• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Maqedonia dhe Kosova, pengje të proceseve të papërfunduara

July 28, 2025 by s p

Maqedonia ka ende mundësi të mos bjerë pre e rikonstruktimit të ndikimit serb përmes kredive dhe narrativave të jashtme, ndërsa Kosova mund dhe duhet ta shfrytëzojë krizën e tanishme si pikënisje për një qeverisje gjithëpërfshirëse që garanton stabilitet të brendshëm dhe forcim të pozicionit ndërkombëtar


Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Në periudha të ndjeshme historike, kur kombet gjenden në udhëkryqe vendimtare, qartësia politike dhe vetëdija historike bëhen elemente thelbësore për të shmangur përsëritjen e cikleve të krizës. Si Maqedonia ashtu edhe Kosova, sot ndodhen përballë një sfide që nuk është vetëm politike, por identitare, gjeostrategjike dhe ekzistenciale për vizionin e tyre europian. Ngërçet e brendshme, presioni ndërkombëtar, ndërhyrjet e agjendave të huaja dhe mosuniteti i brendshëm, po krijojnë një situatë që kërkon maturi kolektive dhe vendimmarrje largpamëse. 

Ngërçet politike që karakterizojnë Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën nuk janë thjesht produkt i dallimeve politike apo etnike, por pasqyrë e një trashëgimie të papërpunuar historike, e cila vazhdon të ushtrojë ndikim të fuqishëm mbi ndërtimin e institucioneve, legjitimitetin demokratik dhe arkitekturën e bashkëjetesës qytetare. Të dyja shoqëritë bartin brenda vetes dilema ndryshme, përçarje politike të brendshme dhe një mungesë konsensusi për vizionin strategjik të së ardhmes. Në Maqedoni, tensioni ndërmjet komponentëve etnikë dhe përpjekjet për të ndërtuar një shtet multietnik shpesh dështojnë për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe të thellimit të narrativave ekskluzive që shpërfillin realitetin shumëkulturor të vendit. Në Kosovë, polarizimi i skajshëm politik, mungesa e unitetit të elitave dhe sfidat e jashtme të sovranitetit, e bëjnë sistemin politik të brishtë dhe të ekspozuar ndaj krizave të përsëritura.

Megjithatë, ajo që i bën këto dy realitete të ngjashme në mënyrë substanciale është mungesa e një reflektimi të thellë mbi të kaluarën, si dhe paaftësia për të ndërtuar mekanizma efektivë të përballjes me të. Shpeshherë, gabimet e së kaluarës vazhdojnë të përsëriten përmes formave të reja, por me përmbajtje të njëjtë: përjashtimi, dominimi, instrumentalizimi i institucioneve dhe mungesa e ndershmërisë politike në trajtimin e interesit kolektiv. Në këtë rreth vicioz, koncepti i “mundësisë së dytë” merr një dimension të veçantë. Nuk është fjala për falje naive apo harresë, por për një përpjekje serioze për të ndërtuar një të ardhme që shmang logjikën e konflikteve ciklike dhe rikthehet te parimet themelore të demokracisë, drejtësisë dhe përfaqësimit të barabartë.

Në këtë kontekst, situata në Maqedoni merr një dimension edhe më kompleks, ku përpjekja për të shmangur ndryshimet kushtetuese nuk është thjesht një krizë juridiko-institucionale, por një strategji e qëllimshme politike për të frenuar avancimin e shqiptarëve në jetën publike dhe ekonomike të vendit. Frika nga fuqizimi ekonomik dhe institucional i shqiptarëve ka krijuar një atmosferë të ngulfatur, ku elitat politike maqedonase, në vend që të përqafojnë perspektivën evropiane dhe planin franko-gjerman si rrugëdalje nga stagnimi politik, kanë zgjedhur vetëdijshëm të afrohen me boshtin serbo-hungarez. Ky afrim nuk është vetëm simbolik: përmes kredive të dyshimta nga Hungaria, që në prapaskenë mbështeten nga kapitali kinez dhe rus, po krijohet një varësi e re financiare e cila shumë shpejt do të prodhojë fatura të rënda politike dhe gjeostrategjike për vetë stabilitetin e shtetit. Kjo qasje, që largon Maqedoninë nga rruga euroatlantike dhe e bën peng të agjendave të jashtme jo-demokratike, pritet të përplaset me tri reaksione të domosdoshme: reagimin e faktorit ndërkombëtar që do të shohë me shqetësim sabotimin e integrimeve, reagimin e shqiptarëve, të cilët me heshtjen dhe ngurrimin për të kushtëzuar me kohë ndryshimet kushtetuese kanë marrë mbi vete një bashkëfajësi politike, dhe më në fund reagimin e opinionit të brendshëm maqedonas, që do të duhet të zgjedhë mes një të ardhmeje evropiane dhe një izolimi të ri në margjinat e një sfere ruso-serbe.

Në këtë klimë të ngarkuar politike, një tjetër dimension shqetësues po merr formë përmes projektit të shpallur nga qarqet akademike dhe politike të afërta me VMRO-DPMNE-në, që e kanë emërtuar si  “Vtoro poluvreme” (“Pjesa e dytë e lojës”). Kjo strategji, e cila synon të implementohet në zgjedhjet lokale, ka për qëllim të minojë rolin dhe ndikimin e personaliteteve shqiptare që kanë kontribuar në avancimin institucional dhe politik të komunitetit shqiptar. Nëpërmjet mbështetjes së kandidatëve të pavarur shqiptarë në raundin e parë  të përzgjedhur jo për aftësitë e tyre përfaqësuese, por për afinitetin me këtë projekt të kamufluar do të tentohet të fragmentohet zëri politik shqiptar dhe të dobësohet roli i tij në vendimmarrje. Nëse ky projekt arrin suksesin e synuar, ai do të prodhojë pasoja të rënda për shtetformësinë dhe subjektivitetin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Por nëse dështon, zgjedhjet lokale mund të hapin një fazë të re të mobilizimit dhe të riformësimit të skenës politike shqiptare, duke krijuar parakushte për një bashkërendim strategjik që do ta rikthejë në agjendë kërkesën për një shtetformim të mirëfilltë dhe të barabartë brenda strukturës multietnike të shtetit.

Ndërkohë, edhe Kosova ndodhet në një fazë të ndjeshme të procesit të shtetndërtimit, duke hyrë në momentet përfundimtare të rumbullaksimit të shtetësisë së saj, një proces që përmban në thelb marrëveshjet dhe negociatat e gjata me Serbinë. Në Serbi, siç ka ndodhur shpesh në historinë e saj diplomatike, po zbatohet një politikë bizantine me dy fytyra: nga njëra anë, deklarime për normalizim, ndërsa nga ana tjetër, një fushatë e qëllimshme për ta paraqitur Kosovën si palë fajtore, me synim që të sigurohet simpati dhe mbështetje nga faktori euro-amerikan. Ky instrumentalizim synon të prodhojë favore të reja politike, madje edhe pretendime të heshtura territoriale. Si pjesë e kësaj skeme, po tentohet edhe faktorizimi politik i botës serbe në Maqedoni, me qëllim që Serbia të përdorë ndikimin rajonal si argument për pozicion më të fortë në tryezat përfundimtare të negociatave me Kosovën. 

Në rrethanat e krijuara me moskonstituimin e institucioneve të dala pas zgjedhjeve të fundit parlamentareKuvendit dhe në këtë moment kritik të konstelacioneve gjeopolitike ndërkombëtare, elitat shtetërore dhe politike të Kosovës nuk guxojnë të bëjnë gabimin fatal të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare para mbajtjes së zgjedhjeve tashmë të përcaktuara lokale. Një veprim i tillë do të perceptohej nga faktori ndërkombëtar si mungesë vullneti për të përmbushur detyrat tashmë të marra për shtetin e Kosovës, që do të duhej të hapnin rrugën drejt implementimit të obligimeve shtetërore të dakorduara në kuadër të dialogut me Serbinë. Prandaj, çdo nismë për zgjedhje të parakohshme parlamentare jo vetëm që do ta vendoste Kosovën në kurs përplasjeje me partnerët ndërkombëtarë, por gjithashtu do të thellonte përçarjet e brendshme dhe do të shkaktonte një krizë të re legjitimiteti që do ta katapultonte vendin në një spirale destabiliteti institucional dhe politik. Në një situatë të tillë, pasojat nuk do të ishin vetëm të brendshme: do të rihapej me tone të paqarta çështja e statusit final të Kosovës dhe do të zbeheshin përpjekjet e deritanishme për njohje ndërkombëtare. Në këtë kontekst, zgjuarsia politike konsiston në ruajtjen e ekuilibrit, në shmangien e tundimit për protagonizëm elektoral dhe në vënien e interesit shtetëror mbi çdo kalkulim afatshkurtër.

Në këtë panoramë të ndërlikuar, përvoja e Shqipërisë paraqet një model të vlefshëm që tejkalon retorikën politike dhe futet në sferën e veprimit të matshëm institucional. Shqipëria ka dëshmuar një vendosmëri të qartë për të përmbushur të gjitha standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, duke krijuar një kornizë funksionale të reformave që i dhanë drejtim të qëndrueshëm kursit të integrimit. Pikërisht kjo qasje solli edhe shpërblimin politik nga Brukseli, përmes hapjes së kapitullit të fundit të negociatave për anëtarësim të plotë deri në vitin 2030. Ky zhvillim nuk është thjesht një sukses individual, por një mesazh për të gjitha vendet e rajonit, veçanërisht për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, që të mos humbin më kohë në retorika politike apo në përplasje sterile, por të kyçen në mënyrë aktive në frymën integruese që po ofrohet nga vetë Unioni Evropian. Nëse ky momentum shfrytëzohet me vendosmëri dhe largpamësi, ai mund të shndërrohet në urën që i kalon këto dy shtete nga pasiguria drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe evropiane.

Si Maqedonia ashtu edhe Kosova sot ndodhen në momente që historia rrallëherë i jep njëherazi dy shteteve. Ato nuk po përballen thjesht me çështje të përditshme politike, por me sfidën ekzistenciale të vetëpërcaktimit strategjik: do të jenë pjesë aktive e një Evrope demokratike, apo do të rrëshqasin në orbitat e agjendave autokratike lindore? Pjekuria politike matet në këto momente jo në fjalët e ditës, por në qasjen ndaj të nesërmes. Maqedonia ka ende mundësi të mos bjerë pre e rikonstruktimit të ndikimit serb përmes kredive dhe narrativave të jashtme, ndërsa Kosova mund dhe duhet ta shfrytëzojë krizën e tanishme si pikënisje për një qeverisje gjithëpërfshirëse që garanton stabilitet të brendshëm dhe forcim të pozicionit ndërkombëtar. Për të dyja, koha për vendime të mëdha është tani dhe e nesërmja nuk do të falë më shumë mundësi nëse këto nuk shfrytëzohen me mençuri, bashkim dhe maturi historike. 

Shkup, 28 korrik 2025

Filed Under: Rajon

Themelohet Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK)

July 26, 2025 by s p

Prof. Dr. Rifat Latifi, themelues dhe president i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, si dhe ideator edhe i QKSTK-së: “Kjo qendër, e para e tillë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, do të shërbejë si një vatër kryesore për arsim, kërkim dhe përparim teknologjik kirurgjik”.

Universiteti i Prishtinës (UP) dhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës (KKK) kanë kënaqësinë të njoftojnë se Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, gjatë mbledhjes së tij më 17 korrik 2025, miratoi unanimisht propozimin për themelimin e Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK).

Kjo iniciativë e UP-së dhe KKK-së synon të përmirësojë edukimin kirurgjik dhe mjekësor në Kosovë dhe rajon, duke riafirmuar angazhimin e të dyja institucioneve për ta avancuar trajnimin mjekësor dhe për ta përmirësuar kujdesin ndaj pacientit.

Kjo qendër, QKSTK, do të shërbejë për edukim, kërkime shkencore dhe përparime teknologjike, duke u përqendruar në të gjitha degët kirurgjike, të traumës dhe të urgjencës, sikurse edhe në kurset dhe programet tjera edukative të standardeve më të reja shkencore.

Qendra do të përdorë teknologji të përparuara të simulimit, për të zbatuar një kurrikulë të strukturuar dhe të bazuar shkencërisht, e cila do të përmirësojë trajnimin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe do të rrisë rezultatet për pacientët në vend e përtej.

“Me këtë qendër, po bëjmë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të arsimit dhe praktikës së kujdesit shëndetësor në Kosovë,” deklaroi prof. Arben Hajrullahu, rektor i Universitetit të Prishtinës. “Qendra do të nxisë përsosmërinë në trajnimin mjekësor, do të promovojë bashkëpunimin ndërdisiplinor si dhe do të rrisë standardet e ofrimit të kujdesit shëndetësor në vendin tonë e përtej,” shtoi prof. Hajrullahu.

Në këtë qendër pritet të angazhohen profesionistë mjekësorë, inxhinierë të industrisë së kujdesit shëndetësor dhe ekspertë të tjerë të teknologjive të përparuara nga vendi, rajoni e bota, duke ofruar programe trajnimi të avancuara, iniciativa kërkimore dhe mundësi për bashkëpunim me departamente të ndryshme brenda UP-së si dhe me institucione akademike në nivel global.

Jetësimi dhe funksionimi i suksesshëm i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara të Kosovës (QKSTK) do të funksionojë sipas Statutit dhe rregullores për institute dhe qendra të Universitetit të Prishtinës, e cila, ndër të tjera, parasheh edhe partneritetin me palë tjera siç është p.sh. Kolegji i Kirurgëve të Kosovës (KKK) dhe jo vetëm.

Prof. Rifat Latifi, themelues dhe president i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, si dhe ideator edhe i QKSTK-së tha: “Kjo qendër, e para e tillë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, do të shërbejë si një vatër kryesore për arsim, kërkim dhe përparim teknologjik kirurgjik, duke u përqendruar në mjekësinë kirurgjikale, të traumës dhe të urgjencës. Duke përdorur teknologjinë e fundit të simulimit dhe kurrikula të bazuara në prova, qendra synon t’i pajisë profesionistët e kujdesit shëndetësor me aftësitë e nevojshme për t’u përballur me sfidat në zhvillim të mjekësisë moderne.” Për më shumë, prof. Latifi shtoi se: ,,Përmes kësaj qendre, ne do të kapërcejmë hendekun midis kirurgjisë moderne në botë dhe asaj të Kosovës, duke ofruar hulumtime akademike dhe edukim praktik të përditësuar, në mënyrë që Kosova të vazhdojë të rritet si një qendër për përsosmëri në kujdesin kirurgjik dhe atë shëndetësor në Ballkanin Perëndimor e përtej.”

Qendra e Kosovës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara në Universitetin e Prishtinës (QKSTK) synon të përmirësojë arsimin e avancuar mjekësor dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor përmes partneritetit që në fillim të punës, jo vetëm me Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës (KKK), por edhe me International Virtual e- Hospital Fondation e përtej.

E udhëhequr nga vizioni i prof. Rifat Latifit, QKSTK-ja do të shërbejë si një kullë e kirurgjisë dhe edukimit kirurgjikal, të traumës dhe të mjekësisë emergjente, duke përdorur teknologjitë më të fundit të simulimit dhe kurrikula inovative për të zhvilluar një fuqi punëtore mjekësore shumë të kualifikuar.

Ndër objektivat kryesorë të QKSTK-së janë: krijimi i programeve gjithëpërfshirëse të trajnimit; ngritja e aftësive kërkimore; integrimi i teknologjive të përparuara dhe qëndrueshmëria. Për më shumë, qendra do të shërbejë edhe si çati e publikimeve, siç janë ato të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, duke promovuar ekspertizën shkencore dhe praktikat klinike dhe do të zhvillojë bashkëpunim ndërkombëtar me universitete, organizata dhe institute ndërkombëtare gjithandej. Qendra do të përfshijë fushat si:

Laboratori i Simulimeve Mjekësore dhe Kirurgjike: Do të ofrojë trajnime me besnikëri të lartë në skenarë klinikë realistë në të gjitha degët kirurgjike dhe mjekësore dhe vlerësimeve të performancës;

Laboratori i Trajnimit të Avancuar Laparoskopik dhe Artroskopik: Fokusohet në teknikat kirurgjike minimalisht invazive, me programe trajnimi të specializuara dhe bashkëpunim me degët dhe industrinë kirurgjike të të gjitha lëmive;

Programi i Telemjekësisë dhe Telekirurgjisë: Përmirëson qasjen në ekspertizën kirurgjike përmes konsultimeve në distancë dhe mentorimit;

Programet e Trajnimit Edukativ për Traumën dhe Kurset e tjera (ATLS, ACLS, BLS, PALS, TEAM): Ofrojnë punëtori për traumën dhe intervenimet tjera, duke simuluar skenarë emergjence për të përmirësuar aftësitë kritike të vendimmarrjes;

Zyra për Udhëzime dhe Protokolle Kirurgjikale dhe Klinike: Zhvillon udhëzime klinike të bazuara në prova dhe kryen kërkime për të standardizuar praktikat e kujdesit;

Njësia e Kërkimeve Shkencore Klinike dhe Bazike: Promovon kërkimin ndërdisiplinor, siguron fonde dhe publikon gjetjet për të rritur njohuritë mjekësore;

Zyrat për Revistën e Kirurgjisë së Kosovës (Kosova Journal of Surgery) dhe Klinikat Kirurgjike të Kosovës (Surgical Clinics of Kosova) si dhe botimet tjera: Shërbejnë si revistat kryesore shkencore për kirurgjinë në Kosovë, duke nxitur botimin dhe bashkëpunimin kërkimor shkencor dhe de facto duke u bërë shkollë e re e kirurgjisë së Kosovës.

Qendra e Kosovës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara në Universitetin e Prishtinës (QKSTK) do t’i sjellë dobi të konsiderueshme sistemit të kujdesit shëndetësor në Kosovë, duke përmirësuar cilësinë e kujdesit kirurgjik dhe duke ngritur një fuqi punëtore mjekësore të aftë e të gatshme për t’u përballur me sfidat moderne të kujdesit shëndetësor.

Filed Under: Rajon

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 – Akti Themelues i Shtetësisë së Kosovës në të Drejtën Kushtetuese dhe Ndërkombëtare

July 2, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Më 2 korrik 1990, në një nga momentet më të fuqishme të historisë sonë moderne, në kushte represioni brutal dhe shtypjeje kolonialiste nga regjimi serb, 114 deputetë shqiptarë të Kuvendit të Kosovës ndërmorën një akt historik me peshë kombëtare dhe ndërkombëtare: shpallën Deklaratën Kushtetuese, si një manifest të qartë të vullnetit politik dhe juridik për rikthimin e Kosovës në pozitën e një njësie të barabartë në Federatën Jugosllave.

Ky akt nuk ishte vetëm një reagim politik, por një ndër momentet më të ndritura të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, i përkthyer në gjuhën e së drejtës dhe të kushtetutshmërisë. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është një gur themeli i pashmangshëm në procesin historik të shtetformimit të Republikës së Kosovës – një rrugëtim që përfaqëson kthesën më të madhe në afirmimin e subjektivitetit politik të një populli të mohuar ndër shekuj.

Një akt rikonstituiv në të drejtën kushtetuese dhe në frymën e kombit

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut përfaqëson vetëdijen juridike, politike dhe kombëtare të përfaqësuesve shqiptarë, të cilët, në rrethana të dhunës institucionale, ndërmorën një akt rikonstituiv me përmasë historike.

Shfuqizimi arbitrar i Kushtetutës së vitit 1974 nga Serbia, përbënte një shkelje flagrante të të drejtave kolektive të shqiptarëve në Kosovë, dhe synonte shuarjen e identitetit politik të saj.

Përballë këtij agresioni, Deklarata e 2 Korrikut riktheu rendin kushtetues të mohuar dhe afirmoi legjitimitetin e aspiratës shqiptare për vetëvendosje demokratike.

Në këtë kuptim, ajo është më shumë se një dokument juridik – është një manifest kombëtar i dinjitetit shqiptar dhe i vendosmërisë për të mos u nënshtruar, duke ndjekur rrugën e paqes, ligjshmërisë dhe drejtësisë.

Shprehje e sovranitetit të një populli në kërkim të lirisë

Deklarata Kushtetuese ishte një akt i sovranitetit autentik dhe i ndërprerjes së lidhjeve me një regjim shtypës. Deputetët shqiptarë, si përfaqësues legjitimë të një populli të nëpërkëmbur, u ngritën mbi frikën dhe mbi represionin, për të shpallur një të drejtë themelore: të drejtën për të qenë të lirë, për të vendosur vetë për fatin e tyre dhe për të ndërtuar institucione demokratike.

Akti i tyre nuk ishte vetëm simbolik – ai çeli një epokë të re për kombin shqiptar në Kosovë, duke ndërtuar themelet për pluralizmin politik, për rezistencën paqësore dhe për ndërtimin e institucioneve të Republikës në mërgatë. Ai ishte zëri i një populli që kërkonte të dëgjohej në skenën ndërkombëtare, për të dëshmuar se Kosova nuk ishte provincë e askujt, por atdhe i një kombi që meritonte liri dhe shtetësi.

Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me ndërgjegjen universale

Deklarata e 2 Korrikut ishte dhe mbetet një akt në përputhje të plotë me parimet e së drejtës ndërkombëtare, duke u bazuar në:

-Nenin 1(2) të Kartës së Kombeve të Bashkuara për vetëvendosje;

-Rezolutën 1514 (1960) të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për dekolonizimin;

-Nenin 1 të Pakteve Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, që njeh të drejtën e popujve për të përcaktuar lirisht statusin e tyre politik.

Në kushtet kur Serbia zhvillonte një politikë të apartheidit institucional ndaj shqiptarëve në Kosovë, Deklarata e 2 Korrikut përfaqëson një rast tipik të vetëvendosjes mbrojtëse (remedial secession), që është sot e pranuar si normë detyruese (jus cogens) në të drejtën ndërkombëtare.

Ajo është shprehje e ligjshmërisë dhe e drejtësisë ndërkombëtare, dhe përgatiti rrugën drejt shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, që më vonë do të konfirmohej nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Trashëgimi kombëtare dhe testament kushtetues

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 është Magna Carta shqiptare e Kosovës. Ajo është testamenti juridik, politik dhe kombëtar i gjeneratave të tëra që ëndërruan lirinë, dhe që përmes këtij akti, e kthyen atë në realitet të pakthyeshëm.

Në ndërgjegjen e kombit shqiptar, ajo nuk është vetëm një dokument – është simbol i përjetshëm i bashkimit, rezistencës dhe aspiratës për dinjitet e sovranitet. Ajo dëshmon me forcë se **shtetësia e Kosovës nuk u krijua as nga rastësia, as nga imponimi i jashtëm, por nga një vullnet popullor legjitim, i sanksionuar në dokumente, veprime dhe në vetë sakrificën historike të shqiptarëve.

Patriotizmi i ligjshëm si themel i shtetësisë

Në kohë kur ende dëgjohen zëra që tentojnë ta relativizojnë ose mohojnë shtetësinë e Kosovës, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është përgjigjja më e qartë, më e ndritur dhe më legjitime. Ajo përfaqëson atë që e drejta dhe historia e quajnë akt themelor të vetëvendosjes, ndërsa ndërgjegjja kombëtare e njeh si një nga faqet më të ndritura të patriotizmit institucional shqiptar.

Deklarata është dhe mbetet akti i parë i Republikës së Kosovës, i njohur jo vetëm në ndërgjegjen kombëtare, por edhe në rrafshin e së drejtës ndërkombëtare.

New York, Korrik 2025

Botuar me rastin e 35-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të Kosovës

Filed Under: Rajon

Kriza e Kuvendit të Kosovës

June 28, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha
Ekspert i së Drejtës Publike/

Republika e Kosovës është një demokraci parlamentare, ku legjitimiteti politik ndërtohet mbi përfaqësimin e drejtpërdrejtë të sovranit – popullit – përmes zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të rregullta. Kjo është shtylla mbi të cilën ngrihen të gjitha institucionet kushtetuese të shtetit. Ndaj, kur ky proces përmbushet – siç ndodhi me zgjedhjet parlamentare të datës 9 shkurt 2025 – ai duhet të pasohet pa vonesë nga hapat kushtetues dhe institucionalë për funksionalizimin e pushtetit legjislativ dhe më pas të atij ekzekutiv. Por çfarë po ndodh sot në Kosovë?

Po përballemi me një situatë absurde dhe të paprecedentë: legjislatura e dalë nga zgjedhjet, në vend se të konstituohet dhe të fillojë punën si organ përfaqësues i qytetarëve, po mbahet peng në mënyrë të qëllimshme, përmes manovrave politike që nuk kanë asnjë mbështetje në Kushtetutë, as në etikën e demokracisë parlamentare.

Kuvendi si skenë për krizë të qëllimshme

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 67, përcakton qartë: “Kuvendi mblidhet për seancën konstituive më së largu brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.” Ky detyrim është i panegociueshëm. Moszbatimi i tij përbën shkelje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe paralizim të funksionit përfaqësues të Kuvendit.

Në vend që ky proces të zhvillohet në kohë dhe në përputhje me normat, një subjekt politik i vetëm – Lëvizja Vetëvendosje – ka vendosur të instrumentalizojë procedurat, të zvarrisë zgjedhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe të imponojë krizë për të mbuluar dështimin për të ndërtuar shumicën parlamentare.

Ky veprim është në thelb një uzurpim i funksionit të Kuvendit, sepse e shndërron atë nga arenë përfaqësimi në mjet presioni për interesa të ngushta pushteti. Duke mos pasur numra për të krijuar shumicën, por duke pasur vullnet për të qëndruar në qendër të krizës, ky subjekt politik ka zgjedhur të pengojë institucionet në vend se t’i ndërtojë ato.

Jo shumicë – por pengmarrje

Duke qenë se nuk e ka shumicën e nevojshme për të emëruar Kryetarin e Kuvendit apo për të formuar Qeverinë, Vetëvendosje ka vendosur të mos pranojë realitetin politik, por ta mohojë atë duke e ndërlikuar artificialisht procesin konstituiv. Në vend se të ndërtojë marrëveshje politike me parti të tjera, ajo ka zgjedhur strategjinë e konfliktit dhe përplasjes institucionale.

Kjo sjellje është përtej arrogancës politike – është abuzim i hapur me besimin qytetar, me vetë konceptin e përfaqësimit dhe me parimet mbi të cilat funksionon një republikë parlamentare. Deputetët, sipas Kushtetutës, përfaqësojnë popullin e Kosovës në tërësi – jo interesat e një partie të vetme. Ata nuk janë të zgjedhur për të zbatuar taktikat bllokuese të liderëve, por për të vepruar në përputhje me përgjegjësinë institucionale që buron nga mandati i dhënë nga qytetarët.

Një krizë e shpikur – për të mbuluar dështimin

Argumentet që përdoren për të justifikuar vonesat e konstituimit janë formale, por qëllimi është politik. Mosmarrëveshjet rreth procedurave, interpretimet subjektive të rregullores dhe pretekstet e “mbrojtjes së vullnetit të popullit” nuk janë asgjë më shumë sesa tentativë për të blerë kohë dhe për të prodhuar krizë të qëllimshme, në mënyrë që të ruhet kontrolli mbi narrativën publike dhe të pengohet krijimi i një shumice të re qeverisëse.

Në këtë mënyrë, po krijohet një precedent shumë i rrezikshëm, ku një subjekt pa shumicë reale pretendon të ushtrojë pushtet të pakufizuar përmes sabotimit të institucioneve. Në vend të funksionimit institucional, kemi stagnim. Në vend të qeverisjes, kemi vetëviktimizim. Në vend të konsensusit, kemi konflikt të inskenuar.

Çfarë humb shteti nga kjo krizë?

Moskonstituimi i Kuvendit nuk është problem kalimtar, por kërcënim serioz ndaj funksionimit të shtetit. Pasojat janë të shumta dhe të thella:

-Qeveria në detyrë vepron pa kontroll parlamentar.

-Ligjvënia është e pezulluar, duke lënë vendin pa mundësi të miratojë ligje të domosdoshme.

-Pushteti gjyqësor dhe institucionet e pavarura mbesin pa mbështetje buxhetore dhe pa mbikëqyrje funksionale.

-Përfaqësimi ndërkombëtar i Kosovës dëmtohet, sepse shteti perceptohet si i paqëndrueshëm dhe i paaftë për të ndërtuar institucione.

-Besimi i qytetarëve në sistemin përfaqësues bie në nivelet më të ulëta që nga shpallja e pavarësisë.

Në fund të fundit, kemi të bëjmë me një shtet në vakuum kushtetues, ku legjitimiteti i votës nuk përkthehet në institucione, dhe ku demokracia rrëshqet drejt formalitetit të zbrazët.

Vullneti i sovranit nuk është lodër politike

Sovrani – qytetari i Kosovës – nuk ka votuar për krizë. Ai ka votuar për qeverisje, për rregull, për institucione dhe për përfaqësim dinjitoz. Kjo krizë nuk është pasojë e mungesës së kuadrit ligjor – sepse Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit janë të qarta. Nuk është as pasojë e rrethanave të jashtme – sepse zgjedhjet janë zhvilluar pa probleme thelbësore.

Kjo krizë është produkt i pastër i një lloj kulture politike që i vë interesat partiake mbi parimet e shtetit, që e kupton pushtetin si monopol dhe që refuzon të pranojë vullnetin parlamentar të shumicës si bazë për ndërtimin e qeverisjes.

Republika nuk mund të funksionojë me inat dhe bllokadë
Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni ku përfaqësohet populli, jo aty ku mbrohen interesat e një partie. Moskonstituimi i tij nuk është më problem i zakonshëm politik – është simptomë e një mosrespektimi të thellë për rendin demokratik.

Asnjë subjekt nuk ka të drejtë ta mbajë peng legjislaturën vetëm pse nuk ka arritur të krijojë shumicën. Asnjë kryetar partie nuk ka të drejtë të shndërrojë procedurat parlamentare në pengesë për formimin e institucioneve. Dhe asnjë deputet nuk duhet të harrojë se mandatin nuk e ka marrë për të heshtur, por për të vepruar në shërbim të qytetarëve dhe të republikës.

Kosova nuk ka nevojë për krizë të përhershme, por për shtet funksional. Rruga për ta ndërtuar këtë shtet kalon përmes konstituimit të menjëhershëm të Kuvendit, me respekt të plotë për Kushtetutën, për procedurat dhe për vullnetin e qytetarëve.

Filed Under: Rajon

Kosova, rreziku i një Parlamenti të pezulluar

June 26, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi

Në një kohë kur bota gjendet në një situatë gjeopolitike të tensionuar, me konflikte që shpërthejnë në Lindjen e Mesme e me pasigurinë e një lufte të gjatë në Ukrainë, Kosova ndodhet në një bllokadë institucionale të rrezikshme. Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituar, ndërsa elitat politike duket se janë më të përkushtuara për pazare pushteti sesa për fatin e vendit. Pezullimi i këtij institucioni themelor nuk është thjesht një çështje e brendshme politike, por një rrezik real për sovranitetin dhe sigurinë e shtetit.

Ky vakum institucional nxjerr në pah një problem të thellë: mungesën e përgjegjësisë kombëtare dhe strategjisë afatgjatë nga liderët politikë të Kosovës. Në vend që të ndërtojnë struktura të forta shtetërore dhe të zhvillojnë kapacitete diplomatike e ushtarake për t’u përballur me sfidat rajonale, shumë prej tyre shfaqen si oportunistë të pushtetit. Në këtë lojë, humbës është vetë shteti i Kosovës.

Në dallim nga Serbia, e cila ndonëse bart histori të rënda kriminale, vepron me një diplomaci të organizuar dhe agresive, Kosova është ende në proces ndërtimi institucional. Por në vend që kjo të shërbejë si motiv për angazhim dhe mobilizim kombëtar, duket se po shërben si justifikim për apati dhe papërgjegjshmëri. Mungesa e një strategjie të koordinuar me Shqipërinë – shtetin amë që duhej të ishte shtylla diplomatike dhe mbështetëse e saj – e bën Kosovën iu edhe më të pambrojtur ndaj ambicieve hegjemoniste të Serbisë dhe aleatëve të saj.

Kryeministri shqiptar Edi Rama shpesh perceptohet si një figurë e afërt me Beogradin zyrtar, gjë që ka krijuar ndjenja zhgënjimi dhe mosbesimi në Kosovë. Në vend që të qëndrojë krah politikave të Kosovës për konsolidimin e sovranitetit, shpesh është parë si nismëtar i qëndrimeve që dëmtojnë unitetin kombëtar. Kjo përçarje mes Tiranës dhe Prishtinës, në një kohë kur Serbia po mobilizohet në çdo plan për të minuar pavarësinë e Kosovës, është alarmante.

Pikërisht në këtë kontekst, duhet vlerësuar roli i kryeministrit Albin Kurti, i cili – pavarësisht kritikave të brendshme – ka arritur që për herë të parë pas dy dekadash të vendosë sovranitetin e Kosovës në veri të vendit. Kjo përbën një arritje historike, e cila duhej të mbështetej pa mëdyshje nga të gjitha instancat politike brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës. Por përkundrazi, përballja me mungesën e përkrahjes së Tiranës dhe presionet ndërkombëtare e ka vështirësuar më tej këtë betejë të drejtë.

Ndërkohë, situata ndërkombëtare është e mbingarkuar me tensione të tjera. Konflikti Rusi-Ukrainë, konfrontimi SHBA-Iran dhe rritja e tensioneve në Detin e Kinës Jugore e kanë zbritur çështjen e Kosovës në fund të listës së prioriteteve të fuqive të mëdha. Presidenti amerikan Donald Trump – nëse rikthehet në pushtet – pritet të fokusohet tek sfidat me Kinën, tregtinë globale dhe konflikte më të mëdha, ndërsa Kosova mund të mbetet në hije.

Kjo situatë është ideale për Serbinë, e cila ndjek një strategji të qartë të “pritjes së momentit të duhur”. Vuçiq e ka thënë qartë: nëse gjeopolitika i krijon rastin, Serbia nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprime të ashpra, qoftë ushtarake apo politike, për të rikthyer kontrollin mbi Kosovën. Kjo mund të ndodhë përmes ndërhyrjes së drejtpërdrejtë, përmes ndarjes territoriale, apo së paku përmes imponimit të Asociacionit të komunave serbe – një projekt që rrezikon të kthehet në një “Republika Sërpska” të re.

Në këtë kontekst, pezullimi i Kuvendit të Kosovës nuk është më vetëm një problem procedural. Ai është një paralajmërim se sistemi politik po dështon ta përmbushë rolin e vet në mbrojtjen e sovranitetit dhe interesit kombëtar. Nëse institucionet nuk funksionojnë, nëse nuk ka një qëndrim të unifikuar të elitës politike, atëherë Kosova rrezikon të bëhet një vend që të tjerët e modelojnë sipas interesave të veta.

Rruga përpara është e qartë, edhe pse e vështirë. Duhet ringritje morale dhe politike. Duhet koordinim i thelluar me Shqipërinë dhe një platformë e përbashkët shqiptare në politikën ndërkombëtare. Duhet diplomaci aktive, por edhe përgatitje ushtarake dhe institucionale për çdo skenar. Mbi të gjitha, duhet lidership që nuk e sheh pushtetin si qëllim, por si mjet për të mbrojtur vendin.  “Demokracia në Kosovë nuk matet vetëm me zgjedhje të lira, por me një parlament që funksionon, që mban qeverinë përgjegjëse dhe që nuk kthehet në strehë pazareve politike.”

“Një parlament joaktiv bëhet një boshllëk i rrezikshëm, i mbushur ose nga burokracia ose nga autokrati.”  Ka pas shkruar një nga baballarët e Amerikës, Thomas Paine 

Kosova është një ëndërr e fituar me gjak dhe sakrificë. Ajo nuk duhet dhe nuk mund të dorëzohet – as për interesa personale, as për pazare të brendshme, as për iluzione diplomatike. 

Kur parlamenti hesht, flet rreziku. Dhe ky rrezik është real.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM
  • NJË PIKTURË SI E PIKASOS…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT