• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI NISHANI-PRESIDENTIT PAPULIAS: NJIHENI KOSOVEN DHE HIQNI LIGJIN E LUFTES!

November 4, 2013 by dgreca

Tiranë, 4 nëntor – Presidenti i Greqisë Karolos Papulias ka nisur axhendën zyrtare të takimeve në Tiranë. Ai është pritur sot me një ceremoni zyrtare në Presidencë, nga kreu i shtetit Bujar Nishani, ndërsa më pas dy presidentët kanë vijuar me bisedimet dypalëshe ku kanë marrë pjesë delegacionet përkatëse të kryesuar prej tyre.Në përfundim të takimeve, presidenti Nishani dhe presidenti Papulias kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp .

Në fjalën e tij, presidenti Nishani theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk duhet të dominohen nga problemet e së shkuarës por nga e ardhmja e përbashkët.
Nishani theksoi se në fokus të bisedimeve me homologun grek ka qënë shfuqizimi i ligjit të luftës nga Parlamenti grek, zgjidhja e çështjes së toponimeve dhe pakti detar të cilat sipas presidentit janë çështje që duhet zgjidhur.
“Në axhendën e marrëdhënieve ka edhe çështje të trashëguara por edhe të reja të cilat duhet të futen në rrugën e zgjidhjes dhe këto cështje u diskutuan edhe sot. Marrëdhëniet tona nuk duhen të dominohen nga problemet e së shkuarës por nga e ardhmja e përkashkët.  Fryma e traktatit të miqësisë duhet të drejtojë bashkëpunimin mes dy vendeve tona.   Kërkova që parlamenti grek të shfyqëzoj ligjin e luftës që një mban sekuestro pasuritë e qytetarëve shqiptarë në Greqi. Shpreh shqetësimin për zgjidhjen e çështjes së toponimeve që po bëhet pengesë për lëvizjen dhe çështje të tjera që lidhen me të.  Pakti detar mes dy vendeve mbetet një çështje për tu zgjidhur. Pala jonë është e gatshme të gjejë një zgjidhje të përbashkët në përputhje me legjislacionin e të dyja vendeve” tha Nishani.
Presidenti Nishani është ndalur edhe në çështjen e Kosovës, duke theksuar se beson se pala greke do ta konsiderojë njohjen e shtetit të ri. Ndërsa presidenti Papulias deklaroi se shqiptarët që jetojnë në Greqi janë një urë lidhëse për marrëdhëniet mes dy vendeve por kërkoi respektimin e të drejtave të minoritetit etnik grek në vendin tonë.
“Vizita ime na jep rastin t’i japim shtysë të re marrëdhënieve tona, me interes të dy vendeve por edhe rajonit më gjerë. Minoriteti etnik grek përbën nyje lidhëse të qendrueshme e të pazgjidhshme, ata janë ndër përbërësit më dinamikë të jetës politike e shoqërore shqiptare e të gjithë jemi dakord se të drejtat e tyre duhet të respektohen. Qindra mijëra emigrantë shqiptarë në Greqi përbëjnë element të fuqishëm lidhës në marrëdheniet tona” theksoi Papulias.
Presidenti grek shprehu mbështjetjen e Greqisë ndaj integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Sigurova se gjatë presidencën greke do të avancojmë për ecurinë integruese të Shqipërisë ashtu si ka bërë edhe në të kaluarën. E ftova presidentin Nishani për të vizituar Greqinë, i uroj popullit shqiptar stabilitet dhe përparim” tha Papulias.
Ndërkohë presidenti Nishani dhe homologu i tij Papulias do të marrin pjesë në tryezën e rrumbullakët mbi ekonominë dhe energjetikën greko-shqiptare, që do të zhvillohet në hotel “Rogner”, në 4 nëntor 2013.
Ndërkaq sipas njoftimit të Presidencës greke të martën, Papulias do të zhvendoset në Gjirokastër, ku do të vizitojë zonat ku jeton minoriteti grek në Shqipëri.

Filed Under: Rajon Tagged With: Njiheni Kosoven, President Nishani, President Papulias

SHBA-ja dhe Britania shqyrtojnë opsionet për Sirinë

August 25, 2013 by dgreca

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe kryeministri i Britanisë, David Cameron, kanë thënë se janë “tejet të shqetësuar” dhe se janë duke shqyrtuar përgjigjen ndaj akuzave se Qeveria e Sirisë ka përdorur armë kimike në një sulm që ka vrarë qindra civilë.
Të shtunën, Obama ka takuar këshilltarët e tij të lartë dhe ka folur në telefon me Cameronin.
Në deklaratën që ka lëshuar zyra e kryeministrit britanik thuhet se Obama dhe Cameron janë shumë të shqetësuar për “shenjat në rritje” që tregojnë se forcat e regjimit sirian janë përgjegjëse për sulmin kimik, që ka ndodhur të mërkurën e kaluar.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se hetimet e tyre për incidentin janë duke vazhduar.
Qeveria e Sirisë ka mohuar se ka kryer sulmin me gaz toksik në periferinë lindore të Damaskut. Ajo ka fajësuar forcat rebele, duke thënë se kryengritësit kanë për qëllim të nxisin ndërhyrjen ushtarake të Perëndimit në konfliktin e Sirisë.
Në një tjetër zhvillim, një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se sekretari John Kerry ka folur të enjten në telefon me ministrin e Jashtëm sirian, Walid al-Moualem.
Sipas këtij zyrtari, Kerry i ka thënë al-Moualemit se Qeveria siriane, nëse nuk është përgjegjëse për sulmin, duhet të lejojë qasjen e menjëhershme të inspektorëve të Kombeve të Bashkuara në lokacionin ku ka ndodhur sulmi.
Kerry ka diskutuar situatën në Siri edhe me homologët e tij në Arabinë Saudite, Jordani dhe Turqi.
Organizata bamirëse “Mjekët pa Kufij” ka thënë se spitalet pranë Damaskut kanë raportuar 355 vdekje dhe rreth 3,600 pacientë me simptoma neurotoksikë.
Mego Terzian i ka thënë agjencisë Reuters se është i bindur se agjenti neurotoksik është përdorur ndaj civilëve, por nuk ka mundur të thotë se kush është përgjegjës.
“Ajo që mund të themi është se një numër i madh i pacientëve kanë ardhur në spitale brenda tre orësh, me simptoma neurotoksike. Kjo nuk është normale. Jemi të sigurt, madje 100 për qind, se agjenti neurotoksik është përdorur. Se çfarë lloj agjenti, nuk mund të konfirmojmë. Se kush e ka bërë këtë, rebelët apo forcat qeveritare, nuk mund të konfirmojmë, nuk e dimë”, ka thënë Terzian.
Burimet e opozitës siriane kanë thënë se numri i të vrarëve në këtë sulm mund të jetë nga 500 deri në 1,000.
Zhvillimet e fundit kanë ndodhur derisa ushtria e Shteteve të Bashkuara ka ripozicionuar anijet detare dhe asetet e tjera, në përgatitje për aksion të mundshëm ushtarak.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ka thënë të dielën se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të zbatuar opsionet ushtarake në lidhje me Sirinë, nëse presidenti Obama konstaton se ato janë të nevojshme.
“Presidenti Obama ka kërkuar nga Departamenti i Mbrojtjes që të përgatitë opsionet për të gjitha të papriturat. Ne kemi bërë një gjë të tillë. Jemi të gatshëm të zbatojmë cilindo opsion nëse ai vendos për ndonjërin prej tyre”, ka thënë Hagel.
SHBA-ja ka tashmë qindra trupa, aeroplanë luftarakë F-16 dhe bateri për mbrojtje raketore, të vendosura në Jordani – shtet fqinj i Sirisë.
Qeveria e Sirisë ka paralajmëruar Uashingtonin kundër veprimit ushtarak. Ministri i Informacionit, Omran al-Zoubi, ka thënë se çdo sulm i forcave amerikane mund të çojë në më shumë dhunë në Lindjen e Mesme.
Irani, aleat i Sirisë, ka paralajmëruar po ashtu kundër ndërhyrjes ushtarake të Amerikës, duke thënë se veprimi i tillë vetëm mund të përkeqësojë situatën.
Presidenti Hasan Rohani ka thënë se Irani beson se armët kimike kanë vrarë njerëz në Siri, por nuk ka thënë se kush mund të qëndrojë prapa sulmeve.
Ministria e Jashtme iraniane ka mbështetur Qeverinë siriane, duke thënë se forcat rebele janë përgjegjëse.(v tela Radio Evropa e Lire)

Filed Under: Rajon Tagged With: Amerika dhe Anglia, opsionet per Sirine

SHKO NË SARAJEVË TË KUPTOSH SHQIPËRINË!

August 9, 2013 by dgreca

Në Foto:Ambasadori i Shqipërisë në Bosnje, Flamur Gashi/

Nga Ylli POLOVINA*/

Më 30 korrik, ora 15.30, takimi i ambasadorit shqiptar në Sarajevë, Flamur Gashi, me Pane Shkërbiç, president i Agjencisë për Zgjedhjen dhe Promovimin e Menaxherëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe të Europës Juglindore e Qendrore, zgjati afro tridhjetë minuta. Kur më në fund i porsaardhuri nisi të zbriste shkallët për të ikur dhe në oborrin e ambasadës kreu ceremoninë e fundit të protokollit, një foto të përbashkët dhe shtrëngimin e duarve, pikërisht kur bashkë me dy shoqëruesit e bashkëpunëtorët e tij u drejtua për te makina, papritur ktheu rrugë dhe na u riafrua. I gjendur pothuaj rastësisht në atë ngjarje dhe i befasuar nga ajo që pashë gjatë gjysmës së orës së takimit, në fund të bisedës së tij me ambasadorin i pata thënë se për çfarë u bëra dëshmitar, kur të kthehesha në Tiranë, do të shkruaja diçka për gazetën e shumëlexuar “Shqip”. Tashmë, siç duket me një peng për diçka ende të pathënë, Pane Shkërbiç na hodhi të dyve duart në shpatulla dhe mua më tha: “Të lutem një gjë duhet ta thuash nga ana ime për gazetën. Në qoftë se dikush do të më merrte dhe do të më hidhte nga aeroplani me parashutë në Shqipëri, duke mos e ditur ku jam dhe se ku po bie, me atë që pashë gjatë vizitës sime atje, do të thosha se jam ose në Amerikë ose në një shtet perëndimor të Europës”. Pastaj, pa e fshehur emocionin, shqiptoi: “Ta dish, unë e dua shumë sinqerisht Shqipërinë dhe më është krijuar një bindje e jashtëzakonshme për ata njerëz dhe atë vend”.

Dhe, për t’i përcjellë lexuesit jo thjesht një informacion, nënshtetasi boshnjak Pane Shkërbiç është me origjinë serbe. Kur gjatë takimit të tij me ambasadorin e pata pyetur nëse ishte dakord me pavarësimin e Kosovës, më ishte përgjigjur pa mbajtur pezull asnjë rrokje: “Pa dyshim, Kosova e meriton të jetë shtet më vete”. Zoti Shkërbiç para viteve nëntëdhjetë kishte qenë për të gjithë Bosnjë-Hercegovinën shefi i redaksisë së gazetës jugosllave me tirazh të lartë “Osllobozhdenije”. Agjencia që ai tashmë drejton, është një mekanizëm i madh përzgjedhjeje dhe promovimi i nxitësve të biznesit në të gjithë Ballkanin dhe po ashtu të një pjese të madhe të kontinentit. Grupet e saj të punës vëzhgojnë në këto hapësira dhe kanë të regjistruar si kandidatë për t’u seleksionuar dhe vlerësuar me çmime të posaçme plot tre mijë personalitete të këtij profili. Këtë vit, në edicionin e njëzetetetë, i cili u mbajt më 4 korrik, ora 18.00, në hotelin e madh “Holiday” në Sarajevë, ku gjendeshin për t’i bërë jehonë edhe dyqind gazetarë të akredituar në BH, si edhe gjashtë televizione e transmetuan live në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, u shpallën fitues edhe shqiptarët Flamur Gashi (iu dha titulli “Ambasadori më i mirë”), kryebashkiaku i Prishtinës, akademik Isa Mustafa (si kryetari i bashkisë së kryeqytetit më të mirë për inkurajimin e biznesit) dhe Enver Ferizaj, president i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar. Ky vlerësim i qartë për çfarë përfaqësojmë të spikatur në Ballkan e përtej, përveç të tjerash do të thotë që në një album tepër luksoz të botuar së shpejti nga agjencia e drejtuar prej Pane Shkërbiç dhe bashkëpunëtorëve të tij, i shpërndarë kudo nëpër qendrat e zhvillimit ekonomik të Europës, në një nga faqet hyrëse do të ketë të rreshtuar edhe flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës. Agjencia për Zgjedhjen e Promovimin e Menaxherëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Europës Juglindore dhe Qendrore, e cila e peshon forcën ndikuese dhe autoritetin e saj edhe prej numrit përherë e më të madh të sipërmarrësve, që në edicionet e saj të përvitshme të ndarjes së çmimeve vijnë me avionë privatë, mbulon 40 shtete të kontinentit, përfshi deri tani Gjermaninë, Hungarinë, Austrinë dhe Francën. Si personalitete të vitit, gjithnjë për aftësi të spikatur në nxitjen e klimës favorizuese për biznesin, kanë marrë çmime edhe presidenti malazez, si edhe ai kroat.

Episodi i mësipërm në Bosnjë-Hercegovinë nuk është as i vetmi dhe as më përfaqësuesi i një të vërtete, të cilën jo të gjithë bashkëkombësit tanë e dinë: në këtë vend shqiptarët i çmojnë shumë. Fillimisht je i sigurt se për këtë lidhje të veçantë ka luajtur rol të parë historia e më tej se një mijëvjeçari, pastaj, ndoshta, edhe një fill i lehtë përbashkues i besimit fetar mysliman, patjetër edhe lufta heroike, por edhe e tmerrshme, kundër sulmit serb, në vitet 1992-1995. Dëshmori i parë i saj është inxhinieri Bajram Zenuni, i cili në ditën e fillimit të agresionit, më 2 maj, ndërsa ishte për punën e zakonshme në stacionin e antenave të radiotelevizionit të Sarajevës, mes shpërthimit të papritur të predhave armike që po e goditnin tërbimshëm, u telefonoi eprorëve brenda në qytetin tashmë të tronditur nga nisja e kësaj lufte që do të zgjaste pesë vite dhe me kronikat e saj të dhimbshme do të trondiste tërë botën, duke u thënë se nuk do të lëshonte asnjë centimetër territor nga stacioni. “Jam shqiptar, kishte deklaruar, dhe si i tillë, po të jetë nevoja, do të vdes këtu”. Dhe që po atë ditë ra në mbrojtje të Sarajevës.

Por ajo që na u duk se kishte ushtruar ndikim të posaçëm në këtë imazh mjaft pozitiv tonin në BH, ishte pasviti nëntëdhjetë. Kjo Shqipëri e mbas diktaturës, të cilën ne nga brenda e njohim për problemet që ka në themel, atje ishte adhurim. Të gjithë me të cilët biseduam, sarajevas të thjeshtë apo profesorë, veprimtarë politikë ose fetarë, sipërmarrës apo drejtues të agjencive të njohura turistike, admironin ritmin e lartë të ndryshimit tonë. U dukej si një revolucion zhvillimi, i cili që prej dy dekadash e sidomos dhjetë vitet e fundit, vraponte përpara e nuk donte të lodhej, të ndalte. “Gjithçka ju e kini transformuar, këmbëngulnin ata, e kini përmbysur për mirë”. I habiste energjia e shqiptarëve, lëvizshmëria dhe temperamenti i tyre, prirja drejt modernes, fryma proeuropiane, sensi i paepur kombëtar. Të zënë në befasi nga ky kult shqiptar, përpiqeshim t’u thoshim se vuajmë nga jo pak të meta, se në vendin e tyre, për shembull, vepronte aq fort ligji sa kush nuk i paguante taksat deri ditën e caktuar si kufi mujor, e shembnin ndëshkime të rënda. U kujtonim se në linjën e tramvajit të tyre, ku bileta ishte një markë e gjysmë vendase, kontrollorët po të të kapnin pa biletë të dënonin me një gjobë njëqind markëshe dhe guxoje, po deshe, të mos e shlyeje! Megjithatë sarajevasit nuk jepeshin, Shqipëria u dukej bukuria e dheut, ca më shumë kur në mes futej edhe bregu i pafund i dy deteve tanë të ngrohtë, si edhe ushqimi i shijshëm.

Imazhi ynë i mirë, si një vend me njerëz të zotë, u rrit edhe më 25 korrik, kur në mbrëmje, në stadiumin e Sarajevës, skuadra futbollistike e Kukësit, nëpërmjet ruajtjes taktike të një barazimi, fitoi mbi vendasen. Për fat isha aty në këtë çudi. Kam fiksuar gjithçka, që nga siluetat në fushë dhe loja shumë elegante e ekipit kuksian, deri tek inteligjenca e grupit të tij stërvitës, po ashtu edhe fizionomia tepër pasionante, e përkushtuar dhe e sinqertë e presidentit të klubit, Safet Gjici. Një qytet i vogël shqiptar të mposhte Sarajevën e famshme treçerek milionëshe mu në zemër të Ballkanit! Ishte si në eposin e Mujit dhe të Halilit.

Këto ditë pritet që tenderin e uniformave të policisë së Bosnjë-Hercegovinës ta fitojë një kandidat me ofertën më të mirë. Ai është një shqiptar nga Tirana. Dyqind biznesmenë nga BH ka dërguar deri tani ambasada jonë, në bashkëpunim me autoritetet vendase, në Shqipëri. Në vitin 2010, kur për herë të parë, në muajin gusht, nisi punën në Sarajevë përfaqësia jonë diplomatike, nga 6700 turistë të këtij vendi, të vetëdeklaruar se patën shkuar në vendin tonë, vitin e kaluar shifra kërcyese shkoi në 31 800.

Pamja jonë në “pasqyrën e Sarajevës”, ndërsa kemi boll të meta, por edhe ndaj nesh prej disa mjediseve të huaja ngulmojnë me tendencë jodashamirëse paragjykime negative, mbase na bën mirë. Një vetëvlerësim, qoftë edhe psikologjikisht, na nxit dhe jep besim. Për fat jemi më të mbarë nga sa të prapë mbahemi apo e dimë veten. Sidomos jemi më pozitivë nga sa na vizaton politika jonë me mënyrën dekurajuese se si ajo e zhvillon së brendshmi luftën e saj për rivalitet e kontroll të pushtetit mbi territor. Edhe pse kur qeverisin kanë merak ta zhvillojnë vendin e tyre, në polemikën e përditshme verbale, me gjuhën që përdorin, ta mërzitin Shqipërinë.

Gjatë disa ditëve të qëndrimit në Sarajevë, aty ishte edhe një ekip nga “Top Channel”. Ishte ai i Marin Memës, i emisionit “Shqipëria tjetër”. Nuk e di çfarë theksi do t’i vendosë kur ta shfaqë, në vjeshtë, por edhe ata qenë një risi e bukur. Trupë xhirimi me ritëm e shije perëndimore. Ndërsa Marini vërtiste kudo, për të gjetur detaje, sytë e tij vetëtitës dhe Edmond Sevi i pafjalë rendte pa pushim për ta fiksuar nëpër vapë kamerën e rëndë, shoferi i tyre, Dashnor Koroni, një çast, me një dinjitet të hijshëm, nxori nga xhepi dhe na tregoi teserën e Partisë Demokratike. Marin Mema, kritikues, për shkak të profesionit, i kësaj qeverie tashmë në ciklin e ndërrimit, tek e shihte këtë skenë, e shkëndijonte vështrimin me krenari.

Shqipëria nuk është e bukura e dheut, por aspak edhe e sëmura e Ballkanit. Ajo është e shëndetshmja e gadishullit, më ambiciozja për ndryshim, me sa duket edhe më realizuesja. Por duhet të shkosh në Sarajevë për ta kuptuar dhe ndier këtë.
*(Botuar në gazetën “Shqip” më 5 gusht 2013)

 

Filed Under: Rajon, Reportazh Tagged With: shko ne Sarajevo, shqiperine, te kuptosh, Ylli Polovina

Jahjaga e Nikolliq në samitin e Bërdos

July 22, 2013 by dgreca

Ljubjana dhe Zagrebi zyrtar ftojnë presidentët e Kosovës dhe Serbisë që të marrin pjesë në samitin e Procesit të Bërdos, në Slloveni./

Nga Fatmir Aliu/
Me nismë të presidentëve Borut Pahor dhe Ivo Josipoviq, presidentja e Republikës Atifete Jahjaga dhe ai i Serbisë Tomisllav Nikolliq, pritet të marrin pjesë të enjten në këtë konferencë, e cila mbledh tetë presidentë të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu.
“Me ftesë të presidentëve të Sllovenisë [Borut] Pahor dhe të Kroacisë [Ivo] Josipoviq, presidentja Jahjaga do të marrë pjesë në takimin e presidentëve të vendeve të rajonit të Ballkanit, i cili do të mbahet në Bërdo të Sllovenisë”, i tha Vllahiu Radios Evropa e Lirë.
Në takimin e 25 korrikut praninë e tij e ka konfirmuar edhe presidenti i Francës François Hollande, i cili do t’iu drejtohet të pranishmëve me një fjalim.
Presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, shihen si promoter të zgjerimit të mëtejmë të Bashkimit Evropian dhe të raporteve të mira ndërfqinjësore në rajon.
Konferenca e Bërdos në Kranj, shihet si një forum i nivelit të lartë që do të forcojë bashkëpunimin ndërshtetëror mes vendeve të rajonit, e që është edhe kriter bazë për integrimin evropian të këtyre shteteve.
“Presidentja [Atifete Jahjaga], si edhe të gjithë presidentët e tjerë pjesëmarrës në takim do të mbajë një fjalë rasti, në takimin e inicuar nga presidenti sloven dhe ai kroat, si nismë për të ndihmuar integrimin e ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha të hënën për Radion Evropa e Lirë, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës Arbër Vllahiu.
Radio Evropa e Lire merr vesh se në takim, përveç presdientit francez Hollande, ka mundësi të marrë pjesë edhe Perfaqesuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme e siguri Catherine Ashton.
Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikolliq janë takuar disa herë gjatë këtij viti.
Fillimisht me nismën e baroneshës Catherine Ashton, në kuadër të dialog të lartë politikë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.
Por takimet në nivel presidentësh në samite ndërmjet dy presidentëve Jahjaga dhe Nikolliq, kanë vazhduar gjatë muajve të ardhshëm.
Ata u takuan në Sllovaki në Samitin e Presidentëve të Evropës Lindore dhe Jug-Lindore, dhe së fundi në Kroaci në fund të qershorit, dhe fillim të korrikut, pas hyrjes së Kroacisë në Bashkimin Evropian.
Samiti i Bërdos vjen pas dështimit të një konference të njëjtë të nivelit të presidentëve, që është dashur të zhvillohet në muajin qershor në Ohër, nën organizimin e kryetarit të Maqedonisë.
Por Samiti i Ohrit, nuk u mbajt për shkak se organizatorët nuk e ftuan edhe presidentën e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Disa nga presidentët e vendeve të ftuara, si ai i Kroacisë, Shqipërisë dhe Sllovenisë, e anuluan pjesëmarrjen në shenjë kundërshtimi të mospjesëmarrjes dhe mos-ftimit të Kosovës në Samit.
Samiti i Bërdos është i pari i këtij lloji, që mbledh presidentët e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, nën organizimin e dy vendeve anëtare të BE-së, dikur pjesë e ish-Jugosllavisë.
Besohet se samiti i këtillë do të vazhdojë të mbahet dhe presidentët e shteteve të Ballkanit, si dhe organizatorët mund të merren vesh për vazhdimin e konferencave të tilla, duke përcaktuar edhe modalitetet e takimeve.(Kortezi:Fatmir Aliu)

Filed Under: Rajon Tagged With: do takohen, e Berdos, Jahjaga dhe Nikoliq, ne samitin

Skandali i NSA-së: çfarë dinte Merkeli?

July 17, 2013 by dgreca

Ne Foto: Kancelarja Angela Merkel – sipas kritikëve ajo di më shumë nga sa pranon/

Komisioni parlamentar i Bundestagut, që mbikqyr aktivitetet e shërbimeve të fshehta, kërkon të mësojë se çfarë dinte qeveria gjermane për aktivitetet e NSA-së në Gjermani. Por mundësitë e tij janë të kufizuara.

A kanë qenë të informuara shërbimet e fshehta gjermane për aktivitetet e përgjimit të amerikanëve? Sa atentate janë shmangur në Gjermani falë informacioneve të shërbimit sekret të SHBA-së, NSA? Këto janë disa nga pyetjet me të cilat merret aktualisht në Berlin Instanca Parlamentare e Kontrollit (PKGr). Të martën (16.7.’13) ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich (CSU), dha sqarime para kësaj instance, për vizitën e tij të fundit në SHBA. Friedrich qendroi javën e kaluar në Uashington për të kërkuar informacione për survejimin në internet të shtetasve gjermanë nga NSA.

 Detyrat e instancës së kontrollit

Se çfarë i ka thënë saktësisht PKGr-së ministri Friedrich nuk dihet, pasi i ashtuquajturi “komision i shërbimit sekret” i Bundestagut, mblidhet me dyer të mbyllura. Detyra e tij është kontrolli i shërbimeve të fshehta gjermane: Shërbimit Informativ (BND), Shërbimit Ushtarak Mbrojtës (MAD) dhe Mbrojtjes së Kushtetutës. 11 anëtarët e komisionit nga të gjitha partitë e përfaqësuara në parlament, duhet të mbajnë në mbikqyrje si përfaqësues të zgjedhur të popullit, aktivitetet e shërbimeve të fshehta dhe marrëdhëniet e tyre me qeverinë. Deputetët nuk lejohen megjithatë të përcjellin në grupet e tyre parlamentare apo në opinion ato që dëgjojnë në takimet e komisionit.

“Brenda komisionit ne mund të kërkojmë informacione të tjera, mund të kërkojmë të shohim dosje, mund të kërkojmë të raportojnë dhe persona nga qeveria”, shpjegon anëtari i kësaj instance, Hans-Christian Ströbele, punën e PKGr-së. “Ne mund të lëvizim disa gjëra, pro vetëm atëherë kur qeveria na jep informacione”, thotë deputeti i gjelbër në bisedë me Deutsche Welle-n.

Wolfgang Nešković, ish-anëtar i komisionit për shërbimet e fshehta, kritikon pamundësinë e kësaj instance për të vepruar. Anëtarët e tij nuk mund të detyrojnë qeverinë dhe shërbimet e fshehta të japin informacione. Funksioni kontrollues praktikisht shfuqizohet. “Kjo mund të krahasohet me një kontroll biletash në tren, ku fatorinoja nuk i kërkon pasagjerit të tregojë biletën por mjaftohet me fjalën e tij se ka biletë të vlefshme”, thotë Nešković për punën e PKGr.

 

Merkel duhet të japë sqarime në komision

 

As Hans-Christian Ströbele nuk është i kënaqur me politikën e informacionit të qeverisë kundrejt komisionit. Ai kërkon që kancelarja të japë personalisht sqarime para PKGr-së. “Ajo duhet të tregojë vetë para parlamentit se çfarë dinte dhe çfarë di. Deri tani për këtë na është dashur të pyesim gjithnjë ministrat”, thotë Ströbele. “Ajo është në fund të fundit shefja e kancelarisë dhe Shërbimit Informativ është në varësinë e kancelarisë.” Pra Merkel duhet të dijë më shumë nga sa ka pranuar deri tani për përgjimin e qytetarëve gjermanë nga NSA-ja, thotë Ströbele.

Sipas informacioneve në medie Shërbimi Informativ në raste pengmarrjeje gjatë viteve të kaluara, i ka kërkuar vazhdimisht NSA-së të dhëna të ruajtura komunikacioni mbi gjermanët e rrëmbyer. Këtu lind natyrshëm pyetja: nga e dinte BND-ja se këto të dhëna ekzistonin dhe nëse kishte dijeni BND-ja, a nuk duhej të kishte atëherë dijeni edhe qeveria?

“Zonja Merkel do të sillet sikur nuk ka ditur asgjë”, tha për Norddeutscher Rundfunk, Steffen Bockhahn, përfaqësues i partisë “E Majta” në PKGr. “Zyra e kancelares e di dhe edhe vetë kancelarja duhet ta dijë, që ne kemi marrë shumë të dhëna nga amerikanët dhe britanikët”, shprehet i sigurt Bockhahn.

Ministri i Brendshëm Friedrich pas vizitës së tij në SHBA, u përpoq të justifikonte survejimin nga NSA me luftën anti-terror. Ai tha se pesë atentate në Gjermani janë shmangur falë sinjalizimeve nga shërbimet sekrete të SHBA-së. Por ministri mundi të japë të dhëna konkrete vetëm për dy raste. Bëhet fjalë për plane për atentate të të ashtuquajturve “Grupi i Sauerlandit” dhe “Celula e Dyseldorfit”.

Përfaqësuesit e opozitës në PKGr janë skeptikë: “Nëse ministri i Brendshëm shkon në Shtëpinë e Bardhë dhe aty i thuhet se janë penguar pesë atentate por ai njeh vetëm dy raste, atëherë është logjike të pyetet se cilat janë tre të tjerat”, tha kryetari i komisionit, Thomas Oppermann nga Partia Socialdemokrate (SPD), për radion Deutschlandfunk. Edhe ai do që atentatet terroriste të pengohen, “por kjo natyrisht nuk justifikon përgjimin total të gjithë popullsisë nga një shërbim informativ i huaj”, tha Oppermann .( Kortezi DW)

 

Filed Under: Rajon Tagged With: me shume, Merkel dinte, Skandali i NAS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 201
  • 202
  • 203
  • 204
  • 205
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT