• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët e Amerikës gjashtë vjetë më parë marshuan në Manhattan

February 15, 2014 by dgreca

Kur shqiptaro-amerikanët pushtuan Tajms Skuer-in për Pavarësinë e Kosovës/

Nga Dalip Greca/

Times Square, 17 shkurt 2008- Ndërkohë që Prishtina nënshkruante dokumentin historik, Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, shqiptarët e  Nju Jork-ut vazhdonin shëtitjen e  Pavarësisë nëpër rrugët njujorkeze. Një varg i gjatë makinash të zbukuruara me flamuj kombëtar shqiptar dhe me flamurin amerikan i binin kryq e tërthor qytezave ku banojnë shqiptarët. Arthur Avenue, Williamsbridge, Third Ave, Astoria Bulevard në Kuins, Fordham Rode në Bronx, rrugë-kalimet e Bruklinit dhe të Ridge Wood, Nju Xhersi e Kenektikat, kanë ushtuar nga jehona e borive të makinave dhe thirrjet e shqiptaro-amerikanëve: “Kosova-USA”, “Kosova e pavarur”, “Thank You USA”…”Thank You President Bush”!”Thank You President Clinton”!

Shëtitja e Pavarësisë së Kosovës në Nju Jork, u kurorëzua në Times Square, ku vargu i makinave kalonte përmes sheshit të famshëm të mbushur plot me kalimtarë. Ndërkohë që vargu i gjatë i makinave të mbushur me shqiptarë, të veshur si për festë, shumë prej të cilëve të mbështjellë me flamurin kombëtar shqiptar dhe atë të shtetit amerikan, thërrisnin e brohorisnin për pavarësinë e Kosovës, grupe të shumta dilnin nga Sabuej dhe i bashkoheshin manifestuesve që qëndroninn në trotuare. Të parët ishin grumbulluar që në orën 11 e 45. Gjithëçka ishte spontane, intuitive. Kishin mjaftuar vetëm disa tekste mesazhesh të nisur nga një grup të rinjësh përmes celularëve dhe secili njoftonte miqtë dhe të afërmit e vet. Teksti i nisur që në mbrëmjen e së shtunës ishte i shkurtër: ”Nesër, e dielë 17 shkurt do të celebrojmë pavarësinë e Kosovës në Times Square. Merrni flamuj shqiptarë dhe amerikan me vete. Ta gëzojmë pavarësinë…!”.

Ky tekst pati një efekt të jashtzakonshëm, gati magjik. Në fillim qindra e më pas mijëra pushtuan sheshin Times Square, i cili këtë të dielë kishte aq shumë turistë.

Të ardhurit nuk pushojnë marshimin ne metropolin njujorkez…Manhattani flet shqip. Nga të gjitha kryqzimet duken flamujë…sa shumë manifestues! Çdokush nga kryetaret e shoqatave të shumta që kemi në komunitet, apo presidentët e fondacioneve, që nuk arrijnë asnjëherë të mbushin sallat, do ta kishin zili këtë mënyrë grumbullimi. Në të gjithë manifestimet që u zhvilluan këtë të dielë në Nju Jork, askush nuk mund të krahasohet me mënyrën e organizimit të të rinjëve që mbushën Times Squar-in… Ky rast tregoi se shqiptarët  mund të organizohen në mënyrë të shkëlqyer pa pasur nevojë shumë për prijësit e lodhur…

Illyria e ndoqi që nga fillimi e deri në fund manifestimin. I gjithë ekipi ishte aty dhe regjistroi gjithëçka u zhvillua në  Times Square.

Me grumbullimet e para shfaqet dhe policia. Fillimisht vetëm pak policë, por me shtimin e manifestuesve, vjen duke u shtuar dhe prania paqsore e policëve amerikanë, të cilët e kanë të vështirë ta disiplinojnë trafikun. Makinat e shqiptarëve nuk pushojnë asnjë cast dhe sapo e përshkojnë gjatësinë e Time Square, rikthehen sërish dhe përsërisin ritin e manifestimit.

Fillimisht shqiptarët kanë zënë vetëm njërën anë të avenjusë së shtatë, më pas zënë dhe anën përballë, por gjithësesi hapësira është e ngushtë për t’i zënë të gjithë ata që vijnë nga drejtime të ndryshme; del e domosdoshme që të pushtohet edhe një avenjue tjetër… Mitingu nisi me qindra e më pas u bënë mijëra.

Në miting gjenë nga të gjitha moshat, që nga të rinjtë, e deri tek fëmijët e vegjël, nga invalidët e deri tek të moshuarit. Edhe një veteran amerikan i kthehet disa herë sheshit dhe përshëndet shqiptarët manifestues. Është pak ftohtë, por askush nuk jep shenja se e ndjen të ftohtin.

Bleron Baraliu është mbështjellë me një flamur kuq e zi dhe brohoret për Kosovën. Aktorja Liza Zagreda dhe Luan Bexheti treten mes turmës dhe urojnë për pavarësinë e Kosovës. Veterani Shaqir Gashi afrohet tek kamera e TV “Kultura Shqiptare”  dhe zbraz emocionet qe ndjen. Ka ardhur bashkë me zonjën në shesh. Gazetari Sulejman Gashi merr intervistat e çastit për t’i përcjellë në Prishtinë përmes ekranit të RTK-së me ndihmën e kamerës së Damianit. Edhe Halil Mula fikson pamje dhe intervista e i përcjell për në Prishtinë përmes RTV 21. Tek Adem Belliu afrohet një Afgano-amerikan i cili thërret në anglisht për pavarësinë e Kosovës dhe demokratizimin e Afganistanit. Të huajët kalojnë pranë manifestuesëve dhe kërkojën të marrin fotografi kujtimi me flamujë shqiptarë.

Secili ndjehet i emocionuar në këtë ditë historike.

Në turmën e madhe të manifestuesëve mbizotëron mosha e re. Një gazetar i NBS, thotë se ndjehet i mrekulluar tek sheh njerëz kaq të gëzuar që manifestojnë me kulturë. Ju nderoni vendin tuaj dhe Amerikën, tha ai.

Edhe pse Sheshi është i rënduar nga pjesmarrja e shumtë, vajza dhe djem të rinjë ia improvizojnë dhe ia nisin edhe valles aty, ndërsa ka dhe instrumentistë që kanë marrë me vete tupanët dhe çiftelitë.Është ditë gëzimi… Është dasma e Kosovës.

Sa shumë të rinjë dhe fëmijë që ka në radhët e manifestuesve! Arberie Hetemi eshte bashke me te shoqin dhe i gezohen manifestimit. Të gjithë gëzojnë dhe thërrasin për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Piktori vlonjat Fejzo ka qëndruar në qendër të turmës dhe i gëzohet entuziazmit që përshkon manifestiuesit. Sali Bollati uron kosovarët dhe uron që së shpejti dhe çështja came të gjejë rrugën e zgjidhjes. Mimoza Dajçi ak ardhur së bashku me të motrën dhe mbesën.

-Jemi të gëzuara që Kosova e fitoi pavarësinë , thotë stërmbesa e Isa Buletinit.

Agim Rexha nuk mund ta linte këtë rast, ai qëndron në qendër të manifestuesëve që në fillim dhe brohoret bashkë me të rinjët.që e rrethojnë. Pak më tej shoh me kamer Damianon, që fokuson pamjen të mrekullueshme, të fytyrave të qeshura, flamujë që valviten, pllakateve e banderolave, ku shkruhet” “Kosova Indipendent!”, “Thank You USA”…!”Kosva free and Praud”

-Kush e organizon këtë miting, pyeti një prej policëve të ardhur rishtaz me grupin përforcues, një të ri të mbështjellë me flamurin kuq e zi…

Një vajzë e qeshur, së cilës ia zbukuron trupin një  flamur amerikan, ndërkohë që në kokë ka vënë një shami kuq e zi, i përgjigjet:” “Kosova Indipendent!” …Polici largohet përgjatë rreshtit dhe kërkon që të mos lëvizet jashtë kufizmimeve, por  e ka të vështirë…

Manifestimi ka vazhduar deri në orën 4 e 30 Pm. Ky ka qenë manifestim historik jo vetëm pse iu kushtua një dite historike, por edhe pse për nga përmasat dhe organizimi ishte i jashtzakonshëm.Ua kemi borxh të rinjëve këtë miting të shkëlqyer, të cilin do ta kujtojmë vit pas viti, sa herë të festojmë pavarësinë e Kosovës.(U botua se pari ne Illyria, 17 shkurt 2008) Foto: Dalip Greca duke marre intervista per TV Kultura Shqiptare me president Adem Belliu.I intervistuari ne fotografi, Ermira Muja)

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: dalip greca, kur shqiptaret, per pavareisne e Kosoves, pushtuan, Times Squar

Kremtohet Dita e Pavarësisë së Kosovës në Hungari

February 13, 2014 by dgreca

 Orë letrare festive në Budapest/

“…bashkë do të arrijmë që ajo që sot na duket e pamundur ta bëjmë të mundur…”. “Ju krijuesit e artistët jeni ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë…”. “…Ne duhet të jetojmë për Shqipërinë…”. Nënshtetasi sllovak që e ndien vetën shqiptar dhe veproi deri në sakrificë për kauzën shqiptare./

Nga Hazir Mehmeti, Budapest/
Në kryeqytetin e bukur hungarez nën përkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, u organizua orë letrare artistike në kuadër të shënimit të gjashtë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Mbrëmja festive e pasur me program të larmishëm kulturo-artistik ishte nën patronatin e z.Sami Ukellit, ambasador i Kosovës në Hungari. Manifestimin e nderoi me praninë e tij z.Ibrahim Makolli, ministër për diasporë. Të pranishëm ishin edhe znj. Mira Hoxha, ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Hungari; Z.Iljaz Feta, këshilltar në Ambasadën e Maqedonisë në Hungari;  Dr.Etleva Lala, drejtoreshë në Katedrën e Albanologjisë në Budapest;  z. Kurt Gostentschnigg, shkrimtar dhe përkthyes;  z.Kamil Weiner, mysafir nga Sllovakia, një aktivist dhe shkrimtar i cili së fundi shkruan edhe në gjuhën shqipe;  Z. Driton Smakaj, veprimtar, krijues, ideator dhe koordinues në realizimin e orës letrare me krijues nga Austria.  Paraqitje e programit u bë me sukses nga znj. Jehona Muja-Sukaj.
Në fjalën e tij përshëndetëse ministri, z.Ibrahim Makolli, mes tjerash tha:” Ku flet arti, politika heshtë, kudo që jemi do angazhohemi, pavarësisht se herë-herë edhe do të lodhemi e mërzitemi, por asnjëherë dhe në asnjë moment të mos e humbim besimin, ne si komb kemi mundësi. Por ajo që nevojitet është t’i bëjmë bashkë të gjitha pjesët e trupit të shpërndarë gjithandej botës. Dhe, duke i bërë bashkë do të arrijmë që ajo që sot na duket e pamundur, ta bëjmë të mundur dhe të realizueshme, sepse në të kundërtën edhe ajo që sot na duket e mundur, nëse nuk bëhemi bashkë, nëse nuk i mobilizojmë kapacitetet tona sikur i kemi mobilizuar në një kohë, atëherë edhe e mundura do të bëhet e  pamundur. Gëzuar Dita e Pavarësisë! Shkrimtarëve suksese në artin e tyre! Edhe njëherë, sikur edhe herëve tjera kur jemi takuar, e shprehi gatishmërinë e Ministrisë së Diasporës për të qenë afër në secilin moment në plotësimin e shumë nevojave që ne kemi brenda dhe jashtë.” Znj.Mira Hoxha, ambasadore e Shqipërisë në Hungari në fjalën e saj mes tjerash tha: “Dyert e ambasadave janë të hapura si gjithnjë. Nuk është hera e parë që ne organizojmë mbrëmje artistike. I përgëzoj Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve dhe të gjithëve, urime pavarësia e Republikës së Kosovës.  Ju krijuesit e artistët jeni ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë. Imazhi i juaj është imazhi më i mirë i Shqipërisë. Ju faleminderit dhe jetë të gjatë Kosovës”.Fjalën e rastit e mbajti nikoqiri i mbrëmjes z.Sami Ukelli, ambasador i Republikës së Kosovës në Hungari. “Krijuesit dhe të pranishmit tjerë i falënderoj shumë, të cilët kanë gjetur kohe të vijnë këtë mbrëmje. Po ashtu e falënderojmë ministrinë, z. Ibrahim Makolli. Ardhja e juaj nga Austria kur dihet se ju vini pas angazhimit tuaj ditor në vendet e punës atje, na nderon në veçanti. Ne po festojmë ndër të parët sonte duke e nisur kështu shënimin gjashtë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Jemi shtet i ri por me ministri të diasporës, kjo tregon për përkushtimin tonë përgjithësisht për mërgatën tonë kudo që gjendet. Shpresoj se edhe Republika e Shqipërisë do ketë një dikaster të ngjashëm për koordinim më të mirë rreth mërgatës edhe me ministrinë tonë të diasporës, kjo edhe po ndodhë.”
Në emër të LShKSh “Aleksandër Moisiu” përshëndeti kryetari i saj, poeti Besim Xhelili. “ Krijues të bashkuar arrijnë më shumë, nga ky cak i yni tani në shoqatën tonë kemi një numër të kënaqshëm krijuesish, mes tyre edhe nga Hungaria z.Driton Smakaj. Jemi të hapur edhe për shkrimtarë e krijues tjerë nga vendet tjera për rreth nesh. E filluam disa veta, kurse tani kemi 27 shkrimtarë e krijues tjerë arti të përfaqësuar me veprat e tyre. Në pikturë prizrenasi Gazmend Freitag, momentalisht me pikturat e tij në Verona të Italisë i cili nga atje ju përshëndetë. Krijuesit  rrjedhin nga të gjitha viset etnike shqiptare me artin e tyre kanë treguar vlera arti edhe para kombeve tjera.” Z.Anton Marku prezantoj botimin e antologjisë së shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në Austri, i botuar në dy gjuhë, shqip dhe gjermanisht. Nga krijimtaria e tyre lexuan poezi Anton Marku, Besim Xhelili, Kurt Gostentschnigg,  Mërgim Osmani. Z. Kamil Weiner, përkthyes, regjisor e publicist në fjalën e tij në një shqipe të rrjedhshme mes tjerash tha: “Jam themelues i shoqatës “Besa” në Sllovaki e cila nxori edhe revistën mujore në shqip “Besa”, ku shkruhej për problemet e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi në trojet tona. Kisha bashkëpunëtor të gazetës kroat, slloven e nga kombe tjera ku trajtoheshin problemet e Kosovës dhe shqiptarëve. Isha gjatë gjithë kohës së luftës në Kosovë si prijës i gazetarëve sllovak dhe çek. Kam përkthye disa vepra të autorëve shqiptarë në sllovakisht dhe të atyre sllovak në shqip” z.Weiner lexoi dy poezi në gjuhën shqipe. Ai mes tjerash tha: “Ne duhet të jetojmë për Shqipërinë e jo të vdesim për Shqipërinë”. Poeti shkodran Ragip Dragusha e entuziazmoi publikun me poezitë e tij “Breshka” dhe “Zana e Malit” duke i interpretuar ato bukur dhe me plotë pasion, për çka publiku e shpërbleu me duartrokitje të gjata. Mbrëmjen e ndihmuan edhe afaristë shqiptarë të suksesshëm, mes tyre edhe z.Lutfi Kabashi i cili shtroi darkë pritje për mysafirët.

Filed Under: Reportazh Tagged With: dita e Pavaresise, Hungari, Kosoves, Ore letrare ne budapest

VIZITË NË PARLAMENTIN KANADEZ

January 19, 2014 by dgreca

Nga Luan Çipi/
Duke qenë me Hanëmen, gruan time për gati dy muaj mysafirë te vajza jonë Lindita, në Otava Kanada, nuk mund të rinim pa vizituar godinat e Parlamentit Kanadez, të ndërtuara aq bukur me veshje guri të gdhendur dekorativ, në zonën më të piktoreske e qendrore të qytetit.
 Ishte një ditë e djelë e ftohtë, me borë e suferinë, mes janari i vitit 2014 kur u nisëm me makinë drejt qendrës së qytetit, të njoftuar nga interneti dhe të informuam saktë se në “Kullën e Paqes”, si quhet godina qendrore e Parlamentit Kanadez, pranohen vizita, mandej edhe pa pagesë.
 U futëm dhe ne në radhën e vizitorëve të shumtë dhe pas një pritje e përshëndetje buzagaz të pritësve dhe kalimit te një kontrolli personal të imtë, deri me rrip, xhup e xhaketë hequr dhe pasi ulemi e presim grumbullimin e 20 vizitorëve, nisemi te shoqëruar nga një spikere kanadeze, për t’u futur në sallat dhe mjediset e panumërta të Parlamentit Kanadez. Qysh në fillim u  mrekulluam me madhështinë e tij, me punimet ndërtimore e arkitektonike, me muret e tavanet dekorativë dhe dyshemetë e sheshet me mozaikë, me fotografitë dhe tablotë e varura në mure, me statujat e shumte dhe basorelievet e panumërt, me pajisjet dhe orenditë bashkëkohore e antike, të ndërtuara e të vendosura nga mjeshtër, arkitektë dhe artistë të niveleve superiore.
 Ndalesën e parë e bëmë te salla e hyrjes para Kuvendit Republikan, ku zakonisht parlamentaret takohen me gazetarë e publicistë dhe japin intervista e shpjegime, sipas parimit “çdo gjë është e hapur, çdo gjë është transparente”. Salla e hyrjes është pjesë e madhështisë së gjithë godinës dhe pjesë e historisë parlamentare demokratike historike të Parlamentit Kanadez. Atje dallohen fotografi të çmuara mbretërish e princash, parlamentarësh e senatorësh ku spikati me madhështi mbretëreshat Viktoria dhe Elisabeta, Kryeministri i pare, Presidenti i pare dhe deputetët më të vjetër, përfaqësues të partive rivale, kundrejt njeri tjetrit, ashtu si kishin kundërshtuar dhe gjunjëzuar, mposhtur, apo tërhequr nga njeri tjetri, me argumentin dhe fuqinë fjalës për dhjetëra vite.
 Jo vetëm sot, që është e djelë dhe parlamentarët janë me pushime dhe në punët e tyre private familjare apo shoqërore, po dhe në ditët kur Parlamenti punon, qoftë në Senat, apo në Dhomën e Komuneve, “Kështjella e Paqes”, mund të vizitohet lirshëm nga kushdo, gjatë gjithë ditës pa pushim, natyrisht edhe pa penguar zhvillimin normal të punimeve, konsultave, bashkëbisedimeve te parlamentarëve apo personelit këshillues, ndihmës dhe shërbyes. Ndërkohë vizitorët mund të sodisin punimet nga galeritë publike (ku sigurohet disponueshmëri e hapësirë). Gjatë gjithë kohës në galeritë e vizitorëve, është i aktivizuar një udhëzues audio në celular, që ofron informacion në lidhje me lojtarët kyç të çdo dhome, kur. diskutohet e merren vendime p sh. për artin, apo arkitekturën, biznesin, apo ushtrinë.
 Natyrisht për vizitorët ka disa detyrime, qe respektohen me rigorozitet: Bëhet paraprakisht skanimi dhe kontrolli i imët për të parandaluar çdo të papritur të pakëndshme. Kamera, dylbi, regjistrues, çadra, çanta, pajisje elektronike, armë, nuk lejohen Vizitorët duhet të jetë i veshur në mënyrë të përshtatshme dhe burrat duhet të hiqni kapelet e tyre. Ndalohet gjithashtu demonstrata, duartrokitjet, goditje me këmbë në tokë, folje me zë të lart, mesazhet politike(në pankarta apo veshje) dhe veprime të tjera shqetësuese.
 Rregullat ne këtë parlament e bëjnë edhe më funksional dhe më të interesuar vizitorin kureshtar, çka duket edhe nga numri i madh i tyre, që për vitin kap shifrën mbi 3 milion vizitorë.
 Dihet historikisht, se ishte Mbretëresha Angleze Viktoria, ajo që  qysh në vitin 1859 e zgjodhi Otavën për kryeqytet dhe qe disponoi ndërtimin e parlamentit të “Provincës Kanadeze”. Për këtë konkurruan 298 projektues, u zgjodhën tre dhe përfunduan te më i miri, që u shpall më me 29 gusht 1859.
 Pas disa adoptimeve dhe shtesave në ndërtesat e departamenteve dhe pas një zjarri në vitin 1916 që shkatërroi Bllokun Qendror, “Parlamenti Hill”, mori formën e tanishme me përfundimin e “Kullës së Paqes” në vitin 1927 . Qysh nga viti 2002, me investime të shumta, nisi dhe u realizua rinovimi dhe rehabilitim sipas një projekti cilësor, që përfshiu të gjithë  ndërtesat brenda rrethimit. Kjo punë, ende në proces, do përfundojë  plotësisht pas vitit 2020.
 Zona ku shtrihen godinat e Parlamentit Kanadez zë një sipërfaqe 88.480 metro katrorë dhe kufizohet nga Lumi Otava ne veri, Kanali Ujor Rideau ne lindje, Rruga Welington në jug dhe Rruga Kent nga ana e Gjykatës së Lartë, në perëndim. Ajo është e rrethuar nga një gardh i lart prej hekur të farkëtuar e të inkuadruar bukur që quhet Wellington Wall,
Brenda  murit  prej hekuri qëndrojnë të harmonizuara e të ndërtuara me stilin klasik gotik të modernizuar, Kulla e Paqes në veri, Zyrat e Parlamentit Hill dhe  Rezidenca e Mbretereshës  me maskën e Ives & Co.e Montreal. Në çdo cep të zonës katërkëndëshe, nga ana jugore ka edhe porta te vogla për qasjet e përditshme.
Të tria ndërtesat e Parlamentit Hill janë të bashkërenduara dhe funksionale.
 Në Kullën e Paqes, nga Paradhoma kalon për t’u futur në Sallën Solemne, më të madhen e parlamentit, me vendet ulur dhe pajisjet për çdo deputet. Ato janë parceluar dhe me simbolikat e ndara për të dhjetë provincat e Kanadasë, shoqëruar me figura e ilustrime të emblemave përfaqësuese, të bimësisë, gjallesave të tjera dhe objekteve cilësuese karakteristike të tyre. Çdo parlamentar, i ulur ne mjediset kujtimndjellëse i ka përherë të pashlyera detyrimet që mbart ndaj zgjedhësve të tij të nderuar.
 Paradhoma dhe Dhoma e Senatit, janë të tjera mjedise të bukura me vlerë. Atje dhe kudo ka vende të lira dhe për popullin e thjeshtë, për gazetarët dhe masmedian, të gatshëm për ndihme, transparencë e kontroll.
 Në pjesën e pasme të Kullës së Paqes është vendosur Biblioteka një vepër monumentale edhe kjo në stilin gotik, e me disa kate e dhoma, deri ndarje të rezervuara. Biblioteka komode për më tepër është shumë e pasur, jo vetëm për librat e karakterit legjislativ e të tjera në shërbim të parlamentit, po edhe të nivelit shkencor, historik, didaktik,  artistik, kulturor e letrar. Këtu  dallojnë vepra të hershme e të rralla, mandej ndonjë krejt unikale dhe me vlera të paçmueshme. Edhe biblioteka, si pasuri e madhe kombëtare, rruhet me rreptësi, aq me tepër se ka pasur tentativa djegie dhe ka shpëtuar prej masave preventive, duke u pajisur deri me porta të hekurta,  por që nuk të japim këtë përshtypje se janë si imitime të bukura druri.
Projektimi dhe ndërtimi i Parlamentit Kanadez në tërësi është një vepër e madhe arkitektonike e realizuar nga mjeshtrit kanadezë në konsultë me specialistët më të shquar të kohës dhe që përfshiu 298 variante, nga të cilat u zgjodh më i miri.  Projektet kanë imituar stilin gotik të  Rilindjes Evropjane, me ndikime italiane, franceze, nga Vendet e Ulta etj. por të realizuar me teknologji moderne dhe duke marrë parasysh klimën Kanadeze. .
 Materialet e përdorura sidomos për rifiniturat, qemerët, praqet, kornizat, tavanet, dyshemetë janë siguruar kryesisht për rreth Otavës dhe janë përdorur me mjeshtëri të rrallë.
Sidomos 5 nga specialistët kanë punuar në vendet kyçe e delikate për shumë vite. Ata, veç të tjerave, morën porosi edhe për gdhendjen, në kujtim të pararendësve te lashtë vendas, të figurave me fytyrat e të tyre simbolike. Po ata me aftësitë dhe talentin e tyre, duke punuar si në fshehtësi e të vetmuar për  një kohë të gjatë, skalitën me mençuri, në vend të tyre, secili vetveten, duke përjetësuar kështu një lavdi të merituar në shekuj.
Është çdo gjë ndërtuar bukur dhe në funksion të një shërbimi të dobishëm, cilësor e njerëzor  Kjo duket edhe te nderi që i  kanë kushtuar të rënëve për Atdhe, qysh nga krijimi i Kanadasë. Ka në këtë Parlament një pavijon të veçantë për dëshmorët dhe libra me listat një për një, sipas luftërave dhe vendeve kua kanë marrë pjesë e janë bërë fli në mbarë botën, bijtë e saj më të mirë.
 Interesant është dhe kulla e lartë dominuese, ku shkohet me një ashensor të shpejt deri te një mjedis i stërmadh rrethuar me xham, nga e sheh si në pëllëmbë të dorës Otavën e bukur e deri rrethinat e saj.
Largohemi për në vendin tonë Shqipërinë e dashur, me mendimin dhe ëndrrën për të parë dhe atje së shpejti Parlamentin e Ri, pa pretenduar për një nivel kaq superior, si Parlamenti Kanadez i Otavës, për të cilin janë dashur fantazia e specialistëve të botës dhe burimet financiare njerëzore perandorake.
Otava Kanada, 20.01.2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: Kanadez, Luan Cipi, Vizite ne Parlamentin

VIZITË NË BAZILIKËN NOTRE DAME MONTREAL

January 10, 2014 by dgreca

Nga Luan Çipi/

Qyteti i Montrealit është i madh e i rëndësishëm. Ai ka afër 1.7 milion banorë (i dyti pas Torontos) dhe njëkohësisht është quajtur dhe “Kryeqyteti kulturor i Kanadasë”, pa përjashtuar cilësimin historik të tij si “Kryeqyteti tregtar i Kanadasë”. Qyteti dhe e gjithë krahina e Kebekut, ku ai bënë pjese nga ana territoriale dhe administrative, përfshin zonën frankofone të Kanadasë. Frëngjishtja është gjuha zyrtare e qytetit dhe në shtëpitë rreth 56% e banorëve flasin frëngjisht dhe vetëm 18% anglisht.

Montreali, padyshim edhe sot, mbetet një qendër e rëndësishme e tregtisë, e financave, e teknologjisë, projektimit, turizmit, hapësirës ajrore, kulturës, sportit dhe kinematografisë.

Edhe pse i ka këto përparësi në shkallë kombëtare Montreali, merr edhe më shumë vlera, duke pasur në qendër të vetë një objekt kulti religjioz me rëndësi e madhësi botërore, siç është Bazilika Katolike “Notre Dame Montreal”, Kisha më e madhe në Amerikën e Veriut dhe e dyta në shkallë botërore.

Ky institucion shumë i rëndësishëm i besimit katolik, u ndërtua për nder dhe me emrin e Shën Mërisë, në një objekt më të vogël, në vitin 1829 qe u dëmtua kryesisht për shkak te djegies së tij dhe nisi të rindërtohet, rikonstruktohet e zgjerohet në formën e tanishme, si bashkësi dy kishash, qysh nga viti 1980.

Për ndërtimin e Kishës së Madhe u zgjodh projektuesi dhe ndërtuesi i famshëm Amerikan, me origjinë Irlandeze, James D’Onell, protestan, që u konvertua në katolik dhe u nderua e u varros po aty.

Të ardhur në Otava, për vizitë te ime bije, që ndodhet familjarisht me banim dhe punë prej vitesh në Kanada, duke qenë vetëm rreth 200 km. larg Bazilikës Notre Dame të Montrealit, nuk mund të rinim pa e vizituar këtë perlë botërore, që rrezaton fuqishëm në të gjithë botën e krishterë, madhështi edhe besim hyjnor tradicional Katolik. Së bashku me Hanëmen, gruan time të pandarë në çdo ngjarje, si dhe me Linditën, vajzën time, me Mihailin, dhëndrin kanadez dhe djalin tim, Kamanin, (ardhur për mua posaçërisht nga Çikago me gruan dhe të dy djemtë e tij çamarrokë), në një ditë tepër të ftohtë (-31 gradë C), me dy autovetura, nisemi të çalltisim e të shuajmë këtë kuriozitet e dëshirë të kahershme, që nuk e ka fat gjithkush dhe gjithmonë.

Pasi premë biletat dhe paguam një kuotë hyrjeje (më shumë për solidaritet dhe detyrë humane dhe duhet thënë, pa asnjë detyrim) edhe të përshpejtuar nga të ftohtit e padurueshëm, u futëm në Portën e Kishës, ku menjëherë ngelëm të befasuar nga pamja mahnitëse, që të impononte madhështi e deri misticizëm:

Një sallë e madhe, që s’i shihje dot fundin, me aftësi mbajtëse mijëra veta, shumica me vënde për t’u ulur në kushte komode, një ndriçim paksa i errët, disi i mbytur dhe ëndërrimtar.

Kudo të sheh syri llambadarë, shandanë, ndriçues e abazhurë disaformash dhe shumëmadhësish. Xhamat e dritareve janë tjetërsoj të bukur e të ngjyrosur me teknologji të posaçme. Ka gjithfarësoj, basoreliev dhe statuja shenjtorësh dhe engjëjsh, ornamente e piktura të çmuara dhe punime druri (bliri kryesisht), e të papara artistikisht tjetërkund.

Në të djathtë janë vendosur dhomat e rrëfimit dhe të faljes së mëkateve, krejt xham dhe në të majtë, janë këndet e lutjeve dhe të përshpirtjes, me qirinj në ndriçim apo gati për ndezje.

Po të ngresh sytë lart drejt tavanit, admiron 1827 korniza me xham te ngjyrosur, të thurur aq bukur deri në ultësirën e kurbuar, sa të duket sikur sheh qiellin blu. Kjo u ofron vizitorëve një ndjenjë befasuese për të qenë më të hapur, më kolektiv, më të dashur për njëri tjetrin, më dorëdhënës, solidar e bujar, nën një qiell rrezatues të  improvizuar e që të benë vetvetiu të ndikuar nga fryma hyjnore.

Ngjyra e mureve, në të katër anët e Bazilikës, është e pazakontë, e shumëllojtë e deri në mrekulli, ku dominon bluja dhe ari. Një ar, jo i lyer si bojë e i sajuar, po krejt i vërtetë dhe natyrisht me shumë vlerë. Siç janë të bukura e të kushtueshme, të bëra me dorë, çdo detal e pjesë përbërëse ndërtimore dhe çdo pajisje e instaluar, në këto mjedise të arenduara me mjeshtëri të rrallë, ku çdo pikturë, reliev, statuje tregon për një ngjarje fetare, për një shenjt, për engjëjt, për një porosi ungjillore, inspiruar nga Bibla..

Altari ballor kryesor i kishës së madhe, sarkofagu, kasollja e famshme ku lindi Jezu Krishti, etj. ndërtuar si shumë çudi të tjera, nga arkitekti Viktor Bourgen, janë secila më vete, një kryevepër monumentale, që rrallë gjendet tjetër kund. Jezusi, me madhështinë dhe bukurinë e tij, dominon gjithë mjedisin e harmonizuar për rreth, ku numërohen dhjetëra pamje ikone në pikturë, të gdhendura si basorelieve, apo statuja të madhësive të ndryshme, që shihen me pamje te lirë nga salla e madhe, apo po të kalosh e t’i soditësh në shkallinat e shumta drejt lozhave, nga të tre anët e saj.

Tjetër mrekulli e veçanti e kësaj Bazilike Madhështore është Kambanorja, me një kambanë gjigante prej 12 ton, që vihet në lëvizje me forcën e njëkohshme të 12  burrave dhe qe tingëllimi i saj dëgjohet prej 37 km larg. Natyrisht përdorimi i kambanës kufizohet vetëm në ditët solemne ceremoniale e në të shenjtat fetare dominante, ndryshe, nga fuqia e madhe akustike, do arrinte deri në dëmtimin e mureve. Veç Sallës së Madhe kryesore, nevojat e shpeshta ceremoniale, sidomos për martesat, diktuan edhe ndërtimin e një kishe të dyte, ngjitur dhe që komunikon me Bazilikën. “Sacred Heart Chapel”, duhet thënë dhe kjo, ka bukurinë dhe stilin e vet të posaçëm e funksional dhe përballon thuajse gjithë nevojat e këtij qyteti të madh, që me rrethinat si popullatë, ia kalon shumë edhe Shqipërisë.

Salla e Madhe e Bazilikës Notre Dame Montreal, përdoret si Kishë për ritet fetare më të spikatura dhe në raste solemne e të jashtëzakonshme dhe bashke me ata që mund të rijnë në këmbë, pranon 9 mije spektatorë. Kjo Bazilikë e rëndësishme në shumë raste ka qenë edhe arenë e ngjarjeve të bujshme shoqërore e shtetërore për krejt provincën e Kebekut dhe të gjithë vendit, për të përballuar deri koncerte të mëdha, duke arritur kulmin me debutimin e suksesshëm të Luçiano Pavarotit të famshëm.

Një tjetër çudi dhe madhështi e Bazilikës Notre Dame Montreal është Organoja e saj, me përmasa jashtëdimensionale dhe cilësi akustike të jashtëzakonshme. Kjo  kërkon dhe mjeshtëri kulmore, për të luajtur me virtuozitetin që meriton, ky instrument i rrallë në shkallë botëror, siç bënë prej dyzetedy vjetësh, Pjeri, që luan aty ende me pasion rinor, në kërkim të përsosmërisë.

Kthehemi për në vendin tonë, në Shqipërinë e vogël dhe të largët, të entuziazmuar dhe me përshtypjet me të mira për popullin Kanadez dhe arritjet e tij të jashtëzakonshme, në të gjitha drejtimet.

Kjo Bazilikë Madhështore tregon gjithashtu forcën e këtij kombi vital dhe të përparuar drejt përsosmërisë, në harmoni midis shtetasve të vet, pavarësisht gjuhëve e besimeve të ndryshme fetare dhe me një politikë sociale e mirëkuptimi shembullore.

Otava, Kanada, 10.01.2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: Luan Cipi, Montreal, Notre Dame, vizite ne Baziliken

PËRKUJTESË DRITËRIMI

January 8, 2014 by dgreca

Njëqind vjetori i shkollës së Tërbaçit/

Reportazh nga Eqerem Canaj/Shkrimtar/

Deti paskësh ndërruar shtrat në ato ditë fund dhjetori. Dallgëzimi paskësh përflakur Skelën e hyrë pak nga pak në pallatin “Riviera”, pronësi edhe e tërbaçiotit Flamur Çela: Qendra Tregtare “Riviera” Vlorë.

Kështu mu dukën njerëzit, atë mëngjes dimri me diell, që ta kërkonte shpirti e ta dehte zemrën. Njerëz nga të gjitha moshat, por edhe nga e gjithë treva shqiptare. Qenë njoftuar, ndofta edhe në internet, se tërbaçiotët, ku e nga do qenë, më datën 21, do të festonin, në mënyrën më shëmbullore, njëqind vjetorin e çeljes së Shkollës së Parë Shqipe, në Tërbaçin e Labërisë, që: atje në Tërbaç, ku hedhin rrënjë Malet e Vetëtimës (Akrokeraunet) e tërbaçiotët e të tëra kohërave i presin vetëtimat në kraharor, më vjeshtën e 1913 – s, çelën të parën shkollë, në shqip, atje ku tash e ndërmote, siç thonë, pula ha stërrall, njerëzit bëhen fajkoj e petrita, të tillë, pse sytë i kanë te dielli, këmbët mbështetur fort, në rrënjë, domethënë në monopatet gurë e shkëmb, kraharorin ua pushtojnë erërat që flladitin kah Shushica. Ndaj, thonë, janë e bëhen njerëz të zgjuar, ndaj, sjellin në kujtesë bëmatarë të pashoq, si: Lulo Habaz Mehmeti … “anija që çanë detin” …, “Hysni Kapo sypetrit, gjermanëve në gjuhë u flit”, Halim Xhelo – ideologu revolucionar …, gjer  fëmijët e vegjël tërbaçiotë, të veshur me kostumin lab – karakteristik, të cilët u ngjasojnë një tufe pëllumbash që shkëputen majë maleve e davariten përmbi Shushicën valëzjarrtë, Lumi i Vlorës i thotë populli. Këta lloje pëllumbash kanë zbritur në qytet e, me këngët e tyre labe, këndojnë të kaluarën dhe të tashmen, ata, me zërat e bukur të zogjve i këndojnë njeriut, heroizmit, jetës, shoqërisë njerëzore në rrugën e ndryshimit e të përparimit …

Dhe e kremtojnë, këtu, në Qytetin e Pavarësisë, në thelbin e modernitetit. Sepse, ah, Festa e 100 vjetorit të shkollës së tyre, nuk është e tyrja vetëm, por edhe e Vlorës, e Shqipërisë. Këtë fakt e përmbush ardhja e grupeve nga Tirana; Dr. Selim Beqiri e Hamdi Cane me Ali Bajramin …, nga Durrësi poetesha Flora Gjondeda …, nga Elbasani, Myzeqeja … Po edhe emigrantë të moshuar, si Iliaz Habazaj, me fëmijë, nga Italia, të tjerë e të tjerë. Pa llogaritur vlonjatët, me përfaqësues të tëra shoqatave të Labërisë … Kjo pjesëmarrje e beftë të bind e tundon mendimin se Vlora atë 21 – ësh dhjetorjan 2013, është Tërbaçi e Tërbaçi ishte Vlorë, pra kjo – ky festim modern do të bëhej në Skelë, buzë detit valëkaltër, dallgët e të cilit mu pasqyruan në hollin e “Rivierës”, dyndje njerëzish në argëtim e të mbytur në detin e kujtimeve.

Kapiteni lufton me dallgët, t`i pushtojë e ta drejtojë anijen në breg, ta ankorojë atë në një shkëmb të Akrokerauneve: është moderator i veprimtarisë, poeti Albert Habazaj që, me zërin e tij timbrian vendos qetësinë përmbi zhurmërinë e zakontë e në atë fillim beteje pëshpërima shumëzërëshe, i ngjason zbaticës përmbi rërë. Alberti  inspiron përshëndetjen e mirëseardhjes, për të vazhduar programin pasues. Fenerët, anës detit blu, shenjojnë drejtimin e anijes, pasqyrojnë dritë mbi terr: janë televizionet. Lokale e qendrore, po se po, janë ngritur përmbi zhalionë, kamerat e të cilëve përthithin gjithçka: deti, dashuri, kujtime, mbresa …, ka derdhur perlat përmbi rërë … Si mund t`i shpëtojnë kamerave të “TV 6+1 Vlora”?! Kur çdo gjë është e bukur,  gjer në shkallën e madhërisë s`ka se si t`i mbetet mjegullnajës. Se, 100 vjet plot, mjegullnaja është endur brigjeve pa kufi: ka ngjizur, në barkun mjegullor gjak e djersë e stërmund për ditë të bardha …, këto çka tërbaçiotët shijojnë sot, në 21 – shin e njëqind të së çeljes së parë të shkollës shqip, shkollës që ka dritëruar brezash pa kufi.

Këto kontribute, të cilat përbëjnë thelbin e historisë kombëtare për liri, demokraci e përparim, i thonë lektorët, në kumtesat e shkurtra, si: Prof. Dr. Bardhosh Gaçe “Lëvizja kombëtare në Tërbaç dhe mësuesit shëtitës”, Dr. Selim Beqiri me “Çelja e shkollës së parë shqipe në Tërbaç dhe kontributi i saj në arsimin kombëtar”, Dr. Leka Skëndaj “Shkolla e Tërbaçit – vatër e intelektualëve dhe atdhetarëve të zjarrtë” … Kumtesat përmendnin emra, spikatnin ngjarje, figura, jepnin panorama e freskonin kujtesën e brezave, ndofta me pikësynimin e brezit të tretë, për të fiksuar  ca më mirë, çkangjasat që kanë befasuar nër kohët e zhytura në mjegullnajë, në erë, borë e breshër, tashmë, të mbeteshin kuinta në hapësirat ndërgjegjësore të brezit stafetmbajtës për të përçuar përdrejt ardhmërisë mesazhe edhe më të fuqishme: lumturimin e jetës së njeriut, në përgjithësi e vazhdimisht.

Kjo kuptohet mirëfilli, edhe pa analiza e konkluzione, pse: në vitet 70 – të, mësuesit virtyozë të asaj kohe, si Rexhep Habazaj, Mejdi Skëndaj, Shezai e SiIurian Habazaj e tjerë, krahas mësimit bënin edhe kulturën – kulturë që shënonte hapa cilësorë për kohën e paskohën. P. s. Me inisiativën e tyre, si një kërkesë kualite e kohës, ringritën grupin folklorik të fshatit. Poeti popullor, mësuesi Kujtim Mici thurte tekste këngësh labe që konkuronte në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës, virtyozi Rexhep Habazaj qe kthesi i pazvendësueshëm në grup; thonë, i ngjante shpellës së Somait, apo shpellës së Bilbilenjve, si i thonë ndryshe, gryka e të cilës frynte e shfrynte nër tufane e shqotë, mësuesi i gjuhës Zaim Hoxha korrte sukses në fushën e gjuhësisë në aksionin kombëtar të mbledhjes se fjalëve të rralla, të tjerë e të tjerë, kontribute cilësore nër rrugët e shtruara me kalldrem, rrugë nëpër të cilët udhëtojnë brezat. Dhe ata, padiskutim sot e kësaj dite mbushin hapësirat e mëzgallat e këtij holli stërmadh, mbushin me fjalë, këngë, gaz, mbresa, puthje, përqafime: deti i dashurisë është aty, i kaltër, i thellë, i pa anë; ai të rrëmben në gjirin e tij, të shtrëngon, të tundon, të lumturon.

Ndofta, qe moment organizativ që shënon kulmin, kur e kur, në ballinën me flamurë, dalin një pas një tre të dalluarit tërbaçiotë, të cilët dekorohen “Mirënjohja e Labërisë”: mësuesit Zaim Hoxha e Tofik Deda, si dhe veprimtari Fejzo Rrokaj. Mandej, në tavernë zbret mjeshtri  Jani Gjergji me ansamblin e valleve të fëmijëve të Qendrës Kulturore “Aulona” … Befasia bën të të sjellin parasysh Zanat, zbritur nga majëmalet e Vetëtimës. Gjithsecili kafshon buzë, aparaturat fotografojnë pa pushim mrekullinë e çasteve… Syrja Hodo, këngëtari i grupit folklorik të fshatit, ka përgatitur grupin folklorik të fëmijëve: Endri Hodo, djali i tij, marrësi i devotë, orvatet të konkurojë. Tërbaçiotët dinë të ecin gjithnjë përpara. Dhe, ky sens, është veç  virtyt.

Atëherë, vetëm atëherë më trokitën në kujtesë, këtu e 40 vite shkuar, vargjet e një vjershe të gjatë, kushtuar Halim Xhelos: “Labi i vogël” … “Vargan malesh, qepalla ngritur/ përreth qendrojnë/ në grykën e lashtë të luginës së kuqe, je lartësuar në piedestal/ dhe sqepat e bilbilave këngën tënde thonë/ çdo lastar i ri zgjatet te dora jote/ ngjitet përmbi mal” … (botim Rev. “Nentori”, 1976)

Bilbilat e Maleve të Vetëtimës këndonin melodinë që të drithëronte. Shushica buzëqeshte. Deti i dashurisë kishte nderë veladonin dehës. Dhe unë mendoja se aty ishin të gjithë: edhe Lulo Habaz Mehmeti, Hysni Kapoja, Halimi, Muço Delo, Gani Habazi, edhe Miro Tërbaçi, mendoj se edhe mësuesi Rexhep Habazaj rënë pranë të birit, ka larguar tufën e manushaqeve, rrëzë pllakës së gurtë, ka ngritur kokën të dëgjojë bilbilat e Çikës e, asisoj, të marrë pjesë në festimin e 100 vjetorit të shkollës shqipe në Tërbaç. Dhe, po aq, jam i bindur se shkrimtari, përkthyesi e kritiku Hamdi Çanaj përgatit librin e serisë “Flas”, siç jam i bindur se poetesha nga Durrësi Flora Gjondeda, do ta pasurojë vëllimin poetik me mbresa nga kjo veprimtari. Dhe se Albert Habazi do të përcjellë shumëçka të këtij takimi, përdrejt Amerikës së largë, se “Diellit” i bëjnë mirë rreze dielli nga Labëria. Erjalda Skëndaj dhe Ermal Sika të TV 6+1, fiksojnë momente interesante për t`ua transmetuar qytetarëve. Gjë e bukur, kjo përkujtesë dritërimi.

Filed Under: Reportazh Tagged With: eqerem Canaj, Perkujtese driterimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 158
  • 159
  • 160
  • 161
  • 162
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT