• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOKTORESHA SHQIPTARE IVA HOXHA, VRAPOI 42,195 KM NË MARATONËN E BOSTONIT

April 23, 2025 by s p

Fuat Memelli/

“E vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha, është ta doni atë që bëni.” Steve Jobs.

Që kur kam ardhur në Amerikë në vitin 2011, i kam ndjekur vazhdimisht maratonat e Bostonit që bëhen çdo vit në prill me rastin e Ditës së Patriotëve. E ndoqa edhe sivjet maratonën e cila u zhvillua më 21 prill. Merrnin pjesë 32.000 vrapues nga 50 shtete të Amerikës dhe 118 vende të botës. Desha të di , ka marrë pjesë sivjet ndonjë shqiptar/e ? Nga kërkimiet që bëra, mësova se mjekja e re 30 vjeçare, Iva Hoxha, ishte një ndër 32.000 vrapuesit. Të nesërmen e maratonës kontaktova me të dhe mësova shumë për rrugëtimin e saj në Amerikë si dhe për pjesëmarrjen në maratonën e 129 të Bostonit.

CILA ËSHTË IVA?

Në vitin 2010 familja vjen në Amerikë me llotari dhe vendosen në qytetin e Worchesterit, një orë larg Bostonit. Iva ishte 16 vjet kur mbritën në Atdheun e dytë. Vështirësia e parë ishte mësimi i gjuhës angleze, prandaj nuk e ndante fjalorin nga vetja. Për këtë shoqet dhe shokët e klasës e thërrisnin “ vajzë fjalori”. Pasioni për dijen, ishte “arma “ e saj për t’u ngjitur në shkallët e jetës. Pas mbarimit të shkollës së mesme , vazhdoi për 4 vjet Universitetin “Clark” ku u diplomua për biologji dhe studime para mjekësore. Më pas vazhdoi Universitetin “New England College” në degën “Optometri” ( për sytë.) Bëri edhe një vit specializim për sytë te spitali i veteranëve në Boston, gjithësej 9 vjet studime. I mungonte Shqipëria, pasi siç ka thënë Horaci ”qiellin por jo shpirtin, ndryshon ai që shkon përtej detit.” Por, Iva gjente mënyra për ta ndjerë pranë Shqipërinë. Pasqyronte tradita shqiptare si në shkollën e mesme edhe në universitet. Në Ditën Ndërkombëtare paraqiste veshje, këngë, valle shqiptare, fotografi, etj. Bënte skenarë për veprimtari të ndryshme dhe shpesh herë i drejtonte vetë. Çdo vit shkon në Shqipëri ku takon njerëzit e afërt, shoqe e miq. Çmallet me ta dhe kthehet me energji të reja, pasi Atdheu është vendi ku robërohet shpirti

Tani punon mjeke në spitalin e syve dhe veshëve në Boston. -Trej janë pasionet e mia, thotë Iva: “Kujdesi ndaj pacientit, ritja e aftësive profesionale dhe mbledhja e fondeve për një të ardhme më të mirë për kujdesin e syve.”Majlinda, nëna e saj thotë:”Iva është shumë e vendosur dhe e çon deri në fund atë që do.Nuk mburet dhe është krenare për vendin tonë.”

PËRGATITJA PËR MARATONËN

Vrapin e filloi para dy vjetësh, pasi është një mënyrë efikase për shëndetin “pasi është një lloj joge” thotë Iva, si dhe për të përmbushur tre synimet që theksuam më lart. Për të marrë pjesë në maratonën e Bostonit të vitit 2025, duhej një përgatitje e veçantë. Për këtë filloi të punojë qysh në tetorin e kaluar dhe vazhdoi gjashtë muaj. Në fillim pati trajner që udhëzoi githë grupin ku merte pjesë ajo, por punoi shumë vetë, në palesër, duke u kujdesur për ushqimin, duke përballuar të ftohtin e Bostonit gjatë dimrit, etj. Bënte vrap para se të shkonte në punë, duke e filluar qysh në orën 4 e gysmë , ose pas pune nga ora gjashtë e gjysëm deri në tetë të darkës. Pas testeve që ju bënë, u miratua për të marrë pjesë në maratonë.”Bostoni ka një zemër të madhe dhe të jep zemër” thotë Iva. Në maratonë kanë marrë pjesë njerëz që kanë kaluar kancerin, njerëz të gjymtuar në krahë ose në këmbë, si të mos merja pjesë unë?!”

ORËT E MARATONËS

Iva mori pjesë në grupin që kishte si moto :” Vizion për të gjithë”. Distanca që duhet të përshkonin gjithë vrapuesit ishte 26, 2 mile ose 42, 195 km. Një distancë shumë e madhe! Unë mendoja se vrapimi bëhëj në rrugë të sheshtë, por nuk ishte kështu. Iva më shpjegoi se në fillim nis me zbritje, pastaj ka ngjitje . “Ngjitja ishte e vështirë, ndjeja lodhje por do ta përballoj” i thosha vetes tregon Iva. Gjithë itinerarin e bëri për 4 orë e 14 minuta, që bën pjesë në rezultatet e vrapuesve mesatarë. Mbritja në finale është një moment lodhje por edhe gëzimi të veçantë, sikurse tregohet edhe në foto ku i dhanë edhe një medalje. Kishin dalë ta prisnin dy prindërit e saj, Majlinda, Shklqëimi , vëllai Deni i cili ka mbaruar Universitetin e Harvardit si dhe të afërm të tjerë.Pyetjes sime se a do të marrësh pjesë përsëri në maratonë, ajo u përgjigj:”Do të marr pa tjetër!”

Ky vrapim i Ivës ishte një krenari jo vetëm për atë dhe familjen e saj, por edhe për shqiptarët. Me aritjjet në shkollë, në punë e së fundi edhe në maratonën e Bostonit, Iva i shtohet listës së emigrantëve të shquar shqiptarë. Është kjo një krenari edhe për të.

See insights and ads

Boost post

All reactions:

22

Filed Under: Reportazh

FAIK KONICA I SHQIPËRISË EUROATLANTIKE, TË CILIN STUDIUESI FOTAQ ANDREA SËRISH NA E VË PËRBALLË…

April 14, 2025 by s p

Visar Zhiti/

Një Antologji tjetër Koniciane, e madhe dhe tërheqëse si një risi, me vlera dhe rëndësi të veçantë, “Për një Shqipëri Europiane”, e përgatitur me kulturë nga studiuesi i mirënjohur, Fotaq Andrea, që nuk ka shumë kohë që më ka ardhur, por gëzimi dhe i këtij botimi është i tillë që nuk ikën, sa herë e merr ndër duar dhe e shfleton. Leximi i tij është një pasurim i mëtejshëm i historisë kombëtare dhe i estetikës së saj.

Rreth 900 faqe libër nga “Botimet Jozef”, me mbështetjen e Federatës PanShqiptare “Vatra”, ku duket sikur ringjallet ajo traditë që nisi me themeluesit e saj korifej, Imzot Fan Noli dhe vetë i gjithëdituri Faik Konica. Antologjia “Faik Konica Për një Shqipëri Europiane” përveç fjalës hyrëse të autorit Fotaq Andrea si qëmtues, përkthyes dhe përmbledhës i Veprës, ka dhe një parathënie të thukët nga Prof. Dr. Thanas Gjika, ku theksohet e mira e kësaj “pune madhore”, që, sipas tij, “deri sot ky kolos i mendimit shqiptar nuk është vleresuar sa e si duhet…”.

Konica duket se është i pa shterrshëm në dije dhe shqetësime, në kumte e befasi dhe gjithmonë shfaq faqendriçime ndryshe, me bukuri rilindase…

Nëse veprimtarët e tjerë së bashku bënë Doktrinën e Rilindjes Kombëtare, Faik Konica vetëm bëri Kritikën e saj.

Krerët e librit me rendin e artikujve të Konicës, me përkthime dhe nga origjinali frengjishtja, edhe me shqipen e tyre shenbullore, ku butësia përzjehet dhe me ashpërsinë, njëherësh dhe delikatesa dhe solemniteti, ironia, humori dhe dëshpërimi, por dhe udhërrëfim dhe shpresa rinore etj, duken sikur janë shfletim i vetë kohës, jo vetëm asaj koniciane, por dhe postkoniciane, e tashmja jonë dhe e ardhmja e Shqipërisë.

Dhe të mendosh që në gjysmëshekullin e sundimit të Realizmit Socialist krijimtaria e Konicës u përjashtua dëmshëm dhe emri i tij u la në harresë, kujtohej vetëm për t’u sharë, këtë të drejtë ia jepte vetes me shumicë diktatori Enver Hoxha dhe atyre që përzgjidhte ai dhe që sakatuan letrat shqipe dhe mendimin rilindas shqiptar. Por kjo s’mund të vazhdonte përgjithmonë, ishte e panatyrshme.

Konica është dhe natyrë e shqiptarit, karakteri qytetar i buçimës së kulturës perëndimore në të, më europiani.

Thënë shkollarisht, dashuria për Shqipërinë, rimëkëmbja e saj shpirtërisht, si komb, popull e shtet, patjeter me kulturë europiane, e bëri Konicën prijëtar moral, e bashkoi me patriotët, me gjithë prapësitë dhe ndasitë e sherrnajën, etj.

Pikërisht kjo vepër më e re nga Fotaq Andrea këtë shpalos, një Faik Konicë që duhet, aktual, por dhe si kundërvënie e kurrupsionit moral, ku duket se dashuria për atdhe, që bashkonte, ndjehet si arkaike, ka sjellë një si përçarje, se janë bërë më të rëndësishme ideologjitë, nostalgjia kriptoenveriste, politika e ditës dhe pasurimi jo i Shqipërisë, por i vetes.

Konica me shokët e tij të lartë pasuruan Shqipërinë shpirtërore.

Nuk mund të rrija pa përgëzuar autorin, studiuesin skrupuloz dhe pasionant Fotaq Andrea,

Më erdhi Antologjia, – i shkruaja, pati mirësinë dhe ma dërgoi z. Thanas Gjika, – vepër dinjitoze dhe e duhur për të gjithë shqiptarët e sidomos për ata që janë larg atdheut, ka dritën e një Yll Polar që i priu ëndrrës, dëshirës, ndjesive, na tregon një rrugë të madhe, një përpjekje, estetikën e saj dhe shijen e bukur të gjuhës amë. Tani falë Jush! Është dije dhe mbetet frymëzim. Duke e patur Librin dhe me autografin Tuaj, ai bëhet edhe më i çmuar për mua. Me mirënjohje për punën Tuaj të madhe dhe miresinë, duke ju uruar sërish më të mirën, me besë! – siç thoshin rilindasit.

Vërtet e çmoj shumë këtë “marrëdhënie ndërlibrore”, – po e quaj tani, përhapjen e librit tonë midis nesh nëpër botë.

Ndërkaq në përgjigjen e tij z. Fotaq Andrea ndër të tjera shkruante se “Konica i madh shkëlqen me fjalën e tij në atë vepër dhe shumë pak kemi bērë për të. Është i paarritshem, i pakapshëm, i gjithëgjendur në tërë fushat e albanologisë e të shoqërisë”.

Po edhe shkëmbimi i letrave, mesazheve, ideve, mendimeve dhe shqetësimeve, edhe me ata që nuk je takuar ndonjëherë, vazhdon një traditë të vyer, sot e lehtësuar mrekullisht nga teknologjitë moderne, kur tani në kohë reale krijon opinione dhe i shkëmben ato, përcjell punë e bashkëpunim, mirëkuptim dhe veçime, etj, ndërkaq bëhet dhe më e qartë, mendoj, vepra madhështore e të parëvé tanë, përpjekjet e tyre parake dhe legjendare për dije dhe dritësim.

“Biblioteka lëvizëse” – siç e ka quajtur Konicën shkrimtari francez Guillaume Apollinaire, – rivjen në kohën tonë kudo ku ka bashkëkombas, falë dhe atyre konicianëve të shquar si Fotaq Andrea, duke përhapur shpirtin rilindas me frymën perëndimore duke na bashkuar gjithnje e më shumë me kulturën moderne euroatlantike, duke bërë realitet ëndrrën, por dhe përkatësinë…

Filed Under: Reportazh

Thesari modern filmik, pasuri kolosale për të sotmen dhe të ardhmen e komunitetit e mbarë diasporës shqiptare në Amerikë

April 11, 2025 by s p

Thanas L. Gjika/

Thesari modern filmik është pasuri kolosale për të sotmen dhe të ardhmen e komunitetit e mbarë diasporës shqiptare në Amerikë.
Z. Nazim Salihu, Këshilltar i Federatës Panshqiptare Vatra për Kulturën dhe Artin, pronar i stacionit NOLI-TV, është një shqiptar I ardhur prej Kosove mbas luftës së vitit 1999. Ai është lexues dhe vëzhgues i kujdesshëm i gazetës “Dielli”. Pasi lexon shkrimet që botohen tek kjo gazetë e Federates Vatra, ai krijon plane pune për studion e tij televizive e cila transmetohet në Kanalin 39 TV-ALB, kanal i cili shihet jo vetëm në Amerikë por edhe në mbarë botën shqiptare dhe në diasporën tonë anë e mbanë botës.
Pasi kishte lexuar disa shkrime të mia në “Dielli” ai kishte vendosur që të më merrte një intervistë mbi jetën dhe punën time studimore. Gjatë ceremonisë së zgjedhjeve të degës së re të Federatës Vatra, Boston MA, ai më propozoi për të më marrë në intervistë, mirëpo unë nuk e njihja mirë si person dhe si kanal televiziv, prandaj i thashë se mund të priste ca kohë.
Kaloi më shumë se një vit dhe ai ma përsëriti kërkesën në telefon. Mirëpo kësaj radhe unë kisha problem me dhëmbët e poshtëm dhe i thashë se pasi te mbaroj se rregulluari dhëmbët do të të njoftoj. Kaloi gati dhe një vit dhe ai, këmbëngulës si ai, më mori përsëri në telefon. Kësaj here i thashë se jam gati, sepse dhëmbët i kisha mbaruar. Kështu e lamë takimin për datën 7 prill.
Ai kishte shkruar disa pyetje, i lexuam së bashku dhe më pëlqyen. Për të mos pasur emocione, më tha: ti trego jetën tende që nga fëmijëria. Unë do të ndërpres me pyetje, kurse ti vijo deri në fund.
Më bëri përshtypje aparatura e tij tepër moderne, kamera digjital e vogel ($5,000.oo) e vendosur mbi një shtativ (trekëndësh mbajtës), si dhe një prozhektor në formë katërkëndshi të vendosur mbi një shtativ tjetër afër të parit.
Pasi bëri një provë për të korrigjuar nivelin e zërit dhe tonet e ngjyrave, ai më drejtoi pyetjen e parë… Kështu intervista filloi. Pyetjet m’i bënte me një ton të ngrohtë vllazëror.
Kur dëgjoi se bashkëshortja ime e sotme, Julia, ishte poete dhe kishte botuar pesë përmbledhje me poezi e prozë dhe një me poezi të përkthyera anglisht, kërkoi që ta intervistonte dhe atë për ecurinë e saj. Për ta pasuruar intervistën ai kërkoi të shihte arkivin e fotografive që ruajmë në apartament. Fotografoi shumë foto që do t’i fusë në intervistë për ta bërë më figurative e më artistike punën e vet.
Për ta pasuruar intervistën lidhur me veprimtarinë time si sekretar i degës së Federatës Vatra, Worcester MA, kërkoi që të shkonim tek z-nja Effi Qeleshi, Kryetare e deges se Vatres Worcester, MA. Effi na priti tek restoranti i saj i vogel dhe iu pergjigj pyetjes se tij duke vënë në dukje punën time si veprimtar shoqëror, e si vatran.
Në fund të punës e pyeta Nazimin sesa duhej ta paguaja, por ai më tha se këtë punë e bën falas. Dhe shtoi, “populli ynë ka pasur dhe ka idealistë, njerëz që punojnë për forcimin e ëeshtjes shqiptare, për kulturën, artin dhe shkencën falas, ashtu si dhe ju që keni hartuar e botuar 12 libra me studime pa marrë ndonjë rrogë e pa fituar pare, ashtu si dhe shumë të tjerë këtu në ShBA, dhe të tjerë në mbarë diasporën shqiptare. Shembullin tuaj e ndjek dhe unë. Për ekonomine shtepiake punoj 5 ditë të javës si stilist në floktoren familjare, kurse punën e gazetarit televiziv e kryej pa kërkuar shpërblim. Kam krijuar një arkiv të mirë, të cilin po e pasuroj vazhdimisht me intervista atdhetaresh, ngjarje të rëndësishme, etj. Keshtu Historia e diasporës sonë do të jetë e dokumentuar krahas shkrimeve të botuara tek gazetat “Dielli”, “Illyria”, revistës “Kuvendi”, serisë poetike “Pena”, etj, edhe me filma digjitalë.
M’u kujtua se sa e varfër është trashëgimia e komunitetit tonë, që ka një histori 140- vjeçare, që nga viti i largët 1884, kur erdhi këtu shqiptari i parë, Kole Kristofori, prej fshatit Katund të Korçës. Kemi vetëm një broshurë të shkruar nga N. Demo dhe disa foto te pakta. Edhe nga jeta e puna e Fan Nolit dhe e Faik Konicës kemi vetëm fotografi e botimet e tyre në gazeta e libra dhe disa doreshkrime, kurse xhirime filmike, ku të dëgjojmë zërin e tyre e të shohim portretin fizik të tyre, kemi vetem disa minuta të xhiruara me kamerat e asaj koje që sot janë të vjetëruara.
Sot më 10 prill, pra pas tri ditësh, z. Noli, si e quajnë shkurt Nazim Saliun, ma dërgoi intervistën të plotë në telefonin tim. Xhirimet ishin tepër cilësore për nga ngjyrat, dritë-hijet dhe me zë të qartë si në asnjë bisedë të mëparshme.
E falenderojmë këtë punëtor të palodhur e bujar me gjithë zemër, si une dhe bashkëshortja ime Julia, për shërbimin e çmuar që na bëri STUDIO Noli-TV, e cila drejtohet nga një punonjës i vetëm, nga pronari Nazim Saliu Noli, babai i gjashtë fëmijëve, dy djemve e katër vajzave.
Ai meriton falenderime prej mbarë komunitetit shqiptar të ShBA-ve për faktin se po krijon një thesar modern filmik, pasuri kolosale për të sotmen dhe të ardhmen e komunitetit tonë e të mbarë diasporës shqiptare.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Thanas Gjika

I PAHARRUESHMI SAMI REPISHTI!

April 9, 2025 by s p

(Në 100-vjetorin e lindjes)

“PER NJI ELITE PATRIOTIKE, DEMOKRATIKE, DHE PROFESIONALE”

Frank Shkreli

Po të ishte gjallë, të djelën që kaloi me 6 Prill, 2025, Profesor Sami Repishti do kishte mbushur 100-vjet. Profesori i nderuar, mik e koleg i dashur ndër vite, ndërroi jetë vitin e kaluar në moshën 99-vjeçare, duke lenë kështu një boshllëk të madh në komunitetin shqiptaro-amerikan—njëri prej aktivistëve më të palodhur ndër dekada – në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe të çeshtjes kombëtare në përgjithsi, por jo vetëm. Me rastin e kalimit në amshim të Profesor Repishtit kam shënuar, ndër të tjera, se të drejtat e njeriut – jo vetëm në trojet shqiptare por anë e mbanë botës, me largimin nga kjo jetë e Profesor Repishtit — humbën njërin prej mbështetësve më të njohur dhe më të fortë në shumë dekada. Se, marrëdhëniet shqiptaro-amerikanë kanë humbur promovuesin më të zellshëm. Dhe se komunizmi kishte humbur njërin prej kritikëve më të ashpër dhe si -ish-i burgosur vet ai i regjimit të Enver Hoxhës, viktimat e komunizmit – të gjallë e të vdekur – kanë humbur përkrahësin më të madh të tyre; sidomos klerikët katolikë të martirizuar nga komunizmi. Frank Shkreli: Sami Repishti: “Lotë, Lavdi e Lumnim” | Gazeta Telegraf – Por veprimtaria, shkrimet e veprat e Dr Sami Repishtit, në përgjithësi, të botuara gjatë dekadave e pothuaj deri në ditë e fundit të jetës së tij, mbeten sot e gjithmonë një thesar kombëtar për brezat e sotëm dhe të ardhshëm të shqiptarëve. Kontributet e tija ishin të shumta në të gjitha fushat e veprimtarisë së tij patriotike, politike, akademike dhe humanitare gjatë viteve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut, në arsim, literaturë por edhe në shumë aktivitete të komunitetit shqiptaro-amerikan.  Për dekada të tëra, Prof. Repishti ka qenë një shtyllë e fortë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Një pasardhës i denjë i rilindasve të vërtetë të Kombit, njëri prej intelektualëve më të njohur e më të dalluar, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe anë e mbarë trojeve shqiptare dhe më gjërë. Besnik ndaj Kombit, besnik ndaj miqve dhe kolegëve, anti-komunist i përbetuar, besnik dhe mbrojtës i pakompromis i demokracisë së vërtetë për shqiptarët dhe të gjithë popujt! Frank Shkreli: Lamtumirë koleg i dashur! Pushofsh në paqë profesor Sami Repishti | Gazeta Telegraf  | Gazeta Telegraf  Profesor Repishti, në këtë 100-vjetor të lindjes, vazhdon të na flasë nepërmjet shkrimeve dhe veprave të lëna pas si xhevahire shumë të çmueshme të fjalëve e të veprave të tija. Me Profesor Repishtin kam shkëmbyer shpesh komunikime dhe kemi ndarë shkrime deri vonë. Shkrimet e tija, siç e dinë të gjithë ata që i kanë lexuar gjatë viteve, ishin brilante, frymëzuese dhe edukuese –shkrime  në të cilat, me këshillat dhe përvojën e tij, theksonte të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen – gjithmonë duke qarë hallet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe duke dhënë këshilla konstruktive për një të ardhme më të mirë.. 

Duke kujtuar Profesorin e nderuar këto ditë të (100-vjetorit të lindjes së tij), mu kujtua një shkrim i tij që Repishti ma kishte dërguar në Gusht të vitit 2017, e që është botuar në gazetën Dielli të Federatës Vatra,  —PER NJI ELITE PATRIOTIKE, DEMOKRATIKE, DHE PROFESIONALE – Dielli | The Sun – Dielli | The Sun— mjaft interesant, konstruktiv dhe aktual edhe për ditët e sotëme, për ata që duan të mësojnë e të dëgjojnë – sidomos duke marrë parasysh se shqiptarët janë në prak të zgjedhjeve të 11 majit, 2025, në Shqipëri.  Në atë artikull, me rastin e fitores së Partisë Socialiste, dhe formimin e qeverisë së re (Rama 2), Profesor Repishti paralajmëronte rrezikun që vjen nga përqendimi i tre pushteteve në duart e nji partie politike të vetme: “Teorikisht, ajo ashtë nji kombinim forcash që lehtësojnë rrugën drejt nji rregjimi autoritar i cili damton zhvillimin demokratik të vendit. Kjo strukturë më shqetëson, prandej sot shkruej!”, arsyetonte ai pa frikë. Ndërkohë që bënte thirrje për një elitë të re politike për shqiptarët – elitë patriotike, demokratike dhe profesionale, siç e cilësonte ai. Po e kujtoj 100-vjetorin e lindjes së Profesor Sami Repishtit me disa shkëputje paragrafesh nga artikulli në fjalë – në kujtim të tij por edhe sepse këshillat e tija më duken tepër aktual edhe sot, sidomos në prak të zgjedhjeve të majit në Shqipëri. Veçova këta paragraph, por lexuesi i interesuar mund të lexoj shkrimin e plotë në linkun e mësipërm.

“…Me ramjen finale të komunizmit, periudha e tranzicionit në demokraci tregoi se e vjetra refuzon me vdekë, dhe e reja demokratike nuk gjen fuqi të mjaftueshme me lindë dhe me u forcue. Sot, nevoja e rishqyrtimit të rrugës së kalueme gjatë këtyne 27 viteve ashtë e domosdoshme për të gjithë, sidomos tashti me krijimin e nji situate të re koncentrimi të pushtetit që rrezikon vetë demokracinë. Shqiptarët duhet të tejkalojnë “lodhjen” që ka shkaktue periudha e tranzicionit në vendin e tyne; dhe për këte, duhet të jenë ma të bashkuem se asnjiherë ma parë. Propaganda negative dhe shterpe e “rrugaçëve” të grupeve të ndryshme nuk duhet lejue me mbajtë vendin peng në nji kaos politik e konfuzion psikologjik. Kemi nevojë për ide të reja!”, ishte thirrja që bënte Profesor Repishti ka bërë 8-vjetë më parë dhe alarmi që ai i jepte me atë rast — për nevojën e një elite kombëtare shqiptare, “patriotike, demokratike dhe profesionale” — politikës dhe shoqërisë shqiptare, një nevojë madhore politiko-kombëtare që mbetet edhe sot e kësaj dite e pa realizuar, sipas  Profesor Repishtit.

“Me ndryshimin e gjendjes politike në vend, 1990-91, populli i këputun nga vuejtja e randë dyzetë e pesë vjeçare, e ndjeu veten të vetmuem, të harruem, e me shpresa që gënjyen.  Ai nuk gjeti përsëri fuqinë e duhun me u ngritë, as me luftue, valën e frikëshme të degradimit moral të gjithanshëm, të vorfënisë dërmuese që përfshiu edhe marrëdhaniet ndër-personale. Shumë prej tyne, të huej në vendin e vet, morën rrugën e mërgimit, për nji copë bukë me nder, në nji vend ku jetohet pa frikën e shtypjes dhe të urisë. Dhe me të drejtë!..”Shembulli ma i ri i këtij degradimi moral, ka qenë shitë-blerja e votave në zgjedhjet e fundit të 25 qershorit 2017, nji njollë e zezë për demokracinë e brishtë, e pothuejse “të dështueme” në Shqipëri.”

Pprofesori, përveç se fajëson politikën për dështimin e demokracisë shqiptare, ai kritikon edhe shoqërinë në përgjithsi: “Manifestimi i plotë i efekteve të këtij “dështimi” shihet në qëndrimin pasiv, gjysëm të përgjumun, të shoqënisë shqiptare, që shijon- e nuk reagon!- programet televizive, ku politikanët e ditës sulmojnë njëni tjetrin me nji fjalor rrugaçërie që ka penetrue edhe sallën e Kuvendit Kombëtar. U përjashtue kështu revoltimi i arsyeshëm dhe pjesëmarrja aktive në transformimin demokratik të Shtetit e të shoqënisë shqiptare.  Akoma të tronditun nga persekutimet e së kaluemes jo të largët, ata që mbijetuen rregjimin komunist vegjetojnë akoma me frikë, e qëndrojnë akoma larg angazhimit serioz në jetën politike të vendit. Neutral…deri në vetë-asgjasim! Veprimtaria qytetare në Shqipëri, e pame prej së largu, paraqitet ende si “nji dëshirë” ma shumë se “nji mundësi”. Ashtë shue shpresa, bashkë me shkendinë e revoltës qytetare… Në Shqipëri, shumica e qytetarëve janë të lodhun, të pa aftë me veprue, e kufizohen me protesta verbale në ambiente të mbylluna. E gjithë kjo, në nji “Shtet” ku manipulohen zgjedhjet, eliminohen kundërshtarët politikë, në nji vend ku mediat e informimit, sidomos programet televizive – shërbejnë padronin qeveritar (ose të pasunit, baronët e drogës me autoritet). Në Shqipëri, turma të vorfnueme jetojnë, krah më krah, me nji oligarki qeveritare tejet të pasun –ose të pasun jo-qeveritarë- të gjithë të shurdhët dhe të pashpirtë, skenar i përsosun për nji pabarazi të madhe ekonomike me tone sociale të thella… Në fakt, flitet për mundësinë e nji revolucioni paqësor, si mjeti i vetëm për rrugëdalje!”.

“Anëtarët e partive politike, shumica militantë të shpërblyem dhe tru-shpërlarë, veprojnë të patrazuem nga zani i ndërgjegjes së mbytun prej të miravet landore. Sepse, “partia”- kjo mbretneshë e pakurorëzueme, ka çveshë shërbyesit e saj nga dinjiteti i aktit të lirë e të pavarun, pa dhanë asnji herë përgjigje për mijëra pyetjet që ngrihen e bien e nuk tërheqin vemendjen e mendjeve të programueme…Duket sikur barka e jonë shqiptare lundron pa një busullë morale. A. Koestler e cilësonte këte gjendje: “kemi pirë kupën e dëshprimit deri në fund!”

“Qytetarët në përgjithësi sikur kanë humbë interesin për nji angazhim aktiv, nji qendrim ky i rrezikshëm, ndërsa në Shqipëri nuk ka dalë ende nji udhëheqës që frymëzon!  Dhe kjo si rrjedhim i qendrimit komunist shqiptar, dhe atij fashist, që zotënoheshin nga nji dëshirë e fortë: me kontrollue jo vetëm trupin, por edhe mendjen e qytetarit. Me këte qëndrim, “mendimi ndryshe” (disidenca) u trajtue si krim dhe u dënue randë. Konflikti politik u krijue artificialisht, jo me shpëtue atdheun, por me shkatërrue “anmikun e klasës”. U mbushën vorrezat me mendje të ndrituna; errësina diktatoriale mbuloi vendin tonë…Sot, paguajmë akoma çmimin e kësaj marrëzie, kryesisht sepse shumica e heshtun vegjeton me ndjenjën e poshtënimit të përjetuem…”

“Na do të hyjmë në “histori”, në se bajmë “histori”; dhe do të bajmë “histori” vetëm atëherë kur të kuptojmë si duhet “historinë” e vendit tonë, pa paragjykime. “Historia” do të bahet kur të kuptojmë se nji rend publik i qendrueshëm kërkon “pushtet” dhe “moralitet”, njikohësisht; kur të përqafojmë sensin e përgjegjsisë sonë personale ndaj shoqënisë si qytetarë të lirë, dhe ndaj bashkësisë sonë kombëtare e ndërkombëtare!” 

“Akoma sot diskutojmë “meritat” e pushtimit pesëshekullor otoman. Akoma sot “krenohemi” me tmerret e murtajës së kuqe 45 vjeçare në vendin tonë, dhe akoma nuk kemi gjetë kohë me zbulue të gjitha viktimët e diktaturës dhe vorrezat e tyne, me krye ritet e përkujtimit dhe nderimit që ata meritojnë. “Diktatura e proletariatit”, në fakt diktatura e nji maniaku kriminel si E.Hoxha, ka qenë nji ndër fatkeqsitë ma të mëdha historike, ndoshta ma e madhja -për popullin tonë. Shkatërrimet që ajo i ka sjellë vendit e popullit tonë janë të pallogaritëshme, dhe vazhdojnë të na torturojnë mendërisht e fizikisht akoma sot… Kështu edhe për nostalgjinë e pushtimit otoman…Okupimi otoman dhe diktatura komuniste në Shqipëri kanë qenë dy fatkeqsitë ma të mëdha historike të vendit tonë, çmonte mendja e ndritun e intelektualit Ismail Kadare. Kjo ashtë historia e jonë!”

“Sot, tranzicioni i pafund “demokratik”në Shqipëri ka prodhue korrupsion, e cinizmin e partive politike, populizëm mashtrues, ndërsa presioni i kapitalizmit pa fre po kthen qytetarët në konsumatorë të thjeshtë. Pa qytetari, vendi i jonë kthehet në nji turmë robotësh të drejtueme nga nji qendër “kompjuterike” të manovrueme nga “specialistët” e njohun publikisht si “elita politike e vendit”. Ky “boshllek” i rrezikshëm duhet mbulue nga forca koshiente të situatës – nga nji elitë Patriotike, Demokratike dhe Profesionale!… Kjo kategori patriotësh gjindet vetëm aty ku ka qytetarë të lirë dhe në nji shtet të lirë e të sunduem nga ligji… Duhet të pyeten qytetarët cili ashtë vizioni i tyne, dhe nga këto vizione të nxjerrim përfundimet tona që duhet të jenë esenca e mendimit tonë kolektiv, dhe origjina e ngritjes sonë qytetare. Cili ashtë vizioni i kombit shqiptar në Ballkan, në Europë, në Botën e Lirë, sot në shekulin 21?  Kjo ashtë pyetja krysore që përballojmë sot në hymje të shekullit të dytë të Pavarësisë sonë kombëtare. Përgjigjja e kësaj pyetje ashtë nji imperativ kategorik, korrektësia e së cilës do të përcaktojë fatin tonë të paktën për nji shekull…e ndoshta për jetë!”, ka shkruar, ndër të tjera, Profesor Sami Repishti në artikullin që ai ka ndarë me mua në gusht të vitit 2017, linkun e plotë të cilit mund ta lexoni më lartë, siç është botuar në atë kohë në gazetën Dielli të Federatës Vatra në Nju Jork.

Ky shkrim dhe qindra të tjerë si ky, një trashëgimi dhe thesar i çmuar politik e letrar kombëtar, lënë pas nga Profesor Sami Repishti, na kujton në këtë 100-vjetor të lindjes së tij — njërit prej të mëdhëjve të Shkodrës, të Shqipërisë dhe Kombit mbarë — porositë për gjëndjen aktuale në trojet shqiptare dhe, njëkohsisht, nënvijon misionin e tij profetik, në mbrojtje të interesave kombëtare. Duke dhënë alarmin se shqiptarët kanë nevojë për udhëheqës që nuk kërkojnë karrierë politike, por për udhëheqës që shërbejnë kauzën e shenjtë të popullit të tyre, për njerëz që “vrasin frikën” duke folur të V ërtetën. Thirrja e Profesor Sami Repishtit për një elitë të re politike ndër shqiptarët –Elitë, “Patriotike, Demokratike dhe Profesionale” — jo vetëm që është aktuale sot, por edhe më e nevojshme se kurrë më parë në histori. I përjetëshëm qoftë kujtimi i Profesor Sami Repishtit!

Frank Shkreli

User comments

Filed Under: Reportazh

Diaspora shqiptaro amerikane nderoi ikonën e artit, humanistin Fadil Berisha

April 4, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Gjithë pjesëmarrësit në këmbë për të nderuar Fadil Berishën.

Qindra pjesëmarrës të ftuar special të Fadil Berishës u mblodhen në Cipriani organizuar nga drejtueset artistike Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti Kerliu, me general sponsor znj. Fotini Allteni Kokeri dhe hosted nga Shoqata Shqiptaro Amerikane “Motrat Qiriazi”.

Ndërtesa gjigande Cipriani mban emrin e Giuseppe Cipriani ai që shpiku Carpaccio-n e famshëm dhe Bellinin origjinal, dhe që janë kthyer në ikona të Venecias, shumë të njohura në të gjithë botën.

Në hollin kryesor ishte varur banner me logon nga puna fotografike me supermodelet e botës ku pjesëmarrësit grupe-grupe bënin foton e radhës me maestron Berisha nga ekipi shumë profesional si Olsi Beçi dhe të tjerë të përzgjedhur nga Fadil Berisha.

Duke parë fotot me supermodelet, punën e jashtëzakonshme artistike-fotografike në mendje më vinin fjalët e autores amerikane Dorothy Parker e cila ka thënë: “Kreativiteti është një mendje e egër dhe një sy i disiplinuar”.

Ishte emocionuese të shihje në karpetin e kuq dhjetra artistë të shquar që mirëpriteshin nga një zotëri në art dhe në sjellje siç është Fadil Berisha, fotograf i modës dhe bukurisë, filantrop, humanitar, drejtor kreativ dhe mentor. Brendësia monumentale e ndërtesës Cipriani që mbante brenda një ikonë të artit të fotografisë si Fadil Berisha, e bënte dhe më madhështore dhe më të bukur këtë mbrëmje gala. Të larta takat e supermodeleve, por më madhështore u ngrit para nesh supermodelja botërore e moshës më të vjetër të punës në botë, 93 vjeçe, Carmen Dell’Orefice e cila shkëlqente aq shumë si tavanet e zbukuruara mahnitëse, në galanë e ditëlindjes së Fadil Berishës. Afresket e pikturuara me dorë dhe natyrisht portreti i saj i sjellë mjeshtërisht bardhë e zi nga Maestro Berisha e bënin këtë vend vërtetë të jashtëzakonshëm. Aty ishte ndërthurur madhështia historike me elegancën moderne.

Nje surprizë të bukur e mori dhe nga bukuroshja shqiptare Angela Martini. Një imazh i Fadil Berishës për 24 orë në Time Square në New York. “Doja që bota të shihte legjendën që ti je”, shkruante mes të tjerash ajo. Personalitete të shquara të artit, muzikes, skenës, veprimtarë të komunitetit, të shoqatave te Kombit si Harri Bajraktari “Nderi i Kombit”, Dr.Elmi Berisha kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Ana Kohen Nderi i Kombit, Bruno dhe Kumrije Selimaj pronarët e “Club A Steakhouse” z. Qemal Zylo themelues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun, Vera dhe Ismer Mjeku, Toni Dovolani, Shpendi Xani, Dzemal Lanica kryetar i shoqatës “Ulqini”, veprimtaret e motrave Qiriazi si Agathia Luaka, Ariana Elezaj, Eva Burnazi, Myzi Aliaj, TV Kultura Shqiptare: Adem, Mimoza dhe Vera Belliu, Dr. Shpresa Xhakli, Lumi Hadri e shumë të tjerë nderuan në këtë mbrëmje gala. Nën tingujt e celistes së shquar Gjilberta Lucaj Cohen pjesëmarrësit trokëllinin nga një gotë verë në kokteilin e shtruar për këtë event.

Nën efektet e dritave audio musik performancën e hapën dy valltarë me vallen “K’cimi i Tropojës” që është zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO, ndërkohë një slide show shfaqej në ekrean rreth Shqipërisë dhe Kosovës. Aktorja e Hollivudit Eliza Dushku përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe uroi Maestron Berisha. Ajo prezantoi divën shqiptare Inva Mula dhe Maestron Genc Tukici. Inva Mula e hapi spektaklin madhështor me këngën gati hymn: “Shqipëri o vendi im” shoqëruar nga Genci Tukiçi në piano. Çfarë harmonie e përkryer midis tyre, dukej sikur sollën Atdheun tonë në Manhattan. Kënga “Te volio bene” interpretuar nga Inva Mula ishte një tjetër sukses shoqëruar nga violinisti Olen Cezari, Genc Tukiçi të cilët luajnë në tastierë dhe në tela sikur vallëzojnë magjishëm në ajër. Olen Cezari dhe Genc Tukiçi performuan “V. Monti, Czardas”.

Modelja shqiptare Emina Cunmulaj udhëhoqi intervistat me njerëzit e shquar si Carmen Del, Nikki Haskell, Paula Shugart President o Miss Universe.

Një tjetër artiste e shquar e famshme ndriti skenën si gjithmonë Dëshira Ahmeti Kërliu e cila së bashku me Inva Mulën ishin drejtuese artistike të këtij spektakli madhështor. Dëshira interpretoi “O mio Babbino Caro” e cila shoqërohej me nje slide show me foto te realizuar nga mjeshtri Berisha. Artistja Cunmulaj foli për kontributin e Fadil Berishës dhe tributin që i ka dhuruar Nexhmije Pagarushës. Në nderim të këtij tributi intepretoi plot profesionalizëm Dëshira me këngën aq të dashur “Baresha”, ndërsa në ekran shfaqeshin pamje të hatashme nga Rugova, Kosova.

E pamundur të sjellësh të gjithë programin aq të detajuar, por mbresëlënëse ishte kabaja ne klarinetë të interpretuar mjeshtërisht nga Igli Tuga shoqëruar nga Genc Tukiçi.

Artistja me famë botërore Inva Mula prezantoi sponsorin kryesor zonjën fisnike Fotini Kokeri një filantropiste dhe bamirëse e mirënjohur. Një moment special ishin motrat e Fadilit në skenë. Kryetari i Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama nderoi Fadilin në emër të kryeqytetit të Kosovës, gjithashtu Atifete Jahjaga ish presidente e Kosovës kishte përgatitur një dhuratë në emër të fondacionit.

Genc Tukiçi dhe Inva Mula performuan një këngë kushtuar mjeshtrit Berisha kompozuar nga Genc Tukiçi, gjithashtu ata intepretuan “Gëzuar Ditëlindjen” ndërsa nipi i Fadilit mbante kekun e ditëlindjes.

Pjesëmarrësit dëgjuan urimin nga presidentja e Kosovës znj.Vjosa Osmani, ndërsa në ballroom performuan valltarët. Ne ekran u shfaq filmi “Dear Albania” ku Eliza Dushku ishte artistja kryesore, ndërsa në skenë ajo qëndronte bashkë me vëllain e saj.

Këngëtarja e famshme e Sanremos Elsa Lila performoi dy këngë ndërkohë jepej një slide show me portretet e saj realizuar nga maestro Berisha. Elsa Lila prezantoi Dea Kërliu e cila ka qenë ish nxënësja ime pranë Shkollave Shqipe “Alba Life”, tashmë nxënëse në Man school një nga shkollat më të njohura në botë për art dhe muzikë. Dea intepretoi dy këngë, e cila premton shumë për në skenat botërore dhe është e ardhmja e Diasporës në art dhe më gjerë.

Parshqevi Simaku nga ferri në dritë, për herë të parë në skenë

Ajo doli për herë të parë në skenë pas ferrit ku kishte rënë dhe kjo fal Maestros Berisha. Parshqevi Simaku u prezantua nga Emina Cunmulaj në skenë dhe natyrisht publiku e mirëpriti me mjaft emocion dhe dashuri divën e muzikës shqiptare siç e quan Elton Iliriani, ëngjëlli mbrojtës i saj së bashku me Elvira Taten. Ata e nxorrën nga tuneli i errët në metropolin më të madh Nju Jork dhe e ringritën në dritën që meritonte, në dritën që i dhuroi publikut nga ninëzat e syve të saj të bukur. Diva u shoqërua nga Eltoni ku mbante në dorë dhuratën për Fadilin. Si një zog fluturues sa hapi gojën për të kënduar publiku u çua në këmbë dhe e shoqëronte me duartrokitje. Ajo ruante po atë butësi të kadifejtë, po ato flokë si pendë palloi dhe po atë mirësi në komunikim si gjithmonë me publikun.

Simaku e uroi Maestron duke interpretuar në skenë këngën: Globi (Dhuratë për ditëlindje). Ajo doli për herë të parë në këtë skenë madhështore pas kaq vitesh vuajtje, përpjekje, mundime dhe hidhërime!

Artistja premton shumë dhe publiku mezi e pret në skenë. Takimi midis mjeshtrit Berisha dhe Simakut ishte shumë i ndjerë, i bukur, rrezëlitës dhe njerëzor, ishte vërtetë një dhuratë e florinjtë në këtë vit jubilar realizuar nga Berisha. Parashqevi Simaku është nje artiste e rrallë që edhe pse ka kohë pa dalje në publik, të ngacmon kujtesën dhe vjen me një jehonë flladitëse shpirtërore dhe të frymëzon për të shkruajtur dhe për ta kujtuar me plot respekt, por mbi të gjitha me dashurinë si artdashëse e saj.

Ajo erdhi nga një qytet i vogël i Shqipërisë, Kavaja dhe u ngrit plot meritë në tempullin e artit, me zërin e saj melodioz, bukurinë femërore, delikatesën në plastikën e lëvizjeve të shoqërimit, buzëqeshjen e trëndafiltë si gonxhe shqipërie. Në këtë mbrëmje performuan shumë artistë të tjerë si artisti i shquar Arjan Kërliu së bashku me bandën “Dea” me muzikantin e talentuar Did Tezha dhe Elis Lloshi. Në këtë mbrëmje performoi dhe artistja tjetër e shquar Mira Konçi etj.

Humanistja Fotini Kokeri prezantoi avokaten e mirënjohur, Beti Beno, presidente e “Motrave Qiriazi” që ishin hosted për këtë mbrëmje dhe natë të paharrueshme duke nderuar ikonën e artit Fadil Berisha. Të nderuara për punët e tyre atdhetare, kulturore gjithmonë na bëjnë të ndihemi krenar për veprimtarinë e tyre. Ato i dhanë bursë studimore për Nora Muhaxhiri e cila përshëndeti me një këngë.

E nderuan me urimet e tyre Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z. Ervin Bushati, miku i ngushtë i Fadilit z. Avni Mustafaj si dhe shoqata shqiptaro kanadeze.

Performuan dy yjet e Kombit çifti simpatik Merita Halili dhe Raif Hyseni, artistët e mirënjohur dhe shumë të dashur Gezim Nika “Shqiperi o nëna ime”, Albërije Hadërgjonaj, Yllka Kuqi.

Mbrëmja u mbyll duke shkuar të gjithë artistët në skenë dhe duke performuar së bashku “Xhamadani vija vija”. Ditëlindja e 65-të e ikonës së artit Fadil Berisha do të ngelet përgjithmonë në kujtesën e pjesëmarrësve, dashamirësve të artit, të muzikës, botës së artit. Gëzuar ditëlindjen Maestro Berisha dhe vepra juaj rroftë sa malet e Shqipërisë! Autorja e shkrimit është shkrimtare, autore e tetë librave, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në gjithë New York-un dhe në Albany si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

2 Prill, 2025

Manhattan, New York

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 181
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT