Nga Nini Mano/- Për vitin 2014, në 19 nëntor vajzës së re 25-vjeçare shqiptare, Fatime Nexhipovska j’u dha në dorë çmimi “Frymëzuese për një shoqëri më të mirë” nga princi i Suedisë, Carl Philip dhe Sofia Hellqvist, ndërsa biznesi i saj u vlerësua si “një formë për të vënë në dukje idetë, pasionet dhe vullnetin e të rinjve, nxitjen e tyre për t’a parë me optimizëm të ardhmen. Një formë e tillë sipërmarrje synon të zgjerojë vetë nocionin “Sipërmarrje” dhe të tregojë se gjenden lloje të ndryshme sipërmarrësish”.
Me prindër shqiptarë nga Prespa, Fatime Nexhipovska ka lindur 25 vite më parë në Suedi, por fare e re, u bë e njohur për angazhimin si veprimtare në shërbim të të rinjve. Në 2012 krijoi biznesin social ”Brightful”, që ofron konsulencë të plotë për përgatitjen e mentorëve për të punuar me nxënës nga klasa e 5-të deri tek e 9-ta, nëpër shkollat 9-vjeçare. Sot, edhe pse vetëm 25 vjeç, synon që të rinjtë të zhvillojnë personalitetin e tyre në moshë fare të re duke u nisur nga dëshirat, idetë dhe qëllimet për të ardhmen, bashkë me mënyrën që duhet ndjekur për t’i realizuar.
Për gjithçka ka arritur Fatime Nexhipovska, u soll si model i suksesshëm shqiptarësh në Suedi në një mbrëmje festive për festat e Nëntorit, organizuar nga Shoqata Kulturore “Tirana”, në Malmo. Veç takimeve të shpeshta mes shqiptarësh tek zyrat e shoqatës, festimet në grupe të mëdha janë mundësi e mirë për të njohur arritje të spikatura bashkëkombasish, që sjellin bashkë me krenarinë, edhe modele për t’u ndjekur nga më të rinjtë.
“Shumë nga të rinjtë që takoj, ndihen të pasigurt për të ardhmen, ndaj me grupin që drejtoj, i ndihmojmë që të mos fokusohen tek problemi, por tek zgjidhja e tij”, tregon Fatimja biznesin e saj social që ka hapur, me fokus, punën me të rinj se si të mund të gjejnë kënaqësinë për t’u rritur sipas idhujve që zgjedhin për t’i udhëhequr në jetë deri sa të arrijnë qëllimet.
Brenda një viti, vajza e re me vullnet përmes referateve, workshop-eve, bisedave të drejtpërdrejta ka takuar, frymëzuar e nxitur besimin për të ardhmen tek mbi 100 të rinj. Për këtë sipërmarrëse sociale edhe pse e re, nuk vonoi vlerësimi i shtetit suedez.
“Shtëpia” që mbledh shqiptarët në Malmo
Shqiptarët e trojeve jashtë kufirit me Shqipërinë, rreth 50 mijë e prekën herët, para 35 vitesh Suedinë, ku ndjenë përshtatjen e mentaliteteve, që sot reflektohet tek brezi i fëmijëve të tyre, që nuk dallojnë prej suedezëve. E kupton kur ndodhesh mes tyre në Malmo, qyteti i tretë nga madhësia në Suedi, sikurse tek gëzojnë së bashku festat e nëntorit, në mbrëmjet e organizuara nga shoqata Kulturore “Tirana”, ndjen se secili i ruan brenda vetes rrënjët e origjinës.
Në qytetin Malmö, i treti për nga madhësia në Suedi, pas viteve 90-të kanë mbërritur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë rreth 1300 shqiptarë, prej të cilëve, një grup i vogël punuan e krijuan në 8 shkurt 2003 shoqatën me emrin e kryeqytetit, Tirana. Prej vitesh zyra e saj është kthyer në një vend të ngrohtë takimesh, ndjesi malli e dashurie të fortë për vendlindjen, dhe pse jo, ndoshta mbajnë në shpirt në mijëra kilometra larg, edhe traditën e një historie shekullore emigrantësh shqiptarësh nëpër botë.
Zyra e shoqatës kulturore “Tirana” ndërtuar sipas modelit suedez, sot është pika e fortë që mbart traditat kombëtare sidomos tek të rinjtë e rritur me kulturën dhe mes suedezëve. Maks Cifligu e ka merak dhe kujdeset që ta mbajë përherë hapur lokalin e shoqatës për veprimtari me fëmijë e të rinj, që e vizitojnë gjatë kohës së lirë. Aty mblidhen jo vetëm banues në lagjen ku ndodhet, por nga tërë Malmö e rrethinat, ku jetojnë rreth 12 mijë shqiptarë nga gjithë trevat shqipfolëse. “Ne synojmë t’i shërbejmë gjithë komunitetit ku jetojmë, ndaj kemi zgjedhur forma të tilla, që zyra të jetë e vizituar nga të rinj, që vijnë dhe kalojnë kohën e lirë nën shoqërinë e leximit, lojrave, bisedave të ndryshme për zakonet e çdo vendi”, tregon Maksi.
Shoqata ka një kryesi, që punon mbi baza vullnetare, që herë pas here ripërtërihet e ku çdo anëtar përbën një shembull pozitiv përpjekjesh integrimi në shoqërinë suedeze. Këtë vit, si rastësi e bukur, ka më shumë gra: Dhurata Alla, mjeke e përgjithshme në ambulancën e një prej lagjeve të mëdha në Malmo, pedagogia Rita Cifligu, Liana Xhakollari mjeke në spitalin universitar aty, Shaip Morina, i angazhuar si drejtues për aktivitetet e kohës së lirë dhe sipërmarrësi Adriatik Xhakollari.
Rita Cifligu, ndër nismëtaret, tregon nisjen kur u mungonte përvoja e organizimit: “Na ndihmoi shumë Enti për Kohën e Lirë në Malmo, që jep kontribut të çmuar me materiale ndihmëse, këshilla, kurse të ndryshme se si duhet formuar, drejtuar, organizuar një shoqatë ideale”. Mësuese në lëndët sociale në 20 vjet në Malmo, ajo ka provuar çdo shkallë mësimdhënie në shkollat suedeze si dhe për shqiptarët. Prej vitesh punon koordinatore me prindër nxënësish të çdo moshe dhe nacionalitetesh në një prej minibashkive në Malmo dhe është anëtare e Entit për punët parandaluese dhe kohën e lirë, ku drejton programe të ndryshme me të rinj e të rritur. Eshtë një model organizimi i suksesshëm në Suedi me të huajt aty, me objektiv, që duke kapërcyer ndryshimet, ata të përshtaten me kulturën e shoqërisë suedeze. Rita vetë mbetet aktive për t’i stimuluar shqiptarët, por dhe t’ua bëjë të njohur suedezëve kulturën shqiptare.
Pogradecarja Liana Xhakollari përveçse kreu studimet e larta për mjekësi në Malmo, punon mjeke në spitalin universitar aty dhe për 4 muaj përfundon specializimin për veshkat. “E kam dëshirë që të hap një klinikë në Shqipëri ku të përdor teknikat e fundit për shërimin e veshkave”, tregon ambicjen gruaja e re, që erdhi 15 vite më parë në Malmo duke ndjekur dashurinë e jetës, Adriatikun.
Ndër vite, aty janë bashkuar shqiptarë nga trojet shqipfolëse jo vetëm nga qytete të tjera në Suedi, por dhe nga Norvegjia e Danimarka. “Qëllimi i shoqatës synon të mbajë gjallë frymën e atdhedashurisë, jo vetëm me aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive për çdo moshë, por duke gjetur frymën e bashkëpunimit me shoqata dhe organizma të tjera, me qëllim integrimin e çdo banori në shoqërinë ku jetojmë”, tregon kryetarja e shoqatës Dhurata Alla, që pasi studioi, sot punon mjeke e përgjithshme në ambulancën e një prej lagjeve të mëdha në Malmo.
Promovimet e shqiptarëve të suksesshëm nga shoqata Kulturore “Tirana” po rrisin interesin mes shqiptarëve për tu njohur me njëri-tjetrin dhe pse jo, dhe nga të huaj të tjerë. Kjo mënyrë organizimi bën që në çdo festë shqiptarësh, takon suedezë, rumunë, sllovenë, të tjerë të interesuar për kulturën shqiptare. Çdo vit Shoqata “Tirana” në bashkëpunim me organizma artistikë nga Shqipëria, fton grupe artistësh, si shkolla e Baletit në Tiranë, shoqata ”Artisti”, grupi artistik ”Kolonja”, grupi artistik ”Bluepidamus”, etj, ku kulmi mbeten festat e Nëntorit.
“Nuk mblidhemi vetëm për të kënduar e kërcyer, por dhe të promovojmë vlerat, që shumë shqiptarë po arrijnë këtu. Bashkëpunojmë dhe presim sugjerimet e sipërmarrësve tanë duke ftuar njerëz me kontribut të spikatur, modele, jo vetëm për t’u ndjekur, por dhe t’i njohë çdo shqiptar në Suedi”, tregon synimet e shoqatës Rita Cifligu. Nëntori i sivjetëm në Malmo me përvjetorin e 102-të të Ditës së Flamurit dhe 70-vjetorin e çlirimit, mblodhi dhjetra shqiptarë në një mbrëmje me aromë Shqipërie me këngëtaren Ludmilla Baballëku dhe Arben Zhezha.
Modele shqiptarësh të suksesshëm në biznese
Në Malmo dhe rrethinat, Adriatik Xhakollari njihet si sipërmarrës shqiptar, që ka prej vitesh biznesin e mirëmbajtjes së banesave dhe një agjenci punëtorësh të specializuar. Me origjinë nga Skrapari, i rritur në Laç, fare i ri emigroi me anijen “Panama” në Itali dhe pas dy vitesh u vendos në Malmo. Prej 20 vitesh sot ai jeton me Lianën dhe dy fëmijë, që e flasin bukur shqipen.
Në pak ditë qëndrimi në Malmo e ke lehtë të takosh shqiptarë, që të integruar në shoqërinë suedeze, kanë krijuar profilet e tyre sociale, kanë biznese, kryesisht në fushën e shërbimeve si Adriatiku, me restorante, apo lokale dëfrimi. Një restorant i një shqiptari nga Maqedonia me të punësuar shqiptarë, mbushet plot me suedezë, kinezë, arabë, patjetër dhe shqiptarë, që shijojnë byrekun, por dhe tavat karakteristike.
Befasi krijon lokali muzikor i Agronit, një strugan, që vendosur para 35 vitesh në Malmo, ka grupin e vet muzikor ku buçet muzika shqiptare. Aty çdo fundjavë grupe vajzash dhe djemsh të rinj mblidhen dhe kur bisedon me ta, kupton se ndonëse të rritur në Suedi e ku ndihen suedezë, malli për atdheun u rri ndër sy.
Nga Lundi vjen Viktoria Malo, sociologe. Jeta e vuri në provë tek mësoi se djali i vogël 3-vjeçar kishte autizëm. Pasi kaloi frikën e parë, ju përkushtua biznesit social për njerëz me aftësi të kufizuara, duke lënë punën 20-vjeçare në Entin e Migracionit. Prej vitit 2007, nuk është ndalur dhe sot ka një nga ndërmarrjet më të mira në Suedi. Në vitin 2010 u nominua si një nga 900 ambasadorët e biznesit nga Bordi Suedez për Ekonomi dhe Rritje Rajonale, (që ndjek rritjen e qëndrueshme e të vazhdueshme të biznesit në Suedi).
“Sivjet, sfida ime mban emrin “Stokholm””, tregon Viktoria nisjen për të hapur atje qëndrën e dytë. Si gjithë jeta e saj luftarake, e di se do t’ja dalë, se di që cdo punë kërkon përkushtim të veçantë, pale kur bëhet ndaj njerëzve me aftësi të kufizuar. Viktoria Malo vlerëson reformën në kujdesin shëndetësor që nisi Suedia në vitin 1994 kur u fut shërbimi privat për njerëzit me aftësi të kufizuar me më shumë liri përzgjedhjeje. Si grua në biznes, suksesin e ka arritur përmes sfidave: “janë përzgjedhjet tona që tregojnë se cilët jemi, shumë më tepër se’ç mund të na tregojnë aftësitë që kemi”, thotë Viktoria Malo, që gjithë jetën ka ecur në kërkim për të njohur veten, të tjerët.
Nga sipërmarrja, tek gruaja në politikën suedeze, është ecja e Mira Gërxhaliu, që 8 vjec me familjen nga Mitrovica e Kosovës, emigroi në Suedi. Diplomuar për menaxhim ndërmarrjesh, prej 3 vitesh Mira ka biznesin e vet për organizim dasmash dhe eventesh. Jeton me dy fëmijët në qytetin turistik, Höganäs dhe së fundi është pjesë e politikës së djathtë me partinë Moderaterna në Suedi.
Gruaja e re në politikë, është zv/kryetare e Bordit të mirëqënies sociale në komunë, para pak muajsh kandidoi në zgjedhjet komunale, u votua dhe u zgjodh anëtare e Këshillit Bashkiak në Höganäs, ku mban deytyrën e zëvëndëses të Entit Arsimor. Sivjet ka hapur biznesin e dytë, firmën konsulence “R&G Trade Business development”, me drejtim investime në agrobujqësi në Kosovë. “Dëshiroj të dicka në trojet tona”, thotë Mira Gërxhalliu. Qëllimet e jetës i lidh me ambicjet: “ndihem e lumtur kur shikoj rezultate të mira, ndihem mirë kur kontribuoj për shtetin, fëmijët dhe familjen time. Mbi të gjitha, dua t’u përcjell mesazhin e një modeli pune fëmijëve të mi, që ta dinë se asgjë nuk është e pamundur nëse e do punën”.
Elvira Haxhiaga mbrriti nga Kosova në Malmo shumë e re. Ndonëse ka aty 23 vjet, ndryshimet në mentalitete i nxitën idenë për biznes në fushën e psikoanalizës, kryesisht rritjen e vetvlerësimit pozitiv tek pacientë nën depresion. Fare e re nisi përkthyese e anglishtes në ndihmë të grave shtatzëna nëpër maternitete në Suedi, Finlandë e Norvegji nga gjuhët shqip e sërbokroatisht. Studente për Informatikë në Universitetin e Lund u përfshi në projekte për mediat digitale, dha leksione mbi teknologjinë kompjuterike, drejtoi lajmet në dy Radio lokale, u zgjodh koordinatore mes shoqatave rinore suedeze dhe multi-etnike në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar, që synonin punësimin dhe integrimin e tyre në shoqërinë suedeze.
Prej vitit 2007 Elvira Haxhiaga ka biznesin e vet “Obruten Mark” me terapi këshilluese. “Jam e zgjedhur si eksperte nga shteti dhe zhvilloj leksione me organizata e kompani në Suedi dhe Danimarkë mbi zhvillimin personal, karrierën, punësimin”, tregon ajo. Nga viti 2012 Elvira Xhilaga ka zgjeruar biznesin në Maqedoni e Kosovë dhe së fundi synon Shqipërinë ku mendon se ka shumë punë, pasi ndryshe nga suedezët, shqiptarët në vend që të bëjnë diçka të vlefshme në jetë, studjojnë për një diplomë apo tituj, edhe pse nuk u hyjnë shumë në punë, cka u krijon gjendje depresive.
Fierakja Julia Shameti Fridevik, nënë e tre fëmijëve jeton në qytetin Helsingborg, ku ka biznes sallonin e bukurisë “Spegeln”. Njihet si artiste dhe bamirësi, merr pjesë në cdo maratonë vrapimi me flamurin shqiptar mbi shpatulla në finish. Për të shkruar gazeta lokale një artikull me përshtypjet e klientëve për punën e Julias, që tregon rrugën ku mbrriti deri sot. “Sa mbrrita 12 vjet më parë në Suedi, linda fëmijën e tretë, u përballa me shumë vështirësi, isha pa punë, nuk njihja gjuhën vëndase, por e vendosur të mos kthehesha pas. Kështu nisa ta mësoj nga librat e fëmijëve, cdo ditë punoja 4 orë tek Fondacioni bamirës ”Öppet Hand,” ku paketoja veshje e ushqime për vendet e varfëra e kështu mësova gjuhën. Më pas u diplomova si parukiere, nisa punë në sallone të ndryshme deri sa u vendosa në Helsingborg ku kursimet i investova për një sallon bukurie. Shpejt kuptova se kisha bërë zgjedhje të drejtë”. Julia Fridevik si grua në biznes, vlerëson që shumë shqiptare me fëmijë, janë shkolluar në universitete në Suedi dhe mendon se “kur njeriu zgjedh të bëj atë që do, nuk ka ndryshim nëse je burrë, apo grua”.
Duke bërë cdo vit me promovim shqiptarësh të shquar, nisma e shoqatës Kulturore “Tirana” tashmë është përhapur ndër të tjera shoqata shqiptarësh.
Mira Gërxhalliu, që është dhe nënëkryetare e Ligës së shoqatave “Iliria” tregon se ka nisur puna për një botim special me shqiptarët e suksesshëm në Suedi, që do të promovohet mot në Stokholm. Mes tyre, patjetër dhe gjithë sipërmarrëset gra, që janë fokusuar drejt bizneseve sociale. Një fushë, që e nxitur nga shteti, krijon një brez të përgjegjshëm, të lumtur, që e vecon Suedinë në botë, ndërsa për shqiptarët e integruar shënon pikën e barazimit mes mentaliteteve shqiptare dhe suedeze.
KËSHILLI MINISTROR XXI I OSBE-SË – BAZELI – TRE GAZETARË SHQIPTARË
nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Prej dates 4-5 Dhjetor në Qendrën e Kongresit të Bazelit u mbajt Këshilli i 21 Ministror i OSBE-së. Zvicra ishte mikpritësja dhe drejtimin e rradhës për vitin 2014 e kishte Ministri i Jashtem dhe njëkohësisht Presidenti i Konfederates Helvetike zoti Didier Burhalter.
OSBE, Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, ku janë të anëtarësuara 57 vende nga Europa, Amerika e Veriut dhe Azia është organizata më e madhe e sigurisë rajonale në botë që vepron për garantimin e paqes, demokracisë dhe stabilitetin për gati 1 miliardë banorë.
Këshilli Ministror është trupi vendimmarres dhe qeverisës i OSBE-së. Ky Këshill mblidhet një herë në vit, me pjesmarrjen e ministrave të jashtem dhe rreth 70 delegacioneve, që vijnë nga vendet anëtare dhe organizma të ndryshme interesi i të cilave lidhen me problemet e sigurisë.
Është e dyta herë qe Zvicra ka udhëheqjen e rradhës të OSBE-së.Për herë të parë e ka patur në vitin 1996. Atë kohë drejtohej nga Këshilltari i Departamentit të Punëve të Jashtëme Flavio Cotti dhe atë vit OSBE ishte shumë kritike ndaj Shqipërisë pas zgjedhjeve të 1996. Zvicra është anëtare e OSBE që prej 1975 kur është krijuar ky organizëm. Shqipëria është anëtarësuar në OSBE-së në qershorin e 1991.
Presidenca e Zvicrës për vitin 2014 është udhëhequr nga motoja “Krijo sigurinë e komunitetit për të mirën e te gjithëve” duke u fokusuar “në tre objektiva supreme që përqendrohen në vlerat themelore të sigurisë, lirisë dhe përgjegjshmërisë”.
Gjatë gjithë 2014 në qendër të vemendjes të OSBE-së ka qenë kriza në Ukrainë e tani në bilancet e fundvitit mund të themi se pak ose aspak është bërë në zgjidhjen e kësaj krize. Po përmend këtu Ministrin e Jashtem ukrainas Pavlo Klimkin, i cili në fjalën e tij gjatë takimit të 21-të të Këshillit Ministror deklaroi se vendi i tij ka nevojë për një armëpushim të vërtetë e jo për deklarata boshe.
Po aq e fuqishme është edhe deklarata e kryesuesit të rradhës i OSBE-së, Didier Burhalter i cili që në fjalën e hapjes të punimeve të KM të OSBE-së e përshkroi në mënyrë alarmante situatën në Ukrainë. Z.Burkhalter permendi Donjeckun, qytetin me një skuader të famshme futbolli që në vitin 2012 mikpriti pesë ndeshje të finaleve të kampionatit evropian, prej të cilit tani kanë mbetur vetëm gërmadhat që mbahen nën kontrollin e paramilitareve. Këto ngjarje përfshirë aneksimin e Krimesë nga Rusia, i kanë vënë në dyshim parimet që në kontinentin tonë dukej se kishin triumfuar në mbarim të Luftës së Ftohtë, nënvizoi Burkhalter, duke “vendosur pikpyetjen nëse objektivi për të krijuar një bashkësi të sigurtë nga Vankuveri në Vladivostok a do të jetë më aktual”.
Qendrimi skeptik i kryesuesit të rradhës të OSBE-së zotit Didier Burhalter, do t’i bashkohej skepticizmit të përgjithshëm, duke mos harruar të vinim re edhe kryesuesen e rradhës të OSBE-së që për vitin 2015 do të jetë Serbia, e njohur për marrëdhëniet speciale që ka me Rusinë.
“B” SI BAZEL – QYTETI KU U MBAJT KËSHILLI MINISTROR I 21-TË I OSBE-SË
Bazeli shtrihet buzë lumit Rhin, burimi kryesor i të cilit gjendet në akullnajat paradiziake të Graubündenit, kantonit më lindor i Zvicrës, por degë të tij vijnë edhe nga Liqeni i Konstancës duke përshkuar Zvicrën, Francën, Belgjikën, Hollandën, Gjermaninë, Austrinë, Liechtensteinin, Italinë.
Rhini vëzhgohet mrekullisht nga Urat e që e kalërojnë duke i dhënë magjinë qytetit dhe Konfederatës Helvetike lidhjen me Detin e Veriut, aty ku derdhet në Rotterdam.
Toponimia e “Dreiländereck” – “Trekëndëshi ku bashkohen tre shtetet – Zvicra-Gjermania-Franca, si një gadishull në miniaturë i rrethuar nga Lumi Rhin i takon Bazelit. Edhe Universiteti më i lashtë i Konfederatës, që daton vitin 1460 dhe që lidhet me emrin e humanistit të madh Erasmus von Rotterdam duke kujtuar thëniet e tij se “njeriu për njeriun është ose Zot ose ujk” apo “Ndriço dhe errësira do të zhduket vetëvetiu”. A nuk përkon deduksioni i tij filozofal me binomin fjalësor “Mehr Licht!”, dy fjalët e fundit shqiptuar në frymën e fundit nga Johann Wolfgang von Goethe! Në Bazel ka jetuar po ashtu Friedrich Nietzsche, krijuesi i Übermensch-it, Supernjeriut – në veprën e tij fondalendale Kështu foli Zarathustra – Also Sprach Zarathustra.
Zvicra i jep rëndësi të madhe imazhit të shtetit. Këshilli Federal i Konfederatë Helvetike e zgjodhi Bazelin, ai qytetin mikritpritës të Këshillit Ministror të 21-të të OSBE-së që në shtatorin e 2012.
Duke qenë si pike takimi midis tre shteteve Zvicër-Gjermani-Francë pranë një aeroporti ndërkombëtar, si të thuash qyteti ndodhet në zemër të Europës. Me TGV Parisi është vetëm tre orë larg. Amstardami vetëm rreth 600 km, Brukseli rreth 500 e sa, Frankfurti rreth 250 km, pastaj me tren aeroporti i Zürichut- Kloten nga Bazeli mban vetëm një orë. E kështu me rradhë.
Congress Center me kapacitet deri 4000 mijë vetë ka infrastrukturën ideale për një event të tillë, për të treguar se Zvicra është një vend ideal për organizimin e Konferencave Ndërkombëtare.
Bazeli ka një traditë të gjatë si Qytet i Paqes. Përmendim këtu Asamblenë Ekumenike me temën “Paqja në Drejtësi” mbajtur më 1989 («Frieden und Gerechtigkeit in der Bewahrung der Schöpfung») apo njëqindvjetorin e Kongresit Sionist mbajtur më 1997 etj.etj.
Të mos flasim pastaj për Art Basel, Baselworld, Messe Basel,Karnavalet e Bazelit, Fasnacht Basel, që festohet pas të Mërkurës të Hirit, si e ka titullin Ash Wednesday poema e T.S.Eliot. Të mos përmendim pastaj panairet e përvitshme ndërkombëtare, ku Bazeli krenohet se ka traditë fantastike në organizimin e eventeve botërore. Të mos harrojmë edhe Kampionatin Europian të Futbollit, ku Bazeli demonstroi se ishte qyteti ideal për të mikpritur miq nga e gjithë bota.
Këshilli Ministror i 21-të i OSBE-së do të ndikojë për t’i dhënë Bazelit një qendërvemendje të re, si qytet që organizon ngjarje të kalibrit botëror. Bazeli po ashtu jep një kontribut aktiv në promovimin ndërkombëtar të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të shtetit të së drejtës, sigurisë dhe paqes. Qendra e Kongresit e Bazelit është e veçantë sepse duke mbizotëruar qelqi, të kujton “pallatin e xhamtë” të OKB-së në New York.
Bazeli gjithmonë është i interesuar për “Return on Investment”, për investime. Prandaj mikpritja e Bazelit ndaj rreth 2000 miqve pjesmarrës në Këshillin Ministror të 21-të të OSBE-së ku përfshiheshin edhe gazetarët padyshim që do të ishte e shkëlqyer.
TRE GAZETARË SHQIPTARË NË KËSHILLIN MINISTROR TË 21-TË OSBE-SË
Në mesin e 2000 të ftuarve, midis të cilëve Sekretari i Shtetit të SHBA John Kerry, ministri i jashtëm i Gjermanisë Frank Walter Steinmeier dhe Ministrat e jashtëm nga 50 vende të OSBE-së përfshi Ministrin e jashtëm të Shqipërisë, ishim edhe rreth 230 gazetarë të akredituar nga e gjithë bota.
Akreditimi i gazetarëve kishte nisur të paktën një muaj më parë dhe gazetarët e akredituar mbaheshin të përditësuar permes internetit vazhdimisht në lidhje me aktivitetin që do të vinte. Me mbërritjen në Bazel, bashkë me çantën e gazetarëve si dhuratë në pikën e akreditimit, aty do të ndaheshin distinktivat që gazetarët duhet t’i mbajnë në raste të tilla në mënyrë dalluese, ku nuk mungonte as një Tobleronte zvicerane dhe sidoms Media Handbook, një lloj libërxhepi – ku faqja e parë hapej me urimin e mirëseardhjes nga mikpritësi, Ministri i jashtëm zviceran dhe kryesuesi i rradhës i OSBE, Didier Burhalter dhe pastaj aty jepej i gjithë programi i hollësishëm nga mbërritja e deri tek largimi i tyre nga Bazeli.
Në raste të tilla ndihesh krenar për profesionin që ke, por kjo e rrit dozën e përgjshmërisë. Qendrimi i gazetarëve në Bazel niste nga 1 deri më 5 dhjetor. Qendra e mediave ku ishim të vendosur zinte një hapësirë shumë të madhe. Në tavolinat e gjata ishin të vendosur laptope, telefona fix dhe pjesa më e madhe e aktiviteve ndiqej live përmes ekranëve gjigandë që ishin të instaluar në sallën gjigande.
Gazetarët nëpër qytet udhëtonin gratis, mjafton që të tregonin distinktivin. Po ashtu në sallën e mediave ishin snackbaret për të konsumuar ushqimin e njohur të gazetarëve, siç janë sandwiches, snacks-et, kafetë, çaji, coca-cola dhe fruta. Dreka po ashtu konsumohej brënda qendrës të Kongresit ku gazetarët i priste menyja e një restauranti japonez.
Të gjithë qytetarët e Bazelit dhe Basel-Landit mirëinformoheshin që në autobuzë dhe trama, se gjatë ditëve që do të mbahej Këshilli Ministror i 21-të i OSBE-së, prej 3-5 dhjetor, në Qendrën e Kongresit do të ishte i bllokuar qarkullimi. Kush e njeh Bazelin e di se në Qendrën e Kongresit gërshetohen shumë trama. Nga ajo anë e qytetit që vinim ne, linjat e tramave e përfundonin rrugën tek stacioni i Klarastrasse dhe aty ishin të detyruar të zbrisnin të gjithë. Pikërisht aty prisnin forcat e sigurisë dhe lejohej kalimi i vetëm ne gazetarëve duke treguar distinktivat tona.
Që ditën e parë, posa mbërritëm në mëngjes herët në sallën e madiave, të parën gjë që bëmë, u interesuam nëse kishte gazetarë shqiptarë. Përveç ne të dyve që ndihemi shumë mirë si shtetas të Zvicrës, por që nuk i harrojmë kurrë rrënjët nga vimë, mësuam se aktivitetin nga Shqipëria do ta mbulonte edhe Rezar Balla nga RTSH bashkë me operatorin.
U takuam me Rezarin dhe i kujtuam se me vëllain e tij Sokol Ballën, që nga samiti i Strasbourgut kur Shqipëria u anëtarësua në NATO, e kemi lënë të takohemi përsëri në Strasbourg, kur Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së!
Pyetja është se kur do të bëhet Shqipëria anëtare e BE-së?
E veçanta e takimit të 21-të të Këshillit Ministror të OSBE-së ishte kur Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati në fjalën e tij u ndal në rolin që duhet te luajë OSBE-ja në respektimin dhe nxitjen e të drejtave të bashkëkombësve tanë në rajon si dhe në afrimin e Kosovës me organizatën.
“Ne besojmë fuqimisht se Kosova duhet të ketë vendin e saj në OSBE, si pjesë e rëndësishme e përfaqësimit të saj në organizmat rajonal dhe ndërkombëtar, pasi kjo do të rriste efikasitetin e vet Misionit të OSBE-së në Kosovë”. tha Bushati.
Kosova është pjesë e përhershme e axhendës diplomatike të Shqipërisë, por pa arritje të prekëshme. Kosova nuk është e anëtarësuar ende as në Këshillin e Europës dhe rezulton që të jetë ishull i izoluar, si i vetmi vend që nuk gëzon as të drejtën nga liberalizimi i vizave. Viti 2014 ka qenë një vit dështimi për diplomacinë shqiptare në përgjithësi edhe Prishtinën, pasi gjatë 2014 kanë qenë vetëm katër shtete të reja e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pra faktet flasin vetë.
Malësorët e Ded Gjo Lulit midis palëve të Flamurit
Nga Keze Kozeta Zylo/
Nëntorin e Flamurit, Nëntorin e Pavarësisë shqiptarët kudo si dhe në Amerikë e kanë muajin më të shenjtë, muajin më të bukur, sepse mblidhen të gjithë së bashku rreth Flamurit të Nënës Shqipëri.
Në restorantin Eastwood Manor në Bronx, Fondacioni Plavë e Guci festoi me madhështi 102 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Salla plot e përplot ku organizohej Festa ndrinte nga flamujt kuq e zi dhe njerëzit veshur me këto ngjyra kombëtare. Ata me krenarinë e ligjshme e festojnë këtë ditë të shenjtë, ata përkujtojnë se pikërisht në vendin e tyre në Bratile të Hotit u valëvit Flamuri i Gjergj Kastriotit në prill të vitit 1911 pas luftrave, përpjekjeve heroike, pas robërimit të zi 500 vjeçar nga turqia otomane.
Ndërsa i shikoja që takoheshin dhe përshëndeteshin grupe-grupe më dukej sikur dhe përshëndetja e tyre ishte një betim si në vitin 1911:
De Gjo Luli lëshon kushtrimin/ çoni burra të bëjmë betimin/…
Mbrëmjen e kanë moderuar Gjovalin Nikci dhe Alberita Rugova.
Gjovalin Nikci veshur kuq e zi dhe me plisin e bardhë në kokë një traditë e lashtë e popullit tonë përshëndeti gjithë të pranishmit për Festën e Flamurit. Gjatë moderimit z.Nikci me një humor të hollë ai tha se të gjithë dëshirojmë Shqipërinë etnike dhe uroj që njeri nga ambasadorët që kemi këtu mysafir të shkojë në shtëpi kur të bashkohemi në një…
Ai iu uroi atyre se Flamuri shqiptar do të valëvitet në perjetësi, ndërkohë ka ftuar znj.Vlora Çitaku, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës e cila iu uroi gjithë pjesëmarrësve: Gëzuar Ditën e Flamurit! Ajo tha se ambasada jonë është dhe shtëpia juaj dhe të gjithë jeni të mirëpritur. Ne duhet të punojmë së bashku fort për ta ngritur dhe më lart emrin e Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha trevave që u ndanë padrejtësisht nga fuqitë e mëdha. Kosova ju ështëgjithmonë mirënjohëse për cfarë ju keni bërë për Pavarësinë e saj.
Z.Ferid Hoxha ambasadori shqiptar pranë misionit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara i cili midis të tjerash tha se e kam kënaqësi të veçantë të ndodhem midis jush si malësor dhe shqiptar për të festuar 102 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë së bashku. Shqipëria në këto vite në arenën ndërkombëtare ka ecur me shpejtësi dhe emri i saj po dëgjohet dhe më shumë në qarqet e larta politike. Uroj që së shpejti ta festojmë së bashku.
Pas dy ambasadorëve fjalën e ka marrë Ansambleisti i parë shqiptar në shtetin e Nju Jorkut z.Mark Gjonaj, i cili siç e kam thënë në çdo shkrim të befason me pjesëmarrjen e tij në festat dhe ngjarjet e rëndësishme të komunitetit. Z.Gjonaj pasi kishte organizuar festën e përbashkët dhe madhështore në Maestro Restorant e gjeti kohën për të ardhur midis bashkatdhetarëve të Fondacionit Plavë e Guci.
Z.Gjonaj iu uroi Gëzuar të gjithëve ditën e Flamurit, Gëzuar nga mot. Nuk ka më kënaqësi kur shikoj gjeneratën e re të vinë së bashku në këtë ditë të shenjtë dhe të valëvisim Flamurin kuq e zi kudo, Flamurin e Skënderbeut. Le të jemi të gjithë së bashku se kështu do të mbërrijmë atje ku ëndërrojmë për Atdheun tonë. Për mua nuk ka asgjë tjetër më shumë se ajo që më bën krenar të jem shqiptar. Ai falënderoi Fondacionin “Plavë e Guci” per këtë organizim të bukur dhe ne veçanti fjalë miradie ishin dhe për z.Esad Gjonbalaj kryetar i Fondacionit. Ai theksoi se nuk ka djalë më të mirë dhe patriot si Gjonbalaj, i cili punon me aq përkushtim dhe ndershmëri për Kombin dhe Plavë Gucinë, bashkëpunimi me të ka dhënë frutet e veta.
Pas fjalës së z.Gjonaj ka përshëndetur në emër të shoqatës atdhetare Malësia e madhe nga Detroiti dhe në emër të 9 shoqatave shqiptaro-amerikane me origjinë nga trojet etnike shqiptare nën Mal të Zi, z.Pashko Gjokaj i cili tha se: “Ju uroj gëzuar 28 Nëntorin ditën e Pamvarsise, festën e krenarisë së Kombit tonë. Ne përkujtojmë të gjithë ata që flijuan jetët e tyre qe ne të gezojmë dhe të jem krenar që jemi keta që jemi sot.
Ne jemi sonte malësorë mes malësorve, vëllezër mes vëllezërve.
Falënderoj kryesinë dhe kryetarin e Fondacionit Plavë e Guci zotin Esad Gjonbalaj për ftesën që më bëri dhe përshëndes të gjithë të pranishmit dhe të ftuarit e nderit të shoqates suaj prezent në këtë mbrëmje. Ishin pikërisht ngjarjet e ndodhura në trojet etnike nën Mal të Zi sot që i shtyn fuqitë e mëdha ta marrin më me seriozitet cështjen shqiptare, ishin ngjarje që edhe i paraprinë Pamvarsisë së një pjese të kombit tonë. Betejat e komandant Jakup ferrit me ushtrinë e Mark Milanit u shpartalluan nga kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 e udhëhequr nga heroi yne kombëtar Dedëe Gjon Luli.
Me plot duartrokitje u mirëprit plaku patriot dhe i mënçur, veterani i çështjes kombëtare në moshën 92 vjeçare Rexhep Gali Balidemaj i cili ka përshëndetur të gjithë mysafirët, pjesëmarrësit dhe iu ka uruar atyre ta gëzojmë Flamurin Kombëtar dhe le të valëvitet ai pafundësisht në të gjitha trojet shqiptare.
Në këtë mbrëmje kanë qenë mysafirë si: kryetari i shoqatës Ana e Malit Ismet Kurti si dhe Xheladin Zeneli n/kryetar, Marko Kepi president i organizatës “Rrënjët”, Kryetari i Fondit Humanitar Malësija, z.Ejllo Berishaj
të cilët së bashku kanë përshëndetur bashkatdhetaret kudo që janë në Ditën e Flamurit Kombëtar.
Në fund e ka marrë fjalën i zoti i shtëpisë, z.Esad Gjonbalaj njëherazi dhe kryetar i fondacionit Plavë e Guci i cili tha se:
Sonte është një natë e veçantë, sonte shoqata jonë me antarsinë e gjerë të saj dhe malsorët e Plavë Gucisë kremtojnë së bashku me ju Festën e Flamurit.
102 Vite më parë plaku legjendar Ismail Bej Vlora ngriti Flamurin tonë Kombëtar në Vlorën tonë heroike duke shpallur kështu Shqiperinë tonë të dashur, shtet të pavarur dhe sovran. Plaku i urtë dhe mendje hollë Ismail Bej Vlora e dinte mirë se tokat shqiptare të përgjakura me gjakun e bijve ma të mirë të kombit tonë, po gllabëroheshin nga fqinjët tanë me ndihmën e Rusisë cariste. Një muaj ma herët se të shpallej Pavarësia e Shqipërisë, e pikërisht më 19 Tetor 1912-të, Plavë Gucia heroike pushtohet nga bandat e Avrocemit dhe Malit te Zi të Kral Nikollës.
Sonte në këtë natë Festojmë 102 vjetorin e Pavarësisë dhe përkujtojmë dëshmorët e genocidit malazes në Plave Guci të njohur si masakra e Previsë.
Ju uroj gëzuar Ditën e Flamurit dhe le ta festojmë së bashku këtë ditë të shenjtë!
Duke i ndjekur me vëmendje dhe kënaqësinë më të madhe fjalimet e bashkatdhetarëve të mi malësorë, për Flamurin, Ismail Qemalin, Ded Gjo Lulin, nuk ka se si të te mos vijë ndërmend ajo çka ka thënë Ismail Bej Vlora për Ded Gjo Lulin i cili kur shkoi në Vlorë për ta përshëndetur për Pavarësinë, plaku i urtë dhe i mençur Ismail Vlora e quajti ate: quajti atë me të drejtë pushkë e ngrehur për Shqipërinë.
Mjaft interesante dhe tejet tradicionale ishte ndarja e bukës, që simbolizon mikpritjen e shqiptarit të thëna aq bukur nga goja e tij si: Bujrum të gjithë ne sofrën malësore: Bukë e krypë e zemër!
Pas fjalëve përshëndetëse një program i bukur artistik është shfaqur në mjedisin kuq e zi. Shoqata “Bashkimi Kombëtar” me artistë të mirënjohur të Diasporës si Shaban Lajçi, veshur si Ismail Qemali dhe Tom Gjergji si Isa Boletini, ndersa Agim Rugova Agim Rugova veshur me kostumin kombëtar i cili me fjalën e tij hyrëse e përfshiu sallën në emocion duke thënë para dronit që u shfaq aq madhërishëm në stadiumin e Beogradit ku djemtë e kombëtares me Lorik Canen si Ante i vunë gjoksin për ta mbrojtur. Shikoni kush ma ka dhuruar këtë Flamur i thotë Shaban Lajçit në rolin e Ismail Qemalit dhe Tom Gjergjit ne rolin e Is Boletinit që se hoqi kurrë koburen nga brezi dhe në sallat mondane të Anglisë… Loja e tyre aktoreske ishte mjaft tërheqëse dhe profesionale çka i dha sallës dhe më shumë argëtim dhe bukuri. Fahrudin Kukaj me zërin burrëror ka kënduar me fjalë të zgjedhura për Shqipërinë, malësorët që i dolën ballë shkjaut, turqisë, krajleve të zinj që pushtuan tokat tona. Nxënësit e shkollës shqipe në Bronx me z.Gjergj Dedvukaj, Engjëll Jumçaj dhe Dia Caverbasha kënduan plot dashuri para bashkatdhetarëve në ditën e Flamurit.
Z.Mehmet Vuçetaj i ka kënduar me lahutë Flamurit, historisë së Kombit shqiptar dhe heronjve që dhanë jetën për Atdhe e Flamur.
Pjesëmarrësit janë argëtuar nën tingujt melodiozë të këngëve të ndryshme nga këngëtaret Ismet Aloshi dhe Alma Vela nën drejtimin e DJ-it, të cilët me interpretimet e tyre e kanë çuar të gjithë sallën të këndojnë dhe vallëzojnë së bashku midis palëve të Flamurit.
Bronx, New York
2 dhjetor, 2014
Festivali i 24-të, Shqiptar në New York, një “Shqipëri e Vogël” në Amerikë
Komuniteti Shqiptaro-amerikan në SHBA u mblodhën në Festivalin vjetor shqiptar të muzikës dhe folklorit kushtuar 15 vjetorit të çlirimit të Kosovës, Ky festival i organizuar nga Qendra Kulturore Nena tereze e Kishes Katolike Shqiptare” Zoja e Shkodrës”, përbën ngjarjen më të madhe kultuorre artistiek shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Nga Beqir Sina/
BRONX NY: Rreth 3500 pjesmarrës nga i gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan, në zonën e Tri-Shteteve – New York – New Jersey dhe Connecticut, natën e së Dielës ishin mbledhur së bashku për ndjekur mes kënaqësis dhe emocioneve të bukura muzikore – festivalin e 24 vjetor – Shqiptar, një festë e përvitshme kjo e ngjyrave të bukura të kostuemeve folklorike, muzikës dhe valles shqiptare, e cila vjen këtu përtej oqeanit origjinale nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni, Çamëri, diasporë e gjetkë.
Dhe, padyshim që kjo është dhe ngjarja më e madhe kulturore e komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, e cila mbahet për çdo vit në prag të festës së madhe të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorit 1912 ditës së ngritjes së Flamurit – Kuq e Zi.
Mbrëmë komuniteti shqiptaro-amerikan festoi festivalin e 24 vjetor shqiptar të muzikës dhe folklorit duke ia kushtuar atë 15 vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Komuniteti shqiptar i zonës së Tri-Shtetshit ishte i nderuar që ka qenë pjesë e kësaj feste që ka ekspozuar me muzikë, këngë, kostume, valle, humor dhe poezi , artin dhe kulturën tonë, të cilat janë pjesa më e bukur e këtij aktiviteti – ku komuniteti shqiptaro-amerikan të vijë nga të gjitha kryeqendrat shqiptare në Amerikë.
Festivali Shqiptarë u mbajtë ditën e diel, më 16 nëntor 2014, nga ora 6 e mbrëmjes deri në orën 10 të mbrëmjes në Qendrën e Arteve në Lehman College, në Bedford Park Boulevard, në qytetin e Bronxit – New York.
Për realizmin e këtij festivali një punë të madhe kanë bërë Famullitar Dom Pjetër Popaj, i cili edhe e udhëheq këtë festival – Drejtori i Qendrës Nëna Tereze: Mark K. Shkreli – Drejtor i Festivalit: Simon Vukel, dhe Drejtor Artistik dhe Regjia të cilat janë të Ludvig Çotaj
Drejtor Organizativ i këtij festivali është Fran Çotaj – ndërsa Konferencierë ishin Etrita Ibroci dhe Ariot Myrtaj. Bashkpuntor artistik: Gjovalin Lumaj kurse Reklamat janë të përgatitura nga Lule Gjokaj, Age Ivezaj, Margarita Kocovic, Daniel Tushaj. Shoqërojë festivalin Orkestra: “Alba” drejtuar nga Edmond Xhani
Kurse Këshilli Drejtues i Festivalit ishte: Simon Vukel – Drejtor Ismer Mjeku Fran Çotaj Ludvig Çotaj Mark Shkreli anëtarë.
Famullitari Peter Popaj, i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, ka përshëndetur dhe i ka uruar me këtë rast mbarësi aktivitetit – duke folur në Festivalin e 24 të Shqiptarë – Kurse assemblyman i parë shqiptarë i shtetit të New Yorkut, Mark Gjonaj ka përshëndetur festivalin dhe ka faleminderuar mbështetsit e tij për rizgjedhjen. Në këtë festë të këngës, valles dhe muzikës shqiptare, janë prezantuar me interpretimet e tyre të shkëlqyera, duke marrë duartrokitjet e gjata nga publiku disa nga emrat më të njohur të skenës shqiptare si, Gezim Nika, Merita Halili, Hajro Ceka, Agron Maqellara, Kino Gara, Nik Carku, Fitore Mamaqi – këngëtaria e re e talentuara Dea Elezaj, dhe Adem Kaliqi me korin Veherada Bekteshi.
Si dhe : Grupi “Kelemendi” nga Nju Jorku , “Bashkimi” nga Bostoni, me Koreograf Bashkim Braho, Grupi “Bashkimi Kombëtar” nga Nju Jorku, Gjergj Dedvukaj, Grupi “ROZAFATI” – Koreografia: Angjelina Nika, Grupi POLIFONIK nga Bostoni, Grupi “SHQIPONJAT E VOGLA” nga Toronto – Ansambli Artistik “KENGA DHE VALLJA SHQIPTARE” – Koreografia: Pranvera Cobo, – Grupi folklorik nga Fondi i Perbashket Shqiptar, i Patersonit – koreografia Xhema.
Të gjithë kan qenë të shoqëruara mjeshtërisht nga orkestëra proffessionale “Alba”.Drejtori me Festivali e shoqëruar nga Grupi muzikor ALBA me udhëheqës artistik i grupit kitaristi mirënjohur Edmond Xhani.
Festivali vjetor shqiptar, i cili është një festë e kulturës shqiptare, duke përfshirë edhe veshje tradicionale shqiptare, si xhubleta dhe chakshir, instrumente muzikore unike të tilla si çiftelia e lahute, gjethii, tepsia, fyelli, tupani, është parë si një mundësi të rrallë për të dëgjuar dhe parë një shumëllojshmëri të kostumeve shumëngjyrshe nga të gjitha trevat, muzikës dhe valles shqiptare në Amerikë.
Supriza e këtij, festivali ndoshta ishte dhe “dhurata” më e bukur e cila erdhi nga Ansambli me 60 anëtarët muzikanët amerikanë të cilët morën pjesë në këtë festival të kulturës dhe muzikës shqiptare, duke kënduar shqip së bashku me publikun dhe me muzikantët e njohur Merita Halili dhe Raif Hyseni
Kjo ndoshta ka qenë edhe kësaj radhe një nga gjërat më të bukura të këtij festivali – paraqitja e ansamblit me 60 muzikan amerikan të udhëhequr mjeshtrisht nga mjeshtri i fizarmonikës Raif Hyseni dhe “Mbretëreshës” së Këngës popullore të Shqipërisë së Mesme Merita Halili – të cilët kan formuar këtë grup të jashtëzakonshëm të amerikanëve të apasionuar pas muzikës, që këndojnë këngë të bukura popullore, dhe që të habisin me mënyrën se si kanë përvetësuar virtytet e folklorit tonë kombëtar.
Grupi u pritë me duartrokitje të zjarrta kur u shfaq për të kënduar mbrëmë në festivalin e përvitshëm folklorik që organizon Kisha Katolike Zoja e Shkodrës në New York, ku të gjithë thanë se ata :”Nuk janë shqiptarë, por këndojnë shqip më mirë se ne!”
3,500 vendet e mbushura përplot të qendrës kluturore në kolegjin e Bronxit, janë bukuria tjetër e këtij festivali, e cila tashm?7 ka bërë traditë – Ajo rregullisht është mbushur përplot me të rinjtë e të reja, deri edhe fëmijë, të rritur dhe të moshuar shqiptaro-amerikan që kan përjetuar natën më të bukur kulturore. Megjithse, shumë prej këtyre fëmijëve, janë të lindur më së shumti në këtë vend, por ata dëshirojnë të flasin shqip dhe janë krenarë për kulturën që ata kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre. Kështu ndodhi edhe me këngën “Oh sa mirë me qen Shqiptarë ” dhe “Folë Shqip”, ku duratroktijet dhe motivi patriotik i këtij festivali i ka ndezuar ndjenjat tona kuq e zi për më shumë e 4 orë.
Të vendosur për të mbështetur traditat dhe zakonet e tyre, shqiptarët e Amerikës, edhe pse kaq shumë larg vendorigjinës së tyre, këtu përtej oqeanit janë shumë krenar dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbasi shqiptarët, askund, si në Amerikë- nuk kanë gjetur një shtëpi të dytë, një mikë të madh të kombit shqiptarë – ku ata janë inkurajuar dhe të mbështetur të promovojnë traditat e tyre të lashtë dhe zakonet.
Festivali Shqiptarë, është duke u zhvilluar për 24 vjet me radhhë, dhe kjo falë atyre që e themeluan për herë të parë këtë festival – nën përkujdesjen shëmbullore nga Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës në Hartsdale, New York, i mbashtetur edhe nga artistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Pesheva Valley, Çamërisë dhe të gjithë shqiptarët në Shtetet e Bashkuara, të cilët prezantojnë muzikën tradicionale shqiptare këngën e vallen popullore .
Shumica e të pranishëmeve, dhe atyre që e themeluan këtë festival janë emigrantë të vjetër në Shtetet e Bashkuara, të cilët i kujtojnë këto festivale si një një festë të së kaluarës së tyre, por gjithashtu aty përfshihen edhe homazhe në vendin e tyre të dytë, Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i festivalit është të ruajë këtë kulturë dhe të bëjë krenar për brezat që vijnë.
Natyrisht, që kjo është ngjarja më e madhe shqiptare kulturore për të ruajtur dhe festuar trashëgiminë shqiptare dhe kulturës për gjeneratat që vijnë në Shtetet e Bashkuara.
Mbasi, Festivali Shqiptar (Festivali Shqiptar), me preformacën e tij ka arritur të bëjë së bashku komunitetin shqiptar pavarësisht përcaktimeve të tyre fetare dhe trevave prej nga ata vijnë. Festivali ruan dhe mbështet muzikë dhe valle me tradita indigjene në komunitetin shqiptar, dhe siguron që ato do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të kenë kuptim për brezat e ardhshëm. Në të njëjtën kohë Festivali i ofron publikut të gjerë një mundësi për të festuar dhe të ndajnë thesarin e madh të kulturës shqiptare. Së fundi, Festivali Shqiptar feston shprehjet kulturore të komunitetit shqiptar, si pjesë e identitetit tonë kombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
PRESHEVË: ATDHETARIZËM, ETJE PËR ARSIM E KULTURË SHQIPTARE…
Nga: Murat Gecaj/
Në datat 24-27 maj 2011, pra gjatë katër ditëve, një grup pune prej 11 vetash, nga organizmi joqeveritar, Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare me qendër në Tiranë, bëri vizita intensive në qytetet: Shkup, Preshevë e Prishtinë.
Në përbërje të tij ishin: Rezart Gashi, drejtor i Institutit dhe Dr. Ibrahim Gashi, kryetar i Komisionit Qendror të tij. Gjithashtu, bënin pjesë përgjegjës sektorësh e specialistë të arsimit, kultures e shkencës: Prof. Emil Lafe, prof. Hulusi Hako, prof. Hasan Çipuri e prof. Murat Gecaj, Namik Selmani- arsimtar e shkrimtar, Zyba Hasa-arsimtare e poete, Fatbardh Danja-inspektor arsimi pranë Komunitetit Musliman Shqiptar, Ibrahim Hajdarmataj-drejtues shkolle e Liliana Gashi-specialiste arsimi.
1.Lugina e Preshëvës, me qytetin me këtë emër dhe Bujanocin e Medvegjën, ndoshta, ishte kërshëria më e madhe për ne, në këtë udhëtim në tri shtete të Ballkanit. Dhe kjo gjë, natyrshëm, është më se shpjegueshme.
Që në kufi dolën për të na pritur tre anëtarë të komisionit të IIKSH për arsimin në Preshëvë: Xhemaledin Salihu, Alixhemal Saliu e Musa Ajeti. Në ecje e sipër, ata na njohën me fshatrat shqiptare, që shtriheshin në të dyja anët e udhës së makinës, me fakte interesante nga traditat e tyre atdhetare e arsimore, për ruajtjen të pastër të gjuhës amtare etj. Na informuan se ky rajon autokton shqiptar ka tani 2 shkolla të mesme (gjimnaz e teknike) dhe 8 shkolla 9-vjeçare: në qendër (Preshevë), Rahovicë, Rainicë, Corroticë, Stacioni Hekurudhor, Leran, Miratoc e Caravajkë . Me këtë rast, m’u kujtua se, kohë më parë, kisha publikuar në gazetën “Mësuesi’ një shkrim për udhën e shkollës shqipe në Luginën e Preshevës dhe disa nga veteranët e saj.
Sapo hymë në Preshevë, kudo na ranë në sy mbishkrimet në gjuhën shqipe. Por, kryesorja, dëgjuam se sa mirë e flisnin banorët vendës gjuhën e njësuar amtare shqipe. Këtë gjë e vërejtëm edhe gjatë vizitave në shkollën e mesme teknike, me drejtor Telat Arifin dhe ku ka 1.300 nxënës e disa mësues. Kolegu ynë N.Selmani ndoqi një orë mësimi në klasën e parë dhe poetja Z.Hysa recitoi vjershën e saj të frymëzuar, kushtuar vizitës në Preshevë, shkruar me këtë rast.
Në Gjimnazin “Skënderbeu”, me drejtor Abdurrahman Zylfiun, pamë bustin e Heroit tonë Kombëtar. Kjo shkollë ka 1.025 nxënës e 87 mësimdhënës, nga të cilët 18 serbë. Pas mbarimit të maturës, nxënësit i ndjekin studimet e larta në Prishtinë, Tetovë e Tiranë. Këtu botohet gazeta periodike “Gjimnazisti” dhe funksionon grupi letrar ”Migjeni”. Që nga viti 1964-1965, kanë përfunduar 11 mijë maturantë. Drejtor i parë ka qenë Mehmet Jusufi, por dhe 10 drejtorët e tjerë kanë qenë shqiptarë.
Në afërsi të kësaj shkolle ndodhet një librari, ku ka tekste mësimorë, por dhe letërsi artistike. Për këtë gjë, na foli punonjësja Fitore Emini, e cila dëshmoi se mësuesit e nxënësit janë të etur për të blerë libra shqip e për të lexuar. Këtë gjë e vërejtëm edhe gjatë vizitës në Bibliotekën e qytetit, ku Vaxhid Mehmeti na tregoi se aty ka sektorë: për fëmijët, të rriturit dhe me literaturë shkencore. Kjo bibliotekë ka sektorë edhe në Miratoc, Rahovicë e Leran dhe numëron afër 1.000 lexues, të moshave të ndryshme.
2.Në konkursin e nxënësve recitues të shkollave të Luginës së Preshëves, që u zhvillua në sallën kryesore të Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krasniqi”, interpretuan me mjaft pasion, kryesisht vajzat. Bukur e tha një koleg i yni se ato, me pamjën e tyre të jashtme, me shprehjen gazmore të fytyrës dhe timbrin e zërit të tyre, ngjanin si zana mali. Por aty recituan edhe pjesëtarët e grupit tonë, poetët Z.Hasa e N.Selmani, që u duartrokitën nga të pranishmit, për vjershat e krijuara posaçërisht në këtë vizitë. Juria shpalli tre nxënëse fituese, nga Bujanoci e Presheva.
Po kështu, gjatë asaj dite, ishin mjaft mbresëlënëse edhe takimet e përzemërta me kryetarin e klubit letrar “Feniks”, Bilal Maliqi; me arsimtarin e poetin e talentuar nga Bujanoci, Arsim Halili; me kryetarin e Shoqatës së Arsimtarëve, Xhemaledin Rexhepi etj.
Plot mbresa të bukura ishte hapja e një ekspozite me vizatime në shkollë, me temë Çamërinë, nga mësuesi e poeti ynë Namik Selmani. Gjithashtu, për teleshikuesit e Preshëvës folën e iu përgjigjën disa pyetjeve të drejtueses së TV lokal, për detyrat e veprimtaritë e IIKSH, Dr. I.Gashi, Prof. E.Lafe e Prof. H.Hako.
Në mbarim të vizitës në Preshëvë, patëm një takim me kryetarin e Komunës, Ragmi Mustafa dhe përgjegjësin e kabinetit të saj, Fatlum Mustafa dhe me drejtoreshën e shkollës 8-vjeçare “Ibrahim Kelmendi”, Hafize Shaqiri. Ata shprehën kënaqësinë për vizitën tonë aty dhe pohuan se janë të gatshëm të bashkëpunojnë për studimin e teksteve ekzistuese, me synim kryesor përafrimin e tyre dhe që të kenë përmbajtje kombëtare shqiptare.
…Deri në kufirin me Kosovën, përsëri na shoqëruan mikpritësit tanë të pandarë, Alixhemali e Xhemaledini. Aty bëmë foto së bashku dhe premtuam se ky do të ishte vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë të ndërsjelltë. Dhe vërtet, përsëri në ditët vijuese ne shkëmbyem mesazhe dashamirëse, me anën e Internetit dhe folëm për punën e projektet tona, të kohës në vazhdim..
(Pjesë nga libri, M.Gecaj, “Rrahin zemrat arbërore”, Tiranë, 2011)
- « Previous Page
- 1
- …
- 148
- 149
- 150
- 151
- 152
- …
- 181
- Next Page »