• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përkujtohet 80 vjetori i Masakrës së Filatit në Çamëri

April 1, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Alket Veliu: Akademia të hartojë një dosje e plotë studimore për Çamërinë.

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” organizoi, në mjediset e Hotel Tirana Internacional, një aktivitet në kujtim të 80-vjetorit të masakrës së Filatit. Në 6 Mars 1945 u krye, në pabesi, në Filat – Çamëri, një nga masakrat më të tmerrshme ndaj popullsisë së shqiptare. “Sot kemi mundësinë të dëgjojmë nga studiues të shquar, për të vërtetën e Masakrës së Filatit, me analiza dhe fakte konkrete, duke na ndihmuar të kuptojmë thellë, jo vetëm atë që ndodhi, por edhe ndikimin që kjo masakër ka pasur në kujtesën tonë kolektive”, tha në fillim të takimit moderatorja Sildi Koqini.

Historiani i njohur, Akademik, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, u shpreh se politikanët shqiptarë në 30 vitet e fundit kanë heshtur përballë propagandës greke për spastrimin etnik të Çamërisë, edhe kur ajo është bërë në mes të Tiranës. Në propagandën politike, por edhe në historiografinë moderne greke ekziston një interpretim i mirëkoordinuar për të justifikuar masakrimin e çamëve dhe spastrimin etnik të Çamërisë në çastet e fundit ët Luftës së Dytë Botërore (qershor 19440 mars 1945), tha më tej Prof. Xhufi. Të gjithë udhqëheqësit grekë e kanë mohuar ekzistencën e një problem çam, i kanë deklaruar shqiptarët e Çamërisë si kolaboratorë të pushtuesve italo-gjermanë të cilët, nga frika e ndëshkimit për krimet që paskëshin kryer në dëm të grekëve, në mbarim të luftës ikën vullnetarisht në Shqipëri.

Këto fjalë kanë shqiptuar mu në mes të Tiranës, pa ua bërë kush fjalën dysh nga ana e shtetarëve të Shqipërisë demokratike (nëse përjashtohet presidenti Alia që i përkiste Shqipërisë komuniste).Të njëjtin refren shqiptojnë edhe historianët dhe akademikët grekë. Një zë i ndryshëm ndër ta është ai i Lambro Baltsiotis, një studiues i ri, i cili më së shumti jeton e shkruan jashtë Greqisë. Sipas tij, kur Italia fashiste sulmoi Greqinë, në tetor 1940, krerët e komunitetit çam u arrestuan dhe u dëbuan, duke u dhënë kështu çamëve muslimanë një provë se ata i prisnin gjëma edhe më të mëdha. Baltsiotis ka kapur thelbin e problemit çam, kur del në konluzionin se: “dëbimi i çamëve muslimanë nga Epiri perëndimor ishte rezultat i një politike shtetërore, një politike të frymëzuar nga ideologjia nacionaliste, që mbizotëronte në Greqinë e periudhës mes dy luftërave. Dëbimi i çamëve, prqa, ishte pjesë e politikës së shtetit grek për të ushtruar kinse të drejtën e tij për të dëbuar “jo grekët” nga territori i vet”. Në fakt historia e Greqisë së re është histori e dëbimit të muslimanëve, që në treva të tëra përfaqësonin një pjesë të mirë të popullsisë (Thesali, Peloponez, Kretë), tha në vijim Prof. Pëllumb Xhufi. Kushtetuta e parë greke e vitit 1822 e konsideronte Greqinë vendin e grekëve (ku jogrekët ishin të padëshiruar). Një historiane re greke, e formuar në shkollën shkencore gjermane, Georgia Kretsi, nënvizon: “ndërsa shqiptarët muslimanë të Çamërisë duheshin dëbuar, si jo grekë e gjithashtu si muslimanë, shqiptarët e krishterë u konsideruan nga politika helene potencialisht si “grekë të një gjuhe tjetër” dhe si të tillë mund të integroheshin dhe të asimiloheshin në shoqërinë greke”.

Presioni politik i shtetit grek mbi minoritetin musliman të Çamërisë vazhdoi të ushtrohej edhe nga pushtuesit e saj, italianët dhe, pas tyre, edhe gjermanët, ndoqën një politikë të përçarjes mes elementit musliman dhe atij të krishterë, tha më tej zoti Xhufi. Ndërkohë një numër i madh çamësh, u bashkua me forcat e ELAS-it. Kështu, në prill 1944 raportet gjermane flasin për “bandën bolshevike të Rexhep Plakut”, një komandant i shquar i forcave partizane. Në verën e vitit 1944, me 500 banorë çamë, muslimanë e të krishterë, u krijua batalioni i IV i regjimentit XV të ELAS-it. Pasi bëri një përmbledhje të masakrave që forcat e EDES-it, të komanduara nga nën/koloneli Krania, kryen në Paramithi, dhe krimet e pashëmbullta të ushtrisë greke, të drejtuar nga Napoleon Zerva, Prof. Xhufi citoi një raport të komandantit të misionit britanik, Woodhouse, të 16 tetorit 1945, i cili raportonte lidhur me këto ngjarje: ”Zervas, i inkurajuar nga misioni aleat nën komandën time, i dëboi çamët nga vatrat e veta më 1944 për të lehtësuar veprimet luftarake kundër armikut….Puna e Zervas u çua deri në fund nga një njësi e mbetur e tij, e drejtuar nga një oficer me emrin Zoto…Çamët morën atë që merituan, edhe pse metodat e përdorura nga Zerva kundër tyre ishin tepër mizore. Rezultati ishte gjithsesi shpërngulja e një popullsie, e një minoriteti të padëshiruar, nga territori grek. Ndoshta është më mirë t’i lëmë gjërat kështu”.

“Për këtë masakër”- tha Hajredin Isufi, historian, personalitet i shquar i Çamërisë, “kanë shkruar shumë dhe asnjëherë nuk kanë thënë të vërtetën. Dhe misionarët anglezë kur vinte puna i mëshironin çamët, por në fund të fundit nuk thanë asnjë gjë”.

Ngjarja është zhvilluar në këto rrethana: më datën 6 mars 1945, Lt. Cristo Kaca zbarkoi nga Korfuzi në pjesën kontinentale dhe ky zbarkim i tij ishte parë nga barinjtë e zonës. Ndër banditët e tjerë drejtues, dëshmitarët e tjerë konstatuan edhe Major Ilio Kaca, i cili erdhi nga Palo Fshati, si edhe kolonel Zotto. Ata kishin deklaruar se i përkisnin Organizatës së Plastiras, kanë qenë të veshur me uniforma ushtarake greke. Këtyre, më pas, iu bashkuan gangsterë të armatosur nga Korfuzi dhe nga popullsia lokale koloniste greke, diku rreth 50 deri 100 njerëz të armatosur. Masakra e Filatit shënoi nxjerrjen përfundimtare edhe të 5000 shqiptarëve të fundit të rikthyer pas marrëveshjes së dhjetorit 1944, në mes FNÇ dhe EAM.

Në fund të muajit mars 1945, një detashment i trupave britanike arriti në Filat, për të hetuar dhe raportuar në detaje mbi ngjarjet. Mirëpo, qeveria greke kishte marrë masat dhe udhëzuar Guvernatorin e Përgjithshëm të Epirit, për t’iu raportuar ushtarakëve britanike, se njësitë e Gardës Kombëtare Greke nuk sulmonin çamët dhe se ata kishin marrë veprime të përshtatshme kundër atyre që ishin përgjegjës për incidentet. Por toka çame në këtë kohë ishte e boshatisur nga popullsia. Asnjë dëshmi e vërtetë mbi atë çfarë kishte ndodhur në ato anë nuk mund të merrej në një territor të spastruar etnikisht nga banorët autoktonë.

“Mbaj mend dhjetëra rrëfime nga babai im dhe patriotë që vinin në familjen tonë. Unë jam “ushqyer” nga këto kujtime për dy masakrat, pasi vinin të gjalla rrëfimet për llahtarën që ndodhën në shtator të vitit 1944 dhe në mars 1945 në Spatar e Filat. Emrin Vanër e kam mësuar qysh në rininë time, pasi ishte rreth dy kilometar larg fashatit tonë Spatar. Dhe këtu u therën barbarisht 217 vetë, prej të cilëve 120 burra, 60 gra dhe 15 fëmijë. Vanra notoi në gjakun e pafajshëm të çamëve, duke u bërë pre e xhelatëve të pashpirt”, tha shkrimtari Enver Kushi. – Mbaj mend pyetjen që bënin në fund: C’kishim bërë që na vranë barabarisht? Kujt i kishim rënë në qafë? Ne kishim miqësi me të krishterët. Edhe me vllehët, edhe me grekët. Në shtëpinë tonë por edhe në familje të tjera të Spatarit, morëm në mbrojtje vëllezërit tanë nga Kastria. Po citoj një pjesë nga letra që Musa Demi i dërgoi Theodhori Vitos, njërit nga drejtuesit e EDES-it, publikuar nga hajredin Isufi: “kemi jetuar në miqësi dhe në paqe, si vëllezër. Kur të krishterët e fshatarve të Filatit ishin në rrezik nga propaganda e huaj, që nxiste vëllavrasje dhe për çarje, muslimanët morën në mbrojtje shumë të krishterë dhe u shpëtuan atyre jetën, nderin dhe pasurinë….Dhe tani ka ardhur koha që atë akt të lartë që kryen çamët muslimanë ndaj vëllezërve të tyre të krishterë, ta bëni dhe ju. Në fund të fundit jemi vëllezër të një gjaku. Ngritja e dorës dhe përgjakja e vëllait është turp i shëmtuar dhe historia do të shënojë si një njollë të zezë. Dorës së zezë ju duhet t’i vini fre, siç ia vumë ne…”. Nëse masakra e parë e Filatit, ajo e shtatorit 1944 ishte epilogu tragjik i Camërisë, ajo e marsit 1945 është epilogu i epilogut të tragjedisë çame, tha më tej Enver Kushi, duke përfunduar: Njerëzit ikin por në kokën e tyre mbetet shpirti, mbeten kujtimet, mbeten ëndërrat. E mbi të gjitha mbeten miqësitë. Ka plot dëshmi të kësaj miqësie, që u ndërpre kur familja ime u largua mes llahtarës së marsit 1945. Unë jap për rikthimin e këtyre miqësive, ato janë atje, përtej Qafës së Botës. Ato sfidojnë krimin, ngrihen mbi dasitë, urrejtjet, poltikat përçarëse mes popujve!

Drejtori i Institutit të Historisë, prof. Hamit Kaba, përmendi librin e historianit grek Jorgos Margaritis “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, i cili tregon një realitet tjetër për ngjarjet e ndodhitë tragjike në Çamëri.

Besnik i parimit të të vërtetave që jep historia, larg ndikimit të politikës dhe nacionalizmit ekstrem, autori konkludon se shteti i pavarur grek, që në fillimet e jetës së tij, nuk u mësua të jetojë me komunitetet dhe minoritetet e tjera, pra me fe tjetër dhe me origjinë tjetër kombëtare. Jorgos Margaritis, me fakte tronditëse, jep shkatërrimin gradual të komunitetit hebre në Greqi, i cili arriti kulmin gjatë luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në qytetin e Selanikut. Sipas autorit, në Selanik “antisemitizmi grek mori formën e tij më luftarake dhe njëkohësisht më politike e teorike, duke ofruar në këtë mënyrë materialin e parë për zhvillimin e organizatave me karakteristika nacionaliste, por edhe naziste”.

Në pjesën e dytë “Peripecitë e çamëve deri në dëbimin e tyre gjatë dhjetëvjeçarit të 40- ës”, Margaritis jep fatin tragjik të minoritetit tjetër historik në Greqi: të çamëve. Periudha së cilës i referohet autori, 1912- 1944, është e mbushur me tensione dhe urrejtje dhe “kur u kthye lufta në fillimet e dhjetëvjeçarit të 1940-së dhe bashkë me të u hapën në çdo vend kacekët e Eolit, retë e pasioneve dhe të kërcënimeve përfunduan në stuhi”.

Duke komentuar mbi gjendjen në Çamëri, koloneli anglez C.A.S.Palmer, në një raport pas vizitës së tij në Çameri, gjate 9-14 prill 1945, pasi përshkruen ndjenjat e urrejtjes se fortë greke kundër shqiptarëve që jetonin në zonat më të mira të Çamërise – Filati, Paramithia, Margëllici, Gumenica, thekson se : ”…ka qene gjithmonë një ndjenje urrejtje e fortë nga ana e grekëve të kësaj zone kundrejt çamëve”. “…Ushtarët e EDES-it gjeten mundësinë për hakmarrje. Përleshjet u hapën gjatë verës së vitit 1944 me provokime ndoshta nga të dy palët, një situatë që, pa dyshim, është inkurajuar nga gjermanët…. Sulme te reja u bënë në mars 1945, që ishin një vazhdim i ndjenjave ekstreme anti-shqiptare që ekzistojnë në Greqi për atë krahinë (Çamërinë) dhe jo të provokuara nga ana e vetë shqiptarëve. Si rrjedhim i këtyre sulmeve, tani nuk ka mbetur asnjë shqiptar mysliman në Greqi”…dhe “është e pamundur për shqiptarët të kthehen në vatrat e tyre sepse vendi kontrollohet nga Qeveria (nacionaliste) greke”.

Shtetet e Ballkanit u ngritën mbi bazën e ideologjive nacionaliste, tha më tej Prof. Kaba. Prandaj në Ballkan sundon historikisht një sherrnajë gjgande. Ajo që ndodhi me popullsinë çame në fund të Luftës së Dytë Botërore është rrjedhojë e kësaj ideologjie. Pra kemi të bëjmë me spastrim etnik ose më saktë “një shpërthim të dhunës, që synonte mbylljen e çështjeve të minoriteteve me metodën më radikale: metodën e zhdukjes së popullsive minoritare”. Çlirimi nga kompleksi i gjenocidit është afirmim dhe triumf i miqësisë mes popujve. Detyra jonë është të shërojmë plagët e genocidit dhe të ndërtojmë ura për të ardhmen, tha në përfundim Prof. Kaba.

Drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, kërkoi nga Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave një studim zyrtar shtetëror të mirëfilltë për Çamërinë që të jetë busull për politikën dhe institucionet tona shtetërore. “Ajo që ndjej unë dhe besoj shumë të tjerë është fakti që ne duhet të themi të vërtetat tona. Të vërtetat e Çamërisë, të historisë sonë kombëtare.

Çështja çame është një dimension tepër i dhimbshëm i tragjedisë kombëtare. Çamët akuzohen nga grekët për bashkëpunimin me fashistët. Ndërkohë që ka qindra partizanë, shqiptarë të Çamërisë, të vrarë në luftë kundër okupatorit dhe, nëse e kemi pak disi të vështirë të identifikojmë ata të gjithë që janë vrarë në Çamëri, e kemi pak më të thjeshtë që të identifikojmë shqiptarët e Çamërisë të vrarë në Shqipëri. Ndaj mendoj se duhet punuar për të ngritur një grup pune për të identifikuar këta shqiptarë të Çamërisë që kanë dhënë jetën për çlirimin e vendit.

Ajo që kemi nevojë sot është që të kemi një studim zyrtar shtetëror të mirëfilltë për Çamërinë. Do të ishte në nderin tonë kombëtar që Instituti i Historisë, Akademia e Shkencave të ngrinte një grup pune për të pasur një dokument historik të plotë, studimor për çështjen Çame që të jetë një lloj busulle edhe për zyrtarët dhe të gjitha ata që duhet të merren me çështjen çame; Parlamentin shqiptar, qeverinë, ministrinë e Jashtme që të mos të kemi qëndrime të shkëputura që kurrsesi nuk kanë bazë historinë. Pra duhet të kemi bazë historike shtetërore. Unë e konsideroj të rëndësishme këtë gjë”, tha drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, zoti Alket Veliu.

Filed Under: Reportazh

“Vatra” Long Island – New York shtroi Iftar për muajin e Ramazanit

March 29, 2025 by s p

“Vatra” Long Island, shtroi një darkë iftari me rastin e muajit të Ramazanit. I ftuar nderi ishte Imami, Edin Gjonaj. Në fjalën e mirëseardhjes, kryetari i Vatrës Long Island, Dr. Paulin Marku ju uroj mirëseardhjen të pranishmëve. Ai shprehu falënderime për të ftuarin special të darkës së “Vatrës”, mikun tim por edhe të degës tonë, Imam, Edin Gjonaj. Në fjalën e tij, Kryetari shprehu përgëzime për të gjithë ata që agjëruan me devotshmëri përgjatë muajit të Ramazanit. Me shpresën që Zoti të pranojë lutjet e të gjithë atyre që agjëruan në këtë muaj të shenjtë, dhe uroj që paqejeja, harmoniua dhe mirësia të mbizotërojnë në për të gjithë shqiptarët. Në si komb kemi dëshmuar modelin e harmonisë fetare që është një trashëgimi e hershme dhe do të vijojë të mbizotërojë në komunitetin tonë shqiptar në Long Island, N.Y. dhe më gjerë duke marrë vlera të shtuara në sfidat globale për mirëkuptimin e bashkëjetesës së besimeve fetare të ndryshme. Përulemi me nderim të veçantë rilindësve tonë kombëtar, kryengritjeve të shumta për Pavarësi, rezistencës së shqiptarëve për lirinë e besimit. Në mbyllje, Dr. Paulin Marku falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen si dhe shprehu mirënjohje për ata që mbështeten këtë darkë dhe së bashku mundësuam që të mbajmë Iftarin në ambientet e restorantit “Belle Vie”, administruar nga vatrani i degës tonë, Milaim Lekaj.

IMAM, EDIN GJONAJ: “Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe nga zemra për Shoqatën Vatra Long Island dhe bordin e shkollës “Gjergj Fishta” për ftesën e përzemërt në iftarin që organizuan me kaq kujdes dhe dashamirësi. Nuk ishte thjesht një darkë—ishte një gjest me shumë domethënie që më preku thellë. Një falënderim i veçantë shkon për mikun tim të dashur, Paulin Markun, për mirësinë dhe respektin e tij—bashkë me të gjithë anëtarët e bordit—të cilët treguan vlera të larta dhe një shpirt të vërtetë komuniteti. Vendimi për t’u mbledhur bashkë, për të nderuar Ramazanin dhe ata që agjërojnë, flet shumë për karakterin dhe unitetin që na bashkon.

Iftari u zhvillua në ambientin e ngrohtë dhe mikpritës të restorantit “Bella Vie”, një vend i bukur dhe piktoresk në pronësi të bashkëkombasit tonë, Milaim Lekaj. Vendi ishte i përkryer, por ishte shoqëria ajo që e bëri mbrëmjen të veçantë. Kaluan disa orë të mbushura me biseda të përzemërta, ndarje emocionesh dhe momente të sinqerta që na afruan edhe më shumë si njerëz.

Ishte vërtet emocionuese të shihje njerëz me besime të ndryshme ulur në të njëjtën tryezë, jo të ndarë nga bindjet, por të bashkuar në shpirt. Një harmoni e tillë është në vetvete në përputhje të plotë me frymën e muajit të bekuar të Ramazanit—muaj reflektimi, mëshire, bashkimi dhe mirëkuptimi. Këto janë momente të rralla dhe të çmuara, që na kujtojnë më të mirën e asaj që jemi si popull. Jam thellësisht mirënjohës për ftesën, mikpritjen dhe ngrohtësinë që ndjeva atë mbrëmje.

Lutem që të kemi edhe shumë raste të tjera si kjo—mundësi për t’u mbledhur, për të festuar atë që na lidh dhe për të mbajtur gjallë vlerat që përcaktojnë identitetin tonë shqiptar. Ju uroj suksese të mëtejshme në punën tuaj të vyer për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave tona, duke mbajtur gjithmonë të gjallë shpirtin shqiptar të mirëkuptim, harmonisë dhe dashurisë për njëri-tjetrin”.

Filed Under: Reportazh

“Engjëlli i saj në Manhattan” – Historia e Elvira Tata dhe Parashqevi Simakut që preku gjithë shqiptarët!

March 28, 2025 by s p

Intervistoi për Gazetën Dielli – Dr. Iris Halili , Miami Florida
Kryetare Vatra Miami /Founder Klubi Flas Shqip

Rrëfim ekskluziv – Intervistë me Elvirën Tata, gruan që rigjeti dhe ndihmoi Parashqevi Simakun

Dy ditë pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale nga gazetari Blendi Fevziu, ku një grua me pamje të ngjashme me këngëtaren legjendare Parashqevi Simaku shfaqej në një kronikë të televizionit amerikan ABC7, rrjetet shpërthyen: A është kjo diva jonë?
Në Manhattan, Elvira, një shqiptare me zemër të madhe, pa videon dhe ndjeu menjëherë një thirrje të brendshme. Me një parandjenjë të fortë dhe një dëshirë të pashpjegueshme, ajo nisi kërkimin në rrugët e qytetit. Vetëm pak orë më vonë, në një cep pranë Penn Station, ajo e gjeti.

“Iu afrova dhe e pyeta: ‘Are you Parashqevi Simaku?’ Ajo më pa në sy dhe tha ‘Yes’. U drithërova e tëra,” – tregon Elvira, e cila që nga ai moment nuk e la më vetëm.

Takimi që i ndryshoi jetën

Parashqevia, me një buzëqeshje të ëmbël, ndonëse në vështirësi, i tregoi Elvirës se ndodhej atje duke pritur një avokat që të ndihmonte në ribashkimin me djalin e saj. Elvira, me një ndjeshmëri të rrallë, i dhuroi buzëkuqin e saj të ri Dior, hoqi nga qafa shallin e saj dhe i dha byrekun që kishte marrë ta hante në pushimin e drekës në punë.
Që nga ai moment, nisi një histori miqësie, përkushtimi dhe dashurie njerëzore që do të prekte zemrat e shqiptarëve anembanë.
Komuniteti reagon: ‘Mos e lër vetëm’!
Pasi Elvira postoi një foto dhe një video me Parashqevinë në rrjetet sociale, telefoni i saj nuk pushoi më. Shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, diaspora – të gjithë kërkonin të ndihmonin. Zonja Fotini Kokeri nga Florida i telefonoi menjëherë duke i thënë: “Mos e lër më vetëm, vendose në hotel, unë e paguaj.”
Shumë të tjerë u ofruan, përfshirë edhe aktivistin Elton Ilirjani, i cili gjithashtu shprehu gatishmërinë për të kontribuar. Së bashku, Elvira dhe Eltoni vendosën ta strehojnë përkohësisht në një hotel pranë shtëpive të tyre, për t’i dhënë Parashqevisë hapësirën dhe privatësinë që meritonte.

Artistët, publiku dhe heshtja!

Ndërsa fansat shpërthyen në gëzim, shumë artistë që kishin ndarë skenën me Parashqevinë qëndruan në heshtje. Pati edhe zëra që flisnin me xhelozi. Por dashuria e publikut ishte më e fortë. Këngëtarja Rita Ndoci ishte ndër të paktat që ndau kujtime me ngrohtësi dhe krenari.

Zemra e madhe e komunitetit dhe indiferenca e disa figurave publike!

Ndërsa disa figura të njohura si Begjet Pacolli dhe Halil Kastrati shprehën publikisht dëshirën për ta ndihmuar, Elvira tregon se nuk mori asnjë përgjigje kur i kontaktoi. I vetmi që ndihmoi konkretisht dhe në heshtje ishte z. Kadri Morina, i cili ofroi mbështetje financiare për strehim në Manhattan dhe vijon të ndjekë gjendjen e saj nga afër.

Një jetë e re, një frymë e re!

Sot, Parashqevia jeton në një ambient të ngrohtë ku ka gjetur paqe dhe identitetin e saj. Ajo gatuan, qep, dëgjon muzikë dhe pret me padurim telefonatat nga djali. Ka krijuar një miqësi të ngushtë me Elvirën, mamanë dhe vajzën e saj dhe tashmë ato janë bërë si një familje.

Muzika, mision i jetës!

“Muzika është jeta e saj. Ajo nuk mund të jetojë pa të,” – thotë Elvira. Parashqevia ëndërron një recital në Shqipëri, për të falënderuar të gjithë ata që nuk e harruan. Ajo planifikon rikthimin në skenë dhe thotë se këtë herë, do të këndojë për shpirtin e publikut.

Një nënë, një grua me yll në ballë!

“Është nënë para së gjithash,” – rrëfen Elvira me emocione. “Ka një shpirt të pastër që më ka ndryshuar edhe mua. Më ka mësuar të fal, të jem më e duruar dhe më e përkushtuar ndaj atyre gjërave që kanë vërtet rëndësi në jetë.”

Elvira e përmbyll me fjalët: “Të gjithë mendojnë se isha unë që e shpëtova Parashqevinë. Por në të vërtetë, ajo po më ndryshon mua. E bekuar qoftë ajo ditë që e takova.”
Një histori që nuk është thjesht për një artiste të madhe. Është një testament i fuqisë së dashurisë njerëzore, i shpresës dhe i ringjalljes së shpirtit.
Për më shumë informacion, intervista me zonjën Elvira në vazhdim.

“Engjëlli i saj në Manhattan” – Intervistë me Elvirën, gruan që rigjeti dhe ndihmoi Parashqevi Simakun

Gazeta Dielli sjell një rrëfim të rrallë, të jashtëzakonshëm, ku zemra, ndjesia dhe dashuria ndaj një artisteje i dhanë jetë një prej historive më prekëse të komunitetit shqiptar në diasporë. Elvira Tata, shqiptarja që jeton në Manhattan, është personi që rigjeti dhe qëndron pranë Divës shqiptare – Parashqevi Simaku.

Si lindi kjo histori? Si e gjete Parashqevi Simakun?

Elvira: Gjithçka nisi kur pashë një video në Instagram nga gazetari Blendi Fevziu. Aty shfaqej një grua që i ngjante shumë Parashqevi Simakut, në një kronikë të ABC7 News. Poshtë emrit ishte shkruar “Simaku Nofle ”. Ata e quanin “homeless” dhe pyesnin nëse ishte ajo. Më erdhi shumë keq. Menjëherë mendova: nëse e gjej, do e marr në shtëpinë time. Banoj në Manhattan, dhe me këtë dëshirë në zemër dola të nesërmen dhe fillova ta kërkoj në zonën e Penn Station. Nuk më zuri shumë – sapo dola nga stacioni, e pashë, ulur buzë rrugës, me atë buzëqeshje të butë dhe të njohur. U afrova, dhe e pyeta në anglisht: “Are you Parashqevi Simaku?” Ajo u kthye dhe m’u përgjigj thjesht: “Yes.”

Si ishte takimi juaj i parë?

Elvira: Ajo ishte shumë e sjellshme, kishte një fytyrë të qeshur e të bukur. Më tha se nuk fliste shqip prej shumë vitesh dhe se po priste një avokat që do e ndihmonte të takohej me djalin e saj pas shumë vitesh. I dhashë një të kuq buzësh Dior që kisha blerë për veten, I hodha në qafë shallin tim që të ndihej ngrohtë dhe I ofrova një byrek me spinaq që e kisha bërë vetë. Ajo qeshi, e pranoi me mirënjohje dhe më tha: “Kam vite pa ngrënë byrek.”

Si reagoi komuniteti shqiptar kur ndave fotot dhe videon?

Elvira: Telefoni im nuk pushoi. Shqiptarë nga New York-u, Shqipëria, Kosova, diaspora – të gjithë telefononin, falënderonin, ofronin ndihmë. E para më telefonoi Fotini Kokeri nga Florida, duke më lutur që ta mbaja Parashqevinë me vete, ta vendosja në një hotel me shpenzimet e saj. Më tha: “Mos e lër vetëm.” Pastaj më telefonuan shumë të tjerë, përfshirë Elton Ilirjanin që kërkoi ta ndihmonte. Unë u ndjeva e përmbushur dhe vendosa ta mbaja vetë në shtëpinë time.

Si vazhdoi kujdesi juaj ndaj saj?

Elvira: Shkova tre herë atë ditë për ta marrë. Ajo më thoshte: “Do vij, kismet.” Ishte shumë e sjellshme dhe e përulur. Më pas, bashkë me Eltonin, vendosëm ta sistemojmë në një hotel pranë nesh për të pasur pak privatësi dhe qetësi. Ajo ndjeu se ishte respektuar. Ndërsa disa figura të njohura si Begjet Pacolli dhe Halil Kastrati shprehën publikisht dëshirën për ta ndihmuar, asnjëri nuk dha përgjigje kur i kontaktova. Ai që ndihmoi konkretisht dhe në heshtje ishte z. Kadri Morina, i cili ofroi mbështetje financiare për strehim në Manhattan dhe vijon të ndjekë gjendjen e saj nga afër.Mirënjohje pa fund atij, Eltonit dhe të gjithë dashamirësve të Divës që ndihmuan në llogarinë e hapur për të.

Në një moment kur një zë i artit shqiptar ndodhet në nevojë, a nuk është artistike dhe njerëzore të tregojmë zemrën, ashtu siç dikur i dhamë duartrokitjet?

Elvira :Të them të drejtën, kam ndjekur me shumë vëmendje reagimet që erdhën pasi u mësua historia prekëse e Parashqevi Simakut. Shumë artistë, brenda dhe jashtë vendit, folën me ndjenjë dhe respekt për të. Por, në të njëjtën kohë, shumë të tjerë heshtën. Disa ndoshta nga mosdija, të tjerë nga stepja, dhe ndoshta disa nga xhelozia që, për fat të keq, ka ekzistuar gjithmonë në skenën artistike.
Parashqevia nuk ishte thjesht një këngëtare. Ajo ishte një zë brilant, një ikonë që na bëri krenarë dhe na bashkoi përmes këngës. Ajo ishte idhulli i një brezi të tërë, e ftuar në çdo festival, fituese e shumë çmimeve të para. Kjo ndër vite e vendosi në një pozicion të veçantë dhe të privilegjuar, por për fat të keq, në një botë ku arti shoqërohet shpesh me konkurrencë të ashpër, ky pozicion solli edhe xhelozi e pakënaqësi.
Dhe sot, kur ajo u gjend në një moment të vështirë, shumë prej atyre që dikur ndanin skenën me të, nuk thanë asnjë fjalë. Të paktët që folën, si Rita Ndoci, treguan shpirtin e vërtetë të artit – ndjeshmërinë, dashurinë, mirënjohjen, kujtimet.
E megjithatë, Parashqevia nuk mban mëri. Ajo nuk gjykon, nuk flet keq për askënd. Zemra e saj e madhe di vetëm të falë, të kuptojë, dhe të ecë përpara me dinjitet.

Si është marrëdhënia juaj sot me Parashqevi Simakun?

Elvira: E quajmë njëra-tjetrën si motra. Ajo më thotë “engjëlli im.” Kalojmë shumë kohë bashkë – në shtëpinë e saj, në pazar, në dreka, në shëtitje. Vjen edhe në shtëpinë time, është shumë e lidhur me mamanë dhe vajzën time. Jemi bërë një familje.

Si po ndihet ajo tani në shtëpinë e saj të re?

Elvira: Është shumë më mirë. Gatuan, qep, dëgjon muzikë. Ka filluar të gjejë veten. Pret me padurim një telefonatë nga djali. Më shpreh gjithmonë falënderim: “Ti më premtove që do më shpëtoje – dhe e mbajte fjalën. Do të jem falënderuese përjetë.”

Po muzika? E ka rikthyer atë dashuri për artin?

Elvira: Ajo nuk e koncepton jetën pa art. Muzika është jeta e saj. Edhe kur ishte në rrugë, dëgjonte këngë jazz dhe këndonte nën zë. Ajo është vetë muzika.

A do rikthehet Parashqevia në skenë?

Elvira: Po, patjetër. Kjo është dëshira e saj më e madhe. Të ngjitet në skenë dhe të këndojë për popullin që e deshi dhe e priti për vite. Parashqevia ëndërron një recital në Shqipëri, për të falënderuar të gjithë ata që nuk e harruan. Ajo planifikon rikthimin në skenë dhe thotë se këtë herë, do të këndojë për shpirtin e publikut.

Çfarë ka më shumë nevojë tani?

Elvira: Ka nevojë për një ribashkim emocional me familjen, për të krijuar një qetësi që i mungoi për vite. Ka nevojë për dashuri të pastër, përkrahje të vërtetë dhe një hapësirë për të krijuar sërish këngë.

A ndan kujtime të bukura nga e kaluara e saj?

Elvira: Po, pafund. Flet me mall për kohën kur doli për herë të parë në audicion, si e përqafuan që në fillim për zërin e saj. Kujton trofetë që i kushtonte gjithmonë publikut. Ka një memorie të jashtëzakonshme dhe flet me shumë ndjenjë.

Çfarë ndikimi pati tek ty kjo përvojë me Parashqevinë?

Elvira: Më duket se më ndryshon përditë. Më bën më të butë, më tolerante, më të dashur. Më mëson të mos urrej, të mos gjykoj. Ka një shpirt të pastër ajo. Më ka mësuar të fal, të jem më e duruar dhe më e përkushtuar ndaj atyre gjërave që kanë vërtet rëndësi në jetë. Ajo më mëson edhe receta gatimi nga nëna e saj. Ndihem me fat që e kam afër dhe e quaj mike, motër. Të gjithë mendojnë se isha unë që e shpëtova dhe i ndryshova jetën Parashqevisë. Por në të vërtetë, ajo po më ndryshon mua gjithashtu. E bekuar qoftë ajo ditë që e takova.”

Faleminderit nga zemra, Elvira! Ti nuk gjete thjesht një këngëtare të humbur, por një shpirt të bukur që i kishte munguar kaq shumë publikut shqiptar. Falë dashurisë dhe përkushtimit tënd, kjo histori mori jetë.

Filed Under: Reportazh

“Porosia” e fundit e Naum Priftit dhe dorëshkrimet e pabotuara, ekspozohen në Bibliotekën Kombëtare

March 25, 2025 by s p

alb-spirit.com/

Biblioteka Kombëtare ka çelur një ekspozitë në ambientet e Qendrës “Sotir Kolea” me dorëshkrimet personale të shkrimtarit Naum Prifti.

Takimi u moderua nga zv. Drejtorja e Bibliotekës Kombëtare, Majlinda Toçi ku e pranishme ishte edhe vajza e shkrimtarit, Julika Prifti e cila përshëndeti gjithashtu çeljen e ekspozitës, duke falënderuar të pranishmit dhe organizimin e takimit.

“Një ekspozitë e re, e paparë më parë. Babai kishte 100 dosje të ruajtura në shtëpi dhe në çdo gjë kishte të detajuar çfarë përmbante dosja. Babai ka gati po aq shumë gjëra të pabotuara sa ka të botuara. Janë një mori filmash…”, u shpreh Julka Prifti.

Për të pranishmit u shfaq edhe dokumentari “Porosia e përjetësisë ” nga producenti Mumin Jashari, Media Film Production, Prishtinë mbi amanetin e shkrimtarit Naum Prifti për t’ia sjellë hirin në Shqipëri.

Artistet e nderuara Justina Aliaj dhe Violeta Trebicka interpretuan pjesë të krijimtarisë së Naum Priftit; “Lisi plak”dhe “Pse Shqipëria ka male shumë”.

Në përfundim të takimit, miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë të Naum Priftit ndanë kujtimet dhe mbresat e tyre nga e kaluara me shkrimtarin, mes të cilëve Paskal Milo, Sadik Bejko, Dhimitër Haxhimihali, Çerçiz Loloçi dhe Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve në Nju-Jork, Adnan Mehmeti.

Dorëshkrimet e ekspozuara kanë një vlerë të veçantë, sepse përmbledhin historikun e krijimtarisë letrare dhe kinematografike të Naum Priftit, si dhe ndajnë detaje interesante nga jeta e tij personale dhe natyra kurioze që shkrimtari ka pasur.

Naum Prifti ka lindur në Rehovë të Kolonjës, ku kreu shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaroi Politeknikumin Mjekësor në Tiranë dhe punoi një vit si ndihmësmjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë vazhdoi studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”.

Prifti punoi më pas si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjës. Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76.

Në këto vite shërbeu edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (Neë York), ku vazhdoi të jepte ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar dhe për letërsinë shqipe. Në vitin 1995 u zgjodh sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra.

Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.

Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj.

Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.

Tregimi: “Dimri i Urisë” ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005.

Filed Under: Reportazh

Gratë që Frymëzojnë – Marsi që Bashkoi Kulturat në Zemër të Floridës së Jugut

March 22, 2025 by s p

Dr. Iris Halili/

Në një atmosferë entuziaste dhe festive, Vatra Miami dhe Klubi Flas Shqip mblodhën zonjat dhe zonjushat e Floridës së Jugut për të festuar 7 dhe 8 Marsin – Ditën e Mësuesve dhe Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Hollywood , Florida. Mbrëmja nisi me ritmin e melodisë “Eja, Eja Lule Borë”, për të vijuar më pas me hitet më të bukura të muzikës shqiptare tradicionale dhe jo vetëm.

Në fjalën e hapjes, Kryetarja e Vatra Miami dhe Klubit Flas Shqip, Dr. Iris Halili falenderoi të pranishmet dhe në veçanti të gjitha mësueset vullnetare të Klubit Flas Shqip, Liljana Rumbullaku, Ana Liko dhe Bella Pando të cilat me punën dhe përkushtimin e tyre kanë dëshmuar një model të shkëlqyer në komunitet.

Më tej, u lançua lëvizja e re e përbashkët e Vatra Miami dhe Klubit Flas Shqip, e cila mban emrin “Dior 766”, në nder të zonjës Elvira Tare, e cila disa muaj më parë i erdhi në ndihmë këngëtares së njohur Parashqevi Simaku në një moment të vështirë të jetës së saj. Ky akt fisnik nisi me një të kuq buzësh Dior 766 që zonja Tare i dhuroi këngëtares. Në fjalën e saj, zonja Halili theksoi: “Dior 766 le të jetë lëvizja e gruas që ndihmon gruan në nevojë dhe kjo iniciativë të jetë një hap simbolik që gratë të ndihmojnë më shumë njëra-tjetrën. Ndihma që i japim çdo gruaje na nderon dhe na lartëson.”

Në shenjë mirënjohjeje për modelin e saj si grua që ka ndihmuar jo vetëm një, por shumë zonja të komunitetit, u nderua zonja Tina Jakupi, e cila mori si dhuratë simbolike një “Dior 766”.

Po ashtu, u nderua zonja Tika Hoti, një ndër nënat e para që regjistroi fëmijët e saj në Klubin Flas Shqip dhe që ka sponsorizuar mjedisin ku prej një viti zhvillohet falas mësimi i klasës së Klubit në qytetin Boca Raton.

Gjatë ceremonisë u vlerësuan edhe disa zonja nga Albanian Women Club dhe Vatra Miami, Ndër emrat e nderuar ishin Zonjat Ariola Dedaj, Mirela Bejleri, Guler Petrela, Martina Marini dhe Drenusha Celaj.

Një vend të veçantë në festë zuri dhe mirënjohja për sponsorët e eventit: Restorant Cucina, Alyssa’s Bakery dhe Soulmates, tre biznese të suksesshme shqiptare me reputacion të shkëlqyer në shtetin e Floridës dhe më gjerë.

Zonja Ana Walsh, një shqiptare me origjinë nga Shkupi si artizane e talentuar e bizhuterive me punim dore, dhuroi një numër të konsiderueshëm të krijimeve të saj për disa zonja dhe zonjusha pjesëmarrëse.

Sigurisht, në një festë shqiptare nuk mund të mungonte bakllavaja tradicionale, e cila u përgatit mjeshtërisht nga Restoranti Shqiptar Toska, me pronare zonjën e re nga Kosova , Mjellma Shehu.

Një element tjetër i veçantë që i dha më shumë vlerë kësaj mbrëmjeje ishte prania e zonjave me origjinë të ndryshme, përtej asaj shqiptare. Në festë morën pjesë dhe zonja amerikane, turke dhe nga komunitete të tjera ndërkombëtare, të cilat u mahnitën dhe u prekën nga ngrohtësia, energjia dhe traditat tona. Ato u bashkuan në vallëzim dhe festuan së bashku me zonjat shqiptare, duke e kthyer këtë aktivitet në një ngjarje me të vërtetë shumëkulturore. Kështu, kjo mbrëmje mori një kuptim të plotë të asaj që përfaqëson Dita Ndërkombëtare e Gruas – një festë që bashkon gra nga të gjitha kulturat për të nderuar dashurinë, mbështetjen dhe fuqinë femërore në çdo cep të botës.

Atmosferën e ndezi një balerinë profesioniste e belly dancing, e cila jo vetëm performoi disa valle autentike, por kërceu edhe mes zonjave, duke e bërë mbrëmjen akoma më të veçantë.

Në fund të mbrëmjes, mes buzëqeshjeve dhe emocioneve të sinqerta, u përcoll një mesazh i qartë: Festimi i 8 Marsit nuk ishte vetëm një ngjarje festive, por një kujtesë e fortë për të gjitha gratë që janë përkrahëse, frymëzim dhe shtyllë e çdo familjeje dhe komuniteti. Ky organizim i Vatra Miami dhe Klubit Flas Shqip është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një komuniteti më të bashkuar dhe më të fuqishëm për të ardhmen.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 181
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT