• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË XIXË DRITE MË TEPËR NË TUNELIN E MOSMARRËVESHJEVE E GRINDJEVE

December 23, 2024 by s p

Prof.dr. Skender ASANI/

Ja ku po takohemi sërish, këtu në Shkupin historik, në qyteti e Bogdanit e Nënës Tereze, për të dërguar mesazhin e paqes, mirëkuptimit e solidaritetit në vigjilje të festës së Krishtlindjes. Është ky një moment që na bashkon rreth idesë themelore të kësaj feste, siç është prirja për të qëndruar pranë familes, prandaj e dhe ne që jemi mbledhur sot i takojmë familjes së përbashkët të vlerave e synimeve të njejta për një botë më të dinjitetshme dhe me më pak kontradikta e konflikte. Kjo ka qenë dhe mbetet zatën edhe kauza jonë shkencore e humane si Institut, në kuadër të të cilit tash e disa vite me sukses po vepron Departamenti për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut, Nënës Tereze.

Ndërlidhja e kësaj kauze me Shkupin, konfirmon rëndësinë që ka ky qytet i lashtë dardan për vet historinë kombëtare shqiptare por edhe për bashkëjetesën me popujt tjerë. Se Shkupi pati të kaluar të lavdishme, për këtë flasin veprat dhe kontributet e atyre që e lartësuan këtë lavdi, siç ishin Pjetër Bogdani, Toma Raspasani, Ndue Bytyçi, Lazër Mjeda, Zef Rama, Gaspër Gjini, të cilët lidhjen me Shkupin nuk e kishin vetëm në kuadër të rutinës që ua caktonte misioni kishtar, por kjo lidhje ishte shprehje e një vizioni që ata kishin për këtë qytet të lashtë, duke ia dhënë atij të gjitha atributet e një piemonti kudo të duhej të fermentohej gjithë vetëdija kulturore e historike e shqiptarëve.

Sot kur po ndajmë disa çaste bashkë në prag të festës së Krishtlindjes, Shkupi nuk është ai që ka qenë dikur dhe këtë ndryshim më së shumti e përjetojnë pjesëtarët e komunitetit katolik shqiptar, numri i të cilëve fatkeqësisht po shkon gjithnjë e më tepër duke u reduktuar. Dhe kjo ceremoni festive e jona sot, nuk është asgjë tjetër pos një përpjekje për të kompenzuar disa mungesa që reflektohen në jetën shpirtërore të këtij komuniteti. Është kjo një përpjekje e jona modeste për të rikthyer shkëlqimin e dikurshëm që kishte kjo festë në Shkupine bojaxhinjve, antonëve, serreqëve, ukajdarëve, gjinëve, ndrecëve, markajve etj. të cilët përbënin hartën shpirtërore të një kohe e të një hapësire ku shqiptarët ishin një faktor i qenësishëm i përparimit kulturor, ekonomik e social të Shkupit këtu e para 100 viteve.

’’Në këtë natë dashurie, le të kemi vetëm një frikë: se mund tëofendojmë dashurinë e Zotit, ta lëndojmë atë duke përçmuar tëvarfërit me indiferencën tonë’’, ishin këto fjalët e Papa Fraçeskut në një ceremoni solemne të para do viteve të Krishtlindjes, dhe duke iu referuar këtyre fjalëve, ne sot mund të shprehim të njëjtin shqetësim se mos vallë bota po ofendon dashurinë e Zotit duke qëndruar indiferent ndaj përpjekjeve destabilizuese që po shfaqen në anë të ndryshme të globit, ku Lindja e Mesme dhe Ukraina, tani për tani, janë vatrat më aktive të këtij destabilzimi.

Një festë si Krishtlindja, mund të jetë një arsye më shumë, jo vetëm për një armëpushim të çastit, por edhe për një reflektim përmbajtësor mbi situatën kaotike nëpër të cilën po kalon njerëzimi sot, kjo edhe në frymën e fjalëve të Nënës Tereze e cila thoshte: “Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.”

Sikur dashuria dhe dhembshuria të zinin vend pak më tepër në zemrat e njerëzve, bota sot do të ishte më ndryshe, të pakten nuk do të ishte kaq e konfrontuar dhe rivalizuar, prandaj edhe ky takim i yni sot këtu në Shkup, në nderim të Krishtlindjes, le të jetë një xixë drite më tepër në tunelin e mosmarrëveshjeve e grindjeve midis njerëzve. Të gjithë ne meritojmë ardhmëri të dinjitetshme, por që të arrihet kjo, sot nevojitet mirëkuptim dhe interaksion më i madh human në mes të njerëzve. Duke iu uruar edhe njëherë gëzuar Krishtlindjen, ju shprehi mirënjohjen time gjithë juve që u bëtë pjesë e kësaj ceremonie solemne.

Filed Under: Reportazh

Një mbrëmje gala, një mbrëmje falenderuese

December 21, 2024 by s p

Shoqata “Bijtë e shqipes” në Philadelphia organizoi një veprimtari falenderuese, darkë e koncert, për të gjithë kontribuesit kryesorë për rindërtimin e godinës së re të shoqatës.

Nga dr. Sadik Elshani

Viti 2024 ishte një vit shumë i sukseshëm për shoqatën “Bijtë e shqipes”. Përveç shumë veprimtarive të zhvilluar, që tani janë bërë pjesë të rregullta në kalendarin tonë veprues, këtë vit ndodhen edhe dy ngjarje të jashtëzakonshme: përurimi i godinës së re të shoqatës dhe emërimi i nje pjese të rrugës ku ndodhet shoqata me emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Për këto dy ngjarje të rëndësishme për komunitetin tonë dhe veprimtaritë e tjera është shkruar më gjërësisht, prandaj nuk ka nevojë që të ripërseriten edhe një herë në këtë shkrim të shkurtër.

Rindërtimi i godinës së re të shoqatës ishte një ndërmarrje e madhe që zgjati për disa vite. Shoqata jonë e kishte një godinë, por ajo me kohë ishte bërë shumë e vogël për veprimtaritë e shoqatës, shkollës shqipe dhe nevojave të shtuara të komunitetit tonë. Rindërimi i godinës së re ishte një ndërmarrje që e angazhoi, i dha energji pozitive komunitetit tonë: secili donte të bënte diçka, të jepte ndihmesën e vet. Lista e atyre që kontribuan për këtë projekt është e gjatë: mbi 550 familje dhuruan mjete financiare, materiale, punën dhe talentin e tyre. Dhuruesit nuk janë vetëm nga Philadelpha, por edhe nga shtetet tjera të Amerikës, si dhe nga trojet shqiptare. Kjo përfshirje kaq e gjërë sikur ia përforcon edhe më tepër emrin e godinës, shoqatës sonë: “Shtëpia e shqiptarit”. Tani bashkësia jonë shqiptare në Philadelphia ka krijuar një potencial të madh njerëzor, intelektual e profesional që vepron në mënyrë të organizuar. është rritur mirëqenia e bashkatdhetarëve tanë, dita – ditës vazhdimisht shtohen bizneset (ndërmarrjet) e shqiptarëve në të gjitha veprimtaritë ekonomike e shoqërore. Ky projekt madhor e përbashkoi edhe më tepër komunitetin me shoqatën: duke rindërtuar këtë godinë, kemi ndërtuar edhe komunitetin tonë, një komunitet i angazhuar e i përkushtuar për t’i ruajtur vlerat tona kombëtare, gjuhën, kulturën, traditat tona të shkëlqyera. Kjo godinnë ka krijuar kushte mjaft të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive tona dhe kryeveprimtarinë e shoqatës sonë, shkollën nshqipe. Prandaj, nuk është e rastësishme që këtë vit numri i nxënësve është shtuar dukshëm, krahasuar me vitet e tjera. Dhe sipas rrëfimeve të prindërve, ata kanë më tepër dëshirë për të ndjekur shkollën.

Si një përmbylle me plot suksese dhe në shenjë nderimi e mirënjohjeje për të gjithë dhuruesit (donatorët), të cilët dhanë ndihmesën e tyre monetare, materiale, dhuruan punën e talentin e tyre, dhanë mbështetjen morale për rindërtimin e godinës, shoqata organizoi një mbrëmje falenderuese me darkë e muzikë, Një koncert metaforik në fund të vitit, sepse zakonisht çdo fushatë, çdo veprimtari festive përmbyllet me një koncert. Në fjalën e tij kryetari i shoqatës, z. Dritan Matraku, i falenderoi të gjithë donatorët, kontraktorët e shumtë, të cilët me punën e përkushtimin e tyre e bën të mundur që kjo ndërmarrje e madhe, më e madhja që shoqata jonë ka ndërmarrë ndonjëherë, të përfundojë me sukses. Ai e çmoi shumë sakrificën dhe vetëmohimin e tyre, sepse ata nganjëherë i kanë lënë keq punët e tyre, kanë anashkaluar kujdesin ndaj familjes. Me këtë rast shoqata disa individëve më të dalluar u ndau mirënjohjet: “Shembulli i atdhetarizmit”. Disa të tjerë janë nderuar në ceremoninë e përurimit të godinës, dhe ne veprimtaritë e tjera të shoqatës. Të pranishmit i përshëndeti dhe uroi për godinën e re edhe zonja Lisa Risilia, vajza e Ben Risilisë, familja e të cilit i kishte dhuruar mjetet financiare për blerjen e godinës së parë të shoqatës. Ajo shtëpi, ndonëse e vogël, ia mundësoi shoqatës që ta kryente misionin e saj me plot sukses, t’i shërbentë komunitetit tonë, duke e marrë edhe emrin mjaft domethënës: “Shtëpia e shqiptarit”. Nga shitja e saj u siguruan një pjesë e fondeve për rindërtimin e godinës së re.

Mbrëmja kaloi bukur në një atmosferë festive, që përkon bukur edhe me festat e fundvitit. Për argëtimin e pjesëmarrësve u kujdesën këngëtarët Arjol Shpuza e Flamur Hafesllari me grupi e tyre, emrat e të cilëve ishin lajmëruar paraprakisht. Por paraqitja e këngëtarit tonë të mirënjohur, Gëzim Nika, i cili i dha zjarr mbrëmjes me zërin e tij kumbues, ishte një befasi e këndshmë për të gjithë. Për ushqimet e shijshme ishte kujdesur zoti Alex Daku, pronar i disa restoranteve. Duhet cekur këtu se zoti Daku disa herë ka organizuar në restorantet e tij dreka e darka fondembledhëse për rindërtimin e godinës. Kënga dhe vallja shqiptare jehoi me orë të tëra, një ndjenjë krenarie vërehej në fytyrat e të gjithëve për përmbushjen e këtij projekti madhështor.

Ta gëzojmë të gjithë godinën e re, “shtëpinë e shqiptarit” – shtëpinë që i mirëpret dhe u shërben të gjithë shqiptarëve! Të vazhdojmë të ëndërrojmë e të synojmë për arritje edhe më të mëdha në të ardhmen! Ky projekt i yni modest le të shërbejë si shembull edhe për komunitetet tjera shqiptare se, çdo gjë është e mundur kur shqiptarët i bashkojnë forcat për të mirën e tyre, për të mirën e vendit. Gëzuar!

Philadelphia, më 16 dhjetor 2024.

Filed Under: Reportazh

Ç’DOMETHËNË ECJE PËRPARA?

December 20, 2024 by s p

Saimir Lolja/

Ç’domethënë të keshë, të dishë, të ngjitesh, të zbresësh, të përparosh, nga e deri ku? Deri ku ësht kufini për këto dhe a mbeten të njëjtë qëllimet për to? Sepse njeriu vjen lakuriq në këtë jetë dhe ikën po lakuriq nga kjo botë. Rrjedha në kohë e shoqërive njerëzore ka ngjitjet (zhvillimet), kthesat, zbritjet (rrënimet). Ajo ësht e pa ndërprerë dhe gjithmonë ndryshe edhe në gjatësi kohe nga copëza e shkuar e ngjashme. Çdo copëz e historisë njerëzore ësht pasojë edhe e copëzës së ngjashme të shkuar edhe e ndikimeve të reja. Katër periudhat e përsëritshme të historisë njerëzore janë: 1) Kohët e vështira krijojnë njerëz të fuqishëm. 2) Njerëzit e fuqishëm krijojnë kohë të mira. 3) Kohët e mira krijojnë njerëz të dobët. 4) Njerëzit e dobët krijojnë kohë të vështira. Pra, përparim ose ecje përpara do të thotë ose ngjitje ose zbritje.
Njeriu përparon për nga jasht vetvetes por jo për nga brenda sepse instinktet, emocionet dhe organet trupore nuk i ndryshojnë. Për nga jasht, atij i ndryshon veshja, vendi dhe kushtet e jetesës, pamja, ushqimi, gatimi, kimikatet, veglat dhe makinat që përdor, tingujt që dëgjon, çfar sheh dhe prek, dhe rrjedhimisht qëllimet, botënjohja dhe botëkuptimi.

DIJA – A i nevojitet njeriut dije dhe të kuptojë që të ecë përpara? Sa dhe deri ku? Sepse me një rreth të vogël e një të madh vërtetohet matematikisht se sa më shumë të dihet aq më shumë dallohet se nuk dihet. Nëse njeriu di shumë por s’i kanë vlerë kohore apo përdorimi ose s’ia kërkojnë ose s’i janë të frytshme ose janë të rrezikshme apo të tepruara, atëhere për të ësht sikur nuk di. Shumë nga ajo sasi s’ka për t’u përdorur ndonjëherë, ndonëse i shërben vetëm mendjes për një kuptim më të gjërë e më të thellë. Shekulli XXI tregon se njohuria dhe zgjuarsia e shoqërisë janë rritur shumë, me shpejtësi të madhe dhe frikshëm, veçanërisht pas vitit 2000.

USHQIMI – A i nevojitet ushqim i mirë njeriut të mendojë dhe të ecë përpara? Nëse ushqimi nuk ësht natyral, njeriu bëhet shëndetlig dhe trupi i tij kalbet nga brenda dhe sëmundje të padëgjuara lindin. Kur ushqimi ësht natyral edhe shoqëria dhe raca shoqërore përcillet e fortë në brezat e rinj. Përndryshe trupi i njeriut fillon të kundërveprojë jo natyralisht për të tretur ushqimet jo natyrore. Shembull i shtrembërimit të natyrës ësht rasti i sëmundjes të quajtur i lopës se çmendur, e cila ndodh ngase lopës i jepet ushqim proteinik për ta rritur shpejt në peshë ndërkohë që lopa ësht barngrënëse prej natyre. Mendja e lopës çmendet sepse nga barngrënëse që e ka krijuar natyra duhet të kthehet në mishngrënëse.

SHTETI – A i nevojitet njeriut një makinë të ecë përpara? Përgjatë historisë, qytetërimet e përparuara janë bërë dhe quhen të tillë sepse kanë patur ose e kanë me cilësi të lartë organizimin e shoqërisë, makinën shtetrore, sigurimin e shtetit, domethënë shtetin. Një shtet i organizuar dhe siguruar mirë punon si një makinë e vetëdijshme dhe mbarëvajtja e tij ka në themel parimin një vend për çdo gjë apo njeri dhe çdo gjë apo njeri në vendin e vet. Një qytetërim nuk ka nevojë të jetë doemos një komb i organizuar në shtet, sepse qytetërimi ka nevojë të punojë makina e tij (shtetrore, gjuhësore, artistike, ndërtuese, prodhuese, tregtare, shtypëse, vjelëse, ushtarake) pavarësisht se kush ia bën punën.
MORALI – A i nevojitet shoqërisë njerëzore një moral që të jetë e qëndrueshme dhe të ecë përpara? Ka shumë fjalë për të përshkruar veglat, makinat, teknologjitë dhe ka pak fjalë për të përshkruar ndjenjat. Moral domethënë mbarëvajtje e një grupi shoqëror nëpërmjet peshores çfar ësht e mirë dhe çfar ësht e keqe. Morali ai ësht i brishtë sepse lidhet drejtpërsëdrejti me ndjenjat njerëzore. Prandaj keqdashësit godasin moralin e trashëguar dhe fetë i kryejnë krahmarrje mendjes pikërisht nëpërmjet linjës ndjenja-moral-ndjenja.

Morali ësht përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe prandaj i ve kufi dëshirave apo marrive vetjake. Ai ësht natyror dhe edukues sepse njerëzit kanë lindur prej natyrës dhe duhet të ndjekin ligjet e saja për njerëzit dhe jo për kafshët apo robotët. Tani ka më shumë elektronikë e teknologji dhe njëkohësisht më shumë mendje të lehta, të rinuara apo të shuara, gjë që ka shkaktuar marramendje të madhe dhe dëmtim në moralin natyror të turmave njerëzore. Tani kryhen klonime organike dhe prodhohen robotë, të cilët janë pa moral, pa ndjenja e qëllim njerëzor, përdoren për të zëvendësuar njerëzit dhe nuk shprehin ngjitje (zhvillim) por zbritje (rrënim) të shoqërisë njerëzore.

Pra, një QYTETËRIM që të ngjitet, ta mbajë veten lart dhe të zgjerohet duhet të ketë themele të qëndrueshëm. I tillë domethënë të jetë i fuqishëm, i pasur, i gatuar dhe pjekur mirë, zotërues i sipërfaqes toksore ku shtrihet, diplomatik me vendet e tjera. Kështu ai mbron pasuritë dhe jetët e qytetarëve, pronat e njerëzve dhe shtetrore, pasuritë natyrore dhe të fshehtat e vendit. Me këto ai i jep paqe, siguri e qetësi qytetarëve të tij. Si rrjedhim, amigdala trunore, e cila kujdeset për kujtesën, vendim-marrjen dhe përgjigjen emocionale, nuk ësht e acaruar dhe nuk e fut njeriun në gjendje paniku “thik apo ik”. Ashtu të pa friksuar, qytetarët bëjnë paracaktime afatgjata të jetëve familjare e punëve të tyre dhe i shërbejnë sinqerisht vendit. Themelet e një qytetërimi të qëndrueshëm janë:

1) Një ide moralizuese e hartuar mbi një gjuhë të veçantë. Për shembull, perandoria romake lindi kur u fut në përdorim gjuha latine në vitin 27 p.e.s. Në raste të tjera, bie fjala, u krijuan kisha të cilat filluan spërkatjen e gjuhëve kishtare mbi popullatat që kishin apo futnin në vathat e tyre. Ideja moralizuese i jep udhë ndjekësve dhe bindje popullatës, dhe bën të mundur parashikimin e sjelljes shoqërore të turmave. Fetë meslindore, indiane apo kineze janë shembuj të qëllimit nënshtrues dhe bindës ndaj perandorive dhe jo pëlqimit paqësor të perëndive. Arbër-Shqiptarët e kanë gjuhën natyrore Shqipe dhe idenë e Besës, e cila të jep shpëtim, ësht një besim mbi një virtyt me kuptim të saktë, dhe i ndihmon të tjerët ta mbartin Besën e të udhëhiqen prej virtytit.
2) Një ndërtesë familjare e vidhosur mirë dhe me trashëgimi, i cila i jep qëllim lindjes së fëmijëve dhe punëve jasht familjes. Njërës pa qytetërim të dukshëm ka, por qytetërim pa njërës nuk ka.
3) Një makinë zyrtarësh me sasinë dhe cilësinë e duhur për të mbrojtur shtetin dhe zbatuar detyrat nga lart-poshtë.
4) Një rrjet shkollimi dhe edukimi cilësor që të përballojë të tashmen dhe të aftësojë brezat e rij.
5)] Një shoqëri e ndarë në shtresa të ndërvarura ku ngjitja nuk dhurohet por arrihet me punë sipas meritës, vlerës që shton dhe ndershmërisë.
6) Aftësia për të zgjidhur nyjet, veçanërisht ato të mëdha si, bie fjala, furnizimi me ujë pa ndërprerje të çdo familjeje, vendbanimi dhe toke bujqësore.
7) Mbrojtja ushtarake e vendit, e cila edhe edukon brezat e rij me rregullat në jetë.
8) Kanunet ligjore të cilët vendosin çdo njeri dhe gjë në vendin e vet, dhe kujdesen me pa anshmëri për rendin dhe sigurinë shoqërore.

Si përfundim, zhvillimi kërkon të kuptohet si ndryshim përmirësues dhe jo përmbysje (revolution, ang.) dhe të kihet vullnet për ta kryer e udhëhequr atë ndryshim. Në fund të fundit, lind pyetja: A duhet përparimi të sjellë paqe, bashkim, begati, harmoni e jetë të përbashkët më të mirë? Ngjitja (zhvillimi) ësht e mirë kur këmbët prekin tokën, kur qytetërimi ësht i qëndrueshëm, kur njerëzit e jetojnë gëzueshëm ngjitjen, punojnë për të, shpërblehen mirë. Ata duan të binden se e ardhmja e tyre do jetë më e mirë, e qetë, e sigurtë, me kushte jetese të mira, me rrugë të qarta të ecjes përpara, dhe se mbrojtja e pronës dhe punës së tyre nuk do ndërpritet.

Prandaj zhvillimi ësht e duhet të jetë i përkufizuar si liri mendimi e veprimi midis të drejtës për të ecur para dhe përgjegjësisë për me e ruajtur jetën e mirë të të gjithëve. Klonimi, robotët, bombat ideologjike, kimike, biologjike e atomike ndonëse shprehin aftësitë e mendjes njerëzore shkaktojnë rrënimin e qytetërimit dhe njerëzimit. Prandaj disa pyetje do mbeten të përjetshme: Ku shkohet duke ecur përpara? Çfar ësht ma mirë? Deri ku ësht ma e mira dhe pasja më shumë? Ç’domethënë të jetosh mirë dhe më mirë? Si kafshë apo si njeri?

Filed Under: Reportazh

Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri ” në Austri organizoi program festiv për nder të “28 Nëntorit – Dita e Flamurit”

December 17, 2024 by s p

Osman Ademi/

Në një ambient të zbukuruar me ngjyra kombëtare kuqezi , në sallën e mbushur me plot prindër , nxënës e bashkatdhetarë, Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri ” në Austri më 07. dhjetor organizoi një manifestim madhështor për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë .

Nën tingujt e këngës ” Po ku ka si ti o Shqipëria ime ” , kënduar nga këngëtarja e njohur Vaçe Zela , nxënësit të veshur me veshje kombëtare dhe flamuj në duar , të shoqëruar nga mësueset dhe mësuesit e tyre u ngjitën në skenën e dekoruar si asnjëherë më parë enkas për këtë festë madhështore , për të interpretuar më pastaj Himnin Kombëtar . Kjo skenë zgjoi emocione të forta tek publiku i pranishëm në sallë .

Këngët patriotike , të cilat u kënduan me shumë emocion nga nxënësit, ngërthyen dhe përcollën ndjenjë krenarie dhe besimi tek të rinjtë duke u kujtuar atyre se Flamuri është simbol i bashkimit dhe forcës së popullit shqiptar .

Programi vazhdoi me valle tradicionale popullore si : Vallja e Shqiponjave , Vallja e Tropojës , Vallja e Bareshës , Vallja e Hamëz Jasharit , Vallja e Drenushës e shumë të tjera , ku nxënësit përmes lëvizjeve dhe ritmit treguan madhështinë , respektin, dashurinë dhe heroizmin e popullit shqiptar për të fituar lirinë e tij . Një tjetër moment i veçantë ishte recitimi i poezive me elemente dramatike . Drama dhe monologje të mbushura me pasion dhe përkushtim pasqyruan ngjarje historike që forcojnë dhe lartësojnë kombin shqiptar .

Programin e moderoi mësuesi Osman Ademi . Ai përveç tjerash falenderoi prindërit për pjesëmarrjen dhe përkrahjen që i japin mësimit në gjuhë shqipe në Austri, por shprehu edhe kritika për mospraninë e përfaqësuesve të ambasadave tona në një festë të tillë siç është Festa e Flamurit !

Mësueset dhe mësuesit që morën pjesë në program me nxënësit e tyre ishin znj. Miradije Berishaj nga Vjena , e cila kishte përgatitur edhe plakatin dekorativ enkas për këtë event , znj. Anjeza Abazi nga Ybbsi, znj.Antigone Elshani nga Traiseni , znj. Ina Arapi nga Vjena , z.Ibrahim Hasanaj nga Gänserndorf , z. Ismet Sinani nga Linzi dhe z. Osman Ademi nga Vjena .

Manifestimin e përkrahën dhe e ndihmuan materialisht Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë, BHK- Bau GmbH me pronar z. Hamdi Krasniqi , z. Valdet Arifaj – prind dhe përkrahës i SHMSH ” Naim Frashëri ” . SHKS – “Iliria” dhe znj . Mergita Rexhepi që siguruan hapësira për ushtrime me nxënës . Që ky manifestim të mbetet në kujtesën tonë u kujdes z. Halil Jashari me kamerën e tij , ndërsa mbarëvajtjen teknike e realizuan z. Ajet Shira dhe Besim Abdullahu .

SHMSH ” Naim Frashëri ” falenderon të gjithë prindërit, nxënësit dhe ata që ndihmuan në përgatitjen e këtij manifestimi !

SHMSH ” Naim Frashëri ” Austri

Osman Ademi – Kryetar

Filed Under: Reportazh

DR. ELMI BERISHA – KRYETARI I VATRËS, VIZITOI KISHËN SHQIPTARE “FJETJA E SHËN MËRISË”, WORCESTER MA.

December 16, 2024 by s p

Thanas L. Gjika/

Dje, ditën e dielë, 15 Dhjetor Z. Elmi Berisha, Kryetari i Federatës Vatra të Amerikës bashkë me Z. Besim Malota, Sekretarin e Financave të Federatës, u nisën që në mëngjes prej NY për të bërë dy vizita pune në shtetin e Massachussetts-it. Së pari ata ndalën tek kisha shqiptare Fjetja e Shën Mërisë, Worcester MA, ku u ndalën të bënin një vizitë respekti ndaj anëtarëve të kësaj dege, të cilët brenda muajit nëntor kishin paguar kuotat për periudhën Dhjetor 2024 – Nëntor 2025.

Ata mbrritën tek hyrja e kishës në ora 11:00 AM, ku i prita unë, sekretari i degës së Worcester MA.

Fr. Mark Doku, prifti i kishës, ishte njoftuar një ditë më parë për këtë vizitë prej Z-njës Effi Qeleshi, Kryetare e degës së Vatrës, prandaj ai në fund të meshë përshëndeti mysafirët me emra dhe njoftoi gjithë të pranishmit se pas meshës mund t’i takonin miqtë tek salla e ngrënies, ku do të shërbeheshin të ndara për familjarët John, Bessie, James and Helen Spiro.

Tek salla poshtë u bashkuan rreth miqve Dr. Elmi Berisha dhe Besim Malota në dy tavolina të mëdha anëtarët e degës së Vatrës, midis të cilëve po përmend Z-onjat Effi Qeleshi e Adelajda Tego dhe vëllezërit Ndoc e Geg Delia, Tom Christo (Nënkryetar i degës së Vatrës), Beni Çika me zonjën, Milo Treko me zonjën, unë me Julian, Ilir Mihallari me zonjën, etj.

Në këto tavolina erdhi dhe Fr. Marku i cili u tregoi mysafirëve disa momente nga jeta e kishës sonë, kurse Z. Elmi shprehu kënaqësinë e veçantë që ndjeu gjatë vizitën te salla e madhe lart, e cila është e zbukuruar me piktura murale shumë të bukura prej piktorit të talentuar Dhimitër Çika. Ai e uroi Fr. Markun për faktin që ky e mban një pjesë të meshës shqip.

Më tej ai tregoi se Federata Vatra po përpiqet që me ndihmën e Ministrive të Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës të arrihet që mësimi i gjuhës shqipe të dixhitalizohet, dmth që çdo fëmijë shqiptar i diasporës mund të mësojë gjuhën amëtare në kompjuter nga shtëpia e vet, sipas nivelit që ka nevojë.

Z. Elmi njoftoi se në vijim ata do të shkonin në Boston për të marrë pjesë tek ceremonia e njëvjetorit të krijimit të degës së Vatrës Boston MA.

Para largimit u bënë disa foto, prej të cilave po sjell këtu dy prej tyre. Gjatë largimit i uruam rrugë të mbarë dhe suksese të mëtejshme në krijimin e degëve të reja.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 172
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT