndës kombëtare për nxënësit shqiptarë.

Problemi është më i theksuar me lëndën e Historisë, ku sipas analistit, Zef Ujkaj, “autorët e këtyre teksteve nuk janë mbartës të historisë dhe kulturës, gjuhës dhe traditave shqiptare dhe me sa duket ata jo vetëm që cungojnë informacionin, por dhe përpiqen për të sjellë të dhëna të pasakta duke synuar asimilimin dhe tjetërsimin e popullsisë shqiptare në Mal të Zi”.

Në këtë kuadër Ministria e Arsimit të Malit të Zi premtoi se librat e historisë për shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhen shqipe duhet të përmbanin 20 për qind të lëndës Histori Kombëtare, premtim i cili jo vetëm që nuk u mbajt, por, siç vëren z. Ujkaj “e vështirësoi procesin pasi nuk u dha asnjë informacion i detajuar sesi ky 20 për qind duhet të plotësohet apo realizohet me tema të veçanta”. Kaluan me vite të tëra dhe një gjë e tillë nuk u realizua dhe duket se edhe përfaqësuesit e shqiptarëve, të cilët ishin pjesë einstitucioneve dhe të komisioneve të ndryshme për arsim nuk u angazhuan seriozisht.

Sidoqoftë, u desh që këtë problem ta nxisnin njohësit emirë të këtyre çështjeve, siç janë historiani dhe veprimtari Dom Nikë Ukgjini apo studiuesi dhe shkrimtari Ndue Dedaj dhe eksperti në fushën e arsimitBardhok Pulaj, të cilët e aktualizuan çështjen e teksteve shkollore të Historisë duke i shtyrë individët dhe institucionet përkatëse të Malit të Zi që të merren me 20 pëqindshin e lëndëve identitare. Nevoja e rishikimitdhe të mësuarit të historisë në shkollat shqipe në Malin e Zi është një domosdoshmëri, kur dihet se autorët e teksteve të historisë nuk janë të kombësisë shqiptaredhe përmbajtja e këtyre teksteve është problematike.

Me hartimin dhe ofrimin e librave të historisë me përmbajtje kombëtare do të ishte një përpjekje që të hapet një dritare më shumë në rrugën për edukimin e brezave të rinj pa diskriminim dhe krizë të identitetit. Kjo do të krijonte një mundësi më shumë në rishikimin e botëkuptimeve për të kaluarën historike dhe në ngritjen e një shoqërie demokratike ku diversiteti, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi janë vlera themelore.

“Infoshqip.me”

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT