Saranda jonë historike, piktoreske e turistike, një Vatër miqësie e respekti për detarët shqiptarë…/
Mbresa nga Saranda/
Shkruan: Shefqet Kërcelli/
Si pjesë e grupit të punës për organizimin e një vizite të hapur në anijen më të re të Forcës Detare, të emërtuar “Butrinti”, udhëtojmë drejt Sarandës. Ideja ishte të promovojmë aftësitë lundrimore të kësaj anije, e cila do operojë kryesisht në ujërat e detit Jon. Sa herë që më bie rasti të kem nonjë aktivitet në këtë qytet të bukur një mori mendimesh e mbresash shoqërojnë memorien e imagjinatën time, se cka një gjë të vecantë, herë-herë mistike ky qytet. Bashkë me kolegët e mi në Flotë, Kapiten Engjëllin, Dorianin e Emrushin e kishin merakun tek mbarëvajtja e vizitës, si do pritet anija, cfarë do na afrojë Saranda në këtë fund gushti? Në fakt shumicën e herëve në Sarandë kemi shkuar me anije, por këtë radhë për arësye të kohës, shkuam me tokë, sic thonë detarët. Postblloqe të policisë që hasëm rrugës na përshëndesnin gjatë këtij udhëtimi të qetë drejt qytetit jugor të vendit. Ata janë në punën e tyrë, thotë kapiten Engjëlli. Mbas dy ndalesave, një në Ujin e Ftohtë dhe në një kafe në afërsi të Dervicanit në muzgun e datës 27 gusht ju afruam Sarandës. Gjatë rrugës provuam njohuritë tona gjeografike për zonat dhe qytetet që kaluam, por një ndjenjë ankthi na shoqërontë gjithë kohës. Në mëndje kisha fjalët e kapitenit të vjetër Sali Alushi{Kripa} {I thonë kështu se ai për 40 vjet rresht ka transportuar një mal me kripë nga Vlora në Sarandë}, e qindra detarëve të tjerë, që më kishin përcjellë një copë kujtim nga Saranda:-banorët e këtij qyteti janë mikpritësit më të mëdhenj të detarëve! Dhe këtë herë vesin human të sarandiotëve do e provonim vetë. Anija “Butrinti” ishte nisur nga moli i bazës Pashaliman dhe atë mbrëmje do bregëzohej në molin e portit të Sarandës. Qysh në hyrje pamë se qyteti ishte gjysmë i zbrazur nga turistët dhe pushuesit e shumtë. Por kjo nuk ishte zhgënjyese për ne, se kështu ndodh në cdo fundgushti. Të lodhur nga ky udhëtim i gjatë u ulëm për kafe tek lokali i z.Bajram Coraj. Për Bajramin më kishin folur dhe kolegët e mi. Ai dhe djali i tij Lorenci janë bërë “Vatra” e detarëve tanë civilë dhe ushtarakë prej shumë kohësh. Një burrë rreth të 60-tave, babaxhan, me shpirt e zemër të madhe, ashtu i kanë ecur punët dhe gjendja këtu në Sarandë. Bajrami dhe familja e tij kanë erdhur nga Gllava e Tepelenës në Sarandë mbas viteve ’90, si mjaft të tjerë e kanë fituar qytetarinë dhe respektin si banorë të denjë të këtij qyteti. E kanë filluar punën thjeshtë, pastaj gradualisht në sajë të djersës së tyre në ndërtimtari kanë përmirësuar jetën e tyre. Xha Bajrami është i kënaqur me Sarandën, familjen, jetën e tij, por mbi të gjitha ai gëzohet kur në lokalin e tij vijnë detarë. Kam pasur respekt të hershëm për detarët më thotë, por këtë ndjesi ma shtuan miqtë e mi të afërt, Kapiten Engjëll Sinani dhe Mario Myftari. Të dy oficerë e lundërtarë shembullorë në Forcën Detare. Nuk është thjesht miqësia që kam me ta, thotë xha Bajrami, por zanati i vështirë e plot sakrifica i detarit. Ne këtu në tokë jemi të sigurt, por deti ka shumë andralla…Nga shtëpia ku banoj shoh portin, kënaqem kur hyjnë e dalin anije të ndryshme. Një shpirt dhe derë e hapur për detarët, ky është xha Bajrami. Kështu duke biseduar për detin, për Sarandën, për miqtë, pa venë re koha kaloi dhe ne vrapuam drejt molit ku anija “Butrinti” po bregëzohej lehtësisht në dritat vezulluese të portit Sarandë. Në këto ditë të nxehta Gushti, erërat e Onhezit të lashtë lehtësuan këtë lundrim të anijes “Butrinti”, e cila do jetë pjesë e pandarë e gjithë operacioneve detare në ujërat e Jonit, vecanërisht në gjirin e Sarandës, si ato për zbatimin e ligjshmërisë detare ashtu dhe për sigurinë e jetës në det. Këngë të serenetave korcare vinin ëmbël në bordin e anijes nga një lokal aty afër. Natyrshëm bregëzimi i anijes patrulluese “Butrinti” në molin e portit të Sarandës jo vetëm hijeshoi dhe ndricoi molin, por në një farë mënyrë rikujtoi dhe pasuroi traditën shekullore detare të banorëve të Sarandës. Për pritjen e anijes sipas rregullave portuale, Kapiteni i portit Sarandë Kosta Dhima dhe Autoriteti Portual me drejtor Sotir Gavella, të njoftuar më parë kishin marrë masat përkatëse, ndaj cdo procedurë kaloi normalisht. Kapiteni i ri i anijes Ermal Hila dhe ekuipazhi i tij ishin mysafirë të parë në këtë port nga kjo mbrëmje deri më 29 gusht.Vërtet anija “Butrinti” është e re, por ekuipazhi i saj është i trajnuar më parë në anije të tjera si MotoVedeta{MV} Seaspectrum, 65 foot, MV Mok 3, 46 foot dhe Anijet e shpejta “Archangel”, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA. Mjaft kuadro të anijes, oficerë dhe n/oficerë janë trajnuar në SHBA ose kanë marrë pjesë në stërvitje e trajnime të ndryshme të zhvilluara me specialistët amerikanë në Shqipëri. Kështu e kaluam atë mbrëmje, ndërsa ekuipazhi po sistemonte gjërat mbas atij lundrimi, ne po shikonim cfarë na ka mbetur pa realizuar nga plani ynë, po mediat, personalitetet, miqtë, detarët sarandiotë, a e kishin marë ftesën tonë, a do na vizitonin?! Ndërkohë dicka kisha përgatitur paraprakisht për gjeografinë dhe historinë e Sarandës, por pamja që më afroi Saranda atë buzëmbrëmje më detyroi të sistemoj dhe njëherë njohuritë e mija për gjeografinë dhe historinë e këtij qyteti. Nga hoteli ku qëndrova ato dy ditë studjova mjaft për këtë, por bëra dhe plot fotografi të bukura. Peisazhi i Sarandës ta krijon këtë mundësi. Gjeografikisht, një pozicion i lakmuar për transport detar… Qëllimi i këtij reportazhi nuk është thjesht evidentimi i vlerave historike, ekonomike dhe turistike, se për këto ka disa botime dhe guida, ku me të drejtë Saranda cilësohet si një nga perlat e Shqipërisë, me një aktivitet të bazuar kryesisht në turizëm dhe transport detar. Por qyteti bashkë me zonat përreth dhe banorët e saj kanë dhe një vecori tjetër, sepse qysh nga fenikasit e lashtë {shek.VI-V-të p.K} dhe deri në kohët moderne ata kanë kultivuar e zhvilluar një traditë të lashtë detarie. Në fillimet e tij, qyteti ka shërbyer si një portë për qytetin antik të Finiqit dhe si rrjedhojë edhe si portë hyrjeje për në rajon. Moli i Sarandës ka njohur mjete detare në cdo kohë dhe me qindra detarë sarandiotë me dha pa uniformë kanë shërbyer në anije të ndryshme vendase dhe të huaja. Në pragun e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, Saranda kishte një zyrë doganore, një karantinë për përpunim mallrash, një zyrë agjencie lundrimi, një han dhe disa lokale shërbimi. Një skelë e vogël e ndërtuar në vitet ’20 ka qenë deri në vitet e ’30, e cila gjatë pushtimit fashist u zgjerua për t’ju përgjigjur nevojave të pushtuesve. Mbas clirimit për kushtet e mungesës së rrugëve automobilistike, porti i Sarandës mori rëndësi të vecantë për transportin detar të zonës jugore. Krahas transportit të refugjatëve came u transportuan me mijëra ton mallra, ushqimore, veshmbathje, etj.. kapiten Elmaz Goxhaj kujton se mbas clirimit 4 MB e para që përdornim si ”Qemal Stafa”, “Kurveleshi”, “Vjosa”, “Mesapliku” ishin me leverdi, sepse ato lëndën e drurit e conin nga Shëngjini në Sarandë dhe nga këtej qymyrin e Tepelenës e conin në Shëngjin. Psh. një MB merrte 150 t lëndë druri, imagjinoje që këto ti coje në Sarandë me mjete automobilistike, duheshin 60 mjete tip “Skoda” të asaj kohe, plus 60 shoferë. A e dini se ku e ka zanafillën kënga “dampe..dampe..”? kujton marinar Xhavit Kapidani, dhëndër në Sarandë. Pikërisht në molet e këtij porti në vitet ’65-’66 me Motobarkat “Vjosa”, “Kurveleshi”, “Bajram Curri”, “Ali Kelmendi”, “Sazani”, etj. transportuam qindra kokë bagëti të imta për në zonat veriore të vendit. Vit pas viti porti u riparua dhe u pajis me mjete ngarkim-shkarkimi Këtu qysh në vitet ‘60 janë bregëzuar anije me tonazh deri 3500 t, si psh. ish anija “Mati”. Tashmë porti i Sarandës është rindërtuar, një port i vogël me standarte bashkëkohore. Është gjë pozitive se të gjitha institucionet detare si Autoriteti Portual, Seksioni i Policisë Kufitare dhe Emigracionit, Dogana, Kapiteneria dhe Autoriteti Portual janë në distancë prej disa jardësh dhe mund ti vizitosh për pak kohë. Në gjirin e Limjonit tashmë krahas portit ushtarak përballë është porti i transportit dhe peshkarexhave. Tashmë Saranda është e kompletuar me disa mole gjë që lehtëson transportin e të gjitha llojeve. Këtë e pamë konkretisht gjatë ditëve që qëndruam atje. Dhe kur ka lëvizje mjetesh detare, ka jetë, ka zhvillim. Saranda ishte porti i tretë në vend nga rëndësia, pas Durrësit dhe Vlorës. Vetë qyteti i Sarandës ndodhet në pjesën veriore të gjirit me këtë emër dhe ka trajtën e një amfiteatri të madh, duke u mbyllur nga veriperëndimi. Krahas trashëgëmisë është qytet pothuajse i ri me një arkitekturë bashkëkohore. Ka një bukuri të rrallë sidomos kur e sheh nga deti. Gjiri i Sarandës formohet midis kepit Denta në jug dhe kepit Paladha në VP. Vija bregdetare futet në kontinent 6 kabel.{një kabel =183 m}, në trajtën e një harku në drejtim të veriut dhe përbën këmbët e vargmalit që shkon paralel me bregun. Gjiri i Sarandës është i thellë. Në hyrjen e tij thellësitë janë 20-50 m. Barasthellësia 5 m kalon në largësinë 20-30 m nga bregu, ndërsa barasthellësia 10 m kalon 100-120 m nga bregu. Në pjesën veriore, në largësinë 0.5 milje nga Kepi i Paladhës, shtrihet cekina e Sarandës, me një gjerësi 1.5 kabel dhe gjatësi 4 kabel. Lundërtarëve u këshillohet të mos lundrojnë në afërsi të Kepit Paladha më afër se 5 kab. Prej tij trualli është lym me një trashësi 3 m dhe poshtë tij është shkëmbor. Erërat zotëruese për gjirin e Sarandës janë ato të drejtimeve VL, JP dhe Veri. Valëzimi në gjirin e Sarandës nuk është shumë i madh, ai arrin deri në forcën 3-4, pasi mbrohet nga ishulli i Korfuzit. Për bregëzimin e anijeve në fundin e faqes lindore të kepit Paladha është ndërtuar bankina që lidhet drepërdrejt me sheshin e shkarkimit të portit dhe ka të njëjtin drejtim si të Kepit nga veriu në jug. Në anën perëndimore shtrihet kalata me drejtim lindje-perëndim me gjatësi 53 m dhe thellësi 6.8 m. Historikisht, një qytet i integruar natyrshëm me historinë shumë shekullore të popullit tonë…I shtrirë në vijën bregdetare më të lakuar e të bukur të Jonit, qyteti i Sarandës mbart në vetvete vlera reale historike, piktoreske e turistike. Gjurmët e jetës në trevën e Sarandës shfaqen që në periudhën e paleolitit të mesëm 100 mijë deri 30 mijë vjet më parë, të cilat janë gjetur në stacionin prehistorik të Xarës, në mezolit krahas stacionit Xara 2 dhe në shpellën e Shën Marinës në Bogas e zonën e Konispolit, në epokën e bronzit tek vendbanimi i Badhërës e Kalaja e Kalivosë. Për herë të parë, në burimet e shkruara të shek. II-të p.K, nga disa historianë e studjues të asaj kohe si Straboni, Ptolemeu, Ciceroni, Polibi, etj. qyteti përmendet me emrin Onhezmos. Ky emër lidhet me emrin e një ere të favorshme për detarët që frynte nga juglindja në gjirin e këtij qyteti. Onhezmi në lashtësi ishte një qytet port i cili bashkë me qytetet e tjera bregdetare ilire lidhte Ballkanin Perëndimor me vendet e Europës Lindore. Një pikë strategjiko-ekonomike shumë e favorshme për romakët, ilirët dhe më vonë për strukturat politiko-ekonomike të krijuara nga pushtuesit e ndryshëm dhe shqiptarët. Ndonëse ishte vendosur në një pozitë të favorshme, Onhezmi nuk arriti të shndrrohej në një qendër të fuqishme si Butrinti, e aq më pak si Apolonia apo Dyrrahu të vendosur në bregun e Adriatikut. Onhezmi antik mbeti për një kohë të gjatë vetëm porti i një qyteti më të madh në krah të tij, Foinikes (Finiqi i sotëm). Qyteti mori një rëndësi relative në periudhën e pushtimit romak. Straboni, gjeograf i famshëm romak i shek. të I-rë p.K., e përmend si një pikë të rëndësishme tranziti në lidhjet mes Romës dhe Greqisë. Në shek. e IV-të qyteti u rrethua me mure mbrojtëse deri ne dy metra të trashë. Deri në shekullin e IV-të pas Krishtit ishte nën Perandorine Romake, gjë që vërtetohet nga rrënojat e mureve rrethuese, pjesë e të cilëve ndodhen edhe në shëtitoren e qyetit. Këto mure rrethonin një sipërfaqe prej pesë hektarësh duke krijuar një kështjellë të fortifikuar me 20 kulla mbrojtëse. Nga shek. i IV-të deri në shekullin e VI-të Onhezmi ishte nën perandorine Bizantine. Në brendësi të këtij territori janë zbuluar mbetje banesash, por dhe një bazilikë paleokristiane e shekullit të VI-të me dysheme të zbukuruar me mozaik e cila më parë ishte përdorur si sinagogë. Kjo sinagogë e zbuluar në vitin 1971 dhe e vendosur në qendër të qytetit, flet qartë për praninë e hershme të hebrenjve në këtë zonë, që në vitet 70 p.K. Gjurmë të krishtërimit hasim në këto treva që në shek. IV-VI-të, ku në Sarandë, Butrint, etj, ka ndërtesa, bazilika e pagëzimore, {Baptistere} me kohështrirje të ndryshme. Kështu në shekujt XIII-XIV-të në këtë trevë janë ndërtuar një numur i madh kishash e manastiresh që ruhen ende sot, psh manastiri i Mesopotamit, i cili ka vlera të vecanta arkitektonike. Pra, Saranda ruan në gjirin e vet thesare e identitete të një kulture e qytetërimi të lashtë të shtresëzuar në mbi 2000 vite. Në vijim qyteti njohu dyndje dhe pushtime të ndryshme, kështu në v.551, Onhezmi dhe Butrinti u palckit e dogj nga gotët e ostrogotët, në v.887 një flotë e fuqishme saraçene e rrënoi qytetin brenda pak kohësh. Në shek. e X-të Onhezmi u bë liman i rendësishëm për Temën e Nikeas. Në v. 1034 qyteti u pushtua nga Bullgarët, gjysëm shekulli më vonë nga normanët e Giuskardit dhe në shekujt XII-XIII-të në qytet qëndruan për pak kohë dhe venecianët. Pushtuesit osmanë shkelën më 1413, deri sa u larguan mbas 5 shekujsh. Nën regjimin otoman Saranda u bë me një dekret të Portës së Lartë pronë private e Sulltan Abdyl Hamitit. Si pasojë e sulmeve dhe plaçkitjeve të njëpasnjëshme banorët e Sarandës janë detyruar të zhvendosen disa herë dhe në shek. e XVIII-XIX-të u vendosën në kodrën e Lëkurësit. Emri Sarandë përmendet për herë të parë në vitin 1412. Saranda vjen nga një manastir i hershëm kristian që i kushtohet Dyzet Shenjtorëve (“Ágios Saránda” në greqisht, “Santi Quaranta” në italisht). Kështu quhej një manastir i ndërtuar në periudhën bizantine në një kodër në lindje të qytetit, ku dukshëm ruhen edhe sot rrënojat e tij. Shenjën e barazisë mes Onhezmit dhe Sarandës e vuri udhëtari dhe studjuesi anglez i shek.XIX-të W. Martin Leak. Gjatë pushtimit fashist më 1939, diktatori Benito Mussolini e quajti Sarandën “Porto Eda”, për nder të vajzës së tij të madhe. Porti dhe deti Jon, pozita gjeografike e favorëshme, ditët e shumta me diell, {270 në vit}, ka sjellë që jeta e banorëve të këtyre trevave me plot histori të mos shuhet, por të rilindë mbas cdo pushtuesi, duke ecur paralel me cdo regjim ekonomiko-shoqëror të krijuar nga iliro-shqiptarët. Detarët dhe Saranda.. Qytet i mbushur me kujtime e tregime detarësh, një mbijetesë përmes detit… Si fshatari me tokën, ashtu është lidhur marinari me detin. Rreziqet janë aq të shumta për marinarin, sa nuk mbahen mend. Gjysmën e kujtimeve detarët shqiptarë të pasviteve 1946 e kanë të lidhur me këtë qytet piktoresk. Kap. Sali Alushi kaloi 40 vjet, ka cuar një mal me kripë nga Vlora në Sarandë. Kapiten Llazar Shyti kujton se, nuk më harrohet një rast mikpritje e ishdrejtorit të portit Sarandë, me sa mbaj mend Vangjel Nini, i cili mbasi shkarkuam ngarkesën e anijes shtroi një darkë tek hotel “Butrinti” për ekuipazhin e anijes “Partizani”. Shumë popuj të lashtë e konsiderojnë detin, qoftë për pamjen e paqëndrueshme e misterioze, për forcën e tij shkatruese apo për përbindësha që jëtojnë aty, kucedra me shumë krerë, gjarpërinj të mëdhenj, delfinë, mbi të gjitha, balena,-si personifikim të së keqes. Për të larguar këto mendime supersticioze banorët e Sarandës e Bregut, njohjen e detit, të mistereve te tij e kanë pasur cështje mbijetese. Kështu janë sarandiotët, për ta deti është vetë jeta, gjaku dhe shpirti i tyre, i ka hyrë kripa e Jonit në gjak e si del më, më thotë kolegu im Roland Rugji, ish notar i klubit Butrinti. Landi kujton me respekt ishnotarët e këtij klubi, nder i Sarandës dhe Shqipërisë, Shpëtim Kote, {Lime}, Myrteza Didati, Shpëtim Idrizi, Thanas Totoni, Edmon Zherka,{emigrant në SHBA}, Ilir Mecaj, etj. si dhe notaret femra Elza Minga, Pranvera Rrapushi, Ludmidha Mece, etj. Po sot, sot ku është ky sport tradicional i Sarandiotëve?! Detari plak, {kushtuar Barba Gaqos, Jorgos, Jahos, Vasilit, etj.} Deti!… Dorën e rrudhur e shtrin drejt tij pa e parë. Është dicka e tij, që i përket vetëm atij. Ka qenë pjesë e pamdarë për vite me radhë. E cmund të thotë? Detari plak ka kaluar gjithë jetën në det. Qëndrimi i tanishëm në tokë e qetëson, e siguron. Këtë dialog të shurdhër që e ka filluar qysh në fëmini, do ta vazhdojë deri në fund si një marrveshje të heshtur bashkëjetese, mirkuptimi të dyanshëm. Deti si dhe me parë i jep gjithëshka që i duhet për të jetuar. Para së gjithash, sigurinë e thellë, njerzit ecin, kalojnë shëtitores së Sarandës, ndërsa deti qëndron bri tyre. Sa më shumë të lëvisshëm e të paparashikueshëm janë njerzit, aq me real e i pandryshueshëm është ai. Pastaj vijnë ato gjërat e vogla e të përditëshme:-peshqit për supën që e gatuajnë vetë e frutat e detit që i peshkojnë, ose në shkëmbinjtë e molit, o në brigjet aty pranë. Po të ketë një barkë marinari plak është me fat, se mund të dalë e të peshkojë aty pranë ose të shëtisë turistët e të nxjerrë nonjë lek për të ndihmuar pensionin qesharak. Jeta e tij vazhdon të jetë e lidhur tërësisht me detin e ai interesohet për gjithëshka ka të bëje me portin, me velierat që hyjnë e dalin atje, ecejaket e peshkarexhave, me të gjitha barkat e peshkimit me të cilat jetojnë bijtë, të afërmit, miqtë, me buletinin meteorollogjik, për të cilin interesohet cdo ditë e që vazhdon të parashikojë me tepër për zakon, se sa për nevojë. Është një lidhje e thellë, pothuaj me një ndjenjë të vagëlluar pronësie që njeriu provon për detin, në shoqërinë e të cilit ka kaluar gjithë jetën. Zhytësi sarandiot…Është bukur të fantazosh, madje shumë më bukur se të zbulosh, na thotë një zhytës. Ai ka dëshirë të tregojë dicka nga zbulimet e tij. Ishim ne veri të kepit të Paladhës, në cekeninë afër bregut. Zhytemi në kërkim të mbeturinave të anijeve të mbytura në shekuj. Për një cast, në një guvë natyrore të mbrojtur nga rrymat, na kap syri një shtambë të pa prishur. Ulemi për ta parë dhe përpiqemi ta shkulim. Por s’ështe aq e lehte, sepse molusqet dhe koha e kanë ngjitur pas shkëmbit. Duke u ngjitur lart për të marrë cimën në barkë, vemë re mbeturina të tjera shtambash në largësi pothuajse të barabarta nga njëra-tjetra dhe në vije paralele me bregun. Pa dyshim nonjë anije romake e ngarkuar me shtamba, e ndodhur papritmas në mes të fortunës, është munduar të shpëtojë duke lehtësuar ngarkesën. E kush e di sa anije të tilla fenikase, grekë, romake, kanë dashur, por nuka kanë aritur ta bëjnë këtë në kohe, kur i ka zënë stuhia në mes të detit e i ka vërvitur si lëvozhgë arre në mëshirën e dallgëve. Midis këtyre amforave e shtambave të lashta duhet të ketë dhe varreza anijesh, madje dhe thesare të varosura në fund të detit! E kush nuk ka ëndëruar e dëgjuar për thesare që flenë në thellësitë e deteve. Kthehem me cimën që kemi marë nga barka dhe lidhim shtambën, pastaj gërryejmë me thikë koren që e mban terrakotën elegante të ngjitur pas shkëmbit dhe duke e tërhequr litarin me forcë, e ngjitëm atë më lart. Ky veprim bëhet me shumë kujdes, sepse shtamba. meqë ka qëndruar për një kohë aq të gjatë në ujë është shumë delikate dhe mund të thyhet në cast. Më në fund pas dy mijë vjetësh, shtamba del në dritë e mund të thahet në diell. E pastrojmë me kujdes dhe e studjojme mirë, sepse jetgjatësia e kësaj shtambe të përdorur për verë ose ujë është po aq sa jetë ka qyteti i Sarandës…Këto histori e shumë të tjera përcillen nga njëri brez detarësh tëk tjetri. Nga kjo rrymë deti vjen plejada e detarëve sarandiotë bashkë me detarët e Bregut dhe Himarës, Vangjel Bixhili, familja Qezari, Llambro Zhupa, Vangjel Ll.Zhupa, Mimi Nikolla, Marko Duni, Anagnostët nga Vunoi, Grigor Llazari, Spiro G. Llazari, Foto Kuculi, Marko Vreto, Andrea Treko, Thoma Bifsha, Llambro Dede, Spiro Veci, Kol Veci, Gaqo Nako, Vasil Mitro Zhupa, Mantho Kuculi, Vangjel Kuculi, Foto Muco, Llambro Ziso, Gjikë Marashi, Thoma Sema, Ligor Sava, Gaqo Lepuri, {Barba Gaqo}, Guri Nazifi, Vangjel Papa, Vasil Bixhili, Nazim Balla, Dhimitër Paco, Jorgji Kusi, Thoma Neranxi, Foto Kocani, Vasil Koci, Vangjel Mimnikolla, Llambro Caci, Leonidha Papa, Stefo Ziu, Kol Bixhili, Milto Muco, Odise Neranxi, Vasil Leka, Niko Papa, Petro Shteto, Vangjel Papa, Vasil Bua, Kosta Muco, Jorgji Seva, Jani Nasto, Kosta Dabo, Petro Dabo, Vasil Dabo, Pano Bixhili, Koco Ziso, Andon Ziso, Thanas Zhupa, Koci Bozo, MJilo Mëhilli, Vangjel Jani, Bastri Paci, Spiro Thomai, Pilo Andoni, Pilo Gllava, Agim Zholi, Vasillaq Qirjako, Stiljan Nika, Kostandin Dhima, Xhezo Tola, Visarion Qejvani, Yzeir Zeneli, Ismail Duka, Halil Halili, Arqile Peci, Perikli Xhixho, Bilbil Musaraj, Vilson Shkëlqimi, Polo Guga, Arjan Islamaj, Arif Kanani, Arjan Demiri, etj. Si ishoficer dhe tashme specialist i mardhënieve civilo-ushtarake në Forcën detare nuk i kam ndarë asnjëhere detarët e transportit dhe institucioneve civile nga ato ushtarake, ndaj po i jap bashkë dhe detarët me uniformë të Sarandës. Pjesë e kësaj memorie është dhe shkurti i vitit 1974, kur në Veriperëndim të Sarandës, në gjirin e Limjonit ose Gjirin e Qetë, disa kuadro detarë dhe anije luftarake hodhën themelet e Bazës Ushtarako-Detare të Sarandës, e cila u krijua mbi bazën e skuadriljes me 6 KS, të vendosur atje që më 1969. Në v.1974, BUD-i kishte 12 KS, 3 GJDV, prodhim kinez, një anije polumbare, një katër rade, nënrepartet e bregut, etj. Nga ajo kohë me qindra kuadro dhe detarë kaluan rininë këtu dhe ruajnë kujtimet më të bukura. Fillimisht komandant u caktua Ndue Jaku dhe më vonë P.Xhixho, komisar D.Gjergji e Shef Shtabi K.Paskali, kuadrot M.Kaçi, P.Duka, E.Shtylla, A.Godo, M.Jonuzi, T.Kocaqi, P.Andoni, L.Lleshi, S.Hoxha, P.Kuçi, M.Telaj, Nj.Demko, Xhevahir Dardha, S.Qendro, K.Godolja, Muço Muho, R.Abedini, J.Papingji. Mystehak Balili, Gaqo Melka, Leonidha Majko, M.Qorduka, Ylli Molla, P.Puleri, A.Ylviu, Th.Gjika, Rahman Dollomaja. F.Kreshpani, Engjëll Sinanaj, Nasho Totoni, Shpëtim Çicaj, Rakip Çaçllari, Renato Dauti, Alban Çavo, Vangjel Shyti, Vilson Alushaj, etj. Mbas z.P.Xhixho, drejtues të bazës kanë qenë Bilbil Aliaj, Fitim Pajo, Subi Zeneli, Nasip Hoxha, Myzafer Qesaraku. Cdo ditë shtohej respekti e dashuria për njëri-tjetrin, pamvarësisht se vinin nga krahinat e gjithë Shqipërisë, kujton detari i vjetër Njazi Demko. Qytetarët e saj mrekulloheshin me bardhësinë e unifomave të marinës, e cila ju shtua bukurisë së rrallë të këtij qyteti piktoresk. Duke ju referuar kujtimeve të detarit të vjetër, ai thotë se “kjo bazë u ngrit me thonj e djersë, në një terren me shkurre e gurë ku fishkëllenin gjarpërinjtë, këtu u ngritën cadra për kuadrot dhe familjet e detarëve. Detarët tanë filluan jetën e re nën mikpritjen e banorëve Sarandiotë. Ata krenoheshin me bazën, me kuadrot dhe detarët e saj, ndaj shpejt vendosën mardhënie e respekt të ndërsjelltë”. Mjaft prej pionierëve të bazës banojnë ende në Sarandë, por, që nga koha kur i dhanë Flotës rininë dhe vitet më të mira të jetës dhe deri tani, pamvarësisht thinjave të moshës, me pjekuri dhe mençuri, ata ndjekin nga afër çdo zhvillim të Forcës Detare dhe inkurajojnë çuarjen para të vlerave e traditave më të mira të detarisë. Aktualisht ne si Forcë Detare vërtet kemi një ekip të vogël në këtë bazë jugore, por këta kuadro dhe detarë bashkë me anijen “Butrinti” që do jetë pjesë e bazës, i freskojnë banorëve të mrekullueshëm të Sarandës respektin për uniformat e bardha. Natyrisht kësaj sage marinarësh i bashkohen dhe ekuipazhi i anijes “Butrinti”, që nga kapiten Ermal Hila e me radhë Mario Miftari, Alban Dafa, Geisi Ago, Preng Gjergji, Sokol Hametaj, Patriot Salihila, Artan Kojanaj, Shkëlqim Devollaj, Lulëzim Delaj, Gëzim Abazaj, Eduard Cela, Aldion Asamataj, etj. Sarandiotët presin “Butrintin”… Sipas programit paraditen e 28 Gushtit, vizitorë të anijes ishin personalitetet e qytetit të Sarandës, Kryetari i bashkisë zoti Stefan Cipa, n/prefekti zoti ilir Hysi, drejtues të Policisë së Rendit e asaj Kufitare, të Autoritetit Portual, të Kapitenerisë, Doganës, të detarëve, shoqatës së ushtarakëve në pension, media, etj. Qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i anijes më të re të Forcës Detare, me emrin kuptimplotë “Butrinti”, e cila do të lundrojë e operojë kryesisht në ujërat e Detit Jon. Fillimisht Komandanti i Forcës Detare, Gjeneralbrigade Qemal Shkurti i uroi mirseardhjen miqve në bord duke u shprehur se, është nder dhe kënaqësi për mua si Komandant i Forcës Detare, t’ju uroj dhe përshëndes në këtë vizitë prezantuese të anijes më të re “Butrinti” në qytetin tuaj historik e piktoresk. Sot ekuipazhi i anijes “Butrinti” sjell urimet e mbarë detarëve shqiptarë nga Shëngjini, Durrësi, Vlora dhe Himara, me të cilët detarët këtu kanë ndarë lundrimet e vështirësitë e detit, por njëherazi ata sjellin dhe një falenderim për banorët e Sarandës, të cilët kanë qenë dhe mbeten mikpritësit më të mëdhenj të detarëve në vendin tonë. Këtë e tregoi më së miri rasti i 28 shkurtit 1973, kur banorët e këtij qyteti ju gjendet afër fatkeqësisë së disa anijeve tona. Në këtë ngjarje të dhimshme për flotën tonë oficeri i ri, kapiteni i ardhshëm Ilir Kocilja, dëshmor i atdheut, për të shpëtuar anijen, mbeti mes thellësive të gjirit të Sarandës, duke ngelur përjetësisht në kujtesën e banorëve fisnikë e humanë të këtij qyteti. Më pas gjenerali foli shkurtimisht për historinë e Flotës sonë dhe Bazës detare Sarandë, rolin e detarëve shqiptarë i cili në çdo periudhe, epokë apo ngjarje historike, ka qenë prezent, për vetë pozicionin gjeografik të vendit tonë. Efektivat e Flotës sonë Luftarake Detare në vite janë dalluar për profesionalizmin, kulturën, vullnetin e përkushtimin në kryerjen e misionit fisnik për mbrojtjen e kufijve dhe zbatimin e ligjshmërisë detare, duke bashkëvepruar me strukturat e tjera të shtetit shqiptar. Ndaj mundi, sakrificat dhe vështirësitë e kaluara në qindra lundrime, stërvitje apo operacione në hapësirën tonë detare nuk harrohen kurrë nga populli ynë dhe do përcillen nga brezi në brez. Në këtë rrugë historike përfshihet roli i pazvëndësueshëm i detarëve me ose pa uniformë nga qyteti i “dyzet shënjtorëve”, të cilët kanë shkruar me gërma të arta historinë e tyre në plejadën e detarëve shqiptarë. Vlen për tu përmendur roli i detarëve Sarandiotë në cminimin e Kanalit të Korfuzit në vitet 1958-1959, ku ata bashkë me marinarët vendas e grekë rrezikuan për të siguruar jetën e banorëve në dy anët e gjirit, duke treguar vlerat më të mira të humanizmit, bashkëjetesës e fqinjësisë së mirë. Sigurisht që anëtarësimi i vendit tonë në NATO, e bëri evident ndryshimin dhe reformimin e Forcës Detare,-vijoi gjeneral Shkurti, përfshi përmirësimin e legjislacionit detar, konsolidimin e strukturave, modernizmin dhe pajisjen me mjete të kohës, etj. Në këto vite FD ka bërë hapa para në realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërise detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të ri të Vëzhgimit të Hapësirës sonë ujore dhe zhvillimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit. Pjesë e punës sonë ka qene dhe krijimi për herë të parë i parkut nënujor të Ksamilit, në bashkëpunim me specialistët e SHBA dhe ekuipazhin e anijes “Herkules”. Zhvillimi, modernizimi e transformimi, kjo është simbolika e Forcës sonë Detare në këto vite. Në këtë kuadër projekti më i rëndësishëm për modernizimin e FD, ishte pajisjae FD me 4 anije Patrulluese STAN PETROL-4207. Ky projekt bëri të mundur që 6 vjet më parë më 5 Shtator 2008, në molin Nr.5 të Portit të Durrësit të bregëzohet anija ”Iliria”, (P-131), një trashëgimtare e denjë e ”Liburnes” dhe ”Lembes” ilire. Në vijim më 14 Maj 2009, filloi ndërtimi i anijes ”Oriku”, (P-132), e cila u lëshua në ujë më 13 shtator 2011 dhe 3 dhjetor 2012 u lëshua në ujë anija e tretë, (P-133). Ndërkohë më 8 prill 2014 u lëshua në ujë anijen e katërt, ”Butrinti” (P-134), që shënon dhe përfundimin e këtij projekti. Anije me emrin kuptimplotë ”Butrinti” sot qëndron hijerëndë në portin e Sarandës, e mirëpritur nga banorët e saj. Sigurisht ne jemi të ndërgjegjshëm se në të ardhmen kemi plot sfida e detyra konkrete, që kanë të bëjnë me transformimin dhe modernizimin e Forcës sonë dhe rritjen e sigurisë detare për të cilat kemi paracaktuar vizionin, objektiva e synime të qarta. Ju premtojmë se me këto mjete të mundësuara nga shteti dhe populli shqiptar do jemi prezentë në cdo kohë e situatë në ujërat e detit Jon, pranë komunitetit Sarandiot e më gjerë. Në këtë kuadër vlerësoj mbështetjen e bashkëpunimin Tuaj dhe ju uroj shëndet e suksese në familje dhe punët e përditëshme! -theksoi Gjenerali. Nga ana e Tij Kryebashkiaku i Sarandës zoti Stefan Cipa, i uroi mireseardhjen ekuipazhit të “Butrintit”, dhe i quajti ata si pjesë të banorëve të qytetit. Ju do të jeni gjithmonë të mirëpritur në këtë qytet! tha zoti Cipa. Ndaj ju uroj suksese në misionin tuaj fisnik dhe lundrim të qetë në ujërat e Jonit. Ndërkohë që ekuipazhi po përgatiste anijen për lundrim, kapiten Ermal Hila, u shpjegoi të ftuarëve disa karakteristika të anijes më të re, si psh. gjatësia, 42.80 m, gjerësia, 7.11, peshkimi, 2.52 m. shpejtësia, 26 nyje, autonomia-14 ditë, etj. të dhëna që pjesmarrësit i panë konkretisht gjatë një lundrimi të shkurtër me këtë anije në gjirin e Sarandës. Kërshëria e të ftuarëve shoqëroi gjithë lundrimin. Madje disa prej tyre provuan dhe drejtimin e anijes. Marja e drejtimit të anijes nga zoti Cipa, krijoi një moment të vecantë në anije. Në fakt zoti Cipa ka lidhje me detin jo thjesht si banor i Sarandës, por më herët kur ishte Ministër i Brendshëm, {1999} ka përkrahur cdo inisiativë për bashkëpunimin ndërinstitucional në zbatimin e ligjshmërisë detare sic ishte qendra e antitrafikut detar. Ai mbetet një mik dhe aleat i detarëve. Një pamje të vecantë i dhuroi pjesmarësve dalja në det e skafit të anijes, ku kapiten Mario Miftari dhe grupi i tij i dhuruan vizitorëve një spektakël të vërtete. Performanca e anijes “Butrinti” gjatë lundrimit dhe pamjet që të afronte natyra në gjirin e Sarandës na krijoi të gjithëve një ndjesi të këndshme. Në fund të lundrimit miqve ju dhuruan simbole të anijes. Por, ndërsa kjo pjesë e aktivitetit u mbyll, meraku jonë ishte mbasditja. Ku nga ora 17.00 deri më 22.00 kishim vizitë të hapur të qytetarëve në anije. I pari që na qetësoi ishte kapiten Agim Zholi. Ai na tha se qytetarët sarandiotë janë të aposionuar mbas cdo mjeti detar e jo më për një anije të re ushtarake. Kapiteni ka kryer detyra të ndryshme si oficer lundrues deri kapiten në kapitenerinë e Portit. I dhënë pas profesionit të detarisë dhe cdo botimi që del në këtë fushë kapiteni ushtron zanatin e Pilotit në këtë port, por bashkë me familjen ka dhe një agjenci të përpunimit të velierave turistike dhe trageteve. Më parë kapiteni ka përpunuar dhe anijet ushtarake të SHBA e NATO-s që kanë vizituar Sarandën. Kultura dhe pasioni i tij në këtë fushë është përcjellë dhe në media të huaj. Cdo vizitor dhe turist i huaj që ka pasur rastin të provojë shërbimin me kulturë e profesionalizëm të kapitenit është rikthyer përsëri vitin tjetër në Sarandë. Z.Agim afroi ndihmë falas për punët e vogla kancelarike që kishte anija jonë dhe sa herë të keni nevojë, ejani pa merak, tha. Kënaqem kur ju afroj cdo shërbim detërëve tanë. Zyra e tij ishte e mbushur me botime të shumta për detin, guida turistike, burime të huaja për Shqipërinë por dhe video. Një ushtarak amerikan nga Neë Yorku, Hugh Moore ka realizuar një video interesante për vizitën në Sarandë dhe pritjen e kapiten Agimit.….Bukuritë e natyrës sarandiote ai i shoqëron me tingujt e kitarës. Kështu z.Hugh dhe Linda Moore janë miqtë Njujorkezë të kapitenit e Sarandës. Ndërkohë kapiteni na hoqi dhe merakun e vizitorëve. Sarandiotët shijojnë deri vonë mbrëmjet e qytetit, ndaj mos u bëni merak. Kështu dhjetra banorë të qytetit mbas pushimit të mbasdites rreth orës 18.00 vërshuan drejt anijes. Thuajse cdo familje sarandiote ka një detar me ose pa uniformë. Detari i vjetër Jaho Decka ka shërbyer 40 vjet në marinë nga Shëngjini në Sarandë. Ai bashkë me djalin dhe nipërit nuk ngopet duke parë anijen. I gëzohet motorëve Caterpillar, Eh! psherëtin, duke fshirë lotët, kushte më të mira për detarët nuk ke ku gjen, thotë. Mbajeni pastër cuna! Këtu duhet të hysh me këmishë të bardhë e të dalësh me të pa asnjë njollë! Ndërkohë Detari Zini Brahimi, tani emigrant në Greqi erdhi me dy vajzat Marinelën dhe Aleksandrën nga ishulli i Kretës. Malli për anijen dhe detin e kam që nga Kepi i Palit, thotë Ziniu, teksa kujton shokët e tij marinarë të viteve ’89-90, por dhe kuadrot Polo Guga, Mihal Prifti, etj. Peshkatari i vjetër Jorgo Nathanaili me kap.Agim Zholin dhe detarë të tjerë kuvendonte në pjesën e bashit të anijes me detarë të vjetër e pjesëtarë të ekuipazhit. Dikush në kic i thoshte në telefon një shoku të tij:-pse s’më lajmërove më parë. Këtu qënka një mrekulli. Në cdo pjesë të anijes diskutohej për detin. Për më se 5 orë anija “Butrinti”, cdo pjesë e saj u kthye në auditorium detarësh. Diskutoheshin tema të ndryshme për detin, shpesh me tone të larta. Më pas dhe kapiten Kosta Dhima bashkë me kapitenin e vjetër Yzeirin, “inspektuan” anijen dhe si vizitorë. Ura e komandimit u tërhiqte vemëndjen kapitenëve. Vec sarandiotëve me dhjetra shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë e diasporës ishin miq në anije. Ata nuk mund ta fshihnin krenarinë nga sytë e tyre. Eja! Mirëseerdhe vëlla! se kjo anije është e Jona, i thoshte detari i vjetër Artan Kojanaj. Foto pa fund në anije dhe me ekuipazhin, secili mundohej të kishte një kujtim, kapele e simbol nga Flota dhe anija “Butrinti”. Ndërkohë xha Bajrami nuk harroi tu sillte marinarëve pije të ftohta freskuese. Është vapë thoshte, djemtë janë bërë me djersë! Ej! ku arrin bujaria e këtij burri i thashë policit ushtarak Ramo. Polici ushtarak Ramo Koli nga Lazarati, kishte sjellë djalin dhe nipin me vete. Kam bërë mjaft shërbim në tokë thotë Ramo, por shërbimi në anije qënka i vecantë. Me këtë rast i krijova një mundësi dhe djalin të njihet me detin. Sështë cudi ta bëj detar. Gjatë mbrëmjes anija u vizitua dhe nga turistë të huaj, kishte dhe gazetarë midis tyre. Pamjet e anijes dhe shpjegimet e djemve tanë anglishtfolës i kishte lënë pa mend këta të huaj, aq sa kur largoheshin jepnin falenderimet më të perzemërta. Më të mrekulluar ishin një cift zvicerian nga Berna, të cilët nuk ndaheshin nga djemtë tanë. Sa keq që ne nuk kemi det, thoshin. Falenderime e mirrjohje pa fund për mikpritjen e nivelin e detarëve tanë. Ndërkohë ishkomandanti i Bazës Asllan Godo, sidoqë ishte paradite nuk ju nda dhe mbasdite anijes. Me këtë anije dhe këta djem të aftë profesionalisht mu mbush zemra me shpresë, Flota shqiptare ka rënë në duar të sigurta, me këta djem do ecë përpara, theksoi kapiteni në atë mbrëmje gushti. Ne ishushtarakët jemi shtresa më patriote dhe e ndershme e shoqërisë shqiptare nënvizoi kapiteni, ku secili ka personalitetin dhe karakterin e vet të pranueshëm në shoqërinë shqiptare. Fluksi i njerzve rritej nga minuta në minutë, tashmë ankthi jonë u kthye në të kundërtën e vet, ndjenja gëzimi dhe krenarie shihje në fytyrat e ekuipazhit të “Butrintit”. Ata ishin të zotët e shtëpisë ndaj duhet të tregonin vlerat më të mira. Me bindje them se djemtë tanë treguan mikpritjen, nivelin, kualifikimet në SHBA, profesionalizmin, ekselencën dhe xhentilesën e tyrë në cdo veprim e bisedë që bënë ato ditë gushti 2014. Djem të rinj, të bukur, u bënin hije uniforma e bardhë, me ëndra, shpresa e pasione për të ardhmen e profesionit e detarisë shqiptare. Ora po i afrohej mesnatës, Saranda filloi të pushonte dhe bashkë me të djemtë tanë që përgatiteshin për lundrimin e radhës. Sipari i vizitës së bukur e historike të anijes “Butrinti” u mbyll me një djalosh sarandiot, Franc Likaj, e kishte emrin. Do bëhem kapiten i kësaj anije xhaxhi, më thotë. Po, ja kthej, ti do mësosh fort, do bëhesh marinar e pastaj kapiten i saj në vitin 2030!
Në vend të prologut…
Me të drejtë në faqen zyrtare të Bashkisë midis të tjerave shkruhet:-Saranda ka një klimë tipike mesdhetare. Zona e Sarandës karakterizohet nga një numër i madh habitatesh natyrore, gjysmënatyrore, artificiale dhe njihet për prodhimin e agrumeve dhe ullirit, ndërkohë që pemët frutore zënë rreth 30 për qind të sipërfaqes. Pasurisë bimore të Sarandës i shtohet edhe bimësia ujore e detit Jon. Në thellësitë e Jonit nuk mungojnë edhe koralet. Delfinët janë miq të qytetit, duke u afruar brigjeve të Sarandës. Një breshkë e llojit Careta-Careta është parë së fundmi në Butrint. Ujërat detare janë jashtëzakonisht të kthjellëta dhe me ngjyrë blu. E gjithë zona ofron habitate të çmuara me peshq dhe lloje të tjera kafshësh detare. Bregu i detit Jon është në shumë zona ende i virgjër dhe jashtëzakonisht i bukur…Saranda është një qytet me më shumë se 2000 vjet histori, e pasur në vlera të rralla të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike shqiptare. Kjo trashëgimi e pasur arkeologjike e gërshetuar me bukuritë e natyrës, si dhe portin e saj natyral, përbën bazën më të rëndësishme për të promovuar zhvillimin e imazhit aktual të Sarandës, si një destinacion i turizmit klasik botëror, si dhe për të tërhequr tregun e turizmit të veçantë. Miqësisht unë do shtoja se pasuria më e madhe e këtij qyteti janë banorët e saj, qytetarë në kuptimin e plotë të fjalës, njerëz të thjeshtë etë dashur, më punë të vet, plot mirësjellje e kulturë që të bëjnë të kthesh kokën pas dhe mos i harosh. Në sytë e atyre që takuam, banorë e nënpunës pamë dritë shprese dhe kurajo, ata e dinë mirë kur shteti shqiptar lëviz në kursin e duhur, sepse janë detarë të mirfilltë. Duke lexuar këto rreshta mu kujtua dicka nga historiani grek Plutarku, i cili shkruan se delfini është e vetmja kafshë që e do njeriun si të tillë, dhe natyra i ka lejuar atë që quhet miqësi pa interes. Delfinët vizitojnë shpesh Sarandën, pra me rregull treshi del se sarandiotët të duan pa interes. Me këto mbresa u larguam atë mëngjes të datës 29 gusht nga ky qytet që na afroi aq miqësi e mikpritje. Një qytet simbiozë me detarët. Anija “Butrinti” la portin e saj për tu rikthyer me nonjë mision tjetër, dhe bashkë me të edhe ne me shikimin prapa për të ardhur në evente të tjera në këtë qytet, sigurisht për të takuar dhe banorët e mrekullueshëm të këtij qyteti, detarët dhe miqtë e shumtë. Gjatë këtyre ditëve shpesh thoja me vete se mos e kemi tepruar me emrin “Butrinti”, se disa anije shqiptare e kanë këtë emër, por kësaj zone i duhej anija me këtë emër, le te jetë një anije ushtarake dhe një transporti. Sa më shumë anije me këtë emër. E meritojnë! Ta gëzojnë!
Literatura
-Histori e Popullit Shqiptar, vëll. i I-rë dhe i II-të, Botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 2002.
-Antologji e Detarisë Shqiptare, nga lashtësia deri në v.1960, pjesa e I-rë, Durrës 2012.
-Antologji e Detarisë Shqiptare, nga viti 1960-2012, pjesa e II-të dhe e III-të, Durrës 2013.
-Polibyius on Roman imperialism…Library of Congres, 1987.
-Gjeografia Fizike e Shqipërisë, Prof. Perikli Qiriazi. Tiranë 2003.
Shënim: Ky reportazh do jete pjesë e vëllimit të IV-të, Antologji e Detarisë Shqiptare, nga viti 2012 e në vazhdim…
Shefqet Kërcelli
Sarandë, 27, 28, 29 gusht 2014
Luan Shabani says
Pershendetje Shefqet
Te pergezoj per artikullin dedikuar anijes Butrinti, por edhe vete qytetit te Sarandes.Ishte pak i gjate ,si artikull, porse me kohe Ju mund te shkruani nje liber kushtuar ketij qyteti detar.
Te fala
Luan Shabani