• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës feston jubileun e 40 vjetorit

December 18, 2015 by dgreca

-Kosova, partneritet me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe BE-në/
-Pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pa mendimin veprues të saj, Kosova e populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku janë sot/
-Akadamia e Shkencave e Shqipërisë uron në 40 vjetor Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës/

Nga BEHLUL JASHARI/ PRISHTINË, 18 DHJETOR 2015/ Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka festuar sot 40 vjetorin me një veprimtari solemne në Prishtinë, ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit, kryetarë e përfaqësues të tjerë akademishë nga vendet e rajonit e më gjerë, përsonalitete të shquara.

JAHJAGA: AKADEMIA NË NDËRTIMIN E SHTETËSISË SË KOSOVËS DHE FORCIMIN E DEMOKRACISË TONË TË RE

“Ky jubile prej 40 vjetësh – i punës dhe angazhimit të palodhshëm të secilit prej jush, është më shumë se një simbolikë numrash – është përpjekje e pareshtur për të qenë në shërbim të vendit si forcë shtytëse, posaçërisht në kohë kthesash të mëdha”, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Prandaj, vijoi ajo, kujtoj me shumë pietet dhe përkulem përpara figurave të një brezi të tërë të akademikëve të Kosovës, që i dhanë vulën një numri procesesh në vend dhe mendimit kritik – një trashëgimi e veçantë edhe e shtetbërjes dhe zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë tonë.
“Në këtë kohë të sfidave të mëdha e të përcaktimit të vlerave të shkencës në shoqërinë tonë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës duhet të qëndrojë fuqishëm në rolin e saj të zhvillimit të kombit, paralelisht me atë të shkencës dhe të arteve”, theksoi Jahjaga.
Shtetbërja e Kosovës, vijoi ajo, bazohet mbi punën e përbashkët të secilës pjesë të shoqërisë sonë dhe në këtë rrafsh Akademia ka forcë dhe potencial për të dhënë kontributin e vet për zhvillimin e vendit tonë.
t“Rëndësia e inkuadrimit të Akademisë në këto procese është jetike për vendin, sepse ndërton konsensusin në shoqëri dhe sepse strategjia zhvillimore do të bazohej në vlerat e rezultatet shkencore dhe në rrethanat shoqërore”, tha Presidentja kosovare.

Akademia, vlerësoi Jahjaga, ka rol për të luajtur në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe forcimin e demokracisë tonë të re.

“Ne duhet të ndërtojmë kulturën politike të dialogut dhe ta pasurojmë diskursin në sferën tonë publike për të ardhmen tonë të përbashkët, që tejkalon ndasitë ndërmjet forcave politike. Argumenti i forcës dhe fuqia e numrave nuk mund ta zëvendësojë bashkëbisedimin!”, u shpreh ajo.

Ne, theksoi Presidentja Jahjaga, nuk guxojmë të vëmë në rrezik partneritetin me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe BE-në, e as t’ua zëmë frymën zhvillimeve demokratike dhe të rëndojmë jetën e qytetarëve të vendit, besimi i të cilëve në secilin prej nesh – qoftë liderë institucionalë ose partiakë – po zbehet çdo ditë e më shumë.

“Ne duhet të jemi pranë qytetarëve të vendit, sepse vota e tyre na ka zgjedhur për të qenë në shërbim të tyre dhe për t’u garantuar një të ardhme më të mirë. E kemi obligim dhe borxh ndaj gjeneratave të tëra që kanë sakrifikuar për të sotmen tonë, që ta kompletojmë dhe ta përmbyllim konsolidimin tonë si shtet”, tha ajo.

Andaj, vijoi Jahjaga, them që Akademia dhe intelektualët anëtarë të saj kanë rol për të luajtur – në kohën kur na duhet më shumë besim në vetvete se dallimet mund t’i tejkalojmë duke mësuar se dialogu është zgjidhja e vështirësive të sotme; në kohën kur duhet kuptuar se ndërtimi i shtetit të së drejtës shmang rrugën si zgjidhje dhe ofron zgjidhjet brenda institucionit; pa kushte, pa hasmëri dhe pa frikë ndaj njëri-tjetrit; në kohën kur na duhet më shumë pajtim mes nesh për rolin tonë në dialogun me Serbinë, më shumë besim se rruga jonë e bërjes së shtetit nënkupton përafrim me BE-në, një realitet që bashkon të gjithë qytetarët e vendit pa dallim.
“Por, ne sot vazhdojmë të jemi larg projektit të BE-së: jo vetëm sepse nuk kemi arritur të tejkalojmë dallimet tona të brendshme e të punojmë në strategjitë për anëtarësim, por edhe sepse nuk kemi arritur që në skenën ndërkombëtare të forcojmë më shumë argumentin e një shteti të së drejtës”, tha Jahjaga.
Megjithëkëtë, vijoi ajo, ne kemi hasur në vështirësi – sepse dialogu me Serbinë është më shumë çështje e konsensusit tonë, që duhet të prodhojë edhe stabilitet të brendshëm por edhe rezultate konkrete, që çon drejt shtetit gjithëpërfshirës por që nuk prek shtetësinë.
“Kemi hasur në vështirësi, sepse normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona është rrugë dykahëshe, e dy bashkëbiseduesve, që ndihmon pajtimin ndërmjet dy popujve tanë dhe që hap shtegun drejt BE-së, që duhet ta mbajë të hapur perspektivën e rajonit në përgjithësi”, tha Presidentja e Kosovës.
Andaj, vijoi ajo, Akademia ka kontribut për të dhënë në procesin historik të pajtimit të popujve, në ndihmë të korrigjimit të padrejtësive të së kaluarës, që hap rrugën e zhvillimit të përgjithshëm në mënyrë të barabartë të të gjithëve në rajonin e Ballkanit, duke siguruar paqen dhe stabilitetin.
“Të nderuar anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Ky përvjetor dëshmon misionin tuaj për të ndërtuar ura bashkëpunimi në fusha të ndryshme e në veçanti në shkencë, me të gjithë jo vetëm në fqinjësi por edhe më gjerë.
Dhe mbi supet tuaja qëndron barra për ta bërë shkencën, artin dhe edukimin pjesë të jetës në shoqërinë tonë, duke e shndërruar në vizion të rëndësishëm për të ardhmen e gjeneratave të reja. Paqi fat!”, përfundoi Presidentja e Kosovës, Jahjaga.

KRYEMINISTRI MUSTAFA: ASHAK-U ROL ESENCIAL PËR PROGRESIN E KOSOVËS NË TË GJITHA RRAFSHET

Kryeministri Isa Mustafa, në manifestim ka përcjellë përshëndetjet dhe urimet e qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë përvjetor të dyzet të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa tha se duke shërbyer si prijëse e shkencës dhe dijes së dobishme, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka luajtur rolin më të rëndësishëm në progresin shkencor, kulturor dhe të arteve në Kosovë.

“Në të njëjtën kohë, roli dhe aktivitetet, mendimi dhe organizimi, që kanë buruar nga Akademia jonë, janë të rëndësisë esenciale për progresin e vendit tonë në rrafshin historik, politik, ekonomik dhe social. Një gjë është e sigurt, pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pa mendimin veprues të saj, Kosova e populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku janë sot, Kosova shtet i pavarur dhe sovran, duke ecur sigurt në rrugën e integrimeve të mëdha evropiane dhe euroatlantike, populli i Kosovës i lirë dhe i përcaktuar për demokraci, shoqëri progresive dhe zhvillim”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa tha se kanë qenë akademikët ata të cilët, duke ruajtur dhe kultivuar mendimin kulturor dhe politik, me dinjitetin dhe etikën më të lartë njerëzore dhe akademike, kanë përcaktuar dhe kanë bërë të mundur që kombi të mund të qëndronte fuqishëm përballë valëve të vështira të historisë.

“Si qendër dhe shoqëri e edukimit dhe shkencës, puna e Akademisë ka ndikuar dhe ka krijuar dijetarët dhe ekspertët tanë në të gjitha fushat akademike, politike, shtetformuese, qeverisëse, ekonomike dhe zhvillimore. Këta akademikë veprimtarë dhe mentorë të vyeshëm, sot këtu dhe ata që nuk janë sot me ne, janë autorët e letrave të pavarësisë, të cilët ruajtën dhe kultivuan frymën liridashëse dhe idenë e progresit”, tha kryeministri.

Mustafa, po ashtu, theksoi se në kohën e sotme të zhvillimeve globale, shkenca dhe arti, si çdo dimension tjetër jetësor, po bëhen më të afruara dhe më të lidhura globalisht.

“Si rrjedhojë, Akademia jonë po inicion gjithnjë e më shumë projekte ndërkombëtare, në fusha të ndryshme, të cilat po e bëjnë shkencën dhe dijen e Kosovës, pjesë të kulturës dhe dijes botërore, ndërsa po i bëjnë vlerat tona pjesë të humanizmit, bazuar në parimet etike. Prandaj, sot jam i lumtur që si anëtar i kësaj akademie, përcjell përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës që të përkrahë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës për t’u bërë pjesë e rëndësishme e shkencës dhe botës shumëkulturore”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa ka falënderuar dhe përkujtuar me respektin më të thellë të gjithë ata studiues që për shumë dekada me punën e tyre kanë kontribuuar që shkenca, arti, dija dhe kultura e Kosovës të ndriçohet, të avancohet, dhe që këto vlera të shfaqen dhe komunikohen kudo nëpër botë.

VESELI: TË QENIT NË SHËRBIM TË LIRISË ËSHTË NDERI MË I MADH PËR NJË INSTITUCION TË SHKENCËS DHE ARTIT

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, para akademikëve dhe të ftuarve të tjerë të shumtë, tha se përvjetorët jubilarë, si ky i sotmi, janë momente të rëndësishme në jetën e një institucioni apo të një shteti, të cilat mundësojnë për të parë rrugën që është bërë në të kaluarën, e njëkohësisht, edhe momente të qartësimit të vizionit për të ardhmen.

Dyzet vitet e ekzistencës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kryetari Veseli i konsideroi vite të historisë sonë më të re, të ringritjes sonë historike, politike, arsimore, kulturore, vite të rezistencës së përgjithshme kundër shtypjes politike e të rrugëtimit të pathyeshëm drejt lirisë.

“Ne sot jemi krenarë, se ia dolëm të përmbushim qëllimin më fisnik që mund të ketë një popull modern: të jetojë i lirë në tokën e tij, në gjuhën e tij, në kulturën dhe identitetin e tij. Ne sot, ndihemi krenarë, me faktin se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në tërë historinë e saj, ka qenë në shërbim të këtij qëllimi fisnik. Të qenit në shërbim të lirisë është nderi më i madh për një institucion të shkencës dhe artit”, tha në fjalën e tij kryetari Veseli.

Duke iu drejtuar akademikëve, kreu i Kuvendit tha se ata duhet të ndihen krenarë me punën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtës natyrore që ka secili popull për të qenë i lirë. Sot, Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, shtoi Veseli. Ai tha se liria nga shtypja është vlerë themelore, por nuk mjafton dhe se duhet punuar për lirinë e kuptuar si zhvillim.

Në vazhdim, kryetari i Kuvendit foli edhe për miratimin ditë më parë nga ana e Kuvendit, të Ligjit të ri për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Është një ligj që përmbush standardet më të larta bashkëkohore, që kanë të bëjnë me fushën akademike. Është një ligj që stimulon shtigje të reja të hulumtimit akademik, në kohën e sfidave globale të dijes e zhvillimit. Por, kjo nuk është e gjitha. Kuvendi i Kosovës dhe të gjithë mekanizmat përkatës shtetërorë, duhet të bëjnë prioritet nacional dijen dhe edukimin, sepse sot, edukimi cilësor dhe popullata e kualifikuar përbën kapitalin më të madh për një vend”, tha kryeparlamentari Veseli.
Në manifestimin festiv, të hapur me Himnin Kombëtar Shqiptar dhe Himnin e Shtetit të Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Hivzi Islami tha se, “40 vjet histori të këtij institucioni mund të mos duken shumë në jetën e akademive me traditë të gjatë, por për ne janë si katër shekuj të përshkuar me shumë specifika, ngritje dhe rënie si rezultat i zhvillimeve të gjera politike dhe shoqërore në Kosovës dhe në vetë shtetin”.
Ai vijoi se, “kthesat e mëdha shoqërore, trysnitë, urrejtjet dhe represioni, deri te përpjekja për zhbërje biologjike, turbulencat që shembën shoqërinë kosovare dhe që më në fund sollën pavarësinë e shtetit më të ri në botë, janë ngjeshur dhe pasqyruar në ecjen tonë, në rrugën e mundimshme për të arritur këtu ku jemi”.
Kryetari Islami theksoi se, “Akademia në asnjë rast nuk mund të involvohet në diskutime të politikës së ditës, duke mbledhur rreth vetës shkencëtarët, ekspertët dhe elitën e krijimtarisë artistike, dijen dhe vizionin e tyre ajo mund t’i vërë në dispozicion të zhvillimit të mendimit kritik shkencor dhe artistik dhe të ofrojë zgjidhje për shumë çështje madhore të shoqërisë, por vetëm mbi bazë të argumenteve shkencore dhe jashtë ritmeve të ndodhive ditore”.
“Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës nuk do ta ndjekë kurrë modelin e Akademisë Serbe, e cila me veprimet e saj u shkaktoi tragjedi të mëdha miliona njerëzve”, tha Islami.
Gjatë vitit 2015, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka humbur akademikët Mark Krasniqin, Esat Stavilecin, Pajazit Nushin.

AKADAMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË URON NË 40 VJETOR AKADEMINË E SHKENCAVE E TË ARTEVE TË KOSOVËS

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Muzafer Korkuti, në një veprimtari festive sot në Prishtinë, në praninë e drejtuesve më të lartë të shtetit kosovar, uroi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me rastin e 40 vjetorit të themelimit, duke theksuar rëndësinë dhe bashkëpunimet e dy institucioneve të larta kombëtare.

“Rrugëtimi, zhvillimi, rritja, konsolidimi i Akademisë së Shkenaceve dhe të Arteve të Kosovës, institucionit më të lartë shkencor e të artit të Kosovës është një eveniment i veçantë në historinë e kombit tonë, shumë të vjetër historikisht por të rinj si shtete”, u shpreh ai.
Akademik Korkuti theksoi se, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, së bashku me motrën, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e themeluar 43 vite më parë, janë dy shtylla, dy institucione të mirëfillta shkencore të pavarura, që kanë në themel studimet për gjuhën, historinë dhe për kulturën kombëtare.
“Themelimi i Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës erdhi si rezultat i zhvillimit shkallë-shkallë të disa institucioneve pedagogjike e shkencore të kerkimeve albanologjike”, përkujtoi kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Akademik Korkuti për jubileun e 40 vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetarin e saj akademik Hivzi Islamin kishte sjellë dhuratë një komplet veprash të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është themeluar me Ligj të veçantë të Kuvendit kosovar në 20 dhjetor të vitit 1975, në kohën kur me Kushtetutën e vitit 1974 Kosova avancoi dhe arriti mëvetësi organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal, si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës janë ndarë shtatë shtete, mes të cilave Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008, të njohur deri tash nga 111 shtete anëtare të OKB-së.

Filed Under: Reportazh Tagged With: 40 vjet, Akademia e Shkencave, Behlul Jashari, Kosove

NË TRABOININ E HOTIT KRESHNIK

December 17, 2015 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI*/
Rruga nga Shkodra deri në Han të Hotit, që nga hera e fundit kur kam kaluar në nëntor 2012 ka ndryshuar shumë. Ishte më e rregullt, e sistemuar dhe të jepte vërtet një përshtypje të mirë, sepse ka qenë një nga segmentet më problematikë. Padyshim që edhe peizazhi ishte i bukur, anipse dimër. Vjeshta ende nuk lëshohej megjithë të ftohtin që kanë këto ditë. Ishte një ditë me diell, një kthjellim që t’i sillte malet krejt pranë, sikur t’i prekje me dorë. Gjithherë që kaloj për në Malësinë e Tuzit, vështrimi im thellohet, më vjen më pranë se kurrë historia, më vijnë në vesh në mënyrë imagjinative tërë ato klithma malësorësh, “bini n’ta bre burra…” përmbi koshadhet e Turqisë. Tërë kjo pamje malore në anë të lindjes, sepse në perëndim është liqeni i Shkodrës, të shfaqet si një dekor i Termopileve shqiptare në vitin 1911 –siç shkruante “New York Times” në Amerikë, që edhe pse shumë breza kanë kaluar të duket se lavdinë e vet e kanë shkruar në shkëmb. Në Kastrat im atë ka qënë mësues dhe është e kuptueshme se çfarë emocioni më përcjell ky vend e këta njerëz. Më tej kalojmë te Sukat e Moksetit, njohur aq mirë prej meje, se këtu janë zhvilluar betejat për mbrojtjen e tokave shqiptare prej invazionit të huaj në vitin 1920, ku im atë ka qënë luftëtar dhe në betejë është vrarë trimi i Hotit, Luc Nishi, i biri i kryekomandantit të forcave kryengritëse të malësisë në vitin 1911, Nik Gjelosh Luli. Të dy këta at e bir, dëshmorë të kombit shqiptar ishin nga fisi e Ded Gjo Lulit. Të dyja këto familje u shuan sepse edhe trashëgimtarët që lanë; Kol Ded Gjo Lulin e helmuan esadistët në Vlorë, ndërsa Pal Luc Nishi vdiq në moshë të re në Torino. Ka një kujtesë popullore që nuk i lënka të harrohen njerëzit që i kanë kushtuar gjithçka vendit të vet, atdheut të vet, dhe unë këtë do ta kuptoja më mirë kur të dilja në Traboin të Hotit.

Rrugës për në Bardhaj të Hotit…

Në anën tjetër të kufirit, përtej Hanit të Hotit mua dhe mikun tim poet, Qazim Muska, na priti Gjon Dushaj, kryetari i shoqatës “Ded Gjo Luli” në Tuz, i biri i profesor Mark Dushaj, i njohur e i respektuar aq shumë në Malësi, por edhe në Kosovë. Gjoni që në krye na pyeti pse nuk erdhi shkrimtari Pandeli Koçi, siç ishim në fjalë. I thamë se qe i pamundur për arsye shëndetësore. Atij i erdhi keq sepse me Pandeliun njiheshin prej kohësh nëpërmjet një veprimtarie të përbashkët dhe e respektonte. Aq me tepër se Pandeli Koçi ishte ftuar prej malësorëve dhe kishte marrë pjesë edhe në simpoziumin “Hoti ndër shekuj” në Michigan në vitin 2013, ku kishte mbajtur një kumtesë për krijuesit hotjanë dhe qe pritur shumë mirë. Do ta fillojmë për së mbari. – na tha Gjoni. Do të shkojnë e të bëjmë një vizitë tek shtëpia e Ded Gjo Lulit, pastaj vazhdojmë me programin tonë. Qazimi Muska shprehu kënaqësinë e tij. Të vizitosh shtëpinë e kreshnikut të Malësisë është një gjë mbreslënëse, aq më tepër që tashmë shtatorja e Ded Gjo Lulit është vendosur në qendër të Tiranës, kësisoj lidhjet ndërshqiptare po bëhen përherë e më të forta. Sapo kaluam Bozhajn, Gjoni e futi makinën në një rrugë malore, e ngushtë por e asfaltuar. E kemi bërë rrugën deri tek shtëpia e Heroit, – na tha, – se kështu bëhet më e lehtë për t’u vizituar nga kushdo që vjen në Tuz apo Malësi. Gjithkund shkëmbinj e gjethnaja, përmes ngjyrave të kafejta e diku-diku të kuqërremta shfaqej grija e gurëve të mëdhenj në shpat të malit. Te vendi i quajtur Druma e Hotit, por edhe Druma e Borës, na ndaloi një makinë e policisë kufitare malazeze. Flisnin shqip dhe si kontrolluan dokumentat e makinës na përshëndetën. E kanë si rregull, na tha Gjoni, se këndej ndodh të kalojnë edhe njerëz që merren me kontrabandë mallrash në mes dy shteteve. Gjatë rrugës për në Bardhaj të Hotit, takuam dy makina. Drejtuesi i njërës makinë ishte Ded Dedvukaj, i cili si u përshëndet me Gjonin e ne, na tha të mos harronim të ktheheshim tek shtëpia e tij. Tash flas me djalin në telefon e ju pret. Na tha gjithashtu se po shkonin në një mort e ishin me ngut. E ngushëlluam e vazhduam rrugën. Diku u ndaluam. Gjoni na tregoi se pak ma lart ishte Qarri i Ded Gjo Lulit, i njohur në historinë e këtij vendi se këtu mblidheshin burrat e për nën hije kuvendonin punët e Traboinit, se Deda ka qenë vojvoda i Traboinit e për gjithçka ngjiste në Traboin ishte përgjegjësia e tij. Prej tij dilte fjala apo urdhëri, urtia apo pajtimi i traboinasve për problemet mes vedi, por edhe me të tjerët.

Kulla e Ded Gjo Lulit ku buçet historia…

Ja dhe shtëpia e heroit të malësisë e mbarë shqiptarisë. Në krye ishte portarja, derë oborri në malësi prej degë drurësh të kryqëzuara që më tepër janë simbolike se funksionale. Oborri ishte plot me drurë të rinj dhe sheshi i mbuluar me gjethe vjeshte. Ecëm nëpër kalldrëmin që të çonte deri tek kulla e Ded Gjo Lulit. Nuk i rrimë tundimit pa bërë fotografi përpara kullës prej gur mali. Pastaj u ngjitëm në shkallët e gurta ku kishte një derë të madhe me pamje nga jugu, pra Shqipëria. Është një mrekulli që e kanë rikonstruktuar këtë kullë, që është një tempull atdhetarie, një kullë së cilës tre burra i janë vrarë në luftë dhe konsiderohet e shuar. Kur nisi lufta në fund të marsit 1911, u vranë Kol Marash Vata, Gjon Ujk Çeku, Lek Marash Peci, Frano Zek Pllumi, vëllezërit Gjon Lulash Zeka e Zef Lulash Zeka, Zef Lan Ula, Ujk Gjelosh Leka, Zef Vuksan Leka, Nik Gjelosh Luli, Nik Hak Shabi, Zef Peri, Gjeto Vuja e të tjerë. Ishin djemtë e burrat më të mirë të Hotit. Më trimat që e bënë dekën si me le. Pastaj kohë më vonë, më 20 shtator 1911, Ded Gjo Lulit i thanë se në luftë me asqerët e Turqisë qenë vra në një ditë shtatë burra të Hotit; Gjok Kol Preli, Ded Gjoni, Gjon Tom Hasi, Gjon Marash Loshi, Luc Gjergji, Preloc Mark Gjeka…. por të shtatin nuk po guxonin t’ia thonin. Pikëllim i madh ra në sytë e në shpirtin e plakut të urtë të Hotit. Po më së fundi i thanë se është vra edhe Gjergj Ded Gjo Luli, pra i biri. Atëherë Ded Gjo Luli e mori veten e tha: Po dhe ai djalë nane isht! Me çka donte të thoshte se nuk ka pse ta ndante në dhimbje prej të tjerëve. Për atë të gjithë djemtë e Hotit e të Malësisë ishin si bijtë e tij. Ky ishte Ded Gjo Luli. Shtëpia muze e heroit ishte një kullë malësore, poshtë hauri dhe me një ode të madhe sipër. Në faqet e mureve ishin vendosur më së shumti fotografi, por edhe objekte të ndryshme për të krijuar mjedisin e një shtëpie karakteristike të fillimit të shekullit XX. Fotografitë janë të njohura. Fort e çmuar ishte piktura e artistit të madh që e ndan jetën e tij mes Gjermanisë e Malësisë, Gjelosh Gjoka. Ai i ishte përmbajtur pamjes reale të heroit, por jo aq sa të krijohej përshtypja e një portreti klasik realist, por një krijim i mirëfilltë e me stilin e tij të veçantë. Aty binte në sy dhe një kornizë në të cilën qe vendosur xhamadani i Kol Ded Gjo Lulit. Një fotografi e madhe me krerët e Malësisë, bërë nga Marubi më 1908, hijeshonte në faqen e murit dhe aty pashë në mes të burrave edhe tim atë që asokohe ishte 20-vjeçar. Pranë tij dy kushërinjtë e parë, djem xhaxhallarësh, vëllezërit Martin Ujk Çeku dhe Gjon Ujk Çeku, ky i fundit dëshmor i rënë në Tuz në 28 mars 1911. Më thanë se Agim Çeku, ish kryeministër i Kosovës, kur kish ardhur një përvjetor të kryengritjes, kishte thënë se ishte kushëri i afërt me dëshmorin Gjon Ujk Çeku. U çudita sepse Gjon Ujk Çeku, të cilin siç thashë babai im e kishte djalë xhaxhai, nuk kishte asnjë të afërt që të kishte lënë Hotin e të kishte shkuar në Kosovë. Të afërm të tij janë në Shqipëri, Itali dhe Amerikë, por në Kosovë asnjë. Ngandonjëherë entuziasmi të bën të thuash gjëra që i beson vetë, por nuk bindin askënd. Pas vizitës, bëmë fotografi në atë mjedis që të krijonte emocione të mëdha. Shënuam edhe përshtypjet në librin e vizitorëve.

Në shtëpinë e Kol Marash Dedvukajt në Bardhaj të Hotit…

Kujdesin për shtëpinë Muze e kishte i riu Gjergj Dedvukaj, i afërt në fis me familjen e Ded Gjo Lulit, i cili na ftoi në shtëpinë e tij që e kishte fare pranë. Ne pamë rreth e rrotull e na u duk se këtu nuk kishte shtëpi të tjera, ngaqë kudo na rrokte vështrimi shkëmbenj e shkurre. Dolëm në një rrugë, pastaj në një shesh të vogël dhe na u shfaq shtëpia e Kol Marash Dedvukaj. Ishte një shtëpi mjaft e mirë, e mirëmbajtur, si një vilë qyteti, si në pamje të jashtme edhe të brendshme. Gjergji na priu në dhomën e madhe me kolltukë. Mjedisi ishte ngrohtë dhe i këndshëm. Pastaj u shfaq një burrë shtatlartë, 80-vjeçar e fisnik në pamje. Kishte një kuvendim të bukur, i pëlqente të fliste për historinë. Më dha të njohur menjëherë duke më thënë se kishte qënë në promovimin e librit të tim eti “Flamuri në Deçiq” në nëntor 2012. Kol Marash Dedvukaj dinte plot histori dhe i tregonte bukur. Këtu jemi në Bardhaj të Hotit, na tha dhe kjo është pjesë e Traboinit. Aty pranë qëndronin Gjergji me vëllanë e vet Kolën, një 12-13 vjeçar ky, që kishte marrë emrin e gjyshit të vet. Vajza e shtëpisë, Filja, rreth 15-16 vjeçare, përpiqej që të nderonte miqtë duke na servirur verë shtëpie e pastërma, po dhe gjëra të tjera. I zoti i shtëpisë na u lut të rrinim për drekë, por ne kishim lënë takim në Nabom, te kroni i Traboinit, a me saktë tek shkolla ku do të takoheshim me nxënësit e mësuesin. Sa herë t’ju bjerë rruga për Tuz, kthehuni. – na tha Kol Marash Dedvukaj. – Hoti i ka dyert e hapur për miqtë. Anipse Bardhajt e Hotit janë pranë me Nabomin e Traboinit, duhej të kalonim në një rrugë tjetër për të shkuar atje, sepse rruga përmes Hotit kishte dy degëzime. Gjon Dushaj nëpërmjet celularit të tij njoftoi ata të shkollës se po mbërrinim.

Te kroi dhe shkolla e Traboinit….

Kur mbrritëm pamë të kishin dalë te sheshi para Kroit të Traboinit, Vasel Dushaj, kryetar i Bashkësisë lokale të Hotit, Tone Dushaj-Ivezaj, profesoreshë gjuhe, Pjetër Ivezaj zëvëndës i Avokatit të Popullit, Anton Gojçaj shkrimtar e poet i njohur, Marash Zef Gojçi, Palok Nicaj i biri i Zef Metit dhe Gjon Camaj, drejtori që na priu drejt shkollës që ishte aty pranë. Në një prej klasave u takuam me mësuesin Shtjefën Gjonaj, një i ri 27-vjeçar me nxënësit e klasave të ulta. U shpreha kënaqësinë e ardhjes në këtë shkollë ku dikur im atë, Palok Traboini, u kish dhënë mësim në gjuhën shqipe hotjanëve të vegjël, e unë sot po u sillja një libër timin me titull “Djali nga Hoti” i mbështetur pikërisht në kujtimet e tij shkollore. Zhvilluam një bisedë të lirë ku njeri nga bashkëbiseduesit tha se i vinte shumë mirë që edhe pse ke lindur në Shqipëri e jeton jashtë, vjen herë pas here e nuk e harron vendlindjen e babait dhe të gjyshërve të tu. Kur po na ndodh që edhe disa që janë lind e rrit këtu në Hot, kur shkojnë të jetojnë jashtë po harrojnë të kthehen. U tha gjithashtu që gjatë verës vijnë shumë mërgimtarë e jeta në Hot bëhet atëherë më e bukur dhe ka më shumë gjallëri. U dhuruam libra me kushtim së pari vogëlusheve Maja Gjelaj, Dajana Dushaj, Marta Gjelaj e të tjerëve. Libra u dhamë edhe të rriturve, sepse sekush e ka një vogëlush në shtëpi. Ishte një takim i bukur, i thjeshtë, i ngrohtë e miqësor e thuaj i përmallueshëm. Personazhi rrëfimtar i librit që sollëm në Hot ishte pikërisht nga ky vend. Ishte rritur në Nabom, nga fisi Gojçajve, i familjes Çekaj, kishte pirë ujë te Kroi i Traboinit, kishte luajtur në këtë shesh e në ograjat përreth, kish shkuar pas gjësë së gjallë. Rrëfimet nga fëminia i djalit të Hotit para një shekulli me dashuri për vendlindjen, vinin aq të ngrohta për brezat e rinj.

Një ndalim e kuvendim tek Lulja e Blinit…

Pas takimi në shkollë, dolëm te sheshi para Kroit të Traboinit. Këtu kanë pirë ujë burrat e historisë. Këtu ndalonin e bënin edhe kuvende të shkurtra. Kroi i Traboinit është edhe në këngën që e interpretojnë bukur Gjekë Dushaj e Gjyste Vulaj “Te kroni i Traboinit”. Anipse Traboini njihet për histori trimërore, kënga është lirike e flet për dashurinë. Malësorët e kanë pasur të vetin epizmin, por edhe lirizmin në atë pak kohë midis luftrash.. A të kujtohet Lulja e Blinit/Ty te kroni i Traboinit/Mbi një gur ti po pushoje/me bisht të synit më shikoje… M’u kujtua kjo këngë e bukur e u thashë se pa pushue pak te Lulja e Blinit nuk mund të shkojmë kurrkund. Thashë ashtu se në pritjen që dha presidenti shqiptar në dekorimin e Ded Gjo Lulit në Pallatin e Brigadave në Tiranë më 27 nëntor 2015, takova edhe një bijë nga Hoti, me emrin Lule Nicaj, e cila më pat porositur që kur të vish në Hot të ndalesh tek Lulja e Blinit përballë Kroit të Traboinit. Ata që e kuptuan se përse e kisha fjalën morën drejtimin drejt lokalit përballë. Në një tabelë të kuqe qe shkruar “Lulja e Blinit”, dhe vërtet anash lokalit ishin drurë lule blini e lokali dukej i strukur mes tyre. Ngjitëm shkallët e gurta dhe aty na priti Lule Nicaj. Mir’se erdhe! – më tha. E mbajte fjalën. U ulëm në një tryezë të përbashkët. Lulja na serviri kafe, çaj, e kush deshi edhe raki. Aty, krahas të tjerave ra fjala edhe për tim atë. Atëherë unë nuk u ndala në histori që mund t’i lexonin në librat e atit tim, por u tregova diçka tjetër. Marash Zef Gojçajn, u thashë, nuk e kisha parë kurrë. Erdhi nga Traboini i Hotit në Tiranë në përurimin e shtatores së Dedë Gjo Lulit dhe më dha të njohur. U takuam e u gëzuam bashkë edhe me atë edhe me Palok Nicaj, të birin e Zef Metit. Jo më kot e citova emrin Zef Meti, sepse ai ka qenë një nga bashkëluftëtarët e tim ati në kryengritjen e vitit 1911 dhe në disa kujtime veteranësh të pavarësisë thuhet se Zef Meti ka pas një zë që ngrinte malet peshë kur këndonte në gëzim të flamurit të Deçiqit në 1911, por edhe grykëholla i këndonte bukur. Në atë gëzim të shtatores së kryetrimit të Malësisë Dedë Gjo Luli, Marash Zef Gojçaj ma la në dorë një CD. Kur të mbarojmë ceremoninë e shtatores, më tha do të shkojmë ta dëgjojmë tek makina që e kishte parkuar tek Tirana Internacional. Katër burra të Hotit u futëm në makinë e dëgjuam një këngë me lahutë. Palok Nicës, djalit të Zef Metit, iu mbushën sytë me lot. Gjithë këto histori m’i ka treguar baba jem. – më tha. Po fliste për ngjarjet që përmendeshin në tekstin e këngës të shkruar nga Marash Gojçaj e kënduar me lahutë nga Pretash Nilaj. Edhe unë isha i emocionuar aq shumë sa nuk po dija si ta falenderoja Marash Gojçin e Pretash Nilajn. Ishte një këngë kushtuar babait tim, Palok Traboini. Më mbeti mendja tek ky akt i bashkëhotjanit tim, këtij njeriu me shpirt të madh. Ja pra që edhe nëse ne i harrojmë prindërit tanë prej shukullimave të ditës, kur ata kanë bërë diçka të mirë e me vlerë për këtë komb i kujtojnë të tjerët bëmat e tyre. Sepse mirësia që ka pasur ndokush, cilësitë që ka mishëruar, i kthehen, edhe i vdekur në dhé në qoftë, madje edhe sikur gjysmë shekulli të mos jenë më ndër të gjallët. Po i vdekuri qenka më i gjallë se i gjalli ndonjëherë. Populli nuk i harron kurrë bijtë e vet që janë përkushtuar për këtë komb, për tokën e lirinë e shqiptarëve. Kjo ishte biseda që bëra në lokalin “Lulja e Blinit” të Lule Nicaj në Traboin të Hotit.

Duke zbrit prej Traboinit për në Tuz …

Pasi bëmë disa fotografi te sheshi para kroit të Traboini u ndamë me të gjithë duke i shprehur mirënjohje për këtë takim të bukur. Gjon Dushaj në zbritje na ndaloi së pari në Nabom. Këtu dikur ka qënë shtëpia e gjyshit tim Luc Çeku dhe e tërë familjes Çekaj, a thënë ndryshe të gjitha atyre që vinin nga Çek Nik Lulash Gojçaj, i cili ka patur tre djem, Lucën gjyshin tim, Ujkën dhe Prelën. Keq më vjen se në librin “Hoti gjenealogjia e pjesshme e tij” e autorit Llesh Preç Smajlaj, një botim voluminoz ky i vitit 2006, nuk gjendet as emri i gjyshit tim dhe as vëllait tjetër të tij Ujk Çeku prej të cilëve kanë rrjedhur mjaft breza. Por le ta plotësojmë këtë mungesë. Gjyshi im ka patur dy djem Palin(Palokën) babën tim dhe Pjetrin. Ky i fundit ka vdekur i ri dhe i pamartuar. Vazhdues jam unë dhe kam dhe një djalë Donaldin, inxhinier, që jeton në Boston. Vëllai tjetër i gjyshit i munguar në libër, Ujk Çeku ka patur tre djem, Gjonin trim i çartun, dëshmori i kryengritjes së vitit 1911 e dy djem të tjerë, Martinin që nuk ka lënë djalë dhe Zef Ujk Çekun, me djemtë Pjetrin, Gjonin, Franin dhe Ndocin, familje e madhe kjo që në vazhdimësi ka marrë mbiemrin Ujka e sot gjendet në Shqipëri, Itali dhe Amerikë. Shumica e trashëgimtarëve që burojnë nga Çek Nik Lulash Gojçit janë shpërngulur nga Hoti e janë vendosur në fillim në Hot të Ri në Shkodër dhe pas vitit 1990 në mërgim. Një fotografi në vendin ku dikur ka qenë shtëpia e të parëve të mi padyshim është një kujtim i bukur, por edhe diçka më shumë se një kujtim. Pastaj duke zbritur më poshtë u ndaluam para shtëpisë së mësuesit nga Hoti, Gjok Gojçaj që tani jeton në New York, një shtëpi e re dhe e bukur. Ndërkohë dielli kish nisur të binte tej mbi liqenin e Shkodrës që nga lartësitë e Hotit ku ishim, shfaqej në një mjegullim të përskuqur. Më poshtë shihej fusha dhe qyteti i Tuzit. Mali i Deçiqit dhe Maja e Bratilës e gjithë i përhimtë e pa asnjë bimësi kish nisur të zhytej në mugëtirat e mbrëmjes.

Festival poetik në Traboin të Hotit – një dëshirë e bukur…

Do të shkojmë te “Verdi”, na tha Gjon Dushaj që na shoqëronte gjatë gjithë vizitës sonë.Verdi ishte një restorant në Tuz. U bashkuam dhe me shkrimtarin Anton Gojçaj e shkuam në restorantin ku të servirnin një ushqim jashtëzakonisht të mirë. Biseduam ndërkohë se si mund të bënim një veprimtari artistike vjetore në Traboin të Hotit. Folëm e ramë në një mendje që një ditë poetike dhe artistike bashkë mund të bëhej të Kroni i Traboinit, por kjo në kohë vere, sepse vinim për pushime në vendlindje shumë shqiptarë të Malësisë që punojnë e jetojnë në Amerikë. Madje i lëshuam frerin fantazisë duke i emërtuar çmimet si “Kroi i Traboinit” apo “Lulja e blinit” një zgjidhje mes epikës e lirikës që aq bukur bashkjetojnë në këtë vend. Kishim dëshirën e mirë që të mund të bënim një gjë që nuk është organizuar në ndonjë veprimtari më parë. Po kjo punë u la të bisedohej në vazhdimësi që të krijohet një traditë e bukur dhe e përvitshme në Hot. Gjon Dushaj ndërkohë mori në telefon intelektualin e njohur, gazetarin e mësuesin Pjetër Dreshaj dhe e lamë të takoheshim pas pak në bar-restorant “Troja” për një kafe. Intelektuali Pjetër Dreshaj, është i mirënjohur në Tuz e në Malësi. Biseduam për krijimtarinë letrare bashkëkohore të shqiptarëve në Malit të Zi dhe më gjerë. Pjetër Dreshaj sapo kishte përkthyer një libër me poezi të shkruara nga vëllezërit Martin e Mirash Ivanaj gjatë qëndrimit në Pozharevac dhe Beograd në 1908 ku kryen shkollën e mesme, të botuara së pari këto poezi sllavisht në revistat e kohës. Pas përkthimit në shqip nga Pjetër Dreshaj janë botuar në Tiranë me titull “Kulla e shpresës sime”. Ai gjithashtu ka përkthyer në sllavisht edhe librin me poezi të Gjekë Marinajt. Pjetri na lexoi disa fragmente të librit tim “Orakujt kanë zbritur në ferr” të cilin ka nisur ta përkthejë në gjuhën malazeze, gjithnjë me dëshirën e mirë për ta botuar në Mal të Zi. Kur dolëm nga lokali “Troja” kishte rënë mbrëmja në Tuz. U ndamë me Pjetër Dreshajn dhe Gjon Dushajt duke i falënderuar për këtë takim të bukur, ndërsa shkrimtari Anton Gojçaj na përcolli deri në kufi. Ndaluam në Shkodër tek Hotel “Rozafa”, sepse e kishim lënë me Filip Guraziun të na i linte aty listat me firmat që ishin mbledhur në këtë qytet për nderimin e Aristidh Kolës me titullin “Nderi i Kombit”. Gjatë kthimit për në Tiranë na bëri përshtypje se pjesa më e madhe e rrugës ishte përfunduar dhe ndriçimi me dy palë refleksione, të bardha e të kuqe, të krijonte më të vërtetë kënaqësi në udhëtim. Kësaj here rruga nga Hani i Hotit deri në Tiranë, dhe pse e papërfunduar plotësisht, na u duk me të vërtetë e bukur.

12 dhjetor 2015
* Ne Foto:Tek Kroi i Traboinit

Filed Under: Reportazh Tagged With: E HOTIT KRESHNIK, Kolec Traboini, NË TRABOININ

Me Misionin e Paqes në Hagë

December 17, 2015 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/
Hagë, Dhjetor 2015/
Angazhimet e përpjekjet e vazhdueshme të organizatës së gruas shqiptare – amerikane The Women’s Organization “Hope & Peace” për të ecur përpara krijuan mundësi për pjesëmarje në shumë takime e konferenca të rëndësishme kundër dhunës, për të drejtat e gruas e çështjeve humane në tërësi. Në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e paqes e të drejtave të njeriut, përfaqësuese të kësaj organizate vizituan Tribunalin Internacional të Hagës për Krimet në ish Jugosllavi.
Asistuam si dëgjuese në gjyqin që po zhvillohej ndaj kriminelit Ratko Mladiç, arrestuar më 26 maj 2011 në fshatin Lazarevo të Vojvodinës, ku qëndroi 16 vite “në arrrati”. Sipas medias dihej që mbrohej nga autoritetet serbe, më pas më 31 maj 2011 ekstradohet drejt Hagës. Akuzohet për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë. Aktualisht mbi të rëndojnë 11 akuza për genocid dhe krime ndaj njerëzimit. Qëndruam 20 min. aty, seanca u mbyll pasi dëshmimtari rradhës kishte njoftuar vonesën. Përpara dëshmimtarit të vonuar po merej në pyetje presidenti i republikës së Srpksas Milarod Dodiç, i cili në çdo fjalë të tij, mohonte çdo ngjarje që rëndonte të pandehurin duke thënë: “Nuk më kujtohet kjo, nuk më kujtohet ajo, nuk më kujtohet kjo datë, nuk më kujtohet ajo ditë”. Si dhe ju drejtua trupit gjykues duke i thënë se, jeni duke më keqtrajtuar, pasi po më drejtoni përsëri të njëjtat pyetje.
Habi nga të gjithë. Presidenti i një vendi me një memorie “kaq të ulët”!!!
Për sa pamë e dëgjuam, e për sa kemi dijeni për krimet e tij, shpresojmë që kjo gjykate ti japë dënimin që meriton!
Nga rojet mësuam se në anën e majtë të sallës ndodheshin djemtë e Ratko Mladiç. Ulur matanë xhamit të madh e hermetik që ndante sallën e gjyqit me dëgjuesit përballë, Mladiç buzëqeshte e shkëmbente shenja me sy me ata, i pyeti me kokë se kush ishim ne, të sapo ardhurit, i pyeste për grupin tonë vizitues. Edhe ata – familjarët herë pas here hidhnin vështrimin kureshtar ndaj nesh. Donin të dinin kush ishim dhe pse kishim shkuar aty.
Pas përgjigjeve “nën harresë” që presidenti i republikës së Srepskas i jepte trupit gjykues, Mladiç e suita e tij qeshnin e fërkonin duart. Këto veprime të tij, e tyre na lanë një shije të hidhur. Nuk e di, por të shpresojmë që ai të marë dënimin e duhur. Përgjigjen se kush ishim ne, e çfarë kërkonim aty, besoj e kanë marë nga punonjësit serb punësuar aty, që; Ne ishim aty thjeshtë si vizitorë e si misionarë të paqes.
Meqe krimet kishin ndodhur edhe mbi popullsinë shqiptare, në këtë godinë përveç serbëve e të huajve të tjerë punonin edhe specialistë shqiptarë. Ky vendim ishte marë aty vitet e fundit nga një gjykatës i ri, i cili kishte thënë: “Përderisa këtu gjykohen çështje që i përkasin edhe shqiptarëve, duhet pa tjetër që të punësohen edhe shqiptarë, në mënyrë që të mësohet e vërteta direkt prej tyre”.
Mladiç akuzohet për vrasjen e 7000 boshnjakëve në Srebrenicë, pastrim etnik – dëbimin e boshnjakëve dhe kroatëve nga territoret nën kontrollin serb, terrorizimin e qytetarëve të Sarajevës me bombardime e snajper, ndërmarjen antinjerëzore duke eliminuar qindra myslimanë të Bosnjes e duke shpërngulur gra e fëmijë, marrjen peng gjatë konfliktit ushtarëve ndërkombëtarë në vitin 1995. Gjyqi i kriminelit Ratko Mladiç do të përfundojë punimet në muajin shkurt të vitit 2016.
Në takimin paraprak me një nga asistentet e informacionit në sallën e konferencave të këtij Tribunali, mësuam se aty ishin mbajtur të ndaluar 161 persona për genocid, 80 prej tyre ishin dënuar, disa kishin dalë të pafajshëm përfshi edhe Liderin e Kosovës Ramush Haradinaj. Me burgim të përjetshëm ishin dënuar pesë persona, dënimin kapital me vdekje nuk e njihte Tribunali i Hagës. Sipas saj përveç grave e vajzave në luftë ishin përdhunuar edhe burra, e për këtë kishin fakte të pamohueshme. Po sipas asistenes informative dëshmimtarët dilnin aty në mënyra të ndryshme, direkt me fytyrën e zërin e tyre, ose për siguri jete dilnin me zë tjetër e jo me fytyrë. Në një video na u paraqit një kriminel i penduar, përballë tij një nënë boshnjake – komshie e tij. Krimineli kërkonte të falur për krimet e kryera, ndërsa ajo me lot në sy e zërin që i dridhej kërkonte eshtrat e djemve të vrarë prej tij. Momente të prekshme, tepër tragjike, mjerë kush i ka provuar e hequr mbi kurriz. Lavdi e drejtësi të rënëve nga dora e pamëshirshme e katilëve që tronditën e trondisin botën.
Mekanizmi i funksionimit të Gjykatës Internacionale të Hagës ka për President Gjykatësin amerikan Theodor Meron, ndërsa vartës të tij janë gjykatësi nga Gambia Hassan B. Jallow dhe gjykatësi nga Australia John Hockingsaj. Kjo gjykatë mbyllet përfundimisht pas 22 vitesh, në fund të vitit 2017, ku çështjet e papërfunduara do ti kalojnë për gjykim – gjykatave speciale po në Hagë.
Gjatë qëndrimit tonë katër ditorë në Hagë patëm rast të vizitonim Pallatin e Paqes, brenda të cilit ndodheshin Gjykata Internacionale e Arbitrazhit dhe Gjykata Internacionale e Drejtësisë. Brenda oborit plot lule e bar të gjelbert të Pallatit valëvitej flamuri i kaltër i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjykata e Arbitrazhit ishte e pavarur nga OKB, ndërsa ajo e Drejtësisë varej dhe financohej po nga OKB-ja. Pranë kësaj godine në një punim të mermertë ndodhej akreditimi i shumë shteteve të botës përshirë edhe Shqipëria sigurisht edhe SHBA, u ndiem krenare për vendin tonë Shqipërinë dhe për SHBA ku jetojmë e punojmë sot. U ndalëm, u fotografuam aty. Përpara Pallatit të Paqes ishte ndërtuar një trotuar i madh mermeri, sipër bordurës shkruhej në të gjithë gjuhët e botës Fjala Paqe.
Sa mirë. Eshtë mirë të punosh për paqen, nuk është e vështirë. Bëj vetëm mirë dhe je brenda saj. Nëse nuk bën dot mirë, mos bëj keq, përsëri njeri i paqes quhesh. Për të lënë përshtypjet për Paqen në vend të “Librit të Përshtypjeve” kishin zgjedhur një mënyrë shumë të thjeshtë. Tek pema e mbjellur afër hyrjes kryesore, njerëzit linin shënimet e tyre në copa letrash, shkruanin e lidhnin me fjongo aty mesazhet për paqen, jetën apo familjen e tyre, e bënin një urim njerëzor pranë memorialit “Imagine Peace, Wish Tree”.
Pas mbritjes tonë në Hagë u takuam me disa misionerë të paqes nga vende të ndryshme të botës. Programi ishte shumë i ngjeshur, lëviznim me këmbë tramvai apo biçikleta. Organizatorët, kishin bërë një punë të mrekullueshme. Personalisht mbeta shumë e impresionuar nga kujdesi që kishin treguar për mbarëvajtjen e programit e të gjithë vizitave të rëndësishme që na afruan. Për një periudhë shumë të shkurtër kohe në Hagë morëm pjesë në disa konferenca, zhvilluam biseda që ishin rezervuar për ne. Vizituam e morëm kontakte me Euro – Pol-in, Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike, e cila kishte fituar Çmimin Nobel për Paqen, Bibliotekën dhe Muzeun kryesor të qytetit. Shëtitëm edhe me biçikletë, traditë e bukur dhe e njohur kjo, e hollandezëve. Për pak orë që u ndalëm në Amsterdam vizituam edhe shtëpinë Muze të Anne Frank.
Rrugët ishin të pastra (të paktën në zonën ku na ishte rezervuar hoteli) por paksa të çuditshme përsa i përket infrastrukturës, e njëjta rrugë përdorej nga trami elektrik dhe makinat, pranë tyre ishte vizuar kalimi i këmbësorëve dhe lëvizja e biçikletave. Të gjithë respektonin njëri tjetrin dhe sinjalistikën për të shmangur çdo aksident të mundshëm. Qyteti përbëhej nga 600 mijë banorë, për nga popullsia Haga renditej qyteti i tretë në Hollandë pas Amsterdamit dhe Rotterdamit. Hollanda si vend fushor njihet gjithashtu për mullinjtë e saj të famshëm me erë.
Ngjyra e preferuar e hollandezëve është portokallia, e përdorin kudo e në çdo gjë. Interesante por edhe disa lule aty kishin frutin e tyre të vogël në ngjyrë portokalli, përveç tulipanëve që janë ngritur plantacione të mëdha për rritjen e kultivimin e tyre. Edhe tek pulëbardhat shquhej ky fenomen natyror, sqepi dhe këmbët e tyre ishin portokalli. Nëse ju bie rasti të shikoni në Amerikë apo diku tjetër pulëbardha me sqep e këmbë portokalli dijeni, janë mysafirë nga Hollanda. Përsa i përket anës sociale, nëpër rrugët e Hagës nuk pamë asnjë lypës apo të pastrehë.
Në një konference mbajtur kohë më parë në New York, lideri i një organizate që merej me të drejtat e të burgosurve në SHBA, ish i dënuar ordiner në SHBA, tha se në Hagë kriminaliteti ishte zero. Këtë gjë ai e kishte dëgjuar nga një grua gjatë një takimi mbajtur në Hagë vite më parë. Hollandezja ishte shokuar nga krimet e shumta që ndodhin në Amerikë. Si është e mundur kishte thënë ajo, se këtu në Hagë kriminaliteti është zero. Kjo histori e vogël kishte ndodhur pesë vite më parë, ndërsa sot kur pyetëm për kriminalitetin në Hagë, na thanë se ka, por në shifra tepër të ulta.
Vendi mbretëror kujdeset shumë për qytetarët dhe i kushton vëmendje të posaçme rendit e qetesisë publike. Në Hagë sa zbardh dita policia ecën nëpër bulevard me kuaj, bën “xhiron e mëngjesit”, për ti treguar banorëve se; Ne jemi këtu në mbrojtjen tuaj. Por edhe kafshë qen e mace pa zot nuk shikoje rrugëve, qesharake se çfarë po shkruaj, por këto janë mbresat e mija, që në Shqipëri përbëjnë problematikë të madhe.
Si kudo edhe në Hagë prag Krishtlindjesh, dukej sikur Santa Klaus kishte mbritur më parë se çdo vend tjetër të globit. Rrugët, dyqanet, institucionet, shtëpitë dhe hotelet zbukuruar nën atmosferën e festës. Njerëzit blenin dhuratat e rastit e të ndihmonin kur i pyesje për ndonjë adresë apo rrugë të panjohur. Kur vinte mbrëmja qyteti i vogël i Hagës binte në qetësi, por edhe në orët e vona të tij nuk të ngacmonte njeri, dyqanet mbylleshin në ora 6-të ose 8-të mbasdite, ndërsa disa restorante qëndronin hapur më gjatë. Dekorimi me ngjyrat e kuqe, bardhë e jeshile ndriçonte edhe nga ndezja e qirinjve të shumtë që shkriheshin nën flakën e zbehtë, rënia e Këmbanave i jepte hijeshi qytetit, shënonte një jetë të re, një shpresë për agimin e së nesërmes.
Nëse dikush tregon interes për një udhëtimin të tillë fantastik në Hagë, Hollandë, Organizata e Gruas Shqiptare – Amerikane me qendër në New York – The Women’s Organization “Hope & Peace” është gati t’ju ndihmojë.
Për më shumë informacion ju mund të na kontaktoni në numrat e telefonit: (917) 280-8146, (917) 214-9852, si dhe na shkruani në adresën e organizatës: hope.peace.org@gmail.com

Filed Under: Reportazh Tagged With: Me Misionin e Paqes, Mimoza Dajci, në Hagë

Mbyllet me sukses stërvitja shqiptaro-amerikane “Delfini-2015”

December 17, 2015 by dgreca

Mjeshtra amerikanë dhe specialistë shqiptarë përgatiten për përballimin e emergjencave të ndryshme detare/

Nga Shefqet Kërcelli/

Më datën 16 dhjetor në Qëndrën e Simulimeve të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua faza finale e stërvitjes “Delfini-2015”. Në këtë stërvitje të drejtuar e organizuar  nga QNOD, {Qëndra Ndërinstitucionale Detare Operacionale} dhe Qendra e Simulimeve, morën pjesë specialistë të institucioneve përbërëse të kësaj qendre, Kordinatorë dhe specialistë nga Forca Detare, Policia Kufitare, Kapitenaria e Porteve, Antikontrabanda Detare, personel i Forcave Ajrore, Inspektoriati i Peshkimit, Inspektoriati i Mjedisit, Qendra Kombëtare e Emergjencave, etj. Për mëse një jave pjesmarrësit mbi bazë të skenarëve të parapregatitur për situate të ndryshme në det, provuan aftësitë vendimarrëse e organizuese të tyre në lidhje me variantet e parashikuara si dhe përdorimin efikas të mjeteve në përdorim. Shefi i trajnimeve në QNOD, zoti Petrit Baduni dhe Kordinatori i FD në këtë Qendër, Kapiten i Rangut të III-të, Urim Bulica, sqaron se, e vecantë e kësaj stërvitje ishte se u planëzuan dhe realizuan variante taktike të operacioneve të kërkim-shpëtimit SAR si dhe ato kundër trafiqeve njerzore, të cilat përkojnë dhe me situatat aktuale rajonale, nga të cilat vendi ynë nuk është i përjashtuar. Me theks të vecante u pa bashkëveprimi midis të gjithë aktorëve shtetërorë që veprojnë në det gjatë këtyre operacioneve, dhënia në kohë optimale e ndihmës për personat në rrezik, përzgjedhja e mjetit më të përshtatshëm, monitorimi i situatave komplekse të krijuara nga këto emergjenca detare, kërkim-shpëtimi në përputhje me Manualin SAR, ndërveprimi dhe bashkëpunimi i të gjitha agjencive përgjegjëse për menaxhimin e këtyre situatave, etj. Gjithashtu në stërvitjen “Delfini-2015”, vend të vecantë zunë situatat dhe operacionet për kontrollin e kufijve detarë, si ato për kalimin e paligjshëm të qenieve njerzore e refugjatëve gjatë kufirit detar, rastet kur në bordet e anijeve ka dhe persona të armatosur, por dhe rastin kur vetë anija pëson avari dhe e rëndon më tepër situatën detare. Në përputhje me situatat e dhëna nga kordinatorët e stërvitjes u përcaktuan dhe mjetet e Forcës Detare, të Policisë Kufitare, Antikontrabandës dhe Kapitanerisë, që u përdorën në cdo rast. Është stërvitja e tretë që institucionet tona detare zhvillojnë në Qendrën tonë të Simulimeve, një nga asetet më të mira të FA, që i ka dhënë frymëmarje të vecantë gjithë procesit stërvitor në ushtrinë tonë. Madje spektri i veprimeve të saj e ka zgjeruar shtrirjen deri në rajon, sic ishte stërvitja “Joint Reaction-2015”. Major Lulëzim Salihi, një nga specialistët e Qendrës së Simulimeve që në krijimin e saj, theksoi se, shohim që nga stërvitja “Pulëbardha-2014”, “Adrijon-2015” deri tek “Delfini-2015”, ka një përmirësim të procedurave dhe rritje të aftësivë profesionale të personelit të këtyre institucioneve. Sigurisht në situatat që japim në monitorë përpiqemi ti përafrohemi ngjarjeve reale në det. Gradualisht, Qendra e Simulimeve po familjarizohet me skenarë të tillë, anasjelltas dhe detarët shqiptarë ndjehen mirë gjatë ushtrimeve në kabinetet dhe sistemin dixhital të Qendrës. Stërvitjet në Qendrën tonë, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA, kanë mjaft vlera në të gjitha aspektet stërvitorë, thotë majori. Së pari shkurtohet koha e stërvitjes, ulet kostoja e saj disa herë, mënjanohet dëmtimi i mjedisit, zbatohet standartet e NATO-s për këto lloj stërvitje, gjithashtu, si Drejtuesit e operacioneve apo Komandantët e anijeve dhe sikur te bëjnë gabime në vendimarje, kanë mundësinë ti korigjojnë ato, pa shkatuar konseguenca në ecurinë e operacionit, sic mund të ndodhte në një situatë reale. Nën drejtimin e specialistëve amerikanë, ishushtarakë, {Tony Darlington e Dee Esplind}, si dhe personelit të Qendrës së Simulimeve, u arrit që të realizohen objektivat e stërvitjes, ku bazë ishte përmirësimi i aftësive individuale dhe bashkeveprimit midis institucioneve tona ligjzbatuese në det, gjatë misionit dhe detyrave të tyre parësore. Në konkluzionet e stërvitjes pjesmarrësit falenderuan personelin e Qendrës së Simulimeve dhe nxorrën disa mësime për ti korigjuar në të ardhmen si, dhënien në kohë të situatave, saktësimin e kordinatave të objekteve të ndryshme në det, futjen e shpejtësisë reale të cdo mjeti detar në Database, përmirësimin e legjislacionit e rregulloreve, të sistemeve të komunikimit, shkëmbimi i informacionit, përdorimi i helikopterevë për zbulim detar, përafrimi i punës nga ajo c’ka bëjmë tek Qendra e Simulimeve me zbatimin e detyrave funksionale në QNOD, etj. Kapiten Besnik Deda e vlerësoi këtë stërvitje si një eksperiencë të re dhe me perspektivë në përgatitjen e personelit të institucioneve detare të shtetit shqiptar. Nuk është e paktë të përgatisësh dhjetra kuadro e specialistë në përballimin e emergjencave të ndryshme detare, theksoi kapiteni. Ndërsa Drejtori i Antikontrabandës Detare, zoti Ylli Hatellari nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve detare, verifikimin e saktë të situatave e objekteve dhe planifikimin e aseteve të duhura për cdo operacion. “Delfini-2015”, mbylli siparin e 13 stërvitjeve të zhvilluara në Qendrën e Simulimeve gjatë vitit 2015. Në këtë kuptim, kjo qendër është nga më produktivet në Forca tona të Armatosura.

Filed Under: Reportazh Tagged With: “Delfini-2015”, Shefqet Kercelli, stervitja

GORA DHE NJERËZIT E SAJ

December 16, 2015 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/

Krejt rastësisht më ra në duar gazeta “Beslidhja Gorare”. Organ i Shoqatës Kulturore Atdhetare të krahinës Gorë, Korçë. U befasova për shkrimet interesante dhe ridimensionimin e ri të kësaj gazete për t’i paraqitur në një kënd më të gjerë vlerat atdhetare të kësaj krahine. Ajo ka vite që botohet, si një nisëm e bukur buruese nga shpirti i banorëve plot vlera. E mbushur me copëza reale të jetës së njerëzve të njohur e të thjeshtë dhe të gjitha këto gërshetuar me foto artistike e natyrën mbresëlënëse, që të bëjnë për vete menjëherë.    Po e them që në krye, se është guxim të marrësh përsipër të botosh një gazetë, në një kohë të tillë kur realiteti i kësaj bote komerciale dhe të ashpër globale, në rendjen e tij ka një indiferencë dhe shpërfillje, që nganjëherë për çudi shkon në mendime absurde. Ndryshueshmëria midis mendimit dhe realizimit është larg sa ç’është dëshira nga e realja. Por, duhet të guxosh që të bësh diçka e të vlerësohesh. Për fat të mirë, mendimeve progresiste u bëhen gjithmonë pararojë njerëzit adapt, duke gjetur mjetin e duhur për të revokuar traditat, historinë, vlerat, Besimi në vetvete është edhe një aftësi e njeriut që shmang të kundërtat, duke sfiduar opinione, paragjykime. Të nderosh kulturën, thesaret, punën, njerëzit, përpjekjet për liri, pavarësi, arsim, dije, kulturë, patriotizëm, etj, është detyrë tepër fisnike. “Beslidhja Gorare” tashmë është në pjesën e atyre gazetave që e duan të vërtetën, që promovojnë vlerat, ndonëse, përmes modestisë ajo pasqyron historinë e kulturën shpirtërore të krahinës së saj. Natyrisht dhe botimi i saj është mirëpritur dhe ka lënë mbresa në opinionin e gjerë publik, të nisjes së një rrugë të gjatë e pa kthim. Këtu besoj se duhet gjetur shkaku se përse u prit me aq kuriozitet kjo gazetë e vogël e modeste krahinore, duke bërë bujë, pa harruar vështirësitë. Është koha kur sot duhen propaganduar ato, përballë sfidave, që po fshijnë gjithçka pa mëshirë; si të kaluarën e largët, ashtu edhe të tashmen, sepse tek e shkuara dhe e sotmja janë ngulur thellë dhe ushqehen rrënjët. Kështu, në sajë të patriotizmit dhe atdhedashurisë, që rreh në zemrat e banorëve të saj, Gora në çdo etapë të zhvillimeve kombëtare, ka qenë pjesë përbërëse dhe faktor i rëndësishëm i ngjarjeve historike. Ngjarjet e zhvilluara aty e kanë bërë atë të njohur sa më tepër që kalojnë vitet me dëshmitë, dokumentat, dimensionet e legjendave që ngjajnë si të reja. Njëkohësisht për të gjitha këto ngjarje historike, ajo s’harron edhe figurat historike që kanë marrë pjesë me kontributin e tyre të pazëvendësueshëm dhe ndikimin e padiskutueshëm, duke luajtur rol të rëndësishëm si në jetën e krahinës, por edhe në lëvizjet patriotike e ngjarjet historike të kombit. Figura të tilla si: Kajo Babjeni, Ismail Derdusha, Xhelo Selca, Feim Zbogji, Ismail Strelca, Tosun Derdusha, Fetah Goca, Koci Plovishti, Cane Lozhani, Pasho Krushova, Pasho Kolaneci, Asllan Dolaneci, Telha Senishti, Teki Kolaneci etjer e kanë nderuar krahinën e Gorës.

Lashtësinë në krahinën e Gorës e dëshmojnë një numër i konsiderueshëm zbulimesh arkeologjike, mjaft dokumenta të vlefshme historike si dhe një numër i madh toponimesh. Të dhënat për historinë e hershme flasin se në këto troje ka jetuar fisi i Desaretëve, që lidhet me hershmërinë dhe autoktosinë e tyre. Por, historia e kësaj treve ka njohur nëpër shekuj mjaft pushtime, shkatërrime, djegie, shpërngulje, epidemi etj, duke u shndrruar kështu edhe në një shesh lufte mes ushtrive pushtuese. Shumë ndryshime kanë ndodhur në emërtimet, ndarjet administrative, por edhe të juridiksioneve. Këto ndryshime i ndesh edhe në toponimet e mikrotoponimet, të cilat dëshmojnë edhe për vendosjen e ardhacakëve (vllehëve).    Por, Gora shquhet edhe për një florë dhe faunë të pasur, e cila pasqyrohet me një reliev të kombinuar me lartësi malesh, përrenj, pllaja, qafa, brigje, kodra. Krahina e Gorës dallohet për temperamentin e saj punëdashës. Blegtoria prej pyjeve dhe kullotave ka qenë mjeshtëria kryesore, sepse banorët përjetë kanë jetuar me mundin dhe me djersën e tyre. Në jetën e përditshme, në Gorë dhe nga gorarët lëvrohen ndenja të bukura për traditat, dashurinë, fisnikërinë, respektin e punës e sa ndenja të tjera të shpirtit njerëzor. Gorës dhe gorarëve asnjëherë nuk ju ka munguar bujaria, dhe mikpritja me krahinat fqinje dhe banorët e tyre, të cilën e ndjen edhe sot, të fortë e të patundur, si dikur gjyshërit e tyre me burimin e gëzimit të sinqertë të jetës, bisedave të ngrohta njerëzore, humorit shpotitës që t’i shkul të qeshurat nga thellësia e kraharorit, nga këngët, që duket sikur nuk shterojnë kurrë.    Traditat, që ndër vite e deri më sot kanë ndryshuar e po ndryshojnë në funksion të zhvillimeve në raport me kushtet social ekonomike, kanë tretur çdo ditë e më shumë gjurmët e tyre shekullore. Si bartës të një tradite të pasur kulturore kanë thurur veshjet e tyre me karakteristika të veçanta. Festat e shumta popullore e familjare, si pjesë të kulturës së tyre i kanë bërë gorarët të shquhen. Fejesat, dasmat, dhe lindjen e fëmijëve, ata i kanë konsideruar si ngjarjet më të gëzuara të jetës së tyre, ndaj dhe i kanë kryer gjithmonë me rite të ndryshme, dolli, këngë, lojëra. E kjo u shfaq edhe në ditën e kulturës gorare, të cilën ata e kanë kthyer në traditë. Por, duke u mbledhur shpesh për të qenë pranë njëri –tjetrit me fjalën, këngët e vallet kanë përcjellë jehonën e vendlindjes së tyre, Gorës me histori, kulturë, natyrë e miqësi. Është fakt, që shumica e banorëve të Gorës këto 20 vitet e fundit janë shpërndarë në Shqipëri, por edhe nëpër shtetet e Europës deri në Amerikën e largët. Të detyruar të largohen nga vendi i tyre në kërkim të diçkaje më të mirë, mes vështirësive e mungesës së kushteve më elementare të jetës. Sa më shumë që kalojnë vitet kujtimi dhe malli shtohen për të kaluarën. E kur vitet ikin herë pas here është shkruar në faqet e gazetës “Beslidhja Gorare” me ndjenja të përjetuara e cila po lexohet dhe është mirëpritur, çka përbën padyshim një ndjenjë krenarie për gorarët. Pesë vite më parë me kënaqësinë jo vetëm kur u organizuan, por me gazetën ku komunikojnë, gorarët komentojnë t’u sjellë gëzime edhe të tjerëve e sigurisht ndjehen të lidhur ngushtë. Ndaj, kur lexojnë gazetën “Beslidhja Gorare” mësojnë më shumë për krahinën e tyre, duke marrë informacione të shumta për vendbanimet, ngjarjet, figurat patriotike, kohët e errëta, por edhe histori interesante të ditëve të sotme. Këtu sakrificat dhe kontributet nderohen e nuk harrohen, pa i hiperbolizuar ato, por të shkruara thjesht e bukur në episode, portrete, studime pa tejzgjatje, me një stil të ngrohtë. Një kontribut i veçantë e vlerë shpirtërore që i ngjan unikes në trajtimin e vëzhgimeve të jetës dhe hollësive të saj për gorarët, në hapësirën e duhur të kësaj gazete, duke kryer kështu një mision të rëndësishëm e natyrisht me efektin e vet. Kështu mund të shkruajmë për sesionin shkencor të realizuar për Beslidhjen gorare, të pesëmbëdhjetë kapedanëve të kësaj krahine më 1906. Plot intelektualë gorarë, të respektuar dhe të nderuar e midis tyre edhe Bujar Vila, Bashkim Jahollari, Elisabeta Kamberi, Bujar Bujari, Besim Shyti, Arben Roko, Haki Tahirllari, Adrian Tahiri, Bardhi Skënderi, Kujtim Gora, Albana Tahiri, Abedin Gora, Syrja Jahollari, Gentian Pere, Islam Bakollari, Fari Muçollari, Zane Llazi, Guri Mersinllari, etj, kanë sjellë diçka të re në botëkuptim dhe koncepte. Arti dhe kultura e kësaj krahine vjen e shkruar edhe prej penave krijuese të gazetarëve, poetëve, shkrimtarëve gorarë, të cilët sjellin vazhdimisht mushtin e krijimtarisë së tyre si: Koçi Tahiri, Ymer Nurka, Ergert Cenolli, Celnik Petriti, Zydi Kroi, Agron Agolli, Kozeta Zavalani, Bektazh Konica, Lumturi Ymeri, Nexhip Bashllari, Bardhi Sejdarasi, Qazim Muska etj. Koçi Tahiri për kontributin e tij si drejtues i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Beslidhja Gorare” dhe gazetës me të njëjtin emër, patjetër meriton respekt të veçantë. Koçi është një burrë energjik dhe me një vrull si askush tjetër nga Gora. Ai është njëri nga ata gorarë që e ka dashur librin, kulturën, duke u bërë kësisoj autor i kryesor i botimit të saj dhe pesë librave. I njohur për këto aftësi dhe komunikimin që ka me të gjitha moshat, ka reflektuar kulturë përmes portretit gjurmëlënës, duke derdhur kontributin e tij më së shumti veçoritë e krahinës me shpirtin e dashuruar për vendlindjen. Në bisedë me të sigurisht mëson për vështirësitë, angazhimet shoqërore të shoqatës, por edhe të gazetës, e për më tepër që ajo botohet çdo muaj. I shfleton faqet e kësaj gazete, që të tërheqin me tematikën, pasqyrimin e jetës së krahinës, respektin për figurat e ngjarjet që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen e kohës, si një dritare revokuese e traditave më të mira të saj.    – Ne kemi vlera të shumta si krahinë- pohon Koçi me një krenari të ligjshme,- e duke revokuar ato ne jemi të përqendruar me misionin tonë. Ndaj, gazeta “Beslidhja Gorare” është më afër banorëve të krahinës. Ne mburremi me Gorën dhe kemi pse të mburremi se aty të çlodhen sytë nga gjelbërimi, të mbushen mushkëritë me ajër të pastër, të zgjerohet zemra nga kënaqësia për madhështinë e vlerave -të thotë me modesti

Cilido që është gorar, kënaqet me emrin e mirë të krahinës, me bukurinë e panoramat e saj, romantikën, traditat, përpjekjet për mbijetesë në kohëra dhe shpirtin e tyre, gazetën “Beslidhja Gorare”. Sigurisht është e pamjaftueshme të vlerësosh në këto pak radhë, të shkruara nxitimthi për Gorën, këtë krahinë të njohur e traditave luftarake dhe gazetën e tyre. Nuk mund të mos ndjehesh i kënaqur kur e përmend dhe vlerëson meritat, vlerat e tyre. Kjo tregon se sa mirënjohës do të jenë brezat që do të vijnë e do të shërbejnë për të ardhmen, duke ja rritur emrin më shumë e më mirë kësaj krahine.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Gora, njerezit e saj, Pellumb Gorica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 121
  • 122
  • 123
  • 124
  • 125
  • …
  • 172
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT