• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shpirti mikpritës i devollinjve

August 19, 2017 by dgreca

1 raimonda Nga Raimonda MOISIU/

Miqësia virtuale e reale fizikisht, njohjet e  largëta edhe ato të castit vecmas në ditët e sotme nga rrjetet sociale, janë miqësi që provojnë ndjesinë e promovimit të vlerave të vërteta të miqësisë, njerëzores e qytetarisë, miqësi  të cilat përpiqen të inkurajojnë  mes njerësve, duke  shkëmbyer eksperiencat dhe përvojat dashamirëse mes miq e mikesha,  vecmas kur ato ofrojnë mbështetje të plotë prej dashamirësve të shumtë të botës së artit, e kështu me radhë, duke na sjellë diçka të re, në raportin e të përditshmes njerëzore, mes të kaluarës e refleksionit për të ardhmen në jetën e cilitdo nga ne. Dita e djeshme e 18 Gushtit  ishte disi e veçantë për mua, ishte imazhi shpirtëror dhe shpirti mikpritës  i devollinjve të fismë, që më dha fatin ta prekja dhe të bëhesha pjesë e kësaj mikpritje fisnike, falë ftesës për të kaluar një ditë të bukur bashkarisht  me familjen e nderuar Dushku nga Suli i Devollit. Ftesa erdhi nga mikja ime e vjetër por që u ritakuam  nëpërmjet rrjetit social Facebook, Verore Hoxha Dushku, adhuruese e dashamirëse e krijimtarisë sime,  dikur një moderatore –“showgirl”, e suksesshme dhe e njohur e  artit dhe kulturës devollite , adhuruese dhe dashamirëse e genit devollit, epitoma, mishërimi dhe bukuria e emocionit lirik  e Patriarkut të Letrave shqipe, devolliut të urtë e të fismë Dritero Agolli. Mikja ime e mrekullueshme Verore Hoxha Dushku, një ekonomiste në profesion,  profesioniste dhe tepër e aftë në ditët e sotme.  Mikpritje mbresëlënëse dhe emocionuese e pinjollëve të Sulit historik e shpirtmirë shpërfaqej në Resortin turistik  “FATI” në zemër të Bilishtit, që administrohet nga vëllai i mikes sime, bisnesmeni Fati Dushku, një investitor i ri në moshë, por vizionar, i guximshëm, me vullnet të celiktë dhe mëncuri, mendje të shëndoshë e krahë të fortë,  forcë mendore unike e qytetare të paepur. Investitori dhe bisnesmeni Fati Dushku është nj ë personalitet i denjë, i  rëndësishëm në investimin e industrisë kulinare dhe resortit turistik, në dasma, gëzime dhe hidhërime familjare  në qytetin e Bilishtit.   Ai me punë sakrifica dhe përkushtim, është shëndrruar  në një rol investues model, vullneti dhe force e paepur,  i palodhur dhe i përkushtuar  në jetën social ekonomike- kulturore e historike, si një nga bisnesmenët dhe investitorët  shëmbullorë në ekonominë e tregut kapitalist shqiptar dhe rritjen e mirëqënjes ekonomike të bashkëqytetarëve të  tij,  nëpërmjet punësimit të tyre  në bisnesin e resortit turistik që ai menaxhon. Bisnesmeni dhe investitori devolli Fati Dushku është edhe filantropist dinjitoz. Filantropia e tij,  gjithmonë e rëndësishme dhe dashamirëse  konsiston për njerëzit në nevojë, artin dhe kulturën devollite, duke mos harruar kurrë fshatin e tij të origjinës, Sulin historik, një fshat me tradita historike e patriotike, drama njerëzore, sociale, legjenda dhe histori,  me  ndjenjën e larëntnjerëzore të zemrës së tij të madhe. Gjithsecili  është i mirëpritur në Resortin Turistik “FATI”, ku do të keni kënaqësinë të kaloni caste plot harmoni e gëzim nën tingujt e muzikës devollite dhe atë shqiptare, serenatave  e të gjitha trevave etnike. Do të shijoni kuzhinën e famshme bio devollite dhe të zonës së Korcës. Resorti turistik qëndron krenar dhe madhërishëm mes përmes fushës e përgjatë lumit Devoll dhe luginave, ku do  të soditni  gjithçka, do të prekni  e shijoni me sy bukurinë e natyrës magjepsëse devollite. Ishte një ditë e vecantë në jetën time, e bukur dhe mbresëlënëse, mikpritja fisnike dhe e mrekullueshme, për një e ftuar speciale, sikundër isha unë nga mikja ime Verore Hoxha Dushku, nga familja dhe bisnesmeni i mirënjohur i qytetit të Bilishtit, Fati Dushku. Kaluam në një atmosferë tejet miqësore, plot respekt e përzëmërsi, dashuri dhe njerëzisht e shpirtërisht,  bukur e këndshëm, ku nuk munguan muzika e bukur dhe e njohur devollice dhe serenatat korcare.

U largova me ndjesinë e një miqësie të mrekullueshme dhe dashamirëse: Ju paca miqtë e mij të mrekullueshëm, Familja DUSHKU!

Pacim përherë miq të tillë, fisnikë e të vërtetë!

Zoti bekoftë Ju, familjen dhe jetët Tuaja.

 

Bilisht, Gusht 2017

Filed Under: Reportazh Tagged With: i devollinjve, Raimonda Moisiu, Shpirti mikpritës

Korpusi i paqes në Tiranë dhe të rinj shqiptarë pastrojnë Parkun e Liqenit

July 12, 2017 by dgreca

1 ok Korpusi ne TiraneMë shumë se 170 vullnetarë të huaj e shqiptarë, pjesë e Korpusit të Paqes, që vepron në vendin tonë, u angazhuan sot, që në orët e para të mëngjesit, në një mision vullnetar për pastrimin e Parkut të Liqenit.Pjesë e këtij aksioni u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtoresha e Korpusit të Paqes për Shqipërinë, Zonja Kate Becker, të cilët ndihmuan në pastrimin e parkut nga mbetjet dhe barërat e këqija, që përbëjnë rrezik për zjarre në këtë periudhë të nxehtë.

1 Korpusi

Kryetari i bashkisë falenderoi të gjithë ata qytetarë të përgjegjshëm për kontributin e tyre dhe theksoi se, një qytet, pamvarësisht mundësive që ka për menaxhimin e punëve publike, ka gjithmonë nevojë për akte të tilla vullnetarizmi.Veliaj theksoi se veprimtaria që kryen Korpusi i Paqes në vendin tone, si dhe aksione të tilla shërbejnë për ndërgjegjësimin e sa më shumë qytetarëve të tjerë që të bëhen pjesë e vullnetarizmit.“I ftoj qytetarët e Tiranës të bëjnë më shumë punë vullnetare. Ndonjëherë ndihem pak keq kur ka më shumë të huaj që bëjnë punë vullnetare se, sa ne shqiptarët.

Për herë të parë pashë që vullnetarëve amerikanë, iu ishin bashkuar edhe shumë të rinj të qytetit të Tiranës, për të kuptuar që vullnetarizmi nuk është një çështje e mirëqenies ekonomike, por është një çështje e gjendjes tënde shpirtërore, e gjendjes tënde mendore, si qytetar i mirë.

Ndaj, më vjen mirë që për herë të parë pas kaq vitesh shikojmë një balancë midis vullnetarëve që janë të huaj, amerikanë dhe vullnetarëve tanë shqiptarë”, theksoi Veliaj. Ai gjithashtu bëri të ditur se, së bashku edhe me Korpusin e Paqes, por edhe me shumë grupe të tjera vullnetarësh që veprojnë tashmë në Tiranë, do të ndërmerren shumë fushata që i vijnë në ndihmë të pamundurve, por edhe që ndihmojnë për ta bërë një qytet më të mirë.

“Aksioni i sotëm ishte për të pastruar parkun nga shumë prej barishteve, ferrave dhe materialeve që marrin zjarr shpejt, që janë rrezik në këtë kohë, për të shpëtuar shumë nga pemët nga thatësira.

Por stina do të ndryshojë, kështu që kur të afrojë stina e vjeshtës dhe e dimrit, që është koha perfekte për të mbjellë pemët, do të donim që të bënim organizime të tilla për fushata të mbjelljes.

Duam që këtë vit të mbjellim 50 mijë pemë të reja, jo vetëm në Parkun e Tiranës, por edhe në Parkun e Farkës dhe të Kasharit dhe do të gjejmë një mënyrë se si duke inkurajuar vullnetarizmin edhe me Korpusin e Paqes, por edhe me shumë prej vullnetarëve shqiptarë që fatmirësisht janë shtuar, të kemi mundësi që të kemi një stinë fantastike mbjellje dhe t’i afrohemi projektit tonë të pyllit orbital, që deri në vitin 2030 të kemi mbjellë 2 milionë pemë në total”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Duke e cilësuar të mrekullueshme punën e bërë nga vullnetarët për pastrimin e parkut të Liqenit, Drejtoresha e Korpusit të Paqes, Kate Becker vlerësoi angazhimin dhe seriozitetin e treguar nga të rinjtë shqiptarë dhe amerikanë.

“Dua të falenderoj qytetin për një punë të mrekullueshme. Ne mblodhëm mbeturina rreth e përqark pemëve, morëm mbështetje dhe punuam si ekip, duke organizuar projektin me rreth 70 vullnetarë shqiptare dhe rreth 100 amerikanë. Ishte një ditë e mrekullueshme dhe vlerësoj çdo gjë”, theksoi Becker. {Sh.K}.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Korpusi i paqes, pastrojne Parkun, Shefqet Kercelli, TË RINJTË SHQIPTARË

‘‘ LIQERI ’’ I LASGUSHIT, PARAJSA E SHPIRTIT …

June 19, 2017 by dgreca

Natyra këtu ka magji. Lasgushi këtë magji e kishte kthyer në poezi. Tani “dremit liqeri” me kujtimet për të…/

OLYMPUS DIGITAL CAMERA3456OLYMPUS DIGITAL CAMERA

NGA PËLLUMB GORICA/Një ndenjë e bukur dhe e këndshme kënaqësie shoqëroi udhëtimin tonë drejt juglindjes, mes një grupi miqsh të penës. Mëngjesi gëzimdhënës, plot dritë, por edhe me aromë kundërmuese lulesh gjithfarësoj.

Udhëtojmë luginës piktoreske të Shkumbinit plak. Malet, me madhështinë e tyre, e rrethojnë luginën e thellë. Thyrjet e relievit, diku me një ashpërsi tërheqëse, e diku të mbytur nga deti i gjelbërimit të drurëve të lartë e të shumëllojshëm me blerimin e harlisur, i japin një bukuri të veçantë. Pa fjalë një natyrë e magjishme shqiptare!

Kalojmë Elbasanin, Librazhdin dhe Përrenjasin. Makina duket sikur fluturon në panoramat interesante, që të emocionojnë për çdo metër udhëtim. Herë pas here shfaqen e zhduken vendbanime të vogla, të shtrira në shpate kodrash. Po gjithsesi, me gjarpërimet  e saj është një rrugë që ecet shpejt dhe këndshëm. Ajo kalon ngjitur rrjedhës së stërlashtë të lumit Shkumbin, gurgullues e i kaltër si një shirit argjendi, me vërshimin e ujrave drejt detit Adriatik.

Në liqen mahnitja dashuruar

Por kur kalon Qafën e Thanës, një ndjesi e këndshme të kaplon si asosacion me malet e hirta në horizont, të mbuluara me qeleshen e bardhë dhe liqenin e Ohrit. Një panorama magjepse si një poezi a telajo e pikturuar me ngjyra drite. Mes qiellit e tokës, ky liqen, një bukuri që natyra e krijoi në zemrën e bukurive të Ballkanit.

Re puplore era i lodron në hapësirën qiellore. Dielli, duke i sfiduar ato me ndriçimin vezullues, derdh rreze, të cilat, teksa përthyehen në liqen e reflekton mahnitjen e dashuruar të kësaj bukurie të papërshkruar. Kur vjen këtu në një ditë të tillë, e shijon më bukur prarimin magjik të liqenit dhe natyrën rrethqark tij. Ndaj me syrin e aparatit fotografik e përjeton këtë panoramë të shushurimës së patrajtshëm të gjallesave natyrore, së bashku me freskipuhizën që rrudhos pasqyrën liqenore. Kodrat, malet, vendbanimet, si roje, i shtrohen në gjunjë. Qytetet e Ohrit, Strugës, Pogradecit me panoramat piktoreske, por edhe perlat turistikë: Shën Nauni, Lini, Voloreku etj, me pamjet e tyre të mrekullueshme, të mahnitin veçanërisht në ditë të kthejllta qiellore. Natën, dritat e tyre vezullojnë si yje uji në liqen. Lini, me shtëpi të ngjeshura rreth kodrës, të rrethuara me pemë të llojeve të ndryshme, të magjeps me pozicionin e tij tërheqës e të ngjason si një vapor i ankoruar prej kohësh.

Ecim drejt Pogradecit, qytet i vendosur në skajin jugor të liqenit. Tablotë e natyrës kalojnë me radhë. I soditim këndshëm, duke thithur ajrin e freskët të stinës. Aty këtu shfaqen shtëpi dhe lokale midis mozaikut të kulturave bujqësore, dhe pemëve frutore të gjelbëruara. Nëpër kodra bari mbulon tokën si qylym i blertë e që ndrit nga vesa. Bregut në ca kallamishte nositët cicërijnë. Valët numërojnë njëra-tjetrën në breg me një shushurimë të lehtë. Tutje ca varka lëkunden në sipërfaqen e pastër të ujit. Panorama tërheqëse e piktoreske e Pogradecit, të krijon një kënaqësi të veçantë. Sigurisht të pushton një ndjenjë ndryshe, kur kthehesh këtu pas shumë vitesh. Kemi pasur rast të vizitojmë qytetin e Pogradecit shumë herë në fillim të viteve ’90, ndaj dhe shumëllojshmëria e objekteve me kujtimet e asaj kohe, kaq natyrshëm na rrjedhin si ujëvarë. Godina të pakta disa katëshe, rrugë të shkatërruara, parqe të rrënuara, dritat e venitura…

Qyteti sot shfaqet më i mrekullueshëm e impresionues si një kartolinë shumëngjyrëshe. Ndërtimet e vjetra ndërthuren me simbolet e reja të zhvillimit modern të këtij qyteti. Pallate shumëkatëshe me modele të ndryshme arkitekturore, lokale, skulptura, parqe, shatërvanë, rrugë të shtruara me standarte, të rrethuara nga të dy anët me blirë e drurë të tjerë dekorativë.

Shijojmë me ecjaket tona pastërtinë, ngjyrat e qytetit, flladin e liqenit… Koloriti i stinës i jep një tjetër hijeshi qytetit.  Rugët e tij gumëzhijnë nga lëvizjet e vizitorëve. Pogradecarët, banorë të dashur e mikpritës ndjehen të lumtur që janë nga ky vend kaq i bukur, e me trashëgimi të pashtershme kulturore, historike dhe fisnikëri vlerash, që meritojnë pa dyshim respekt. Ata krenohen me qytetin e tyre, figurat e njohura të tij dhe liqenin. Liqeni, jo vetëm për forcë të zakonit, që nuk shprehet me fjalë, por, është një lloj pasqyre për Pogradecin dhe bukurinë e tij. Duke shkuar përtej pikëpamjeve gjuhësore, banorët u pëlqen ta emërtojnë gjoli. Ndërsa Lasgushi derdhte në vargje emrin liqeri. Por liqeni dhe Lasgush Poradeci identifikojnë njëri-tjetrin. I ngritur fare pranë liqenit me vështrimin nga ai, monumenti i Lasgushit plot hir me qenin Cuci para këmbëve dhe pak metra më tutje i Mitrush Kutelit, dy korifejve të penës, bij të këtij qyteti, përbëjnë simbolet e Pogradecit. Ndalemi pak çaste, ku valët e liqenit llokoçiten lehtë në breg dhe i flladit fytyrat tona të emocionuara. Por, duke kundruar Pogradecin, malin e Thatë, liqenin, të kumbojnë vargjet e Lasgushit, ku ai ka derdhur dhëmbjen për plagët e nositit:

“Un’ ik liqerit zemërak 
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’ u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari.

 

Liqeri i shkretë e rrit tallazi porsi det

E shpirtin duke më përcjellë më thotë se

Ah! Shih sa është i thellë

Ky gjiri em që të patë pjellë”

Magjia ka zbritur në Volorek( Drilon)

Të shkosh në Pogradec e të mos vizitosh Volorekun është sikur të mos kesh ardhur fare aty. Kjo sepse është një nga perlat më të bukura të natyrës shqiptare, që dikur ishte një “mollë e ndaluar”, për t’u shijuar sot nga gjithkush. Të shprehesh me shumë fjalë e gjithë ndjenja, gati të dalldisur të rrëmbejnë befasishëm e të pushtojnë aq shumë panoramat qetësuese, të parkut të vogël, i mbushur me drurë të lartë dhe me shtrirje përgjatë ujërave të kristalta e të qeta, që nën rrezet shëndritëse të diellit janë një kënaqësi ripërtëritëse. Kundërmimi i luleve, romantika mahnitëse sa reale dhe e ëndërrt, mërmërima e lehtë e flladit, shto këtu përjetimin e pllaquritjes së pulëbardhave e të peshqve të veçantë, aq sa marrin shikimin e vizitorëve të shumtë dhe varkave të vogla, apo simfoninë e cicërimave të zogjve nëpër pemë, të bëjnë të ndjehesh i dehur nga kënaqësia.

– Voloreku i mbushur me aromë natyre, të jep një ndjesi mjaft pozitive si një privilegj i së bukurës,- thotë Besniku, bashkëbiseduesi dhe miku ynë pogradecar.

Në Volorek ndërtimet: bar kafetë, restorantet dhe hotelet e zbukurojnë këndshëm në çdo stinë të vitit, ku nuk mungojnë shije të ndryshme, të cilat ofrojnë pushime, por dhe zbavitje të këndshme me një shërbim të kulturuar dhe ajo që është me rëndësi, përkujdesjen e veçantë.

Por, pak më tej Volorekut të bukur e të mirëmbajtur, spikatin ndërtimet e vjetra, por edhe të reja të Tushemishtit. Ato, edhe pse me nota optimiste për një turizëm elitar po shpërfytyrohen barbarisht. Një përzierje e vorbullës, të asaj që ne i themi zhvillim në emër të progresit me betonizim pa kriter buzë liqenit, duke e ngushtuar pjesën e plazhit. Panoramat e bukura humbasin vlerat dhe nuk mund të kthehen kurrë në antivlera duke i shkatërruar.

Voloreku është një poezi që meriton të interpretohet. Natyra e tij të përkëdhel aq bukur sa të josh ta vizitosh atë përherë, jo vetëm në verë, por edhe në ditët e dimrit me borë. Se s’ka si të ndodh ndryshe, në këtë perlë magjepse të natyrës shqiptare gjithkush që e viziton gjen parajsën e shpirtit të munguar.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: ‘‘ LIQERI ’’ I LASGUSHIT, PARAJSA E SHPIRTIT, Pellumb Gorica

ARBËRESHË E ULQINAKË – VËLLEZËR TË NJË GJAKU…

May 27, 2017 by dgreca

Meritojnë përgëzime: Shoqata “Labeatët” e Ulqinit, Shoqata “Vorea” e Arbëreshëve dhe Federata FNAI, e emigrantëve shqiptarë në Itali, për këtë bashkëpunim e gërshetim, në realizimin e marrëdhënieve të tilla kulturore./

1.E.Lakuriqi0.Botimi-Foto

Nga: Eltona Lakuriqi/

1.Edhe pse ka kaluar mesnata, salla e madhe e hotelit “Albatros”, në bregdetin tërheqës të Ulqinit, ka një gjallëri disi të veçantë. Njerëz të veshur me kostume kombëtare, Pierpaolo në fizarmonikë, dikush tjetër në dajre, Suadi e Franco që këndojnë, Lucia e Luljeta që bisedojnë, Imma regjisorja që ende është e shqetesuar për shfaqjen, që do të jepet në sallën e qendrës kulturore të Ulqinit, aktorët që qeshin e luajnë, të gjithë bashkë, përbëjnë një pamje të bukur, nga ato, që ky mjedis  qyteti i Ulqinit e përjetojnë herë të parë. Sepse janë bashkuar së toku, arbëreshë e ulqinakë, vëllezër e motra të një gjaku, që takohen pas 500 vjetësh.
Trupa teatrore e Shoqatës “Vorea”, në Frascineto të Kalabrisë, ka ardhur të japë shfaqjen “Kostantini e Garentina”. Është varianti arbëresh i legjendës së mirënjohur shqiptare, e cila mbijeton dhe emocionon kudo, ku ka shqiptarë nëpër botë. Arbëreshët janë veshur me kostume tradicionale, që i punojnë e prodhojnë vetë. Lucia e Luiljeta, madje edhe djali i vogël i Lulit, janë veshur me kostume ulqinake.
Këngët arbëreshe, ulqinake, shkodrane e korçare këndohen deri në orët e vona. Duket sikur askush nuk ka dëshirë të shkojë të flerë. Sikur janë zgjuar nga një gjumë shekullor e tani duan të fitojnë kohën e humbur. Flitet gjuha shqipe, në variantin e arbërishtes dhe dialekti i Ulqinit. Ndihen të gjithë vëllezër të një gjaku. “Gjaku ynë i shprishur, tani po bashkohet”,-thotë Luçia Martino, “Mjeshtër i Madh”, e cila bën një punë të pasionuar për kulturën e traditat shqiptare dhe i ka çuar grupet e saj edhe në Tiranë e deri në Kanada.

2.Nga ballkoni i hotelit vështroj atë gji shkëmbor, mbi të cilin përkulen degët e pishave shekullore. Ujët e kulluar ka ngjyrat blu e turkeze, që ndërthuren midis tyre, si ngjyrat e pikturës në një kuadër pejsazhi. Mëngjesi është i bukur dhe në parkun e gjelbër kanë ardhur nxënësit e shkollave. Ndërmjet tyre dalloj gazetarin Ndue Lazri, i cili është zgjuar herët dhe kërkon të rrëmbejë fotot e orëve të para të mëngjesit, të cilat kanë një dritë të mrekullueshme për foto. I pasionuar pas fotove, ai ngjitet e zbret shkëmbenjve, duke futur në fokus pamje të ndryshme, që ky mjedis i ofron, si kartolina të vërteta. Më kishte bërë përshtypje energjia e tij edhe në mbrëmjen e kaluar në sallën, ku do të jepej shfaqja. Regjisorja Imma Guarasci ishte e shqetësuar, se donte që çdo gjë të ishte gati për provën e mëngjesit dhe për shfaqjen para publikut. E, gazetari i ardhur nga Bolonja, si president i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali, që ka bashkëpunuar për ardhjen e këtij grupi në Ulqin, bënte edhe punën e karpentierit, për montimin e skenave, edhe punën e elektriçistit, duke u kujdesur për dritat e skenës, bashkë me anëtarët e tjerë të trupës.
Aktorët zgjohen dalëngadalë dhe marrim rrugën për te qendra kulturore. Rrugët e bukura e karakteristike të Ulqinit janë mbushur me njerëz. Ata na përshëndesin përzemërsisht. Dyqanet me suvenire presin e përcjellin klientë e turistë, që duan të kenë ndonjë kujtim, nga ky qytet i bukur.
Kryetarja e Shoqatës Kulturore “Labeatët”, Luljeta Avdiu-Cura, një grua energjike dhe përherë e qeshur, vjen te salla dhe interesohet, që trupës së teatrit të mos i mungojë asgjë, për suksesin e shfaqjes. Qytetarë të Ulqinit dhe veprimtarë e bashkëpunëtorë të qendrës kulturore vijnë me një farë kureshtjeje, që të shikojnë përgatitjet për shfaqjen, por edhe të japin ndihmën e tyre të pakursyer, nëse është e nevojshme. Edhe këtu ndihet ajo dashuri vëllazërore, por edhe ajo mikpritje e bukur e ulqinakëve, që është tipike shqiptare.

3.Ndërsa trupa merret me provat e me përgatitjet, Suad Mehmeti, me disa kolegë të tij, na fton që të vizitojmë qytetin piktoresk. Ata janë krenarë për bukuritë, që ofron vendbanmi i tyre dhe na shoqërojnë në pikat më interesante, në plazhet që kanë filluar të frekuentohen nga turistë e pushues e ku çdo gjë është në gatishmëri për sezonin e ri turistik; kodrave të buta të Ulqinit, me shtëpi të bukura e karakteristike e me rrugë, që gjarpërojnë mes gjelbërimit e luleve të shumta. Pastaj na çojnë te një rruge të drejtë dhe të gjatë, përmes një fushe, që i ngjan një lugine të ngushtë, midis kodrash e malesh. Gjelbërimi është kudo i dendur e shlodhës për syrin. Arrijmë tek Ada e Bunës, një fshat romantik, ndërtuar dy brigjeve të lumit të vjetër, që buron nga Liqeni i Shkodrës, përshkon kodrina e fushat e Bregut të Bunës dhe vjen këtu e derdhet në det.

Kudo shohim lokale të shumtë, që mirëpresin klientë në këtë orë të drekës, barka peshkatarësh, motoskafe turistësh e shtëpitë me ngjyra të ndryshme, nën hijet e pemëve të mëdha, krijojnë një pejsazh, që të fton për të bërë foto të shumta. Këtu miqtë tanë nga Ulqini na ofrojnë bujarisht një drekë me prodhime deti, të gatuara sipas traditës ulqinake dhe një verë të mirë të zonës.
Prej këtu, kthehemi sërish në Ulqin dhe e vazhdojmë udhëtimin turistik, në krahun tjetër, aty ku ngrihet kalaja e lashtë dhe e bukur e qytetit. Pamja e detit dhe e qytetit, nga kalaja, është e mrekullueshme dhe tërheqëse. Nuk di nga ta kthesh më parë aparatin fotografik, për të fiksuar këto pamje të rralla. Brenda mureve të kalasë shohim shtëpi të bukura prej guri, rrugë të ngushta me kalldrëm, që ngjiten drejt majës së kodrës dhe lokale të shumtë, te dyert e të cilëve të ftojnë me bujari të hysh brenda. Secili prej tyre ka një terrace, si ballkon mbi det, nga ku klientët e turistët mund të shijojnë panoramën e qytetit dhe të bëjnë foto të bukura. Klodian Cami, ky djalosh energjik, sipërmarrës dhe veprimtrar i palodhur, që vjen nga Reggio Emilia në Itali, pëlqen foto të veçanta, si ajo duke hipur mbi një traktor të vjetër, që nuk merret vesh si është gjendur këtu brenda kalasë, mbi një motorr të çuditshëm, si ata të kohës së luftës, mbi muret e kalasë apo shkëmbinjtë e thepisur,, që zbresin deri në dallgët e shkumëzuara të detit.
Kështu, duke shetitur e duke u njohur me Ulqinin, na zë ora e mbrëmjes, kur do të fillojë shfaqja.

4.Salla e mbushur me shikues pret me emocion të veçantë shfaqjen e grupit arbëresh. Ka njerëz, që kanë ardhur edhe nga Tuzi e zona të tjera, sepse Luljeta ka bërë prej kohësh publicitet, për këtë ngjarje të rëndësishme, pra ardhjen e arbëreshëve për të dhënë shfaqje ne Ulqin. Është i pranishëm edhe kryetari i komunës, Nazif Cungu, me familjen e tij.
Para sshfaqjes, këngëtarja dhe aktorja e re, studente arbëreshe, Maria Ferrari këndon Himnin Kombëtar Shqiptar, duke ngjallur emocione të veçanta. Në sallë janë edhe gazetarë e grupe të televizionit lokal, që kanë ardhur t’i regjistrojnë këto çaste të bukura.
Pastaj, legjenda e besës së dhënë shpalos, përmes lojës së bukur të aktorëve, variantin e saj arbëresh. Shfaqja është konceptuar bukur, nga regjisorja Imma Guarasci dhe personazhet janë tipizuar mjeshtërisht nga aktorët. Publiku e ndjek shfaqjen në një heshtje të thellë, deri në fund. E kjo heshtje ndërpritet nga duartrokitjet e nxehta të publikut, të ngritur në këmbë, kur përfundon shfaqja e dramës.
Por shfaqja nuk mbaron këtu. Organizatorët kanë menduar, mirë që ajo të jetë një eprimtari e përbashkët, arbëreshe-ulqinake. Aktorët e dramës ua lënë vendin valltarëve të ansamblit “Ana e Malit”, këngëtarëve Franko Frega, i ardhur nga Lungra e Kalabrisë dhe Pierpaolo Petta, i ardhur nga Piana degli albanesi, në Siçili. Me ta harmonizohet bukur këngëtari ulqinak, Suad Mehmeti. Kësisoj, spektakli vazhdon me pjesën e tij muzikore, duke e bërë emocionuese dhe të paharrueshme, këtë mbrëmje mes vëllezërve të një gjaku.
…Organizime të tilla të shkëmbimeve të vlerave kulturore janë ngjarje të rëndësishme, sepse ruajnë e përtërijnë traditat tona të mrekullueshme e të pasura kulturore. Ndaj meritojnë përgëzime: Shoqata “Labeatët” e Ulqinit, Shoqata “Vorea” e Arbëreshëve dhe Federata FNAI, e emigrantëve shqiptarë në Itali, për këtë bashkëpunim e gërshetim, në realizimin e marrëdhënieve të tilla kulturore.

Filed Under: Reportazh Tagged With: ARBËRESHË E ULQINAKË – VËLLEZËR TË NJË GJAKU, Eltona Lakuriqi

Papa Françesku pret presidentin amerikan Trump

May 24, 2017 by dgreca

1 Papa-TrumpVizita e parë shtetërore e presidentit amerikan, Donald Trump, tek Papa Françesku. Do të kujtohet edhe për transmetimin e drejtpërdrejtë nga Qendra Televizive e Vatikanit, ashtu siç ndodhi për vizitën e paraardhësit të tij, Barck Obama. Në orën 8.32, Ati i Shenjtë i shtrëngoi dorën presidentit Trump në Sallën e Fronit e pas fotografive për shtypin, u ul për një bisedë gjysëm orëshe me të, në bibliotekën private.

Gruaja e presidentit amerikan, Melania, pavarësisht se ishte në Vatikan, së bashku me të shoqin, nuk mori pjesë në bisedë dhe u takua më pas me Papën, të cilit i kërkoi bekimin për një Rruzare, që kishte në dorë. Në orën 11.15, ajo shkoi për vizitë në Spitalin Pediatrik “Bambin Gesù” në Romë, ndërsa e bija, Ivanka (edhe ajo pjesë e delegacionit), në Bashkësinë e Shën Egjidit, ku u takua me gratë, viktima të trafikut të njerëzve, që strehohen nga kjo Bashkësi.

Pas bisedës private, Donald Trump i paraqiti Papës delegacionin amerikan, prej 11 vetësh. Pastaj, shkëmbimi i dhuratave. Ndër të tjera, Ati i Shenjtë i dha presidentit tre dokumentet papnore “Evangelii gaudium”, “Amoris laetitia” e “Laudato sii”, si edhe një kpje të Mesazhit për Ditën Botërore të Paqes 2017, nënshkruar nga vetë Ati i Shenjtë. Papa Bergoglio  bekoi edhe disa rruzare të tjera e, së fundi, u dhuroi të pranishmëve medaljen e papnisë. “Nuk do të harroj ç’me thatë” duket se ka thënë Donald Trump në përfundim të audiencës para se të shkonte në takimin me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me atë për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher.

E ndërsa presidenti shoqërohej për takimin me autoritetet e tjera të Vatikanit, e shoqja, Melania, vizitonte Kapelën Paoline. Në përfundim të bisedës, Trump dhe familja e tij vizituan Kapelën Sikstine dhe Bazilikën e Shën Pjetrit. Po sot, presidenti amerikan u takua me homologun e tij italian, Mattarella, në Quirinale dhe me kryeministrin italian Gentiloni, në Vilën Taverna, për të diskutuar mbi temat e mbledhjes së G7-ës, që do të mbahet të premten, në Taormina të Italisë. Rreth orës 13.40 presidenti amerikan niset për në Bruksel.

Paqja në botë dhe gjendja e të krishterëve, në qendër të takimit Papë-Trump/

2 PapaNë përfundim të takimit të Papës Françesku me presidentin amerikan, Donald Trump, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri deklaratën e mëposhtme:

“Sot paradite, e mërkurë 24 maj 2017, Shkëlqesia e Tij, z. Donald Trump, presidenti i SHBA-ve, u prit në audiencë nga Ati i Shenjtë Françesku dhe, më pas, u takua me Hirësinë e Tij, kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, shoqëruar nga Shkëlqesia e Tij, imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Gjatë bisedës së përzemërt, u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira dyplaëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe SHBA-ve, si edhe u vu në dukje impenjimi i përbashkët në favor të jetës, të lirisë fetare e të ndërgjegjes. U urua një bashkëpunim i frytshëm ndërmjet shtetit dhe Kishës Katolike në SHBA-të, e impenjuar në shërbim të popullsisë në fushën e shëndetësisë, të edukimit dhe të asistencës për emigrantët. Bisedimet mundësuan shkëmbimin e pikpamjeve për disa tema, që kanë të bëjnë me aktualitetin ndërkombëtar dhe me promovimin e paqes në botë përmes negociatave politike dhe dialogut ndërfetar, duke iu referuar veçanërisht gjendjes në Lindjen e Mesme dhe kujdesit për bashkësitë e krishtera”.(Radio Vatikani)

Filed Under: Reportazh Tagged With: Donald Trump, Papa francesku, prat, presidentin amerikan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 123
  • 124
  • 125
  • 126
  • 127
  • …
  • 192
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT