Lee Zeldin: “We must send Marko Kepi to the New York State Senate”
Manipulimet e Vuçiqit ndaj Forcave të Armatosura të Kosovës, një përpjekje e dështuar për të shpërfytyruar realitetin e një shteti të pavarur dhe paqësor
Hisen Berisha/
Vuçiqi vazhdon të keqpërdorë platforma ndërkombëtare për të propaganduar narrativën e tij të rreme, duke anashkaluar realitetin dhe të vërtetën historike. Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ai sulmon shtetet perëndimore dhe përpiqet të njollosë pavarësinë e Kosovës, e cila është produkt i vullnetit të popullit të saj, i mbështetur në parimet e vetëvendosjes dhe të drejtës ndërkombëtare. Kosova është një shtet i njohur ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme dhe relevante të botës.
Vuçiqi përmend Rezolutën 1244 për të mbështetur pretendimet e tij, por shpërfill faktin se kjo rezolutë u kalua në një kontekst krejtësisht të ndryshëm. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pandryshueshëm ndërkombëtar, i përforcuar edhe nga amandamenti 14 i Kushtetutës së Kosovës. Por, ishte pikërishtë kjo rezolutë, pikënisja që i dha fund luftës në Kosovë dhe hapi rrugën për pavarësinë e Kosovës, fillimisht siguroi një zgjidhje të përkohshme, duke e futur Kosovën në një proces politik që kulmoi me shpalljen e pavarësisë.
Tashmë, pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, kurse karakteri teknik i shfuqizimit të saj në KS/OKB, (përkundër vetos penguese të Kinës dhe Rusisë) me një plan sinkronizimi me aleatët, do ti eliminoj pretendimet për sovranitet të Serbis mbi Kosovën.
Retorika e tij kundër forcave të armatosura të Kosovës dhe përpjekjet për ndihmën ndërkombëtare ndaj saj, tregojnë frikën dhe obsesionin e Serbisë me realitetin e ri në Ballkan, atë të një Kosove të lirë, të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht.
Forcat e Armatosura të Kosovës janë ndërtuar si pjesa e fundit e mozaikut institucional të shtetit të Kosovës, bazuar në vlerësimin e kërcënimeve dhe rreziqeve të identifikuara gjatë procesit të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë. Kjo forcë konsolidohet mbi konceptet dhe doktrinat mbrojtëse, është gjithëpërfshirëse dhe funksionon mbi parimet e një ushtrie moderne, e trajnuar nga NATO dhe partneri ynë strategjik, SHBA. Qëllimi kryesor i saj është mbrojtja e qytetarëve, jetëve, pasurive dhe territorit të Kosovës nga çdo kërcënim, qoftë natyror apo i shkaktuar nga njeriu.
Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat Vuçiqi i përshkruan si kërcënim, përfaqësojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, dhe funksionojnë sipas parimeve të një ushtrie moderne dhe mbrojtëse. Kjo forcë synon mbështetjen dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke vepruar në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe standardet më të larta të aleatëve tanë.
Komunitetet pakicë në Kosovë, përfshirë atë serb, janë integruar vazhdimisht në Forcat e Armatosura të Kosovës, duke e ndjerë këtë forcë si të tyren.
Për më tepër, përfaqësimi i komunitetit serb në këtë forcë ka qenë shpeshherë më i madh sesa përqindja e tyre në popullsinë e përgjithshme të Kosovës. Por janë politikat destruktive dhe presionet shantazhuese të Beogradit ndaj serbëve që shërbejnë në Forcat e Armatosura të Kosovës ato që i detyrojnë të largohen nga ushtria apo të mos rekrutohen më. Këto veprime janë pjesë e një skenari të paramenduar për të krijuar një pretekst që Beogradi të spekulojë, siç pretendoj Vuçiq në deklaratat e tij gjatë Asamblesë së 79-të të OKB-së në New York, se “Forcat e Armatosura të Kosovës nuk janë kërcënim për Serbinë, por përbëjnë kërcënim dhe presion për shpërnguljen e serbëve lokalë.”
Kjo është një shpifje e ulët dhe intrigë nga ana e Vuçiqit, si Gebelsi i Millosheviçit, eksponenti i fundit i shtetit gjenocidial serb, i cili ndjek të njëjtën propagandë.
Forcat e Armatosura të Kosovës po ndërtohen nën patronatin dhe asistencën profesionale e teknike të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht ekipet e institutit për reforma e nivacion të SHBA-së dhe NATO-s, të cilët janë të pranishëm në Kosovë përmes ekipit ndërlidhës dhe këshillues (NALT) në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në strukturat mbështetëse të Forcës. Këta partnerë njohin në detaje karakterin e Forcave që po ndërtohen nga Kosova, të bazuara në parimet e paqes dhe stabilitetit. Pretendimet e Vuçiqit as që mund të merren seriozisht.
Kosova synon të ndërtojë një forcë moderne dhe të standardizuar, të pajisur me teknologji të avancuar dhe të ndërveprueshme me NATO-n, duke ndjekur modelin e sigurisë së shteteve si Izraeli, që ka zhvilluar një forcë të fuqishme mbrojtëse të orientuar nga paqja dhe stabiliteti rajonal.
Prandaj, forcat tona nuk përbëjnë kërcënim për askënd, por janë garant i sigurisë dhe paqes në rajon, duke u mbështetur në bashkëpunimin me NATO-n dhe aktorët tjerë ndërkombëtarë.
Ndryshe nga pretendimet e Vuçiqit, Kosova është e përqendruar në ndërtimin e “partneriteteve dhe aleancave strategjike” me shtetet demokratike, për mbrojtje të ndërsjellë dhe ruajtjen e paqes në vend dhe në botë.
Është ironike që Vuçiq pretendon të jetë një zë për paqen, ndërkohë që, në të njëjtën kohë, shpif dhe nxit tensione duke përhapur teori konspirative për influencën ruse dhe perëndimore. Përpjekja e tij për ta paraqitur Serbinë si viktimë është e dështuar dhe nuk arrin të fshehë përgjegjësitë e saj për destabilizimin e vazhdueshëm në Ballkan.
Një gjë duhet ta kenë të qartë të gjithë, se Kosova ka zgjedhur rrugën e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Asnjë fjalim i Vuçiqit nuk do ta ndryshojë këtë realitet.
Ne mbetemi të përkushtuar për dialog konstruktiv dhe ruajtjen e paqes, por nuk do të lejojmë që manipulimet të errësojnë të ardhmen tonë si shtet i pavarur dhe sovran.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti përkujtuan heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar Rreshterin Afrim Bunjaku në një vjetorin e rënies dëshmor.
Postimi i plotë i Presidentes Osmani:
Sot një vit, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm.
Se liria nuk ka çmim.
Se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm!
Sot e përgjithmonë!
Kryeministri Kurti vizitoi vendin e rënies së Heroit Afrim Bunjaku, përurohet emërtimi i rrugës “Afrim Bunjaku”
Pas vizitës tek familja e Heroit Afrim Bunjaku, në njëvjetorin e rënies së tij dhe homazheve tek varri i të ndjerit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, vizituan vendin e rënies së rreshterit Bunjaku, përkatësisht në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku në nderim të tij u zbulua tabela e rrugës që do të mbajë emrin “Afrim Bunjaku” sipas vendimit të mbledhjes së 221-të të Qeverisë.
Në deklarimin e tij para medieve, kryeministri Kurti potencoi se Banjska e 24 shtatorit 2023 ka qenë një plan për të sulmuar Kosovën ka qenë një agresion kundër sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, paqes, sigurisë, kushtetutshmërisë, dhe ligjshmërisë.
“Plani ishte që të ndahet Kosova, plani ishte që të aneksohet një pjesë e territorit dhe rënia e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë, përkundrazi ajo është fitore e madhe e shtetit të Kosovës për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në mbrojtje të tërësisë tonë territoriale. Kosova është një dhe e pandashme”, deklaroi kryeministri.
Gjatë vizitës në vendin e rënies së heroit Afrim Bunjaku, kryeministri Kurti ishte bashkë me policët që para një viti në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit 2023 u ballafaquan me paramilitarët e Radoiçiqit, të cilët ndanë detaje nga ballafaqimi me sulmin.
Kryeministri Kurti, shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe falënderime të përjetshme ndaj policisë sonë për të gjithë punën, angazhimin dhe kontributin në sigurinë e vendit.
Kujtojmë ideologun, diplomatin dhe strategun e UÇK-së, Fehmi Lladrovcin
Shkruan: Lulzim Nika/
Në 26 vjetorit të rëniës së heronjve të kombit, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, dëshmorëve, Behxhet Karaxha, Milazim Karaxha, Hamit Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka, të renë më 22 Shtator të vitit 1998.
Flijimi i tyre dhe luftëtarëve tjerë u bënë gur themel i Shtetit të Kosovës. Porosia e tyre dhe flijimi i tyre është përherë frymëzim për ne! Kujtojmë heroizmin e ideologut të UÇK-së, Fehmi Lladrovci, kur pakkush besonte në lirinë e Kosovës, por, fal idealistëve si Fehmiu, ideja e lirisë nuk u shua, përkundër brutalitetit të pushtuesit serb.
Fehmi Lladrovci pa dyshim është një nga figurat më të shquara në luftën për çlirimin e Kosovës e në funksion të këtij ideali, ai nuk kurseu angazhimin intelektual, mundin, pasurinë dhe as jetën.
Me nderim të thellë, kujtojmë të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë që ranë për të mos vdekur kurrë, gjatë shtatorit të përgjakshëm të vitit 1998 në komunën e Drenasit.
Roli dhe kontributi i jashtëzakonshëm i tij në organizimin e luftës se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, konfirmohet qartë nga një mori dokumentesh dhe raportet e shërbimeve perëndimore, evropiane dhe amerikane të cilat dëshmojnë rolin e veçantë, në organizimin e luftës se armatosur që pati Fehmiu.
Nga viti 1980, në bisedimet me shokët e lëvizjeve kombëtare për lirinë e Kosovës, Fehmiu kishte proklamuar organizimin ushtarak, si të vetmen rrugë për të ardhur te liria e Kosovës.
Fehmi Lladrovci iu bashkua lëvizjes, duke përhapur idenë e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës dhe nga atëherë kishte gjetur përkrahje në mesin e shumë shokëve e idealistëve.
Nuk ishte zgjedhur rastësisht njeriu i parë i ngarkuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës për organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës, qysh në pranverën e vitit 1984. Ëndrra e heroit do të bëhet realitet me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për organizimin e së cilës kishte punuar më shumë se një dekadë para shfaqjes së këtij organizimi të lavdishëm në historinë tonë. Pra, ai punoi edhe në përkrahjen e luftës për liri, duke dëshmuar se Kosova ishte marrë me forcë dhe vetëm me forcë, trojet etnike shqiptare, do të mund të çlirohen nga pushtuesi serb.
Fehmiu, me fillimin e luftës çlirimtare, u kthye në fshatin Gllanasellë, vendlindjen e tij, një kthim që rriti besimi në mobilizimin e Ushtrisë çlirimtare që beri krenar jo vetëm vendlindjen Drenicën por tërë Kosovën dhe kombin.
Nga ditari im, të cilin e kam mbajtur që nga fillimi deri në fund të luftës në Drenicë, po paraqes disa momente që e bëjnë të veçantë heroin Fehmi Lladrovci:
Ardhja e tij në Kosovë i dha frymë të re luftës për liri, ai ishte projektuesi i vijave të frontit, përkatësisht përcaktimit të pikave strategjike në terren dhe istikameve të para për ushtarët e UÇK-së, në mbrojtje te popullsisë civile që rrezikoheshin nga forcat kriminale serbe. Drenica dhe Kosova u ndien më të sigurt nga përvoja e tij që kishte në luftën kundër forcave serbe në Kroaci.
Në ditarin im kam shënuar edhe një pjesë të fjalës së tij para ushtarëve në Gllanasellë, në të cilën, Fehmiu thekson se duhet të lihen anash të gjitha dallimet dhe së bashku të jemi në shërbim të luftës sonë për liri, bashkimi na bën më të fortë në këto orë të historisë sonë për liri.
Ishte njeriu më vizionar që kisha takuar gjatë gjithë kohës së luftës. I kushtonte një rëndësi të veçantë mikpritjes së fotoreporterëve dhe gazetarëve të huaj, duke kuptuar mirë sa e rëndësishme është e vërteta për luftën tonë për liri. Këtë dëshmojnë gazetarët me të cilët ishte takuar gjatë luftës dhe kishin perkrahjen e veçantë të Fehmiut dhe shumë gazetarë të tjerë të huaj të mediave me ndikim ndërkombëtar.
Kur pak kush besonte se liria ishte shumë afër, ai me besim ju thoshte ushtarëve që lufta jonë do të triumfojë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm për veriun dhe mos të ndahet Kosova. Qëllim i Serbisë është ndarja e veriut. Atëbotë ky shqetësim nuk u kuptua sa duhet, është fjala për fjalimin e tij më 3 gusht 1998. Sot, ne jemi dëshmitarë të këtij paralajmërimi rreth veriut të Kosovës.
Roli i Fehmiut është i rëndësishëm edhe në shumë fusha të tjera për lirinë e Kosovës dhe do të na duhen shumë punë e studim për të dhënë të plotë portretin e tij historik. Këtu veçova vetëm disa aspekte të punës, të angazhimit dhe personalitetit të tij historik që së bashku me UÇK-në e ndryshuan rrjedhën e historisë sonë kombëtare. Sot, porosia e Fehmiut do të ishte e njëjtë me ato që ia tha gazetarit dhe opinionit botëror: Më e shtrenjtë është liria se jeta!
Lavdi e përjetshme heronjve, dëshmorëve dhe gjithë të rënëve për liri!
Lavdi!
KËRCËNIMET DJALLËZORE TË VUÇIÇIT NUK I TREMBIN SHQIPTARËT
SHPENDI TOPOLLAJ/
Nga mediat u njohëm me paralajmërimin hipokrit të Kryeminstrit serb Millosh Vuçeviç, për fjalimin programatik që do të mbante Presidenti i vendit Aleksandar Vuçiç, ku sipas tij do të vihej theksi se “Duke mbrojtur serbët në Kosovë, ne po mbrojmë të gjithë Serbinë në aspektin e paqes dhe stabilitetit dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit”. Nga pala serbe u mor takim edhe me ambasadorin e BE në Serbi, zotin Emanuele Giaufret të cilit pa pikën e turpit i kërkuan që të mbajë qëndrim ndaj politikës arbitrare ndaj pakicave serbe, nga ana e qeverisë së zotit Kurti. Pastaj, doli në tribunën e Purgatorit, ku besohet se zakonisht bëhet pastrimi nga mëkatet, kokoshi Vuçiç, i cili duke përfituar nga taktika e ndërkombëtarëve “Na bubi, na!”, trashi zërin, duke fshehur pas një përgjërimi “pacifist”, një kërcënim ndaj shqiptarëve që nuk deshën ta kuptojnë vetëm ata që nuk kanë jo vetëm sy e veshë, por edhe mendjen në kokë. Parashtroi ato shtatë pikat, që mesa duket, në të ardhmen do vijojnë të shtohen, pasi nuk janë tjetër, veçse pretekste për ta shpënë deri në fund qëllimin e vërtetë, atë të rimarrjes së Kosovës, shpirtit të atij populli, (ose të paktën Veriun e saj), që sipas atij dhe interesave të tij elektorale, ia kanë hequr nga duart padrejtësisht e forcërisht Serbisë. Thënë më qartë, ai kërkon ato asociacionet e famshme që më tej t`i përdorin si placdarme për të aneksuar përsëri Kosovën. E pandarë kjo nga ato fjalimet e Milorad Dodikut se gjysmën e Bosnjes do t`ia aneksojnë Serbisë. Në gjithë këtë fushatë, ky Gebels i ri, pasi glorifikon “heroin” kriminel Sllobodan Millosheviç, se ai paska dashur Serbinë e Madhe, pavarësisht se ata perëndimorët e çuan për gjykim në Hagë, e mban vrapin edhe te shkolla ushtarake, ku deklaron: “Dua të besoj se të gjithë e kuptojnë se kemi nevojë për një ushtri të fortë, se sa më shumë armë do të duhet të blejmë, të prodhojmë, sepse nuk është dëshira jonë që të sulmojmë askend e as do ta bëjmë, por duam t`i zbrapsim ata që na kërcënojnë çdo ditë”. E gjithë kjo nuk mbetet vetëm te fjalët, por materializohet me ligjin për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Këto mendime ogurzeza i pamë edhe te blerja e 12 avionëve Rafale nga një vend i NATO – s si Franca, e të tjera veprime që diplomacia e atij vendi agresor ka ndërmarrë tash së fundi, me rusë e kinezë. Madje, qeveria me urgjencë përpiloi vendimin që kërkon masa për ta shpallur Kosovën “Zonë nën mbrojtje të posaçme sociale”. Edhe njeriu më apatik dhe më pak i interesuar për këto zhvillime, po të pyetet se për çfarë kërcënimesh e ka fjalën ky Vuçiçi, do të thotë “O për ndonjë sulm nga alienët, ose nga shqiptarët (hë për hë), e Kosovës”. Dikush e ka thënë më së miri se “Lufta nuk evitohet, në qoftë se nuk evitohen mendimet për luftën”. Ajo që është shqetësuese për ne, dhe që më duket sa e çuditshme aq dhe e papranueshme, është qëndrimi i qeverisë tonë që bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Patjetër që ajo ka plot probleme; rend ku krimi është gjallëruar, rrugë me kosto marramendëse, korrupsin që s`ka shejtan ta frenojë, pallate që nuk dihet me se ndërtohen, mjekësi që për pak do të ishte falas, pensione që do të rriten kur gjysma të kenë shkuar në botën tjetër, e deri dhënia përgjigje opozitës së përçarë, që lehka si qeni (e thotë edhe ai posteri i “Krishtit” në një lokal të Elbasanit), duke e stigmatizuar për anëtarë të ekipit qeverisës që hanë fruta pas krahëve të saj (të shpresojmë të mos jetë mes tyre “fruti i ndaluar” i Kopshtit të Edenit), shumë prej të cilëve janë prangosur, por që askush nuk mban përgjegjësi, qoftë dhe morale. Nuk e di se çfarë duhet pritur tjetër për të reaguar!? Justifikimi se jemi anëtar të NATO – qëndron pjesërisht. Po ne për veten tonë, për atdheun tonë, për Kombin tonë, duarkryq do të rrimë? Tani që kemi një ushtri fare të cunguar, duhet të jemi më shumë se kurrë të preokupuar. E bëmë gabimin trashanik dhe tragjik, duke e shkatërruar ushtrinë, duke harruar atë thënien e famshme të Napoleonit më duket, se “Ishte më shumë se një krim, ishte një gabim”, por ky gabim nuk duhet thelluar më tej. Qeverisë shqiptare, prej dekadash ia kanë mbyllur gojën ndërkombëtarët, sikur të mos ekzistojë as Kosova e as Çamëria, por tani që jemi para një rreziku real, para zgjerimit të sulmit provë në Banjskë, ç`duhet të bëjmë? Detyrat dalin dhe vendimet merren në raport me ngjarjet e reja, dhe ato nuk janë aspak në favor të paqes e mirëkuptimit. Bisedimet mes Vuçiçit dhe Kurtit, janë të rrahësh ujë në havan. Stërzgjatja e tyre i shërben më shumë amplifikimit të mosmarrëveshjeve dhe sherreve. Si mund të besohet se do të merren vesh viktima me kriminelët që jo nuk ndiejnë pendesë, por mburren me masakrat që bënë ndaj popullsisë kosovare? Para stepjes së qeverisë tonë, ne popullit të thjeshtë, nuk na mbetet tjetër, veçse t`i kujtojmë Vuçiçërve sot dhe atyre që do të vinë pas tyre: “Provojeni një herë dhe do të shihni sesa u vlen lëkura”. Ne kurrë nuk kemi provokuar apo sulmuar të tjerët, por referojuni historisë dhe nxirrni mësime prej saj. Sido që të paraqiten situatat politike, ne do të dimë t`i japim kujtdo përgjigjen e duhur, pa u turpëruar para brezave dhe para historisë. Ne shqiptarët durojmë shumë, por vjen një çast, kur ashtu sikurse thosh Burke “…ekziston kufiri, kur durimi pushon së qënuri virtyt”. Kurse Virgjili tek “Eneida” ka një shprehje shumë domethënëse “Jam proximus ardet Ucalegon” që do të thotë “Tashmë po digjen shtëpitë e afërta të Ukalegonit” dhe që kishte parasysh se rreziku që na kërcënohet është shumë afër. Vëllezërit tanë në Kosovë, sot më shumë se kurrë, kanë nevojë për përkrahjen tonë. Si mund t`i lëmë ata në fatin e tyre, duke u bashkuar me ata që u kanë kthyer krahët dhe ndërmarrin sanksione ndaj saj, vetëm e vetëm pse mbrojnë Pavarësinë, sovranitetin dhe dinjitetin e Atdheut?
Foto: Politiko.al
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- 6
- …
- 184
- Next Page »