• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHENIME UDHETIMI NE TROJET ARVANITASE

April 9, 2014 by dgreca

DITË VERE LUGINËS SË THIVAS…/

Shënime udhëtimi në troje arvanitase/

Nga Abdurrahim ASHIKU/

1. AUTOBUS…/

Të nesërmen e protestës të “furgonave” para Kryeministrisë dhe Kuvendit, më 7 mars, rasti e solli të udhëtoja me autobus  në linjën ndërqytetëse Athinë-Thiva, e më tej në linjën vendore drejt fshatit bregdetar të Sarantit.
Motivi i udhëtimit ishte ti dorëzoja mësuesit Eqerem Elezi certifikatën  “Mësuesi Model”, titull i dhënë nga revista “Mësuesi” për ndihmesën e tij  në mësimin e Gjuhës Shqipe në një fshat të largët të Greqisë. Gjithashtu më duhej të takoja Lamin, arvanitasin 103 vjeç që me atë gjuhën e tij shqipe që vinte nga shekujt më kërkonte të shkoja se… e kishte marrë malli…
Në Kato Patisia bëra vend në autobusin e linjës. Kisha udhëtuar shumë herë në këtë linjë ndërqytetëse ashtu siç kisha udhëtuar edhe në shumë linja këto tetëmbëdhjetë vjet të jetës time në Greqi. Isha mësuar me rregullat dhe me shërbimin e kulturuar,  gjë që njerëzve në udhëtim në shërbimin qytetës e ndërqytetës nuk u bën përshtypje, e quajnë element të zakonshëm të jetës, detyrim e kulturë qytetare.
Nuk do të thellohesha në hollësi sikur, siç shkrova në kryeradhë të këtyre shënimeve, mos të më ngacmonte “protesta e furgonave”…
…Ndërsa autobusi ecte, unë vrapoja…
…Ulur në një ndenjëse të rehatshme, mes një hapësire që ta zgjeronte gjoksin nga frymëmarrja, e përcolla mendjen larg në dheun tim…
…Kohë me diell !
…Ulur në një ndenjëse të rrafshët dyvendëshe, çjerrur nga kushedi ç’thika e hanxharë mesjetarë, ngjeshur me dy të tjerë, duarmbledhur e këmbështrënguar, në hedhje prekjetavani një rruge me gropa, në kërkim të dikujt që do të zinte dy vendet e para bosh që furgonisti nuk la njeri të ulej. Pas një ore pritjeje në mishmashin e furgonëve të linjës së qytetit tim verilindor, ora e bredhjes rrugëve të Bathores mu bë e tmerrshme, ashtu siç mu bë edhe rruga drejt vendlindjes…
…Kohë me shi !
Ndërsa autobusi la rrugët që gëlonin nga lëvizja dhe mori tërmalen në autostradën e veriut, u ktheva në vështrimin e pamjes dhe lëvizjes në kërkim të detajeve të udhëtimit, të autostradës ku mund të hyje dhe dilje nga rrethimi i teltë vetëm në pika të caktuara, e të ndalesave në stacione ku ngjiteshin dhe zbrisnin pasagjerët.
Nuk kisha hypur në autobus në stacionin e Liosionit nga ku nisen të gjithë autobusët e Veriut, kësisoj nuk kisha prerë biletë. Në kilometrin e gjashtëdhjetë u ngjit në autobus një njeri që mbante në dorë një celular dhe në krahun e djathtë, në lartësinë e brezit, një aparat  një gjysmë pëllëmbe të gjatë ku një dritë e kuqe tregonte se për diçka shërbente..
– Biletën ju lutem! – mu drejtua me dashamirësi ndërsa kontrolloi biletat e rradhës së parë.
– Nuk e kam prerë. – i them me të njejtën notë zëri.- Mund të më presësh një gjysmë bilete?
– Pa tjetër, por më parë më jepni një dokument.
Nuk e kisha marrë pasaportën me vete, kisha vetëm fotokopjen e saj. Kisha edhe abonenë mujore për lëvizjen nëpër gjithë Athinën me gjysmë çmimi, një vlerësim ky për të gjithë qytetarët që kanë mbushur moshën 65 vjeç.
Për kopjen e pasaportës sime ngriti supet. Ndërsa matej të pyeste syr i kapi abonenë në të njejtën faqe.
– Faleminderit!- më tha duke e ndalë vështrimin mbi ekranin e celularit. Diçka shtypi dhe nga aparati në lartësinë e mesit rrodhi një letër.
– Urdhëro!- më tha. – Gjysmë çmimi, katër euro!
Ndërsa ai iu drejtua pasagjerëve prapa meje unë e ndala vështrimin mbi biletën ende të ngrohtë të sapodalë nga aparati i vogël.
Në biletë shënoheshin të gjitha të dhënat me datë, orë të prerjes, adresa e stacionit dhe të dhënat financiare…
Autobusi, shumë më i rehatshëm se autobusët e linjave ndërkombëtare Athinë-Tiranë, ndër të tjera kishte edhe dy ekrane, një në ballë të autobusit dhe tjetri në mes, në krah tek porta e dytë e tij. Në ekrane jepeshin të shkruara linjat që zgjasteshin tej Thivas, fshatrave deri në lartësi të maleve. Linja që do të udhëtoja unë, më e largëta, për kohë nisjeje kishte orën 13.45, kohë që do ta arrija duke pritur një orë e gjysmë pas mbërritjes. Duke mos ditur kohëzgjatjen e udhëtimit unë isha nisur një orë më përpara…
Një shesh me autobusë, një sallë e madhe me stola, një bufe, një mjedis i pastër për kryerjen e  nevojave vetjake, një sportel ku priteshin biletat, dy ekrane të mëdhenj që të informonin për oraret e nisjes në rreth tridhjetë fshatra në tërë hapësirën e trevës, nisje në ditët e javës, nga e hëna në të premte dhe veç e veç të shtunat dhe të dielat…
Në orën 13.30 një zë në altoparlant, brenda dhe jashtë sallës, më informoi për numrin dhe vendqëndrimin e autobusit drejt fshatit të Sarantit. Nja 30-40  nxënës të moshës së liceut zbritën nga mikrobusët e shkollave dhe iu drejtuan autobusëve të linjave në tërë hapësirën ku ato banonin. Ora 13.45 ishte koha e nxënësve, piku i nisjeve të autobusëve…
…Fiks në orën 13.45 autobusi i linjës së Sarantit do të shtrinte perimetrin e rrotave në fillim rrugëve të qytetit të Thivas e më tej fshatrave në tërë luginën.
E kisha bërë disa herë këtë rrugë, kisha përshkruar fshatrat njeri pas tjetrit, fshatra që për nga rregulli urbanistik  u ngjanin qyteteve, madje po ti krahasoja me qytetin tim të lindjes, Peshkopinë e sotme, do tu veja notë më të lartë.
Në të gjitha udhëtimet, sa herë kam kaluar mespërmes Liontarit, mendjen e kam ndalë tek biri i këtij fshati, tek Aristidh Kola, Arvanitasi i madh që luftoi në gojën e ujkut për rrënjët shqiptare të arvanitasve. Nuk mund të mos luaja nga vendi, të ngrihesha paksa nga ndenjësja siç ngrihen njerëzit në kthesën e fortë drejt Krujës kur syu fikson teqenë e lashtë bektashiane krutane. Liontari për mua që e kam njohur Aristidh Kolën, madje i kam marrë edhe një intervistë, ndoshta të fundit e jetës së tij, më 9 shkurt 2000, është një vend i shenjtë.
Autobusi ndalej stacioneve nga njera qendër e banuar në tjetrën. Disa zbrisnin, disa ngjiteshin…
Shoferi u uronte natë të mirë atyre që zbrisnin. U buzëqeshte atyre që ngjiteshin duke i ftuar me mirësjellje të merrnin biletën.
Një kuti elektronike me madhësi 30 me 30 centimetra, me bateri, pas shtypjes mbi tastierë, nxirrte për secilin biletën përkatëse me gjysmë vlerë  për të moshuar dhe për nxënës e studentë dhe vlerë të diferencuar për gjatësinë e rrugëtimit të secilit.
Përsëri, edhe unë, megjithëse i huaj, me gjysmë bilete udhëtova. Kështu në vajtje. Kështu në kthim.
Rrugëtimit luginës kësaj rradhe, krahas ngastrave të gjelbruara nga qepa e famshme e Thivas, gruri dhe ugarit në përgatitjet për mbjelljen e pambukut dhe duhanit,  syu m’u fiksua në panelet diellore, panele të vendosura në fushë e në kodra, madje edhe mbi taracat e shtëpive.
I shënova këto hollësi si një mesazh për njerëzit e vendit tim, njerëz në protesta politike me “furgonë”. Në Evropë shkohet me ligje, me rregulla, me shërbim të kulturuar…
Saranti me atë gjirin si nallç kali me atë pamjen e bukur dhe detin e qetë më ftonte ta fiksoja në kujtesën digitale ndërsa autobusi nisi të marrë teposhten drejt tij…

2. NJË “MËSUES MODEL” I SHQIPES NË MËRGIM

Në Saranti më priti Lida. Eqeremi, i shoqi, kishte shkuar diku i detyruar nga rutina e përditëshme e punës së tij pas kthimit nga peshkimi, shpërndarjen e peshkut.
Lida është nënë e tre fëmijëve, dy prej të cilëve, binjakët Dhimitra dhe Jani, kanë lindur e po rriten në fshatin e Sarantit. I madhi, Elisi ka ardhë foshnjë nga Shqipëria për tu rritur e bërë lis në trup e zanatçi në riparimet e motorëve pas mbarimit të liceut, krah i fortë i familjes.
Punëtore e pastërtore si ajo, e përkushtuar për familjen si ajo, e dashur dhe e respektuar si ajo, Lida na udhëheq drejt shtëpisë.
Eqeremi nuk vonon. Nuk vonojnë as fëmijët, nxënësit e Eqeremit…
Kam qenë në Saranti ditën e parë të hapjes së kursit për mësimin e gjuhës shqipe. Kam shpërndarë abetaret të cilat i kisha marrë drejtpërdrejt nga autorja, Mimoza Gjokutaj, kam bërë fotografi një për një nxënësit, dhe me mësuesin bashkë, me detin në sfond. Një kujtim i bukur i 5 majit 2009 që do të pasohej me kujtime e me fotografi të tjera, tashmë jo në një tavernë në pregdet ofruar nga Edi Sula, dibrani nga Ostreni, por në një klasë të vërtetë një fshat më lart, në Ostja.
Kam shkuar e shkruar disa herë mes fëmijëve të shqipes të Sarantit. Janë në faqe gazetash e revistash, janë edhe në dy libra të mi. Ajo që më ka mbetur në mendje është një fragment nga biseda me Eqeremin, fragment që shpalos botën e madhe të mësuesit, dhëmbjen e ikjes nga ora e mësimit dhe detyrimin shpirtëror që këtë orë mos e mbayllte larg, në vendlindje, në malet e Librazhdit por ta merrte e ta sillte në mërgim si një mesazh për të mos e harruar punën fisnike të mësuesit…

 “…Gjithmonë e kam pas brenda vetes. Profesioni i mësuesit më ka pas pëlqyer shumë. Të them të drejtën kur u larguam ato vite, flasim për vitin 1997, unë e quaj si një punë që nuk e çuam në fund, një punë që e lamë përgjysmë. Që të jem i sinqertë, mbase kjo është ajo forca shtytëse më e madhe që më detyron, që më bren se kam lënë diçka pa bërë nga ajo që mundja të bëja.
Nuk flasim vetëm për ëndrra. Flasim këtu se kemi detyrime.
Është ëndërr, por kemi edhe detyrime. Kemi detyrime ndaj Atdheut, në qoftë se do të themi këtë fjalë që sa vjen e nuk po dëgjohet më. Kemi detyrime ndaj atij mjedisi që na përgatiti ne për mësues, që të luanim një rol që duhet të luanim, por siç e thashë e lamë në gjysmë. Shtoj edhe ndaj kërkesës që njeriu ka ndaj vetes. Ajo bile duhet të jetë kërkesa më e lartë: Çfarë kërkesash ke ti ndaj vetes? Këtë e bëj për të shlyer diçka që e kam lënë në gjysmë dhe në rast se do t’ia arrij qëllimit, siç duhet të them sinqerisht, do të ndjehem i lumtur. Është një ëndërr për mua sikur këta të arrijnë të lexojnë dhe të shkruajnë në atë shkallë që dua unë…”
E përcolla furtunën shpirtërore të Eqerem Elezit në një reportazh për revistën “Mësuesi”. Një komision e radhiti midis shtatë mësuesve në shkallë republike si “Mësues Model”. Një nder për të, nder edhe për tërë mësuesit vullnetarë shqiptarë në Greqi, Rilindës të kohës sonë, siç i ka vlerësuar Dritëro Agolli.
Shkova në Saranti pikrisht ditën më të shënuar për gjuhën shqipe, më 7 Mars. Shkova me një certifikatë në dorë për ti përcjellë nderin si “Mësues model”.
Shkova edhe me një brengë. Certifikata nuk ishte origjinale, si të gjashtë certifikatat që u shpërndanë në Shqipëri. Origjinalja shoqërohej me një dhuratë jo thjesht simbolike, me një lap top. Dy vjet kërkime në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nuk hodhën dritë mbi hajninë. Dikush, në atë institucion të lartë të shtetit kishte vënë dorën e zezë mbi nderimin e një njeriu, një mësuesi që edhe emri “Model” është pak për të dhënë portretin e punës dhe përkushtimit qytetar. Ministria jonë nuk qe në gjendje që ta plotësonte “dosjen” e nderit të mësuesit, të gjente një sponsor (siç gjeti për të shtatët) për ta mbyllur me “dinjitet” turpin e vet…
Ceromoninë modeste, midis familjarëve dhe nxënësve, e kam përshkruar në një kronikë.
Ditën e 7 Marsit 2014 ndjeva në sytë e fëmijëve, në bisedat me ta shqip, kënaqësinë e njeriut që ka vënë një fjalë në themelin e shqipes për fëmijët e një fshati dyqind kilometra larg Athinës, një fshati me dyqind banorë në ditët e verës dhe me gjithnjë e më pak mërgimtarë e fëmijë mërgimtarësh. Kriza i ka larguar shumë familje e bashkë me ta edhe fëmijët. Megjithatë shkolla e vogël e Sarantit vazhdon të jetojë, vazhdon në sajë të mësuesit model Eqerem Elezi.
Do të shkoj përsëri në Saranti. Midis fëmijëve që më përqafojnë me mall e dashuri e ndjej veten të gëzuar…

3. BARBA LAMI,  ARVANITASI 103 VJEÇ…

…Kur e takova për herë të parë dhe i mora zërin në diktofon, më tha në të folmen e nënës së tij: “jam njëqind pa tre vjet”…
…Kur u ngjita në katundin e tij lart në mal, në Kukuri, dhe i dhurova librin “Rilindësit e kohës sonë” ku në disa faqe ishte biseda me të, pashë të përshkonte brazdave të moshës shekullore një rrjedhë loti…
“Unë nuk di të lexoj”- më tha ndërsa pika e parë e rrjedhës ra mbi tavolinë.

…N’atë zë ndjeva një ngashrim shekullor, një brengë të madhe. Ai kishte një shekull që fliste shqipen e  të parëve, e fliste vetë, e flisnin edhe djemtë, edhe nipërit…
…Dy vjet të shkuara, kur u ulëm të derdhim në shpirt fjalën e vjetër arvanitase përcjellë me një gotë verë më tha se “jam njëqind vjet e tre muaj”
…Më 30 nëntor 2013 më mori në telefon. “Më ka marrë malli, më tha, eja të të shoh”.
U ula të shkruaj diçka, vura  një titull dhe formova një fjali… NJË BISEDË MALLI TË SHTUNËN E 30 NËNTORIT  2013…!
Lamin, Barba Lamin, e kishte marrë malli. Kisha që në prillin e vitit të kaluar që nuk…
Nuk e vazhdova. Desha të shkoj ta takoj, ta përafoj si çdo herë, të flas me të, ta dëgjoj tek nxjerr me një dashuri të pashoqe fjalët e shqipes së vjetër të brezave të bjerrur, gjakut të shprishur.
E vonova me sot me nesër. Më pengoi vetvetja por edhe shoku im i viteve të mërgimit, Shpëtimi, rrëfimet e të cilit për Barba Lamin dhe arvanitasit e luginës së Thivas më kishin bërë aq për vete sa shkrova një libër të tërë me 332 faqe, librin “Rrëfimet e komshiut”. Shpëtimi nuk i bënte dy ditë bashkë të lira nga puna. Nuk i bënte dhe nuk i bën, ndaj udhëtimi shtyhej javë pas jave.
Pak kohë më parë Eqeremi, shoku im që banon tash më se një dekadë në Saranti, më tha se Barba Lami është sëmurë, sapo ka dalë prej spitali.
Nuk mund ta shtyja me sot e me nesër udhëtimin.
Më 7 mars isha në Saranti.

Eqeremi më tha se nuk dilte si më parë bregut të detit Barba Lami. Nuk shkonte as në stanet ku dimronin delet. Me to merrej djali dhe nipi. Mbrëmjeve zbriste në lokalin e djalit për tu takuar me njerëzit që e duan dhe e respektojnë jo thjesht për moshën por për zemrën e bardhë dhe dashurinë që përcjell.
E gjetëm në shoqëri me djalin dhe nipin, ulur me një gotë verë në dorë. U përqafuam me mall.
– Sa vjeç u bëre?- e pyes ndërsa bëjmë vend në tavolinë.
– Sa u bëra? I drejtohet djalit.
– Njëqind  edhe tre.- i thotë djali.
– Njëqind edhe tre vjet- përsërit ai.
E zgjasim bisedën. E pyes për shëndetin, për Kukurin, fshatin e tij të lindjes diku majëmalesh ku nuk rritet as ulliri e as agrumet, e ku pleqtë me njeri tjetrin në gjuhën e të parëve merren vesh. E pyes për dashurinë e jetës së tij, delet, sa janë shtuar dhe sa qingja kanë lindur.
Më thotë se janë treqind…
Ishte i lodhur Barba Lami. E kishte lodhur shekulli i viteve, sëmundja por më shumë e kishte lodhur (do ta merrja vesh pasi u ndamë) vdekja e djalit…
Kur u takova për herë të parë me të para gjashtë vjetësh e kishte lodhur vdekja e gruas. Kishte kaluar statëdhjetë vjet me të. E kishin lodhur edhe kujtimet e hershme. Kishte qenë në Shqipëri ushtar në vjeshtën e vitit 1940 dhe mbante në gji shumë kujtime nga mikpritja shqiptare. Kishte dëshirë të shkonte edhe njëherë në ato vende. Nuk e mbështesnin fëmijët, kishin frikë se mos mbetej peng i kujtimeve të largëta.
…U ndava me Barba Lamin duken marrë me vete të fiksuar një fotografi me të.
…U ndava me shpresën që do ta takoj dhe bëj fotografi të tjera në vitet që vijnë.
Barba Lami është një mal midis maleve që mbajnë dhe përcjellin fjalën e bukur arvanite, fjalë që ai e ka ngulitur fort tek bijtë dhe nipërit…

4.  TAQI, NJË LEGJENDË QË KOHA S’TË MJAFTON TA LEXOSH

E kisha takuar edhe një tjetër herë. Në një ngjitje malit me një makinë të vogël që shtërzonte gropave të rrugës e kërcente gurëve të mprehtë shkulur nga shkëmbi e vënë çapraz. Aso kohe, në prill dy vjet të shkuara, me shkencëtarin Andrea Shundi shkonim të kërkonim fjalët e përveçme arvanite për vreshtarinë dhe verëtarinë. E kishim vjelur thjesht siç degustohet rrushi diagonal vreshtit ditë para se të vendosësh ta këpusësh bistakun e ta përcjellësh nëpër dhëmbët e makinës grirëse e shtrydhëse në dilemën e specialistit ta lësh edhe ca ditë sa lëngu të të ngjisë gishtrinjt nga trashësia e sheqerit apo jo.
…Atë ditë kisha bërë disa fotografi fokusuar pastër, i pata stampuar dhe futur në një zarf doja t’ia jepja në sebep të një bisede që më dukej se kishte mbetur në mes. Kjo sepse kur je me miq, ia le vendin atij në zinxhirin e pyetjeve. Për më tepër kur miku kishte kaluar Atlantikun vetëm e vetëm që ta dëgjonte, ta shkruante e ta jetonte fjalën e moçme për hardhinë dhe prodhimet që i vijnë pas.
Taqin ma kishte përshkruar Shpëtimi, komshiu im i tregimeve mbledhur e publikuar në “Rrëfimet e komshiut”. Dhe sa herë takohemi, tek gjerbim qetë kafenë e miqësisë , mes do të na futet Taqi me tërë madhështinë e njeriut që e do me shpirt Shqipërinë dhe shqiptarët, që ka dëshirë të çmendur të flasë e kuvendojë shqip, që t’i numron edhe gropat e rrugës për në Shqipëri në njëqind udhëtimet e tij bamirëse për mërgimtarët.  Tregimet për të, gurë-gurë, po më formojnë një mur legjende arvanite.

…Atë ditë të 8 marsit 2014 ngjitjen nga Saranti në Ostja e përshkova në sediljen e makinës së Eqeremit, i cili, si edhe Shpëtimi e ka në gojë Taqin në tregimet e gjata jetësore, e ka mik ashtu siç e kanë miq të gjithë mërgimtarët e fshatrave në skaj të luginës së bukur të Thivas. Bashkëfshatarët e Taqit, në moshë e në gjuhë të lashtë, përkushtimin e tij e kanë shndërruar në llagap. I thërrasin Taqi i Shqipëtarëve.
Pas kafes u ngushtova në ndenjësen e një kamjoçine me dy diferencialë, apo katër herë katër, siç i thonë rëndom, dhe pasi lam fshatin iu ngjitëm malit në një rrugë malore që ndërsa të lodhëte nga vallja e rrotave herë mbi gurë çakëlli, herë mbi kalldrëm të hedhur mbase pesëdhjetë vjet më parë, mbase edhe më shumë, e herë mbi tokë të butë. I mësuar me rrugët e Dibrës sime që ende janë siç i kam lënë, në gurë e tokë të butë, syun e kisha tek pamja që sa më shumë ngjiteshim aq në pëllëmbë të dorës më vinte, sa doja ta gjerbja me syun e ftohtë të digitalit tim të vogël. Provova ta bëj disa herë por në të gjitha rastet pamja më vinte e shpërfytyruar nga kërcimet e makinës. E lash detin që m’u shfaq  poshtë, fshatin me shtëpitë rradhë-radhë si në një ngastër mbjellë me përpikmërinë e makinave të kohës, luginën e gjelbëruar, kanalin e madh që e merr ujin nga 180 kilometra larg për ta sjellë në gotën time të ujit në Athinë, të pastër e të freskët…
– Këto që sheh, më tha Taqi, gjithë këto kodra të bukura, kanë qenë mbjellë me vreshta.
– Çfarë ndodhi?- e pyes dhe me njohuritë e specialistit vazhdoj: – Mos i zhduku filoksera?
– Jo. I zhduku pleqëria?
– Pleqëria!?- e pyes duke ngritur supet i habitur.
– Jo pleqëria e vreshtit por pleqëria e njerëzëve. Vreshtin mund ta rinosh por njeriun që tërë jetën qe plakur me të nuk e rinon dot. Djemtë morën kurbetin. Rinia mori qytetin. Vreshti,  “nuk rritet me urata, por me shata e lopata”. E kam dëgjuar edhe në Shqipëri këtë. E themi edhe ne.
Kamjoçina vazhdon të kërcejë gropave. Taqi si të dojë t’i imitojë herë hidhet në të kaluarën e herë ndal vështrimin e thotë:
– Këto pemë i kam mbjellë unë. Shikoji cerasjet, dardhëtt, pjeshkët, mollët…Kanë mbushur degët me sythe e shpejt do të nxjerin lule…
– Ky është vreshti që mbolla para dy vjetësh. E mba mend?
– E mbaj, bile e kam edhe në fotografi ku ti ke dalë bashkë me Shpëtimin.
– Sivjet do të marr vilat e para të rrushit…

Ndërkohë kamjoçina ndalet e ne marrim rrugës mes dy ngastrave me vresht, mes hardhive të krasitura me sythat fryrë nga limfa pranverore.
Këtu është perandoria e re e jetës së Taqit. Një ndërtesë që në katin përdhes ka mjetet mekanike të punimit të vreshtit e në katin e sipërm një dhomë me oxhak të mermertë, një dhomë me një divan, një ballkon që ta jep në dorë pamjen, rreshtat e hardhive si në një qëndismë prike të moçme vajzash.
Në krah të saj gica në rritje, lepuj, pula fushe, pula deti… që  lëshojnë zëra të gëzuar tek ndjejnë dorën e kujdesëshme të së shoqes së Taqit që mbush grazhdet me ushqime të koncentruara apo hap dyert e vogla të kotecëve për tu dhënë liri të përkohëshme pulave ku gjeli i madh i detit gugulit duke i hapur krahët pushtetshëm mbi ta.
– Ujin, më thotë Taqi, e kam marrë nga një burim lart në mal. Kam ujë të pastër burimi. Rrymë elektrike nuk kam. Është shumë larg dhe më kushton shumë ta sjell. Do të ve një panel diellor dhe dhe do të ngre lart një elikë për prodhimin e energjisë elektrike.
– Dhe sa të kushton kjo? –e pyes.
– Jo më shumë se pesëmijë euro. Nuk do të paguaj as ujë e as energji elektrike…
Një zjarr në oxhak, flaka dhe prushi i të cilit na ngrohu në një bisedë të gjatë shqip, në shqipen e vjetër arvanitase, në arvanitishten që mbahet gjallë në shpirtin e tij.
Vazhduam gjatë pa e pikasur që shiriti e kishte përfunduar rrugtimin e tij rrotullues. Nuk e dëgjova sinjalin e mbarimit që ta ktheja në anën tjetër…
Ani, një orë e kam zërin e tij shqip mbi shirit. Do ta zbardh për ta futur në zarfin kompjuterik arvanitas për ta përcjellë një ditë për vete dhe për të tjerë që e kanë përjetuar mallin arvanitas shqip.
Zbritjen e bëmë nëpër një rrugë tjetër, rrugë që hidhej e përdridhej mbi një kodër dikur pyll, djekur para një gjysmë shekulli, kodër që mbarte në bark një prej dhjetëra tuneleve të kanalit të madh të Mornosë, konsideruar si vepra më e madhe greke, vepër e viteve tridhjetë të shekullit të kaluar. Për të kam shkruar në një reportazh vite më parë…
Taqi kishte dalë në pension nga puna në këtë vepër të madhe.
Ndërsa makina ecte në rrugën paralele me kanalin në beton dhjetë metro mi kokën tonë, Taqi më tha:
– Kanali sot përcjell njëzet metra kub ujë në sekondë…
Grekët i vunë lumit të Mornosë një digë, krijuan një liqen artificial, e morën ujin nëpër një kanal të betontë mes shkëmbejsh e tunelesh për ti dhënë ujë Athinës dhe të gjithë hapësirës në të 180 kilometrat e rrjedhës së tij…
Sikur…nga liqeni i Shkopetit, fill pasi uji përshkon  turbinat e del i shkumëzuar të bëhej një kanal betoni…uji i pijshëm do të mbyste tërë hapësirën që nga Miloti, Laçi, Fushë-Kruja, Sukthi,  Shijaku, Durrësi, Kavaja…
Sikur … të kishim një shtet me kokë!?

 

ARVANITISHTJA, GJUHA E LASHTË SHQIPE, ENDE RRËNJËZON

Autobusi erdhi fiks në orën 12.15, pa luajtë sekondin. U përqafova me Taqin dhe me Eqeremin, që i lirë atë ditë nga udhëtimi në det, nuk deshte të më linte pa përqafimin e mallit dhe pa kërkesën e përsëritur sa herë takohemi e sa herë flasim në telefon: “Eja, të pres të vish me Natashën, me Shpëtimin dhe Dhuratën!”. Këtë ma përsëriti edhe Taqi duke shtuar se tërë kati i dytë i shtëpisë së tij është i kompletuar për të qëndruar ditë e netë të tëra.
Para se të ngjitesha në autobus shoferi më tha që çantën ta mbaja me vete sepse rrugae tij ishte e shkurtër, deri në fshatin pesë kilometra larg, në Domvrenjë.
Në të dalë të Ostjes u ngjit në autobus një burrë tek të gjashtëdhjetat. U ul në ndenjësen pas shoferit dhe u shtruan në kuvend.
Ndërsa pamjet ndërroheshin herë ngushticash shtëpishë me kthesa njera pas tjetrës e më tej hapësirës së një rruge të gjerë bashkëkohore që  kryet e lidhte në Ostja, meditimin tim ma bënte copë-copë biseda  e shoferit me pasagjerin. Ishin të njohur të hershëm, mbase të rritur bashkë që në fëmijëri e biseda herë shkulej e ngulej pas në vite, e herë ngulej e bënte rrënjë në të sotmen.
Në një çast, mes greqishtes së tyre mu duk se dëgjova një fjalë shqipe, thjesht fjalë të gjuhës së sotme shqipe …”pastaj”…
E tunda fort kokën për t’i thënë vetes se më bënë veshët.
E ndala edhe vështrimin, edhe dëgjimin mbi ta. Vazhduan të flasin greqisht kur…
– O të piqemi sonte ta pimë një raki?…
Kaq tha shqip dhe vazhdoi përsëri greqisht.
– Arvanitas jeni? Flisni shqip?
Atë çast autobuzi ndali. Para ishte autobuzi tjetër që më priste.
Zbrita duke i përshëndetur e duke marrë për përgjigje një buzëqeshje që u buronte nga shpirti.
Bëra vend në autobuzin e linjës. Mbi furkën e sajuar nga një furdë e nxjerr nga një arrnenë e kujtesës së pyjeve të vendlindjes vura shtëllungën e nxjerrë nga bashka e jetës. Me të djathtën lëviza boshtin e me të majtën nisa të nduk leshin rudë të kohëve. Fija nisi të mbështillet lëmsh…
Shumë furka kanë mbajtë shtëllungat, e duar të kujdesëshme kanë tjerë penjë e mbush boshtin e jetës kësaj treve të moçme ku është folë e kënduar shqip…
Shumë…
Në Saranti një mësues kërkon të lajë një borxh…
Një shekullorë e ka përcjellë fjalën e të parëve tek djali dhe nipi…
Taqi i Shqiptarëve ka zgjuar vreshtarin e moçëm dhe më ngroh me shqipen e tij me sy mbi prushin në oxhak…
Një pasagjer në autobus nuk gjenë fjalë nga gjuha e tij e përditëshme për ta  ftuar mikun veçse në shqipen e moçme, marrë e përcjellë shekujve nga brezi në brez…
– O të piqemi sonte ta pimë një gotë raki?…
Udhëtoj i menduar luginës së Thivas…
Udhëtoj dhe në mendje më vjen thënia vite më parë e një taksixhiu rrugëve të Athinës…
“Na jeshëm skipëtarë një qind për qind po greku na thithi. Nuk na la të vazhdonim skolinë dhe nuk mundëm me mësue dhe me shkrue gluhën tënë. Edhe juve kështu do t’ju ndodhë. Fëmijët tuej nuk e mësojnë gluhën e mëmës, nuk kanë disirë të këthenenë në Skipëri, do bënenë grekër si na…”
Rrugëtoj dhe mendoj për atë që është tretur shekujve…
Udhëtoj dhe mendoj për atë që ka mbetë nga shekujt…
Rrugëtoj dhe tund kokën për atë që po tretet sot…
Për fëmijë që nuk flasin gjuhën e nënës…
Për nëna dhe baballarë që nuk u flasin fëmijëve shqipen e nënës së tyre…
Për presidentë, kryeministra e ministra… që shkojnë e vijnë nga Tirana në Athinë, pa thënë një fjalë shqip për shqipen…
Dhe përsëri më vjen në vesh fjala e taksixhiut…
”Fëmijët tuaj…do bënen grekër si na…”

Mars 2014

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Abdurrahim Ashiku, ARVANITASE, NE TROJET, SHENIME UDHETIMI

BUKURITE E NATYRES SHQIPTARE-Magjia e ngjyrave në Kepin e Rodonit

April 1, 2014 by dgreca

Nga Nikolla Lena/ Kepi i Rodonit është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit.Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin. Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse : të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut.

Gojëdhëna

Redoni sipas mitologjisë Ilire ishte hyji i detit, njëlloj si Poseidoni i Grekëve apo Neptuni i Romakëve. Për një kohë të gjatë studiuesit janë përpjekur që të gjejnë elemente që të vërtetojnë se emrin e Redonit e mban sot Kepi i Rodonit. Me këtë problem janë marrë në të kaluarën arkeologët Hasan Ceka dhe Moikom Zeqo.

Sipas këtij të fundit Redoni ka qenë Perëndia kryesore zyrtare e shtetit Ilir.Ai ka qenë i vlerësuar nga Ilirët dhe figura e tij ishte përjetësuar në tempuj, emra njerëzish dhe simbole monedhash, si ato të qytetit të Lisit, të fiseve ilire të Labeatëve, Daorsëve dhe monedhat e mbretit Ilir Gent.

Ndërkohë në traditën tonë popullore nuk ekziston ndonjë e dhënë që të tregojë drejtpërdrejtë që kepi i Rodonit e ka marrë këtë emër nga ndonjë legjendë për perëndinë e detit Redon. Ndoshta emri Redon është përpunuar në Rodon gjatë shekujve, duke na treguar se sipas mitologjisë Kepi lidhej me legjendën e perëndisë Redon, zotit Ilir të deteve.

 Historia

Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452 Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit.

Pas vdekjes së Skënderbeut kalaja u mor nën kontroll nga Venediku, i cili në vitet 1500, kur Durrësi nisi të kërcënohej nga osmanët, ndërmorën punime për rindërtimin e saj. Qëllimi I ndërtimit të kësaj kalaje ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga Venecianët, të cilët gjithmonë e shikonin politikën e Skënderbeut me dyshim.

Ndërkohë kalaja do të shfrytëzohej ndoshta edhe si stacion i fundit i Skënderbeut për tu larguar drejt Italisë, në rastin e një sulmi fatal turk. Për këtë qëllim në 22 Janar 1462 në bisedimet e zhvilluara në Raguzë midis Ambasadorit të Skënderbeut Andrea Gazuli dhe Republikës Dalmate, Skënderbeu kërkoi ndihmë detare. Kjo gjë u sigurua në traktatin e 4 Shkurtit1462 ku Raguza në rast lufte do ti vinte në shërbim Skënderbeut limanët dhe flotën e saj për qëllime të luftës kundër turqve.

Vite më vonë pasi u pushtua prej turqve kalaja e Rodonit nuk u shfrytëzua më për qëllime ushtarake. Ajo u la pas dore dhe sot ka mbetur një relike e kohës së shkuar ku shuajnë kureshtjen e tyre historike turistë të shumtë.Vërtet pozicioni i saj ndodhet në një vend piktoresk e rrethuar me det dhe qiell.Në qoftëse dikur atë e shqetësonin gjylet e topave detar,sot ngacmohet nga blicet e aparateve dhe kamerave fotografike.

Ndërtuesit

Mbas kryengritjes Çlirimtare të vitit 1443, Skënderbeu ringriti Principatën e Kastriotëve dhe krijoi lidhjen e Lezhës në 2 Mars 1444. Për tu mbrojtur nga sulmet turke Gjergj Kastrioti nisi ndërtimet mbrojtëse duke riparuar kështjellat ekzistuese, dhe duke vendosur në to reparte të zgjedhura. Gjithashtu ai krijoi edhe një sistem mbrojtës në pjesën lindore të vendit. Më vonë Skënderbeu ndërtoi edhe disa Kështjella sipas interesave strategjike: si ato të Rodonit dhe Modricës, ndërsa kreu ndërtime fortifikuese në Krujë, Petrelë, Gurin e bardhë, Stelush, Balec.

Kështjella u ngrit nga Skënderbeu për të pasur një dalje në det duke mos qënë në varësinë e Venedikut, që kishte nën kontroll bregdetin. Por Skënderbeut i duhej edhe një pikë portuale për të zhvilluar aktivitet tregtar me perëndimin, pasi lufta shqiptaro-turke “gëlltiste” të ardhura të shumta, për të cilat ai kishte shumë nevojë. Dokumentat Venedikase dëshmojnë se edhe gjatë shekullit të XVI-të në Rodon ka ekzistuar një skelë detare e kompletuar që quhej në shumës “Dyert e Redonit”.

Pranë kështjellës së Kepit të Rodonit ndodheshin edhe katër manastire katolike të cilat kanë ekzistuar në këtë vend të vetmuar përpara se të ndërtohej kështjella. Të tilla manastire kanë qënë ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout. Ky i fundit ishte i vetmi objekt që ekzistonte deri përpara disa vjetësh në gjëndje rrënoje.Objekti ishte ndërtuar me një muraturë prej gurësh shtufi dhe tullash të lidhura me llaç gëlqereje, ku është përdorur teknika bizantine e kluasonazhit. Kisha i takon arkitekturës romane-gotike e cila shihet tek harqet e mprehta.

Njëri prej këtyre manastireve përmendet në një document të vitit 1488.Në të thuhet që, Papa Inoçenti VIII-të u lejon Minareve Observante të Dalmacisë të marrin rishtaz nën kujdesin e tyre manastirin e Rodonit pranë Currilave.

Mrekullitë e natyrës

Turistët e huaj shprehen se “Kepi dhe plazhi i Rodonit janë një mrekulli e natyrës shqiptare”. Atje bregdeti përbëhet nga shkëmbej, të cilët krijojnë gjire me rërë të cilat janë në vetvete miniplazhe të një cilësie të lartë, për shkak të pastërtisë së tyre dhe ujit kristal të detit. Deti me përbërje shkëmbore dhe me një florë e faunë nënujore të hatashme përmban pasuri për amatorët e zhytjeve. Ata që e kanë provuar këtë plazh dhe kanë parë bukuritë e Kepit të Rodonit, janë të paktë dhe të rrallë, por ngritja e një infrastrukture bashkëkohore do të krijojë shfrytëzimin masiv të këtij bregdeti.Kepi i Rodonit është futur në guidat turistike të Shqipërisë dhe axhendat e turistëve të huaj nga shumë vende të botës, janë të përherëshme dhe shtohen nga viti në vit.

Vendet e bukura për një biznes të mirëfillt turistik,nuk mungojnë në vendin tonë.Ajo që s’po kuptohet akoma është menaxhimi i këtyre pikave të papërsëritshme si burim fitimi dhe prezantimi në botën shqipëtare dhe jashtë saj.

 

Filed Under: Reportazh

Në origjinën e Ditës së Verës

March 14, 2014 by dgreca

Nga Miranda Sadiku/.- Muaji mars për çdo qytetar elbasanas mbart brenda tij festën e “Ditës së Verës” e quajtur edhe festa e luleve.Kjo festë tashmë ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin, si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore.

Festa zakonisht nis gjallërinë e saj mbrëmjen e 13 marsit, për të vijuar gjithë ditën e datës 14 deri sa dielli nis të perëndojë. Etnologu Thanas Meksi thotë se “festa është me origjinë pagane, një festë ku nuk ndërhyn feja, festojnë të gjithë, është kënaqësia e stinës së pranverës. Në vitet 1920-1940 festimet nisnin në datën 13 mars, kujton studiuesi.
“Amvisat nisnin gatimet për në mbrëmje që në mëngjes, piqej gjeli i detit, më pas me lëngun e tij gatuhej dollma ( përshesh me gjel deti) dhe më pas niste ceremonia e hiseve. Në çdo sahan kishe nga një cop gjel deti, pala fiku, tre – katër kokrra arra, ballakume ose revani, vezë të ziera, gështenja etj”.
Po ndërsa nata e verës festohej në shtëpi, ku mblidheshin tok të afërm dhe darkonin së bashku, amvisat në një shportë, vendosnin rroba të reja për fëmijët e tyre.
Djemtë zakonisht kishin pantallona të shkurtra, ndërsa vajzat rroba të kuqe dhe verore shumëngjyrëshe, që bashkoheshin nga fije shumëngjyrëshe pambuku. Në këtë natë nuk mungonin as këngët, vallet, shakatëm dhe lojwrat. Cast ëmbëlsie dhe shijimi të veçantë ishte edhe ngrënia e ballakumes, që shoqërohej me fjalë të përzemërta nga amvisat, të cilat për qesëndi merrnin vallen popullore “ Bahçe, bahçe me zymbyla”, të shoqëruara nga duartrokitjet e pjesëmarrësve.

“Mëngjesin e 14 marsit, pa lerë akoma mirë dielli, Elbasani është ngritur më shpejt se zakonisht. Të moshuarit sipas zakonit hapin derën rrugës për të hyrë “ e mira” në konak, e për të dalë së andejmi e keqja. Ky zakon kishte edhe një kuptim tjetër, bujari dhe mirësi për mikun që vinte nga larg. Amvisat që në mëngjes lanin hajatin dhe këpusnin nga një tuf bar dhe e vendosnin atë në derë, tek guri i zallit përbri derës, ç’ka sinjifikonte mbarësi dhe gjelbërim në oborrin e shtëpisë së tyre”, vijon etnologu Thanas Meksi.
“Në mëngjes nëna na i lante sytë me ujin që ziente vezën, pasi sinjifikonte higjenë, pastërti, ashtu si është lëvorja e vezëve. E më pas mëngjesin e 14 marsit kryhej rituali “ kama e ditës së verës”, që do të thotë që vishnim pantallonat e shkurtra të reja që i merrnim nga kanistra dhe ne fëmijët dilnim për vizita ku bëshim “ kamë” ( të parët që hynim në derën e vizitorit) dhe me një sahan në dorë shkëmbenim dhuratat e Ditës së Verës. Më e mira ishte që kamë të bënin djemtë, pasi thuhej se viti do të ishte i mbarë.
Brenda në sahane nëna na fuste “ një kokërr ballakume, një vezë të zier, arra, gështenja dhe fruta nëse kishim, kwto i shkëmbenim me dhurata që na jepnin të afërmit që vizitonim”, thotë Shpëtimi.
Por, “Dita e Verës”, kishte edhe të veçantat e veta. Kur vinte dreka të gjithë elbasanllinjtë me torba të mbushura i drejtoheshin pikave turistike, si te “Ulliri i Qejfit”, tek “ Rrapi i Vojvodës”, “ Krasta e Madhe”, lëndinat në Krrabë dhe tek “ Kodrina rreth Teqes”. Këtë ditë vajzat shikoheshin nga djemtë të cilët ishin në moshë për t’u martuar dhe mbas ditës së verës kryheshin shumë fejesa në qytet.
I gjithë vakti i drekës në natyrë shoqërohej me grupe ahengu nga amatorë të ndryshëm, ashtu si Isuf Myzyri dikur që këndonte me grupin e tij, ashtu edhe tradita vazhdonte dhe vazhdon edhe në ditët e sotme.
“Ndoshta në vitet e komunizmit festa pati një “ ndrydhje”, pasi nuk festohej si dikur, por prapë elbasanllinjtë gatuanin ballakumet, bënin kamë dhe drekonin në lëndina”.

Madje në vitet pas demokracisë aktivitetet janë shtuar, karnavalet për fëmijët, krosi në mëngjes, si edhe Dita Poetike, shtojnë larminë e aktiviteteve, duke bërë që festa të përfundojë para se dielli të perëndojë dhe të gjithë elbasanllinjtë përcjellin miqtë e tyre nga vende të ndryshme të Shqipërisë dhe mbyllin kështu një ditë të paharruar për një vit të tërë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: e Dites se Veres, ne origjinen

NË SHËNGJININ E AT ZEF PLLUMIT

March 14, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

 1. Nderi i Kombit e Pena e Artë,  At Zef Pllumi, frat françeskan, publicist e shkrimtar i mirënjohur, i thirrun “Arkipelagu Gulak” shqiptar, u lind në zabelin e malit të Rencit (Lorencit) të qytetit turistik bregdetar të Shëngjinit , që thuhet se do të jetë “port i Kosovës” e pritet të bahet “port kinez”.

Në fëmijërinë e tij Zefi veronte tek mixha i vet, Pashko Toma, i shkrelas plot mirësi në këto male historike, i cili bjeshknonte vitpasviti në Qafë të Tërthores në hymje të Thethit të Shalës. Në kit’ vis malësie Zefit i patë ra fati me u njoft me At Gjergj Fishën, At Anton Harapin, At Bona Gjeçaj, të cilët ia dritën udhënisjen drejt misionit fetar e letrar të përjetshëm. Në mbi 30 vite Zef Pllumi me formimin e tij klasik në filozofi, teologji e letërsi, njohës e folës i italishtes, latinishtes, frengjishtes, gjermanishtes, greqishtes së vjetër,  ka sherbye si xhakoj, dhjak e meshtar në Shëngjin, Shkodër, Dukagjin (Shalë, Shosh) e në Nikaj-Mërtur, e në vite të demokracisë në Tiranën metropoliane. Diktatura sllavo-komuniste e dënoi dy herë me 26 vite burgim për bindje e veprimtari fetare e demokratike, pasi sistemi i asaj kohe ushtronte genocid ndaj klerit katolik e frymës perëndimore të letërsisë shqipe.

Në kompleksin e bukur “Rafaelo” në Shëngjin teksa Pëllumb Boshi i Shalës më flet me pasion për At Zef Pllumin, për jehonën në Italinë e Berluskonit të veprës “Rrno vetëm për me tregue” më vijnë ndër mend disa listime. Edhe Shala e degëzimi i saj në Valbonë (Rrogami i Shalës) shpesh e përdorin emrin Pllumbi në breznitë e veta si për të tregue bardhësitë e vendlindjes e të shpirtit të vet, për të simbolizue lajme të mira. Rreth njëqind vjet ma herët, shkrimtarja e gazetarja amerikane Rose Wilder Lane (1886-1968) ishte edhe në Dukagjin e me mbresat e saj të jashtëzakonshme botoi në Londër (1922) librin betseller “Peaks of Shala, Being a Record of Certain Wanderings among the Hill-tribes of Albania” (Majat e Shalës: përshkrim i disa rrugëve mes fiseve të Malësisë së Shqipërisë) e një nga këto tetë  maja, atë të Boshit, Pllumbi e mban për mbiemër. Ai ka edhe një biznes të tij në Tiranë e disa rrethe të Shqipërisë, furrat e bukës “Thethi”, emër i kryeqëndres etno-historike e komunare-turistike së fisit të tij të Shalës. Këto fakte janë magji e madhështi njerëzore të kohës së sotme moderne e globale, ku në komunizëm u treguam shumë internacionalistë dhe tani në demokraci po mbingarkohemi me kozmopolitizëm të tepërt në emra e veprimtari.

Nuk është e rastësishme prania e kulturologut e biznesmenit atdhetar Pëllumb Boshi në delegacionin zyrtar ceremonial në senatin italian në fillim marsi 2014 kur u promovue aty madhërishëm vepra e At Zef Pllumbit “Rrno vetëm për me tregue” i botuar në 12 milionë kopje në gjuhën italiane (“Il Sangue di Abele-Vivi per testimoniare”) me parathanie brilante e kujdes atnor të Silvio Berluskonit. Veprimtari shoqëror, Pëllumb Boshi, i cili më paska njohur mue qyshse në Tropojë e më thotë fjalë të mira për shkrimet për Malësinë e Madhe në tre shtete (nën Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë) e ka dëshmue genetikisht e mirësisht atë çka thotë Rose Wilder Lane për shaljanët e Thethit me “sjellje princërore”, pasi në vendlindje ka ngritë një muze etnografik në kullën alpine të Lulash Keqi Boshit, një kullë tejet funksionale e me veçanësi mbi një shkamb 9 metra i lartë, ku turistët gjejnë traditën e mikëpritjes e atë të kulturës materiale. Nga kjo kullë iu duarnis me mirënjohje të pa cak kavalierit Silvio Berluskoni një kostum kombëtar malësor i Shalës, që u pëlqye nga miku i madh i shqiptarëve, botuesi e çmuesi i veprës së At Zef Pllumbit të Shëngjinit e Shqiptarisë.

   2.

Kryebashkiaku i Shëngjinit, Salvador Kaçaj e themeloi sëbashku me Universitetin Europian të Tiranës çmimin “At Zef Pllumi”, i cili ndahet prej tre vitesh në këtë qytet portual mjaft i bukur e me ardhmëri në pellgun e Mesdheut.

Ky çmim tashma kombëtar është një piedestal nderi i kryebashkiakut Kaçaj për At Zef Pllumin, veprimtar margaritar i kishës, i Urdhnit Shën Françesku, i letrave shqipe, i Kombit Shqiptar.

Ky nder shpërblyes meritor iu ka fatnue për veprat e tyre të veçanta personaliteteve: Ismail Kadare, Preç Zogaj, Spartak Ngjela, Dom Gjergj Meta, Alfred Lela, Bardhyl Londo, Ridvan Dibra, Zija Çela, Bashkim Shehu. Edhe juria e këtij çmimi është dinjitare, pasi në fundvitin 2013 ajo kishte për kryetar Agron Gjekmarkaj, e antarë Besnik Mustafaj, Bujar Leskaj, Aleksandër Çipa e Parid Teferiçi.

Sivjet, në fillim marsi 2014, ky çmim kapërceu Adriatikun e iu dha me ceremoni klasike kavalierit 78 vjeçar Silvio Berluskoni, ish kryeministër i Italisë, kryetari emblematik i “Forza Italia”, një nga pasanikët ma të mëdhenj të globit me mbi 9 billion USD. Berluskoni njihet ndër shqiptarët jo vetëm për mbështjetjet e tij politike ndaj Shqipërisë e Kosovës, për mirësitë e tij pro-shqiptare, po edhe për famën e ekipit të tij të futbollit “Milano”, për kontributin e dhanë me mediat e tij televizive tue na mësue masivisht italishten e ndriçue me kërkue demokracinë euro-atlantike. Tani, së fundit, e botoi edhe triologjinë e At Zef Pllumit. Mediat italiane i kanë cilësue vepren e At Zef Pllumit e fjalimin e Silvio Berluskonit mbi komunizmin si “kalin e luftës” të Kalavierit dhe “Ëngjelli Blu”, etj.

I madhi Berluskoni mbajti një fjalim të madhërueshëm në atë ceremoni tepër të veçantë ku auditorit të nderuar e botës mesdhetare e ndërplanetare iu drejtua me fjalët margaritare: “Komunizmi ishte një ideologji që parashikohej të bëhej një fuqi ushtarake duke lënë pasdore industrinë në shërbim të popullsisë që jetonte në mjerim. Nuk është vetëm një ideologji, por një sëmundje, një çmenduri e vërtetë, e pa shpresë për t’u realizuar. Në këtë libër janë përshkruar dhunime të një niveli, që unë as mund ta imagjinoja. E lexova këtë libër dhe nuk mund të flija”.

Në eventin e çmimit “At Zef Pllumi” për kavalierin Berluskoni ishte i pranishëm një delegacion zyrtar, simbolik e ceremonial me nismëtarët kryebashkiakun Salvador Kaçaj, deputeti  e kryetari i PDK, Nard Ndoka, apo kujdestarët përkryes: E Ngarkuara me Punë në Vatikan, diplomatja Majlinda Doda, ish ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, e nderimtarë të tjerë si  përkthyesja Keida Kaceli, kulturologu Pllumb Boshi.

Kanë kaluar disa ditë nga eventi mesdhetar i promovimit të librit të At Zef Pllumbit e dhaniës të çmimit të madh me emrin e tij edhe në Senatin Italian, po në memorien, në fjalët e në të qeshurën e kulturologut Pëllumb Boshi ende mbetet gjithçka e freskët e domethanëse sikurse në një koktej pas veprimtarisë “Ashti i Kombit” në Shëngjin, më cek humorin e Berluskonit: “Faleminderit, por nuk jam mësuar me çmime, por vetëm me sentencë dënimi”.

3.

Shëngjini me 8 km bregdet mban emrin e shenjtorit Gjin. Njeriu i madh i letrave e revolucionari i hapit të vogël, elitari Fan Noli, me propozim të ambasadorit faik Konica në Ushington ia pat vnue në vitin 1924 qytetit emrin e presidentit amerikan Uilson, engjëlli mbrojtës i shqiptarëve. Këtë emër nuk ia hoqën as zogistët, as fashistët, as nazistët veçse komunistët sapo hypën në (mbi)pushtet.

Edhe qytetit të naftës, Kuçovës, ia banë naftën tue ia ngjit emrin: “Qyteti Stalin”. Gazeta “Zani i Dragobisë”e qarkut të Kukësit dëshmon se më 1945 në qytetin bregdrinas të Kukësit u hoqën emra simbolik të identitetit shqiptar e i pagëzuan me emra kryesisht të heronjëve e dëshmorëve të luftës partizane: Sheshi “Skënderbej” u thirr Avni Rrustemi, ndërsa rrugët nga Lidhja e Prizrenit u kthye në Ibish Milaimi, nga Uillson në Hasan Qarri, nga Haxhi Zeka në Qemal Stafa, nga Ali Pashë Gucia në Meriman Jakupi, nga Sylejman Vokshi në Ibish Shehi, nga Lekë Dukagjini në Myslim Peza, nga Isa Boletini në Sokol Shpendi, etj.

Krejt ndryshe veproi kryebashkiaku i Shëngjinit, Salvador Kaçaj. Prapë, si një amanet nolian, në qershor 2013 ia ktheu prapë truallit të Shëngjinit, sheshit kryesor të qytetit portual, emrin e Uillsonit të madh. Në ceremoninë e përurimit ishte kryeministri Sali Berisha. Kishte ardhë edhe një delegacion i komunës së Gjakovës me kryekomunarin dr. Pal Lekaj.

Kjo e emrit të Uillsonit është një nga ato faktet dëshmuese se figura publike e kryebashkiakut Salvador Kaçaj m’i përnget asaj të Nolit. Përndryshe, nuk e teproj po të them se është një “Fan Noli i Demokracisë”.

4.

Çdokush ndihet i nderuar e lumturuar kur vjen në Shëngjinin me det, mal, pisha, me rërën kurative, me objektet turistike, etj. po më 11 marsin e ditëlindjes së Azem Hajdarit ndihesha  edhe ma i nderuar pasi aty, në lulishten e kompleksit turistik “Rafaelo”,  u tokëm me gjeneralin e luftës e të lirisë dardane, me Ramush Haradinaj, të cilin e kam dy herë “Qytetar Nderi”, të vendorigjinës e të vendlindjes time – komuna Tropojë (Shipshan-Gash i Gurit) e qyteti alpin Bajram Curri.

Mua më dukej dy herë ma i afërt se të tjerët, po në atë tavolinë me fllad deti e erë mali ishte edhe kryebashkiaku  Salvador Kaçaj që e kishte dy herë “Qytetar Nderi”: në Shëngjin e Lezhë. Regjisori Fran Vukaj, bashkudhëtar, valët e zërit të cilit u  ngritën dallgë deti kur recitoi për Azem Hajdarin, dijenon se edhe ai e kishte dy herë “Qytetar Nderi” Ramush Haradinajn, në Pukë prej nga u shpërngul para disa vitesh dhe në banimin e tij të sotëm në qytetin e Kamzës. Ndër të gjithë aty sa ishim në kompleksin “Rafaelo”, poeti e dramaturgu tropojas Azem Baliaj nga Gashi i Gurit e i lindur në B.Curri, me banim të vonshëm në qytetin e Lezhës e çdo vit përkohor, dystinor, në plazhin e mirë të Shëngjinit, e kishte Ramush Haradinaj katër herë të afërt si “Qytetar Nderi”. Biznesmeni e veprimtari Miço Duka i Radikës, i ardhur nga Dibra e Madhe në Shëngjin në promovimin e librit të fundit të Azgan Haklajt na dijenon se Hajadinaj është shpallur “Qytetar Nderi” edhe në Tetovë.

Poeti lab, Luan Y. Memisha–Lepenica, i sapo takuar me mikun e tij të vjetër, gazetarin Preng Baloj, hidhet e thotë se Ramush Haradinaj është “Qytetar Nderi” edhe i qytetit të Flamurit, i qytetit të Vlorës, titull i cili iu dha me meritë e ceremoni në 100 vjetorin e Pavarësisë. Edhe mua m’u kujtua se asokohe, në nëntor 2012, gjenerali i madh ishte i prangosur në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ndaj titullin e mori Anita, bashkëshorte fisnike e bashkëluftëtare moderne e tij, e përkushtuara, e sakrifikuara dhe e lumturuara përkrah tij, e cila është çikë e Prizrenit, studente në Tiranë, nuse në Gllogjan të Deçanit, gazetare në Prishtinë, një nga femrat emblematike në historinë e re të Kosovës.

Lideri popullor Ramush Haradinaj që me pafajësinë e tij në Hagë çertifikoi drejtësinë e luftës së UÇK-së në Kosovë, është “Qytetar Nderi” në vendlindjen e Ismail Qemalit, Sali Berishës, Mbretit Leka i Dytë…e të Salvador Kaçajt dhe në mbasditen e 11 marsit 2014, në ditëlindjen e Azem Hajdarit, edhe në qytetin e Kamzës, në bashkinë e gjashtë në Shqipëri për nga madhësia e popullsia e saj.

Këto vlerësime “Qytetar Nderi” janë një tjetër dimension i ri e i madh i legjendarit të gjallë të Luftës, Hagës e Paqes, Ramush Haradinaj, të cilin presidenti i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj e krahasimon si “De Goli shqiptar”.

  5.

Nuk kam folnue ndonjë herë me zotin Kaçaj përtej përshendetjes, po në koft se ndokush prej jush shkon në Shëngjin ka me kujtue se mos Salvadori është i zgjedhur aty kryebashkiak jo nga 8 maji 2011 po prej se nga 6 prilli 1911 i Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit.

Në biseda të lira gjatë rrugës autostradore dhe aty në kompleksin e bukur “Rafaelo” skej detit shëngjinas dveta për të disaten herë se cilën forcë politike përfaqëson Salvador Kaçaj. Përgjigjet ishin të atilla që flisnin për një kryebashkiak në pesë parti: PS, PD, LSI, i Demokristianëve, i Aleancës Kombëtare Arbnore. Kjo nuk është një huti politike e imja a dikujt tjetër, po dimension i ri i kryebashkiakut Salvador Kaçaj, një arritje e demokracisë.

Epoka dixhitale hap fletët. KQZ jep të dhana: në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011 Salvador Kaçaj ishte kandidat i koalicionit të majtë Aleanca për të Ardhmen, ku fitoi me 10 për qind ma shumë vota se sa ish kryebashkiaku i djathtë, kandidati i Aleancës për Qytetarin. Prandaj edhe në publikime mediatike e quajnë si kryebashkiak i PS. Në fakt kryebashkiaku shëngjinas qënka i PDK (demokristian), forcë politike e cila në elektoriadën e vjetme parlamentare kanë lëviz djathtas, janë në opozitë. Nga ana tjetër, partia udhëheqëse në këshillin bashkiak të Shëngjinit është Aleanca Arbnore Kombëtare e Gjet Ndojit, drejtori i sotëm i Arkivave të Shqipërisë, e cila ka marrë 698 vota, pothuaj ma shumë se dy forcat politike kryesore: PS (405 vota) e PD (347 vota).

Kryebashkiak i Shëngjinit, Salvador Kaçaj po të krahasimohet me votat për këshillin bashkiak  ka marrë 6 herë ma shumë se PS, mbi 23 herë ma shumë se PDK, etj.      Kryeministri Sali Berisha në Shëngjin ka investue shumë si rrallkund edhe në vitet e fundit, pavarësisht se pushtetin lokal në këtë qytet portual ia mori Salvadori me koalicionin e majtë, pavarësisht se ishte në një të ashtuquajturen nga vet Berisha si “darkë e gabuar” ajo  treorëshe në ditëlindjen e 55-të të Zogajt, sëbashku me Frangaj, Fevziun, Ngjelën, Kokëdhimën etj. Kjo përkujdesje e Berishës për Shëngjinin turistik të krijonte imazhin e idenë se kjo bashki bregdetare i përket PD-së, po paska qënë e kundërta, e cila na flet për një tjetër realitet politik e demokratik bashkëkohor. Berisha gjatë qeverisjes së tij i pa me të dy sytë bashkitë e komunat e Shqipërisë e jo njanën me syrin e djathtë e tjetrën me syrin e majtë.

Tashti po i bindem realitetit bashkëkohor: Salvadori paska dalë kryebashkiak prej Salvadorit.

Kryesocialisti Edi Rama veç njëherë publikisht, me ceremoni e para kamerave ia ngriti dorën lart Salvador Kaçajt atë ditë kur fitoi si kryebashkiak demokristian i Shëngjinit. Tashti, nuk e di nëse kryeministri apo ndokush tjetër, po don me ia ulë krahun…(!) Po diçka tjetër mësova në Shëngjin: Salvador Kaçajt nuk i shkojnë aq për shtat kostumet e të tjerëve, aq ma keq një kostum politik i vetëm. Ai, një i tillë si Salvador Kaçaj, që ngren rrugë autostradore për të tjerët nga rranxë malit të gjelbër drejt detit të kaltër, nuk munden ta (peng)ndalin të tjerët në autostradën e tyre, për ma tepër, ma i lanë ata pa korsi apo me i fut në “xhepa” anës saj.

Lezha mesdhetare e qytetërimit ilir, kalasë mesjetare e Beslidhjes Skënderbegiane,  me Shëngjinin portual, në tanësinë e saj territoriale me tokë e ishuj, me det e mal, me rrugë antike e autostrada të reja, ka një sofër të madhe me poetë, gazetarë e shkrimtarë, ka disa pena që i bëjnë nder çdo kohe e treve, si Ndoc Gjetja e Preç  Zogaj, Nikollë Lesi e Aleksandër Frangaj, Rudolf Marku e Agim Isaku, Tonin Çobani e Remzi Lani, Mark Simoni e Pjetër Jaku, Arben Rrozhani e Kujtim Dashi, Silvana Gjebrea e Shpresa Kapisyzi, Gjovalin Gjeloshi, Dashnor Kaloçi, Edmond Kaçeli, Zef Shtjefni, Mirash Marashi, e dhjetra të tjerë.

Në verën e para dy viteve kanë ardhë në Shëngjinin portual mesdhetar tre ish presidentë të rajonit: Moisiu i Shqipërisë, Sejdiu i Kosovës, Mesiç i Kroacisë, të cilët kanë kontribut të përbashkët për paqen e progresin në Ballkan, të cilëve kryebashkiaku Salvador Kaçaj ua ndau me ceremoni titullin “Qytetar Nderi”.

Në Shëngjinin e At Zef Pllumit, më 11 mars 2014, në ditëlindjen e Azem Hajdarit, në kompleksin turistik “Rafaelo”, u përurua vepra e katërt e Azgan Haklajt “Ashti i Kombit”, veprimtari dinjitare e përbashkët e UAKSH e bashkisë së Salvador Kaçajt, ku merrnin pjesë edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjenerali i luftës e i paqes, Edi Paloka, deputetët e kryetar i Grupit Parlamentar të PD, Mbreti Leka II, deputeti Arben Imami, ish ministër i Mbrojtjes, ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, e dhjetra personalitete të politikës, letërsisë, gazetarisë e kulturës nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan.

Në këtë botë të vogël globale edhe Shëngjini i At Zef Pllumbit po bahet përditë e ma i madh si qytet elitar i turizmit, i personaliteteve, i kulturës. Sot kur botën e kemi në pëllëmbë të dorës  në celular, kryebashkiaku Salvador Kaçaj me arritjet e veprimtaritë e tij na e sjellë para syve Shëngjinin me të gjitha bukuritë e madhështitë e tij. Ka të drejtë kulturologu Pllumb Boshi i Thethit kur më thoshte se Shëngjini po rrezaton… Vërtet Shëngjini i Shën Gjinit, i At Zef Pllumit e i kryebashkiakut Salvador Kaçaj po rrezaton ashtu si dikur në Antikitet e pas Mesjetës së Vonë kur rrugët niseshin nga limani i tij në thellësi të Alpeve dhe deri në Nish e Shkup, me Beslidhjen e Lezhës të shtetit të Skënderbeut.. Shëngjini po rrezaton edhe në kohën e demokracisë me portin e tij në rritje, me turizmin e tij elitar, me historinë e tij antike e moderne, me kulturën e tij plot gjallëri, risi e jehonë në dy brigjet e Adriatikut.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: E AT ZEF PLLUMIT, NË SHËNGJININ, Ramiz Lushaj

Respekt Nënave e Mësueseve tona të mira

March 13, 2014 by dgreca

*Shoqata e grave Shqiptaro Amerikane “Motrat Qiriazi” nderoi Meri Kirken si “Gruaja e Vitit”, dhe Drita Gjongecaj “Mesuesja e Vitit”/

* Televizioni”Kultura Shqiptare” shfaqi dokumentarin kushtuar kengetares se madhes Vace Zela/

Nga Ariana Elezaj/

“” Dolëm në lëndina ,brodhëm nëpër faqe ,mblodhëm trëndelina edhe manushaqe.Për ju o nënëza të mira ,gojëëmbla e zemërdlira “. Më kujtohen këto vargje nga fëmijëria sa herë që vjen pranvera e shumëpritur pas një dimri të gjatë e të ashpër.Kjo stinë e bukur  me blerimin,gjallërimin e saj ,gonxhet e mimozave  e cicërimat e zogjve sjell edhe dy festa kuptimplote për kulturën shqiptare. Ditën e mësuesve tanë të respektuar që me durim e pasion na drejtuan në rrugën e bukur të dijes edhe ditën e nënave ,heroinave e zemërbardhave tona. Si përher mundi e përkushtimi I tyre nuk lihet pa u vlerësuar . Shoqata e grave Shqiptaro Amerikane “Motrat Qiriazi” si çdo vit edhe sivjet organizoi aktivitete në nderim të ketyre festave. Siparin e aktiviteteve e hapi takimi dhe prezantimi njohës e informues që kjo organizatë në bashkëpumin me Asembleistin e respektuar ,nderin e krenarinë e shqiptarëve kudo ku janë, të nderuarin Mark Gjonaj organizoi  ditën e Shtunë në 8 Mars në Bronx House.Tema kryesore ishte: “Dallimi i hershëm i Kancerit të gjirit tek gratë edhe masat parandaluese të tij”,cili u paraqit me shumë elokuencë e njohuri  nga Eva Burnazi ,radiokimiste pranë Memorial Hospital .Mbas tij e kishte radhën kënga e vallja ,gëzimi e hareja për të festuar e nderuar së bashku të zgjedhurat e veçanta të këtij viti , Meri Kirka edhe Drita Gjongecaj  e pse jo edhe të madhen e të paarritshmen,nderin e kultures sonë e të kombit Vaçe Zela që u nda nga ne së fundmi.  Dokumentari I shkurtër ,tribute e  nderim për Vaçen I përgatitur me mjeshtëri nga Adem Belliu edhe stafi I emisionit Kultura shqiptare hapi programin . Moj e bukura Arbëri, Valësi I lumturisë, shtëpia jonë e lemza nën tingujt e bukur të muzikës dhe zërit melodioz të Fitore Mamaqit e prunë të gjallë kujtimin e saj në sallë . E pastaj Dr.Anna Kohen president e AAWO u uroi mirëseardhjen të pranishmëve si edhe prezantoi Gruan e vitit  Meri Kirka .

Meri ,e cila siç thuhet edhe në biografinëe e saj të shkurtër është njè grua e mençur ,e zgjuar me karakter të fortë , e sinqert dhe e ndershme në çdo fjalë që thotë e veprim që ndërmerr .Një grua e rrallë me cilësi të veçanta morale e qytetare për tu admiruar.Bijë e një familjeje të respektuar Durrësake e  karakterizuar nga ndershmëria edhe dashuria për punën edhe njerëzit. Meri provoi eksperiencën e hidhur të persekutimit gjatë  regjimit komunist. Martesa me Niko Kirkën ,një demokrat në shpirt dhe bir I Kristo Kirkës ish kryetar I bashkisë së Korçës në kohën e Zogut  e vuri në spovë karakterin e saj. Ajo me devotshmërin edhe kurajon që e karakterizonte u bëri ballë gjithë vështirësive që e  sprovoi  jeta edhe u bë një shembull frymëzimi për familjen, të afërmit si edhe për gjithë komunitetin.”Me humanizmin e saj Meri I ka dhënë më shumë jetë , dashuri e kuptim jetës.”Mjafton të takohesh me Merin dhe të bisedosh me të do të mbetet në mendje fisnikëria edhe fjala e saj e ëmbël e inkurajuese e cila është burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.

Beti Beno nënkryetare e shoqatës së grave shqiptaro-amerikane “ Motrat Qiriazi” pati nderin tu paraqiste pjesëmarrsve Drita Gjongecaj, mësuesen e vitit. Drita e lindur në Tropojë edhe e edukuar në vendlindje edhe në Amerikë është një shembull I shkëlqyer I grave intelektuale që me arsim e punë të palodhur arrijnë majat e suksesit . Drita është aktualisht nëndrejtoreshë e shkollës “ Theodore Schonfeld “ në New York. Por gjatë gjithë jetës së saj që nga fillimet si mësuese e gjuhës e letërsisë shqipe ,e më vonë si drejtuese e Bibliotekës shkencore pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës në vendlindje Drita është dalluar për nivelet e saj të larta edukative e drejtuese. Jeta në Amerikë nuk mund të ishte ndryshe. Edhe pse në fillim e detyruar të bënte çdo lloj pune të për të përballuar shpenzimet e familjes për tu ambientuar në vendin e ri nuk e ndalën Dritën të vazhdonte studimet dhe  të gjente vendin e merituar në shoqërinë  e re. Drita punon me devotshmëri  dhe pasion duke inkurajuar studentët e saj duke bërë ndryshime në jetën  e tyre. Gjatë gjithë jetës së saj si edukuese e drejtuese Drita ka prekuar qidra zemra e ka drejtuar në rrugën e suksesit shumë të tjera . Ajo në të njëjtën kohë  është një bashkëshorte e shkëlqyer një nënë e gjyshe e mrekullueshme e një djali të vogël .

Mbrëmjen  e përshëndeti edhe asembleisti i distriktit 80 në Bronx Mark Gjonaj i cili shprehu respektin dhe vlerësimin e tij për punën e palodhur të shoqatës”Motrat Qiriazi”  në shërbim të grave shqiptare si edhe shprehu gatishmërin se dera I zyrës së tij është gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar në të mirë të komunitetit . Kështu në datën 30 Mars  AAWO me mbështetjen e Shoqatës Italiano-Amerikane për kancerin dhe në bashkëpunim me zyrën e Mark Gjonajt do të organizojnë mamografi falas për të gjitha gratë e interesuara. Kushdo që dëshiron janë të mirëpritur. Regjistrimi paraprak është I nevojshëm.Për regjistrime dhe më shumë informata mund të  drejtoheni tek AAWO në 212-244-8440o e tek Zyra e Asembleistit Mark Gjonaj  347-810-0910.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 150
  • 151
  • 152
  • 153
  • 154
  • …
  • 172
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT