

Presidentja e Republikës së Kosovës Dr. Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryeministri Albin Kurti uruan 26 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga okupatori serb. Presidentja Osmani shkroi në faqen e saj zyrtare: “Kosova e lirë, përjetë krenare! Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre.
Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet.
Pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps. Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë” mbyllet urimi i Presidentes Osmani. Kryeministri Albin Kurti shkroi: “Më 12 qershor, jemi përplot krenari për të arriturat tona, për shtetin e lirinë që i gëzojmë. Festën e përcjellim gjithmonë me nderimin dhe kujtimin e atyre që punuan e u sakrifikuan.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të luftës, martirëve të kombit, të gjithë veprimtarëve të çështjes kombëtare, udhëheqësve politikë të të gjitha fazave të përpjekjes sonë për liri e pavarësi, drejtësi e prosperitet”.