• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Imponimi – 17”, në 242 vjetorin e Marinës së SHBA

October 18, 2017 by dgreca

Është fakt që në këto 26 vite, Marina e SHBA ka qenë partnerja dhe aleatja më e rëndësishme e Forcës Detare Shqiptare./

6.Shefqeti

Nga Shefqet Kërcelli/ Gazeta”DIELLI”/

 Kalaja e Vlorës /

Ishte koincidencë e bukur që kjo stërvitje u zhvillua në 242 vjetorin e krijimit të Marinës së SHBA, e cila ka ditlindjen e saj më 13 tetor 1775. Është fakt që në këto 26 vite, Marina e SHBA ka qenë partnerja dhe aleatja më e rëndësishme e Forcës Detare Shqiptare. Janë me dhjetra projekte bashkëpunimi të realizuara në këto vite midis dy Flotave mike, ku vecojmë ato për arësimimin, trajnimin dhe kualifikimin e personelit oficer e nënoficer të Forcës Detare, dhurimin e anijeve të tonazheve të ndryshme nga Pentagoni në vitet 1999, 2010, vizita të anijeve amerikane në portet e ujërat shqiptare, ku mijëra marinarë amerikanë kanë njohur Shqipërinë dhe bregdetin e saj, riparimi dhe mirëmbajtja e anijeve të dhuruara, imbarkimi i detarëve shqiptarë në anijet amerikane, etj. ndihma këto që të përkthyera në Dollarë $, kapin shifrën mbi 100 milion. Stërvitja “Imponimi-17”, u zhvillua në një ditë të bukur ku gjiri i Vlorës, Sazani dhe Karaburuni dukeshin qartë nga kalaja e Vlorës.

5.happy Birthday navy USA

Të pranishëm në këtë stërvitje ishin dhe Zv.Ministri i Mbrojtjes, zoti Petro Koci, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralbrigade Bardhyl Kollcaku, Komandantët e Forcave e reparteve, Atasheu ushtarak i SHBA në vendin tonë, Kapiten i Rangut të II-të, Samuel G.Wartell dhe të vendeve aleate të NATO-s, Drejtorë në MM dhe Shtabin e FA, Kuadro të Shtabit të FD dhe Flotiljes Detare Pashaliman, etj. Fillimisht Zv.Komandanti i Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë, Subi Zenelaj i uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe shpjegoi shkurtimisht objektivat dhe pjesmarrësit e stërvitjes. Në vijim të pranishmit ndoqën skenarët e stërvitjes nën shpjegimin e kordinatorit të saj, Kapiten i Rangut të III-të Ilirjan Kristo dhe bashkëdrejtuesve, Kapiten i Rangut të I-rë Engjell Sinanaj dhe Kapiten i Rangut të II-të, Dritan Seraj.

1.IMG_6242Stërvitja “Imponimi – 17”, është aktivitet kryesor stërvitor i Forcës Detare dhe u zhvillua si një stërvitje e përbashkët JOINT, në bashkëpunim me Forcat Ajrore dhe batalionin e Forcave Speciale. Si aktivitet i përbashkët stërvitor, “Imponimi-2017”, harmonizoi përdorimin e të gjitha kapaciteteve të Flotiljes Detare (Grupit të Bordimit dhe Grupit të I-rë Patrullues), të Forcave Ajrore dhe trupave të specializuara të batalionit të Forcave Speciale për zbatimin e ligjshmërisë në det. Stërvitja “Imponimi – 17”, u fokusua në trajnimin dhe stërvitjen e efektivave të anijeve për përdorimin e mjeteve dhe teknikave të reagimit ndaj shkeljeve të ligjit në det, në bashkëpunim me Forcat Speciale dhe Forcat Ajrore, me qellim bllokimin e mjeteve detare dhe trafikantëve, duke përdorur të gjitha proçedurat, pajisjet dhe personelin në organikë, konform legjislacionit në fuqi.  Në stërvitje morrën pjesë: Flotilja Detare me 5 (pesë) anije, P-02, P-03, P-112, P-116, {të katër këto anije janë dhuratë e Departamentit të Mbrojtjes, P-133, {Lissus} bashkë me gomonen e saj dhe Grupi i Bordingut; Batalioni i Forcave Speciale me një Grup Special, Forcat Ajrore me 2 (dy) helikopter Helikopter, një COUGAR-633 dhe EC-145..

1 ok stervQëllimi kryesor i kësaj stërvitje ishte rritja e ndërveprueshmërisë mes mjeteve e Forcave Detare, mjeteve e Forcave Ajrore dhe Forcave Speciale për kryerjen e operacioneve të ndalimit detar dhe zbatimit të ligjshmërisë detare,  bazuar në skenarët e supozuar.2 stervi

Stërvitja,  krahas të tjerash aftësoi shtabet pjesëmarrëse në planëzimin e stërvitjeve të këtij niveli dhe zhvillimin  e operacioneve të ndalimit detar dhe zbatimit të ligjshmërisë detare.   Operacione të këtij niveli në situatë konkrete zakonisht drejtohen nga QNOD/Salla Operacionale, ndërsa gjatë stërvitjes u drejtuan nga Grupi i bashkëdrejtuesve të stërvitjes në tokë, (me vendodhje  PSV Kalaja) dhe Task Force-17 në det (me vendodhje në anijen P-133 “Lissusi”). Ndërkohë  Shtabi i Flotiljes Detare ishte pjesë integrale e procesit planëzues dhe zbatues të kësaj stërvitje.Gjithashtu stërvitje synoi aftësimin dhe kompaktësimin e  veprimeve të shtabit dhe efektivave të anijeve,{praktikë LIVEX}, rritjen e  ndërveprueshmërisë mes tyre, mjeteve të Forcave Ajrore dhe Forcave Speciale për kryerjen e operacioneve të ndalimit detar dhe zbatimit të ligjshmërisë detare.

Disa nga objektivat e stërvitjes ishin; Reagim i shpejtë i anijeve të Flotiljes Detare në rajon, Rritja e masave të sigurisë në zonën e Operacionit, Neutralizimi i veprimtarisë së paligjëshme në hapsirën detare të operacionit, Përmirësimi i aftësive për të drejtuar operacione në  det sipas standarteve të NATO-s, duke përdorur eksperiencën e  fituar në stërvitjet e përbashkëta të zhvilluara në vitet e kaluara, Aftësimi i drejtuesve në operacion (Anije – Q.Operacionale – Shtab drejtimi) në koordinimin me mjete dhe forca të tjera për kryerjen e veprimeve të sakta në operacionet e ligjshmërisë detare.

Stërvitja “Imponimi – 17”, si aktivitet kryesor stërvitor në det, harmonizoi përdorimin e të gjitha kapaciteteve të Flotiljes Detare (Grupit të Bordimit dhe anijet e Grupit të I-rë Patrullues) dhe institucioneve të tjera të përcaktuara me ligj dhe sipas misionit të Forcës Detare për zbatimin e ligjshmërisë në det.

 

 “IMPONIMI-17”, u zhvillua sipas tre skenarëve :

 

Gjatë skenarit të parë, bazuar në informacionin e marrë,  QNOD disponon  të dhëna të sakta se një gomone e shpejtë me dy persona në bord ështe parë brenda Gjirit të Vlorës, në rajonin Kalaja-Moli i Radhimës. Gomonia ka kryer lëvizje të dyshimta përgjatë gjithë bregdetit në Gjiun e Vlorës, duke lundruar  në gjire dhe vende të fshehta. Dyshohet se gomonia po përgatitet për marrje dhe transport lëndësh narkotike drejt vendeve fqinje. Nisur nga aktiviteti kriminal që pritej të kryhej dhe informacionet se kontrabandistët disponojnë armatim të lehtë, u gjykua se  këta persona përbëjnë rrezikshmëri të lartë dhe mund të reagojnë me armë ndaj efektivave ligjzbatuese.

Kështu, anija e gatshme në Sazan (P-03),  me urdhër  të QNOD,  niset menjëherë drejt rajonit ku është konstatuar mjeti i dyshimtë, me qëllim bllokimin dhe pengimin e daljes së mjetit të dyshuar nga Gjiri i Vlorës, ndërsa Grupi i Bordingut imbarkohet në anijen P-02, P-112 dhe P-133  në vendbazimin e Pashalimanit, të cilat nisen me shpejtësi drejt rajonit ku është konstatuar aktiviteti i jashtligjshëm. Nisur nga vecoritë e këtyre lloje operacionesh dhe informacionet e marra mbi shkallën e rrezikshmërisë së personave në bord, lindi nevoja e ndërhyrjes nga ajri me qellim zbulimin dhe  mbajtjen e kontakteve gjatë ndjekjes për mundësimin e kapjes së mjetit dhe trafikantëve. Nisur nga situata e krijuar, QNOD jep urdhër për të marrë pjesë në operacion një helikopter i Forcave Ajrore dhe një snajper i Forcave Speciale.

Mjetet dhe forcat pjesmarrëse që vazhdojnë operacionin për konstatimin, kapjen dhe neutralizimin e trafikantëve në bordin e gomones, mbas 1 orë kërkimesh  konstatojnë gomonen e dyshimtë të fshehur mes shkëmbenjve në brigjet e Ujit të Ftohtë, njoftojnë Sallën Operacionale/Grupin e Drejtimit të Stërvitjes dhe vazhdojnë operacionin për realizimin e detyrës.

Në kapjen dhe neutralizimin e gomones marrin pjesë të gjitha mjetet dhe forcat në operacion, mjetet detare dhe trupat e bordingut dhe mjeti ajror. Ato bashkërendojnë në vijimësi veprimet për realizimin e kësaj detyre.

Ndërsa gjatë skenarit të dytë u zhvillua një situatë tjetër, konkretisht,

Anija e transportit të mallrave “Ananasi” pasi ka dalë nga Porti i Vlorës është gjendur nën presionin e një grupi trafikantësh armësh, të cilët të ndihmuar nga dy efektiv të anijes (të rekrutuar më parë nga ana e tyre), kanë mundur të hipin në anije dhe nën presionin e armëve kanë urdhëruar kapitenin e anijes për të ndaluar anijen dhe më pas për të ngarkuar në të një sasi armësh dhe municionesh për trafikim. Mbas njoftimit të marrë nga Kapitaneria e Vlorës, QNOD nëpërmjet PGI të Forcave Detare jep urdhër për angazhimin e mjeteve detare në dispozicion dhe efektivit të Grupit të Bordingut për të penguar dhe neutralizuar grupin e trafikantëve të armëve dhe municioneve në anijen e mallrave “Ananasi” në Gjirin e Vlorës.

Salla Operacionale, Grupi i Drejtimit të Stërvitjes i dhanë urdhër anijes P-116, që ndodhej e gatshme në Ishullin e Sazanit të lundrojë  me shpejtësi drejtë anijes së mallrave “Ananasi” dhe të bllokojë lëvizjen e mëtejshme të saj. Në të njëjtën kohë ju dha urdhër Flotiljes Detare Pashaliman, që anijet në dispozicion të imbarkojnë efektivin e Grupit të Bordingut dhe te nisen me shpejtësi në drejtim të rajonit të anijes së mallrave të marrë peng nga trafikantët. Mbas përpjekjeve të përbashkëta të grupit të bordimit dhe forcave speciale të lëshuara në bordin e anijes nga Helikopterët e F.Ajrore, trafikantët neutralizohen dhe arrestohen. Më pas anija “Ananasi” u shoqërua për në portin e Vlorës për veprimet e mëtejshme ligjore. Me bindje themi se, “Imponimi-2017” realizoi synimin kryesor për kompaktësimin e efektivave pjesëmarrëse në operacionet e reagimit ndaj personave dhe mjeteve që shkelin ligjin, duke përdorur të gjitha proçedurat dhe vënien në punë të pajisjeve dhe mjeteve për grupin e Bordingut.

Në fund të stërvitjes u zhvillua skenari i tretë, ku personeli, anijet dhe helikopterët bënë një paradë të shkurtër para drejtuesve e të ftuarëve të vendosur në Kalanë e Vlorës, ishKomanda e Distriktit të II-të Detar, Vlorë. Sigurimi i veprimeve në tokë u bë nga efektiva të Policisë Ushtarake. Në mbyllje, zoti Petro Koci, Zv.Ministri i Mbrojtjes, falenderoi të gjitha ata që bënë të mundur planifikimin dhe ekzekutimin e kësaj stërvitje, veçanërisht ata që ishin në aksione të drejtpërdrejta dhe në kushte shumë të rrezikshme, siç ishte procesi i bordingut nga deti edhe nga ajri. Zoti Koçi theksoi se, “Imponimi-2017”, ishte një stërvitje e cila arriti qëllimin e saj.  Ai tha gjithashtu se, “Sigurisht që hapësira detare shfrytëzohet shpesh nga grupet kriminale dhe Forca jonë Detare në bashkëpunim me policinë kufitare por edhe me institucionet e tjera bashkëvepron për të ndaluar këto grupe dhe për të garantuar zbatimin e ligjshmërisë”. Duke parë nivelin e kësaj stërvitje, ku detarët shqiptarë shpalosën profesionalizmin e tyre në sajë të kualifikimeve të kryera në SHBA dhe vendet e NATO-s, si dhe përdorimit taktik të anijeve të dhuruara nga SHBA, me bindje themi se, realizimi i synimeve të kësaj stërvitje është frut i bashkëpunimit 26 vjecar të Marinës së SHBA dhe Forcës sonë Detare.

Në këtë mënyrë kjo stërvitje përpos të tjerave, justifikoi plotësisht ndihmën e pakursyer të Marinës së SHBA, në këtë 242 vjetor të krijimit të saj, e cila u përshëndet nga detarët shqiptarë nëpërmjet kësaj stërvitje mbresëlënëse.

Filed Under: Reportazh Tagged With: "Imponimi - 17", Shefqet Kerecelli, Stërvitja detare, Vlore

HAJDE SHENGJINI…!

October 9, 2017 by dgreca

-Një mozaik me  16 foto (me pak tekst prezentues) nga Shengjini, në kapercyell të ketij sezioni turistik të verës ’17, ose një foto-reportazh me mbiemer gjysëm-vjeshtorë-

Nga Zeqir Lushaj/

Ky është Shengjini, qyteti ku edhe unë jetoj tash 3 vjet e sa. Ndonese rritet e zbukurohet çdo vit, prap se prap mbetet qyteti që ka vetem një rrugë dhe një shetitore buzë detit. Eshtë një qytet modest në jeten e vet…, por që ka hyre me mbresë dhe emocion edhe në jeten e mijëra e mijëra pushuesve të tij të preferuar nga vendi dhe bota. Eshtë Shen Gjini i At Zef Pllumit.

Shetitorja e Shengjinit në mbremjet verore të kujton bulevardin „Deshmorët e Kombit” në Tiranen e viteve më para që gumezhinte darkave nga shetitjet masive të kryeqytetasve. Ketë vision na e jep sidomos mua dhe dr Besim Ymajt që kemi qenë shumë amatorë të atyre „xhirove“ të Tiraneë e sot sodisim keto shetitje turistesh diku nga kati 10 a 12 i kompleksit “Adriatik” ku Besimi vjen jo veç per plazh por edhe ne fund-java gjate vitit per pak relaks breg-ujorë.

Shengjini, më së shumti është qyteti i dashur i kosovareve. Ketu ata ndjehen më të shtepisë se kerkush tjeter. Sidomos per shkrimtaret e Kosoves ky plazh është shumë i preferuar. Mes dhjetra të tjereve, një nga ata që e donë shumë Shengjinin është edhe publicisti i mirënjohur, juristi i shquar veteran i Prishtinës, bashkpunetori i nderuar i revistes ZemraShqiptare zotri Adil Fetahu që kesaj here na erdhi edhe me librin e tij më të ri PUBLICISTIKE me 415 faqe.

Rana e Hedhur, që ndoshta ua hedh të gjithë plazheve të tjera ngado në këtë breg-Adriatik! Eshtë fantastike, krejt e veçantë, e paparë, por edhe e heshtur që nuk don të ekspozohet edhe aq shume as te shesi mend sepse i kupton edhe pasojat qe mund të bijen mbi të pameshirshem ashtu si edhe në shumë perla të tjera të at’dheut!!

Një kompleks i mrekullueshem e shumë terheqes është në këtë zonë edhe ai me emrin „SIGAL“ ose siç ne të vendit ketu i themi „te Ponari“. Ketu kanë pushuar që nga ish presidenti i Rpublikes Nishani e deri te shumë e shumë njerez të thjeshte nga Shqiperia, Kosova, diaspora e nga shume vende të botes. Manaxherin gjeneral Ismet Ponarin e gjetem në shoqerinë e nje grupi shkrimtaresh dhe perkatesisht siç edhe i shihni në foto, Hasan Selimi nga Tropoja, Nikollë Loka nga Mirdita e Fatmir Halimi nga Prishtina, bashk me romanin e tij të sapobotuar „Dy vdekjet e nje jete“.

Keta 4 nxenes që shihni në foto janë mysafiret e mi më të nderuar të kesaj vere? Pse i klasifikoj të tillë? I pari majtas është Kristjan Çela, komshiu im i cili jeton në Itali dhe ketu vjen veres në pushim. Fiona Konika është nxenese e klases së 8-të në Durres, shoqja në krah është Antonela Perndojaj nga Manatia e Lezhes  si dhe vellai i Fiones, Elio Konika nga Durresi. Keta të tre janë pushues te vila e Kristit dhe Kristi ju kishte „shitur mend“ se komshiu im është shkrimtar dhe ka bere shume libra disa nga te cilat ua kishte treguar atyre. Ata shprehin deshiren të më vizitojnë dhe unë i pres me shumë shumë kenaqesi duke i perjetesuar edhe në këtë foto perballë bibliotekes time modeste në studjon e punes.

Qerim Kurmeka ka mbi dy dekada që jeton në Zvicerr. Kishte 6 vjet pa ardhur në at‘dhe dhe disa ditë i kaloi në plazhin e Shengjinit në zonen Rana e Hedhur e të gjithe mbresat e tij sikur don t‘i shpreh vetem me nje fjalë:

-Fantazi !!

Në këtë zonë bien në sy edhe vilat e Margjoneve, nga familjet me te vjetra të Mal-Shengjinit te zbritur ketu shekuj më parë nga Razma e Shkodres. Në foton që shihni më lart është njera prej tyre, ajo e Shtjefen Margjonit (Qepës), dhe shegat në oborrin e tij, shegat qe jane pema karakteristike e kesaj zone.

Profesor Pashko Sinani dhe familja e tij kanë mbi 25 vjet që jetojnë në Milano të Italisë. Pashku thotë se sa herë vjen me pushime në Durres ku ka dhe shtëpinë e tij në Sukth, po nuk kalova një ditë ketej nga Shengjini nuk e zë që isha me pushime.

Në foto: Pashku me djalin e madh Gertin para hotelit Princ në Rana e Hedhur.

Studentja Anisa Alija bashk me prinderit Gëzimin e Mirelen kanë ardhur nga Shtoi i Shkodres per një drekë, një shetitje e pak plazh në Rana e Hedhur.

Një lajm i mirë per të gjithe ata që i kane makinat me merak: -sivjet, pra kete verë deri te Rana e Hedhur ka shkuar asfalti ndaj nisuni pa ndonjë siklet!

Ini të lutur të mos befasoheni. Krejt papritur edhe sot mbas rreth tre dekada tranzicion bash ketu në zonen turistike mund të gjendeni perballe kesaj parulle të asaj kohe kur këtu mund të kalonin vetem zogjtë e malit fluturim…(Ndoshta akoma u dashka ndonjë e tillë, thjeshtë si relike e të shkuarës pa kthim!)

Ky është doktor Kolë Mëhill Berisha, i zbritur ne breg-deti nga Merturi i Gurit i Pukes, (ose Dr Berisha i Shengjnit). Eshtë plot 104 vjeçarë. Kur të gjithe mileti marrin rrugen e detit Ai merr kazmen dhe ngjitet në mal ku nxjerr bime medicinale. Them se, seshpejti me dr Berishen (e Shengjinit) do të bejmë një bisedë të veçantë per lexuesit tanë të nderuar.

Zjarri ne oxhak e saça mbi prush, ia japin ketij reportazhi mbiemrin: -gjysem-vjeshtorë!

Shumë kosovarë kanë blerë shtepia në Shëngjin. Hykja, (në foto majtas) nusja e avokatit Gani Rexha i Prekazit por me pune e banim ne Mitrovicë shpesh çdo jave por te pakten çdo muaj i kalojne 2-3 dite ne Shengjin. „Aq sa na pelqen plazhi në vere, aq na pelqen edhe edhe në muajt e tjerë të vitit shetitja neper bjeshkë në Malin e Shengjnit e të Rrencit“, -thonë ata.

Në foto: Hykja me nenen e saj Aishen (djathtas) dhe bashkshortja ime Sabrieja.

Iku vera e sivjetshme por deti e qyteti me banoret e tyre janë ketu. Puna dhe jeta vazhdon. Që të jemi më mire që të ecim më perpara. Në qender në Lezhë, gjatë tërë ditës të njejten melodi do degjoni, aty në cep të urës së Drinit:

-Hajde Shengjini!

Eshtë thirrja e shofereve të fugoneve të Shengjinit per pasagjeret e kesaj linje, thirrja që u bë sot edhe titull i ketij foto-reportazhi per ju lexues te dashur të Internetit të kudo-ndodhur.

Filed Under: Reportazh Tagged With: HAJDE SHENGJINI…!, Zeqir lushaj

Pikëtakim i ri me Tiçinon, tek e famshmja Lulja e Gurit

October 3, 2017 by dgreca

Nga Elida dhe Skënder Buçpapaj/

1 BucpapajtMe kolegët tanë të APES-it, javën që shkoi ishim në Tiçino. Ishte një udhëtim i organizuar në partneritet me Swissturismus, nëpërmjet një bashkëpunimi të shkëlqyer me APES. Në Lugano grupin e gazetarëve e pret vetë Mr.Turizmus Federico Sommaruga, që më vonë do të na tregonte për vizitën e tij zyrtare në Tiranë, udhëtimin me teleferik në Malin e Dajtit, kështjellën e Krujës dhe për bregdetin shqiptar që priste ta shihte në një udhëtim të ardhëm.

Portali jonë Zëri i Shqiptarëve, megjithëse më i lexuari shqiptarofolës në Zvicër dhe në gjithë diasporën shqiptare në botë, nuk ka marrë asnjë informacion. Kryeministri Edi Rama flet pastaj për diplomaci ekonomike apo krijon portofol ministrie për emigracionin, kur, në mantatin 4 vjeçar pararendës, nuk ka treguar as interesin minimal për diasporën shqiptare në zemër të Europës dhe në botë.

Por le të kthehemi në kantonin e Tiçinos që të ofron diçka të re sa herë e viziton. Kësaj here grupi jonë do të ishte i përqëndruar kryesisht në qytetin Luganos e rrethinat e tij.

Sapo mbërrijmë pas një udhëtimi komod në klasin e parë befasohemi nga stacioni i trenit ndërtuar tërësisht i ri, i vendosur si në një ballkon mbi lartësi përballë pamjes magjike të Liqenit të Luganos.

Në hotel me të arritur na japin bileta gratis për të lëvizur me mjetet e qarkullimit publik, bus, tren, anije nëpër të gjithë Tiçinon gjatë gjithë kohës të qendrimit. Kjo është një risi tiçineze në mbështetje të turizmit lokal.

Udhëtimi ynë këtë herë në Tiçino përkon me ndërrimin e stinëve, kur vera gjithandej ia ka lëshuar vendin vjeshtës. Por këtu është ndryshe, këtu të dyja stinët duket se kanë bërë një kompromis, për të qenë të pranishme në të njëjtin vend dhe kohë. Me një fjalë, vjeshta ka ardhur, por vera nuk ka ikur. Këtë na e thotë Liqeni që shkëlqen prej rrezeve të diellit; njerëzit që shëtisin të shpenguar rrugëve nën shoqërinë e mjellmave, duke u ndalur nëpër bare e restaurante; jeta e natës alla Dolce Vita.

Tiçino po na pret mrekullisht me ngrohtësinë e qytetit të Luganos dhe mënyrën e organizimit nga ana e mikpritësve për ta prezantuar kësaj here zonën e tyre sa më bukur përmes enogastronomisë të traditës.

Grupi jonë i gazetarëve e nisi mbrëmjen duke ndaluar nëpër bare, restaurante dhe tavernat më pikante të Luganos nisur nga emri i njohur Bernasconi duke shijuar verën dhe specialitetet gastronomike të gjitha me markë nga Tiçino.

Kryefjala e darkave ishte vera Merlot, e llojeve të ndryshme, diku e shoqëruar me lardo të prerë hollëz si fletëza transparente, me llojëra të pafund proshutërash, mishrash të tymosur, djathrash me qumësht dhie e duke mos harruar polentën me kokrriza në ngjyrë të kuqe e të zezë gatuar me kërpudha pylli.

Vera e cilësisë më të lartë arriti kulmin me një Merlot të bardhë përgatitur duke e zhveshur rrushin nga lëkura, një prodhim origjinal vendas.

Teksa na e shërbejnë, të zotët e lokaleve na e shpjegojnë se sekreti i shijes së papërsëritshme të Merlotit tiçinez nuk është vetëm tek teknologjia, por pikësëpari tek toka që e prodhon atë dhe dielli, që ia japin shijen unike.

Lëvizja nga njëri lokal tek tjetri nën shoqërinë e verës bëhet edhe më e magjishme pranë palmave dhe xixëllojave të dritave nga zonat e banuara për rreth liqenit. Përballë na shfaqet Mali Bré krejtësisht i mbuluar nga ndriçimi duke i dhënë një pamje surreale atmosferës mesdhetare të këtyre mbrëmjeve luganeze.

Në qytet ka jetë të pasur kulturore. Përgjatë spostimeve si shëtitje në këmbë nga reklamat dhe nga Patrizia, guida jonë shumë e përkushtuar mësuam se këto ditë në Lugano po kujtohej aktori komik italian Toto.

E reja tjetër është Qendra e Kulturës e Luganos, LAC – Lugano Arte e Cultura e inauguruar me 2015, një ndërtese gjigande me një arkitekturë të jashtme dhe të brendshme nga më modernet e më origjinalet e dizajnuar nga Ivano Gianola. Momentalisht aty po mbahet Festivali Ndërkombëtar i Teatrove. Në këtë qendër kulturore është inkorporuar salla e koncerteve, e shfaqjeve teatrore, ka biblioteke, salla për ekspozita dhe evente si dhe aty është i vendosur edhe muzeumi i ri i artit me një koleksion permanent nga Muzeumi i arteve i Zvicres italiane. Vizitën tonë në Lugano e nisëm pikërisht prej këtej.

E përtërirë është edhe Kisha Shën Maria e Engjejve, të cilën e kishim parë kur ishte në restaurim. Është ndër më të vjetrat, pothuaj e ka themeluar Luganon, ndërsa afresku qendror është më i madhi i periudhës të Renesansës në gjithë Zvicrën pikturuar nga Bernardo Luini, studenti i Leonardo da Vinçit.

Kulmin e udhëtimit tonë e shënon vizita në Monte Generoso (Mali Bujar), ku u takuam nga afër me një nga kryeveprat arkitekturore, firmosur nga akitekti i famshëm vendas Mario Botta.

Në lartësinë 1705 metra mbi nivelin e detit qendron Fiore di Pietra, Lulja e Gurit, një metaforë që nuk ka si të mos i shkojë kullës së ngritur në një nga pikat më piktoreske jo vetëm në Zvicër, por edhe në botë.

Vera që kishim pirë deri në mesnatë nuk na pengoi të zgjoheshim herët sepse programi i ngjeshur fillonte menjehere pas ngrënies të mëngjesit.

Në Stacionin Qendror në Lugano u nisëm për në Capo Lago. Këtu priste treni i vogël dhe nëpërmjet linjës së posaçme hekurudhore bëjmë 9 kilometër rrugë në ngjitje deri tek Fiore Di Pietra.

Për në Capo Lago treni kaloi stacionin e Melides, ku ndodhet Swissminiaturë. Ngjitur me Melide ndodhet Morcote, ku ne për të shkuar atje tre vjet më parë morëm nga Lugano anijen nëpër liqen.
Në Morcote vizituam varrin e Aleksandër Moisiut dhe bashkoshortes së tij. Vjet, më 2016 Morcote u shpall qyteza më e bukur në gjithë Zvicrën.Por kësaj here kishim destinacione të tjera.

Në Capo Logo, bashke me ne në tren kishte plot turistë të huaj dhe zviceranë. Zvicra vizitohet nga rreth 36 milionë turistë në vit, nga këta rreth 20 milionë janë të huaj dhe 16 milionë zviceranë. Tiçino nga rreth 3 milionë.

Treni ku hipëm është i veçantë. Edhe shinat ku ec po ashtu, të përshtatura për sigurinë e ngjitjes në lartësi.

Lexuesin tonë edhe më herët ne e kemi njohur me këtë mjet dhe me këtë infrastukturë të jashtëzakonshme udhëtimi në Zvicër.

Në Lucernë, për shembull, ku pati përdorimin më të hershëm, ky lloj treni i vogël quhet Pilatus, për shkak të emrit të malit të Lucernës, nga kulmi i të cilit mund të shikohen 73 maja malesh. Ideatori për ngjitjen e maleve ishte inxhinieri Eduard Locher në shekullin e XIX. Shumë njerëz e quajtën atë të çmendur, duke parë relievin e thepisur dhe defektet që mund të kishte mjeti në ato vende. Por ideja e tij e çmendur u bë realitet me inaugurimin e linjës hekurudhore. Kjo vepër u ndërtua në 400 ditë nga 600 njerëz. E gjatë 4618 metër, që të çonte nga Alpnachstadi në Pilatus Kulm. Linja u përdor nga një tren me avull deri më 1937. Ajo që sot mbetet një nga vendet më të thepisura në botë është konsideruar një kryevepër inxhinjerike.

Kjo mënyrë udhëtimi është edhe për në Monte Generoso, 125 vjet e vjetër, që pati periudhën e saj të krizës gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur, me rënien e përkohshme të interesit turistik, pronari i atëhershëm e shiti dhe më 1941 atë e bleu themeluesi i Migrosit, Gottlieb Duttweier. Prej atëherë Migros ka përqindjen e saj të aksioneve në këtë infrastrukturë dhe në industrinë përkatëse të turizmit.

Ngjitja nga Capo Lago deri në kuotën 1705 metër të Monte Generoso është më se mahnitëse. Para syve tanë kalojnë të gjithë brezat pyjore dhe të bimësisë. Një adrenalinë të veçantë japin zonat e zhveshura, tejet të rrëpirta. Pika më e lartë e udhëtimit, ku ndodhet edhe Fiore di Pietra, maja më panoramike e Tiçinos dhe nga më të magjishmet e Zvicrës, lejon një shikim 360 gradësh ku spikat Liqeni i Luganos, Lugina e Lumit Po deri tek Apeninet, masivi alpin i Gotthardit dhe Bernina. Më të pasionuarit vijnë këtu për të parë lindjen e diellit dhe gjithë shndërrimet që pëson natyra gjatë trajektores së diellit deri në perëndimin e tij, në një mori të pafundme ngjyrash dhe nuancash. Turistët e dhënë pas aspektit aventuror ndalin në stacionet e ndryshme për të shkelur me këmbë shtigje të vështira malore.
Linja hekurudhore e Monte Generosos, përuruar më 1890, është një ndër të parat e ndërtuara në Zvicër. Ndër vizitorët më të famshëm të saj janë Mbretëresha Margerita e Savojës, Princi i Kurorës më vonë Mbreti i Italisë Viktor Emanueli III, Princesha Enriketa e Saksonisë, Mbreti Boris i Bullgarisë, Mbretërsha Xhovana e Savojës, romancieri francez Hektor Malot, poetesha italiane Ada Negri e shumë të tjerë.

Hotel restoranti Vetta, i ndërtuar në truallin ku deri atëherë ndodhej Hoteli Kulm, do të mbyllej më 2010 për shkak të një fundosje që ndodhi poshtë ndërtesës, nga rrëshqitja e një shkëmbi. Prishja e ndërtesës zgjati deri më 2014 dhe Migrosi vendosi të ndërtojë një restorant të ri panoramik. E kjo iu besua kujt tjetër post arkitektit tiçinez me famë botërore Mario Botta.

Fiore di Pietra është një ndërtesë tetëkëndëshe e përbërë nga tetë “petale”. Tetë “petalet” janë prej gurësh gri. Në pesë katet e kullës ka dalje nga të gjitha anët tek dritaret e gjera që përshkojnë gjithë katet. Në mjediset e brëndëshme ndodhet restauranti, një tjetër restaurant self-service, të dyja me kapacitet për 120 vetë, salla e konferencave e të tjera ndërsa pjesa e posaçme është tarraca në majë të ndërtesës nga mund të kundrosh nga të gjitha anët panoramat, duke të krijuar ndjesinë se je në avion dhe me dorë mund të prekësh qiellin.

Arkitekti Mario Botta e konsideron realizimin e këtij projekti që ka kushtuar 25 milionë franga zvicerane si një kthim në zanafillën e tij. Kur ai ishte i ri dhe me miqtë e tij organizonin shpesh udhëtime aventurore duke i kaluar ditët dhe netët e verës në këto lartësi. Që atëherë brenda tij rritej dëshira që të bënte diçka për të rinjtë e vendlindjes.

Fiore di Pietra u përurua më 29 mars 2017 dhe u hap për publikun më 8 prill.

Grupin tonë të gazetarëve e pret një tjetër surprizë. Ne jemi të privilegjuar sepse tek Fiore di Pietra na pret i biri i arkitetit Mario Botta, Tobia Botta, edhe ky arkitekt, tejet i pasionuar dhe i dashuruar pas veprës së babait të tij që na e zbërthen metaforën e Lules së Gurtë. Në tren, gjatë rrugës të kthimit Tobia Botta, i jep një intervistë të plotë kolegut tonë dhe presidentit të APES Jean Musy.

Ndersa në Lugano temperatura ishte 25 gradë C, në Monte Generoso shënonte 12-13 gradë C. Po kjo është e bukura e Tiçinos.

Prej Monte Generoso në rrugën e kthimit u ndalëm në Capo Lago për të ngrënë drekë. Prej aty morëm trenin drejt Belinconës, kryeqendrën e kantonit, në ceremoninë përuruese të Ignazio Cassis. politikanit.56 vjeçar tiçinas, me profesion mjek i cili prej 1 nëntorit merr detyrën e Ministrit të Jashtëm të Zvicrës, 20 vjet pasi këtë post e mbante një tjetër tiçinas, Flavio Cotti. Ignazio Cassis (Injacio Kasis) u zgjodh në këtë detyrë më 20 shtator, i propozuar nga Partia Liberale Zvicerane, duke pasuar në këtë detyrë Didier Burkhalterin e dorëhequr. Ai ka njëzet vjet karrierë politikë të suksesshme në parlamentin kantonal e pastaj atë federal. Zgjedhja në këtë detyrë e këtij politikani shumë popullor është pritur me entusiazëm në Tiçino. Ai është ministri i tetë në historinë e Zvicrës me prejardhje nga Tiçino.

Tiçino ka një sipërfaqe 2812 kilometër katrorë me rreth 350 mijë banorë, pra dhjetë herë më e vogël se Shqipëria. Në këtë sipërfaqe sektori i turizmit ofron 438 hotele me rreth 20 mijë shtretër ndërsa 30 mijë shtretër të tjerë i ofrojnë shtëpitë e pushimit, pensionet, hotelet për rininë etj. Duke kalkuluar pak që Shqipëria të ketë një turizëm duke patur si model atë zviceran, i duhet të ofrojë rreth 500 mijë shtretër, me këtë infrastrukturë si kjo që ofron Tiçino, ku në çdo cep edhe më të largëtin shkojnë mjetet e qarkullimit publik, dhe ku do të gjesh kudo sigurinë dhe shërbimin me cilësi të garantuar.

Në grupin tonë të gazetarëve dominonin gazetaret kinezë sepse Zvicra është për turistët nga Kina një destinacion që i përmbush të gjitha kriteret. Si model dhe destinacion turizmi Tiçino dhe Zvicra mund të jetë edhe për shqiptarët kudo ku ata ndodhen.

Turizmi i Tiçinos meqë ka një larmi të madhe për shkak të laryshisë së relievit do të ishte një model i shkëlqyer për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, një vend i bekuar nga Zoti dhe i mallkuar nga politika.

Nëse Zvicra do të kishte klimën që ka Shqipëria, do të ishte një parajsë. E megjithatë Zvicra është parajsë nga dora e Zotit dhe e njeriut.

Duke falenderuar Swissturizmus dhe veçanërisht Mr.Turizmus Federico Sommaruga që e shoqëroi grupin tonë përgjatë gjithë guidës turistike, hypim në tren duke e mbajtur kokën prapa sepse sapo treni u nis ne na mori malli rishtas për Tiçinon.

Me shumë të drejtë shkrimtari Herman Hesse, fitues i çmimit Nobel për Letërsi, i cili e pati zgjedhur Zvicrën si atdheun e tij të dytë dhe Tiçinon vendin për të jetuar pjesën më të madhe të jetës deri kur dha frymën e fundit në Montagnolo, thoshte se : “Tiçino është mrekullisht e pasur e tejet e bukur dhe ka gjithçka që nga Alpet deri në pikën më jugore.”

Falenderojmë kolegun tonë, fotografin Pierre Virot për fotografitë e këtij reportazhi.

Ëmbëlsira tiçineze e mikpritjes

LAC – Lugano Art e Kultura

Mr-Turizmos Federico Sommaruga (d) dhe presidenti i APES Jean Musy (m)

 

Patrizia e përkushtuar, njëra nga guidat tona

Aafresku qendror është më i madhi i periudhës të Renesansës në gjithë Zvicrën pikturuar nga Bernardo Luini, studenti i Leonardo da Vinçit

Stacioni i ri i Trenit në Lugano

Merloti i bardhë ?

Lugano natën

Mjellmat të bëjnë shoqëri

Treni që të çon në Monte Generoso

 

Fiore di Pietra kryevepër e Marco Botta-s

Me Arletën, gazetaren zvicerano-braziliane

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Elida dhe Skender Bucpapaj, Pikëtakim i ri me Tiçinon

Festivali i Dytë Mbarëkombëtar“Muza Poetike Budiane”

September 15, 2017 by dgreca

                 FRYMË  POEZIE  NË  MAT/

OLYMPUS DIGITAL CAMERAOLYMPUS DIGITAL CAMERAOLYMPUS DIGITAL CAMERAOLYMPUS DIGITAL CAMERAOLYMPUS DIGITAL CAMERAOLYMPUS DIGITAL CAMERA

Mbresa nga Festivali i Dytë Mbarëkombëtar i Poezisë “Muza Poetike Budiane”, në Burrel/

 NGA PËLLUMB GORICA/*

 Si zogjtë që mblidhen rreth një çerdheje cicëronjëse, poetë nga të gjitha trevat shqiptare mbushën strehën e ndenjave me mataforat e veta, aty ku do të zhvillohej Festivali i Dytë Mbarëkombëtar i Poezisë “Muza Poetike Budiane”, në Burrel, një prej qyteteve më të njohura për brumin e gatuar në magjen e poezisë. Takime të tilla ngjallin interes të veçantë. Ato janë edhe një instrument i fuqishëm shpirtëror, përvojë krijuese, konkurrim, burim dijesh, revokim historie e, çka është më e rëndësishme, ngjarje e rëndësishme për komunitetin e krijuesve. Duhet thënë se, sa më interesante e më të ngjeshura të jenë, aq të bukura shprehen ato edhe në rreshta përmes fjalës së shkruar. Është një arsye më shumë për të shkruar rreth ndjesive që përjeton me thjeshtësi, sinqeritet e ngrohtësi që shfaqën ndjenjat e matjanëve, veçanërisht të poetëve.

Festivali Mbarëkombëtar i poezisë “Muza Poetike Budiane” është në edicionin e dytë për t’a kthyer në traditë. Prandaj, jo vetëm për nga rëndësia, por edhe për pjesëmarrjen e madhe, tregoi vlersimin e poetëve të qytetit dhe posaçërisht të kryetarit të Bashkisë së Matit, z Nezir Rizvani. “Më shumë se më pak e më pak se shumë” do të ishte slogani i shpirtit të trevës, që shpaloset para syve realisht këtu, ku lindi madhështori Pjetër Budi. Ndaj ndjen kënaqësi për këtë fakt, sepse nderimi ndaj figurave të tilla reflekton vlera të pamohueshme shpirtërore. Dhe klubin e tyre letrar matjanët jo pa shkak e kanë emërtuar Pjetër Budi.

Hamdi Hysuka, kryetari i klubit letrar “Pjetër Budi”, Lindita Doda nëkryetare dhe Fatmir Neli sekretar, të ofrojnë një pritje tepër bujare, me ndjenjë fisnikërie, që ndër matjanët është e lartë. Kjo shpërfaqje e shpirtit të tyre me një lloj emocioni të rrallë ndër ne, meriton të përgëzohet, sepse disa flasin dhe recitojnë bukur, disa heshtin, por shkruajnë bukur dhe të tjerë i bëjnë gjërat të ndodhin. Kësisoj, të gjithë bashkë, krijojnë bashkësinë e vlerave.

Mjedisi ku do të zhvillohej festivali, në Lektoriumin e ish-Shkollës së Lartë Jopublike “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” Burrel, u përfshi thellësisht në atmosferën e poezisë, në bisedat e shtruara dhe miqësore për ngjarje e krijime, si gumëzhitje e një zgjoi bletësh, që në aspektin artistik ishte konceptuar me një poetikë të pasur, si vetë poezia, (thjesht e bukur), duke u shoqëruar edhe nga një kërshëri e banorëve artdashës të qytetit. Atmosferën e ndjeshme festive dëshiron ta përmbyllësh me një fjali: Sintezë arti, kulture, me vlerë miqësie si pikëtakim ndenjash poetike.

Orët në tik-take kalojnë të gëzuara dhe të zhytura edhe në ndjenja të natyrshme të kënaqësisë, se je mes njerëzve, me pasione, me vlera, që dhurojnë emocione të bukura, njohje të reja, mendime, të cilat mund t’i shprehësh natyrshëm, sepse mbresat s`harrohen. Ndaj është dukur plot kjo sofër poetike me rrymë gjallërie, ndikuese e ngrohtësie shpirtërore, me kumbim e pa droje dhe magji në vargjet e skalitura nga artistët e shpirtit, me plot dashamirësi bisedash, fllad humori të hollë, këngë dhe fjalë përshëndetëse. Nuk thonë kot se te poetët më së tepërmi mishërohen ndjenja gëzimi, mirësie dhe dashurie, të cilat i përjetojnë me tërë qënien e tyre të shpirtit. Ata janë miqtë besëlidhur të Njerëzimit, që e bëjnë të shëmtuarën të bukur, dhe të bukurën edhe më të bukur. I ndjen këto e nuk mund të rrish pa theksuar realizimin e bukur, sepse doli në pah organizimi me të veçantën e tij, të shpërfaqur edhe në traditën e përhapur mes poetëve të tërë Botës që dhurojnë miqësisht libra. Ndërkohë, këmbimet e mendimeve për poezinë, për botimet, për artin në përgjithësi, në kolorit i bëjnë këto takime interesante e të paharruara, sepse gjendesh edhe mes emrave të njohur të penës si: Basir Bushkashi, Agim Bajrami, Namik Selmani, Nikolla Spathari, Adem Zaplluzha, Gjok Dabaj, Lindita Doda, Agim Desku, Vladimir Muça etj. I shtuan dhe i përforcuan ato edhe interesi i madh i të rinjve të talentuar: Valjeta Krosi, Ermal Lala, Aida Topalli etj, si një domethënie e bukur për të ecur drejt panteonit poetik.

-Sa kënaqësi është për ne të brezit të ri, -shprehet poetesha e talentuar Valjeta Krosi, -të marrim pjesë në festival. Takimet e tilla, njohjet, mbresat e pasurojnë shpirtin sa s’thuhet dhe japin mesazhe miqësie midis krijuesëve.

Prandaj fikson në kujtesë foto e çaste të veçanta që lenë mbresa, veçanërisht humorin e poetit matjan Basir Bushkashi, me batutat plot kripë malësori për pushtetarët që drejtojnë bashkitë, të cilat shpërthenin çiltër, që u pritën me të qeshura e s’ka se si të përshkruhen më bukur.

Në nisjen e festës poetike të bën përshtypje prezantimi i Hamdi Hysukës që, duke u marrë me detyrat e të zotit të shtëpisë, me përkujdesjen e zakonshme në mënyrë që të ndjejnë kënaqësinë e tyre të ftuarit, i jep udhë zhvillimit të festivalit. Salla e tejmbushur si kurrë ndonjëherë me poetë të njohur, por edhe të rinj të tejngopur me ëmbëlsi, mban frymën nga fjala e tij, e cila rrjedh si uji kristalor i burimit, edhe pse ndërpritej herë pas here nga duartrokitjet miqësore të të pranishmëve.

Pas fjalëve përshëndetëse dhe përmes konkurrimit poetik nuk mund të mos fshehësh gëzimin e brendshëm, kur poetët njëri pas tjetrit sjellin artin e shpirtit të tyre me një lum emocionesh gurgulluese, të endur me zjarr frymëzimi. Dhe të ngop fryma e shenjtë e poezisë, që padyshim ishte thelbi i bukurisë së Festivalit të Dytë Mbarëkombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane”, me krijime që bien në sy edhe për individualitete. Diku poezitë shprehnin një lirizëm, diku mendimet rrjedhnin me një shpërthim të natyrshëm të dimensioneve të dhimbjes, duke theksuar kuptimin për jetën, por të harmonizuara e të përshkuara edhe nga ndjenja të thella patriotike. Sepse një emocion që lind në shpirtin e krijuesit ka forcë nëse shprehet bukur. Melodi të lehta i përkëdhelnin vargjet e recituara si fëshfërima e erës, por në mendje të mbetet meliodiziteti pasionant i këngëve të bukura matjane, që begatuan festivalin, duke e bërë më të larmishëm origjinalitetin e mençurisë së fjalës poetike.

Një çast, që gjithsesi i emocionoi të pranishmit, ishte kur juria e festivalit, me pjekuri profesionale prej emra poetësh, që i bëjnë nder poezisë shqiptare si, Hamit Aliaj, Fatmir Gjestila e Lindita Doda, vlersoi e ndau çmime për poezitë më të arrira. Dhe ato i merituan Xhevat Latifi nga Gjilani Çmimin e Parë, Nikolla Spathari nga Durrësi dhe Ramë Oraca nga Podujeva Çmimin e Dytë, Agim Bajrami nga Durrësi, Pëllumb Gorica nga Tirana dhe Dan Brahimi nga Prishtina Çmimin e Tretë.

*   *   *

Pas një dite thuajse të mbushur me  përjetimet e festës së fjalës poetike në Burrel, erdhi koha, kur u duhejt thënë matjanëve: Mirupafshim në takime të tjera!

  • Pellumb GURI eshte bashkepunetor i gazetes Dielli ne Shqiperi. E falenderojme per reportazhet, intervistat dhe korrespondencat qe prej i vitesh ua percjell lexueseve te Diellit.

Filed Under: Reportazh Tagged With: FRYMË POEZIE, NË MAT, Pellumb Guri

VERMOSHI, PERLA SHQIPTARE

September 9, 2017 by dgreca

1 lepusha_vermoshNGA SHPENDI TOPALLAJ/

maje mal

Kur nuk ke shkuar ndonjëherë atje, Malësia e Madhe sepse të përfytyrohet ashtu siç e kanë përshkruar udhëtarët e huaj aq të vëmendshëm në fillim të shekullit që shkoi. Seç të vjen në mendje diçka nga mesjeta; një vend i zymtë, pa shumë dritë dhe me njerëz që rrojnë si në një botë tjetër. Por ja që befasohesh kur e shkel atë dhe vëren që nuk është aspak ashtu. Madje të vjen turp nga vetja që ke ruajtur aq gjatë atë mendim të gabuar. Dhe njëkohësisht mallkon veten që je vonuar aq shumë për ta vizituar këtë krahinë nga më të rëndësishmet dhe me një histori kreshnikësh të mbushur me krenari. Gjatë gjithë rrugëtimit, gjatë asaj lugine rrethuar nga male madhështore, nuk të ndahet shprehja “vend perëndish”. Po, ashtu është e tërë ajo zonë, bukuria e së cilës jo se të le pamend, por ta qartëson mendjen dhe të thotë:”E sheh që nuk e paske njohur fare Shqipërinë? Bindesh tani se edhe parajsa nuk ka sesi të jetë pikturuar më mirë?”.1Kelmend-road-SH20

Kishim kohë që diskutonim këtu në Durrës dhe ja mësë fundi e vendosëm dhe një të shtunë të nxehtë Gushti, së bashku me juristin Eduard Allamani, punonjësin e pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, fotografin Luan Jaupi dhe ekonomistin Përparim Manaj, u nisëm për atje. Rrugët e mira i kanë shkurtuar distancat. Për një orë e gjysmë, mbërritëm në Shkodër. CemiKam jetuar shtatë vitet e fëmijërisë atje dhe më drithërohet zemra kur shkoj në atë qytet. Por sot, nuk hymë në qendër të tij; e anashkaluam nëpërmjet unazës për të marrë rrugën e Koplikut. M`u duk se po ja bëja me të pabesë atij qyteti që e doja aq shumë dhe që më ngjallte aq kujtime. Djathtas e majtas, syri të zë vila të ndërtuara rishtazi, njera më interesante se tjetra. Vetë Kopliku tani është një qytet krejt i ri. Prej aty dhe drejt e në Han të Hotit për pak minuta. Shkuam në Doganë, ku Edi preu siguracionin e makinës. Nuk u vonua; aq na u desh edhe neve për të parë dy rreshta të gjata maunesh të ngarkuara dinga me mallra të ndryshme. Pastaj, makina jonë nisi udhëtimin drejt Tamarës. Pamja në atë malore që nuk ndihej fare, sa vinte e bëhej më piktoreske. Derisa krejt papritur, në një kthesë, ballë për ballë me një masiv malor hijerëndë, na u shfaq një ballkon i ndërtuar posaçërisht me dërrasa dhe xhama, i cili të detyronte të ndalesh e të bëje fotografi. Para nesh, aty kishin ndalur disa të tjerë, turistë, familjarë dhe kalimtarë të rastësishëm, ma celularët nëpër duar, duke pozuar. Si del atje dhe hedh shikimin majtas, mbetesh pa fjalë: të magjepsin Leqet e Hotit me ato kthesat e shumta. 7 vermoshLuani që gjithë rrugën e ka shkrepur aparatin me qindra herë, lëviz sa në njërin krah në tjetrin. Pastaj, ndalemi në Tamarë. Një qytezë e vogël e ndërtuar tani së fundmi e tëra me gurë të latuar bukur. Në mes shatërvani dhe në krah të tij obelisku kushtuar të rënëve antikomunistë. Emrat e tyre janë gdhendur në pllakën e mermerit dhe në krye figura burrërore e patriotit antikomunist Prek Cali. Në nderim të tyre bëjmë disa fotografi dhe zbresim poshtë te përroi plot gurë të mëdhenj. Një pellg me ujin si kristal, sikur ta bën me sy, për t`u futur e freskuar në të. Te kafet e sheshit të shtruar gjithashtu me pllaka guri, në hijen e çadrave ku janë ulur plot vizitorë, ulemi edhe ne dhe pimë nga një gotë raki. Miqtë këtu dallojnë menjëherë dhe ai që kemi pranë, duket se kërkon të hyjë në bisedë me ne. Ka një djalë në Amerikë dhe kuptohet se qysh nga koha e kooperativës, nuk ka zënë punë me dorë. Kalojmë Selcën, ku dallon një kishë me arkitekturë joshëse të cilën thamë se do ta shohim kur të kthehemi. maje malMë pas mbërrijmë në Lapushë, ku Luani që nga makina fotografon një djalë dhe një vajzë, veshur me rroba motoçiklistësh prej lëkure të zezë, që patjetër ishin të huaj dhe që me skafandra në kokë putheshin me afsh. I afrohemi kufirit. Tabela me shigjeta tregonte majtas Vermoshin dhe djathtas Doganën. Ne marrim majtas për të parë Vermoshin që s`qe tjetër veçse një fushë, një luginë plot jeshillëk e rrethuar në të dy anët me male mbuluar me pyje të larta. Një mrekulli e natyrës. Rruga e asfaltuar vazhdon edhe këtu mes për mes fshatit. Personalisht e kisha menduar mal e shkrep Vermoshin, por ja që qenkej ndryshe.

1 sheshiDukeshin njerëzit e ardhur për pushime në oborret dhe lëndinat para hoteleve e restoranteve, që mësë shumti ishin pjesë e turizmit familjar. Ne ndaluam te kisha e madhe e Shën Gjonit, me një shesh të madh përpara, me ujë të bollshëm çezme dhe me dy lapidarë kushtuar martirëve të klerit katolik dhe nacionalistëve antikomunistë. Edhe aty fotografohemi dhe futemi brenda godinës së kishës. Prift, për të shkëmbyer dy fjalë nuk pamë gjëkundi dhe dolëm për të kërkuar një mikun e shokut të Përparimit, me të cilin ai qe njohur në spital. Se ne shqiptarët krijojmë miqësi të forta në ushtri, në aksion, në burg dhe në spitale. Ai quhej Vesal Mitaj dhe lokali i tij, Qershia. E gjetëm menjëherë. Ishte një njeri gazmor që sapo mori vesh se ishim miqtë e Aliut nga Durrësi u bë shend e verë. Hëngrëm në shoqërinë e tij drekën poshtë qershisë ku qenë varur lloj – lloj kafshësh e shpendësh të ballsamosura dhe lëkura të ndryshme, (sido që unë kisha dëshirë të qendronim te ajo dhoma që ai kishte ngritur mbi qershi dhe ku të dukej vetja si në xhungël), ku nuk ngopeshim me bukën shumë të shijshme që porsa e kishte gatuar e shoqja. Kur pyetëm se ku e merrnin miellin dhe Vesali na tha në Mal të Zi, më erdhi keq dhe kujtova simitet e dikurshme të Naumit në Shkodër që me miellin e vendit, jo me Malin e Zi, po as me gjithë botën nuk kishin të krahasuar. U ndamë me të, pasi e siguruam se Aliut në Durrës do t`i jepnim të falat e tij, dhe drejt e në Doganë, por që nuk e kuptuam përse kishin mbetur pashtruar nja treqind metro. Ndofta, tha Përparimi, për të mos i marrë më sysh. Në barakat e kufirit, policët që duhet pohuar se janë përmirësuar shumë si në paraqitje ashtu edhe në sjellje, bisedojnë dhe bëjnë shaka me kolegët e tyre malazes. Duket që janë miqësuar. Pa shumë solemnitete, futemi në Mal të Zi, pra në trojet tona, vazhdim i Malësisë së Madhe,  dhënë dikujt tjetër. Seç kemi një gjendje shpirtërore të pa shpjeguar, një gudulisje në shpirt, një kënaqësi të një lloji të veçantë, një mall ngashëryes, ne shqiptarët, kur vemë në ato vende që edhe pse historikisht kanë qenë tonat, na kanë ndaluar politikat tekanjoze për t`i vizituar. Kanë ndarë për vite e vite me radhë, vëllanë nga motra, djalin nga prindërit, shokun nga shoku. Qëndrojmë për të pirë ndonjë kafe buzë liqenit, në një lokal prej nga përftohet një pamje mbresëlënëse dhe futemi në Guci. Këtu, prej familjes së dëgjuar Shabanagaj, doli Ali Pashë Gucia, ai që i dha lavdi këtij vendi, njëri nga udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit, kryetari i shtabit luftarak të Plavë – Gucisë, luftëtari kundër okupatorëve serbo – malazes, i vendosjes së shtetit kombëtar shqiptar, dhe mytesarifi i Pejës, vrarë në një atentat të pabesë. Pasi vizitojmë qytetin, nisemi për në Plavë e cila nuk është larg. Akomodohemi në një dhomë katërshe në hyrje të qytetit dhe dalim shëtitje. Aty pranë, në një hotel tjetër, kuptohet se po nis një dasmë. Me pamje mjaft të këndshme, detyrohemi të ndalim e ta fotografojmë, kur papritur shohim në oborrin e një vile ngjitur me të, në majë të një shtize të lartë, flamurin tonë kuq e zi. U ngazëllyem dhe u drejtuam për atje. Ndërkohë, i zoti qysh nga dera na përshëndeti, duke na ftuar të hyjmë brenda për një kafe. Ishte një burrë i fisëm, në fytyrën e të cilit lexohej inteligjenca dhe kultura. Por dhe atdhedashuria. Me shumë dëshirë u ulëm rreth tavolinës, aty në freskinë e atij oborri me bar të njomë. Ai quhej Naser Vuçetaj, kurse e shoqja e tij Mane, dhe jetonin prej kohësh në Bernë të Svicrës. Ndërkohë që gruaja mbushi tavolinën me shishe pijesh dhe meze, ne i thamë se na bëri përshtypje flamuri ynë kombëtar. Sa herë vij, shpjegoi Naseri, puna e parë që bëj është të ngre flamurin shqiptar. Pushimet këtu i kaloj çdo vit. Shumëve u bën përshtypje flamuri; ndalojnë dhe mbledhin supet. Sidomos serbëve. Se këtu shqiptarë kanë mbetur vetëm njëzetepesë përqind e popullsisë. Shumë janë larguar jashtë shtetit dhe kjo ikje ka qenë e qëllimshme. Në bisedë futet krejt e lirshme Maneja e cila ka mendimin se edhe malazezët origjinën tonë kanë, dhe me keqardhje shton: por ashtu kanë rrjedhur punët dhe tani nuk para kanë ndonjë dashuri të madhe për shqiptarët. Me vete kisha vetëm një librin tim me poezi të zgjedhura. E nxora dhe ua dhurova. Këtë do ta lexoj unë më parë se më pëlqen poezia, kurse Naseri do historinë – nxitoi të thotë gruaja. Kur po ndaheshim me këta njerëz të mirë, na u lutën të flinim aty. Kur u thamë që kemi zënë hotel, me gjithë zemër na thanë se po erdhët tjetër herë, edhe po nuk qemë ne, shiheni ku e lemë çelsin. Merreni dhe futuni brenda, dhe rrini sa të doni. U dhamë numrat e telefonave dhe u thamë që po të vinin ndonjëherë në Durrës, të na njoftonin. U ndamë me ta si miq të vjetër. Natën, koha u ftoh dhe ra një shi i lehtë. Kishim gati një muaj të tërë që vapa na kishte torturuar. Në mëngjes, Luani pa nga dritarja dhe na tha se retë kanë zbritur në tokë. Ishte një pamje sureale, e liqenit dhe malit përkarshi, ku sipas asaj që na thanë Vuçetajt, në mos gaboj, ishte varrosur djali i Karagjeorgjeviçit (Gjergji i Zi). Pra, pinjolli i nacionalistit të tërbuar serb Gjergj Petroviçit që kishin ushtruar genocidin e paparë ndaj kosovarëve e më tej. Sapo zbardhi, madje edhe duke e ndierë pak të ftohtit, u nisëm për në Vuthaj, ku jo vetëm do shihnim vende të rralla, por dhe që ishte vendlindja e akademikut Rexhep Qosja. Unë kisha dhe një arsye personale, pasi në kohën e komunizmit, prej leximit të librit të tij “Kontinuitete” isha ndëshkuar keq. Nuk ishte larg Gucisë, Vuthaj dhe nuk e di se ç`ndiente njeriu si ne, kur shihte krahas emrit Vuthaj edhe fjalën Vusanje. Kudo vila mes një gjelbërimi prrallor. Në ballkonin e njërës prej tyre, sikur të mos mjaftonte një, i zoti i shtëpisë kishte venë tre flamurë kombëtarë. Kurse një tjetër e kishte gdhendur flamurin e kuq dhe shqiponjën dykrenore mu në faqen ballore të shtëpisë çka dukej që së largu. Dhe ja, në anë të rrugës, një goxha lapidar me flamur sipër. Ndalemi dhe lexojmë: “Isuf Kamer Çela 1909 – 1944 Përjetësi të gjithë atyre trimave vuthjanë e të krahinës së Plavë – Gucisë që na mësuan të mos harrojmë Komb e Atdhe.” Me siguri ishte dora e profesor Qoses në këtë formulim, mendova. Dhe pak më tej, atje te varrezat pranë xhamisë, një varr i dy burrave të tjerë; Çung Tahiri e Isuf Ymeraj (Dedushaj) pushkatuar në vitin 1951. I kishin vizatuar me plis në kokë. Ky i fundit ishte vetëm 22 vjeç. E donin Shqipërinë, ashtu siç e kishte bërë natyra. Dhe komunistët tanë ishin vëllazëruar dikur me vrasësit e tyre. Histori tragjike vrasje shqiptarësh të ndershëm në të dy krahët. Dhe tani varret dhe lapidarët ishin akuza për ta dhe turpi e mallkimi i tyre. Ne vijuam dhe ndalëm te një shesh aty ku qe Syri i Kaltër. Ishte një habi e natyrës, një monument i pashoq, një pus i stërmadh, i thellë pafund dhe me ujë të kulluar. Ca turistë ende të përgjumur dhe si të hutuar nga shiu dhe i ftohti i natës, palosnin me përtesë mbulojat dhe i vendosnin në çantat e tyre të shpinës. I përshëndetëm dhe vazhduam më tutje luginës. Në të dy anët e rrugës tani të pashtruar, nga malet ndër shekuj ishin rrëzuar gurë qikllopikë, ndofta si rezultat i tërmeteve të rënë. Tani të përzjerë me pemë, shkurre, gëmusha e myshk, dukeshin si dëshmitarë të frikësuar dhe të heshtur të ngjarjeve të mëdha. Ja dhe katarakti, Ujvara Gerla ose Syni i Skafkaçit, por tani si pasojë e thatësirës, me fare pak ujë. Këtu mbërritën dhe turistët që kishim parë duke mbledhur shtrojat e mbulojat. Ishin gjermanë dhe qenë gjallëruar disi. Na përshëndetën pëzemërsisht. Kuptohej, se dhe ata ishin të mrekulluar nga ajo që shihnin. Kur u kthyem, pyetëm për shtëpinë e profesor Rexhepit. Ai shtëpinë e kishte pranë e pranë vëllezërve të tij, Halilit dhe Isait. Të treja njësoj. U futëm në atë oborr të pafund dhe sapo na pa, na u afrua Halili. Ngjiste me të vëllanë si dy pika uji, veç ishte më i ri. I dhamë të njohur dhe na ftoi brenda. I thamë se nguteshim, do të shkonim edhe te burimet e Pashait. Bëmë foto me të dhe i u lutëm që t`i jepte të falat tona profesorit kur ta takonte. Krojet ishin me ujë të bollshëm dhe formonin një pellg gjigant. Takuam një grup kosovarësh që kishin ardhur njësoj si ne. U gëzuan që na takuan. Në restorantin “Krojet” ku Luani si koleksionist shihte me admirim gjithë antikuaret popullore që ishin varur mureve a vënë në dysheme, gjetëm pronaren, Hale Gjonbalaj, një grua e shkathët e cila pasi na seviri kafetë u ul me ne në tavolinë dhe piu një gotë të vogël nga rakia jonë që i hodhi Edi. Kishte qenë nja pesëmbëdhjetë vjet në Gjermani dhe ishte kthyer. Jetonte me vëllezërit, të cilët kishin qindra bagëti, për të përballuar fluksin e turistëve që vinin, kryesisht dimrit. Kur fjala erdhi te çështja kombëtare dhe te mundësia perspektive e bashkimit, gati e revoltuar na tha: Nuk bëhet kjo punë duke pritur Evropën. Fishta ka thënë, më falni… Sot puna zgjidhet ndrysh: të çohet i madh e i vogël dhe të shkojnë atje ku qetë ju dje, te kufiri dhe të merret gjithçka e të hidhet në kanal. Ndryshe lodhemi kot. Na vuri në mendime kjo grua kurajoze. Ja tani thoja me vete se shtypja do të ketë qenë e padurueshme, gjersa miku im Myftar Gjionbalaj që kishte qenë drejtor i gjimnazit “Naim Frashëri”, qysh fëmijë, la shtëpinë dhe këtë vend të magjishëm dhe së bashku me një shokun e tij, u arratis në Shqipëri. Dhe me këto mendime në kokë, morëm rrugën e kthimit. Si kaluam kufirin dhe ecëm nja tre çerek ore, ndaluam te kisha e Selcës. Ajo qe e mbyllur, por në oborr, në një trug peme, dikush, një skulptor për ne i panjohur, kishte gdhendur Krishtin e kryqëzuar. Ishte një vepër mjaft e bukur arti, ndaj qendruam gjatë duke e soditur. Kur u nisëm për të ikur, takuam një djalë të parruar. Gabimisht e vlerësova si ca të metë që vinë rrotull fshatit dhe mezi presin të takojnë ndonjë të ardhur nga qyteti. Jo; ai ishte fare në rregull dhe kur e pyeta se nga e merrni ujin, m`u përgjigj se ujë nuk kemi fare, vuajmë shumë nga mungesa e tij dhe askush nuk interesohet. Harrojnë që edhe ne njerëz jemi dhe nuk po kërkojmë ndonjë gjë të madhe. Na u dhimbs ai dhe gjithë banorët e atij fshati që kishin aq besim te mirëbërjet e Krishtit. Kur kaluam Tamarën, tani që qe kthyer dhe i nxehti, nisën celularët që kishin heshtur gjatë nga mungesa e valëve. Morëm ato dredhat e këndshme të Leqeve të Hotit dhe duke zbritur pamë se lokalet ishin plot e përplot me klientë dhe shumica qenë dasmorë. U kujtuam se ishte e dielë dhe kishin ardhur refugjatët. Si anashkaluam sërish Shkodrën, kthyem te ura e re për Shirokë për të drekuar, por aha.., nuk gjetëm asnjë vend të lirë deri afër Zogajt në ndonjë nga restorantet e shumtë buzë liqenit. Vetura pa hesap, të reja flakë dhe o zot, sa të kushtueshme. Dikur, pas një vizite, kisha shkruar se Shkodrës i qe kthyer buzëqeshja, po tani, ç`më mbetej të thoja? E vërteta ishte se po bëhej më mirë. Dhe besoja se edhe në rrafshin kombëtar, kohë më të mira do të vinin.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Shpendi Topallaj, VERMOSHI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 121
  • 122
  • 123
  • 124
  • 125
  • …
  • 192
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT