• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVË, DITË MARSHI PAQËSOR

October 23, 2015 by dgreca

-Dhe seance në Kuvendin e bllokuar nga opozita/
-Derisa ka “veprime të dhunshme në institucione dhe jashtë tyre, të cilat janë të papranueshme dhe rrezikojnë të lëndojnë konsensusin demokratik”, për sot në Prishtinë paralajmërohet marsh paqësor organizuar nga shoqëria civile/
-“Pozita e opozita s’ndryshojnë qëndrimet, qytetarët kundër dhunës”, theksohet sot në një kryetitull të ballinave të shtypit të Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Tetor 2015/ Në Prishtinë sot është një ditë e gjatë ngjarjesh, deri në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të ftuar nga Kryesia e shefat e grupeve parlamentare, pa përfaqësuesit e opozitës, për në orën 16:00, gjatë dhe pas saj. Derisa Kuvendi nuk ka arritur të përfundojë asnjë seancë plenare ka më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, ndërsa në bllokimet nga opozita të ndërprera edhe me hedhje gazi lotsjellës e të vezëve, me “rrethime” të foltores e kryesuesit, edhe mes fërshëllimash e fjalori të ashpër, Presidentja e Republikës i ka ftuar “për dialog politik partitë parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, ka takuar ndaras liderët e pozitës dhe opozitës, dhe sot priten përpjekjet që t’i takojë “përfundimisht, në mirëbesim, në tryezë të përbashkët”, para seancës së Kuvendit.
Derisa ka “veprime të dhunshme në institucione dhe jashtë tyre, të cilat janë të papranueshme dhe rrezikojnë të lëndojnë konsensusin demokratik”, për sot në Prishtinë paralajmërohet marsh paqësor organizuar nga shoqëria civile.
“Duke e përcjellur me shqetësim rrjedhën e situatës politike të krijuar në vend, organizatat e shoqërisë civile, sot duke filluar nga ora 11:00 do të organizojnë një marsh paqësor simbolik për të adresuar mesazhet e tyre lidhur me zhvillimet e fundit”, është bërë e ditur në një konferencë për shtyp.
Marshi paqësor nis nga Sheshi Zahir Pajaziti dhe përfundon te Kuvendi kosovar, me thirrjen që “dhuna të mos jetë pjesë e veprimit politik si brenda ashtu jashtë institucioneve të Kosovës” dhe se mesazhin se “gjuha e dialogut politik është forma e vetme e zgjidhjes së problemeve politike”.
Organizatat e shoqërisë civile shprehen se, mbështesin iniciativën e Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga për takim me liderët e subjekteve politike parlamentare, në funksion të tejkalimit të gjendjes së krijuar dhe inkurajojnë subjektet politike për gjetjen e zgjidhjeve konkrete për normalizimin e jetës parlamentare dhe institucionale në vend.
“Thirrja e seancave plenare pa ndryshim të qëndrimeve dhe rrethanave politike, nuk i shërben daljes nga situata e krijuar politike, përkundrazi ajo mund të ndikojë në përshkallëzimin e mëtutjeshëm të saj”, theksojnë në një deklaratë 20 organizata të shoqërisë civile kosovare.
Mbledhja plenare e Kuvendit, e ndërprerë më 15 tetor, të vazhdojë sot në orën 16:00, ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen ku ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, kurse munguan ata të partive opozitare.
“Thirrja e seancës së Kuvendit të Kosovës është provokim dhe papërgjegjëshmëri politike”, ka deklaruar opozita kosovare.
Opozita paralajmëron se, “nuk do të ketë vazhdim të seancës për sa kohë që nuk ka tërheqje nga marrëveshjet”.
“Protestën nuk do ta ndalim pavarësisht se në çfarë ore mbahet seanca dhe sa kërcënuese është policia e pushtetit. Qeveria e ka sjellur këtë situatë jashtëzakonshmërie në Kosovë. Ne si deputetë të opozitës as nuk do të zbrapsemi e as nuk do të pushojmë deri sa të tërhiqen marrëveshjet që e cungojnë Republikën dhe territorin e saj”, ka ritheksuar qëndrimin e paralajmërimin e saj opozita e bashkuar.
Pjesë ekundërshtimeve të opozitës janë edhe protestat në rrugë dhe grumbullimet e veprimtarëve e qytetarëve para Kuvendit në orët e seancave, që mund të ndodhin edhe sot, si dhe një peticion me mëse 200 mijë nënshkrime deri tani, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’ dhe faljen e tokave të Kosovës Malit të Zi”, ka paralajmëruar opozita në deklaratën e përbashkët të tre partive, LVV, AAK e Nisma. Opozita shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që do të thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë sebe në Kosovë.
Në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile e Kosovës, ku merrnin pjesë edhe deputetë, është shprehur edhe opinioni se, “thirrja e seancës parlamentare për sot, pa përfunduar diskutimet te Presidentja, është një provokim për dhunë dhe mund të sjellë një fundjavë të tensionuar”.
“Pozita e opozita s’ndryshojnë qëndrimet, qytetarët kundër dhunës”, theksohet sot në një kryetitull të ballinave të shtypit të Kosovës.
Me qëndrime të betonuara dhe gjuhë të acaruar, që nuk arriti t’i zbusë as dialogu i presidentes Jahjaga, pozita dhe opozita do t’ia mësyjnë edhe seancës së radhës, e cila mbahet sot pasdite,shkruan gazeta Koha Ditore.
Partitë në pushtet nuk kanë treguar nëse ka ndryshim skenari përballë bllokadës së paralajmëruar të opozitës.
Por gazeta merr vesh se ekziston dakordim mes partnerëve të koalicionit PDK- LDK, me përkrahjen edhe të ndërkombëtarëve, që të zbatohet plotësisht Rregullorja e Kuvendit, e cila parasheh edhe futjen e masave shtesë të sigurisë.
Masa të forta kontrolli për deputetët dhe të tjerët që hyjnë në Kuvend do të ketë në hyrje-daljet e Kuvendit. Por, këto masa në seancën e kaluar nuk kishin ndaluar futjen e gazit lotsjellës prej opozitës, madje me dyfishim doze, përkujton gazeta.
“Paralajmërohet bllokim i séances”, është titulli në ballinë i gazetës Zëri.
Kjo gazetë shkruan se, Kuvendi i Kosovës pritet sërish që sot të përballet me “betejën” e radhës së opozitarëve, të cilët me çfarëdo forme do ta pamundësojnë zhvillimin e punimeve të legjislativit, ku nuk përjashtohet mundësia e përdorimit të gazit lotsjellës dhe përleshjes në mes ligjvënësve.
Spektri politik opozitar që tashmë është bashkuar në një front të përbashkët nuk lëkundet nga qëndrimet e veta, për të bllokuar punën e Kuvendit. Pavarësisht se janë dhënë sinjale se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese përmbajtjen e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, një nismë e tillë nuk pritet t’i zmbrapsë opozitën rreth zhbllokimit të punës së Kuvendit.
Opozita thonë se nuk u beson vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe sipas këtij blloku, vetëm nëse tërhiqen marrëveshjet e arritura atëherë mund të vazhdojë puna në Kuvend.
Zyrtarë të “Vetëvendosjes” deklarojnë se iniciativa eventuale e presidentes Jahjaga për ta dërguar në Kushtetuese përmbajtjen e marrëveshjes për “Zajednicën”, siç e quajnë nuk do t’i tërheqë nga bllokada e punës së Parlamentit.
“Gjykata Kushtetuese është institucion i kapur nga pushteti. Ne nuk besojmë në kredibilitetin dhe legjitimitetin e këtij institucioni. Pranueshmërinë e lëndëve dhe vendimet e saj, kjo gjykatë i merr në bazë të interesave partiake të partive në pushtet e jo në bazë të Kushtetutës së vendit”, kanë thënë zyrtarë të kësaj partie, cituar nga gazeta.
—

Filed Under: Reportazh Tagged With: Kosove, mardshimi paqsor, shoqeria Civile

“Ditët e Naimit”- Perfundoi Edicioni i XIX

October 21, 2015 by dgreca

Poetët e mbi njëzet vendeve të botes prej 15-18 tetor nderuan Tetovën, Naimin, shqiptarët… Edicioni i XIX i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” ishte një festë e madhe poetike e kulturore. Ky festival tradicional dhe me karakter ndërkombëtar u zhvillua në kryeqendrën e shqiptarëve të poezisë -Tetovë. Në kuadër të programit të tij u mbajtën një sërë aktivitetesh poetike, artistike dhe kulturore. U mbajtën lexime letrare, u promovuan libra poetik u hap një ekspozitë me piktura dhe u bënë vizita të ndryshme në monumentet kulturore, historike dhe fetare. Në te morrën pjesë poetë me një shtrije të gjërë, si: Taro Aizu (Japoni), Anna Rostokina (Rusi), Annat Zecharia (Izrael), Fernando Carrera (Meksikë), Adriana Hoyos (Kolumbi), Daniel Leuwers (Belgjikë) Basri Çapriqi (Mali i Zi), Giuseppe Napolitano dhe Irene Vallone (Itali), Dustin Jessica dhe Dustin Despal (SHBA), Dalila Hiaoui (Marok), Agim Mato (Shqipëri), Niels Hav (Danimarke), Ricardo Rubio (Argjentinë), Eduard Harents (Armeni), Rodney Saint – Eloi (Kanada), Silke Liria Blumbach (Gjermani), Glorijana Veber (Slloveni) Violeta Zllateva dhe Slaxhana Stojçevska (Maqedoni), Ndue Ukaj (Kosovë, Manjola Brahaj (Shqipëri), Remzi Salihu (Maqedoni), Brikena Qama (Shqipëri / Greqi) dhe Lindita Dushku (Kosovë).
Hapja ceremonisë festive të Edicionit të XIX të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë përmes një performance të shkëlqyer fishekzjaresh, para Qendrës së Kulturës “Naim Frashëri”, në Tetovë. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, laureati shqiptar Basri Çapriqi, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, vendosën buqete lulesh para shtatores së poetit tonë kombëtar “Naim Frashëri”, i cili ndodhet në qendër të Tetovës. Më pas, në foajenë e Qendrës së Kulturës u hap ekspozita e pikturave të Uran Limanit dhe të pranishmëve ju ndanë katalogjet e pikturave, broshura të fotografit të ri tetovar Jetmir Sejdiu dhe Antologjia e Festivalit.
Edicionin e XIX të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” e hapi kryetarja e komunës së Tetovës zonj. Teuta Arifi, e cila në mes tjerash tha se, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” është një aktivitet i rëndësishëm që mbahet në qytetin e Tetovës, ku mblidhen çdo vit poetë nga vende të ndryshme të botës. Ne e kemi mbështetë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen. Dëshiroj ta përgëzoj drejtorin e Festivalit, Shaip Emërllahu për këtë punë të mirë që bën.
Në vazhdim, drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, nënvizoi, se, ‘Në çdo hapje Festivali kam nënvizuar rolin dhe rëndësinë që ka ky projektshënjues letrar e kulturor në njohjen, afirmimin dhe në ngritjen e modeleve të ndërkomunikimit në rradhë të parë në mes poetëve dhe pastaj të atij me publikun. Kam azauruar fjalorin që ka të bëjë vlerën që bartë ky operator kulturor dhe letrar në ngritjen e urave ndërkomunikuese, prandaj meqë për afro dy vjet në këtë skenë nuk lexova kurrë poezinë timen, më lejoni ta bëj ate sot.”
Në hapje të Edicionit u ekzekutuan edhe dy pika muzikore; nga kitaristi Naser Dula (Kosovë), si dhe një nga violinisti, Shkëlzen Pajaziti.
Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, poetët nga vendet e ndryshme lexuan poezitë e tyre, ndërkaq kryetari i Jurisë Salajdin Salihu lexoi motivacionin, kurse drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu ia dorëzoi çmimin e madh ‘Naim Frashëri’ që jepet për “Vlera të larta artistike”, si dhe ia ndau titullin Anëtar Nderi të Festivalit, laureatit nga Mali i Zi, Basri Çapriqi. Me këtët rast, laureati Çapriqi, falenderoi organizatorët dhe Jurinë për dhënien e këtij çmimi të lartë të Festivalit.
Të kujtojme se, titullin Anëtarë Nderi të Festivalit, deri tani, e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray, (Francë), Eva Lipska (Poloni), Craig Czury (SHBA), Tua Forsstrom (Finlandë), Athanase Vantchev de Thracy (Francë), Sebastiano Grasso (Itali) etj .
Në ditën e dytë të Programit, poetët shkuan në Teqen Arabati Baba, ku u në një nga ambientet e saj mbajtën orën letrare “Poetë dhe vargje”.
Në ditën e tretë u përuruan tre libra të poetëve pjesëmarrës si: “Prapa hënës” të laureatit të Festivalit, poetit danez Peter Poulsen (në gjuhën shqipe), “Concerto” i poetit belg Daniel Leuwers në gjuhën italiane, si dhe librin “Duet of Rieds” të poetëve Shaip Emërllahu dhe Taro Aizu nga Japonia të botuar në gjuhën japoneze dhe angleze nga shtëpia botuese (Junpa Books-Kobe). Për librat folën kritikët dhe poetët Xhuzepe Napolitano, Ndue Ukaj dhe Taro Aizu.
Festivali u mbyll me orën e madhe letrare ‘Meridiane poetike’, e cila u mbajt në Sallën e Fakultetit të Arteve të USHT-së, ku poetët lexuan poezitë e tyre dhe u ndanë edhe çmimet e tjera letrare të Festivalit. Çmimi, që jepet për karierë letrare, ‘Ditët e Naimit’, iu nda poetit japonez Taro Aizu nga Japonia, çmimi për vlera të veçanta poetike ‘Menada’ iu dha poetit me belg Daniel Leuwers, çmimin letrar për ciklin më të mirë poetik ‘Oaeneumi’ e mori poeti danez, Niels Hav, çmimin letrar ‘Qiriu i Naimit’ iu dha poetëve Jessica Flyyn dhe Dustin Nispel nga SHBA, si dhe poetit tetovar Remzi Salihut dhe çmimin letrar për shprehjen poetike me emrin e poetes “Silke/Liria” e mori poetja ruse Anna Rostokina.
Drejtoria e Festivalit edhe në këtë edicion botoi antologjinë e poezive të poetëve pjesëmarrës ‘Zërat e ujit” të përgatitur nga Shaip Emërllahu.
Festivalin e udhëhoqi moderatorja Verjana Abazaj. Poezitë në gjuhën shqipe i lexoi aktori Arsim Kaleci, kurse me kitarë i shoqëroi Naser Dula. Skenën e ideoi piktori Nevzat Bejtuli-Kica.
Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës, Komuna e Tetovës, Komuna e Zhelinës. Sponzorë të këtij edicioni ishin “Hit Oil”, “Arbi”, “Sirena”, “Kurtishi, “Hajri Kom”, ”Jehona event” “Allprint” dhe “Nasir tours”.
A. Arsllani

Filed Under: Reportazh Tagged With: “DITËT E NAIMIT”, A.Arsllani, Tetove

NJË “DREKË LETRARE”,NË BREGDETIN E DURRËSIT…

October 20, 2015 by dgreca

Nën kujdesin e mikut, Kadri Tarelli/
Nga Murat Gecaj/
1.Kishte disa ditë që, kolegu e miku ynë i përbashkët, Kadri Tarelli, arsimtar veteran e publicist i njohur, e kishte “projektuar” një takim të ngrohtë, ndërmjet disa krijuesve ose, siç po dëshiroj ta pagëzoj tani, një “drekë letrare”. Nuk ishte hera e parë, që ai e bënte një gjë të tillë. Megjithatë, kësaj radhe kishte një arsye tjetër të përligjur. Pra, jo shumë kohë më parë, ai bëri një operacion jo aq të vështirë, aty në qytetin bregdetar, por që pas tij iu desh të qendrojë afër tri javë në spital. Sigurisht, lidhjet me mikun tonë nuk i ndërpremë, në ato ditë të pakëndshme për të. Dikush i bëri vizitë në spital, ndërsa të tjerë i telefonuan, për ta mësuar gjendjen e tij shëndetësore, por edhe për t’ia larguar sadopak mërzinë njohur, që përjeton secili, kur ndodhet brenda mureve të një spitali.
Ndoshta, u zgjata paksa, në këto radhë hyrëse. Ndërsa, po e zbuloj këtu një “sekret”. Megjithëse dje ne u takuam me Kadriun dhe kaluam së bashku jo pak orë, me sa di unë, asnjëri nga ne nuk pyeti as nuk bisedoi, për sa tregova më lart. Pra, dashur pa dashur, sikur e lamë të gjithë pas krahëve ose në harresë, atë që kishte ndodhur. Kjo gjë erdhi se, për fat të mir, miku ynë Kadri tani është i shëruar e në gjendje të kënaqshme shëndetësore dhe urojmë që ai të jetë i tillë, përgjithnjë!
2.Pasi gjatë udhëtimit ishim lidhur 2-3 herë me celular, kur zbritëm nga autobusi i linjës Tiranë-Durrës, unë dhe miqtë e mi, Viron Kona e Bashkim Saliasi, e takuam Kadri Tarellin në stacionin e trenit. Sakaq, aty ia mbërriti me veturën e tij, ish-drejtori i një gjimnazi të atij rrethi bregdetar, Bajram Gashi. Kështu, të katër shkuam në afërsi të Detit Adriatik, përballë Universitetit të Durrësit. Me shaka, i thamë mikut tonë vlonjat, Vironit, se ai nuk shkëputet ose nuk qetësohet dot, pa dëgjuar shushurimën e valëve të Adriatikut…
Kur po ecnim drejt një lokali mikpritës, në bregdet, pamë që aty na prisnin kolegë e miq të tjerë, të cilët i kishin të njohur që më parë. Sigurisht, kjo ishte një suprizë tjetër e Kadriut dhe befasi e këndshme për ne. Ja, po ua tregoj emrat e atyre, që tashmë janë të njohur, në fushën e letrave dhe të botimeve: Vaso Papaj, Shpend Topallaj e Agim Bajrami.
Pasi kishim zënë vend rreth dy tavolinave, duke përshëndetur e kërkuar të falur për vonesën e saj të përligjur, aty mbërriti poetja Merita Kuçi-Thartori, drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare”14 Nëntori” të Durrësit. Me atë, ishim takuar e njohur edhe më parë, pra kur shkollën e saj e vizituam bashkë me arsimtarin e krijuesin e njohur shqiptar, me banim në Boras të Suedisë, Sokol Demaku.
Si për ta “ëmbëlsuar” tërë takimin tonë, Merita na vuri përpara disa pasta, që i shijuam të gjithë me kënaqësi. Ndërsa Bajrami na gostiti me produkte nga shtëpia e tij në fshat, si djathë dhe speca turshi me gjizë, aq të kërkuar, sidomos gjatë pijes. Nuk mund të lë pa përmendur këtu, se unë u “vetëpërjashtova” nga mezetë, me peshk e prodhime deti edhe pse jam rritur brigjeve të Valbonës kaltëroshe. Ka vite që nuk e ha peshkun, edhe pse në fëmijëri shpesh i kam ngrenë troftat pikaloshe, që i zija me koshin e thuprave të shelgjeve, i shoqëruar nga bashkamoshatarët e mi?!
Kur tavolinat u mbushën me gjitha të mirat dhe ngritëm dollitë e para, bisedat tona morën “zjarr”. Kadriu nuk harroi ta çonte shëndetin edhe për një të ftuar tjetër, në këtë takim, pra për arsimtarin e publicistin Sejdo Harka, i cili nuk mori dot pjesë, për arsye familjare. Siç mund ta nënkuptojë secili lexues i këtyre radhëve, pothuajse tërë kohën, bisedat tona u sollën rreth krijimeve e botimeve tona, për letërsinë e artin etj.
Ndërsa mjedisi u gjallërua më tepër, kur fjalën e morën poetët. Ata nuk mbajtën “fjalime”, por nisën të lexonin poezi të tyre, sigurisht, ndër më të zgjdhurat. Kështu, recituan bukur e me pasion: Vasoja, Shpendi e Agimi. Përkrah kishim edhe Meritën, e cila nxori nga çanta disa fletë të thjeshta, ku e kishte të derdhur frymëzimin e saj poetik. Kështu, ajo recitoi me pasion e frymëzim, dy-tre krijime të bukura të saj.
Ju kërkoj ndjesë këtyre kolegëve, që nuk arrita t’ua shënoj dot titujt e poezive të tyre, që recituan. Por nënvizoj se ato ishin me tamatikë të larmishme, që nga ajo atdhetare e shoqërore, për dashurinë etj. Pas çdo rectimi, nuk munguan as duartrokitjet tona, në shenjë pëlqimi e miratimi, si të poezive dhe recitimeve.
3.Nuk dua të zgjatem më shumë, në këto pak radhë, por tregoj se, pasi qendruam aty jo pak kohë, me pëlqimin e të gjithëve bëmë një shëtitje pranë brigjeve të Adriatikut.Me atë rast, së bashku, bëmë disa fotografi, për t’i patur kujtim nga ajo “drekë letrare”. Vërtetë ajo u organizua, ashtu si spontanisht, por na la mbresa të pashlyera në kujtesë. Prandaj, falënderimi ynë shkon, së pari, për “sebeçiun”, kolegun e mikun tonë të përbashkët, Kadri Tarelli. Gjithashtu, e falënderojmë mikun Sh.Topallaj, i cili na dhuroi, me nënshkrim, disa libra të tij, si: “Ironia e moshës”(poezi të zgjdhura), “Unë kam qenë në Mat’hauzen”(roman biografik, për tropojanin Ahmet Zenel Çekaj) etj. Mirënjohje shprehim edhe për arsimtarin veteran, B.Gashi, i cili na shoqëroi, me makinën e tij, deri në kryeqytet. Kënaqësi ishte për mua, kur sëbashku e sollëm në kujtesë këngëtarin e njohur popullor, Dervish Shaqja e ai më dha një kopje të shkrimit, shoqëruar me dy fotografi, që ka publikuar, “Dervish Shaqja: 30 vjet, në dorë sharki, zemrën në Kosovë dhe vetë në Shqipëri”.
…Urojmë e shpresojmë që, përsëri e përsëri, ne do të shihemi, të çmallemi e të bisedojmë përzemërisht me njëri-tjetrin dhe, pse jo, të recitojmë e të këndojmë, së bashku. Se kështu jeta jonë bëhet më e bukur, merr ngjyrat e kaltra të Adriatikut dhe të luleve plot aromë, që ndodhen pranë tij.
Tiranë, 20 tetor 2015

Filed Under: Reportazh Tagged With: Dreke letrare, Kadri Tarelli, Murat Gecaj

VJESHTË NË BYSHEK

October 14, 2015 by dgreca

SHKRUAN:PËLLUMB GORICA/
Gjithmonë i pres me dëshirë udhëtimet eksploruese në gjirin e natyrës aq më shumë, në ato vende që lidhen me histori misteresh. Kur udhëton nëpër peizazhet piktoreske të trevës së Elbasanit, sikur heq nga supet rutinën e përditshmërisë dhe me gëzim lëshohesh në monumentet e natyrës piktoreske. Udhëtimi drej natyrës piktoreske të Byshekut është vërtet kënaqësi.
Bysheku ndodhet, 7 km nga qyteti i Elbasanit, në një zone disi të pyllëzuar, pjesë e krahinës së Shpatit. Vend i bukur me histori e legjenda mbresëlenëse, me njerëz të mençur, krenarë e shumë bujarë. 
Rruga për atje ndjek rrjedhën e kundërt të lumit Shkumbin, ku natyra ka krijuar një luginë piktoreske. Kushdo që vjen këtu ndihet i mrekulluar nga larmia e koloritit të natyrës, që harmonizohet me ndërtimet, të cilat shndrisin nën rrezet e diellit. Kjo larmi e peizazhit e bënë më interesant udhëtimin tonë e të shoqëron këndshëm. Fshatrat janë të sistemuara me shtëpi të reja, toka të mbjella me bimë bujqësore e pemë frutore. Përtej luginës, përfund një pylli me plepa, shelgje e rrepe si një shirit ngjyrash, rrjedh lumi Shkumbin, ndërsa tutje nga lindja mali Bukanik të shfaqet madhështor, dhe të afron pamje të tjera të mrekullueshme e të papërsëritshme. Ai këtu është i menjëhershëm në ngjitje dhe i rri si mburojë kësaj lugine. Ecim rrugës dredha – dredha, duke soditur peizazhet. Një flladi i lehtë me aromë frutash të përkëdhel fytyrën. Ndërsa qiell i kaltër dhe dielli të përshëndet, sikur natyra ka vendosur të na e bëj dhuratë këtë ditë. Përpara të shpaloset me tërë bukurinë e saj të rrallë panorama e Byshekut: një mrekulli e natyrës me një sharm mahnitës. Rrepet janë një tipar i veçantë dhe pasuri drusore monumentale, ashtu siç është një tjetër karakteristikë e këtij vendi freskia. Është ajo çka përbën mbresën e parë sapo shkel këtu.
– Është një kënd vërtet shumë i veçantë, – të thotë Ahmet Mehmeti, miku ynë poet, por edhe specialist i njohur i pylltarisë. Bysheku është një kontrast jetsor përballë ajrit të ndotur dhe betonizimit pa kriter. Ndaj, peizazhi i tij në çdo stinë të mrekullon me çlodhjen, qetësinë, argëtimin.
Dora e “piktores” së paarritshme, Vjeshtë në këtë peizazh të bën ta përjetosh të
bukurën emocionalisht. Pranë drurëve të moçëm, i sistemuar në vija e kanale gurgullon uji i pastër, e i ftohtë, që rrjedh nga shumë burime, ndërmjet të çarave
të shkëmbit të hirtë, duke shpërndarë currila të arta nëpër bimësinë ujore. Më tej, uji pasi merr me vete gjethet e zverdhura, si një telajo e pikturuar me ngjyra të djellta, të rëna aty, krijon turbulenca, e pastaj tretet ngadalë nëpër zall drejt lumit Shkumbin. Lumi Shkumbin, që rrjedh pak metra më poshtë, dhe që është ca i fryrë nga shirat e këtyre ditëve, rrjedh me mërmërimën e tij të këndshme në shtratin e stërlashtë drejt detit Adriatik. Bashkë me fëshfërimën e rrepeve ai të freskon akoma më shumë. I ngjan një simfonie kjo mërmërimë, duke të relaksuar skajshmërisht e të rrëmben befasishëm, dhe patjetër duke të bërë për vete.
Mundohem ato t’i fiksojmë në celuloid, që të mbeten në memorien dixhitale për brezat.
Të befason dhe të magjeps pamja e drurëve shekullorë, të zgavruar nga koha dhe zjarri, që mezi i pushtojnë 5 burra. I prek me sy tej e tej këto monumente të gjelbra të natyrës, që kanë vlera historike. Ato kanë histori interesante, që ende
tregohet edhe sot. Ajo zë fill tek e ashtuquajtura mbjellje e rrepeve si hunj. Këtu dikur në këtë vend mendohet se ka egzistuar një stacion udhëtarësh ku pushonin karvanet dhe këto drurë rrepesh janë hujtë e ngulur, për të lidhur kuajt. Madje tregohet se garnizonet turke e kishin vend pushimi për t’u çlodhur e përtërirë energjitë nga rruga e gjatë. Bysheku është një vendbanim i vjetër. Aty ka kaluar via Egnatia, fragmente të së cilës gjenden në afërsi të tij. Në shekujt e parë të pushtimit turk është njohur me emrin Bozursek. Me ndryshimet e mëvonshme
etimologjike ai mori emrin Byshek. Sipas hulumtimeve të historianëve të krahinës, Bysheku, në mesjetë ishte një vendbanim i madh me shtëpi afër njëra – tjetrës, ku macja hidhej aq lehtë nga njëra çati te tjetra në të gjithë territorin kushtrihej. Është vendi ku janë shpalosur ngjarje të rëndësishme historike të trevës së Elbasanit. Këtu janë zhvilluar dy beteja të përgjakshme në shekullin e XV.
Ndërsa në fillim të shekullit të kaluar ishte bazë e çetave patriotike që vepronin
në Shpat. Historia dhe lumi rrjedhin pranë njëri tjetrit. Bysheku është i pëlqyer jo vetëm nga banorët e rrethinave, por sidomos nga ata të qyteteve: Elbasan, Tiranë, Peqin,Cërrik. Mbase në vitet e periudhës komuniste nuk ishte dhe kaq i mirëmbajtur, por gjithsesi frekuentohej kryesisht nga banorë të Elbasanit. Në stinën e dasmave, ata, që lidhin kurorë, vijnë këtu e vazhdojnë të shpalosin mrekullisht traditën pagane të pagëzimit të çifteve me ujin e këtij burimi për t’i patur si kujtime të ditës më të bukur të jetës së tyre, e natyrisht edhe pamjet piktoreske të rrepeve madhështore të Byrshekut. Por më i gjallërueshëm, Bysheku shfaqet në Ditën e Verës, festës më tradicionale të trevës së Elbasanit, nga moshat të ndryshme. Vendasit sigurisht janë krenar me këto bukuri, që u ka falur natyra, me koloritin dhe ndërthurjen e objekteve, por u duhet ta mirëmbajnë këtë perlë. 
Fryn era e Krastës dhe uturima e rrjedhës të krijon në shpirt një ndjesi gati hyjnore me emocione të veçanta. Të frymëzon peizazhi mbresëlënës me çastet e mrekullueshme miqësore. Në këtë natyrë piktoreske orët kalojnë të mbushura me çaste mbresëlënëse dhe bisedat për poezinë, historinë, pasionet, udhëtimet, miqtë, por edhe me me gatimet tradicionale të krahinës. Gjen edhe humor të çiltër me dëshirën për të ardhur sërish këtu në këtë natyrë të paqtë vjeshte.
Bysheku është atje i mbuluar me një mjegull të përpurt enigmash historie dhe
kolorit vjeshte. Në horizont mali i Bukanikut këmben ende me qiellin këngë dhe
balada madhështore.Ç’mrekulli!

Filed Under: Reportazh Tagged With: NË BYSHEK, Pellumb Gorica, VJESHTË

KTHEHET NE FESTE DITELINDJA E DRITERO AGOLLIT

October 13, 2015 by dgreca

DITËLINDJA E DRITËROIT: FESTË E BUKUR, ME KËNGË E VALLE…/
Nga Murat Gecaj/
Nuk është hera e parë, që Shoqata Atdhetare-Kulturore “Devolli”, me kryetar Guri Seferin, organizon e feston ditëlindjen e poetit e shkrimtarit dhe personalitetit të shquar të kulturës mbarëkombëtare shqiptare, Dritëro Agolli-“Nderi i Kombit”. Një ngjarje e tillë e shënuar mblodhi në sallën “Unesco”, të Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet, anëtarë të kësaj Shoqate, familjarë të Dritëroit, krijues të fushave të ndryshme, mësues e pedagogë, studiues e publicistë, profesorë e akademikë dhe tjerë.
Në këtë mjedis festiv, veprimtarinë për nder të 84-vjetorit të ditëlindjes së Dritëro Agollit, (Menkulas-Devoll, 13 tetor 1931), e hapi Vasil Fundo. Pastaj, për jetën dhe veprimtarinë e gjithanshme krijuese të tij foli bashkëkrahinasi dhe kolegu i tij i pandarë, prof.Alfred Uçi-Akademik. Ai u ndal në pasurinë e gjerë dhe të bukur krijuese, në poezi e prozë, të këtij miku të dashur të njerëzve tanë të thjeshtë, jo vetëm të krahinës së Devollit, por dhe anembanë Shqipërisë.
Veprat e Dritëroit, prof.Uçi i vlerësoi “perla të mrekullueshme, në poezi e prozë”, ndërsa atë e quajti “poet dhe shkrimtar me zemër të zjarrtë”, me ndjeshmëri të lartë morale e qytetare, si ndaj të mirës e të keqes; me dashuri të pakufshme për vendlindjen dhe njerëzit e saj; krijues me shpirt atdhetari, për njerëzit e thjeshtë të punës, si të fshatit e qytetit.
Dritëroi, ka patur dhe ka gjithnjë në jetë, idealin për njeriun e lirë dhe me shpirt e ndjenja demokratike. Ai ishte dhe mbetet përherë, “devolli e shqiptar, kokë e këmbë”. Tashmë, janë bërë proverbiale vargjet e tij: “Dhe ky plis ngaherë ish i fortë,/shkoi në Evropë, brodhi në Azi,/ por kudo, nga flokët e gjer në thonjtë,/ mbeti devolli…”.
Prof. A.Uçi, në fjalën e tij, përmendi disa vepra të D.Agollit, por veçoi përmbajtjen e librave “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”(Tiranë, 1999) dhe “Zhurma e erërave të dikurshme”(tregime dhe novela), të cilin ia dërguan për karton, në vitet e shtetit monist dhe u botua vetëm në vitin 1999!? Janë me dhjetëra veprat e Dritëroit, në poezi e prozë, të cilat janë kaq të njohura për lexuesit tanë. Ndër to, po përmendim vetëm disa: “Baladë për tim atë dhe për vete”, “Devoll, Devoll: Baballarët”(poezi), “Nënë Shqipëri”(poemë), “Trëndafil në gotë” e “Njeriu me top”(romane), “Dhjetë sy” e “Udhëtoj i menduar” (poezi) etj.etj.
Gjithashtu, prof.Uçi solli kujtime vetjake, nga njohjet e lidhjet shumëvjeçare me Dritëroin, i cili i thoshte, që në rini, se “bukuria është perëndesha e jetës”. Në mbyllje, e uroi me zemër njeriun e mirë, Dritëroin tonë, për shëndet sa më të plotë dhe jetëgjatësi.
Mjaft emoconuese ishte fjala e bijës së Dritëroit, Elona Agollit, si dhe leximi i përshndetjes, që kishte dërguar vetë ai për të pranishmit, në pamundësi ardhjeje në këtë përvjetor të ditëlindjes së tij. Ndër të tjera, aty nënvizonte se dashuria për Atdheun fillon nga familja e vendlindja, të cilat i ka i patur dhe i ka gjithnjë në mendje e në zemër të tij. Kështu, në përshëndetje ai shprehte respektin e mirënjohjen për tërë Devollin e njerëzit e tij, por dhe për bashkëshorten, Sadijen dhe fëmijët e tyre, Elonën e Artanin.
Kjo festë e gëzuar e ditëlindjes së Dritëro Agollit u shoqërua me këngë e vallë të bukura të krahinës, luajtur me shkathtësi e bukuri, nga ansambli artistik i fëmijëve dhe të rinjëve të Devollit. Gjithashtu, u duartrokit nxehtësisht recitimi i disa poezive të Dritëroit, nga artisti i njohur, Dhimitër Orgocka.
Për të ftuarit në këtë veprimtari, u shpërnda edhe gazeta “Devolli”, nr.9(108), shtator 2015, me kryeredaktore Ervehe Barutin.
Të pranishmit e shumtë, në këtë prvjetor të shënuar të ditëlindjes së Dritëro Agollit, i uruan atij me zemër, gjitha të mirat në jetë, si vetjake dhe familjare.
Tiranë, 12 tetor 2015

Filed Under: Reportazh Tagged With: ditelindja, e Dritero Agollit, Festohet, Murat Geaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 132
  • 133
  • 134
  • 135
  • 136
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT